Wednesday, 19 June 2019

DITA E NJË EMIGRANTI… OSE: DITË TË SHFLETUARA NGA GISHTAT E MALLIT… OSE: DITË AMERIKANE…

 AHMET KOLIQI
TITULLI:
DITA E  NJË  EMIGRANTI…
OSE:
DITË TË SHFLETUARA NGA GISHTAT E MALLIT…
OSE:
DITË AMERIKANE…
Redaktor:Qazim Shehu
Ditar përmes shkrimeve publicistike
PROZA PUBLICISTIKE E AHMET KOLIQIT SI SHQETËSIM I BOTËS INTELEKTUALE
NGA QAZIM D. SHEHU
Libri “Dita e një emigranti” i Ahmet Koliqit është strukturuar  në formën e një ditari,por herë herë del jashtë këtij koncepti,sepse duke ndërthurur çaste dhe përjetime të përditshmërisë,me shetësimet e një intelektuali dhe atdhetari e qytetari të botës,autori arrin ta  zgjerojë frymëmarrjen e prozës së tij dhe ta shtrijë në rrafshe publicistike me shqetësime,mendime dhe deduksione të mirëpritura.
Çdo njeri ka diçka për të rrëfyer,për ta ndarë me lexuesin,por Ahmeti,si njeri i leximit dhe i interesave intelektuale,arrin që rrëfimet e tij të mos i ndalë deri te kufiri i personales,po t`i çojë më tej,për gjithë ato arsye që përmendëm.Njeriu  dhe rrethi familjar,njeriu dhe koha,emigrimi dhe atdheu, njeriu dhe bota,bëhen ato trase ku ecën mendimi,herë ngadalë dhe herë vrullshëm, përmes faktesh interesante dhe kuptimplote,çfarë flet për një intelektual,që,ndonëse ka ikur nga atdheu,nuk mund të jetë i qetë kurrë, pa u gëzuar për arritjet e Shqipërisë dhe pa u shqetësuar për ato që nuk shkojnë.Në këto përvijime konceptuale jepet gjithë ideotematika e librit,pasqyrohet më së miri realiteti i sotëm lokal dhe global,krijohen raporte të caktuara intime,politike,historike,filozofike,me gjithçka që autori merr në shqyrtim.
Por ajo që vjen si një nerv i fortë në prozën e tij, është ndjenja e dashurisë për familjen dhe atdheun,ndjenja e mirënjohjes për Amerikën,këtë vend të të drejtave të njeriut,atdhe të dytë për shqiptarët;kjo ndjenjë përbën, si të thuash, rrjedhën lirike të prozës së tij,rrjedhë që buron natyrshëm dhe nuk e huton mendimin;përkundrazi mendimi mbetet i qartë,i palëkundur dhe zhvillues ,kur autori ,me guxim selit fakte të ndryshme dhe i interpreton ato me origjinalitetin e pikëpamjeve të tij.
Në vitet e demokracisë,shumë shqiptarë morën rrugët e mërgimit për një jetë më të mirë,dhe atje ku shkuan shpalosën energjitë e tyre krijuese,aftësitë dhe arritën histori sukses,e në të gjithë këtë,ata ditën ta ndanin arritjen e tyre me ndjesinë e flamurit dhe të Shqipërisë.
Rasti i Ferit Ketës, që Ahmeti e përmend në libër,është një nga të shumtët që të gëzon dhe të inkurajon.
Këtë sukses ai e sheh edhe te djemtë,nipat dhe mbesat që,gjithashtu, jetojnë e punojnë në Botën Perëndimore.
Më së miri ,autori  e ndan këtë përjetim përmes dashurisë dhe mallit për atdhe,për vendlindjen e tij të dashur,Macukullin,kur sjell me një përfytyrim të ndezur portretin e nënës,babait,xhaxhait,kullës së vjetër,viteve të shkuara që kishin bukuri të veçantë.
Ky mall dhe kjo nostaligji është njerëzore dhe e bukur,edhe pse njeriu i sotëm shqiptar jeton në metropole të mëdh(Nju Jork,Uashington,Londër,Paris,Romë) nuk mund ta ndajë veten nga ai substrati i hollë dhe përvëlues i së shkuarës,që është ngjizur me frymën e vendlindjes dhe, në reaksionin e kohës, përbën një precipitat të fortë.
Si matjan, Ahmeti nuk mund të rrijë pa folur për Skënderbeun (përmes leximit të librit të Aurel Plasarit”Skënderbeu-një histori politike”); për Rexhep Pashë Matin,një figurë e rrallë patriotike,me dimensione të mëdha.
Edhe se nuk janë artkuj që të sjellin një analizë të gjithanshme,po janë më tepër refleks leximesh,lexuesi gjen në to të dhëna interesante,sidomos për Rexhep Pashë Matin,funksionet shtetërore të të cilit nuk ndikuan që ai për asnjë çast të mos mendonte për fatin e atdheut të tij.
Motivi i fortë i atdheut dhe i vendlindjes ka sjellë te Ahmeti  gjithnjë shqetësimin e natyrshëm dhe strukturimin e një mendimi intelektual,teksa vështron realitetet politike të sotme,ndalet në ngjarje(skandale të politikës,në fenomene të ndryshme dhe, si ai plaku i urtë matjan që lexonte Stendalin, porosit ,jep këshilla për politikën shqiptare,për politikanët e sotëm,që ata të gjejnë më tepër gjuhën e bashkëpunimit dhe të marrëveshjes,sepse kombi është mbi të gjithë,e që të kemi një komb të fortë, nuk na duhet simbolika false e ngritur mbi tone panegjirike,por mbi të gjitha, puna,dashuria dhe syçeltësia,sikur  këshillon autori.
Si intelektual i mendimit të lirë,ai ngrihet mbi palët,larg mllefeve,ndonëse pikëpamjet e tij politike dhe simpatitë politike hetohen,por ato duhet të mbahen për vete,kur është fjala për të gjykuar drejt.E ,në antitezë me politikanët sherrxhinj ballkanikë, ai sjell portrete liderësh të mëdhenj botërorë,sidomos amerikanë si ,Xhorxh Bush(i vjetri) apo Xhon Mekein;përshkruan me pak faqe ,bukur, jetën e tyre,çastet e fundit të kësaj jete që ngrihet në piedestalin e kujtesës.
Ai e sjell modelin e tyre, gjithnjë , duke e përshkruar pa artifice, por me realizëm.
Një tjetër veçori e prozës publicistike të Ahmetit është kërkimi për ta zgjeruar hapësirën tematike të saj,përmes përshkrimit të ambienteve të ndryshme në Amerikë;kështu përshkruan ai plazhet,parqet,muzeumet e ndryshme,duke sjellë në fokus kujdesin e shtetit dhe të njeriut,jo vetëm ndaj  sivëllait të tij,po edhe ndaj historisë.Përshkrimin e mjedisit Ahmeri e bën me detaje të thjeshta,adekuate,siç e ka parë dhe siç e ka përjetuar,e në këtë mjedis zbulon psikologji, mënyra të ndryshme sjelljeje,zbulon ngjyra dhe imazhe që të mbeten në mendje e të krijojnë përshtypje të forta.
A thua do ta dorëzojnë kosovarët kullën e Boletinëve?!-pyet një plak nga malësia, emigrant i hershëm;ajo është teqe e shqiptarëve…
Mjafton një detaj dhe menjëherë të të shkaktohet një emocion i fortë,që vjen nga gjithë ajo e kaluar historike qëndrese mitike e shqiptarëve në Kosovë, e përbërë nga sakrifica dhe dashuria për kombin.
Apeli i publicistit është që ne nuk duhet t`i harrojmë kurrë këto mesazhe të historisë,edhe pse kombi shqiptar sot është në pozita më të favorshme sa s`ka qenë kurrë më parë,nuk duhet të dehet kurrë nga kjo,përkundrazi, tani ka një detyrë më të madhe ,të zhvillojë vendin e tij  në mënyrë që të kapë sa më shpejt trendin e kohës Perëndimore.
Ky mesazh përcillet në prozën publicistike të Ahmet Koliqit, herë hapur e herë përmes nëntekstit dhe refleksit që krijohet nga përshkrimi i mjaft ambienteve dhe i ballafqimit të ideve,duke stigmatizuar atë që nuk shkon dhhe duke afirmuar atë që të gëzon.
Libri i Ahmet Koliqit është një përsiatje që vjen përmes analizë,çka tregon se ai materialin e tij e mbështet në një tërësi leximesh dhe përjetimesh;autori ka qëmtuar fakte e ndodhi përmes televizionit,gazetës,librit,nga kontaktet e shumta me njerëz,nga evente të caktuara,po njëherësh ka ditur të mos rrijë indiferent dhe të shprehë diçka nga vetja e tij.
Dita e një  emigranti(Ahmeti ka ikur në SHBA me llotarinë amerikane)është njëherësh e ngjeshur me tentativën e natyrshme për t`u përshtatur me një ambient të huaj,por edhe me shqetësimet për njerëzit dhe atdheun.
Kështu, në ditarin e tij, zënë vend mjaft copëza të qëlluara dhe sinjifikative të jetës në Amerikë,sporti(ai përshkruan si një gazetar i sportit ndeshjet e kampionatit botëror),shëtitjet,libraritë,bibliotekat,ambientet familjare,shqetësimet për fëmijët që janë larg,malli i atdheut,dëshira për të ardhur në Shqipëri sa më shpesh,ditëlindjet e nipit apo sukseset e tij,krijimi i çasteve të bukura përmes komunikimeve të ngrohta,çfarë do të thuhet se në prozën e tij publicistike gjejmë edhe elementë të spiktatur të letërsisë artistike e përshkrime të ndjeshme e ndjellëse.
Teksti libror është punuar me një frazë të rrjedhshme dhe me lirshmëri  që shpreh më së miri  prirjen dhe dëshirën e tij për të mos i sofistikuar gjërat ,për t`i thënë ato troç ,qartë e kuptueshëm.Pra,kemi të bëjmë me një prozë divulgative,që lexohet me ëndje,jo vetëm për këto aspekte,por edhe se autori sjell një material të bollshëm jetësor,dhe nuk mbyllet në guackën e vetmisë;pëkundrazi,në këtë moshë, ai kërkon dhe ia arrin të jetë aktiv,të mos i dorëzohet rutinës së pensionistit,as komoditetit të njeriut që jeton në Amerikë,por të realizojë veten përmes të të bërit diçka.
Dhe ai ka krijuar një ditar,një tekst që ngrihet edhe mbi nivelin e shënimeve personale,sepse tenton dhe ia arrin të na japë mjaft probleme dhe shtjellimin  e tyre me kompetencën e një njeriu që nuk i merr kot në shqyrtim,por duke i interpretuar kërkon të shtrydhë përmes tyre mesazhe dhe qasje interesante me vlerë,duke i shtrirë mirë shinat e përvijimit aktual,historik, social dhe filozofik.
Të gjitha këto e bëjnë Ditarin e tij të vlefshëm dhe mjaft konkret,po njëherit edhe interesant, me tezat,parantezat,problemet dhe paralelizmat që ai heq me zotësi,pa iu larguar asnjëherë një objektivi, që është lartësimi i kombit dhe krenaria e të qenit shqiptar,në një botë multietnike ku globalizmi vazhdimisht kërcënon në rrafshimin e identiteteve.
Krenaria kombëtare nuk është një gjest,një lehtësim shpirti,por,një qenësi që mbruhet së thelli, një angazhim moral e shpirtëror,një detyrim për çdo shqiptar të  ndershëm dhe patriot.Ajo nuk ushqehet nga ide false dhe të njohura,as nga shtysa që vijnë prej të dukurit,përkundrazi,ashtu siç shihet dhe ndihet në faqet e këtij libri,dashuria dhe krenaria për kombin është një ndjenjë e burueshme  dhe e natyrshme, larg çdo artifici.
Libri i Ahmet Koliqit jo vetëm dallohet për rrëfimin e qetë dhe me siguri e vërtetësi në ofrimin e detajit dhe të faktit,i çfarëdo lloji qoftë ai,por edhe për analizën plot kompetencë dhe të drejtë,brenda një gjykimi objektiv.Kështu,gërshetimi i rrëfimit me analizën,sillet përmes paragrafëve rrëfyes,përshkrues ,meditues e dialogues.Në këto paragrafë që integrohen natyrshëm me njëri –tjetrin,brenda një teksti të shkurtër,aq sa e lejon edhe formatimi i tekstit të ditarit,ndihet gjithnjë kujdesi që fjala, as duhet hedhur kot,as duhet amortizuar,por ajo duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj të besueshëm.
Sot mjetet e informacionit janë përsosur shumë,vetëm  se shpirti ka nevojë të përsoset akoma,dhe përsosmëria e shpirtit nuk arrihet nga asnjë mjet teknik.
Akti shkrimor i Ahmet Koliqit është në vetvete një detyrim ndaj asaj që njeriu çfarë ka parë në jetë,si respekt ndaj reflektimit të kujtesës që  duhet ta hedhë në letër.Dhe, duke mbetur aty,ky detyrim nuk e gjen veten ngushtë dhe merr bekimin e brezave, sepse jell një vlerë trashëgimie,e cila, si çdo vlerë e tillë ,e lartëson njeriun.
Aspekti kulturor i këtij ditari bën thirrje për vlerësimin ndaj kulturës,ndaj vlerave të saj fondamentale,të cilat nuk duhen nëpërkëmbur dhe as të mbeten në kufijtë sporadikë të një kujtese.Duke folur për Fan Nolin, ai i rikujton edhe një herë elitës politike shqiptare faktin ose idenë se  vlerësimi i drejtë ndaj korifejve të kulturës,artit dhe shkencës , nuk duhet vënë në asnjë grafik politik,se ,ne si njerëz, kemi nevojë të rikthejmë sytë herë herë tek figura të tilla,për të parë se sa përpara do të ishim nëse do t`i dëgjonim ato mirë në një çast kohor,dhe se nuk duhet të nxitohemi në vlerësimin e së kaluarës.
Dhe këtu ai sjell një thënie kuptimplotë të Çërçillit:”Nëse hapim një luftë midis të kaluarës dhe të tashmes,ne do të shohim se kemi humbur të ardhmen”…
Prandaj, gjithë përshkrimet dhe rrëfimet e Ahmet Koliqit në këtë libër kanë një domethënie të madhe: Afirmimin e vlerave kombëtare, njerëzore , qasjen e tyre drejt vlerave universale, pa humbur identitet, por duke sjellë  gjithnjë mundësi pasurimi edhe për të tjerët.E gjithë bota është një oqean i pafund që vlon nga  ky ndërkëmbim i madh kulturor  i cili lartëson njeriun në kohët moderne….











DITAR
 qershor- dhjetor, 2018
Ky është dhe viti i 80-të i jetës sime në këtë botë. 
9 qershor 2018,e shtunë. 
 Dita e parë e plazhit.
Sot është dita e parë e plazhit.Në orën 7 të mëngjesit,dal nga shtëpia dhe,në 86 street 19 Avenue, marr autobuzin që shkon në ‘Bright Bridge’. Emri i këtij plazhi është bërë i këndshëm për ne, se kemi 8 vjet që pushojmë këtu së bashku me Dritën,sepse plotësohen të gjitha kushtet, ke siguri, qetësi, det të këndshëm etj,si dhe autobus me të gjitha kushtet, i cili na merr dhe na sjell vetëm 5 minuta larg shtëpisë.
Por sivjet ka një veçanësi: Drita nuk më shoqëron si vitet e tjera, sepse është me një alergji nga dielli.Pasi arritëm në orën 07.20,vendosëm çadrën dhe mjetet e tjera, të cilat ishin në gadishmëri.Në orën 08.00 filluam shëtitjen e mëngjesit ku rrezet e diellit dhe era e freskët e oqeanit të relaksojnë. 
Deti ishte i qetë me disa valëzime të lehta, të cilat të sjellin në kujtesë se dhe ai tani duket sikur po zgjohet,veçse,akoma nuk është në ato parametra  ngrohtësie, se në oqean ajo vjen në gjendje të këndshme dhe normale nga mesi i qershorit allaturka.Në breg, pas orës 10.00, gjendja ishte normale, në thellësi është më ndryshe.Megjithatë, bregu ishte i mbushur plot e për plot nga njerëz të të gjitha moshave,fëmijë që bënin kulla e figura të ndryshme me rërë,pleq që lëngonin pasi dilnin nga deti.Të rinj e të reja që futeshin thellë në oqean, megjithëse ishte i ftohtë. 
Në orën 10.30, shijova ujët e kthjellët të oqeanit  për herë të parë. Fillimisht, ambientova pjesë të ndryshme të trupit dhe,pastaj fillova normalisht marrëdhëniet me këtë  mik të përkohshëm.
Me daljen nga deti,shëtitëm rreth bregut me një grup shokësh,duke bashkëbiseduar për kushtet, për tema në politikë, për fillimin më herët, këtë vit, të frekuentimit masiv të plazhit në Amerikë. 
Në vijën e kuqe,ku nuk lejohet kalimi, ishin barka dhe motorë uji për çdo problem.Por 9 vjet, në këtë plazh nuk ka patur asnjë mbytje apo kafshim nga peshkaqenët që vijnë nga thellësia. 
Vitin e kaluar, kur koha ishte me diell dhe gjithë plazhi ishte i mbushur me njerëz(shumë prej tyre ishin në det se ora ishte një pas mesdite dhe temperaturat ishin të larta)papritur shpërtheu fërshëllimi i bilbilave të rojeve të gadishmërisë dhe sirenat e motorëve që të kujtojnë “Kukuzelat’ e Kampionatit Botëror në Brazil”.Njerëzit të habitur pyetnin njëri-tjetrin, se ç`ka ndodhur,ndërsa rojet lajmëronin se të gjithë duhej të dilnin  jashtë plazhit se  do të kishte reshje dhe dallgë në të gjithë bregdetin.
Pushuesit,të frikësuar dhe të çorientuar nga ky lajm,filluan me shpejtësi të mblidhnin çadrat dhe materialet dhe të lënë bregdetin e të vendosen në park. Për 10 minuta, koha u errësua dhe filloi një shtërngatë dhe dallgë të egërsuara që e kalonin bregun.Policia erdhi në çast,duke ndihmuar të pafuqishmit dhe për të sistemuar lëvizjen e njerëzve. 
Për habi, ky kiamet nuk vazhdoi më shumë se 40 minuta dhe koha u hap, dielli filloi të dalë,retë u larguan dhe dallgët po qetësoheshin.Drejtuesit  mbyllën portat dhe e ndaluan plazhin për këtë mbasdite.Kjo ndodhi vetëm në këtë breg,ndërsa, në anën tjetër, vazhdonin normalisht pushesit të bënin plazh. Kjo stuhi e papritur do të sillte shumë fatkeqësi nëse nuk do të kishte një sinjal sinoptik real dhe një organizim të përsosur të punonjësve të plazhit dhe të policisë, të cilët bënë çdo gjë si më mirë. 
Këtu çdo gjë bëhet vetëm për jetën, që siç thot Kuranidhe Bibla,se atë ta ka dhënë Zoti dhe se askush nuk ka të drejtë ta marrë atë.Ky është vlerësimi amerikan për jetën si gjënë më të shtrejtë. 
Pas mbarimit të kësaj bisede, u ndamë dhe, në çadër, u shtriva në hije dhe po lexoja shtypin e ditës në ‘Aipat’.Kalova disa gazeta dhe,papritur, bie zilja e celularit. Kur e hap,shikoj emrin e një shoku të ngushtë këtu në Neë York, Fatos Valteri. E pyes: Ku je more,ka një javë që nuk ke dal në telefon. Ai thotë: – Jemi në Kanada me një grup shokësh nga Shqipëria, që kanë ardhur me pushime.Ju, ku jeni tani? – I them, se jam në plazh, në ‘Bright Bridge’,po lexoj gazetat në ‘Aipat’.Ka ndonjë lajm andej? Jo, -i them unë. – Ai thot: Tani në prag të kampionatit botëror, për ne shqiptarët, kudo që ndodhemi në botë, ka një lajm shumë hidhërues…, dhe e ndaloi zërin. Ç’ka ndodhur more, i them, mos u ka ardhur lajmi shumë i keq për “Skënderbeun” nga ‘KASI’,për pjesëmarrjen në Europë? Jo mor jo, vazhdon ai. ‘Sot ka ndërruar jetë nga infrakti ,në moshën 57 vjeçare, Ikonae futbollit shqiptar, Fadil Vokrri. Ky ishte një ndër figurat më të mëdha të kombit tonë. Humbja e tij është shumë sinjifikative.
 E mbylla telefonin dhe u ndjeva shumë keq për humbjen e këtij personaliteti që ngriti dhe organizoi futbollin në Kosovë dhe e futi atë në të gjitha organizmat ndërkombëtare… Ky ishte një yll për futbollin në Shqipëri, Kosovë,dhe më gjerë. Pas këtij lajmi, u nisa për në shtëpi dhe aty, nëpërmjet TV Albit,mësova se ky kolos ishte vlerësuar në mënyrë  më superiore nga gjithë personalitetet drejtues të Kosovës, Tiranës, UEF-ës, FIFA-se dhe skuadrat ku ai ka luajtur. 
Qeveria e Kosovës vendosi që,dita e nesërme, data 10 qershor, flamuri të ngrihet në gjysëmshtizë dhe ceremonia e varrimit të organizohej me një protokoll të veçantë shtetëror. 
Të gjitha këto merita duken pak për një djalë mendjemprehtë, këmbartë në futboll, organizator dhe vizionar,me një diplomaci realizuese të paparë për problemet që merrte përsipër të kryente kjo legjendë e Kosovës dhe mbarë shqiptarisë.Ky gojëmbël depërtonte thellë në mendjen dhe ndërgjegjen e atyre  me të cilët punonte.Këto cilësi e bënë që të përmbushte çdo detyrë të vështirë. U prehtë i qetë në atë botë. 
Kjo ditë e parë e plazhit, për këtë vit, u mbyll me këtë dhimbje therëse që s`do  ta dëshironim.Por jeta është e tillë. Ajo është ndërtuar mbi dy binarë, që kurrë nuk takohen, mbi gëzimin dhe hidhërimin. Kjo antitezë therëse,për gjithë njerëzinë, e bën shoqërinë që, gjithnjë, të jetë në tension.Secili lufton që rrjedhën e jetës ta kalojë me gëzime, kënaqësi dhe hare.Por dhe hidhërimi është pjesë e pandashme e jetës.Këtë nuk mund ta shmangë askush në këtë botë, se çdo gjë që lind ka tri fazat e saj; lindjen, zhvillimin dhe tjetërsimin. Fazat e  këtij cikli i kalojnë të gjitha gjallesat mbi këtë tokë. Por jo njëlloj, disa i kalojmë fazat sipas renditjes, disa i shkëpusin, në fillimzhvillim dhe me fundin normal të jetës. 
 Fadil Vokrri ka lënë kujtimin e mirë të tij në punë e në jetë,të cilin nuk do ta harrojnë bashkëkohësit, por do ta kenë si shembull për të kaluar vështirësitë në punë e në jetë,që janë të shumta për cilindo.
Neë York 9-10-11 qershor
13 qershor 2018
Ditëlindja e Jonit

Sot,kjo ditë,është e veçantë.Koha është e freskët, pranverore, e alternuar me vranësira dhe një diell të këndshëm për të thithur rrezet e tij ultraviolet.Herë pas here, rrezet e tij ndërpriten nga retë dhe një fllad i freskët që ka zgjatur githë ditën.
Në mëngjes në orën 07.00, mora në telefon Jonin, djalin e Lindës, dhe, pas disa zilesh, ai e kapi telefonin dhe i them: 
– Nuk je çuar akoma? 
– Jo gjysh, por nuk isha në dhomë.
- Si u zgjove sot? 
-Shumë mirë, tani po bëhem gati për t`u nisur në shkollë. 
– E di çfarë dite është sot?
 – Po, sot është e mërkurë.
 – Po çfarë i ka ndodhur Jonit sot? 
Atëherë, ai fillon të qeshë dhe thotë:
-Unë falë gjyshit, kujtova se sot  kam ditëlindjen. 
–Po sa vjeç bëhesh sot? 
-Unë sot mbush 10 vjeç. 
-Dje, ju më thatë se isha 9 vjeç, si u bëre sot 10-të? 
U mendua pak dhe më thotë: 
-‘Dje, gjysh,unë kisha dhe një ditë pa i mbush 10 vjet.
- Mirë, gjyshi të uron që të bëhesh 100 vjeç, të kesh shëndet të plotë dhe suksese në mësime, duke dalë me rezultate shumë të mira se, sivjet, ti mbaron klasën e katërt.
– Shumë faleminderit gjysh, po sonte do të vini te ne, se kemi festë. 
 -Patjetër që  po. 
Kur kthej mendjen më pas në kohë,më shfaqen shumë përfytyrime të ndryshme.
Ai erdhi në Amerikë,para 11 vitesh, në barkun e nënës, dhe lindi pasi erdhi këtu.Ata nuk i pritën shumë të afërm dhe të dashur të familjes sonë. Pranë nënës së tij ishte vetëm Miri,vëllai i saj. Por ai nuk e ndjeu vetminë, se ne këtu kishim shumë shokë dhe miq, të cilët iu ndodhën pranë Lindës dhe ia lehtësuan vështirësitë e para për të rritur një fëmijë të shëndetshëm. Pas 14 muajsh, erdhëm në Amerikë bashkë me Dritën,dhe Joni, u bë me më shumë njerëz që do ta ndihmonin të kishte një fëmijërii të shëndetshme e kushte të përshtatshme për t`u rritur sa më mirë. 
Më sillen në kujtesë netët e gjata të dimrit 2010 kur ai flinte në dhomë me mua, se Linda punonte natën si supervajzër në muzeumin e Manhatenit dhe, ditën, vazhdonte shkollën për të marr liçensën për stenogram për zemrën në spitalin e Manhatenit.Koha e qëndrimit pranë tij ishte shumë e pakët. Shërbimet që i nevojiteshin ia bënte Drita. 
E shikoj sonte, në këtë darkë, të veshur me kostum të zi, këmishë të bardhë e me jelek e, në qafë, në vend të kollares një papion të zi, me një trup të lidhur e të gjatë për moshën e tij. Fytyra e tij e rrumbullakët, sytë e zinj e me flokë të qethur sipas modës shumë shkurt anash e ,sipër të gjatë, më ngjallin kënaqësi, se shërbimi që i kemi bërë për 10 vjet nuk ka shkuar kot.Bardhësia e fytyrës, këmisha e bardhë dhe papioni i zi në qafore, duket sikur shndrisnin sot në trupin e tij.Sot të jep pamjen e një fëmije që po rritet para kohe.Kjo nuk ka ardhur si rastësi, por si një kujdes i veçantë që është treguar në vazhdimësi me ushqim bio, me kujdes të shtuar, për t’i rritur prirjet e tij nëpërmjet kurseve të ndryshme që ka kryer dhe vazhdon t`i ndjekë dhe tani.Këto kurse janë përballuar me shpenzime financiare dhe kohë. Por kjo,sot duket si një shpërblim për të gjitha ato që kemi bërë për këtë fëmijë të mirërritur.E këtu një meritë të veçantë ka Linda. 
Këtë e tregon dhe veprimtaria e tij që,për çdo gjë, fjala e saj është ligj për të në çdo veprim.
Ndaj,nga thellësia e zemrës nxjerrim urimin: “U bëfsh 100 vjeç, e gëzofsh jetën me gjithë të mirat e saj.”

Gjyshi dhe Nëna
Brukleen 13.06.2018 

22 qershor 2018
Këtu ndërhyn politika

Një fitore e madhe e shqiptarëve,e zvicerianëve në mes të Rusisë në San Peterburg, Leningrad, në kampionatin 21 botëror të futbollit. 

Zvicra vinte në  këtë ndeshje me 1 pikë, ndërsa Serbia kishte 3 pikë, e, me një fitore ndaj Zvicrës, siguronte daljen në 16-të skuadrat më të mira të botës. 
Ishte e një rëndësie të veçantë dhe me shumë peshë për të.Për këtë flet dhe takimi që bëri me futbollistët, ditën para ndeshjes, dhe Presidenti i Serbisë Vuçiç, i cili iu premtoi një premio të majme me nga 10 mijë dollarë shpërblim, dhe porositi t`i mundnin thellë. “Ne po luajmë me Kosovën e Shqipërinë, se, në skuadrën e Zvicrës,bëjnë pjesë mbi  pesë futbollistë shqiptarë’’.
Me këtë porosi në zemër dolën në fushë lojtarët e Serbisë, u futën tepër të karikuar dhe me bindjen se do të realizonin ëndrrën politike të Vuçiçit që të turpëronin shqiptarët e Zvicrën. Por harroi ai, se kjo është vetëm një ndeshje futbolli dhe jo një luftë politike që karikoi dhe tifozët serbë të ofendonin në kor shqiptarët që luanin me Zvicrën. 
Loja filloi krejt normale.Serbët, në fillim, bënë një lojë sulmuese dhe, nga një pakujdesi e mbrojtjes e skuadrës së Zvicrës, shënuan golin e parë në minutën e tetë dhe, në mendjen e zemrën e tyre, u ngulit mendimi se ata do të realizonin ëndrrën e Vuçiçit.Dalëngadalë, loja u normalizua, u bë  e bukur me sulme e kundërsulme që ta kishte ënda ta shikoje, por serbët luanin  me një lojë të ashpër me ndërhyrje shumë të rënda, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Këtë e tregoi dhe marrja e tri kartonave të verdhë nga lojtarët serbë.Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0: 1 në favor të serbëve.Në pjesën e dytë, zvicerianët luajtën më mirë. Ata, pothuajse, u përqëndruan në gjysëmfushën e serbëve. Nga ky presion i vazhdueshëm dhe ajo që nuk e menduan kurrë serbët,në minutën e 54, Xhaka me një gjuajtje jashtë zone, rreth 30 metra largësi, me një top predhë guri, gjuan rrjetën e portierit serb. Rezultati barazohet,gëzimi ishte i paparë. Kryqëzonte duart në formë shqiponje në gjoks,vraponte dhe shokët e ndiqnin për ta përgëzuar.Stadiumi shpërtheu në brohoritje e, shqiptarët, veshur me të kuqe, dukeshin se të gjithë përqafoheshin nga zvicerianët. U krijuan dy pamje interesante. Serbët, të ngurosur, sipas biblës ,dhe, zvicerianët të lëvizshëm e të gëzuar në kulm.Pas disa minutash, loja vazhdoi.Serbët me mobilizim të përgjithshëm u hodhën në sulm, për të realizuar objektivin e presidentit të tyre Vuçiç. 
Por zvicerianët ishin të qetë dhe bënë një lojë  të lavdëruar me kordinim në krahët dhe, shpesh, duke shfrytëzuar dhe hapësira me topa të gjatë për sulmuesit e tyre shqiptarë.Ja, erdhi i 58-ti minutë, dhe Shaqiri merr një top nga mesfusha,kalon mbrojtjen, dhe, në luftë me mbrojësin dhe portierin serb, shënon golin e dytë për zvicerianët,duke i prerë biletën për në Beograd skuadrës serbe.Entuziazmi arriti kulmin, 4 futbollistët shqiptarë me shenjën e shqiponjës me duar në gjoks, u drejtuan tek tifozët shqiptarë që ishin në stadium.Përqafimet mes lojtarëve vazhdonin dhe, pas disa minutave, filloi ndeshja për minutat e mbetura. Loja e ndezuar, por, për hir të realitetit, ajo u bë e këndshme.Nervozizmi i serbëve dhe gjakftohtësia e zviceranëve ishin anti podet e saj;kishte përdorim të përsosur të topit nga zvicerianët, gabime nga nervozizmi i serbëve. Kjo bëri që ato të merrnin dhe dy kartona të verdhë. Me gjithë tri ndërrimet e bëra menjëherë dhe me 6-7 minuta shtesë, rezultati mbeti i njëjtë: 2, zvicerianët, 1, serbët,të cilëve, valixhet për në Beograd, ua bënë gati lojtarët shqiptarë që luajtën me Zvicrën ,Shaqiri e Xhaka, me dy gola, secili më i bukur se tjetri. Por goli i Shaqirit ishte tepër spektakolar,ai u vlerësua si lojtari i ndeshjes dhe jo aq. Por dhe Berhami e Xhemaili që u dalluan nga të tjerët dhanë kontribut të madh.
Mbyllja e kësaj ndeshje pati një jehonë të madhe në gjithë shtypin europian e më gjerë,për vetë faktin se i kaloi caqet e ballafaqimit të një ndeshje futbolli. Këtë ngjyrë politike ia dha presidenti i Serbisë.
Kjo ishte një ofendim i madh për Zvicrën e cila ju përgjigj me një notë diplomatike se këto lojtarë janë lindur e rritur në Zvicër dhe kanë vazhduar si gjithë emigrantët e tjerë jetën normale këtu.Veç këtyre,ata kanë kaluar nëpërmjet shkollës zviceriane të futbollit.Duke përfunduar ajo shprehet: “Askush nuk duhet ta ngatrrojë futbollin me politikën.Janë dy gjëra të ndryshme që duhet t`i kuptojë çdo politikan në botë”.
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ngritën peshë  zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që banojnë. Festimet me shqiponjë të Xhakës dhe Shaqirit u ka djegur më shumë se humbja, serbëve të cilët, të tërbuar, kërkojnë reagim nga FIFA….
Mediat serbe tërbohen menjëherë.Pothuaj, në gjithë organet e tyre,e kanë trajtuar në forma të ndryshme, duke përdorur një fjalor e konkluzione të gabuara. Por video e shfaqur të nesërmen në televizion: shqiptarët mundën Serbinë në Rusi,“Shqiponja fluturon në Kaliningrad Stadium”,duke e shoqëruar me fotografinë e Xhakës dhe Shaqirit dhe mënyrën spektakolare të shënimit të golave,ia mbylli gojën çdo mendimi regresiv e ofendues për këtë ndeshje të madhe të Zvicrës ndaj Serbisë. 
Tifozat serbë vazhdimisht përleshen me palën zviceriane,disa u arrestuan. Njëri, doli para një taksie që parakalonte me flamur shqiptar, në përleshje e sipër,përdori armët e ftohta dhe e goditi disa herë shqiptarin. Veprime të tilla e kanë burimin dhe ushqimin tek politika përçarëse që ndjek Serbia në Ballkan dhe,veçanërisht me shqiptarët, e cila ka një jetëgjatësi shekullore me luftëra e raprezalje që kanë përfunduar me marrjen e mijëra e mijëra jetë njerëzish. 
Por,ka përfunduar ajo kohë.Sot shqiptarët janë me tjetër reputacion, me tjetër forcë. Ata kanë dy shtete. Në Maqedoni, janë tashmë me statusin shtetformues, me qindra- mijëra janë në Greqi, në Itali, Turqi, e në shumë shtete të ndryshme të botës, deri në Australinë e largët, pa mohuar ata të SHBA-së e Kanadasë. Dhe kemi njerëz të shquar në fushën e shkencës,mjekësisë e në letërsi që njihen kudo. 
Po e mbyll me një diçiturë interesante të ndeshjes Serbi – Zvicër.“Në fotografi janë katër shqiptarët që luajtën me Zvicrën dhe e kualifikuan,dhe kapiteni Luitejshtoni me shqiponjën në gjoks me duar, lënë fushën e përshëndesin tifozat shqiptarë e zvicerianë që ndodheshin në Stadiumin e Kaliningradit”. Ju lumtë djema, u përshëndes me mall... 
Ahmet Koliqi
Brukleen, Neë York 
  
23 qershor 2018
Fatkeqësia gjermane,askush nuk e besonte.
Sot,kampionia e botës në fuqi, zhvilloi një ndeshje të fundit ndaj  Suedisë, të organizuar dhe me lojtarë me një teknikë të mirë e me një gjatësi për ta patur zili dhe një trainer basketbolli.
Loja filloi e vrullshme nga Gjermania dhe, brenda 10 minutave, pati disa raste për shënim, por lojtarët gjermanë nxitoheshin para portës,cilësi që nuk e kanë pasur ndonjëherë.Kjo,mbase vinte nga tensioni që kishin, se akoma nuk shënohej asnjë pikë në tabelën e tyre.Pa këtë fitore, ata rrezikoheshin të mos e vazhdonin më rrugën në kupën e botës. 
Suedezët organizuan një mbrojtje solide dhe përdornin si armë për gol kundër- sulmin me lojtarët e tyre shumë të shpejtë.Në 25 minuta të pjesës së parë, me kundërsulm, dy herë vetëm Nojeri i shpëtoi gjermanët, mbrojtja u kalua disa herë dhe, në minutën e 30 të pjesës së parë, erdhi fatkeqësia për gjermanët. Suedezët shënuan një gol shumë të bukur me kundërsulm.Kjo e vështirësoi së tepërmi punën e gjermanëve.Suedezëve goli u dha zemër dhe shpesh iu afruan portës gjermane. Pjesa e parë u mbyll 1 : 0 për suedezët.
Gjermanët të deziluzionuar shkuan në dhomat e zhveshjes.Pas pushimit, në pjesën e dytë, loja ndryshoi,filloi me sulme të vazhdueshme të gjermanëve.Loja zhvillohej vetëm në fushën e tyre dhe, në minutën e 9 të pjesës së dytë, erdhi goli i barazimit.
Gjermanët u gjallëruan, lufta u bë shumë e fortë,ndeshja u zhvillua pothuaj në fushën suedeze. Rastet ishin të panumërta për shënim.Gabimet e gjermanëve ishin të pafalshme.Portieri suedez dhe mbrojtja, pothuajse,në çdo rast, dolën fitimtarë. Nervozismi gjerman vinte gjithnjë në rritje, qetësia para portës  nuk ekzistonte.  
Në të 37 minutë, del me karton të kuq dhe mbrojtësi kryesor, Buaten. Lufta u bë më e ashpër se, dhe suedezët, u zgjuan, nuk u pëlqente barazimi, por kërkonin fitoren.Loja u ekulibrua. Gjermania bëri edhe dy ndërrimet,po ashtu dhe Suedia,në të 80-në minute,bëri zëvendësimin,veçse agjë nuk ndryshoi. Loja u shtua me 5 minuta, ajo vazhdonte me tensionet në sulm dhe, në të 94-ën minutë, në kufijtë anësorë të zonës së rreptësisë të Suedisë, u dha një faull; gjermanët pretenduan për penallti, por albitri dha goditje jashtë zone. Me këtë përgjegjësi të madhe u ngarkua mesfushori Tomi Kros,lojtar i Realit të Madritit. Të gjithë ishin me zemër të ngrirë,si suedezët ashtu dhe gjermanët.Albitri u jepte porosi lojtarëve dhe,pasi vendosi qetësinë në zonën e rreptësisë, i bie bilbilit për gjuajtjen e topit.Tomi merr frymë thellë dhe pranë tij ishte dhe një shok i skuadrës.Me qindra tifozë mbanin duar në kokë për të pritur rezultatin. Gjuan direkt për në portë në formë harku dhe topi përfundoi në rrjetë dhe rezultati 2 : 1 për Gjermaninë.
Një gëzim i pamasë i gjermanëve që u lindi shpresa,iu hap rruga për të vazhduar më tej betejën…;hidhërim i pamatur i suedezëve të cilët nuk u besuan syve se çfarë ndodhi para të tyre.
 Gjermania,në këtë fazë të parë, zhgënjeu publikun dhe fansat me lojën e saj, si ndaj Meksikës, ashtu dhe ndaj Suedisë.Nuk pamë në fushë cilësitë e futbollit gjerman.Kjo duhet të jetë një mësim i madh për fazën e dytë ku skuadrat janë me një kualitet më të lartë se në fazën e parë.Tani ato, pothuajse janë të barabarta.Belgjik-Tunizi: 5 : 2.Kjo ndeshje më ka ngarkuar me shumë emocione gjatë gjith kohës. 
Brëkleen Neë York
Lajm i hidhur
24 qershor 2018
Mbrëmë në orën 22.00, në televizor u komunikua lajmi për  arrestimin e Urim Koliqit,se ka përplasur me makinë disa persona ku, dy prej tyre, janë në gjendje të rëndë.
U munduam me telefon për të komunikuar,por ishte e pamundur, ata ishin të pa disponueshëm. Në mëngjes, u lidha me Shaqirin, djalin e vëllait dhe vëllai i Urimit, i cili ishte në Durrës te shtëpia e Urimit.E pyeta si ka ndodhur dhe si po zhvillohen ngjarjet?Ai na qetësoi dhe na sqaroi se 4 veta kanë marrë mjekim e, nga këta, dy prej tyre, janë në spital, por nuk kanë asnjë frakturë  apo rrezik për jetën.Njërën prej të plagosurëve e takuam, ndërsa tjetrën e kanë nisur në Tiranë për ekzaminime të mëtejshme.Me Urimin po kryhen procedurat dhe, besoj se, nesër do të lirohet, përfundoi ai. 
Ky lajm na qetësoi dhe saktësoi rrenat që televizionet trillojnë pa asnjë përgjegjësi.Ato kanë qëllimin vetëm të nxijnë sa më shumë çdo gjë, gëzimi i tyre duket sikur është vetëm kur japin lajme të kronikave të zeza. 
Ato harrojnë, ose nuk e perceptojnë, se bota është e ndërtuar mbi dy binarë, e mira dhe e keqja (ose pozitivja dhe negativja).Kjo është dhe detyra e mirëfilltë e këtyre organeve informuese.
Të çudit fakti se, që kur ndodhi aksidenti e deri kur dha versionin policia, ato kanë dhënë lajme me hamendje. Ato as ngjarjen nuk e përshkruanin si ka ndodhur,por përdorin epitete të ndryshme për të rënduar njërën apo tjetrën palë. 
Disa prej tyre nxirrnin konkluzione apriori se faji është i makinës së madhe që drejtohej prej Urimit.Pas 20 orësh,ekspertiza vërtetoi të kundërtën dhe ai u lirua si i pafajshëm.  
Megjithatë,faza në të cilën ndodhet vendi jonë, ka nevojë për lajme të sakta dhe me përgjegjësi, ka nevojë për analiza e konkluzione për edukimin e njerëzve. 
Mbrëmjet në televizionët tanë,nuk shikohen nga debatet shterpë që bëhen prej analistësh që të habisin me veprimet e tyre, të cilat shkojnë deri në kacafytje. 
Ky është edukimi i tyre, kjo vjen se ato më shumë e edukojnë telespektatorin me përçarje sipas përkatësisë së partive politike.Në vend që të nxjerrin konkluzione për bashkimin e tyre në luftë kundër padrejtësive që u bëhen. 
Është koncept i gabuar kur të gjithë i venë rëndësi vetëm lajmeve. Por ky është një drejtim,se televizionët kanë një diapazon të gjerë për të gjithë fushat e jetës, për të gjithë moshat.
Prandaj,kërkohet nga fakulteti i gazetarisë ta shikojnë më me kujdes përgatitjen e gazetarëve.Dalja gjysmake e tyre i sjell shumë probleme shoqërisë. Në punën gazetareske, në radhë të parë duhet të zërë vend realizmi.Kjo do të bëjë që të rritet dhe dhe autoriteti i tyre dalëngadalë e do të bëhen njerëz të nderuar e të respektuar nga të gjithë. 
Brëkleen, Neë York  
Lajm i vështirë dhe i papritur për vendin tonë

27 Qershor 2018
Në Bruksel, u bë mbledhja e ministrave të jashtëm të Komitetit Europian për përgatitjen e mbledhjes së Këshillit Europian, i cili do të diskutojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë. 
Në këtë mbledhje,pritet drita jeshile,për të cilën kemi luftuar për mbi 20 e ca vjet.Rruga për të ardhur deri këtu, është arritur me shumë punë e sakrifica, të cilat u sanksionuan në materialin që pergatiti Bashkimi Europian për Shqipërinë.Ata,para dy muajsh, paraqitën në Shqipëri materialin që i propozonte Këshillit Europian hapjen e negociatave pa asnjë kusht.Por ky propozim duhet të aprovohet nga 28 vende të Bashkimit Europian, sikur një të jetë kundra, negociatat nuk hapen. 
Gjatë kësaj kohe,u mor kontakt me gjithë shtetet europiane dhe, veçanërisht, me ato që shfaqnin dyshime për të votuar pro. Krahas punës që u bë nga shteti ynë, opozita vazhdoi një punë të dendur kundër këtyre negociatave,duke hedhur baltë  e duke mohuar punën e bërë.
Më 27 qershor,u diskutua rreth 10 orë nga Ministrat e Jashtëm, për të miratuar vendimin për Këshillin Europian më 28 qershor. Nga 28 shtete, 25 ishin që Shqipërisë dhe Maqedonisë t`i hapeshin negociatat sipas propozimit të bërë nga Komisioni i BE. Mbasi këto të dy shtete i kanë plotësuar të gjitha kushtet.Por tri shtete, Franca, Hollanda dhe Islanda, nuk dhanë mendim pozitiv,që negociatat të happen më 28 qershor.Për 10 orë rresht, vazhduan diskutimet dhe,në fund, arritën në konkluzionin që negociatat me këto të dy vende të hapen në qershor 2019, duke theksuar që Komisioni Europian të ndihmojë vendet për negociatat në vitin e ardhshëm, ndërsa vendet të kryejnë detyrat,duke ardhur me realizime konkrete në fushat që u është kërkuar.
Si kurdoherë,për Shqipërinë e nxori kokën gjarpri francez, i cili, në dokumentin përfundimtar të këtij takimi, zuri peshën kryesore. Ky ishte një lajm i mirë, si i thotë populli, gjysma e të keqes ,se u përcaktua një datë se kur do të hapen këto negociata.
Por 2019, është një vit i vështirë,sepse në muajin maj zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Europian.Mund të ketë ndryshime,si në strukturat organizative,ashtu  dhe në  personelin drejtues. Kjo do të sjellë që shumë prej tyre nuk e njohin punën e bërë, vështirësitë që kemi kaluar për të ardhur deri këtu.Një faktor tjetër negativ është edhe mundësia e ardhjes në pushtet e krahut ekstremist në vendet e Bashkimit Europian.Këtyre anëve negative i bashkohet dhe opozita shqiptare, e cila ka qenë dhe është kundër këtij integrimi me sloganin “se kjo qeveri e varfëroi popullin shqiptar dhe ajo nuk mund t`i realizojë këto objektiva”.Kështu, vështirësitë janë më të mëdha dhe propabiliteti për të marrë dritën jeshile më 2019 është më i vogël. 
Hapja e negociatave u bë si një ëndërr e parealizueshme për shqiptarët, se  nuk ekziston  një mendim përbashkues nga spektri politik i yni. Ai kërkon që,këto negociata, t`i shfrytëzojë për kredo politike e kjo e bën rrugën tonë shumë të gjatë, gjë të cilën nuk e meriton populli shqiptar.Nga kjo klasë politike që kemi ne, ka 27 vjet që kemi vuajtur dhe vazhdojmë të vuajmë. 
Partia Demokratike që lindi dhe u rrit si shpresa e shqiptarëve për demokraci, po bëhet regresive, dalëngadalë po kthehet në një kontrapedal për problemet madhore që ka vendi. Ajo,për interesat politike të saj për të ardhur në pushtet, mohon çdo zhvillim të vendit dhe çdo negociatë me pozitën.Këto marrëdhënie po e zgjasin pa masë dhe me kohë të papërcaktuar tranzicionin shqiptar dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. 
Ato përfaqësojnë interesat personale të ideve të ndryshme,por,kurrë ato të popullit tonë, i cili është mërzitur së tepërmi për këtë periudhë kaq të gjatë të tranzicionit, për të cilin, politikanët tanë, janë përgjegjës, sepse ata nuk e kanë justifikuar besimin dhe gjithmonë kanë abuzuar me mandatimin që kanë marrë për të udhëhequr. 

