Wednesday, 25 September 2019

THOMA DHIMITËR NINIA


(Fotografi i parë në Vlorë)
Nga Luan Çipi

Thoma Ninia,  ka lindur më 14 Shtator 1896 në lagjen Varosh të qytetit të Vlorës, në një familje të hershme qytetare zejtare dhe ka vdekur po në Vlorë, në lagjen Kume Skelë, më 16 Qershor 1973. Babai i tij Dhimitri dhe e ëma Sofija, jetonin të lumtur dhe të gëzuar me 5 fëmijët e tyre (katër djem dhe një vajzë), ku Thomai ishte i parafundit. Familja tradicionalisht trashëgoi profesionin e këpucarit, ku siguronin me punë  një jetesë normale e pa shqetësime.
Thomai ndoqi Shkollën Ruzhdie turke dhe më pas Shkollën Tregtare të qytetit dhe në vazhdim, veç turqishtes, mësoi dhe shqip, italisht e greqisht dhe qysh fëmijë, veç profesionin këpucar, trashëguar nga babai, kish pasion edhe fotografinë, që më vonë u bë profesioni bazë jetik  për të dhe për familjen e tij. Ai, pati fatin që herët, në vitin 1915, të njihet, miqësohet dhe të përfitojë njohuri të thelluara për fotografinë, prej Gegë Marubit, nga familja e famshme shkodrane e fotografisë, ardhur me filialin e tij, të hapur në qytetin e Vlorës, me të cilin u miqësua familjarisht dhe bashkëpunoi e përfitoj siguri e kompetencë profesionale. Ata, së bashku me Marubin, ngritën në mesin e qytetit të Vlorës, në një pozicion dominues, një studio të përbashkët fotografike, që ka fiksuar në blic, gjurmë të rëndësishëm historike e qytetare. Kjo studio fotografike, që u trashëgua shpejt personalisht nga Thoma Ninia, ka funksionuar pa ndërprerje me sukses, në Kohën e Zogut dhe gjatë Okupacionit Italian e Gjerman e deri pas Çlirimit, kur stafeta ju dorëzua birit të vetë, Stiliano Thoma  Ninia, (Noja) së bashku me kunatin e tij Vangjel Dhjaku, i cili nuk e arriti çlirimin e vendit,  sepse u ndikua nga lëvizja komuniste dhe doli malit për liri.
Thoma Ninia, njihet kështu pa mëdyshje, si themeluesi i traditës për fotografim dhe pionieri i fotografisë në qytetin e Vlorës. Ai ka meritën e padiskutueshme të fiksimit të përjetshëm të personave dhe pamjeve të rëndësishme historike e jetësore, duke përfshirë ngjarjet e papërsëritshme të varrimit të Ismail Qemal Beut në Kaninë, e më pas në Vlorë, ceremoninë e varrimit të patriotit  Avni Rustemi në Vlorë, pamje të objekteve me rëndësi historike si të Sahatit dhe Merkatos së qytetit, Prefekturës, Sheshit të Flamurit, Portit Detar, Bregdetit, Ujit të Ftohtë, si dhe figura atdhetarësh, heronjsh e dëshmorësh, çeta luftëtarësh, dijetarësh e besimtarësh. 
(Aq i veçantë ishte si profesionist, fotografi Thoma Ninia, sa u përzgjodh nga vet mbreti Zog, për të shoqëruar në fotografim motrat e tij, që vizituan qytetin e Vlorës dhe rrethinat e tij).
Thoma Ninia përmendet edhe për figurën e tij korrekte, të ndershme e të besuar, për ngrohtësinë njerëzore dhe për humorin e optimizmin e tij me një shoqëri të gjerë e të zgjedhur vlonjatësh dhe më tej, nga mbarë vendi. Nuk është rastësi fakti domethënës që Thoma Ninia të zgjidhet, për një kohë të gjatë, nga viti 1937 deri në vitin 1944, si Kryeplak i lagjes  Skelë, duke gëzuar dashurinë, privilegjin e drejtuesit dhe respektin popullor, përfshirë këtu edhe periudhën e trazuar të Luftës Nacional Çlirimtare, kur ai u dallua dhe si antifashist. Në periudhën e Okupacionit Gjerman, Thoma Ninia ra në sy për veprimtarinë e tij atdhetare, ndaj edhe u burgos e internua, paçka se shpëtoi, fal përpjekjeve të tij personale dhe të shokëve të tij dashamirës. Ai u detyrua të largohet nga qyteti dhe të strehohet në Labëri, duke e fshehur edhe emrin me pseudonim lufte.
Pas Çirimit, krahas punëve të tjera të traditës familjare,Thoma Ninia, nuk e harroi profesionin e tij të fotografit, duke aktivizuar, fillimisht djalin e tij Stiliano dhe më pas nipin Dhimitri, si edhe shokë e miq të tij  të aftë në këtë profesion si Niko Papajorgjin, Janaq Derollin, Beniamin Rrapi etj. dhe midis tyre, specialistin e talentuar, Skënder Damini, që më pas ndoqi traditat e tij dhe mori në dorë krejt studion, me shumë  gjurmë e sukses.
Thoma Ninia, ishte njëkohësisht një prind i mirë në një familje numeroze, që rriti dhe edukoi me ndershmëri e me përkushtim katër vajza dhe tri djem punëtorë, nëpunës, mësues e drejtues dhe midis tyre shokun tim të respektuar Llazar Ninia, që drejtoi për disa vite me sukses në Vlorë, Parkun Automobilistik,  një nga ndërmarrjet më të mëdha e gjurmëlënëse në vend.

Janë këto figura madhore, të tillë si Thoma Ninia, me kontribut të shquar shoqëror e atdhetar, pjesëtar aktiv të historisë së qytetit të Vlorës, që duhen kujtuar e nderuar kohë pas kohë. Do ishte mirë dhe në nderin e vlonjatëve, që edhe të çmohen e të dekorohen, deri të përjetësohen me emra të rrugëve të qytetit të Vlorës, për të ngelur të pavdekshëm. Në mbyllje, do shtoja: “Kur në qyteti e Vlorës ka me dhjetëra rrugë që kanë emra deri të huajsh të rëndomtë, e të personave të tjerë me më pak vlerë, pse duhet të përjashtohet ky birr i shquar, si fotograf i parë dhe kryeplak, që njëkohësisht është qytetar, me origjinë, vendlindje e veprimtari direkt nga qyteti i Vlorës?”

Vlorë, më 25 Shtator 2019

No comments: