BASHKIM KOZELI
DRAME
P E R
S O N A Z H E T :
GERY POLLIT..............komandant i një
njësie të NATO-s në Kosovë.
GRETA........................kapitene
e NATO-s, psikologe
AZEMI........................mësues
BRANKO.....................shok
fëminie i Azemit
LJUBA.........................kushërirë
e Brankos
SOFIA.........................nëna e
Brankos
FATMA.......................shoqe e Ljubës
SOKOLI.......................ish-nxënës i
Azemit,luftëtar i UÇK-së
PLAKU JOVAN............luleshitës
(një fëmijë, një infermiere, dy ushtarë serbë)
1.
P R O L O G
Skena:
Zyra
e mobiluar e komandantit të një njësie të NATO-s, gjeneralit Polit Gerrit. Bie
zilja e telefonit, gjenerali merr receptorin.
GJEN: Ju dëgjon gjenerali Polit Gerrit, komandanti i
njësisë 99 të
NATO-s
në Kosovë. Urdhroni, zoti komandant i NATO-s. Gjer tani gjithçka po shkon në
rregull. Ju kuptova, si urdhron !...
(Gjen.
Polit le receptorin dhe hap televizorin me ekran te
madh. Në ekran ndjehet atmosfera festive
rrugëve të Prishtinës, ku populli kosovar pret me entuziazëm trupat e NATO-s.
Pauzë. Hyn kapitene Greta)
GRETA
: (nderon) Zoti
komandant...
GJEN.: (duke vazhduar të shohë
televizorin) Po...
GRETA
: Shqiptari i plagosur i UÇK-së,
që ndodhet i shtruar në spitalin
tonë, nuk po bindet të zbatojë urdhrin për dorëzimin e armës.
GJEN
: Si !?...
GRETA
: Kur erdhën ata të komisionit të
çarmatimit, ai nxori automatikun nga nën-jasteku dhe e shtrëngoi fort, duke u
thënë :“Të vdekur mund t‘ ma merrni, por të gjallë, besa, kurrë...“. Atëhere ndërhyra dhe unë t’i mbushja mendjen, se gjithë shokët e vet po i
dorëzonin armët dhe se kjo ishte për të mirën e Kosovës së lirë, po ai nuk më
dha përgjigje, më hodhi një vështrim që më shtangu. Më tepër më çuditën ata të
komisionit, që ikën dhe ma lanë mua përgjegjësinë. “Merruni ju me të që jeni
psikologe. - më thanë - Ne jemi të pa
fuqishëm...“ (pauzë)
GJEN
: Mos është gjë i sëmurë nga
mentë i plagosuri ?
GRETA: Jo, zoti komandant. Kam kaq kohë që
ndjek ecurinë e tij. Mund t’ju them se është tepër inteligjent dhe i arsyeshëm.
Ndaj ndjehem e befasuar nga sjellja e sotme e tij....
2.
GJEN
: Njoftoni komandantin e
njësisë së tij të merret me të !...
GRETA
: Edhe atë e njoftova, sapo ikën
ata të komisionit...Por i plagosuri nuk denjoi t’i hidhte as sytë eprorit të
vet. Vetëm i tha : “Ti s’je më komandanti im, përderisa pranove të çarmatoset
brigada...“. Eprori i tij u detyrua të
largohej pa bërë fjalë, që të mos ndodhte ndonjë skandal...
GJEN : Atëhere të
çarmatoset me forcë !...
GRETA : Më falni, zoti komandant,
por më lejoni t’ju kujtoj se këtu kemi ardhur me mision humanitar e
paqeruajtës...
GJEN : E di fort mirë
misionin tonë, kapitene...Por neve na duhet të jemi më të rreptë se në luftë,
kupton ! Në front, së paku, kundërshtarin e ke përballë, ndërsa tani nuk e dimë
se nga e si do na shfaqet... Po lejuam anarki të tilla nga të dy ekstremet,
misioni ynë ka dështuar pa nisur akoma...Prandaj i plagosuri të çarmatoset me çdo kusht !...
GRETA
: Edhe në se ai vritet ?...
GJEN
: (stepet, justifikohet) Do kemi një aventurier më pak...
GRETA
: (e shqetësuar) Po sikur
ai të mos jetë i tillë ?...(eprori lëkundet, ajo i drejtohet më e vendosur)
Në psikologjinë e këtij komuniteti
ekziston një traditë e lashtë: Dorëzimin e armës e konsiderojnë si
turpin më të madh... Ndoshta ai po vepron kështu i shtyrë nga këto motive, ose
ndoshta...
GJEN
: (shpërthen) Nuk kam
nge të merrem me “ndoshtat“ e tua psikologjike, kapitene... Më zien koka nga
gjithë këto andrralla. Njerëzve u duhet siguruar jeta, ushqimet, strehimi... E mbi
të gjitha, bashkëjetesa mes etnive pas gjithasaj urrejtjeje shekullore... Më
thoni, si është gjendja fizike e të plagosurit ?...
GRETA: Ka dy dite që është ngritur në këmbë.
GJEN
: Po është kështu, urdhroj të
nxirret nga spitali dhe të çarmatoset menjëherë nga policia ushtarake! Qartë ?
GRETA
: (nderon) Si urdhron ! (niset,
kthehet përsëri) Zoti komandant... ju lutem, a mund t‘më lejoni të bisedoj
edhe një here vetë me të ?...
3.
GJEN
: (rreptë) Atëherë pse
më raportoni pa mbaruar punen tuaj, kapitene ? Herë tjetër, kur të vini në
zyren time, vareni në paradhomë sentimentalizmin...Kësaj here po ju bëj lëshim,
por dijeni ama, se nuk do pinë ujë këshillat e tua tek një kokëkrisur, që nesër
mund të bëhet terrorist i rrezikshëm
!... Mund të shkoni !
GRETA
: (entuziaste) Faleminderit, zoti komandant!..( nderon
dhe del nga zyra.Bie telefoni. Gjenerali merr receptorin dhe flet, por ne nuk e
dëgjojmë bisedën. Greta vrapon e gëzuar përgjatë paraskenës. Në qoshen tjetër
hyn e shqetësuar me një bllok në dorë infermierja, e cila gjendet përballë me Gretën. Greta e vë re shqetësimin
e tjetrës dhe e pyet ) Çfarë ka ndodhur? ..
INFERMIERJA:
Ai iku .
GRETA
: Kush ?
INFERMIERJA:
Shqiptari i UÇK-së.
GRETA
: (shtanget) Si iku !? Ku
iku !?...
INFERMIERJA:
Nuk e di. Kur vajta t’i jepja ilaçet, nuk e gjeta...Kërkuam gjithandej, prapë
nuk e gjetëm...I ka marre me vete të gjitha... teshat, armatimin,
pajimet...Kishte harruar nën çarçaf vetëm këtë bllok shënimesh... Me sa duket,
nga nxitimi...
( Greta e tronditur
merr bllokun në dorë dhe nuk di ç’të bëjë. Infermierja del. Greta ecën e
heshtur në drejtim të zyrës së komandantit. Hyn në zyrë tepër e trishtuar dhe i
drejtohet eprorit)
GRETA: Zoti komandant....
GJEN
: (e ndërpret i nervozuar)
E di çfarë do më thuash, kapitene... Sapo më informuan në telefon. Po tani, a
mund t’më kundërshtosh më që ai nuk është aventurier, anarkist, bandit,
terrorist ?..
- shuhen
dritat -
4.
TABLO E PARE
Në paraskenë :
Greta
ka shfletuar bllokun.
Në
anën tjeter ndriçohet Azemi .
AZEMI: Quhem Azem Krasniqi.Vendosa me mbajt
kët ditar, tash qi kam ardh në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk i
dihet, edhe mund të vritem, por e vërteta nuk duhet me u vra...Gjithkush e din
se dhuna serbe na ka detyrue me rrok armët. Ndërsa mue, veç kësaj, më ka shty për me rrok armët... dashuria për
nji vajzë... Nji vajzë që e donte botën, por e urrenin të vetët...Nji vajzë, që
po t’ju a them emrin, edhe mua do të më urrejnë të mitë...E megjithatë, ne nuk
pyetëm për urrejtjet... U dashuruam... U dashuruam deri në vdekje... Po, po,
deri në vdekje...E pabesueshme, por e vërtetë. Dhe ja se si ...
Skena e tablosë së
parë :
Mjedis i brendshëm i një
shtëpie karakteristike kosovare. Nga dritarja përballe duket, pothuajse
ngjitur, shtëpia e Brankos, ku po bën roje një ushtar i armatosur serb. Që
andej dëgjohen këngë, trokitje gotash e urime me zë të lartë. Brenda në odën
kosovare, Azemi është duke korrigjuar detyrat me shkrim të nxënësve. Pauzë.
Trokitje në derë. Azemi shkon ta hapë. Hyn Sofia dhe Ljuba.
SOFIA
: Azem, mor bir, të pastë nënë
Sofia. Mos u zemëro që nuk të ftuam në gëzimin e sotëm për lindjen e djalit të
Brankos. Brankua solli me vete të madhin e tij, siç e sheh... me roje e
salltanete. Kemi ardhur fshehurazi nga Brankoja. Mbesa jonë, do që të flasë me
ty pa tjetër. E sjell në hatër ?...Eshtë
ajo çupa e vogël shëndetligë,që vinte këtu për pushimet e verës...Tani na është
bërë gazetare...
AZEMI : (tek
sheh vajzën e bukur) Ljuba ?!...
LJUBA
: (e qeshur) Nuk më paske
harruar?...
5.
AZEMI: Të mos ishe me nënë Sofinë, nuk do të të
kisha njohur.
LJUBA
: (e shikon me vëmendje) Ndërsa ti nuk ke ndryshuar aspak...
AZEMI
: Urdhroni uluni ! (mbledh
fletët dhe përpiqet të vërë rregull)
LJUBA : Faleminderit, por nuk kam kohë. (Ljuba i bën shenjë
Sofies. Sofia lë mbi tavolinë një shishe verë, një copë tortë dhe del. Pauzë.) Sot
që po vija nga Beogradi me Brankon, e pyeta për ju dhe i thashë që doja t’ju
takoja, por Branko u hodh përpjetë e më tha : “Në asnjë mënyrë të mos takohesh
me të!“ Çfarë ka ndodhur?!.. Ju jeni rritur bashkë dhe, me sa mbaj mend, linit
kokën për njëri tjetrin.
AZEMI : Dikur po, por... që
kur yt kushëri ka ardhur në Beograd dhe është bërë ushtarak, shoqëria jonë ka
marrë të plasaritur...Dhe më e bukura është, se nuk di të kemi këmbyer ndonjë
fjalë fyese me njëri tjetrin. Kur erdhi herën e fundit, prindërit e mij u bënë
vrer, sepse ai kaloi para tyre dhe
nuk ktheu as kokën t’i përshëndeste... Sot pleqtë e mi ikën enkas tek motra e
martuar për të mos qënë këtu...Kushedi ç’mund të bënte Brankua, po t’i ftonte
nënë Sofia ...
LJUBA : Bravo Branko !? Epo...kur bëhesh me spaleta, të zë sëmundja e
fodullëkut...
AZEMI : Ashtu qoftë, por
druaj të mos jetë kjo...(tregon një tufë fletësh) Shikoni ç’kam hedhur
në këto fletë nga indinjata për sjelljen e pahijshme të Brankos: Kam nxjerrë
një vandak me shënime, që dëshmojnë jo
urrejtjen, por mirëkuptimin midis ballkanasve. Unë jam mësues historie dhe nuk
më shkon as mungesa e fakteve, as mungesa e etikës intelekuale. Ndërsa
Brankua...
(Ljuba i
merr disa prej tyre dhe nis t’i lexojë)
LJUBA : ”Tregimet e Mark
Milanit për zakonet shqiptare dhe bashkëjetesën e fiseve serbe me ato shqiptare”,
”Shqiptarët e gjakut tonë”, nga dr. Jovan Haxhi Vasileviç. Historiani Tukoviq
në artikullin e tij ”Puna me shqiptarët”,
thekson : ‘...Në vitin 1804, në kryengritjen serbe për çlirim,
shqiptarët ishin pjesëmarrës, ndërsa në luftën për marrjen e Beogradit më 1806,
u dëgjuan edhe thirrjet luftarake të shqiptarëve në gjuhën shqipe, ashtu si të
gjitha gjuhët e tjera të gadishullit Ballkanik.‘ (Ljuba i drejtohet Azemit) Qenkan
tepër interesante!...
6.
AZEMI : I kam shkruajtur në
duf e sipër, sepse më vjen shumë keq që Branko i ka vënë kazmën shoqërisë dhe
fqinjësisë së mirë që kemi pasur...
LJUBA : Pse nuk e kap e t’ja
thuash copë : çfarë ke, or vëlla ?
AZEMI : Përse ta kap? Nuk i
kam bërë asgjë. Kam dhe unë krenarinë time. (zgjat
dorën për t‘ja marrë Ljubës fletët)
LJUBA : Dale pak, të lutem ! (lexon një nga
fletët) “...Para vitit 1818 harta e Ballkanit ka qenë njëngjyrëshe... Në
atë kohë mjaft familje bujare ballkanase ishin të përziera me njera tjetrën në
lidhje gjaku shumë fishe e njëherësh të lidhura krushqërisht, si psh.: Bujarët
arbër të Topiajve, Komnenëve, Muzakajve etj. kishin krushqi me dinastitë e
despotët e Greqisë, me Lazareviçët e Brankoviçët e Serbisë dhe Malit të Zi, me
Hercogët e Bosnjes, e deri me aristokracinë kroate në veri të gadishullit...
Për këto rrjete te gjera familjesh të mëdha shqiptaro-sllavo-greke dëshmon
dokumenti i Memorandës së Muzakajve që gjendet në ‘Historia gjenealogjike e
Shtëpisë Muzaka‘ shkruar nga Xhovani
Muzaka, despot i Epirit dhe biri i tij, më 1501.“ (Azemit e entusiazmuar)
A e kuptoni ç‘ thesar keni mbledhur ?...
AZEMI : E keqja eshte se ato janë histori. Sot
është gjithçka ndryshe...
LJUBA : E shoh që Brankua të paska shqetësuar
tej mase. Më duket se nuk e vlen të lëndohesh prej tij.. Im kushëri është një
derdimen që u gëzohet gradave dhe asgjë më shumë...(shpërthen në gaz) Më
fal... m’u kujtua diçka për të qeshur. Branko ka ardhur sot këtu me një
kolonel, shefin e vet. Veç t’i shikoje të dy:
si ecte koloneli, ashtu përpiqej të ecte dhe Branko. Koloneli u ul në
sedilje duke u mbështetur si pasha turk, edhe Branko, kur u ul, mori atë pozë.
Koloneli kur fliste me Brankon përdorte një intonacion të veçantë zyrtar, edhe
Branko nisi të përdorë me shoferin të njëjtin intonacion...(qesh) Kjo më
kujtoi ca figurina në formën e vezës, që kur hap kapakun e së parës, të del një
figurinë e njëjtë më e vogël...Jo, unë për vete nuk do ta duroja dot
formalizmin ushtarak. Do qeshja në kulmin e seriozitetit...(mezi mban të
qeshurën)
7.
Nejse... Branko dhe
koloneli tani po pinë e janë bërë çakërrqejf dhe unë erdha këtu... Më vjen keq
që nuk ju gjeta të gjithëve...Por ja, ishte kënaqësi që ju gjeta juve.. Dhe jo
vetëm ju, por edhe një thesar për mua si gazetare... Do t’ju lutesha për një propozim
: A mund t’i botoj në revistën tonë shënimet tuaja ?...
AZEMI : ...
LJUBA : Pse hezitoni ?... Ka ndonjë gjë që nuk
shkon ?...
AZEMI
: Druaj se firma e një shqiptari
do t‘ju prishte punë ...
LJUBA
: Sa për atë, të jesh i
sigurt...do ketë plot serbë, që do t‘a anatemojnë revistën tonë, ashtu siç mund
të ketë edhe mjaft shqiptarë, që do të të mallkonin ty pse ke pranuar të
bashkëpunosh me një revistë beogradase. Por ka ardhur koha që ne duhet të
guxojmë ...
AZEMI
: Ju mendoni se mua më mungon guximi
?..
LJUBA
: Aspak... Po pranuat, unë kam
edhe një propozim tjetër më interesant dhe më të guximshëm...
AZEMI
: Qenkeni bërë gazetare tepër
kurajoze... Pa hë, cili është propozimi tjetër?
LJUBA
: Nuk ta them. M‘u përgjigj për
propozimin e parë: A mund t‘i botojmë shënimet ?
AZEMI
: Nuk është kaq e thjeshtë kjo që
më kërkon. Sapo më the se Brankua të ndaloi të vish këtu...
LJUBA
: Unë s’pyeta Brankon, erdha...Dhe
nuk erdha për shënimet, por që të çmallesha me këtë shtëpi.. Mamaja jote më
ushqente fshehurazi me mjaltë me që isha
shëndetligë...Të kujtohet kur na pe një here ti dhe fillove të qaje pse ajo nuk
të jepte mjaltë ty, por më jepte mua ?...
AZEMI
: Kjo nuk më kujtohet, por mbaj mend
që të kisha inat se ishe qukse... Dhe kur ta thashë këtë fjalë, ti ma ktheve me
të shara të ndyra, më keq se djemtë. Unë u pataksa dhe u skuqa. Nuk e prisja që
një vajzë nga Beogradi të fliste ashtu. Ku ta dija unë se ajo vajzë e shëmtuar
e fjalëndyrë, do të bëhej kaq e bukur dhe e kulturuar...