U përcaktuan 8 skuadrat që do të vazhdojnë garën për në Kupën e Botës.
4 korrik 2018

Sot, përfunduan ndeshjet në të 16-at për Kampionatin Botëror të Futbollit. Ndeshjet e kësaj faze,dhanë një futboll me risi e cilësi shumë më të larta se në fazën e parë.Për këtë flet dhe fakti se, disa ndeshje, kaluan në shtesa e penallti. Dramatike ishte ndeshja midis Kolumbisë dhe Anglisë se,në minutat e fundit të shtesës,u arrit barazimi.Ndeshja u fitua nga anglezët me penallti.Në çerekfinale u kualifikuan çiftet:
Francë-Uruguaj
Rusi-Kroaci
Brazil-Belgjikë
Suedi-Angli
Suedia dhe Rusia janë skuadrat që kualifikohen për herë të parë në tetëshe. Ato ia arritën me meritë  e me lojë,të pëlqyer e të organizuar mirë.Me një futboll kolektiv, me një pregatitje fizike dhe teknike për ta pasur zili. Por, shumëkush nuk e mendonte se do të arrinin deri këtu. Ky kampionat, në këtë fazë, ka patur lojra mjaft të bukura dhe në një nivel shumë më të lartë se më parë. Megjithëse, në këtë fazë, munguan ato skuadra që i kanë dhënë bukuri e gjallëri kampionateve botërore si: Kampionia Gjermane, Spanja, Argjentina me Mesin, Portugalia me Ronaldon dhe Italia që nuk arriti të kualifikohet si pjesëmarrëse në kampionat. 
Ky kampionat, në këtë fazë, tregoi se sot në botë nuk ka skuadra të mëdha e të vogla.Niveli i futbollit është rritur shumë. Por,me gjithë këtë zhvillim, roli i individit të spikatur mbetet i pazëvendësueshëm.Kjo u duk dhe në kualifikimin e Uruguajt në çerekfinale, me cilësitë e veçanta të Edison Kavanit, i cili me dygolshin e tij e kualifikoi Uruguajn në 8-të skuadrat më të mira të botës në këtë kampionat.
Veç kësaj,një dramë e vërtetë ishte eleminimi i Gjermanisë nga Suedia.Ajo Gjermani që,nga tifozët e shumë vendeve të botës, e konsideronin si pretendente të këtij kampionati dhe asnjëherë në historinë e saj nuk është eleminuar në këtë fazë. Në gjirin e saj militojnë lojtarë që njihen në të gjithë  botën për bekgraundin dhe vlerën e tyre. Por ja, një Suedi që nuk ka trofe kupa bote, që vetëm një herë u kualifikua në çerekfinale,bëri për ujë të ftohtë kampionen e botës në fuqi, të cilën e dërgoi në shtëpi që në fazën e të 16-ve. Por nuk mund të harrohet dhe nuk mundet të mos ketë lënë gjurmë të thella eleminimi i Argjentinës  nga Kroacia. 
Ky kampionat botëror i futbollit tregoi disa veçori, duke u krahasuar me kampionatet e tjera.
Së pari,të gjithë skuadrat, që mendoheshin e vlerësoheshin deri dhe prej specialistëve të futbollit si pretendente për kupën, u eleminuan që në 16-she. 
Së dyti, skuadrat u bazuan në lojën kolektive, duke manifestuar më tepër lojën në grup se sa atë individuale.
Së treti, në këtë kampionat,skuadrat europiane triumfuan mbi ato të kontinenteve të tjera, duke i dhënë fytyrën e zhvillimit të një kampionati europian,se sa të një kampionati botëror. 
Prandaj dhe lojtarët e shumë kontinenteve luajnë,pjesa dërmuese, në kampionatet e shteteve të ndryshme të Europës.Europa, kjo mbretëreshë e këmbës, të ngjall kënaqësi me cilësitë e saj të larta futbollistike që ka. 

U mbyll faza e 1/8 të Kampionatit Botëror të futbollit
7 korrik 2018
Në orën 4 pas dite,u mbyll faza e 1/8 dhe u përcaktuan 4 skuadrat që do të marrin pjesë për të nxjerrë mbretëreshën me kurorën e Kupës së Botës në futboll, e cila zhvillohet në çdo 4 vjet.  
Më datën 6 korrik u zhvilluan ndeshjet:
Francë - Uruguaj, ku u kualifika Franca.
Brazil - Belgjikë, ku u kualifikua Belgjika.
Në këto të dy ndeshje pati luftë të fortë sportive, shpirt gare, teknikë të përsosur në përdorim topi, por dhe impenjim maksimal dhe nervozizëm.  
Franca e mposhti Uruguajn me shumë kujdes,me qetësi e impenim, me një përdorim topi deri në prefeksion. Ndërsa Uruguaj nuk e përballoi, megjithëse, në pjesën e parë, zhvilloi një lojë të kujdesshme dhe të organizuar mirë, ndonëse  ishte në disavantazh me 1 : 0.Në pjesën e dytë, pothuajse çdo gjë foli për Francën që shënoi dhe golin e dytë me Klisman.Minutat e fundit u rigjallërua Uruguaj, por ishte shumë vonë e megjithatë nuk pati rezultat.
Ndeshja e dytë u zhvillua në orën 2 pas drake, të po kësaj dite, midis Brazilit e Belgjikës. 
Për këtë ndeshje kishte shumë mendime, baste, dhe shumë diversitet midis analistëve të futbollit në shtyp, radio e televizion. Të dy skuadrat ishin me lojtarë me shumë përvojë,me yje që kishin luajtur dhe në kampionate të tjera botërore.Kishin arritur deri këtu me lojëra bindëse, me një organizim e përdorim topi prefekt.Nga loja, dallonin nga njëra-tjetra. Brazili me teknika e përdorim topi më mirë, por me mungesë realizimi dhe  me paqartësi para portës. Kjo,dhe për faktin se idhulli i tyre Neimar, nuk shkëlqeu me lojën e tij.
Belgjika u paraqit një skuadër e organizuar mjaft mirë,me temp sulmues në fillim e mbarim, me një lojë kolektive e luftë të ashpër për topin e parë. Motor i kësaj skuadre nuk u bë vetëm Nazar,por secili ishte një Nazar e, në veçanti, Debrunj, Lukaku dhe Nazert ishin të kudondodhur.Kjo bëri që të shihnim një lojë argëtuese dhe të këndshme. Diferenca në lojën e Belgjikës bëri që të sjellë tronditjen e thellë dhe të paparashikueshme të Brazilit që, pas ndeshjes, do t`i thoshte lamtumirë këtij kampionati. 
Duhet theksuar që, megjithëse e vlerësonin Belgjikën,favorit, jo vetëm për këtë fitore, por dhe për kupën e botës, ishte Brazili.Pjesa dërmuese e specialistëve e mendonin kampion Bote.  
Por futbolli ka shumë të papritura,se, po nuk shënove, të shënojnë e kjo ndodhi dhe me Brazilin,me Gjermaninë e me Argjentinën.Këtu merr fund kampionati botëror për kontinentet e tjera dhe ai bëhet Europian.Kjo tregon se sot ka rënë idhulli i skuadrave të paprekura.Sot askush nuk ka më frikë as Brazilin, as Francën, as Gjermaninë, Argjentinën etj.
Ky është një mësim i madh i këtij kampionati, nga i cili, skuadrat e mëdha, duhet të nxjerrin mësime e të marrin masa për lojë kolektive dhe jo të përqendrohen vetëm te yjet e tyre. Kjo nuk do të thotë se ato do të nënvlerësohen. 
Belgët, të gëzuar dhe të pamposhtur deri tani ,vazhdojnë rrugën për në majat e kampionatit, ndërsa brazilianët nisen për në shtëpi. Ky është futbolli dhe, prandaj, është i bukur dhe befasues. 
Më datën 7 korrik, në orën 14.00, u zhvilluan ndeshjet e çifteve të fundit për kampionatin botëror, për të dalë 4 skuadrat më të mira, që do të ndeshen për të përcaktuar ato që do të marrin pjesë në fundin e madh. 
Në orën 10.00 u  ndeshën Suedi – Angli.Kjo ndeshje pritej me interes të madh. Suedia kishte eleminuar Gjermaninë,kishte bërë lojë të fortë e të organizuar mirë në të gjitha ndeshjet,kishte treguar teknikë dhe organizim të mirë të lojës me  lojtarë të gjatë dhe të fuqishëm që do t`i kishte zili dhe një skuadër basketbolli.Ata treguan një kondicion fizik shumë të mirë. 
Anglia vinte në këtë takim si skuadër me shumë eksperiencë.Zotëronte një përdorim topi e shpejtësi në organizimin e aksioneve që të befasonte, kishte shënuar një dyzinë me gola, kishte në radhët e saj golshënuesin më të mirë të kampionatit me 6 gola të shënuar, që i bie dy gola për ndeshje.
Të dya  këto skuadra shfaqnin dhe karakteristika të përbashkëta në lojë. 
Prandaj,ky çift ishte vlerësuar si shumë interesant prej analistëve dhe gazetarëve të sportit. Loja filloi e kujdesshme nga të dy skuadrat. Ato studiuan njëra tjetrën dhe pati zbritje të rrezikshme tek portat pas minutës së 15-të. Anglezët filluan të fitonin terren,u hapën në krah dhe në qendër, dhe, si rezultat, u shënua dhe goli i parë.Anglezët tani zotëronin pothuaj tërë lojën. Suedezët, tashmë, u çorientuan,u lodhën dhe nuk ishin ata që kishim parë në ndeshjet e tjera. Pas kësaj situate të krijuar, anglezët shënuan dhe dy herë të tjera dhe pastaj çdo gjë fliste për ta. 
Nga kjo ndeshje nuk doli ai rivalitet që prisnin tifozët.Rezistenca e Anglisë ishte e pamposhtme dhe iu afruan kupës së botës jo me shumë mund e djersë nga kjo ndeshje.Ata janë skuadër e tretë në katërshe pas Belgjikës.  
Një ndeshje e bukur dhe dramatike ishte ajo: Kroaci – Rusi, e cila mbyll dhe ndeshjet e 1/8, sot në ora 4 pasdite, nga e cila doli dhe përfaqësuesja e katërt e grupit. 
Të dyja vinin me një impenjim maksimal.Rusia vinte si vend organizativ dhe me  një skuadër shumë të organizuar dhe me futboll teknik e kondicion fizik të lartë. 
Kroacia po ashtu vinte në këtë takim me tre fitore, asnjë humbje, me një golavarazh të kënaqshëm, me lojtarë më cilësorë se Rusia,por me një përgatitje fizike me diferenca në disa raste, veçse me një eksperiencë më të madhe në këto kampionate. 
Loja, që në fillim, nisi vrullshëm nga të dy skuadrat, me zbritje e kundazbritje në portat respektive.Rusia bëri më shumë vizita në portën e Kroacisë.Mbrojtja ruse ishte e organizuar shumë mirë dhe, në qendër, po bëhej e pa kapërcyshme.
Në minutën e 22,sulmuesi rus,me një gjuajtje të fortë jashtë zone, shënoi një gol që askush nuk e priste dhe portieri kroat Stubashiç vetëm e shoqëroi me sy.
Kroatët u organizuan në krah,se në qendër nuk çahej dhe, mesi i fushës u forcua më shumë ndaj, si rezultat, pas 8 minutash, erdhi goli i barazimit nga krosimi i Manzukiçit nga krahu i majtë dhe Stabiç në qendër, shënon.
Ky barazim e bëri lojën më të bukur, më dinamike, me zbritje e kundrazbritje, ku secila donte të largohej nga shtesa.
Pjesa e parë mbaroi me barazim, pastaj,në pjesën e dytë, rusët në fillimet e saj qenë më të rrezikshëm ku, dy herë, goditën shtyllën. Pas 10 minutash, kroatët e morën veten, zotëronin mesin e fushës ,u shtua numri i goditjeve nga këndi, presioni erdhi gjithnjë duke u rritur dhe, në minutën e 78-të, kroatët shënuan dhe golin e dytë. Lufta sportive u bë më e ashpër, lodhja jepte shenjat e para, ndërrimet i kishin plotësuar të dy skuadrat.Rusët ,me çdo kusht, kërkonin barazimin që të shkonin në shtesë, kroatët mbroheshin e kundërsulmonin. Në një korne,në minutën e 89, Rusia barazon. U shtuan dhe 5 minuta lojë,por asgjë nuk ndryshoi. Filluan shtesat dhe asnjëra nuk dha rezultat,kështu, në minutën e 124, loja mbaroi dhe tani filloi faza përfundimtare për gjuajtjen e penalltive.
Të parët do të gjuanin rusët;Subashiç pret dhe kroatët shënojnë.Pastaj shënojnë dhe rusët, por përsëri Subashiç pret dhe një penallti tjetër. Rusët bënë dhe gjuajtje jashtë dhe erdhi penalltia e fundit për kroatët,e cila u shënua gol dhe festa e gëzimi filloi: Kroatët u bënë skuadra e katërt që kaloi në ¼ dhe Rusia largohet nga botërori. 
Vlen të theksohet se Rusia ka bërë një figurë dhe lojë të shkëlqyeshme.Ajo e ka justifikuar plotësisht veten dhe ka krijuar një skuadër të admirueshme e që mund të matet si e barabartë me cilindo,por eksperienca kroate triumfoi. 
Kjo ishte një ndeshje dramatike, me plot kuptimin e fjalës, veçanërisht për kroatët, që ,dhe 1/8, i kaluan me 120 minuta lojë e me penallti. Sot ,pas 124 minutash lojë sfilitëse, u dëgjua fërshëllima e bilbilit të arbitrit, po fillonte dramatizimi i penalltive që, siç u theksua më lart, pati emocione, përqendrim dhe humbje të tyre.Lufta e fortë sportive midis këtyre skuadrave dhe dramaciteti i saj, me gjithë anët pozitive e negative që pati, është vështirë të shlyhet nga kujtesa për shumë kohë.Kjo vjen se, këtu mund të gjesh gjithë elementët pozitive e negative që përmban një ndeshje futbolli.

Sot më orën 2,filluan ndeshjet e fundit të Kampionatit Botëror që po mbyll fazën e parafundit të tij. 
10 korrik 2018
Beteja në këtë fazë përmbyllëse zhvillohet midis 4 skuadrave që dolën nga mbylla e fazës së 1/8 ,të cilat janë: Franca, Belgjika, Kroacia dhe Anglia. 
Sot në orën 2 pas dreke, u zhvillua ndeshja e parë ,për të përcaktuar finalisten e parë të Kampionatit Botëror që zhvillohet në Rusi, që nga 14 qershori,midis Francës – Belgjikës, në stadiumin e Sant Peterburgut në Moskë, i cili të 68 700 vendet i ka të zëna të gjitha. Në këtë stadium, do të zhvillohet më 11 korrik ndeshja finale  për të përcaktuar fituesin e trofeut të Botërorit.
Ndeshja filloi e vrullshme për Belgjikën dhe, 30 minutat e pjesës së parë,belgët pothuajse ishte superiorë në të gjitha drejtimet.Pati shumë raste për t`i kurorëzuar në gol, por një gjë e tillë nuk ndodhi se dryni francez ishte mbyllur mirë. 
Pas këtyre momenteve në 15 minutat e pjesës së parë,Franca e mori veten, bëri disa inkursione të rrezikshme pranë portës belge. Në pjesën e parë, u bë një lojë e kënaqshme me një futboll modern, me përdorim topi në perfeksion. U dalluan yjet e të dyja skuadrave, por ,në veçanti, Hazart nga Belgjika dhe Mbape nga Franca. Kur topi shkonte në këmbët e tyre,ata sillnin bubullima para portave kundërshtare. Por nuk mund të lësh pa përmendur portierët me eksperiencë të dy skuadrave që u treguan vigjilentë, si ai i shqiponjës kur shkon për gjah, e cila e spikat prenë e saj në lartësi shumë të mëdha. 
Pjesa dytë pati një pamje tjetër.Belgjika ishte zotëruese në përdorim të topit, por dhe francezët organizoheshin rrezikshëm dhe, në të 60-ën minutë,nga gjuajtja e një korneje shënuan, gjë që nuk pritej sipas lojës që zhvillohej. Belgët e befasuar filluan topin nga qendra dhe,disa minuta,ngulmuan rrezikshëm për të barazpeshuar lojën. Pastaj ritmi erdhi duke u ulur, se ia imponoi dhe Franca e cila bëri dy ndërrime,një në mesfushë dhe një në mbrojtje. Ajo krijoi siguri në lojë,ndërmori dhe disa zbritje që dhe mund ta rritnin rezultatin. Belgët u zgjuan 10 minutat e fundit,por asgjë nuk arritën. Franca është finalistja e parë e këtij kampionati, e cila, gjatë gjithë kohës, në të gjitha fazat,nuk pati asnjë humbje, duke eleminuar dhe Argjentinën në 16-she. Ajo zhvilloi një lojë racionale dhe ia arriti qëllimit. 
Belgjika ka qenë një skuadër hijerëndë e këtij kampionati,ka zhvilluar lojëra të bukura e spektakolare;ka pas raste që ka shënuar dhe pesë gola në një ndeshje. Por, më e vlerësuar ka qenë në ndeshjen me Brazilin në 1/8.
Brazili,nga të gjithë ishte vlerësuar si pretendenti kryesor për fitoren e kupës së këtij kampionati. Kjo, jo vetëm për ecurinë dhe kupat që ka fituar, por dhe për rezultatet që arriti dhe yjet e futbollit që ka në skuadër. Mirëpo, Belgjika e mundi me lojë dhe me spektakël dhe bëri atë që nuk e kishte menduar askush. Ajo e nisi në shtëpi para kohë,bashkë me Argjentinën e Gjermaninë. 
Loja kolektive e belgëve, organizimi dhe yjet që ajo ka në skuadër si: Hazar, Debrynjt dhe Lukaku, e bëjnë atë të frikshme për çdo skuadër. Dhe sot, ajo zhvilloi 360 pase e kontakte me topin,nga 240 të tilla që zhvilloi Franca. Por, futbolli është i paparashikueshëm dhe prandaj është i bukur e argëtues për të gjithë...  
Nderi dhe lavdia e Ballkanit në futboll, Kroacia në finale botërore të futbollit Rusi 2018…
11 korrik 2018
Stadiumi i Sant Peterburgut është një ndër më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në Rusi…Në tribunën qendrore,ishin vipat e shteteve të ndryshme dhe oligarkia e futbollit botëror.
Sigurisht,nuk mund të mungonte dhe Presidentja e Kroacisë, e cila ishte e buzëqeshur. Në këtë takim,Kroacia vinte pas dy fitoreve me shtesa dhe njëra deri në penallti ,siç ishte ajo me Rusinë, e cila la një përshtypje të lartë në këtë Kampinonat Botëror. Pas tërë këtyre mundimeve e peripecish,ajo sot do të ndeshet me Anglinë  si një pretendente e fortë për kupën e botës. Mosha mesatare e saj është 26 vjet,më e reja e kampionatit. Ajo erdhi deri këtu vetëm me një barazim, por ndeshjet e tjera me fitore, bile dhe me fitore të thella: 5 : 2. Në gjirin e saj,është golshënuesi më i mirë i kampionatit deri tani, Hari Kej, me 6 gola. Anglia,vendlindja e futbollit, i është gëzuar dhe kupës së botës.
Kjo ishte ndeshja e Kampionatit për të përcaktuar finalisten që do të ndeshet me Francën e cila mundi Belgjikën me rezultatin 1 : 0.
Të dyja skuadrat futen në fushë me perokupacionin maksimal dhe me një ngarkesë emocionale tepër të lartë.Kroacia me lojtarë me eksperiencë më të lartë,por Anglia me një skuadër tepër aktive dhe me një moshë për ta pasur zili në një kampionat të tillë.Çdo gjë ishte përgatitur në prefeksion.
Ndeshja filloi e qetë 3-4 minuta e para, por Anglia ishte më kërkuese, dhe kjo bëri që ajo të kalojë në avantazh në 10 minutat  e para.
Kroacia u përpoq që të organizohet dhe t`i përgjigjet sulmit anglez,por aksionet e saj thyheshin shumë shpejt.Repartet e saj nuk po funksiononin.Luka Modriç, që ishte organizatori i saj, u bllokua, lidhja midis reparteve ishte më të shumtën e rasteve e shkëputur.Ata u munduan të shfytëzonin befasinë dhe pasat e gjata, por nuk dhanë rezultat.Sulmuesit e saj, Mantzukiç dhe Rakitiç, e kishin të pamundur ta çanin drynin anglez.Goli qe pësuar shumë shpejt ishte një befasi dhe prerje krahësh për kroatët. 
Pjesa e parë u mbyll me fitoren angleze,me gola dhe me lojë. U krijua mendimi nga shumë shikues se Anglia do të jetë finalja e dytë që do të ndeshet me Francën. 
Në pjesën e dytë të lojës ,Kroacia u duk me një fytyrë tjetër.Loja nisi me sulme e kundrasulme nga të dyja skuadrat, por kroatët u treguan më shumë kërkues. Anglezët sikur luftonin për të mbrojtur rezultatin e, me ndonjë kundërsulm, për të siguruar atë. 
Pas minutës së 60-të, kroatët u bënë zotër të fushës, rastet në portën angleze ishin të shumta,falë portierit të shkëlqyer anglez që mbrojti portën të pa prekur. Në minutën e 70-të, me një sulm të mirorganizuar nga mesfusha dhe duke përdorur dhe krahët, kroatët fusin një top të gjatë nga krahu i djathtë në zonën angleze dhe shënuan golin e barazimit.Pas këtij goli,kroatët morën zemër dhe patën shumë raste për ta ndryshuar rezultatin,por, mbrojtja dhe veçanërisht portiere, i bënë ato të pavlefshme.Anglezët u përpoqën, por pa rezultat dhe loja kaloi në shtesë. 
Filloi shtesa e parë, dhe anglezët bënë dy ndryshime. Ata u përpoqën shumë, por para portës nxitoheshin, rastet qenë të shumta,veçse portieri Subashiç ishte në një formë sportive të paparë. Lodhja kishte bërë punën e saj,por kroatët pa asnjë ndryshim i përballuan anglezët e freskuar. Në pjesën e dytë, kroatët bënë disa ndryshime të detyruara,nga lodhja u largua dhe Luka Modriç. Kroacia, me topa të gjatë dhe me një mesfushë të rinuar me lojtarë të freskët ,bëri që të ketë më shumë raste dhe, në minutën e 116-të të pjesës së dytë shtesë, me krosim në zonë,Mandzukiç del i zbuluar dhe shënon golin e fitores që ngriti peshë zemrën e disa miliona njerëzve në mbarë Balkanin, jo vetëm në Kroaci.Në sheshet e Kroacisë,mbi 50.000 veta,brohorisnin dhe gëzoheshin,po kështu ,në të gjitha vendet e Ballkanit.
Gëzimi i tyre ishte i ligjshëm se,për herë të pare,një skuadër ballkanike del në finalen botërore të futbollit.Kjo skuadër nderoi veten dhe gjithë Ballaknin. Një skuadër e dalë nga 4 milion banorë zuri vendin e dytë në botë dhe, më 15 korrik, në stadiumin e Moskës,do të luftojë për Kupën e Botës 2018, përballë një France me një eksperiencë të madhe, kampione bote dy herë, me lojtarë të rinj dhe me yje që kanë shndritur gjat viteve në futboll si: Mbape, Kristman dhe kapiteni portier etj. 
Është interesant fakti se Kroacia,para disa vitesh, arriti në katër skuadrat më të mira dhe, në luftë për skuadrën që do të merrte pjesë në finale, u eleminua nga Franca. 
E shtunë 14 korrik 2018, Belgjikë – Angli 2 : 0.
Kjo ishte ndeshja e parafundit e kampionatit botëror të futbollit 2018 në Rusi, e cila do të përcaktojë skuadrën që zë vendin e tretë dhe merr medaljen e bronzit të këtij kampionati.
Interesimi,si zakonisht, ishte i madh, se ishin dy skuadra të cilat u dalluan gjatë gjithë këtij aktiviteti për lojëra të mira, për të teknikë e lëvizshmëri të lartë në fushë, për shënimin e shumë golave. Në gjirin e tyre, kishte golshënues më të dalluar me 3, 4 dhe 6 gola dhe,deri tani, mban vendin e parë kapiteni i skuadrës, Herri Kej.
Loja filloi me intensitet të lartë,prej të dyja skuadrave lexohej se i kanë vënë vetes detyra për goliadë ndaj njëra tjetrës. Si rezultat i këtij mobilizimi, me një sulm të organizuar mirë nga mesi i fushës,Belgjika, në minutën e katërt të ndeshjes, shënon golin e saj të parë. Pas pësimit të golit, anglezët bënë disa përpjekje për të barazuar, por mbrojtja belge ishte e konsoliduar dhe në qendër, nga ngulmonin anglezët, u bë e pamundur. Loja e anglezëve vjen e zbehet. Belgët organizohen,dhe, disa herë rrezikuan, dhe pjesa e parë pothuaj se flet vetëm për belgët. Ajo mbaroi me rezultatin 1 : 0.Në këtë pjesë të lojës, Anglia nuk tregoj aftësitë e saj. Sulmuesi i saj kryesor, më shumë merrte topa në mesfushë,  se sa të sulmonte për të goditur portën.
Pas pushimit,të dyja skuadrat bënë një lojë të këndshme,me sulme e kundër- sulme, me topa të gjatë nga krahët dhe, veçanërisht, Belgjika e vuri në vështirësi të madhe Anglinë. Por guardian i portës angleze shpëtoi 3-4 raste që ishin gola të sigurt dhe, vetëm ky bëri që Anglia të mos merrte një thes me gola. Nga mesi i pjesës së dytë ,në 10 minuta, ata e vunë në vështirësi Belgjikën me 2-3 gjuajtje të Heri Kejt,tepër të rrezikshme dhe, vetëm eksperienca e gardianit të portës belge, i bëri ato të pavlefshme. 15 minutat e fundit,me ndërrimet që u bënë nga Belgjika në forcimin e mesfushës dhe mbrojtjes, sulmi i tyre u bë i papërmbajtshëm dhe, në të 85 minutë, Hazart e çoi rezultatin 2 : 0. 
Pra, kjo betejë e parafundit të futbollit në këtë kampionat, u mbyll me meritë në favor të belgëve, të cilët siguruan dhe medaljen e bronzit të këtij kampionati madhështor .
Francë – Kroaci
15 Korrik 2018 
Kjo ndeshe kurorëzon mbylljen e këtij aktiviteti njëmujor.Kampionati botëror i futbollit sot nxjerr përfaqësuesen e tij, e cila do të mbajë, për 4 vjet, kurorën botërore të futbollit,duke marrë kupën e tij dhe duke shkurorëzuar Gjermaninë si ish-kampione.
Në ditën e sotme përmbyllëse, morën pjesë disa udhëheqës kryesorë të vendeve të ndryshme,si: Presidenti i Rusisë, Presidenti i Francës, Presidentja e Kroacisë bashkë me Kryeministrin e saj.Aparati botëror i drejtimit të këtij evenimenti, me presidentin e tij dhe shumë funksinarë e udhëheqës të tjerë nga vende të ndryshme.
Organizimi i kësaj ndeshje ishte bërë në mënyrë perfekte,dhe stadiumi i Sozhnikut,në Moskë, ishte i tejmbushur. Në shkallët e tij qëndronin 78 400 tifozë dhe kishte një pamje të larmishme nga veshjet dhe banderolat që përdornin tifozët që përfaqësonin kombet e tyre në këtë finale, për të shijuar lojën e bukur të dy skuadrave më të mira të botës… 
Në këtë takim,Franca,pas 20 vjetësh, kërkon të marrë kupën e kampionit të botës për 4 vjet. Këtë kurorë futbollistike,ajo lufton dhe dëshiron ta bëjë të sajën. 
Kroacia, një skuadër e përsosur në të gjithë komponentët, dëshiron të bëjë të sajën këtë trofe,mbasi në këtë nivel nuk ka arritur asnjëherë.Suksesi më i madh i saj ka qenë para disa vitesh,kur arriti deri në vendin e tretë,dhe sot synon. Një Kroaci e cila ka bindur gjithë opinionin publik me lojërat e saj në të gjitha fazat e këtij aktiviteti,vjen në finale pas tri ndeshjeve me shtesë, me një lodhje të jashtëzakonshme,ndërsa Franca ishte shumë e freskët, nuk pati asnjë ndeshje me shtesa, kishte 6 ditë që pushonte. Veç kësaj, ishte dhe ngarkesa e madhe psikologjike,sepse nuk kishte ardhur asnjëherë në këtë lartësi të mëdhe të  Botërorit.
Ndeshja filloi me një presion të vazhdueshëm të kroatëve, me një përdorim topi rreth 60% deri në minutën e 25-të, ndërsa Franca  vijonte me një lojë racionale dhe të organizuar mirë në mbrojtje. Në të 20 minutat, Franca fiton një faull dhe, Krizman bënë një gjuajtje kronometrike në zonën kroate; Manzukiç, në përpjekje për ta larguar topin, e dërgon atë në portën e tij,autogol. Kroatët pësuan një goditje shumë te shpejtë dhe nuk e pritnin një gjë të tillë. Por loja u ndez dhe më shumë;kroatët u organizuan në mënyrë më sulmuese për të arritur golin e barazimit dhe, në 5 minuta pas golit të pësuar, ata barazuan me një gol të shkëlqyer të Perisiç.Loja mori më shumë gjallëri, me zbritje dhe kundrazbritje dhe, në minutat e fundit, nga një korne që gjuajti Franca, Perisiç takon topin me dorë dhe teknika e kampionatit dha penallti që Krizman e ktheu në gol. Me rezultatin 2 :1, u mbyll pjesa e parë për ekipin e Francës. 
Ashtu si në pjesën e parë,dhe në të dytën,Kroacia filloi me sulme e kundër- sulme në portën franceze, por ato ishin të pasakta. Në minutën e 60-të, me një zbritje të shpejtë dhe një rrëmujë në zonë,Pogba shënoi dhe golin e tretë.
Kroacia ra moralisht, nuk shikonte dritë në fund të tunelit, dhe lodhja e tepruar bëri që fuqia goditëse e saj sa vinte ulej dhe, pas disa minutash, Mbape me një gjuajtje jashtë zone e dërgoi topin në rrjetë dhe ky vulosi dhe kupën e botës për Francën. Në minutat që mbetën,Kroacia u përpoq dhe nga një gabim i portierit francez shënoi golin e dytë me anë të Manzukiç.
Kështu,Franca kurorëzoi me sukses marrjen e kupës së botës në futboll pas 20 viteve. Ajo shënoi sot në fanellën e saj yllin e dytë:Kupën e Dytë të Botës.
Duhet thënë se Kroacia bëri lojën e saj më të bukur,dhe Franca shënoi golat, nga 6 gjuajtje në portë, 4 gola. Kroacia largohet nga ky kampionat botëror me kokën lart, me një sukses të jashtzakonshëm;arriti duke marrë medaljet e argjendta dhe Luka Modriç si lojtari më i mirë i këtij kampionati botëror. 
Kjo ndeshje i kishte të gjitha brenda, lojën e bukur, golat, penalltinë, autogolat e çdo gjë që meriton për një kurorëzim të tillë. 
Tranieri i Francës, Deshamp, në fund, duke folur për rezultatin e ndeshjes, tha: ‘Kroacia bëri lojën më të bukur se ne, por ne morën fitoren,se atë kërkonim, prandaj u kërkoj ndjesë që nuk bëmë një lojë spektakolare, por bëmë një lojë racionale’.
Ky kampionat botëror pati disa veçori interesante:
Së pari, organizimi nga FIFA u bë i përsosur, ndonëse u futën disa rregulla të reja, të cilat e justifikuan në praktikë vlerën e tyre dhe hoqi të gjithë dyshimet dhe pretendimet që bëheshin në kampionatet e tjera.Teknika e përdorur i dha fund çdo hamendje e gabimi njerëzor.Ajo bëri që, në shumë raste, të ndryshonte gabimet e gjyqtarëve.
Së dyti, faza e parë dhe e dytë e këtij evenimenti, bëri që shumë skuadra, që nga spacialistët vlerësoheshin si pretendente, u larguan nga aktiviteti, si: Gjermania, ish-kampione, Argjentina, Spanja, Portugalia, kampione e Europës, dhe, bashkë me to, u larguan dhe yjet e futbollit, si: Mesi, Neimar, Ronaldo. Por kjo nuk e uli nivelin e kampionatit, përkundrazi ai u bë më i bukur, më spektakolar dhe me një nivel teknik dhe taktik të kënaqshëm.Kjo bëri që, në fazen e 1/8-ve dhe në çerekfinale, të zhvillohen ndeshje që lanë mbresa të thella në kujtesë. 
Së treti, një veçori tjetër ishte se skuadrat bënë një lojë kolektive dhe jo të përqendruar tek yjet e tyre.Kjo ka bërë që, niveli nga një fazë në tjetrën, ka ardhur në ngjitje, lojërat janë bërë më të këndshme, lufta sportive është rritur dhe përgatitja tekniko-taktike është përsosur nga ndeshja në ndeshje. 
Së katërti,në 1/8-at dhe në çerekfinale, niveli i skuadrave, pothuajse ishte i barabartë. Kjo u duk dhe në zhvillimin e takimeve, të cilat, në shumë raste, u bënë me zgjatje të lojës, me penallti e rrallë me ndonjë fitore vetëm1 : 0. Në këtë kampionat, u dalluan në mënyrë të veçantë: Franca, Kroacia, Belgjika që zuri vendin e tretë me medale të bronzit, Anglia me golashënuesin më të mirë  me 6 gola,Herri Kej, kapiteni i Anglisë e cila zuri vendin e katërt.U dallua Rusia e Uruguaj. 
Në mbyllje të këtij kampionati vlen të thuhen fjalët më të mira për vendin organizator, Rusinë, e cila krijoi kushte shumë të përshtatshme për zhvillimin e aktivitetit ndërkombëtar futbollistik për gjithë  botën.
Risi ishte edhe VAR (Asistimi me Regjistrim Kamerash),i cili kishte për detyrë të saktësonte gabimet e gjyqtarëve të takimeve. 
Jehona e këtij kampionati nga analistë dhe spektatorë,u duk në vlerësimin maksimal të Kroacisë për lojërat e bukura, për shpirtin e garës, për lojën kolektive dhe për një përgatitje fizike të admirueshme. Këto cilësi e bënë atë të barabartë me Francën.Për këtë, flasin dhe pritjet e vlerësimet madhështore që u bëri populli kur u kthyen në vendet e tyre. 
Ky kampionat ishte ndër më të mirët që ka organizuar UEFA, si për kushtet e zhvillimit të tij, për formën e organizimit e vlerësimit të rregullave të reja të saj që u zbatuan në këtë kompeticion. 
Pas katër vitesh,do të kemi mbresa nga Katari,se aty do të zhvillohet kampionati i 22-të botëror i futbollit. 
Kontradita në mendime dhe veprime
17 korrik 2018
Nga 16-17 korrik, në Helsinki, presidenti Trump u takua me Vladimir Putinin. Në këtë takim,Trumpi la shumë për të deshiruar, ai la shumëkënd të zhgënjyer me sjelljen e ti në Samitin e NATO-së dhe, veçanërisht me Putinin.
Trumpi ishte i papërgatitur dhe imponues ndaj tij. Putin ishte kalkulues i problemeve dhe ato që kishte krijuar vetë ia impononte për zgjidhje presidentit amerikan. Takimi ishte shumë problematik në atë që sa pak bëri Trumpi për çeshtjet serioze që lidhen me Vladimir Putin dhe vendin e Rusisë në botën moderne. 
Në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp, ishte kalkulues dhe me zotërim të situatës, ndryshe nga ai, Trump dukej pa autoritet, duke e lavdëruar Putinin, aty ku duhej ta kritikonte, bile ashpër, dhe duke humbur shanset për t`u përballur me të për veprimet më flagrante të tij në dekadën e kaluar, përfshi dhe ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të 2016-ës, në aneksimin e paligjshëm të Krimesë në 2014-ën;gjatë fjalimeve të para përgatitore të tyre, dukej qartë se kush e ka udhëhequr bisedën. 
Presidenti Putin paraqiti një kornizë të qartë për përparimin e interesave ruse në kontekstin e marrëdhënieve SHBA –Rusi.Trumpi dukej se nuk kishte ndonjë plan, duke kapërcyer nga një premtim i mjegullt në tjetrin për përmirësimin e marrdhënieve me Rusinë, dhe duke u marrë më shumë me çështjet e brendshme amerikane, sidomos me zgjedhjet presidenciale 2016-të. 
Në vend që t`i kërkonte llogari Putinit,ai u muar me fitoren e tij ndaj Hillari Klintonit,kur Trumpi tha: “Është për të ardhur keq që të ekzistojë sadopak një njollë mbi të, njerëzit e dinë, ata e kuptojnë”. Me anën e kësaj,ai kërkon që të mos i japë përgjigje drejtpërdrejt pyetjes.Ai shkoi deri aty,sa të citojë, po saktësisht, numrin përfundimtar të kolegjit elektoral të dy viteve më parë. 
Në mënyrë kyçe,nuk pati asnjë lëshim nga Rusia, në asnjë çështje që meritonte diskutim.Trumpi nuk shfaqi dëshirë që të paraqiste qëndrimet amerikane për këto çështje. 
Për më tepër,ai nuk përmendi as shqetësimet e aleatëve tanë në NATO për Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë që kërcënohen në territoret e tyre nga Rusia. Ai, gjatë gjithë takimit,nuk u mundua të dënojë apo as që ta pranojë paligjshmërinë e veprimeve të Putinit në Ukrainë. Nëpërmjet këtij takimi, Putin ka marrë mesazhin se Trump nuk do të reagojë .
Trump refuzoi të mbështeste shërbimet e inteligjencës amerikane dhe të akuzonte Putinin për ndërhyrje. Por ai tha: “Nuk shoh ndonjë arsye se përse rusët do të ndërhyjnë ilegalisht”.Ky konkluzion është shokues për një president në detyrë për vendin që ai drejton. Kur ai beson një udhëheqës të huaj dhe jo ekipin e tij inteligjent. Trumpi në vend që të përballej me Putinin, i ofroi bashkëpunim me një inferioritet të paparë nga asnjë president amerikan.Kjo strategji është sikur të lejosh kriminelin të hetojë kundër vetes.
Ne shtypin amerikan u shpërthye një luftë e ashpër kundër Trumpit për këtë vizitë, ja disa prej tyre: “Trumpi sillet si qullac para Putinit’.‘Nuk fitohet kështu kundër Rusisë’. “Qëndrimet e Trumpit janë antikushtetuese’.‘Qëndrimi për inteligjencën është  çmenduri e një presidenti” etj.Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, pas Samitit, ai pranoi përfundimin e nxjerrë nga Komiteti Amerikan i Zbulimit se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës. Ai u shpreh se kishte ndërmend të kundërtën nga ajo që kishte ligjëruar në Helsinki etj… 

Një ditë me shumë siklet
19 korrik 2018
Sot Beni (djali i madh) është nisuar nga Anglia me makinë,bashkë me gjithë familjen për të shkuar me pushime në Shqipëri. 
Kjo është një rrugë e gjatë dhe me probleme, se ato nuk pushojnë, por, gjithë ditën dhe natën, rrugëtojnë 24 orë rresht.Pagjumësia, lodhja dhe stresi për siguri, janë faktorët që veprojnë mbi Benin që gjatë gjith kohës është në timon.
Që kur kaloi Lamanshin,vazhdimisht jemi lidhur duke komunikuar, në Austri, Kroaci. Nata e 20 korrikut na u duk më e gjatë se çdo natë tjetër.Ajo duket si kur nuk po mbaron.Ishim në ankth dhe në pritje, se ishin ndërprerë lidhjet. Mendja më shkonte kudo,por vetëm për gjëra të dëshpëruara.
Duke biseduar me Dritën (bashkëshorten), në shtëpi në Neë York, sillnim në mendje se diçka u ka ndodhur, ka afro 10 orë që nuk po marrim asnjë sinjal. Stresi kishte arritur pikën kulmore.Kujtonim një fatkeqësi para dy javëve,kur një familje kosovare prej 5 pjesëtarësh u aksidentua dhe vdiqën të gjithë në Mal të Zi, duke shkuar për në Kosovë.Shikonim në çdo stacion të T.V.A. që jep shqip në Amerikë, se mos jep ndonjë lajm.
Atëherë lidhem me vajzën në Londër, dhec e pyes në dinte gjë për Benin ku ndodhej, se ne ka 10 orë që nuk lidheshim dhe ishim bërë shumë merak. Ajo thotë që ka një orë që ka kaluar në Mal të Zi dhe tani duhet të jetë duke iu afruar doganës së Shqipërisë.U qetësuam pak dhe bëmë një kafe, ishte ora 10 e mëngjesit në Amerikë, nuk kishim pirë kafe akoma. Pasi mbaruam kafen, po shihnim lajmet te R.T.SH. dhe ra zilja e telefonit, kur e hapëm, ishte Beni. Hë more ku jeni, se na çmendët, ka 10 orë që nuk lidhemi A jeni mirë? Të gjithë mirë jemi,kemi arritur tani te shtëpia, akoma nuk kemi zbritur plaçkat nga makina.U gëzuam dhe u qetësuam. 
Por ç’e do, ky stres do të vazhdojë dhe me 19 gusht, kur do të kthehen për Angli. Ky udhëtim na lë gjithnjë në tension. Këto tensione e strese për fëmijët që i kemi të shpërndarë, 2 në Angli dhe 2 në Amerikë, bëhen ngacmime të forta për jetën tone, edhe se komunikimin, pothuajse, e kemi të përditshëm.
Sa më shumë rëndohet mosha, aq më shumë ndihet nevoja dhe prania e tyre afër nesh. Tani, nga dita në ditë,fuqia e trupit vjen në rënie. Ky është sinjali që tingëllon përditë në portën tonë.Këtu, me ndihmën e shtetit dhe të fëmijëve,ne kemi kushte shumë të përshtatshme për një jetesë më se normale.
Por ajo që na mungon është ledhatimi i atyre që janë larg. Një ledhatim me Mariusin, Rejn, Serxhion dhe Glorian, do të na jepte kënaqësi dhe do të na shtonte diçka në jetën tonë. Zërat e tyre, bashkëbisedimi me ta, do ta bënte shumë më të këndshme e më të qetë shpirtin e mendjen,duke na sjellë  kënaqësi të pazëvëndësueshme. 
Prandaj,për këtë moshë, një fjalë e mirë është një gur i rëndë që e forcon jetën tonë.  


