Wednesday 25 September 2019

Fantazma! Diskursi i saj me fotografi në krah të Udhëheqësit






E njihja një familje me njëmbëdhjetë fëmijë. E dymbëdhjeta lindi në kohën e kafesë së elbit, por kurrë ajo kafe nuk u pi në atë familje, sikurse ndodhte me të tjerat. Atje pihej kafja nëntëqindëshe, dhe jo e jo ajo gjashtëqindëshja. Ama, të gjithë flisnin për një familje të urtë, të dëgjueshme, të respektueshme, edhe pse gjetkë, a diku vesh më vesh shpotazi fjalët kapnin rrëkerëza të tjera. 
Punë thashëthemesh! – thoshin, e kanë inat se është nëna Heroinë që ka takuar dhe bërë fotografi me Udhëheqësin. 
Ndërsa ndodhte kështu, ama, të gjithë habiteshin me disa gjëra që ndodhnin ndryshe në atë familje: fikeshin dritat shpejt edhe pse kishin televizor me ngjyra, visheshin mjaft mirë dhe pse askush prej tyre nuk punonte, por… ama kishin një fotografi të madhe, të vendosur në korridorin e shtëpisë, ku kishin pozuar në të Nëna Heroinë me Udhëheqësin e asaj periudhe. Shtylla e shtëpisë, i Zoti i asaj shtëpie. e kishte merak litërshen e rakisë përditë dhe kështu bashkë me oreksin e saj ditë pas ditësh ai shtoi dhe oreksin e ditëve, orëve dhe minutave të ikjes nga ajo shtëpi e madhe, nga jeta e vet. 
Kur e varrosën, të tjerët u mblodhën dhe diskutuan, pastaj me urdhërin e të deleguarve nga Lart mblodhën ndihma për përcjelljen e tij, por ndodhi që u habitën. … dhe ishin të gabuar, kur të Deleguarit u thanë që të mos bënin asnjë fjalë: “Një sy qorr e një vesh shurdhë”. “Nuk mund ta bëjmë hajdute një familje të tillë me Nënën Heroinë në krah të Udhëheqësit” – u mësua vonë të ishte thënë.
Në atë familje nuk mungonte asgjë. Nuk mungonin as patatet, as fasulja, as… dhe të gjitha të vjedhura natën kur atje fikeshin dritat. Ndaj dhe gjatë varrimit, sikurse ndodhte në mjaft raste, folën Kryetari i Këshillit të Bashkuar, Sekretari i Byrosë së Partisë, e mjaft të tjerë dhe në ballë të varimit e deri në përcjelljen në banesën e fundit e shoqëronte kortezhin fotografia e Nënës Heroinë me Udhëheqësin.
Në atë kohë ndoshta kjo fotografi e kishte një arsye. Vonë, sapo kishte ardhur Pluralizmi, atë fotografi, sikurse u tha, vetë fëmijët e Nënës Heroinë, ia kishin lidhur një maceje dhe e shëtisnin nëpër udhë, duke tërbuar macen e gjorë. Pas disa vitesh të tjera në një nga Televizionet Publike, tre a katër fëmijë tashmë të rritur nga ajo familje, e quanin publikisht nënën e tyre “K….” dhe kërkonin që t’u bëhej ADN-ja se nuk e kishin pasur baba, atë që njihej në dokumentat zyrtare. 
Dikush që e kishte parë këtë emision dje më tregoi një mesele tjetër… Pastaj diku në rrjetet sociale më bëri paralele me disa foto të tjera. U mundova t’i them se nuk kishin lidhje. Këto foto nuk janë … 
Por ende pa e mbaruar unë fotografinë ai me plot nervozizëm më tha: “Janë e njëjta familje. Nëna e tyre ishte Heroinë… Kanë privilegjin e saj dhe këto fotot me Udhëheqësa janë të ngjashme… Nëse nuk do ta kuptosh…., puna jote”. 
Eh, mirë i thashë. Puna ime. 
Pakuptimtë? E Pakuptimtë?
Edhe nëse këto foto e bëjnë tani të pakuptimtën ende, vetëm sarkazmën dhe ironinë që nis në Tiranë e mbaron në Prishtinë nuk mund ta lënë në mëdyshje, ajo që mbetet për tu gëzuar është se këto foto përditë e më shumë po vjedhin nga ditët tona të jetës, dhe jo më fasulet dhe patatet e kooperativës. 
Sot kjo fotografi ka lindur me gaz!
Si ditën kur u takuan për herë të parë. Por çfarë dobie ka një fotografi nëse vazhdon të dhemb? Frymë larg në rrjedhën e saj, larg në rrjedhën e ngjarjeve. 
Përgjigjja është e paqartë. Gjithmonë e paqartë.
Por një gjë është e qartë, gjuha e këtyre fotografive: “Edhe nëse fundosem edhe më thellë në përqafimin e dhimbjes, do të kujtoj dritën e ditëve më të mira”. 
“Ore zotëri nuk dashke ta kuptosh? Kjo nuk është asgjë! Vjedhja është tashmë ilaç me fotografi… ndaj duhen këto fotografi në Facebook …” Pastaj ka zëra se…  
Se çfarë? Zëra, more zëra..., që askush nuk përgjigjet. 
Ato zëra… Po zërat nga jashtë janë pozitive.
Po, kush do të përgjigjet për zërat nga brenda?
Fantazma! – i them. Të paktën fantazma e natës po na çon në gjumë. Të paktën ajo nuk ka pse të vdesë në një ëndërr. Ëndrra që u copëtua shumë kohë më parë…

DJEMTË E PODGURIT, DO TA MBAJN’ BAJRAKUN!

Kadri Tarelli shkruan:

DJEMTË E PODGURIT, DO TA MBAJN’ BAJRAKUN!
Baladë kushtuar luftëtarit Bajram Sali Gashi, “Dëshmor i Kombit” 

O Bajram Salihi, nga familja Gashi!1
Mësues e drejtor, të pat Shënavlashi.
Moshë djalërie, i pjekur në mend,
Nëpër oda burrash, ti mbaje kuvend.

Për shkoll’ e mësim, s’ t’u dhimb pasuria,
Sytë te vocërrakët, në mend shqiptaria. 
- Shqip mësoni djem, gjuhë dhe dituri!
Se janë rreze drite, për komb dhe liri.

Mik, poet Lazgushin, prite dhe përcolle,2
Në çdo shtëpi fshati, në çdo prag kasolle.
Mësues Haki Taha, erdh bashkë me ty,3
Kosova dhe lufta, ju mori të dy.

Gjak i Ulqinakut, nga Durrësi thërret: 
Lufto për Atdhe dhe në luft’ me mbet! 
Nëna ju mëkoi, me ëndërr bashkimi,
Kosova jep kushtrim: bini hasmit, bini!

Armët brezit ngjeshe, si burrat qëmoti,
shqiponjën mbi krye, flamur Kastrioti.
Mali t’u bë strehë, përballë një ushtri,
A dorëzohet trimi, kur vdes për liri?

Zjarr po ndizet bjeshka, gjëmon gjyle topi,
Nan’ e gru’ burrnesha, syrit ngriu loti.
Mos pikojë dhimbja, mos dridhet qerpiku,
Burrat nuk vajtohen! Na njeh mir’ armiku.

-Vëllezër! Un’ për Kosov’, sot po e fal gjakun!
Se djemt’ e Podgurit, do ta mbajn’ bajrakun!4
Çka thotë Sali Rama e bab’ Ram Alia,5
-Kosova asht’ e jona! Ç’do këtu Serbia?

Hero Bajram Gashi, o Bajram lavdia!
Të kujton Istogu, të nderon Shqipnia,
Vitet rrodhën lumë, mes nesh je i gjallë,
Me plisin mbi krye, sikur ishe djalë.

Shënim: 
1.    Bajram Sali Gashi është dekoruar “Dëshmor i Kombit”. Tiranë 1994.
2.    Poeti lirik Lazgush Poradeci.
3.    Haki Taha, autori i atentatit ndaj Miladin Popoviçit. 1945
4.    Podguri, krahinë e Kosovës, me qendër qytetin e Istogut
5.    Bajram Sali Gashi dhe at e bir, Ram Alia e Sali Rama, ranë në luftë kundër ushtrisë serbe, në Mars 1945.


THOMA DHIMITËR NINIA


(Fotografi i parë në Vlorë)
Nga Luan Çipi

Thoma Ninia,  ka lindur më 14 Shtator 1896 në lagjen Varosh të qytetit të Vlorës, në një familje të hershme qytetare zejtare dhe ka vdekur po në Vlorë, në lagjen Kume Skelë, më 16 Qershor 1973. Babai i tij Dhimitri dhe e ëma Sofija, jetonin të lumtur dhe të gëzuar me 5 fëmijët e tyre (katër djem dhe një vajzë), ku Thomai ishte i parafundit. Familja tradicionalisht trashëgoi profesionin e këpucarit, ku siguronin me punë  një jetesë normale e pa shqetësime.
Thomai ndoqi Shkollën Ruzhdie turke dhe më pas Shkollën Tregtare të qytetit dhe në vazhdim, veç turqishtes, mësoi dhe shqip, italisht e greqisht dhe qysh fëmijë, veç profesionin këpucar, trashëguar nga babai, kish pasion edhe fotografinë, që më vonë u bë profesioni bazë jetik  për të dhe për familjen e tij. Ai, pati fatin që herët, në vitin 1915, të njihet, miqësohet dhe të përfitojë njohuri të thelluara për fotografinë, prej Gegë Marubit, nga familja e famshme shkodrane e fotografisë, ardhur me filialin e tij, të hapur në qytetin e Vlorës, me të cilin u miqësua familjarisht dhe bashkëpunoi e përfitoj siguri e kompetencë profesionale. Ata, së bashku me Marubin, ngritën në mesin e qytetit të Vlorës, në një pozicion dominues, një studio të përbashkët fotografike, që ka fiksuar në blic, gjurmë të rëndësishëm historike e qytetare. Kjo studio fotografike, që u trashëgua shpejt personalisht nga Thoma Ninia, ka funksionuar pa ndërprerje me sukses, në Kohën e Zogut dhe gjatë Okupacionit Italian e Gjerman e deri pas Çlirimit, kur stafeta ju dorëzua birit të vetë, Stiliano Thoma  Ninia, (Noja) së bashku me kunatin e tij Vangjel Dhjaku, i cili nuk e arriti çlirimin e vendit,  sepse u ndikua nga lëvizja komuniste dhe doli malit për liri.
Thoma Ninia, njihet kështu pa mëdyshje, si themeluesi i traditës për fotografim dhe pionieri i fotografisë në qytetin e Vlorës. Ai ka meritën e padiskutueshme të fiksimit të përjetshëm të personave dhe pamjeve të rëndësishme historike e jetësore, duke përfshirë ngjarjet e papërsëritshme të varrimit të Ismail Qemal Beut në Kaninë, e më pas në Vlorë, ceremoninë e varrimit të patriotit  Avni Rustemi në Vlorë, pamje të objekteve me rëndësi historike si të Sahatit dhe Merkatos së qytetit, Prefekturës, Sheshit të Flamurit, Portit Detar, Bregdetit, Ujit të Ftohtë, si dhe figura atdhetarësh, heronjsh e dëshmorësh, çeta luftëtarësh, dijetarësh e besimtarësh. 
(Aq i veçantë ishte si profesionist, fotografi Thoma Ninia, sa u përzgjodh nga vet mbreti Zog, për të shoqëruar në fotografim motrat e tij, që vizituan qytetin e Vlorës dhe rrethinat e tij).
Thoma Ninia përmendet edhe për figurën e tij korrekte, të ndershme e të besuar, për ngrohtësinë njerëzore dhe për humorin e optimizmin e tij me një shoqëri të gjerë e të zgjedhur vlonjatësh dhe më tej, nga mbarë vendi. Nuk është rastësi fakti domethënës që Thoma Ninia të zgjidhet, për një kohë të gjatë, nga viti 1937 deri në vitin 1944, si Kryeplak i lagjes  Skelë, duke gëzuar dashurinë, privilegjin e drejtuesit dhe respektin popullor, përfshirë këtu edhe periudhën e trazuar të Luftës Nacional Çlirimtare, kur ai u dallua dhe si antifashist. Në periudhën e Okupacionit Gjerman, Thoma Ninia ra në sy për veprimtarinë e tij atdhetare, ndaj edhe u burgos e internua, paçka se shpëtoi, fal përpjekjeve të tij personale dhe të shokëve të tij dashamirës. Ai u detyrua të largohet nga qyteti dhe të strehohet në Labëri, duke e fshehur edhe emrin me pseudonim lufte.
Pas Çirimit, krahas punëve të tjera të traditës familjare,Thoma Ninia, nuk e harroi profesionin e tij të fotografit, duke aktivizuar, fillimisht djalin e tij Stiliano dhe më pas nipin Dhimitri, si edhe shokë e miq të tij  të aftë në këtë profesion si Niko Papajorgjin, Janaq Derollin, Beniamin Rrapi etj. dhe midis tyre, specialistin e talentuar, Skënder Damini, që më pas ndoqi traditat e tij dhe mori në dorë krejt studion, me shumë  gjurmë e sukses.
Thoma Ninia, ishte njëkohësisht një prind i mirë në një familje numeroze, që rriti dhe edukoi me ndershmëri e me përkushtim katër vajza dhe tri djem punëtorë, nëpunës, mësues e drejtues dhe midis tyre shokun tim të respektuar Llazar Ninia, që drejtoi për disa vite me sukses në Vlorë, Parkun Automobilistik,  një nga ndërmarrjet më të mëdha e gjurmëlënëse në vend.

Janë këto figura madhore, të tillë si Thoma Ninia, me kontribut të shquar shoqëror e atdhetar, pjesëtar aktiv të historisë së qytetit të Vlorës, që duhen kujtuar e nderuar kohë pas kohë. Do ishte mirë dhe në nderin e vlonjatëve, që edhe të çmohen e të dekorohen, deri të përjetësohen me emra të rrugëve të qytetit të Vlorës, për të ngelur të pavdekshëm. Në mbyllje, do shtoja: “Kur në qyteti e Vlorës ka me dhjetëra rrugë që kanë emra deri të huajsh të rëndomtë, e të personave të tjerë me më pak vlerë, pse duhet të përjashtohet ky birr i shquar, si fotograf i parë dhe kryeplak, që njëkohësisht është qytetar, me origjinë, vendlindje e veprimtari direkt nga qyteti i Vlorës?”

Vlorë, më 25 Shtator 2019

Nuk ka moshë dashuria

Nuk ka moshë dashuria
        (cikël me poezi)


Nga  Përparim  Hysi

1.Nuk ka moshë dashuria

Nuk ka moshë dashuria
(kështu shkruan e flet një plak)
Sado ardhur pleqëria,
Ende i nxehtë është imi gjak.

Shoh një sy e më bie syri
Shoh një buzë e goaj lëng
Mendja mua hiç s'më hyri
Nga"tahmaja" sa s'bëj tëng.

Se më del tym nga koka
Mendjen dot nuk e mbledh
Shkon "ajo" dhe tundet bota
Teksa del,syrin ma hedh.

Po unë "bukën" s'e ha thatë
Nisem suelm pas asaj
Se unë vetes s'i them"mjaft"
Ta mohoj, s'e kam kollaj.

2.Moj fqinjë e bukur

Moj fqinjë e bukur, të lutem të më falësh
Nuk është e ndershme dhe nuk  ka moral
Por ja që nuk mundem,kur me ty përballesh
Që sytë të të mos i ngul, me neps si djall!

Jo se jam djall,por kam shpirt të brishtë
Para së bukurës,sado plak, zë përulem
Të lutem, mos m'u zemëro hiç
Në më mbetën sytë, falëm të lutem!

Fajin eka syri yt i madh dhe me bisht
Dhe,tek  përballesh me mua, sikur më shpon.
Zë më shfaqet nepsi i djalërisë
Dhe kur? Në këtë moshë të vonë.

Monday 23 September 2019

VËLLEZËRIT SALA-OSE NJË “LEGJENDË” NDRYSHE

VËLLEZËRIT SALA-OSE NJË “LEGJENDË” NDRYSHE
-Në Amerikë   çdo njeri ka shans të shndërrohet në legjendë. Kështu kanë bërë vëllezërit Belushi, apo  talente të tjerë në Hollivud me gen shqiptar, por Medi(Majk) dhe Hektor Sala, dy vëllezër nga Mborja e Korçës,  provojnë një “legjendë” ndryshe. Ata si një shembull i madh vëllazërisë e mirëkuptimit të pakushtëzuar mes tyre, sikur thonë me zë e shpirt: “Shqiptarë, duajeni shqiptarin”-

I njoh prej gati dy dekadash. Shembulli dhe virtutet e tyre njerëzore, përkushtimi ndaj familjes, prindërve, biznesit dhe klientelës së tyre, janë rrotulluar në mendjen dhe fantazinë time prej vitesh. Më janë dukur vëllezër unikë dhe të pashembullt. Gjithmonë jam përpjekur të shkruaj diçka, për të veçantën e  kësaj vëllazërie shqiptare në Amerikë, që më është dukur magjike qysh në takimin e parë, por koha shpesh ka fluturuar… As vetë nuk e di se si, por e mira ikën dhe vjen si dritë e ti rend ta kapësh momentin, por një ditë tjetër troket, e sikur harrohesh pas diellit që sapo lind. Kështu ka ndodhur me Medi (Alias Majk) dhe Hektor Salën në Beloit të  shtetit Uiskonsin në SHBA. Ata janë si familje në biznesin e gatimit dhe argëtimit. Njerëz të jashtëzakonshëm. Të dashur, mikpritës, njerëzorë, të dëgjueshëm, pasionantë në biznesin e vet, prindër të devotshëm, bij të mrekullueshëm, të preokupuar për rrjedhat e trazuara të demokracisë në Shqipëri, të gatshëm për të ndihmuar; të gjendshëm në çdo aktivitet të komunitetit shqiptaro-amerikan në Uiskonsin, por mbi  të gjitha një “pasqyrë” e palimit e vlerave shqiptare në perëndim. Si pronarë të “Baterfly Club” (Klubi Flutura) në Beloit, fill pasi kalon pik-kufirin Illinois-Uiskonsin, gjen të shtruar një sofër tipike shqiptare. Janë vëllezërit Sala që i japin një gjallëri të veçantë jetës së njerëzve në Beloit dhe shumë më tutje. Kanë kaluar çerekshekullin e jetës së tyre në Amerikë. Erdhën këtu si dy djem beqarë, duke shtrënguar për krahu  prindërit e tyre, Xhemal e Fatiko Sala. Çfarë do bënin në SHBA? Pa shkollë të lartë. Pa gjuhë. Pa ndonjë aftësi konkuruese, por me dëshira pa kufi për të punuar. Kureshtarë në kulm, të etur për të mësuar “kthinat” e kapitalizmit amerikan, këtij “xhandari ndërkombëtar” siç ua kishte ofruar propaganda socialiste e kohës në Shqipëri, por që ballazi e shihnin si një vend ku jetohet dhe përballon jetën në lirinë e dëshirave të tua…
Majk dhe Hektor Sala janë një  histori e rrallë suksesi në Amerikë,jo thjesht se kanë ngritur një biznes nga zero, jo vetëm sa  kanë krijuar një emër të nderuar, jo vetëm se çdo klient kur del nga restoranti u kërkon numurin privat të telefonit për të vijuar miqësinë e nisur rastësisht, por sepse ata duan dhe dëshirojnë të mirën  e gjithkujt. Ndryshe nga shumë emigrantë që përpiqen të sforcuar të kapin “kohën e humbur” në Amerikë, përmes përpjekjesh që shpesh kapërcejnë mundësitë e tyre reale , vitet e mundimshme në Shqipëri u kishin mësuar një rrugë tjetër suksesi: trego vetveten. Kjo ka qënë motua e tyre intreguese në Amerikë.  Pa sforco dhe thjesht kanë treguar se kush janë. Prej më shumë se dy dekada ata tashmë janë pronarë të suksesshëm të klubit me emrin “Flutura”, në Beloit, Uiskonsin.
Kjo ndërtesë e bukur që brenda të duket si një skenë me kate ku dritat e shumta të ngjasojnë me yjet në qiell, mund të akomodojë brenda hapësirës se vet gati 400 përsona  në rreth 10 mijë këmbë katrore së pronës së tyre. Më thonë se është ndërtuar në vitin 1924. Koincidencë e interesante: atëherë kur në Shqipëri përleshej mbretëria me demokracinë. Në ato vite të errëta, as fantazia më e çmendur nuk mund ta mendonte, se një ditë dy vëllezër shqiptarë do të bëheshin pronarë të kësaj ndërtese duke shtruar një sofër të madhe argëtuese në qendër të Amerikës. Kur shqiparët luftonin me njëri-tjetrin nëse duhej demokraci apo mbretëri, Amerika ndërtonte, e si për ironi të fatit, pikërisht këtu, pas afro një shekulli më pas, mblidhen  përsëri shqiptarë nga të gjitha viset, takohen me vëllezërit Sala dhe bisedat sërish për Shqipërinë: demokraci apo dikataturë? Por ndryshe nga shembulli i hidhur i realitetit të sotëm shqiptar, tek vëllezërit Sala gjen një mesazh miqësie e paqeje: “Shqiptarë,duajeni shqiptarin”. Falë këtij mesazhi të dalë nga shpirti i tyre shqiptardashës, prej rreth 10 vitesh në qytetin në jug-perëndim të shtetit Illinois, në Rockford është ngritur dhe valvitet flamuri shqiptar tek “Sheshi i paqes”. “Mundëm dhe e bëmë, thotë Hektori, nëse nuk do e bënim ne kush do ta bënte? Nuk mund të qëndroja tek ai shesh duke medituar për paqen në botë, pa praninë e flamurit shqiptar, të atij flamuri që  gjithmonë është valvitur për liri, dhe asnjë herë në histori për pushtim apo okupim në Ballkanin e trazuar”. Pronarët e klubit “Flutura” nuk kursyen kohën angazhimin dhe kontributin financiar që Flamuri shqiptar të valvitej në një shesh paqeje në mes të Amerikës. “Na u desh shumë kohë dhe angazhim, shton Mediu, por kur pamë flamurin tonë krah flamujve të tjerë të botës në atë shesh, morëm frymë ndryshe dhe thamë: “Sa mirë bëmë…”
Medi dhe Hektor Sala kanë ndarë një fat të përbashkët në dekada. Qysh kur ishin në Korçë, shpesh komshinjtë i shikonin si vëllezër binjakë edhe pse nuk ishin të tillë. “Kjo ndodhte sepse ne rrinim gjithmonë bashkë, ku shkonte njëri do ishte tjetri, kujton Mediu (ose Majk  siç e thërrasin të gjithë klientët e klubit). Mbaj mend qysh kur ishim nxënës shkolle merrnim pjesë në ekipet mundëse të “Skënderbeut” dhe çdo fitore në mundjet e rastit na afronte me shumë si vëllezër e në Korçë të gjithë na thoshin “Ja, vëllezërit nga Mborja”.
Hektori qesh lehtë ndërsa dëgjon vëllain  e madh. Ai ka më shumë për të treguar , por përmbahet. Dëgjon, pastaj kur “shpërthen” të flet pa mbarim.
“Pse  tregon vetëm histori sporti e mundjesh dhe nuk tregon  histori xhinsesh”?- ndërhyn ai pasi është siguruar se Mediu (Majk) e ka tjerrë mendimin e vet.
Ata qeshin befas me njëri tjetrin  dhe unë mbetem si i gozhduar mes së qeshurës së tyre vëllazërore. U hedh të dyve një vështrim pyetës dhe Hektori vijon:
“Kemi qenë familje e persekutuar, Shefqet, jo si juve që  ai pushtet ju dha shkollë dhe mundësi. Gjëja më e mirë që mbaj mend nga ato vite  është “biznesi i xhinseve” dhe koha e ushtrisë me shokë të mirë, madje një e kam pasur edhe nga fshati jot, siç ishte Fadil Kaftirani”.
Pastaj të dy vëllezërit gati me një gojë më tregojnë aventuarat e tyre  për të bërë biznes privat duke nxjerrë të ardhura. Të dy kishin për pasion rrobaqepsinë, ndaj qysh atëhere mezi kishin siguruar një maqinë qepëse dhe qepnin “xhinset e kohës” netëve të vona në Mborje. “Ende  qeshim kur e kujtojmë, thotë Mediu. Nuk e di se ç’sillej në Korçë me ato thasë nga importi për uzinën e qelqit, por njerëzit na i sillnin copa- copa dhe ne i qepnim bukur me ca tegela të veçantë, dhe dukeshin tamam si xhinse  origjinale. Puna na u shtua aq shumë, saqë klientët duhet të prisnin edhe me javë”.
Çfarë kontrasti i skajshëm! Dikur “biznes me copa thasësh”,  ndërsa tani pronarë e e shërbëtorë të binzesit të tyre që i ngjan një sofre gjigande shqiptare në qendër të Amerikës. Tërë familja e angazhuar, secili në një pocizion të caktuar dhe  përditë të preokupuar që kushdo që futet tek klubi i tyre të kthehet përsëri. Dhe ashtu ndodh. Klubi “Flutura” gumëzhin çdo ditë. Aty vijnë familje për ditlindje, fejesa, bashkime familjare dhe zakonisht fundjavave sikur derdhen   gjithë qyteti e rrethinat për t’u shlodhur e shijuar fundjavën, ku këngëtari nga Minnesota Mike Williamson këndon nga këngët e Frank Sinatrës, deri Rock en Roll and çdo preferencë të bujtësve që gjallërojnë klubin argëtues. “Fundjavët e këtueshme janë  të papërshkrueshme, më thotë këngëtari nga shteti ku jetoj. Je me fat të flasësh gjuhën e Majkut e Hektorit. Ah sikur edhe unë të mundja ta mësoja …” përfundon disi fajtor këngëtari i lindur në Minesota, të cilin nga e shtuna deri të djelë e gjen aty dhe vetëm aty duke ndezur  si fishekzjarr atmosferën e klubit.
“Ky është biznës i bukur, por i vështirë”- u them vëllezërve.
“Nuk është e lehtë, por dimë ta bëjmë”, më thotë Hektori që është mjeshtër i gatimeve në kuzhinë.
“Ne nuk jemi në biznesin e një restoranti të zakonshëm.- më shpjegon, Mediu. Klientët shfaqen këtu vetëm mbasidteve dhe rrinë deri vonë duke ikur me dëshirën që të kthehen sërish. Për ne çdo klient pritet e përcillet  si mbret, sepse pa këtë respekt e sjellje, nuk ke biznes”
Prindërit e tyre vështrojnë qetësisht  ecurinë e biznesit dhe jetës së familjes  dhe sikur ngazëllehen për realitetin që përjetojnë. “Kurrë nuk kishim menduar se do vinte kjo ditë, por ja , u bë kësmet” thotë duke mos fshehur dot përlotjen Xhemal Sala, babai i dy djemve. Ai është tipiku i një korçari të qetë, të mençur dhe po aq të dashur. I ka kaluar 80-tat  por si qiri në këmbë e gjen tek biznesi madje edhe tek “kadillaku” i vet duke shëtitur pafundësinë e Amerikës me të shoqen. Më rrefen vitet e mundimshme të kohës së shkuar, dhe duke i hedhur dorën në sup Fatikos, (Fatiko Sala) bashkëshortes së dekadave, njeriut të vetëm që ka pasur gjithmonë në krah më thotë: “Jeta qënka një rrugë pa fund dhe njeriu rrugëtari më i guximshëm…Ikëm siç ikën shumica… Të vuajtur, pa fat, pa perspektivë… Mua më internuan në  moshën 20 vjeçare se mu arratis vëllai në vitet 60-të… Po ç’faj kisha unë? Djalë i ri. Ëndërroja të shkoja në shkollë, por me policë më detyruan të lė Mborjen dhe të shkoj në Lushnjë… Kështu ishin ligjet. Ç’të them. Ligji thoshte “Po u arratise je armik ti dhe familja”. Më bënë armik edhe pse nuk isha… Njeri i thjeshtë…Internimi? Një ferr së gjalli… Përbuzje, poshtërim, kërcënim…Por mbijetova 5 vjet. Pastaj u ktheva në Mborje. Me shpresë të vrarë…Fillova  punë në minierë…Rrita fëmijët, por nuk u dhanë shkollë…Jetë e mundimshme”.
Xha Xhemali flet ngadalë, çdo fjalë e tij të ngulitet në mendje. Ndërsa më thotë se ka punuar në minierë, më kujtohen edhe mua  dy muajt e punës në minierë për një kostum kur isha student. “Të kujtohet gota e vetme e qumështit dhe fytyrat e nxira në dalje  të galerisë”?- e pyes instiktivisht dhe i tregoj historinë time. Xha Xhemali më shikon në sy, qesh lehtë sikur pohon atë makth kur futej e dilte nga galeria dhe më thotë: “Kot harxhojmë kaq shumë frymë e kohë,  të gjithë e kemi vuajtur atë regjim, ja ti djalë i ri paske punuar dy muaj për një kostum…Eh kohë…Po shyqyr shpëtuam, ndaj u them djemve ajo që nuk mposht dot e keqja është vetëm dashuria dhe harmonia në familje, sepse nuk ka kandar në botë të peshojë të keqen që krijon njeriu dhe sistemi i keq…”
Duket se xha Xhemali  dëshiron t’i gëzohet më shumë të tashmes se sa të sjellë në bisedë të shkuarën. Ai është një i persekutuar i së djeshmes që  nuk ka kohë të merret me “tjerrjet e kota” siç quan ai vitet që ikin. “Është mirë t’i gëzohesh lirisë e jo ta përdorësh si “kobure” ndaj të tjerëve apo të djeshmes, sepse ajo nuk është më liri…". Xha  Xhemali flet i qetë dhe pa mllef. Sipas tij, njeriu kudo që jeton duhet të njohë dhe respektojë ligjet e kohës dhe qeverisë në fuqi. Konstatimi tij të fut në mendime dhe të bën të reflektosh. Duket se ky  baba i mirë i ka mësuar djemtë e vet vetëm të shohin përpara dhe të mos lëndojnë askënd. Ai ka dy djem që e dëgjojnë. Së bashku jetojnë në një familje të madhe, ku zhurma fluturuese e nipërve dhe mbesave është kënga më e bukur që i zgjon çdo mëngjez. “Djemtë i kam të mirë, por më të mira i kam nuset e tyre, sepse kurrë nuk  grinden, kurrë nuk u dihet zëri. Ato sikur të ledhatojnë më buzëqeshje , respekt e dashuri. Janë një mbështetje e pamatë për biznesin, të qeshura dhe të bukura si vetë emri i klubit tonë. Unë i shoh ato si “ku-dita” jo si “ku-nata…”-më thotë duke qeshur Xha Xhemali ndërsa nënë Fatikua vijon: “Na ka bekuar zoti me nuset e djemve…Si flutura punojnë dhe u sjellin lumturi djemve dhe familjes…”
Sonila Sala  dhe Uljana Sala  janë dy nuset e shtëpisë. Të dyja korçare të pikuara në hoje mjalti. Kur i sheh se sa me pasion shërbejnë ndaj klientëve, se si pasojnë tek njëra tjetra porositë, rezervimet,  telefonatat, apo si shoqërojnë tërë ëmbëlsi tek tavolinat e zukuruara çdo klient që futet në lokal, të sjellin në mendje atë bujari të grave shqiptare, që edhe në skamjen më të madhe dinin të nderonin mysafirin. “Ne punojmë për veten tonë, nuk na mungon gjë dhe nuk kemi asgjë për të ndarë…” të thonë të dyja me një gojë. Uljana dhe Hektori kanë 3 fëmijë Enean, që sapo ka filluar universitetin në Madison dhe Dritonin e Endrian ende në shkollë të mesme,  ndërsa trashëgimtarët e Majk(Medi) dhe Sonila Salës janë Kasandra që është në universitet në Çikago për mjekësi dhe Aleksandri që vijon shkollën e mesme. Fundjavave kur shkolla ka mbaruar dhe detyrat janë kryer, të tre brezat i gjen tek klubi i tyre, që të ngjason me një koshere bletësh ku prodhohet vetëm “mjaltë”, buzëqeshje dhe këngë.
-Si ka mundësi të shkoni kaq mirë si vëllezër?  Si nuk jeni ndarë?- i pyes befasisht.
Të dy më shikojnë në sy dhe qeshin. U sjell në  bisedë shpejt e shpejt historinë e vëllezërve kur ndërtohej “Rozafa”, ju kujtoj  një histori tjetër vëllezërish nga Pogradeci, vetëm disa milje në perëndim të Çikagos,  sjell shembujt e luftës kur “Një vëlla partizan, tjetri me ballin” apo sot “Një me PD e tjetri në PS” dhe mbasi është ndezur biseda më përgjigjen gati në një gojë: “Ne nuk zihemi kurrë sepse vetëm mendojmë si të shtojmë të ardhurat dhe begatinë, jo si t’i ndajmë ato…”  “Po nuset? A i dëgjoni?”- i pyes. “Edhe ato i kemi bërë si veten tonë”- më përgjigjen njëzëri dhe Mediu(Majku), si më i madhi shton: “Kur burri nuk di ta bëjë gruan si veten, diçka i mungon në shpirt. Për ne kjo harmoni është “thesari” që nuk e nxe asnjë bankë në botë…”. Dëgjon këta vëllezër punëpalodhur, sheh nga afër progresin e tyre,  dhe të vijnë në mendjet dramat shqiptare kur armiku me i madh mbetet “vëllai përballë”. Kur isha fëmijë kam dëgjuar të grindeshin dëri në kërcënim me vdekje, dy vëllezër komshinj për “vijën e ujit”, dajat nuk e donin njëri-tjetrin, xhaxhallarët e mi nuk e deshën babain tim që jetonte më mirë se ta, pastaj kur u martuan motrat e mia rreth kunetërve tyre vareshin të njëtat “re të zeza”  xhelozie e cmire, që për mua shpesh ishin aq të pakuptueshme… Kam patur shokë dhe miq që dramat që kishin jetuar nuk ishin shkaktuar nga “armiqtë e jashtëm”, por vetëm nga vëllezër të ngjizur nga e njëta plaçentë. Pse? Pse kështu? Kam pyetur veten pa pritur përgjigje. Pastaj më kanë ardhur në mendje thëniet kristiane “duaje armikun tënd”, apo thirrjet hipokrite shqiptare “Jena vëllezër burra…”  Aq shumë kanë pasur efekt tek unë dramat mes vëllezërve saqë kur shokë e miq më afroheshin në miqësi dhe më thoshin “po ne jemi vëllezër bre Shefqet” ndiehesha skeptik, sepse vëllai është vetëm ai që rastësisht ke ndarë të njëjtin gen, çdo gjë tjetër është thjesht njohje e miqësi.
Ja pse rasti i vëllezërve Sala  ka një domethënie të madhe për mua e më duken të dy  si njerëz që ndërtojnë, shtojnë, ofrojnë shërbim e respekt duke  rrezatuar mirësinë e tyre në sa e sa familje që rasti i sjell tek klubi “Flutura”. Ata janë vëllezër të tillë që duhet të kishin qënë në ballë të të ashtuquajturit “Samit i dytë i diasporës në Tiranë”, por munguan. Pse? Pse nuk pyeti kush nga Tirana për vëllezërit Sala?-pyes veten dhe përgjigja është e thjeshtë: Sepse ata nuk janë  fanatikë partiakë, dhe i duan të mirën, begatinë e paqen çdo shqiptari, kudo. Motua e tyre është e thjeshte: “Shqiptarë, duajeni shqiptarin”! Thënë kaq thjeshtë e nuk ke nevojë më të dëgjosh fjalime politikanësh që s’janë gjë veç “koktej gënjeshtrash”. Vëllezërit Sala, edhe pse kanë pikvështrime të djathta, besojnë mbi të gjitha se çdo gjë arrihet  përmes punës, mundit, sakrificës dhe shpirtit shërbyes ndaj njeriut e shoqërisë. Ata janë të tillë njerëz që tregojnë vlerat shqiptare dhe amerikane, duke u bërë tip “legjendarësh” përmes thjeshtësisë e çlitërsisë njerëzore…Unë bashkë me timeshoqe e kemi jetuar nga afër “Legjendën” Sala në Beloit. Ata janë “ekspozita” e përditshme e harmonisë dhe begatisë shqiptare në zemër të Amerikës. Ndaj  shumë klientë vijnë pikërisht për të testuar këtë shërbim familjar që në themel të vet ka dashurinë, pasionin dhe ëndrrat e bukura mes një familje ku jetojnë nën një çati dhe harmoni të plotë tre breza, prindërit, djemtë e martuar dhe nipër e mbesa dhe kurrë nuk ka sherr, xhelozi apo “kalamallëqe” shqiptare. “Cmira dhe xhelozia, më thotë Mediu , janë si ato helmet vdekjeprurëse me efekt të ngadalshëm, ndaj  njeriu i mirë duhet t’u qëndrojë larg tendencave të tilla që unë do t’i quaja vese helmatisëse”. E të vijnë sërish në mendje vëllezërit tek Legjenda Rozafa, ku ndërtohej ditën e prishej natën. Duket sikur ky mallkim i lashtë akoma anatemon krejt shoqërinë shqiptare. “Diktatura e proletariatit dhe armiqtë e partis dhe popullit”, “Politikanët dhe populli”, “Pushteti dhe opozita”, “Të pasurit dhe të varfërit”, “Ne dhe ata”, “Krimi dhe paraja” dhe bindesh se vëllezërit Sala nga Mborja e Korçës janë  një “legjendë ndryshe” në Amerikë, sepse nga “ndërto ditën e shkatërro natën”, ata ndërtojnë e shërbejnë ditë e natë, duke dëshmuar tek klientët se ata janë shqiptarë që dinë të ëndërrojnë bukur, përmes punës së ndershme. Të bashkuar me njëri-tjetrin dhe në mbështetje të ideve që sjellin dritë e progress e po aq paqe, ata të kujtojnë “thuprat” në shtratin e vdekjes së Skëndërbeut dhe pyet veten: Si do ishte atdheu im nëse gjithë shqiptarët do ishin si “Vëllezërit Sala”? A do kishim emigruar kaq larg nëse historikisht nuk do shaktërronim natën  atë që ndërtojmë ditën?...
Bajram Ibrahimi nga Kosova dhe Shaqir (Çili) Hajrullahu nga Kërçova, thonë gati me një gojë se “Majku dhe Hektori janë  diçka e rrallë, sepse dinë të përcjellin vëllazërinë e vërtetë tek tjetri duke e bërë diçka gati të prekshme… Ndaj ne vijmë shpesh sepse na duhet kjo “energji”  për të fituar ndaj të keqes që e kemi përreth…” I njoh të dy, dhe së bashku kemi kaluar netë të tëra tek “Flutura” duke folur për jetën këtu e për “trubulencat” e jetës në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Së bashku kemi po atë ndjesi e respekt për vëllezërit, sepse janë shembull i madh mirëkuptimi. Këtë të thonë edhe dy vëllezërit e tjerë nga Prespa që jetojnë në Miluaki, Beni e Jonuzi  Zeqiri (Alias Xhani) që për tre dekada janë në të njëtin biznes. Sipas tyre në Klubin Flutura “flatrat që nuk i gërryen asnjë lloj ere dhe furtune, janë bota e madhe e Majkut dhe Hektorit” që janë aq ndryshe nga shumë emigrant të tjerë. Agim Saliu nga Kërçova ka një tjetër përcaktim për këtë “Legjendë ndryshe” të vëllezërve Sala nga Mborja e Korçës: “Ata janë të pakrahasueshëm me asnjë tjetër vëllazëri, sepse në themel të familjes së tyre qëndron ndershmëria, dedikimi dhe ëndrra për të nesërmen si një ditë më e bukur”.
Sa shumë  familje emigrante  shqiptare kanë pasur si destinacion të parë të  tyre klubin “Flutura” prej  nga të gjithë kanë “fluturuar” në bizneset e veta.  Vëllezërit Sala nuk janë kursyer kurrë të ndihmojnë sa e sa emigrantë të rinj shqiptarë.  Duke afruar punë të thjeshtë, por sërish është ndihmë . Ndërsa Harun Puci, një shqiptaro-amerikan  i lindur në Kukës, që dikur punonte si agjent i kompanive të sigurimit, në rrethinat e Çikagos ,kur u njoh me  atë që bëjnë vëllezërit Sala në Beloit më tha: “Nëse secili nga ne do të kishte bërë vetëm pakëz të asaj që ata bëjnë për komunitetin dhe vlerat shqiptare, ne do ishim  shumë më të fuqishëm se lobi i izrealitëve në SHBA”. Dëgjon reagime të tilla për dy vëllezër të thjeshtë nga Shqipëria dhe të vijnë në mendjë thënie te mençura për vëllazërinë dhe mirëkuptimin. Siç ka thënë një   filozof amerikan “Njerëzimi nuk do të kishte ecur përpara dhe as civilizimi nuk do kishte avancuar, veçse kur forca e filozofisë është zëvendësuar nga vëllazëria njerëzore”.Ose siçe thotë aq bukur poeti amerikan Edwin Markham “Është fuqia e fatit  që na bën vëllezër dhe askush nuk ecën i vetëm në rrugën e vet. Çdo gjë që ne bëjmë për jetën e të tjerëve, na kthehet mbrapsh në jetën tonë”.
E   kuptoni sa bukur rezonon realiteti i dy vëllezërve nga Mborja me këto  filozifime poetike amerikane? Mos e teproj që dy vëllezër të zakonshëm  si Medi dhe Hektor Sala, i quaj “Legjendë”? Aspak.  Legjendat sot i shkruajnë njerëzit e lirë që janë të mirë dhe të ndershëm. Nëse nuk më besoni mua  vizitoni klubin “Flutura” vetëm dy orë në veriperëndim të Çikagos, dhe rilexoni këto radhë. Vetëm në një gjë nuk do të zhgënjeheni: Nga mirësia e   e vëllezërve Sala. A nuk është mirësia njerëzore ajo që na duhet përditë? 
Minneapolis,  2019