Monday, 23 September 2019

EPOSI I ARBËRIT NË MBRETËRINË E BALADAVE

Mihal GJERGJI
EPOSI I ARBËRIT NË MBRETËRINË E BALADAVE
Rreth veprës studimore të Prof. Dr. Bardhosh Gaçes

Shtysa e brendëshme për të pasqyruar këto refleksione u bënë dy botime nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe. I pari është “Letërsia bashkëkohore arbëreshe” ku pasqyrohet arti dhe brenda tij bota shpirtërore e njërëzve të rracës tonë, vendosur në Siçili, në Kalabri dhe Bazilikatë, në Horën arbëreshe. Tjetri është “Etnologjia dhe folklori shqiptar” në brendinë e të cilit është zëri i të vdekurve të gjallë; anonimati popullor që thotë aq shumë, rapsodët me vikamat e luftëtarëve, traditat zakonore, këngët e dasmave dhe ninullat e djepit, kanunet, besimet dhe ritet, baladat, legjendat dhe brenda tyre zërat e nizamëve, po edhe drita e dashurisë për dheun, për jetën, ajo shpresa që u jep krahë ëndrrave. Janë punime serioze dhe mbreslënëse. Them serioze, sepse autori bën vlerësime të menduara, duke qënë kështu kërkues ndaj vetes. Them mbreslënëse, sepse prurjet e këtyre studimeve zgjojnë kurreshtjen e lexuesit, kryesisht rinisë studentore, të cilët e njohin pak historinë e arbërit dhe artin e prodhuar prej tyre. Sigurisht që asnjë punim, qoftë edhe shkencor, s’mund të quhet shterues, sepse jo çdo ndryshim shoqëror që rrjedh në lumin e kohës mund të bëjë vend midis rreshtave të studiuesit, kushdo qoftë ai. Vlenë të përmëndet fakti se, gjuha është  zgjedhur me kujdes, pa përsëritjet që krijojnë monotoni. Pikërisht këto më imponuan vëmëndje dhe interes. Dua të besoj se, veprat për të cilat flasim janë bërë pjesë e programeve mësimore për studentët e Gjuhë-Letërsisë, Gazetarisë apo Historisë. 

ARBËRIA, SIMOTRA E JUTBINËS

Flasim për gjakun e arbërit mërguar larg trojeve etnike, kryesisht në Itali, por jo vetëm atje. Arbëria ngjason me Jutbinën, një truall i përgjakur sikur të mos i përkiste askujt, një tokë me tre milionë banorë, apo dikur me shumëfishin e kësaj shifre, ndoshta në kohën e mbretërisë Ilire, kur sundonin Hyllenjtë. E duke u konsideruar e askujt, është kafshuar nga barbarët kohë pas kohe; në veri dhe veriperëndim nga sllavët e zbritur këtu prej Uraleve, në lindje nga maqedonasit, në jug nga grekët e rinj, që mëtojnë të na bindin se janë pasardhës të helenëve dhe traditës së tyre. Po ne çfarë jemi atëherë, çfarë na bashkon dhe çfarë na ndajnë me ta? Me fqinjët lindorë dhe jugorë rezultojnë lidhje të fuqishme gjaku dhe fatesh. Me sa duket, mallkimi brenda këtij gjaku e ka fshirë kujtesën e tyre historike. Në zemër të Ballkanit mbarsur urrejtje dhe larg Europës, Arbëria e ndrydhur brenda shtratit të saj natyror, si Prokrusti në mitologji, më kot ka pritur të frynin erërat e ndryshimeve të ëndërruara. Urë kalimi mes lindjes dhe perëndimit; me det, mal dhe fushë, me luftëtarë të pamposhtur, pjesë e legjioneve në shërbim të mbretërve dhe perandorëve të kontinentit të plakur. Përpjekjet e pandërprera të Perandorisë Osmane për të pushtuar Romën dhe për të ngritur flamurin e gjysmëhënës në tempullin e krishtërimit, dështuan. Ishte qëndresa e Gjergj Kastriotit, princit të Arbërisë, i cili u bë barierë e  pakapërcyeshme. Po cili ishte shpërblimi që mori ky strateg legjendar? Pas vdekjes së Gjergjit, diplomacia evropiane i trembej Carit të stepave ruse, ekspansionit dhe fuqisë së tij ushtarako-detare, kësisoj  filloi një politikë afrimi me Perandorinë Osmane, për ta vendosur kështu përballë