8.
LJUBA
: Edhe unë nuk e prisja që ai
djalë që më ka ofenduar, do të bëhej aq me vlerë, sa të vij t’i lutem për një
shkrim...Atehere, do biem dakord ?...
AZEMI : ...
LJUBA : Ta merr heshtjen për
miratim ?...
AZEMI : (buzeqesh) Je
vërtet për t’u admiruar për këmbënguljen...Tani pres propozimin e dytë...
LJUBA : (duke përgatitur
aparatin fotografik ) S’kemi mbaruar me të parin. Qëndro pakëz pranë raftit
të librave. Ashtu. Gati ? (e shkrep) Kjo është për inat të atyre që do
na marrin inat. (qeshin) Ulu pakëz pranë tavolines ! (Azemi ulet)
Gati ? (e shkrep) Ndërsa kjo...
për inat të Brankos që nuk donte të vija unë këtu...(Azemi qesh me vete)
Pse qesh?
AZEMI : Më duket gjithçka e
pabesueshme...ardhja juaj e befasishme, biseda qe po bejme... Ju jeni kaq e
çuditshme sa...
LJUBA : (duke shkrepur
aparatin tek biblioteka dhe mjediset e tjera) Nuk jam e çuditshme, por
praktike... Brankoja më quan mendjemadhe, sepse i kundërshtoj mjaft nga
mendimet e tij. Doni të dini kush jam në të vërtetë ? Po ja u them : E
komunikueshme me njerëzit, por disi e llastuar...Ndoshta nga që prindërit më
duan shumë. Më pëlqen guximi dhe surprizat. Më pëlqen edhe të lexoj e të
bisedoj me njerëz të mençur, por jo t‘i fetishizoj ata. Kjo...falë babit që më
ka nxitur të mendoj me kokën time. Më pëlqen vallëzimi dhe të qesh me gjithë
shpirt. Ja, psh. sikur këtu të mos kisha ardhur fshehurazi, unë mund të ndizja
menjetofonin dhe t’ju ftoja për vallëzim... S’më besoni ?...
AZEMI : (buzeqësh) Jo, jo
nuk e vë në dyshim...
LJUBA : Ah, harrova... Më
pëlqyen shumë edhe shënimet tuaja...
AZEMI
: Oh, tani e tepruat...
LJUBA
: Sa kohë kemi pa u parë ?...
AZEMI Nuk e di.
LJUBA Gjate rrugës tek vija, po përpiqesha
të të përfytyroja si do ishe pas kaq e
kaq vitesh...
9.
AZEMI
: (duke qeshur) Dhe ç‘
biçim të doli nga ai përfytyrim ?....
LJUBA
: (mbyll sytë) Një fytyrë
me ballë të bukur e vështrim romantik. Me vetulla të zeza që të ngjallin
respekt. Me gojë e buzë të theksuara, që dëshmonin për një karakter të fortë,
serioz e të patrembur...
AZEMI
: (duke qeshur) Pa shih, pa
shih !...
LJUBA
: (vazhdon me symbyllur)
Ndërsa tani, që të mora okej-in për të të botuar dhe që më lindi ideja e
propozimit tjetër, më përfytyrohesh ashtu siç je, veçse me një zë kumbues si në
filma, që më thua: ‘Bravo, Ljuba ! Ideja jote është e shkëlqyer !...‘ (Azemi qesh me të madhe. Ljuba hap sytë.)
Pa thuaje tani : “Ideja jote eshte e shkelqyer!..“
AZEMI
: (duke vazhduar të qeshë) Po
prit, se nuk ma ke thënë akoma idenë...
LJUBA : Ah, po... Me pak fjalë është kjo : ne
ketu po gjakosemi nga mllefet dhe urrejtja për njeri tjetrin, ndërsa ngjitur me
ne po shëmbet Muri i Berlinit dhe Evropa
po gëzon dhe feston e bashkuar... A nuk ka ardhur koha qe ne t’a fshikullojmë
megalomaninë tonë ballkanase, të grumbullojmë ngjarje e fakte historike që
flasin jo për përçarje e armiqësi, po për të kundërtën, ashtu si në shenimet e
tua ? Ti je mësues historie, unë gazetare. Imagjino një reviste të pavarur me
titullin “Ballkani human “ ...
AZEMI
: (i befasuar) Çfarë !?..
LJUBA
: Mos të të duket aventurë. Ti dhe
unë mund ta nxjerrim për bukuri një revistë të tillë...
AZEMI
(kundërshtues) Bah !...
LJUBA
: (i zë gojen) E di që të
duket marrëzi, por, të lutem, mos e thuaj...
( jashtë dritares,
tek porta e shtëpisë shfaqet Branko me uniformën e zbërthyer dhe me këmbet që i
merren.)
BRANKO
: (thërret me zë të lartë)
Ljuba !!...(Ljuba dhe Azemi qëndrojnë të heshtur. Branko formon një numër
celulari. Dëgjohet sinjali në celularin e Ljubës.)
LJUBA
: (në një cep të dhomës
përgjigjet në celular) Po, Branko...
10.
BRANKO : (në telefon) Ljuba, ku je ?
LJUBA
: (në telefon) Tek dyqani. Erdha...(Azemit me zë të ulët) Kam edhe një propozim tjetër. Atë do të ta them kur të vish në Beograd... Të pres... (e puth lehtë në faqe afër buzes dhe
del. Azemi ka mbetur i hutuar. Pauze. Tek porta jashtë dritares shfaqet Ljuba
pranë Brankos)
BRANKO : (Ljubës me kërcënim)
Nga ike, ku u zhduke, në dyqan apo tek ai?...
LJUBA : Mblidhe
mendjen, Branko! S’të kam tutor. Nuk të jap llogari ku vete unë...
BRANKO : Shefi më pyeti
kaq herë per ty... Shko përcillu me njerëzit, se do ikim! (Ljuba matet të
hyjë brenda në shtëpinë e Brankos, por ndërkohë shfaqet koloneli i dehur, që,
sa shikon Ljubën, merr drejtqëndrim)
KOL : (i buzëqesh me përgjërim) Jeni e
mrekullueshme !...(i puth dorën) Të tjerat, ç’kam për ty... do të t’i
thotë Brankoja...
( Azemi, ende pa
marrë veten, ka degjuar bisedën diku në brendësi të dhomës)
-
Fundi i tablosë së parë -
11.
TABLOJA E DYTE
Në p a r a s k e n ë :
Greta
duke shfletuar Ditarin.
Ndriçohet
Azemi.
AZEMI : Ai
takim i paharruar me Ljubën më la disa netë pa gjumë. Ndjehesha edhe i
shqetësuar, edhe i ngazëllyer...Nuk e kuptoja nga me vinte kjo ndjesi e dyzuar
: Nga e angazhimi në revistë, apo nga
prania e vetë Ljubës, që më bafasoi me bukurinë dhe zgjuarsinë e saj ? U
turra me një frymë për të mbledhur dhjetra fakte e dokumente historike. As vet
nuk e kuptoja pse po e bëja këtë punë!..Do bashkëpunoja me revistën ? Bah,
kurrë !... Apo, bash në pikun e urrejtjes se serbëve kundër neve kosovarëve,
mua po më rrihte zemra për Ljubën ? Bah,
kurrën e kurrës!...Atehere ç’të ishte gjithe ky entuziazëm ?... Po më dukej
vetja si idiot...
Skena
e tablosë së dytë :
Sallë
redaksie. Në gjysmë errësirë, Ljuba po flet në telefon. Pranë një tavoline, mbi
të cilën ndodhet një aparat projeksioni, nën dritën e abazhurit, Fatma ka
fiksuar në ekran faqen e parë të revistës me titull “Ballkani human“ dhe po rri
në pritje të mbarimit të bisedës telefonike të Ljubës.
LJUBA
: Alo, alo ! Shkolla “Emin Duraku”
? Kërkoj mësuesin e historisë, Azem Krasniqin. Jam një shoqja e tij. Jo, nuk di
shqip. Si ?...(mbyll telefonin me nervozizëm) Kjo është e tmerrshme ! Sa
e mori vesh që jam serbe, e mbylli telefonin. Dhe kush ? Portieri i shkollës...
A nuk të vjen të pëlcasësh?...
12.
FATMA
: Me
ç’duket...nuk ka nisur për mbarë kjo punë...Ti e di ç’re te zeza po vine
rrotull mbi Bosnje...Edhe në kufirin kroat- slloven, Milosheviçi e fshiu Vukovarin nga faqja e
dheut..Dhe përse? Vetëm e vetëm se atje martesat bëheshin të përziera dhe nuk
pranonin të quheshin as serbë, as kroatë, as sllovenë, as myslimanë, por
thjesht vukovaras...Ah, moj motër, sikur të ishin gjithë serbët kështu si
ti!..
LJUBA
: (gëlltit diçka me dhimbje dhe
ndërron bisedë) Vazhdo... ç’na ka mbetur nga kryeartikulli !
(në ekran,
kryeartikulli i ilustruar me foto)
FATMA
: ( lexon) ...Një filozof i
këtij shekulli ka thënë : “Çdo njeri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë
vetveten, më parë duhet të organizojë kaosin që gjendet brenda unit të tij.“.
Tek un-i i popujve të Ballkanit sundon kaosi i megalomanisë nacionale...
Shmangia e dhunës, gjetja e respektit të humbur për njeri tjetrin përbën sot
imperativin e secilit. Edhe revista jonë, që po ju bie në dorë, të dashur
lexues, këtë qëllim
ka
: t’i shërbejë kësaj fryme të re. Ballkanin mund ta shpëtojë vetëm humanizmi...
LJUBA
: Vazhdo me titujt !
(në
ekran shfaqen faqet e revistes me titujt përkatës)
FATMA : (lexon) Rënia
e Murit të Berlinit – dëshmi e vëllazërimit të popujve...
(bie
zilja e telefonit)
LJUBA : Azemi ...(
rrëmben receptorin) Alo, Ljuba jam. (ngryset) Kush ?... Dëgjo, po më
erdhe me atë mendje, më mirë mos hajde fare. Mos qesh... (mbyll telefonin e
dhe bën ec e jak e nervozuar)
Hajvani !!..
FATMA : ( e befasuar) Kush ishte ?
LJUBA : Debili... kushëriri im ishte... Më është
qepur keq për shefin e vet...E di ç’më tha kur po ktheheshim në Beograd?
”Cecila është artiste e madhe dhe ka marre kolonel Arkanin, ndërsa ty nuk të
pelqeka koloneli im!?” Nuk ia zgjata se
ishin të dehur. Por ma ka sjellë në majë të hundës...
FATMA
: Unë e gjora shqeva sytë, pandeha
se po i flisje ashtu atij shqiptarit që po presim...
13.
LJUBA : Edhe
atë mos ma zërë në gojë ! (ulet e dëshpëruar. pauzë. Fatma ndez dritën dhe
ia frohet Ljubës)
FATMA
: Ljuba, ne bashkë nuk njihemi
sot...Të shoh shumë të turbulluar. Çfarë ke me atë djalë? Ke gjithë ditën që po
e pret me ankth...Mua ma përshkrove me aq ngjyra, sikur të jete i zbritur nga
qielli... Ma thuaj hapur, mos ke bërë gjë dashuri me të dhe je shtatzënë... ?
LJUBA
: (buzeqesh hidhur) Hm
! E keqja është se nuk kam bërë asnjë
grimë dashuri dhe ndjehem nervoze si grua shtatzanë...As vetë nuk e kuptoj ç’po
ndodh me mua !...Vërtet mezi po e pres. Po më torturon mendimi në se ai më ka
kuptuar, që, veç revistës, unë kisha diçka më jetike... Mbase dukem qesharake,
sepse tashme nuk jam një adoleshente... Po kur e takova atë, m’u zgjuan
kujtimet e adoleshencës...lodrat, zënkat... e bashkë me to, ajo ndjenjë e
pakuptueshme që të turbullon në atë moshë, kur shikohesh sy më sy... Po, po ,
qysh atëhere duhet të ketë lindur kjo ndjenjë... Paçka se nuk e jepja veten....
Mbahesha me të madh e isha kryeneçe nga
që, medemek, vija nga Beogradi...Kur erdhi kushëriri im për t’u shkolluar këtu
në Beograd, e pyesja si pa të keq për shokun e fëminisë. Por kushëriri, si
gallof që është (dhe me t‘u bërë ushtarak, iu trash koka më shumë), filloi t‘më
fliste me përçmim për të...Unë kisha një parandjenjë të kundërt... Dhe pas kaq
vjetësh, parandjenja nuk më gënjeu...Kur e takova, ndjeva diçka që nuk e kisha
provuar kurrë më parë...Dhe jam në një moshe që i njoh mirë vështrimet
hipokrite të meshkujve... Të betohem, nuk kam parë kurrë sy më të ndershëm se
të tij... Ka mbetur aq fëminor e i sinqertë në shpirt, megjithëse të imponohet me zërin e plotë e
fjalët e kursyera, me trupin e hijshëm e pamjen burrërore..
FATMA
: (me humor) Motër, siç po
flet ti... më duket se po bie unë në dashuri me atë Azemin tënd...(Ljuba vë
buzën në gaz) Hë, si thua?... Unë jam gati të ta jap kroatin tim...Ju dy
kristianë, unë e Azemi ... dy myslimanë...
14.
LJUBA : Oh, Fatma, boll u
talle !... Vazhdo me titujt e tjerë...
FATMA
: (lexon titujt) Sa e vogël
është sot Bota?...Zakonet e traditat e përbashkëta të popujve të Ballkanit...
Europë, Ballkani po vuan harresën tende...
(Fatma vë re Ljubën që mezi mban të qeshurën) T’u çel çehreja ? Shyqyr !! Me mua po qesh ?... Mos të dukem se po deklamoj si në teatër
?..
LJUBA : Jo, jo...
FATMA : Po pse më shikon
ashtu !?...
LJUBA : (duke mos mbajtur
të qeshurën) Qesh jo me ty, po me veten...Po imagjinoja, sikur të vinte
këtu Azemi e t’më gjente me këtë veshjen tënde, mbuluar me perçe e çitjane deri
në fund të këmbëve...
FATMA : Epo dhe kështu si ti,
e zbuluar... dukesh sikur do të jepesh menjëherë... Ndërsa unë me këto të
mbuluara e të fshehura, e bëj burrin tim të ëndërrojë...
LJUBA : Vërtet ?
FATMA : Posi. Joshja e
tërheqja e femrës është të fshehë shumë e të tregojë pak... Burri im është bërë gjysmë mysliman, i
pëlqen që të tjerët të më vlerësojnë mendjen dhe jo këmbët e mia... Ndërsa
në dhomën e gjumit...bëjmë namin...
LJUBA: Si the, bëni namin ? ha! ha! ha!...
FATMA
: E dashur, nën këto perçe fshihet
një diamant, që me t’u zbuluar, shkëlqen njëqind herë më shumë se supet e
këmbët lakuriq...
Kur të vësh kurorën, do
të t’i mësojë motra zakonet myslimane...Do ta nisim me tortën e lamtumirës së
beqarisë...
LJUBA
: E si na qenka kjo tortë
lamtumire ?...
FATMA
: Do ta them, po mos më shaj : Ate
natë vagina e nuses stoliset si tortë, mbushet me krem dhe përflaket nga
qirinjtë si fishekzjarre...
LJUBA
: Ik moj dreq !...
FATMA
: Për perëndi, në të gënjej !...
(ndërkohe bie zilja e derës.
Ato shohin njera tjetrën. Ljuba shuan dritën dhe ulet tek tavolina me abazhur,
duke shkrepur aparatin e projeksionit e duke i thënë Fatmës me zë të ulët. )
LJUBA: Erdhi gallofi...
15.
FATMA
: Cili, moj ?
LJUBA : Ai,
de, debil-kushëriri që më mori në telefon. Jepi të kuptojë se jemi shumë të
zëna me pune...( Fatma del. Ljuba projekton në ekran disa materiale, gjasme
tepër e preokupuar. Pauzë. Hyn në gjysmë errësirë Fatma dhe Azemi. Ljuba, pa e
shikuar, i drejtohet atij) E prure kokën?
(Fatma ndez driten.
Ljuba, kur shikon Azemin, çohet
instinktivisht dhe mbetet e shtangur, e përtërirë) Ju !?...Më fal, kujtova
Brankon. (Fatmës) Fatma, ky është Azemi... (Azemit) Ndërsa kjo
është Fatma, shoqja ime e fakultetit, tani
kompiuteriste e revistës...
AZEMI
: (e përshëndet)
FATMA
: ( mbledh disa fletushka dhe u
drejtohet të dyve) Mua të më falni se ngutem. Më presin në shtypshkronjë...
(del.)
LJUBA
: (pauze e gjate. e lumturuar)
Akoma s‘po u besoj syve...Faleminderit që e mbajte fjalën !...
AZEMI
: Drejtori i shkollës m’i spostoi
për dy ditë orët e mia të mësimit dhe...
LJUBA
: Tani do lëmë gjithçka dhe do
dalim. S’besoj ta kesh shijuar krejt Beogradin. Për të darkuar, je i ftuari im në një lokal me pistë
vallëzimi... Dhe nuk do bisedojmë për asgjë tjeter, veç për njëri
tjetrin...Mirë ? (vëren Azemin e heshtur) Të shoh disi të ngrysur. Ka
ndodhur gjë ?
AZEMI
: Desha të di...shënimet e mia i
ke bërë gati për botim ?
