Wednesday 27 March 2019

BUKUROSHJA E STRUMIT


                                            BUKUROSHJA E STRUMIT                       

     Kënga e njohur“Bukuroshja e Strumit” është kthyer tashmë në një sombolikë të rrallë që shpreh jo vetëm respektin për femrën dhe sakrificën e saj vetëmohuese, por edhe ndjesinë e lartë perceptive të bardit popullor për të ngritur atë në kultin e kujtesës folklorike. Si e tillë, kjo këngë të joshë drejt zbërthimit të enigmave dhe mikrobotëve të trazuara me bukuritë shpirtërore të banorëve të kësaj treve. Ajo përbën në vetvete bërthamën e një cikloni që vërtitet pafundësisht në kujtesën e njerëzve duke mbjellë përherë e më shumë sfida të reja të interpretimit shumëplanësh. Shpesh shfaqen zëra të ndryshëm, të cilët e japin origjinën e saj të imponuar nga politika duke aluduar një lloj falsiteti të krijimit, madje duke e quajtur edhe “mit”apo “sajim.”   Duket sikur prodhimi artistik i një zone shfaqet herë - herë si një mallkim për vetë popullin që e krijoi atë. Por tashmë populli i asaj kohe, sipas metaforës së poetit amerikan Uitman, është kthyer në një “grusht pluhur” ndërsa brezat që e pasuan atë deri më sot, kanë pasur një ndërprerje marramendëse të trashëgimisë kulturore aq sa, e vetmja metodë e ruajtjes së kujtesës historike, kënga popullore, u thye nëpër kohë si një amforë dhe copëzat e saj me mozaikun e një historie femërore bëhen verbuese dhe të shokojnë me koloritin e tyre marramendës. Mos vallë po biem në mëkatin e mohimit të shenjave që na jep e shkuara? Mos vallë po tregohemi të paaftë t’i përqasemi sadopak së vërtetës historike mbi Bukuroshen e Strumit aqsa ta pranojmë atë njëzëri si një realitet etnokulturor përvijuar nëpër gjurmët artistike të banorëve? Është pikërisht ky mister që kërkoj të futem për të zbardhur sadopak trajtat e saj të deformuara herë-herë nga mosnjohja fatale që të çon drejt harrimit.

                                            NJOHJA E PARË ME KËNGËN
    Me “Bukuroshen e Strumit” jam njohur dikur në Marinëz, në fshatin tim të lindjes. Luanim xhamthi së bashku me vëllanë dhe fëmijët e tjerë të lagjes teksa në hamulloret e grunjta të korrikut që shtriheshin përgjatë përroit të Rukanjarëve ujërat e të cilit rridhnin përmes drurëve të lagjes sime duke shushuritur si në përrallë, kullotnin delet, buallicat dhe bagëtitë e tjera të fshatit. Befas, diku larg përmes perëndimit të bruztë të verës më tërhoqi diçka e bukur dhe e ëndërrt, kënga e një burri. Qëndrova një çast duke dëgjuar i shtangur sa përthitha në thellësi të shpirtit magjinë e atij zëri, pastaj u shkëputa nga loja dhe vrapova si somnambul drejt tij. “Këndon xha Joti,” më thirri vëllai nga mbrapa, që gjithashtu mbante vesh atë zë. Joti Prifti ishte këngëtari i famshëm i zonës dhe këndonte teksa kulloste tufën e deleve nga hambulloret e Vaut të Rosave, pikërisht atje ku derdheshin ujërat e përroit të Rukanjarëve. Vrapoja drejt tij duke u trëmbur herë - herë nga turtujt që më brofnin papritur nëpër këmbë. Eca aq sa humba drejtimin e këngës, a ndoshta Joti pushoi së kënduari dhe unë u ktheva sërish i trandur nga ajo gjendje dehjeje dhe mahnije e tejskajshme. U ktheva teksa vargun e refrenit të saj, që këngëtari e përsëriste herë pas here, “Ah, moj Shën Mëri e Strumit ah!”e mora me vete si një kujtim të bukur fëmijërie. Më vonë e njoha xha Jotin nga afër pasi me nipin e tij, të ndjerin Kristaq Prifti, u bëmë miq të ngushtë. Por zëri i tij tingëllues plot kumbim të thellë e të ëmbël shpirtëror sikur më ngjallte një droje të heshtur që as vetë nuk munda ta kuptoja. Ai u nda nga jeta më herët sesa unë të kapërceja drojen time dhe të vilja informacionin e duhur të këngës. Por ajo mbeti brenda meje një magji e përjetshme e vendlindjes dhe një nga momentet lirike më pikante të fëmijërisë sime të largët. Ndërsa refreni i saj “Ah moj shën Mëri e Strumit, ah!” më shoqëron edhe sot e kësaj dite si një lajtmotiv i bukur i identitetit tim krahinor.


           LASHTËSIA E BANORËVE DHE KOSTUMI I GRAVE TE STRUMIT
    Zona e Roskovecit në juridiksionin e të cilit përfshihet fshati Strum, përbën një nga nënndarjet etnografike të krahinës së Myzeqesë dhe si e tillë ka specifikën e vet etnokulturore. Grupi i fshatrave fushor sipas hartës kadastrale osmane të vitit 1570, është ndër më të rrallët që ekziston në këtë gjeografi zonale. Nga ky grup figuron Suku, Arapaj dhe Strumi. Madje për fshatin Arapaj disa studiues të religjonit mendojnë se është formuar nga arabët, të cilët kishin ardhur nga komuniteti arab i Dobruxhës së Bullgarisë dhe ishin ngulitur këtu si predikues të fesë islame para pushtimeve osmane në Ballkan. Shumë më vonë janë krijuar fshatrat e sotëm si: Marinza, Jagodina, Sheqishta e në vazhdim. Këto fshatra konfigurohen me zbritjet masive të popullsisë nga Shqipëria e Mesme dhe shënohen së pari në hartën e vitit 1847. Nga ky kontekst të tre këto fshatra duhen  konsideruar  bërthama demografike e zones, nga e cila buron edhe trashëgimia etnokulturore e saj, si: legjendat, këngët, folklori i pasur e deri në veshjen tipike popullore. E tillë është edhe veshja e nuseve të Strumit, një kostum i vecantë me një pasuri të madhe ngjyrash dhe dekoresh ku dominon e verdha. Aq tipike është kjo ngjyrë tek ai sa duket si një shenjë adhurimi për hënën. A thua se hëna e netëve verore kishte bekuar nëpër shekuj bukurinë e vajzave të kësaj zone? Kostumi mban emërtimin “Veshje grash të Strumit”dhe përbën një pikë graviteti për vizitorët në pavijonin etnografik të Muzeut Historik të Fierit. Ish - drejtori i parë i këtij institucioni, i ndjeri Gori Sota, e kishte blerë atë në vitet ’60 të shekullit kaluar dhe fliste me pasion për identitetin e tij përfaqësues. Eshtë pikërisht kjo simbolikë që e bën kostumin të rrijë plot dinjitet krahas takijes së burrave të Myzeqesë dhe gunës me rrëke të grave të Semanit. Nga përmasat e tij mund të përfytyrosh edhe trupin e hajthëm të femrës së dikurshme strumanake. Aq e vërtetë është kjo sa për të zhvilluar një aktivitet të tipit sfilat m’u desh të vishja disa vajza gjimnaziste, nxënëset e mia të shkollës “Alen”, por kostumi nuk i bënte asnjërës prej tyre. Vajzat e sotme me trup të zhvilluar e të shëndetshëm, ndryshojnë shumë nga vajzat e dikurshme të Strumit. Përmes qeshjes dhe haresë rinore të moshës, vajzat propozuan të vinte njëra nga shoqet e tyre, të bindura se vetëm asaj mund t’i bënte një kostum i tillë. Kur  erdhi vajza, një shtatgjatë e hollë si selvi, kostumin e kishte në masë. Teksa nxënësit zhvillonin aktivitetin e tyre artistik, unë ndiqja me sy të përhumbur imazhin e Bukuroshes së Strumit, ringjallur tek vajza që sfilonte me kostumin popullor të Strumit.
                                                                                                                  
                                     AFTËSIA KRIJUESE E TREVËS
    Në Suk - Strum, dy fshatra fqinj me njëri - tjetrin, kanë dalë dy këngë dhe një legjendë, të cilat për nga karakteri shprehës dhe niveli metaforik i tyre, hyjnë në përfaqësimin më dinjitoz të folklorit myzeqar. Të dy këta fshatra përbëjnë gjeografinë e një komuniteti që ka botë të pasur krijuese, ndjeshmëri të thellë shpirtëroree dhe identitet krahinor të përkorë.
    Në fillim të shek. XIX, në Suk, për motive fyerjeje u zhvillua një ngjarje konfliktuale midis pronarit të tokave, Ali agait dhe bujkut të varfër Hysen Tafa, i cili përfundoi me vrasjen e të parit. Pikërisht ky konflikt u ngrit në këngë nga banorët. Kënga titullohet  Me çil ma zure mazaranë” dhe bën fjalë për qëndrimin dinjitoz të fshatarit të varfër, i cili, për të vënë në vend nderin e tij, shiti kaun dhe bleu dogranë, armën e hakmarrjes.                                         
                                               “Me çil ma zure mazaranë?
                                                 Bir, Hysenj, o bir, o djalë!
                                                 Ma zure me Ali aganë,
                                                 më shite kanë, more dogranë,
                                                 shite lopën, bleve gjerdanë.
                                                Bir, Hysenj, o bir, o djalë!
                                                Në fushën e Sukut,
                                                Më rrihje nishanë,
                                                Bir, Hysenj, o bir, o djalë!
                                                I hipe pelës, shkove revan
                                                Bir, Hysenj, o bir, o djalë!
                                                Vrave Ali aganë.
                                                Bir, Hysenj, o bir, o djalë!”[1]

    Sot kjo këngë përbën jo vetëm një nga krijimet më të rralla trimërore në gjithë rrafshin e folklorit myzeqar, por edhe një nga tekstet më autentike të kësaj krahine, për faktin se në përbërje të saj, ka një metaforë origjinale dhe një përmbajtje balade shoqëruar me refrenin karakteristik të vajtimit të nënave myzeqare.  Metafora “Më rrifje nishan” është burimore, sepse rrjedh nga fusha e tipizimit të shpezëve kur përgatiten për pjellje. Shpendët kakarisin me ca tinguj karakteristikë si një këngë të nënzëshme teksa me sqep marin fije bari plot naze si nuse të turpshme dhe ndërtojnë furrikun poshtë tyre. Kjo shfaqet qartazi tek pulat e reja dhe veçanërisht tek patat, të cilat gagarisin më dukshëm. “Po rrifet për vezë”thuhet në Myzeqe d.m.th. për fillimin e tyre. “Po rrihte nishan” thuhet në këngë, d.m.th. po përgatitet për të vrarë. Në jetën e përditshme kjo metafor ka gjetur përdorim edhe në shprehje të tilla si: “Po rrihet moti për shi” etj. 
    Krijimi i dytë artistik në këtë fshat është legjenda e thurur për violinistin e njohur të kësaj treve, Tofik Brahim Sheme, i cili e ka kryer aktivitetin e tij në shekullin e kaluar. Legjenda është një nga krijimet e fundit të kësaj krahine. Ajo lidhet me konkurrencën e bilbilit dhe me bastin inatçor të një pasaniku. Është gatuar me të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin brumë mitik si në  përrallat orientale përzier me magjinë e netëve hënore të Omar Kahjamit. Legjenda bën fjalë për  një nga çastet lirike të argëtimit të burrave që këndonin e vallëzonin në hijen e drurëve gjigantë të këtij fshati. Kur Tofiku i binte violinës, heshtte bilbili mbi degë. Kur këndonte bilbili në degë, heshtte Tofiku në hije. Pasaniku nervozohet nga kjo heshtje reciproke e të dyve dhe e vë në sedër muzikantin, duke i kërkuar ta zbresë bilbilin mbi violinë, në këmbim të një qeseje me flori. Tofiku u mendua një çast pastaj mori harkun dhe e rrahu mbi instrument, duke ngritur sytë nga kurora e drurëve. Gishtat e xhindosur derdhën mbi tela pikëzat e rubinta të talentit. Vetëm gishtat e atij burri kishin aftësinë të flisnin me gjuhën e vërtetë të bilbilit. Dhe befas zogu zbriti nga degët, fluturoi një moment me droje mbi kokat e njerëzve dhe qendroi mbi violinë. Pastaj iku sërish të fshihej në kurorën e gjelbër të drurëve. Njerëzit shtangën. Pasaniku i zënë ngusht nxori qesen me flori dhe e vuri përpara violinistit sipas premtimit të bërë. Tofiku ia ktheu mbrapsht. Arti i tij nuk imponohej nga leku. Kjo është ndoshta legjenda më e bukur e kësaj treve, aq sa do ta kishte zili edhe vetë Nikolo Paganini. Pikërisht nga ky shtrat krijues ka lindur edhe kënga “Bukuroshja e Strumit.” Kjo do të thotë se në këtë komunitet ka ekzistuar një perceptim i lartë artistik për jetën, pavarësisht nga numri i banorëve, niveli ekonomik dhe gjeografia e kufizuar e territorit.

                                        HISTORIA TEKSTUALE E KËNGËS
   Në zonën e Roskovecit kujtohen shumë vrasje dhe shumë gra të bukura, por asnjëra prej tyre nuk është futur në këngë. Shpirti artistik i popullit të kësaj krahine ka ditur të qëmtojë majanë e ngjarjeve më pikante të jetës së tij. Trimëria dhe bukuria për të kanë qenë tepër të rralla. Filozofia e këtij konceptimi ishte gjithashtu tepër e qartë. Jo kushdo që vret është trim dhe jo të gjitha bukuritë janë të përshtatshme për të hapur portat e këngës. Pikërisht në këtë kontekst duhet parë kjo këngë. Madje kjo e bën edhe më të lehtë referimin semantik dhe analizën konkrete të saj. Gjithsesi kënga ka një histori tekstuale, e cila duhet bërë prezente në këtë analizë.
    Interesimi i parë për “Bukuroshen...” ka filluar në vitin 1979 nga udhëheqësi i kohës Enver Hoxha. Ish - sekretari i partisë së kooperativës bujqësore Grecalli, Bajram Çepele, në kujtimet e tij shkruan: “Në 6 - mujorin e parë të vitit 1979, kryetari i kësaj kooperative, Miti Shapka u thirr në Tiranë për të raportuar në një nga mbledhjet e Sekretariatit të K.Q. të Partisë për realizimin e planit të pambukut. Në përfundim të raportimit Enver Hoxha, mbasi e falenderoi për punën e mire, e pyeti  se në cilën kooperativë bënte pjesë fshati Bishanakë. Mbas përgjigjes Hoxha i thotë: “Në Bishanakë kam qendruar për një kohë kur isha i vogël dhe më ka pëlqyer. Më kujtohet mirë se në atë kohë këndohej një këngë që titullohej “Bukuroshja e Strumit.”Të nesërmen, kur u kthye nga Tirana, kryetari informoi ish - sekretarin e parë të Komitetit Partisë në Fier dhe organet e kooperativës për çka u tha në Sekretariatin e KQP.[2]  Por për këtë këngë nuk u interesua njeri deri në vitin 1983, kur gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të Rinisë, Enver Hoxha kontaktoi me Pëllumb Hazizin dhe e pyeti se nga ishte. Kur dëgjoi që ishte nga Strumi, Hoxha i foli për këngën e njohur. Mbas këtij momenti interesimi për këngën në Fier u bë aktiv. Kompozitori i njohur Nikollaq Bulo tregon se u ngarkua të merrej drejtpërdrejt me kërkimin e saj në terren. Ai ngriti një grup të përbërë nga vetë ai dhe dy specialistë të fushës, Bajo Toto dhe Refat Hyrija. Por në zonë nuk u gjet asnjë gjurmë. Kënga kishte humbur dhe pretendimi i Hoxhës u konsiderua i pamundur për t’u vërtetuar. Së fundi, nga punonjësit e kulturës u sajua një tekst dhe filloi përgatitja për t’u paraqitur në festivalin e Gjirokastrës. Kënga do këndohej nga vëllezërit me banim në Sheqin e Madh, Nikollaq e Vangjel Dano. Ja teksti i plotë i kësaj kënge të riprodhuar:          
                                           
                                                      “Moj thëllëzë e malit
                                                        Me llërë përveshur
                                                        Dil të shoh një herë me sy
                                                        Aman, aman, me buzë duke qeshur.
                                                        Gocë ç’u hodhe në va
                                                        Vajte tek burimi
                                                         Fol një herë me gojë,
                                                         Moj Bukuroshe Strumit
                                                         Me shtëmbë në krahë.
                                                         Gocë, në anën e brezit
                                                         Mbaje një kërma,
                                                         Fol një herë me gojë, moj Bukuroshe Strumit
                                                         Me shtëmbë në krahë,
                                                         Gocë, ngrije pak shaminë,
                                                         Moj të shoh bukurinë
                                                         Fol një herë me gojë, moj Bukuroshe Strumit.”[3]

    Pikërisht në këto momente, disa ditë para hapjes së festivalit të Gjirokastrës, Enver Hoxha botoi librin me kujtime titulluar “Vite të vegjëlisë”. Midis tyre zinte vend në mënyrë fragmentare edhe kënga e “Bukuroshes...” që këndohej prej xhaxhait të tij. Ky tekst përbën edhe dëshminë e parë shkrimore që na vjen nga gjysma e parë e shek. të kaluar. Është shumë i rëndësishëm fakti se krahas këngës labe e gjirokastrite si ajo e patriotit Balil Nezha, xhaxhai i Hoxhës këndonte edhe këngën myzeqare. Kjo dëshmon për kufijtë e shtegëtimit të foklorit të kësaj krahine. Enver Hoxha thotë se fjalët e këngës ishin pak a shumë këto:

                                                “O thëllëz’ e malit
                                                  Me llërë përveshur
                                                  Me shtëmba në duar
                                                  Ti shkoje buzë lumit
                                                  Ngreje ca shaminë
                                                  Moj Shën Mëri e Strumit” etj.[4]

 Por kënga nuk bëri ndonjë përshtypje të veçantë në festival. Gjithsesi Bulo thotë se për hir të saj, grupi i Fierit u vlerësua me çmim të tretë. Kënga u paraqit për herë të dytë në Gjirokastër në vitin 2008, e kënduar nga Llazar Dumi dhe Edmond Grëmbi. Këtë herë u vlerësua me çmim të tretë.
    Pra, hulumtimi i këngës në terren është kryer me ekip të specializuar dhe nuk ka rezultuar pozitiv. Por, përkundër thënies së Bulos, Refat Hyria, ish përgjegjës i kulturës në koop. bujqësore të Suk - Strumit dhe pjesëmarrës në ekipin e kërkimit në terren, tregon se atëherë ata kanë hasur në një shenjë. Kanë kërkuar në pesë fshatrat e kooperativës dhe kanë gjetur një shenjë të vetme në fshatin Velmish.”Aty, - thotë ai, - plaku i moshuar Rrapo Arapi kujtonte diçka nga kjo këngë, por grupi drejtues në Fier nuk e mori parasysh atë dhe e rregulloi vetë tekstin dhe melodinë e këngës.”[5]
        Dikur, para disa vitesh kur fillova të përfshihem nga interesi i kësaj kënge, munda të hulumtoj në Arkivin Shtetëror të Tiranës në fondin e Sheries (gjykatores) së Beratit, por nuk hasa ndonjë të dhënë. Gjeta vetëm një dokument që i përkiste vitit 1844, i cili bënte fjalë për një vrasje që kishte ndodhur në Strum. Dikush kishte vrarë një burrë nga fisi Apostoli dhe ishte fshehur në pyllin e dendur të këtij fshati. U deshën vetëm 3 ditë që të zhvillohej gjyqi dhe koshadhet ta kapnin kriminelin e ta ekzekutonin me varje, po aty ku kishte kryer edhe krimin. Më vonë u njoha me Pandeli Priftin nga Strumi, 85 vjeç, i cili kishte ikur shumë herët nga fshati dhe kishte qenë gjithmonë larguar me punë në sondat e shpimit të puseve të naftës. Pandeliu banonte afër Muzeut Historik të Fierit ku punoja unë, kishte të zhvilluar ndjenjën e interesit për trevën dhe kjo na afroi mjaft me njëri-tjetrin. Ai ishte pasionant i këngës dhe më dha një tekst të “Bukuroshes...” duke pretenduar se ky ishte origjinali. Madje e këndoi aty në praninë time me zë të ulët. Ai thoshte se e njihte historinë e saj, e kishte dëgjuar nga të afërmit dhe e kishte kënduar disa herë atë. Ky tekst ishte shumë interesant:

                                             “Thëllëzë, kur zbret nga mali
                                               Me llërë përveshur,
                                               Me buzë duke qeshur.
                                               Thëllëzë, më shkoje në lumë
                                               Më hidheshe në va
                                               Me shtëmbë në krah
                                               Ah, moj Bukuroshe Strumit, ah!
                                                Me dy qetë e zesë, lëroje në arë
                                                Me kindat e fustanit lesoje ugar
                                                Ah moj Shën Mëri e Strumit, ah!
                                                Në anë të brezit, më mbaje një kërma
                                                Ah, moj Bukuroshe Strumit, ah!
                                                Seç të erdhi beu, të vrau nënën dhe babanë
                                                Ah moj Shën Mëri e Strumit, ah!
                                                Seç nxore kërmanë, qellove beun dhe qehajanë.
                                                Ah moj Shën Mëri e Strumit, ah!”[6]

    Përtej kësaj njohjeje Prifti konfiguronte edhe gjeografinë e hershme të fshatit. Ai fliste për pyllin e dikurshëm që unë e kisha hasur në burimet arkivore dhe kujtonte përroin që zbriste pranë kishës së Shën Sotirit e që ishte tharë mbas ndërtimit të ujëmbledhësit të Kurjanit. Ky element ishte mjaft i rëndësishëm për të lidhur përshkrimin e vajzës me shtëmbë në krah. Përcaktori lumë apo përrua ishte dytësor. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në gjysmën e dytë të shek. XIX. Një çift kishte lindur shumë fëmijë, por kishte rritur vetëm një vajzë, e cila ishte aq e bukur sa  me të binin në dashuri gjithë djemtë e fshatit. Vajza ndihmonte të ëmën me punët e shtëpisë dhe të atin në punët e bujqësisë. Por bukuria e vajzës mbartte në vetvete edhe fatin e saj tragjik. Njëri nga bejlerët e zonës, sapo dëgjoi për të, erdhi në Strum dhe bëri çmos ta joshte. Vajza e refuzoi dhe, nga kërcënimi i tij, u armatos. Kudo ku vinte e shkonte, në lumë për të mbushur ujë apo në arë për të punuar, mbante gjithmonë një kobure në brez. Derisa një ditë beu tentoi ta rrëmbente dhe përdori armën ndaj prindërve të saj, që u përpoqën ta pengonin. Vajza e gjuajti gjithashtu me armë dhe në këtë përpjekje mbeti e vrarë edhe ajo.
    Një tjetër të dhënë të rëndësishme për këngën na e jep shkrimtarja dhe poetesha e njohur fierake Luljeta Dano. Luljeta kujton se gjyshja e saj nga i ati, Maria, ishte bija e Jorgji Kondakçiut, këngëtarit të njohur fierak në çerekun e parë të shek. XIX. Jorgji ishte kopshtar i Omer Pashë Vrionit dhe shkonte për të kënduar deri në Përmet e Leskovik, kudo ku e thërrisnin nëpër dasma apo kur shoqëronte pashanë. Ai e këndonte këtë këngë dhe Maria e kujtonte shpesh “Bukuroshen...” si këngën e tij më të preferuar dhe, sa herë që e kujtonte atë, bënte kryq. Bënte kryq sepse ajo nuk i thoshte vetëm“Bukuroshe e Strumit,” por edhe “Shën Mëri e Strumit.”
        
                                           DIVERSITETET TEKSTUALE
    Duke pretenduar se kjo këngë nuk është rishikuar mjaftueshëm deri më sot, po bëjmë një analizë krahasuese të teksteve të saj për të zbardhur sadopak përmbajtjen e tyre qenësore. Ky vështrim na ndihmon ndoshta për të dhënë variantin e tyre më përfaqësues. Tek të tre këta tekste të bije në sy cilësimi i Bukuroshes me thëllëzën e malit i cili është një element i natyrshëm dhe mjaft i njohur për krijimtarinë popullore. Element i dytë i përbashkët i tyre është shtëmba e ujit. Por ajo që është më e rëndësishmja është kërmaja, arma e brezit, e cila përmendet vetëm në dy tekste dhe mungon në tekstin e Hoxhës. Po të marrim parasysh faktin se Hoxha, sic thotë edhe vetë,  ka prezantuar vetëm një fragment të këngës, aq sa mund ti kujtohej në atë kohë, kjo mungesë është e justifikuar.




    Por ai na sjell një të dhënë tjetër interesante, shumë  më thelbësore e më të rëndësishme se kaq, stilemën “Shën Mëria e Strumit.” Nëpërmjet këtij mjeti Hoxha dëshmon shenjtërimin e vajzës. Ndërkohë kjo dëshmi duhet konsideruar edhe një sakrificë për figurën e tij, pasi për ngjyrimet politike të kohës ajo përbën një paradoks. Në kohën kur Hoxha, si kreu i politikës shqiptare, kishte ndërmarrë aktin më të paprecedentë të vitit 1967 për shembjen e objekteve të kultit dhe kultin e gjithë shenjtorëve të të gjitha feve e besimeve fetare, 16 vjet më vonë nga ky apokalips, në vitin 1983, pikërisht ai, anatema dhe blasfemia e besimit, ringjalli kultin e një vajze duke e shkruar atë në origjinal “Shën Mëria e Strumit.” Ç’kishte ndodhur vallë me ndërgjegjen e kreut të shtetit shqiptar, i cili, pasi kishte prerë mijëra koka njerëzish për besimin komunist nuk mundi të “priste”kokën e një vargu kënge? Nëse Hoxha nuk do ta shkruante këtë varg atëherë kjo këngë do të kishte vdekur në vetvete për shkak të anemisë kuptimore. Sepse askush nuk do ta besonte as vargun e kënduar dikur nga Joti Prifti, i ardhur nëpërmjet kujtesës së një fëmije, as kryqi i gjyshe Marijes, përcjellë deri më sot nga rrëfimi i Luljeta Danos, as teksti i ruajtur nga Pandeli Prifti. Me shkrimin e këtij teksti dhe origjinalitetin e tij, Hoxha ka bërë një akt kulturor shumë fisnik për folklorin myzeqar, ringjalljen e këngës. Vetëm sipas Hoxhës Bukuroshja e Strumit, nuk është vetëm bukuroshe, por edhe Shën Mëri. Këtë shkallë sipërore të vlerësimit të saj në popull nuk e hasim në asnjë këngë tjetër të folklorit myzeqar madje as më gjerë se kaq. Kjo është një e dhënë historike shumë e rëndësishme që na vjen nëpërmjet tekstit të saj dhe përbën interes shumë të madh studimor.
    Por ç’ka ndodhur vallë që një vajzë fshati të hyjë në këngë jo vetëm si e bukur por edhe e shenjtëruar deri në sinonim? Ç’ka ndodhur me popullin e kësaj zone që ka paralelizuar portretin e saj me shenjtoren më të adhuruar të Botës? Ç’farë shpirti të ndjeshëm kanë pasur ata që guxonin të ngrinin figurën e një vajze deri në kult?  Ç’ ka bërë ajo për ta? Cili ka qenë akti i saj madhor?  A nuk është kjo një shenjë që na thërret për të gërmuar në zgafellat më të thella të kujtesës popullore?
    Duket qartë se nëpërmjet këtij shenjtërimi banorët e kësaj treve na kanë dhënë një shenjë të jashtëzakonshme, një shenjë të rrallë, që nuk e hasim në asnjë komunitet tjetër. Në kohën e krijimit të kësaj kënge aty ka pasur tre kisha: Shën Gjergji në Strum (Matkëz), Shën Kolli në Kurjan dhe Shën Marini në Roskovec.[7] Në të trija këto objekte kryheshin ritet fetare dhe ndizeshin qirinj për të gjallë e për të vdekur. A nuk mjaftonin ato për të ndezur edhe qirinjtë e Bukuroshes? Duket se jo! Bukuroshja paska qenë një vajzë aq e rrallë sa nuk e nxinin tre kisha. Shpirtin e saj nuk e ndriçonin dot as qirinjtë e tre kishave, as tre altarët e tyre, as psaltja e tre priftërinjve. Bukuroshja meritonte një adhurim të vecantë, një altar të vecantë, një kishë të vecantë. Dhe ata e ngritën atë. Ngritën një kishë folklorike me themele të derdhur në thellësinë e shpirtrave të tyre adhurues.
Por për fat të keq, ky element, megjithëse ishte i shkruar nga Hoxha, nuk u përfshi në tekstin e krijuar nga punonjësit e kulturës në Fier. Madje kënga edhe mbas daljes së librit edhe më vonë mbas rikthimit të besimeve fetare nuk u korrigjua. A nuk është ky një mëkat kulturor? Realisht duhet pranuar se ky tekst është një artific që nuk përqaset as me lirikat e vërteta myzeqare. Ai na paraqet në vijë lineare vetëm rrëfimin për vajzën që shkon në burim dhe djemtë që i luten të ngrejë pak shaminë për të parë bukurinë e saj të fshehur. Vetëm kaq. Dhe me këtë përmbajtje të vakët kënga del një lirikë e rëndomtë dhe mjerisht pa lidhje me brumin krijues të trevës. Madje e pakuptuar. Asnjë dramë s’ka brenda saj, asnjë dhimbje, asnjë tragjedi, asnjë shenjë heroizmi për jetën, asnjë  metaforë që të rrezatojë vlerat socialhistorike dhe emocionet karakteristike të këngve myzeqare të shekullit 19-20. Kujtojmë këtu për krahasim perlat e vërteta të traditës, lirika të tilla si; “Jemi mbledhur sonte”apo “Të martoi nënoja në prill, o moj në prill.” Ja një strofë e këngës së parë:
                                              “Jemi mbledhur sonte, shokë,
                                                s’kemi ku të shtrojmë hordhinë
                                                Hënëza kurrë mos daltë,
                                                dritë kemi dashurinë.”[8]
 Ç’farë force ka kjo këngë? Ç’farë nervi figurativ përdor poeti popullor për të përshkruar fluksin emotiv të pasionit, i cili shkon deri në përmasat krahasuese me hordhinë? Ndërsa në lirikën tjetër gjen të tjera mjete, me tone më të buta, më të kadifenjta, por me një regjistër mjaft të lartë artistik.
                                               “Të martoi nënoja, në prill o moj në prill
                                                 Gëzuar ma shkofsh beharë
                                                 Seç të ranë dy pika lot
                                                 Të prishën të kuq e të bardhë.’[9]
    Në përfundim mund të themi se nga tre tekstet e prezantuar, më i ploti dhe më pranë origjinalit duket se është ai i mbledhur nga Pandeli Prifti. Ky tekst ka në përmbajtjen e vetë gjithë dramën e vajzës së bashku me shenjtërimin e saj. Përmbi të gjitha ai ka dy vargje pikante që mbartin një metaforë brilante e që flasin sa një epokë e tërë historike:

                                           “Me dy qetë e zesë lëroje në arë
                                             Me kindat e fustanit, lesoje ugarë.”
Këto dy vargje japin thelbin e këngës dhe ndërtojnë piedestalin artistik të krijimit. Që të dy harmonizohen bukur edhe me shpirtin krijues të trevës shprehur në këngën trimërore të Sukut dhe legjendën e violinistit.
    Nga përmbajtja e këtij teksti shfaqet gjithashtu edhe një sistem shenjash të veçanta, të cilat duhen deshifruar e interpretuar me kujdes. Pa këtë sistem nuk mund të hyjmë në misteret e saj dhe as mund të njohim vlerat e vërteta të këtij krijimi. Është pikërisht ky sistem që mbart në vetvete një trinitet të përbërë nga bukuria femërore, puna dhe nderi. Është triniteti i jetës, i cili me pak rreshta jep thelbin e saj. Bukuria jepet nëpërmjet thëllëzës së malit, puna nëpërmjet shtëmbës e ugarit, ndërsa nderi nëpërmjet armës. Pra nga teksti i kësaj kënge ne mund të zbardhim jo vetëm historinë e një vajze, por edhe historinë e vetë këtij komuniteti. I tillë është folklori. Vlera e tij është e pazëvendësueshme, kur mungojnë dokumentat autentike të një ngjarjeje të caktuar. “Për shumë shekuj me radhë – thotë Ismail Kadare - poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, mesazhi i transmetuar nga brezi në brez.[10]
Një shembull i tillë na vjen edhe nga kryengritja antiosmane e Rrapo Hekalit e vitit 1847 në Mallakastër. Populli ka thurur për këtë kryengritje 12 këngë, të cilat përbëjnë historiografinë e saj të plotë. Nga përmbajtja tekstuale e tyre  është rikrijuar gjithë kronika e ngjarjeve. Njërën nga ato, botuar në vitin 1878 nga Thimi Mitko në “Bëleta shqypëtare”, Fan Noli e interpretonte si fillimin e patriotizmit shqiptar. Nga këto këngë u mor edhe vargu i famshëm “Sos për mua a për ti, po për gjithë Shqipëri,” të cilin Sami Frashëri e përdori si slogan të Rilindjes sonë Kombëtare. Nga ky këndvështrim pra, sistemi i shenjave dhe trekëndëshi i jetës që shfaqet nëpërmjet tyre, na jep historinë reale të kësaj kënge. Pra nuk është historia ajo që na çon tek kënga, por përkundrazi, është kënga që na çon tek historia.
    Komponenti i parë i këtij trekëndëshi, bukuria na jepet në mënyrë të thjeshtë, por mjaft domethënëse. Personifikimi i vajzës me thëllëzën e malit është vetëm një pjesë e kësaj bukurie e cila nuk përbën ndonjë specifikë të rëndësishme, pasi gjendet edhe në shumë këngë të tjera popullore. Por poeti nuk mjaftohet me kaq. Ai nuk përdor figura të zakonshme e të njohura në shekuj e në popuj të ndryshëm si; fytyrë hënë, vetull shushunjë, shtat selvi etj, etj. Mos vallë nuk mundej? Natyrisht që po, por mjete të tilla nuk mjaftonin për Bukuroshen e Strumit. Bukuria e saj është përtej së zakonshmes, përtej së njohurës, përtej njerëzores. Veçse ajo është një bukuri e fshehtë. Ajo nuk duket, nuk zbulohet, nuk shfaqet. Ndërkohë, ne e përfytyrojmë atë pikërisht nga kjo fshehtësi.  Sepse mjeshtri popullor na e jep me një mënyrë krejt të veçantë, me anë të nëntekstit. Nënteksti krijohet nga lutjet e djemve që i drejtohen vajzës për ta zbuluar pak fytyrën. Ata i zënë pusi kur shkon në lumë, kur hidhet në va apo kur punon në arë dhe i luten ta ngrejë pak shaminë, të shikojnë bukurinë. Është pikërisht kjo lutje që pasqyron bukurinë e saj të rrallë deri në shenjtërim. Sepse djemtë krahas lutjes për ta parë, nuk e ftojnë për kënaqësi fizike.  Pra kënga nuk është një lirikë e shfrenuar erotike dhe nuk ngarkohet me orgji sensuale. Ajo nuk i ngjet këngës së Dudisë që “Kur shkon në ato varre, të vdekurit i ngjall/ Të gjallët i vdes fare.” Nuk u ngjan as ahengut të kabareve, apo këngëve të sokakut beratas me trak e truket e nallaneve, apo çengive tiranase që tundin vithet për të joshur hamshorët qejflinj të zgjidhin ushkurët e qeseve të floririt dhe t’ua vinin monedhat në të përbrendshmet e gjoksit. Bukuroshja nuk ka delikatesën e zonjushave të pasura beratase, nuk mban sako në trup, as erashkë, as gjerdan floriri, as urupa në gushë. Ajo nuk ka kapele dhe gusha nuk i zbardhon si top sheqeri, flokët nuk i ka të ngjyrosur me këna dhe trupi nuk i vjen aromë jasemini, tipike këto për lirikat orientale të kohës që kishin ndikim të theksuar në folklor. Përkundrazi tek “Bukuroshja...”është një tragjedi e kohës, e cila ka si shkak bukurinë femërore. Është bukuria ajo që transformohet në fatin e saj tragjik. Ky fat jepet nëpërmjet dy qeve të zesë me të cilët vajza lëronte arën për mbjelljet e pranverës. “Me dy qetë e zesë, lëroje në arë”, thotë kënga. Këtu kemi komponentin e dytë të trekëndëshit, punën. Ajo punon në arë, djersin, shkon në lumë me shtëmbë në krahë për të mbushur ujë, sepse e tillë është jeta rurale. Pa këtë përpjekje nuk mund të sigurohej ekzistenca e familjes së saj. Por ndërkohë, brenda këtij vargu përfshihet edhe fati i saj i zi, i njëjtë me fatin e zi të nizamit te kënga e famshme e “Urës së Qabesë.” Edhe këtu fati i trishtë i nizamit jepet nëpërmjet ngjyrës së zezë të qeve.