Një fatkeqësi që s`mund të harrohet…
21 korrik 2018 
Më datën 21,në Greqi, ra një zjarr i fuqishëm;ai nisi në një zonë turistike të  Athinës dhe mori përmasa të mëdha nga një erë  që arrinte mbi 90 km në orë. Kjo bëri që zjarri të zhdukë e të bëjë shkrumb e hi fshatra e krahina.Krahina e Matit u zhduk përfundimisht me shtëpi e katandi.Ajo është rrafshuar e zhdukur .Kjo është krahina më e populluar në Greqi,me turistë nga vende të ndryshme. 
Një kaos i madh  përfshiu tërë Athinën.Zjarri përhapej me shpejtësi të madhe në gjithë krahinën. Më gjithë masat e marra,ai vazhdon dhe me datën 22 korrik dhe sot më 23 korrik. Ka një shkretim total të zonave. Nga pamjet televizive duket vetëm pluhur e me qindra makina të shkrumbëzuara me njerëz brenda.Në disa shtëpi të zhdukura nga zjarri,u gjetën njerëzit,të djegur e të përqafuar me njëri tjetërin për shpëtim. 
Një tragjedi me përmasa të mëdha që i ka të rralla shoqet….Deri tani,janë njoftuar për 82 të vdekur dhe 187 të plagosur. Në nderim të viktimave,Greqia ka shpallur 3 ditë zi.Vazhdon kërkimi për kufoma të tjera, që mund të gjenden në rrënoja. Zjarrfikësit,aty ku kanë shuar zjarrin, bëjnë krehjen e terrenit. Këto shifra janë relative,se ato ndryshojnë nga ora në orë. 
Një solidaritet i paparë po tregohet nga të gjitha vendet e Europës, duke dërguar me dhjetra mjete,si: zjarrfikëse, helikopterë e forca të specializuara, për të ndihmuar , që të lehtësojnë sadopak dhimbjet e shkaktuara. 
Veç këtyre, janë nisur ndihma e mjete të tjera,aq sa Greqia nuk është në gjendje t’i menaxhojë për momentin.Kjo është një vlerë e shtuar që po kultivohet në Europë për fatkeqësitë që u ndodhin vendeve të ndryshme. 
Nga kjo tragjedi e paparë në Greqi,duhet të dalin mësime që të mos zihemi në befasi si kjo që ndodhi aty.Qeveria greke mban një përgjegjësi të madhe para popullit të saj, se  s`kishte marrë masa e duhura për të përballuar fatkeqësi të tilla. Por kjo vjen dhe nga përmasat e mëdha që mori tragjedia, në një kohë rekord, duke u nisur dhe nga temperaturat e larta dhe shpejtësia e erës. 
Tragjedi të tilla,kohët e fundit, po ndodhin në shumë vende e kontinente të ndryshme, në shtete me fuqi ekonomike të konsoliduar dhe të dobëta. Natyra po na jep sinjale shumë negative, për të cilat duhen marrë masa të planifikuara. 
Pjesë e kësaj tragjedie në Greqi kanë qenë dhe shqiptarët, sepse në krahinën e Matit,që u rrafshua e gjitha, banonin shumë shqiptar. Ata kishin shtëpitë dhe bizneset e tyre.Fatmirësisht,deri tani, ka vetëm një të vdekur e tre të shtruar në spital nga shqiptarët. 
Bilanci i deritanishëm, nga verifikimet që janë bërë, rezulton: 6 500 shtëpi të djegura tërësisht, 10 turistë të huaj të vdekur,87 vendas  të vdekur dhe 188 të plagosur e të shtruar në spitale.Këto statistika nuk janë përfundimtare, se ka shumë të zhdukur, nuk janë krehur të gjitha zonat akoma, evidentimi i të humburve vazhdon.
Është e çuditshme se fatkeqësitë po ndjekin njëra tjetrën. Pas zjarrit shfarosës në Greqi, kanë filluar shira të dendura, të cilat po fryjnë lumenjtë, duke sjellë përmbytje të mëdha.Shenjat e para u dhanë në Bullgari e cila është në një gjendje alarmi, dhe Greqia po përgatitet për një situatë më të vështirë. Stuhitë e shiut bëjnë  një nder, se shuajnë zjarret e shpëtojnë një pjesë të pishave të Athinës, por, nga ana tjetër,sjellin fatkeqësi në fusha e lugina që mund të përmbyten e të shkatërrohet gjithçka që ndodhet në to. 
Nga bilanci përfundimtar i këtyre zjarreve ,sipas M.P.J. të Greqisë, deri tani janë evidentuar 86 të vdekur e 100 të humbur ,188 të plagosur e të shtruar në spitale.Mbi 300 zjarrfikës e punëtorë të kualifikuar vazhdojnë kërkimet në zonat e ndryshme të vendit ku ka rënë zjarri. Rreth 7 200 shtëpi janë djegur plotësisht, verifikimi i dëmeve vazhdon…Qeveria greke ka marrë një sërë masash,për të ndihmuar të dëmtuarit në rimëkëmbjen e ekonomisë së tyre, me shpërblime në para dhe me forma të tjera ndihme.Për shkaqet e zjarrit ka shumë pista, por asgjë të saktësuar. 
Në shtypin e përditshëm,pasqyrohen ngjarje rrëqethëse.Shumë turistë kanë marrë rrugën e detit për t`i shpëtuar tragjedisë, disa janë hedhur nga shkëmbinjtë për të shpëtuar, por, për të gjithë, fatkeqësia ka qenë e pa shmangshme. 
Nga kontrolli në shtëpi dhe resorte,ka patur raste që janë gjetur dhe 26 veta të djegur së bashku për të shpëtuar jetën, e të gjithë janë karbonizuar të bashkuar me njëri tjetrin; shumë çifte janë gjetur në makina, të djegur , cilët ishin në rrugëtim.

25 korrik 2018 

Dje ndërroi jetë Mandela i shqiptarëve të Kosovës, i nderuari dhe i respektuari nga të gjithë,si në Kosovë, Shqipëri e kudo ndodhen shqiptarë  nëpër botë. 
27 Korrik 2018
Sot u nda nga jeta,simboli i rezistencës së shqiptarëve,heroi i Kosovës, Adem Demaçi.Ai ka qenë një ndër figurat më të njohura për liri e pavarësi.Sa ky, asnjë shqiptar, nuk ka bërë 28 vjet burg në Jugosllavi.Ishte politikani më i palëkundur, prandaj e dënuan tri herë, duke kaluar nëpër vuajtje e tortura nga më çnjerëzoret. Por ai kurrë nuk u mposht dhe nuk e humbi shpresën te fitorja. Prandaj,ai mban dhe cilësimin si Mandela i Korosvës. 
Unë nuk e di kur e kam dëgjuar për herë parë zërin e tij, por e kam lidhur gjithnjë me romanin “Garpërinjët e gjakut” dhe thënien e tij lapidare në atë libër: ‘Jo atyre që çojnë dorën e krimit, por atyre që shtrijnë dorën e pajtimit’.Ky ka qenë dhe motivi i jetës së tij. Nëpërmjet këtij romani, njoha shumë cilësi të veçanta te ky personalitet dhe këto ai i materializoi në jetën e vet prej një revolucionari të klasit të pare;ishte njeri që besonte te lufta dhe ëndërronte te ushtria e Kosovës, ai gjithnjë mbetet dhe njeriu i paqes, ndoshta njeriu më i përkryer i paqes që kanë njohur brezat.
Dukej radikal,por ishte i butë, me zemër të madhe, shumë të madhe. Dukej i ashpër, por ishte tepër njerëzor me fjalët e zgjedhura dhe tipologjinë e përdorur shpesh: “Djal i bacit”. I prerë në fjalën e tij, por dhe i gatshëm të të dëgjonte deri në fund dhe, në se e kishte pasur mendimin e nxituar, nuk kishte droje të thoshte: “Djalë i bacit,vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë”.
E adhuronte Shqipërinë,ashtu si kishte qenë ajo  gjithnjë, edhe e vetmuar, edhe e ngritur.I donte rrugët e saj, sheshet, legjendat e përbashkëta, qytetet e zmadhuara dhe të zbukuruara, por, shpeshherë, nuk e donte politikën dhe, kjo e fundit, disa herë tentoi ta përdorte emrin e tij të madh.
Adem Demaçi u largua nga kjo jetë qetësisht,butësisht.I dashuruar me jetën dhe i preferuar me përjetësinë.Askush më shumë se ai nuk e deshi Kosovën, dhe. askujt tjetër, nuk i takon nderi që i duhet bërë atij.
Historia e Kosovës, e dekadave të fundit, ka kaluar përmes dy akademikëve Adem Demaçi dhe Adem Jashari. Baca Adem lamtumirë!Ju jeni prej kohësh në panteonin e lirisë. Ky është një rast i rrallë kur zë vend në panteonin e lirisë për së gjalli.
28 korrik 2018
Në qendrën e Prishtinës u grumbulluan me mijëra njerëz, për të marrë pjesë dhe për t`i dhënë lamtumirën e fundit Madelëssë tyre, që kaloi 28 vjet,nëpër burgjet e Jugosllavisë, për të drejtat e shqiptarëve. 
Në sheshin e Prishtinës,ishin marrë të gjitha masat organizative për të respektuar për herë të fundit këtë mendje të ndritur të Kosovës. Në ceremoninë përmbyllëse të tri ditë zie në Kosovë për Adem Demaçin, kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë lamtumirë: Presidenti i Shqipërisë,Ilir Meta, ish-Kryeministri, Pandeli Majko, që priti në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës 600 000 refugjatë, Ali Ahmeti nga Maqedonia, e shumë personalitete nga diaspora.
Në emër të popullit të Kosovës,me një fjalim lamtumire, e hapi përcjelljen për në banesën e fundit të këtij trimi, guximtari, e mendjendrituri për Kosovën, Presidenti Ashim Thaçi. Pastaj,përshendetën Presidenti Ilir Meta dhe Ali Ahmeti, në emër të shqiptarëve të Maqedonisë, Kryetari i Këshilit të Ministrave të Kosovës,Ramush Haradinaj etj.  
Trupi i të ndjerit, i vendosur në një podium, i rrethuar nga tufa lulesh shumë ngjyrëshe, në mes të sheshit të Prishtinës, u përshëndet me tri breshëri armësh dhe, pastaj, kortezhi u nis për në banesën e tij të fundit, i shoqëruar nga gjithë udhëheqja kosovare dhe të ftuar, si dhe nga turma të mëdha njerëzish. Banesa e fundit iu zbukurua nga kurora të shumta, që nga udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe miqtë. Një vend të dukshëm zinin kurorat e Presidentit Thaçi dhe Meta.  
Këtu u përmbyll sot jeta e këtij njeriu, midis lotëve dhe psherëtimave, i cili do të mbetet i gjallë përjetë në zemrat e tyre për veprimtarinë e tij njerëzore, patriotike dhe luftarake për këtë vend të vogël që, pas 100 vjetësh, fitoi pavarësinë.
U prefsh i qetë në atë botë të vërtetë, Baca Adem… 
Neë York 28 korrik 2018
Një vdekje e papritur
E martë 31 korrik 2018 
Sot ndërroi jetë Profesor Luan Hajdaraga, në moshën 69 vjeçare,nga një tumor në kokë, i cili iu shfaq para një muaj,kur po kthehej nga Maqedonia, mbas mbarimit të leksionit në Universitetin e Shkupit.
Ky ishte një ndër kuadrot kryesorë të Partisë Socialiste që në themelimin e saj. Me punën e tij ka lënë gjurmë në këtë parti për edukimin dhe organizimin e saj.Ai, për një kohë të gjatë, ka kryer detyra të rëndësishme në këtë parti, si: Zëvendëssekretar i saj, Ministër i Mbrojtjes, Zëvendësministër i Jashtëm, Sekretar Organizativ dhe Deputet i Kuvendit.
Ishte kuadër me cilësi të rralla për punën me njerëzit dhe ,veçanërisht me masën e të rinjve. Ai depërtonte thellë në ndërgjegjen e çdo bashkëbiseduesi, ishte i qartë, argumentues në zhvillimin e problemeve dhe brenda diskutimeve që zhvillonte, si në auditore, dhe në takime të thjeshta. Në çdo rrethanë që ndodhej, asnjëherë nuk e ngrinte zërin,por ishte  i qetë, i thjeshtë në të kuptuar dhe tepër argumentues në arsyetime.Asnjëherë nuk dilte jashtë edukatës dhe, problemin, nuk e trajtonte në mënyrë të njëanshme. Prandaj, ai nderohej dhe respektohej nga të gjithë,edhe nga kundërshtarët e tij. Kurrë nuk e impononte idenë me forcë,me të bërtitura, por qetësisht, vetëm me metodën e arsytimit logjik. Për atë ishin të dënueshme dhe pa kuptim ofendimet, grindjet, sharjet …
Shembulli i tij mbetet edukues për  kolegët e tij në pozitë dhe opozitë, dhe për të gjithë drejtuesit. Ishte një pedagog i palodhur për sociologjinë shqiptare, për të cilën është investuar në punë krijuese esenciale, për ta ngritur atë në lartësinë e kohës, me studime, analiza, konkluzione, përvojë dhe shkrime e vepra që ka botuar për këtë.
Studentët humbën idhullin e tyre,studiuesit, konsulentin e përkryer dhe shokët, gojëmbëlin e përditshëm në punë. 
Në nderim të tij,nga ora 10.00-12.00, u bënë homazhe. Aty parakaluan kuadrot kryesorë të shtetit: Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarë të qeverisë, deputetë dhe kryetarë të partive pa dallim. Kjo figurë gjithë përfshirëse,dhe për së vdekuri, i bëri bashkë të majtë e të djathtë, që në vendin tonë e shikojnë njëri -tjetrin, jo si kudërshtarë politikë, por si armiq. 
Brëkleen, Neë York
Festivali folklorik i trevave mbarëshqiptare
2 gusht 2018

Sot,në qendër të Plavës e Gucisë në Mal të Zi, u organizua festivali folklorik i trojeve mbarëshqiptare.Në këtë konkurim,morën pjesë grupe e shoqëri kulturore nga Shqipëria, Kosova, Mali Zi, Maqedonia dhe diaspora, deri në Amerikën e largët. 
Në repertorin e tyre kishte këngë e valle me tematikë patriotike me origjinë nga kohët e vjetra, me këngë për trima e trimëresha në trojet e ndryshme shqiptare, veç këtyre, aty zinin vend dhe këngë për jetën e tyre, për vllazërimin, për trimnitë dhe për zhvillimin që po marrin kudo shtetet dhe trevat shqiptare. Veç kësaj tematike të rëndësishme, në repertorin e tyre, vend me rëndësi, zinin paraqitjet e veshjeve tradicionale shumëngjyrshe nga lashtësia deri më sot.
Pasuria e kostumeve dhe interpretimi i artistëve,krijuan një larmi ngjyrash  me zëra të ëmbël, me valle fluturuese, të cilat të mbushin zemrën më kënaqësi.  Para disa vitesh, ky aktivitet ishte një mollë e ndaluar, siç thotë Migjeni jonë i madh. Për shqiptarët,tashmë kanë ardhur ditë të lumtura, kudo që ata jetojnë e punojnë.Ata janë të lirë të paraqesin para botës cilësitë, zotësitë dhe zhvillimin e tyre në të gjitha fushat e jetës, si në muzikë, art, sport dhe shkencë. 
Sot,ne kemi me dhjetra shqiptarë që kanë marrë medalje ari në aktivitetet sportive. Kemi profesorë e doktorë me eurudicion të rrallë, si në shtetet shqiptare dhe diasporë, në shumë fusha, si: mjekësi, shkencat e përpikta, në arsim etj. 
Më bëhet zemra mal kur, shpeshherë presidentë të ndryshëm në Amerikë, thërrasin në takim nxënës ekselentë në shkollat amerikane nga familje të emigrantëve shqiptarë dhe këta nuk janë të pakët.Shoku im, Ali Xhikola ka vetëm 12 vjet që ka ardhur në Amerikë dhe vajza e tij ekselente, nga viti i parë dhe deri në mbarimin e gjithë shkollës për mjekësi 9 vjet, sot është Profesoreshë në Universitetin më të vjetër ‘Kolumbia’.Nxënësit ekselentë nga emigrantët shqiptarë, kosovarë, maqedonas, malazes dhe, në diasporë, janë me mijëra. 
Kur lexon Proferor Malkolmin që jep leksione në diasporë për origjinën e shqiptarëve, të bazuar në fakte shkencore, emocionohesh, ose Arif Matin, Profesor Doktor Muratin që mori çmimin Nobël në mjekësi këtu në Amerikë etj., tregon se shqiptarët, kudo që janë,dallojnë nga shumë kombe. Ky është një komb që e kanë kalitur, vuajtjet, veshtirësitë e luftërat e vazhdueshme në shekuj. Prandaj, sot tingujt e këtij festivali,më ngjallën në kujtesë ato ç`ka hequr ky popull, por më bëhet zemra mal për çfarë kemi arritur e duhet të arrijmë në të ardhmen, edhe pse kemi dhe shumë sfida përpara . 
Me gjithë këto kushte që janë krijuar, dhe me tërë zhvillimin e gjithanshëm të lirisë e të drejtave të shqiptarëve,ka mendje të nxehta e që nuk e kuptojnë jetën ku jetojmë.Kanë alergji të madhe për këto arritje dhe mbjellin ndjenjën e urretjes për këtë komb që, gjithmonë u ka rezistuar ndëshkimeve të padrejta të historisë.Kështu i gënjen mendja dhe disa pseudopolitikanë në vendet tona fqinje.Por, kali u ka ngordhur dhe ora u ka mbetur.Paçin fat në botën tjetër, e sorkadhet shqiptare të shndrisin si gjithnjë me këngët dhe vallet e tyre të bukura, të shpejta, të zhdërvjellta, edukuese e mobilizuese, për një të ardhme më të këndshme e me prosperitet. 
Një ditë e ngjeshur 
8 gusht 2018
Koha ishte jo shumë e nxehtë si ditët që kaluan. Kishte filluar një fllad i freskët që të ledhatonte në mëngjes gjatë shëtitjeve në park, ku, çdo ditë, nga ora 06.30 e mëngjesit deri 07.30, kryejmë ushtrime të ndryshme dhe pushojmë në këto hije të këndshme e të freskëta, ku dëgjon cicërimën e zogjve dhe fërshfërimën e gjetheve mbi këtë qilim të blertë të këtij parku i cili është bërë ushqim i përditshëm i imi, që kur erdha në Amerikë në vitin 2009.
Pas mëngjesit,më merr në telefon Miri, djali që punon në Manhatan në një qendër tregtare si menaxher. Nga receptori i telefonit manual të shtëpisë, dëgjoj fjalët që shqiptoi,pasi u pyetëm. “Në orën 12.00 sot do të vij e do të marr bashkë me Jonin (djali i Lindës) e do të vijmë në Manhatan, se, në ora 8 të mbrëmjes, kam pre biletat për të parë ndeshjen e futbollit Reali – Roma në stadiumin e Njuxhersit”. U gëzova,se kishim shumë dëshirë për ta parë. Në ora 13.00,drekuam bashkë në qendrën tregtare,ku Miri punon, në një verandë të restorantit që ishte në katin e pestë.Çdo gjë ishte për bukuri, shikuam dhe sekuenca nga skuadra të ndryshme të Amerikës për fazën e tyre përgatitore në kuadrin e kampionatit. 
Në orën 4 pasdreke, u takuam me një shok dhe mikun tim, Skënder Meta, i cili ka disa kohë që ka ardhur në Amerikë.Aty qëndruam disa orë bashkë me Jonin. U relaksuam me rikthim në kujtesë të së kaluarës, gëzimet, hidhërimet, bëmat e moshës së adoleshencës në fshat, marrëdhëniet me shokët në shkollë, kujtimet për mësuesët tanë dhe në bjeshkët tona mbi 1200 m,të cilat  na hapën dritaren e jetës, duke na mësuar germat e para të gjuhës sonë të ëmbël. Këto meditime i shkëmbyem në shëtitjet në Parkun Kombëtar të Manhatanit, i cili është një nga më të bukurit dhe më i kompletuari,me të gjithë elementët e nevojshëm për çdo moshë të jetës.
Në orën 19.00, erdhi djali dhe u nisëm për në Njuxhersi, për të parë ndeshjen midis Romës dhe Realit të Madridit.Ne shkuam pak me vonesë dhe kishte vështirësi në parkim, se ishin zënë nga qindra makina. Por policët tregues që kishin vënë një rregull për ta pasur zili në gjithë atë vorbull të madhe lëvizëse, na treguan parkimin.Me lënien e makinës, u nisëm për të zënë vendet.
Vendi ishte shumë i përshtatshëm,në radhën e katërt në mesin e fushës me një pamje të kënaqshme, çdo gjë e kishe si në pëllëmbë të dorës. Stadiumi ishte mbushur pothuajse i gjithi.Në të  merrnin pjesë, sipas komentatorëve 52 000 ulës, një ambient tepër festiv e i organizuar shumë bukur.
Në lojën që zhvilluan skuadrat, na kënaqën. Lojë me shumë nerv dhe me një teknikë të lartë të përdorimit të topit,me shumë elementë të rinj që jepnin shpresë për të dyja skuadrat, por Reali ishte me një nivel më të lartë. Kjo qe një ditë me plot kënaqësi, dhe veçanërisht, për vogëlushin e Lindës, Jonin. 
Në ditë me jonin
09 gusht 2018
Një ditë jam vetëm me Jonin, se në orën 6 pasdreke do të niset për pushime në Shqipëri deri më 3 shtator.Në mëngjes u zgjuam më vonë se ditët e tjera. Koha ishte e vranët,kishte sy për ndonjë shi lokal. Zagushia, që në mëngjes, dukej si e papërballueshme, megjithëse kondicioneri ishte i ndezur që gjatë natës. 
Në orën 09.00 erdhi Joni, se të dy prindërit do të shkonin në punë. Sot, më tha Linda, është zgjuar shumë herët dhe e ka kapur meraku se do të shkojë në Shqipëri dhe gjyshi do të marrë një djalë tjetër.Kjo lojë ishte kuptuar si e vërtetë prej tij dhe ishte i mërzitur.Pasi lozi në kompjutër një orë, tani thotë, çdo të bëjmë? Sot çfarë të duash ti, ku të duash ti, do të shkojmë bashkë – i them. 
Pas disa minutash,u nisëm në buzë të Oqeanit, pastaj tek Megdonalsi i Madh me lodra dhe, prej aty, në bufe, ku mori franç fraiz, çike mangos, qumësht dhe një lodër. Po ti gjysh çfarë do të marrësh? Si zakonisht,kafe. I rregulloi mirë e mirë në tabaka dhe u ulëm në tavolinë,ishte fresk me ajër të kondicionuar. Këtu biseduam se sa libra duhet të lexosh,për 2-3 titujt e tyre, dhe sqaruam dhe lojën për të blerë gjyshi një djalë tjetër kur të ikte Joni.Kjo e bëri shumë të gëzuar dhe u ngrit e më përqafoi. Faleminderi gjysh! I love you. 
Destinacioni tjetër i ditës ishte berberi.Në fillim, i lanë kokën, i thanë flokët me tharëse dhe filluan ta qethin me shumë kujdes, por Joni e mërziti me kërkesa të shumta berberin.Disa ishin të realizueshme,disa të tjera ishin të pa realizueshme. Ky proces shkoi afro një orë. Pastaj paguam 20$ dhe kur doli e falenderoi berberin dhe i tha se këtu do të qethej përherë.
U nisëm rrugës për në shtëpi se,në orën 17.00, do të nisej makina për në aeroport.Në shtëpi çdo gjë ishte gati dhe prisnin ne që të hanin drekë .Linda e urdhëroi që të vishej shpejt.U bënë gati dhe, në derë, bëmë dhe një fotografi dhe u përqafuam e pastaj hipi në makinë për në aeroport. 
Kjo ishte një ditë e këndshme me këtë fëmijë që është i paparashikueshëm në biseda,dhe ka një dashuri të pakufishme për gyshin.  
Me largimin e tij, sikur ndjeva një boshllëk të madh, megjithëse ai do të kthehej shumë shpejt; për 30 ditë do të shikoheshim për së largu, nuk do të rrokemi me njëri-tjetrin, dhe do më mungojë ngrohtësia dhe ashpërsia e tij në marrëdhënie me mua.Zoti e çoftë dhe e sjelltë shëndoshë e mirë, se këto pushimet, për tipa si ai, sjellin dhe të papritura. Por, kam bindjen se Linda është e vëmendshme dhe nuk do ta heqë kujdesin. Fjala e saj për atë është ligj dhe prandaj jam i qetë se do të kalojë pushime të gëzuara dhe do të mësojë shumë fjalë shqip me moshatarët e tij në lagje dhe në lojërat me ta. 

Një bisedë me Benin nga Valbona e Tropojës .
10 gusht 2018
Para tri ditësh, pas kthimit nga pushimet në Dhërmi të Vlorës, me gjithë fëmijë niset për në bjeshkët e Tropojës me një grup të organizuar shokësh, ku bënin pjesë Beni me familje, Pëllumb Xhetani me familje, i cili ka bashkëshorte, Lidën,kushërirën e parë të Benit, dhe Tan Muharremi, bashkëshorti i Albanës (vajzës sime të vogël). 
Këto ditë, më thotë Beni në telefon,kanë qenë më pikantet në jetë.Këtu e kam ndjerë kënaqësinë e këtyre vendeve të bukura plot adrenalinë.Këtu kemi mësuar shumë gjëra që nuk i kishim ditur për vendin tonë. 
Ushqimi që kemi konsumuar ishte 90% ishte i yndyrshëm,por të çudit fakti se ambienti, klima, ajri, uji, të bëjnë që të mos ndiesh asgjë. Mbas gjithë atyre ushqimesh të yndyrshme, ku diku tjetër do të ndjeje veten në siklet, këtu, sa të pish ujë dhe të lëvizësh pak rreth e qark shtëpisë së banimit, dukesh sikur nuk je ushqyer ka kohë. Kjo klimë nuk gjendet askund,veç kësaj, vazhdon ai, të bën përshtypje mikpritja dhe mënyra e gatimit me kaq profesionalizëm. Atë buzëqeshje që gjetëm këtu nuk e gjetëm as në Dhërmi i cili, ka vite e vite,  që merret me turizëm.Këtu çdo gjë është bio. Ky vend akoma është i bukur, sepse nuk është shkatërruar nga modernizimi. 
Fotot që më kishin dërguar të kujtonin Alpet e Zvicrës,me bukuri mahnitëse, me pllaja, pyje, maja të thepisura. Këto male,asnjëherë nuk janë populluar sa në këto ditë ku takon turistë nga vende të ndryshme të botës.Këtu turizmi pothuajse  është vjetor, sepse, dhe në dimër kur dëbora i kalon disa metra, këtu ka turistë që vijnë me kënaqësi për të shijuar mrekullinë që krijon stina e dimrit, pranverës, verës e vjeshtës, paralajmëruar për bukuritë që do të shfaqin këto vende.Këtu, secila stinë ka veçoritë e veta interesante, prandaj popullohen prej turistëve në çdo muaj të vitit.Pushimet i bën të këndshme e mbreslënëse natyra.Pastaj kaluan një drekë të këndshme në Prishtinë e me një vizitë çlodhëse në Prizren për të mbyllur këto pushime të paharruara.U gëzova që fëmijtë e Benit e Banes u njohën me këto vende të bukura dhe me sakrificat që kanë bërë ata malësorë në shekuj për të jetuar aty. 
Kolektivi që kishin krijuar për në Valbonë ishte shumë i këndshëm,sidomos kur shikoje Pëllumb Xhetanin, shakaxhi, i gjallë e me fjalë të këndshme në pyje, adhurues i natyrës së bukur.
Tan Muharremi, si gjithnjë me ligjërata të gjata, me zë të lartë sa ushton mali, se ka akustikë, mbetet i palodhur me aparatin fotografik që e ka për zemër në këto ambiente të tilla.Beni, kryehumoristi i grupit, gaztor e fabulist, të shkrin gazit me veprimet e një aktori të vogël, por shumë i zhdërvjellët dhe i këndshëm në dialogje e monologje.
Jo më pak se këto, e me cilësi të tilla, janë dhe Bana, Linda e Minja me fjalë të rralla.Serxhio, i menduar dhe soditës,vajza e madhe e Pellumbit, Klea po ashtu të kënaqnin Glorja dhe Ebi.
Horror në Resul të Vlorës
11 gusht 2018
Dje, më datën 10 gusht,në një fshat malor të Vlorës me emrin Resul, ndodhi ajo që, në Shqipëri, është e paimagjinueshme.
Në një darke, ku bënin pjesë dy familje me mbiemrin Zykaj, ishin grindur me fjalë për humbjen e disa pulave,për të cilat akuzonin kushëririn e parë të burrit si hajdut.Ai largohet nga dreka dhe shkon në shtëpi, merr një automatik dhe kthehet në lokalin ku ishin mbledhur për të gëzuar. Në fillim, vret xhaxhain me gjithë plakën, pastaj, djalin e tij, kushëri të parë, bashkë me të,  të shoqen dhe dy fëmijët, 17 vjeç e 6 vjeç; vret dhe djalin tjetër të tij me gjithë gruan, të gjithë kushërinj të parë,me gjithë fëmijt e tyre.Shuhet gjithë familja.Ka shpëtuar vetëm një djalë që ishte me punë në Vlorë. 
Ngjarje të tilla brenda kushërinjve,kurrë nuk ka ndodhur, vetëm në Borovë gjatë kohës së Luftës, kur gjermani e dogji fshatin  dhe vrau 100 vetë. Ky pikëllim i shëmtuar vjen nga dora e një 24 vjeçari me arsim 8-vjeçar, bari. Pas  vrasjes, personi arratiset, por policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, megjithëse ishte i armatosur, e arrestuan pas 10 orëve aksion në krehjen e zonës. Ai u dorëzua pa asnjë rezistencë,bashkë me armën e krimit. Gjatë pyetjeve në polici ai e pranoi krimin,por nuk shprehu asnjë pendesë. 
Është interesant fakti se në gjithë vendin,me datën 10, qe hap lajmi i tragjedisë, dhe, sot, është krijuar një urrejtje e madhe popullore ndaj veprimit të tij.Kërkohet, nëpërmjet rrjeteve të informimit, që të varet në mes të fshatit, pasi të torturohet si në mesjetë.Për këtë monstër të luajtur nga mendtë, shteti nuk duhet të ketë mëshirë.Është koha që në vendin tonë të vihet me patjetër dënimi kapital për të gjithë ata kanibalë që kryejnë krime të tilla të shëmtuara që po ndodhin çdo ditë. 
Në çdo sezon veror,në Shqipëri,humbin jetën njerëz me vrasje e aksidente.Shteti shqiptar duhet të jetë në alarm për vënien në punë të institucioneve të tij, që merren me zbatimin e ligjit dhe me edukimin e shoqërisë për këtë fenomen negativ.Asnjëherë, në Shqipëri për armëmbajtje pa lejë, nuk zbatohet ligji, por diku i lirojnë, diku i dënojnë 6-7 muaj heqje lirie.Në asnjë rast,nuk dënojnë me 7 vjet heqje lirie,siç thotë ligji. 
Kjo edukatë liberale e ligjit ka bërë që në vendin tonë të bëhet e zakonshme të marrësh jetë njerëzish, të vrasësh dhe të torturosh dhe gra e vajza ,si rasti i vrasjes së gjyqtares së Shkodrës, Hafizi,  e cila u vra nga i shoqi në sy të fëmijve dhe  kërkon të lirohet nga burgu pas 8 muajsh. Këto janë raste që habisin dhe njeriun e thjeshtë,e jo më specialitë të organeve të drejtësisë.
E dhëntë zoti, që ky Veting, i cili ka filluar me fshesë të hekurt në sistemin e drejtësisë, ta vendosë atë në baza të shëndosha ligjore e njerëzit t’i kthehen qetësisë, sigurisë për jetën dhe besimit të patundur te ligji e drejtësia. 
Nuk kanë vlerë lekët që jep Bashkia e Selenicës për varrimin e 8 kufomave, dhe as shpalljen një ditë zie, por ajo të marrë masa e të bëjë njerëzit të ndërgjegjshëm për të dorëzuar armët, të kombinojë me organet e shtetit, të jetë e armatosur masa e popullit, se ja, ç’bën bariu me kallashin që mbante çdo ditë me dhi për t`u mbrojtur nga egërsirat. Këtë nuk e dinin fshatarët, se ky ishte i armatosur, por, ndoshta edhe ai që e dinte, nuk denoncoi në polici që ta çarmatoste dhe ta dënonin sipas ligjit. 
Këtë funksion ndërgjegjësimi duhet të luajnë, Bashkia, Kryeplaku, organet e  shtypit e të medias,të cilët japin vetëm kronika të zeza me fatkeqësi e poshtërsi që bëhen kudo, në çdo fshat e qendër të banuar.
Këtu,në Amerikë, më pikonte zemra gjak, kur shikoja sot në televizor 8 arkivole nga një familje , e ,midis tyre, dhe 2 fëmijë. 
E dhëntë zoti, që shteti  dhe gjithë organet e mediave, të ndryshojnë metodën e tyre të punës në interes të një jete të lumtur dhe të sigurisë në vendin tim të bukur e piktoresk në brigjet shkëmbore të Jonit e Adriatikut, të ëmbla e relaksuese për mijëra turistë në çdo sezon veror ;dhe bashkëqytetarët e mi që janë atje me punë për një jetë më të mirë e të bukur. Me zemër të thyer i mbylla këto shënime që rrjedhin nga thellësia e zemrës sime, këtu larg, në anën tjetër të botës,në Neë York të SH.B.A.
Në Gjenova të Italisë, një fatkeqësi e madhe. 
14 gusht 2018
Ura,që lidh Gjenovën me pjesën tjetër të vendit, është 1 km e gjatë nga dy skajet, e nga  lumi, e lartë 45 m e në vende të ndryshme deri 60m lartësi. 200 m e fundit janë shembur dhe kanë sjell vdekjen e 35 vetëve, 10 të plagosurve dhe akoma vazhdojnë gërmimet për të mbijetuarit dhe kufomat, mundësitë janë që bilanci të rritet.
Gadishmëria e shtetit ishte shumë e madhe;në një kohë të shkurtër erdhën rreth 200 ekipe zjarrfikëse për shpëtimin e njerëzve që ishin nën rrënojat e betonit. Por,me gjithë punën e tyre, ata nxorën të gjallë shumë pak, midis të vdekurve ishte dhe një fëmijë i mitur. Në vend shkuan funksionarët kryesorë të shtetit, u morën masa për evakuimin e njerëzve që banonin në afërsi të urës.
Pjesa që u shemb,ishte ndërtuar më 1966. Kjo ishte ura më e gjatë në Itali dhe, kur u inagurua, shumë prej tyre, e krahasonin me urën e Bruklin – Steitallion në Amerikë. 
Me porosi të Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit,u dha urdhër të fillohet puna për të nxjerr përgjegjësitë për këtë tragjedi. Nga shumë udhëheqës shtetesh i kanë shkuar telegrame ngushëllimi shtetit italian. Sot, pothuajse në çdo emision lajmesh,kudo ka qenë lajmi i parë. Të habit fakti që kjo të ndodhë në Itali,e cila shquhet në Europë në fushën e ndërtimit.Ajo ka përvojë dhe specialistë tepër të kualifikuar në këtë fushë. 
Kjo mund të ketë ardhur nga mbivlerësimi i mendimit inxhinerik dhe nënvlerësimi i vërejtjeve dhe kritikave që ishin bërë,pas ndërtimit të saj. Kjo doli sot nga kronikat e ndryshme,për të nxjerrë përgjegjësinë. Prandaj, për vepra të kësaj kategorie, kërkohen studime të thelluara në të gjitha anët,duhet të bashkëbisedohet gjerësisht me persona që kanë autoritet në këtë drejtim. Mendja e madhe sjell fatkeqësi.Duhet që të ndodhë një mynxyrë, për të nxjerrur mësime, por ajo merr me vete jetë njerëzish ,dhe jeta  është e shtrenjtë për cilindo ,ndaj ruajtja e saj është detyrë e çdo shteti sot në botë.
Pas kësaj katrahure,Komiteti Europian po nxjerr mësime, duke u akorduar fonde shumë shteteve për këto objekte që  kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar.
Po lind pyetja,pse tani ,vetëm kur ka ndodhur?  Bullgaria dje mori vendim, që gjithë urat që janë mbi 40 vjet, do të kontrollohen nga një komision i posaçëm dhe caktoi fonde për rikonstruksion të tyre, duke ngritur komision e duke alokuar para për ato që kanë nevojë. Ky shembull,edhe pse me vonesë,duhet ndjekur  dhe nga të tjerët.
Kjo punë nuk bëhet me fushata,pas asaj që ndodh, por në mënyrë permanente çdo ditë e çdo vit.Këto veprime tregojnë se organizimat shtetërorë nuk funksonojnë normalisht në shumë shtete të Europës.
Në bisedime
16 gusht 2018 
Këto ditë, para se të bëhet takimi ,Vuçiç, President i Serbisë, dhe Thaçi, President i Kosovës, janë bërë diskutime retorike e debate në studio të ndryshme televizive, si në Kosovë dhe në Serbi, por dhe janë dhënë shumë mendime nga udhëheqës të ndryshëm të Europës dhe nga Fuqitë e Mëdha, SHBA dhe Rusia, për ndarjen ose konfiguracionin e kufirit Kosovë- Serbi, dhe jo ndryshimin e kufijve
Të dy presidentët kanë hedhur idenë për përcaktimin e vijës kufitare midis dy shteteve dhe jo ndryshim të kufirit. Kjo teori u konkretizua pardje nga një grup studiuesish serbë, se si do të ndahet kufiri midis Serbisë e Kosovës.  
Ishte një përrallë nga e kaluara dakortësia e Ashim Thaçit për këtë ide.Kjo ishte pothuajse tërësisht në favor të Serbisë e cila, për këtë, Kosovës do t`i bënte një lëshim që të kishte një vend në OKB. Por,pa njohur pavarësinë e saj. E, për Kosovën, çështja kryesore është sovraniteti, ta njohë Serbia, ta njohin 5 vendet anëtare të BE, që ende nuk e kanë njohur, të pranohet në O.K.B.si shtet i pavarur, si gjithë shtetet e tjera të botës.Jo shkëmbim territori. 
Pranimi i këtij versioni nga Thaçi tregoi se ishte bërë nga trysnia e Komunitetit Europian, i cili, për 10 vjet, nuk ka bërë atë që duhet për Kosovën. Shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë midis dy shteteve sovrane. A e nënkupton kjo që Serbia duhet ta njohë Kosovën më parë? Si mund të hyjë Serbia në diskutim me një territor që, sipas saj,nuk është shtet? Me këtë platformë që ka paraqitur, Serbia bën shmangjen de jure  të njohjes së Kosovës.
Shumë akademikë e diplomatë Perëndimorë do të ishin të kënaqur me anëtarësimin në OKB,duke menduar se kjo do të thotë njohje e pavarësisë. Kjo është më pak se pavarësi ,një status i pjesshëm i saj dhe besoj se kjo do të ndodhë,ashtu siç thonë drejtuesit kryesorë të Europës dhe SHBA. Po të jetë se Kosova do të pranojë këtë, e ka humbur davanë dhe ka fituar loja djallëzore e Serbisë, nëse ajo nuk njeh pavarësinë e saj si shtet në OKB.
Shkëmbimi i territoreve në Ballkan është hapja e Kutisë së Pandorës.Angjela Merkel tha përsëri se kufijtë në Ballkan nuk do të ndryshojnë.Historia Europiane është një histori e ndryshimit të kufijve dhe e lëvizjeve të popullatave.Kjo nuk ka ndaluar. Çdo ndryshim i Jugosllavisë, që kur ajo filloi shpërbërjen,ka qenë për ndryshim kufijsh, për lëvizje njerëzish, disa të mbështetura nga Perëndimi e disa të kundërshtuara. 
Nga ky konkluzion dhe nga diskutimet që janë bërë këto ditë,është konsoliduar mendimi i elitës perëndimore që pretendojnë se domimojnë rajonin, e vazhdojnë t`u thonë njerëzve në rajon se”nuk ka alternative tjetër, përveç demokracive shumetnike”.Çdo zhvendosje territori, lëvizje njerëzish dhe njohje e çdo gjëje mbi baza etnike, është një sakrilegj, sulmohet si ide. Ky është një mendim që sjell pasoja ,jo vetëm për Ballkanin dhe, prandaj nuk mund të ndodhi.Këto mendime që po diskutohen e lënë pezull statusin aktual të Kosovës. 
Prandaj,në bisedimet midis dy presidentëve, në shtator,kjo temë diskutimi do të ndryshojë.Mendimet që janë shprehur nga udhëheqësit botërorë janë të mjaftueshme për ndryshimin e kësaj teme për lëvizje kufijsh. 
Para intelegjencies kosovare del një detyrë e madhe për të shkuar në unitet në bisedime, dhe nga njerëzit më të zgjuar që ka në fusha të ndryshme të jetës. Është koha e një ballafaqimi shkencor për problemet që do të diskutohen, kërkohen fakte dhe argumenta në përballjet që do të bëhen. Serbia ka qenë gjithnjë e pabesë dhe me arsyetime sofistike.Ajo gjithmonë ka punuar me sistemin e ajzbergut me shqiptarët.Mendimet e tyre mbeten më shumë të panjohura,sepse në tavolina shtrojnë ato sipërfaqsoret, por, thelbi ku ato synojnë, është shumë i thellë. Prandaj,kërkon shumë vendosmëri. Ju prift mbarë… Me zemër të thyer për atë vend të bekuar shqiptar. 
Qetësi shpirtrore
18 gusht 2018
Më datën 16 gusht, Beni u nis nga Shqipëria për në Angli në ora 10.00. Ai kaloi pushime të qeta,me shumë variacione, dhe nuk pati ndonjë problem gjatë gjithë kohës. Pushimet,10 ditë, i kaloi në Dhërmi, një nga plazhet më të këndshme, pastaj, në kilmë malore, në Valbonë dhe në Theth, në Alpet e bukura shqiptare, në vendin e Eposit të Kreshnikëve. Në përfundim, disa kohë e kaloi në Prishtinë dhe i mbylli ato me një drekë të këndshme në Prizren, te disa shokë e miq tanët që ndodheshin aty në këtë qytet muze,në të cilin sapo përfundoi festivali Festivali Folklorit Ndërkombëtar që zhvillohet në çdo vit në këtë qytet antik. Ky aktivitet ka filluar që 10 vjet në këtë qytet.
Kur Beni ishte gjatë rrugës për në Angli,kemi qenë tepër të shqetësuar, se rruga është shumë e largët me makinë, në makinë ishte gjithë familja. Për shqiptarët, ka kontrolle të rrepta për probleme të drogës dhe, në çdo stacion kalimi në çdo shtet, do të lëvizen të gjitha plaçkat. Që kur kaloi kufirin shqiptar në Muriqan e deri kur ka shkuar në Londër në orën 02.00 pas mesante të datës 17 gusht, unë e Drita, ishim me mendje të ngritur dhe çdo zile telefoni na bënte me zemër kur tingëllonte. 
Informacioni për lëvizjen kishte qenë shumë i përpiktë dhe,për këtë, e falenderoj nga zemra Benin dhe gjithë fëmijët e tij. Ai, sa herë kalonte nga një shtet në tjetrin, na telefononte dhe na informonte se si ishin dhe si po e kalonin. Në informacionin e parafundit që morëm, u qetësuam pak ,se ai kishte kaluar La Manshin nga Franca dhe ishin futur në Angli. 
Në orën 2 pas mesnate, morëm telefonatën e fundit që arritën shëndoshë e mirë, por të lodhur dhe të rraskapitur nga rruga e gjatë, dhe të gëzuar se makina e përballoi rrugën pa asnjë problem.Kjo na  qetësoi shpirtërisht…
Kjo ditë nuk kishte vetëm këtë lajm të mire, të gëzueshëm e qetësues, por pas shkëputjes së telefonatës së Benit, na mori në telefon nga Franca, Eva, vajza e Shaqirit.(Djali i xhaxhait të Benit).U gëzuam se Eva ishte shumë mirë me shëndet, e stabilizuar me shtëpi në mes të Parisit, dhe me punë kishte kaluar në një bord të lartë këshillues të bankës me një përgjegjësi dhe detyrë të rëndësishme.Gëzohem dhe më bëhet zemra mal që ajo ka çarë me zotësi në një institucion kaq të madh. 
Kjo ditë, për ne është shumë e gëzueshme dhe qetësuese, për këto të dy lajme të mira që na bëjnë më të fortë, se tani ne rritemi e forcohemi për një lajm të mirë, por biem e zvogëlohemi për një lajm deziluzionues e drithërues,se mosha është 80 vjeçare e kështu, shpejt gëzohesh e hidhërohesh… 

80 vjetori
23 gusht 2018
Dita sot ishte e freskët,me vranësira dhe diell, temperaturat janë normale. Bibloteka ku po shkruaj këto rreshta për këtë ditë të veçantë,ka kushte shumë të mira këtu në Neë York. Tani ora është 11.00 , dhe, në Shqipëri, është 17.00 pas dite. Si sot,në këtë ditë, në orën 12.00, nëna më nxori në jetë më 23 gusht 1938.Kjo është dita, ku, për herë të parë, thitha ajrin e kësaj bote . 
Në këtë kohë, në fshatin tim të largët, Macukull, lindjet bëheshin pa asistencë mjekësore,se, në atë kohë ,në këto anë nuk kishte asnjë shërbim mjekësor. 
Nëna më tregonte: “Atë ditë kishim argatinë, mbasi do të hidhnim qemerin e derës,se ishte rrafshuar kati i parë i kullës dykatshe që po ndërtohesh. Guri  i gdhendur që do të hidhej mbi derë peshonte 5-6 kv;ishin mbledhur shumë burra që do të ndihmonin specialistat (ustallarët). Nëna ishte ngritur shumë herët duke transportuar gurët nga toka në skelë, ku do të punonin ustallarët. Punonin bashkë me kunatën deri në ora 1100.Në këtë pushim, – thoshte nëna, – më filluan dhe ethet e lindjes dhe,në orën 12.00, linde ti”. 
Kur u njoftuan burrat për këtë sihariq, filluan të shtinin me pushkë dhe gëzimi ishte i papërshkruar.Kjo, veç lindjes djalë,edhe pse isha shëndoshë e mirë. Kishte dhe një arsye tjetër se, para  dy vitesh, nëna ishte operuar në Tiranë dhe thashethemet, që janë burim i padijes, ishin thurur se ajo nuk mund të lindte më, se fëmijët do të lindnin të deformuar e jo normalë etj. Ky gëzim përfshiu të gjithë pjesëmarrësit, jo vetëm pjesëtarët e familjes. Pra, sot ishte dita, kur fillova jetën me plot të mira dhe peripeci dhe arrita në vitin e 80-të të saj.Ky 80 vjetor ka disa specifika të veçanta. 
Së pari, unë sot jam shumë i gëzuar dhe i respektuar, se në vështirësi të vazhdueshme me jetën u rritën 4 fëmijë, 2 djem dhe 2 vajza, të cilët janë sistemuar në jetën e tyre.Dy prej tyre, në Angli, dhe 2, në Amerikë, të gjithë me fëmijë, vetëm Miri akoma është beqar, por dhe ai në rrugën e zgjidhjes është. 
Së dyti, me gjithë kohën e veçantë që po jetojmë, ku celula familjare po dobësohet,falë zotit dhe edukatës familjare që fëmijët kanë marrë nga ne , janë tepër të respektueshëm, tregojnë kujdes   të veçantë për ne, shprehin dashuri dhe respekt të pakufishëm, por jo vetëm fëmijët tanë,edhe nipat e mbesat që kemi, kanë dashuri e respekt. Kjo na e ban zemrën mal dhe na shton jetën në këtë 80 vjetor . 
Së treti, meqë, unë e Drita ,jemi larg, këtu në Amerikë, dhe jemi të ndarë e të larguar, sjellja e tyre, interesimi për çdo problem të jetës sonë,bëhet  sikur banojmë nën një kulm, përditë, nga Anglia bisedojmë dhe kuvendojmë me të gjithë, të vegjël dhe të rritur. Kur Marjusi, Rej, Serxhio e Glorja na puthin për së largu në kompjuter, më heqin mërzinë e ma zgjasin jetën me ledhatimet e tyre. Joni, këtu në Amerikë, çdo ditë vjen e provon forcën me gjyshin, ndërsa është vetëm 10 vjeç,të rinon dhe nuk i ndjen 80 vjetët që ke mbi supe.
Së katërti, mosha ime është  80 vjet, që tregon se kemi kaluar shumë vështirësi e peripeci për të ardhur deri këtu, kemi pasur gëzime e hidhërime, por jam i lumtur se i kemi kaluar  me sukses e pa problem.Dashuria e fëmijëve, kushtet e mira të jetës dhe  gjendja shëndetësore, më ngjallin besim për të jetuar siç dua. 
Ky 80 vjetor,  më bën të ndjej ndjej edhe një boshllëk se jam shumë larg atij vendi të bukur, Shqipërisë, të cilin e ka paijsur natyra me të gjitha gjërat e nevojshme për jetën, të cilat nuk i gëzojmë. Sot dëshiroja të isha në vendlindjen time të bukur që, jo vetëm t`i sjell përfytyrimet në kujtesë, por t`i prek, të ledhatoj me dorë qemerin e derës,të çmallesha me ato vende ku kam kaluar fëmijërinë time, të çmallesha me shtëpitë e reja që kemi ndërtuar në vitet 60-të,dy kulla për t`i pasur zili, ballëpërballë me njëra-tjetrën, ku kemi derdhur djersë për t`i ndërtuar. Të shoh arrën kokërrmadhe, ku, vitet e fundit, pasi e kishte tretur trupin me punë, qëndronte vëllai i madh, Jashari, që ishte dhe si prind i joni, se baba  ndërroi jetë herët. Të kujtoj atë vend që sot është i mbushur me pemë të të gjitha llojeve,të ulem e të pushoj pak para varrit të vëllait,emri i të cilit është i përhershëm në shtëpitë tona. Varri i tij do të jetë ai që do t`u thotë rrugëtarëve:këtu ka njerëz, kini kujdes. Të dal e t`i vë dorën në fotografi te varri i nënës, babës e të ledhatoj dhe Yllin e vogël që ia ka këputur zemrën gjyshit i cili nuk e gëzoi jetën.Ajo iu këput në moshën 19 vjeçare nga jeta. Ishte lulja më e mirë në familjen tonë,por kështu e deshi fati që të sillej kaq ashpër me Yllin dhe me ne të gjithë. Të kujtoj djalin e Benit, Serxhion,kur ishte i vogël, në grumbullin e misrit me gjysh Jasharin, e kujtimet nuk kanë të sosur… Sytë, në këtë moment, më  rrjedhin lot papushuar.Një rus që ishte në tavolinë bashkë me mua në biblotekë, u shqetësua dhe më pyeti: Të ka ndodh ndonjë fatkeqësi? Jo,i them, por rikujtoj disa kujtime të jetës. 
Pak para se të shkruaja këto kujtime, më uroi vëlla Halili,të cilin  e mbaja në krah kur ishte i vogël në ara me bagëti, që të mos i vriteshin këmbët, se i kishte të njoma. Pastaj, më mori Shaqiri, djali i vëllait,Jasharit,i cili më uroi dhe urimi i këtij ishte i dyfishtë, se ishte dhe përfaqësues i vëllait të madh, Jasharit. 
Emigranti gjithnjë mbetet i tillë në vend të huaj. Guri i rëndë peshon në vendin e tij.Prandaj, thirrja ime nga thellësia e zemrës është: Mos e braktisni atë vend të bekuar, për të cilin  të parët tanë kanë dhënë jetën. Atje zemra ime do të ishte e ngrohtë dhe e sigurt… 
Heroi kombëtar
25 gusht 2018
Sot pas një leximi permanent prej 70 ditësh, në orën 12.00, përfundova së studiuari librin ‘Skenderbeu,një histori politike’ të autorit, studiuesit dhe historianit, Aurel Plasari, botuar në Institutin Shqiptar të Studimeve ‘Gjergj Fishta’. 
Kjo është një ndër veprat më voluminoze,me 947 faqe. Në këtë vepër, kushdo që do ta studiojë, do të gjej fakte, të dhëna e veprimtari të reja për heroin tonë kombëtar, të cilat janë siguruar nga autori në analet e Romës, Napolit, Raguzës, Venedikut dhe ato osmane. 
Autori me studimet e tij 10 vjeçare ka ndriçuar çështje   duke iu   kundërvënë studiueseve të ndryshëm që shtrembërojnë  faktet e vërteta, që mundohen t`ia zvogëlojnë veprimtarinë e tij si mbrojtës i kristianizmit në Ballkan dhe në Europë, kundër sundimit Osman. 
Duke studiuar këtë libër, lexuesve u krijohet mundësia të mësojnë nga ana shkencore dhe reale veprimtarinë e Skënderbeut që nuk shquhet vetëm në fushën e artit ushtarak,ku përballoi për 25 vjet hordhitë osmane me ushtri të mëdha që zotëronin artin dhe teknikën më të përparuar të kohës. 
Sulltan Murati II, në rrethimin e parë të Krujës, solli qindra mijëra ushtarë me teknikë ofiçine për prodhimin e mjeteve të luftës dhe e mbajti Krujën të rrethuar për disa muaj,por taktikat e zbatuara prej Kryetrimit bënë që Sulltani të dështonte.Djali i Sulltanit, Murati II, erdhi për së dyti me taborre më të mëdha dhe me teknikë më të përparuar dhe, përsëri Kruja nuk u dorëzua.Ata dogjën e shkatërruan ç`u doli përpara, vranë e masakruan njerëz të pafajshëm.Bëmat e osmanllive janë të pashoqe ndaj Arbërisë.
Skënderbeu u bë mburoja e Italisë, sepse osmanllinjtë nuk e kaluan Adriatikun, sa ishte ai me veprimet e tij ushtarake dhe me aleancat e tij me fqinjët dhe me Vatikanin e Mbretin e Napolit dhe Venedikun. Arti ushtarak i Skëndebeut në shekullin e 15-të,u ba objekt studimi nga shumë studiues dhe kronikanë të kohës. Ai me Huniadin e Hungarisë u bënë dy udhëheqësit kryesorë të kryqzatave të Krishtërimit kundër Islamizmit që përfaqësohej nga osmanllinjtë. Papa Piu II-të e caktoi Skenderbeun si komandant tokësor i gjithë ushtrive që do të luftonin osmanllinjtë dhe e cilësonte si shpëtimtar të Krishtërimit, jo vetëm në Arbëri, por më gjerë në Europë. Vlerësimet dhe ofiqet për atë nuk munguan pas fitoreve të njëpasnjëshme ndaj ushtrisë osmane. 
Heroi ynë nuk ishte vetëm një udhëheqës ushtarak, por dhe një politikan me eksperiencë, i cili diti të lidhë aleanca me vende të ndryshme për ndihma e përkrahje nga fqinjët dhe nga vende të tjera.Ai bëri përpjekjet e para për të krijuar shtetin e Arbërit.Në vende të rëndësishme ai dërgoi përfaqësues të tij për problemet që ai kishte dhe këto loznin rolin e Ambasadorit të Arbërisë, si të tillë, ai zgjodhi priftërinjtë më të përgatitur,ku, më i spikaturi, ishte Pal Engjëlli.  
Nëpërmjet këtij libri për Skënderbeun,dalin në pah disa vlera të tij të veçanta.
Aftësitë e tij si një udhëheqës që zotëronte në perfeksion artin ushtarak të kohës dhe këtë e tregoi në të gjitha betejat që zhvilloi ai,frontale e jofrontale. Taktika e Tij ishte e veçantë,në çdo betejë që zhvilloi me osmanllinjtë.
Skënderbeu luftoi për të krijuar shtetin e tij të Arbërit si i vetmi udhëheqës që bëri përpjekje për shtetin modern, duke iu larguar drejtimit me principata e princa në krahina të vogla. 
Ai del si një diplomat i shkëlqyer për kohën.Kjo duket në traktatet, në aleancat dhe manovrat për të fituar më shumë në interesat e tij për problemin që debatohej.Në vende ku ai nuk mund të merrte pjesë, dërgonte besnikë dhe  të përgatitur.
Skënderbeu u bë shpëtimtar i kristianizmit në kohën e tij   dhe nga Vatikani mori tituj e vlerësime maksimale.Pas fitores ndaj Sulltan Muratit II në rrethimin e Krujës 1451, Papa Piu II Vatikan, u shpreh: ‘Po të ishte ushtria jonë në Arbëri dhe Skënderbeu në Krujë, ne do të kishim fituar’.
Pas ardhes në krye të Sulltanatit Osman Mehmeti II,i cili ishte shumë më i ashpër se i pari dhe, pas dështimit të Rrethimit të Dytë të Krujës, ai u tërbua. U largua duke lënë Ballaban Pashën me shumë ushtarë, që Krujën ta mbanin të rrethuar deri sa të dorëzohej. Skënderbeu me ushtrinë e tij e shkatërroi atë dhe filloi punën për ndërtimin kështjellave dhe riorganizimin e ushtrisë. Por, ndaj tij, u nisën dy ushtri të mëdha osmane nga Bosnja dhe nga jugu,të cilat  Gjergj Kastrioti i theu dhe kapi plaçkë të madhe, u bëri një shkatërrim total duke vrarë më shumë se sa ai kishte ushtri.
Lufta e vazhdueshme me një fuqi të pabarabartë, kishte sjellë shkatërrime të mëdha.Kërkohej kohë dhe ndihma,për t`i sjellë në gjendjen e tyre të duhur. 
Pikërisht,në këtë kohë, kur Gjergj Kastrioti po korrte fitore të bujshme ndaj Turqisë, sëmuret dhe, pas pak, ndërron jetë në qytetin e Lezhës. Kjo vdekje u vesh me shume mistere, për këtë kishte, nga kronikanët e kohës,shumë hipoteza si:
Së pari,vdekja e tij erdhi nga ethe të forta dhe, pas tri ditësh, ndërroi jetë.
Së dyti,pasi erdhi nga Roma në një betejë me osmanllinjtë, u vra me një shigjetë me helm nga një luftëtar i tij dhe vdiq.
Së treti,u helmua dhe vdiq nga pakujdesia e doktorit. 
Së katërti,ai ndërroi jetë nga helmimi. 
Një variant zyrtar arbnor mungon,dhe është pranuar vetëm variant i Barletit, që Skënderbeu ndërroi jetë prej etheve të forta në Lezhë.Këtij varianti, Venediku i shton dhe vdekjen nga pakujdesia e mjekut.Ky variant i pranuar nga historiografia shqiptare ka brenda dhe pabesinë venedikase. Kjo Republikë, sipas materialeve që janë zbuluar nga autori,ka tentuar të kryej helmimin e disave, që nga Sulltan Mehmeti II e shumë personalitete të tjera të vendeve të ndryshme.Pagesa më e lartë ka qenë deri 100 napoleona. 
Sipas autorit, Venediku ka kryer 242 tentativa në vende të ndryshme,për helmime të personaliteteve më të larta. Kjo nuk e përjashton mundësinë që në Heroin tonë Kombëtar të ketë gisht,se vdiq nga pakujdesia e doktorit shoqërues. Kjo politikë makiaveliste e saj u pranua më 1881,se kishte bërë përpjekje për të helmuar Mehmetin e II disa herë Sulltanin Osman dhe Pashain e Bosnjes, të cilat i pranon më 1881. 
Mbrapshtitë e Venedikut ndaj Skënderbeut kërkojnë një studim më të detajuar në dokumentat e “Këshilli të Drejtëve a Këshilli i Fsheht”, vendimet e të cilit ,në atë kohë, nuk kontrolloheshn nga askush dhe ishin të pa diskutushme.  
Me vdekjen e Skënderbeut, Shteti më i madh i Arbërit të krishterë të Ballkanit, sikurse e ka vlerësuar studiuesi Shuflaj, u shpërbë; Arbëria dhe arbërit e Gergj Kastriotit e kishin humbur pavarësinë e fituar dhe të mbrojtur për një çerek shekulli qëndrese dhe luftëra; Gergj Kastriot nuk ka më”. 
Shtetit të tij, historianët e kohës,nuk mund t`i bëjnë qortim.Këto janë situatat e krijuara për epokën e tij. 
“Për vdekjen u pat qarë, jo vetëm në viset përreth, si dhe  nga vetë osmanllinjtë, por nga gjithë princat e Europës. Ky ishte përfytyruar si i pavdekshëm” shpjegon Peshkop Segoni.   
Në atë pjesë të Europës që ishte pa pushtuar nga osmanllinjtë,do të ngriheshin një pas një, shtatore, përmendore e përkujtimore. Do të ruheshin e mbroheshin armët e tij midis një mori armësh të mbrojtjes së Kristianizmit Europian. Gjithashtu do të shkruheshin për Skënderbeun, poema, romane, bibliografi, opera, tragjedi deri dhe tragjedi të vëna me muzikë. Ideologët e Rilindjes sonë  e ringjallën epikën e Gjergj Kastriotit.   




Xhon Mekej
26 Gusht 2018
Sot mbylli përjetë sytë dhe u nda nga kjo botë  Xhon Mekej, një ndër figurat kryesore të politikës amerikane.Ky ishte biri i sakrificës deri në vetëmohim për lirinë, madhështinë dhe begatinë e kombit amerikan.  
Populli shqiptar dhe popujt e botës, e kanë njohur Senatorin Meken si një hero kombëtar amerikan,liridashës të pashoq, luftëtar të shquar dhe komandant legjendar të marinës së ShBA dhe si luftëtar të paepur dhe të pakompromis kundër terrorizmit dhe tiranisë. 
Shqiptarët do t`i jenë mirënjohës Senatorit Meken si një mik i madh dhe i sinqertë, për mbështetjen e pakursyer, për transformimin demokratik dhe integrimin e Shqipërisë në NATO, si dhe përkushtimit të tij për pavarësinë e Kosovës në vitet 90-të.
Meken ishte ndër ata senator,i cili kishte mendime realiste për jetën. Ai nuk ishte tipi i njeriut pedant,as ndiqte vetëm mësimet e partisë që përfaqësonte. Ky është ndër senatorët e rrallë të Amerikës që përkrahte dhe luftonte për të zbatuar vetëm ato vendime që janë pozitive për jetën e popullit të thjeshtë amerikan. 
Në kundërshtim të hapur me Presidentin dhe vendimin e partisë së tij për “Obama care”,ai ishte një luftëtar i paepur për zbatimin e paketës ligjore, ishte totalisht kundër Presidentit për këtë çeshtje e cila e çoi deri atje, sa të lërë porosi, që Presidenti të mos marrë pjesë në funeralin e tij kur të ndërrojë jetë.
Është rast i veçantë në Amerikë,që, një senator, të vendoste për të hequr ilaçet e kancerit që e mbanin në jetë 5 ditë para vdekjes. Kjo tregon se sa kurajoz dhe i vendosur ka qenë në jetë.Veprimtaria e tij tregon se njerëzit me tipare të tilla janë të rrallë në ditët e sotme. Ky njeri detyrën e zbatonte në të gjitha treguesit e saj, prandaj ai mbetet një ndër senatorët me popullaritet dhe më i komunikueshëm me njerëzit. 
Pamfleti 
28 gusht 2018
Sot,në “Gazetën Shqiptare”, lexova një pamflet të Dr. Hakif Bajramit. Ka mbi 20 vjet që nuk e lexoj një pamflet të tillë madhështor,sa politik, filozofik, i saktë dhe idealist. 
Kam shumë shpresë dhe bindje se do të hapë një epokë të re në trajtimin e të vërtetave historike të luftës dhe marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky shkrim ishte një grusht i fortë ndaj të gjithë antishqiptarëve, që,për interesa personale dhe në shërbim të armiqve të Shqipërisë, e kanë kthyer përmbys historinë e Shqipërisë, duke i bërë heronjtë  kriminelë, e kriminelët,heronj.
Le të shërbejë ky shkrim dhe për të sotmen e dy shteteve tona, se, pa pastruar shpirtin dhe mendjet nga helmet antishqiptare, kurrë nuk mund të kërkohet bashkimi i të gjithë shqiptarëve. 
Historia është shkencë që bazohet vetëm në fakte,dokumenta dhe dëshmi autentike.Ajo nuk bëhet me dëshira,supozime,dhe urrejtje politiko – ideologjike.Lufta Nacional Çlirimtare i ndau përfundimisht shqiptarët në pro europianë dhe profashistë.Enver Hoxha ngriti në luftë një popull të tërë, realizoi mbështetjen ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, pjesëtarë të kualicionit botëror fitues: Sh.B.A., Britanin e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik.Gjatë kësaj lufte nuk erdhi asnjë përfaqësues sovjetik,që të sillte mbështetje financiare dhe ushtarake, siç dhanë përfaqësuesit perendimorë. Nëse Enver Hoxha do të kishte paragjykime ndaj tyre,nuk do t`i pranonte pranë Shtabit të Përgjithshëm.
Kemi gjithë këto vite pas 90-ës, që dëgjojmë ulurimat e çetnikëve shqiptarë e kosovarë, se gjoja Enver Hoxha e shiti Kosovën, por këta skeptikë e minorë në politikë,harrojnë e bëjnë si kur nuk e njohin historinë, se Enver Hoxha gjatë Luftës, nuk kishte në komandë Shqipërinë e pushtuar e jo më Kosovën. Mirë që e paska shitur Kosovën Enver Hoxha (sipas këtyre udbashëve), po pse nuk e akuzojnë atë dhe për shitjen e viseve të Malit të Zi, Maqedonisë, Çamërisë etj, se dhe ato pjesë e Shqipërisë kanë qenë para vitit 1913. Bile,e gjithë hapësira shqiptare ka qenë e pushtuar nga i njëjti pushtues. Jo,këtë nuk e bëjnë, se u duket një kafshatë e madhe. 
Por sot ky historian i nderuar ua përplasi të vërtetën në fytyrë këtyre anti-historianve. Më këtë rast,duhet të mësojnë dhe historianët e Shqipërisë që ndonëse nga më idealistët dhe pro të vërtetës, kurrë nuk kanë reaguar kaq saktë e me logjikë e fakte të dokumentuara sa historiani kosovar!
Siç duket, ky patriot i madh i tha vetes se “boll duruam shpifje antishqiptare që duan rrënimin e plotë të kombit tonë. Prandaj, ai ka marrë këtë goditje themeluese të një aksioni të ri në shërbim të interesave të kombit tonë. Boll i kemi duruar armiqtë e Shqipërisë të vjellin vrer kundër historisë sonë, prandaj le të jetë ky shkrim për zhvillimin e një konference shkencore, mbarë kombëtare ,për mbrojtjen e historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe të mbarë trojeve Shqipëtare”.
Historia është ajo,e cila do të vërtetojë se Enver Hoxha ka qenë udhëheqes i L.N.Ç. që çliroi ShqipërinëAi ka dhe meritën e madhe të heroit kombëtar, ashtu siç kanë dhe ballisto-zogistët damkën e tradhtisë dhe bashkëpunimit me pushtuesit e vendit!
Tivari, Mukja, Dushan Mugosha apo Miladin Popoviçi, nuk kanë qenë ata që bënë L.N.Ç., por populli heroik dhe partizanët e tij.650 partizanë e partizane, dhanë jetën në Kosovë në luftë kundër çetnikëve serbë.Prandaj,sot ka ardhur koha që, në Kosovë, të ngrihet memoriali i Luftës Nacional-Çlirimtare për partizanët e Kosovës dhe Shqipërisë që luftuan për çlirimin e saj. Këtë duhet ta bënte udhëheqja e shtetit shqiptar,por atyre u mungon kurajua dhe guximi për këtë,se nuk e kanë pasur gjakun dhe idealin e mjaftueshëm të një shqiptari patriot, por i kanë shërbyer vetes së tyre, për të mbajtur në dorë pushtetin. 
Nuk mund ta bënte këtë kërkesë as Edi Rama, sepse ai, i pari, ka shfryrë dufin ndaj Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duke e quajtur atë si luftë civile. Është për të ardhur keq, që, sot, historianët e kanë më lehtë për të hedhur baltë e zift mbi të vërtetën, se sa të mbrojnë të drejtën me fakte e dokumenta historike.Pseudohistorianët shqiptarë në këtë periudhë i ka pllakosur frika për të vërtetën.Kjo ide vërtetohet katërcipërisht nga bisedat që zhvillojnë në televizione të ndryshme. Zoti e shpëtoftë këtë vend nga këto njerëz pa taban e frikacakë. 
Një lajm sensacional 
30 gusht 2018
Në orën 3 të mesantës të datës 31 gusht, është qëlluar me breshëri automatike banesa e gazetares investiguese Klodiana Lala. Ky është një rast i rrallë ose, pothuajse ,që nga 1940, në vendin tonë nuk ka pasur ngjarje të tilla që të goditet direkt me armë familja e një gazetari.  
Ishte fatlume kjo familje që nuk pati fatkeqësi në njerëz,por vetëm dëme materiale të banesës.Godijta e saj ka ardhur për shkak të detyrës që kryen gjatë kohës si gazetare investigative.Kjo ka ndodhur se ka shkelur në kallot e kriminelëve të cilët, në vendin tonë si kudo, nuk janë të pakët.Krimi dhe droga janë bërë shqetësues në Shqipëri.Ato i kanë prefeksionuar metodat e tyre të goditjes. Tani e shohin se me masat e marra nga shteti,po u ngushtohet laku. Reforma në drejtësi po ua shkëput lidhjet me këtë sistem,të cilët në shumë raste e kishin korruptuar.Tani ata kanë filluar në stil të gjerë të eleminojnë njëri-tjetrin për ndarjen e pasurisë.Përpjekja për të frikësuar e paralajmëruar gazetarët e gjyqtarët tregon se janë frikësuar,se veprimtarija e tyre po ngushtohet nga dita në ditë dhe dara e shtetit po forcohet. 
Ky rast i rrallë dhe i padëshiruar u dënua ashpër nga udhëheqësit e shtetit, partitë politike, organizatat ndërkombëtare të OSBE, BE, Ambasada Amerikane në Tiranë dhe gjithë Unioni Gazetar Shqiptar. Sot më 31 gusht, të gjitha organet e shtypit dhe emisionet televizive,kishin si lajm të parë me tituj të ndryshëm këtë ngjarje.Në këto artikuj dhe lajme bëhej analizë e thellë e problemit dhe masat që duhet të intensifikonte shteti për garantimin e punës së gazetarëve, për përmirësimin e punës së tyre etj. 
Nga ky paralajmërim, dalin në pah disa probleme që duhet të vlerësohen dhe të nxirren mësime prej tyre.
Së pari, shteti duhet të organizojë më mirë strukturat për të lehtësuar punën e gazetarëve, të vlerësojë çdo moment që shfaqet për sigurinë e tyre,mbasi nënvlerësimet çojnë në raste të paparashikueshme.Këto veprime ulin vrullin dhe gadishmërinë e punës tyre. 
Së dyti, gazetarët në vendin tonë kanë një ofertë që lë për të dëshiruar, shumë prej tyre kthehen në zëdhënës të partive të cilat u bëjnë një pagesë të leverdisshme.Ka pak e aspak gazetarë e televizione të pavarura,duke përjashtuar televizionin publik shqiptar i cili, nga dita në ditë, po e përmirëson punën dhe zgjeron gamën e aktiviteteve në fusha të ndryshme. 
Në vendin tonë, shumë incidente me gazetarët ndodhin se ato bëhen me shkrimet e tyre jo reale zëdhënës të partive të ndryshme,duke shkelur gjithë rregullat gazetareske e duke shkruar për gjëra që kanë pak ose aspak realitet. 
Së treti, në Shqipëri, roli i gazetarëve në shumë televizione është i pa vlerësuar,nuk ju krijojnë kushte ,u japin një shpërblim qesharak për punën e bërë.Ka dhe raste që as rrogën mujore nuk ua paguajnë çdo muaj, por ajo shkon në disa muaj. Pra, ata punojnë vullnetarë dhe me kushte shumë të vështira, me pak mjete për punë ose, në shumë raste,s`kanë as mjet për të lëvizur.
Kjo e bën punën e tyre shumë të vështirë,veçanërisht për gazetarët që punojnë në terren.Ka një disproporcion të madh në rrogë e në mjete për punë, me ato që punojnë në administaratat e televizionëve. Këta gazetarë shpërblehen mbi 1 000 000 lek të vjetra në muaj, veç shpërblimeve që marrin. 
Praktika ka treguar se ata që janë gazetarë të përgatitur, që shkruajnë me fakte reale, i bëjnë artikujt e tyre të lexueshëm dhe  nuk kanë probleme, se zbatojnë parimet dhe kulturën gazetareske.E megjithëkëtë,duhet thanë troç, se gazetarët, tek ne, nuk gëzojnë atë popullaritet që duhet. 
Lamtumira e fundit për heroin e luftës amerikane,Xhon Meken.
2 shtator 2018
Ky hero i luftës në Sh.B.A. dhe Senatori i përhershëm i Arizonës, ka kryer detyra të rëndësishme në institucionet drejtuese të shtetit dhe është një nga funksionarët kryesorë të Partisë Republikane Amerikane, si një ndër forcat kryesore të vendit.
Ai ndërroi jetë në moshën 81 vjeç.Jeta dhe veprimtaria e tij u vlerësua nga gjithë populli dhe drejtuesit e shtetit.Cilësitë e tij mbeten ato të një udhëheqësi popullor: i mençur dhe kurajoz,komunikues me të gjithë. 
Asnjëherë nuk ka qenë një republikan konservator dhe, për kufijtë e problemet e shtetit,ai nuk ka qëndruar asnjëherë pedant, por liberal. 
Për figurën e tij u ul flamuri në gjysëm shtizë disa ditë,deri kur ai u varros të dielën në ‘Akademinë Ushtarake të Merilandit’, ku ai ka kryer dhe studimet.Të shtunën,arkivoli i tij u vendos në Arizona, ku është senator prej disa vitesh. Pastaj u vendos në ‘Kapital Hill’,ku u mbajtën disa fjalime. Sipas porosisë së tij do të flisnin Ish-Presidentët, Obama dhe Bush. Në këtë ceremoni foli Kryetari i Senatit, Henri Kisinger,një shok pune dhe lufte me Meken etj. 
Me qindra e mijëra amerikanë,orë të tëra, prisnin për të bërë homazhe pranë arkivolit të tij, i cili ishte vendosur në një shtrat prej druri, me të cilin, më 1840, ishte vendosur Robert Linkoln, ai që hodhi bazën e kushtetutës amerikane. 
Atë natë,qëndroi në kishën e “Ëashington City”.
Më datën 2 gusht në orën 1200,u bë varrimi i tij në kishën e  Merilandit,në Akademinë Ushtarake, ku Mekei ka kryer studimet e tij, për t`u rritur më tej  si një njeri i madh, i respektuar dhe i nderuar, për gjithë popullin amerikan.
Nderime të tilla pas vdekjes se Mekejt, janë bërë për 30 vetë deri tani, që kur është krijuar ky shtet i madh multietnik.
Është një rast i rrallë dhe unikal, që, një drejtues kaq i lartë ,të lërë me porosi të veçantë që presidenti i SH.B.A-së që është sot, në drejtimin e vendit dhe që përfaqëson partinë ku Mekei ka milituar gatë gjithë kohës, Donald Trump, të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në ceremoninë e tij  mortore.
Kjo porosi është dhënë në forumet e larta shtetërore, para se ai të vdiste nga kanceri në tru, që,nga dita në ditë, po ia afronte vdekjen. Në ceremoninë e tij në emër të presidencës mori pjesë zv.presidenti,një shok e bashkëpunëtor me Mekein, dhe, nga familja Trump, vajza e tij me të shoqin.
Porosia e tij që fjalimet të mbahen nga ish-Presidenti Obama, që përfaqëson Partinë Demokratike dhe George Bush,që përfaqëson Partinë Republikane, kishte një domethënie e madhe.
6 shtator 2018
Muzgu në Brajton Bixh(plazh)
Ky është plazhi ku,për 10 vjet bashkë me Dritën, kemi pushuar çdo sezon nga 10-20 ditë. Është një ndër plazhet më të populluara,por dhe një ndër më të këndshmit në Bruklin.
Mesi i gushtit dhe deri në mesin e shtatorit,është koha më e përshtatshme për të pushuar.Uji i oqeanit në këtë kohë është i ngrohtë dhe i qetë.Në Amerikë, brigjet e oqeaneve ngrohen më vonë se detet. Ato nuk janë si detet e Mesdheut, si Adriatiku jonë që i ka shokët e rrallë në botë, e na rreh zemra për kënaqësinë e tij.
Sot është një ditë e nxehtë nga mëngjesi deri në mbrëmje.Bashkë me Dritën,që nga ora 8-të,qëndruam aty në këtë breg të freskët.Çadra dhe karriget të vendosura në afërsi të bregut janë shumë të përshtatshme për të kaluar këtë ditë të nxehtë të shtatorit.
Në orët e pikut 12.00-17.00,në restorantin pranë, hëngrëm drekë dhe pastaj pushuam në çadër duke lexuar ndonjë libër që kishim me vete dhe duke dëgjuar këngë të ndryshme nga krahinat shqiptare në Ipod.Në orën 16.00, bëmë vozitje me një skaf rreth bregut. Është interesant fakti se, në çdo 50-60 m., janë piketat që asnjë nuk mund t`i shkelë, me gjithë dëshirën e shumë pushuesve për të kaluar në një thellësi më të kaltër, se aty, sa më thellë të hyje, aq më freski kishte.Kur erdhëm në breg, dukej se ishte si në mëngjes, kur rrezet e diellit nuk ishin në infinit.
Vendosëm që të qëndronim deri në perëndimin e diellit.Tani, pas orës 19.00, njerëzit ishin paksuar,por shumë prej tyre nuk lëviznin prej kësaj freskie që të relaksonte. Bregu i detit sikur mori një pamje tjetër; si shumë të tjerë, dhe ne vendosëm karriget fare pranë bregut dhe fytyrën që ta ledhatonte era e freskët; dielli kishte filluar ta ulte nxehtësinë. Në dy karrige të këndshme prej bezeje dhe me mbulesë soditnim oqeanin.Njerëzit vozitnin në një si bolier të dushit, shumë prej tyre xhironin bregut me këmbët në një ujë që, si brumbuj të vegjël, gërmonin rërën e lagur për të bërë figura të ndryshme.Një grup, prej 3-4 studentësh, kishin në përfundim një kala të këndshme mesjetare që dukej si ndërtesat pa leje në Shqipëri. 
Dielli kishte filluar të ulej, qielli rreth tij të reflektonte në retinën e syrit si flakë e  një zjarri të madh.Mbi oqean, rrezet reflektonin si xixëllonja e kjo dukej mahnitëse mbi bulëzat e valëve. Sa më shumë kalonte koha,dielli, në atë kupë qielli që nuk kishte asnjë re, fundosej me diskun i tij dhe rrezet dukeshin sikur ngriheshin më lart.  
Oqeani dalëngadalë po i pushonte dallgët me një vozitje të lehtë;ishte një moment që të ngjallte kënaqësi, mbasi ne nuk kishim qëndruar asnjëherë deri në perëndim.Shumë pushues e fotografonin me kujdes,sikur të ishte një eklips i tij.Veshët filluan të qetësohen nga zhurmat e dallgëve të cilat sikur i mori zbatica me vete.Bregu filloi të dendësohej, shumë kureshtarë xhironin bregut për të mbledhur guriçka.Pas perëndimit, karriget u boshatisën dhe u dendësua lëvizja në këmbë, ngjante sikur po ecje në një bulevard të qetë me një ajër të pastër, me një freski që të ledhatonte.Vetëm mbas orës 21.00 filluan pushuesit të përgatiten për t`u nisur në shtëpitë e tyre.
Të bën përshtypje fakti se kishte dhe shumë njerëz që vinin për të qëndruar deri vonë pranë bregut,i cili lejohej nga shteti deri në orën 12.00 të natës. 
Duke dalur nga bregu takoj një shok,me të cilin isha në kursin e anglishtes. E pyes: Ku shkoni tani?Ishte i shoqëruar nga 3-4 moshatarë dhe kishte një karrocë që e shtynte.  Ai m`u përgjigj: – Sot është natë e nxehtë dhe kemi marrë llamba ndriçimi dhe, deri në 12.00 të natës, do të pjekim peshk, do pimë birrë dhe barebekju.Vini shpesh këtu,Vollodja? Ai m`u përgjigj: Këtu vij kur është shumë nxehtë. 
Por, sot jemi me një grup shokësh ,që të gjithë janë nga Ukraina. Këto 3 orë këtu, janë shumë të gëzueshme dhe çlodhëse për moshën tonë. 
Bashkë me Dritën vazhduam rrugën për tek autobuzi i cili, për 20 minuta, na çonte pranë shtëpisë ku banojmë.Kjo është dita më e gëzuar e plazhit për këtë vit dhe shumë vite të tjerë. Ishte një ditë e këndshme në këtë muzg veror në brigjet e Atlantikut, i cili do të mbetet për shumë kohë në ndërgjegjen tonë, por duke mos na u hequr nga mendja bukuritë përrallore që ka vendi jonë. Zemra, për së largu, më pikon lotë për ato bukuri ku kaluam pjesën më të madhe të  jetës sonë. 
Të kalosh pushimet në Shqipëri,është kënaqësi e veçantë, aty i ke të gjitha të mirat që të nevojiten.Ke detin me 320 km vijë bregdetare, me hotele e restorante moderne,mikpritjen e zemrën e bardhë të shqiptarit, siç thonë turistët e huaj që vijnë nga shumë shtete të botës; turizmin historik- arkeologjik dhe objekte që të ngjallin interes në çdo fushë e kohë. Të gjitha këto ma bëjnë zemrën mal për atë vend me 320 ditë diell në vit, perlë e Evropës...      