LJUBA
: Ja tek janë ! (fik dritën dhe
projekton në ekran shkrimin me titull ”Ballkanin mund ta shpëtojë vetëm
humanizmi”, me fotografinë e madhe të Azemit) Të pëlqen faqosja ?...
AZEMI
: Do të lutesha shumë ta hiqje
fotografinë dhe emrin tim. Me shkrimin bëj çfarë të duash...
LJUBA
: Si !?...
16.
AZEMI
: Edhe për të ardhmen e revistës,
të falenderoj për besimin, por unë nuk mund të bashkëpunoj...
LJUBA
: (ndez dritën) Flet
seriozisht apo tallesh ?...
AZEMI
: Nuk jam nga ata që di të tallem...
LJUBA
: Domethënë... u tërhoqe ?
AZEMI
: Po.
LJUBA
: Jo nuk të lë unë të
tërhiqesh!... Revistën do ta botojmë së bashku...
AZEMI
: (matet të flasë)
LJUBA
: ( e ndërpret) E marr me
mend ç’do më thuash... që ka trotuare qytetesh të ndara veç për shqiptarët e
veç për serbët. Që urrejtja për njeri tjetrin ka arritur gjer aty, sa portieri
i shkollës tënde të më mbyllë telefonin sapo e merr vesh se jam serbe...Që im
kushëri i fryrë nga gradat e gjithfarë dokrash të urren se je shqiptar...Që
tifozët serbë, kur pëson gol skuadra e tyre, i shajnë lojtarët duke u thirrur me
përbuzje : ‘o shqiptarë!..o shqiptarë !...‘. Të gjitha këto unë i di dhe mos
kujto se më dhemb më pak se ty... Prandaj nuk duhet që të heshtim ! Atje ku
heshtin vlerat, përfiton hiçi...Në pyllin ku zhduken kafshët fisnike, fiton
lepuri...Ti nuk je nga ata që trembesh lehtë...
AZEMI
: (paksa i fyer) Mbase dhe
jam...
LJUBA : Jo
këtë nuk e besoj kurrë... (pauzë)
Më thuaj të vërtetën, cili të ka nxitur të ndryshosh mendim ?
AZEMI
: Po ty, kush të ka nxitur të
nxjerrësh këtë revistë ?...
LJUBA
: Çfarë... ti dyshon se unë ?!...
AZEMI
: Nuk dyshoj. Por e kam menduar
gjatë se botimi i një reviste me mesazhe miqësie e mirëkuptimi, e nxjerrë nga
një serbe e një shqiptar, në këtë kohë nuk do t’i shërbente demaskimit të atyre
që synojmë ne, por maskimit të krimeve të tyre...(pauze)
LJUBA
: (e indinjuar) Mirë pra,
në gjykon kështu, unë do ta nxjerr revistën vete... (pauzë) Mund të
shkoni !...(Ljuba fik dritën dhe afrohet tek tryeza nën dritën e abazhurit.
Azemi matet të largohet, por mezi hedh hapat. Ljuba e vë re) Kishit gjë tjetër ?...
AZEMI
: ( i lëkundur, e ndan mendjen)
Jo, jo...(niset)
17.
LJUBA : Kam
unë diçka... (Azemi qëndron. Ljuba i afrohet e shikon gjatë në sy) Ta
lemë mënjanë punën e revistës. Dua t’ma thuash sinqerisht: këto që biseduam
mund t’i kishe sqaruar edhe me një telefonatë, përse erdhe vetë gjer këtu ?...
AZEMI
: Kaq e rëndësishme është ta dish
?
LJUBA
: (pa ia ndarë sytë) Shumë
e rëndësishme.
AZEMI
: Më fal, por jam krejtësisht i
trubulluar... Ndjehem si një i dehur në udhëkryq...
LJUBA
: (me nënkuptim) Mos
ndoshta në këtë udhëkryq gjendet një i tretë që na pengon ?...
AZEMI
: Na pengon fati... Fati i ne
shqiptarëve është i mundimshëm si i Sizifit... Dhe ty nuk ta uroj këtë...
LJUBA
: Po nëse fati s’do na pengonte,
ti ç’do të bëje ?...
AZEMI
: Ah, të ish ndryshe, dija unë
ç‘bëja !... Nuk flas më tej.. Çdo ëndërrim shton vetëm dhimbje...
LJUBA
: Pse nuk guxon të shprehesh
ç’ndjen ?...
AZEMI
: Se i qendroj besnik arsyes...
LJUBA
: (largohet ) Mos ke marre hua dhe arsyen time ?
AZEMI
: Si !?...
LJUBA
: (ulet dhe ndez e emocionuar
një cigare) Ndoshta si femer nuk ma nxë goja, por s’mund ta fsheh : që kur
u poqëm herën e fundit, arsyeja ime ka
fluturuar...I thirra në fillim të më gjykonte, a mund të puqen dy temperamentet
tona ? Ti serioz, i matur, i rezervuar... Unë e qeshur, e rrëmbyer, e
llastuar...E di ç‘më tha ? : “Ju jeni vetë magjia e natyrës – harmonia e të
kundërtave. Njëri flet ashtu siç është, tjetri është ashtu siç flet...Të dy
buroni mirësi... Ç’kërkon më tepër ?..“. Kaq më tha arsyeja edhe më iku, u arratis, më
humbi...Qysh atëhere kam mbetur pa mend në kokë. Thonë se ata që nuk kanë mend
janë më të lumturit në botë... Duhet të jetë e vërtetë, se edhe unë kështu
ndjehem...Ndoshta e gjitha kjo është thjesht një fantazi e imja, një iluzion,
një fiksim dhe asgjë me tepër...Nuk ju detyroj të më përgjigjeni...Madje, po
s’patet gjë, dhe mund të shkoni...
18.
AZEMI
: ( i prekur ) Mos më trazo më
shumë me ksi fjalësh... Ç‘më pandeh mua, pa shpirt e zemër ?...(Ljuba çohet
dhe ata pothuajse lëshojnë vetëtima nga sytë) A e gjykon se ç’mund të ndodhë, po qe se...
në këtë stuhi urrejtjeje... ne i afrohemi njeri tjetrit ?...
LJUBA
: (shpërthen me dhimbje) Më
thuaj... kur bashkohen majat e pemëve, në mot të qetë apo në stuhi?...
( Ata pushtohen fort dhe puthen gjatë. Bie disa
here zilja e celularit. Më në fund Ljuba shkëputet prej Azemit dhe flet në
telefon) Alo, po Branko, këtu jam...Do bëje mirë të vije ndonjë
ditë tjetër. Sot jam shumë e zënë. Si? Ke ardhur poshtë dhe je duke ngjitur
shkallët ?!... (mbyll celularin, Azemit) Eshtë Branko, po vjen lart. Ulu
aty dhe mos luaj vendit!...
AZEMI
: (i shqetësuar) Jo,
jo, është tepër herët të na gjejë në
këto rrethana. Do ta ndjeja veten shumë ngushtë. Të lutem, ku ka ndonje dalje
tjetër?...
LJUBA
: Dalje ?... (drejtohet tek
dera) Eshtë korridori majtas. (sa hap derën, ajo stepet. Dëgjohen hapa
në korridor) Nuk del dot. Ai po
vjen... (kujtohet) Shko matanë
tek salla tjetër... Unë do përpiqem mos ta mbaj gjatë...
(Azemi del. Ljuba
shkon tek tryeza e punës dhe bën sikur studion. Trokitje e hapave rritet. Hyn
Branko ushtarak)
BRANKO: Mirë se të gjej, kushërirë !
LJUBA
: (pa ngritur krye) Mirse
erdhe ...
BRANKO: Kemi një javë pa u parë. Kam qenë jashtë
Beogradit në një shërbim special...
LJUBA
: (duke lexuar) Je bërë i
rëndësishëm, kushëri... Kur erdhe në fillim në shkollën ushtarake, qëndroje i
tulatur, me sytë ulur. Tani të sheh në bebe të syrit, sikur të merr nishan në
vetull...
BRANKO: (buzëqesh me qesëndi) Ç’ti bëj ?...
Jam i dështuar me femrat si dashnor... Dhe nga që s’munda t’i tërheq me
ëmbëlsi, gjeta metodën e ashpërsisë...Kam zbuluar se femrat pëlqejnë forcën.
Pastaj... një ushtaraku i shkon imponimi, apo jo ?...
LJUBA
: E lemë për herë tjetër këtë
bisedë ?...
BRANKO: Vetë më ngacmove.
19.
LJUBA: Nuk të ngacmoj, por të qortoj : a nuk
e sheh si je katandisur ? Ti aq i
thjeshti dhe i ndrojturi...
BRANKO
: (buzeqesh me cinizëm) Të mbetesha si kam qenë, s’do kisha vend aty ku
jam...Në ushtri mashtrimi është art. Atje, vullneti kalitet të mposhtësh
ndenjat dhe të veprosh ç‘mendon eprori...Tashmë unë këto shkallë i kam kaluar,
andaj po ngjitem shkallëve të karrieres...
LJUBA
: Fillove prapë nga mburrjet ? Më lerë se s’ta kam
ngenë...
BRANKO : Jo nuk të lë. Prit ç’do të them akoma : E
di ku isha dje ? Hë, e gjen? Në kishën e famshme të ............... Çfarë
mrekullie ! Të prehej shpirti. Do të të shpie edhe ty ndonjë fund jave për të
bërë lutjen e së dielës. E merr me mend kush ligjëroi në kishë ? Kryepeshkopi i
Beogradit ? Jo. Kryepeshkopi botëror ? Jo, jo... Eshtë më i madh se
ata... Ish vetë Presidenti ynë! Dhe mbajti një fjalim që na përpiu të gjithëve.
E ndoqe fjalimin e tij në televizor ?
LJUBA
: Branko, të lutem, s’kam kohë për
fjalimet e Presidentit e as për të tuat...
BRANKO: Ashtu ? Ti vërtet je gazetare, po
historinë e bën Ai... Jo pa qëllim foli dje në kishë. Ta shohë bota se Ai është
shpirti i kombit serb! Të ulin veshët joserbët e këtushem, që na kanë mbirë si
ferrat nëpër këmbë dhe pretendojnë të jenë njesoj me ne!..Hm, bijtë e
bushtrave!!... Ej, kushërirë, a më dëgjon ç’po flas ?...
LJUBA
: Ç‘ të të dëgjoj, nuk e kupton që
e teprove ?..
BRANKO : Prit se s’të kam thënë akoma pse kam
ardhur.
LJUBA : Po hë de, fol, të
shkretën !...
BRANKO: (i afrohet) Pa vështromë mirë, vë re ndonjë ndryshim ?
LJUBA : Ou, Branko...
BRANKO: Shikome, de !...
LJUBA : (me ironi) Ç’pret të të them, je
simpatik ?...Falëndero uniformën që të rri bukur...
20.
BRANKO: Ç’ti bëj natyrës... më ka mallkuar...
Hirin e fisit ja ka dhënë kushërirës, që iu prish mendjen gjithëve sa e
shohin...Dhe ca më shumë ...shefit tim.
LJUBA : Branko, po ma përmende më atë, nuk do
të të flas kurrë.
BRANKO: Po pse mërzitesh, xhanëm ? Ç’të keqe ke parë prej tij ? E vure re si u
soll kur u ndamë ? Të puthi dorën si xhentëlmen...
LJUBA: Çfarë xhentëlmeni ? Kopuk i pështirë.
M’i ngjiti buzët si venduzë...
BRANKO: Të lutem, mos m’i shaj buzët e shefit.
Lëvizën ato buzë, që sot unë jam... Jo, nuk ta them. Shikoje vetë ndryshimin !...
LJUBA : O, Branko, boll tani! Të lutem, ik !...
BRANKO: Jo, nuk iki. Shikomë mirë, të thashë !...
(ajo, e bezdisur, e vështron nga këmbët) Më lart!...(ajo ngjit
vështrimin deri tek supet) Aty qëndro! Shikon gjë ?
LJUBA: Çfarë të shoh ?!...
BRANKO: (entuziast) Po yllin e ri, moj,
në s p a l e t a ! Jam bërë kapiten. E
pra, lëvizën buzët e shefit dhe mua m’u shtua një yll...Sa kohë ke ti që po
shtrydh trutë për një gradë shkencore, ndërsa unë e mora brenda ditës.. ha! ha !..he!
he... hu! hu!...
LJUBA: (e mërzitur tej mase) Këto
kishe për t’më thënë ?...
BRANKO: Jo, kjo qe kripa e gjellës. Embëlsirën e
kam lënë për në fund...
(Branko troket pëllëmbët dy-tri herë dhe
sakaq shfaqet një ushtar me një buqetë të madhe lulesh. Branko i bën shenjë t’a
lerë buqetën tek tavolina pranë Ljubës. Ushtari
vendos lulet me hap ceremonial, nderon eprorin dhe largohet)
LJUBA : Po këto ç’janë !?...
BRANKO : (me solemnitet)
Zonjush Ljuba... yt kushëri, Branko, në shërbimin e djeshëm ka zbuluar një
irredentist shqiptar të dyshimtë, në kohën që fliste Presidenti...Pra, unë jam
graduar nga vetë Presidenti, sigurisht me propozimin e kolonelit tim...Të
dielën organizohet një mbrëmje për këtë rast. Ti je e
ftuar jo nga unë, por nga ai që e ke robëruar. Ai e di që të pëlqejnë surprizat
dhe të dërgoi këtë buqetë...
21.
LJUBA
: (e indinjuar) Prapë
avazin ti?!...Do më lësh të qetë, apo si e ke punën?..
BRANKO:
Ljuba, kuptomë drejt, ai nuk është dokushdo. Aq më tepër që është shefi im. Për
shkakun tënd s’më shqitet as mua. Më pyet orë e minutë. Kërkon të dijë gjithçka
për ty: për shijet, sjelljet e mendimet. Unë të kam lartësuar si te ishe
hyjni... Sa nuk lojti kresë, kur unë iu betova se ti nuk je e zënë...
LJUBA: (merr tufën me lule dhe ja kthen)
Merri këto dhe zhduku, në do mos të të mohoj si kushëri !...
BRANKO: Ej, thirri mendjes ! Nuk po të arrestoj, të
ftoj në mbrëmje nderi. Unë nuk largohem prej këtej, pa marrë përgjigje
pozitive. Ndryshe, nuk kam fytyrë t’i dal përpara. Ai të uron shëndet, ti ja
kthen plaç (!)... Dhe kujt, pa ?... Jo,
unë nuk largohem pa më thënë ‘Po‘. Ti ma di kokën...
LJUBA : Do ikësh me të mirë,
apo jo ?
BRANKO: Nuk iki, thashë, pa
marrë përgjigje. Ai po çmendet, ti kërkon të tallesh. Gjer në mëngjes
këtu më ke...
LJUBA: Mirë atëhere, dëgjomë mirë. Ti edhe
ai...
(del me vrull matanë
dhe sakaq vjen me Azemin dorë për dore. Branko shtanget. Ljuba i afrohet
Brankos)
Ja përgjigja. U sqarove tani ?...
BRANKO: ( i tmerruar) Joo ! E pa
mundur!!.Kjo nuk do të ndodhë kurrë! Kurrë!!..
- Fundi i tablosë së dytë
-
22.
TABLOJA E TRETE
Në
paraskenë:
Greta duke shfletuar
Ditarin
Ndriçohet Azemi.
AZEMI
: Kur u ktheva në Kosovë, po
prisja prej Brankos gjithçka...Ai mund të gjente çdo lloj preteksti për t’u
hakmarrë. Po, për fatin tonë, Branko gjatë kësaj kohe shkoi me shefin e vet në
luftën e Bosnjës dhe unë me Ljubën e ndjemë veten të qetë..Mezi po prisja
pushimet verore. Ndërkohë kisha blerë një celular dhe flisja me Ljubën pothuajse
çdo ditë. Një herë më telefonoi e më tha...“
(shuhet drita tek Greta... Azemi dhe Ljuba ndodhen në dy ekstremet e
skenës, duke folur në telefon)
LJUBA
: Më ka marrë malli tmerrësisht...Po
ty ?..
AZEMI
: Marrëzisht...
LJUBA
: Kam një lajm të hidhur e një të
gëzuar...
AZEMI
: Thuaj të hidhurin në fillim.
LJUBA: Revistën ma bllokuan në shtypshkronjë.
Tani e ndjej më shumë mungesën tënde...Të dua shumë !A u the gjë të tuve ?
AZEMI : U thashë...
LJUBA: Hë ?
AZEMI: Nëna u habit dhe u
gëzua.. Ndërsa baba u ngrys e, me që ty
të solli në hatër e të bëri pa faj, ma lëshoi mua fjalën e rëndë...
LJUBA
: Çfarë fjale ?
AZEMI
: Nuk e nxë telefoni...
LJUBA
: E nxë, e nxë...
AZEMI
: E di ç’më tha ? “Të pastë baba !
Katundi digjet, ti don me u kreh?...“.
Por, mandej u bë pishman dhe shtoi : “Në ke lidh vërtet besë me atë
cuce, mos e len në dorë te serbve. Shko merre dhe ta fshehim në malci, tek
vllau tem ...“
LJUBA
: (e prekur) Vërtet ?...
23.
AZEMI: Tani më thuaj lajmin e gëzuar...
LJUBA : Jo nuk ta them. Kur
të vish të shtunën do ta marrësh vesh...
AZEMI : Kush tha që do të
vij të shtunën ?
LJUBA : Surpriza që të kam
përgatitur...
AZEMI : Si ?!...
LJUBA : Datëlindja ime u
afrua për këtë të shtunë, sepse... sepse babi im ka dhënë pëlqimin që në atë
mbremje të jesh edhe ti i pranishëm...