Perandorisë Ruse. Pra, Arbëria e humbi Europën dhe mbështetjen e saj. Ndodhi eksodi i parë i krahasuar me atë biblik. Për t’i shpëtuar masakrës osmane, deti u bë rruga e  tyre e shpresës, brigjet e vendit fqinjë, Italisë. “Sa vjet shkuan e zemra s’e harron/ Se për turkun na mbetëm pa mëmëdhe!” Aktakuzë historike për Turqinë orientale. Janë vargjet e Zef Serembes që këndon dhimbjen dhe kujton zulmën e “Motit të Madh”. Por shpërnguljet masive të rracës tonë, larguar nga zotërimet e tyre; kryesisht Moreja, terene malore, fusha pa fund dhe ishuj, në Atikë, Peloponez etj, ndodhën më herët, pikërisht kur Venediku u thye nga trupat osmane, i detyruar të linte në mëshirë të fatit shtetasit që mbante nën ombrellën e tij qeverrisëse. Dhe këto teritore mbetën arbëreshe (shqiptare) deri në vitin 1821 e më vonë. Një nga biografët e Bubulinës, kapedanes  arvanitase të revolucionit të Mesolongjit,  Michael de Greece, na sjell fjalët e luftëtares: “Në Specaj flasin "arvanitika", pra shqip, gjuhën tonë, Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qënë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideal, dhe sigurisht, grekë të sakrifices, sepse ne jepnim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë jam një arvanitase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohrash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Vallë jemi pellazgë, ilirianë? Mos vjen vallë gjuha jonë drejpërdrejtë nga sankritishtja, siç e pohojnë ekspertët? Di vetëm se ne jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi. Hidra është shqiptare, Specaj po ashtu..." Janë dramatike ikjet nga Moreja, gdhendur këto edhe në vargjet e këngës që pikon dhimbje: “Moj e bukura More/ Që kur të lashë, më nuk të pashë!”. Ka një ndryshim rrënjësor mes arbëreshëve të Italisë dhe atyre të Greqisë, që jemi mësuar t’i quajmë arvanitas. Këta të fundit, edhe në kanë mundur të ruajnë gjuhën e bekuar stërgjyshore, s’kanë guxuar t’a flasin atë, ta trashëgojnë te pasardhësit e tyre. Këngët dhe vallet e bukura arvanitase vazhdojnë rënkimin nën peshën e kryqit të ortodoksisë greke (!). Golgota shqiptare është e pakrahasueshme me asnjë vend e asnjë popull të planetit. E ndodhur përherë mes zjarreve të luftës, mes përplasjeve fatale të Orientit dhe Oksidentit, (myslimanizmit dhe ortodoksisë), Arbëria ishte e detyruar të ruante farën e saj të zgjedhur, rracën e saj vitale. S’mundi të krijonte një shtet të fuqishëm, nën qiellin e saj, të sigurt për banorët e arbërit, autoktonë prej shekujsh. E që ta realizonte këtë, në kushte mbijetese u detyrua të ngrejë nga themeli, më vete dhe për vete, Perandorinë e baladave. Duhet të ruhej kujtesa historike, ndryshe humbja ishte e sigurtë.  

LETËRSIA BASHKËKOHORE ARBËRESHE

Asnjë vend i Ballkanit apo i kontinentit tonë nuk ka aq legjenda, mite e balada sa ne. Pikërisht këtë trajton edhe Bardhosh Gaçe në studimin e tij, duke sjellë këto drama njerëzore pasqyruar në krijimtarinë e poetëve dhe shkrimtarëve arbëreshë. Ai përcjell kumtin domethënës: “Letërsia bashkëkohore arbëreshe bart pikërisht thelbin e mbijetesës së saj, pasi brez pas brezi, shkrimtarët arbëreshë kanë ecur në vazhdën e traditës dhe të paraardhësve të tyre, duke mos e bjerrë asnjëherë idealin e fortë të shekullit XV.” Po cilët janë krijuesit arbëreshë objekt i studimit të Prof. Gaçes? Përpos veçorive të letërsisë së sotme arbëreshe në tërësi, ka bërë objekt studimi emërat më të spikatur mes krijuesve. 