Dita e pareë e shkollës në 9 -vjeçare për Jonin
5 shtator 2018
Sot,bashkë me Lindën dhe Jonin, dolëm nga banesa me çanta në duar, me materialet që i duheshin djalit për shkollë gjatë vitit. Kjo,nuk ishte një ditë e zakonshme për ne dhe Jonin. Ai sot ishte më i zbukuruar, më i gëzuar dhe më i rritur dhe,shumë më i pjekur se vitin e kaluar.Kishte marrë një pamje që tregonte se për vitet e tij i kalonte kufijtë e moshës.Ai ka mbyllur ciklin 4 vjeçar dhe fillon ciklin më të lartë, atë në klasën e 5-të të shkollës 9- vjeçare.
Në shkollën e tij ishin grumbulluar me qindra prindër të nxënësve,të cilët sillnin me gëzim fëmijtë në klasa të ndryshme, shikoje fëmijë të klasave të para me lule në duar për mësuesit e tyre, që do t`u hapin dritaren e dijes për jetën. 
Joni përqafonte shokë e shoqe të cilët ishin të gjithë të gëzuar, se ata do të rrisnin dijet në një shkallë më të lartë. Grumbujt e prindërve dhe nxënësve shikonin tabelat se ku do të paraqitej secili, emrin e mësuesit, numrin e dhomës që ka klasa e tyre, disa nxënës, pranë këtyre stendave, jepnin udhëzime e orientime për secilin. 
Ne saktësuam klasën numër 401 dhe emrin e mësueses kujdestare të klasës së Jonit dhe,me çanta në duar dhe mjetet e djalit, u nisëm për te klasa e Jonit. Kur arritëm tek klasa,mësuesja priste e përqafonte çdonjërin,pastaj i dorëzonim çantat me mjetet që i vendoste në raftin e secilit në klasë. U përqafuam me Jonin,i uruam suksese dhe ai u ul në bangën e tij, e priste shokët e tjerë që vazhdonin të vinin.  
Kështu, ky vogëlush i gjyshit, para 10 vjetëve kur erdha në Amerikë, ishte si flutur e vogël njëvjeçare. Sot,për një dekade, është pjekur, është burrëruar e zgjatur si një mënjollë e re në një kashnjet të shëndetshëm me gështenja. Nga thellësia e zemrës del urimi: ‘Të priftë e mbarë rruga e dijes që ke nisur, o zemra e vogël e gjyshit’. 
Përqafime,gjyshi.

Ndeshja e dytë në shtetrrethim.
7 shtator 2018
Sot është ndeshja midis Shqipërisë dhe Izraelit.Fati na e solli që, dhe në këto takime për Kupën e Kombeve,të kemi takimin e parë me Izraelin. Para 3 vjetësh, ndeshja u kthye nga stadiumi ‘Loro Boriçi’ në Shkodër, 24 orë para takimit për në Elbasan Arena, me pretekstin se stadiumi do të hidhej në erë nga terroristët.Ky informacion ishte i vërtetë, se,pas 12 orësh, u arrestuan personat.Në situatë terrori e anomalie për biletat dhe një kontrolli tepër të rreptë,u zhvillua ajo ndeshje që humbëm: 0:3. Kjo çdo gjë mund të ishte, vetëm ndeshje futbolli në kushte normale, jo.
Por për çudi,edhe në ndeshjen e sotme, janë marrë masa të jashtëzakonshme, janë porositur pjesëmarrësit në stadium të hyjnë 3 orë para fillimit të ndeshjes, të verifikohen gati sikur kalon në një aeroport. Kjo bëri që tifozët e kombëtares të jenë shumë të pakët në numër dhe entuziazmi të ishte i zbehtë,për mos me thënë se mungonte fare. Por i vetmi ndryshim ishte me atë të disa viteve më parë, se nuk kishte polici në stadium.Ata qëndrojnë në një shtetrrethim, për një siguri që nuk është ushtruar për asnjë skuadër që ka ardhur të zhvillojë ndeshje futbolli në vendin tonë. 
Ndeshjen e ndoqa me kujdes në Neë York të ShBA-së.Siç shihej dhe siç tregonin komentatorët,ishte një situatë e qetë dhe kushte normale për një ndeshje, me një fushë të përshtatshme, e një qetësi për t`u admiruar. 
Ndeshja u zhvillua shumë e fortë.Izraelitët paraqiteshin,me një ekip të kompletuar dhe me 2-3 futbollistë që ishin të veçantë nga të tjerët,për teknikën, rezultatet që kanë dhe skuadrat me emër që luajnë. Ekipi jonë nuk ishte ai i Kampionatit Europian të  2016-ës.Mungonin 6 lojtarë kryesorë. Ekipi ishte rinuar dhe me një eksperiencë më të pakët se, Sadiku, Roshi, Cikalleshi etj. mungonin.Por,loja në grup, mobilizimi 100% i mundësive të tyre, bënë që të zhvillonin një ndeshje të vlerësuar mirë, veçanërisht pjesën e dytë.Në ndeshje pati shumë raste për gol nga të dyja skuadrat,por nuk u shfrytëzuan.
Izraelitët, në pjesën e pare,patën 2-4 raste të pastra.Por Starakosha, 22 vjeçar, bëri të jashtëzakonshmen për ta ruajtur rrjetën të paprekur.Ky ishte heroi i kombëtares sonë.Në pjesën e dytë, loja e kuq e zive u gjallërua më shumë;që në fillim, u bënë zbritje të rrezikshme, por dhe portieri nuk u tregua në lartësinë e duhur.Në 10 minutat e para të pjesës së dytë, Xhaka me një gjuajtje jashtë zone mposhti portierin izraelit me një gol spektakolar, me një gjuajtje predhë me të parën dhe topi pushoi në rrjetë. 
Ky ishte një moment që dha forcë dhe, në pjesën tjetër, bënë një lojë për ta admiruar dhe me shumë raste. Por dhe miqtë jo pak e vizituan portën tone,veçse gardiani Starakosha ishte i pamposhtur. Këto 3 pikë ishin një fillim i mbarë, se, më datën 10 shtator,do të ndeshen në Skoci. 

Vuçiç në Kosovë
7-8 shtator 2018
Aleksandër Vuçiç (Presidenti i Serbisë) do të vizitojë serbët e Kosovës me leje të shtetit të Kosovës e miratim të Bashkimit Europian.Në fillim, ai vizitoi Liqenin e Gazivodës, i cili është dhe një ndër objektet më të rëndësishme të Kosovës, por dhe kontestimi më i madh i Serbisë. 
Është për t`u çuditur fakti që Serbia ka në pretendim të tillë.Ai liqen është ndërtuar me mjetet financiare të Kosovës dhe, pjesa e tokës që i takon Serbisë, është blerë nga Krahina Autonome e Kosovës, e cila kishte fondet e veta, në ish- Jugosllavinë e Titos, për ndërtimin e veprave në Kosovë. 
Kjo tregon qëllimin e mbrapshtë dhe djallëzor të Serbisë(ajo akoma ka mentalitetin e Millosheviçit)dhe qëndrimin lakonik të Bashkimit Europian ndaj Serbisë.Serbia ka qenë dhe mbetet bomba me hidrogjen për Ballkanin. 
Më 8 shtator, sipas lejës që ishte firmosuar nga Kosova, Presidenti Vuçiç do të vizitonte fshatin Banjë ku ka shumë serbë që banojnë atje.Rruga për në Banjë kalon nëpër Drenicë, krahinë ku janë bërë masakrat më të tmerrshme gjatë luftës së zhvilluar në Kosovë më 1999 e në vazhdim.Siç thonë dhe sot kosovarët: ‘Gjaku është akoma pa u tharë mirë.’ 
Pikërisht këtu ndodhi dhe incidenti në vizitën e Vuçiçit në Kosovë,gjithë krahina ishte ngritur në protestë, kishin bllokuar rrugën me mjete rrethanore dhe kamionë, u kishin vënë zjarrin në mes të xhades turrave me dru e gomave. Ata njoftuan qeverinë e Kosovës, se këtej nuk kalonte njeri pa u shfarosun  të gjithë.Kjo bëri që qeveria e Kosovës të anullojë lejen për vizitën e Vuçiçit në Banjë për arsye konfliktesh dhe pasigurie. 
Delegacioni serb u kthye dhe Vuçiçi me telefon komunikoi me bashkëkombësit e tij në Banjë. Ai tentoi të futej nga një rrugë tjetër,por ishte e bllokuar nga Policia e Kosovës që zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për anullimin e vizitës së tij. Kjo bëri që ai të kthehej në Mirtovicë ku dhe do të mbante fjalimin përmbyllës të vizitës së tij.
Kryetari i komunës së Drenicës para tubuesëve të tij tha: ‘Ai nuk mund të vij në Drenicë,pa kërkuar falje për gjakderdhjen që kanë shkaktuar këtu, pa kërkuar falje për marrjen e jetëve të djemve më të mirë të krahinës, pa kërkuar falje për dëmet e pallogaritshme që i kanë shkaktuar këtij vendi’
Në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën Veriore, ai mbajti një fjalim provokativ duke lavdëruar Millosheviçin dhe u shpreh se: ‘Ne Kosovën nuk do ta njohim si shtet, por kërkojmë të jetojmë në paqe dhe qetësi’.
Nga kjo vizitë dalin disa konkluzione:
 Së pari: Ai dashur pa dashur e njohu Kosovën si shtet, se ai erdhi në Kosovë me lejen e shtetit të Kosovës, që është njohur nga 117 shtete të botës,vazhdoi vizitën sipas planit të miratuar nga Kosova dhe, kur u anullua vizita në Banjë, vendosi po Kosova. 
Së dyti: Kjo vizitë e udhëheqesit më të lartë të Serbisë, nxori qartë dhe një herë në pah se qëllimet dhe vlerësimet e synimet e tyre nuk kanë ndryshuar fare ndaj Kosovës, megjithë dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Kjo tregoi se Serbia nuk ka ndërmend të zbatojë asnjë nga ato që janë vendosur dhe qëllimi i vetëm i tyre është që të marrin sa më shumë  të jetë e mundur nga kufiri i Kosovës.Këto qëllime të tyre, në disa raste, i inkurajon dhe Bashkimi Europian.
Së treti: Elita kosovare, në këtë luftë, kërkohet të jetë e bashkuar dhe e mençur me veprimet e saj. Duhet të heqë dorë nga zgjidhjet e veprimet patriotike.Ata duhet të veprojnë me mençuri,duke iu përshtatur kushteve dhe zhvillimeve politike. Duke shtuar punën për bashkëpunim me ata që e sollën Kosovën sot të pavarur e të lirë.
Me çdo kusht,kërkohet një bashkim i gjithë mendjeve të zgjuara që ka Kosova, që të përballojë dredhitë qindravjeçare të serbëve;duhet t`u japin zgjidhje problemeve me mençuri e jo me diletantizëm në politikë,të heqin dorë nga interesat e ngushtë personale.
Duhet të ishte vlerësuar më me mençuri për incidentin me Aleksandër Vuçiç. Mendjet e nxehta sjellin regres në rrugën e mëtejshme të Kosovës si shtet.Në politikë asnjëherë nuk duhet të udhëhiqesh nga parimi se nuk bëhet kurrë.Këtu kërkohet mençuri dhe elasticitet,vetëm këtu nuk ka mbyllje hermetike. Ky parim, shpesh, ne shqiptarëve, na ka sjellur shumë probleme që është dashur kohë për t`i ezauruar.
Ne sot kemi kohën e artë për kombin shqiptar,kudo që jemi në botë. Është koha të tregojmë se jemi në gjendje të bëjmë shtet, ta minimizojmë këtë njollë të zezë që,për vite të tëra ,propagandojnë Serbia dhe disa shtete të tjera të Europës.
Dita e 11 shtatorit …
11 shtator 2018
Sot në gjithë Amerikën, dhe në shumë vende të botës, përkujtohet 11 shtatori i 2001,si dita më tragjike në botë.
Më shumë se 3 mijë njerëz të gjinive dhe moshave të ndryshme, nga shumë kombe të botës, humbën jetën mbi dy kullat binjake në Neë York, në një sulm që konsiderohet si sulmi më i fuqishëm terrorist në botë, pas së cilit pasoi ndërhyrja amerikane në Irak dhe Afganistan.
E gjitha çfarë ndodhi atë ditë, u fiksua në shumë foto e pamje në gjithë botën. Por njëra prej tyre bën diferencën:ajo e një njeriu që hidhet nga lartësia e njërës prej kullave e që bie në një vdekje të sigurt.Kjo ishte dita në të cilën mijëra njerëz humbën jetën, ditë e cila ndryshoi rrjedhën e historisë botërore.
Nga kullat binake supozohet se,pothuajse 200 njerëz, u vetëhodhën nga kate të ndryshme të tyre, duke shkuar drejt një vdekje të sigurt. Ata zgjodhën hedhjen për të vdekur e jo djegien e shkrumbimin e trupit. Në këtë tragjedi, me mijëra trupa u gjetën nën tonet e çelikut dhe betonet,që komplikonte më tej identifikimin e viktimave.

Sulmi i 17 viteve më parë, nuk ishte sulm ndaj SH.B.A,por ishte kundër paqes, sigurisë, bashkëjetesës dhe vlerave të një shoqërie që mbështetet tek parimet e demokracisë liberale.Lufta ndaj terrorizmit nuk është e nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë tjetër,veçse të përballohet së bashku në gjithë rruzullin.
Në Manhatan,në vendin e kullave binjake, sot është një muzeum kombëtar i historisë amerikane dhe ekspozita lidhur me viktimat e 11 shtatorit ka një koleksion me objekte të lidhura me viktimat, të mbijetuarit dhe heronjtë e 11 shtatorit, si një dëshmi e historisë së tyre.
Sot, këtu në përvjetorin e 17-të të ngjarjes, u inagurua dhe stacioni i ri hekurudhor pranë kullave të reja që janë ngritur vite më parë. Vetëm për këtë stacion(në inagurimin e tij merrnin pjesë mijëra e mijëra vetë) janë shpenzuar mbi 182 milion dollarë. Ky shpenzim është bërë për të lehtësuar rrugën e miliona njerëzve që vijnë çdo ditë për të parë qendrën muzeale që është ndërtuar në kujtim të kësaj ngjarjeje të paharruar.
Kjo këtu në Manhatan, është njëherit një qendër edukimi për masat e gjëra dhe për qindra mijëra turistë që vijnë çdo ditë për vizitë në muzeum, në ekspozita, në memorialet dhe bustet për të gjithë heronjtë e kësaj tragjedie, të cilët janë nga gjithë bota.
Në këtë qendër,çdo ditë, hyjnë e dalin miliona persona të moshave të ndryshme, të cilët njihen me tragjedinë që ndodhi me 11 shtator 2001, heronjtë e saj. Me ngritjen e një qendre të re, më të mirë se ajo që ishte, dhe shpenzimet kolosale që bëri, Amerika  krijoi me dinijitet identitetin e saj të mëparshëm.
13 shtator 2018
Një peripeci që mori zgjidhje...
Ky lajm i gëzuar për gjithë kosovarët doli sot nga vendimi që u mor në parlamentin Europian.Me shumicë votash,ai miratoi lëvizjen e lirë të kosovarëve në Shengen, si gjithë shtetet e tjera të Europës. Ky është shteti i fundit që merr këtë lajm të mirë për bashkëkombësit e tij.Vonimi i këtij vendimi ka pasur shumë pengesa. Brukseli, nga viti në vit,i shtonte objektivat për realizimin e tij dhe, kur ato plotësoheshin, shtohej një tjetër. Kjo bëri që durimi të arrinte në kufijtë e fundit të tij.Kjo vonesë nuk vinte vetëm nga objektivat,por një pengesë serioze ishte përbërja kryesore e popullsisë myslimane.U desh shumë punë e kohë për të arritur deri në këtë vendim shumë të mirëpritur. 
Ky vendim, për kosovarët ka një rëndësi të dyfishtë.Lëvizjen e lirë që sjell shumë lehtësi në punë, në komunikimin dhe në zhvillimin e vendit në tërësi e ne fusha të ndryshme të jetës së tij.
Për momentin, është një gur i madh plusi për pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia e cila akoma sheh ëndrra në qiell,duke menduar se Kosova është ende krahinë autonome e saj. 
Të gjitha këto manovra të Serbisë kanë një qëllim të vetëm.Të shkëpusin sa të jetë e mundur nga Kosova, sepse e ka të qartë si drita e diellit, se ajo e ka humbur atë. Këtë, shpeshherë,e pohojnë dhe udhëheqës të saj.
Kosova sot është përfshirë në një dialog të gjerë,për diskutim të shkëmbimit të krahinave me përbërje etnike midis saj dhe Serbisë.Kjo ide e çoroditur e politikës kosovare nuk ka një unitet për këtë çështje, por ajo është e ndarë dhe e copëtuar në dialogun me Serbinë.
Këtu ka ndikuar Brukseli dhe Amerika,të cilët i kanë zbutur qëndrimet mbi kufirin dhe shkëmbimin e territoreve.Veprime të tilla ndihmojnë Serbinë e cila, pas saj, ka Rusinë që e inkurajon për këtë gjë.Shumë shqiptarë dhe drejtues evropianë nuk po e kuptojnë mirë lojën që luan Rusia.



Cunami
14-15 shtator
Masa të gjithanshme janë marrë për t`u mbrojtur nga uragani shumë i fuqishëm në Karolinën e Veriut dhe të Jugut.Sot, në orët e mesditës, përfundojnë masat për t`u mbrojtur nga ky përbindësh i cili do të fillojë nga orët e mbasdites, që do të sjellë dallgë shumë të fuqishme, me shpejtësinë e një ere, mbi 172 km në orë, me shi shumë të dendur që do të arrijë në 70 cm ujë në gjithë sipërfaqen, me lëvizje shiu e të tjera, të cilat do të marrin përpara çdo gjë. Janë evakuar  njerëzit,ku  mendohet se uragani do të përfshijë zonat e tyre të banimit, janë marrë masa për shkëputjen e energjisë dhe të gazit. 
Presidenti Amerikan firmosi një urdhër për një shpenzim miliona dollarë,për të përballuar këtë përbindësh i cili ka mbi 30 vjet që nuk ka ardhur me një forcë të tillë. Një interesim i jashtëzakonshëm për të zvogëluar sa të jetë e mundur shkatërrimet prej tij. 
Epiqendra e uraganit ‘Florence’,apo syri i ciklonit, sot në orët e mbrëmjes, ka prekur plazhin e Karolinës së Veriut. Më shumë se 60 persona,përfshi dhe fëmijë, janë nxjerrë me urgjencë nga një hotel i shembur në Xhekson Hill. 
Është interesant fakti se ,midis këti gjigandi që merrte përpara çdo gjë, ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar mbi 200 jetë njerëzore dhe kanë ndërruar jetë vetëm 3 vetë që i zuri një pemë gjigande e shkulur nga era.Mbi 500 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike. 
Të gjitha rrugët e bregdetit janë mbuluar nga uji që ngrihet nga deti me dallgë të fuqishme, lumenjtë janë fryrë e kanë dalë nga shtrati dhe kanë mbuluar vendin duke marrë ç’tu dilte përpara.Nga mesnata e dita e nesërme, ai mendohet se do të egërsohet më shumë dhe fatkeqësia është, sipas qendrës së informimit në Majami, se ky do të vazhdojë e do tërhiqet me shumë ngadalësi.
Masat e marra nga shteti kanë bërë që, deri tani,të ketë vetëm tri viktima, ndërsa dëmet materiale janë në shuma astronomike. Përbindëshi vazhdon dhe gjatë natës ,duke u shtrirë dhe në Karolinën e Jugut. 
Ndryshe nga fatkeqësitë e cunamëve të cilët kanë marrë veç dëmeve kolosale dhe shumë jetë njerëzish, siç është i vitit kaluar në Florida kur shtetin e zuri në befasi, siç duket, qeveria Trump nxori mësime dhe, nga masat e marra  ndaj gjigandit ‘Florence’, po i përgjigjet më mirë atij. 
Sot, në të dy Karolinat, u evakuan 1.7 milon banorë dhe kanë humbur jetën deri në ora 16.00  vetëm 7 persona. Suferina dhe shiu i dendur vazhdojnë,çdo gjë është nën ujë.Puna e skuadrave të shpëtimit vijon.
Në Amerikë, e cila rrethohet prej oqeaneve, këto ngjarje shikohen si të zakonshme,megjithëse në çdo kohë, shtëpitë rrafshohen nga cunamet e ndryshme.Amerikanët i ndërtojnë shtëpitë e tyre aty ku i kishin më parë. Në disa zona që shteti i ka përcaktuar si zona me rrezikshmëri,bëjnë sigurimet e pasurisë. Ato zona janë të përcaktuara dhe për bankat kur klientët e venë atë në shitje.Blerësi duhet të dijë rrezikshmërinë dhe pasigurinë në vendin ku ishte ndërtuar shtëpia. 
Prandaj ai ishte e detyruar të paguajë taksën e sigurimit çdo vit në morgiçin e shtëpisë ndaj bankës,të cilës ia ka blerë.Kjo bën që në këto zona të ndërhyjë shteti sipas ligjit që është në fuqi. 
Dita e parë e punës në jetë
17 shtator 2018
Kjo është një ndër ditët e shënuara në jetën time;ajo  më kujton 2 gushtin e 1956 kur, në moshën 16 vjeçare, fillova punë si mësues pas mbarimit të pedagogjikes. Zilja që dëgjova për herë të parë në atë kohë, para 62 vitesh, këtu në Amerikë më sjell në përfytyrime një kohë të shkuar dhe goxha të largët. Gëzimet që na pushtonin, me lule që na dhuronin nxënësit me fillimin e vitit shkollor, vështirësitë që kemi kaluar duke punuar për 44 vjet rresht në këtë profesion, rrugët që kemi kaluar për aftësimin profesional deri në mbarimin e uiversitetit për gjuhë-letërsi dhe kursin e lartë të filozofisë, kualifikimin pasuniversitar etj.
Kur shikoj sot kronikat për hapjen e vitit të ri shkollor, më mbushen sytë me lot, por dhe gëzohem se sivjet ishin marrë të gjitha masat për një vit të mbarë kudo, me shkolla të reja, me një bazë didaktike shumë të mirë për zhvillimin e mësimit me mësues të kualifikuar.
Këtë e tregojnë dhe fytyrat e gëzura të fëmijëve,si vocrrakët e klasës së parë e deri të rriturit nëpër gjimnaze.Të gëzon fakti se të gjithë ishin të veshur e të zbukuruar dhe gjithashtu një  lajm i ri: Librat në Ciklin e Ulët do të jepen  falas, si  ndihmë nga shteti për të pamundurit nga ana financiare.
Mësuesit,me kushtet e krijuara,kanë një përgjegjësi të madhe për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Ka ikur koha te sasia e kalimit ,tani kërkohen të dyja, por me rëndësi është cilësia ,që t`u përshtatet kushteve të zhvillimit shoqëror, i cili kërkon njerëz të ditur për zhvillimin e degëve të ndryshme të ekonomisë së tregut të lirë në mbarë vendin.
Kushtet që u janë krijuar mësuesve për transport në shkollë,dhe bazën didaktike që kanë në përdorim, i ngarkon me një pergjegjësi para shoqërisë,së cilës duhet t’ia shpërblejnë,duke pasë parasysh rrogat që ata marrin sot; ne as nuk i imagjinonim atëherë. Por,preokupacioni jonë ka qenë i madh.
Duke shkruar këto rreshta për këtë ditë të shënuar, më vijnë në kujtesë përfytyrimet e një ngjarje që, kur e kujtoj sot, më trondit, por dhe më gëzon për këtë arritje.
Ishte viti 1966, pas mbarimit të Institutit Pedagogjik në Shkodër, më emërojnë drejtor në shkollën 8-vjeçare të Gurrës së Madhe në Mat. Kjo shkollë përfshinte gjithë zonën,nga Komsia në Fullqet, dhe kufizohej me xhaden që shkonte në Peshkopi.
Shkolla kishte 700 nxënës,15 mësues, ku prej tyre ishin shumë pak vendas në Ciklin e Ulët.Mësuesit e tjerë ishin të ardhur nga Vlora, Shkodra, Tirana e tjerë. Një pjesë prej tyre, Këshilli Popullor i kishte strehuar në shtëpi të ndryshme në fshat.Unë dhe dy mësues,një nga Vlora dhe një nga Tirana, banonim në shkollë.Pas mbarimit të mësimit, përgatitnim ushqim dhe hanim drekë.Për të fjetur, hiqnim dërrasat e zeza dhe i shtronim mbi banga dhe aty flinim.Në mënges, rrobat i çonim në drejtori dhe dërrasat i vendosnim në vendin e tyre. Për ushqim, kryetari i Këshillit na sillte 14 kg. misër për secilin. Kjo për ne ishte e pamundur,pastaj u ankuam tek Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe, na dhanë një urdhër për ne që flinim në shkollë, një herë në tri ditë do ta merrnim bukën në Burrel. Kishin caktuar një mësues që na e sillte një herë në tri ditë.
Kjo mënyrë kujtese,kur e sjell sot ndërmend, të trishton. Natën,pasi shtronim rrobat, me qiri ose kandil bënim përgatitjen për mësim, pasditeve, merreshim me korrigjimin e detyrave dhe hartimeve e kështu, një punë monotone vazhdonte çdo ditë.
Më vjen turp kur sot dëgjoj ndonjëherë, që mësues, që nuk e kanë më larg se 2-3 km shkollën, kur u prishet furgoni dhe nuk shkon t`i marrë, lënë nxënësit pa mësim.Kjo tregon se ato janë formalë në këtë armatë të madhe ,të cilët qëllimin fisnik të tyre e lidhin me mungesën e një makine.
Mësuesin duhet ta brejë ndërgegjja për punën, jo të shkojë në shkollë  sa për të marrë rrogën.Tranzicioni e goditi rëndë arsimin.Gëzohem se ka filluar një punë me taban për eliminimin e vështirësive të tranzicionit. Por nuk duhet të harrojmë kurrë, se ku ishim dhe ku jemi.




23 shtator 2018
Beni, 48 vite…
Kjo ditë,ka qenë gëzimi i parë i familjes, pas martesës në gushtin e vitit 1969.
Familja jonë u shtua dhe me një pjesëtar të ri, i cili gëzoi gjithë rrethin tonë familjar e jo vetëm ne. Sot Beni mbush 48 vjeç.Afro 5 dekada, ka punuar e luftuar për të krijuar një jetë sa më të konsoliduar dhe për një familje sa më të mirë e të qëndrueshme.
Sot, në këtë përvjetor, jemi me të vërtetë të gëzuar, se ai ka plotësuar me shumë kujdes,por dhe me shumë peripeci gjatë rrugës, për të arritur qëllimet e tij në jetë.
Familja e tij përbëhet prej katër frymësh, dy fëmijët, djalë e vajzë, dhe ai me Minen, një bashkëshorte që i ka ardhur në ndihmë për çdo problem që i ka dalur në jetë,një edukatore elokuente për fëmijët dhe punëtore e palodhur në shtëpi e kudo.
Në Londër,vështirësitë e fillimit si çdo refugjat, i përballoi me shumë kujdes. Sot ka shtëpinë e tij private dhe një vilë që e ka lëshuar me qera për biznes.Ka 20 vjet që është rezident dhe me marrëdhënie shumë të mira me shtetin dhe me shoqërinë.Vitet iknin pa u vënë re, as syve nuk u besoj sot, kur shoh ditëlindjen e tij dhe moshën 48 vjeç, më duket sikur është vëllai im i vogël dhe jo djali.Vitet e vështira të punës në tranzicion në Shqipëri dhe puna si refugjat në Angli, e kanë thyer në moshë.Këto vite të vështira kanë lënë gjurmë që duken në trupin e tij.
Në Shqipëri, tri herë ia ka falur zoti jetën. Në Ulëz,kur, kriminelët e demokracisë i zunë pritë dhe, e qëlluan për t`i marrur mallin, por, në përpekje e luftë me ta,doli fitimtar.
Në Qafë Krrabë, kur kishte rrugëtuar gjithë natën me mall nga Larisa e Greqisë, doli nga rruga dhe mori poshtë 150 m faqen e malit, zoti i shpëtoi jetën, se cilitdo që bie aty ia fal dhe gjakun po të shpëtojë, se propabiliteti për të shpëtuar nga ajo humnerë nuk është as dy për qind...
Kur iku refugjat në Greqi në moshën 18 vjeçare, duke e ndjekur policia, kaloi mbi një mur dhe, aty kishte qenë repart ushtarak dhe sa ra në tokë, rojet hapën zjarr, por e fali zoti nuk mori asnjë goditje dhe u kthye në shtëpi e nuk e kaloi kurrë më kufirin pa leje të rregullt.
Tani kur i kujtoj këto gjëra,këtu në Neë York, Sh.B.A më rrëqethet mishi dhe sytë fillojnë të lotojnë për peripecitë që ka hequr.
Por kur shoh se çfarë ka arritur dhe si e ka sistemuar jetën në Londër, më bëhet zemra mal,se ai ka ditur t`i përballojë këto vështirësi me sukses dhe shpërblimi në jetë ka qenë i mirë. Sa më shumë vështirësi të kalosh, më i fortë bëhesh në jetë e në punë.
Prandaj, kur sot, e urova për ditëlindjen nga Neë Yorku, mendova të hedh në këtë ditar këto pak rreshta, që,kur të vijë në moshën time e t`i lexojë, do të sjellë në kujtesën e tij këto ngjarje, të cilat ia kanë tronditur jetën në ato momente kur ato kanë ndodhur. Por do të kujtojë dhe jetën e qetë e plot variacione që ka kaluar, pas këtyre vështirësive, në Londer.
Nga thellësia e zemrës,të uroj jetë të gjatë, shëndet e mbarësi me gjithë fëmijët. Babi.
26 shtator 2018
Kur çdo gjë barazohet me njëshin.
Një lajm i mirë,pas gjithë atyre peripecive që kemi hequr, për të ardhur deri në këtë përfundim.
Historia e këtij lajmi nis që nga viti 1988-89, kur në Shqipëri nuk kishte as shtet dhe pushtet. Në këtë kaos,bleva ngjitur me liqenin artificial të Tiranës, 600 m tokë.Kjo tokë ishte me tapi nga pronari që në 1936. Aty ndërtuam dhe shtëpinë me tri kate, me 485 mbanim, me lulishte e me çdo gjë që nevojitej. I bëmë dhe legalizimin dhe morëm çertifikatën e re të pronësisë për tokën dhe për shtëpinë që ndërtuam,konfrom të gjitha rregullave në fuqi.
Këtë tokë e kishim blerë në 1988, me 1250 lek m2,13 milion lekë, me gjithë dokumentat e nevojshme.
Në vitin 2010,kur u prish shtëpia, u shkatërrua dhe toka. Shteti jonë i dashur, me kaçakët e Sali Berishës pas 12 vjetëve që toka ishte blerë me 200 lek m2, e pagoi me 120 lek për m2në një kohë kur, zona kadastrale ku ishte kjo, paguhej me 10-13 fish më tepër.
Odisea jonë për këtë, fillon këtu…
Nga 200 mijë lekë që e kemi blerë para 12 vjetësh,tani e paguajnë 150 për m2. Kjo ishte vrasja më e rëndë në ndërgjegjen tonë.
Në 2011,filluam odisenë e gjyqeve nga një shkallë në tjetrën, vendimi ishte i ditur, gjyqin e fiton shteti, ju do të paguani shpenzimet e gjyqit. Pasi u ngopëm duke paguar dhe asgjë nuk doli, shansi i fundit ishte Shkalla e lartë, Gjykata Kushtetuese.Me shumë vështirësi e peripeci ajo i pranoi dokumentat tona për gjyqin. Pas zgjidhjes së këtij problem, u qetësuam në një farë mënyre, se ky ishte fundi i këtij kalvari.
U deshën 4-5 vjet,që dokumentat të qëndronin aty në stivën e madhe të dosjeve. Siç duket, gjumi letargjik kishte mbaruar dhe, në janarin 2018, gjykata hodhi poshtë gjyqin e mëparshëm dhe mori vendimin që gjyqin e fiton individi e jo shteti.Pas disa ditësh ,na dhanë vendimin e zbardhur se kishim fituar.Ringrohëm dhe kristalizuam dhe mendimin se e drejta vonon, por nuk harron.
Kjo ishte faza e parë e gëzimit.Faza e dytë, do të vijë kur përmbarimi të kalojë lekët në librezën tonë.Edhe kjo desh kohën e vet, 1-1.5 vite, e, përfundimisht lajmin e gëzuar na e dha Beni nga Anglia sot me 26 qershor 2018. Prandaj thamë,se në fillim se është një lajm i mirë, që kurorëzon punën e gjatë, durimin e jashtëzakonshëm me vite për të arritur këtu ku erdhëm.
Zoti gjithmonë  qoftë me ne.
Këtu në Neë York të Amerikës, duke dëgjuar çdo ditë lajmet në shqip dhe duke lexuar gazeta dhe informacione të ndryshme për reformën në drejtësi, po më konsolidohet mendimi se kjo reformë do të jetë shpëtimtare për atë vend, mbasi të kompletohet.Guri i Shqiptarëve denbabaden është kundra rregullit, disiplinës dhe zhvillimit.Klasa politike është e shterrur nga mendimet përparimtare, por injektohet vetëm nga ato mendime  regresive për shpifje, për grindje, për destabilizim, duke u udhëhequr nga ideja, se çdo gjë, dhe pushteti do të merret me forcë e jo me rregullat e demokracisë, por me të anarkisë. Kësaj besoj po i vjen fundi, dashtë zoti...
29 shtator
Njeriu poliglot Kahreman Ylli
Nostalgji për këtë figurë poliglote shqiptare, për këtë komunist të devotshëm në jetë e në punë,Kahreman Ylli…
Sot është dita më e gjatë që kam qëndruar vetëm në shtëpi,pa dalë me shokët, pa bërë xhiron e përditshme tek oqeani dhe pa shkuar  në palestër.
Deri në orën  14, shikova Kampionatin Anglez të futbollit si më i mirë në botë. Në fillim, ndoqa Manchester United – Ëestham,1:3. Kjo fitore bindëse e Ëesthamit tregon se M.U.,këtë vit, ka oshilacione të mëdha e nuk mendohet si pretendente për titull, megjithëse ka futbollistë të kalibrit të lartë dhe vlera të mëdha monetare.
Së dyti,me pak interes,ndoqa disa minuta edhe Manchester City me një skuadër që kishte disnivel me ta dhe, me lehtësi, mori një fitore të pastër, duke siguruar dhe kreun e tabelës.
Së treti,ndeshja e javës, dhe ndër më të bukurat, ishte ajo midis Liverpool- Chelsey që u zhvillua me një lojë,ku, 45 minutat e secilës pjesë, duket sikur mbaronin për 15 minuta. Lojë korrekte, me force, me teknikë të lartë, me veprim fluturues dhe me një replay për ta pasur zili.
Çelsi u tregua më i shpejtë dhe, në lojën për top,ishte shumë i organizuar dhe si rezultat ,në të 20-tën minutë të pjesës parë,Hazard më i miri në fushë, realizoi 1:0.Loja shkoi deri në 92-tën, kur Liverpooli barazoi me një gjuajtje të jashtëzakonshme me një gol të një kalibri të lartë dhe të admirueshëm për të gjithë.
Barazimi 1:1 ishte ai që nuk u shërbente asnjërës prej skuadrave,po loja faktikisht mori këtë rrjedhë. Çelsit i iku fitorja,duke mbyllur arkën e duke u gëzuar për lojën e bukur që zhvilluan dhe për teknikën e bukur në përdorimin e topit,por futbolli prandaj është lojë e befasisë dhe e bukurisë, dhe ka tërhequr në çdo kontinent të botës miliona adhurues. 
Pas pushimit të drekës në ora 17.00, ndoqa me vëmendje e nostalgji përkujtimore një film me momentet kryesore të jetës dhe veprimtarisë , të nderuarit dhe të paharruarit Profesor Dr. Kahreman Yllit.
Ky është një ndër personalitetet kryesore të shkencës dhe të metodologjisë shqiptare të 40-70-të, një personalitet më aftësi të rralla jo vetëm në shkencë, arsim,por dhe një diplomat i përsosur, pa kaluar në kanalet e përgatitjes diplomatike. Ai përfaqësoi Shqipërinë në bisedimet shumë të rëndësishme për tokat në kanalin e Korfuzit,po ashtu në Konferencën e Parisit, për aneksimin e Shqipërisë në anën e fituesve të koalicionit në Luftën e Dytë Botërore. Ai drejtoi për vite të tëra arsimin në Shqipëri,krijoi dhe organizoi punën për themelimin e universitetit shtetëror 1957. Me punën e tij të gjithanshme shkencore dhe organizative u bë e mundur krijimi i Akademisë Shqiptare të Shkencave.
Ishte një personalitet i veçantë,me mendime të pjekura, që të hapnin horizont për çdo problem kur bisedoje me të. 
Në shkencë dhe në organizim,ishte shumë i thjeshtë dhe komunikues me njerëzit e thjeshtë. Bisedonte me kënaqësi me studentët, me njerëzit që e rrethonin.Megjithëse ishte Rektor, ai nuk dallonte nga të tjerët, thjeshtësia në komunikim me masat e gjëra dhe shokët e tij të punës e dallonin atë nga të tjerët.
Kahreman Ylli bën pjesë në ato kuadro të sistemit komunist, në atë plejadë komunistësh, i cili do të respektohet nga shumë breza të vendit tonë.Puna që ai ka bërë është një thesar për të tjerët që vijnë pas. Ashtu siç ka mbiemrin, ai u bë një yll rrëfyes e frymëzues për shumë kuadro të shkencës dhe për idetë që hidhte për organizimin dhe funksionimin e arsimit, shkencës dhe teknikës.
Ne, studentët e tij, e kujtojmë me nostalgji atë kohë të artë kur ai drejtoi Universitetin e Tiranës, dhe na pikon zemra lot për humbjen e jetës së këtij djali të zgjuar e plot shpresë në moshën 55 vjeçare në kulmin e energjive, mendimit dhe organizimit të punës shkencore e drejtuese. Përjetë, brezat do të kutojnë si njeri të shkëlqyer, i nderuari dhe i respektuari ,Kahreman Ylli… 



30 shtator 2018
Referendumi 
Referendumi për emrin e Maqedonisë Veriore,sot për Maqedoninë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme që kur është ndarë nga Ish-Jugosllavia.
Këtu janë gërshetuar interesat e saj për të përcaktuar rrugën në BE dhe në Nato.Ky referendum ka të bëjë me ekzistencën e saj si shtet. Kontraditat me Greqinë kanë çuar regresin zhvillimor të saj në ekonomi, në pjesëmarrjen në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në mbylljen e rrugës për në BE dhe NATO.
Puna për bindjen e popullatës për këtë eveniment të madh, dhe masat për organizimin e tij, lanë shumë për të dëshiruar,ato u reflektuan në një pjesëmarrje shumë të vogël në referendum, 37% e popullsisë që ishte regjistruar në listat e votimit.
Forcat pozitive,dhe, veçanërisht qeveria,u perfshinë në vetëkënaqësi.Vazhduan me mitingje euforike, duke pasur dhe përkrahjen e Amerikës dhe të Bashkimit Europian, e nënvleftësuan punën me njerëzit e thjeshtë, i nënvlerësuan masat organizative që duhet të merrnin për referendum, menduan se tani çdo gjë është në rrugën e duhur dhe fitorja është e padiskutueshme.
Por ato nënvlerësuan disa gjëra që,në dukje, ishin të vogla, por thelbësore për referendumin.
Së pari,ato nuk pastruan listat e zgedhësve, në të cilat kishte votues që ishin regjistruar njëherësh në dy qytete; kishte persona që ishin regjistruar deri në tri herë.Kishte të vdekur të paçregjistruar. Pra, ky ishte gabimi fatal, se këto ulën pjesëmarrjen në votim dhe nuk u arrit objektivi 50+1, por 37%. Këtu duhet të ishte rezistuar,se bindja për të votuar nuk ishte konsoliduar në pjesën më të madhe të votuesve.Sot nuk ka vlerë ndarja e këtij mishmashi që solli mosrealizimin e objektivit. 
Së dyti,këto pasiguri e dobësi i vërteton rezultati i zgjedhjeve, se ,nga 900 mijë votues që duheshin,600 mijë votuan pro pyetjeve të referendumit.Kjo shifër asnjëherë nuk është arritur në zgjedhje nga asnjë koalicion qeveritar, pra, dëshira e popullit është për një Maqedoni Europiane.
Së treti, me gjithë punën që u bë për të penguar ndërhyrjet nga jashtë, që përkrahnin kundërshtarët e referendumit,kjo nuk u arrit. Vetëm 24 orë para referendumit,u lëshuan nga ajri qindra mijë fletëvolante dhe broshura kundër pjesëmarrjes në votime.Të gjitha këto gabime në këtë fushatë bënë që frutet të mos ishin ato që dëshironin.
Por këtu ka dhe një shpresë të madhe që puna të vazhdojë në parlament, se 600 mijë votues ishin pro, pra, 91% e pjesëmarrësve në votim, ishte numri i maqedonsve ,ai që ishte rënë dakort me Greqinë. 
Nga ky votim në Maqedoni, të gjithë vendet e Ballkanit dhe, veçanërisht kombi shqiptar, duhet të nxjerrë mësime për ndërhyrjet nga jashtë, veçanërisht ato që Rusia ka përcaktuar objektiva konkrete në kohë dhe në hapësirë.Një nënvlerësim ose një lëshim i vogël, do të jetë fatal për gjithë punën e bërë deri tani.Këto kushte të arta për Ballkanin për t`u konsoliduar në anën Perëndimore, zor se mund t`i krijohen më në rrethana kaq të favorshme. Duhet të mos triumfojë ideja personale e deputetëve dhe e funksionarëve në Maqedoni mbi atë kombëtare, për të mirën e Maqedonisë, për të mirën e gjithësecilit dhe te presidenti aktual, Ivanov, që është kundër me mendje, veprime, e çdo gjë. 
Ky mund të jetë një rast i rrallë dhe unik që një person me përgjegjësi kryesore të bëhet kundërshtar kryesor për përparimin e Maqedonisë, të vendit që ai sot e drejton si kryetar shteti, dhe ,me sa duket ,logjika nuk i punon për interesat e vendit por për pyjet dhe stepat e Rusisë. 
Neë York 30 shtator 2018  
Pushteti nuk merret me debilë
5 tetor 2018
Duke ndjekur,këto 3-4 ditë, lajmet dhe analizat në televizionet shqiptare, mendova të hedh në shënimet e kësaj dite disa mendime të miat për këto probleme.
Pak ditë më parë, një oficer i policisë gjyqësore, që aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë, në kërkim të azilit politik, përmes  një televizioni të lidhur ngushtë me opozitën, bëri një “denoncim”.
Ai nis nga halli i vërtetë i një vajze dhe i jetës së saj private.Kjo mund të ndodhë në të gjitha kohërat dhe kudo.Ai ndërtoi  alibinë me ndihmën e Partisë Demokratike, një skenë që i ngjante Babales së para disa ditëve, duke akuzuar shumicën e qeverisë dhe njërin nga eksponentët e saj,të cilët e kishin kërcënuar me pistoletë në kokë,duke veçuar me emër kryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballën.
Kjo alibi ishte qepur keq,sepse dhe ata e dinin se nuk kishte asgjë të vërtetë, se ekspertiza e bërë jashtë, nxori në shesh pavërtetësinë e saj.
Pikërisht, këtë ditë, kur erdhi përgjigjja e saj, punonjësi i policisë, Nuhu me gazetarët e Partisë Demokratike, nën udhëheqjen e Sali Berishës organizuan “Babalen 2”,duke i plotësuar kërkesën për azil e premtim për detyra të larta kur ajo të vijë në pushtet.Ai,pas manovrave që bëri në Shqipëri për besueshmërinë e veprimeve të tij, u largua nga detyra dhe nga vendi. Veprimet e tij i ngjajnë thënies së Konicës :“Ne jemi trima, se dalim nga vrima”.
Kjo ishte njëra nga përpjekjet e herë pas hershme,për të krijuar një situatë të acaruar  si mjet për të marrë pushtetin.
Pushteti nuk merret me debilë, aq më pak mund të merret me debilë të tillë, që, sapo ia mbathin nga vendi, nuk përtojnë të hedhin baltë mbi gjithçka, të vihen në shërbim të një force politike, kushdo qoftë ajo, të bëhen vegël në duart e kujtdo, duke pritur shpërblimin përkatës.
Rasti i një nëpunësi të rëndësishëm, aq më shumë në një strukturë që po rimëkëmbet, atë të drejtësisë dhe policisë së shtetit, i cili duke braktisur vendin e punës, për të qënë azilant në një vend të huaj dhe për të arrit të hedhë llum mbi vendin e tij, nuk është as i pari dhe as i fundit.Ka ndodhur herë pas here dhe, me këtë mendësi që po krijohet, mund të ndodhë përsëri.
Kur gjithçka është në një veçim politik,nuk ka asnjë arsye për t`u shqetësuar, sepse, në këtë rast, të kujtohet një varg i famshëm, “njëshi është zero e hiç”.
Por, kur ky hiç, vihet në rrugën e një force politike, që herë herë, ka qeverisur, atëherë janë tri gjëra të mëdha, të cilat, ose duhen eliminuar që në fillimet e tyre, ose duhen ndëshkuar, kur gjithçka është sajuar, se sajesa e tyre, domosdo, do të jetë e bujshme, nxit dhe krijon pështjellime të rënda për vendin.
Babalja i dëshmoi se sa larg janë të gatshëm të shkojnë, disa nga udhëtarët e Shqupit (Zyrat e P.Demokratike), të cilët nuk ngurrojnë të bëhen pjesë e një krimi, duke ditur se nuk do të ndëshkohet askush, dhe se sajesat e tyre do mosdo do të jenë të bujshme,edhe pse është tejet e përkohshme.Babalja 1 dëshmoi se opozita nuk është larg lidhjes dhe me elementët e krimit si babale, ajo është e gatshme të përdorë cilindo, që mund t`i shërbejë, qofshin dhe kamikazë, ata mund të blejnë njerëz të kriminalizuar, të cilët janë nga fundërrinat e shoqërisë normale dhe e marrin me dëshirë këtë rol, duke pasur dhe shpërblimin e tyre material. Ofertat e opozitës sonë kanë para vetes tri gjëra të mëdha tani:
Së pari: Opozita në Shqipëri është e gatshme të hedhë në erë gjithçka, edhe nderin, edhe mendjen, edhe paratë për të ardhur në pushtet. Ajo nuk e ka për gjë të devijojë çdo gjë, të mundet për të bërë një kanal të ri, ku rrjedhin ujrat e pista dhe,përmes të cilave, mendojnë foshnjërisht se do të përlyhet vetëm shumica e qeverisë. Kjo opozitë, që si ide të veten ka vetëm një: “vetingun për politikën”, i cili i ngjan një grushti institucional të shtetit, dhe për të bërë shumicën në një mendje me ta, e vendos atë para skemave të tilla, të qepura si mos më keq, zindjellëse dhe trishtuese.
Opozita Basha, e njohur më shumë si gjobëvënëse dhe e provuar, kur ishte në pushtet, si grabitëse e gjithçkaje që i doli përpara, nuk mund të rrëzojë një qeverisje e cila dhe pse e lodhur nga mëkatet e saj, ndjehet komode kur Basha e kompani merren me cingërima të tilla dhe me mendjen mjerane të disa aleatëve që kanë pas vetes vetëm një grusht simpatizantësh,të cilët, pot ë vepronin të veçuar s`do ta shihnin kurrë derën e parlamentit,siç nuk e kanë parë në disa zgjedhje të zhvilluara.
Në stafin e sotëm të opozitës nuk gjen asnjë në jetën e saj politike, një fitore të vetme,por gjen aq shumë që janë bërë të pasur përmes pushtetit që ato kanë përdorur në vite.
Së dyti: Përballë pushtetit është një opozitë e cila është e gatshme të përdorë dhe  jetë njerëzore, krejt të pafajshme në përditshmërinë e tyre, që kanë në vetvete një brengë të madhe, një hall jetësor dhe që, pas të gjithave, e ndjejnë mbi vete dhe pastrimin e dytë, kësaj here nga politika.
Jeta e kësaj vajze tani përgjohet nga ata që shkruajnë dhe në parlament mesazhe të pështira dashurie perverse dhe për një çunak që nuk e ka për gjë të ketë pas vetes afera të rënda që ia mbulon deputetllëku e pasuria, që ka bërë karrierë politike përmes aferës e jo mendjes dhe erudicionit të tij, dhe që sot duke e lidhur jetën e ksaj vajze me politikën, dëshmojnë se janë të gatshëm të futen dhe në shtrat bashkëshortor. Në jetën e kësaj vajze, e cila ishte më mirë në anonimatin e saj, janë strukur që nga Berisha që është në fakt inspiruesi kryesor i kësaj afere, përmes  një qytetari dixhital e deri te Flamur Ndoka,  nxitës i përçarjes së shqiptarëve dhe i shkatërrimit të Shqipërisë.
Së treti: Forma të tilla po bëhen të zakonshme.Thirrja në ndihmë e gjithfarë halabakësh, që nga kriminelët e dënuar e deri te oficerë gjyqësorë,të cilët marrin arratinë për të bërë një dëshmi, si garanci për strehim politik, po futen në jetën e politikës shqiptare këto dy vitet e fundit.
Mirë,por çfarë ndodh pas këtyre?
Edhe pse këto “denoncime”, dëshmohen se janë trillime të lindura në sallat e Partisë Demokratike, edhe pse autorët janë të marrë politikë,edhe pse krijohet një turbullirë politike, përsëri askush nuk dënohet, askush nuk mban përgjegjësi dhe askush nuk hetohet.
Shpifja dhe dënimi i saj,aq më tepër në këto kushte, edhe për këto qëllime të rënda, është e sanksionuar në të gjithë legjislacionin tonë juridik, por kalon në harresë, sepse pas tyre qëndron politika.
Ka ardhur koha që, në Shqipëri, të dy krahët e politikës të mbajnë përgjegjësinë për shpifje, sajimet, trillimet ,të cilat dëmtojnë jetë njerëzish e interest e vendit. 
Nëse kjo nuk bëhet,atëherë,shpifja trillimi do të kenë të drejtën e qytetarisë dhe askush të mos qahet më se nesër do t`i thonë hajdut, vrasës, mashtrues, tradhtar etj.
Ështe detyrë e shtetit ligjor, në çdo vend dhe në Shqipëri, që të zbatojë me rigoriozitet ligjet, të hartojë dhe të tjera nëse duhen, që çdo gjë të shkojë në vendin e vet.Opozita shqiptare nuk duhet të jetë gjithmonë skeptike dhe kundërshtuese për problemet që kanë të bëjnë me çuarjen përpara të zhvillimit të vendit e të kombit tonë për një jetë normale me gjithë karakteristikat e saj.
Na ther zemra për së largu  për ato që ndodhin në vendin tonë të lindjes. Kam shumë shpresë se gjërat po ndryshojnë për mirë, për jetën dhe vlerën e këtij kombi, nga më të vjetrit në këtë siujdhesë ilirike, të vuajtur e të çoroditur këto vite tranzicioni, gjithnjë me shpresë për këtë nuse të Ballkanit… 
N.Y 5 shtator 2018
8 tetor 2018
Një bletë  punëtore u mblodh në zgjuan modern të saj.
Sot mendova të hedh disa falë në këtë ditar në biblotekën e Bruklinit, pasi në orën 10, mbarova “Historinë e Skënderbeut” të shkruar nga Aurel Plasari, një histori politiko-historike.
Duke shikuar fotografitë e bëra në celebrimin e martesës së Mariusit në dhjetor të vitit të kaluar, ato më sollën në kujtesë disa grimca jete të tij. Si nipi i parë i brezit tim ai, para 20 vjetësh, arriti në Angli bashkë me nënën e tij Albana. Ata u bashkuan me të atin,Tanin, i cili kishte kohë që kishte emigruar në Angli. Pas një pune të lodhshme prej disa vitesh, u bënë rezidentë në Angli, u stabilizuan me shtëpi, me punë, me një jetë normale, duke iu përshtatur në mënyrë perfekte traditave dhe zakoneve të jetës angleze.
Vitet kalojnë,Mario merr shenjat e pjekurisë. Ato u dukën në shkollë, në trupin e tij të skalitur ,në sjellje e në marrëdhënie me shoqërinë. Është si një gonxhe që është ushqyer mirë në vazon e saj,duke nxjerrë një lule të shëndetshme, që vjen duke u zbukuruar nga viti në vit. Ky tulipan i bukur dhe aromatik, po piqet dhe do të biskojë , bisqet do të shumëzohen për të nxjerrë dhe të tjera, që do të zbukurojnë ambientet ku ato do të zhvillohen.Në këtë tulipan,çdo ditë kontaktonin bletët punëtore për të siguruar polen e nektar për zgjoin e tyre modern. Bashkë me grupin e bletëve punëtore ishte dhe një mashkull i cili nxitonte nga lulja në lule, për të gjetur atë që do të bëhej kënaqësia e tij shpirtërore dhe jetësore.
Ajo ishte një manushaqe ngjyrë vjollcë, e cila i tërhoqi vëmendjen, i bëri përshtypje për bukurinë, shkathtësinë, për të grumbulluar sa më shumë polen e nektar,i pëlqyen lulet e freskëta që ajo kërkonte, mençuria e saj në komunikim me shoqet  punëtore.
Tulipani me ngjyrën e verdhë si ngjyrë xhelozie,nuk ka të bëjë me veprimet, por me zemërgjerësinë. Ndërsa vjollca me ngjyrë të këndshme si lulja që jep….e parë të pranverës, shndrit kudo qe del. Këto lule thithin aromën e njëri- tjetrit dhe plotësonë njëri-tjetrin,cilësitë e tyre të përbashkëta bënë që të bashkohen në zgjoin modern të jetës. Këto simbole tregojnë se Mario dhe Enxhi e gjetën rrugën e bashkimit të tyre për jetën, në një rrugë plot me simbole, me gëzime, me kushte për të njohur cenet e njëri-tjetrit,prandaj janë ideal në përmbajtje dhe në formë,të gëzuar e të harmonizuar me jetën, me shoqërinë, me familjen.Prandaj, dhe vendimin për krijimin e një celule familjare e morën në një moshë të tillë 22-24 vjeç.
Qymyri kishte ndezje të hershme,por tani i doli flaka furrës dhe aliazhi i nevojshëm në kohën dhe momentin e duhur.
Gonxhja e tulipanit u bashkua me lulevjollcën,nga lulet e para që çel në pranverë, është ajo që sjell sinjalin e parë të stinës më të bukur të vitit, pranverës. Të dyja lulet u bashkuan dhe po punojnë për një jetë të re,në kohë moderne siç është sot.
Kjo bletë e re simbolizon Marion dhe Enxhin,shoqen e tij të ngushtë të jetës. Ky çift simpatik dhe elegant të jep shpresë të plotë se do të ndërtojnë një zgjua modern me një prodhim që do t`i lumturojë ata, dhe do të lartësojë gëzimin e prindërve të cilët u kanë krijuar kushte të përshtatshme në punën e tyre. Ata do të fillojnë të hedhin hapat e sigurt për një jetë të gjatë, në rrugën e së cilës do të ketë dhe vështirësi e peripeci për të realizuar qëllimet e saj. Por harmonia midis tyre, aftësitë që kanë, origjina e pastër dhe e shëndoshë familjare,është një garanci për një të ardhme plot gëzim e lumturi.
Janë dy personazhe, që, në aparencë, duken sikur janë të një geni të qeshur; të qetë, të gëzuar, por te shkathtësia ndryshojnë pak. Mario është një tip flegmatik, ka një botë më vete, çdo gjë e ndjek sipas rrjedhës së ngjarjeve të saj, dhe pak mundohet ta përshpejtojë objektivin që do të realizojë. Gjithmonë i vëmendshëm, ndërsa Enxhi, e shkathët, këmbëngulëse, për t`i shkuar çdo pune deri në fund,sa më shpejt të jetë e mundur.Këto cilësi plotësojnë njëri-tjetrin dhe  ka siguri se jeta do t`u buzëqeshë përherë.
Kur shikoj  fotografitë e tyre të martesës në Danimarkë, më duken si dy yje vezullues që lëshojnë rreze të forta  në sytë e prindërve dhe të afërmve në këtë gëzim.Në polifoto,kjo dukej dhe nga prindërit e tyre, të Tanit, Albanës, Shaqirit, Dritës, e të tjerëve.Këto janë gëzime të paharruara për jetën. Prindërit, që nga ky moment, krijojnë një bletë të re, e cila do të fillojë punën në zgjoin e saj modern me të gjitha të mirat e jetës, me gëzime, me trashëgimtar, me luftë e përpjekje për ta pasur jetën gjithmonë me të gjitha gjërat, që nevojiten e për të nxjerrë nga ky zgjua mjaltë të cilësisë së lartë.
Meditova pranë fotografive që na dërguan nga Danimarka, këtu në N.York të ShBA,në anën tjetër të rruzullit. Bashkë me Dritën i shikojmë me vëmendje dhe, shpesh nga gëzimi dhe mallëngjimi, na mbushen sytë me lotë, që në këto momente kyçe të jetës së tyre nuk iu ndodhëm pranë, nuk i patëm mundësitë qe t`i uronim dhe t`i përqafonim në këtë ngjarjetë rëndësishme .
Emigrimi solli shumë të mira, por lëngoi dhe zemrat e sa nënave, baballarëve dhe gjyshërve e gjysheve, që,në gëzime të tilla të veçanta, nuk marrin pjesë.

Përqafime: Drita, Ahmeti.
N.Y.SHBA

17 tetor 2018
Rexhep Pashë Mati,figurë e shquar për lirinë e Shqipërisë.
Sot,duke shfletuar kalendarin historik në biblotekën e N.Y, në Manhatan, mendova të shkruaj disa gjëra për figurën e shquar të Rilindjes sonë, Rexhep Pashë Mati, i cili lindi në Mat dhe aktivitetin e zhvilloi në Turqi.
Së pari: Disa të dhëna biografike.
Ai lindi më 1841,në Batër të Madhe të Matit, në një familje të thjeshtë fshatare, por e njohur në krahinë. I ati, Mulla Hasan Ruçi,kishte shkuar në kurbet dhe ishte vendosur në Edrene, aty pati hapur dhe një furrë buke.
Rexhepin, në një moshë fare të re, e futi në shkollën e qytezës ku banonte, më pas e dërgoi në shkollë ushtarake,të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira. Për zgjuarësinë dhe aftësinë e rrallë të tij, që kur ishte 22-23 vjeç, më 1864, u gradua drejtpërdrejt kapiten i klasit të dytë,dhe, brenda dy dhjetë vjeçarëve, u gradua pesë here,arriti gradën e gjeneralit dhe të komandantit të divizionit në ushtrinë perandorake. Kështu, më 1869, u gradua kapiten i parë; më 1871,u bë major dhe nënperfekt i ushtrisë në grupin e pestë të armatës së gjashtë, më 1875, me gradën e nënkolonelit , shërbeu në rajonin e kufirit të Janinës. Më 1877,u caktua në drejtimin e divizionit të Bosnje-Hercegovinës të armatës së tetë dhe,më 1883, u gradua general dhe komandant i divizionit të VI-të në armatën e Selanikut e të Korçës.
Kjo karrierë e pazakontë nuk ia mori mendjen Rexhepit.Ai nuk harroi për asnjë çast, atdheun e tij të robëruar, të shtypur e të përbuzur. Por mendja i punoi ditë e natë , për aq sa e lejuan rrethanat, për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Ai e mendonte Shqipërinë të ndarë në katër vilajete 1) Kosovë 2)Manastir 3) Janinë 4) Shkodër.Shpesh dërgonte ndihma në fshatin e tij të lindjes për rrugë dhe  kanalet vaditëse.Ndjenja atdhetare ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e tij, megjithëse kryente detyra të larta në Perandorinë Osmane.
Së dyti: Lidhjet e tij me bashkëkombësit patriotë që punonin e jetonin atje, ka qenë e vazhdueshme dhe e pandërprerë. Hyri ne lidhje dhe u njoh me shumë figura patriotike si: me Ismail Qemalin, Seit Najdenin, Ali Pashë Gucinë, Hoxha Tahsimin, Isa Boletinin, Dedë Gjo Lulin e të tjerë dhe, bashkë me ta, luftoi për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. 
Si komandant i shquar ushtarak që ishte,Porta e Lartë e dërgoi shpeshherë për shtypjen e kryengritjeve në viset e ndryshme të Perandorisë.Por ai nuk zbatoi asnjëherë urdhërat për të masakruar kryengritësit e  popullsinë. Më 1878, kur në Kosovë populli ishte ngritur kundër sundimit turk dhe disa masave që kishte marrë qeveria, Rexhepi u urdhërua që ta shtypte me forcë kryengritjen dhe të masakronte popullësin e Drenicës e të viseve të tjera, por në vend që të zbatonte urdhërin, ai mori në mbrotje krerët dhe shpëtoi popullsinë nga masakrat. 
Në pretekstin e mbrojtjes nga rreziku sllav,arriti të sigurojë pëlqimin e Sulltanit,për të hapur shkollat ushtarake dhe për të përgatitur masat popullore në aspektin e mbrojtjes ushtarake.Porse qëllimi i vërtetë i këtyre përgatitjeve u muar vesh nga Sulltani.Kjo e tërboi Sulltanin dhe, në 1895, e transferoi Rexhepin në formë internimi në Tarabulus me detyrën e Valiut dhe të komandantit të Tripolit të Libisë.Aty qëndroi deri në fillimet e gushtit 1908. Kjo ia shtoi më tepër urrejtjen kundër Portës së Lartë dhe e mobilizoi edhe më shumë në përmbushjen e idealeve kombëtare.Me punën dhe me sjelljen ndaj ushtarëve, me përkrahjen që u jepte forcave përparimtare, Rexhep Pashë Mati fitoi popullaritet të madh.Si Vali ai punoi për rimkëmbjen dhe zhvillimin e vendit;me lirat që mblidhte nga populli krijoi Bankën Kombëtare të Tripolitanisë. Kjo preku interesat e kapitalit italian, i cili ndërhyri pranë Sulltanit dhe banka u mbyll. 
Rrethet borgjeze i propozuan ta shpallnin Mbret dhe të shkëputeshin nga sundimi Osman.Por ai nuk e pranoj ofertën duke u thënë se kishte të tjera detyra më të mëdha ndaj kombit të vet. Gjatë një vizite të tij me gruan në një repart ushtarak dhe në ngrënien e drekës bashkë me ushtarët, duke shikuar ushqimin e dobët, ai mori vesh për abuzimet e shpërdorime dhe dënoi me vdekje vartësit, pa pëlqimin e Sulltanit.Kjo bëri një jehonë të madhe në shtypin e kohës.U vlerësua si një gjest i rrallë thjeshtësie për një udhëheqës ushtarak e politik.
Këto qëndrime, ndërsa i shtonin simpatinë dhe respektin e masave popullore e të ushtarëve,shikoheshin me dyshim nga Porta e Lartë.Por ajo që e shqetësonte më shumë Portën e Lartë, ishin përpjekjet që bënte Rexhep Pasha, në bashkëpunim me patriotët e tjerë shqiptarë, për pavarësinë e Shqipërisë e të popujve të tjerë të robruar. 
Së treti: Bashkëpunimi me Ismail Qemalin. Nga fillimi i viteve 1900, në përmbledhjen e Ismail Qemalit për pavarësinë e Shqipërisë,një vend të rëndësishëm zënë vlerësimet për Rexhep Pashë Matin dhe komunikimet për organizimin e pavarësisë së Shqipërisë nga zgjedha otomane. Midis të tjerave, ai shkruan për Rexhep Pash Matin: “Në fillimet e viteve 1900, kur patriotët shqiptarë po përgatiteshin për një plan me veprime të armatosura kundër regjimit të Sulltan Hamitit,Rexhep Pashë Mati  duket njeri i aftë për një ndërmarrje të tillë, ai kishte kurajo të denjë për një shqiptar dhe njihej për patriotizmën e tij të lartë. Po të merrte ai Selanikun, sipas planit, me një pjesë të ushtrisë së tij, ai do të tërhiqte në anën e vet të gjithë shqiptarët.Me anë të korrespondencës së fshehtë unë kisha marr prej tij sigurinë se, në qoftë se do të siguroheshin mjetet për transportimin e ushtarëve,Marshalli do të ishte gati për të zbatuar këtë porosi.”
Plani parashikonte që, pasi të zbarkonin në Selanik, forcat e Rexhep Pashë Matit, do t`i dërgohej ultimatum Sulltanit për të pranuar kërkesën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, e, në rast të kundërt, të marshonin drejt Stambollit. Mjetet e siguruara në Greqi,nën presionin anglez u tërhoqën, dhe plani mbeti pa u zbatuar. 
Rexhepi dëshironte Shqipërinë jo vetëm të lirë e të pavarur, por dhe të zhvilluar si ekonomikisht, politikisht dhe nga ana kulturore dhe arsimore. Në një letër që i dërgonte më 1907 bashkëkombësit të tij me ndjenja patriotike në atë kohë, Jakup Matit (Metra), ndër të tjera ai i shkruante: “Atdheu ynë është një burim plot xhevahirë. Por ai nuk përparon se i mungojnë shkollat dhe universitetet, për ta xhveshur prej rane atë xhevahir”Në fillim të gushtit 1908, Rexhep Pasha nisi për në Mat sekretarin e tij personal me një letër për parinë e Matit, ku i porosiste për hapjen e shkollave shqipe dhe u premtonte ndihmë për mbajtjen e tyre.
Siç dihet nga historia,kryengritjet e vazhdueshme të popujve të robëruar dhe presionet e mëdha të brendshme dhe të jashtme e detyruan Sulltanin të shpallte në korrik të 1908 regjimin kushtetues, me një kushtetutë gjysmake që nuk u dha lirinë dhe pavarësinë popujve të robëruar të perandorisë.
Sulltani dhe oborrtarët e tij kishin kohë që mendonin për zhdukjen e Rexhep Pashë Matit,ashtu si dhe të figurave të tjera patriotike, sipas metodës së njohur të tyre:“O jatagani, o filxhani”.Kjo metodë kishte marrë në qafë dhe zhdukur me mijëra drejtues me këtë sistem anadollak.Edhe për patriotin tonë gjetën mënyrën më oportune për ta likuiduar.
Së katërti: Në fillim të gushtit 1908, me një ceremoni madhështore, e shpallën Ministër të Luftës së Perandorisë Osmane. Detyrë, kjo,e padëshiruar prej tij, për shkak të idealeve kombëtare.Dhe, pas 3 ditësh, Sulltani e emëroi ministër dhe e likuidoi me dredhi.
I përcjellë me respekt e dashuri nga ushtria dhe popullsia e Tripolit, Rexhep Pashë Mati,më 2 gusht 1908, arrin në Stamboll. Edhe këtu iu bë një pritje madhështore.Populli gjatë rrugës e mbuloi me brohoritje: “Ja Pasha, Ja Pasha”! “Rroftë Pashai, Rroftë Pashai”; sikur të ishte mbret e jo pasha.
Sulltani dhe oborrtarët e tij e pritën  me smirë. Këtë pritje dhe këtë jehonë pati ardhja e tij në detyrën e ministrit. Atyre u hyri frika se mos me këtë simpati e respekt,do të mësynte fronin e Sulltanit,prandaj i shpejtuan përpjekjet për zhdukjen fizike të tij. Për sy e faqe, sulltani dhe besnikët e tij, e pritën me plot elozhe e respekt. 
Të nesërmen, më 3 gusht 1908, Rexhep Pasha, në moshën 67 vjeçare, u gjend, i vdekur në karrige në zyrën e ministrisë. Për vrasjen e tij ka dy versione: “Versioni i parë, se u helmua me kafe. Për këtë version, ai ishte i përgatitur dhe nuk mund të gënjehej.Version i dytë,sipas “Gazetës Shqiptare”, që doli në Bari të Italisë, është se ai është ekzekutuar me korent.
Në xhepin e tij u get vetëm një letër ku ishin shënuar emrat e gjithë atyre që i kishin dhënë 11 mijë napolona ari ndihmë për çështjen kombëtare, si dhe emrat e patriotëve shqiptarë që u qenë dhënë këto ndihma, si: I. Qemali, të cilit i dërgonte 60 napolona çdo muaj, Shahin Kolonjës, 60 në vit etj.
Vdekja e parakohshme e Rexhep Pashë Matit ishte një humbje e madhe dhe e papritur për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe një pikëllim dhe për popullin e Matit,që humbi djalin e tij të paharruar.Kjo ishte një humbje e madhe për lëvizjen kombëtare. Figura të tilla populli i ka nderuar e do t`i nderojë gjithë jetën.  



Test në karate
24 tetor 2018
Sot është ditë e mërkurë,Joni, djali i vogël i vajzës 10 vjeç, ka test në karate për të marrë gradën e tretë dhe çertifikatën përkatëse. 
Në orën 5 pas dreke,qendra e karatesë ishte zbukuruar si për ditë feste, me flamuj, banderola, foto gjatë zhvillimit të praktikës së përditshme.Të gjithë studentët ishin veshur me kostumin karakteristik të karatesë.Zërat në sallë pushuan.Aty mbretëroi qetësia.Juria zuri vend në tavolinën qendrore. Studentët ishin rreshtuar në sallë,sipas gjatësisë e moshës, nga instruktorët të cilët qëndronin pranë çdo rreshti.
Drejtori i jurisë hapi aktivitetin me disa fjalë të goditura për këtë sport shkathtësie, zhdërvjelltësie dhe force si cilësitë e tij …
Nën drejtimin e instruktorëve filluan 3 të parë, për të reklamuar përgatitjen për ushtrimet provuese për testin.Joni ishte në treshen e parë,se dhe me trup tregon mbi moshën që ka.Nga i pari deri tek i fundit, i zhvilloi me shkathtësi e përpikmëri ushtrimet e planifikuara. Linda,në pjesën e sallës ku qëndronin pridërit, bënte foto për çdo ushtrim. Në përfundim, juria e vlerësoi me një notë shumë të mirë, ku mori dhe rripin e ri dhe çertifikatën për kalimin e testit. 
Menjëherë,pas mbarimit, ai u sul si shigjetë dhe erdhi e përqafoi Lindën dhe mua.Të gjithë u gëzuan dhe bënë disa foto me të.
Kjo ishte një ditë e veçantë për mua, se, që nga mosha 5 vjeç, e kam sjellë në këtë program dhe sot, në 10 vjetorin, nga një bebe i vogël që ishte, më duket se është burrëruar para kohe.Shpesh më sillen në kujtesë rastet fëminore kur e sollëm në këtë program, një bardhok i vogël që fliste pak, që inatosej kur nuk i bënte mirë ushtrimet, revoltohej me vetveten e ndonjëherë thoshte se nuk vinte më këtu. Këto erdhën duke u larguar dhe dëshira erdhi duke iu shtuar për këtë sport të mrekullueshëm që ka ndikuar shumë në shkathtësinë e tij në një rritje,pothuajse mbi moshën e tij. Kur e shikoj në ndonjë ushtrim të vështirë, sot më mbushen sytë me lotë se sa mirë, me shpejtësi e përpikmëri, i zbaton ato tani. 
Ky sport është shumë i këndshëm e i domosdoshëm për shëndetin dhe shkathtësinë e tij në jetë. Ky program që përfundon në moshën 15 vjeçare është i domosdoshëm për çdo fëmijë.Pas kësaj moshe, këtë e vazhdojnë ata që kanë aftësi të veçanta, me një program të veçantë për t`u bërë profesionistë në këtë lloj sporti.E veçanta e këtij programi është se niveli  i vështirsisë vjen duke u rritur shkallë shkallë e për çdo moshë. 
Më gëzoi dhe më lumturoi fakti kur Joni më thoshte: Faleminderit gjysh për çfarë ke bërë për mua, shumë shumë faleminderit!Këto fjalë dhe ky përqafim më çliroi nga shumë gjëra dhe m`u ba zemra mal kur, ky fëmijë i kësaj moshe, e vlerëson mundin dhe djersën që kemi shpenzuar me të gjatë këtyre 10 vjetëve të jetës së tij. 
Në këtë botë, çdo njeri duhet të bëjë vetëm gjëra të mira, të ndihmojë sadopak me shembullin e tij për të edukuar të tjerët me cilësitë më të larta të jetës si: me dashurinë për çdo njeri, sjelljen e tij në familje e shoqëri, me dashurinë për punën, me ambicien për një jetë më të mirë dhe pasionin për të studiuar e mësuar të fshehtat e jetës. Në të gjitha këto cilësi, një vend të rëndësishëm zë mendimi se nuk duhet të kënaqesh me atë që ke arritur, por atë ta çosh më përpara për të arritur objektiva të tjera. Ai që ndikon këtu është formimi i gjithanshëm për jetën, e këtë e siguron dëshira e vazhdueshme  dhe e pandërprerë për të studiuar. 

                                                                     26 tetor 2018
Vrasja e gazetarit saudit ishte një kanibalizëm dhe ngjarja më skandaloze e këtij shekulli në gazetarinë botërore.
Kjo ngjarje ndodhi para tri javësh në Ambasadën e Arabisë Saudite në Stamboll.Gazetari Xhemal Kashogi ishte me shtetësi amerikane dhe kombësi saudite,kishte shkuar në ambasadë bashkë me të shoqen, për të marrë një dokument celebrues.Por ai u fut në ambasadë dhe nuk doli më i gjallë prej saj, gruaja priti deri në orën 8 të mbrëmjes, dhe shkoi në policinë turke e bëri denoncim.  Në ambasadën Sudite, ai u vra dhe, pasi u vra, u bë copa copa, u fut në një thes për ta varrosur diku jashtë ambasade. 
Ky u bë një problem i madh ndërkombëtar. Arabia Saudite, në fillim, e mohoi vrasjen, pastaj, nën presionin e Turqisë dhe Amerikës, e pranoi dhe,gjatë kohës, ka dhënë disa versione për vrasjen.Turqia kërkoi autorizim për të zbuluar çeshtjen në Ambasadë.Zëvendëspresidenti amerikan shkoi në Arabinë Saudite për sqarime, më vonë, drejtoresha e CIA-së amerikane shkoi në Turqi. Në arenën ndërkombëtare,të gjitha mediat dhe disa shtete,bllokuan e bojkotuan aktivitetet e Arabisë Saudite.
Lind pyetja , pse u bë ky krim i shëmtuar?
Së pari, ai ishte një ndër gazetarët që kishte kritikuar udhëheqjen saudite për punën e saj. Ai nxori në pah me artikujt e tij, brenda dhe jashtë Arabisë Saudite, të palarat e Mbretërisë dhe korrupsionin galopant që bëhej me naftën, se kjo është zemra ku merr rrugë në të gjithë botën ari i zi, se Arabia Saudite është drejtuesja e OPEKUT. 
Prandaj, për këto probleme, gazetari u detyrua të kërkojë azil politik në Amerikë, aty u bë qytetar amerikan dhe zhvillonte aktivitetin e tij që binte ndesh me veprimtarinë e Mbretësisë Saudite.Si rezultat i kësaj pune,ai ndiqej nga sauditët kudo që punonte dhe ato morën vendim për ta zhdukur. 
Së dyti, për zhdukjen e tij, një ditë para, u nis për në ambasadën e Arabisë Saudite në Turqi një grup prej 18 vetësh nën drejtimin e një këshilltari të Mbretit Saudit, një plan i mirorganizuar, por me një zbatim jo profesionist. Këtë e tregojnë dhe veprimet e mëpastajme të ngjarjes.Vetëm dhënia e tri varianteve për praninë e ekzekutimit të tij vërtetojnë këtë dhe masat që propozon Arabia që do të marrë ndaj njerëzve që kryen aktin e shëmtuar. 
Së treti, Arabia Saudite nuk e kishte menduar se në këtë çështje do të vepronte kaq ashpër Amerika dhe Turqia, se ajo kishte lidhje shumë të forta religjioze me Turqinë.
Por këto dy shtete e detyruan Arabinë Saudite që të zbërthehej ngadalë, deri në fund.Një mendjelehtësi e tillë, bëri që ajo të diskreditohej para gjithë botës për veprime të tilla që bien ndesh me rregullat e demokracisë dhe të jetës gazetareske, me Pushtetin e Katërt që është një ndër më të fuqishmit në botë në çdo shtet.Organet e informacionit po vënë në vështirësi dhe Donald Trumpin në Amerikë, jo më Arabinë Saudite.Ky pushtet në gjithë botën është në antagonizëm me pushtetin, diku më i lartë, diku më i ashpër, dhe kur ai shpërdorohet, bëhet shumë i ashpër.
Prandaj, mendjelehtësia ndaj këtij pushteti, u ka sjellë probleme shumë udhëheqësve në botë dhe kjo është dhe arsyeja që po përdoren metoda nga më të ndryshmet për të përjashtuar nga kjo ngjarje Mbretërinë Saudite, mbretin Mohamed bin Salaman.
Së katërti,meqë ky megaskandal po merr përmasa të mëdha për pjesëmarrjen e gjithë mbretërisë saudite në këtë veprimtari, ajo mundohet që, me të gjitha format dhe veprimet e saj,të vërtetojë se në këtë ngjarje nuk ka marrë pjesë mbreti; e këtij mendimi është dhe Amerika e cila u shpreh kështu, pas kthimit nga Arabia Saudite Zv.presidenti amerikan.Ai mbeti i kënaqur me masat që po merr Arabia Saudite dhe problemit po i shkohet deri në fund. Sot, mbreti Saudit takoi djalin e gazetarit të ndjerë, i solli ngushëllime të ftohta si akulli dhe i dha vizën që të shkojë për banim në Amerikë me gjithë familje.Po pse bëhen këto pinpongje me Amerikën?Kjo vjen se Arabia Saudite ka bërë kontratë 100 miliardë dollarë me Amerikën për të blerë material luftarak.  Pse iu dha djalit të gazetarit viza tani, pas këtij krimi kur, më para, i ishte mohuar kategorikisht. I dashur lexues,këto janë skutat e panjohura të politikës, të cilat, në çdo shtet, veprojnë me sistemin e aizbergut.Vrasje gazetarësh ka pasur në shumë vende të botës,por që urrejta të shkojë deri këtu, në këtë skandal kanibalizmi,është e paimagjinueshme dhe e dëmshme dhe e papërligjshme për çdo sistem shoqëror. 
                                                              29 tetor 2018
Një ditë e pensionistit në N.Y
Sot është një ditë e bukur këtu në N.Y.,ka filluar të ngrohet koha dhe temperatura mbetet normale. Natyra këtu është akoma e gjelbërt,nuk ka marrë ngjyrën e verdhë. Mosha e tretë është nëpër parqe dhe në kënde lojërash, për të bërë ushtrime të lehta,për të gjallëruar lëvizjet fizike të trupit, për ta shpirë atë nga qëndrimi në shtrat për disa orë gjatë natës.Disa që janë më të fuqishëm i sheh në vegla, disa duke vrapuar,disa të përzier me kinezët, që,për çdo mëngjes, me qindra mbushin parqet me aparate për të regjistruar ushtrime të ndryshme fizike,të shoqëruar dhe me muzikë.Kafenetë janë pothuaj të boshatisura,njerëzit me gotat e kafesë në dorë, e pinë rrugës për në punë. Të moshuarit,pas orës 10.00, i sheh në tavolina nëpër parqe,duke luajtur lojëra të ndryshme e para mbajnë nga një gotë kafe që e rrufisin herë pas here, dhe ndonjë që bëhet nervoz në lojë ose ka humbur dhe e perplas përtokë.Të pakët janë ato që i sheh me ndonjë libër apo gazetë.
Sot është një ditë e shënuar dhe për mua, se do t`i bashkohem kësaj  turme.Mendoj se nuk duhet ta ndërtoj jetën kështu, por do të zgjedh një shok që, dhe kur humb, të mos e përplasë gotën e kafesë përtokë.Ky shok  është libri dhe vendi i tij është bibloteka.
Para 10 vjetësh në moshën 70 vjeçare, më 29 tetor të vitit 2009, kam zbritur në aeroportin “Kenedi” bashkë me Dritën, të pajisur me një hyrje me Llotarinë Amerikane. Si sot 10 vjet, erdhëm në këtë vend të bekuar, do të thosha, për moshat e treta.
Në aeroport,  doli djali dhe, pas përshëndetjeve, u nisëm te shtëpia ku priste Linda, vajza me djalin e vogël, Jonin, i cili nuk ishte më shumë se 14 muajsh.U çmallëm dhe u rehatuam, dhoma jonë ishte përgatitur si për dasëm, çdo gjë ishte e re, e sistemuar si më bukur. Kështu nisi jeta ime në Amerikë bashkë me Dritën, dhe me të dy fëmijët që kishin 3 vjet që kishin ardhur dhe ato me llotari. Është pak si e çuditshme, që nga një familje të dalin tri llotari amerikane, por, ja që në jetë ndodhin dhe këto.
Në këtë 10 vjetor të qëndrimit në Amerikë, gëzohem se kemi realizuar ato objektiva që i kemi vënë vetes bashkë me fëmijët,të cilët janë sistemuar në punë të mira sipas profesioneve që ato kanë përfituar në mbarimin e shkollës së lartë, kolegje, të pajisur me pasaportë (sivjet) amerikane.Gëzohem për këto që kemi arritur por, në anën tjetër, hidhërohem se  koha iku pa u ndjerë dhe siç thotë Naimi I madh:”Më erdh shtriga pleqëria,fshehtazi si qen i qetë.”. Koha e qëndrimit këtu ka bërë që dhe shëndeti të përmirësohet shumë.Ka larmi vendesh, kinema, muzeume, akuariume,kopshte zoologjike, bibloteka e vende çlodhëse, cilido nga mosha e tretë ka shumë variante për ta kaluar kohën e lirë.
Më shqetëson fakti se bashkëkombësit e mi e vrasin jetën duke lozur letra e domino, të cilat, shpeshherë, bëhen dhe mollë sherri midis tyre.Janë të rrallë, për mos me thanë se nuk janë  fare  anëtarë të një bibloteke ose t`i shohësh me një libër në dorë. Shpeshherë, kur kaloj pranë tyre në park, shoh në ato tavolina, ku jo rrallëherë përdoret dhe një falor i papërshtatshëm,njerëz  që kanë punuar dhe në dikastere qendrore të vendit tonë.
Një ditë, i them njërit, pasi u pyetëm, po pse vjen këtu or-x- po ti di dhe gjuhë të huaj, se ke luajtur shpesh rolin e perkthyesit në dikaster,biblioteka nuk është as 100 m. prej këtej, ka kushte shumë të mira për studim, ngrohet për dimër dhe freskohet për verë, me qetësi dhe  rreth 150 tituj janë në shqip, veç atyre që kanë lexuesit nëpër duar e në shtëpi; ai ngriti krahët. Disa i tjetërson largimi nga vendlindja.Pavarësisht se jemi në një moshë të thyer tani, ne duhet të kalojmë kohën e lirë në mënyrë sa më të kulturuar.Por siç duket, këtu,shumë nga këta i kap rutina dhe përfshihen në momente të cilat janë të papërshtatshme për nivelin e tyre.
Shpeshherë më bie në mend një shembull i çuditshëm që kam ndeshur në fshatin “Batër e Madhe” në rrethin Mat, kur shkova me shërbim.
Ishte një ditë korriku e nxehtë, ishim në një mbledhje për ca probleme dhe, pas mbarimit, më thotë njeri nga ata: “Tani është nxehtë, mesi i vapës, rruga me xhade te autobuzi është larg, do të pushojmë pak e të hamë drekë, pastaj koha freskohet do të shkosh më lehtë”
Ashtu bëmë dhe, bashkë me atë, shkuam në shtëpi, aty gjetëm një plak të moshuar, i cili ishte në qoshe të oxhakut, u prezantuam, u pyetëm dhe ai po përgatiste kafen me veglat që i mbante aty afër në dollap dhe unë po lexoja një libër të Dritëro Agollit “Trandafili në gotë”; ishim të rinj atëherë. Xha Rizai mbushi filxhanin e kafes dhe gotën e rakisë dhe tha :“Mirë se erdhe”, pastaj biseduam për familjen, fshatin dhe e pyeta, pasi mbarova kafen: Si e kaloni ditën xha Riza?Nuk e kaloj keq për moshën që kam.A të vinë ndonjë herë shokët për të bërë muhabet, apo shkon ti tek ata?
Ai m`u përgjigj prerë: “Unë or bir, kam vetëm një shok me të cilin bisedoj, dhe e nxori nga dollapi ku mbante veglat e kafes: Ky asht shoku im, i cili nuk hidhërohet asnjëherë, unë mërzitem dhe shpesh lodhem dhe e hedh në fund të dhomës, por ai vjen prapë te unë, pra nuk mërzitet asnjëherë” Të lutem, a mund ta shoh pak, i thashë. Ai shtriu dorën dhe ma dha: E shoh, e shfletoj mos ka bërë ndonjë shënim dhe u çudita!! Ai ishte romani i Stendalit “E kuqja dhe e Zeza”, mbi 400 faqe! E ula mbi oxhak dhe  e pyeta se ku e kishte marrë. --Në biblotekë, në Burrel, kur shkoj me kalë për të marrë pensionin.
-Por, sa vjet shkollë ke bërë xha Riza? 
-Vetëm dy vjet internat. 
– Për sa kohë e mbaron?
 -Këtë ka dy muaj që e lexoj, me tre të muajit do ta mbaroj dhe, kur të shkoj të marr pensionin ,do të marr një libër tjetër. 
-Po e kupton Stendalin? 
-Është më i mirë se “Të Mjerët” e Viktor Hygos.Ai kishte gjëra për revolucionin. Ky ka më shumë gjëra për jetën. Ky është më i kuptueshëm, nuk i ka frazat e gjata.Personat (personazhet) takohen më shpesh me njëri tjetrin. 
Për disa momente mbeta i shtangur, nuk dija se çfarë të flisja,vetëm i thashë se ai ishte një njeri që duhej vlerësuar nga të gjithë. Pasnesër do të çoj një libër dhe një distiktiv “Miku i Librit”, se jeni një shembull i shkëlqyer për gjithë ne. Ti paske zgjedhur njeriun më të ditur të jetës.“Një libër është një kuti me aroma”,i them unë. 
-Po ju çfarë po lexoni?- më pyet.
Ia dhashë librin, i pa titullin dhe autorin, dhe më tha: I mirë është kur shkon me shërbim,se është i lehtë. 
-Tani, xha Riza, ma bëre shumë mirë këtë kritikë, por nga Dritëroi kam lexuar dhe libra të tjerë. 
-Edhe unë kam lexuar vjershat për Devollin. Po më i miri që s`të mërzit kurrë dhe që u kritikon dhe ju nëpunësve është “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” --Është e vërtetë dhe ty të zgjatet jeta sa ju ta dëshironi!, -dhe e përqafova.



Varrezat ,vendim i gabuar në vend të gabuar…
30 tetor 2018
Ka dy ditë që ndjek me vëmendje ngjarjet që ndodhën në Bularat të Gjirokastrës, në ceremoninë që u zhvillua me rastin e festës së Greqisë te varrezat greke aty.Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Kulturës Greke dhe deputetë, por dhe nga Shqipëria. 
Aty ndodhi dhe incidenti i përgatitur nga ekstremistët grek.Një djalë 35 vjeç nga Bularati, sulmoi me kallashnikov forcat e policisë.Ato u përpoqën ta neutralizonin dhe ta bindnin që të dorëzonte armën,por ai vazhdonte të gjuante ndaj policisë e, në fund, ajo e likujdoi duke e goditur për vdekje.
Ky incident u bë shkak për acarimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë,ku u shkëmbyen deklarata të ndryshme nga të dy anët. Nga ekstremistët grekë u bë popagandë therëse me akuza e thirrje të ethshme për Vorio Epirin.Qeveria greke dorëzoi dhe një notë proteste ambasadores shqiptare dhe theksoi që të ulen tonet e të gjykohet me mendje të ftohtë. Rreth kësaj ngjarje, edhe në Shqipëri u mbajtën dy qëndrime; qeveria, një qëndrim të qetë e serioz dhe opozita e përfaqësuar nga Berisha, kundër.Berisha nuk flet që të dëgjohet nga shqiptarët, por ndihmon opozitën ekstremiste greke “Agimi i Artë” që shënoi në listën e saj dhe një ‘hero’ i cili  dha jetën për Vorio Epirin. 
 Por këto nuk i bëjnë atij asnjë dëm, ai nuk është, as naiv, as i painformuar për atë që ka ndodhur. Ai është mjeshtër, një ‘kafshë’ politike, i cili përpiqet që vëmendjen ndërkombëtare ndaj këtij rasti, ta përdorë për të futur në krizë raportet midis qeverisë së Athinës dhe Shqipërisë, krizë, e cila realizon, atë që Berisha dhe të tijët nuk po ia dalin ta ngjizin me forcat e tyre. Atë nuk e dëmtojnë të sharat lumë të shqiptarëve,pasi nuk pret gjë prej tyre.E kanë zbuar nga pushteti dhe kurrë nuk e merr më votën e tyre. Nuk i hyn në punë as fyerja në sedër e plot militantëve të Partisë Demokratike,që e kanë ditur Doktorin patriot. E me këtë rast, ndjehen keq për deklaratat e tij.Nuk i hyjnë në punë as përzierja e vet kriminale më 21 janar, që vrau 4 veta me duar në xhepa para Kryeministrisë,Gërdeci, e të tjera. 
Ai nuk e ka bërë këtë deklaratë që të sqarohet me shqiptarët, por për të nxehur klimën midis dy shteteve.Tani ai nuk ka më forcë që t`i nxisë shqiptarët për beteja politike.Shoqëria shqiptare është e mpirë nga zëri i tij dhe nuk reagon më.
Në këto kushte, Sali Berisha nuk ka rrugë tjetër,vetëm të kërkojë aleatë të rëndësishëm jashtë vendit.Deklaratat e tij janë kordinuar me koalicionin opozitar, duke tejkaluar P.D. sipas një skenari të kujdeshëm.Sali Berisha vetëm mbron Sali Berishën nga sulmet.Vangjel Dule i qëndron deklaratës së Berishës dhe kërkon ekspertizë nga Greqia në hetime.
Incidenti i Bulartit,dhe pse është ordiner, e vë në vështirësi qeverinë e Cipras.Opozita greke ka shkur në ekstrem, duke e akuzuar Shqipërinë se ka vrarë një qytetar grek edhe pse këtë e kanë hedhur poshtë dhe policia greke. Ato e kanë  si qëndrim të tyre.
Kështu, dhe në Tiranë, qeveria mbron veprimin, në përputhje me ligjin, të policisë; opozita shqiptare e Berisha është dakort me opozitën greke, se qëndrimi i Berishës, i kordinuar me opozitën shqiptare dhe atë greke, prish balancën e reagimit ndaj kësaj ngjarje. 
Duke forcuar presionin mbi qeverinë greke dhe duke e detyruar atë të mbajë një qëndrim të sforcuar,çdo opozitë, për probleme të tilla, është e ashpër, ndërsa Berisha, me vetëdije, prish këtë, për të futur në krizë qëndrimin e qeverisë greke ndaj Tiranës Zyrtare dhe për të zhdukur zëra të tillë, si ajo e Ministres Greke të Kulturës që ishte në Bularat dhe e pa të vërtetën me sytë e saj. 
Berisha po vepron si patericë e opozitës greke bashkë me Bashën e P.D. Kjo ka bërë që opozita nacionaliste greke të ngrihet në protesta, të djegin e të vendosin bomba në dyqanet e shqiptarëve, të bëjnë thirrje raciste e poshtëruese për shqiptarët e deri në thirrje për t`u bashkuar në luftë për të marrë tokën tonë, Epirin e Veriut. 
Nga kjo ngjarje që mori përmasa jo të këndshme për veprimet e pamatura të opozitës greke dhe ndihmësen e saj, opozitën shqiptare (P.D.), dalin disa përfundime të cilat të bëjnë që të mendohet mirë puna për marrëveshjet me Greqinë.
Së pari; Në ngjarjen e zhvilluar nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe tejkalim të kompetencave të organeve të policisë, se çdo gjë është zbatuar në përputhje  me ligjet e shtetit shqiptar,të cilët tashmë janë të harmonizuara me ligjet e Bashkimit Europian dhe përcaktojnë qartë masat që duhet të merren për raste të tilla. 
Së dyti: Qeveria greke nuk u thellua në masat që duhej të merrte, por bëri notë proteste për ngjarjen, duke thirrur ambasadoren shqiptare për t`i dorëzuar dokumentin. Kjo bëri që opozita greke të bëhet më kurajoze,  me masat e saj i shtoi benzinë zjarrit që të dalë jashtë kontrollit, duke organizuar demonstratë para Ambasadës Shqiptare, duke djegur dyqanet e shqiptarëve,duke vënë bomba e duke përdorur thirrje raciste. Media greke ishte ajo që,bashkë me ekstremistët e ‘Agimit të Artë’, bënë një propagandë shfrenuese. Qeveria greke harroi se ka përgjegjësi për sigurimin e jetës dhe pronës së shqiptarëve në Greqi.Ajo filloi të bëjë thirrje për të zbutur gjakrat,kur flaka kishte filluar.  
Së treti: Propaganda greke dhe disa media shqiptare kanë një përgjegjësi të madhe para publikut që ,në lajmet, kronikat, editorët e tjerë, u bënë nxitësit kryesorë, sa kjo të bëhet si shkak për prishjen e marrëdhanieve të mira që ekzistojnë midis Greqisë dhe Shqipërisë.Këto u intensifikuan pa dalë konkluzionet për ngjarjen.Siç duket, kjo nuk ishte një ngjarje e rastit, por e mirorganizuar dhe nga shtetet fqinje dhe ekstremistët grekë e,ndoshta, më lart.  (Duke bërë iluzione për ndërhyrjet ruse në Ballkan). 
Së katërti: Duke parë githë dinamikën e ngjarjes dhe veprimtarinë e Kryeministrit dhe të Ministrit të Jashtëm, i vlerësoj si veprime të qeta, të studiuara mirë, dhe me dinjitet në çdo moment të saj. 
Kontaktet vazhdimisht me shtetin grek, për veprimet dhe zhvillimin e tyre, u bënë të matura e me veprime të duhura, duke u nisur nga fakti se ky është një veprim i izoluar dhe nuk ndikon në marrëdhëniet e të dy shteteve. 
Por kur e ka kërkuar nevoja,sipas situatës së krijuar, ajo ka qenë dhe konseguente. Këtë e tregon dhe fakti që Ambasadorja Greke u thirr dy herë në M.P.J., për ngjarjet dhe për masat që duhet të merreshin për të mos agravuar situatën. 
Veç kësaj,e vlerësoj të drejtë qëndrimin e prerë për zbatimin e ligjeve të ekstradimit.
Si konkluzion, mund të themi se të dy qeveritë kanë komunikuar mirë me njëra -tjetrën  dhe janë përpjekur që të zbutet tensioni i krijuar nga të dy anët.
Synimi i ekstremistëve grekë dhe të verbërve për pushtet në Shqipëri, është se kërkonin destabilizim, anarki, dhe mosbesim ndaj dy qeverive, greke dhe shqiptare.Është një fatkeqësi që grekët harrojnë se çfarë kanë bërë dhe kërkojnë që çdo gjë të jetë vetëm në interesin e tyre. Ata harrojnë se, për 40 vjet, nuk lanë gjë pa bërë ndaj Shqipërisë,por u hasi sharra në gozhdë. Por këtë herë jam krenuar që vendi im i dashur u tregoi se ka njerëz të mençur e trima, që nuk mund të bëjnë si në ditët e para të demokracisë,kur disa pseudoshqiptarë në drejtim u lejonin të bënin çfarë të donin e si të donin. 
Konstandin Kocifa, një lidhje jo e vetme e strukturave të ‘Agimit të Artë’ apo e organizatës MAVI,është bërë lejtmotivi i ultranacionalistëve grekë, që tundin flamurin e tij nëpër sheshe dhe në emrin e një ‘kallashnivovasi’, djegin flamuj shqiptarë,protestojnë e thyejnë xhama,bëjnë thirrje për përzënie të shqiptarëve, sulmojnë këdo që u del përpara. 
Në këtë lojë,si gjithnjë, dhe kisha greke ka hyrë me zell. Për këtë, vite më parë, Fan Noli shkruante; 
“Ujku sulmon me dhëmbë, 
Demi sulmon me brirë,
Greku sulmon me  kishë.”
Kjo e tregoi më së miri një primar i saj në Konicë, një trevë që dikur ka qenë banuar nga shqiptarë,që sot janë dëbuar ose janë detyruar të greqizohen edhe pse nënat e tyre kishin gjuhë amtare shqipen. Sot ky bën thirrje të pushtohet ‘Vorio Epiri’ 
Prandaj, në pak orë, e gjithë ajo që kishte mbetur në skutat e një nacionalizmi ekstrem,u zgjua, mori formën e saj të zakonshme agresive, dhe trajtat e saj po shfaqen në jetën politike greke, nga qeveria e cila  është më e matur, por që mund të detyrohet të jetë e rebeluar;nga strukturat djathtiste brenda parlamentit e deri më tej, ku politika zien në diskutimet e zakonshme greke, të cilët nga Athina e Lashtë kanë marrë vetëm vendin e debatit, rrugët, por jo mendjet e ndritura greke. 




6 nëntor 2018
Zgjedhjet për Asamblenë dhe Senatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Sot mbushen 2 vjet që Presidenti i ShBA,Donald Trump, ka bërë në detyrë.Këto zgjedhje përcaktojnë dhe rrugën dhe autoritetin e Presidentit për këtë periudhë. Mund të themi pa asnjë dyshim, se ky  ka zotëruar  shanset që të mos ketë asnjë pengesë në realizimin e objektivave të tij sepse, partia që ai përfaqëson, ka pasur shumicën e votave në Asamble dhe Senatin Amerikan. Siç thotë shprehja popullore në Shqipëri “Lalë Kros, Lalë Kros,vetë shkruaj dhe vetë vulos”.
Veç këtyre,me gjithë disa rezultate që u shënuan në ekonomi, autoriteti i Presidentit ka rënë me vlerësimin më të ulët se ndonjëherë në popullin amerikan,nga shumë vendime që ka marrë në vend dhe në arenën ndërkombtare.Këto bënë që të ashpërsohet si anjëherë tjetër marrëdhënia midis Demokratëve dhe Republikanëve në pushtet e shpeshherë dhe midis vetë Republikanve.Kulmi u arrit me mosmarrëveshjet me shtypin.Kjo ka bërë që, shpeshherë, kanë ardhur deri në ofendime e përbuzje.
Të gjitha këto veprime bënë që,në këto zgjedhje, populli amerikan ta ndëshkojë këtë rrugë të presidentit të tij, duke mos u pajtuar me të.
Trumpi në këtë votim, bëri një propagandë të madhe,duke  marrë pjesë nga një shtet në tjetrin dhe duke iu kundërvënë ashpër demokratëve.
Si asnjëherë tjetër,ka dhjetë vjet në Amerikë që nuk ka pasur kaq intensitet dhe përplasje si në këtë fushatë.Mitingje e kundërmitingje, retorikë të ashpër dhe shpesh arrogante, mobilizim i jashtëzakonshëm nga të dy partitë, deri në derë e person më person.Pothuajse,çdo votues është takuar para votimit.Deri dhe ditën e zgjedhjeve, para qendrave të votimit, pritnin dhjetra njerëz me fletë palosje e zotime për kandidatin që kërkonte votën.Ky polarizm i propagandës që shpenzoi qindra milion dollarë ishte si për zgjedhjet presidenciale. 
Kjo bëri që, në Amerikë,në çdo qendër të votimit si anjëherë të ketë një radhë të gjatë gjatë gjithë ditës.Një pjesëmarrje e tillë kurrë nuk është parë për zgjedhje të tilla.
Ky vlerësim i madh bëri që dhe të pavendosurit të marrin pjesë. Në zgjedhje  ka një organizim të përsosur, aty nuk ka pjesëmarrës të partive, ato janë të gjithë të depolitizuar, çdo gjë e organizuar më së miri, dhe monitori ku futej fleta pas votimit, po të kishe bërë gabim në votim ta kthente ose ndryshe e merrte dhe, në ekran, të falenderonte.
Ky intensitet në fushatë prodhoi dhe atë që pritej.Demokratët fituan shumicën në dhomën e përfaqësuesve, të cilën nuk e kishin fituar për tetë vjet me radhë, ndërsa republikanët fituan shumicën në senat.Kjo bëri që të neutralizohet puna për zbatimin e vendimeve të Presidentit.
Por, demokracia amerikane është mësimdhënëse për gjithë botën.Pas votimit, si Trumpi dhe Shefja e Demokratëve,shprehën dëshirën për të bashkëpunuar për vendime të mëdha të shteteve dhe të popullit, si për Obama Care, për emigrantët etj.
Por një gjë është e sigurt, që tani Trumpi nuk i ka duart të lira të bëjë si të dojë,se,pa miratimin e dhomës përfaqësuesve, shumë ligje nuk mund të kalojnë. Këto zgjedhje do ta qetësojnë më mirë Amerikën për shumë probleme e vendime qe janë marrë nga uni i presidentit. 

25 nëntor 2018
Njerëz që nuk janë mësuar me  ligj  e rregull.
Duke ndjekur Televizionin Shqiptar për 20 ditë rresht, lajmi kryesor ka qenë demostrata e pjesëtarëve të familjeve të cilëve iu prishen ndërtesat dhe objektet  në gjurmët e ndërtimit të Unazës se Re të Tiranës, një unazë me parametra bashkëkohore,e cila lehtëson vështirësitë e qarkullimit në metropolin shqiptar.
Në ditët e para, u sqaruan nga shteti se si do të veprohet: Të gjithë ato banesa që janë legalizuar dhe me tapi të rregullta, do të shpërblehen për shtëpi dhe troje. Ata që nuk i kanë legalizuar dhe kanë zaptuar tokën shtetërore dhe private,do të paguhen 3 vjet me qera dhe do të sistemohen, deri kur të rindërtojnë shtëpitë.Rregulli i shtetit nuk u pranua dhe kërkesa e tyre ishte vetëm shpërblimi 100% për tokë dhe shtëpi. 
Nga mospranimi ata,ka 20 ditë, që bllokojnë rrugën kryesore nga 2-3 orë. Është i çuditshëm fakti se përkrahen dhe udhëhiqen nga Lul Basha, kryetari i opozitës, duke i bërë presion të jashtëzakonshëm shtetit për anullimin e rrugës,me qëllim që të fitojë kredibilitet.Në këto demonstrata ka drejtuar thirrje të hapur se ky pushtet nuk rrëzohet me votë,por vetëm me forcë.Me demokratë permanentë dhe të dhunshëm, këto thirrje kulmuan me demonstratë, për t`u futur me forcë në parlament, kur ai po zhvillonte punimet me 22 nëntor. Në këtë përplasje, u lënduan 15 efektivë të policisë, u plagos një e re nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, nga kapsollat që hodhën, së cilës iu këputën gishtat e dorës së djathtë, kur hoqi kapsollën që po i shpërthente në kokë.U arrestua autori dhe 12 të tjerë që përdorën materiale të ndaluara dhe goditën efektivat e policisë.
Këto janë pasojat e shtetit rrumpallë që është ndërtuar në vite,të cilat kultivuan idenë se secili individ duhet të sillet dhe të ndërtojë si të dëshirojë.Pra, shteti nuk ka ekzistuar, por vetëm i forti dhe i dobëti, ai që është afër shtetit, dhe proletari që vuan për bukën e gojës. Kjo bëri që, në Shqipëri,të krijohen disproporcione të mëdha midis të pasurve në kulm (oligarkët) dhe proletarëve që vuajnë dhe për gjënë më të domosdoshme .
Tani që ka filluar t`i vijë era shtet, dhe po luftohet që secili të njohë dhe të zbatojë ligjet, që ato të jenë të detyruara njësoj për të gjithë, lindin demostrata të tilla për mosbindje ndaj ligjit, që po përpiqet për të lehtësuar sadopak vështirësitë e jetës së tyre.
Është për të ardhur keq për një opozitë të tillë,e cila nuk zbaton rregullat demokratike për të ardhur në pushtet, për të zhvilluar debatin në parlament për problemet e vendit, për të  marrë pjesë në komisione për reformën  zgjedhore. Ajo bërtet që pushtetin ta marrë në tavolinë ose atë do ta marrë vetëm me dhunë dhe bën thirrje antidemokratike, të tilla që janë të dëmshme për këtë sistem që po ndërtojmë.Ajo po plotëson 6 muaj që nuk shkon në parlament dhe ka vetëm një qëllim,të pengojë me çdo menyrë zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Më mbushin me urrejtje këto veprime të cilat, për të marrë pushtetin,duan të dërgojnë popullin në një luftë civile.
Është fatkeqësi për vendin tim, që ka njerëz të cilët shmangin abuzivisht interesat themelore të 600.000 zgjedhësve që u kanë dhënë votën. Nuk di se kur ky kombi ynë do të nxjerrë njerëzit e duhur për t`i udhëhequr drejt prosperitetit demokratik të vendit.
Është fatkeqësi për opozitën tonë që sot udhëhiqet nga idetë e mykura të Sali Berishës,i cili me veprimet e tij, për 30 vjet, i ka sjellë fatkeqësi të pallogaritshme këtij vendi.
Sa anakronik shfaqet ky njeri, kur del në mbrojtje të të riut që, në demonstratë, me një kapsolle goditi punonjësen e policisë së shtetit. Ky njeri,për 30 vjet e ca, ligj ka njohur vetëm fjalën e tij.
28 nëntor 2018
Kjo,është një ditë që është simboli i bashkimit për të gjithë kombin shqiptar. Simboli i kësaj dite, flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare në mes,është bërë një fener ndriçues për kombin tonë. Ai simbolizon solidaritetin, dashurinë e pakufishme për kombin, dhe mbetet yll ndriçues për çdo shqiptar, kudo që punon dhe jeton, si brenda dhe jashtë vendit. Filli i kuq, që, këtë ditë të madhe për shqiptarët e përshkon tej e mbanë,është flamuri kuq e zi, i cili për 106 vjet është valëvitur në tubime për këtë Ditë të Madhe.
Në ceremoninë e organizuar nga Shoqëria “Vatra” dhe ambasadat tona  të Shqipërisë e Kosovës në Manhatan, ishim grumbulluar me qindra njerëz të shteteve të ndryshme të Amerikës dhe, në veçanti, ata që jetojnë e punojnë në N.York.Ngjallte një kënaqësi të veçantë për cilindo, por, veçanërisht për moshën tonë 80 vjeçare, ishte tepër mbresëlanëse, ishte një retrospektivë në përfytyrimet tona,kur shikoje atë larmi ngjyrash të kostumeve popullore, të ornamentizuar me flamurin kuq e zi, me këngët e vallet që ushtonin, mendoje dhe përfytyroje se je në kryeqytetet tona, Tiranë e Prishtinë, e jo në zemër të N.Y në Manhatan.
Kjo ditë është një ditë takimesh e çmalljesh me njëri- tjetrin, që secili, me trup dhe me mendje, është në vendin tonë të bukur, Shqipëri… Disa të moshuarve nga Mali i Zi, prej Plavës e Gucisë, u shkonin lot nga qepallat e  syve. I afrohem dhe e pyes njërin: Pse qan bre burre?“A ka ditë më të mirë se sot për shqiptarët,kudo që janë në botë, të lirë e me të drejta të plota si gjithë të tjerët. Kujt i shkonte mendja se,në mes të Manhatanit, do të kishte një dasëm shqiptare me kaq kallaballëk dhe me këtë respekt për vendet tona”.
Njëri nga ata fshiu lotët dhe më tha: “Ej bre burrë, kujtoj se sa vëllezër e motra më janë vrarë në luftë me shkjaun, kujtoj mallin e pasurinë që lam në duart e tyre; nga familja ime, vetëm unë fëmijë e xhaxhai 30 vjeç, kemi shpëtuar prej 22 robsh dhe varret e të vdekurve i kanë shkatrruar. Bashtrina ime dhe toka ushqenin 80 rob. Në kullotat e mia, mbaheshin mbi 200 krerë të imta e dhjetra një e dy thundrake”.
–Mirë, i them. – Me këtë që është arrit tani për ne, duhet të jesh i gëzuar.
 Ai shikon fëmijët e djalit.Vijnë e i fshijnë gjyshit lotët,të cilët  e dinë se i vijnë nga gëzimi e jo nga ajo që u kujtoi. 
-Besa mirë je kah thua, bre burrë, por sot,vetëm një brengë të madhe kam para vdekjes.Më duket se kullën e Boletinëve,kosovarët do t`ia japin serbit. Kjo ka qenë kulla e trimave të zonës sonë, jo vetëm e Isës. Kjo është historia e krahinës sonë, po mori ai këtë “teqe” ku lidhën besën burrat në moshën e kaluar,na hup historia dhe emri” 
– Mos u mërzit or burrë, se historia juaj dhe e kullës së Boletinëve nuk do të vdesë kurrë,se ajo është shkruar në histori dhe është vendosur në vend të sigurt e që,brez pas brezi, do të kujtohet, por kurrë nuk do të harrohet.
Një djalë i ri na afrohet dhe i thotë: 
-Hajde baca Ibrahim, se do të dalësh me shokët në tribunë, se fillon mitingu, pastaj, në mbrëmje, në restorant, bisedoni e qani hallet e kohës suaj… 
Unë, pasi mbaroi fjalët,i thashë:
- Shko Ibrahim,e shikon që nuk harron kurrë historia, por i rikujton trimëritë e kaluara, që të bëhen mësim për brezat e tjerë e t`i mbajë mend dhe djali i vogël që të fshiu lotët.
Në miting, morën pjesë dy ambasadorë shqiptarë,tre kongresmenë me në krye kongresmenin Engëll. Ishte me të vërtetë një manifestim i përsosur dhe, nga ky miting,si nga hapësit dhe folësit, dalin dy ide që zemra e çdo shqiptari, kudo jeton, duhet t`i ketë udhërrëfyese për jetën e tij, se ato janë çelësi i të gjitha punëve në jetë. Ato të shtojnë respektin,burrërinë dhe trimërinë për mbrojtjen e vendit.
Së pari: Uniteti dhe dashuria për njëri- tjetrin, për familjen, për atdheun dhe për miqtë e shokët.
Ky parim është themelor në jetën tonë, që ta kuptojmë me të gjitha të mirat dhe të këqiat e tij. Tani, shumë afër, të kujtojmë Anton Çetën me punën që bëri në bjeshkët e Kosovës për faljen e gjaqeve, për unitetin në luftën e madhe kundër serbëve ose, më vonë, shumë vonë, të kujtojmë heroin tonë të pavdekshëm, Skënderbeun, që bashkoi princat shqiptarë kundër hordhive osmane për mbrojtjen e vendit dhe të krishterimit në Europë.
Të rikujtojmë vullnetin dhe heroizmin e partizanëve në luftën Nacional-Çlirimtare.Të kujtojmë rilindasit tanë, se çfarë pune bënë për kombin, Gjergj Fishtën e madh, që punoi 20  vjet për të krijuar Eposin Shqiptar, “Lahutën e Malsisë”, në të cilën çdo shqiptar gjen një pjesë të jetës së tij.
Të gjitha këto korrin sukses kur njerëzit janë të bashkuar me një unitet mendimi dhe veprimi për çdo problem e punë që u del përpara për t`u realizuar.
Së dyti: Një ide, që u diskutua, në shëndetet e në darkën me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ishte respekti që duhet të kemi për miqtë tanë të mëdhenj,që nuk i kanë munguar popullit tonë në etapa zhvillimi të vështira, të cilat ishin të lidhura direkt me ekzistencën tonë si komb. Lufta jonë për të ardhmen në këto ditë të gëzuara, ka kaluar peripeci të mëdha, por ua kemi dalur atyre në saj të punës dhe ndihmës që na kanë dhënë miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, të cilët do të jenë të respektuar dhe të vlerësuar në të gjitha kohërat,edhe pse sot, disa individë të veçantë, për interesat e tyre personale, kur u prishen ato, bëhen bukëshkalë, por këta janë shumë të pakët dhe të njohur ,si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kudo janë shqiptarët.Duke respektuar tjetrin, thotë një proverb popullor, ke respektuar veten tënde.
Së treti: Nga festimet e këtij 100 vjetori, ku  asistojnë njerëz nga vende të ndryshme të botës, del në pah një punë e mirë që është bërë nga ambasadat tona, për të rritur këtë unitet, për të bashkuar shqiptarët kudo që janë.Këtë e tregojnë më së miri dhe aktivitetet që organizohen në SHBA, Angli, Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Austri etj. Niveli i këtyre aktiviteteve ka pasur një ngritje,e cila ka bërë që jehona e pavarësisë të kujtohet dhe të njihet nga miliona njerëz në botë.Zani i këtij vendi të vogël, që po shkonte drejt harresës, sot është rritur e fuqizuar mjaft.
Por është për të ardhur keq se, si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ka një vlerësim jo si duhet për problemet e unitetit sot.Në Shqipëri dhe Kosovë, klasa politike që udhëheq vendin është e ndarë në dy pole të kundërta dhe opozita pozitën e quan armike etj.Pra,nuk ka lënë epitet pa i vënë, po kështu dhe në Kosovë.Janë dy pole jo demokratike, po armiqësore me njëri-tjetrin; duke akuzuar pozitën për çfarë iu sillet në trurin e tyre të trazuar dhe nga ethet histerike për të marrë pushtetin deri dhe me forcë.Kjo, në demokraci, është e dëmshme se janë qëndrime të luftës civile.Në demokraci,pushteti merret vetëm me votë. Kështu është dhe në Kosovë, çdo ditë bëjnë llogaritë e numrave për të hequr kryeministrin;në Maqedoni, më butë, i kanë më të qarta parimet e demokracisë, të paktën ata nuk kanë ide se pushteti merret dhe me luftë civile si opozita shqiptare dhe ajo kosovare.
Është për të ardhur keq për këto opozita ,të cilat,kanë parimin e tyre për të penguar zbatimin e vendimeve që merr qeveria për zhvillimin e vendit.Ato e braktisin parlamentin për muaj të tërë dhe vijnë aty pas 6 muajsh, kur u rrezikojnë t`u humbin mandatet. Këto veprime tregojnë se nuk e kanë fare parasysh parimin e unitetit dhe dashurinë për vendin dhe popullin,janë zënë nga sytë dhe shohin pozitive vetëm rrugën për të marrë pushtetin me çdo kusht dhe me çdo formë.
Shikoj deputetët duke u përleshur me policinë në krye të demostratave.Këto veprime jo vetëm që janë të dëmshme, por tregojnë se këta nuk të ngjallin besim se do të bëjnë detyrën që kanë ndaj zgjedhësve, veçse janë bërë të neveritshme nga të gjithë. Ndjehemi të ofenduar dhe këtu, larg në Amerikë, për këta bashkëkombës që e kanë syrin vetëm te pushteti për të zhvilluar sa më shumë ekonominë e tyre personale, jo për të mirën e popullit dhe të vendit tonë.
Kjo ka bërë që,korrupsioni dhe droga, të zënë vendin kryesor.E si rrjedhojë, dhe vendi ynë të vlerësohet ndër vendet më të korruptuara, se korrupsioni ka hyrë në çdo qelizë të shoqërisë dhe  droga është bërë shkak për vdekjen e disa qytetarëve, të disa biznesmenëve për larje hesapesh dhe, ajo që është më shqetësuese në vendin  është futja e përdorimit të drogës në shkolla. 
4 nëntor 2018
Kur presidenti shkel kushtetutën dhe bëhet zëdhënës i opozitës…
Nga fillimi i muajit nëntor, ministri i brendshëm,Fatmir Xhafa, dha dorëheqjen me dëshirën e tij. U miratua, dhe kryeministri dërgoi vendimet përkatëse për shkarkim dhe për emërim të ministrit të ri.
Presidenti, në mënyrë urgjente, pranoi shkarkimin, por emërimin e ri nuk e bëri se donte kohë, sipas ligjit, 7 ditë.Por ky,  dhe pas 7 ditësh, i dërgon letër Kryetarit të Keshillit të Ministrave, se nuk ishte i bindur që ky të jetë M.P.B., duke mos shprehur asnjë fakt dhe duke vepruar në kundërshtim me kushtetutën  që ka për detyrë  ta mbrojë e jo ta shkelë atë.
Ky veprim bëri që, midis Presidencës dhe Kryeministrisë, të ketë një handikap të madh.Në këto rrethana, Kryeministri,me vendim të qeverisë, në M.P.B. caktoi një zv.ministër,me atributet e Ministrit, kandidaturën që presidenti akoma nuk e ka sjellë. 
Ilir Meta, siç duket, ka vendosur që, me qeverinë të jetë gjithnjë në opozitë dhe ta pengojë atë me të gjitha menyrat.Këtë tregon fakti se shumicën e vendimeve të qeverisë ai i ka kthyer. Kulmi ka arritur kur, për 14 muaj, nuk e aprovoi emrin e kryetarit të SHISH-it.E këtë e bëri tani, kur kriza midis dy institucioneve ka arritur kulmin. Por, siç duket, dhe kandidatura e Ministrit do të ndjekë fatin e Kryetarit të SHISH-it se, sipas Metës, nuk është pjekur akoma në furrën e tij.
Është interesant fakti se ky ka qenë luftëtar i fortë për zbatimin e reformës në drejtësi, kur ishte Kryetar Kuvendi. Sot që partia e tij është në opozitë, lufton ta pengojë këtë me të gjitha mënyrat, të dukshme dhe të padukshme, duke u bërë një me opozitën, dhe nuk lë gur pa lëvizur që ajo të mos zbatohet;organet e saj kryesore të mos ngrihen, se ato do t`i dërgojnë para drejtësisë këta njerëz të korruptuar, bashkë me “Like Floririn”, siç thotë populli në këngët e tij.
Veç të tjerave, një shembull bindës është veprimi i kohës së fundit me ministrin e brendshëm,të cilin nuk e dekretoi dhe, me paraqitjen e kandidaturës tjetër të  Vitore Tushës, për Avokatin e Popullit. Nga 30 kandidatë, ky gjeti këtë, se me largimin e saj nga gjykata kushtetuese, e cila ka kaluar dhe Vetingun, e kan marrë … për anëtare të saj.
Duke larguar V.Tushën, ai bën që Gjykata Kushtetuese të shtyhet, formimi i saj të kalojë në kalendrat greke e vendi të jetë në krizë institucionale.Lind pyetja, po pse midis 30 specialistëve të zgjidhej kjo, që shkatërron një organ qendror të reformës në drejtësi? Kjo vërteton më së miri punën e përditshme të presidentit për të minuar reformën në drejtësi dhe funksionin e qeverisë, se po të ishte Gjykata Kushtetuese funksionale,ai nuk mund ta shkelë ministrin e brendshëm e shumë vendime të tjera.
Ilir Meta ka katër muaj që nuk miraton asnjë vendim të dërguar nga parlamenti.Çfarë do të thotë kjo? Kjo është detyra e tij si kryetar shteti?Çfarë shteti përfaqëson ai? A është ky kryetar i opozitës?
Këtyre pyetjeve duhet t`u japë përgjigje, ndryshe duhet të hapë rrugë e të shkojë kryetar partie,aty ku ishte, te L.S.I.
Këtu në mërgim,larg në SHBA,ndjekim çdo ditë lajmet në TVA dhe  hidhërohemi e deziluzionohemi për këto veprime, për ndarjen e shqiptarëve midis njëri-tjetrit,sikur të jenë armiq të betuar. Një opozitë e pandërgjegjshme për detyrën e saj në demokraci, ka 5 muaj që ka braktisur parlamentin dhe përdor të gjitha rrugët joinstitucionale për të ardhur në pushtet,pa menduar kurrë për zhvillimin e vendit.
Në demokraci,o shqiptarë të thartuar nga trutë, nuk vihet me dhunë, por me votë të lirë.
Veprimet e këtyre dy forcave politike, që nuk merren vesh me njëra-tjetrën e nuk bashkëpunojnë për problemet madhore që ka vendi, që nuk interesohen për të marrë vendime për të mirën e popullit, i bëjnë një dëm të pallogaritshëm kombit dhe vendit. Të nderuar bashkëkombas, a e kuptoni se çfarë po bani, a keni ndonjë logjikë, sadopak, për zhvillimin e këtij vendi? E kuptoni ju situatën e favorshme që ka krijuar koha për kombin tonë sot?Bëhuni shqiptarë të vërtetë e mos u zini me njëri-tjetrin se kush do të vërë më shumë pasuri duke vjedhur popullin. Të jeni të bindur, si për dritën e diellit që na ndriçon çdo ditë, se kurrë nuk keni për ta gëzuar këtë pasuri pa djersë dhe me mundin e të tjerëve. Kujtoni porosinë e Çajupit të madh: “Mjaft punove për të tjerë o fatkeq” 30 vjet u banë që pasuroheni në kurriz të këtij populli të ndershëm e punëtor.
Kam shpresa të plota këtu ku banoj,në anën tjetër të hemisferës së tokës në ShBA,se ëndrra e Naimit “Ta shohë Shqipërinë Zonjë”,dashki ju, mos dashki, ajo do të bëhet zonjë e rëndë ,siç thotë Vaso Pasha.
Dëborë e parë
5 nëntor
Kjo ditë është një ndër ditët më të ftohta të këtij viti,temperatura, për herë të parë, shënon -1 dhe 0 gradë celcius. Qelli është i vrejtur,i  trazuar nga një erë e thatë. Njerëzit kanë ndryshuar komplet rrobat,vënë në përdorim tani veshjet më të rënda, pak shikon pa kokore dhe doreza.
Një orën një pas mesnate,fillon flokëbardha me intensitet të mbulojë çdo gjë, trasetë veçmas, e për këtë ishte përgatitur që më parë Drejtoria e Pastrimit të Rrugëve. Ato ishin mbuluar me një shtresë të hollë kripe e cila do të lehtësonte që të mos bëheshin të pakalueshme akset e komunikimit me makina, që qarkullimi të kishte një rrjedhë normale. Në autostrada e në pikat kyçe, ishin në gadishmëri makinat borëpastruese,të cilat do të fillonin punën me intensitet. 
Në këtë ditë të egërsuar dimri, sot në orën 14.30, presim në aeroport Xhevahiren, motrën e Dritës,e cila vjen për herë të parë në Amerikë me vizë turistike ,për të qëndruar disa ditë me ne.Ky është një gëzim për ne, se ka disa vjet që nuk jemi takuar. 
Në orën 13.30, nisemi bashkë me djalin,Mirin, për në aeroport. Dëbora kishte krijuar një intensitet në rënie,ajo shpeshherë vinte në vështirësi dhe pastrueset e xhamave të makinës. Vendi tashmë ishte i zbardhur i tëri, makinat ishin mbushur me dëborë sipër dhe vetëm dalloje lëvizjen e tyre që dukeshin si topa bore, lëvizjet e tyre dukeshin të ngadalta dhe koha për të arritur në aeroport ishte e zgjatur.Ne arritëm atje me një orë me vonesë.Por dhe avioni me zor ishte ulur dhe, kështu, ishte vonuar dhe dalja e pasagjerëve,por  kjo u barazua me vonesën tonë. 
Kur arritëm pranë terminalit,Xhevahirja kishte dalë sikur të ishin balancuar vonesat me kujdes në kohë dhe në hapësirë.U përshëndetëm dhe u gëzuam që erdhi shëndoshë e mirë në këtë kohë të vështirë. Për disa minuta, ky gëzim u përzie me mallin që na kishte marrë. Amerika ka kushte shumë të mira për jetesë, por dhe mall shumë të madh, që krijohet nga largësia për njerëzit dhe për vendin tim të dashur dhe të paharruar asnjëherë, duke kujtuar bukuritë e atij vendi të veçantë në Ballkan që ka 300 ditë me diell, një vijë bregdetare 386 km, ka një klimë mesdhetare që të kënaq shpirtin dhe të zgjat jetën.
Nga mendja jonë nuk del asnjëherë porosia e Çajupit tonë të pavdekshëm, i cili këndonte në vjershën ‘Mëmëdheu’;
Mëmëdhe quhet toka
Ku më ka rënë koka’
Nga ne, më i gëzuar ishte Miri i cili kishte 9 vjet pa e parë tezen.Kur filluam kthimin për në shtëpi, trafiku ishte i pazakontë, dëbora dhe era vazhdonin me furi, natyra kudo veshi vellon e bardhë, e cila rrezatonte nga dritat vezulluese të natës në rrugët e Neë Yorkut; pothuajse të gjitha korsitë ishin të mbushura me makina të cilat ecnin ngadalë e me kujdes, ishe i detyruar vetëm të respektoje rreshtin dhe shpejtësinë e tij.Është interesant se dhe treguesit e rrugës, në telefon ose në makinë, herë pas here, paraqesnin defekte. Kjo bënte që shumë makina të merrnin korsi të gabuara dhe, për këtë arsye, koha e arritjes në shtëpi u zgjat nga 1 orë e  30 minuta në 2 ora e 20 minuta. 
Joni, djali i Lindës (vajzës), çast pas çasti na merrte në telefon, se donte të lozte me topa bore.Kur arritëm, Drita dhe Joni ishin duke pritur në dëborë para ndërtesës. Zbritëm,u takuam dhe u çmallëm. Miri futi valixhet në sallon dhe parkoi makinën, ndërsa unë me Jonin, megjithëse ishte ora 9 e mbrëmjes, filluam të loznim me  topa bore. Pas disa minutash, atij iu shtua oreksi dhe thotë: Gjysh,të lutem të bëjmë një babagjysh prej dëbore. I them që është shumë vonë,nuk ka asnjë njeri jashtë, se është shumë ftohtë; më në fund, e pranoi arsyetimin. 
Në familjen tonë,kjo darkë e përgatitur nga Drita kaloi në një atmosferë të gëzuar. Çdo gjë ishte në respektin e tezes, shumë shëndete e urime u ngritën për atë, për Shaqirin, bashkëshortin e saj dhe nipin tim, për Dorën, për Evën që punon në Francë.Me gëzim dhe hare, në orat e vona të natës, u mbyll kjo darkë e veçantë.