                                          “Të fala të m’i bëni nënesë
                                              Të m’i shesë dy qetë e zes.”
Kjo paralele fati e “Bukuroshes së Strumit” me nizamin e “...Qabesë”, është një mesazh i rëndësishëm që flet shumë për gjendjen e shoqërisë shqiptare në periudhën e pushtimit osman dhe vecanërisht për gjendjen e femrës shqiptare në këtë realitet. Madje është pikërisht kjo gjendje që guflon një dhimbje aq të thellë, sa është bërë edhe shkak i krijimit të këngës. “Kënga del nga dhimbja” thoshte Dritëro Agolli. Në rastin konkret nëse vajza nuk do ishte fatkeqe nuk do ti kushtohej një këngë e tillë.   Historikisht kur dokumentohet e kënduar Bukuroshja e Strumit, në Fier erdhën sazet e para nga Berati, ato të Isuf Përmetit. Sazet i shoqëronin dy çengi, Difja dhe Bihanja. Të dyja bënin aheng në kabaretë e qytetit. Difja ishte aq e bukur sa mblidhte qejflinjtë e jetës së natës sa shqetësoi edhe Vrionasit, të cilët e shpërngulën kazinonë që ishte përpara sarajeve të tyre. Më pas filluan ta merrnin agallarët e pasanikët e zonës për ta shijuar bukurinë e saj femërore, por askush nuk i ngriti këngë. As Kiu Poro, këngëtari i famshëm fierak që dha frymën e fundit mbi gjoksin e saj nuk i kushtoi as edhe një varg të vetëm. Përkundrazi në ditët e fundit të jetës së tij ai këndonte “Gocën e berberit,” kushtuar dashurisë së tij të parë e të parealizuar.
    Por ndryshe nga “Ura e Qabesë” ku fati i nizamit vizatohet në mënyrë lineare me ngjyra të kobshme, tek “Bukuroshja e Strumit” kemi një thyerje të menjëhershme të imazhit, një thyerje të befasishme, gati-gati marramendëse. Mbas penelatave të shkurtra e të kursyera që dëshmojnë fatin e saj të trishtë, poeti shkëputet në mënyrë të menjëhershme për t’u kthyer sërish tek bukuria. Pikërisht në momentin, kur ne presim të na shfaqet lodhja e saj, djersa, mundi dhe sakrifica fizike, ai na e paraqet atë në një tjetër pamje. “Me kindat e fustanit, lesoje ugarë”. A ka metaforë më të bukur se kjo? A nuk është kjo një perlë e vërtetë e folklorit myzeqar që të verbon me rrezatimin e saj prej diamanti? Cila krahinë nuk do ta kishte zili një metaforë të tillë folklorike? Nëpërmjet saj populli ka arritur të na japë një imazh të vërtetë shekspirian, të denjë vetëm për zanat dhe perënditë. Dhe fill mbas këtij imazhi kemi sërish një thyerje tjetër:

                                   “Në anë të brezit, më mbaje një kërma
                                     Ah, moj Bukuroshe Strumit, ah!”
Te këto vargje shfaqet komponenti i tretë i trekëndëshit të jetës, nderi. Në realitetin e kohës bukuria femërore të skallavëronte, prandaj ajo është në luftë me këtë realitet. Për të ruajtur nderin vajzëror ajo ka vetëm një mundësi, të përdori mjetin e burrave, armën. Pra, për ironi të fatit bukuroshja është një burrë. Historia shqiptare njeh shumë vajza që janë shquar për kontribute me heroizëm burrëror. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore,  në vitin 1943, dhjetë ditë pas pushkatimit të Margaritës dhe Kristaq Tutulanit, orientalisti i njohur Vexhi Buharaja, shkroi një vjershë me titull, “Margaritës.”

                                                  “Zbardhi shpata,... u nxi dita,
                                                    Ra një trup,... u ngrit një emër,
                                                    Ra dëshmore Margarita:
                                                    Doli burri nga një femër.”[11]
    Kështu shkruan Buharaja: “doli burri nga një femër”. Ky konotacion poetik krijon një paralel të fuqishëm me burrërinë e Bukuroshes. Populli nuk e shpreh në mënyrë direkte, por në ndjesinë e tij del qartë koncepti i burrërisë. Dhe së fundi gjithë kjo sakrificë merr formën e një tragjedie. Bukuroshja mbron veten nga rrëmbimi dhe vritet së bashku me prindërit.

                                                    Seç të erdhi beu, të vrau nënën dhe babanë,
                                                    Ah, moj Shën Mëri e Strumit, ah!
                                                    Seç nxore kërmanë, qellove beun dhe qehajanë.
                                                    Ah, moj Shën Mëri e Strumit, ah!”[12]
Bukuria e saj u konvertua në akt heroik. Një heroizëm që nuk përshkruhet nga dekretet ligjore qeveritare, por nga populli. Sepse tek shëmbëlltyra e saj populli pa përfaqësimin e vet. Tashmë, pas vdekjes, vajza nuk është më një bukuroshe por një shenjtore. Populli e qan atë me “ah!” I tillë duhet parë edhe variacioni i dyzuar:  herë bukuroshe, herë Shën Mëri. Një dualitet jetë-vdekje. E tillë duhet parë figura e saj dhe si e tillë duhet trajtuar. Dhe në këtë vështrim del më në pah prarimi i artë i shenjtërimit të saj. 

                                             NE VEND TE MBYLLJES  
     Për fat të keq kënga nuk u ruajt nga ne dhe nuk u përcoll sipas traditës popullore nga brezat tanë. Arsyet mund të jenë të shumta që nga ndalimi i saj prej bejlerëve të kohës deri në mënjanimin nga ngjarjet tragjike të luftrave dhe zëvendësimi i saj me kultin e trimave dhe dëshmorëve të rinj. Ndoshta ka udhëtuar nëpër kohë me stilemën “Shën Mëri e Strumit” dhe kjo ka ngjallur reaksionin e idhullimit fetar dhe është penguar prej priftërinjve. Ndërsa mbas vitit 1967 kur u ndalua besimi fetar ky reaksion mori ngjyra politike. Viti 1983 është tepër i vonët për ringjalljen e saj. Brezat ishin ndërruar. Gjithsesi kënga na vjen sërish nga kujtesa e të tjerëve pavarësisht e vonuar dhe e thyer si “copëza amfore.” Janë të tjerët ata që e kanë ruajtur, e kanë pëlqyer, e kanë kënduar dhe është fat që e sollën sërish midis nesh. Kjo meritë i takon Enver Hoxhës. Ishte interesimi i tij që në vitin 1983 filloi gërmimi në kujtesën popullore të trevës. Por tashmë, zgafellat e errëta të saj ishin shembur dhe e kishin zënë rrëmujshëm nën vete. Pasioni i Hazizit apo punonjësve të kulturës në Fier për ta rikrijuar atë, është një përpjekje pozitive pavarësisht motivimit politik. Dhe ata mundën të bënin atë që bënë, aq sa i përsëritën së paku emrin, ashtu si përsëriten emrat e njerëzve tek brezat e të njëjtit gjak. Dështimi këtu ishte me rikrijimin. Së paku të ishte lënë vargu “Shën Mëri e Strumit” të tillë si e quante edhe Hoxha. Por teksti i Hoxhës nuk u kuptua. Nuk u kuptua shenjtërimi i Bukuroshes. Për të dëshiruar lë edhe puna kërkimore e ekipit në terren. Pse nuk është marr parasysh gjurma e gjendur në Velmish? Po banorët e Strumit që kanë qenë larguar herët nga fshati si rasti i Pandeli Priftit pse nuk u kontaktuan? Mos vallë kërkimi në terren ka qënë një detyrë politike vetëm për t’i bërë qejfin udhëheqësit të kohës? Gjithsesi duke besuar në origjinalitetin e tekstit të Priftit, duhet thënë se kënga duhet të rishikohet në mënyrë që teksti i mëparshëm të zëvendësohet me tekstin e gjetur. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kurojmë paksa këtë plagë të thellë folklorike. Vetëm kështu do fashiten ndjesitë negative për ta quajtur atë sajesë apo mit. Vetëm kështu e vëmë këngën në udhën e gjerë të brezave, e cila si një bashkudhëtare besnike, do të sjellë vazhdimisht pranë tyre magji dhe realitet, mistikë dhe elegancë, art dhe histori.  Dhe vetëm kështu kënga do të luftojë me tendencën absurde të mosbesimit dhe do bëhet pjesë e trashëgimisë dhe do kthehet në shtratin e dikurshëm të rrjedhës së saj kulturore. Vlen të kujtoj një thënie të bukur me konotacion dëshpërues për ne. Të tjerët gjejnë një gur dhe i vënë një emër, ne, gjejm një emër dhe i vëmë një gur… Por guri i çmuar i Bukuroshes është një diamant në gjerdanin e vlerave të kësaj zone që do të shndrisë gjithmonë e më shumë. Si një bukuroshe dhe Shën Mëri, si një dhimbje e bukur dhe bukuri e dhimbshme që sollën historinë tragjike të kësaj vajze. Ajo do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen, bërthama e një cikloni që vërtitet pafundësisht në kujtesën e njerëzve duke mbjellë përherë e më shumë sfida të reja të interpretimit shumëplanësh.
Nuri PLAKU
Drejtor i Muzeut Historik Fier


[1] Nikoll Margilaj & Frederik Jorgaqi, “Zemrat me diell mbushur” këngë popullore,”Naim Frashëri”,Tiranë, 1981 fq. 97.

[2] Bajram Cepele,  “Bukuroshja e Strumit”, kujtime, MH Fier.
[3] Nikollaq Bulo, “Bukuroshja e Strumit”, kujtime, MH Fier.
[4] Enver Hoxha, Vite të vegjëlisë, kujtime për Gjirokastrën. Tiranë, “8 Nëntori” 1983, fq.157.
[5] Refat Hyria,  Shënime për “Bukuroshen e Strumit”, Muzeu Historik Fier.
[6] Pandeli Prifti. Bisedë e zhvilluar në Muzeun Historik Fier, dt. 06.06. 2016.
[7] Shën Sotiri në Strum - Kallfaj është ngritur në vitin 1929 pas krijimit të kësaj kënge.
[8] Timo Lule, “Fieri dhe kenga”, YMERAJ, Fier 2009, fq. 27.
[9] Po aty, fq.30
[10] Ismail Kadare, Autobiografia e popullit në vargje, “Naim Frashëri”, Tiranë 1980, fq.7.
[11] Ahmet Kondo, Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari 1920 – 1987, Beart, UEGEN 1995, fq. 49.
[12] Pandeli Prifti. Bisedë e zhvilluar në Muzeun Historik Fier dt. 06.06. 2016.