Konkretisht e fillon studimin me poetin dhe prozatorin Dushko Vetmo. Ndalem një çastdhe kërkoj rrënjët e tij. Dushk i vetëm, apo i vetmuar! Nga cila korije është shpërngulur?  Po lisat e tjerë mundën t’i shpëtonin barbarisë osmane? Ky emër bën muzikë në buzën time, jo emëri tjetër që përdor në Itali, edhe pse është i bukur, Francesco Solano. Pyetjet e mia pa fund s’mund të marrin përgjigjet e munguara, sepse atyre u morën gjithçka dhe u mbetën vetëm zemërat. Të fshehtat apo misteret e pathëna i ngarkuan brenda shpirtit, në sytë e trazuar nga dhimbja, duke shkelur mbi plagët e udhës me kokën mbrapa e vështrimin nga Mëmëdheu, të cilin pak e nga pak e humbën nëpër mjegull. Dushko Vetmo, një figurë emblematike, përfaqësues i denjë i kulturës shqiptare. Sipas Prof. Gaçes, ky autor ka vijuar traditën e lidhjes së fortë me të kaluarën arbëreshe, me shkrimtarët dhe krijimtarinë e tyre të traditës që nga De Rada, Santori, Dara (i Riu), Zef Skiroi (Segnor) dhe Zef Skiroi (Junior),duke krijuar një linjë vazhdimësie…” Dramat njerëzore gatuhen brenda “realizmit magjik”, sepse moderniteti e përdor si veshje civilizimi europian.  Është pikërisht kjo pashpirtësi e imponuar nga zhvillimet e vrullshme teknologjike dhe materiale (por jo shpirtërore) që ndikon fuqishëm edhe te klasa e artit. Por ky autor, ka mundur të gjurmojë e njohë brendinë e njeriut dhe t’i qaset asaj që shpesh e quajmë “hyjnore’. Besimtar te zoti, po te cili zot? Te bariu i grigjës që ishte përgjumur në motin e gjëmës së arbërit? Dua të besoj se Dushko e ka krjuar  brenda vetes modelin e mirëbërësit dhe mëshirëmadhit. A nuk është ky mbinjeriu për të cilin jep gjykimet filozofike Niçja, ndërsa Migjeni e krijon brenda vargjeve të lira? 

ZËRI I ARBËRIT

Një tjetër poet i njohur i letërsisë arbëreshe është edhe Lluka Perrones. Edhe pse modernist, ai s’u largua nga rrënjët e veta, sepse burimi që mohon  malin shkëmbor nga i cili derdhet vrullshëm, është i dënuar të shterojë. Andaj i cilëson poezitë e tij me tituj aq kuptimorë; “Vallet këndojnë Arbërinë”, “Dielli perëndoi”, “Lule shkëmbi”, “Urtësia sjell lirinë”...etj. Me detaje thuajse të padukshme ndërton poezitë, krahasuar me mozaikët,  qëndisur prej gurëve të zgjedhur të lumit. 
Ndërsa poeti Voreo Ujko(çfarë mbiemri domethënës, i ngjajshëm me atë të poetit dardan Qerim Ujlani !) i cili njihet nga lexuesi edhe me emërin Domeniko Bellizi, do thoja se është befasues, interesant me idetë e tij dhe fuqi shprehëse në ligjëratat poetike. Për këtë autor kam lexuar në rininë time. Thuajse gjithë krijuesit arbëreshë kanë një bosht rreth të cilit vërtiten. Mjafton të përmënd disa tituj vëllimesh poetikë për të argumentuar bindjen time; “Ankth”, “Kosova”, “Zgjimet e gjakut” etj. Bardhosh Gaçe na sjell një detaj interesant lidhur me këtë autor. “Thuhet se shqisa e tij poetike ka një reflektim interesant, pasi vendlindja e tij Frasnita (it. Frashineto) është përballë vendlindjes së De Radës dhe Serembes, dy nga personalitetet më të rëndësishme të ngulmimeve arbëreshe në Itali. Poezitë e pikëlluara të Vorea Ujkos thonë aq shumë e aq dhimbshëm; “Duke ndjekur gjurmët e stërgjyshërve, kam ecur pesëqind vjet..,” Gjaku i arbërit mishëruar dukshëm në individualitetin krijues të këtij autori. Është në fund të rrugës, kthen kokën dhe mat shekujt, jo vitet e tij. Poeti ka mundur të ngjitet aq lart, sa gjëmon si Zeusi.  “Sonte në qiell/ shqip shkruan hëna.”.  Sa bukur! Po mirë, a kanë parë arbëreshët ndonjë dritë të largët joshëse matanë brigjeve, atje ku  mbiu syri i tyre  brez pas brezi? E bëj këtë pyetje pas thirrjes dëshirore të poetit Vore Ujko; “Hapma derën Zonja mëmë”. Unë nuk di angazhime apo vlerësime konkrete motivuese të institucioneve të shtetit shqiptar për personalitetet e kulturës arbëreshe, por s’mund të rri pa pyetur; Si mundi të mbijetojë rraca e arbërit dhe të ruajë kulturën dhe traditën e saj? Ka guxuar Roma të projektojë asimilimin e këtyre banorëve, apo s’ka mundur ta zhbëjë vitalitetin e kësaj rrace? Le të themi se mendjet e ndritura të vendit fqinj (doemos edhe Vatikani!) kanë ofruar bujarinë e tyre, si shpërblim të asaj që princi Skënderbe dhe luftëtarët e tij bënë për Europën, e kryesisht për Italinë.  Këto dhe të tjera pyetje marrin përgjigje në analizat e detajuara të Prof. Gaçes. Formati akademik dhe metodologjia korrekte bashkëkohore e këtyre veprave, janë rrjedhojë e eksperiencave të autorit në fushën studimore.  Ndërsa gjykoj se është me vend t’u referohemi edhe veçorive brenda letërsisë arbëreshe, shkurtimisht po përmënd disa emra krijuesisht të tjerë, të cilët janë bërë edhe objekt analize në veprat e studiuesit në fjalë. 
Zef Skiroi di Maxhio, me vëllimet poetike; “Sunata”, “Më parë se të ngriset”, “Nëpër udhët e parrajsit shqiptar dhe arbëresh”, kjo e fundit e vlerësuar në panairin e librit në Tiranë, në vitin 2018. 
            Pietro Napolitano   ka shkruar në gjuhën shqipe dhe atë italiane; “Nderim firmës” (1976), “Një botë që birret”,ndërsa në italisht “Sussuri” (Fërshëllima) (1960), “Qualcosa si e fermato” (Diçka ndaloi) 1960, “All’ombra dei miracoli” (Nën hijen e mrekullive) 1963. Qëllimi im s’është analiza e detajuar e krijimtarisë së këtyre autorëve, ndaj u referohem shkurtimisht. Karmel Kandreva me tre vëllime të spikatura poetike; “Shpirti i Arbërit rron” 1976, “Shpirti i Arbërit rron-Arbëreshi tregon” 1977, “Shpirti i Arbërit rron, vuan dega e hershme” 1979. Vijojnë pastaj Xhuzepe Skiro di Modika me përmbledhjet poetike “Motive në dy gjuhë”, autori tjetër Buzëdhelpri (Agostino Xhordano) me prurjet interesante kryesisht në lëvrimin e poezisë; “Hroaza”, “Hapa mbi kalldrëm” dhe “Bota arbëreshe”. Të tjerë autorë janë poetja Enca Skutari, poeti Vincenzo Borrescio, Luis de Rosa ose poeti i tragjikës poetike, poeti Kate Cukaro, poeti i meditimeve filozofike Vicenc Belmontes, poeti Francesko Altimari, poeti lirik Mario Bellici, këngëtari tjetër i shpirtit poetik Zef Kakosa (Giuseppe Cacoza), Paskal Renda, prozatori Karmine Abate etj. Studiuesi Bardhosh Gaçes’merret vetëm me emërat. Analiza e fenomeneve dhe idetë që afron, reflektojnë shëndetin kulturor, sikurse mprehtësinë intelektuale. Mendimet e Eqerem Çabejt për botën arbëreshe, vlerësimet e Androkli Kostallarit për kontributet linguistike arbëreshe, konsiderata të Nasho Jorgaqit, mendime të Gjovalin Shkurtajt si dhe studime të disa intelektualëve arbëreshë, janë bërë pjesë e rëndësishme e veprës së Bardhosh Gaçes, “Letërsia bashkëkohore arbëreshe”.