AZEMI
: S’të kuptova. Si the ?...
LJUBA
: (qesh) Atë ditë që më
bllokuan revistën isha bërë tym. Kur shkova në shtëpi, i vajta babit në studio
e iu zbraza: ”Urdhroni e shikojeni, zoti profesor! Ku qëndrojnë pasaktësitë
historike të kësaj reviste që e bllokojnë për të qarkulluar ?” Babi, që e kish lexuar më përpara përmbajtjen
e revistës, nuk u ndje, vetëm psheretiu thellë. Unë ika në dhomën time shumë e
revoltuar. Pas pak më vjen aty babi dhe, për t’më qetësuar, më ledhaton e më
thotë : ”Ti e di sa të dua...Vetë të kam
këshilluar që t’i besosh vetëm një perëndie : Drejtësisë. Por ja që sot, në
këtë kohë të përgjakur, nuk duhet folur, por duhet heshtur...”. Unë u mata ta kundërshtoja, por ai ndërroi
bisedën dhe më tha fjalën bombë : ”Kam marrë vesh për një lidhje me një shqiptar...Eshtë e vërtetë ?” Kur unë ia pohova, ai shtoi me dhimbje : ” Ne
bashke jemi mirëkuptuar për çdo gjë. Përse duhej ta merrja vesh nga Branko, që
më mërziti me alarmin dhe kërcënimet e tij të pështira....A e do seriozisht atë
djalë ?”. ”Duhemi aq shumë, i thashë, sa vetëm vdekja mund të na
ndajë.” Dhe nisa t‘i flas për ty e
vlerat e tua si intelektual...Babi më dëgjoi e më dëgjoi .... Heshti gjatë,
pastaj tha : ”Sikur ta afronim në këtë fundjavë ditëlindjen tënde ?... Le të
vijë dhe ai djalë në shtepi... Dua ta njoh..”. E pra, të shtunën të pres me
padurim. A u sqarove tani ? Ika . Të puth, të puth, të puth !...
(shuhen dritat )
24.
Skena
e tablosë së tretë :
Mbrëmje. Oborri i shtëpisë së Ljubës.
Përballë, nga vetratat e xhamta duken silueta çiftesh që vallëzojnë. Prej
shkallëve të verandës zbret në oborr Ljuba duke parë orën dhe duke bërë ec e
jak. Pauzë. Nga salla del Branko, i cili, me sa duket, ka ndjekur lëvizjet e
Ljubës.
BRANKO: (duke iu afruar) Përse më refuzove
në vallëzim, kushërirë ? Unë desha pa tjetër të shkëmbeja dy fjalë...
LJUBA
: Doje t’më prekje me ato duar...
lyer me gjak ?... Oh, nga e prure kokën sonte !...
BRANKO
: Çfarë, ta lija kokën në Bosnje ? Të
faleminderit, motër!...
LJUBA
: Atje ta lije, bashkë me xhelatin
tjetër që ma ke sjellë këtu peshqesh! (shpërthen) Jo s’ju lejoj t’ma
prishni mbrëmjen! Ti nga Azemi nuk më ndan dot kurrë !!...
BRANKO
: (me pamje fajtori) Fol ç’të
duash...qortomë, shamë, pështymë...! Se unë gomari ju rashë kot në qafë. Më
erdhi kaq pa pritur lidhja juaj, sa unë u bëra bishë... Kur m‘u ftoh gjaku,
ishte tepër vonë...Nuk me la Bosnja të të kërkoja ndjesë....Po më fajtor
ndjehem ndaj Azemit...
LJUBA
: (me sarkazëm) Nga të ka
ardhur kjo urtësi? Andej nga ishe?
BRANKO: Të paska lënduar keq vajtja ime në Bosnje?
Harron që jam ushtarak? Ti nuk e di sa i fyer ndjehem unë...Pandeha se kisha
një epror të saktë, por s’është gjë tjetër veç një pijanec...Sa për Azemin...ja
njoh mirë krenarinë. Po besoj do më falë. Se koka e falur nuk pritet. Azemin
unë e njoh më mirë se ti...Ka vetëm një cen, që është shqiptar. Dhe për këtë
s’do ta keni të lehtë. Por, gjithsesi, unë do t’ju jem pranë... Ju jeni prerë
për njëri tjetrin. Ja, këto doja të të thosha në vallëzim. Por ti ma preve me
sopatë...
LJUBA
: (e befasuar dhe me dyshim
) Vërtet m’i thua këto fjalë ?!...
BRANKO: Për ç’të betohem ? Tani e tutje unë do të
jem kyç i sekretit tuaj...
LJUBA
: (me mosbesim) Prandaj ma
solle sonte shefin tënd ?...
25.
BRANKO: S’e solla unë, erdhi vetë. Sa mori vesh
përse i mora leje, u hodh përpjetë e thirri i gëzuar : ” O ç’rast i bukur
!...”. Edhe m’u ngjit si muti pas
këpucës. E pe ç‘buqetë të solli ? I ka rënë keq në kokë për ty. Si mund ta
kundërshtoja të mos vinte ? Apo t’i thosha që ti me Azemin... Bah ! Të nesërmen
do më gjeje në ndonjë gurore...
LJUBA : Në nuk ja thua ti,
do ja them unë.
BRANKO: Të lutem, mos më merr në
qafë.
LJUBA
: E po s‘ja thashe unë, ai do e
marrë vesh, se sonte prindërit e mij po presin Azemin...
BRANKO: Ti bën shaka...
LJUBA
: (shikon orën) Tani ai do
ketë mbërritur në stacion të trenit dhe është duke ardhur ...(formon numrin
dhe flet në celular) Alo ! Azem, jam Ljuba. Ku ndodhesh ? Ehë, ëhë...Si ?
Për gjysmë ore je këtu? Mirë ardhsh! Të puth !...(Ljuba e vështron Brankon
gjithë sfidë)
BRANKO
: (hiqet i pezmatuar) Sonte u
dashka t‘ju bije në gjunjë...
LJUBA
: Më bëre si Hamletin, kushëri :
të të besoj a mos të të besoj?..
BRANKO: Në s’më beson, ma jep pak celularin. (Branko
flet në celular) Alo Azem, jam Branko. Mos u çudit...Vetëm një fjalë dua të
të them : Më fal !... Të tjerat do i
sqarojmë kur të vish... (dëgjohet
orkestra. Ljuba e shikon e gëzuar Brankon dhe rrotullohet me të nën ritmin e
orkestrës. Pauzë. Në thellësi tek shkallët shfaqet koloneli, i cili po kërkon
në errësirë...)
KOL. : Branko, ku je ?...
BRANKO: (shkëputet nga Ljuba dhe merr qëndrim
gatitu) Urdhroni, zoti kolonel. (koloneli niset drejt tyre, duke iu
marrë paksa këmbët. Branko i flet Ljubës me zë të ulët) Të lutem, mos e
prish humorin. Gjej një mënyrë ta kalosh situatën...
LJUBA: Po ti ç’u zverdhe si limoni ?! Je apo
s’je burrë ?...
BRANKO: Të gjitha t‘i pranoj, veç mos më lërë në
baltë. Ai nuk duhet ta marrë vesh lidhjen tënde me Azemin. Përndryshe më piu e
zeza!..Buzëqeshi, të lutem!..Merru me të, sa të gjej çastin për ta larguar që
këtej...Unë po i dal përpara Azemit...
KOL. : (që është afruar tek ata të dy) Pa shih,
pa shih, me kë na qenke ! Me Elenën
e Trojës...Sa do të doja të isha në vendin tënd!...(i merr dorën Ljubës dhe
ja puth me delikatesë. Ndërkohë orkestra ka marrë një
26.
tango. Koloneli bën një gjest kavalieri
dhe e fton Ljubën. Ljuba në fillim heziton, por me vështrimin lutës të Brankos,
detyrohet të pranojë duke iu afruar kolonelit. Ata të dy nisin të vallëzojnë,
teksa Branko del. Pauzë. Koloneli ndjek largimin e Brankos dhe i drejtohet
Ljubës)
Branko më ka thënë se bëni shumë për njëri tjetrin... Nga që jeni vërsnikë ?...
LJUBA: (me mendje nga iku Brankoja)
Unë s’kam vëlla. Gjithë përgjërimin e një motre ja kam falur atij...
KOL. : Dhe është i denjë ai për një motër të tillë
?...
LJUBA : Si thatë ?...
KOL : (kollitet lehtë) Më falni, mbase e kam
tepruar me ndonjë gotë...Më është bërë zakon përpara çdo beteje... Dhe sonte
mendova që... betejën me ju nuk do ta kem të lehtë...
LJUBA: Quajeni të humbur, pa e nisur, kolonel...
KOL
: (buzëqesh me ironi) Pandeh se
nuk e njoh dinakërinë e femrës ?...
LJUBA
: Po sinqeritetin e saj e njihni
?...
KOL
: (e afron) Mezi e kam pritur këtë çast ?...
LJUBA: (i shmanget) Sikur nuk shkojnë
tinguj kaq të hollë nga një trumpetë lufte...
KOL
: Mos më shiko me grada madhore. Sonte
jam një ushtar i plagosur...
LJUBA: (tallet) Megjithëse i plagosur,
teksa flisni ...më ngjan sikur këndoni marshe lufte....
KOL
: Ashtu ? (qesh hidhur, nis të këndoje)
Serbia ime shtet i fortë, jam gati për çdo luftë në botë... (Ljubës) Të pëlqen?..
LJUBA
: Kjo këngë do t’u shkonte edhe
milingonave që bëjnë lufte, edhe bletëve që kanë një shtet, edhe kastorëve që
rrëmbejnë ç’të mundin, veçse... gjithë këtyre u mungon... mbase ajo që po na
mungon edhe ne serbëve: a r s y e j a.
KOL : (qesh hidhur) Arsye e
arsyes, prej arsyes... E pra, vargjet e asaj kënge i kam shkruar unë...
LJUBA
: (me tallje) Ou, edhe
ushtarak, edhe poet !?...
KOL
: Ashtu si ju... edhe e bukur, edhe e
pushtetshme.
LJUBA
: Hm, ç’kompliment !...
KOL
: (e afron) Vetë Marsi, Zoti i luftës, përpara teje do të
gjunjëzohej...
LJUBA: ( i largohet paksa) S’jetoj në
botë për të mundur të tjerët...
27.
KOL
: Këtë s’ja u besoj...Gjithkush jeton që
të sundojë... Ja, ju, psh. sundoni me hijeshinë...Ka dhe ndonjë që pëlqen
nënshtrimin... (e shtrëngon fort) ...si unë psh, që dua të jem skllavi
juaj...
LJUBA: (shkëputet prej tij) Oh, e
tepruat !...
( Ljuba qëndron diku
larg . Pauzë)
KOL
: Si ta kuptoj që po rrini ende me mua,
kur miqtë brenda kanë ardhur për ju? ...
LJUBA
: Nuk rri per ju, po për...Brankon.
Dhe ju mos përfitoni nga që e keni atë vartës......
KOL
: Jo, s‘dua të përfitoj nga Brankua. As
nga kjo gjysmë errësire...Dhe as nga që kam hedhur disa gota... Sonte dua të
flas me ty, siç nuk kam folur me askënd...Dua t’më njohësh ashtu siç jam...
LJUBA
: Kot lodheni, nuk është nevoja...
KOL
: Kam unë nevojë!.. (pauzë) Mbase
je trembur që unë po vij nga Bosnja, dhe je tmerruar për ç’ka ndodhur atje...
Nuk dua të shtirem si hero. Heronjtë u shuan, humbën, vdiqën...Unë s’jam hero,
por një bufon me dekorata...Më të zgjuarit se unë u bënë gangsterë. Mirëpo, nga
që ajo punë nuk është aq e lehtë sa në filma e romane, këta gangsterë rendën
pas partive e u bënë politikanë...(qesh hidhur) Këta politikanë na
udhëheqin ne ushtarakëve...S’ka ushtarak që ta dojë luftën, sepse ai i njeh
tmerret e saj. Por ka edhe të dehur si puna ime dhe kushëriri yt: Unë me pije,
ai për lavdi... Ai është robot dhe do që të bëhet kolonel, ndërsa unë koloneli
tashmë jam bërë robot... robot që më
vërtit si i do qejfi një president gangster !...Dhe unë i marri, për të mbajtur
lart moralin e trupave, thurra vargjet e këngës luftarake. Dhe kënga u bë
marsh. Me atë marsh u turrën paraushtarakët tane dhe bënë kërdinë mbi sa e sa
qytete...Fatin e Bosnjes tani e pret Kosova...
LJUBA
: Çfarë !?..
KOL
: (shpërthen i depresionuar) Jo,
s’dua të marshohet më me këngën time! Unë jam në pikë të hallit
me veteveten ! Ndjehem i lodhur, i rraskapitur...Nuk mundem më !! Prandaj
kërkoj një oaz të qetë, larg tmerreve e masakrave që më panë sytë. Kërkoj një
tempull, ku të falem për mëkatet.(afrohet) Dhe ky oaz e tempull je vetëm ti...
LJUBA: (prerazi) As mos e shkoni nëpër
mend...
28.
KOL
: (disi i habitur) Branko ma ka
shpjeguar ndryshe situatën... Që ju jeni e lirë dhe...
LJUBA
: (mallkon me vete) Ah,
Branko, Branko, ç‘ ma ke mbyllur gojën !...
KOL
: Mos ke ndonjë porosi prej tij? Se
vartësit luajnë me dy porta...
LJUBA
: (për ta hequr qafe)
Ç’është e vërteta... e kam një porosi...
KOL : Çfarë porosie ?...
LJUBA : Që te mos ju them ...(heziton)
KOL : Çfarë të mos më thoni ?...
LJUBA: (për të dalë nga situata)...Të
mos ju them ndonjë fjalë fyese...se ai ma di tipin... Nuk ta përtoj, kur ma bën
borxh...
KOL : (i vrarë shpirtërisht) E marr me mend
ç‘po dëshiron tani... Që unë të të shporrem nga sytë...T’ju them një mënyrë për
t’më shporrur ? Shko e rrëfei tët kushëriri ç‘të thashë për gangserët, dhe
nesër, të jesh e sigurt, më pret vdekja...Se Branko është i zellshëm për këto
punë...
Shko, por... mos pandeh
se vdekja do më trembë. Unë s‘jam tashmë veç një kufomë e gjallë. Një tunel i
errët pa dritë, pa kuptim...E vetmja dritë për mua mbetesh ti...E po m‘u shua
dhe kjo shpresë, vdekja do me ish më e ëmbël se jeta...( e përfshin për ta
puthur) A e kupton çfarë je për mua ti ?...
LJUBA: (tenton të shkëputet, dukë
ngashëryer) Nuk të mjaftoi sa njerëz ke shfarrosur, tani kërkon t’më
vrasësh edhe mua ëndrrat?!..Jo, jo !!...
(ndërkohë që ata
marrin e japin më njeri tjetrin, shkrep blici një aparati fotografik. Ljuba
shkëputet prej tij dhe ikën me vrap brenda në sallë)
- shuhen dritat -
29.
Në p a r a s k e n ë :
Në një qoshe të errët, Branko jep një sinjal.
Hyjnë dy ushtarë të armatosur me një të arrestuar që i kane futur kokën në
thes. Branko bën shenjë t’i heqin thesin. Përballë tij qëndron Azemi i lidhur.
Branko si i befasuar.
BRANKO : Ti ?!...Mua më raportuan se kanë kapur një
element të rrezikshëm...(ushtarëve) Idiotër!! Zgjidheni shpejt! (ushtarët
veprojnë) Jepini celularin ! (Azemi merr celularin. Branko Azemit)
Ljuba është bërë shumë merak, Telefonoi menjëherë ! (Azemi e shikon me një
farë dyshimi, pastaj formon numrin... Pauzë. Branko nxjerr nga xhepi celularin
e Ljubes që po jep sinjal. Shpërthen në të qeshur duke u tallur me Azemin.
Azemi e kupton lojën, tenton ta godasë, por dy ushtarët i hidhen dhe e lidhin.
Branko i afrohet) ...U binde tani që
Ljuba ka një kushëri aq të zotin, sa ia ndryshon mendjen... e bën të tallet me
ty dhe dhe e bind të lidhet me një të rangut të saj ?... Prandaj, ik me të
mirë, sa nuk është vonë... Hipi trenit dhe mbathja nga ke ardhur !...
AZEMI : ( i tensionuar) Nuk iki pa folur
me Ljubën...
BRANKO : Kur të shohësh majën e veshit !... I mjeri
ti që po e ul kaq veten për një femër...Në shkollë mbaheshe serioz me vajzat,
dhe mua më ke goditur me një shuplakë pse futesha nën bankë për të parë shalët
e tyre...Ku ta dinin ato që ti ishe një rrufjan i fshehur e i pabesë, sa
shfrytezove fqinjësine e desh more në qafë kushërirën time. Zaten të gjithë ju
shqiptarët kështu jeni, të poshtër e të pabesë !!..
AZEMI : (nis të bërtasë) Ljuba...(ushtarët i zënë gojën me shami)
BRANKO : (ushtarëve) Shoqërojeni zotninë me makinën tonë tek një
vend komod për t‘i dhënë mundësi të shohë ëndrra me sy hapur...
-
shuhen dritat -
Fundi i tablosë së tretë
30.
TABLOJA
E KATERT
Skena : Zyra e kolonelit serb. Aty qëndron i vetëm
Branko, i cili diç
shkruan. Ai ka hapur monitorin e
madh dhe dëgjon herë pas
here nga ekrani
përgjigjet e
paraushtarakëve që po i pyet në klasë
një oficer.
