12 vjet më parë
Presidenti Xhorxh W. Bush në Tiranë dhe Fushë - Krujë
Të pathënat për vizitën e burrit të madh të shtetit amerikan në Shqipëri. Si hyri në furrën e bukës së vajzës së Ali Dragoit nga Zhepova dhe Dilaver Kamanit nga Shelqi, dy fshatra të nënprefekturës së Përmetit.
Nuri Dragoj
Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Walker Bush, është i pari President i SHBA-
së në detyrë, që bëri vizitë zyrtare në Shqipëri. Vizita e Tij do të mbahet mend gjatë, pasi ligjëroi pavarësinë e Kosovës, realizoi integrimin e Shqipërisë në NATO dhe përmirësoi imazhin e Shqipërisë në botë, për të cilën u fol jo pak ato ditë. Ai u prit me të shtëna të topave, ritual i zakontë për shqiptarët, ndonëse zhurma e tyre trembi disa gazetarë të huaj.
Vizita e kreut të Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri ishte shprehje e ngrohtësisë midis dy popujve, e mbështetjes amerikane për shqiptarët, duke nisur nga Presidenti Woodrow Wilson, i cili kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Versajës, Paris 1919. Ai ndoqi rrugën e Presidentit Bill Klinton, i cili e shpëtoi Kosovën nga kthetrat e terrorit serb, duke dërguar NATO-n në ndihmë të saj. Klinton erdhi sërish disa ditë më parë në Kosovë, të festonte bashkë me kosovarët 20 - vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Midis të tjerave Klinton u tha kosovarëve dhe mbarë shqiptarëve: Amerika do të jetë përherë me ju. Unë jam pro migrimit dhe jam pro jush, jam që ju të ndërtoni të ardhmen këtu, të ndërtoni familjet tuaja. Ende vazhdoj të besoj se përparimi është i rëndësishëm. Kundër shanseve të vështira, qytetarët morën atë që ndodhi dhe fituan konfliktin, por ju e fituat paqen. Tani çfarë duhet të bëni në 10 vitet e ardhshme, ku dëshironi që të shkojë vendi juaj? Lëshoni armën në tokë dhe krijoni lidhjet dhe të diskutoni për dallimet tuaja dhe diskutoni për të ardhmen. Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës për atë se çfarë jeni. Ju duhet të mendoni më tepër rreth asaj se çfarë mund të bëni më mirë së bashku.
Por le të kthehemi sërish te vizita e Presidentit Bush. Ai mbërriti në Tiranë me avionin “Air Force One”, i cili është cilësuar nga specialistët si mrekullia e qiellit, me teknologji të përsosur, palestër, sallë mbledhjesh, dhomë mjekimi etj. Atë ditë Tirana u pushtua nga mediat e huaja. Aktiviteti u ndoq nga rreth 400 gazetarë nga 116 shtete të botës. Televizionet më në zë CCN, BBC, Euro News, kanë transmetuar vizitën e Bush drejtpërdrejt nga Tirana. Vizita e Tij në kryeqytetin shqiptar ishte parashikuar të zgjaste gjashtë orë, por në fakt kaloi tetë orë, pasi nisi në ora 9 e 30 dhe përfundoi në ora 17 e 30.
Për fat të keq kjo vizitë nuk u kujtua as këtë vit, në një kohë që përbën ngjarje të veçantë për Shqipërinë. Do të ishte mirë që, çdo vit, të thuhej diçka rreth saj, madje të bëhet dhe analizë se çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë nga këshillat e dhëna prej Presidentit Bush.
***
Banorët e Fushë-Krujës nuk mund të harrojnë 10 qershorin e vitit 2007, kur Presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush, shkoi për një vizitë të shkurtër, në qytetin e tyre të vogël. Për më shumë se dy muaj, në atë qytet nuk bisedohej për gjë tjetër. Por edhe sot, kur kanë kaluar 12 vjet, ndihen krenarë që një prej burrave më të shquar, prej një kombi të madh, ndaloi përreth një orë në qytezën e tyre të vogël.
Në këtë qytezë, rrallë qëndrojnë politikanë. Mund të shkojë ndonjë ministër a kandidat për deputet, vetëm ditët e fushatës, sa të marrë votën dhe pas kësaj, gjithçka harrohet. Është një qytezë, që nuk e ka vizituar as Kryeministri dhe as Presidenti i Republikës. Një qytezë, gati e harruar, por që kujtohet duke udhëtuar për në Shkodër, për shkak të tabelës në rrugë: Fushë-Krujë. Një qendër banimi me njerëz të varfër e të papunë, mbase si kudo tjetër në Shqipëri, një vend i lodhur nga varfëria e diktatura gjysmëshekullore.