ETNOLOGJIA DHE FOLKLORI SHQIPTAR

Bardhosh Gaçe s’është një vëzhgues i jashtëm i etnologjisë dhe folklorit shqiptar, një gjyqtar që kërkon të peshojë qysh nga tejkoha atë çfarë ka mbritur deri në ditët tona, e gjallë dhe me fuqi gati hyjnore. Ai jeton brenda Labërisë, si brenda një kështjelle rrethuar me karakolle të paprekshme. Zëri i tij është pjesë e simfonisë labe, që jemi mësuar ta quajmë polifoni. E vjetër sa bota dhe ngarkuar mistere. Kori i kishës s’mundet ta huazojë magjinë e kësaj kënge për të ushtruar pushtetin shpirtëror mbi besimtarët. Jam i bindur, ison e polifonisë që drithmon horizontet, edhe perënditë zbresin për ta dëgjuar. Dua të them që, Bardhosh Gaçe e ka gurrën ku vendos buzën, lartësitë ku mbështet shpatullat dhe epizmin që ushqen shpirtin. Zotëron edhe mjetet për ta shprehur brendinë e tij. Prandaj afron konceptet bashkëkohore rreth etnologjisë dhe folkloristikës, i referohet veprës së De Radës, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, Thimi Mitkos  me prurjet e tij te “Bleta shqiptare”, Spiro Dines dhe Zef Jubanit, dy ndër mbledhësit e shquar të folklorit tonë. Gjatë leximit të libri, aq më tepër me shënime, gjithmonë bëj pyetjen; a është intelektual autori? Flasim për autorin krijues dhe s’themi asnjë fjalë për autorin-njeri. 
Në një publikim timin për intelektualët si pararendës të progresit shoqëror kam pasqyruar idetë e mia. Për kurreshtjen e lexuesit po afroj pak rreshta. Shumë tema vazhdojnë të mbeten tabu, sepse frikërat vazhdojnë të enden sipër nesh, shenjë kjo e mjerimit intelektual dhe kulturor e atyre që guxojnë të prodhojnë art, e atyre që duan të bëhen pjesë e historisë, ndërkohë që janë të paaftë të bëjnë histori. Ne kemi qindra doktorë shkencash (!) dhe profesorë gjithashtu. A i meritojnë gradat shkencore dhe titujt? Le të themi se i kanë rrëmbyer dhe i gëzojnë. Po mirë, cili studim doktorantësh i ka shërbyer shkollës tonë, metodologjisë së mësimdhënies, kulturës, teknologjisë, ekonomisë kombëtare, zgjidhjes së krizave sociale, politikëbërjes? Asgjë nuk është bërë publike. Atëherë kam të drejtë të pyes: mes shpurës së doktorëve dhe profesorëve, a ka intelektualë? Le të spjegohem. Kini durim dhe lexoni deri në fund këto rreshta. Kam njohur krijimtarinë (punimet) e disa historianëve që zotërojnë edhe vënde nderi në studio televizive, si senatorë të përjetshëm. Mungesën e kulturës e kompesojnë me dogma, të inteligjencës me atdhetarinë, të qytetarisë me arrogancën imponuese. Puna e përkthyesve tanë të përkushtuar (deri në vitin 1991) në Akademinë e Shkencave, në Institutin e Historisë dhe në institucione të tjera kërkimore-shkencore, ku gjeti pasqyrim? U përvetësua nga “profesorët” dhe “doktorët”, nga këta pseudointelektualë, u botua në libra me kopertina luksoze me emrat e tyre. Turpet s’mund t’i quajmë “virtyte të larta të kombit”-kështu shkruan At Zef Pellumbi. Ata nuk janë të paditur, kanë informacion, por brenda tyre mungon motivi i ndryshimit, fuqia për ta realizuar atë, sepse s’janë mendjehapur. Për rrjedhojë, ndryshimi i ideve brenda bindjes së tyre është i vështirë. Ata janë konformistë, s’guxojnë të kritikojnë njeri, sepse s’pranojnë kritika nga të tjerët. Cilat ide kanë afruar ata? S’kanë ç’të afrojnë veç shërbimit skllavëror ndaj padronëve. Njerëzit e lidhur me prangat e pushtetit dhe interesave s’mund të projektojnë progresin. Misioni i tyre është shërbimi ndaj vetes dhe përfitimi i privilegjeve