Saturday, 1 June 2019

HASAN PRISHTINA, TRURI AKTIV I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

HASAN PRISHTINA,

TRURI AKTIV I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Esse nga Luan Çipi 
Hasan Prishtina padyshim është atdhetar i madh dhe protagonist i historisë sonë kombëtare, njëkohësisht luftëtar, ideolog e  diplomat, arsimdashës i shquar. Ai është një ndër prijësit kryesor, truri aktiv,  i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për liri e pavarësi.
Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873 dhe vdiq i vrarë pabesisht, me porosi të Zogut, në qytetin e Selanikut, më 13 Gusht të vitit 1933.
Deri më 1908 është quajtur Hasan Berisha - Polaci, ose Hasan Vuçitërna. Fëmijëria e tij dallonte nga ajo e moshatarëve të vet. Familja e tij qëndronte mirë ekonomikisht. I ati, Ahmeti, punonte si furnizues i ushtrisë turke, në garnizonin e Selanikut.
Mësimet e para i mbaroi në Vushtrri, me rezultate të shkëlqyera. Vazhdoi shkollimin në Selanik dhe në Stamboll, ku dhe u diplomua për drejtësi, në Fakultetin e Shkencave Politike- Juridike.
U bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës për në Parlamentin turk. Ai që nga ky moment ndërroi edhe mbiemrin Vuçitërna dhe do të quhet Hasan Prishtina. Kontributi i tij në Revolucionin Xhonturk (Turqve të Rinj), qe shumë i madh. “Qëllimi i tyre ishte reformimi i Perandorisë Osmane dhe rivendosja e Kushtetutës së vitit 1876.Për ta pasur përkrahjen e shqiptarëve, xhonturqit iu premtuan atyre se “kur të arrijnë në pushtet, do t’ju njohin autonominë.” Duke u bazuar në këto premtime, shqiptarët iu bashkëngjitën Lëvizjes Xhonturke dhe luajtën rolin vendimtar në rrëzimin e tiranisë së sulltan Abdyl Hamitit II (1876- 1909). Rol të rëndësishëm në këto ngjarje, kishte edhe kazaja e Vushtrrisë, me në krye Zejnullah Begun dhe vet Hasan Prishtinën.
Trojet nën Turqinë, Kosova dhe Shqipëria, ishin ndër vatrat kryesore të këtij shpërthimi, që do të rezultonte me kthimin e Kushtetutës (Hyrjetit) dhe me disa premtime të tjera mashtruese. Kjo Lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane, sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: “Liri, Barazi, Vëllazëri”, e cila në të vërtetë, u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike.

Sidoqoftë, mundja e sulltan Abdyl Hamitit II, të cilin shqiptarët e quanin “demon shpirtzi”, u dha shanse të merrnin frymë më lirshëm edhe popujve të tjerë të robëruar.

Mirëpo, as turqit e rinj nuk e patën të gjatë, sepse nuk i realizuan premtimet e dhëna. Përkundrazi, me këtë aksion, ata shkuan edhe më larg, nisen asimilimin e të robëruarve, duke i quajtur të gjithë shtetasit e Perandorisë, “Osmanlinj”. Të zhgënjyer thellë, shqiptarët  organizuan rezistencë edhe kundër tyre. Kështu, në përmbysjen e xhonturqve, shqiptarët dhe deputetët e tyre në Parlament luajtën rolin kryesor.

Edhe pse ministër i punëve të brendshme në Stamboll u vendos shqiptari Ferid pashë Vlora, përplasjet midis shqiptarëve të Kosovës dhe qeverisë turke veçse thelloheshin. Ekspeditat ndëshkuese të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në fillim të vitit 1909, e acaruan dhe më shumë gjendjen.

Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi, qe Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta, trazoi e ngriti në këmbë, gjithë Parlamentin.

Shpirti kryengritës e çlirimtar i Hasan Prishtinës nuk dorëzohej. Ai shpërthente si vullkan i pashuar, mu në mes të kësaj gërmadhe që, dita- ditës, po përmbysej si e kalbur dhe e vjetruar. Largpamësinë e tij, për rrezikun që vinte nga Aleanca Ballkanike, si për perandorinë, si për shqiptarët, të tjerët nuk donin ta kuptonin fare. As kërkesat e Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit me shokë, për ta ndalur dhunën në Kosovë e gjetiu, nuk i morën parasysh, prandaj deputetët shqiptarë  të revoltuar, reagonin në mënyra të ndryshme, deri në organizim revoltash popullore.

Po, Kryengritja e Madhe në Kosovë, në prill të vitit 1910, ku morën pjesë mbi tridhjetëmijë luftëtarë, u shua me gjak nga pesëdhjetë e pesëmijë forca turke, të udhëhequra nga Hilmi Pasha.

Kjo e dëshpëroi dhe e revoltoi Hasan Prishtinën me shokë. Ai u ngrit sërish në seancën parlamentare, mandej dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i cili mbante dhe ai përgjegjësinë, për ngjarjet tragjike. Kjo trimëri e pashoqe i la pa gojë parlamentarët turq. Shtypi shqiptar e quajti oratorin “Luani i Prishtinës”. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit, u kuptua se ai ishte ideologu i tyre kryesor, ndaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmeti V Reshati, përdori diplomaci, duke e amnistuar.

Kjo nuk e frikësoi aspak deputetin kryengritës, siç kishin zënë ta quanin Hasan Prishtinën. Përkundrazi, ai u bë përherë e më i ashpër. Kështu, më 3 mars 1911, prapë i parashtroi kërkesat kombëtare të kryengritësve shqiptarë, por ato prapë u refuzuan nga Turqit e Rinj. Në mbrojte i doli plaku Ismail Qemali me shumë emër dhe autoritet. Ministrat u zemëruan keq. Një deputet, Dervish beu nga Maqedonia, i doli prapa shpine dhe tinëz i ra shpullë plakut vlonjat. Hasan Prishtinës i erdhi aq rëndë, saqë  i kërkoi dyluftim të pabesit. Sërish ndërhyn Ismail Qemali: ”Biro! Ti i duhesh Shqipërisë!” Trimi e dëgjoi, por u tha atyre troç: “Zotërinj, ta dini se kjo ngjarje do të sjellë gjëra shumë të liga!”.

Këto përplasje diktuan domosdoshmërinë e kundërveprimit të organizuar. Pas një takimi në hotelin "Pera Palace", mes tij dhe Ismail Qemalit, më 12 janar 1912, u mblodhën në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, në lagjen "Taksim", deputetët e Beratit Ismail Beu dhe Aziz pashë Vrioni, deputeti i Gjirokastrës Myfid bej Libohova, deputeti i Durrësit Esad pashë Toptani dhe deputeti i Prishtinës, Hasan Beu. Deputetët shqiptarë pasi kuvenduan mbi masat që kërkonin nevoja e rrethanave, lidhën besën, duke u betuar mbi Kuran, për sakrificat e mëtejshme që do të ndërmerreshin në dobi të kombit e atdheut të tyre.

Në vazhdim, Tubimi në Kuvend të Junikut, që i zhvilloi punimet prej 21-25 maj 1912, ishte vendimtar për fillimin e kryengritjes se përgjithshme shqiptare. Aty u hartua Programi prej 14 pikash me kërkesa rigoroze dhe u caktuan udhëheqësit për rajonet e Kosovës: Bajram Curri për Gjakovë me rrethinë, Hasan Prishtina për anët e Pejës, Sadik Rama për Llapushë, Anadrini e deri në Opojë, Xhemail Berisha me Isa Boletinin për Mitrovicë e Fushë të Kosovës dhe Idriz Seferi me Hasan Hysenin për anët e Gjilanit. U iniciuan aksione të shpejta e konkrete.

Forcat shqiptare arrinin në mbi 10 mijë luftëtarë. Të gjithë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Memorandumi e tij, dërguar fuqive të mëdha, e që përbëhej nga 14 kërkesa,  njihet si “14 pikat e Hasan Prishtinës”.

Kryengritjet u zgjeruan dhe  mori përpjesëtime edhe më të mëdha. Kudo: luftëra, përleshje e beteja të njëpasnjëshme.  Kosova e tëra u la në gjak.

Shumë shpejt, flaka e kryengritjeve përfshiu tërë Kosovën. Një vit më parë e kishte munduar veten kot sulltani plak, Mehmet Reshati V. Kishte ardhur në Kosovë, tek varri i Muratit I, (të cilin, më 15 qershor 1389, e kishte therur me thikë trimi drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi). Erdhi për ta qetësuar gjendjen, por i shkoi mundi huq. Disa krerë, në mesin e tyre edhe Isa Boletini, nuk e pritën fare. Mosparaqitjen e tij e shfrytëzoi Hasan Prishtina për t’iu hakërruar sulltanit plak. “Pasha ekselencë, t’ju themi të drejtën as ne nuk na ka pasë hije me ardhë! E Isa Begu asht nga ana që nuk e gëlltit e as që harron nderin që me dajak i asht marrë popullit. Shqiptari çdo gja fal, po nderin kurrë, pa e marrë hakun. Qe, pra, Isa Boletini asht nji nga të parët e atyne, i vendosun e me karakter të papërkulshëm, si i ka hije shqiptarit. Ftesave që i kemi ba kështu na u ka përgjigj”.

As dorëheqja e xhonturqve nuk dha rezultate. Shqiptarët ishin të vendosur në kërkesat e tyre që u takonin. Ata e çliruan Prishtinën, Ferizajn dhe u nisën drejt Shkupit…

Më 12 korrik 1912, Bajram Curri, Isa Boletini,  Ahmet Delia e shumë luftëtarë të tjerë u gjenden në Shkup si çlirimtarë. Kjo e tronditi në themel Perandorinë e kalbur osmane, saqë, më 5 gusht 1912, do të shpërndahet edhe Parlamenti i Stambollit.

Nga 14 gushti pas zvarritjeve sepse parlamenti osman ishte shkrirë, autoritetet osmane më 4 shtator pranuan 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes si hap i parë i njohjes së autonomisë të Vilajetit Shqiptar.

Shtetet fqinje sodisnin dhe bënin plane djallëzore për copëtimin e tokave shqiptare. E formuan Aleancën Ballkanike dhe, atëherë kur bisha euro-aziatike po jepte shpirt, në njërën anë, dhe shqiptarët ishin lodhur e dobësuar nga betejat e pareshtura, në anën tjetër, u inkuadruan në luftë. Kështu, mbi tokat e porsaçliruara shqiptare, u vërsulen si një lukuni ujqish grabitqarë ushtritë serbo-malazeze. Secila mundohej ta kafshonte një copë më të madhe nga trupi i gjakosur i Shqipërisë Etnike.

Nëse luftërat ballkanike për disa popuj ishin fatlume, se ua sollën lirinë, për shqiptarët e Kosovës ishin të kobshme, sepse u sollën robëri të re.

Fitorja e 28 Nëntorit 1912 në Shqipëri, ishte e brishtë dhe fare gjysmake, pa e përfshirë Kosovën dhe Çamërinë.

Më 4 dhjetor 1912, formohet Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe Hasan Prishtina emërohet ministër i Bujqësisë.

Hasan Prishtina është i shquar e madhështor edhe në fushën e arsimit kombëtar. Kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund t’i gjendet krahasim jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve të tjerë. Përpjekjet e tij për shkollën shqipe përbënin një krah të luftës së tij të përgjithshme për lirinë kombëtare shqiptare,-

Ky arsimdashës i flaktë, fitoren mbi regjimin e tiranit sulltan Abdyl Hamitit, e shfrytëzoi në të mirë të gjuhës dhe shkollës shqipe. Me nismën e tij, pa humbur kohë, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir, i cili i zhvilloi punimet prej 14- 22 nëntor 1908.

Në këtë vazhdë shkon edhe Kongresi i Elbasanit, i njohur edhe si Kongresi i Shkollës Shqipe, i mbajtur më 2- 9 shtator 1909. Ëndrra e Hasan Prishtinës që të dominojë alfabeti latin në shkollat shqipe, po bëhej realitet. Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale me në krye Luigj Gurakuqin. Në atë vatër diturie do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës. Ky atdhetar kishte vendosur që gjithë pasurinë e vet ta shkrinte për shkollën shqipe.

Dhe, kjo pati sukses. Përhapja e arsimit shqip mori rrugë të mbarë gjithandej trojeve shqiptare. Drejtori i Normales së Elbasanit, atdhetari Luigj Gurakuqi, i priste përzemërsisht djemtë e Hasanit, siç i quante ai nxënësit kosovarë dhe gjithmonë i entuziazmuar brohoriste: Rroftë Hasan Prishtina!

Peripecitë e shkollës shqipe gjatë asaj periudhe janë të shumta, herë lejoheshin, herë ndaloheshin, dhe, gjithmonë në kacafytje me përfaqësuesit e saj anadollakë, qëndronte i madhi, i dituri dhe sypatremburi, Hasan Prishtina.

Edhe austro-hungarezët nuk u treguan aq të ashpër ndaj shkollave shqipe në Kosovë. Ky pushtues lejoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Vjena lejoi dhe ndihmoi jo vetëm hapjen e shkollave laike e shtetërore shqipe, por njëkohësisht bëri të mundur që pjesërisht edhe administrata të realizohej në gjuhën shqipe.

Pra, shqiptarët, edhe pse të vetëdijshëm për qëllimet imperialiste të Vjenës, i shfrytëzuan rrethanat e krijuara dhe brenda një kohe të shkurtër u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe dhe u vendosën shqiptarë nëpër administratat lokale (nëpër komuna dhe rrethe).

Atdhetari, Hasan Prishtina, në këto kushte, themeloi edhe organizatën politike me emrin “Komiteti i Kosovës”. ”Rëndësia historike e kësaj organizate ilegale shqiptare me qendër në Mitrovicë ishte se e ndaloi përpjekjen e Austro-Hungarisë, që në bashkëveprim me Turqinë t’i depërtojë shqiptarët e religjionit mysliman në Turqi. Depërtimi  duhej të fillonte më 1917.

Ndër qytetet që i shfrytëzuan këto rrethana ishte edhe vendlindja e Hasanit, Vushtrria. Aty, që në fund të vitit 1915 e gjejmë shkollën shqipe, e cila është ndër të parat në Kosovë. Pas tre- katër muajsh,  u formua edhe trupa muzikore-frymore (orkestra frymore) e shkollës, e cila u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës, i cili ishte nismëtar i saj dhe me mjetet e veta bleu veglat muzikore.

Ky apostull i arsimit shqip e kishte hapur edhe një shkollë shqipe në Polac të Drenicës, në vatrën e të parëve të vet.

Patriotët shqiptarë, krahas çeljes së shkollave në gjuhën shqipe, u angazhuan edhe për organizimin e kryengritjeve për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Kështu, në verë e vitit 1916, Hasan Prishtina dhe Azem Bejta, u takuan në Vushtrri dhe për tri ditë rresht, biseduan dhe trajtuan shumë probleme madhore kombëtare. Siç dihet, Azem Galica, prijës ideor e shpirtëror e kishte Hasan Prishtinën. Edhe Hasani, çdo aksion luftarak e realizonte përmes trimit të paepur, Azem Bejtë Galica.

Nga ky moment u punua paralelisht në dy fronte:

- Në hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, të cilat do të punojnë deri në vitin 1918 dhe

- Në përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur me karakter gjithëkombëtar..

Se tash e tutje punohej me Program të qartë, shihet edhe në takimin e Azem Galicës me inspektorin e përgjithshëm të Beogradit, Mihajlo Ceroviqin, në tetor të vitit 1919, në Fushë të Zhabarit, ku, në mesin e  kërkesave të tij ishin edhe këto: ”Të lejohet hapja e shkollave shqipe; gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë…

Po drejtimi kryesor i përpjekjeve atdhetare ngelej gjithnjë çlirimi i vendit nga zgjedha serbe.

Të nxitur nga momentet historike, një grup intelektualësh e patriotësh, vendosën të krijonin një organizatë politike, e cila do ta organizonte popullin në luftë për çlirim kombëtar. Më 1 maj 1918, intelektualë e patriotë të shquar, nën udhëheqjen e Hoxhë Kadriut (Kadri Lutfulla Prishtina 1978 – 1925), ilegalisht u grumbulluan në Shkodër dhe formuan Komitetin me emrin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”. Në të vërtetë ky ishte vazhdim i “KOMITETIT TË FSHEHTË”, krijuar gjithashtu në Shkodër nga Hoxhë Kadriu, më 1915.

Komiteti, edhe pse selinë e kishte në Shkodër, kudo, që nga jugu e deri në veri, i kishte degët dhe nëndegët e veta. Ai kishte edhe organin e vet, gazetën “POPULLI”, të cilën e udhëhiqte Sali Nivica, e cila botohej në Shkodër. “Gazeta kreu një mision të shenjtë, detyrën e mbrojtjes së idealeve kombëtare”.

Në kohë të ndryshme, si anëtarë të Komitetit punuan me vetëmohim luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare Demokratike si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Peja (Pejani), Beshir (Beqir) Vokshi, Azem Galica, Avni Rrustemi, Elez Isufi, Aqif Pasha, Sotir Peci, Ragip e Qerim Begolli, Sotir Kolea, Kel Marubi, etj.

Më 24 prill 1919, filluan të shpërndahen thirrjet për kryengritje. Në ato, pos tjerash, shkruhej “Vëllazen koha âsht tepër me rândësi.. S’kemi asnji minutë për të kapërcye në gjumë”. Dita e fillimit të kryengritjes u caktua dita e Shëngjergjit, më 6 maj 1919.

Sinjalin për fillimin e kryengritjes së përgjithshme në Kosovë, që më shumë do të njihet si Kryengritja e Llapushës, e dhanë Azem dhe Shotë Galica në Radishevën legjendare. Edhe në qendrat e tjera të Kosovës kishte filluar kryengritja në të njëjtën kohë. Në Llapushë lufta kishte shpërthyer shumë ashpër. Atje udhëheqnin trimat e njohur Sadik Rama i Gjurgjevikut, Ramadan Shabani i Kijevës dhe Beqir Rexha i Kërnicës.

Kryengritja përfshiu tërë Kosovën. Numri i kryengritësve arriti në rreth 10.000 veta.

Në dhjetor të vitit 1919 dhe janar të vitit 1920, Hasan Prishtina, kryesoi delegacionin, që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare” dërgoi në Konferencën e Paqes në Versajë-Paris, për të kërkuar bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve londinezë, me shtetin kombëtar shqiptar.

Hasan Prishtina për asnjë çast nuk pushoi së punuari për çështjen kombëtare. Tashmë, ai ishte truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përkrah dy burrave të mëdhenj të kombit, dy drenicasve të pandarë, Hasan Prishtinës dhe Azem Galicës, qëndronin edhe dy burrëresha sypatrembura, Igballe Prishtina dhe Shotë Galica. Këto bashkëshorte e bashkëluftëtare besnike, pos aksioneve luftarake, nëpër fronte e beteja, ndihmonin edhe në organizimin e përhapjes së diturisë e të gjuhës amtare në masat e gjera popullore. Sa e sa libra e abetare arritën t’i shpërndajnë anë e kënd trojeve tona të mbuluara nga terri i natës pesëshekullore aziatike.

Lufta e Parë Botërore, në të cilën morën pjesë 74 milionë ushtarë, mori fund në nëntor të vitit 1918. Ajo u kushtoi popujve 10 milionë të vrarë, 21 milionë të plagosur, afër 8 milionë të zënë robër dhe 3.5 milionë invalidë të rëndë të luftës.

Secilën dramë politike të Evropës gjatë historisë (Luftën ruso-turke, dy luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore) Serbia e ekspansioniste i ka shfrytëzuar për zgjerimin e kufijve të vet nga të gjitha anët. Kështu, edhe krijimin e shtetit të parë të sllavëve të jugut ajo e konsideronte si rast për të shtrirë përfundimisht pushtetin e saj mbi Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe mbi territoret e tjera joserbe.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Hasan Prishtina ishte i brengosur për copëtimin e Trojeve Etnike Shqiptare. Lëri Kosovën dhe trojet e tjera, që përherë ishin të gjakosura me pushtuesit grabitqar, por edhe kjo gjysmë Shqipëri ishte katandisur keq. Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët!- do të lutej me plot të drejtë mendjendrituri ynë, Faik Konica.

Në këto rrethana shqetësuese, Hasan Prishtina, përpiqej të bëjë ç’është e mundur për të shpëtuar nga Shqipëria gjysmake. Më 8 dhjetor 1921, Këshilli i Lartë ia besoi formimin e Qeverisë Hasan Prishtinës. Kryeministri i ri, me vizione të qarta të bashkimit kombëtar e formoi kabinetin e tij me këtë përbërje:

1.Luigj Gurakuqi- ministër i brendshëm, 2. Fan S Noli-  ministër i jashtëm, 3. Zija Dibra- ministër i luftës,4. Hoxhë Kadriu- ministër i drejtësisë, 5. Koço Tasi- ministër i financave, 6. Kristo Dako- ministër i punëve botore dhe 7. Haki Tefiku- ministër i Arsimit Publik.

Mirëpo, kabineti i tij nuk u pëlqye nga Ahmet Zogu dhe esadistët, andaj që të mos vinte deri te gjakderdhja vëllazërore, ai tërhiqet, duke dhënë dorëheqje pas katër ditësh. Zogu nuk u kënaq me kaq. “Armiqësia e Zogut ndaj grupit pro kosovar në Shqipëri vazhdoi edhe pas periudhës së marrjes së pushtetit, në dhjetorin e vitit 1924. Ai i kishte premtuar Beogradit se do ta ndalonte Komitetin e Kosovës; disa nga udhëheqësit kryesorë të këtij Komiteti, si për shembull, Hasan Prishtina, ikën në Vjenë. Zogu organizoi një atentat për ta vrarë atë në Vjenë më 1828, por pa sukses. Edhe Hasan Prishtina përgatiti një kundër atentat për të vrarë Zogun, por edhe ai dështoi; pastaj po atë vit Hasan Prishtina u dënua nga Zogu me vdekje, në mungesë”. Pra, Ahmet Zogu vazhdoi ndjekjet dhe  dënimet e atdhetarëve shqiptarë, duke i shpallur si antikombëtarë. Kështu, për vrasjen e Hasan Prishtinës, u premtuan 2000 franga ari si shpërblim. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me Azem Galicën, që dhe atë e kishte dënuar me vdekje, në mungesë.

Nën presionin e Fuqive të Mëdha, dhe të luftërave të pandërprera në Kosovë, në muajin dhjetor 1921, u formua e ashtuquajtura “Zona  Neutrale e Junikut”.

Kryengritësit, herë- herë, dilnin edhe jashtë territorit të vet. Kështu ngjau edhe në fund të vitit 1922, kur u vendos të sulmoheshin forcat qeveritare zogiste. “Mbledhja u mbajt nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës e të Azem Galicës. Para se të niseshin për këtë sulm, Hasan Prishtina para më se 1200 kryengritësve te Kroni i Gjocës, në Junik, mbajti një fjalim të zjarrtë. Pas fjalimit kryengritësit menjëherë u hodhën në sulm, dhe qysh në ditët e para të janarit 1923, ata morën Tropojën, mandej krejt Hasin, rrethuan qendrën e prefekturës, Krumën, sulmuan  forcat e xhandarmërisë në Krahinën e Nikaj- Mërturit dhe arritën deri në breg të Drinit. Luftimet më të rrepta që u zhvilluan ato ditë, ishte sulmi rreth Krumës që u zhvillua nga dy drejtime. Njërën anë e drejtoi Azem Galica, ndërsa anën tjetër Sadik Rama”.

Në “Zonën Neutrale të Junikut”(1921- 1923), me iniciativën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Azem Galicës u hap shkolla për të rritur. “Shkolla e katundit Golaj në Has qe kthyer në një “shkollë komitash”. Atje, me pushkën në njërën dorë e në tjetrën librin, shquhej midis luftëtarëve të lirisë së Kosovës sokolesha dhe komita e vjetër kombëtare, Shota, e cila për gjashtë muaj mori dëftesë për klasën e tretë. Ajo u thoshte shokëve: “Jeta pa dije është si lufta pa armë”.  Është për të shënuar se për mbarëvajtjen e Çetës në mësime vazhdimisht interesoheshin vetë Hasan Prishtina e Azem Galica.

Hasan Prishtina, arsimin e kishte në qendër të vëmendjes. Këtë e vërteton edhe Apeli i tij i fundit, i vitit 1931, dërguar sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Kombeve, Enrik Drumandit në Romë, i shkruan në Vjenë, në gjuhën frënge, ku pika e parë u kushtohet shkollave shqipe: Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private”.

Aktiviteti i tij në ilegalitet, pati efekte pozitive. Së bashku me Bajram Currin punoi në përgatitjen e revolucionit të 1924-ës. Njëkohësisht mbante lidhje me çetat kryengritëse  kosovare nga të cilat s’e shkëputi kurrë vëmendjen, sepse i konsideronte të domosdoshme për ekzistencën e lëvizjes kombëtare shqiptare.  Hasan Prishtina mendonte se ndryshimi i regjimit në Tiranë do të ndikonte për realizimin më me me siguri të kushteve për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të mbetura nën zgjedhën serbe.

Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) Hasan Prishtina, qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Financon “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq t’a lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit.
Katër herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë. Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika- Lisi, Kruja (janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928) e ndoshta, diku në atë kohë, edhe Hasan Kosova. Në Paris i vdiq e shoqja, Igbalja. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut.
Dhe asgjësimi i tij fizik, në dukje rastësor, u arrit kur më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, të cilin e konsideronte mik. Çela në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 në  rrugën Çimisqi. Shoqëruesi dinak, pas një bisede të vrazhdë, kishte nxjerrë rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe kishte goditur me 4  plumba trupin e Hasan Prishtinës. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku dhe në pamundësi shpëtimi, u dorëzua në Polici.
 Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinë me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.


Për këtë jetëshkrim janë shfrytëzuar materiale nga interneti: Wikipedia, si dhe janë përdorur autorët Muharem Piraku, Bedri Tahiri, Haxhi Vexhi Dibra, etj.



Vlorë, më 01.06.2019


No comments: