Shqipëria ka nevojë në çdo kohë për trima si Dudë Sinani
Një libër që ringjall pjesë nga historia kombëtare
Dr. Nuri Dragoj
Sa herë që flitet për luftëra, në krye të ligjërimeve apo shkrimeve historike, përmenden emra udhëheqësish e komandantësh që i fituan apo i humbën ato. Por nuk flitet për jetën dhe vdekjen e njerëzve të thjeshtë, të cilët rrëmbeheshin nga vatrat familjare e hidheshin në fushat e betejave, duke i çuar drejt vdekjes. Gjithmonë flitet për lavdinë dhe shkëlqimin e karrierave të princave apo mbretërve dhe heshtet për vdekjen e luftëtarëve dhe kapedanëve popullor të mbetur anonimë në fushat e përgjakura, të mbuluar nga hijet e flamujve të shteteve të tjerë. Pikërisht këtë boshllëk e plotëson libri monografik që kemi në duar, “Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani”, me autor Prof. dr. Bardhosh Gaçe.
Për të na prurë monografinë “Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani”, studiuesi Bardhosh Gaçe ka zbritur në tabanin popullor, ku ka vrojtuar me kujdes trevat prej nga dalin trimat, faktorët që i kthejnë ata në heronjë të kohës dhe na paraqet me mjeshtëri bëmat e tyre. Me një stil mjaft të rrjedhjshëm e tërheqës, gjuhë të pastër e të pasur, historik për nga ngjarjet dhe letrar për nga ëmbëlsia e të treguarit, autori na paraqet një libër të këndshëm e mjaft cilësor. Është një prurje me vlera njohëse për trevën e Labërisë e më gjerë, e cila përfshin zhvillimet historike më të spikatura në shekujt XVIII-XX, periudhë kjo fare pak e trajtuar në historiografinë shqiptare.
Libri i prof. Gaçes bazohet në mënyrë të dyfishtë, në të dhëna dokumentare e në folklorin popullor. Dihet se mendimi dhe përjetimi i ngjarjeve historike nga njerëzit, shpesh herë gdhendet në këngë dhe nuk mund të ketë forcë që të shmangë ndikimin e saj në histori, pasi populli di çfarë ruan në kujtesën e vet. Një nga mangësitë e shqiptarëve ka qenë mosshkrimi i historisë. Për pasojë, në fushat e betejave nuk ka patur kronikanë të pasqyronin me korrektesë luftimet, apo të hidhnin në letër ngjarjet më të rëndësishme të jetës. Pikërisht këtë mangësi e ka plotësuar poeti popullor, njerëzit e thjeshtë që u kanë kënduar me dashuri dhe dhimbje trimave, apo betejave të zhvilluara e që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tyre. Kënga popullore mund të quhet një farë autobiografie e popullit, një dokument i skalitur në thellësitë e kujtesës historike të tij. Kjo për faktin se ato janë ngritur në kohën që kanë ndodhur ngjarjet. Me anë të këngës flasin dhe brezat që vijnë shekuj më pas. Aty pasqyrohen ngjarje të ndryshme të kohës, idealet shoqërore të masave, ndjenjat morale dhe psikologjike të shtresave shoqërore në faza të caktuara të historisë. Ndaj themi me bindje që, edhe atëherë kur mungon dokumenti, kënga e zëvendëson denjësisht atë.
Historia është treguar e ashpër me ilirët dhe pasardhësit e tyre. Pozicioni gjeografik në të cilën shtrihen trojet shqiptare, përkon me vijën ku përplasen interesat Lindje-Perëndim. Lashtësia e këtij populli dhe virtytet e tij, janë bërë shkak për të qenë përherë i përfshirë në luftëra, të cilave u ka mbijetuar në shekuj. Ndaj populli thotë: “Shqipëri, moj ballëlarë / S’pate dert nga asnjë valë, / Të mbeti dora në pallë...„
* *
*
Studiuesi Bardhosh Gaçe na përcjellë hap pas hapi historinë e fisit të Dudë Sinanit, të pashkëputur nga trualli i lindjes dhe njerëzit që i rrethonin, por edhe më gjerë, pasi aleancat luftarake ishin të zakonshme dhe bazë për të arritur fitoren. Paraqitja e jetës dhe veprës së Andon Dudës, më pas rritja në moshë dhe trimëri e Dudë Sinanit, dhimbja që ai ndjen për vuajtjet e të atit dhe rrezikun e vazhdueshëm që paraqiste terrori ushtarak osman, duke vijuar me nipin e tij, Dudën e ri, e bëjnë monografinë pjesë të jetës së çdo familjeje shqiptare. Ishte kjo dhunë dhe aktet e pamoralshme që shokonin njerëzit. Ndaj dhe në një këngë të asaj kohe, i bëhej thirrje princeshës së Kaninës të largohej. Nuk ishte e sigurt sepse po vinin osmanët. Janë të shumta tregimet e legjendat që thonë se nuset dha vajzat shqiptare kanë preferuar të hidhen në humnerë, në vend që të binin në duartë e osmanllinjëve; “Dil e ik moj Rugjinë / Se do të bëhesh robinë.”
Autori na tregon se në 500 vitet e sundimit të Perandorisë Osmane, fati i shqiptarëve ka qenë pasqyrë tragjedish, ku shkëlqimi i sulltanëve fshihte dramën e madhe të ushtarëve nizamë, që luftonin në troje të huaja për llogari të pushtuesve. Ata hidheshin në beteja si kuajt e luftës dhe askush nuk bënte llogari sa vriteshin. Gjithmonë e më tepër korrierët ushtarakë kërkonin të mobilizonin nizamë të rinj prej tokave të pushtuara, ndërsa populli kundërshtonte aq sa mundte. “Mbretit s’ia kemi takanë, / Me xhelep, me nizamë…”.
Në këtë rrjedhë shekullore të dhimbjes shqiptare, edhe Ali Pashë Tepelena nuk bëri gjë tjetër, veçse ndryshoi rrjedhën e dyndjes së ushtarëve, sepse edhe ai, i mobilizoi bijtë e këtij trualli sa për interesa kombëtare, aq dhe për ato të veta. Luftërat shuanin apo zhvendosnin vendbanime të tëra. Për të kuptuar zhvillimin e ngjarjeve që detyruan shpërnguljen e një numri të madh të popullsisë, është e nevojshme të përshkruajmë një tablo të shkurtër të situatës politike dhe ushtarake të kohës.
Gaçe na e përcjell ngjarjen hap pas hapi, duke pasqyruar zhvillimet historike të marrëdhënieve të Perandorisë Osmane me fuqitë e tjera, pa e shkëputur heroin e vet nga këto procese. Kjo duket qartë kur na sjell të gjallë pjesëmarrjen e Ali Pashë Tepelenës në luftën Ruso-Turke të vitit 1787, ku marrin pjesë shumë trima shqiptarë, Cane Miftari, Dudë Mete, Neshat Nivica e kapedanë të tjerë. Në rrjedhën e vetë tregimtare, autori përfshin me mjeshtëri edhe kontekstin historik të kohës brenda së cilës janë zhvilluar edhe këto ngjarje. Nën funksion të këtij konteksti, mësojmë se në fundin e shekullit XVIII, pas vdekjes së Katerinës së Dytë, qenë përmirësuar dukshëm marrëdhëniet e Rusisë me Perandorinë Osmane. Të njëjtën rrugë ndoqi dhe Pavli i Parë, i cili qe kundër rritjes së ndikimit francez. Por ekspedita e organizuar nga Napoleon Bonoparti i prishi marrëdhëniet midis Francës dhe Perandorisë. Kjo e fundit u detyrua të lidhte aleancë me Anglinë e Rusinë dhe në vitin 1798, i shpalli luftë Francës, prej së cilës doli fituese. Pas kësaj qeveria osmane konfiskoi gjithë pasuritë franceze. Për pasojë, ishujt e detit Jon u ripushtuan nga ushtria perandorake. Por në vitin 1802, krerët e ushtrisë franceze shprehën pendesë për veprimet e kryera dhe i kërkuan ndjesë Portës së Lartë. Në këto kushte u nënshkrua paqja me Francën, së cilës iu njoh e drejta e lundrimit në Detin e Zi.
Nisur nga fakti i dobësimit të Francës dhe kërkesës së Anglisë dhe Rusisë për marrëdhënie të mira, u duk sikur sulltan Selimi III do të sundonte i lumtur. Por nuk ndodhi kështu. Ahmet Pashë Zhezari në Palestinë dhe Tajar Pashë Xhanikliu në Anadollin Verior, të nxitur nga Rusia, kërkuan të ishin të pavarur nga Perandoria. Rebelime të rrezikshme qenë ato të provincave europiane. Çetat e cubave në Bullgari mbillnin trazira pa shfaqur qëllim politik, në një kohë që nacionalistët e rinj, të përkrahur nga Austria dhe Rusia, punonin për pavarësi.
Ismail Pashë Tirsanikliu dhe zëvendësi i tij, Mustafa Bajraktari, vendosën sundimin e tyre mbi popullsinë vendase. Të njëtën gjë bëri dhe Osman Pazvanogllu në Bullgarinë Perëndimore dhe Serbinë Lindore. Por ajo që e shqetësonte me të vërtetë qeverinë e Stambollit, ishin lëvizjet e sundimtarit të Janinës, Ali Pashë Tepelena, kryengritjet e të cilit zhvilloheshin në Shqipëri dhe Epir. Ky pasha ndihej i pavarur në gjithë atë trevë.
* *
*
Studiuesi Bardhosh Gaçe, në monografinë e vet thotë se për shkak të refuzimit të taksave, mosdërgimit të djemve nizam dhe forcimit të pozitave të Ali Pashë Tepelenës, trevat jugore të Shqipërisë mbetën në luftë të vazhdueshme. Dudë Sinanin e gjejmë pranë pashait thuajse në të gjitha momentet e vështira. Ishte koha kur Luani i Janinës kërkonte me çdo kusht të merrte nën zotërim të plotë jugun e Shqipërisë, gjë që nuk ishte e lehtë. Jo vetëm pse i duhej të ndeshej me bejlerët që zotëronin këto rajone, por mbi të gjitha sepse një veprim i tillë shkaktonte zemërimin e Venedikut, i cili qe shtrirë nga Butrinti në Prevezë. Por Ali pasha ia arriti qëllimit, pasi i mori qytetet jugore njëri pas tjetrit dhe ngriti disa kala, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Porto Palermo, Sarandë etj. Autori i librit na tregon se Dudë Sinani ka qenë jo vetëm trim i madh, por njeri i ditur e diplomat, pasi në vitin 1808, pashai e emëroi në krye të garnizonit të kalasë së Palermos, kohë në të cilët Çobo Demirin e caktoi në kalanë e Lëkursit. Ndihmesa që i jep Dudë Sinani, duke qenë në krah të arkitektit Petro Korçari, apo duke e takuar me Aliko Sulin, njeriun që prodhonte sasira të mëdha baruti, për të cilin pashai kishte aq nevojë, flasin edhe më shumë për lidhjen e ngushtë të Dudë Sinanit me pashain e Janinës.
Në fillim të shekullit XIX, kryengritjet antiosmane qenë shtrirë thuajse në gjithë Shqipërinë, ndonëse në trevat jugore presioni osman ishte më i dukshëm. Mirëpo, gjatë dekadës së parë të shekullit XIX, Ali Pashë Tepelena u la në qetësi për momentin, pasi kryengritjet antiosmane shpërthyen edhe në Serbi. Ato udhëhiqeshin nga Kara Gjorgje, mbështeteshin nga rusët dhe austriakët dhe vazhduan deri në vitin 1812. Natyrisht, në krah të tyre qenë dhe anglezët, ndërsa francezët vazhdonin të ruanin marrëdhënie paqësore me perandorinë. Në këto rrethana, në vitin 1805, sulltan Selimi III urdhëroi vendosjen e një ushtrie të fortë në Edrine, e cila i zemëroi nacionalistët e vendeve ballkanike që kërkonin pavarësi. Për pasojë, ata e rritën presionin ndaj perandorisë. Më 29 maj 1807, pas një përballje të ashpër me jeniçerët, Selimi III hoqi dorë nga froni dhe ia la atë kushëririt të vet, Mustafait IV. Ky i fundit u tregua njeri pa personalitet dhe, për shkak të paaftësisë së tij, në korrik të vitit 1808, u vra Selimi III. Mustafa Bajraktari, më 28 korrik të atij viti shpalli sulltan një nga djemtë e Abdylhamitit I, me emrin Mahmuti II.
Situata vinte duke u acaruar ngado. Rusia u përfshi në luftë me osmanët për shkak të mospranimit të kërkesave territoriale. Ajo arriti të bllokonte trevat danubiane në vitin 1810, shpartalluan osmanët në Ballkan dhe në vitin 1811, filluan bisedimet për paqe. Ndërkohë, Napoleoni I mësyu Rusinë dhe, në maj të vitit 1812, Traktati i Bukureshtit ua ktheu Vllahinë dhe Moldavinë osmanëve, ndërsa rusët morën Besarabinë.
Në vitin 1814, në Odesë u rithemelua “Heteria”, që më vonë mori emrin “Shoqëria e Miqve”, e cila synoi të krijonte lidhje me Kara Gjorgjin dhe Ali Pashë Tepelenën, por nuk arritën ndonjë përfundim pozitiv, ndaj kërkuan mbështetjen ruse. Në krye të saj vunë Joan Kapodistra, njeri i afërt me carin. Meqë Kapodistra nuk pranoi, iu drejtuan Aleksandër Ipsilantit, i cili kishte qenë adjutant i Carit të Rusisë dhe i kërkuan të bashkëvepronte me prijësin e serbëve Millosh Obrenoviç. Më 1818 shpërtheu një kryengritje, ku u përfshi dhe Millosh Obrenoviç, e cila përkoi me mundjen e Napoleonit I, në Vaterlo. Për pasojë rusët e detyruan Mahmutin II të pranonte Serbinë si principatë vasale.
Në Greqi përgatitej kryengritja antiosmane, e cila do të shpërthente kur ushtria e Portës së Lartë të ishte e zënë me luftime në Moldavi e Vllahi nga sulmet e Ipsilantit, dhe në Epir e Shqipërinë e Jugut, kundër Ali Pashë Tepelenës. Luftimet morën përmasa të frikshme në More, pasi priftërinjtë luajtën rol aktiv në nxitjen e dhunës. Popullsia greke në atë trevë kishte mbështetur Ali Pashë Tepelenën, por Halet Efendiu, myhyrdar i sulltan Mahmutit II, u inatos me Ali Pashë Tepelenën sepse nuk i dërgonte dhurata si më parë. Pashai u informua për një letër që anëtarët e komitetit të kryengritjes së Moresë i dërgonin despotit të Janinës. Ai e thirri atë dhe i dha letrën për ta lexuar, por despoti vdiq në vend nga frika. Për të hetuar çështjen e vdekjes së despotit, Halet Efendiu dërgoi Nikola Moruzin, që ishte njëkohësisht dhe anëtar i shoqatës Etniki Eteria. Në raportin e tij thuhej se raja e Rumelisë qe besnike e Dovletit, ndaj Ali Pasha duhej të ndëshkohej. Pikërisht intrigat e Halet Efendiut dhe Hurshid Pashës, çuan në rebelimin e Ali Pashë Tepelenës dhe rezistenca e tij ndaj taboreve osmane qe shumë e fortë.
Në këto rrethana, qeveria osmane rriti presionin mbi popullsinë dhe mori masa për t’i rekrutuar të gjitha moshat mbi 18 vjeç, por në këtë operacion hasi në kudërshtimin e shqiptarëve. Kush nuk pranonte të shkonte nizam, merrej me forcë, rrihej dhe burgosej. Për pasojë pati shumë konflikte në gjithë trojet arbërore.
Ali pashë Tepelena kishte krijuar marrëdhënie të ngrohta me një numër të madh trimash dhe familjet e tyre, si të thuash qe zbutur në sjellje, por njëkohësisht u kishte krijuar më shumë mundësi për të jetuar. Qenë hapur rrugë të shumta dhe grabitjet e karvanëve thuajse ishin shuar. Në këto rrethana, Ali Pashë Tepelena kishte përparësi në grumbullimin e luftëtarëve nga këto treva, në raport me vet qeverinë osmane. Pikërisht ky fakt ndikonte në thellimin e mëtejshëm të armiqësisë, pasi Porta e Lartë nuk mund të pranonte kryeneçësinë e pashait. Për këtë priteshin sulme të ashpra për gjunjëzimin e Aliut. Me lajme të tilla qenë njohur dhe trimat e Labërisë, Thanas Vaja, Cane Miftari, Dudë Sinani, Ali Mesapliku, Spiro Gjika, Kiço Vlashi etj.
Duket se për shkak të dendësisë së luftimeve të vazhdueshme, qeveria nuk pati kohë të angazhohej në kërkim të shqiptarëve të pabindur. Katër vite më pas, ushtria osmane organizoi një sulm të madh kundër Ali Pashë Tepelenës, duke e rrethuar Janinën. Trupa të shumta nga toka, të drejtuara nga Hrushid pasha, por edhe mijëra të tjerë nga deti, ishin urdhëruar të luftonin derisa të binte me çdo kusht pashai. Sulmi ndodhi në gusht të vitit 1820. Nga gjendja e krijuar përfitoi patriarku i Patrës, Germanos, i cili më 25 mars 1821, shpalli fillimin e luftës për çlirimin e Greqisë, duke kryer masakra të shumta mbi popullsinë turke të Moresë dhe sidomos mbi myslimanët e Topolicës. Në të njëjtën mënyrë vepruan dhe jeniçerët e Stambollit, të cilët varën patriarkun e fesë ortodokse dhe disa klerikë. Ndërkohë, opinioni perëndimor kundërveproi vetëm për masakrat që u bënë ndaj grekëve, pa thënë asnjë fjalë për vrasjet e kryera në popullsinë myslimane. Në mbështetje të Aliut qenë trimat Tafil Buzi, Cane Miftari, Dudë Sinani etj. Jo më kotë populli ka përjetësuar në këngë vargjet: Kush u hodh natën i pari, / Dudë Sinani sedërtari.
Ali Pashë Tepelena bëri një ekspeditë të gjerë në jugun e Shqipërisë për të gjetur sa më shumë mbështetës. Në periferi të Janinës, Artë e deri në Peloponez, lufta vazhdonte e ashpër. Autori duke na dhënë kuvendin e Vraharit, takimet me Tahir Abazin e Aleks Muçon, përshkrimin e komandantit të përgjithshëm Odhise Andruci dhe deri te intrigat e Jani Koletit, i cili më pas do të bëhej autor i Megali Idesë, zbardh me pak fjalë historinë e asaj periudhe.
Në ato vite, më tepër se asnjëherë më parë, Ali Pashë Tepelena pati hedhur në treg të hapur idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Ishte kjo arsyeja që e ndoqën pas mijëra shqiptarë. Mirëpo ky program e acaroi më tej gjendjen, pasi krahas Stambollit, me platformën e tij nuk pajtohej as paria greke. Nëpërmjet Patrikanës së Stambollit, u thellua edhe më shumë hendeku dhe u amplifikua urrejtja midis Portës së Lartë dhe pashait të Janinës. Dhejtra priftërinj kishin marrë përsipër të shuanin kryengritjet e shqiptarëve. Çelo Picari ndonëse 20 vjeçar, tregoi trimëri të rrallë, duke bërë që populli ta vlerësonte dhe t’i lutej Zotit, që të mos kishte kurrë vdekje për të: Kapedan Çelo Picari /Jalla mos të qastë varri!
Lufta vazhdoi e ashpër nga Labëria në Janinë. Kjo për faktin se pas betejave serbe të vitit 1804 dhe 1815, Serbia fitoi autonominë, rrugë të cilën e kërkonte me ngulm dhe Ali Pashë Tepelena. Por Sulltan Hamiti synonte që trojet shqiptare të shërbenin si një “lule e perandorisë” në kufi me vendet e Europës dhe të manifestonte qëndrim të përbetuar ndaj islamit, me të cilën nuk u pajtuan patritotët shqiptarë. Autori i monografisë, duke dhënë skenat dhe prapaskenat e kësaj lufte, atë çfarë ndodhi në Lihtaricë, na përshkruan me dhimbje rrethimin e kalasë së Janinës për një kohë të gjatë, e cila pas shumë luftimeve që zgjatën në kohë, çuan në dorëzimin e saj. Kalaja ra, sepse më 24 janar 1822, u vra në një rrethim të hekurt Ali pashë Tepelena. Ai u tradhëtua nga shumë prej njerëzve të afërt, gjë që nuk ndodhi me miqtë që pati nga Labëria. Në këtë mënyrë mori fund edhe përpjekja e tij, për të shkëputur Epirin dhe Shqipërinë e Jugut nga Perandoria Osmane.
* *
*
Sulltan Mahmuti II, hipi në fron në moshën 23 vjeç dhe nuk kishte përvojë, por u mbështet te kryeveziri Mustafa Pashë Bajraktari, i cili e kuptoi që perandoria kishte nevojë për një dorë të fortë dhe ushtri moderne të tipit perëndimor. Sulltani i ri, pasi zhduku njerëzit e afërm të sulltan Selimit III, thirri krerët e provincave për të biseduar mbi reformat, por ndaj tij nuk u bindën Ali Pashë Tepelena, Mehmet Aliu i Egjiptit dhe disa krerë bullgarë, që ishin kundër Mustafa Bajraktarit. Gjithsesi u nënshkrua një marrëveshje, e cila parashikonte: a) ndershmëri e besnikëri ndaj sulltanit dhe vezirit të madh; b) organizimin e një ushtrie të re; c) vjeljen e rregullt të tatimeve; d) qeverisjen e provincave duke respektuar ligjshmërinë etj.
Sulltani u zotua se do të merrte vetëm taksat e ligjshme, por kjo marrëveshje nuk u nënshkrua prej tij, me shpresë se do të ndikonte pozitivisht te krerët e provincave. Mirëpo, këta të fundit, kur panë se marrëveshja kufizonte pushtetin e tyre vetjak, ngritën krye. Mehmet Aliu në Egjipt kishte bërë për vete ulemat që ishin keqtrajtuar nga mamlukët. Duke përfituar nga dobësia e qeverisë qendrore të Stambollit, ai mori masa për forcimin e ushtrisë dhe armatosjen e saj me armë të prodhimit perëndimor, duke shfrytëzuar për këtë dijet e oficerëve francezë të mbetur aty. Nga ana tjetër sulltani nuk e mbajti fjalën. Taksat u rritën dhe sulmet për të nënshtruar popujt vazhdonin me të njëjtin intensitet. Jugu i Shqipërisë cilësohej një ndër vatrat kryesore të luftës, prej nga kishin dalë luftëraë të shquar si Zylyftar Poda, Zenel Gjoleka, Çelo Picari etj. Kënga thotë: “Çelo Picari me vulë, / Lufton me sulltan Mamunë, / Që ka topa, gjyle shumë, / Dyzet vjet s’e sos barunë…”.
Duke lexuar librin e profesor Bardhosh Gaçes, duket sikur lufta nuk do të mbaroj kurrë. Më shumë se 12 breza në luftë kundër osmanëve. Pushka u mbeti në sup, sepse administrata perandorake nuk lëshonte në kërkesat e saj. Ndërkohë, varfëria shtohej, sëmundjet benin kërdinë, ndaj shqiptarët nxirrnin në krye djemtë më të mirë, dhe i vinin në kërkim të lirisë. Kundërshtohej dhuna që ushtronte valiu i Rumelisë, Mehmet Reshid Pasha. Në vitin 1828 ishte Ismail Pashë Vlora, Beqir Bej Vlora, Zylyftar Poda, Cane Miftari, Dudë Sinani e të tjerë, që nuk pajtoheshin me sjelljen e tij. Revolta çoi në kuvendin e Beratit, të muajit nëntor 1828, ku u kërkua largimi i Valiut. Natyrisht, kërkesa nuk u pranua. Profesor Gaçe thotë se u dërgua ushtri për të shtypur revoltën, ku osmanët dolën me humbje. Dhe kënga thotë: Dudë Sinani po bërtet, / Priti, priti o Gjolekë…
Pas kësaj filluan intrigat e të përzgjedhurve të perandorisë në krye të vilajeteve osmane. Gjetën të çara në radhët e shqiptarëve, duke përdorur ryshfetet dhe gradat. Në Janinë iu ngrit kurth Ismail Pashë Vlorës dhe e vranë. Këto ngjarje i gjejmë të pasqyruara dhe në folklorin e trevës së Labërisë, ku shihen qartë marrëdhëniet e popullit me përfaqësuesit e vet dhe qëndrimet e tyre ndaj sunduesve. Vargjet e skalitura në këngët e moçme paraqesin më me realizëm realitetin e kohës për të cilën bën fjalë kënga. Qaj moj Vlorë, qaj Kaninë, / Ismaili shkoj në Janinë, / I dërguan bujardinë (ftesën), / Të piqet me Rumelinë... Konstatimet që jep ky visar i çmuar i kulturës popullore, janë në përgjithësi më afër realitetit, sepse aty mëshirohet ndjenja dhe mendimi i shtresës së gjerë popullore, mendim ky i shprehur lirisht, pa diktat nga lart. Ndaj dhe i rendit faktet thjesht e tërë madhështi, me përshkrime tipesh e karakteresh, ngaqë autori i këngës ka qënë pjesëmarrës direkt në ngjarje. Kur kënga është thurur me porosi, për të plotësuar dëshirën e dikujt, nuk ka patur jetë. Atë e ka braktisur vetvetiu kujtesa popullore. Siç shihet në vargjet e këngës, miq e shokë si Cane Miftari, Veliko Jaçe, Dudë Sinani, Sinan Malo, e patën këshilluar Ismail Vlorën të mos shkonte në Janinë, sepse mendonin prapësitë e qeverisë osmane. Dhe ky nuk është rast i vetëm: Malo, mos shko në Janinë, / Mos e beso osmanllinë, / Se të kan‘ ngritur pusinë...
Në Manastir ndodhi një tjetër kurth makabër, ku u vranë mbi 500 burra të zgjedhur nga paria shqiptare. Më 9 gusht 1830, qenë ftuar në një drekë madhështore, “për t’u nderuar” si burra trima. Asllan Kuçi e Veliko Jaçe dyshuan, por i besuan më shumë burrërisë. Nuk mund të ktheheshin pas. Dhe u vranë thuajse të gjithë. Porpulli këndon: Veliko Jaçe ku je…, / Koka tënde në hejbe, / Aferim, o trim të thanë, / Që s’turpërove babanë, / Jaçen me Çelo Picarë.
Megjithë këto vrasje të shumta dhe masakra mbi banorët e pafajshëm, populli nuk e uli kokën. Kryengritjet antiosmane u shpeshtuan. Beqir Bej Vlora, Tafil Buzi e të tjerë, donin ta shporrnin pushtuesin nga vatrat e tyre. Tafil Buzi një pëllëmbë, / E mori pallën me dhëmbë. Pas kësaj doli në skenë Mehmet Ali Pasha i Egjyptit. U kërkoi ndihmë trimave të Vlorës dhe Mallakastrës për t’u bërë ballë sulmeve osmane dhe ata iu përgjigjën. Kërkesat e tij përputheshin në idetë e tyre. Të dy palët ishin në kërkim të lirisë. Dudë Sinani, Zylyftar Poda, Cane Miftar Smokthina e të tjerë, i bënë apel popullit për të mbështetur Mehmet Aliun me luftëtarë, armë, kuaj e ndihma të tjera. Dudë Sinanin e gjejmë në krahë të Ibrahim Pashës, që përfaqëosnte frontin antiosman të luftimeve në zonën e Kretës. Aty gjejmë dhe Tafil Buzin, Hodo Nivicën, Abdyl Kokën. Në saje të luftës së tyre, më 1832, Kreta mbeti në dorë të Mehmet Aliut. Fitorja u arrit edhe për faktin se treva e Labërisë nuk pranoi të dërgonte asnjë djalë nizam, në favor të ushtrisë perandorake. Që në Krahas e Bolenë…,/ Lidhnë fjal’ e zunë benë, / Që nizam të mos venë… Osmanët nuk mund të praninin mosbindjen civile. U sulën në gjithë zonën e Kurveleshit, në tërë Labërinë, por e panë pisk. U vranë shumë ushtarë osmanë. Dhimbja qe te bijtë e vendit. Kënga thotë: Ra tërmet, u tund vendi, / Se lufton Çobo Golëmi, /Kapedan i këtij vendi, / Kapedan që kur kish lerë, / Që lufton me pallë nxjerrë.
Pjesëmarrja e Dudë Sinanit në kryengritjet antiosmane të viteve 1834 dhe 1847, zë vend të gjerë në këtë monografi. Kronikat e këtyre betejave shpalosin në sytë e lexuesve, ngjarje e bëma trimërore, që kanë lenë gjurmë në jetën e banorëve të krahinës së Labërisë.
Në faqet e këtij libri, personazhi i Dudë Sinanit dhe të birit, Aliut, shtegton bashkë me trima të tjerë të kësaj krahine, duke qenë pjesë në ngjarje madhore të historisë shqiptare, siç janë ato të mbrojtjes së trojeve në Veri të Shqipërisë (Shkodër, Ulqin 1852) apo në Jug të vendit, në Janinë e Mecovë më 1854, ku prej tyre u shfaq trimëri e rrallë e vetmohuese.
* *
*
Libri i autorit Bardhosh Gaçe ngjason me sistemin arterial të organizmit të njeriut, pasi brezat vijojnë nga stërgjyshi te stërnipi, njëlloj siç dalin arteriet e mëdha nga aorta dhe më tej degëzohen në arterie më të vogëla, deri në kapilarë. Kështu autori na sjell dhe nipin e Dudë Sinanit, që u quajt Duda i Riu. Ai ndoqi të njëjtën rrugë, si edhe gjyshi. Tablo të tilla janë disa, për të ardhur në fillm të shekullit XX, kur Ismail Bej Qemal Vlora mori përsipër të drejtonte patriotët shqiptarë drejt kërkimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa qeveria osmane i shihte shqiptarët “si një fortesë islame kundër pushtuesve serbë e grekë”, kjo qëndresë shërbeu edhe për mbrojtjen e vet shqiptarëve. Kryengritjet e organizuara në vitin 1908, kur shqiptarët mbajtën anën e xhonturqëve, por edhe ato të viteve 1910-1912 kur u shfaqën kundër tyre, nuk do të ishin mundësuar jashtë këtyre faktorëve. Studiuesi Bardhosh Gaçe përshkruan disa takime të Ismail Bej Qemal Vlorës, pritjen dhe besën e dhënë nga trimat e Labërisë e më gjerë, përpjekje të cilat u kurorëzuan me Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912. Por buzëqeshja e shqiptarëve nuk zgjati në kohë, pasi ushtritë e vendeve fqinjë pushtuan trojet shqiptare, në veri serb e malazez dhe në jug trupat greke e më pas dhe ato italiane.
Shqiptarëve të varfër u mbeti pushka sërish në krahë. Vazhdonin të vuanin njerëzit që patën sakrifikuar aq shumë për lirinë. Greqia kërkonte të zbatohej programi Megali Idesë. Alenaca Ballkanike, nën pretekstin e përzënies së ushtrisë osmane, synonte përvetësimin e trojeve shqiptare. Konferenca e Ambasadorëve të Londrës (17 dhjetor 1912 - 29 maj 1913) krijoi një Shqipëri të vogël, por nuk bëri asnjë hap për mbrojtjen dhe përfshirjen e trojeve të populluara prej shqiptarëve në një shtet të vetëm. Çelësi për jugun ishte Janina. Komandanti i Gumenicës, Nur Duda, ishte atje, në Manolasë.Në fund të muajit dhjetor, drejt Janinës u nis një delegacion i kryesuar nga Mithat Frashëri. Ata kontaktuan me Esat Pashë Janinën dhe i kërkuan të mos e lëshonte qytetin, madje edhe të ngrinte në kala flamurin shqiptar.U vranë mijëra ushtarë. 113 ishte vetëm nga Labëria. Gaçe na e shoqëron ngjarjen edhe me këngë të kohës: Eshtë vrarë Sali Beqiri, / Shahin Pulo, djalë miri, / Mehmet Haxhiu e Jahai, / Dhe Gjysh Lame ezhdërhau…/ Seç u vra dhe Nur Duda, / Kur dha shpirt i qeshi buza…
Lufta e Parë Botërore e gjeti popullin shqiptar në varfëri e mjerim të plotë. Në jug të Shqipërisë trupat greke dogjën 300 fshatra dhe vranë mijëra njerëz.Të frymëzuar nga idetë e nacionalizmit dhe sidomos nga dëshira për të marrë tokat dhe pronat e myslimanëve, të krishterët e Ballkanit ndoqën politikën e shpërguljes dhe zhdukjes së tyre, me qëllim që të mos kishin mundësi të ktheheshin sërish në trojet e veta. Ushtritë e rregullta, por dhe ato të parregullta, qenë përqëndruar në shkatërrimin e plotë të fshatrave të banuara me myslimanë. Kështu ndodhi me popullsinë myslimane në Greqi, Bullgari, Shqipëri e gjetkë. Rreth 80% e fshatrave të banuara me myslimanë dhe lagjeve myslimane në fshatrat me popullsi të përzierë, u shkatërruan plotësisht, sidomos në jugun e Shqipërisë, por edhe në kazanë e Manastirit, Kërçovës, Follorinës, Serfigjesë, Kailarit, Kozhanit, Elasonës, Grebenesë, Naseliçit. Shtypi perëndimor fliste gjerësisht për krimet e kryera nga myslimanët ndaj të krishterëve, apo rastet e vrasjes së të krishterëve me njëri-tjetrin, por publikonin fare pak ose aspak krimet e pashembullta që bëheshin kundër myslimanëve në Ballkan.
Profesor Gaçe i trajton zhvillimet historike, bazuar në udhëtimin e personazhëve të vet, deri në vitin 1920. Më 1916, jugu i Shqipërisë u pushtua nga ushtria italiane. Qendra e tyre qe në Vlorë. Patriotët vlonjatë nuk u pajtuan pushtimin për asnjë çast, madje as me proklamatën e komandës italiane, të datës 3 qershor 1917, që u bë publike në Gjirokastër. - Njohim pavarësinë e Shqipërisë, - tha gjenerali Gicinto Ferrero, e cila mund të garantohejvetëm nën mbrojtjen dhe miqësinë e Italisë. Të njëjtën gjë pohonin dhe përfaqësuesit e Vjenës. TomassoTittoni, ministër i Jashtëm dhe kryeministër i Italisë për vite me radhë, deklaronte në vitin 1904, se rëndësia e Shqipërisë qëndronte te portet e saj, të cilat synoheshin njëlloj, si nga Italia, ashtu dhe nga Austro-Hungaria. Në rast se ndonjëri prej këtyre dy shteteve do të orvatej të shtinte në dorë atë rajon, tjetri do t’i kundërvihej me të gjitha mjetet. Për këtë arsye trimat e Vlorës i quajtën „broçkulla“ fjalët e Ferrero, por dhe të Sonnino, ndonëse zemra donte ta besonin pavarësinë e premtuar, sepse u dhimbte shpirti për Shqipërinë.
* *
*
Autori udhëton në vitet e Luftës së Parë Botërore, e cila edhe pse mbaroi më 1918, Italia në vend që të tërhiqte trupat ushtarake, mori masa për të patur nën zotërim pjesën e pushtuar nga Austro-Hungaria, madje edhe Korçën franceze. Parisi zyrtar u njihte italianëve kufirin deri në Mat. Athina reagoi ashpër. Sonnino bëri një takim të veçantë me Venizellos dhe pas çorbës që ata gatuan me njëri-tjetrin, një muaj më vonë, në kuadër të çështjes së Adriatikut, u firmos një marrëveshje dypalëshe, e cila mbështeste synimet greke për Sarandën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Këto troje futeshin brenda kufijve të Greqisë së madhe. Natyrisht edhe Athina njihte mandatin italian në Shqipërinë e mbetur dhe sidomos aneksimin e Vlorës.
Me anë të marrëveshjes Tittoni-Venizellos, të datës 29 korrik të vitit 1919, Roma i linte dorë të lirë Greqisë për të mbajtur Korçën. Por qëllimi i mbrapshtë i italianëve u kuptua dhe patriotët kërkuan që Korça të mbetej nën administrimin e francezëve, deri në mbarim të Konferencës së Paqes. Kështu gjakrat u ndezën. Telegrame të shumtë i drejtoheshin Konferencës së Versajës ku kërkohej largimi i trupave të huaja nga Shqipëria. Kritika iu bënë dhe qeverisë proitaliane të Durrësit. Kjo gjendje çoi në Kongresin e Lushnjës, të janarit të vitit 1920. Opozita italiane qe shfaqur kundër qeverisë dhe nuk pranonte të dërgoheshin ushtarë në Shqipëri. Sonnino me shokë shtronin për diskutim mundësinë e dërgimit të forcave vullnetare nga Italia, me kusht që Vlora të mos dorëzohej. Kjo ishte gjendja.
Profesor Bardhosh Gaçe, na e jep zhvillimin e ngjarjeve me dinamizmin e vet. Patriotët vlonjatë u mblodhën në Kuvendin e Barçallasë. Kreu i Komitetit Mbrojtja Kombëtare, Osman Haxhiu, bashkë me shokë të tjerë si Sali Bedini, Qëazim Koculi, Hazbi Cano, Ahmet Lepenica, Murat Myftari e të tjerë, i bënë thirrje popullit të shtrëngonin radhët. Të parët e dhanë fjalën të rinjtë që kryesoheshin nga Halim Xhelo. Trupat italiane do të sulmoheshin. Lajmi mori dhënë. Ali Bej Këlcyra mblodhi 400 burra dhe i drejtoi për në Tepelenë. Ushqimin e përballonte vet. Në Vlorë Bajram Mehmeti, Rexhep Sulejmani e Hazbi Cano, vazhdonin punën. Trimat rrëmbyen armët. Bëhej një takim të Rrapi i Beunit. Do të luftonin trimat. Dikush u bënte kurban tufën e bagëtive. Luftëtarët duhej ta kishin barkun plot. Duro Sinani e Zyber Musai vrisnin mendjen për gjetjen e armëve. Lufta kishte filluar. Mijëra burra nga Kuçi, Bolena, Vranishti, Kanina, Tërbaçi, Smokthina, Brati e Gjormi, nga të katër anët, po vërshonin drejt Kotës. Ahmet Lepenica qëndronte në krye. Zigur Lelo, një tjetër burrë me cilësi komanduese betohej se Kota do të merrej me çdo kusht. Dhe ashtu ndodhi. U mor dhe garnizoni i Drashovicës nga çeta e Kaninës. Ishin të shumtë trimat. Ibrahim Abdullai, Daut Seferi, Ferhat Duda, Bajram Mehmeti, Beqir Velo, Kanan Maze, Duro Sinani. Vështirë të numërohen. Ndrinte solidariteti kombëtar. Qe marrë garnizoni i Tepelenës dhe qindra luftëtarë nga Skrapari, Kolonja, Përmeti e Tepelena, mbërritën në Vlorë.
Disa oficerë italianë dolën me flamur të bardhë në dorë dhe kërkuan takim me krerët e forcave çlirimtare.Kësaj ngjarjeje iu ngrit dhe këngë. Poeti popullor, thuri vargjet: Dëgjojnë gratë breg më breg, / Burrat në Vlorë bëjnë dyfek. / Vlora po na dërgon fjalë, / Kush është burrë le të dalë, / Vlorën s’e mban dot dushmani, / Breshkaxhiu, italiani / Se këtu ka zot vatani. / Të gjithë do të luftojmë, / Vlorën do ta lirojmë.Më 2 shtator u largua nga Vlora dhe ushtari i fundit dhe më 3 shtator, vullnetarët u kthyen në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, ushtria italiane la mbi 500 të vrarë, shumë robër, midis tyre dhe një gjeneral, pa llogaritur materialin e shumtë luftarak që mbeti në dorë të shqiptarëve. Hedhja në det e italianëve nga forcat shqiptare u prit me habi në mbarë botën. Por siç shkruante Eqerem Bej Vlora, “kush i njeh shqiptarët nuk e ka të vështirë të kuptojë këtë ecuri ngjarjesh”.
Midis luftëtarëve popullor, në monografi përshkruhet dhe Ferhat Duda, djal i ri, me shpirt atdhetar, që vazhdoi më ngulm në rrugën e Dudë Sinanit dhe paraardhësve të vet. Ky shpirt liridashës i tij, shkëlqeu dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Për këtë arsye, autori i kushton një kapitull të veçantë Ferhat Dudës, kryesisht djalit të tij, biznesmenit të kohës sonë, Gafur Dudës, i cili ka shfaqur guxim, zotësi dhe fisnikëri. Në këtë kohë të trazuar të jetës që kalon shoqëria shqiptare, ai është bërë mbartës i shpirtit kombëtar, dashurisë për vendlindjen, për Atdheun.
Të gjitha këto ngjarje historike Prof. Dr. Bardhosh Gaçe i jep në libër si në një skaner, ku faqe pas faqe e rresht pas rreshti, shfaqet aktiviteti patriotik i 12 brezave shqiptar të një fisi sa patriotik aq dhe sakrifikues, sa idealist aq edhe të guximshëm për çështjen e lirisë sonë kombëtare. Dhe mbi të gjitha, përmes këtyre brezave shfaqet kapedani i Labërisë Dudë Sinani i cili me trimërinë dhe vetmohimin e tij mbart mbi vete atributet e një heroi frymëzues për brezat e sotëm e të ardhshëm. Si i tillë ky libër do të jetë një pasuri e madhe e bibliotekave tona dhe një kontribut i rëndësishëm në historiogrfinë shqiptare.
No comments:
Post a Comment