Banorët e kësaj qyteze, me kulturën dhe shpirtin e tyre treguan mikpritjen shqiptare. Madje mendojnë se mund të kishin bërë më shumë. Nuk dinë ta shpjegojnë, por duket se ndihen ende në borxh me atë njeri të kombit të lirisë, të atij kombi që është gjendur në çdo moment historik në krah të kombit të vuajtur shqiptar dhe e ka shpëtuar atë nga kafshimet e bishave të egra që e rrethojnë. Atyre u duket sikur kanë lënë ende diçka pa bërë. Dhe urojnë të vijë edhe një herë, Ai Xhorxh W. Bush, ose pasuesi i tij, që të plotësojnë mangësitë, t’i hapin zemrën dhe të qajnë hallet me të.
Xhorxh W. Bush në Fushë-Krujë
Arjan Kamani është me origjinë nga fshati Shelq i Përmetit, djali i Dilaver Kamanit, një burrë i pashëm dhe me intelekt, i ditur në saj të zellit të tij për libra, ndonëse arsimimin e plotë e pengonte dikatura komuniste. Për fat të keq nuk jetoi edhe pak. Të paktën sa të takonte Presidentin Amerikan. I shumëvuajtur nga diktatura, bënte pjesë ndër njerëzit që e pritën me shumë gëzim lirinë. Arjani është nip i Ethem Kamanit, njeriut të punës dhe të mendjes, të cilin regjimi komunist e bëri kulak, për shkak se kishte 500 krerë bagëti dhe një kalë me shalë, për më tepër sepse ishte punëtor dhe pati ndërtuar një shtëpi dy katëshe, më e mira në atë fshat. Dilaveri iku nga fshati rreth vitit 1955, dhe u vendos në Fushë Krujë. Iku, sepse nuk e donin komunistët e fshatit. U vriste sytë paraqitja e tij, dija e tij. E lanë të ikte, jo për t’i bërë nder, por sepse u prishte biografinë, qe djal kulaku. Ama, letrat nuk ia ndanë për asnjë çast. Dëshironin që edhe Fushë-Kruja ta shihte si armik të partisë-shtet.
Diktatura komuniste solli lulëzimin e sërvilizmit dhe nënshtrimit, karierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëret dhe privilegjet. Me anë të luftës së klasave u mboll frika dhe terrori, duke u bazuar në kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe të sigurimit, të cilët ushqyen veprimet antihumane, hipoktizinë, korrupsionin, ryshfetin, servilizmin, abuzimin me karrigen, hatëret, vjedhjet, gënjeshtrën. Të gjitha këto çuan në shkatërrimin e personalitetit të njeriut, në varfërimin shpirtëror, duke e lënë atë pa personalitet dhe pa dinjitet, pa fisnikëri e pa burrëri, shembi bujarinë e besnikërinë, mikpritjen dhe shpirtgjerësinë, urtësinë dhe punëdashjen, ushqeu mosbesimin, dinakërinë e dembelizmin. Enver Hoxha ndoqi politikën e izolimit me botën e jashtme, me kulturën dhe ekonominë europiane, me lirinë dhe demokracinë e tyre, pasi në këtë mënyrë e mbante më lehtë popullin të nënshtruar, në errësirë të plotë, sepse kështu komandohej më lehtë, njëlloj si feudalët e principatëve shekuj më parë.
Dilaveri e dinte se ç’mund të bënte lufta e klasave. I harroi bëmat e këqija të bashkëfshatarëve të vet dhe punoi tërë jetën me ndershmëri, pak kohë mësues dhe më vonë elektricist. Rreth vitit 1980 shkuan në Fushë - Krujë edhe prindërit e tij të mirë, Ethemi dhe Rubija, të cilët ndërruan jetë në atë qytezë të vogël, por relativisht të huaj për ta.
Pas rrëzimit të komunizmit, Dilaveri erdhi në fshat, bëri një meremetim të shtëpisë dhe kërkoi të merrte tokat e të atit. Por prapë komunistët u bënë pengesë. Ishin po ata që bënin ligjin. “Nuk t’i japim tokat, - i thanë, - je i ikur nga fshati”. Dilaveri nuk mbante armiqësi. Buzëqeshte me ta, u thoshte se jemi të një gjaku, por ata nuk bindeshin. “Si mund të jemi të një gjaku, kur ne komunistë dhe ti kulak”, - shprehnin habi disa prej tyre. Nuk mundet! I bënë presion Dilaverit. E mërzitën aq shumë, sa ai u largua, duke i lënë pronat e tij në duar të atyre që i morën me dhunë, në sajë të Ligjit 7501 për Tokën, i cili e shpërndante atë sipas frymëve, por atyre që e kishin pasur në pronësi nuk u jepte asgjë.
Ambasadorja amerikane hyn në dyqanin e familjes “Kamani”
Arjani është bashkëpronar i furrës së Bukës me Klaritën, vajzën e dajës së vet. Këtë njësi biznesi e vizitoi Presidenti Amerikan, Xhorxh W. Bush. Klarita është bijë e Ali Dragojt. Pas martese thirrej Klarita Topi.
Arjani kujton: Në fillim të muajit maj 2007, ndaluan para furrës katër makina të mëdha. Nga njëra prej tyre, zbriti Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Marsi Ris. Ishte e shoqëruar nga disa persona, të gjithë të huaj. Hynë në furrë. Në shtangëm. Nuk po kuptonin përse mund të hynte në një furrë të zakonshme, të një qyteti të vogël, ambasadorja e një vendi të madh, kur në Tiranë kishte dhjetëra furra moderne.
-Isha duke kaluar rrugës, - tha Ambasadorja duke qeshur. - Ndjeva aromën e bukës së pjekur dhe u ktheva të blejë. U thashë dhe shokëve. Me këtë aromë që ka buka e kësaj furre, pronarët nuk duhet të kenë frikë nga konkurrenca.
-Ne u hutuam edhe më, - vijoi Arjani. - Na u duk rast i veçantë të vinte në furrën tonë një Ambasadore e një shteti kaq të fuqishëm, për të blerë dy a tri bukë. Por u kënaqëm. Na erdhi mirë që ajo hyri në furrë, pasi ky veprim ishte njëkohësisht dhe reklamë për ne. Mbase jo për këtë rast, por ajo e bëri rit një veprim të tillë. Vinte thuajse në dy-tri ditë, shoqëruar me disa të tjerë dhe blinte bukë: bukë të bardhë, të zezë, bukë misri. Pas kësaj largohej duke qeshur.
Një ditë, ajo erdhi si përherë. Bleu sërish bukë. Por këtë radhë u bë si e shtëpisë. Një nga shoqëruesit e saj pyeti: - Po në mjediset e tjera, çfarë ka?
- Hyni dhe shihni! - u tha Klarita.
Duket se ata këtë kishin pritur dhe hynë menjëherë. Filluan të fotografonin çdo cep. Ambasadorja u përshëndet me bukëpjekësit, i falënderoi për punën e mirë që bënin dhe u largua sërish. Kur ajo doli nga furra, i them ortakes sime, Klarita Topi, njëkohësisht dhe kushërirë e parë e imja:
- Moj Klarita! Kjo ambasadorja nuk më duket se vjen vërtetë për të blerë bukë. Po të ishte për bukë, ajo mund të dërgonte një punonjës të saj. S’kishte përse të vinte vet. Nuk i tepëroi koha. Pastaj, pak furra ka Tirana!
- Pse shqetësohesh kot, - i tha Klarita. Ne jemi në punën tonë. Po i pëlqen buka, le të blejë. Po s’i pëlqen, të iki. Le të bëjë si të dojë. Qeshëm për një moment dhe pas kësaj na rrëmbeu puna. Ambasadorja kishte ardhur disa herë, po “për të blerë bukë”. Këtë radhë, një nga shoqëruesit e saj, pyeti:
- Sa dyer paska kjo furra juaj?
- Tri dyer, - iu përgjigjëm.
- Kjo dera pas, pse rri mbyllur? - pyeti tjetri.
- Rri mbyllur, sepse duam të shmangim pluhurin.
Ai u afrua te njëra nga dyert dhe po trokiste mbi xham me dorë. Pastaj pyeti:
- Çfarë është ky?
- Xham, - i thamë, nuk e shihni?
- E shoh, por desha të them çfarë xhami është?
-Emrin nuk ia dimë, por ne i themi xham qorr, që do të thotë se, mund të shohësh nga brenda jashtë, ndërsa nga jashtë nuk sheh se çfarë bëhet brenda.
- Pyeta, ashtu kot, - tha tjetri dhe u fut sërish në ambientin e gatimit. Ai para dhe ambasadorja pas tij. Të tjerët prisnin në dhomën e shitjes së bukës. Njerëzit që e morën vesh, shprehnin habi. Ç’kërkonte Ambasadorja Amerikane, në një furrë të Fushë-Krujës, qytet i kategorisë së tretë a të katërt?
Në moment, Marsi Ris, pyet:
- Ku e mbani miellin? Kini magazinë?
- Po i përgjigjet Klarita, kemi.
- A mund të shkojmë ta shohim, se kam dëshirë?
- Patjetër, - ia ktheu Klarita dhe i udhëhoqi drejt magazinës. Pasi ata ishin larguar, Klarita i tha Arjanit:
- Kishe të drejtë. Ka diçka mistike në këtë punë. Nuk besoj se vjen thjesht për të blerë bukë.
- Mbase vjen për shkak se jemi biznes i kredituar nga USAID-i – tha Arjani. -Interesohet të mësoi si menaxhohet kredia e marrë, a është efektive?
Por edhe ky arsyetim nuk i bindi. Për kreditë kishte plot specialistë që merreshin përditë. Ecuria e kredisë shihej dhe në shlyerjen e interesave. Por sërish humbën pas pune.
“Gazetarë” të New Jork Times
Arjani vazhdon tregimin e tij, duke thithur cigaren e kthyer një gotë xhon.
- Një ditë vijnë tre amerikanë, dy burra dhe një grua. Më kërkuan mua dhe Klaritën. Dolëm dhe i takuam.
-Jemi gazetarë të New Jork Times. Duam të bëjmë një shkrim për biznesin tuaj.
- Si ka mundësi, që një gazetë kaq prestigjoze, të shkruaj për një biznes të vogël nga Shqipëria? - i thashë, pa e fshehur dyshimin unë.
-Mos u çudit, - më tha “gazetari”. Ne kemi një rubrikë të posaçme për bizneset në rritje nga vendet në zhvillim. Dhe filloi nga pyetjet. Po tregoi disa prej tyre, të cilave iu përgjigj Dritani, djali i Klaritës.
-Çfarë biznesi kini pasur fillimisht?
- Ushqimore.
-Po pastaj?
-Klub, kafe e pije të lehta.
-Pse e ndryshuat destinacionin, apo u ra puna?
- Jo. Kishim shumë punë dhe kërkohej angazhim i madh...Në një moment ndërhyri “gazetarja”:
-Unë jam beqare. Do të më pëlqente ndonjë djalë shqiptar.
- Edhe unë beqar jam, - ia ktheu Arjani, - por nuk më duket e gjetur fejesa me një të huaj.
Tri ditë më vonë, na vjen sërish mikesha e nderuar. Si përherë buzagaz. Bleu bukë dhe i pyeti një nga një punëtorët, lidhjet e tyre me pronarët, vështirësitë e punës etj. Ishte fundi i muajit maj. Ambasadorja kishte ardhur më shumë se 10 herë. Këtë radhë, para se të largohej, lëshoi një shprehje: “Pas disa ditësh, do të keni një surprizë të këndshme”. Dhe u largua.
Ne mbetem të shokuar nga “surpriza” që na priste. Jepnim lloj-lloj mendimesh, por askush nuk mendonte se do të vinte Presidenti Bush. Nuk kishte asnjë lajm që ai do të vinte në Shqipëri. Kur lajmi u bë publik në media, ardhja e ambasadores u shpeshtua. Ajo vinte gati për ditë. I thashë Klaritës që, me siguri, në furrën tonë do të vinte Presidenti Bush. Ajo ma kthente me të qeshur:
- Duket se ke parë ndonjë ëndërr me sy hapur.
- Jo, - ia ktheva. -Ajo surpriza që tha ambasadorja, nuk është pa gjë. Ke për të parë që do të jetë e madhe. Do të vijë vet Bush.
Tri ditë para ardhjes së Presidentit, ambasadorja na tha se biznesin tonë dëshironte ta vizitonte një personalitet i lart amerikan. Ne mbetëm të shtangur. Ajo e kuptoi dhe na qetësoi:
-Mos u tronditni! Ju do të punoni si zakonisht. Do të jeni të veshur si përditë. Jeni në punën tuaj. Ai do të vijë si mik, vetëm për një vizitë. Natyrisht, mund të ketë më shumë rregull e pastërti. Kjo është normale. Për këtë, nuk po u them gjë, pasi ju kini traditë të mirë pune. Sa herë kam ardhur këtu, kam vënë re se pastërtia është shëmbullore. Por ju nuk do të thoni, që do të vijë ndonjë person me rëndësi, pasi më të rëndësishëm, ini ju vet. Këtë gjë nuk ua kam thënë unë. Pastaj i tha Klaritës: Dëshiron të marrësh pjesë në një takim me Presidentin Bush?
-Me kënaqësi, - tha Klarita, - por mbase është më mirë të vij im bir.
-Jo, duhet të vini ju, tha prerë ambasadorja. Por atë ditë mos u largo, që të gjejmë kollaj, se bllokohen rrugët dhe mund të na “humbasësh” nga sytë.
Duke ecur në këmbë, Arjani pati dëgjuar refrenin e njëtrajtshëm të lypsave që kishin mbetur aty, duke kërkuar bukë, ndofta që nga koha e mjerimit të Migjenit. Ai ndjente keqardhje për ta, pasi në përgjithësi kishte raporte të afërta me njerëzit e varfër. Jepte falas të paktën 10 bukë në ditë. Por sërish ndihej i pafuqishëm. Mendonte se ushtria e qeveritarëve ndodhej ende në periferinë e realitetit dhe nuk mund t’i afronte ndihmën e duhur popullit të vet. Kishte kohë që përplasej me njerëz të pushtetit për të zbutur ingranazhet e kësaj makinerie, e cila prodhonte varfëri dhe vdekje, në sajë të korrupsionit të madh. Aparati shtetëror gjente gjithmonë një arsye për të çuar deri në fund “inkuizicionin” e vet, që po shoqërohej përherë e më shumë me largimin e njerëzve jashtë atdheut. Dhe thoshte me vete: Do Zoti të mos shoh asnjë prej tyre Presidentit i SHBA-ve.
Xhorxh W. Bush, preferon të vizitoj një biznes përmetar
10 qershor 2007. Pronarët e furrës ishin të emocionuar. Vazhdonin punën normalisht. Qyteti kishte shumë forca sigurie. Atë ditë njerëzit po blinin më shumë se zakonisht. Ishin duke mbaruar bukët e pjekura.
Arjani kujton: Dy vajza të huaja, hynë në furrë dhe na thanë:
-Pse nuk vendosni shumë bukë në vitrinë?
-Nuk kemi, - i thamë, - u mbaruan.
- Si nuk kini? Nuk do të dali furra tjetër? - pyeti njëra prej tyre.
- Del pas gjysmë ore, - i them unë.
-Shumë mirë. Mbushini vitrinat. Edhe këto tortat mund t’i lini në vitrinë.
Në atë çast e kuptuam, se personi që do të vinte, ishte shumë i rëndësishëm dhe mbase do të ishte vet Presidenti Bush. Për të qenë të sigurt, u thamë policëve:
-Ndalojini njerëzit që duan të vijnë te furra për bukë, pasi nuk ka më. Kishim frikë mos mbeteshin vitrinat bosh.
Lokali i Sabah Çelës, që ndodhej fare pranë furrës së bukës, ishte boshatisur tri ditë më parë dhe qe kthyer në një tip zyre. Edhe muret ishin me të shkruara, njëlloj siç ishte dy ditë më parë, kur në të luanim bilardo. Aty hyri Presidenti për herë të parë. Djalit të pronarit, Festimit, i foli në emër dhe ai u mahnit. Presidenti me bashkëshorten hynë në këtë zyrë, ku biseduan me disa biznesmenë të qytetit të Fushë-Krujës. Zyra e improvizuar nuk kishte sistem ftohjeje. Mund të kishin venë kondicioner kur të donin, por duket se kërkonin që takimi të ishte sa më origjinal. Bënte vapë. Dritani u shpuri një freskuese. Arjani nuk hyri brenda. Biznesin e përfaqësonte Klarita. Në krah të saj, ishte ambasadorja amerikane në Tiranë. Ajo i tha Klaritës në vesh: “Bën mirë ta ftosh Presidentin për vizitë te biznesi juaj!”
Minutat e para ishin nën breshëritë e blicave dhe vëzhgimin e kamerave. Pas dy minutash, u fik priozhektori i madh dhe Bush, pasi lëshoi një uff, tha: “Tani mund të flasim lirshëm”. Pyeti të pranishmit, një për një. Pasi shkëmbyen disa mendime, Klarita e ftoi Presidentin Amerikan të bënte një vizitë në furrën e saj. Ai e priti me kënaqësi ftesën dhe u nisën drejt furrës, duke e mbajtur Klaritën për dore. Punonjësit ishin gati duke i pritur. Te dera e furrës qendronin dy vajza të bukura. Njëra prej tyre i zgjati aparatin fotografik Presidentit dhe e ftoi për një fotografi. Ai e mori aparatin dhe ia dha fotoreporterit të Shtëpisë së Bardhë, i cili bëri dy shkrepje. Arjani, Admiri, Dritani, Mirdita, Oligerti… prisnim në ankth. Dhe erdhi momenti. Bush hyri në furrë, si një burrë shteti, por dhe si një qytetar i thjesht, sikur të ishte banor i atij qyteti, si një komshi. I pyeti një për një. I treguan kush ishin pronarët dhe punonjësit e furrës. Klarita e prezantoi me djemtë e saj. Bush u drejtua nga ata dhe u tha: “Kini një mama të mrekullueshme, si mamaja ime”.
Presidenti u përballë me një tortë të madhe, që ishte bërë prej të zotëve të furrës, në nderim të vizitës së tij. Ishte me dimensione një metër e gjatë dhe 60 cm gjerësi. Mbi të qe vizatuar flamuri amerikan. Duket se kjo pamje e befasoi Presidentin dhe e emocionoi njëkohësisht.
Arjani tregon se patën punuar gjithë natën për bërjen e saj. Një tjetër tortë, më e vogël, kishte të vizatuar flamurin shqiptar. Bush u afrua te torta dhe më ftoi mua ta ngrinim lartë, duke e kthyer nga blicat e fotoreporterëve, pasi kështu mund të fotografohej më qartë. Pastaj e ulëm sërish. Bush ndihej i emocionuar, njëlloj si dhe ne. Nxori nga xhepi disa stema me emblemën e Shtëpisë së Bardhë dhe na dha nga një copë, secilit prej nesh. Një prej tyre i ra nga dora. Shoqëruesi e mori menjëherë.
Xhorxh W. Bush kërkoi një thikë që të priste tortën për ta shijuar. Ne u hutuam. Thika ishte në tavolinë, para syve, por ne nuk e shihnim. Ai e kuptoi hutimin tonë dhe futi gishtin në tortë, duke thënë buzagas:
-Është e shkëlqyer. Do ta marrim në Amerikë. Dhe e morën. Por pak më parë, i kërkoi ambasadores lekë shqiptare për të paguar tortën, që do të blinte. Ajo i dha 3 mijë lekë, por në atë mjedis aq miqësor e të dashur, Presidenti harroi “të paguante” mallin e blerë. Pastaj filluam të bënim fotografi. Një nga të pranishmit u kujtua për Laurën, e cila kishte mbetur te dera e jashtme, për shkak të vendit të ngushtë. E morëm Laurën dhe e futëm midis nesh. U bënë disa fotografi. Fotot që bëri fotografi i Shtëpisë së Bardhe na i dërgoi Xhorxh Bush, shoqëruar dhe me një fletë nderimi, firmosur me dorën e tij. Bëmë foto dhe ne, por nuk kishim aparat profesional. Tortën me flamurin shqiptar e mori ambasadorja Ris, pak më vonë. Dërgoj lajm, që torta të mos shitej, pasi do të blihej prej tyre. Morën disa torta të tjera. Ne u kënaqëm shumë.
Presidentit Bush i dhuruam një qeleshe, në të cilën ishte qindisur flamuri shqiptar, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë prej tij në pavarësinë e Kosovës. I dhuruam dhe Kalanë e Krujës, vizatuar në një pjatë bakri. Një tjetër të këtij lloji, në të cilën ishte portreti i Skënderbeut, si dhe një bust të Marigosë, duke qindisur flamurin kombëtar.
Pas kësaj, Presidenti doli në rrugë. Banorët e Fushë-Krujës, duke parë Presidentin që doli nga lokali, duke mbajtur përdore pronaren e furrës së bukës, Klaritën, nuk besuan se do të qëndronte mes tyre. Protokolli për një president të SHBA-së është një lloj bible që nuk shkelet, por Bush e theu protokollin e vizitës. Madje këtë e bëri edhe kur përshëndeti njerëzit që e prisnin në sheshin “Skënderbej”, duke bërë një xhiro në qendër të Tiranës. Kjo qe e papritur pasi dhe stafi i tij nuk qe përgatitur për një ndryshim intenerari të Presidentit.
Forcat e sigurimit dolën jashtë loje. Presidenti amerikan u shkri me turmën. Dikush e prekte, një tjetër i ledhatonte kokën, dikush i puthte duart. Dukej qartë që Presidenti e kishte kuptuar, që në këtë vend ishte më i sigurt se askund tjetër. Nuk ishte servilizëm i këtyre banorëve. Nuk qe përunjësi, por vlerësim e dashuri për këtë njeri të madh, për këtë mik të madh. Dhe ai ua ktheu me të njëjtën monedhë. U shkri me turmën, u dha duart, i përqafoi njësoj si të ishin njerëzit e tij. Shumë nga banorët tregojnë, që, në ato momente, nuk menduan se po përqafonin njeriun më të fuqishëm të botës, por mikun e tyre, njeriun e tyre, i cili tregoi se burrë shteti njeriun nuk e bën vetëm fuqia që ai ka, por dhe dashuria dhe thjeshtësia, parime mbi të cilat është ngritur vetë Amerika. Ishte një dashuri e respekt i ndërsjellë. Banorët e Fushë - Krujës i dhanë kreut të shtetit amerikan një pritje, ashtu siç e meritonte, fjalët dhe shpirtin e sinqertë të këtij populli, i cili përfaqëson gjithë popullin shqiptar, pasi kudo të shkonte Xhorxh W. Bush, do të ishte përballur me të njëjtën dashuri e respekt, me dashurinë dhe respektin që ka populli shqiptar për popullin amerikan. “Faleminderit President Bush!”.
Me një buzëqeshje në fytyrë, Presidenti amerikan George Bush, pa më të voglën drotjte qëndroi mes fansave të tij, duke shijuar mikpritjen e mahnitshme, si një yll roku. Valëviste dorën dhe i dërgonte popullit puthje në ajër, duke ecur lirshëm në rrugët e qytetit të vogël të Fushë-Krujës. Ndaj dhe bashkia e qytetit të Fushë Krujës i dha titullin “Qytetar Nderi”.
Por dhe çiltërsia e pritjes shqiptare nuk duhet lenë pas dore. Nuk mund të gjendet vend i dytë në Evropë si Shqipëria, shteti më i varfër i këtij kontinenti, ku Bush të jetë përballur me një pritje aq të ngrohtë, duke nisur nga kreu i shtetit, deri tek njerëzit në rrugë, madje njëra prej rrugëve ka marrë dhe emrin e tij.
Më shumë mësoj nga barinjtë se sa nga avokatët e Teksasit
Klarita, një grua e thjeshtë, por e dashur, ka hequr shumë mundime në jetë. Ajo u rrit jetime, për shkak se nëna e saj u nda nga jeta shumë shpejt, duke e lënë 3 vjeçe. Nën kujdesin e të jatit u rrit dhe u edukua, si jo më mirë. Por sërish jeta e dëshkoi. I takoi t’i rrisi fëmijët me shumë mundim, pasi edhe ata patën fatin e saj, për shkak dhe se babai i fëmijëve, Ylli Topi, u nda nga jeta para kohe, gjatë vitit 1997, vit i marrëzisë shqiptare. Dhe, për të kompensuar atë zbrazëti, Zoti e gëzoi me një biznes të mjaftueshëm për të ushqyer fëmijët, por dhe me një takim të paharruar. I duket e pabesueshme të ketë qenë aq pranë kreut të SHBA-ve. Dritani, djali i saj, që shërben po në këtë biznes, i cili mund të themi se është biznes familjar, në bluzë mban medaljen e dhuruar nga Presidenti Bush, e cila ka simbolin e Shtëpisë së Bardhë. Mbrapa saj ndodhej e skalitur firma e Presidentit Amerikan. Dritani është krenar për një medalje të tillë. Dhe ka të drejtë, pasi kjo medalje, ka një kuptim të veçantë. Presidenti i Amerikës ua jep atë njerëzve që kanë merita të veçanta. Për këtë shkak, Dritani mbase nuk do ta heqë kurrë nga bluza atë medalje.
-Ne s’e besuam, por ai erdhi në mjediset e biznesit tonë. Qëndroi për rreth 15 minuta. Na përgëzoi për punën e bërë. I takoi të gjithë punëtorët me radhë dhe na habiti me thjeshtësinë e tij, - u shpreh ai pak ditë pas vizitës së Presidentit Bush.
Admirim Topi, djali tjetër i Klaritës, thotë se ishte impresionuar me thjeshtësinë e treguar nga Bush. Këtë habi ia shprehu edhe Presidentit. Dhe ai buzagaz, i qe përgjigjur: “Njerëzit e thjeshtë më pëlqejnë dhe prej tyre mësoj shumë. Kur shkoj në fermën time, rri bashkë me barinjtë dhe me fermerët e mi. Më besoni, mund të mësosh më shumë prej tyre, se sa nga avokatët e Teksasit”. Si Dritani, ashtu dhe Admiri shprehen se ende nuk i besohet, që ai burrë i madh të ishte aq i thjeshtë.
- Kur më dha medaljen, i dridheshin duart. Dukej që edhe ai qe shumë i prekur nga dshuria që ne treguam, - shton Dritani.
Pritja që i bënë Bushit qytetarët e Fushë-Krujës, ishte një nder për të gjithë ne. Thashethemet e humbjes së orës qenë një tymnajë e hedhur në ajër. Arjan Kamani kujton: Orën Presidenti e hoqi vet kur doli nga furra, pasi njerëzit iu turrën për ta përqafuar dhe duket se ai mendoi që ishte më i lirë pa orë. E hoqi dhe duke dalë dhe e futi në xhep. Na ka ardhur shumë keq për atë zhurmë që u bë. Shumë njerëz më drejtoheshin mua, duke më thënë: Ore, po si ia morët orën Bushit? Dhe unë u thosha: Kini të drejtë. Unë ia mora. Ja, shiheni! Dhe u tregoja orën time, e cila ishte e ngjashme me atë të kreut të shtetit amerikan.
Një djalë i ri, i tha ato ditë gazetës “The Times”: “Ne jemi vend mysliman dhe po luftojmë me Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit. 120 trupa shqiptare kanë luftuar me aleatët në Irak dhe 22 vetë në Afganistan. Shifrat janë të vogla, por domethënia e tyre është e vështirë të mohohet”
Kosova do të jetë e pavarur
Takimi i dy presidentëve, Bush dhe Moisiu, mundësoi bashkimin e përfaqësuesve të partive politike në Pallatin e Brigadave, ngjarje e rrallë kjo, pasi nuk qe shënuar asnjë rast që të bëheshin bashkë krerët e politikës shqiptare. Duke biseduar me Presidentin Alfred Moisiu, i tha me humor: “Kur të mbaroj mandatin do të vij të jetoj në Shqipëri”.
Presidentit Bush iu dhanë shumë dhurata nga politikanët shqiptarë. Dhurata që kushtonin mijëra euro. Por ai nuk mundi t’i shpinte në shtëpinë e vet, pasi një president amerikan mund të marrë dhurata personale, kur nuk e kalojnë vlerën 100 dollarë, në të kundërt, ajo ngelet në muzeun e Shtëpisë së Bardhë.
Në atë vizitë u vu re dhe diçka të veçantë. Politikanët tanë i dinë të gjitha. Flasin në emër të Shqipërisë pa u konsultuar me askënd, marrin vendime dhe japin mendime sipas oreksit. Por nuk ndodhi kështu me Bush. Në takim me Presidentin Moisiu, ai u befasua nga një pyetje direkte: Çfarë do të bëhet me Kosovën? Para se të takohej me Berishën dhe të dilte në konferencën për shtyp, Bush kërkoi 20 minuta pushim dhe hyri në zyrën e zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa, për të zhvilluar një mbledhje me stafin e tij.Presidenti Bush e dinte mirë që shqiptarët prisnin mendimin e tij për Kosovën dhe tha prerë: “Rruga e Kosovës është pavarësia”. “Është koha që të ecet me planin e Ahtisarit. Amerika beson që Kosova duhet të jetë e pavarur”. Nuk la mënjanë dhe rrezikun që vjen si pasojë e këmbënguljes serbe, por siguroi se ajo do të jetë kalimtare dhe shumë shpejt udheheqësit serbë do të ndërgjegjësohen se Kosova duhet të jetë e pavarur. Ndaj shtoi: Serbisë mbase mund t’i ofrohen marrëdhënie më të mira me Uashingtonin. Do t’ia bëjmë të qartë Serbisë se ka një rrugë përpara, ndoshta në NATO, ndoshta në BE dhe, përfundimisht, ndoshta në marrëdhëniet më të mira me Shtetet e Bashkuara”.
Vizita e Presidentit Bush do të mbahet mend gjatë, pasi ligjëroi pavarësinë e Kosovës, realizoi integrimin e Shqipërisë në NATO dhe përmirësoi imazhin e Shqipërisë në botë, për të cilën u fol jo pak ato ditë.
Falënderime të mëdha u drejtuan për banorët e qytezës së vogël, 20 km në veriperëndim të Tiranës, nga Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha, për mikpritjen qytetare që i bënë vizitës së Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh W. Bush. Pak ditë pas kësaj vizite, Berisha shkoi në Fushë - Krujë dhe tha: Erdha për t’ju shprehur ju, zyrtarëve të bashkisë dhe qytetarëve të këtij qyteti, mirënjohjen më të thellë për atë çka bëtë me pritjen vëllazërore që i rezervuat mikut më të shquar të shqiptarëve, presidentit George Ë. Bush. Në Tiranë, të gjithë ne, qeveria, opozita, Presidenti, Kryeministri, bënë gjithçka për pritjen zyrtare më të mirë të mundshme dhe unë them se e kemi realizuar këtë. Por pritjen më të mirë shqiptare, ia rezervuat ju”. Sipas Kryeministrit Berisha, “qytetarët e Fushë-Krujës e pritën Presidentin Bush për të gjithë shqiptarët, e përqafuan atë për të gjithë shqiptarët, shprehën në mënyrën më fisnike dhe më të zjarrtë dashurinë dhe respektin e shqiptarëve për Presidentin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vizitë unike, e para dhe e papërsëritshme në historinë e vendit. Ishit ju, qytetarët e Fushë-Krujës, që i vendosët kurorën e stolisur me ndjenjat më miqësore, më të holla dhe më të zjarrta të shqiptarëve për presidentin Bush. Këtë pritje do ta bënin shqiptarët kudo ku ndodhen, do ta bënte Tirana në të gjitha përmasat, por siguria absolute e mikut nuk mund të mos ishte dhe përparësia absolute”.
Alibia e orës
Vizita e Presidentit Bush e njohu më tej Shqipërinë. Për të mësuan diçka më shumë edhe ata që nuk e njihnin. Lajmi u dha nga të gjitha mediat e botës. Respekti i treguar ndaj Bush ishte një respekt e dashuri e akumuluar në dekada; respekt për Presidentin Ëillson, që i shpëtoi shqiptarët nga copëtimi i mëtejshëm në vitin 1919, mirënjohje për Presidentin Klinton, i cili udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës.
Por vizitën e vrau alibia për orën. Tri ditë më vonë, erdhi kreu i USAID dhe i falenderoi bizneset për mikëpritjen. Falenderoi dhe popullin. Këtë e bënë edhe të tjerë. Një prej tyre, hapi bisedën e orës, pasi ne e pyetëm si ka mundësi të jepeshin lajme të tilla. Dhe ai tha: Në çdo vizitë të Presidentit amerikan, mediat bëjnë të pamundurën të prodhojnë diçka. Por nuk na shkonte mendja te ora. Puna është se lajmi është prodhuar nga mediat shqiptare.
Dinastia Bush
Bushët janë ndër dinastitë më të suksesshme politike në historinë amerikane. Peter Schheëitzer, autori i biografisë së familjes Bush, thotë se janë me origjinë nga East Orange, New Jersey. Familja Bush është një nga familjet më të spikatura në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka qenë pjesë e politikës amerikane për tri gjenerata, si senatorë, dy guvernatorë, një zëvendëspresident dhe dyë presidentë. Postet më të larta në hierarkinë politike fillojnë me katragjyshin e Xhorxh W. Bush, që quhej Samuel P. Bush ((1863-1948), këshilltar i presidentit të 31-të Shteteve të Bashkuara, Herbert Hoover. Djali i tij i parë, Presçot Bush (1895-1972), u bë senator i Konektikatit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Traditën e tij në politikë e ndoqi djali i tij i dytë, George H.W. Bush (lindur më 1924), të cilin e thërrasim Bushi i Vjetër. Ai ka mbajtur postin e Presidentit të 41-të të Amerikës, zëvendëspresidentit të 43-të, e gjithashtu ka qenë kongresmen i Hjustonit, drejtor i CIA-s, si dhe ka shërbyer në shumë detyra si diplomat. Para karrierës së tij politike, ai ka punuar në biznesin e naftës në Teksas. Djalit të tij Xhorxh W. Bush i takoi të ishte presidenti i 43 i SHBA.
No comments:
Post a Comment