Oficeri : ( ne ekran, paraushtarakëve) Pra, cila është deviza
e luftëtarit serb?
Auditori: (si në kor) “Atje ku ka serbë,
është Serbi. Atje ku ka varr serb, është tokë serbe!“
Oficeri: (një paraushtaraku) Ju!...Çohuni dhe na tregoni si
i ka karakterizuar popujt e Jugosllavisë akademiku Jovan Raskoviç ?
P/ushtaraku:(çohet dhe tregon në
hartë Kroacinë) Kroatët vuajnë nga kompleksi i kastracionit...
Oficeri : Më shkoqur, nga frika e tredhjes, thuaj...(auditori
gajaset) Vazhdo!
P/ushtaraku: Kjo gjë i bën kroatët
të tremben nga çdo gjë. Prandaj ata nuk mund të dëshmojnë e as të vendosin
autoritetin. Pale pastaj të udhëheqin të tjerët... (tregon në hartë Bosnjen)
Boshnjakët, na mëson akademiku Raskoviç, vuajnë nga ngacmimet e
seksualitetit...
Oficeri : (ndërhyn) Fol me qarte: Nga seksualiteti a n a l ,
dmth. myslimanët boshnjake janë te prirur drejt fitimit të parave me anën
e...me nder... bythës...(shpërthejnë të qeshura në auditor.)
BRANKO: (shtyp një buton dhe tërheq vërejtjen,
duke pare ekranin e monitorit) 67-ta, kujdes ! Jo banalitete.
(në zyre bie zilja e telefonit. Branko ul
zërin e monitorit dhe merr receptorin) Alo, po unë jam. Lejojeni të vijë. (Branko
ngre përsëri zërin e monitorit dhe teksa dëgjon, vazhdon të shkruajë)
Oficeri : (në ekranin e monitorit, paraushtarakut) Po ne,
serbët, a vuajmë nga ndonjë kompleksitet ?
P/ushtaraku: Po, vuajmë nga
kompleksi i Edipit...
Oficeri : Ç’do të thotë kjo ?
P/ushtaraku:Ky kompleks është aq
burrëror, sa te jep guximin të vrasësh qoftë edhe babanë...Ndaj ne serbët jemi
trima e krenarë dhe i vetmi popull i aftë për të udhëhequr...
31.
Oficeri : Shumë mirë, ulu !
BRANKO: (merr mikrofonin dhe ndërhyn) Jo,
mos e ul ! (oficeri në ekran merr drejtqendrim dhe i bën shenjë vartësit të dëgjojë.
Ndërkohë në zyrë ka hyrë Ljuba tepër e shqetësuar, Branko i bën shenjë asaj të
ulet dhe vazhdon të flasë në monitor) Kam këtë pyetje : Në ç’vit e ka
shkruajtur babai i shkencës moderne serbe, Cubriloviç, traktatin e famshëm
“Si mund të shkulen shqiptarët nga faqja
e dheut ?“...
P/ushtaraku: Më 1940.
BRANKO : Trap !!... Më 1937!!...(Branko mbyll me
inat monitorin, ndërkohë bie zilja e telefonit. Ai nxiton tek telefoni dhe i
buzëqesh Ljubës) Sot kam mbetur vetëm dhe po më zihet fryma nga punët...(merr
receptorin) Alo! (merr drejtqëndrim) Po, zoti zv.ministër, unë jam.
Po, po, me atë çështje jam duke u marrë. Ju kuptova drejt, zoti
zv.ministër...Si urdhron. Si urdhron... (mbyll telefonin tepër i kënaqur, i
afrohet Ljubës) E dashur kushërirë,
ja, më në fund, u lirova...Më beso, sot më mbytën telashet, por mendjen e kam
patur tek ty...E marr me mend tronditjen tënde të mbrëmshme nga ai maskara që,
për fat të keq është shefi im...Ai sot nuk ndodhet këtu, prandaj të thirra.
Ylli i tij do perëndojë shumë shpejt... E di në ç’zyrë po të pres? Në të tijën.
Deri më sot... Sepse, që sot e tutje, nuk i dihet... E dëgjove zotin
zv/ministër? ...
LJUBA: (tepër e shqetësuar) Oh,
Branko, Branko... Ç’më flet për ministra. Më thuaj ç‘di për Azemin ? Çfarë i ka
ngjarë mbrëmë, ku ndodhet sot ?...
BRANKO: Hë për hë, mund të them vetëm kaq:
agjentët e mij e kanë gjetur...
LJUBA : S’po të kuptoj, qysh e kanë gjetur !?
Ai nuk është fëmijë të humbasë...Mos më mbaj me ujë të ngrohtë! Më thuaj, kush
e ka kërcënuar ? Eshtë apo s’është gjallë ?...
BRANKO: Të thashë edhe mbrëmë, mos e prish gjakun...Që
nga kjo zyrë gjendet dhe gjilpëra...Mua më erdhi inat me sjellen e paturpshme
të tim shefi, që deshte të të puthte me pahir, pa për Azemin mos ki merak
fare...e ke shëndoshë si molla...
LJUBA : (me padurim) Ku është ?
BRANKO: Nën këtë çati, poshtë këtij kati, vetëm ca
metra larg prej nesh...
LJUBA : (e shqetësuar) E keni arrestuar
?!...
32.
BRANKO : Lutju fatit që unë ndodhem këtu... Azemi
rrezikon jo më pak se 15 vjet...
LJUBA : Çfarë ?!...
BRANKO: Por unë jam yt vëlla dhe do të të gjendem.
Do bëj të pamundurën ta shpëtoj...Ja për këtë të telefonova të vish. Për këtë,
por dhe për diçka tjetër...(ndez monitorin dhe në ekranin e madh del
fotografia, ku koloneli tenton të puthë Ljubën) E shikon ç’ka kurdisur
mbrëmë? (Ljuba reagon) Përfitoi që unë nuk ndodhesha aty dhe ka
urdhëruar shoferin t’ju fotografojë...E di që për këto ngatërresa jam unë
shkaktari, andaj të jam borxhli për gjithçka...Nuk e kuptoj ç’i duhet kjo
foto? Pandeh se dashuria bëhet me pahir
?..Apo mos ndoshta ka marre ndonjë informacion për ty me Azemin dhe do që t’ju
prishë marrëdhëniet..? Maskarai ! Jo,
unë nuk do ta lë të shkelë mbi dashurinë tuaj ! I duhet dhënë një mësim i
mirë!.. Veç pritëm pak sa të mbaroj ca punë e do të flasim më shtruar...Tani,
kujdes!...Çfarë të shikosh, mendo që je kushërira ime dhe jo gazetare... (Branko
shtyp butonin dhe në ekranin e madh të monitorit duket korridori i burgut me
disa gardiane, që shoqërojnë të burgosurit duke i shtyrë e goditur. Branko flet
në mikrofon) Më shpejt, më shpejt !...
LJUBA : (duke parë me ankth) Po Azemi aty është ?
BRANKO: Ki durim...Azemi nuk është me ta...
LJUBA : Branko, të lutem, mos më torturo. Dua
të shoh pa tjetër Azemin!..
BRANKO : Mirë, pra. Por
vetëm një çast...(shtyp një buton dhe në ekran duket qelia, ku Azemi qëndron
së bashku me një të burgosur me flokë e mjekër të bardhë. Ljuba matet të flasë,
por Branko i bën me gisht të heshtë, teksa i thote asaj) Ai plaku është
poet i kosovarëve. Ka 30 e ca vjet brenda...(shtyp një buton dhe dëgjohet
biseda e tyre në ekranin e madh)
Azemi: Une ju nderoj e respektoj, siç ju nderon gjithë Kosova,
por s’mund të jem dakord me ju për gjithçka...
Plaku: Ndërsa unë nuk përputhem kurkund me ju!.. Çka doni me ba ? Me i heq
kosovarit shpirtin e paepun e me ndenjë urtë për mos i prish qejfin serbit ? A
e din çka thotë populli?: “Po ule zverkun, të dhjesin ene pulat...“.
33.
Azemi : Më falni, por më duhet t’ju kujtoj
fjalën u r t ë s i ...
Plaku: Urtia i takon moshës teme, e jo nji çunaku qi duhet me kenë
skifter!...
Azemi : Ju harroni se tash është rrëzuar Muri
i Berlinit dhe ne kosovarët duhet t’i dëshmojmë Europës se jemi të civilizuar,
dimë të ndërtojmë shtet, ashtu siç dimë të luftojmë jo me dhunë, por me mjete
paqësore...
Plaku: Lene, mor, Evropën, kurvën plakë të
pudrosun, qi s’di veç të bajë tualet me gjakun e popujve të vegjël !... Kur ky truall ka pas mbretni e shtet, Evropa
rronte nëpër shpella...A s’asht kështu, or mësuses i historisë ? (me dyshim)
Apo... ban vaki ti s’je i tillë ? Se ktu m’kan sjelle boll monstra për me blemun se çka mendoj...
Azemi : (i afrohet) Më vjen shumë keq,
unë...
Plaku : (i pret fjalën, me urrejtje)
Tash, të pastë baca, hiqmu sysh ! Çka deshte me e dite, e more vesht...(i
kthen kurrizin Azemit. Pauzë. Ljuba ka gozhduar sytë me dhimbje në monitor.
Branko fik monitorin dhe i drejtohet Ljubës)
BRANKO : Ky plak i
mallkuar po bëhet i rrezikshëm.Vargjet e tij po i mësojnë edhe femijët e vegjël
në Kosovë...Më duket po i vjen ora të hajë koqen e plumbit...(Ljuba ka
mbuluar fytyrën me pëllëmbë. Pauzë)
LJUBA : (e shqetësuar) Po Azemi... Më
thuaj, çfare ka bërë Azemi ?
BRANKO: Edhe Azemin mos e pandeh pa faj...Kemi të
dhëna se simpatizon Rugovën... Dhe
shkrimi i tij në revistën tënde, që për fat nuk u botua, me dokumente gjoja për
mirëkuptim, kërkonte t’i vinte shqiptaret primitivë në një rang me ne
serbët...Kish kohë që ndiqej, mbrëmë e solli rasti...Kur e ndaluan, i gjetën ca
shkrime të tjera, me sa dukej, që të t‘i sillte ty... Eh, kushërirë, më ke
futur në telashe, por ç’të të bëj, të kam motër...Apo mbase këto telashe ty
s’të duken gjë, para proçkës së mbrëmshme që bëri shefi im ?..
LJUBA : Oh, mos ma zërë më atë në gojë !...
BRANKO: E di që ty të vjen zor, por nuk do ta lë
unë që ai të shkelë mbi nderin tënd dhe timin !...Disa sinjale jo të mira për
të kanë vajtur lart, si pijanec e i lëkundur..Atje e kane thirrur tani. Po me
këtë të mbrëmshmen e mbushi kupën...Ma thuaj copë, përveç ngacmimit, mos lëshoi
ndonjë fjalë pa doganë?..Si fjala vjen, ndonjë pakënaqësi ndaj udhëheqjes?..
34.
LJUBA : Si !?..
BRANKO Sepse shoferi, që nuk ishte shumë larg jush, më tha se diçka i ka zënë veshi...
LJUBA : ( me protestë) Ç’kërkon nga unë,
të dish ç’më tha ai ?
BRANKO: Po nuk tregove, rëndohesh ti... dhe njolla
e turpit do na mbetet neve...
LJUBA : Branko, shpëto Azemin, asgjë tjetër
s’dua prej teje !...
BRANKO: Po s’fole ti... Azemi zor se del...
LJUBA : Çfarë ?!...
BRANKO : Dëgjome mua, e kam bluajtur hollë...E
vetmja zgjidhje pa zarar është kjo: Unë kam përpiluar urdhër- lirimin për
Azemin, me dosjen e pafajsisë, që, sa të vijë shefi, ta firmosë...Ndërsa ti
shkruaj dy gisht letër... ç’të tha e si u soll ai maskara me ty.
LJUBA : ( e befasuar) Ti do që unë të
spiunoj për shokun tënd ?!...
BRANKO : E di që vartësi nuk duhet të veprojë kështu
për eprorin, por pa hequr plehrat nga vetvetja, Serbia nuk do ish kaq e
fortë...Andaj atij zuzari i duhet treguar vendi...Ja tek e ke
letrën...Përqëndrohu. Mos u ngut...
(Branko largohet, hap monitorin dhe, gjoja
i fyer, shikon gjatë fotografinë e eprorit që tenton të puthë Ljubën. Pauzë.
Ljuba ka marrë në duar instinktivisht stilolapsin dhe ka gozhduar gjatë
vështrimin tek letra e bardhë. Pastaj, befas e bën letrën shuk dhe çohet në
këmbë e indinjuar)
LJUBA: Jo, këtë nuk mund ta bëj kurrë !...
BRANKO : (fik monitorin) Dëgjo vëllanë, mos e
humb torruan..Këtë shërbim s’ta kerkoj unë, por Serbia..
LJUBA : Oh, Branko, Branko...ç’më përmend
Serbinë, ku i ke virtytet?...
BRANKO: Virtytet humbasin nga interesat, si lumenjtë
në dete..Ndaj mos e zgjat, përndryshe s’do ta fal. Se mbi Serbinë, unë s’pyes
as për nënën ! Dreqi ta marrë, je apo s’je serbe ?
LJUBA : Oh, mjaft... nuk dua t‘a di që jam serbe !..
BRANKO: Edhe këtë e the !?..
LJUBA: Unë jam L j u b a ! Ljuba, qe do nje djale nën këtë
qiell e mbi këtë dhè... Ndaj mos më lodh me sllogane. Në më quan motër,
shpëtomë Azemin....
35.
BRANKO: Nuk e pandehja që, bashkë me zemrën, ai të
paska marrë dhe mendjen... Në se nuk shkruan ç’dëgjove mbrëmë, Azemin veç
kështu kë për ta parë...(rrëmben mikrofonin dhe flet) 230-ta, të futet 24-tra në qeline 72! ( në ekranin e madh
shfaqet korridori, ku një i burgosur, i shoqëruar nga një gardian, përplaset në
qelinë ku ndodhen Azemi me poetin plak. I sapo ardhuri, bën sikur ambientohet
dhe, me ta parë Azemin, i afrohet dhe e pyet :.
- Ti je nji aj mësusi i historisë, Azemi ?
- Po.
- A asht e vërtetë se don nji serbe, a ?
- Po.
- E pra, un jam Mirashi qi kam djeg nji
manastir e nji kishë ortodokse...Merre kët peshqesh prej meje. (e godet me grushta gjersa e gjakos) Bir
kurve ! Qen! Tradhtar!
( Ljuba e tmerruar
mbulon fytyrën duke klithur)
LJUBA : Jooo !!...
(Branko fik ekranin.
Pauzë.)
BRANKO: E shikon si janë shqiptarët ?... Po tani
ç’ke për të thënë ?...
LJUBA : (
e pështyn. Branko shtanget nga kjo e papritur. Hyn koloneli. Pauzë)
KOL : (pasi ka hetuar këtë skenë, i afrohet
Ljubës) Përse jeni munduar gjer këtu ?... Për t’më akuzuar a për
t‘më falur?.. Ta thashë vetë, në do të më akuzosh, tregoja tët kushëriri ç’të
fola mbrëmë...Se ai di t’i qëndisë letrat bukur...Letrën e tij më kënduan sot
në byronë e Partisë dhe propozuan që unë... E ç’rëndësi ka propozimi i tyre,
kur vetë e kam marrë një vendim...Në se ke ardhur për të më falur e për t’iu
përgjigjur ndjenjave të mia, ky çast do të ishte më i lumturi i jetës sime!.
LJUBA: I nderuar zotëri, nuk kam ardhur as për
njerën, as për tjetrën arsye. Më vjen keq, por detyrohem të them të vërtetën:
S’mund t’u përgjigjem ndjenjave tuaja, sepse prej kohësh dashuroj një tjetër...
KOL : (mundohet të përmbajë dhimbjen) Ashtu ?
Sa kohë keni ?...
36.
LJUBA : Që kur mbaj mend veten...(koloneli
shikon Brankon. Branko ul kokën) Mbrëmë unë e prisja t’më vinte për
ditëlindje dhe sot marr vesh që e kanë arrestuar. Im kushëri thotë se ai është
i pafajshëm...Madje, për t’më qetësuar, më tregoi edhe urdhër- lirimin për ta
firmosur ju...
(koloneli, i vrarë shpirtërisht, shikon
mbi tavolinë flete-lirimin dhe, pa e lexuar fare, nxjerr nga xhaketa stilografin
për të firmosur)
BRANKO: Jo, zoti shef, nuk duhet ta firmosni,
ai...
KOL : (duke e parë shumë rreptë Brankon) E
marr me mend pse e ke bërë arrestin... (firmos) Të lirohet menjëherë !
BRANKO : (detyrohet
të marrë recpetorin dhe flet në telefon) 223-shi, përgatitni 37-tën për ta
liruar !...
(Ljuba, e prekur nga lumturia, e shikon me
mirënjohje kolonelin, nuk gjen fjalë si ta falënderojë...Koloneli, i heshtur,
nuk reagon ndaj Ljubës, por shkon tek kasaforta e tij... Branko i shqetësuar,
kur shikon që eprori hap kasafortën, vë dorën instinktivisht tek pistoleta e
vet. Ai qetësohet, kur vë re se koloneli nxjerr që andej shishen e pijes dhe
pi. I afrohet Brankos) Në vendin tim, të pështyu jot motër...Ndërsa unë të
uroj...(pi) ...Të uroj që më hëngre kokën!...Nuk ke faj ti...Eshtë
shkolla jonë e tillë... Dhe unë kështu i hëngra kokën shefit tim. (pi
përsëri) Kemi traditë të shkëlqyer, ne oficerët, qysh kur vramë mbretin
tonë Aleksandër me të shoqen, dhe copat e lëkurës së tyre i mbanim në
portofolet tona, për t’u mburrur se ushtaraku serb është mbret përmbi
mbretin...Urime, maskara! Dhe tani
hiqmuni nga sytë !!..(Branko dhe Ljuba dalin, koloneli kthen përsëri shishen
dhe i afrohet kasafortës. Ndërkohë, me shpinë nga spektatori, ai ka lënë
shishen dhe ka marrë pistoletën. Ndriçohet vetëm silueta e tij...Dëgjohet
krisma e vetvrasjes... Muzikë.)
- shuhen dritat -
Fundi i tablosë së katërt
37..
TABLO
E PESTE
Në
paraskenë. Greta duke shfletuar ditarin.
Ndriçohet
Azemi.
AZEMI : Për këto që sapo ju tregova, unë nuk
dija asgjë dhe as më shkonte ndërmend ç’përpjekje kishte bërë Ljuba për mua.
Atëhere nuk më vinte aq keq për arrestimin që me kish bërë Brankoja, se sa për
pabesinë e Ljubës, që unë kujtoja se më kish futur në kurth. Dyshimin ma krijoi
celulari i Ljubës në duart e Brankos, por ajo që më tërboi fare ishte
fotografia që më tregoi Branko, ku shefi i tij po puthte Ljubën. M’u përmbys
gjithçka ! U betova se këtej e tutje, Ljuba për mua nuk ekzistonte më...Pas
vetvrasjes së kolonelit, Branko u bë shef i madh. Ai jo vetëm nuk më liroi, por
përkundrazi, së bashku me mjaft të burgosur të tjerë joserbë, urdhroi të na
çonte në një natë të errët pus përpara një grope të madhe për të na pushkatuar.
Fati e solli që plumbi nuk më mori për vdekje dhe mbi mua ra shoku që kisha
pranë. Qëndrova pothuajse pa marrë frymë, nën kufomat e të vrarëve, teksa
shtrëngoja buzët nga dhimbja, gjersa u largua toga e pushkatimit. Nuk e di si
dola nga gropa dhe sa kohë u zvarrita...
Mbaj mend që humba ndjenjat para kopshtit të një shtëpie. Kur u
përmenda, ndodhesha në një dhomë të thjeshtë dhe përballë më qëndronte një plak
i imët me syze, nën xhamin e të cilave ndrisnin dy sy të mençur e të dhembshur.
Plaku banonte ne periferi të Beogradit, pranë njërës prej varrezave të qytetit.
Rriste në kopshtin e tij lule dhe ja u shiste njerëzve që vinin për të ndjerët
e tyre. Kisha humbur shumë gjak dhe në atë shtëpi m’u desh të rrija disa
javë... Ndërkohe po dëgjoja për Kosovën lajme fort të hidhura. Nuk më mbante vendi.
Një ditë plaku i shtëpise kish bërë pazar në Beograd dhe erdhi që andej i
xhindosur...
38.
Skena
e tablosë së pestë :
Mjedis shtëpie me dy të ndara. Në të djadhtë:
dhoma kryesore me krevat, tavolinë e kosha me lule të shumëllojshme. Nga
dritarja përballe shquhet kopshti i luleve. Në të majtë: paradhoma me banak dhe
disa kolltuqe për pritjen e klientëve.Po ashtu edhe lule. Azemi në dhomë duke
lexuar gazetat. Diku nga larg dëgjohen zëra
demonstruesish. Azemi mban vesh. Pauzë. Hyn plaku Jovan.
PLAKU : Turp, njëmijë herë turp për Beogradin !.I
dëgjon si çirren e ulërijnë? Janë një tufë të rinjsh, që kërkojnë të
përjashtohen studentët shqiptarë nga Universiteti. Dhe më e keqja është se pas
avazit të tyre është ngritur Beogradi i tërë. Ky është turp e faqe e zezë! (bën
kryq) O Jezu Krisht, ku po shkojmë me gjithë këtë urrejtje ?!...
AZEMI : (nis të përgatise plaçkat) Xha
Jovan, të jam mirënjohës për gjithçka. Por tash e tutje nuk dua të rrezikoheni
për mua. Unë po ikij...
PLAKU : Bah, as mos e shko në mendje !...
AZEMI : Më duhet të ikij pa tjetër në Kosovë.
PLAKU : Çfare thua, mor djalë ? A nuk e sheh se
për atë Kosovë po sokëllin Beogradi ?..
AZEMI : Ani prandaj dhe dua të shkoj.
PLAKU : Sot, në këtë zallamahi, nuk të lë unë.
Më tutje, shohim e bëjmë. (nxjerr nga trasta një xhaketë lëkure) Na
vishe këtë, se për ty e bleva. (Azemi e provon, plaku e kqyr me vërejtje)
Me këtë xhaketë dhe me mustaqet e trasha që ke lënë, ngjan tamam si shoferët e
mauneve. Fishkëlle edhe ndonjë nga këngët e Cecilies dhe dukesh serb
njëzetekatër karat...
39.
( në paradhomë tek banaku vjen nga jashtë
një mesogrua simpatike me vellon e zezë në fytyrë)
GRUAJA: (ngre vellon dhe flet me delikatesë)
A jeni aty, zoti Jovan ?
(Plaku dëgjon zërin e njohur dhe sakaq
afrohet tek ajo)
PLAKU : Urdhroni, zonjë e nderuar !
GRUAJA : (me mirësjellje dhe me dhimbje) Ju e
dini çfarë dua...
PLAKU : Po, zonjë, e di...Sot mbushen plot dy
vjet...
GRUAJA : E mbakeni mend !? Tamam, sot mbushen dy
vjet...(fshin hundët me delikatesë)
PLAKU : (duke i dhënë buqetën) Urdhroni !
(i jep mënjanë një trëndafil të bardhë) Këtë, do ju lutesha ta vendosnit
nga ana ime...
GRUAJA : Oh, ju faleminderit! Jeni shumë i
sjellshëm...(merr lulet)
PLAKU : (duke i dhënë dhe një trëndafil të
kuq) Ndërsa këtë e kam... për ju...
GRUAJA : (disi e befasuar) Oh, zoti Jovan,
ju lutem, jo kështu... Ju nuk e dini ç’burrë fisnik kam pasur dhe sa më donte
ai mua...
PLAKU : Edhe unë gruan time nuk e kam dashur më
pak, zonjë e nderuar... Por ata të dy ikën dhe nuk kthehen më kurrë... dhe na
lanë ne të dyve gjallë... Mbase bashkë mund t‘ia zbusim vuajtjet njeri
tjetrit...(i zgjat trendafilin) Të lutem, mos ma kthe dorën...
GRUAJA : (pas një çast hezitimi, merr
trendafilin dhe del duke rënkuar thellë ) Oh !!..
(Plaku nuk ia ndan shikimin, gjersa ajo
largohet. Pauzë. Afrohet Azemi. Plaku flet i emocionuar)
PLAKU : Më në fund, u bera trim... ja thashë...
Nuk rrohet vetëm, jo... (dëgjohet një frenim makine. Plaku vështron jashtë)
Më duket po vjen një myshteri i majmë...Po, po nuk më gënjejnë sytë, ato janë.
Me sa duket, vinë për të dyzetat e të jatit. Atë ditë që e varrosën kam shitur
lule sa asnjëherë tjetër. Nuk kishte të mbaruar vargani i njerëzve. Ja, ajo që
po zbret erdhi bëri porosinë edhe herën e parë. Bëj gati një buqetë sa për pesë
bashkë.
(Azemi nis të përgatisë buqetën, hyn Fatma
veshur me të zeza)
FATMA : Mirëmëngjes !
40.
PLAKU : Mirëmëngjes, moj bijë.
FATMA : Duam një buqetë të madhe me lule.
PLAKU : Sapo ju pashë, atë po përgatisim. (Azemit)
Shpejt, mor bir, mos t‘a vonojmë zonjën...(Fatmës) Me nderet qe iu bënë
të ndjerit, ju duhet të krenoheni që jeni bija e tij...
FATMA : Nuk jam e bija. Jam shoqe e ngushtë e
vajzës së tij.
PLAKU : Ehë,
e mora vesh...
FATMA : ( Azemit) A ka mundësi atë...
trëndafilin e kuq?... Edhe ata dy të bardhët... (Azemi vepron. Fatma e
shikon me vëmendje disi e befasuar. Azemi e ndjen vështrimin e saj dhe bën të
panjohurin. Fatma i afrohet.) Do të lutesha, edhe atë të verdhin. (Azemi
tund kokën dhe vendos në buqetë trëndafilin e verdhë. Fatma e provokon për t’i
dëgjuar zërin) Besoj se nuk u mërzitët, ë? ...
AZEMI : (mohon me kokë ) Jo, e kam për
detyrë...
( Dëgjohet nga jashtë
boria e makinës)
FATMA : (thërret ) Erdha ! (nuk ia
shqit shikimin Azemit)
AZEMI: Doni gjë tjetër ?...
FATMA: Jo... Faleminderit ! Sa kushton buqeta
?
PLAKU: 800dinarë.
FATMA : (paguan, merr buqetën) Ditën e
mirë ! (niset, por kthehet përsëri dhe i afrohet Azemit) Më falni...mos
jemi pare diku bashkë?... Më dukeni tepër i njohur si nga zëri, edhe nga
fizionomia...
AZEMI: (për t’iu shmangur) Ju...duhet
te jeni gazetare ?
FATMA : Po.
AZEMI : Mbase jemi parë në shtypshkronjë, se
unë kam punuar shofer në shpërndarjen e shtypit...(bie boria e makinës )
FATMA : Interesant, ju tundni kokën si shqiptar
dhe mua m’u dukët tamam si një shqiptar që...
AZEMI : Zonjë e nderuar, keni ardhur për të
blerë lule apo për t’na treguar si tundin kokën shqiptarët ?...
FATMA: Më falni për keqkuptimin, por desha
t’ju them se ngjani së tepërmi me një shqiptar që ka njohur shoqja ime dhe se
ajo është pikëlluar më shumë për humbjen e tij tragjike se sa për vdekjen e të
atit...
(dëgjohet
përsëri boria e makinës)
41.
AZEMI: (duke parë jashtë makinën, me ironi)
Ngushëllimet e mia shoqes suaj ! Por besoj do t’i kalojë shpejt... Femrat e
bukura si ajo janë lindur për t’u dëfryer...
FATMA: (befasohet) Si !?...
AZEMI : (e ndërpret me zemërim) Madje,
me të zezat që ka veshur dhe që sot janë në modë, nuk është çudi të shkojë të
argëtohet nëpër klube nate me bosë, titullarë apo ushtarakë të lartë...(dëgjohet
boria e zgjatur e makinës)
FATMA : (e fyer) Si guxoni të flisni
kështu?! Ju nuk e njihni kush është ajo...
AZEMI : (shpërthen) Nuk ka nevojë ta
njoh, i lexohet gjithçka në fytyrë... Femrat si ajo janë aq të paduruara,
zonjë, sa nuk presin t‘u thahet as varri i të dashurve që kanë shkuar në atë
botë !!..
FATMA : (e indinjuar) Ju lutem shumë, unë
nuk ju lejoj të fyeni në këtë mënyrë!
(hyn disi e shqetësuar Ljuba veshur me të
zeza)
LJUBA : Fatma, çfarë ka ndodhur !? Pse po
vonohesh ?...
(Fatma shikon nga Azemi, edhe Ljuba kthen
kryet tek ai. Azemi kthen shpinën dhe del matanë duke përplasur derën. Pauzë.)
PLAKU : (për të qetësuar situatën) Mos ja
vini re. Eshtë ca eksiq nga trutë...Ndaj dhe e kanë përzënë nga shoferllëku i
shtypshkronjës...Mua më erdhi keq dhe e mora, se po vuante për bukën e gojës...
(dëgjohet një frenim i fortë makine
ushtarake. Ljuba dhe Fatma nisen për të dale, por sakaq ka hyrë brenda Branko,
i shoqëruar nga ordinanca që vezhgon gjithçka për rreth. Tek dritarja shfaqen
dy ushtarë roje të armatosur. Branko i drejtohet Plakut.)
BRANKO : Edhe mua një buqetë !
PLAKU : Si udhron! (Azemit matanë) Një
buqetë të madhe shefit !...
(Ljuba dhe Fatma nisen)
BRANKO: Ljuba, prit se do shkojmë bashkë.
LJUBA : Nuk është nevoja, do iki me shoqen...
BRANKO: (i del përpara i nervozuar, me zë të
ulët) Edhe ditën e varrimit kështu u solle...Po të kujtoj se durimi ka një
kufi...
LJUBA : (me urrejtje) Hapëm rrugën dhe
hiqmu nga sytë !...
42.
BRANKO: (stepet i fyer, vështron për rreth. U
drejtohet të pranishmëve) Na lini vetëm...(Fatma dhe shoqëruesi dalin
jashtë, Plaku shkon matanë dhe i bën gjest Azemit të shpejtojë. Azemi, teksa
përgatit buqetën, mban vesh Brankon që i
është afruar Ljubës dhe i flet me kërcënim) Ti harron se kush jam unë tani
?...Mos të të kisha kushërire, e di ç’do të të bëja?...
LJUBA : Ç’kërkon të bësh akoma, o i
pabesë?...Mua më fotografove për t’më turpëruar, eprorin e vrave për një
karrige, Azemin ma vrave pa asnjë faj... Dhe ke sy e faqe t‘ më dalësh
përpara!? (shpërthen) Ku ma
zhduke Azemin, o i mallkuar, ku ?...
BRANKO : Të më jesh mirënjohëse që të shpëtova nga
ai. Ti s’po kuptoje në ç’humnerë kishe rënë...A s’po e sheh ç’janë për ne
shqiptarët? Ti sa s‘po shkoje kundër vendit tënd...
LJUBA : Sa të jesh ti Serbi, unë kundër do të
jem...dhe s’do të rresht së mbrojturi pafajsinë e Azemit...Nuk do të lë gazetë
e radio pa folur për vrasjen e tij, kudo, kudo, kudo !..Këte ta dish mirë!
BRANKO: Veç në të lënsha
unë...Dhe bën mëkat që sot, në të dyzetat e babait, po më përmend atë qen të
ngordhur...
LJUBA : (i turret e revoltuar) Kë quan
qen të ngordhur, ti, o bastard? O gjak i hidhur i gjakut tim ? Ti qënie e ndyrë
dhe i paskrupullt! Laj gojën kur të zesh emrin e tij! ..
BRANKO: (i shmanget i tronditur) Ej, je në
vete ?!
LJUBA : ( me dhimbje e ngashërim) Si nuk
të erdhi keq, të paktën, për tim atë, që ishte i sëmurë dhe vajte e lëndove...U
hoqe shpëtimtari im edhe iu mburre si e zhduke Azemin. Si mund të duronte ai,
kur mori vesh që vrave dashurinë time?..(e përfshin nga rrobat) Edhe
babanë ti ma vdiqe, ti ! Dhe ke guxim të sjellësh lule mbi atë varr?!..Lulet e
tua janë gjëmba, gjëmba, gjëmba!!...
(ndërkohe ka hyrë ordianca në mbrojtje të
eprorit )
BRANKO: (i shkëputet Ljubës, tepër i fyer)
Do të më shohësh ç’do të të punoj!!...
(del së bashku me ordinancën dhe dy rojet
që zhduken nga dritarja. Ljuba shpërthen në vaj. Pauzë. Hyn Fatma, i afrohet
shoqes për ta qetësuar. Hyn Plaku Jovan... Pas tij edhe Azemi me buqetën në
duar. Azemi i afrohet Ljubës. Fatma e shikon dhe i bën shenjë shoqes të ngrejë
kokën)
43.
AZEMI : Ju kërkoj të falur për gjithçka !...Do
t’ju lutesha të vendosja edhe unë këtë buqetë mbi varrin e babait tuaj!...
LJUBA : ( e befasuar dhe dyshuese) O
Zot, kush je ti qe shembellen aq shume me ...
AZEMI : Në e beson që dashuria i shpeton dhe
vdekjes, duhet të jem ai që
shëmbëllej...
LJUBA : (mosbesuese, e gëzuar, e
mallëngjyer, e lumtur) Azeeeem !!...
AZEMI : Ljubaa !!...
(ata pushtohen fort në krahët e njeri-
tjetrit. Plaku shqyen sytë, Fatma e ngazëllyer. Muzikë.)
- shuhen dritat -
Fundi i tablosë së pestë
44.
TABLO E GJASHTE
Në paraskenë :
Greta duke shfletuar ditarin.
Ndriçohet Azemi.
AZEMI: E vetmja mundësi për t’iu shmangur
rreziqeve e për të bashkëjetuar me Ljubën, ishte që ne të dy të largoheshim sa
më parë jashtë shtetit. Por...si mund të largohesha unë, kur në Kosove kishin
filluar arrestimet, burgosjet, bastisjet !