familjare, jo idetë e reja të ndryshimit. Po shërbimin ndaj shoqërisë kush do e realizojë? Ja pra, intelektualët i kemi të paktë. Sillni në kujtesë atdhetarët mendjendritur të Rilindjes Kombëtare, ata që ideuan mëvetësimin e Shqipërisë, hapjen e shkollave shqipe, bashkimin dhe vëllazërimin rreth një ideali, “Mëmë kemi Shqipërinë/ Edhe besë perëndinë!” Shikoni pra, sa minorë janë dhe duhet të ndjehen të përkëdhelurit e djeshëm apo idiotët e dobishëm që kanë shtuar radhët e tyre. Le të konsultohemi me fjalorin e gjuhës shqipe. “Intelektual; që ka të bëjë me mendjen, me arsyen e me gjykimin, që i përket intelektit mendor”. Jo çdo mësues fshati, pedagog fakulteti, sekretare ministri, punonjës administrate, mund të përkufizohet i tillë. Ata që s’kanë shkruar asnjë rresht për një problematikë të caktuar, që s’kanë lexuar asnjë libër, që s’janë bërë pjesë e asnjë debati, s’do kuturisja t’i bëja objekt vlerësimi, kurrsesi. Krahasoni të ashtuquajturit intelektualë të sotshëm me shkencëtarin Eqerem Çabej dhe studimet e tij, kryesisht për gjuhësinë, me Androkli Kostallarin dhe kontributet e tij të vyera, me Aleks Budën e shumë të tjerë. Mund të pyesni; pse i referohesh listës së vjetër? Po kujt, atëherë? Duhet të pranojmë degradimin e sistemit tonë arsimor, i cili pas vitit 1990 është shndrruar në një biznes të frikshëm dhe fitimprurës. Prodhohen diploma, por jo dije. E keni parë statujën e mjeshtrit Odhise Paskali titulluar “I urituri”? Kjo skulpturë u realizua në Torino (1924) dhe simbolizon plakun që jep shpirt në ullishtet e Vlorës. Vdiq sepse s’kishte ç’të hante. Jugun e Shqipërisë e përzuri greku (në vitin 1914) me urën e zjarrit dhe kërkuan strehim e shpëtim në qytetin bregdetar. Kjo statujë vlenë edhe për kohën që jetojmë, simbolizon edhe urinë intelektuale në metropolin tonë(!). Sikur të vendosej mes Tiranës kjo kryevepër e skulpturës shqiptare! Le t’i referohemi artit. Edhe arti s’bëhet me inat. Pena që ngjyhet në urrejtje pengohet nga egoizmi i verbër primitiv. S’do guxoja të përfshija në klasën e privilegjuar të intelektualëve ata pseudogazetarë të punësuar gjer dje në rubrikat ideologjike të shtypit të shkruar, ndërsa sot në lehës të atyre që i paguajnë. Ata shfrytëzojnë çdo tavolinë bashkëbisedimi për të anatemuar studiuesit seriozë shqiptarë që guxojnë të trajtojnë temat e nxehta të marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe fqinjëve tanë natyrorë. Mendojnë se vrasja morale e autorëve do t’i paraprijë çvlerësimit të veprave të tyre njohëse dhe edukative. Ata lëndojnë edhe eshtrat e martirëve tanë që akuzojnë nga thellësia e varreve. Këta pseudokalemxhinj ecin me sytë e mbërthyer te kryqi dhe dorën e shtrirë për lëmoshë. Brashnjarët! Krah kësaj kategorie janë edhe disa hulumtues të “marksistëve të shquar” në çdo cep të planetit, të cilët guxojnë edhe propagandimin e këtyre “zbulimeve” interesante, aq sa edhe vetë Marksin, këtë filozof mendjendritur, e detyrojnë të dalë jashtë korrnizave të doktrinës së tij dhe të thërrasë në kupë të qiellit: -Nuk jam marksist! Mediokriteti që përfaqëson antivlerat është në mazhorancë, fatkeqësisht. U ndala te klasa e artit sepse misioni i tij fisnik është ushqimi i shpirtit dhe lartësimi i ndërgjegjes qytetare. Artistët e krijojnë atdheun ideal, shoqërinë e shëndetshme dhe ofrojnë hapësira të pamata me idetë dhe vizionin e tyre. Ja pra, një intelektual si Prof. Gaçe u referohet personaliteteve të shquara të kulturës tonë. Po risjell një citim të tij, mjaft interesant nga rilindasi Branko Merxhani. Sa vizionar është Merxhani! “Duhet të hyjmë brenda në popull dhe të rrojmë bashkë me popullin. Të vëmë re fjalët e urta dhe kallëzimet e traditave të tij. Të ndjekim mëngrën e mendimit dhe ritmin e ndjenjave të tij. Të dëgjojmë këngët e tij, muzikën e tij dhe të shohim vallet e tij. Të hyjmë brenda në krijimin e jetës së tij fetare dhe të marrim vetitë e ndjenjat e moralit të tij. Të studiojmë veshjet e tij, arkitekturën e shtëpisë dhe mobiliet e tij të thjeshta e të varfëra, që stolisin kaliven fshatarake…Nga kjo shkollë e jetës popullore dolën të gjithë gjenitë e historisë…”  Unë u referohem vlerave, vetëm atyre, sepse kritiçizmi ushqen prirjen e ftohtësisë, ndërsa admirimi pasohet nga lëvdatat. “Etnologjia dhe folklori shqiptar” - meritojnë një analizë të detajuar, koha dhe përkushtimi duhet të bashkëpunojnë, e në këto kushte s’mund të kërkojmë studime analitike për çdo këngë (p.sh, “vajzë e valëve”-perlë e folklorit tonë), për një valle (Osman Taka bëhet urë kalimi për shokun në krah dhe kërkon me sy hapësirat, apo vallja labe ku burrat qëndrojnë sup më sup si malet), për një lahutar që zbret në thellësi të shekujve dhe zgjon baladat. Po sjell pak rreshta nga epopeja që shkroi Oso Kuka, u rrethua nga malaziasit dhe kur i mbaruan fishekët bëri zemrën bombë dhe hodhi në erë kullën nga frëngjitë e të cilës luftonte. Sakrifikoi veten dhe trimat e tij, por vrau edhe 500 ushtarët që e kishin rrethuar. Fjalët e trimit në gojën e rapsodit popullor e më vonë te "Lahuta e Malcisë". Motivi apo shtysa e brendëshme që ushqente qëndresën shqiptare:
“Zot, ç’ká thánë njaj Avdi Pasha/ Paska mbetë Shqypnija m’vasha/ Qysh se s’léka mbrendë nji djalë/ N’at Vraninë mue sod me m’dalë/ N’at Vraninë, m’at t’zezë terthore/ Ku mbe’n shkret sá armë mizore/ Ku mbe’n djerr sá tokë gratçore/ Ku mbe’n vithnat pa bagtí/ Veç prej cubash t’Malit t’ Zi”. Në cilën “harpë eoliane” era e bjeshkëve ka kënduar pikëllimin? Vetëm lahuta shqiptare mund ta bëjë një mrekulli të tillë. Çështë ky shkëlqim brenda gurrës popullore? Dhimbja ka sjellë lotët, vërtetësia ka sjellë besueshmërinë, bukuria - admirimin, ndërsa nevoja e mbijetesës dhe etja shpirtërore ka kërkuar përjetësinë e tyre. Andaj është e gjallë kujtesa historike; Kanuni ose kushtetuta shpirtërore e Malsisë, që administronte jetën brenda bajraqeve, Kanuni i Labërisë, nderimi i jetës dhe vdekjes, këngët e pushtimit dhe këngët e qëndresës, këngët e lindjes dhe ninullat, këngët aq pikëlluese për nizamët dhe kurbetin, një dramë që vazhdon dhe në ditët tona.  Nëse vdes kujtesa,vdes kombi, paçka se shqiptarët shpresojnë dhe presin më shumë nga të tjerët se nga vetja e tyre. E kam fjalët për miqtë tanë të vërtetë që na kanë mbështetur në kohë të vështira. A mund të shpresojmë që Perëndimi do jetë gjithmonë i perëndishëm me shqiptarët edhe në kushtet e marrëzisë së tyre? “Shkëputja e Shqipërisë nga Europa ndodh pikërisht në zemër të vezullimit Rilindas, kur idetë e progresit shoqëror, letërsia dhe artet arritën nivele përkryerje të pakapshme…shtetet europiane filluan t’i harrojnë sakrificat e shqiptarëve për të shpëtuar qytetërimin perëndimor…” Është gjykimi i Ernest Koliqit, këtij personaliteti që ka kontribuar kaq shumë edhe për letërsinë shqipe. Në kushtet që krenohemi vetëm me martirët e eposit tonë, meritojnë t’u drejtohemi përunjësisht: Paqe mbi Ju!

No comments: