Thursday 27 June 2019

FJALIMI “SHQIPTARËT E TË DREJTAT E TYNE” NË KONFERENCEN E PAQËS



AT  GJERGJ  FISHTA O.F.M.


2018
VITI I GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT
MELBOURNE, QERSHOR

100 VJETORI 

1919 – 2019




AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

PARIS 20 QERSHOR 1919


            
            
Zotnij,
            Ç’ me kohë të Luftës turko – ballkanike e tektej zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferencë të Londres së 1913 ma se gjysen e Shqipnisë e plot një milion Shqiptarë, nen zgjedhë të randë t’ anmiqve të tyne kufitarë. E pse këta anmiq të tyne ishin si me numër si me miq ma të fortë, kështu ndodhi që Shqiptarve s’u mbeti ma asnjë rreze shprese, se do të mund të nxirrshin ma kurr atë pre të lotueme prej çapojve të tyne rrëmbyesa e gjithmonë të zhyemun në gjak. 
            Por çka se, aty ka mbarimi i tetorit të vitit të kaluem (1918), ia mërritën në Shqipni ushtarët tuej trima, të cilët na thanë, se sot e mbrapa çdo popull, sado i vogel që të ishte, do të kishte të drejtë me da ai vetë per vete fatin e vet ekonomik e politik, e se të gjitha tradhtitë e padrejtësitë e bamuna ndonjë kombi nëpër traktate nderkombtare të përparshme, do t’ u ndreqshin e qortojshin në Konferencën e re të Paqës, e cila per së shpejti do t’ u mblidhte në Paris; pse ky kishte kenë, na thojshin ata, ideali ma i parë, për triumf të të cilit, mbi mbarë boten, ata ia kishin hy një lufte, që ma të shemtueme s’e ma mend historia e njeriut në daç për mjete, me të cilat pati nisë, në daç për mënyren, me të cilen u vijue. E kështu tue thanë, na kallxojshin varrët e shtatit ende të përgjakuna. 
            Në këto fjalë të tyne u trand Shqipnia gëzimit, e me shpnesë se edhe për te do të zbardhshin dikur ditë ma të mira, ku kje hapë e shpërnda u mblodh kuvendi në Durrës, e aty, një mendjeje e një zemre, vendoi me dalë shtet më vete e krejt i pavarshëm, përmbrenda caqeve që asaj natyra, gjuha, interesat e historia ia kishin caktue. Për me lypë, mandej, që t’ u ndreqshin e t’ u qortojshin dhunitë, tradhtitë e padrejtësitë që Kongresi i Berlinit një herë, e ma vonë Konferenca e Londres, sipërpërmendun, ia kishin ba Kombit Shqiptar, dau me nisë për Paris një Dergatë të posaçme, që t’u delte zot të drejtave të saj. 
            Veç shka se mbasi u kapën  me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin  tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme Kombit Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush nder ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendt botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk  i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë nder përralla – deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona. 
            Mos u çuditni, pra, zotni, që unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi Shqiptarët e mbi të drejta të tyne. Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në rrezik pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar. Sot, a vdekje a metja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se, mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemer që ankon për te. E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë i falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që pati tue më sjellë mënyren se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej. 

I
Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’ me atë ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue shqimit, ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi individuale të veten, në shtill të punëve njerzore. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familje Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurr të përkulshme të shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë  padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ende këta e flasin atë gjuhë të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot, edhe punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë. E pra, sa kavaljete nuk gjimuen mbi krenat e tyne! Sa ndodhi e ndeshtrasha nuk u shkreh mbi shpinë të tyne! Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lshue i irun prej mnije e gjithmonë i pabesi sfinksi sllav; rrjesht per katër kavaljete të gjata i ra persipër boena e barbarisë aziatike; por, megjithkëte, ata nuk e vdaren njininë e vet kombtare dhe as që i lshuen doket e idealet e veta. Po; bash ky popull i paperkulun kurr, ende gjindmbi ato zaje të plleshme, ku të Parët e tij mprehshin rrasat, me ba me to armë per me ça rrashtat e anmiqve ose, ma vonë, ata u jepshin uji pallave të hekurta, per me shtrue me to mbarë boten nën kambë të nji Lekës së Madh, – kur mos t’ ishte që me i ba me kja me to, dhimshem vashat e Romës para nji Burri.
E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta. 
Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshen e rruzullimit. Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit? 
Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshem përshkon kavaljetët! 
Për në kjoftë, pra, se ka një popull, që nëpër forcë t’nji preskripcioni e t’nji trashigimi të pakputun etnik ka tager me nda vetë per vedi shartet politike, ky asht, padyshim, Populli Shqiptar, i cili vetem mund të levdohet se ka nji preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit, si dhe nji Kombsi kryekëput të ndame prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po kje se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor per trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë. 
Por çka se, simbas teorisë vilsonjane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombsisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombtare. 
Tash, për në kjoftë se si ndërgjegje kombtare duhet të kuptohet ndjesia për liri, si edhe ai dishir që mund të ketë nji popull të jetojë e të zhdrivillohet me vetvedi, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë thom se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ ia njofin Shqipnisë pamvarsinë, si dhe siperaninë e vet. E njimend: e po cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet, sesa Populli Shqiptar? 
A dro asht sllavi i ngadalshem e i ngathtë, që, deri dje, i perkulun mbi shatë, pa nji ukaz të Carit të vet autokrat, të thuesh, as që i bahej me marrë frymë? E po, a thue asht greku, – ajo skilja e vjeter, – që gjithmonë, si nji bimë parazite, ju ngjesh ma të fortit per me gjallue në shpinën e tij? Apo asht Shqiptari, i cili e pështetë gjithë shpnesen në fuqinë e vet e n’ atë t’ armëve të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejt, i rreptë me anmiq, – të cilët, nuk i mninë, veçse i perbuzë, – e që ende, deri më sot, nuk i asht perkulun nji force të huej? Qyshse mbi tokë nisën të derdhen lot, qyshse mbi botë forca ia xuni vendin së drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me ua pij gjakun popujve, balli madhështor i Shqiptarit s’ju perkul kurrkujt, perposë Zotit të vet! Kaluen, po, pushtuesit mbi Shqipni, por nuk kjenë kurrë zotnues mbi Shqiptarë! Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinëz e me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen e pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurr me thanë se ka sundue aty mbrendë; njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni, pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue Shqiptarët. E mos kujtoni, Zotnij, se unë këtu jam tue ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej të vlertë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipninë: “Zotnimet e hueja kanë përshkue mbi komb shqiptar, pa lanë në te kurrfarë gjurmet, si uji që rrëshet mbi shpinë të rosës”. I ndritshmi zotni Renè Pinon, mandej, – kompetenca e të cilit nder punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe perjashta Francës, – në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin e dhjetorit të 1909 të së perkohshmes “Revue de deux Mondes”, shkruen “Bullgari, atje nder fusha të Maqedonisë, perkulet mbi shatë e punon tokat e turkut, ndersa shqiptari asht mbreti i maleve. Gjuetar, bari, ushtar ose cub; ai s’i nenshtrohet veçse Kanunit të vet e s’pret ndihmë veçse prej armëve të veta.” Për liri të vetën, Zotnij, Shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që Shqiptari, në mes të sa ndodhive dhe ndeshtrashave politike e për nji periudhë aq të gjatë kavaljetesh ka mrrijtë me e ruejt gjuhën, doket e karakterin e vet kombtar, - e këto, jo vetëm në Shqipni, por edhe perjashta, difton çiltas, se ai asht dhe se don me mbetë Shqiptar. E, se prandej ndërgjegjja kombtare ka lëshue rrajë të thella në Shpirt të tij. 
Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit Shqiptar për liri dhe pamvarsi kombtare, duket prej historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pamvarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombtare e këtij populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.
Që atje kahë e zbardhmja e të XV qindvjet hanëza përgjakshëm prej Azie kukëzohej mbi hapsinë të Europës. Ishte Zotmadhi i turqve, që në krye të ma s’ rreptes ushtri të botës s’ atëhershme, kapercente Helespontin e në mëni të vet trishtueshëm betohej, se hanëzen për t’a vu kishte mbi Shën Sofi të Stambollit e, në oborr të Sh’ Pjeterit në Romë, do t’i epte tagji kalit të vet. E pse njeri dokrrash e pallavrash ai nuk ishte, perpara tij u rrenuen mbretni, ranë frone e u lëkund në themele të veta mbarë qytetnia përendimore. Shkatrrue Bizanci, nda Europa prej luftash e ngatrresash të përmbrendshme, se kush do të dilte me ua ndalë hovin këtij anmiku të përfelgrueshëm?
 Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti, që në mendje tue pasë lirinë e të Parëve e të bardhen lumninë e hershme, me sy të vrantë kundron anmikun e rreptë të kombeve të qytetnueme. Në rropamë të mjerueshme të sa froneve, të sa theroreve, hidhet si duhia në shpinë të një kali të trumhasun, që, mal nxjerrë pasmen përpara e fry turijtë përpjetë nuhatë eren e gjakut; rrokë me të djathtën pallen – rrufe e me të majten ngreh flamurin e Atdheut, ngjye kuq e zi: gjak e vdekje. Nji fllad i ambel, i kandshëm – flladi i dashunisë – lehtas e zhvillon flamurin e Atdheut, që i madhnueshëm valvitet nëpër ajr të lirë të Shqipnisë si ajo fleta e zjarrtë e një Kerubini të qiejve: si ai skundilli i petkut të Perëndisë, që bukur ka ndritun me hana, yje e diej, i kallthtërt prej cepave t ‘ amshueshëm i varet gjanë Empirit të pamatun, atëherë ka mbështetë permbi thellim të ushtueshëm të rribës s’ murlanit, vé në sheste boshtin e rruzullimit. Në këte dukë të permnershme force, Skenderbeu, atëbotë, del në vetull të thepisun të karpes krutane e “Eni Shqiptarë!” bulurit, si luan prej fangut të zharitun të shkretisë, “Eni fluturoni, o bijtë e maleve të lira se Atdheu gjendet në rrezik!” E qe, se në atë kushtrim nji çetë e vogel homeridësh – burrash Shqiptarë si lejshin motit, po shterngohet përreth tij, e aty nënhije të Flamurit t’ Atdheut, ban be mbi gurë të vorrit të të Parvet të vet, se një pëllambë tokë të Shqipnisë nuk do t’ ia lëshonte anmikut, po s’ e lau para të tanë me gjak të tij të zi e të përdhosun. Të forcuem me atë bé, të forcuem me Shejtni të të drejtave, e shpresë tue mbajtë por në Zotin e në krah të arenztë të vetin, të bijtë e malevet të Shqipnisë lëshohen fulikare mbi froten e shtojeve t’ Azisë. E lufta titanike ia nisë. Në të ndeshun të rreptë të ushtrive tymi çohet deri mbi rê e perfrigueshëm gjimon toka nen kambë. Gjaku rrymben rrëkajë. Frota aziatike shuhet përdhe. Habitë pushtuesi i rreptë i Stambollit, prej hidhnimit grisë buzen me dhambë, dhe nis me u pendue pse ia kishte hy luftës me Shqiptarët. Rrafsh njëzet vjet ndej tue u pre Shqiptari me turk, per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E në njëzet vjet lufte të tmerrshme, me sa Leka i Madh, me sa Jul Çezari, Skenderbeu s’ mujt me u thye prej ma të rreptit mbret t’ atyne kohëve. 
            Qe, Zotnij, se si lufton e si mund Shqiptari, kur të jetë puna per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E mos kujtoni, se unë kam ardhë tue zmadhue punët, me qellim që me kthye mendjen tuej në ndihmë të Shqipnisë: Unë nuk kam ba tjeter, veçse me permbledhë në pak fjalë, shka nder libra të randë kanë shkrue mbi kohë të Skënderbeut shkrimtarë në za prej gjithë kombesh t’ Europës: Spanjollë, italianë, anglezë, suedezë, grekë, sllavë, gjerman, e nder të cilët edhe, pak me thanë, nja njëzet francezë. 
Por mundet, ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’ pat luftue kundra turqve, atëherë, kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni – Dejën e Drishtin. – Këtu, disi për rrëshqit, due t’ ua kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjeter punë. Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut per liri të Shqipnisë e t’ Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i mbajtë nen stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar shkonte rrëkajë per liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue ia dhanë të bijen per grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysen e Europës. E tash, shi këta grekë e këta serbë, janë ata që ma fort se askush tjeter shpifin kundra Shqiptarve, tue thanë se nuk kanë ba kurrgja per liri e pamvarsi të kombit vet! Por unë shpnesoj, se Zotnija e juej, që e di mirë se në ç’ hall ka vojtë Europa mbas kater vjet lufte, ka me e çmue si duhet e sa duhet ndergjegjën kombtare të Shqiptarvet, që për njëzet vjet rresht e mbajtën luften në kambë, veç për mos me bjerrë lirinë e pamvarsinë e vet. 
E mos kujtoni, Zotnij, se me dekë të fatosit të lumnueshëm Gjergj Skënderbeut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e Shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat, gjatë rrjedhjes së katër kavaljeteve, kombi Shqiptar i bani qeverisë otomane a për me pshtue prej zgjedhës së sajë, a për me e ngushtue që mos t’i bante n’ asgja të drejtat e tija. Edhe pamvarsia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak Shqiptar. Zhavellët dhe Boçarët kanë kenë Shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo, po, Greqinë e kanë lirue shqiptarët e jo grekët, e ma pak e kanë lirue do Pushtete të mëdha, të cilat aso kohe bajshin spekulime mbi Greqi, ashtu si, do Zoti, po bajnë sot mbi Shqipninë. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ua vertetue edhe Venizelosi vetë; por, në mos dashtë me ua thanë ai, ja u kallzon Lamartini, i cili, tue folë mbi pamvarsi të Greqisë, thotë se kjo nuk kje tjetër, veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.
Edhe konstitucioni i Turkisë kje nji veper e shpirtit të lirë e të pamvarun Shqiptar. 
Shqiptarët, po kjenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shtij në punë konstitucionin në vjetin 1908. E kur Turqit e Rij nisën ta perdhosin dhe ta çorodisin vetë konstitucionin, tue u mundue me e sjellë ate krejt në dobi të veta të veçanta e jo per të mirë e dobi të mbretnisë, Shqiptarët u ngritën e me armë në dorë dhe lypen prej Sulltanit decentralizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë. Edhe Sulltani kje gati me ua çue në vend dishiren e tyne. Kur qe, shtetet e vegjel të Ballkanit, – që Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji “trashigimi” të tyne, – tue pa se nëper autonomi Shqipnia po u delte doret njiherë e pergjithmonë, çohen e i qesin luftë Turkisë! Asht e vertetë se nji pjesë e shtypit europjan e pershndeti këte luftë si nji luftë kryqtare per lirimin e popullit kristjan prej zgjedhës otomane; por ajo, në vetvedi, nuk kje tjeter veçse nji luftë rrenimi, çue peshë prej kristjanve të Ballkanit, per me e rrenue Shqipninë dhe me e humbë të mjerin Kombin Shqiptar! 
Arsyeja pra, pse kombi Shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vedi, nuk kje puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombtare ose ndjesia për liri e pamvarsi, por kje fakti se, shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë, jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se Shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte kenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve. 
Po e shof, Zotnij, se kjo fjalë në gojën teme disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvedi! Por shka ti bajmë punës, janë faktet që më japin arsye! Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithkëtë, turku ia njofti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, - por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qinda mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë kombi hoqi zi e si asht ma zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë: Në vjetin 1912 kërset lufta Turko-Ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue Fenë. grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qinda e qinda katunde, veçse si e si me e farue Kombin Shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombtare, mbas sa intrigash të poshtme, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri, Kombi Shqiptar ka pasë mështetë gjithë shpnesën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë, ata nuk sollën kurrnjisend përsëmari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhjetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të kombit Shqiptar. Gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar, t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çfutnit, nji tagri me shqiptarët, sadoqi, aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë Jugore. Por shka se, në vend të smutoreve, ngrejnë kala; në vend të barnatoreve, ngulin topa e gopedra, në vend të hapave dhe barnave, mjellin mina në det, a thue se dy vjet ma parë, Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanu integritetin dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar! Në vjetin mbas, 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë, e mbas pak kohet, shi ata që kishin  ba gjithë ate zhurmë e poterë per me mkambë Shqipninë shtet në vedi, i proklamojnë popullit Shqiptar se ky do ta kishte autonominë e vet, atbotë kur ky t’ ishte i zoti: si me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin Shqiptarë. Sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër këto vise, të bahet plebishiti për me caktue kufijt e Shqipnisë. Ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, - për mos me folë për të tjera, - duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjanët, se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohë Shqipnisë njifarë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan. 
Kombi Shqiptar ka tager me kenë njoftë shtet i pamvarshem e sovran, pse asht Komb autokton i viseve ku sot me sot banon, e pse e ka të shquet ndergjegjen lirie e pamvarsie: Si me thanë, se ka në vetvete të gjitha mëndorjet e lypuna që me u njoftë një Komb Shtet më vedi e i pamvarshem. Prandej Konferenca e Paqës asht e detyrueshme para historisë e njerzimit mbarë – per në mos dashtë me u ra mohi parimeve të veta – me na i njoftë këto të drejta tona. 

II 
Deri këtu kumbona jonë. Tash lypet, që të ndieni edhe atë të anmiqve tanë; pse dishroj që të thelloni me mend sa ma mirë këte çeshtje, për me mujtë masandej me dhanë një gjyq të kthjelltë e të paanshem mbi Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Duhet dijtë, që as anmiqtë tanë nuk e mohojnë vjetersinë e dashuninë e Kombit Shqiptar për liri e pamvarsi; veçse ata mundohen  me i kamuflue pretenzionet e veta mbi Shqipninë nën maskë të do shkaqeve të hijshme. Edhe diplomacia e anmiqve tanë thëmelohet , si ajo e botës tjetër, mbi egoizëm e mbi hipokrizi.
Thonë, pra, anmiqtë tonë e do mbrojtësa të tyne, se e vërtetë që Kombi Shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit e se ka nji dashni të gjallë për liri dhe pamvarsi të vet; veçse çka, se megjithkëte, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vedi se Shqiptarët janë:
a) barbarë, b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se,
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vedi dhe krejt i pamvarun. 
E dij, se unë jam tue vue tepër në provë durimin tuej; por mue më duhet domosdo me i qitë poshtë me arsye këto shkaqe, ose ma mirê me thanë, këto të shpifuna tê tyne kunder Kombit Shqiptar, tue kenë se unë i jap një randësi të madhe fort gjyqit që Zotnija e juej mundet me përba me mend mbi të drejtat e Shqiptarëve. 
Pra, simbas mendimit të anmiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyne, lypet që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë, për me e sundue dhe për me vu rregull, - meqë shqiptarët janë barbarë e të egjër e nuk janë popull që di me u qitë shtet më vedi, pra me qeverisë. 
Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën, me të cilat ka nisë e vijue Lufta e madhe europiane, kishe me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dishirën për liri e pamvarsi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun; që kanë ba me dekë prej ujet e gazepit me mija njerëz të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombtare e njerzore dhe kanë pre në besë me qinda mija rob të ramë në dorë, - e megjithate, sot ata munden me kenë shtete të pamvarun e të lirë; - po atëherë, pse nuk mundet me kenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të dekunit urije, ku ndorja e besa edhe ndaj anmikut janë të pathyeshme?!
Serbët, në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë nanave Shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden Shqiptare shi në të XX qindvjetë, ndersa sot, Konferenca e ka menden me ua dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera (kupto: Shqipninë). Pse tash, Shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në vedin e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vedi, i lirë e i pamvarshem? 
Por, edhe me pasë për ta marrë barbarinë si gjendje petkore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se Kombi Shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë kenë po me ato mndorje që ka pasë Kombi Shqiptar. E per mos me shkue teper gjatë këtu nuk po ju permend sesi spanjolët kanë mbytë ma se 15 miljon hindjan t’ Amerikës, si e kallxon Imzot De La Casa, në nji relacion që i bani Mbretit të Spanjës; dhe as po e zgjas sesi Arigat e Elizabetët e Anglisë i kanë vue reformat besimtare në mbretni të vet; vetem po due me ju qitë nder mend, kobin e hallin e zi që e mbuloi këte të bukurin vendin tuej, – i cili kje gjithmonë shkolla e lirisë dhe e qytetnisë. – Atëherë  kur populli francez, në kryengritjen e vjetit 1789, mërrijti me marrë armët në dorë e me i rrëzue autoritetet e nderueme, Ju Zotnij, e dini fort mirë sesi ky popull francez, që edhe atëherë ishte pasqyra e modeli i elegancës dhe politesës, jo vetem që e lau tanë Francën me gjakun e vllazenve të vet, por nuk i fali as rreshtat e atyne fatosave, të cilët, aq lumni e nderë i kishin sjellë “a la grande nation”; por due me thanë, se i kanë dhunue deri kockat në vorr Martirve të vet. Me këte rast, po due t’ ju qes nder mend sa gjaqe e sa dhuni bahen, shi nder këto kohët tona, n’ atë lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njoftuna, e perkohshmja e Romës “La Civiltá Cattolica”, në numrin e vet të Dhetorit të 1914, botonte nji artikull interesant, të quejtun “Il pericolo interno” ku, me statistika në dorë, thotë se në Itali per njizet vjet rresht, prej vjetit 1894 e deri në 1914, kanë ndodhë nga njiqindmijë vrasje në vjet, pra tre perqind e popullsisë. Kur, pra, në mjedis nji mbretnije të qytetnueme si Italia, që asht vendi i bukurisë e i fisnikisë, e ku ka polici e xhaindarmeri e ushtri e flotë detare, mund të ndodhin kaq gjaqe e vrasje, atëherë, pse Shqipnisë nuk mund t’ ju njifka e drejta e lirisë dhe e pamvarsisë ku, megjithse nuk ka as polici, xhandarmeri, as ushtri kombtare, as gjykatore, as shkolla e institucione tjera kulturore, numri i të vramve, – si dihet prej statistikave, – mezi’ mërrinë në nji perqind në vjet? Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vedi e të pamvarun dhe kjo, jo sepse Shqiptarët na kenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot, nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose me thanë ma kjartë, u vehet kamba Shqiptarve, vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht, e jo, sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Por këtu tash, vjen edhe puna e gjakmarrjes, – la vendetta, – prej të cilit fakt, anmiqtë tonë, si edhe kumbarët... e tyne, duen me e prue si argument per barbarinë e egersinë e Kombit shqiptar. Kurrkush ma fort se unë, – si nji Prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punen e gjakmarrjes në vetvedi e ta marrin si nji fakt të zhdeshun prej mndorjeve, ndermjet të cilave kjo ndodh. Veç shka se, per me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo nuk asht barbare në nji njeri ose në nji Komb, nuk duhet të merret aq në kujdes fakti, sa shkaku psikik që e shtyn njeriun ose nji Komb, me veprue kështu. Bjen fjala: kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatsi europjan e mbyt nji njeri. Tash, a mund të thomi se të dy janë njisoj barbarë? Jo; pse kanibali e mbyt njeriun per me i hanger mishin dhe prandej, si rrjedhojë asht barbar. Ndersa gjykatsi europjan e mbyt njeriun, jo me i hanger mishin e as per me e shfrye mëninë e vet mbi te, por per me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm e, bash per këte, nuk asht barbar. Në se e marrim punen pra, nga ana psikologjike, unë tham se çeshtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji argument i cili sherben per me percaktue barbarinë e egersinë e Kombit Shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve, të cilat nuk mvaren prej Shpirtit të këtij Kombi.
Mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e Shpirtit të Kombit Shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se, simbas Kanunit, po t’i kishte ra në dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të Kanunit, ky do ta kishte mbytë ate në vend, pa kurrfarë ngurrimit. 
Po gjaksi shpesh ikë, lëshon vendin e struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjeter, tue i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku asht i patrazueshëm e nuk mund të preket prej kurrkujt. Sepse, po ndodhi që ndokush ia ngau mikun kujt, kjo “dhunë e bame ndaj mikut”, s’ mund të lahet ndryshe, veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë ndore. Kështu ndodhi që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë muejtë me i dhanë ndeshkimin e dekës, tue kenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjeter, do të ishte ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve. Per mos me i dhanë shkas pra, nji luftet civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, – i vetmi ndeshkim që, si mbas mndoreve të vendit, mund t’i bahej atij, – e persa i përket ndeshkimit të vdekjes, ua len këte përlim shtëpisë së të vramit, që ta kerkonte e ta vrante gjaksin, por jo si nji Bajrak me tjetrin. Këte punë kanë mërrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tue kenë se, në sy të tyne, çdo njeri që asht i zoti i armëve, thirret edhe si ushtar i Bajrakut. Per ma teper, duhet dijtë edhe se këto vendime të Kanunit kanë kenë njoftë edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte, në këte rasë, Sulltani i Stambollit. 
Shqiptari pra, tue vra gjaksin e vet, nuk ban gja tjeter, veçse çon në vend nji ligj  të cilin ai e mban si të drejtë. Nëse duem të flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të thirret kurr uhamarrje, vendetta. As xhelati i Luigjit XVI, i cili ia preu kryet Mbretit, nuk pyeti, a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte i bindun se ligji ishte i mirë e i bazuem n’ arsye. Qe pse atij nuk iu desht t’i pergjegjej askujt per premjen e kokës së Krajlit Francës dhe, as sot e kësaj ditë, kurrkush nuk thotë se ai kje nji njeri barbar. E se vrasja e gjaksit, nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, danë edhe per faktin se vrasja ndermjet dy familjeve hasme, nuk shtyhet në nji numer të percaktuem, por, nji të vramë gjaksit, dy familjet marrin e japin njena me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut, – pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne, shtetet e mëdha të Europës së qytetnueme, mbas nji Lufte Botnore. 
Por asht edhe gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji Kombit, në kjoftë se ne, nën fjalën barbari, kuptojmë egërsinë ose breshtninë e Shpirtit të tij, ashtu si duen me e kuptue kundërshtarët tonë, kur e kanë fjalën për Kombin Shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve të jashtme e prej të metave të organizimit shoqnor të nji Kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve, për të cilët nuk mund të thohet se kanë kenë të egjër e breshtnorë. 
Në Biblën Shenjte këndohen këto fjalë:“Propinquus occisi homicidam interficiet: statim ut apprehenderit eum, interficiet...Cognatus occisi, statim ut invenerit eum (homicidam) jugulabit.” Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) 
Po kështu edhe në “Iliadë”, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”... Il prezzo/ Qualcuno accetta dell’ucciso figlio/ O del fratello; e l’uccisor, pagata/ Del suo fallo la pena, in una stessa/ Citta dimora col placido offeso.” 
(Ndëshkimin, sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të vllait; dhe ai që e ban këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë mandej i qetë në të njejtin qytet, me atë familje së cilës i bani vrasjen - fyemjen e parë.)
Duket, pra, mirfilli, se prej të marrunit të gjakut - vendetta - nuk mund të thohet se Kombi Shqiptar asht barbar e nuk asht i zoti me u qeverisë në vedi dhe i pamvarun. 
Por “Jo!” thonë kundërshtarët tanë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej mndorjeve të jashtëme, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të Kombit Shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye, e cila, edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e pështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderës së vet. E për në kjoftëse asht e vërtetë, - sikurse njimend asht e vërtetë! - se poezia popullore asht pasqyra e Shpirtit të nji Kombi, kjo duket çiltas, - thonë ata, - prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjakut.
Por edhe këtu danë mirfilli se, kundershtarët tonë ua kanë zejen shpifjeve e rrenave e se ksodore, ata flasin, jo sepse kanë dëshiren, që të vehet paqa ndermjet kombeve, por sepse...e lakmojnë këte tokë Shqiptare.
E vertetë se poezia popullore shqipe tregon punë të veçanta vrasjesh e gjakut; por kjo nuk do me thanë se Kombi Shqiptar vret njeriun per instikt. Shqiptari nuk i këndon çdo lloj vrasjesh e gjakut. Ai këndon vetem per ato vrasje e gjaqe të cilat janë ba vetem me i dalë zot jetës, gjasë e nderës, dhe per me u krye nji veprim i këtillë, lypet nji forcë e nji trimni e jashtzakonshme, ashtu si mundet me u vertetue nder kangët heroike Shqiptare, të mbledhuna në vllimet “Visaret e Kombit”. E se këto vrasje e gjaqe nuk janë të bame gjithmonë per nji interes të pergjithshëm dhe se çmimi i nderës së njeriut në Shqipni, nuk asht i matun gjithmonë simbas kriterit të kombeve të qytetnueme, kjo nuk don me thanë se Kombi Shqiptar asht i eger e barbar, por don me thanë se organizimi shoqnor i tij ka nevojë me u përmirsue e se do parime morale, ende s’ janë zhdrivillue plotsisht ndër Shqiptarë. Na këtu nuk po flasim per moralitet të këtyne akteve: Flasim mbi movent të këtyne akteve e thomi se, vrasja në Shqipni nuk bahet per instinkt, por per nji “shkak”, i cili, simbas mentalitetit të Kombit, asht i mirë e i arsyeshëm. Prandej per këte, populli Shqiptar nuk mund të thirret i eger e barbar. E mos të harrojmë se paladinët e Ariostit dhe kreshnikët e Tasit, nuk kanë luftue gjithmonë per interes të pergjithshëm e as që kanë qindrue gjithmonë per nji nderë të kuptuem simbas parimeve t’Etikës së popujve të qytetnuem. 
Por, per me e diftue egërsinë e Kombit Shqiptar dhe pazotsinë e tij per me u qeverisë në vedi e i pamvarun, kundershtarët tonë kapen edhe në nji punë tjeter. Ata thonë: “Nuk mbahet mend në histori se Kombi Shqiptar asht gjetë kurr i bashkuem e i unjishem m’nji si shtet, por gjithmonë, – si edhe sot, – ai shfaqet i ndamë në fise e Bajraqe, gja kjo që ndodh vetem nder kombe t’ egra.” 
Këte fjalë ka muejtë me e thanë e me e shkrue, edhe ndonji dijetar, i cili, drejtperdrejt, nuk hyn në numrin e frotës s’ armiqve tonë. Ata thonë se Kombi Shqiptar nuk shfaqet në histori i unjishem në nji bashkim që të ketë pasë formen e shtetit. Ne na duket se këta dijetarë janë si të ngutun në dhanjen e këtij gjykimi. Asht e vertetë se mundet me kenë që ky Komb të shfaqet në histori, si gjithmarë, i unjishem në nji shtet nën emnin “shqiptar” e “albanensis”, nen të cilët emna, historia tashma e quen Kombin Shqiptar. Por duhet dijtë se fjala “shqiptar” e “albanensis” nuk shenon individualitetin etnologjik të familjes së këtij Kombi. Fjala “shqiptar” vjen prej verbit “me shqiptue”, që don me thanë “enuntiare”, “exprimere”, e shenon njeriun që mundet me folë dhe me kenë kuptue në këte gjuhë, prej tjerëve. E prandej, “shqiptar” asht edhe francezi per francez, kinezi per kinez, hindjani per hindjan, etj. Pra, mjaft që ta kenë gjuhen amtare, së bashkut. Per antonomazi pra, e vetem perpara Kombit Shqiptar, fjala “shqiptar” shenjon kombsi; sepse, në vetvedi, si e thame ma siper, nuk e ka këte kuptim. Po kështu, edhe fjala “albanensis” nuk percakton individualitetin etnologjik të nji familjes kombtare, por shenjon popullin që banon n’ Albanie ose Shqipni. 
Tash, përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se Kombi Shqiptar nuk shfaqet kurr i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se prej kah e ka rrajën ky Komb, ké ka fis e vlla mbi botë, - sepse ky nuk ka bijtë vetvedit mbi botë, - e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto, historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me muejtë me i përcaktue, sepse historia e Kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të mugta të kohve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët pështeten historianët e sotshëm, t’i kishin nda me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky Komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë pra të gjithë të nji fisi apo jo? Prandej kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem më nji e s’kanë kenë shtet më vete. Por, po e xamë, edhe, se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë, armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak, Kombi Shqiptar nuk duhet qitë shtet më vedi, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne, si gja e pazot. Kush i mba mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët, edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë kenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqi-shoqin, shi mbrenda kufijve të vet. Pse pra, Shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që kjenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi, për arsye se s’na paskan kenë kurrë të bashkuem në nji shtet?! 
Si e dishmojnë vetë diplomatët e saj, Franca ka hy në Luftë Botnore vetëm për me i dalë zot integritetit e pamvarësisë së Serbisë. E po, aso kohe, serbët nuk kanë kenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na kenkan të tanë prej nji fisi! Mirpo, nuk po kuptohet kjartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve e të grekve! A për arsye se deri dje, edhe Kombi i tyne nuk ka kenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?! 
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se Kombi Shqiptar duhet mbajtun për barbar, për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tue kenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vedit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet prej asaj bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mërrinë forca që do t’i mbrojë ato interresa. Tash, tue kenë se populli Shqiptar, për shkak të pushtimeve të hueja të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë që me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të Kombit, këtij iu desht doemosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jepte do familjeve, me u vllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” dhe me organizue jetën e vet shoqnore. E ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njenën anë, shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër, pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë Kombin. Shqiptarit iu desht me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta, tue i mbajtë së bashku parimet e Kanunit Kombtar si rregull jetet. Prandej, fakti që Kombi Shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktorve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë sesi me i shndërrue. 
E, me e vertetue se Kombi i ndamë në shumë fise asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Në kohen kur Filipi i Maqedonisë kercnonte Republiken e Athinës, kjo Republikë xuni me u forcue per t’i ba ballë anmikut e kështu, mëkambi nji ushtri prej 500 vetësh kamsorë e 50 kalorës t’ armatosun, kjo gja mundet me u lexue në Filipikët e I të Demostenit. Prej këtyne shifrave duket e kjartë se Republika e Athinës, në kohen e Demostenit, nuk dij a mund të kishte kenë shumë gja ma e madhe se ndonji fis i Shqipnisë. Por megjithkëte, s’e besoj se kundershtarët tonë mund të thonë se Atdheu i Demostenit ka kenë barbar, per arsye se kjo Republikë ka kenë ma e vogel se Serbia. 
Së mbrami, kundershtarët tonë thonë se Shqiptarët janë jo veç barbarë, po, per mateper, Shpirti i tyne asht i ngathtë e i plogësht, aqsa mos me mujtë kurr me u qytetnue e me perparue. 
Fjala fjalën s’ e mund, por shtanga shtangen, ka pasë thanë nji gjakovas i motshem: “Shtanga e thyen njiherë shtangën, por fjala s’ e mund kurr fjalën!” Prandej, unë këtu nuk po due me u hallakatë fort nder fjalë, veçse me arsye të forta, – të cilat janë shtanga në nji kuvend burrash të mendshëm, – due me diftue se Shpirti ose psika e Kombit Shqiptar, nuk asht aspak ma e ngathtë se ajo e sllavëve. Psika e nji populli ndanë ma së miri, në poezinë popullore të tij. Le ta perballojmë pra, poezinë popullore shqipe, me ate të sllavëve. 
Tue gjykue simbas poezisë popullore të sllavëve të Jugut, rodi i poezisë që zotnon ma shumë nder ta, asht legjenda. Legjenda, si dihet prej natyrës së vet, kerkon me lurtue veshët e të mëdhajve e prandej, këte rod poezie e gjejmë të perhapun sidomos nder epoka të despotizmit e autokracijet, si dhe nder popuj të cilët, ndjenjat e lirisë nuk i kanë fort të shqueme, gjithashtu që nuk kanë shpirt iniciative në vetvedi. E të këtillë janë sllavët, perposë malazezëve, të cilët janë të shartuem ma fort se me tjerë, me shqiptarë. Sado që sllavët janë nji familje e madhe fort në Europë, megjithkëte, të thuesh, deri dje i kena pa tue u vue pa za nen zgjedhë të nji Cari ose të nji Habsburgu, kush nen tirani të nji Kalifi ose të nji Despoti autokrat e që, per me i pshtue robnisë së huej, u asht dashtë gjithmonë, ose nji kombinacion politik, ose ndihma e nji të tretit, i cili i ka pshtue per me i pasë ma vonë si mashë per vedi. 
Por, prej poezisë popullore, del në shesh edhe nji tjeter njollë e psikës sllave. Fatosat e Kombit sllav, ashtu si i paraqet poezia e tyne popullore, nuk janë njerzë të nji force të jashtzakonshme, si asht Akili, Dhiomedi ose Ajaksi në “Iliadë”. Nuk janë as vetje gadi të hyjnueshme, si Luçiferri i Miltonit në “Parrizin e djerrun”, po janë disa perbindsha të përçudnuem , qê s’di njeriu a janê kulshedra apo katallaj e maluketen tê trishtueshêm.
Kështu, bjen fjala, Kraleviç Marku, tash kërcen me sharcin e vet prej nji malit në tjetrin, tash han 50 okë groshë në hae, tash pin venë me lagena 12 okësh, tash e hjedh topuzin tri ditë udhë larg, etj. Kishe me thanë se madhnia e këtyne fatosave, perngjanë ma fort me madhninë e nji sfinksi që nuk asht, as shtazë, as njeri e që s’ ka asgja me natyren e mendjen e njeriut. Ai asht nji peshë shtjelli të çuditshëm, që nuk thotë asgja e as që duhet gja. Tue i ndi ato kangë, shpeshherë të duket vedi se je n’ ato kohë kur flitshin zogjtë e hardhucat, e kur ujku e dhelpna ishin ndrikull e kumbar; pra, në nji kulturë hindjane, kur poezia i perziu dhe i bani përshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshmet, tue perftue kështu sfinkset, piramidat dhe poemat e pafundshme.
Mbasi pra, vjerrshtori sllav, per me mujtë me ba pershtypje në mendje e në zemer të popullit, me poezitë e veta, duhet me e thanë se asht ngushtue me perftue do forma krejt shpellanike, si dhe fatosa matrahula e maluketën, me kenë se mentaliteti i atij populli nuk asht i zhdrivilluem, aqsa me i kuptue plotsisht përmasat e numrit, të peshës e të masës, prandej ka mbet ende në nji shkallë mjaft t’ ulët të qytetnisë. 
Asht e vertetë se poezia popullore sllave ka nji trajtë të përjashtme fort të bukur; por kjo nuk rrjedhë prej njomsisë së ndjesive të shpirtit të tij, po prej servilizmit që e dallon. Tue i pasë sherbye gjithmonë tiranit të huej ose tiranit të vet, ai, per me e lurtue e per me ia këndellë veshët atij, ka kenë i ngushtuem me zgjedhë fjalë e thanje sa ma të hijshme nder poezitë e veta. Kurrkush nuk ka mënyra ma të bukura në të folun, se ata që sherbejnë nder pallate të mbretënve. E nuk ka pse të thonë kush ndryshej, sepse edhe kombet e qytetnueme i kanë këtoforma shpellanike e të përbindshme nder poezitë e veta, si bjen fjala,  ipogrifi i Ariostit. Poetët e kombeve të qytetnueme i bijnë këto forma, jo si nji ideal të vetin, por si nji çudë, nji shtriganeri ose si nji shprehje të mentaliteteve të kalueme, perderisa shkohet deri aty sa sllavi Kraleviç Marku, nuk do të kishte kenë Kraleviç Mark po nuk i hangri 50 okë groshë në hae e kali i tij të mos hidhet mal më mal. 
Derisa poezia popullore shqipe asht krejt ndryshej. Shqiptari, nder poezitë e veta, nuk këndon per tjerë, ai këndon vetem per vedi. Nder lufta e nder punë trimnije, ai nuk i ven shenj’ fakteve; ai shqyrton vetem rrezet e namit e të lumnisë që shkrepin prej atyne fakteve. E kështu, kah nami e lumnia asht prij ideali i tij dhe prej këtij ideali i mbushet Shpirti me entuzjazem, i gufon vetvetiut zemra nder kangë, të cilat i këndon si ai zogu i verës, i cili këndon jo per me e ndigjue të tjerët, por sepse nuk i rrihet pa këndue nder blerime e hije të rita të lugjeve, mbi ato stome gurrash të argjendta. E kah ai nuk i ka sherbye kurrkujt, fjala, thanja, si dhe krejt forma e mbrendshme dhe e jashtme e poezisë, i ec, tash e ambel si pranvera e Arbrit, tash e rrembyeshme si ato prrojet e Bjeshkëve të Namuna ku era ulurinë andej kah vjeshta. Ai nuk i dron nipat e fatosave të cilët i këndon nder kangët e veta e as që ua ka nevojen atyne. Ai këndon lirshëm, si t’ ishte i vetem mbi botë, botë e cila, per te, përmblidhet krejt mbi ato maje malesh ku vedin e mban mbret. Asht pra poezia, nji ode e rendit të parë, saqë s’ ka shumë vjet, filologu i permendun i Universitetit të Gracit, profesor Meyer, thonte se poezia popullore shqipe, prej pikpamjes estetike, asht ma e bukra ndaj të gjitha poezive tjera t’ Europës. 
Per në daçim, pra, me e gjykue punen simbas kritereve të njoftuna të psikologjisë, njeni nder të cilët asht shi poezia popullore, do të thomi se psika Shqiptare, persa i perket lakmimit per qytetni, i rrin perballë psikës sllave, ashtu si i rrin përballë legjenda, odes. Kjo na ban të kuptojmë se psika sllave asht ma pak e zhvillueme se ajo e Kombit Shqiptar. E per me e perforcue edhe ma shumë këte mendim t’emin, këtu due me ju prue edhe disa fakte prej  të cilëve, Zotnija juej ka me e pa edhe ma kjarisht se, kundershtarët tonë, gjykimin e vet mbi Shqiptarët e japin, jo simbas së vërtetës, po simbas interesit të tyne.
Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë kenë të lirë e më vedi. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I -rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta Turko-Ballkanike, ka kenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa në Shqipni, që prej viti 1908, kur kje shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të Luftës Ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çel nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të Kombit Shqiptar. U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randsi, të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombtare, tue i dhanë në pak kohë, shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë kje përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyret administrative. 
Mbrenda kësaj kohe kjen mbajtë tre Kongrese Gjuhësie(1), si dhe kjenë disa shoqni letrare, etj. etj...E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po pse, tash, inteligjenca sllave, që në Mal të Zi, gjatë 50 vjetve jetë kostitucionale nuk përfton kurrgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare (2) dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për Kombin?! Zotnij! Le të lehet njiherë në paqë shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë, ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë me kombe të tjera të Ballkanit, gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi Shqiptar i ka dhanë burra në za për urti Perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së Turkisë, Shqiptarë kanë kenë. 
Shqiptar ka kenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu Shqiptar ka kenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në kjoftse bazohena në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, Shqiptar asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke. 
Por, për me ua mbushë mendjen edhe ma mirë se Kombi Shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi Shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “Histoir e descriptions de la Haute Albanie”, ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejtë doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm që u këndohet kanga, se githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”, si u tha përsiper. Mandej Lordi Bajron, prej anës së vet gërthet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike: atje ka ende do familje për të cilat kishe me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” 
Dëshmi janë këto, Zotnij të mij, të cilat kishin me i shtue namin edhe nji Kombit ma të madh e të qytetnuem.

III
Tash, Zotnij, mbasi Ju diftova se kush janë dhe shka janë Shqiptarët, më duhet t’ Ju flas për të drejtat e tyne. E po Ju thom se Shqiptarët kanë të drejtë:
a) për nji pamvarsi politike e ekonomike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. 
Mbi pamvarsi të Kombit Shqiptar, nuk kam shumë fjalë me ju thanë. 
Dihet se kjo e drejtë ka kenë njoftë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, – prandej, me fjalë të tjera edhe prej Francës, – që prej Nandorit të vitit 1912, në Konferencën e Ambasadorve në Londër. Këto Pushtete, mandej, ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombtare ata nuk i mbajnë për shtupa letrash me i tretë, por i respektojnë si akte, që prekin nderen e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e xamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjit. Pamvarsia e Kombit Shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të Kombeve të mëdha të Europës, prandej tash ne nuk na mbetet tjetër, veçse me folë për kufij të natyrshëm të Shtetit Shqiptar, e kjo asht nji çashtje po aq me randësi, sa ajo e pamvarësisë.
 Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle, të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë sa që sot, nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas, mezi mundet me e njoftë me nji të këqyrun. – Edhe nji nanë, shpesh e ka të vështirë me e njohë fytyrën e të birit, kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime arma e anmikut. – Prandej, lypet të caktojmë ma përpara disa kritere të sigurta, mbas të cilave mandej, me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. 
Mbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvedi, ashtu si ky përcaktohet prej ndermyllzave të teorive uilsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë, që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshem. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombsija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skundiill toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorzanueme dhe e sigurueme si duhet e sa duhet.
Mbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti Shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mërrin Kombësia e Popullit Shqiptar, e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht i lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me avrom të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet Kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i papështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm e me të padrejtë. 
Por në bazë të cilit kriter ka për të mujtë me u caktue të përshtrimit e Kombsisë Shqiptare? – Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast, asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lehet kurrsesi mbasdore. 
Populli Shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, – tue lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementave të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, – kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to, me rrajë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra, rrjedh që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një Kombsi krejt më vedi e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera t’ Europës. Sepse, nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë tatue Shqiptarit nji gjuhë që, dhe as nji tjetër popull europian, mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet nji populli marë. Por as populli Shqiptar nuk ka mujtë me ua tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet, ose me forcë t’ armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por, si prej njenës, si prej tjetrës pikpamje, Shqiptari nuk ka kenë ma i fortë se popujt që ka përbrij. Prandej nuk ka si të mohohet se, të gjithë ata që flasin shqip, janë të Kombsisë Shqiptare. E për këtë arsye, Shteti Shqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha Shqipe. 
Tue pasë caktue këto parime ose kritere, të shofim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të Shtetit Shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çeshtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej anmiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon, i cili ka kenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy, tue e prekë vetë me dorë, se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje?
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux Mondes”, tue folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toket asht Shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E të tanë krahina e Kosovës, e cila, prej Konferencës së Londonit (1913) i kje lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej Shqiptarësh e prandej, e drejta e lypë që të njehen me Shtetin Shqiptar.“ E mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat, qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se, në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht Shqiptare. Serbët na thonë se banorët e Kosovës, me rod janë të gjithë sllavë, por, gjithnji si thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë, tue u kthye në Shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të Nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën, sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të Nordit, grekë, atëherë Serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqindmijë vetë në Kosovë, e Greqia, nuk do të kishte djegë ma shumë se treqind e gjashtëdhetë katunde në Epir të Nordit, tue e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhetmijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urije e sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjes, me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mërrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qinda e mija vllazën “bashkëqytetarë” të vet! Qyshë se serbët kanë vra me qinda mija njerzë në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, dëshmon kjartë se, as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë kenë serbë, as ata të Epirit të Nordit nuk kanë kenë grekë. Jo, po, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qinda mija në Kosovë dhe janë djegë me qinda e qinda katunde të Epirit të Nordit, për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën Shqiptare n’ ato krahina, për me mujtë me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka Shqiptarë! Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitdinem faciant, pacem appellant.” Por, sa të kenë shkretnue vendet, thonë se vunë paqen!
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z.Renè Pinon mbi kufijt’ e Shqipnisë,  këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çeshtje Lordi Fritz Maurice, Mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi “Foreign Office” e që masandej, kje botue në nji Libër Bleu të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht Kombi Shqiptar, i bjen me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi, e krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovicet e teposhtë, asht krejt Shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb.  Statistika bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Manastir, Ohër e Korçë, janë pështetë në rrena e dashtas janè ba me rrena, le ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpit !.” Qé pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë Shteti Shqiptar. Mbas dishmisë së këtij diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato tokë që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve. 
Veç shka se,tue bisedue për këte çeshtje me një delegat të Konferencës së Paqës, ky zotni na tha troç: Hiqeni mendsh se na po marrim tokë tuejat, të pushtueme prej Aleatëve tanë, e po ia kthejmë rishtas Shqipnisë. Mbi këto fjalë që per ne kanë një randsi të madhe fort, unë kishe me dashtë me folë pak ma gjatë; por, pse s’po due me vu ma teper në provë durimin tuej, po marr lejen me ju ba vetëm një oroë mbi to. Po kje se puna asht, ashtu si e mendojmë, që Konferenca e Paqës e ka në mendje me ia peshue gjyqin Botës në qetele të arsyes e jo në mollëz të shpatës, Zotnia juej e kupton vetë, se fjalët e tij s’mund zanë vend; përndryshe asht kot që të tjerrë fjalë ma gjatë, se sot shpata e Shqipnisë s’ka teh endè.

Qe, Zotnij, se shka kam pasë me ju thanë per Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Tue ju falë nderës, me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më diftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtun, me ato fjalë që me 24 Nandor 1880 thonte në Parlamentin italian, Madero Savini, kur Europa pat çue donamet e veta para Ulqinit, për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipnisë. E qé shka foli në atë rasë, deputeti italian: “E po pse francezëve nuk u mbushet mendja me hjekë dorë nga Alsazë-Lorena? Pse nuk do të guxojshit Ju, (deputetë italianë), me hjekë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë, në Kongresin e Berlinit? Vetëm per parimin e Kombsisë! E pra, kujtoj unë, se, për me kenë burra fjalet, na duhet me thanë edhe për Shqipninë ato shka thomi për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë... 
Në mos paça harrue, si kam ndij prej Profesorave të mij, Grotius ka pasë thanë se, tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jean-Jacques Rousseau vërret: “Ani, por të paktën pyetni ma parë, mostjeter, këto bagëti njerzore!”.

(“Shqiptarët e të drejtat e tyne” Shkoder, 1920)

***
Shenim nga Fritz Radovani: 
Ky asht Teksti i plotë në gjuhën Shqipe i Fjalimit të përgatitun nga At Gjergj Fishta (Sekretar i Delegacionit në Konferencen e Paqes), që asht lexue në Paris prej të pershndritshmit e të përnderueshmit Imzot Luigj Bumçi (Kryetar i Delegacionit Shqiptar në 1919), Ipeshkëv i Lezhës, në gjuhen frengjisht, në sallen e Universitetit Katolik në Paris, dhe që nuk i asht ba asnjë ndryshim prej meje nga origjinali i botuem në vitin 1920 në Shkoder.
Kam theksue në dy vende të shkrueme nga At Fishta, nr.1 e nr.2, që tregojnë se në Shqipni u zhvilluen tre Kongrese Gjuhësije dhe se kishte edhe Gjuhë Letrare Shqipe. Kjo tregon mashtrimin e të së quejtunes “Akademi e Shkencave e R.P.S.Shqipërisë”, në vitin 1972, kur “zhvilloi kongresin e gjuhës njësuar”, që zhduku Gjuhen e vertetë Letrare Shqipe ku perfshihej dhe Gegënishtja e Veriut. 
 “Akademikët’ dhe ministrat e arsimit, vetem të mendojnë: “Kujt po i sherben sot heqja nga ju, e At Gjergj Fishtës dhe e Shkrimtarëve të Veriut, nga Historia dhe Letersia e Gjuhës Shqipe?”
Ju lutem mos ndryshoni dhe as, mos hiqni asnjë fjalë nga origjinali i këtij teksti!  
Melbourne, Qershor 2019.

Monday 24 June 2019

Shkallët e Ferrit

Shkallët e Ferrit

                                                           Roman

                                                    KREU     I     DYTË
                                                     FURTUNA
                                  I

            Ora kishte kaluar dy pas mesit të natës. Një trokitje e fortë u dëgjua në portë. Nënë  Gjyla u ngrit dhe ashtu e përgjumur u afrua duke pëshpëritur me vete:
            - Kush do të jetë ky i uruar që na shqetëson në këtë orë?
            Nuk kishin më shumë se dy orë që kishin rënë dhe ishin në gjumin e parë, një gjumë i rëndë si vdekja. Megjithatë trokitja ishte aq e fortë sa u zgjuan të gjithë, Madje edhe gjitonët për karshi dolën te porta. 
            - Kush është? - pyeti nënë Gjyla.
            - Policia Popullore, - ishte përgjigja. 
            Nënë Gjyla hapi portën. Brenda hynë operativ Ilia dhe tre policë.
            - Kërkojmë Agron Canajn.
            Ndërkohë Agroni ishte veshur dhe po bëhej gati për të dalë.
            - Agron… ç’kërkojnë këta. – tha Lumtua që dëgjoi fjalët e fundit.
            - Mos u trondit. Është akti i fundit i komedisë së tyre. Amanet Iridën dhe nënën. Bëhu e fortë.
            Doli në koridor dhe iu drejtua Ilias:
            - Ç’kërkoni? Unë jam Agron Canaj.
            - Në emër të popullit jeni i arrestuar!
            Një polic i hodhi prangat. 
            - Ku po ma çoni djalin? - thirri nënë Gjyla. 
            Skënderi hapi derën e dhomës  dhe kur pa Agronin të lidhur u tërhoq prapa dhe mbylli derën. Nuk guxoi të dalë. Irida që kishte ndier zhurmën, doli përjashta dhe iu hodh në qafë të atit duke thërritur:
            - Babi! Mos e merrni babin!
            - Jo, mbretëresha e babit. Do të shkoj sa për një sqarim dhe do të kthehem përsëri.
            - Po pse të kanë lidhur?
            - Sepse kështu jam më i  sigurt, - tha ai  me një  ton ironik,  duke  u përpjekur  të fshehë tronditjen që e kishte pushtuar.
            Lumtua qëndronte te dera e dhomës pa folur. Kishte ngrirë.  Zëri  nuk  i   dilte.
            - Shkojmë! - foli Ilia dhe u nis i pari.
            Dy policë e kapën  Agronin për  krahu  dhe  u  nisën. Polici  i  tretë u  shkoi  nga prapa. Agroni ktheu kokën dhe duke dashur t’i qetësojë disi familjarët, foli:
            - Mirupafshim së shpejti!
            U zhduk në errësirën e shkallëve. Pas pak zhurma e një makine që u largua, u dëgjua në 
shtëpinë e tronditur.
            - Ç’qe kjo kështu? - pyeti gjitoni shumë i habitur
            - Me siguri do të jetë bërë ndonjë ngatërresë, - tha  nënë Gjyla.
            - Megjithatë mos u shqetësoni! Nesër gjithçka do të  sqarohet.  Qetësohuni tani! -  foli përsëri gjitoni.
            U largua dhe mbylli portën. Edhe të zotët e shtëpisë u futën  brenda. Skënderi  hapi  derën 
dhe duke u drejtuar drejt të pranishmëve u tha:
            - Çfarë ka ndodhur?
            Nënë Gjyla e pa me mospërfillje.
            - Turp të kesh! -  tha -  Dole dhe u fshehe përsëri. Mos kujto se nuk të pashë? Ik, fli i qetë dhe nesër që me mëngjes nisu për  në Tiranë, ku do të ushtrosh përsëri detyrën e drejtorit, ndërsa vëllaj yt do të dergjet në burg. 
            I ktheu shpinën dhe u fut në dhomën e saj. Lumturia dhe Irida e ndoqën nga prapa. Skënderi mbeti në heshtje. Pas pak doli dhe e shoqja me fëmijët.
            - Po kjo çfarë qe? -  pyeti ai me gjysëm zëri.
            Pyetja e tij mbeti pa përgjigje. 
            Nënë Gjyla pyeste veten e saj se kush mund të ishte shkaku që i kishin marrë të birin.  Por askush nuk i përgjigjej. Vetëm një njeri qëndronte në heshtje dhe nuk çfaqte asnjë mendim. Kjo ishte Lumtua. Ajo e dinte të vërtetën, por nuk guxonte t’ia thonte askujt. Irida filloi të qante me ngashërim. Gëzimi i ditëlindjes ishte shndërruar në vaj. Lumtua e mori, e shtrëngoi fort në gjirin e saj dhe duke mposhtur gjendjen në të cilën ishte i tha:
            - Mos qajë drita e mamit. Më ke mua, ke nënën.
            Por lotët vazhdonin t’i rridhnin vajzës pa mbarim. Ishin lot të dala nga zemra e thyer e një fëmije, së cilës i kishin rrëmbyer atë që ajo e kishte si idhullin e saj, mbrojtësin e saj, frymëzuesin e  saj. Ata lot nuk mund t’i ndalonte asgjë. Vetëm një forcë mund ta bënte një gjë të tillë, por në vendin tonë ajo forcë ishte braktisur, ishte mohuar. Kjo ishte forca e Zotit, por edhe ai, siç duket, e kishte harruar këtë vend. 
            Atë natë asnjë nuk mbylli sy. Të nesërmen vendosën që nënë Gjyla të shkonte dhe të kërkonte shkakun e arrestimit. Një gjë të tillë duhet ta bënte më mirë Skënderi, por ai ia mbathi që atë mëngjes së bashku me gruan dhe fëmijtë. Edhe Lumtua nuk mund të bënte gjë. Ajo ishte mpirë krejt, ishte bërë një tjetër njeri, nuk ishte në gjendje të bënte asgjë. Kështu që i mbeti nënë Gjylos. Ajo ishte nënë dhe fjala e nënës është më e rëndë se e kujtdo tjetër.
            U vesh dhe shkoi në Degën e Punëve të Brendshme. Pyeti oficerin e rojes për të birin dhe ai i tha se do të merrte përgjigje pas disa ditësh. Kërkoi të takonte kryetarin e degës. I thanë se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, pasi ai ndodhej në Tiranë, në Ministri. 
- Megjithatë, unë do të qëndroj këtu dhe do ta pres deri sa të vijë.
U ul në një bordurë betoni pranë hyrjes së degës. Një polic iu afrua dhe  i foli  me  një zë të butë:
            -Nëno! Mos rri kot. Ai nuk vjen për disa ditë. Ka shkuar për një mbledhje në Ministri.
            Nëna e pa me vërejtje në fytyrë. Iu duk djalë i mirë.
            - A ke nënë, o bir?
            - Po moj nënë dhe ajo të ngjan ty. Gjithë ditën rri në dritare dhe pret    kthehem unë, sepse kjo puna jonë ka edhe rreziqe.
            - A e sheh? Nënat janë krijuar për të vuajtur tërë jetën nga meraku për bijtë e tyre. Zemra ime është bërë copë. Më rrëmbyen djalin më të mirë si ndonjë kriminel. Biri im është i pafajshëm.
            - Mos ki merak nëno, po qe i  tillë, me  siguri do të dalë së shpejti.
            - Falemnderit, mor bir, për fjalët e mira!
            U ngrit dhe filloi të largohej duke u menduar. Në çast i shkrepi në  mendje   shkonte në Komitetin e Partisë, të takonte sekretarin e parë, të cilin  e njihte.  Ishte  një burrë  rreth  të pesëdhjetave, një partizan që kishte luftuar në batalionin e komanduar nga i shoqi. Mendoi se një gjë e tillë do ta ndihmonte. Shkoi atje dhe i paraqiti kërkesën dezhurnit që ishte te porta. Ai mbajti shënim emrin dhe foli me dikë në telefon. Nëna vuri re se kishte diçka që nuk shkonte në atë bisedë. Dezhurni u ngrit, mbylli xhamin e sportelit që të mos dëgjonte nëna dhe si mbaroi tha :           - Nuk është këtu. Ka shkuar me shërbim.
            - Si nuk është këtu? Të gjithë paskan ikur nga ky qytet? Kush qeveris atëherë?
            - Unë kaq di t’u them.
            Nëna u largua dhe u ul në një bar kafe aty pranë, prej nga  shihej  hyrja e  Komitetit  të Partisë. Iu kujtua skena e shumë viteve më parë kur kishte kërkuar të takohej me Enver Hoxhën. Edhe atëhere i kishin thënë se nuk ishte. Siç duket kjo ishte një mënyrë e njohur përcjelljeje. Por vendosmëria e saj kishte bërë që ta takonte atë. Kështu do të vepronte edhe sot. Do të priste deri sa të mbaronte orari i punës që të vërtetonte nëse i kishin thënë të vërtetën.
            - Çfarë do merrni nëno? - foli kamarieri.
            - Një kafe shqeto.
            Kamarieri i solli kafen dhe ajo po e pinte me ngadalë. Ndërkohë hyri një burrë dhe meqenëse tavolinat e pakta ishin mbushur me njerëz, iu drejtua nënë Gjylos:
            - A mund të ulem edhe unë të pi një kafe?
            Nëna i bëri shenjë me dorë që të ulej.
            - Djalë, bëmë edhe mua një kafe, ashtu siç e di ti, - foli i porsaardhuri.
            Siç duket ai ishte një klient i rregullt i atij lokali. Të dy pinin kafet pa folur. Së fundi ai tha:
            - Nga të kemi moj shoqe?
            - Nga qyteti.
            - Të shoh shumë të mërzitur. Çfarë halli ke? Thuama mua se ndoshta mund të të ndihmojë.
            Nëna e pa me vërejtje. Kush ishte ky person që kaq shpejt ishte hapur me të? Mos ishte ndonjë provokator i dërguar nga sigurimi i shtetit?
            - Të gjithë gjykatësit e botës të mblidhen dhe nuk i zgjidhin hallet e mia.
            - E përse? A ka gjë që nuk mund të zgjidhet në këtë botë?
            - I tillë është halli im.
            - Vallahi, nuk po të kuptojë fare. Çfarë mali të paska rënë përsipër që nuk    le të ngrihesh?
            - Është një mal aq i lartë sa nuk e kapërxej dot.
            - Mos e lësho veten, moj burrëreshë.
            - Mbrëmë mora goditjen më të rëndë.
            - Çfarë goditje?
            - Më rrëmbyen dritën e syve  dhe e hodhën në skëterrë.
            - Ku?
            - Ju thashë, në skëterrë.
            - Në burg?
            - Po.
            - Përse?
            - Nuk e di. Për këtë jam këtu sot.
            - Kush është drita e syve të tu?
            - Im bir, kush tjetër.  Agroni im, Agron Canaj.
            Plaku po mendohej. Ky mbiemër i kujtoi një histori të kohës së luftës.
            - Canaj… Canaj… Ky  mbiemër   kujton  një mik    vjetër. Çfarë keni    bëni  me 
Bexhet  Canajn?
            Nënë Gjyla hodhi vështrimin mbi të panjohurin.
            - Ka qenë im shoq.
            Plaku e vështroi i habitur. 
            - Për besë! - tha duke i rënë ballit me dorë. – Paskam rrjedhur fare!  Si  nuk   njojta? Kanë kaluar tridhjet vjet  nga ajo  ditë  e zezë.  Unë jam Syrjau, ai që pruri trupat e Bexhetit dhe Sabriut.
            - Syrjau? Si është e mundur? Po si qenke transformuar kështu mor i zi? 
            - Po, pikërisht unë jam. A e mban mënd atë ditën e zezë   kur   solla  trupat   e  Bexhetit dhe Sabriut?  Isha djalë i ri,  i mbrujtur me ndjenjën e atdhedashurisë dhe i gatshëm të jepja  jetën për të.  Por Zoti nuk donte që unë të vritesha. Ai kërkonte më të mirët. Donte Bexhetin dhe Sabriun. Ata ishin shumë më të mirë se unë.  Fati kishte caktuar që unë të vuaja. Sa do të kisha dashur të kisha pasur fatin  e tyre. Të paktën nuk do të shikoja këtë armiqësi që është hapur midis vëllezërve të një gjaku. Më fal që po të flas kështu, por më dhemb zemra. Ajo është që i thotë këto fjalë. Kam bërë njëzet vjet burg. Shikomë mirë. Jam vetëm pesëdhjetë vjeç, por dukem si shtatëdhjetë. Burgu më katandisi në këtë gjendje.
            Syrjau heshti. Nënë Gjylës iu kujtua çasti kur ai erdhi në shtëpinë e tyre, për të sjellë kufomën e të shoqit, vrarë në betejë. Ishte një djalë i ri dhe mjaft i pashëm. Kurse tani kishte para vetes një njeri të plakur para kohe, një njeri që kishte humbur gjithçka. Kush e kishte katandisur në këtë gjendje? Nënë Gjyla nuk i jepte dot përgjigje kësaj pyetje.
            - Përse të dënuan? 
            - Ti e di, unë bëja pjesë në  çetën  nacionaliste.   Pas   lufte  na   rreshtuan     në anën e humbësve dhe këtë duhej ta paguanim me jetën tonë. Kështu tim at e pushkatuan, ndërsa mua më dënuan me njëzetepesë vjet burg, nga të cilat bëra njëzet. Por le ta lemë tani këtë bisedë. Më thuaj,  përse e kanë burgosur tët bir?
            - Ku ta di unë e mjera? E arrestuan mbrëmë. Kam ardhur të takoj sekretarin e parë. Ka qenë shokë me Bexhetin. Me siguri do të më presë dhe do të më shpjegojë gjithçka.
            - Do të doja të ishte ashtu si thua ti, por nuk e besoj.  Tashmë ju jeni shndërruar në një familje reaksionare. Pikërisht këtyre famijeve u largohen të gjithë.
            Nënë Gjyla hodhi vështrimin nga dritarja. Pa të dilte nga godina e Komitetit të Partisë sekretarin. U ngrit rrëmbimthi dhe sa hap dhe mbyll sytë i doli përpara.
            - Shoku Ali, ju lutem, kam ardhur për të biseduar diçka me ju.
            - Shoqja Gjyla, më fal, por nuk mundem. Tani kam një takim të rëndësishëm, ndaj po nxitoj. Shko brenda dhe paraqitja sekretarit të dytë problemin tënd.
            - Unë mendoj se  duhet  ta bisedojmë  bashkë atë problem. Ju keni qenë shoku    i afërt  i Bexhetit dhe jo sekretari i dytë.
            - Më vjen keq, por nuk mundem.
            - Ju falemnderit për konsideratën që paskeni. Kur erdha këtu mendova se do ta gjenit pak kohë sa për të biseduar. Shokët tuaj më gënjyen, Ata më thanë se ishit me shërbim. Tani ju nuk gjeni kohë. Megjithatë, ju falemnderit përsëri. Rrini i qetë. Nuk do t’ju shqetësoj më. 
Ktheu krahët duke e lënë sekretarin e parë të habitur nga kurajoja me të cilën ajo grua i kishte folur. Deri atë ditë askush nuk kishte guxuar  ta kundërshtonte  dhe,  ja tani,  ishte  kjo grua që ia përplaste neverinë në fytyrë. Cila ishte ajo forcë që e shtynte të bënte një veprim të tillë? Ishte zhgënjimi i papritur dhe dashuria e nënës për birin e vetë. Këtë gjë nuk ishte në gjëndje ta kuptonte sekretari i parë, një nëpunës fanatik.
            Nënë Gjyla u fut përsëri në klub dhe iu drejtua Syrjaut:
            - Kishe të drejtë, as që denjoi të bisedonim.
            - Mos u mërzit. Duhet të bëhesh e fortë. Dallgë të tjera të presin.
            - Mirupafshim,  po iki në hallin tim.
            - Për çdo gjë që të keni nevojë, unë do të jem i gatshëm t’ju ndihmojë.
            Nënë Gjyla u largua duke i  bërë një shenjë me dorë. E çfarë ndihme   mund   t’i  jepte ai i ngratë,  që nuk dinte si të  përballonte  jetën e  vet.  Megjithatë e  tha  fjalën e  mirë.  Kjo tregonte shpirtin e tij. Dy pika lot i rrodhën nga sytë. Nxorri shaminë dhe i fshiu.   atë  çast besoi se e kishte humbur djalin e saj.

                                                                        II

            Qelia ku mbyllën Agronin ishte një birucë jo më e madhe se një kotec pulash. Një portë e rëndë hekuri ishte i vetmi komunikim me korridorin. Dritare nuk kishte. Qelia mund të ajrosej nga  hapësira që linte porta  në fund të saj, rreth një gisht, prej nga hynte dhe një rreze drite. Kur hyri Agroni dera u mbyll dhe ai mbeti në errësirë. Nuk shihte asgjë. Filloi të ecte me ngadalë si një i përgjumur. U përplas pas një muri. Bëri dy hapa djathtas dhe ndeshi në mur. U kthye prapa dhe përsëri mur. Nga kjo kuptoi se qelia e tij nuk duhej të ishte më e madhe se 2 X 1,5.  Ndjeu një erë të rëndë t’i shponte hundët. Ishte erë myshku, përzier me atë të amoniakut. Mirë era e myshkut se vinte nga lagështira, po era e amoniakut ç’kërkonte atje? Me siguri duhet të kishte urinuar dikush. Ndoshta ndonjë fatkeq tjetër si ai. Po përse? Vallë nuk i nxirrnin për të shkuar në nevojtore? Kërkoi ndonjë vend për t’u ulur, por nuk gjeti. U mbështet pas murit dhe po priste. Pak nga pak filloi të dallojë konturet e qelisë. Ishte aq sa e kishte parashikuar. Nuk kishte asgjë brenda, as shtrat dhe as ndonjë karrike për t’u ulur të paktën. Ishin vetëm dy sofate betoni në cepat e qelisë, që nuk kishte mundur t’i shikonte më parë. U ul në njërin prej tyre dhe filloi të mendonte:
            “ Me siguri mbyllja në këtë qeli është bërë me qëllim që të më paralajmërojnë për pasojat.  Ata duan që unë të denoncoj shokët e mi. Ky është një lloj presioni. Mbahu Agron! Burrëria jote këtu do të duket. Do të kërkoj takim me kryetarin dhe do t’i kërkoj shkakun e këtij trajtimi. Edhe sikur të isha fajtor, duhej të më dënonin aq sa meritoja dhe nuk duhej të më trajtonin kështu. Ky është barbarizëm. Vetëm në burgjet naziste trajtoheshin njerëzit në këtë mënyrë. “    
            Ju kujtua mbrëmja e kaluar. Ishte një mbrëmje gëzimi. Ditëlindja e Iridës ua kishte ngazëlluar zemrën. Mos ishte ky gëzim që e vrau? Jo, jo nuk kishte mundësi. Si mund ta vriste gëzimi i vajzës së tij të vetme? Iu kujtuan fjalët e së bijës në çastin e arrestimit:
            - Babi, pse të kanë lidhur? Mos e merrni babin!
            Ndjeu një dhimbje në shpirt. A do të ishte e zonja Irida të përballonte këtë goditje? Si do ta trajtonin në shkollë? Mos vallë do ta diskriminonin? Një gjë e tillë i therrte në zemër. Kur mendonte pasojat që mund të kishte ajo, e ndiente zemrën ta lëshonte. Nëna, a do e duronte dot këtë dhimbje? Ajo vuante nga tensioni i lartë i gjakut. Agroni i druhej ndonjë hemoragjie cerebrale. .Po Lumtua si do t’i bënte ballë gjëndjes? Si do të rronin vetëm me rrogën e saj dhe pensionin e nënës? Tri femra pa asnjë përkrahje. Të gjitha këto mendime  silleshin rrotull  në 
kokën e tij. Nuk ishte i zoti t’u jepte përgjigje. Në atë gjendje mjerane në të cilën ndodhej, më 
tepër e shqetësonte e ardhmja e të dashurve të tij. Së fundi e mblodhi  dhe i tha vetes: 
            - Rri i qetë! Tani duhet të mendosh  se  si duhet  vepruar.  Duhet  ta   peshosh   mirë çdo 
përgjigje. Hetuesit janë mjeshtra në profesionin e tyre. Ata  t’i  nxjerrin fjalët me çengel. Duhet kujdes me ta. Pasi të kalojmë këtë lumë, shohim e bëjmë pastaj. 
Këto fjalë sikur e qetësuan shpirtin e tij. Filloi t’i shihte gjërat me një sy më realist. Në fund të fundit do të kalonte edhe kjo dhe çdo gjë do të rregullohej.  Ai  ishte i  pafajshëm  dhe nuk kishte pse të trembej.  Dëgjoi çelsat që vringëllinë në portë. Hyri Myfiti, roja i qelive.
            - Eja të kryesh nevojat personale, - i tha me një zë të thatë dhe monoton.
Nevojtorja ishte aty pranë, në  fund   korridorit.  Brenda  saj ishte  edhe  një çezmë. Agroni kreu nevojat dhe doli.
            - Ku është lavamani? - pyeti.
            Myfiti qeshi me të madhe
            - Dashke edhe lavaman  zotrote! – tha me një    tallës, -   Mos   do  edhe   ujë   të ngrohtë? Lahu  te  çezma në nevojtore.     
            Hyri përsëri, lau duart dhe u hodhi edhe syve disa grushte me ujë. Pastaj nxori shaminë e dorës dhe u fshi. Kur hyri në qeli, i tha rojes:
            - Dua të takoj kryetarin e degës.
            Ai nuk iu përgjigj, por i përplasi portën në turi. Priti sa i erdhën sytë dhe filloi të vinte rrotull qelisë duke u menduar. Mendimet janë e vetmja pasuri që ka njeriu në të tilla raste. Trurit, i burgosur dhe ai sikurse i zoti, nuk i mbetej gjë tjetër veçse të mendonte. Mendimet këmbeheshin me njëri-tjetrin. Fillonin nga qelia, vazhdonin te familja dhe përfundonin te qendra e punës. Shkonin nga shkonin dhe takoheshin në një pikë, atje ku rrihte çekani. Kush do të ishte fundi? Arsyeja nuk pranonte dënimin, por a do të triumfonte drejtësia? Kësaj pyetje nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej. Cila drejtësi? Ai ende rrekej t’i mbushte mendjen vetes se ka ende shpresë edhe pse zhgënjimi po e bluante përbrenda.
            Hodhi vështrimin në muret. Me vështirësi dalloi shkrime të ndryshme. Lexoi disa emra njerëzish. Me siguri ishin të atyre që kishin qenë më parë aty. Kishte shumë psherëtima të dhimbshme, por edhe disa të shkruara nga njerëz që nuk i kishte mposhtur qelia. Në to binte në sy besimi i tyre për të ardhmen. Në atë kohë iu kujtuan vargjet e Dantes nga “ Komedia Hyjnore 

           “ Këndej kalohet në qytet të mjerimit,
              Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi,
              Këndej kalohet në shpirtrat humbun shqimit.

              Para meje gja tjetër s’u krijue,
              Veçse e përjetshme,- e unë qëndroj për jetë,
              O ju që hyni mbrendë, keni mbarue! “ 

            Këto vargje i ngjallën një ndjenjë pesimizmi. Mos vallë ishte me të vërtetë fundi? U ul në njërin nga sofatet, futi kokën midis duarve dhe as ai nuk e dinte se ku i fluturonte mendja. Ajo kishte marrë arratinë.  Por shpejt u përmend
            - Mbahu burrë! – i tha vetes. - Kaq shpejt e lëshove veten dhe re kaq poshtë? Duhet guxim. Duhet gjakftohtësi. S’e kishte idenë sa kohë kishte kaluar, kur porta u hap përsëri.  Roja solli një  tas  balte me  një lëng, që s’e mori vesh ç’ishte, një lugë alumini dhe një copë të vogël buke të zezë.
            - Kujdes, mos thyesh tasin! -  i tha roja.
            - Dua të takoj kryetarin!
            Porta u mbyll përsëri pa përgjigje.
            - Edhe unë kujt i drejtohem për një gjë të tillë! - tha  Agroni. -  Ky është  bishti   i kavallit. Kur të më thërrasë hetuesi, do t’i kërkoj takimin.
            Mori tasin dhe i mori erë.  Ndjeu një erë qepe të zier.  Mbushi lugën dhe e futi në gojë. Ndjeu neveri. Copra qepe dhe disa kokrra orizi të përziera me ujë dhe shumë kripë. Kjo ishte ajo që përmbante tasi. Mendoi ta derdhte, por nuk dinte se ku. E la në një qoshe të qelisë. Filloi përsëri të lëvizë. Kur e ndjeu veten të lodhur, u ul në sofat dhe u mbështet pas murit. 
            - Përse nuk po më thërrasin?
            Ky mendim i vinte vërdallë në kokë. Ca nga lodhja, ca nga dobësia e zuri gjumi. Porta u hap dhe përjashta pa Iridën që thërriste duke qarë:
            - Babi, ndihmomë! Mos më lerë babi!

            Një roje e tërhiqte zvarrë.  Papritur roja u shndërrua në një përbindësh të tmerrshëm që, duke qeshur me një zë sarkastik, thoshte:

            - Sot kemi një drekë të shkëlqyer!
            - Mos kriminel! Lëshoje! - thërriste Agroni, por nuk mundte të lëvizte. Ishte lidhur me  pranga të rënda. Hapi sytë mjaft i tronditur. Nuk pa asgjë veç errësirës së qelisë. Ç’u bë Irida? Mos e rrëmbeu përbindëshi? U kujtua se kishte parë ëndërr. Ndjeu frikë. Filloi të dridhej. Ndoshta nga ëndrra ose ndoshta nga ftohtësia e qelisë. Sapo ishte zgjuar ashtu i ulur në atë sofat betoni dhe mbështetur pas murit. Ndjeu  se zorrët po hidhnin valle.  E kishte marrë uria. Mori përsëri tasin dhe rrufisi një lugë tjetër. Ndjeu t’i përziej. I vinte për të vjellë. La tasin, mori copën e bukës dhe filloi ta kafshojë me ngadalë. Kur e mbaroi, ndjeu sikur u lehtësua. 
            Dikur i erdhi për të urinuar. Nuk e dinte se kur do ta lejonin për të shkuar në nevojtore. Madje nuk dinte nëse ishte ditë apo natë. Atje ishte një errësirë e përhershme. Në errësirë njeriu humbet nocionin e kohës. Nuk përcakton dot sa kohë ka kaluar. Agronit i dukej sikur kishte kaluar një shekull. Urina po e shtrëngonte së tepërmi. Nuk e mbante dot më. Trokiti me forcë në portë. Asnjë përgjigje. Trokiti për së dyti. Porta u hap dhe u duk roja.
            - Çfarë do ore ? - tha me një zë të ashpër.
            - Dua të urinojë. Shpjermëni në nevojtore!
            - Bëje aty ku je. Ka orar për atë punë.
            Porta u mbyll përsëri..
            Agroni trokiti më me forcë. Porta u hap dhe roja foli me një ton kërcënues:
            - Mos do të lidh me hekura për muri?
            Agroni pa muret me kujdes. Në atë përballë portës pa katër ganxha të ngulura në të.
            - Me siguri ato shërbejnë për të kryqëzuar njeriun, - tha me vete.
            I vështroi më me kujdes.  Dy ishin sipër dhe dy të tjerat poshtë. Me siguri në të sipërmet lidheshin duart, ndërsa në të poshtmet këmbët. Në disa filma me subjekt nga epoka e mesjetës kishte parë dhoma të tilla torture. I lidhnin kundërshtarët dhe i qëllonin me kamzhik. Mos do t’ia bënin edhe atij ashtu?
            Ndërkaq urina e kishte shtrënguar së tepërmi. Disa pika i ranë në pantallona. U detyrua të shkonte në qoshen e qelisë dhe të pshurte. E ndjeu veten më të lehtësuar. Shkoi dhe u ul përsëri në sofatin e zakonshëm. Papritur një dritë verbuese vezulloi në qeli. Agroni zuri sytë me duar. Nuk mund të shikonte gjithë atë dritë.  Hapi ngadalë një gisht, por drita verbuese e detyroi ta mbyllte  Nuk guxonte më të hapte gishtrinjtë për të parë. Provoi përsëri, por  përsëri gati u verbua. Qëndroi ashtu me duart para syve. pasi kaloi një kohë e gjatë, provoi përsëri. Drita sikur ishte ndezur, për të mos u shuar kurrë. Ndjeu një farë nxehtësie që vinte nga lart.
            - Me siguri duhet të jet  ndonjë prozhektor  i  fuqishëm mbi  kokën  time, -  mendoi.
Sa ndenji në atë mënyrë as ai nuk e kuptoi. Kur më në fund hapi gishtrinjtë, pa se drita ishte shuar. Ju duk se ndjeu një farë shlodhjeje.
            - Më mirë në errësirë se në dritë. - tha me vete.
I çuditshëm  ky gjykimi tij.  Ai, njeriu që gjithë jetës kishte punuar për t’i dhënë  dritë të tjerëve, tani kërkonte errësirën. Ajo ishte shpëtimi, ishte qetësia e tij. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend që ai, njeriu i dritës, do të bëhej mik i errësirës. Ngriti sytë në tavan. Atje dalloi një prozhektor që nuk e kishte vënë re më parë.
            Porta u hap  dhe roja solli tasin me gjellë  dhe bukën.  Si  mori atë  që kishte sjellë më parë, u largua. Agroni e mori tasin dhe filloi të vështroj se çfarë kishte brenda. Mbushi lugën dhe e provoi. Ju duk si shije fasulesh. Nuk ishte aq e pështirë sa e para, madje iu duk disi e shijshme. Filloi të  hante  me ngadalë  deri  sa e  mbaroi  të gjithën.  Pas   një  çasti   filloi  të qajë.  Ngashërimi e mposhti. Qysh ishte katandisur të hante atë gjellë që as qentë nuk do ta pëlqenin? Kripa e saj i dha një etje të madhe. Trokiti në portë, por në atë çast u ndez përsëri  prozhektori. Mbylli sytë me duar dhe u  ul në  sofat.  Nuk dinte  çfarë  të bënte.  Në  njërën anë drita verbuese dhe në anën  tjetër  etja e  tmerrshme.  Dy torturat  më mesjetare që po provonte ende  pa filluar hetuesia. Kështu vazhdoi dhe as ai nuk e dinte se sa. Prozhektori ndizu dhe shuaju, gjella me shumë kripë dhe etja e padurueshme, nevoja për të urinuar dhe urinimi në qeli, fjetja pothuajse më këmbë dhe të ftohtit pas saj. Këto ishin torturat fillestare që provoi Agroni ato ditë.

                                                                         III

            Stefani u nis në punë si zakonisht. Po bëhëj gati për t’u nisur me shërbim në një sektor ku ngrihej një linjë e tensionit të lartë, kur mbriti Ylli, një shoku i tij.
            - Kanë arrestuar Agronin, - i tha me një zë të ulët dhe të dridhur.
            - Çfarë? 
            - Ju thashë, kanë arrestuar Agronin. E arrestuan mbrëmë.
            - Përse e akuzojnë?
            - Armik i popullit
            Lajmi e goditi Stefanin si rrufe në  të kthjellët edhe pse  e  priste. Po realizohej  skenari që kishte kohë që përgatitej.   Në këtë  skenar  ai kishte   rolin  e  tij   dhe shpejt apo vonë do të dilte në skenë. Duhej biseduar sa më parë me Gjergjin. Edhe ai ishte pjesëtar i këtij skenari. U kthye në zyrë dhe mori në telefon kantjerin ku punonte ai. I thanë se nuk ishte atje. Si të bënte? As vetë nuk e dinte.  Si e peshoi mirë e mirë, vendosi të shkonte në punë. Nuk duhej të jepte shenja se ishte tronditur nga një lajm i tillë. Pastaj në pasdite do gjente mënyrën dhe do ta bisedonte me Gjergjin.
            Dita iu duk shumë e gjatë. Nuk kishte të mbaruar.  Mendime   të ndryshme  i  silleshin rrotull. Si do të qëndronte Agroni në hetuesi? A do të rezistonte dot, apo do të zbërthehej?  Në fund të fundit, çfarë mund të thoshte? Ata asnjëherë nuk kishin biseduar ndonjë gjë  që  mund t’i kompromentonte. Nuk kishte pse të kishte frikë. Kur nuk kishte bërë gjë, përse të trembej? Mirpo edhe Agroni nuk kishte bërë gjë, megjithatë ishte arrestuar. Mbi ç’bazë ishte bërë një gjë e tillë? A mund të arrestohej njeriu pa bërë gjë? Kjo ishte absurde. Megjithatë ishte e vërtetë. Tashmë ajo kishte ndodhur. Pse të mos i ndodhte edhe atij? Jetonin në kohën e absurdit. Këto mendime vinin vërdallë në mendjen e tij të çoroditur.
            Me këto mendime në kokë mbaroi dita e punës. U kthye në dhomë. Gjergji nuk kishte ardhur akoma. Nuk qëndronte dot në një vend. Doli përjashta dhe shkoi  te një kafe ku zakonisht 
rrinin të dy së bashku. Gjergji nuk ishte as atje.
            “ Mos e kanë arrestuar edhe atë? “ mendoi për një çast.
            Vështronte rreth e rrotull dhe i dukej sikur të gjithë e shikonin. Në fytyrën  e  çdonjërit që kalonte, ai shikonte një punonjës të sigurimit të shtetit, të gatshëm për të ndërhyrë  dhe për ta arrestuar. Së fundi pa Gjergjin me një grumbull shokësh.
            - Gjergji, ku ishe? Kam kohë që po të kërkoj.
            - Ç’është ajo pyetje? Ja  ku  jam i  tëri  dhe  i bëri.
            - Eja shkojmë në dhomë se kam për të treguar diçka.
            Gjergji u nda me shokët dhe të dy u nisën. 
            - Kanë arrestuar Agronin.
            - Përse?
            - E zakonshmja, armik i popullit
            - E pse je kaq i alarmuar?
            - Si të mos jem, a nuk ishte shoku ynë më i ngushtë?
            - Po pastaj? Ne nuk kemi biseduar ndonjë gjë që mund të na implikojë. Nuk e  di se përse e kanë akuzuar, por me siguri nuk ka lidhje me ne.
            Naiviteti i Gjergjit ishte fare i dukshëm. Stefani e kuptonte këtë, por nuk donte t’ia vinte në dukje se nuk ishte çasti. Ndërkohë kishin mbrritur në dhomën e tyre.
            - Dëgjo Gjergji! - i tha. - Puna nuk është kaq e thjeshtë. Sot ka shumë raste kur të pafajshëm e paguajnë për të tjerët. Edhe ne duhet të përgatitemi për këtë. Ti i di akuzat që na janë bërë. Për këto na ka folur vetë Agroni. Harrove sa herë e kanë thirrur para se ta arrestonin? Tani varet nga ai se si do të reagojë.
            Këto fjalë e vunë në mendime Gjergjin. Naiviteti i tij kishte filluar të lëkundej. Krimbi i dyshimit kishte filluar të brente ndërgjegjen e tij. Filloi të ndjente frikën e arrestimit të shpejtë.  Mos duhej të paguante për gjyshin e arratisur para tridhjetë vjetësh dhe që tani nuk jetonte më?
            - Çfarë të bëjmë.  Si mendon? A t’i shkruajmë Nardit?
            Nardi    ishte   kushëriri     tyre   që   i   kishte ndihmuar të vazhdonin arsimin e lartë. 
            - Jo, nuk mund ta rëndojmë më tepër. Pastaj ai Nuk është  më  në atë  pozitë  që ishte  dhe  për këtë shkaktarët jemi ne. Përkrahja për ne i kushtoi  humbjen e  vendit  që kishte. 
            - Duhet të mendojmë ndonjë zgjidhje tjetër.
            - Çfarë zgjidhje?
            - Të tentojmë të arratisemi? Ne kemi një sektor  të   tensionit  të   lartë  te Tri Urat. Shkojmë atje gjoja për të kontrolluar linjat dhe shikojmë mundësinë e arratisjes. Prej andej kufiri është fare afër. 
            - As mos e shko ndër mend. Kam dy prindër që po i afrohen moshës  së  pleqërisë dhe që presin vetëm nga krahët e mi. Nëna nuk ka punuar  kurrë, ndërsa  babaj  merr një  pension minimal që kursesi nuk i mjafton për të jetuar. Ti e di, unë jam fëmija i vetëm  i  tyre. A mund t’i braktis në atë gjendje që janë?
            Stefani i dha të drejtë. Një gjë e tillë ishte e pamundur  të realizohej. Duhej gjetur një zgjidhje tjetër. 
            - Duhet të shkojmë te Lumtua. 
            - Mos na rëndon më tepër një veprim i tillë?
            - Është  në nderin  tonë  ta  bëjmë   këtë   veprim. Ne kemi  qënë shokët  e   tij më  të  mirë. Harrove, ne ishim të ftuarit e  vetëm në  ditëlindjen  e vajzës.  Ajo  ka nevojë  për mbështetjen tonë. Duhet t’ia japim atë. Të dalë ku të dalë. Sido që  të  veprojmë tani,  ne nuk e ndalojmë dot atë që do të ndodhë.
            - Ke të drejtë, shkojmë.
            Ishte errësuar. Ora po shkonte nëntë e mbrëmjes.    U    nisën  dhe   arritën   në  shtëpinë   e Agronit në kohën që prej andej po dilnin një  çift  i  ri që nuk e njihnin. Lumtua sa i pa filloi të lotojë.  Nënë Gjyla qëndronte si një kërcure  në një  qoshe,  ndërsa Irida i derdhte lotët si rrjedha e një lumi.
            - Çfarë bëni kështu? Në fund të fundit burgu për burrat është.
            - Për burrat është, mor bir, - foli nënë Gjyla, - po përse fati  të  na dënojë  vetëm ne? Nuk mjaftoi që na mori  shtyllën e shtëpisë, por do vazhdojë të na marrë edhe të tjerë. Deri kur kështu?
            - Jo, nëno! Kjo botë kështu është ndërtuar. I fortë është ai që di t’i bëjë ballë.
            Fjalët e Stefanit sikur i qetësuan zemrat e tyre. Lotët pushuan dhe ata filluan të diskutojnë.
            - Kam bredhur shumë këto dy ditë, - tha nënë Gjyla - Kërkova të takoja disa  që  i quaja miq të familjes. Nuk doja të kërkoja mëshirë prej tyre. Doja vetëm të dija shkakun e arrestimit. Por ata nuk denjuan të më prisnin. Ma përplasën portën në fytyrë, sikur të isha një fundërinë dhe jo gruaja e një njeriu të nderuar që dha jetën për këtë vend. Po, po burri im dha jetën për këtë vend.  Kjo nuk më pëlqeu
            Irida rrinte dhe dëgjonte bisedën që zhvillohej. Gjurmët e lotëve dalloheshin në fytyrën e saj të bukur. Nuk po qante më, por Stefani vuri re një dhimbje të thellë në shpirtin e saj.
            - Irida, eja te xhaxhi!
            Ajo u afrua, e përqafoj fort njësoj sikur do kishte përqafuar të atin dhe filloi të qajë përsëri.
            - Mjaft qave se të prishet bukuria. Ty të ka xhaxhi të fortë. Tani je e rritur. Shiko sa mirë mbahen nëna dhe mami. Bëhu burrëreshë.
            - Ke të  drejtë xhaxhi, -  tha  vogëlushja duke fshirë lotët. - Unë do të jem shembull edhe për nënën dhe  mamin.
            Pastaj, duke u drejtuar nga ato, u tha: 
            - Nënë, mami mos qani! Të treja do të dimë t’i bëjmë ballë kësaj gjendje.
            Puthi gjyshen dhe pastaj përqafoi të ëmën.
            - Trimëresha e mamit - tha Lumtua
            - Të lumtë bijë! Ke trashëguar karakterin e tyt eti - vazhdoi nënë Gjylua.
            - A ke vajtur në shkollë? - e pyeti Gjergji.
            - Sot jo, por nesër do të shkoj. Do të mësoj edhe më shumë për t’u thyer  hundët  atyre që u është rritur pak si tepër.
            - Të lumtë, të lumtë! - e përkëdheli Stefani
            Kështu vazhduan deri afër mesnatës. Kur u ngritën për të ikur, Lumtua i përcolli deri te porta.
            - Kush ishte ai çifti që pamë të dilte kur erdhëm ne? - pyeti Stefani.
            - Janë dy arsimtarë të shkollës tonë. Erdhën gjoja për të më dhënë kurajo, por unë nuk kam besim tek ata. U besoj aq sa gjarpërit në gji.
            - Lumto, ruaju nga provokatorët. Mos u çudit kur të dëgjosh se ai fat na pret edhe ne. Po e presim.
            - Nuk e besoj.
            - Ndonjë ditë të kremte kemi prapa vetes.
            U ndanë në heshtje. Secili mendonte për të ardhmen që e priste.
       
                                                                        IV

            Vringëllima e çelsave dhe zhurma e llozit që hapej u dëgjua në qelinë ku ishte mbyllur Agroni. Porta u hap dhe para tij u çfaq një roje që nuk e kishte parë ndonjë herë.
            - Më quajnë Isuf. Tani e tutje do kesh të bëshë me mua. Eja! - i tha.
            I vendosi prangat në duar dhe duke e kapur për krahu e shoqëroi në një zyrë që ndodhej në katin e dytë.  Ishte zyra e hetues Demirit. Mbi tryezë ishte një kalendar. Agroni vuri re se ai shënonte datën 10 nëntor. Sipas llogarisë së bërë kishte pesëmbëdhjetë ditë që ishte arrestuar. Kjo kishte ndodhur në  ditëlindjen e Iridës që e festuan më 26 tetor. Pra, kishte pesëmbëdhjetë ditë i mbyllur në atë qeli të errët ku nuk dalloje dot nëse ishte ditë apo natë dhe ku humbisje nocionin e kohës. Në murin përballë ishte një orë që shënonte një pa një çerek. Vuri veshin nga dritarja dhe pa se ishte errësirë. Kishte kaluar mesnata.
            Ndërkohë hyri hetues Demiri dhe u ul në karriken prapa tavolinës.
            - Zgjidhe! - i tha Isufit.
            Ai i hoqi prangat dhe, pasi mori një shenjë nga hetuesi, u largua.
            - Ulu! - iu drejtua Agronit
            Ai u ul dhe po priste  ç’do të ndodhte.
            - A e di pse je arrestuar?
            - Jo.
            - Akuzohesh se je bashkuar me një grup që kërkonte të organizonte sabotime në ndërmarrje, për terrorizëm dhe për agjitacion e propagandë. 
            - Kjo është fantazia juaj.
            - Të këshilloj të jesh më i sinqertë në përgjigjet. Mos e rëndo më tepër akuzën…
            - Kurse unë ju deklaroj se të gjitha ato që thatë nuk janë veçse pjellë e fantazisë suaj. 
            - Mos kujto se do na hedhësh hi syve me ato që deklaron? I pranon apo jo, ne nuk na intereson shumë.  Kemi  prova  të shumta  dhe  dëshmitarë, të gatshëm të deponojnë përsa thashë më lart.
            - Atëhere pse nuk i  paraqitni ato prova kaq të sigurta?
            - Sonte vajti vonë. Të kam thirrur vetëm të të deklaroj se akuzohe se së bashku me dy shokët e tu, Stefan  Gjokën, Gjergji Panon dhe disa shokë të tjerë, keni organizuar hedhjen në erë të turbinës së re të hidroçentralit dhe pas kësaj, së bashku me familjet tuaja, do arratiseshit në Jugosllavi.  Akuzoheni se një veprim të tillë do e bënit sipas udhëzimeve që keni marrë nga KGB-ja sovjetike, në shërbim të së cilës je vënë qysh kur ishe student në Bullgari.
            - Përralla me mbret.
            - Po të le tri ditë kohë të mendohesh. Të  këshilloj  të pranosh  akuzën,  ashtu siç  e kanë pranuar dhe të tjerët.
            - Ndaj më mbyllët në atë qeli mesjetare, që të më detyronit të pranoja akuzat fallso?
            - Për të hedhur poshtë hamëndjen tënde, po të them se tani do qëndrosh në një qeli tjetër.
            - Dua të takoj kryetarin. Më shpini tek ai.
            - Ai    është   me    shërbim.   Nuk   ka    kohë   të  takohet me ty. Vure  mirë  ndër mend,  që  nga çasti i arrestimit je i pandehur dhe mos bilbilos aq shumë.
            I ra një zileje që ndodhej mbi tryezë dhe në zyrë hyri Isufi.
            - Shpjere në qelinë numur shtatë.
            Isufi i hodhi prangat dhe e mori për krahu, për ta shoqëruar ku e urdhëroi hetuesi. Qelia ku e futën ishte më e madhe. Në portë kishte një dritare të vogël me hekura. Në njërën anë ishte një shtrat ku ishte vendosur një dyshek mbushur me kashtë, një jastëk  po me kashtë dhe një 
batanie.  Në një  cep  ishte  një qyp mbuluar me një copë dërrasë.
            - Po të kesh nevojë, bëje në qyp, - i tha roja, - në nevojtore shkohet një herë në ditë, në mëngjes.
            Qelia ndriçohej nga një llampatinë që shndriste në tavan.Agroni u shtri në shtrat dhe u mbulua me batanie. Edhe pas pesëmbëdhjetë ditësh që ishte arrestuar shpirti ende i ziente si vullkani pas shpërthimit. Mali i akuzave që i kishte hedhur Demiri e shtypnin si një gur i madh që s’mund ta ngrinte dot dhe i zihej fryma. Ndjente se ndodhej para një kërcënimi të madh, pasojat e të cilit mund të ishin të tmerrshme. Dobësia që e kishte kaplluar bëri që t’i mbylleshin syt. Por edhe gjumi ishte i trazuar. Në ëndërr i çfaqeshin pamje rrënqethëse.
            Porta u hap dhe Isufi hyri përsëri në qeli.
            - Ngreu të kryesh nevojat personale.
            Ishte ende i përgjumur. Pesëmbëdhjetë ditë pothuajse pa gjumë dhe tani që ndodhej në shtrat, i kërkonin të ngrihej. Edhe gjumi, megjithse shumë i trazuar, paskësh qënë i ndaluar aty në qeli.
            - Falemnderit, nuk kam nevojë.
            - Më vjen keq, por po të them se më prapa nuk mund të dalësh. Prandaj të këshilloj të mos humbësh rastin.
            - Më lini të qetë në hallin tim ju lutem. Ju thashë që nuk kam nevojë.
            - Bëj si të duash, unë të dola borxhit.
            Porta u mbyll. Agroni ra përsëri në një gjumë të thellë. Por pasi kishte kaluar një farë  kohe, porta u hap përsëri dhe u çfaq Isufi me tasin e gjellës.
            - Ngreu të hash bukë.
            Por ai donte të flinte, vetëm të flinte dhe të mos  e zgjonte  askush.  Nuk donte  as  bukë dhe  as gjellë.`
            - Përse m’u qepët si monomaridhja? Ju lutem më lini të fle i qetë. Dua vetëm gjumë.
            Isufi e kuptoi gjendjen e tij. La tasin e gjellës në qeli dhe u largua. Pas disa orësh, kur ishte ngopur me gjumë, Agroni u zgjua. Zorrët po  i bënin grevë. Pas gjithë asaj çlodhjeje nga pagjumësia, e kishte marrë uria. Sytë i vajtën te tasi i gjellës. E mori dhe në pak minuta e mbaroi të gjithë. Mendja i fluturoi larg, atje ku i dhimbte zemra, te familja e tij, te nënë Gjyla, te Lumtua dhe natyrisht te Irida. Çfarë bënin tashti? Nuk jepte dot përgjigje. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Ajo ishte një enigmë që nuk e zgjidhte dot.
            Iu kujtua biseda që kishte bërë me hetues Demirin. Ai i kishte folur për Stefanin dhe Gjergjin, për agjentura sovjetike dhe nuk e di se çfarë tjetër. Agroni kishte dëgjuar se sigurimi i shtetit përdorte lloje të ndryshme torturash për ta detyruar të burgosurin të pranonte ato që kërkonte hetuesi. Deri tani, përveç izolimit në atë qeli të errët, që ndriçohej herë pas herë nga një prozhektor i fortë dhe etjes së madhe pas ngrënies së një ushqimi me shumë kripë, nuk kishte provuar tjetër lloj torture. Kishte dëgjuar për rrymë elektrike, për vendosje vezësh të porsa ziera nën sqetull, për shpuarje me gjilpërë në thonjtë e gishtrinjve, për kryqëzim si Jezu Krishti në ganxhat e vendosura në mur, që i kishte parë në qelinë e tij dhe lloje të tjera torturash. Deri tani këto ende nuk ishin provuar mbi të. Dyshonte se në të ardhmen do të përdoreshin. Megjithatë, e kishte vendosur se nuk do të pranonte ato akuza të rrejshme edhe sikur t’ia prisnin mishin me gërshërë.
            Me këto mendime e zuri  gjumi përsëri.  Ishte dobësuar jashtë mase dhe trupit të tij të drobitur nuk i mbetej gjë tjetër veçse të pushonte në  gjumë, ku gjente  pak  qetësi, si ajo  që  po 
shijonte në ato çaste.

                                                                         V

            Kryetari i degës, Petriti, qëndronte në zyrën e vet dhe jepte urdhëra. Hetuesit hynin dhe dilnin njëri pas tjetrit. Merrnin udhëzimet e rastit dhe largoheshin. Ishte zyra ku gatuheshin të gjithë skenarët që do të zhvilloheshin. Me pak fjalë, ajo zyrë ishte truri i të gjithë asaj godine që, sipas Kushtetutës së vendit, ishte mbrojtësja e interesave të pushtetit të popullit. Çdo gjë, që më vonë zbatohej nga hetuesit, përgatitej më parë në atë zyrë. Asnjë prej tyre nuk guxonte të vepronte me iniciativë. Përndryshe mund ta paguante me kokën e vetë. Hetuesit ishin manekinët, ndërsa kryetari regjizori i tyre. Ky ishte ligji i kohës dhe askush nuk mund ta kundërshtonte.
            Atë ditë po lexonte një udhëzim sekret të Ministrit të Brendshëm, sipas të cilit udhëzoheshin të gjitha degët e rretheve të shtonin vigjilencën kundër çfaqjeve të huaja. Në udhëzim thuhej se duke përfituar nga tradhëtia e disa udhëheqësve, që ishin vënë në shërbim të spiunazheve imperialisto -- revizioniste (dhe përmendeshin emrat e tyre), kishin filluar të çfaqeshin dukuri negative në kulturë dhe në fusha të tjera, si në ekonomi, ushtri e të tjera. Sipas udhëzimit, një frymë liberalizmi i palejueshëm kishte filluar të përhapej në vendin tonë. Në fund theksohej se nuk duhej patur mëshirë kundër kujtdo që i kundërvihej vijës së Partisë dhe mësimeve të shokut Enver.
            Trokiti dera.
            - Hyni1
            Në zyrë hyri hetues Demiri. 
            -- Më falni që ju shqetësoj, - tha ai, -  e di që keni shumë punë dhe shqetësimi im mund t’ju pengojë në punën tuaj…
            - Flisni çfarë keni dhe mos e zgjasni shumë me hyrje.
            - Po ja shoku kryetar, ai Agron Canaj nuk pranon asnjë akuzë. 
            - E pastaj?
            - Nuk e di si të veprojë. Mendoj të arrestojmë dy shokët e tij.
            - Pa deponimin e tij? Në asnjë mënyrë. Ju duhet të gjeni mënyrën për  t’ia  nxjerrë atë deponim. Mjetet i keni të gjitha, kush ua ka ndaluar dorën?
            - Kam menduar një metodë tjetër, por më duhet miratimi juaj.
            - Çfarë metode?
            - Thirrja e  familjarëve të  tij,  e gruas  për  shembull dhe  presioni  në  sy të  tij, për  ta detyruar të flasë.
            - Se çfarë  metode  do përdorësh   mua   pak   më intereson. Mua më duhet vetëm  rezultati. Tani shko dhe mos më eja më për të tilla probleme.
            Demiri u largua pa hapur  më gojë.  Kryetari  ia kishte  prerë  si ai  druvari  që i  pret drutë me një sëpatë. Megjithatë, edhe një farë lirie i kishte  dhënë.  Në fund  të  fundit i  kishte thënë se mund të bënte ç’të donte me të. Tashti mbeteshin në duar të tij se çfarë metode  do  të përdorte. Fatin e Agronit   tashmë  e kishte  plotësisht  në duar.  Në  mendje filluan  t’i  vijnë gjithfarë mënyrash torturimi. Një pjesë prej tyre i kishte parë në një film që u kishin çfaqur në kursin e hetuesisë në Tiranë. Aty bëhej fjalë për metodat naziste të torturimit. Ato metoda do përdorte edhe ai. Po të mos kishte rezultat, si do të bënte? Mendjes së tij djallëzore i shkrepi një ide. Buzëqeshi dhe mendoi se ky ishte varianti më i mundshëm që mund t’i jepte atë që dëshëronte. Përveç të tjerave ishte një variant që do t’i jepte edhe një kënaqësi. E ndjeu veten më të lehtësuar në djallëzinë e tij.
            Karakteret e njerëzve janë të ndryshme. Ata më stoikët e ruajnë karakterin e tyre gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Sido që të zhvillohen ngjarjet, në çfardo lloj kushtesh që të ndodhen, ata do t’i gjesh gjithmonë  të palëkundur në bindjet e tyre. Stoicizmi i tyre bënë që të durojnë çdo lloj presioni ose torture fizike dhe psikologjike që mund të ushtrohet ndaj tyre. Të tjerë janë ose elastik, ose të thyeshëm. Ata dinë të përshtaten në çdo lloj mjedisi dhe nuk e kanë për turp që pështymën e sotme, ta lëpijnë nesër.  Janë të gatshëm që pasi të të kenë lëvduar deri në qiell, kur të biesh nga kali, të të hidhen sipër me mijra mallkime dhe epitete nga më të ultat. Me pak fjalë janë një lloj kameleoni që ndërron ngjyrën e lëkurës sipas rrethanave ku ndodhet.
            Këta janë dy karakteret kryesore që hasim çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve tona. Por ka edhe një tip tjetër, një tip i veçantë nga dy të parët. Ata nuk janë as stoik si të parët dhe as elastik si të dytët. Te ata është kultivuar ndjenja e urrejtjes që ua ka verbuar sytë dhe shkatërruar ndërgjegjen.  Urrejtja është e vetmja ndjenjë që zotëron zemrat e tyre. Dhe kjo ndjenjë i bën që të jenë egoistë,  sadistë, barbarë, të gatshëm të përdorin çdo lloj mjeti për të realizuar  dëshirat e tyre, që në të shumtën e rasteve janë jashtë çdo norme të shoqërisë njerëzore. Janë tipa të etur për të thithur gjak bashkëqytetari. Gjaku është ushqimi i shpirtrave të tyre të zinj.  Në këtë kategori njerëzish bënte pjesë, për fatin e keq të Agronit, edhe hetuesi i tij, Demiri.
            Me këtë ndjenjë doli nga zyra e kryetarit dhe filloi të stërhollonte në mendjen e tij metodat e Satanait që do të përdorte. I mendonte dhe, pa vetëdijen e tij, mbi buzët ravijëzohej një buzëqeshje ironike dhe triumfale. Hamendësonte çastin kur do të thyente krenarinë e të burgosurit dhe ndiente një kënaqësi gati fizike për këtë. Iu duk një ide e mrekullueshme, ajo shpikje cinike e një njeriu që nuk njihte asnjë normë morali.
            - Ç’ke që qesh me veten tënde, more derdimen? - dëgjoi zërin e operativ Ilias,, të ngjashëm në karakter dhe moral me të si dy pika uji. 
            - Sa mirë që të takova! Eja këtu se dua të të them diçka. Kemi në duart tona një gjah të majmë.
            U takuan të dy dhe filluan të  bisedojnë.  Sytë u  shndërrisnin  si hienave  në  errësirë. Fërkonin duart sikur të kishin shpikur gjënë më të çmuar të botës. 
            - Eja shkojmë ta festojmë. – tha Demiri.
            U nisën dhe u futën në një kafene.
            - Dy dopio raki dhe dy bërxolla, por shpejt se nuk kemi kohë.
            Kamarieri solli porosinë dhe  u largua.  Shkoi te banaku dhe i tha banakierit:
            - Erdhën prapë këta dy kalecët*.
            - Bobo, ç’i dëgjon daullet  e tyre!  
            Megjithatë  ishin të  detyruar  t’i dëgjonin. Të gjithë i njihnin dhe e dinin se ku punonin. Një gjë e  tillë i   bënte  të paprekshëm.  Askush  nuk guxonte  t’u  dilte përpara.  Dy persona që po pinin në një tryezë aty pranë, u ngritën dhe u larguan sapo ata kishin filluar të pijnë.
            - Përse u larguat kaq shpejt? - u tha kamarieri.
            Ata nuk folën, por i bënë një shenjë me kokë nga ana e dy hetuesve. Ndërkaq bandillët vazhdonin të rrëkëllenin gotat e rakisë njëra pas tjetrës.
            - Ta pimë një mirësi për gjahun tonë të ardhshëm!
            Gotat u zbrazën në gurmazet e dy të pangopurve. Së fundi vendosën të largohen. Paguan paratë dhe u nisën duke u lëkundur sa djathtas, sa majtas dhe duke mbajtur njëri- tjetrin.
            - E dëgjove çfarë llapën? - i tha kamarieri banakierit kur ata u larguan. - Të pimë një mirësi për gjahun e ardhshëm! Kush do të jetë ai fatkeq që do të bjerë në duart e tyre?
            - Dëgjo, mos e hap më gojën se do të marrësh Veten më qafë. Leri të thonë  e  të bëjnë  ç’të   duan.Ne s’jemi në gjendje t’i ndalim. Të shikojmë punën tonë dhe të heshtim. Kjo është 

*    Kështu quheshin në zhargonin popullor punonjësit e sigurimit të shtëtit.  
detyra  jonë.
            - Dëgjo, mos e hap më gojën se do të marrësh Veten më qafë. Leri të thonë  e  të bëjnë  ç’të   duan.Ne s’jemi në gjendje t’i ndalim. Të shikojmë punën tonë dhe të heshtim. Kjo është detyra  jonë.
            Në kafene hynë një grup të rinjsh dhe ata heshtën.

                                                                        VI

            - Besoj se u çlodhe? - i tha Demiri, kur e thirri Agronin pas tri ditësh në zyrë - Unë jam gati. Fillo dhe fol.
            - Të flas? E çfarë të them?
            - Më duket se ta lexova akuzën herën e parë. Tani dua konfirmimin tënd për ty dhe bashkëpunëtorët e tu.
            - Më falni shoku hetues, por më duket se keni gabuar adresë. Ajo akuzë nuk është për mua.
            - Zoti hetues thuaj, - e korigjoi Demiri.
            - Ah, më falni! Por me sa di unë shprehja zotni është  borgjeze  dhe ne  jemi  të gjithë kundër borgjezisë.
            - Po të paralajmëroj. Përgjigju pyetjeve të mia dhe mos më lodh kokën me fjalë në erë.
            - Atëherë ja ku po jua them, nuk kam asgjë për t’ju thënë.
            - Ashtu? Po sikur unë ta dokumentoj.
            - Atë do të doja edhe unë.
            - Mirë atëhere.
            Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori dy shkresa të shkruara me shkrim dore.
            - Besoj se e njeh shkrimin e këtyre dy shkresave.
            Ia vendosi para syve. Sipër tyre Agroni lexoi shkruar me shkronja të mëdha:
      
                                                             DEKLARATË
            
            Në njërën njohu shkrimin e Resulit. E njihte mirë atë shkrim se  e  kishte parë  në borderotë e çrregullta që dorëzonte ai dhe që Agroni i gjente plot me gabime. Në tjetrën ishte shkrimi i Ibrahimit. Edhe shkrimin e tij e njihte pasi e kishte parë në relacionet që dërgonte në drejtori për probleme teknike.
            - Nuk e njoh, - u përgjigj, duke mos dashur t’i japë të kuptojë se e dinte kush ishin  ata. 
Këtë e kishte mësuar që nga biseda e shkurtër me  Rustemin,  ditën që  binte  shi  në muajin gusht.
            - Atëherë dëgjo:

            “ Unë   i  nënshkruari   Resul  Idriz Sulejmani,  datëlindja  1935, me  detyrë normist në  ndërmarrjen elektrike të qytetit, me ndërgjegje të plotë deklaroj përsa më poshtë vijon:
            Duke qenë një bir i denjë i popullit tim dhe i shtyrë nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, duke parë se disa individë, të maskuar nën petkun e revolucionarit, po përpiqen të sabotojnë punën vetmohuese që po zhvillohet në vendin tonë për ndërtimin e shoqërisë socialiste, akuzoj shokun Agron Canaj se së bashku me dy shokët e tij, Stefan Gjokën dhe Gjergji Panon, po përgatiten të hedhin në erë turbinën e re që do të vendoset së afërmi në hidrocentral. Një veprim të tillë e bëjnë me qëllim që të sabotojnë punën e  hidrocentralit  dhe  për  të  ushtruar
terrorizëm në radhët e punonjësve të ndërmarrjes.
            Një gjë të tillë e kam dëgjuar nga biseda që këta  persona zhvillonin me njëri-tjetrin dhe ku unë isha afruar rastësisht pa rënë në sy të tyre. Për këtë kam dëshmitarë edhe shokun Ibrahim Mehmeti, i cili u ndodh me mua në ato çaste.
            Këtë deponim timin e kam bërë krejtësisht me vullnetin tim, pa as më të voglin shtrëngim. Jam i gatshëm ta deklaroj sa herë të jetë i nevojshëm nga organet kompetente. 
            Me respekt!
                                                                                                Resul   Sulejmani “

            Demiri e mbylli dhe mori shkresën tjetër. Edhe ajo kishte pothuajse të njëjtën përmbajtje si e para, veçse në të ishin shtuar edhe emrat e Ylli Nivicës, Gazmend Shpuzës dhe Përpasrim Seferit, të tre punonjës të ndërmarrjes, dy të parët ekonomistë dhe i treti financier. Në fund të deklaratës ishte nënshkrimi i Ibrahimit.
            - Po tani çfarë do të na thuash? - i tha Agronit.
            - Mos kujtoni se do të bie aq kollaj në grackën tuaj? Mos u mundoni të më ngatërroni në  të tilla dredhira të fabrikuara.
            - Po të paralajmëroj se do filloj të përdorë metoda të tjera, që do të bëjnë të bilbilosësh.
            - Dua të takoj kryetarin.
            - Kryetarin e sat ëme? Ai nuk pranon të bisedojë me armiq të popullit si ti.
            - Atëherë bëheni sa më parë atë që mendoni.
            Demiri i ra ziles. Në zyrë hyri  polic Myfiti.
            - Merre dhe ma kij kujdes. Di vetë ti si ta trajtosh. . Po ta lë amanet.
            Myfiti i vendosi prangat, e mori për krahu dhe e shpuri në një qeli të bodrumit. E lidhi në ganxhat që ishin vendosur në mur. Ai mbeti i varur për duarsh dhe për këmbësh.
            - Kështu do qëndrosh deri sa të pranosh. 
            U largua duke mbyllur derën. Agroni nuk e kishte kuptuar sa kohë  kishte  kaluar kur filloi të ndiejë dhimbjet në kyçet e duarve dhe të këmbëve, pikërisht në ato vende ku e kishin lidhur dhe ku qëndronte e gjithë pesha e trupit. Papritmas u ndez drita e prozhektorit që i verboi sytë. I mbylli me shpejtësi. Megjithatë shkëlqimi i dritës bënte që të depërtonte brenda syve të tij. Kjo gjendje zgjati pothuajse një gjysmë ore. Prozhektori u shua dhe errësira  mbuloi gjithçka. Nuk vonoi shumë dhe ai u ndez përsëri. Një gjë e tillë vazhdoi në intervale të caktuara kohe. Ishte një torturë mbi tjetrën. Së fundi ndjeu ta linin fuqitë. Koka iu var dhe iu duk sikur po fluturonte për diku. I dukej sikur ndodhej në një botë tjetër. Në një botë ku zjarret ishin sunduesit e vetëm të atij vendi. Ai ndiente djegien, por nuk gjente mundësinë të largohej. I dukej sikur zjarri po e thëthinte gjithmonë e më shumë. Një rënkim i mbytur filloi t’i dalë nga gjoksi.
Befas ndjeu një dhimbje në thonjtë e këmbëve, sikur ta kishte  shpuar dikush.   Lëshoi një britmë, hapi sytë dhe pa Myfitin që me një gjilpërë i shponte majat e gishtërinjve. 
            - Do të flasësh? – i fliste ai.
            Agroni ndjeu një neveri të thellë për të. Mblodhi ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u mundua ta qëllonte me shkelmë. Por harroi që këmbët i kishte të lidhura. Myfiti e kuptoi qëllimin e tij.
            - Do të më qëllosh? Ta tregoj unë qejfin.
            Mori   një  kamzhik  dhe  filloi ta  godasë  me  gjithë   fuqinë  e krahut.  Kamzhiku  vringëllinte mbi  trupin  e tij.  Pas çdo goditje dëgjohej një rënkim i thellë.
            - Do  të më qëllosh? - përsëriste Myfiti. 
            Kamzhiku vringëllinte më me forcë. Nga gjurmët  e  tij  filluan të  rridhnin  vija  gjaku. 
Agronit koka iu var  dhe rënkimet pushuan.
            - Vdiq? - pyeti Myfiti i shqetësuar. -  Jo, jo vazhdon të marrë frymë.
E zgjidhi  dhe  u largua.  Pas  pak u kthye  së  bashku me Demirin.  Ai e vështroi Agronin dhe pasi e preku me dorë, vuri re se merrte frymë me vështirësi.
            - Nuk duhet ta kishe kaluar kufirin, - i tha me zë të ulët Myfitit. - A e di se ç’pësojmë po ta gjejë gjë këtë? Ende nuk ia kemi marrë deponimin. Merre, dhe shpjere në qelinë numër shtatë.
            Myfiti e  ngriti me vështirësi dhe ashtu, gjysëm të alivanosur, e shpuri në qelinë ku kishte qenë më parë. Isufi kishte shërbimin atje.
            - Kije kujdes! Për çdo gjë njofto shokun Demir, -- i tha atij.
            Isufi u afrua te viktima dhe po e shikonte. I erdhi shumë rëndë. E kishin katandisur si mos më keq. Iu duk sikur edhe ai ishte përgjegjës për atë që ndodhi. Kishte zemër të mirë. Nuk duronte dot kur shihte të tilla tortura. Disa herë kishte vendosur të jepte dorëheqjen, por mendonte se do ta keqkuptonin dhe mund të përfundonte keq. E shtriu në shtrat, e mbuloi me batanie dhe i foli me një zë të butë:
-      Pusho i  qetë! Gjithçka  mbaroi. Nuk   do    të  bëjnë më  të  tilla  tortura. Fli  dhe  do  të shohësh se nesër do të gëdhihesh shumë më mirë.
            Agroni hapi sytë, e  vështroi  me   mirënjohje  dhe desh  ta  falënderonte. Por  nuk mundi. Fjalët nuk i dilnin dot. Isufi e kuptoi.
            - Rri i qetë! – i tha. -  Nuk është nevoja të flasësh. Ju thashë, nesër do  ta  ndjesh veten më mirë.
            Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Agroni u zgjua  në një  gjendje  më të  mirë.  Por ende ndiente dhimbje në kyçet e duarve dhe të këmbëve, si dhe në gjurmët që i kishte lënë kamzhiku. Megjithatë, me kalimin e kohës filloi ta merrte veten. Plagët po i mbylleshin dhe kjo falë kujdesit të Isufit që e shikonte herë pas here. Në pyetje nuk po e merrnin më.  Kjo e qetësonte më tepër. Mendonte se nuk mbetej gjë tjetër veçse t’i kërkonin të falur dhe ta lironin.
Por nuk ndodhi kështu. Pasi vunë re që e kishte  marrë  mirë veten,  mbi  të filloi kalvari i dytë i torturave të tmerrshme. I vendosnin vezë të sapo ziera nën sqetull, e digjnin me cigare të ndezur deri sa më në fund përdorën edhe metodën e fundit të torturës, atë të rrymës elektrike. Dridhja ishte e tmerrshme. Megjithatë nuk foli asnjë fjalë. Sado që u munduan ta detyronin të pranonte fajin, ai nuk u dorëzua. 
            - Si do veprojmë? - pyeti Ilia që në ato çaste u ndodh aty.
            - Do vemë në zbatim planin tjetër, atë që kemi biseduar, - u përgjigj Demiri.
            - Mos rrezikojmë?
            - E kush do ta marrë vesh? Do të gjejmë çastin kur të mos ketë njerëz. Për shembull, në ditën e festës. Ta kremtojmë edhe ne siç duhet festën e çlirimit.
            U larguan duke qeshur me zë të lartë.

                                                                        VII

            29 nëntor 1974, tridhjetëvjetori i çlirimit të atdheut. Kudo të shihte syri parulla dhe flamurë. Ngado dëgjoheshin marshe dhe këngë partizane. Nëpër sheshet zhvilloheshin mitingje madhështore. Të gjithë qytetarët i kishte mbuluar petku i festës. Ishin veshur me rrobat e tyre më të mira. Kryetar Petriti dhe disa funksionarë të tjerë kishin shkuar në kryeqytet, ku ishte zhvilluar një paradë ushtarake madhështore. Në degën  e punëve të brendshme kishte mbetur një sasi e vogël personeli. Oficer roje atë mbrëmje ishte hetues Demiri.
            Ai po qëndronte në zyrën e tij. Herë pas here vështronte orën. I dukej sikur minutat nuk 
kalonin. Sytë i shndrisnin si të hienave kur përgjojnë gjahun. Sillte ndër mend gjëra nga më të përbindshmet. Këto i jepnin kënaqësi. Herë pas here qeshte me veten e tij. Kur ora po i afrohej njëmbëdhjetës erdhi  Ilia.
            - Merr Selimin dhe nisu. Me kujdes që ai të mos kuptojë gjë. -  tha Demiri
            Selimi ishte shoferi i gazit.
            - Demir, a nuk të duket me rrezik një veprim i tillë? – iu përgjigj mëdyshas Ilia
            - Në qoftë se nuk do, mund të tërhiqesh. Ka të tjerë që mund të dëfrejnë në vendin tënd. 
            - Më thuaj, çfarë do të bëjnë ato këtu?
            - Do t’i bindim që të detyrojnë Agronin të deponojë.
            - Si do t’i detyrojmë?
            - Atë ta them kur të kthehesh.
            - Mirë or mirë, po këto misteret e tua sikur nuk më pëlqejnë.
            - Jam i sigurtë që do të pëlqejnë shumë. Do ta shohësh.
            Ilia u mendua pak dhe pastaj vendosi të shkonte. 
            - Të dalë ku të dalë -  tha dhe u largua.
            Demiri filloi të fërkojë duart me një kënaqësi të egër.
            - Budallai, nuk e kupton se fati  një herë të çfaqet në jetë dhe po nuk dite ta çfrytëzosh, aha, laji duart. Si tha romaku: Zaret u hodhën!
            I ra ziles dhe në zyrë u paraqit Myfiti që nderoi në qëndrim gatitu.
            - Merr të pandehurin Agron dhe lidhe në dhomën speciale. Pastaj shko te qelitë. Isufi të qëndroja te porta e jashtme. Kur t’ju lajmërojë unë të ktheheni.. 
            - Si urdhëron zoti hetues!
            Dhoma speciale ishte ndërtuar posaçërisht për të torturuar të burgosurit. Si në birucën, ku vendosën në fillim Agronin, edhe këtu në mur ishin katër ganxha ku lidhej viktima. Pastaj vazhdonin torturat nga më të tmerrshmet. Dhoma ishte në një ndarje të veçantë ku ishin edhe dy dhoma  të tjera. Atje vendoseshin të burgosurit që mendohej të torturoheshin. Kjo ndarje ishte izoluar nga pjesa tjetër e birucave në mënyrë që sado të bërtisnin ata që torturoheshin, të mos dëgjohej asgjë.
            Ndërkohë Ilia kishte mbritur në   apartamentin e Agronit. Trokiti në portë. U dëgjua zëri i nënë Gjylos:
            - Kush është?
            - Hape! Vijmë nga dega e punëve të brendshme.
            Porta u hap dhe Ilia hyri brenda.
            - Dua të takoj Lumturinë.
            - Përse?
            - E kërkon Agroni. Më dërgoi kryetari për këtë qëllim.
            Në këtë kohë doli edhe Lumtua me vajzën.
            - Agroni kërkon të takohet me ty dhe vajzën.
            Lumtua u mendua. I dukej e çuditshme që tani gati në mes të natës ta kërkonte Agroni për takim. Ajo kishte kërkuar disa herë të takohej me të ditën me diell dhe nuk e kishin lejuar. Edhe nënë Gjylën po ashtu. Si ishte e mundur që një gjë e tillë të realizohej tani natën?
            - Po tani është natë. Ne mund të vimë nesër në mëngjes.
            - Jo, jo duhet të vini sot. Nesër që me mëngjes atë do ta nisin për në Tiranë për në spitalin 
e burgut.
            - Çfarë ka djali i nënës? - pyeti nënë Gjyla e shqetësuar.
            - Do shkojë për një kontroll, pasi këto ditët e fundit ka patur një dhimbje në stomak
            - Po, ai ka vuajtur nga ulçera, -- vazhdoi Lumtua.
            - Pikërisht për këtë kryetari, meqënëse e  keni kërkuar kaq herë, vendosi  t’ju lejojë sonte që është edhe qetësi.
            - Një minutë sa të vishemi, - tha Lumtua dhe pasi mori Iridën shkoi në dhomë.
            - Do të vij dhe unë, - tha nënë Gjyla dhe vrapoi të vishej.
            - Më fal nëno, por kam urdhër vetëm për ato të dyja. Nuk mund të veprojë ndryshe se më heqin veshin.
            Ndërkaq Lumtua me vajzën ishin veshur.
            - Jemi gati, nisemi.
            Ilia i shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai i vështronte sikur do i përpinte me sy. Irida ndjeu frikë dhe kapi të ëmën fort për krahu. Pamja e hetuesit, që buzëqeshte në mënyrë cinike, i tmerronte.
            - Ju kemi thirrur për të na  ndihmuar që burri juaj të deponojë ato që ka  bërë. Për  këtë ju garantoj se do të ketë lehtësira për të dhe për juve. Përndryshe…
            Demiri e la fjalën në mes. Lumtua e shikonte e habitur. Ilia i kishte thënë tjetër gjë.
            - Po ky shoku na tha se do të takonim Agronin?
- Atë fjalë e tha për të mos shqetësuar t’ëmën. Megjithatë Agronin do ta takoni tani, por mos harroni fjalët që ju thashë. Ju porosis që gjatë rrugës për të shkuar tek  ai  të mos flisni asnjë fjalë. 
            Si kaluan një korridor të shkurtër, zbritën disa shkallë dhe u gjendën në rradhën e gjatë të qelive. Prej andej nëpërmjet disa shkallëve të tjera, zbritën në ndarjen ku ndodheshin dhomat e torturave. Demiri hapi një portë dhe ato panë Agronin të lidhur për këmbësh dhe duarsh në ganxhat e murit. Të dyja lëshuan nga një britmë dhe filluan të qajnë me ngashërim. Irida u vërsul dhe duke kapur këmbët e të atit filloi të flasë nëpërmjet lotëve që i rridhnin nëpër faqe:
            - Babi, ç’të kanë bërë kështu? Përse?
            Demiri ndërhyri dhe e tërhoqi. Ilia mbante Lumton.
            - Kjo varet vetëm nga ai. Atij duhet t’i vijë keq për lotët tuaja. Mjafton të pranojë ato që ka bërë. 
            - Ju jeni kriminela shpirtzinj! Unë nuk kam bërë asgjë.
            - E moj, e dëgjon? - iu drejtua Demiri Lumtos. - Ende nuk do të tregojë. Foli ti se ndoshta bindet.
            Lumtua mendoi se duke i folur ajo, ai mund të  pranonte  të  fliste.  Për hir  të  saj dhe Iridës ai do ishte i gatshëm të bënte gjithçka. Por në çast mendoi karakterin e tij. E njihte shumë mirë atë karakter. E dinte se ai nuk do ia falte kurrë nëse do t’i bënte një propozim të tillë. Vendosi të qëndronte si ai, e paepur.
            - Ai ka karakterin e tij. E di vetë nëse ka kryer gjë apo jo. Unë nuk mund ta detyroj të pranojë  një gjë që ai thotë se nuk e ka kryer.
            - Ashtu? Atëherë po na detyroni të përdorim metodën tjetër. - Dora e tij u fut ndërmjet kofshëve të Iridës, - Paske kofshë të mira!
            - Lëshomë! -  thërriti Irida duke uluritur
            - Lereni vajzën! -  thirri Lumturia dhe u nis në drejtim të saj, por u ndalua nga Ilia që fillojë t’i zbërthejë gjokset dhe t’ia shtrëngojë.
            - Lëshojini të poshtër!  -  u dëgjua zëri i mekur i  Agronit.
            Lumtua e ndjeu veten në një pozitë mjaft të vështirë. Nuk i kishte shkuar ndër mend se mund të arrinin deri këtu. Irida vështronte me sy të zgurdulluar,  duke mos  kuptuar  se çfarë  po 
ndodhte.
            - Agron! - thirri Lumtua e mbytur nga lotët.
            - Babi, babi, babi,  ndihmona! - përsëriste Irida.
            - Hë, si thua, të vazhdojmë më?
            Agroni përpëlitej në ganxhat ku e kishin lidhur. Mundohej të zgjidhej dhe t’u hidhej sipër atyre dy çakejve, por ishte e kotë. Si e pa që nuk kishte tjetër rrugëdalje,  pasi ata  mund të bënin çdo gjë, tha:
            - Ndaloni! Bjere të nënshkruaj atë që doni. 
            Krenaria e njeriut fisnik më në fund ishte thyer. U tmerrua nga ajo që do të shihte Ai që deri në ato çaste ishte dikushi, papritur dhe pakujtuar, ishte shndërruar në askushi. Ai po fillonte të binte në humnerë. Nuk mund të quhej më njeri. Ishte shndërruar në një person pa parime, pa moral. Ishte depersonalizuar i tëri. 
            Demiri hoqi duart nga vajza. Po ashtu edhe Ilia. 
            - Merri dhe prismi aty, - tha Demiri  duke i shkelur syrin Ilias.
            Ato dolën. Demiri thirri Myfitin dhe e urdhëroi të merrte Agronin dhe ta shpinte në zyrën e tij.
            - Qëndro edhe ti atje sa të kthehem unë.
            Myfiti mori Agronin dhe u nis për lart.
            Demiri u drejtua te dhoma e parë përbri asaj të torturës. Hapi portën dhe pa Ilian që mundohej të  shtrinte në një tavolinë që ndodhej aty Lumton, duke e kërcënuar me kobure. 
            - Kafshë, kafshë, kafshë! – bërtiste ajo.
            - U vaftë mbarë! – tha Demiri dhe u drejtua nga dhoma tjetër.
            Hapi derën dhe pa Iridën fare të  hutuar,  si  të përgjumur që fliste me vete. 
            - Babi, babi, babi, -  pastaj shkrehej në vaj.
            - Nesër babi do vijë në shtëpi, po hajde ta festojmë sot bashkë.
I zbërtheu bluzën dhe i nxorri jashtë gjokset e  vegjël.  Filloi t’ia  shtrëngojë  fort dhe t’ia kafshojë. Ajo vazhdonte të qante dhe të thërriste të atin.  Klithmat e saj mbyteshin brenda mureve të betonta. Ata ishin të plotfuqishëm mbi ato dy viktima të gjora. Egërsirat e kishin kapur gjahun dhe po e coptonin pa mëshirë.

                                                                        VIII

            Isufi po rrinte te porta ku e kishte caktuar Demiri për t’i dhënë përgjigje ndonjërit që mund të pyeste për diçka. Kishte parë Ilian që  hyri  brenda me  dy  femra dhe  kishte  pyetur shoferin e gazit që i solli:
            - O Selim, kush ishin ato dyja?
            - Janë familjaret e një të burgosuri. Kanë ardhur për një ballafaqim.
            Atij iu duk i çuditshëm ky ballafaqim në mesnatë, por nuk u thellua më shumë. Në fund të fundit atje ishte e zakonshme që pyetjet të bëheshin pas mesit të natës. Ajo ishte një praktikë e njohur. Kishte kaluar më shumë se një gjysmë ore nga ardhja e tyre kur në dyert e degës u çfaq një plakë. Isufi njohu atë plakën që kishte ardhur të kërkonte kryetarin një muaj më parë.
            - Më fal mor bir, por dua të takoj kryetarin e degës. Thuaji se ka ardhur nënë Gjyla, gruaja e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Bexhet Canaj.
            - Po tani është natë, moj nëne! Pastaj kryetari nuk është fare këtu.
            - Si nuk është këtu? Mua më tha oficeri juaj që këtu është.
            - Cili oficer jua tha?
            - Ai që mori nusen dhe mbesën. Tha se me urdhër të kryetarit do bënin takim me djalin 
tim që ndodhet i mbyllur këtu.
            - Si quhet djali juaj?
            - Agron Canaj.
            Një hije dyshimi kaloi në mendjen e Isufit.  Dy femrat që hynë para një gjysmë ore, tani plaka dhe fjala që i paskësh thënë operativ Ilia për kryetarin, që nuk ishte fare në qytet, e bënë të mendohej. Diçka e dyshimtë po përgatitej. Agronin e njihte. E kishte shoqëruar në qelinë numër shtatë. I kishte ardhur shumë keq për të dhe ishte munduar ta ndihmonte. Thirri një polic dhe i tha të qëndronte pak kohë në vendin e tij, se do të shkonte të kërkonte hetues Demirin.
            - Nënë, do të shkoj unë ta kërkoj, - i tha plakës.
            - Falemnderit, more bir! Zoti ta shpërbleftë për mirë!
            - E ku ka zot? - tha polici që sapo mori shërbimin.
            - Ka mor bir, ka. Ai ndodhet kudo. Edhe në ndërgjegjen tëndë që thua se nuk ka Zot, ai ekziston. Ishallah nuk e provon të keqen, por po të ndodhesh në vështirësi, do ta kuptosh se ku  ndodhet Zoti.
            Isufi   shkoi  në   zyrën   e  Demirit.  Atje  pa Agronin të ulur në  një karrike  dhe  pranë tij Myfitin.
            - Ku është shoku Demir?
            - Poshtë në birucat, tani vjen.
            Shkoi në qelitë e  të burgosurve.  Përveç  dyerve të  mbyllura  me lloz,  nuk  pa njeri tjetër. 
            - Duhet të jetë në dhomën e speciale, - mendoi.
Zbriti poshtë dhe u drejtua andej. Në dhomën e speciale nuk kishte njeri.  Iu  duk sikur dëgjoi një rënkim dhe pas tij një zë që qante. Zëri vinte nga dhoma përbri. Nga dhoma tjetër dëgjohej një e qeshur histerike. Dera e dhomës së parë ishte pak e hapur. E shtyu dhe pa hetues Ilian të zhveshur mbi një grua. Ajo qante me ngashërim. Mbylli portën dhe u drejtua nga dhoma tjetër. Nga brenda dëgjohej një zë që qante dhe qeshte. Dëgjoi edhe zërin e një burri që thoshte:
            - Ja edhe pak, kënaqu moj kumbull!   
            Këto fjalë shoqëroheshin me një rënkim. Njohu zërin e Demirit dhe kuptoi gjithçka. U  trondit. Poshtërsia e atyre dyve e la pa mend. Ç’të bënte? Të largohej dhe të hiqej sikur nuk kishte parë gjë? Kjo ishte e pamundur. Do të qëndronte. Ta shikonin dhe ata që ai u bë dëshmitar i aktit të tyre të turpshëm. Dera e dhomës së parë u hap dhe doli Ilia me Lumton e përlotur. Kur pa rreshterin ai u trondit.
            - Po ti ç’kërkon këtu?
            - Dua të takoj shokun Demir. Ka ardhur nëna e Agronit dhe kërkon nusen dhe mbesën..
            Ilia ndërroi tonin. Mendoi ta bënte për vete me dredhi.
            - Do ta provosh? - i tha duke i shkelur syrin.  -  Është shumë e mirë. Provoje! Mos humb rastin.
            - Falemnderit,  nuk  kam nevojë, -  u  përgjigj prerazi Isufi.
            Ndërkohë   u  hap  dhe  porta tjetër  dhe  doli Demiri pas tij Irida. Sytë vajza i kishte të çakërdisura. Fytyra i ishte shtrembëruar. Kishte marrë pamjen e një të çmendure. Vazhdonte të qante e të qeshte njëkohësisht  dhe belbëzonte:
            - Babi, babi, babi…
            - Çfarë i keni bërë vajzës? –  klithi Lumtua  dhe  e futi në gjirin e saj.
            - Mbylle gojën! Po  fole një  fjalë   dije  se   ju  të dyja  dhe  ai  kokëmushka  tuaj do  të zhdukeni brenda njëzetekatër orëve. Këtë mbaje në mendje. 
            Pastaj duke u  drejtuar nga Isufi i tha me një ton të ashpër:
            - Po ti?
            - Përjashta të kërkon nëna e Agronit.
            - Përse?
            - Atë e dini ju.
            - Mirë, mirë. Merri dhe shpjeri përjashta. Lajmëro Selimin t’i çojë në shtëpi. Të  marrë edhe plakën.
            Ai i mori dhe u nis.  Kur i pa në atë gjendje nënë Gjyla u trondit tepër.
            - Çfarë ka ndodhur me vajzën?
            - Asgjë! U trondit kur takoi të atin, - tha Lumtua duke e mbledhur veten. Nuk donte t’i jepte të kuptonte së vjehrrës.
            Hipën në makinë dhe u nisën. Isufi largoi policin që e zëvendësoi dhe po rrinte te porta duke përfytyruar skenat që kishte parë.
            Demiri, ndërkohë, ishte kthyer në zyrën e tij dhe kishte nxjerrë jashtë Myfitin. Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori prej andej një shkresë të shtypur  në shumë faqe dhe, duke iu drejtuar Agronit, i tha:
            - Do të ta  lexoj?
            Agroni nuk foli. Filloi të ndiejë të ftohtë. Po dridhej i tëri.
            - Atëhere nënshkruaje! Shkruaj emrin, mbiemrin dhe vurë nënshkrimin në çdo faqe të procesverbalit.
            Agroni vazhdonte të mos fliste.
            - Mos harro, ato janë poshtë. Do të lirohen vetëm kur ti  të nënshkruash.
            Një ngashërim i thellë filloi të dalë nga zemra e tij. Lotët filluan t’i rrjedhin nëpër faqet. Filloi të qajë si një fëmijë. Demiri e la deri sa u qetësua dhe i tha:
            - Nënshkruaje!
            Mori penën dhe me dorën që i dridhej nënshkroi të gjitha fletët. Si mbaroi, mundi të thoshte me një ton therrës:
            - Tashti çdo gjë është e kotë. Agron Canaj  ka vdekur.
            Demiri thirri Isufin, i cili e mori dhe e mbylli në qelinë numër shtatë. Hetuesi i ndoqi nga prapa..
            - Përse erdhe poshtë qëparë? - pyeti Isufin.
            - Të thashë, kishte ardhur nëna e Agronit dhe donte të bisedonte me ty.
            - Ashtu? E çfarë donte?
            - Donte shpjegime përse i kishit marrë nusen dhe mbesën.
            - Mua mos më shit mend me të tilla filozofira. Dëgjo, po hape gojën për ato që pe, dije se të piu e zeza. Mos mendo se mund të më  bësh  gjë mua.  I  kam aq  njerëz  sa për  të   më mbrojtur në çdo rrethanë. Ti nuk ke parë asgjë. Kuptove?
            Isufi heshti dhe u largua. Rrugës u shkëmbye me Ilian.
            - Po këtë kush na e poftisi sonte? -  tha ai. - A nuk të thashë se është një veprim i rrezikshëm?
            - Mos u shqetëso, e rregulloj unë atë punë. Ai nuk do të guxojë të flasë. Po  më  thuaj a u 
kënaqe ndopak?
            -  E si të mos kënaqesh me një kumbull si ajo.
            Të dy u larguan duke u zgërdhirë me të madhe.

                                                                                                            (Vijon)