”Çfarë kërkon, të të kapin e të të vrasin për së dyti?... Andej do kesh
mundësi ta mbrosh Kosovën më mirë.” - më tha i shoqi i Fatmës, që na rregulloi
dokumentet fallco për të kaluar kufirin. Kështu u gjendëm në një nga
kryeqytetet e Europës Perëndimore. I shoqi i Fatmës kish të drejtë. Që andej,
unë si historian e Ljuba si gazetare kishim më tepër mundësira për të
sensibilizuar opinionin për ç’po ndodhte në Kosovë. Por ja që... edhe aty nuk
po na dilte siç kishim shpresuar... Sa herë shkonim nëpër redaksitë, merrnim
përgjigje evazive ose indiferente. Herë herë...edhe frike. Madje një
kryeredaktor na e tha ashiqare : ”Ju lutem, mos më sillni të tilla shkrime.
Serbia është shtet i fortë ushtarak, nuk ka interes Europa të acarohet me
të...”. Por, më së fundi, pas aq e aq përpjekjesh, e gjetëm një shteg : Një
redaktor i ri i një reviste javore pranoi të na botonte gjithçka kishim për
Kosovën. Madje ai pranoi që, përbri informacioneve aktuale, të botonte krimet
serbe për shfarosjen e popullsisë shqiptare gjatë viteve 1912-13, marrë nga
libri “Golgota Shqiptare“ të Leo Freunlich-ut. Mezi po prisnim fundin e javës
për të parë të botuar ato materiale, që na dukeshin puna më e vyer që mund të
kishim bërë...Madje, nga entuziazmi, Fatma propozoi që ceremoninë e marteses
sime me Ljubën të bënim bash atë javë që do të botohej revista. Dhe ashtu
vendosëm...
45.
Skena e tablosë së
gjashtë :
Dhome pritjeje
apartamenti me dritaren e madhe përballe, nga ku duket peizazhi i qytetit. Në
të majtë, dera e banjës. Thellë, në të djadhtë, dhoma e gjumit. Dëgjohet zëri i
Ljubës që diç këndon. Nga dhoma e gjumit vjen Azemi.
AZEMI : Ljuba, ku je ?
ZERI i LJUBES: Po lahem.
AZEMI: (krihet para pasqyrës) Unë po
vishem për të dalë.
ZERI : Ku ?
AZEMI : Ai, ish- nxënësi im që e kam ftuar si
dëshmitar në ceremoninë e sotme, nuk e di shtëpinë tonë. Kam lënë takim me të
në qendër të qytetit. (matet të heqë rrobdëshmabrin, por sakaq ka dalë prej
banjos Ljuba gjysmë lakuriq, e mbështjellë me një peshqir të madh, duke
rregulluar flokët...Azemi, i ndezur nga kjo pamje, kthehet dhe i afrohet)
Ljuba...
LJUBA : (përqafohen) Oh, Azem, akoma nuk
më besohet që ia arritëm kësaj dite !...
AZEMI : A ndjehesh e lumtur ?...
LJUBA : Aq sa, herë herë, trembem prej saj....
AZEMI : (kujtohet) Të pëlqeu unaza ?
LJUBA : Shumë, po ty ?
AZEMI : Edhe mua, por kam hall mos turpërohem
sot, se nuk e di në ç’gisht vihet në ksi rastesh...
LJUBA : (qesh) Më jep duart... (Azemi
zgjat dy duart me gishtat hapur, ajo nis të numërojë nëntë gishta, duke filluar
nga i madhi i dorës së majtë) Më do... s’më do... më do... s’më do... më
do... s’më do... më do... s’më do... më doooo !!... (ajo i puth lehtë
gishtin e unazës, ai e përfshin për ta puthur në buze.) Mos Azem, tani vjen
Fatma...
46.
(ajo përpiqet t’i
shmanget, por ai s’ia lëshon gishtat e dorës, duke ja marrë këngës së njohur
shkodrane)
AZEMI : O s’ta lëshoj, o moj gishtine e...
O ho ho hoooo, ç’ma këpute, moj, shpirtin eee
!...
(Ata përqafohen e puthen me zjarr. Azemi e merr në
krahë dhe e çon në dhomën e gjumit. Pauzë e gjatë. Dëgjohet nje zile.. Përsëri
pauzë. Zilja bie më zgjatur. Hyn me
vrrull Azemi dhe rrëmben telefonin)
Alo! !!... (por, ne
te vertete eshte zilja e deres. Turret tek dera Ljuba duke u rregulluar)
LJUBA : Kush është ?
ZERI FATMES: Në mos u
gabofsha, duhet të jem dëshmitarja tënde në ceremoninë e sotme të martesës...
LJUBA : Fatma ! (i bën shenjë Azemit të
shkojë në dhomë. Fatmës) Ja, ja, se tani po dal nga banja...
(Azemi del matanë, Ljuba hap derën. Hyn
Fatma me një pako të madhe në duar, të cilën e lë mbi tavolinë. Shikon rrëmujë
përqark por nuk e jep veten. Hyn Azemi i veshur për të dalë)
AZEMI : Përshendetje Fatma ! Ljuba, ika unë ...
(del)
FATMA : (Ljubës me qesëndi) Ata qirinjtë e
tortës së vajzërisë mos i ndiz sonte...
LJUBA : (pa të keq ) Pse ?...
FATMA : Epo... ata ndizen para se të ndezësh
burrin...
LJUBA : Dëgjo Fatma...je shumë gojështhurrur, ë
!...
FATMA : (duke qeshur me të madhe) Kështu
qenka gatuar kjo dynja: ti lakuriq nga trupi, unë lakuriq nga goja...
LJUBA : Do pushosh, apo jo ?...
FATMA : E mire, de, mire, e kyça... Hape pakon!
(Ljuba hap pakon dhe
ngazëllehet: nxjerr që andej fustanin e bardhë)
LJUBA : I mrekullueshëm!.. (e mat në supe,
shkon puth Fatmën) Të faleminderit, motër !..Jam me fat që të kam ty
shoqe...
FATMA : Lëri furçat... Vishe fustanin dhe eja të
të rregulloj mos bëhemi vonë.
LJUBA : (duke veshur fustanin) Më beson
që sonte kam parë veten në ëndërr me një
fustan të tillë ?... Dore për dore me Azemin, ngjiteshim e ngjiteshim lart mbi
re... Dhe e di ku e ndalëm vrapin ? Bash përballë vetë Zotit... Ishte ulur në
një fron të praruar nga drita...”O Zot i madh,
47.
i thashë, jetojmë në një vend katolik.
Unë jam ortodokse, Azemi... mysliman. Mos po bëjmë mëkat që kurorën nuk po e
vëmë në ndonjë vend të shenjtë, por në bashki ?...”.
FATMA : E ç’përgjigje more ?
LJUBA : Ai qeshi me sokëllimë e na tha : ”Altar të shenjtë ju keni dashurinë për njeri
tjetrin...Aty, në atë dashuri, gjendem Unë Zoti... Se Unë shoh zëmrat, jo
besimet tuaja...”. Kështu tha dhe na u zhduk nga sytë...
FATMA : (nis ta krehë nusen para pasqyrës)
Budallaqe... të ka mbetur mendja për kurorën në kishë. E ç’më gjeti mua që u
martova në bashki ? Secili në fe të vet : unë myslimane, burri katolik, dy
djemtë, që iu bëfsha kurban... njerin do ta bëj protestant, tjetrin
budist... (Ljuba shkulet së qeshuri,
Fatma e qorton) Mos lëviz... Nuk e
kuptoj, xhanem, pse të ketë kaq shumë fe kur ka vetëm një Zot! Duket e kanë
bërë lëmsh këtë punë vetë njerëzit e... jo Zoti. Po te ishin sot Jezusi,
Muhamedi apo Buda, do të zhgënjeheshin, sepse përpjekjet e tyre për të sjellë
dashuri në botë, janë shkatërruar nga grindjet e përçarjet e feve. Dëgjomë mua,
besimet sot i kurdis shteti, jo Zoti...
LJUBA : Ama, po më jep një leksion, që...
FATMA : A ç’më çan kokën ...(Ljuba qesh) Mos lëviz, të thashë !
(bie
zilja e celularit. Fatma i bën shenjë shoqes të mos lëvizë, merr mbi tavolinë
celularin dhe ja vë me kujdes në vesh)
LJUBA :
Alo ? Po... (brof në këmbë) Kush!?... (pauzë. Fatma vë
re se si shoqja lëviz e shqetësuar me telefon ne vesh) Nuk më frikëson dot,
o maskara! Shporrmu nga telefoni !!...
(Ljuba platitet e dërrmuar në një nga
kolltukët e dhomës. Fatma i afrohet me merak)
FATMA : Kush ishte ?
LJUBA : (e tronditur) Një zë i pa
njohur... Me siguri, i vënë nga Branko...Më tha të mos bëj shaka të celebrohem
sot me Azemin, se do ta pësoj.. Kjo është e tmerrshme!.Edhe këtu nuk po na lë
të qetë i poshtri!?.. (dëgjohen hapa.) Fatma, të lutem, asgjë Azemit. Të
paktën sot, nuk dua ta lëndoj...
(hyn Azemi i shoqeruar nga Sokoli. Azemi,
për një çast stepet, tek shikon Ljuben veshur me të bardha. Ljuba i afrohet
duke i buzeqeshur) E Azem, si dukem?...
48.
AZEMI : (i mrekulluar) Një ëndërr e
bardhë... me këmbë në tokë. (kujtohet) Ja, ky është Sokoli, ish nxënësi
im dhe sot dëshmitar i martesës sonë...(të dyjave me shaka) Po dhëndëri
ku do e bëjë tualetin ?...
LJUBA : Ne po vazhdojmë matanë...ti vishu këtu.
(ato të dyja dalin, sakaq vjen Ljuba me një kostum në dorë) Ja dhe
kostumi yt, zoti dhëndër....
(Ljuba del. Azemi, teksa zhvishet, bisedon
me Sokolin)
AZEMI : Dje nuk pata kohë të rrinim gjatë.
Ama... sa të pashë, të njoha e të fola.
SOKOLI : Unë deshta me ju fol i pari, kisha gjysë
oret qi po ju shikojsha, por...
AZEMI : Por, si gjithmonë, i drojtur...
SOKOLI : Jo, besa...
AZEMI : Atëhere ?...
SOKOLI : Me thanë t‘vërtetën, unë kam tash ca ditë
qi ju kam pamun, por mandej, as vetë s’po di pse jam shmang... Dje vendosa me
ju takue, sepse...
AZEMI : (duke vazhduar të vishet) Sepse
?...
SOKOLI : Zoti mësues, unë s’kam shumë qi kam
mbërrit prej Kosove. Kam ardhë për me mbledh do pare prej emigrantëve tanë...
AZEMI : Dhe çfarë, ke pasur turp t’më kërkoje
mua pare për Kosovën?!..
SOKOLI : Jo, me ju s’kam hall paresh, por diçka
tjetër ma të randsishme...
AZEMI : E
ç’na qenka kjo diçkaja kaq e rëndësishme ?...
SOKOLI : Zoti mësuses, në Kosovë asht krijue
Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe unë kam dëshirë me ju pa në krye të njësive
tona...(pauzë)
AZEMI : (i menduar) Kam dëgjuar për
të... Por nuk kam qenë e nuk jam për këtë rrugë...Liria sigurohet me mjete të
urta e me aleatë të zgjedhur...
SOKOLI: Në doni me dijtë, unë prej jush kam hy
në radhët e Çlirimtares. S’më harrohen fjalët tuaja në mësim, kur na thoshit se
shqiptarin s‘e ka qit Lokja prej barkut, por huta prej çarkut për me ruejt
ekzistencën e vet...
AZEMI : Po, po... Por tash kohët kanë
ndryshuar, Sokol. Europa po bashkohet, kufijtë po kthehen në shprehje
gjeografike... Më në fund njerëzimi po e kupton se të gjitha llojet e
konflikteve mund të zbuten e shuhen vetëm prej ndjenjës së afërsisë. E ke parë
liqenin e Ohrit dhe të Prespës ? Ashtu, afër sho-shoqit, ata ushqejnë njeri
tjetrin e rrojnë të
49.
shëndetshëm prej mijra e mijra
vjetësh... Edhe dy, iriqet, megjithse me gjëmba, afrohen për t‘u ngrohur me
njeri tjetrin...
SOKOLI: Pra ju thoni.. me i dhanë dorën serbit
?... Dorën apo kryet ?...
AZEMI : Sokol, po të kujtoj se këtë kostum, unë
po e vesh jo për të dhënë mësim, po për dasmë dhe ti nuk je më nxënësi, por
kryemiku im...(vë re pezmatimin e tjetrit. I buzeqesh, teksa afrohet në
pasqyrë të rregullojë kravatën) Megjithatë, unë sot jam në humor dhe mund
t’i bëj ballë çdo sulmi... Fol, po të dëgjoj...
SOKOLI : (i
prerë dhe tepër i mërzitur) Nuk po di çka me thanë...Tash qi po flasim,
paraushtarakët serbë atje po bajnë kërdinë ndaj njerëzve të pafajshëm, ndërsa
ju...Më falni, por... më duket, e paskeni harrue krejt Kosovën...
AZEMI : (kthehet menjëherë i shqetësuar)
Çfarë the ?!.Kam harruar Kosovën ?! Ti pandeh se zbrazja e ca dyfeqeve që do
shkaktonin veç gjak e viktima, vlejnë më shumë se puna që po bëj unë këtu?
Mësoje pra se, sot, unë mezi po pres, jo aq ceremoninë e martesës, se sa
botimet në revistë ta masakrave të kaluara e të sotme të serbëve ndaj
kosovarëve...
SOKOLI: Mesues, a nuk mjaftuen dhjetë vjet për
me i dëftye botës se kosovarët dijtën me e përmbajt veten me shpresen që do të
fitojshin me mjete demokratike ? E bota as na i vuni veshin e as na i hodhi
sytë për të na përkrah e për të na çmue për urtësinë e durimin tonë!
AZEMI : Faktet e dokumentet që do botohen në
revistë dhe që dëshmojnë për tmerret që kanë parë kosovaret prej shtypjes
serbe, do t’i shkundin evropianët prej indiferentizmit...Bota e qytetëruar
sensibilizohet me fjalë, jo me plumba, Sokol... Ti pandeh se unë i trembem
luftës ? Jo, Sokol...edhe unë shtëpi pushke jam...por pushkën sot nuk ta pranon
kush...
SOKOLI : Po serbi çka po përdor ndaj nesh, zoti
mësues ?...E na ta bajmë sehir? Bukur fort, besa!..E sa për nji atë revistë...
mos u lodhni kot, zoti mësues... Evropa i din fort mirë çka u ka ba serbi
kosovarëve, veç nuk i vjen mirë me ia kujtue...
AZEMI : Si the?...(dëgjohet celulari i
Ljubës, Azemi e merr) Alo !...(Azemi thërret) Ljubaa !...
50.
( sakaq vjen Ljuba e shoqëruar nga Fatma,
Azemi i jep celularin. Ljuba, duke parë Azemin tepër të mërzitur, dyshon se mos
ai ka marrë vesh bisedën telefonike të mëparshme)
LJUBA : (e druajtur) Kush është ?...
AZEMI : Nuk e di...(Ljuba qetësohet disi nga
kjo përgjigje. Azemi Ljubës) Po shkojmë ne matanë...(Azemi dhe Sokoli
dalin. Ljuba mban veshin në celular. pauzë.)
LJUBA : Dëgjo, unë e di fort mirë kush të ka
vënë të më bësh të tilla presione. Por, ta dish... as shkrimet nuk do t’i
tërheqim nga revista dhe as nuk trembem nga kërcënimet e Brankos po të martohem
me Azemin...Dhe tani shporrmu nga telefoni dhe mos guxo të më marrësh më !...(Ljuba,
tepër e tronditur, nuk di si të veprojë)
FATMA : Ljuba, bën mirë t’ja thuash Azemit ...
LJUBA : Mbase ke të drejtë, por... s‘më bën
zemra...
FATMA : Të tilla gjëra nuk mbahen fshehur...(i
afrohet derës se dhomes tjetër) Azem, të ka një fjalë Ljuba...
(hyn
Azemi i tensionuar nga biseda me Sokolin. I afrohet Ljubës)
AZEMI : Çfarë ke, Ljuba ?
LJUBA : (tërhiqet kur e shikon Azemin në atë
gjendje) Hiç, hiç...sikur të shkonim ne të dyja matanë, se... nuk kemi
mbaruar akoma...
AZEMI : Po hë, të shkretën, se u bëmë topa
pikpongu....(Ljuba niset matanë, e pasuar nga Fatma e çuditur, teksa e ndjek
e heshtur shoqen.Pauzë. Hyn Sokoli. E ndihmon Azemin të veshë xhaketën e
kostumit të ri) Po ti, sa kohë po bën në atë... Çlirimtaren ?
SOKOLI: Tre muaj.
AZEMI : Ke vrarë ?...
SOKOLI: Jo, akoma... Kur isha në guerrile deshta
me e vra nji tradhtar në qytet, por më shpëtoi...
AZEMI : Si
?..
SOKOLI : Paguhej prej serbëve me djeg fshehurazi
kisha e manastire për me ja u hedh fajin shqiptarëve. Në rrugë shante serbët,
në burg spiunonte patriotët e vet. Tash serbi e ka sjellë këtu si punonjës
ambasade për me informue për kosovarët e këtushëm...Mos ki gajle se tash po i
vjen radha shpejt...
AZEMI : Për këtë ke ardhur, ta vrasësh ?...
51.
SOKOLI : Jo,
kësaj here kam ardh për ju, mësues...Ç’pata ju a thashë edhe prej vedit, edhe
prej shokve të mij...Tash ju vendosni vetë. Do të vini me ne apo do të jetoni
me një serbe, që kushëriri i saj Branko, së bashku me Arkanin, po na kosit
pleqtë, gratë e fëmijtë tanë ?...
AZEMI : Çfarë ?!...Mos kishe qenë nxënësi im,
tani do gjendeshe jashtë derës së kësaj shtëpie !..Ti s’ke të drejtë të
ngatërrosh Ljubën me atë kriminel e terrorist. Dhe as të më vësh mua në të
tilla hullira! Të kam mësuar shumë gjëra, por nuk të kam mësuar të flasësh me
gjuhën e një hakmarrësi !...
SOKOLI : Vërtet më kini mësuar shumë gjëra,
mësues, por kurrë nuk më keni folur me gjuhën e një disfatisti !...(del i
revoltuar. Azemi ka mbetur si i shushatur. Bie zilja e telefonit të zakonshëm.
Azemi merr receptorin)
ZERI : Zoti Azem ?...
AZEMI: Po, Azemi jam...
ZERI : Besoj po prisni të botohen në revistë shkrimet
tuaja për Kosovën...
AZEMI : Ç’është e vërteta, po pres me
padurim...
ZERI : (qesh
me të madhe) Ha, ha, ha, haaaa!... Më fal që po ta them, por... redaktorin e pushoi pronari nga puna...Dhe
shkrimet tuaja u bënë letër higjenike...ha, ha, haaa !...
AZEMI: (i fyer) Kush je ti ?
ZERI : Kush jam unë ? Kabina telefonike jam...Me
demek...deshe të demaskoje Serbinë dhe të çudisje Perëndimin me ato shkrime,ë?
Ha, ha !. I rruajte bishtin, qelbanik !...Harron që Serbia, për emrin e mirë, blen krejt Evropën e jo një pronar
reviste?.. Hm, kërkon të martohesh edhe me serbe, ë ?.. Je veshur dhëndër,
pale.. Po ju shikoj të dyve...se syri im është si i qikllopit, depërton
kudo...Ja, ti me telefon në vesh, ajo po pispilloset tek dhoma tjeter veshur me
të bardha...Mbaje mend, o kërmë, ti nuk do ta gëzosh ate nuse...ne do ta veshim
me të zeza dhe ty do të lëmë të ngordhesh si nje qen rrugësh!.. Mos guxo të
bësh sot celebrimin ! Zagar, zuzar, bir bushtre!
(dëgjohet sinjali i fortë i telefonit të
mbyllur. Pauzë. Azemi i tronditur nuk arrin të mbledhë dot veten)
AZEMI : Jo, nuk është e mundur !... Ai
gënjen...ai provokon...Revista do t’i botojë... do t‘i botojë dëshmitë tona
!...(formon një numër në telefon) Alo, revista Europa ?...(dëgjohet
një zë:Po.) Jam autori i shkrimeve që
53.
ju kam dërguar këtë javë, Azem
Krasniqi...(dëgjohet sinjali i telefonit të mbyllur. Azemi nuk di ç’të bëjë
nga dhimbja) E mbylli... Jo, nuk e besoj, nuk dua ta besoj që edhe këtu u
bëka pazar me fjalën e lirë?!..Kjo do ishte poshtëruese, zhgënjimi më i madh i
jetës sime...Oh, na u përmbys gjithçka!..Po tani ?...Mos vallë Sokoli kish të
drejtë?... (kujtohet) Po për Ljubën çfarë tha ai zë i mallkuar?!..(thërret
i alarmuar) Ljubaa!....(Vjen sakaq Fatma, që ka zënë përdore Ljubën
veshur nuse dhe me tualetin e përfunduar. Azemi i shqetësuar e pyet menjëherë)
Kush të mori qëparë në celular ?
LJUBA : (për të mos e shqetësuar) Mua
?...Një shok i institutit....më uroi për martesën...Pse pyet ?...
AZEMI : (nuk do që ta mërzisë) Hiç...
ashtu kot...(përpiqet të mos e japë veten. I buzëqesh dhe e përqafon) Sot
je bërë e Bukura e Dheut...
LJUBA: (e lexon në fytyrë) Kurse ti...
nuk po më dukesh aq i gëzuar?
AZEMI : (për të hequr dyshimin) Ç’është ajo
fjalë ? Unë s’kam qenë kurrë më i lumtur sa sot !....
LJUBA : (shumë e gëzuar) Vërtet ?...(
e rrëmben në krahë dhe ata rrotullohen nën ritimin e një valsi që Ljuba e
këndon me gojë. Fatma hap magnetofonin dhe dëgjohet ky vals nga orkestra.
Ljuba, duke u rrotulluar, i thotë Azemit ) Ku do e bëjmë muajin e mjaltit ?
AZEMI : Ku të duash ti ...
FATMA : Pse s’ju pëlqen zotërisë suaj Dubrovniku
?....
LJUBA : Oho, vërtet...
Dubrovniku...Dubrovniku...Dubrovniku (Ajo rrotullon e ekzaltuar me Azemin,
nën ritmin e valsit, por...në një çast i mbetet fjala në buzë...Nga dritarja
është dëgjuar një krismë dhe Ljuba e gjakosur mbetet në duart e Azemit.)
AZEMI : (e rrëmben në krahë) Ljuba, Ljuba
....(e vendos mbi divan) Ljuba, mbahu... mbahu të lutem. Ti do të
shërohesh. Të betohem se unë do ta gjej atë që të qëlloi !!...
LJUBA : (përpiqet të flasë, Azemi i ngre
kokën) Branko...Branko më vrau...
(ajo puth lehtë gishtin e unazës së
Azemit dhe... vdes)
AZEMI : (bie përmbys mbi të) Ljuubaaa !...
( Muzike funebre, shuhen dritat)
- Fundi i tablosë së
gjashtë -
54.
EPILOG
Në p a r a s k e n ë : Greta mbyll ditarin dhe bën ec e
jak e menduar... Vendos të shkojë tek gjenerali. Ndërkohe gjenerali me uniformë
kamuflazhi nxiton për diku duke parakaluar Gretën. Greta i vete pas.
GRETA : Zoti gjeneral, më falni që po ju shqetësoj në rrugë, por
koha nuk pret dhe unë dua t’ju informoj pa tjetër për diçka...
GJEN : Për çfarë ?
GRETA : Lidhur me kosovarin e plagosur të
UÇK-së...Mund t’ju them se ai...
GJEN : S’keni ç’të më thoni, kapitene. Ai u
rrethua nga policia ushtarake dhe nuk
denjoi të dorëzohej...
GRETA: (e shqetësuar) Dhe qysh, e
vranë ?...
GJEN : Ta kishin vrarë, do qe mirë, por ai
bandit çau rrethimin dhe u shpëtoi...
GRETA: (e çliruar nga ankthi) Zoti
gjeneral, ai, me siguri, do ketë dëgjuar që prindërit i janë masakruar dhe, i
zhuritur nga malli e dhimbja, ka marrë udhën për në shtëpi. Armën nuk do ta
ketë dorëzuar për të siguruar rrugën...Më besoni, zoti gjeneral, ai nuk është
bandit, as terrorist, as aventurier, por...
GJEN : Kapitene, ma thoni hapur, si
ushtaraku ushtarakut: mos u lidh ndonje flirt me atë djalë, që po e mbroni me
kaq zjarr?...
GRETA: Ju po me fyeni rëndë, zoti gjeneral...
(i tregon ditarin) Urdhroni e lexojeni ta kuptoni kush është ai...
GJEN : Nuk kam kohë të lexoj historira,
kapitene. Për mua ky kapitull është i mbyllur.
GRETA: Ju lutem, a mund të vij në zyrë të
bisedojmë më shtruar ?
GJEN : Eja, veçse...atë defter... gjej të
zotin dhe jepja, jo mua !..
( gjenerali del, Greta e ndjek
nga pas)
55..
Skena e Epilogut : Po ajo e Prologut, shtepia
e Azemit,por me ndryshimin që tani gjithçka brenda është shkatërruar. Kanë
mbetur vetëm disa fragmente muresh të djegur e te rrënuar. Dëgjohen krisma të
largëta armësh...Hyn vrullshëm dhe fshehurazi Azemi me uniformën e UÇK-së dhe i
armatosur.
AZEMI : (shikon i mallëngjyer gjithçka për
rreth...Afrohet tek një pjesë muri që ka një kamare, nxjerr prej andej diçka.
Eshtë një shishe me gjak...Po aty në kamare gjen këtë shënim. E lexon.)
ZE BURRI: Azem, të pastë
baba, në ardhsh i gjallë, mbahu si burrat! Tash që po t’shkruej kët letër, nana
e motra jote gjinden të therruna para meje... Unë jam në çastet e
fundit...T’tana i kena prej nji atij Brankos...Na ka ardh keq per Ljubën...Qè,
në kët shishe kam mbledh gjakun tonë. Ti e din zakonin : kur t‘ nisi me zie
gjaku në shishe, na merr hakun...Në atë shishe queje se ke edhe gjakun e
Ljubës...“
( Azemi kap përsëri shishen dhe e
shtrëngon me dhimbje e me mllef. Pauzë e gjatë. Dëgjohen cicërrima zogjsh. Më
pas, zëra femijesh... Befas, mbi supin e Azemit bie topi i fëmijve që lozin
përjashta. Pas pak hyn një fëmije 4-5 vjeçar. Fëmija trëmbet nga Azemi, sepse
nuk e pret që aty të ketë njeri. Azemi i afrohet)
AZEMI : (duke i dhënë topin) I kujt je
ti ?...
FEMIJA : I nëna Sofies...
AZEMI : (dyshues, e shikon gjatë) Mos je
djali i Brankos ?
FEMIJA : (ul sytë dhe flet me gjysmë zëri)
Po...
(Azemi
nuk do që t’u besojë veshëve. Një mendim ogurzi i lind vetëtimthi në
kokë...Tenton të veprojë, por sakaq e frenon diçka tepër e fuqishme.. Nuk
mundet...Ndërkohë dëgjohet zëri i njohur i nënë Sofies. ”Millosh! Millosh,
ku je ?..”. Sofia hyn brenda duke thirrur: Millosh!... , por i
mbetet fjala në buzë kur shikon Azemin me fëmijën)
SOFIA : Azem, mor bir, qenke gjallë ?!..
56.
AZEMI : (ftohtë dhe prerë) Ku janë
varret e prindërve të mij?...
SOFIA : ...
AZEMI : Ku janë varret e tyre, të thashë ?
SOFIA : (me gjysmë zëri) Ata nuk kanë
varr... I dogjën këtu brenda, pasi i masakruan... (Azemi ul kokën dhe
shtrëngon fëmijën nga dhimbja. Sofia i flet më përgjërim) Në ke perëndi, në
je ai që njoh unë, mos u merr me një fëmijë! Ai është vërtet i Brankos, por
foshnja nuk ka faj... E di ç’të vlon përbrenda... se i pashë me sytë e mij
ç’hoqën të tutë, por..për bukën që kemi ngrënë bashkë, mos vërë dorë mbi ate
çilimi!... Ja tek më ke mua!... Edhe me Brankon bëj ç’të duash... E ke në
Mitrovicë. Atje janë mbledhur gjithë të paudhët... Nuk më vjen keq për
Brankon... Po, sa për këtë kërthi të pafajshëm, të përgjërohem, mos !! (fëmijës)
Millosh, o bir i nënës. Mos u tremb...Ky është xhaxhi Azemi, që kur ish sa ty,
kështu si ti, më thërriste: nënë...
(Pauzë. Azemi kthen
shpinën dhe i vjen turp nga vetja... Lëshon fëmijën... Fëmija i derdhet
gjyshes. Sofia, teksa del me nipin, largohet në heshtje pa i folur Azemit, për
të mos e lënduar. Pauzë. Azemi, i dërmuar shpirtërisht, nuk di ç’të bëjë me
shishen e gjakut të hakmarrjes në dorë...Dëgjohen hapa dhe mbushje armësh.)
NJE ZE : Azem Krasniqi, je i rrethuar. Këtë herë
nuk na shpëton dot!...
(Azemi merr pozicion mbrojtës. Dëgjohet
një krismë. Pastaj zëri i fuqishëm i Gretës
“Eej, mos qëlloni !“. Pauzë e gjatë. Azemi nuk po kupton ç’po
ndodh për rreth. Zgjat kokën me kujdes të shohë përjashta. Hyn vrullshëm kapitene
Greta)
GRETA: Zoti Krasniqi, policia ushtarake u
largua. Unë nuk jam e armatosur. Ju lutem, dorëzoni armën !...(pauzë)
AZEMI : (i vendosur, i prerë) Do ta dorëzoj, vetëm po të sillni këtu një
kriminel që është fshehur në Mitrovicë dhe, në praninë e komandës suaj, në
praninë e ndërkombëtarëve, na bëni gjyq të hapur se kush është kriminel e
terrorist, ai apo unë...
GRETA : Të lutem, më kupto drejt...ne nuk
merremi me gjyqe, kemi mision tjetër...
AZEMI : Atëhere lermëni të qetë... unë në
misonin tim, ju në tuajin...
57.
GRETA : Misioni juaj është të dorëzoni armën, i yni
... t’ja u marrim në dorëzim...Dëgjoni, mos bëni më lodra me zjarrin. Jeni
rrezikuar kaq herë...Une jam e fundit qe po vij... Erdha se tashmë ju njoh fort
mire kush jeni...
AZEMI : Në më dini kush jam, ballafaqomë me atë
mi që është fshehur në gjirizet e Mitrovicës...
GRETA: Mos më kërkoni të pamundurën...
AZEMI : (i trishtuar nga përgjigja. Pauzë e
gjatë. I menduar dhe i prerë) Po te mundshmen e bëni dot ?...
GRETA : Në është e mundshme, jam gati ...
AZEMI : Unë po ju dorëzoj armën... mbajeni
fjalën...
GRETA : (e befasuar dhe e gëzuar për çka po
dëgjon) Pa tjeter, do ta mbaj...
AZEMI : Atehere, merre ! (ja hedh armën, ajo
e pret, disi e çuditur) Më the që do ta mbash fjalën...
GRETA : Po, ju thashë, do ta mbaj patjetër.
AZEMI: (afrohet pranë murit dhe kthehet)
Atëhere.. qëllo mbi mua!...
GRETA: (e tmerruar) Çfar !?...
AZEMI : Asnjë pasojë nuk do kesh. Arma është
imja... Mbaje fjalën!...
GRETA : Jo, jooo !!...
AZEMI : Qëllomë, të thashë ! Gjersa unë nuk po
vë në vend porosinë e këtij gjaku (tregon shishen), dua të vdes këtu.
Këtu është hiri i njerëzve të mi, këtu janë kujtimet e njohjes me Ljubën time
të shtrenjtë... Këtu dua të vdes! Nuk ka më kuptim jeta ime! Qëllomë, të
thashë!..
GRETA : Qetësohu, të lutem! Vërtet humbe
prindërit dhe Ljubën, por fitove Kosovën...
AZEMI : (revoltues, sarkastik) Kush e
vërteton këtë ?..
GRETA : Si kush !? Ne, aleatët...
AZEMI : (shpërthen me dhimbje) E dini
ç’helm nxjerr nga goja ai, miu i gjirizeve që është fshehur në Mitrovicë ? Që
aleatët... kot luftuan në Kosovë, sepse as-in ia kanë lënë nën mëngë Serbisë qysh me
vendimet e tyre të trembëdhjetës. A durohen gjithëkëto ? Qëllomë po të them!...
GRETA : Jo, kurrën e kurrës !
AZEMI: (kërcënues) Qëllomë të thashë, mbaje
fjalën, përndryshe...(nxjerr nga një e çarë muri pushkën e shtëpisë dhe ia
drejton).
58.
GRETA : (shtanget, përpiqet të ruajë
gjakftohtësinë) Jo, ti nuk e ke atë zemër.. Po edhe në ke ndërmend, bëje
ç’ke për të bërë... Ndërsa unë ndaj teje...kurrë ! Ti i duhesh së ardhmes së
Kosovës...vetë jeta jote është dëshmi e dashurisë, miqësisë dhe mirëkuptimit
etnik. Këtë kërkojmë edhe ne...Lufta që u bë këtu nuk çliroi vetëm Kosovën, por
edhe Europën nga mentalitetet e së kaluarës. Për herë të parë në historinë e
saj, Europa këtu nuk erdhi për interesa nacionale, por H u m a n e . Çlirimi i Kosovës është
Rilindija e Europës së Re dhe ju... bash
në këto ditë të mëdha, tregoheni kaq i ligështuar!?... Qetësohuni, ju lutem!...
(ndërkohë dëgjohet
një krismë arme. Më pas zëri i një fëmije që thërret dukë qarë me të madhe : Oh,
ma vranë nënën, ma vranë !...
Azemi dhe Greta kanë
kthyer kokën përjashta. Fëmija hyn brenda dhe turret drejt Azemit duke e
shtrenguar nga gjunjët i lebetitur)
FEMIJA : Xhaxhi Azemi, xhaxhi Azemi, e vranë nënë
Sofien !!..
(Azemi ul armën dhe i
hedh dorën fëmijës)
AZEMI : (me dhimbje dhe i revoltuar Gretës,
gati në të dalë) Nesër gazetat serbe do të shkruajnë: Terroristi Azem
Krasniqi vrau një grua serbe...
GRETA : (e çliruar nga ankthi) Ndërsa unë do
përgënjeshtroj: Trimi Azem Krasniqi nuk vret, por di të falë !..
( Greta e vështron me admirim Azemin që merr në krahë
fëmijën dhe e ledhaton duke i fshirë lotët. Ndriçohen vetëm të tre figurat.
Muzikë triumfuese.)
FUNDI
I DRAMES