14 nëntor
Rivarrimi i Mit’hat Frashërit

Në Tiranë,me një ceremoni shtetërore të mirorganizuar, rivarrosen eshtrat e Mit’hat Frashërit.Ishte një ditë me temperatura të larta dhe me vranësira e shira të vazhdueshme.Në Parkun Kombëtar të Tiranës, pranë Memorialeve të Vëllezërve Frashëri,kishte gjallëri.Hyrja ishte mbushur me njerëz të zgjedhur nga forcat qeveritare që organizonin rivarrimin e eshtrave të Mitd’hat Frashërit. 
Në këtë ceremoni, merrnin pjesë ministra,studiues, deputetë e veteranë të Ballit Kombëtar.Foli historiani dhe studiuesi Aurel Plasari, i cili e ngriti lart si figurë të vyer kombëtare në fushën e kulturës, shkencës dhe letërsisë.Pas tij, Kryetari i Qeverisë, Edi Rama, bëri një vlerësim të përgjithshëm të figurës së tij. Por për çudi, në vend që të kishte gjallëri, ky vend i bukur ku prehen babai dhe xhaxhallarët e tij, ishte mbushur nga një perde tymi ku gëzonin e lumturoheshin vetëm ballistët që ky ka udhëhequr kundër popullit shqiptar, kundër luftës NÇL.
Do të mbeten të pashlyera në kujtesën e brezit që bëri luftën NÇL, torturat e vrasjet e të rinjve shqiptarë nga gjermanët e ballistët.Spiunët e tyre, që ishin kudo në rrugët e qyteteve,ndiqnin të rinjtë,aktivistë me Lëvizjen, dhe raportonin me kënaqësi te gjermanët. 
Historia,i dashur Kryeministër,shkruhet nga historianët me fakte e dokumenta, në mënyrë të paanshme e me seriozitetin e duhur, dhe jo të kryhen veprime të tilla për figura kontradiktore si Mit’hat Frashëri. Kjo bie erë zgjedhore dhe,për të siguruar disa vota për pushtet, shtrembërohet historia. 
Ju kishit figura të tjera historike të kombit tonë,që kanë dhënë një kontribut të vyer në shumë fusha të jetës dhe e ka për nder çdo komb të ketë të tillë. Fan Noli ynë i madh ishte figurë poliedrike në fushën e politikës, të letrave, të historisë dhe, i paarritshëm deri më sot, në fushën e përkthimeve me kryeveprat e letërsisë botërore,por e ka mbuluar harresa dhe prehet në varrezat publike në Boston. 
Ky veprim, në vend që të bashkojë shqiptarët,vetëm i përçan. Kryetari i Ballit,që  nuk ka asnjë përkrahës, kanosi me jetë gazetarin Shehu, i cili shkroi të vërtetën për Mit’hat Frashërin si kolaboracionist.Ky ka qenë dhe është mentaliteti i kësaj organizate që, gjithnjë ,vetëm të këqia dhe fatkeqësi i ka sjellë këtij populli.
Prandaj, ky rivarrim eshtrash ishte në kohë të gabuar dhe në vendin e gabuar. Kushdo, me çdo formë e mjet që të përdorë për të mohuar luftën NÇL dhe rindërtimin e vendit pas luftës,(ajo nuk përdhoset, nuk fshihet dhe nuk mohohet),një ditë do të dështojë.  
Më vjen keq dhe e ndjej veten të përbuzur që,edhe sot,e majta shqiptare ka frikë të zërë në gojë dhe një hero apo dëshmor të Luftës. Por,ajo ka heronj të pa mposhtur. Dhe televizioni shqiptar t`i drejtojë antenat e reja për të marrë sinjalin HD nga kodra ‘Asim Zenel’ dhe të mos kanë frikë të shkruaj ‘Asim Zeneli’…
                                                17 nëntor 2018
‘Të nderosh Mit’hat Frashërin dhe,të lësh këtu në SHBA eshtrat e Nolit të madh?!... Këtë e bën vetëm vendi im, ku,dhe Azem Hajdari ka monument më të lartë se Ismail Qemali.
Nderimet shtetërore që iu bënë Mit’hat Frashërit, me rastin e sjelljes së eshtrave të tij në atdhe dhe rivarrimit të tyre, ishin shumë shproporcionale me figurën dhe vendin e tij në historinë politike e kulturore të vendit tim.  
Përpara se të flitej për sjelljen e eshtrave të tij, duhej menduar për eshtrat e shqiptarit më të madh të shekullit të XX, dhe ndoshta të vetmit gjeni të kulturës sonë kombëtare, Fan Nolit, të cilat prehen në varrezat publike ‘Forest Hill’ të Bostonit,ku,sa herë shkoj për ta vizituar, më mbushen syt me lot për këtë korife të kulturës sonë. Sociologu dhe diplomati Fatos Tarifa, thotë: ‘Noli, si pak të tjerë,ndër to do të veçoja Vëllezërit Frashëri dhe Ismail Qemalin, është nga ata njerëz të mëdhenj që i ka shërbyer më shumë se kushdo tjetër dhe në shumë drejtime kombit tonë’.  
Kjo figurë poliedrike,që ka çarë në të gjitha fushat e jetës, mbetet i harruar dhe i pavlerësuar dhe sot kur janë të gjitha mundësitë në Shqipëri.
Për Mit’hat Frashërin flitet kaq shumë e, nga analistë, poetë e shkrimtarë të ndryshëm,i veshin epitete në shkallën sipërore kësaj figure kontradiktore. 
Në Tiranë, lartësohet dhe përmendorja e Ahmet Zogut, Mbret i vetëshpallur i shqiptarëve,që e braktisi popullin e vet në prag të pushtimit fashist.Noli i madh,pothuajse është harruar. Me këtë figurë do të mburrej çdo popull e çdo komb.Noli meriton t`u mësohet nxënësve në shkolla, dhe t`i botohen e ribotohen,nga koha në kohë, për gjeneratat e reja të shqiptarëve, veprat dhe përkthimet e tij mjeshtërore.Noli meriton një përmendore të lartë. Krahasuar kjo me figurën e Mit’hat Frashërit, më duket nuk mund të gjejë anë ngjashmërie.Figura e tij lartësohet në piedestal.Prandaj, më çudit që ky veprim i Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Edi Rama, që njëherësh është dhe një artist me horizont, të futet në këto vendime që sjellin një mospërqasje në vlerësimin e figurava të mëdha të kombit tonë. 
Është mospërfillëse dhe jo e pranueshme për shqiptarët, që të shikojnë në mes të Tiranës përmendoren e Ahmet Zogut; dhe Noli i madh të harrohet e ta mbulojë pluhuri dhe harresa veprimtarinë e tij. Edhe Kishën Autoqefale Shqiptare që Noli e themeloi, e morën për t`ia dhënë një greku.Si mundet që, në mes të Tiranës, Azem Hajdari të ketë një monument më të lartë e më të madh se Ismali Qemali? Nga këto veprime më lind pyetja: Cili popull do të gabonte më shumë se ne shqiptarët në vlerësimin e figurave tona kombëtare më të shquara dhe të spikatura?Përse e përçmojmë historinë tonë dhe nuk i vlerësojmë njerëzit më të shquar të kombit?
Më çudit fakti se përse ka frikë politika shqiptare tani në demokraci?Tani më konsolidohet mendimi se atje çdo vlerësim që bëhet ka qëllim vetëm të sigurojë qëndrimin në pushtet.Ore të mjerë,përgjegjësia vjen e shkon,po kombi nuk ndryshon.Një komb që nuk di dhe nuk vlerëson të kaluarën, nuk mund të bëjë asgjë për të ardhmen. 
Këto veprime më lëndojnë në zemër dhe pse jam larg,po shpirtin e kam atje.Më rrëqethet mishi kur kujtoj vizitat në muzeumet në Londër, SHBA e Paris, se si vlerësohej e kaluara. Në muzeun anglez ruheshin dhe copa trupi të ballsamosura që ishin copëtuar në luftrat detare me armiqtë dhe ato ishin ruajtur për shekuj të tërë në akuariume.Qendra Muzeale e Parisit ruante jo vetëm figurat e veta, por dhe të shumë shteteve të botës. 
Por,në vendin tim,lufta për të mbajtur karrigen e pushtetit është ajo që përmbys çdo gjë. 
Përvoja e vendeve të tjera demokratike dhe deduksionet e nxjerra nga ato, mund të shërbejnë si një mësim i vyer në këtë drejtim.Këto pak fjalë që shkrova sot me zemër të hapur, larg vendit tim, dua t`i mbyll me një mësim shumë të madh të Çurçillit i cili, shumë kohë më parë, thoshte se “nëse hapim një luftë mes të kaluarës, dhe të tashmes, ne do të shohim se kemi humbur të ardhmen.”
05 dhjetor 2018
Është  një ditë tronditëse për amerikanët.
Kapitol Hilli ishte gjallëruar si rrallëherë në jetën e tij.
Në këtë sallë të madhe të përshtatur për homazhe, do të pushojë sot për disa orë, ai që për 8 vjet ka drejtuar si një ndër presidentët e suksesshëm në këtë vend, Xhorxh Ë Bush, hero i luftës së popullit amerikan.Ai ndërroi jetë, para pesë ditësh, në moshën 94 vjeç.
Në këto homazhe morën pjesë shumë ish-presidentë të Amerikës,heronj të luftës, shokë e moshatarë të tij që janë akoma gjallë, dhe presidenti aktual Donald Trump.
Shumë fjalime ceremoniale u mbajtën, secili më prekës se tjetri,por ai që mbajti djali i tij, Xhorxh Ë Bush,ishte ndër më të spikaturit. Ai nxori në pah disa cilësi të veçanta të tij si udhëheqës që e drejtoi Amerikën në momente të vështira, si një njeri që, aktivitetin për Amerikën nuk e pushoi deri në momentet e fundit të jetës së tij; si një prind i shkëlqyer që rriti dhe edukoi me shembullin e tij dhe fëmijët.
Kjo familje është ndër familjet e rralla që i dha vendit dy presidentë, të cilët u shquan për karakterin e fortë të tyre.
Pas kësaj ceremonie, me qindra e mijëra amerikanë bënë homazhe pranë kufomës së tij, duke e respektuar si një udheheqës të dashur, të komunikueshëm dhe trim e kurajoz në marrjen e vendimeve të rëndësishme për Amerikën dhe për shumë vende e probleme kyçe në botë.
Për Shqipërinë do të mbahet mend si presidenti që, pas 4 vjet ndërprerjesh, vendosi marrëdhëniet diplomatike;për qëndrimin e prerë në luftën kundër Millosheviçit dhe për përkrahjen e popullit të Kosovës. Është e rrallë shprehja e tij idiomatike që i tha Millosheviçit në një takim ndërkombëtar si president veteran: “Kini kujdes zotëri me të gjitha veprimet çnjerëzore kundër shqiptarëve në Kosovë,se Amerika nuk do të rrijë duarkryq”.Pas një kohe shumë të shkurtër, Klintoni me Naton,filluan bombardimet ndaj Serbisë që çuan në shkëputjen e Kosovës nga ajo.
Nuk është rastësi që dhe Bushi i Ri, djali i tij, kur erdhi në Shqipëri për vizitë, tha: “Tani duhet ta kuptojë mirë Serbia, se ka ardhur koha që Kosova duhet të shpallë pavarësinë si shtet në vete”.Edhe kështu ndodhi, në 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Populli shqiptar, kudo që është në botë, për këto veprime dhe për kushtet që u krijuan për shqiptarët do t`i jenë mirënjohës përjetë dinastisë së familjes Bush dhe të familjes Klinton, që,në këto momente kyçe të zhvillimit shoqëror,kanë ndihmuar pa rezerva Shqipërinë dhe Kosovën e të gjithë shqiptarët si komb kudo ku ato punojnë e jetojnë…

09 dhjetor 2019
Shqiptari që nderoi veten dhe kombin e tij.
Me gëzim e ndoqa ndeshjen e madhe, që bëri Ferit Keta për titullin Kampion Bote në Kikboks.
Këtë djalë,të lindur në fshatrat malore të rrethit të Bulqizës në Shqipëri, sot e shikon të matet dhe të provojë forcat për Kampion Bote në Kikboks.
Rezultatet e tij e sollën në këtë nivel kaq të lartë të këtij sporti burrëror kurajoz dhe trimash.Nuk është rastësia që e solli deri këtu,por origjina dhe një rrjedhë pozitive në familjen e tij.
Sot,nga kjo familje, janë katër vëllezër,të cilët, nën drejtimin e vëllait më të madh, kanë një karrierë në ngritje dhe një teknikë të përsosur në këtë fushë. Ndeshja ishte e ashpër kundër një boksieri të përgatitur dhe me një forcë goditëse për t`u admiruar,që arriti diçka pozitive në dy raundet e para. I talentuari ynë e studioi atë nga të gjitha anët dhe filloi punën, siç e kanë zakon vëllezërit Keta, ose me studim dhe ofensivë të pandalshme deri në fitore, ose me goditje rrufe e të papërballueshme nga kundërshtari, e fitore…
Ferit Keta,në këtë ndeshje madhore e të vështirë,ndoqi rrugën e parë. Kundërshtari dhe fansat e tij u entuziasmuan në fillim dhe menduan se do ta kishin të lehtë fitoren. Por siç thotë populli ynë: “Dardha e ka bishtin prapa.”
Ofensiva filloi e pandalshme ndaj kundershtarit,me goditje nga të gjitha anët, me një forcë goditëse që nuk e priste dhe fitorja i ngriu në buzë kundërshtarit, kur e pa veten të shtrirë përtokë dhe pa fuqi për t`u ngritur më në ring.
Fitorja e Ferit Ketës entusiazmoi të gjithë fansat dhe, flamuri kuq e zi skuqi sallën ,tifozët shpërthyen në ovacione, duke brohoritur e duke kënduar për të pamposhturin tonë.
Kulmi arriti kur, në qendër të skenës, u ngjit Feriti,i mbështjellë me flamurin Kuq e Zi dhe kryetari i jurisë i dhuroi gjerdanin e artë të Kampionit të Botës në “Kikboks”. Duartrokitje pa fund,këngë e brohoritje dhe përqafime e urime.
Duke shikuar këtë skenë pranë televizionit “T.V Alb” në Amerikë, m`u mbushën sytë me lot nga gëzimi. Në kujtesën time kalonte aroma dhe ashpërsia e maleve ku ishte rritur ky djalë, që nderoi veten dhe kombin tonë, i cili  ka yje në shumë fusha të jetës si: në sport, në mjekësi, letërsi e shumë shkenca të tjera, megjithëse është i vogël në numër, por me mendje të mprehtë dhe me fuqi të pashteruara.
Prandaj, nga thellësia e zemrës,e uroj Feritin bashkë me vëllezërit për sukseset që kanë arritur në këtë degë të rëndësishme të sportit.
Shkolla që kanë ato në Gjermani,është një eksperiencë e vyer për gjithë shqiptarët aty. Ajo është bërë e pëlqyeshme jo vetëm për shqiptarët, por dhe për gjermanët e kombe të tjera.Ajo është kthyer në një shkollë e qendër stërvitore me reputacion në Gjermani.

11.12.2019
Greva e studentëve,një mësim i mirë për shqiptarët.
Në vendin tim,në Shqipëri, ka shtatë ditë që zhvillohet një grevë e studentëve, për disa kërkesa që kanë të bëjnë me zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë. Kjo grevë,nga dita në ditë, ka ardhur duke u shtuar;sot, më 11 dhjetor, ajo arriti në qindra pjesëmarrës;ishin mbyllur pothuaj të gjitha universitet publike, me grevistët u bashkuan dhe disa gjimnaze në Tiranë.Kërkesat që i janë paraqitur Ministrisë së Arsimit janë të panegociueshme sipas tyre. Kjo ka bërë që,edhe për  thirrjet që ka bërë ministria dhe Kryeministri për të dialoguar me një përfaqësi të studentëve për të bërë të zbatueshme çdo kërkesë të tyre,ata nuk  kanë pranuar dialog,por kërkojnë vetëm realizim të tyre.
Një qëndrim i tillë ekstrem nuk është parë dhe dëgjuar për të mos pasur  me shtetin asnjë dialog,por vetëm realizimin e tyre 100%. Kjo tregon se gjithë kjo masë,dalëngadalë,po kthehet në një turmë amorfe,pa një kokë drejtuese, vetëm ç`i bie në sy e mendje secilit quhet e drejtë..
Mungesa e kësaj eksperience ka bërë që në këtë protestë shembullore,të përvijohen disa gjëra:Kur mbaronte protesta, për të filluar të nesërmen, studentët pastronin çdo gjë që kishin hedhur përtokë gjatë qëndrimit disa orë në ditë para Ministrisë së Arsimit.Ky është një shembull për të gjithë shqiptarët, për partitë politike, që u prijnë njerëzve në demonstrata të dhunshme, ku kanë humbur dhe jetën disa persona.
Dita e sotme, kur studentët u ndanë në tre pjesë, tregoi se, në mes të këtij organizimi të përsosur, u fut dhe politika, me gjithë perpjekjet që u bënë për ta mbajtur larg saj.Ajo dha këtë shembull të mirë, por e përdhosi si të tjerët,duke e përdorur opozita,gjasme për të plotësuar kërkesat e studentëve.
Siç duket, opozita ka bërë një plan të studiuar për ta zgjatur sa më shumë këtë grevë që, nën shembullin e saj,të ngrenë masat në grevë për të paralizuar gjithë jetën e vendit.
Tani më kristalizohet mirë mendimi dhe mua që jam shumë larg prej vendit tim,se kjo po bëhet vetëm e vetëm për të penguar reformën në drejtësi nga politikanë që dinë se çfarë do t`u ndodhë më vonë, se po vjen koha që ato që kanë marrë me korrupsion e pa të drejtë, do t`i paguajnë.
Nuk ka asnjë vend në botë,veç këtu, që një njeri, proletar në mëngjes, në mbrëmje, bëhet milioner.
Në vendin ku unë jetoj, duhet të punosh dy turne, mbi 10 deri në 20 vjet, që të bëhesh milioner, duke futur këtu edhe  gjithë pjesëtarët e familjes. Shtrati i ngrohtë i korrupsionit ua ka errur mendjen dhe u ka shtuar në mënyrë marramendëse etjen për pasuri të pallogaritshme e jetë luksoze familjare.Këto veprime të oligarkëve,që parim kryesor kanë vetëm qëndrimin në pushtet ose marrjen e tij, sot po i lënë studentët në rrugë. Ata kanë 10 ditë që protestojnë,duke e ndërlikuar situatën.Si dy të kundërta që nuk takohen, mendimet e tyre pengojnë protestën. Njëra anë u thotë “që s’ka negociata, pa zbatuar kerkesat”, tjetra u propozon: “Hajdeni në dialog dhe të diskutojmë për zbatimin e tyre”.Studentët, deri tani, kanë mbetur si një turme amorfe dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë.
Stafi akademik i universiteteve mban një qëndrim separatist ndaj tyre,në fakt, ata janë shkaktarët kryesorë që i kanë çuar studentët në këtë veprim ekstrem dhe,pasi fituan autonominë me ligjin e ri, i trajtuan studentët si blerës dhe veten si pronarë;i përdorën fondet shtetërore për nevoja të tyre,duke i shpenzuar pa kriter.
Është tronditëse sot që, një rektor të blejë makinën 10 mijë euro, duke rritur tarifat e studentëve ose të shpenzoje 6 milion euro për roje të godinave në vit. Nga këto fakte që po dalin këto ditë, përvijohet shumë qartë se ata nuk e kanë pasur vëmendjen për realizimin e detyrës së shenjtë që u është ngarkuar për tempullin e dijes, por te shpërdorimi i postit, duke e vënë atë në funksion të interesave të tyre.
Nuk mund të shpjegohet,ndryshe fakti që rektorët e universiteteve janë punësuar gjatë muajve në 10-15 vende pune në borde e punë të tjera. Ku e gjen kohën ky drejtues për të bëre punën e tij? Pra, autonomia solli anomali dhe jo rregull në këto institucione. 

13 dhjetor 2018
Një ditë e gëzuar për  Reformën në Drejtësi.
Për këtë reformë,para tri viteve, u ndryshua dhe kushtetuta, duke u aprovuar nga 140 deputetë (100%). Për zbatimin e saj, u zbatuan dhe të gjitha ligjet e nevojshme për të zbatuar në praktikë reformë të re rrënjësore në vend. 
Gjatë rrugës për miratimin e ligjeve,u deshën dy vjet, nëpërmjet një lufte të kundërtash, mbasi, klasa politike shqiptare që është e mbërthyer nga koka prej korrupsionit, u bë një pengesë serioze për ta zbatuar atë deri në fund. Kjo rezistencë ishte për të shpëtuar veten nga burgu dhe ka bërë që,për një vit,të mos funksionojë sistemi i drejtësisë.
Me përfundimin e Vetingut për organet drejtuese, sot u ba e mundur që të ngrihet KLP(Këshilli i Lartë i Prokurorisë) dhe KLGJ (Këshilli i Lartë i Drejtësisë).
Kjo është një ditë e gëzuar,se u hodhën themelet e sistemit të ri gjyqësor, i cili nuk ka kthim prapa ,dhe nuk ka fuqi askush që ta pengojë.
Këto organe që u ngritën sot, brenda muajit janar, do të strukturojnë dhe organet e tjera, duke filluar me Byron e Hetimit e të Gjykimit.
Kjo do të bëjë që, në muajin shkurt në vendin tonë, të vihet në efiçensë reforma e shumëpritur nga të gjithë shqiptarët,se  ky sistem u pati zënë frymën.
Këto rezultate u arritën me ndihmën e pakursyer të SHBA dhe të BE. Ndihma e tyre bëri që kjo reformë të marrë jetë, që për shqiptarët, si kudo në botë, të lindë një dritë e re në fund të tunelit të errët të drejtësisë, për afro 30 vjet, në vendin tim.Gjatë kësaj periudhe,hallkat e këtij sistemi u bënë të pa kapërcyeshme për drejtësinë. Ajo vepronte vetëm për oligarkët të cilët u bënë të paprekshëm nga ligjet,sepse  ato bliheshin me para.
Në burg,mbeteshin vetëm të varfërit që nuk kishin mundësi të paguanin ligj-zbatuesit.
Sot,më aktuale se kurrë për vendin tim, tingëllojnë fjalët e Hasan Zyko Kamberit, i cili, para 304 vjetëve, botoi poemën “Paraja”, në të cilën bejtexhiu shkruante:
“Moj paraja zagare,
 bëre botën avare;
…dhe kadiut po t`i tregosh paranë, 
 ters e kthen sherianë”.
Prandaj, kjo ditë kur u ngritën këto dy këshilla emërimesh, që do të ngrenë komplet strukturën e re të drejtësisë, është një ditë e gëzuar për të gjithë shqiptarët, është ditë historike, që do të sjellë një dritë të re për gjithë shqiptarët, një rilindje të re.
14 dhjetor 2018
Ditë gëzimi për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për Kosovën.
Sot, në Kosovën e re, kuvendi i saj me 100% të votave të deputetëve miratoi 3 vendime që forcën e FSK do e kthejë në rolin e ministrisë së mbrojtjes, me një forcë 5000 rekrutë aktivë dhe 3000 rezervë. Kjo forcë që sot merr atributet e Forcës së Armatosur ,e cila nëpërmjet një programi 10 vjeçar, në 3 faza, do të përfundojë programet e organizimin e kësaj force, pajisjen dhe kompletimin për të shërbyer në operacionet paqeruajtëse në kuadër të Nato-s.
Ky vendim i rëndësishëm u përkrah nga SH.B.A, Britania e Madhe, Gjermania e Italia. Ndërsa NATO e konsideroi si të parakohshëm për vetë faktin se janë disa shtete të NATO-s që akoma nuk e kanë njohur Kosoven.Por, veç kësaj, NATO  do ta ruajë bashkëpunimin me Kosovën dhe forcat do të jenë prezente aty, derisa të mbarojnë fazat e përgatitjes 10 vjeçare të kësaj force.
Kosova plotësoi konturet e një shteti si gjithë të tjerët,sepse, deri tani, me politikën që bënte Serbia kudo në botë, ajo kishte mbetur si krahinë autonome,megjithëse është njohur nga 114 vende të organizatës së OKB-së,të cilat përbëjnë mbi 56% të vendeve të saj.
Kjo ndodhi falë ShBA dhe Gjermanisë e Britanisë së Madhe, këtyre, dhe shumë vendeve të tjera si: Italia, Franca, Austria që kanë qëndruar gjithmonë në krah të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo ku janë në botë. Ky shekull është i shqiptarëve,zoti i bëftë ato të fuqishëm dhe të vetëdijshëm për detyrën e madhe që kanë  përpara.Rruga është akoma e brishtë dhe, një gabim i vogël, mund të bëhet regresiv për rezultatin që presim.

15 dhjetor 2018
Një lajm që, për mua, nuk përbën lajm.
Sot në ora 12 të ditës, në lajmet e pergjithshme në Amerikë, më tërhoqi vëmendjen lajmi që tregonte se në Amerikë ka ardhur presidenti i Serbisë A.Vuçiç, i cili, bashkë me ambasadorin rus, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, për shkeljet që ka bërë Parlamenti i Kosovës, duke miratuar ligjet, që do të kthejnë FSK në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Në fillim, u çudita se këta politikanë pa fytyrë, këto bisha të Ballkanit, mendojnë se janë në kohën e Millosheviçit.I çuditshëm është guximi i tyre,që nuk nxjerrin mësime nga çfarë u ka ndodhur.
Krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës e përkrahën SHBA, Britania dhe Gjermania.Qëllimi i saj nuk është për të pushtuar serbët,siç ata propagandojnë anë e mbanë botës.Të ngjall neveri kjo politikë e cila, bazë të saj, ka shpifjen për çdo problem që ngrenë.Akoma këtyre beterristëve nuk u është mbushur mendja se mbi Kosovën ata nuk kanë më asnjë autoritet.
Kosova sot është e pavarur, ajo plotëson të gjitha kushtet e një shteti: territorin, gjuhën, kombin dhe gjithë institucionet e saj.Forca e Armatosur e Kosovës ka vetëm qëllime paqësore. Ajo nuk mund të luftojë kundër popullit të vet,siç janë pakicat serbe në veri të saj, sepse është një shtet multietnik dhe gjithë të rinjtë e pakicave janë nënshtetas kosovarë,prandaj ata do të marrin pjesë në forcat e armatosur që të mbrojnë vendin e tyre.Serbët akoma i udhëheq parimi :“Mos bëni si bëj unë, por bëni si them unë”. Ky është një parim i vdekur tashmë për Kosovën dhe popullin e saj.
Nënat,motrat e djemtë kosovarë nuk do t`i harrojnë për shekuj krimet çnjerëzore që kanë bërë ata ndaj tyre. Ato janë tepër të freskëta për çdo kosovar;këto krime nuk kursyen as fëmijet e gjirit dhe pleqtë e moshuar, pa bërë fjalë për të tjerët. 
Lojërat e tyre sofistikuese duhet t`i mirë  shqiptarët. Ata punojnë me sistemin e ajsbergut.Atë ditë që të lavdërojnë, e ke gropën gati.Ai shtet ka shekuj që forcohet e zmadhohet nga pabesia dhe është zjarrvënësi i Ballkanit.
Në këto kushte, para gjithë shqiptarëve e në veçanti udhëheqja e Kosovës, duhet të tregojë një unitet të fortë për veprimet që do të vazhdojnë në bisedimet me Serbët.Duhen zgjedhur djemtë e vajzat më të ditura, që zotërojnë njohuri të mjaftueshme për t`i përballuar ata.Në bisedime, nuk duhet të rrëmbehen nga nacionalizmi, por durimi e pjekuria.
Miratimi në mënyrë unanime në kuvend e deklaratës (rezolutës) për bisedime me Serbinë,pas miratimit të ligjeve për ushtrinë, është një shenjë e mirë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, se vetëm të bashkuar mund të fitojmë dhe të konsolidojmë më tej shtetin e ri kosovar.
Puna që ka filluar për një bashkëpunim të mirë ekonomik dhe politik me Shqipërinë, lëshimet e reduktimi i burokracisë midis dy vendeve në fushën ekonomike, kulturore dhe politike, kanë bërë që të ketë pika doganore në portin e Durrësit për Kosovën, kushtet lehtësuese në portin e Shengjinit dhe të tjera, i tmerrojnë serbët se,sipas tyre, po bëhet Shqipëria e Madhe. Kjo fjalë i trondit ata dhe në gjumë, prandaj,çdo veprim i bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë, i tmerron; nuk lenë organizëm ndërkombëtar pa njoftuar për çdo veprim midis dy shteteve tona që synojnë për t`u bërë pjesë e BE-së; dhe kjo  barazohet me termin tërbues, për politikën e tyre, “Shqipëria Etnike”.
Kosova e Shqipëria duhet të kuptojnë se kanë një përgjegjësi të madhe, jo vetëm për popujt e tyre,por dhe për tërë trojet e tjera shqiptare në Ballkan.
Shqiptarët sot janë shtetformues dhe në Maqedoni, janë me shumicë në Malin e Zi,në Serbi dhe në vendet fqinje, Greqi dhe Itali, ku jetojnë me mijëra shqiptarë. Serbët i tmerron kombi ynë ,se për shekuj  kanë bërë çfarë kanë dashur me të, duke përdorur dhe dredhitë e Fuqive të Mëdha që e copëtuan  në disa shtete. Kjo bën që përgjegjësia e klasës politike shqiptare duhet të jetë  me një syçeltësi të madhe.E, për Shqipërinë e Kosovën, është i pafalshëm qëndrimi indiferent ndaj këtyre problemeve.
Në gjithë veprimtarinë e tyre në të gjitha fushat,filli i kuq që duhet ta përshkojë punën e pareshtur,duhet të jetë bashkëpunimi,ndihma, interesimi dhe fuqizimi i kombit tonë.
Veç kësaj,evidentimi i çdo shqiptari kudo që jeton, është detyrë që nuk duhet neglizhuar nga shteti amë dhe Kosova.Se,pa identifikim nuk ka ndihmë e përkushtim për jetën e tyre.
Ditë më të bukura kanë ardhur për kombin tonë dhe ne duhet t`i vlerësojmë në maksimum.Një nënvlerësim sot do të thotë një skllavërim nesër, një çkombëtarizim që është fatal për sot e mot.
18 dhjetor 2018
Këto vitet e fundit, është bërë e zakonshme, gati,çdo fund viti,nisemi për Londër dhe festën e Vitit të Ri e ndajmë me fëmijët që kemi në Angli.Edhe sivjet, nuk i shpëtuam këtij rrugëtimi nga një kontinent në tjetrin.
Më 18 dhjetor,bashkë me Dritën,bashkëshorten e jetës, u nisëm, në orët e fundit të ditës në Amerikë, për të rrugëtuar me “British” për në Londër drejt aeroportit Heathroë, një ndër aeroportet më të mëdhenj në botë, ku, në çdo  3 minuta, ulet e ngrihet një avion.
Rrugëtimi për moshën tonë tani është i vështirë.Por,këtë radhë, ishte më i këndshëm se çdo herë. Në linjë direkte, vendet në avion ishin të mira, jo të ngushta, shërbimi dhe komunikimi ishte për ta pasur zili. Këtë vit, gjendja shëndetësore dhe ekonomike e fëmijëve,si në Angli dhe në Amerikë, është e nivelit të kënaqshëm  dhe, gjendja shëndetësore e Dritës,  është e mirë dhe pothuajse krejt e rikuperuar, e shëndoshë dhe e aftësuar, pas dy operacioneve që bëri në të dy gjunjët.Kjo është një kënaqësi, se, prej vitesh, ka qenë me shumë probleme.
Në Heathroë, kishin dalur për të na pritur Beni dhe Bana me gjithë fëmijët, ishin nipër dhe mbesa me plot shëndet,të preokupuar dhe të gëzuar për ne. Ora ishte një e natës në Angli. Aeroporti gjallëron si natën dhe ditën, 24 orë, por, me një ndryshim, se natën përzihen rrezet shumëngjyrëshe të llambave dhe, në qiell, duket ndriçimi i avionëve që kthehen dhe ikin në të gjitha vendet e botës, ata dukeshin si yje të vegjël dhe, sa më shumë i afroheshin aeroportit, ata zmadhoheshin, shumoheshin dhe harmonizoheshin me të.
Të gjithë ishin rreshtuar para portës, ku dolëm unë e Drita me bagazhet; dukej sikur po prisnin për një gëzim familjar.Nipërit dhe mbesat u ndanë të parët nga rreshti dhe na dhanë përqafimin e parë me lule në duar.Gloria, Rej, Serxho dhe pastaj Tani, Beni dhe Bana.U sistemuam në makina dhe u pyetëm për punën, shëndetin e me radhë, deri për gjëra të dorës së dytë.
Qëndrimi për festat në Londër këtë vit,përkon dhe me përvjetorë të datëlindjeve të Serxhos,djali i Benit, të Tan Muharremit, dhëndrit dhe  meje.Këto varionin nga data 1-3 janar dhe, këtë vit, i rrumbullakosëm me datën 31.Kjo natë u kthye në një ditë gëzimi dhe hareje për të gjithë.Ishin grumbulluar miq, shokë, dhe tërë familja; nuk dallohej se kush ishte më i gëzuar,se të gjithë ishin në gaz dhe hare.Një pjesë shërbenin, një pjesë këndonin, diku shkëmbehej ndonjë batutë e shumë të tjera.
Duke vështruar se ku kemi arritur dhe kur shoh këta njerëz të gëzuar, të gjithë të harmonizuar për së mbari me jetën angleze, ndjej nga thellësia e zemrës një emocion për respektin që na bëjnë të gjithë, jo vetëm fëmijët tanë. E në mënyrë të pavullnetshme dalin nga sytë dy pika lotë gëzimi, që shprehin dhe dufin dhe emocionin, vërshuar nga zemra për të gjithë.
Nuk është e lehtë sot në këto kushte kur është zbehur pak dashuria dhe respekti për të moshuarit,se fëmijët janë larguar, secili jeton me familjen e tij, kontakti dhe takimi nuk është i përditshëm, e të gjitha këto janë faktorë që spostojnë vëmendjen.Por, ky takim, tregon të kundërtën e këtij mendimi.Këtu zemrat e fëmijëve nxjerrin nga thellësitë e tyre vetëm kënaqësi dhe respekt, ashtu si në Amerikë ku jetojmë ne.
E pra, kjo është kënaqësia që ne na e shton jetën,na bën të gëzuar e të kënaqur në këtë pjesë të jetës,ku, dalëngadalë pa e shikuar, pa e ndjerë, aftësitë tona bien çdo ditë, mundësia e lëvizjes pakësohet, kontakti me shokë fillon e zbehet. Mendja kërkon më  tepër, po mundësitë janë të vogla dhe vijnë duke u dobësuar e venitur,por,kur sheh se dhe nipërit e mbesat interesohen çdo ditë vetëm për të gëzuar gjyshin e gjyshen, është një gjë madhështore,që nuk blihet kurrë me para, një virtyt që, në familjen tonë është kultivuar brez pas brezi.
Kafe pija në mëngjes,ekspres italian,me Rein e Serxhon,bënim biseda për jetën, punën, moshën e pubertetit, e cila është një fazë delikate për jetën e të riut. Ata i dëgjonin me vëmendje,ndërsa mua më dukej  sikur po bëja ndonjë leksion për psikologjinë, por, për t`u theksuar, është se dëgjonin me interes dhe, në diskutimet për shembuj të ndryshëm në jetë, ishin mjaft aktivë. Kjo ma ngrohte zemrën se, sadopak, këto fjalë kishin zënë vend në ndërgjegjen e tyre.Të gjithë ata prindër që e vlerësojnë me autoritet këtë periudhë, janë të humbur në edukimin e tyre.Kjo kërkon një bisedë të barabartë, bindje nga ndërgjegja, jo nga presioni.
Jam tepër i gëzuar se dhe brezi i tretë i familjes sonë ka në gen respektin dhe dashurinë për prindërit, për punën, për një jetë më të mirë, dhe nuk kënaqen me pak, se,ai që kënaqet me pak dhe sprapset nga veshtirësitë e jetës, del gjithmonë i humbur.

21 dhjetor 2018
Vizitë në parkun e madh mbreteror prej dhjetra hektarësh.
Ishte një ditë me kohë të mirë, me diell dhe, në disa orë, me re, por jo e mbuluar me mjegull,siç ndodh zakonisht në Londër.Temperatura ishte 15 gradë celsius.Kishte shenja të plota për të sinjalizuar stinën e bukur të pranverës, ku çdo gjë gjallërohet dhe merr jetë. Natyra heq petkun e bardhë të dëborës dhe fillon të veshë atë të gjelbërimit.
Bashkë me Benin,Banën dhe Enxhin, u nisëm nga “Hamsmith” për në qendër të Londrës.Ishte një kohë kur nuk kishte trafik, rrugëtimi ishte i këndshëm. Por atë e zbukuruan më mirë disa batuta që hidhte, herë pas here Beni dhe Enxhi.Siç kemi zakon, as unë dhe Bana nuk mbetemi prapa. Drita, që ishte më serioze, herë pas here i tërhiqte verejtje Benit:Shiko rrugën të lutem, se bën ndonjë karambol.Ky seriozitet poroz sikur e stepi pak atë harmoni që u krijua pak më parë.Por, nuk vonoi vetëm disa sekonda dhe, objekt i batutave u bë Drita. Kjo e gjallëroi më shumë ambientin, dhe rrugën nuk e ndiem, ajo na u duk shumë e shkurtër.
Në orën 11,parkuam makinën në hyrje të parkut para rezidencës mbretërore. Në hyrje të parkut,mendoja se do të kishte ndonjë kioskë biletarie ose persona të veçantë që të prisnin për të hyrë në park.E pyes djalin se ku i kishte biletat që të hynim? Ai m`u përgjigj me humor se na i kishte prerë mbretëresha, se për amerikanët është falas, ndërsa të tjerët i kishin prerë vetë. Mirë e ke,- i thashë.
Parku ishte përballë rezidencës,vetëm e ndante rruga.I afrohemi hyrjes që gumëzhinte nga patat ,rosat e shpendë të tjerë. Drita  e shqetësuar më afrohet: - Mos dëgjo Benin, po prit biletat. I them: Po moj po, se i ka Beni, po bën shaka.
Parku madhështohej me  dhjetra hektarë.Aty ishte gërshetuar më së miri puna e dorës së njeriut dhe specialistëve të fushave të ndryshme, me shumë vatra që përfaqësojnë dhe natyrën e egër të tij në të kaluarën.Të bie në sy që në hyrje, një liqen me forma të ndryshme, i populluar me  lloje të shpendëve të ujit.Ato, shpesh, dilnin përpara grupe grupe, pasi u ishte krijuar refleksi i ushqyerjes nga punëtorët e rezervuarit dhe, njëkohësisht, shumë vizitorë sillnin me fëmijët ndonjë furnizim të vogël për t`i pasur ato sa më afër tyre.
Patat,rosat,çafkat e  zogj të tjerë grupe grupe, vozisnin në rezervuar;ishin me ngjyra të ndryshme dhe  me zërin e tyre melodik e lëvizjet, krijonin një mozaik melodish dhe një larmi ngjyrash.Binin në sy patat e mëdha, dëborë të bardha,rosat shumëngjyrshe dhe shpendë të tjerë. Për t`u futur në park, ishte ndërtuar një urë druri dhe, në anën e djathtë të tij, në një sipërfaqe rreth 10 m2në formën e një kënete,buronte uji që furnizonte liqenin.
Parku, në të katër anët e horizontit,kishte hyrje dhe dalje. Kudo dukej dora e specialistëve në sipërfaqen e tij, duke filluar nga bari i gjelbër me forma të ndryshme,me pemë të rralla të harmonizuar në sipërfaqen e tij, me parcela 600 m2me forma të ndryshme, të rrethuara me brezore të gjelbra ligustrash në çdo hyrje dhe në lëndinat e tij.Këto komplekse lulesh shumëngjyrëshe më sillnin në mendje lëndinat e malit të Dejës në muajin korrik, më sillnin ndërmend mozaikun e luleve te liqenet e Lurës.Por, me një ndryshim, se ato atje kanë një aromë të jashtzakonshme që kundërmon  nga larg.
Ulem në stolin në qendër të parkut,ku ishin 3 parcela me lule me një larmi ngjyrash.Të dukej sikur gjithë ngjyrat e botës ishin skalitur në këtë mozaik ,të cilat, kur i shikon tani në muajin janar, të sjellin një kënaqësi të jashtëzakonshme.
Pas këtij pushimi të shkurtër,tepër të këndshëm e çlodhës,vazhduam rrugëtimin nëpër lëndina ku, dhe në sheshe, kishin dalë luledele;pastaj u ngjitëm në një kodër që dukej si e parekur nga dora e njeriut, siç ka qenë në shekuj. Aty u njohëm me të gjitha llojet e drurëve që rriteshin me shkurre dhe me lisa shekullorë.
Në krye të kësaj kodre, buronte në formë shatërvani ujë i bollshëm i cili, në anën lindore të kodrës, ishte ngritur me gurë të veshur nga myshku shekullor dhe, mbi këto rrëshqiste uji që të rikujton një Niagarë të vogël, disa metra të lartë.Ujëvara derdhej në liqen i cili ishte plot me gallesa e në veçanti me peshq. Rreth e qark kësaj kodre, qarkullonte rruga e shtruar për vizitorët.Përballë kësaj, në një stol,u çlodha disa minuta, duke medituar e sjellë në kujtesë shumë ujëvara të vogla në malet me lisa në Californi të SH.B.A, ku ishim me pushime në korrikun e 2010. Por me një ndryshim,atje ishim të rrethuar nga tufa drenushash të moshave të ndryshme, se ishte rezervat,por i mbushur me vila për pushime, me një infrastrukturë e furnizim të përsosur dhe në lartësitë mbi 3000m.
Të tjerët ishin larguar e unë po qendroja në këtë bukuri të rrallë, duke e soditur atë me kënaqësi të jashtëzakonshme. Vjen Enxhi e më thotë:O gjysh, hajde se do të hamë drekë aty poshtë!
Ora ishte 3 pasdreke,në qendër të parkut ishin disa kioska të bëra prej druri, të zbukuruara e të përshtatura sipas vendit. Kjo drekë na ngjiti si asnjë tjetër në këtë ambient që gradon mendjen në  zero.
Pas drekës,filluam vizitën në objekte të tjera,të cilat shoqëroheshin me tabela treguese.Mjedisi në anën lindore,dukej si një vend  tjetër, me forma dhe gjëra të tjera që thyenin njëtrajtshmërinë e parkut.
Po i afroheshim daljes dhe njihemi me tabelën që shpjegon fuqinë punëtore, specialistët e ndryshëm që shërbejnë dhe të teknikëve organizativë të kësaj ndërmarrje të specializuar për mirëmbajtje dhe për rinovimin e tij.
Ky park i ngjan një ndërtese madhështore ku kanë punuar specialistë, inxhinierë dhe arkitektë nga më të aftët, të cilët, me punën e tyre të palodhur, kanë krijuar këtë mrekulli, që mbush me adrenalinë zemrat e miliona njerëzve që e vizitojnë nga e gjithë bota.
30 dhjetor 2018, Londër
“Kur rrënjët janë të forta, frutet janë të ëmbla”
Bob Marle
Dorina,si gjithnjë,ka qenë me mendje të kthjellët dhe sy të mprehtë si  shqiponjë që, me përvojën e saj, rrugët për gjahun i vlerëson nga të gjitha anët, se vetëm kjo e çon në një rrugë të pagabuar dhe me sukses. 
Çdo gjë e thellë në probleme të vështira,e cila ka të bëjë me nyjet kyçe të jetës, kërkon një punë sistematike, të thellë dhe të qëndrueshme e pa nxitim, se kjo çon në rrugën e dëshëruar.
Është ora 15.00;isha duke lexuar në librin voluminoz të Bill Klintonit dhe Xhems Paterson.Është një libër i këndshëm dhe i shkruar me një stil që kërkon vemëndje, për të lidhur ngjarjet politike të periudhës, në të cilën është vendosur ngjarja dhe përgjithësimet që nxjerrin. 
Nga kati i dytë i vilës, vjen Drita dhe më thotë: - Bisedova me Shqipërinë, ishin të gjithë mirë, por, në prag të kësaj feste, do të jap dhe një lajm të mirë. 
– Çfarë ka moj?
Shkëputem nga libri,i vendos treguesen dhe e vë në divan ku isha duke lexuar. Drita më sjell telefonin e saj dhe më thotë:
 - Shikoje këtë fotografi! 
Marr telefonin,e rrotulloj, dhe e shikoj me kujdes. 
– Çfar ka ndodhur? Kush është ky? Ndonjë shok i punës së Dorinës?.. 
– Po shikoje, si po të duket? 
– Po ka gjë, që duhet ta shikoj dhe ta vlerësoj, a po janë fjalë që i merr era?
 Drita më  shpjegon rrjedhën e ngjarjes dhe, në hollësi, disa probleme të përgjithshme. 
Në dorë të kujt është problemi tani?Dhe ajo më shpejgon përsëri gjëra të tjera të hollësishme për të dhe, në fund, më thotë: 
-Si po të duket?             
-Pishë e pastër, pa asnjë nyje gjatë rritjes.           
Drita ndërhyn si e inatosur:
-Lëri ato tautologji fjalësh, fol me kujdes!... 
Qëndroj disa sekonda përsëri me telefon në dorë duke e shikuar dhe i them Dritës:“Dorina si gjithnjë me mendje të kthjelltë dhe sy të mprehtë si një shqiponjë me eksperiencë, që gjahun e vlerëson nga të gjitha anët.”Më gëzove pa masë për këtë lajm tepër gazmor,për këtë vajzë, që ,gjatë gjithë kohës së adoleshencës, rinisë, ka qëndruar me karakter të pastër, me sjellje tepër korrekte dhe të kulturuara  në shkollë, shoqëri dhe familje.Kjo është ndër vajzat me tipare më të përcaktuara në familjen tonë. 
Kjo zogës e zbukuruar si me plastelinë, me vetulla të zeza, me fytyrë të zgjatur si vashat e hershme, me mendje të kthjellët dhe të mprehtë, depërtoi në një profesion mjaft të vështirë, por doli kurdoherë fitimtare.Trupi i saj si një mënjollë që synon të ecë sa më lart, të ngjall kënaqësi. Dëshëroj nga thellësia e zemrës,që, të vegjëlit e kësaj shqiponje,të fluturojnë lart, sepse aty është ajri më i freskët, por dhe vështirësitë janë më kalitëse për to.
Kjo që them unë, Dorë e dashur,do shumë punë e kohë, nuk kërkon asnjë nënvlerësim, por  mendim të qartë dhe vendim të harmonizuar midis jush.Fazat që zgjasin në infinit, nuk sjellin gjëra me vlerë. Dëshëroj të jeni një trup i vetëm dhe në harmoni të përhershme, e jo me mentalitetin e krijuar me kohë të kufizuar. Dëshëroj që kjo celulë, kaq e pastër dhe në kohën e duhur, do t`i rezistojë çdo vështirësie e peripecie që del në jetën e përditshme.
Nga bisedat që kam bërë me Shaqirin,se ai është më i saktë nga ato që bisedova, më ka thënë fjalë të mira. Se ç’ka përfituar nga shkolla, praktika dhe jeta, do ta shoh kur ta takojmë në verë. Unë gëzohem po ashtu, që kam dhe besim te ti, e ky besim më ngulit në ndërgjegje mendimin se çdo gjë është në prefeksion. 
Paçi fatgëzim e lumturi në jetë, e për këtë nuk kam asnjë dyshim.Ju përqafoj për së largu të dyve… 
Gjysh Ahmeti 



No comments: