ARS LONGA,VITA BREVIS
Esse Resmi
Omani
Në 5 maj
kam ditlindjen. Mbush shtatëdhjetë e tetë vjeç. Sa shumë do të thotë një i ri, ende
janë pak, një i moshuar. Edhe pse një ditë e zakonshme për shumëkënd, për mua është
një ditë që më vë në mendime. Ditlindja përjetohet në mënyra të ndryshme: Kur festojnë ditlindjen të vegjlit gëzohen
dhe mezi presin që të rriten,të rinjtë nguten të burrërohen, vashat të bëhen nuse,
burrat i trishton mendimi se po plaken dhe pleqtë me falnderim krijuesit që i ka lënë
të jetojnë ende edhe pse ecin në fushë të minuar!
Kjo esse, i ngjan një interviste me vetveten, por më së shumti një rrëfimi,
për një aspekt të veprimtarisë sime, mjë rrëfim për vete, pasi nganjëherë e
kemi të nevojshme të rrëfehemi, sepse rrëfimi e shkrin akullin që ftoh zemrën
dhe mpim mendimin.
Vjen një
ditë, ku secili kthen vështrimin në të shkuarën i bën vetes shumë pyetje dhe bën
një kqyrje të jetës së mbetur pas. Pyetja ”A kam qenë i lumtur” më së shumti
mbetet pa përgjigje. Si u jetuan këto vite? Me se u mbushën, ç’farë lamë pas, ç’farë
mbeti prej tyre? Përgjigja është një ekuacion i vështirë e i ndërlikuar për ti
dhënë zgjidhje. Në njerën anë të barazimit vendosen rastet e lumtura e të
dobishme, në tjetrën të vështirat e të palumturat. Në çdonjerën ka kulme por
edhe vija horizontale. Në këtë algjebër të jetës, kur pluset mbisundojnë mbi
minuset, e mira mbi të keqen, gëzimi mbi dëshpërimin, kur ne kemi vënë një tullë
në ngrehinën e shoqërisë dhe kemi mbjellë ca rrënjë pemë në kopshtin e jetës,
bindemi se jeta jonë ka qenë e dobishme
dhe e jetuar me nder.
*
* *
Përse u përfshiva në letërsi?
Pyetje që ja bëj vetes, por edhe për lexuesit
e mi. Cilat ishin motivet dhe shtysat qe jeta mori këtë rrjedhë? Formimi im
professional dhe arsimor i takon shkencës bujqësore, agronomisë. Në këtë fushë
mbaj gradën doktor i shkencave dhe Titullin Profesor. Kam punuar shumë vite në
ekonomi bujqësore të rrethit të Beratit si agronom, dhe pas vitit 1976 në Tiranë
me detyra drejtuese në administratën e
lartë shtetërore dhe kërkues shkencor e mësimdhënës në Universitetin Bujqësor. Kam shumë botime e
studime në kete veprimtari dhe po tu besoj vlerësimeve të kolegëve, një emër të
mirë midis specialistëve të asaj fushe. Ca kohë u angazhova edhe në politikë,por
u tërhoqa shpejt, që të mos bëhesh pis. Isha politikan i dështuar. Jo kushdo
mund të bëhet politikan!
Në
vitin 2006, nisi për mua faza e dytë e
jetës. Më nxorën në pension pleqërie. Normale:
“Mbushe moshën, boll ke punuar, shko çlodhu dhe lerua vendin të rinjve!” Për
shumëkënd, dalja në pension përjetohet keq. Por për një intelektual, ka një të
mirë të madhe, pavarësi të plotë personale dhe liri për ta përdorur kohën sipas
dëshirës dhe disa synimeve që i ve vetes. Për dituritë dhe përvojën në fushën e
profesionit tonë, me gjithë dëshirën e mirë për të mos u shkëputur, në
katandisjen e bujqësisë, nuk kishte më interes. Shumë nga ne, dijetarë të kësaj
fushe, u lam mënjanë si guna e vjetër. Një shtysë tjetër, ishte vendlindja ime,
Çameria e dashur, e paharruar.Si intelektual, isha borxhli ndaj saj, dhe kete
borxh, aq sa mund ta laja, ishte krijimtaria, ku ngjarje dhe personazhe do t’i
perkisnin asaj.
I bëra vetes pyetjen: Po tani, o njeri? Të
vegjetosh,të pish kafe dhe të bësh
llogje me pleqtë që luajnë domino në stolat e lulishtes? Për natyrën time, të mësuar
me punë, ishte e papranueshme. Për të qënë shoqërisht i dobishëm dhe i zënë me
një punë të përditshme, sepse për bindjet e mia jeta pa punë është si jetë e
pajetuar. Pas disa hezitimeve e gjeta zgjedhjen te letërsia, që ishte dashuria
ime e vjetër, dëshirë e viteve të rinisë së hershme. Një fushë me hapsira të
pafundme ku me pak talent e shumë punë e durim, përftohen të korra të begata. Në
të ritë e mi kisha shkruar dhe botuar nga pak(në atë moshë të gjithë janë poetë)
dhe ky pasion nuk mu nda gjithë jetën. Meqënse jeta ime mori tjetër rrjedhë, dashurinë
për letërsinë e mbusha me leximet e shkrimtarëve dhe poetëve tanë dhe të huaj, që
në vitet 60-80 qenë të bollshme.
Erdhi koha dhe rasti ta vija veten në provë,
ishte si një bast me vet-veten. Zonja ime e ndjerë u tregua mirkuptuese, dhe
për këtë i kam qenë mirnjohës, ndërsa djemtë mosbesues. Për ta isha i vjetër për
t’i hyrë një veprimtarie të re që të tjerët e nisin që në rini. Ndoshta kishin
të drejtë, por nuk u tërhoqa. Si pajë unë i sillja krijimtarisë një përvojë
jetësore mbi dyzet vjeçare. Tanimë u bënë afro trembëdhjetë vjet që shkruaj e
publikoj. Ja edhe botimet me titujt e librave: “Jeta e Bedri Lumanit”biografi e letrarizuar e një mjeshtri dhe miku, që
u prit shumë mirë, për të vijuar më pas me “Kumte nga kohë të largëta” esse nga
kohët homerike dhe biblike,”Bisedë me shokët”, portrete të bashkstudentëve dhe
kolegëve të mi, shumë prej tyre me
kalimin e viteve u bënë njerëz të shquar; ”Lule në gur”,roman biografik,për
figurën e agronomit të shquar në lëmin e vreshtarisë,Todo Gjermani dhe në
vijim: Romanet historikë ” Mbretërimi i Pirros së Epirit”, “Aleksandri I
Madh-miti dhe njeriu” dhe “Mbretëresha Olimpia”, një trilogji mbretërore, për
të vijuar me “Teutën e Ilirisë” dhe novelën “Ditët e sprasme të mbretit Gent” të
para në këndvështrimin e historiografisë së sotme shqiptare për ilirët dhe
Ilirinë. Përfundova dhe bëra gati për shtyp romanin “Pas Trojës”. Në fushën e
kritikës dhe studimeve letrare: ”Bilal Xhaferri, poeti i shpirtërave njerëzore”
dhe “Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit”. Në tregime: vëllimi “ Edhe yjet vdesin”
mbi bazën e folklorit çam, për shpirtin çam. Romani “Koha e çudirave” një roman me temë
bashkëkohore, hiperbolik e grotesk për paradokset e tranzicionit tonë të pafund,
publikova vëllimet me tregime”Fajin e kishte hëna” dhe “Letër Mbretit”, ku përfshihen
afro pesëdhjet tregime.Kam përfunduar novelën “Kukulla e pallatit të mermertë”,
”Udha e dhimbjes” dhe “kënga e Tokës” dhe tridhjetë tregime që mendoj të
botohen si vëllim më vete., që presin radhën për botim, por që të shumtat janë publikuar te portalet
elektronike “Gazeta Kritika” , “Fjala e lire”,” Kosovari media”,”Zemra
shqiptare” dhe portale të tjera.
Janë shumë, do të thoshte N. Abilekaj, (te komenti për
tregimin “Edhe ti o Brut)dhe ka te drejte. Më mirë pak e sakt. Por, gjithmonë
ka një por, sepse brenda sasisë lind edhe cilsia. Me ketë denduri botimesh, lexuesi sado dashamir,
nuk na ndjek dot, por duhet të më mirëkuptoni, gjithë ky ngut,për të thënë të
pathënat, në rastin tim, ka dy shkaqe,(nëse mund të quhen te tilla) lidhet me
kohen e humbur, qe rrok afro dyzet vjet dhe me fundin që duam apo s’duam, po
afrohet!
*
* *
Metoda e
punës dhe disa koncepte.
E
ndjej veten pak në zor kur më duhet të jap mendime për letërsine, sepse jam një letrar disi i vonuar që gjithsesi nuk
guxoj ta quaj ende veten shkrimtar,(megjithëse kanë filluar të më cilsojnë si
të tillë)se kjo është fjalë e madhe, që vjen pas botimeve të vlerësuara e
mirëpritura nga lexuesit dhe kritika, dhe krijimit të profilit dhe
individualitetit krijues të spikatur, porse unë jam një intelektual, që ka dëshirë
të shkruajë dhe krijojë, ngaqë e pëlqen dhe e do letërsinë, për hir të
kënaqësisë estetike dhe vlerave njohëse
që ajo i ka dhënë dhe mendon, se ka njëfar prirje për tu përcjellë
lexuesve ngjarje nga përditshmëria dhe historia, ide dhe mendime, të veshura me
petkun artistik të shqipes së bukur. Megjithatë, për moshën dhe përvojën jetësore
që kam, pas trembëdhjetë vjet pune në fushën e letrave me
afro 2500 faqe botime, të përfshira në pesëmbëdhjetë tituj librash, pa
folur për publicistiken essetë dhe studimet, them me modesti se më lind e
drejta të shpreh diçka nga përvoja dhe gjykimet e mia , ashtu siç kanë vepruar
edhe mjaft krijues të tjerë, sepse çdo krijues ka përvojën dhe metodën e tij. Kjo
përbën të veçantën dhe domethënien e krijimtarisë. S’është e thënë që ajo tu shërbejë
plotësisht të tjerëve, por elemente të veçantë edhe mund t’u jenë të dobishme,
ashtu si më ka ndihmuar edhe mua përvoja e të tjerëve.
Kam nderim dhe e vlerësoj krijimtarinë e shkrimtarëve dhe poetëve
cilsorë. Tërmonë i kam parë si magjistarë të fjalëve, si vizionarë, pse jo edhe
pak si profetë. Dinë të shohin te dukuritë natyrore e shoqërore e të jetës njerëzore
atë, që është e veçantë, kanë dhuntinë të zbulojnë te e zakonshmja të
pazakonshmen, te e parëndësishmja, të rëndësishmen, janë të aftë të gjejnë të
bukurën edhe atje ku të tjerët nuk e shohin. Kqyrin thellë shpirtin dhe mendjen
njerëzore, psikologjinë dhe filozofinë, ato forca morale e humane, apo të errëta
e demoniake, që venë në lëvizje veprimin, që e bëjnë njeriun të vuajë apo të gëzojë,
të lumtur apo fatkeq, me besim te jeta apo zhgënjimin prej saj. I japin
lexuesit anët e fshehta dhe misterin e qënies dhe të jetës, të atyre forcave që
shtyjnë përpara jetën dhe shoqërinë, mundësinë e të parit të dukurive dhe kundërshtive
të jetës në këndvështrimin artistik, të dritësuar dhe e bëjnë të mendojë për të nxjerrë mësime dhe përfundime, që shpesh u ndryshojnë jetën. Për mua, kjo është
forca e artit të vërtetë. Lumë kush e arrin.
Komunitetin e shkrimtarëve dhe poetëve i
bashkon dëshira e përbashkët e të bërit letërsi.Por jemi kaq të ngjashëm dhe po
kaq të ndryshëm, ngaqë vijmë nga krahina e mjedise të ndryshme, secili ka
individualitetin e tij, cilsi dhe veçori që e bëjnë të dallohet, përvoja jetësore
të ndryshme, pse jo edhe formime e studime të ndryshme arsimore e kulturore,
parapëlqime për metoda dhe rryma të
ndryshme letrare e artistike. Gjithë këto e të tjera, e bëjnë krijimtarinë të
jetë mjeshtëri e larmishme dhe të veçantë, qoftë në aspektin tematik por edhe
atë stilistik dhe ideor. Kopshti i letërsisë
kësisoj nuk njeh dimër dhe mbushet me lule, ku secila ka bukurinë dhe hijeshinë
e saj. Në këtë kopsht gjithkush mund të gjejë dhe zgjedhë për buqetën e vet letrare atë që i pëlqen.
* *
*
Pasi të kem zgjedhur subjektin dhe rrjedhën
e ngjarjes apo ngjarjeve, mbi bazën e një përfytyrimi të qartë për atë që do të
bëj, nis të shkruaj. Nga profesioni unë jam bujk. Letra e bardhë është ara ime.
Përpiqem ta lëvroj mirë e me kujdes, kur ajo të ketë ardhur në vlagën dhe
ngrohtësinë e duhur. Fjalët janë fara që mbjell në të. I zgjedh ashtu siç
zgjidhet fara e mirë, u shërbej që bimët e mbira të jenë të shëndetshme, i ujit
me vlagën e mendimit, i ushqej me dashurinë e shpirtit, që të japin lule të
bukura dhe fryte të hijshme si lulet e tyre. Shkruaj për subjekte që i njoh mirë,
e kundërta më lodh dhe shpenzon shumë kohë. Në gjinitë e gjata bëj një skicëide
orientuese, por që shpesh nuk i qëndroj besnik, sepse nganjëherë ngjarjet dhe
personazhet më dalin duarsh dhe bëjnë ashtu, si ata apo ato e mendojnë dhe unë
u bindem instikteve të tyre, përndryshe ata nuk do të ishin të vërtetë. Shkruaj
pa ngut, me kujdes, duke synuar të bukurën dhe të thjeshtën. E bukura arrihet, aq
sa mund të arrihet, me gjuhën dhe fjalën e zgjedhur, me të cilat shqipja jonë është
e pasur. Lodhem së kërkuari dhe së gjeturi fjalën, midis shumë sinonimeve,
qofshin ato edhe dialektore, që ajo të rrijë mirë në fjali dhe të ketë harmoni
dhe efekt tingëllues, por shpesh nuk e arrij dhe kjo më mërzit. Jam pothuajse puritan dhe shmang sa të mundem
përdorimin e fjalëve të huaja, që i ngjiten shqipes si mish i huaj. Respektimi
i normës së gjuhës standard, që për mua përbën një kriter dhe vlerë të çëmuar, nuk më pengon të zgjedh
dhe përdor fjalë dialektore, të gjithë
krahinave kur ato janë tingëlluese dhe shprehëse. Ka raste që përdor edhe fjalëformimin,
që gjuha jonë e ka si mundësi potenciale, por pa teprime. Si të thuash, e zgjedh
fjalën, e kaloj në sitë, që krundet të mbeten sipër.
* * *
Për gjuhën, është folur dhe shkruar shumë.
Mendimi im është se fitorja më e madhe e arritur ne gjuhën shqipe është ajo e
njësimit, shqipja normative, apo siç e quajnë standarde, e vendosur dhe
miratuar dhe pranuar një zëri në Kongresin përkatës. Një shqipe letrare, jo
dialektore, por që i mban brenda vetes të
dy dialektet e mëdhenj. Kam dëgjuar gjuhëtarë, që janë tolerantë dhe kanë
deklaruar se shkrimtari mund të shkruajë si t’i pëlqejë, në dialekte apo në
shqipen standarde. Nuk jam i atij mendimi dhe ja përse: në ditët tona, pas
pavarësimit të Kosovës, rritjes së ndjenjës kombëtare në të gjitha trojet ku
jetojnë shqiptarët, përhapja e mërgatës nëpër botë dhe zhvillimet kulturore, është
krijuar një hapësirë letrare sa reale dhe virtuale mbarëshqiptare, por edhe një
treg i librit. Librat tanë gjenden dhe lexohen edhe në Kosovë, Iliridë, Preshevë
e Bujanovc. Që autorët të shijohen e kuptohen e të ngjallin ndjenja
ideoestetike, duhet të shkruajnë në gjuhën letrare normative. Shkrimtari,
prozatori apo poeti, folësi i televizioneve, moderatori i veprimtarive, duhet të
jetë model nxitës e frymëzues për lexuesin apo dëgjuesin, që të pranojë dhe
shkruajë e përdorë gjuhën standarde. E kam thënë edhe në një shkrim timin, kur
kam lexuar romanin e Albina Idrizit”Për një mëngjes ndryshe”, po të mos e dija
që autorja ishte nga Kosova, këtë nuk do të arrija ta kuptoja nga gjuha e
romanit.Dua të jem i sinqertë, nuk më pëlqejnë, poezitë e shkruara në dialektin
gegë, që më së shumti janë të folme të një rajoni apo të një katundi. Të njëjtën
do të thosha edhe për një prozator, që u vë në gojë personazheve të folmen
arkaike e të shtrëmbëruar të fjalëve
vendore ,për ti bërë ata të duken origjinalë. Lexuesi nga Kosova etj. nuk
i njjeh ato fjalë, ato mbeten të huaja dhe të pabukura për të. Le të mos
harrojmë që edhe autorë që kanë shkruar në gegërisht, si Mjeda, Migjeni, Pashko
Vasa, kanë shkruar me një shqipe dialektore të zgjedhur të ngritur në status
letrar, e cila pëlqehet dhe lexohet sot e kësaj dite nga çdo shqiptar,
pavarsisht se kujt dialekti i përket e folura e tij.
* *
*
Punoj me shumë kujdes për gjuhën,
sidomos për prozën e shkurtër, ku trajtoj si rregull momentet ideoemocionale,
psikologjike dhe filozofike të personazheve, të cilët janë nga shtresa të
ndryshme të shoqërisë, njerëz të zakonshëm, që ndeshen me prapësitë e jetës, me
fate tragjike, por edhe njerëz në nevojë. Nuk pretendoj që ata të jenë tipikë
apo përfaqësues, por individë, pjesë e shoqërisë sonë dhe e ngjarjeve të
perditshmërisë, të besueshëm, që lexuesi i ka hasur në mjedisin shoqëror, apo ka dëgjuar për ta. Më duket i tejkaluar mendimi i trajtuar në teorinë e letërsisë, që çdo
personazh duhet të ketë tërësinë e vetive përfaqësuese të grupit të vet. Jo. Ai
duhet të jetë vetvetja, një individ me botën pikpamjet dhe veprimet e veta,
qofshin ato edhe jo të zakonshme. Në tregimet dhe prozën e shkurtër, pëlqej që
të rrok një fraksion të jetës dhe të kohës së personazheve, një moment kulmor,
tragjik apo dramatik ku ngjarjet zhvillohen shpejt dhe personazhet vihen në
provë, por edhe fragmente jete, disi prozaike, por me veçanti, që i bëjnë personazhet disi të
dallohen nga të tjerët, që e bëjnë lexuesin të mendohet, ta ndjejë veten
pjesmarrës në ngjarje, t’i duket se ai diku i ka hasur dhe të rrokë mesazhin.
Në gjininë e tregimit, që për mua është më e pëlqyera
por edhe më e vështira, po përpiqem të krijoj një profil timin, disi ndryshe,
disi pavetor, ku autori flet pak ose aspak, rri pak mënjanë, vëzhgon, ndërmjetëson,
por nuk komenton, nuk ndërhyn dhe i le personazhet të flasin e veprojnë
natyrshëm sipas rrethanave, ashtu si ata vetë dinë dhe gjykojnë, pa u vënë në
gojë ligjërata të fryra deklarative, fjalë që ata nuk duhet t’i përdorin, apo
retorike që s’është as në natyrën e tyre apo formimin kulturor, ç’ka do ti
bënte ata të fryrë, mburravecë të çuditshëm e të pabesueshëm për lexuesin. Për
mendimin tim, në tregimet dhe gjinitë e shkurtëra, autori duhet të jetë shumë i
kursyer. Vetë ai bën mirë të mos flasë, të mos filozofojë, apo të beje
psikanalizë, këtë le t’ua lerë personazheve. Nga ana tjetër nuk duhet hequr
dorë nga detajet, gjithmonë të kursyera, pasi ato e bëjnë ngjarjen më të
besueshme, të vërtetë e të natyrshme.
* *
*
Kur shkruaj, nuk e heq nga mendja
lexuesin, sepse,tekefundit, librat shkruhen për ‘të, është ai apo ajo, që do të
thonë fjalën e fundit, për mirë apo për keq. Kam parasysh moshat, brezat,
formimin, nivelin arsimor, shijet dhe parapëlqimet letraro-artistike. Të mos
harrojmë, se ky lexues merr shumë informacion nga interneti, mediat vizive dhe
rrjetat sociale. Që ai t’i drejtohet librit, ky duhet të jetë vërtet tërheqës
dhe disi i veçantë që të plotësojë atë pjesë që lexuesi, veçanërisht i ri apo e
re, nuk e gjen gjetk. Duke mbajtur
parasysh kohën, që i duhet të harxhojë për librin, e do atë mundësisht jo
voluminoz, të përmbledhur, të ngjeshur në ide e në përmbajtje, t’a bëjë të
mendohet dhe virtualisht pjesmarrës në ngjarje, t’i japë kënaqësi estetike, por
kurrsesi të mos e lodhë. Po e arritëm këtë, letërsia jonë është për njerëzit
dhe ka shkuar te njerëzit. Brezi i mesëm
i lexuesve, është më i qëndrueshëm, me shije artistike të formuara, më serioz
dhe di të përzgjedhë. Duhet ta konsideriojmë veten me fat, kur ai zgjedh për të lexuar librat tanë. Ka
edhe lexues të moshuar, që ende lexojnë( Për shkak të vështirësive në të
shikuar), që nuk ia lejojnë vetes të lexojnë ç’tu dalë përpara, lexojnë apo
rilexojnë autorë klasikë dhe të realizmit kritik, lexime mbi të cilat kanë
formuar shijet e tyre artistike në të ritë e tyre dhe që zor se i ndryshojnë.
Këtij brezi është e vështirë t’i afrohemi me librat tanë. Ka edhe
lexues,”elitarë” e sqimatarë, që kërkojnë majat e letërsisë, por këta janë të
pakët. Si do qoftë, mendoj se duhet të përpiqemi, që letërsia që krijojmë, të
jetë e pranueshme dhe e pëlqyeshme për një pjesë sa më të madhe të lexuesve. E
vështirë , kërkon djersë e mundim, por kur i del për zot ky duhet të jetë
synimi. Letërsia e madhe e krijuesve
të mëdhenj, që nuk po i përmend se nuk do të mjaftonte vendi, ka brenda vetes
magjinë, bukurinë, thellësinë e mendimit, botën shpirtërore të heronjve, në to është
gjithçka njerëzore, gati ne e përjetojmë atë dhe e ndjejmë forcën e saj tërheqëse, prandaj ajo asnjëherë nuk vjetërohet
, megjithëse shpesh vjen nga kohë të largëta, tingëllon aktuale, mbetet si një
burim i freskët që të shuan etjen ideo-estetike dhe të vë në mendime në çdo kohë.
Ç’është e vërteta i dua lexuesit
dhe i respektoj. Ata mund të mos e dinë këtë, por unë përpiqem tua rrëfej me
cilsinë e asaj që shkruaj për ‘ta. Pyes veten si do ta vlerësojë ai, do ta pëlqejë
vallë? Subjekti, thurja, mendimi, ndijimi, perceptimi, filozofia dhe
psikologjia e ngjarjeve dhe personazheve, a depërtojnë në mendjen e tij, për
t’i dhënë kënaqësi estetike e për t’i mbetur në kujtesë, ashtu siç na e jep
letërsia e madhe? Dua që të mos e lodh, të shkruaj pak e të them shumë,
përndryshe, ai do ta lerë mënjanë librin tim, ashtu siç bëj edhe unë apo të
tjerë kur një libër nuk na tërheq. Këtë do ta quaja në mos dështim, një fatkeqësi
për një krijues. E vështirë t’i kënaqish të gjithë, por ky pretendim,
megjithëse i zorshëm e i mundimshëm, e rrit cilsinë e të shkruarit.S’kam si të
mos e pranoj,që kur lexuesi e mirëpret dhe jep vlerësime të mira për krijimet e
mia, ndjehem mirë, e pse jo edhe i mikluar. Kam marrë shumë mesazhe dhe
opinione ne fb. Nga lexues që as i njoh dhe as më njohin. Ja njëri prej tyre:
Shefqet Gashi, pasi lexoi tregimin “Lotet e ëngjëllit”, shkruan: “Një tregim që më shtangu, që më bëri të
ndjej dhimbje e të derdh lot, mu sikur ngjarja e Mejës dhe jo vetëm, të kishte
ngjarë sot.Imazhi i vogëlushit të përgjakur me gjakun e prindërve të vet mu
ngulit në kokë, në shpirt, në zemër.... dhe më tej: autori do t’a ketë përjetuar
shumë rëndë këtë plojë gjaku, por edhe unë lexuesi i tij u ndjeva shumë i vogël
përballë përjetimit dhe përshkrimit të kësaj historie të dhimbsur të larë me
gjak” Kurse lexuesja Sherife Beqollari, në një takim, më deklaroi:”Librin për Bedri Lumanin, e kam lexuar për
tre orë dhe kur e mbarova, kam qarë” Mund të sillja këtu edhe shumë shembuj
të tjerë, por nuk ja vlen, me këtë vetëm desha të rrëfej se lexuesi është
“Mbreti”.
*
* *
Problem më vete është edhe organizimi i lëndës,
thurja(kompozimi) dhe zgjedhja e subjekteve. Edhe këtu hapësira është e gjerë,metodat
të ndryshme që përkojnë me parimet ideo-estetike të akcilit krijues. Edhe këtu
ka për të mësuar, që nga klasikët deri te shkrimtarët modernë që i kanë thyer
kornizat kompozicionale dhe drejtshkrimore. Duhet gjetur më e mira. Ky është një
proces kërkimi derisa të gjesh atë, që të
përshtatet dhe të lejon të ndërtosh ngrehinën e krijimit, që duhet të jetë
funksionale dhe e qëndrueshme dhe ta mbushësh atë me lëndë. Është një gjë krejt
vetiake, pjesë e individualitetit krijues.
Thonë se forma, është mënyra e egzistencës
së përmbajtjes dhe deri diku, kjo është e vërtetë, por po aq e vërtetë është se
thurja është në varësi të subjektit dhe lëndës që shtjellohet. Si e tillë nuk
mund të jetë një e dhënë e pandryshueshme, që derdhet në një kallëp. Për temën
historike të romaneve,(Mbretërimi i Pirros së Epirit,Mbretëresha Olimpia, Teuta
e Ilirisë, Pas Trojës) si edhe shumë autorë të tjerë(S.Godo, S.Krasniqi,V.Skoti
etj.) kam ndjekur linjën klasike dhe vijueshmërinë në kohë, të ndarë në krerë të
veçantë që i përcjellin njeri - tjetrit ngjarjet deri në mbylljen e tyre, por
pa rregullin klasik: hyrje, zhvillim, kulmin dhe mbylljen.Për këtë më kanë
shërbyer prologu dhe epilogu. Në çdo kre(kapitull) ka një kulm dhe ulje
ngritjet vazhdojnë deri në fund, i cili shpesh është tragjik, por ka edhe funde
të lumtura, se jeta është e larmishme.
Lexoj shpesh romane apo tregime të kolegëve,
që janë të pa organizuar mirë, disi anarkik dhe të rrëmujshëm, me një vijimësi pa shkëputje në
kalimet nga episodi në episod. Ka edhe raste që shkrimet vuajnë nga
fragmentarizmi apo prapakthimet në kohë. Shpesh, e fshehta apo misteri që duhet
zbuluar pak e nga pak, nga faqja në faqe, thuhet që në krye dhe lexuesi e
humbet interesin. Këto forma janë të përshtatshme në kinematografi por jo në
prozë, ngaqë ato e lodhin dhe e shpërqëndrojnë lexuesin. Ndryshe nga romanet
historike, në romanin “Koha e çudirave”, që trajton temën bashkëkohore, ngjarja
nuk kalon nga kreu në kre, por episodi fillon e mbaron aty, si një tregim më
vete. Krerët i lidh ngjashmëria tematike, dhe personazhet që janë dytësorë apo
episodikë, por të pranishëm, si një ind lidhës. Lexuesi mund të lexojë një
episod, dhe po i plqeu të vazhdojë, por jo detyrimisht për të ndjekur vazhdimin
e ngjarjes. Kolegët dhe lexuesit e pëlqyen dhe e gjetën si një formë të goditur
që e bën të këndshëm në të lexuar dhe të afërt me romanin bashkëkohor(modern). Çdo libër apo krijim i sapo nisur,siç e ve në dukje Heminguei, është
një fillim i ri, që shpesh na ve para
zgjidhjeve të ndryshme, që më parë si kemi menduar. Kjo është bukuria dhe risia
vetjake e krijimit.
Në tregimet, si rregull nuk praktikoj
hyrje, (këtë e bëjnë dhe shumë tregimtarë të tjerë) shkrimi nis aty ku fillon rrëfimi i ngjarjes, nganjëherë
praktikoj edhe nëndarjet kur është e nevojshme, kurse mbyllja vjen natyrshëm, pa
efekte të kërkuara dhe artifice. Ngjarjet tregohen kryesisht në vetë të tretë, rrallë
në vetë të dytë e të parë. Është një temë
e gjerë, që ashtu si edhe stili janë
objekt i përhershëm kërkimi drejt përsosjes, që shpesh japin efekte dhe bukuri
e hijeshi me dinamikën e brendshme dhe ritmin e prozës. Kërkimi i formave,
vazhdon gjatë gjithë krijimtarisë dhe që në fund të fundit, është edhe një nga veçoritë vetjake dalluese të secilit krijues.
Gjetja dhe zgjedhja e subjekteve në prozë,
ndryshe nga poezia që shpesh është meditative dhe personale, përbën një tjetër
vështirësi. Historia, folklori dhe jeta, e shkuara dhe e tashmja, e përditshmja,
janë të mbushura me ngjarje. Kronikat e mediave vizive, të gazetave, sjellin
material të bollshëm: politik, social, kulturor, tragjik e komik, një shumësi
ku përzjehen kashta, byku krundet dhe kokrrat. Jo çdo lajm, ngjarje, e dëgjuar
apo e jetuar mund të shërbejë si subjekt për një krijim letrar. Duhet një
proces rigoroz përzgjedhjeje. Së pari ajo duhet t’i përshtatet prirjeve dhe
shijeve tona, si ta themi, profilit krijues, të na ngacmojë, të ngjallë interes,
të mbajë brenda elementet që lejojnë organizimin e fabulës me veshjen e duhur
artistike dhe mbi të gjitha, mesazhin që duhet ti transmetojë lexuesit, pa rënë
në moralizime. Nganjëherë, subjektet vinë vetiu, pa i kërkuar: në rrugë, në shëtitje,
në një bisedë në kafe me të njohur e miq, nga leximi i një interviste, apo
çaste meditimi. Kështu më ka ndodhur me subjektet e tregimeve”Malli i dashurisë”
, “Fajin e kishte hëna” ,”Kopshti i Edenit”, ”Baballarët”,”Lotët e Ëngjëllit”,
”Krahu i Bujanës “ etj. Katër tregime në vëllimin “Edhe yjet vdesin” e kanë
bazën në folklorin çam. Me temat historike, është ndryshe, përveç zgjedhjes,
ato kërkojnë një proces më të gjatë studimi dhe përpunimi për të gërshetuar të
vërtetën historike me elemntët e tjerë të një krijimi artistik ku nuk mbetet mënjanë
përfytyrimi dhe fantastikja dhe çka është, kryesorja që nëpërmjet së shkuarës
ti shërbehet të sotmes. Personazhet
historike,duhen trajtuar si njerëz te vertete, me të mirat dhe mangësitë e
tyre, pa lavdërime e mbivlerësime, kulti i heroit legjendar, veshur me aureolën
e fantastikes, të mbinjerëzores, i bën ata të pabesueshëm. Ajo që duhet të
nxiret në relief, është merita e asaj që kanë ndërrmarë e kryer në dobi të
vendit të tyre.
Duhet ta them se qëllon që mbetem bosh për
subjekte. Por rrjedhja e kohës, zhvillimi i ngjarjeve, i jetës së përditshme,
ofrojnë subjekte të reja. Është gjë që ndodh, diku kam lexuar që në fillimet e
veta Sinkler Ljuis, i shiste subjekte Xhek Londonit! Subjekti është si ajo
grimca e rërës, që depërton brenda guackës së perlave, e cila nis dhe e vesh me
shtresat e sedefta deri sa krijon atë perlën e mrekullueshme. Ashtu ndodh edhe
me subjektin në botën shpirtërore krijuese të shkrimtarit,përpunohet e përpunohet
deri sa të arrijë përmasat e së vërtetës artistike, bukurinë, shkëlqimin, të
vërtetën dhe besueshmërinë pastaj hidhet në letër dhe i përcillet lexuesit.
Prandaj Tomas man, thotë se:”Një shkrimtar, është dikushi, për të cilin shkrimi
është më i vështirë sesa për njerëzit e tjerë.”
* *
*
Thjeshtësia e të shkruarit, për mua është
më e vështirë për t’u arritur, ngaqë ajo vjen pas një përvoje të gjatë krijuese
dhe përsosjes së mjeshtërisë artistike, cilësi e “ustallarëve”. Le të kujtojmë
këtu “Plakun dhe Detin” të Hemingueit, “Margaritarin” e Stainbekut,“Fatin e
njeriut” të Shollohovit, rrëfimet e Kutelit, apo poezitë e kohëve të vona të
Dritëroit: sa thjesht, sa bukur, sa qart, sa ëmbëlsisht, aq sa mrekullohem kur
i lexoj, mund të rendit këtu edhe Vath Koreshin, Xhevahir Spahiun, Fatos
Arapin, Ndoc Gjetjen Faslli Halitin,Frederik Rreshpjen, Agim Shehun e të tjerë.
Parapëlqej realizmin, por në varësi nga subjektet, nuk përjashtohen edhe notat
romantike e lirike, në disa raste edhe pak surealiste apo fantastike , që i kam
përdorur te novelat “Vdekja e nëpunësit”, “El Toro”,”Arratia e veshit me vath diamanti”
dhe “Portofoli i magjepsur”. Praktikimi i rrymave letrare, është një mundësi
lirshmërie pa qenë i detyruar të mbetesh brenda formave të ngurta e të
pandryshuara. Sido qoftë, çdo rrymë dhe drejtim letrar, ka të drejtën e vet të
qytetarisë në shkrimtari dhe është element i larmisë artistike, të cilën autori
e përdor në varësi të subjektit, për të dhënë e shprehur më të mirën e vet.
Disave format e tilla, si fantastikja, horrori, imagjinarja, surealja, mund të
mos u pëlqejnë, por shijet e lexuesve janë të ndryshme dhe secila ka lexuesit e
saj. Ekzistenca e larmive dhe autorëve me prirje të ndryshme stilistike të
subjekteve, e bën letërsinë më
interesante dhe më të pasur.
Përvoja dhe metoda shkencore, nga e cila
vij, më imponon disiplinë, rregull dhe këndvështrim kritk, thuajse një
vetoponencë dhe barazpeshë. Shkruaj thuajse përditë, nga pak, dy orë paradite e
po aqë pasdite veproj kësisoj se janë dyzet vite të humbura dhe kjo kohë duhet
fituar.Pothuajse nuk shkruaj asnjëherë natën. Si thonë: gur-gur, bëhet mur dhe
fjalë-fjalë bëhet libri. Kur lodhem apo më le durimi, e nderpres, por gjithmonë
aty ku e di sesi do të vazhdojë. Ndërkohë, një shetitje në natyrë, ku meditimi është
i pranishëm. Të nesërmen e kaloj edhe një herë atë që kam shkruar, bëj
rregullime, heq ose shtoj, pastaj nis vazhdimin. Të shkruarit përditë nuk është rutinë, si të pirët e kafes apo të
ngrënat e vakteve, pasi të shkruarit kërkon mobilizimin e tërë intelektit,
diturisë, psikologjisë , filozofisë dhe arsenalin e mjeteve artistike, për të
arritur te prodhimi letrar i cili kalon nëpër disa filtra . Si i tillë është i
zorshëm dhe i lodhshëm. Dua të ve
në dukje se liria dhe pakufizimi i subjekteve, pa çensurë, është arritje e
madhe. Por letërsinë e konsideroj një art fisnik, dhe nuk më pëlqen që të
ndotet me gjuhë vulgare, tema banale dhe skena natyraliste, sensuale e
pornografike, nga ato që populli i quan lapërdhira. Të joshësh lexuesin me të tillë letërsi, është e gabueshme, si ta
ushqesh me ushqime të helmuara. Nuk ka pse të pasqyrohen ato që nënkuptohen,
shkrimtari s’ka pse i thotë të gjitha. Për këtë, mendoj se duhet të ketë një
vetpërmbajtje , që gjithsesi nuk është autoçensurë. Lexuesi di të lexojë edhe
midis rreshtave
* * *
Nuk ngutem të botoj. Erza Paundi, në
s’gaboj, ka thënë se një dorëshkrim në sirtar s’është si një kalë në grazhd! I
shoh dhe i shoh përsëri, heq ose shtoj deri sa të bindem se gjithëçka është mirë, dhe është mirë,
kur,nuk ke më për te shtuar, por nuk ke më per të hequr. Siç thotë Floberi,
pasi e lexoj pyes veten: Vërtet unë e kam shkruar këtë? Ose kur ngjarje dhe
episode më emocionojnë si ti kisha përjetuar vetë. Më ka ndodhur disa herë: kur
vritet Ptolemeu në romanin për Pirron, në tregimin “Kthimi i Dorinës”, “Lulet e
Kajsisë” dhe “I braktisuri”e ”Plaga e shpirtit”, jam ndjerë i tronditur. Për
mua,si dhe për shumë të tjerë(Kam parasysh një intervistë të Puntorie Zybës), e
cila thotë se kur shkruan vuan,i vjen të ulërasë, e kapin dhimbje si ato të
lindjes!Dr.Fatmir terziu, në një paraqitje pllakateske të veprës së tij,
shkruan:”...Eh, mijëra e mijëra bulëza djerse, pikla gjaku mbi letër të bardhë,
mijëra e mijëra mundime...Netë pa gjumë, ditë pa pushuar,sollën këta libra në
jetën time”. Unë i besoj dhe them se janë të sinqertë në këto rrëfime. Të
shkruarit është një punë e rëndë, si punë skllavi, që të thith shumë energji aq
sa shpesh veten e ndjen bosh dhe duhet pushuar që siç thotë Heminguej, pusi i
shterrur të mbushet sërish me ujë të freskët. Lind pyetja, kur qënka kështu, përse
shkruan(apo shkruajmë)? Ky është misteri i letërsisë, që zor se i jepet përgjigje
e besueshme. Një miku im poet,teksa bisedonte me mua për këtë temë, më tha ”Po
më kruhen gishtat nga padurimi sa të shkoj të shkruaj!”. Punë, shprehi, mani,
nxitje e brendshme, frymëzim, apo “sëmundje”? Ndoshta të gjitha bashkë. Në një
ese të vetën Oruelli, ka thënë se “Të shkruash një libër, është një torturë, si
periudha e një sëmundjeje të rëndë”. Mardoks Fordi,(cituar nga Heminguei) thotë
se për atë, të shkruarit ”Ështe nje zanat qeni(meitre di chien)”, ndërsa,
Fejhtvanger, thotë se të shkruarit “Është një sëmundje, por nga e cila s’do të
doja të shërohesha kurrë!” Ndërsa Tomas Mani, në një intervistë shprehet: “E
përjetoj si kënaqësi dhe torture, si kënaqesi dhe ves” Shtjellimi i kësaj teme
do të donte një trajtesë më vete, pasi për të janë shprehur dhe kanë dhënë
përcaktime shkrimtarë dhe estetë të shquar.
Sado që krijimi është puna më vetiake në
botë dhe shkrimtari një njeri i vetmuar në punën e tij, aq i vetmuar sa për të
ardhur keq, e ndiej nevojën që ta ndaj atë me shokë e me miq. Dikur, shkrimtarët
organizonin mbrëmje leximi me miqt e tyre, tani na ka mbetur postimi me E-Mail,
por të pakët janë ata, që të thonë atë që mendojnë, më së shumti thonë fjalë
lavdëruese, ndoshta nga që s’duan të
prishin qejf, apo në rastin më të keq nuk kanë kohë ti lexojnë dhe s’dinë se
çfarë të thonë,thjesht japin nga një pëlqim në fb. Si do qoftë pasi e perfundoj
librin,ua jap për shqyrtim disa kolegëve shkrimtarë që e kanë dëshirën e mirë
për ta lexuar dhe shfaqur opinionin e tyre. Librat e mi kanë kaluar paraprakisht në
shqyrtimin e vëmndshm të shkrimtarve Enver Kushi, Arben Kondi,të ndjerit Bedri
Myftari, Musa Vyshka, Shefki Hysa, poeteshës Dylbere Dika, prozatorit Sotir
Athanasiu, Albina Idrizit, disa nga tregimet në shqyrtimin e Istref Haxhillarit
etj.dhe kanë shfaqur opinionet e tyre lexuesit e portaleve elektronike,dhe pas
botimi edhe kritikë si Shpend Topollaj,Përparim Hysi, Vladimir Muça, Namik
Selmani, Sotir Athanasiu, dhe lexues që janë të njohur dhe miq të mitë. Gjej
rastin ti falnderoj. Pyetja ime e zakonshme për ta është: “Ç’farë nuk u pëlqeu?”
Por, edhe kur nuk mi vënë në dukje, unë i di disa dobësi të miat, siç janë fluturimet lirike, nga nje herë
teprimi me peisazhin dhe natyrën, dëshira për ti zbukuruar gjërat më shumë
ngase duhet, zhbirimet psikologjike e filozofike, më shumë realizëm dhe më pak
fantazi dhe befasi, njëfar ngathtesie ne dialogët etj. që janë shprehi të rishtarëve. Përpiqem që
t’i shmang për të arritur te ajo proza e vërtetë, solide, monolite, pa lajle-lule,
që me pak fjalë thotë shumë e që është shenjë e pjekurisë artistike. A ja kam arritur? Eshtë ende heret,
por për moshën time edhe vonë. Nuk mund ta them, fjala i takon lexuesit dhe
kritikës. Arritja e së mirës dhe së bukurës është një proces i vazhdueshëm, le
të kujtojmë thënien e latinëve “Ars longa,vita brevis”(Jeta është e shkurtër
dhe arti i pafund), megjithatë çdo brez krijuesish sjell risitë e tij. Nga një herë,
për vlerësimin e një libri, mjaftojnë edhe pak fjalë. Gjenerali Jani Lufi që
jeton në Rusi, i shkroi mikut të tij Shpendi Topollaj, që i kishte dërguar
romanin “Mbretërimi i Pirros sëEpirit”: “Të
lutem, jepini të fala z. Resmi Osmani, libri i tij për Pirron është i
mrekullueshëm si veprë letrare, ushtarake dhe historike.” Kur më bëjnë
vrejtje, i mbaj parasysh, reflektoj dhe bëj rregullimet përkatëse, natyrisht
kur i gjej me vend dhe të arsyetuara. Kur
është i nevojshëm, ilaçi duhet pirë edhe po qe i hidhur.Por nga dëshira e mirë
kur disa kolegëve u kam bërë vrejtje për shkrimet e tyre, disa më janë ftohur
dhe hatërmbetur. Ndodh edhe kështu. Ka që duan vetëm t’i lavdërosh, dhe po nuk
e bëre ti,ata e bëjnë vetë!
Nuk
ka pse të mos e them. Kur e jap për botim librin, mezi pres sa të dalë në dritë, dhe kur e marr në dorë i gëzohem
si të ishte një fëmijë i sapolindur dhe ngutem t’ua dhuroj shokëve dhe miqve. Ajo që pritet pas kësaj, është si një
provim, duhet ta thotë lexuesi e kemi kaluar klasën apo jo.Të tilla
emocione përsëriten për çdo libër të ri.
Them që nuk jam ndonjë përjashtim, kjo u ndodh të gjithëve.
* *
*
Miku im Përparim Hysi, thotë se nuk ka
shkollë për poetë e shkrimtarë dhe ka të drejtë. Poeti lind poet, dhe përsoset
rrugës, ndërsa prozatori vetformësohet. Edhe pse tek ne (ndryshe nga vendet e
tjera) nuk ka shkollë për shkrimtar, mësuesit nuk mungojnë. Edhe unë, si shumë
të tjerë kam mësuesit e mi, janë rilindasit, Naimi , De Rada, Çajupi, Mjeda,
Lasgushi i papërsëritshëm, Migjeni, nga letërsia bashkëkohore Shuteriqi
(tregimtar)Petro Marko, Agolli, Kadareja, Vath Koreshi, shkrimtarët e mëdhenj
botërorë: Homeri dhe Eskili, Shekspiri, Hygoi, Stendali, Tolstoi,Turgenievi,Çehovi,
Paustovskij, Dikensi, Mopasani, Floberi, Mark Tueni, Heminguej, Remarku, Tomas
Mani, Cvajgu, Jashar Qemali, Markesi, Kortasari, Kamy etj. etj. Për fjalën
shqipe, janë burim i freskët e i pashterrshëm përkthyesit e mrekullueshëm:
Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Enver Fico, Noli, Robert Shvarci, Ardian Klosi
etj. Pa lënë mënjanë folklorin tonë të mrekullueshëm. I vlerësoj, këta, veçanerisht
për pasurinë foljore dhe nuancimet e gjetura te shqipërimit, por në krijimet e
mia përpiqem të shpëtoj nga tundimi për t’i imituar, përpiqem (edhe pse
shprehje e shpërdoruar) të jem vet-vetja. Si do qoftë, me gjithë kujdesin, nuk
po e arrij. E kuptoj që proza ime ështe diçka më e ngurte, disi klasike, me
prirje per nuanca dramatike, pa ate lirshmerine dhe zhdervjellesine e natyrshme,
qe e gjejme te shume autore, diçka i mungon, këte po përpiqem ta gjej.
Lexoj me kujdes edhe krijimtarinë në prozë
që publikohet në portalet elektronike, tregimet e Fiqri Shahinllarit,të Përparim
Hysit, Istref Haxhillarit, Faruk Myrtajt, Thani Naqos, Kristaq Turtullit, prozën
e Fatmir Terziut, Faslli Halitit, Vasil Vasilit, Edmond Shallvarit,
Erion(Hamdi) Muçës, Novruz Abilekajt, Sotir Athanasiut etj. Dhe mundohem të
gjej në ‘ta të veçantat stilistike, kompozicionale, gjuhësore, që i bëjnë të dallueshëm e me
individualitet, çka më ndihmon të reflektoj
se çfarë duhet të përmirësoj në krijimtarinë time. Nuk është thjesht
lexim, por studim.
Ne duhet të mësojmë edhe nga njëri-tjetri. Të
shkruarit duhet të jetë një proces vetpërsosje.
Kështu janë gjërat: pak talent e shumë punë.
Gjithmonë kam patur përkrah time shoqe, që
ka qënë këshilltare, lexuesja e parë e shkrimeve dhe redaktore e qortuese
letrare. Ishim një skuadër. Mjerisht ajo u nda nga jeta, ende e re në dhjetor
2012. Sapo kishte hyrë në 63 vjeçe. Boshllëkun që la ,ashtu si më kanë këshilluar
miqtë, mundohem ta mbush me punë, kujtimi i Saj është në çdo fjalë që hedh në
letër.
* *
*
Lexova para do kohësh tek “Gazeta Kritika”
deklarimin e një poeti se ai shkruante për qejf të vet dhe nuk donte të dinte për
fjalët e të tjerëve. Nuk mund të jem i një mendimi me të. Kjo mund të ndodhë
kur shkruan vërtet për kënaqësinë vetiake dhe ato që shkruan i mban në sirtar, por
kur boton, ato bëhen objekt leximi e
vlerësimi dhe krijuesi nuk mund ti shmanget gjykimit të lexuesit, për mirë apo
për keq. Dashur apo padashur, krijuesi është i angazhuar. Vetë misioni i artit është
iluminist. Këtë angazhim e pranoj me bindje. Kur shkrova “Trilogjine mbretërore”
, që më hëngri katër vjet dhe një punë të madhe hulumtuese të të dhënave
historike, për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm, si nxitje ishin lehjet e
vorioepirotëve dhe kryetarit të bashkisë së Himarës për gjoja përkatësinë
etnike greke dhe orekset megaliideste për ta quajtur tokë greke gjithë jugun e
vendit tonë deri në Shkumbin! Po kaqë intriguese ishte edhe sherrnaja
greko-maqedonase, për emërin dhe trashëgiminë historike të atij vendi midis
sllavo-maqedonasve dhe shovenëve grekë. Të dy palët pretendojnë përkatësinë
historike të trojeve që nuk kanë qenë të tyret.
Jam i bindur se ne duhet ti njohim
mirë rrënjët tona, të dimë nga vimë, të vlerësojmë e lartësojmë figurat tona
historike, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë mesdhetare, që shekujt
nuk i kanë lënë në harresë, me figura të tilla çdo komb krenohet që i ka pjesë
të historisë dhe identitetit të tij kombëtar. Këta heronj, duke
fallcifikuar historinë, përpiqen ti bëjnë të vetët kombe të tjerë: Pirron e
lakmojnë grekët, Skënderbeun sllavët dhe grekët, Lekën e Madh ,grekët. Ndryshe nga historia, letërsia i paraqet
faktet dhe ngjarjet, dinamikën dhe madhështinë e tyre me bukurinë e artit, duke
nxitur përfytyrimin e lexuesit që ti përjetojë ato emocionalisht. Për këtë
trilogji, kam marrë urime nga lexuesit dhe pohimin se ata kishin mësuar aty
shumë gjëra që nuk i kishin ditur. Edhe në novelat dhe prozën e shkurtër, subjektet
dhe trajtimi ideo emocional i fateve të njerëzve nga shtresa të ndryshme shoqërore,
është një angazhim human për fatet njerzore dhe mbajtja e një qëndrimi të
shprehur apo të nënkuptuar kundër prapësive të jetës dhe shkaqeve që i sjellin
ato.Ka në historinë tonë të hershme dhe të vonshme, heroina dhe heronj të
denjë, të cilët arti i letërsisë ti bëjë subjekt të vetin, për ti nxjerrë nga
harresa dhe për t’ua bërë të njohur brezave të rinj.
Synoj të
mirën, të drejtën dhe të,vërtetën.Dhe ky është angazhim.
* * *
Le të kthehemi te poezia. Shkruhet shumë poezi
lirike, meditative, erotike etj. kryesisht nga të rinj e të reja, në trojet
shqiptare dhe në emigracion. Vetë rinia është poezi, por edhe nga mjeshtër të
hershëm të vargëzimit, që mjerisht janë në emigracion. E pëlqej
shumë poezinë, kur është e shkruar mirë, me ndjenjë e sinqeritet, art e talent,
thjesht e bukur, pa ndërlikime manieriste dhe e sinqertë e pa poza. Më ngjall
emocione. Vetë nuk kam shkruar dhe nuk besoj të shkruaj poezi, por kam një parim: Proza e “vdes” poezinë, ndërsa poezia e “ngjall” prozën, dhe kam
futur nëpër prozat e mia faqe të tëra me prozë poetike si te tregimi”Edhe Yjet
vdesin”, “Trëndafili i gjakut”, “Lulebora” etj. Poetët për mua janë magjistarët
e fjalës. Në studimin për të madhin Bilal
Xhaferri , kam vënë në dukje se poezia është diçka e vetvetishme, që nuk e kërkon,
ajo vjen vetë, si një bekim, kudo që të ndodhesh, si ndijim , si përjetim, si
diçka shpirtërore, subjektive por jo abstrakte dhe hermetike. Hermetizmi e
mbyll poezinë në kafaz, i pret krahet e se le të fluturojë. Qofsha i gabuar,
por poemat dhe poezitë e gjata, që shkruhen tani, duken si jashtë kohe, lexuesi
i sotëm, i angazhuar e nervoz nga
shumçka e jetës së mbrapshtë, humb durimin dhe
e ka të vështirë t’i lexojë. Poezisë i jep bukuri mendimi, që vishet me
stolinë e fjalës, me metafora të gjetura e krahasime brilante, ritmi i brendshëm
dhe rimat, mundësisht në pak strofa apo rreshta, ku mendimi sintetizohet me
fjalën. Shëmbulli më i mirë gjendet në poezitë lirike të folklorit tonë të
pasur e të bukur deri në përsosmëri. Shpesh ato më japin më shumë kënaqësi sesa
disa poezi mesatare apo prozaike të botuara në shtypin elektronik. Poetët kanë
edhe një përparësi tjetër, ata lexohen më shumë sesa prozatorët(proza do
angazhim kohor dhe durim) dhe bëhen më shpejt të njohur. Natyrisht, është një
gjë e mirë për ta.
* *
*
Botimi i librave është një problem më vete.
Shkrimtarët dhe poetët e pasviteve 90-të, janë
ndodhur në kushte të vështira për
botimin, shpërndarjen dhe promovimin e krijimtarisë së tyre. Janë mbi 90-të shtëpi
botuese, por asnjera nuk merr përsipër përgjegjësi dhe rreziqe që të botojë
krijimet e shkrimtarëve dhe poetëve me shpenzimet e veta, përveç disa autorëve
të pakët e të afirmuar. Autori duhet të paguajë. Kur më në fund e arrin këtë
mundësi, shtëpia botuese i jep librat dhe ai të bëjë çtë dojë me to! Nuk ka shpërndarje,
librat nga kryeqyteti nuk shkojnë në rrethe, dhe çështë më keq, as në
bibliotekat e rretheve. Dikasteri përkatës nuk jep fonde. Autorët, marrin librat
në çanta dhe si varfanjakë e lutës, shkojnë librari pas librarie , ku i shohin
shtrembër dhe ku me zor u pranojnë nga pesë copë. Edhe ato, i vendosin në stivën
e librave pa mundur ti gjejnë dot më se ku i kanë vënë!Kam mendimin se letrarët
e sotëm, i paguajnë haraç letërsisë për brezat që do të vijnë. Kanë për të
kaluar shumë vite, kur ky tranzicion i mbrapshtë të marrë fund dhe lexuesit, e
çliruar nga politika dhe paragjykimet, do të duan të dinë se çfarë kanë shkruar
dhe si e kanë gjykuar këtë periudhë shkrimtarët dhe poetët.
Çmimi
i librave është i shtrenjtë( dy–tri here çmimin e kostos). Ata që kanë dëshirë të lexojnë, nuk kanë mundësi t’i blejnë, ndërsa ata
që kanë mundësi ti blejnë, nuk kanë dëshirë të lexojnë! Ky është paradoksi i
kohës.
Në jetën intelektuale dhe kulturore, natyrisht
ne nuk pretendojmë që dielli të rrotullohet rreth nesh, por të zemë aq vend sa
na takon në atë hapsirë.
Shkrimtarët
dhe artistët nuk kanë një shtëpi ku të mblidhen e të bëjnë diskutime krijuese.
Ajo që kishin(dhe nuk ditën ta mbanin) ishte vërtet e bukur, dhe shteti e mori
për vete, por e mori dhe nuk dha asgjë në këmbim. Lidhja e Shkrimtarëve është
inekzistente, fiktive. Shkrimtarët nuk janë të organizuar në shkallë kombëtare,nuk
njihen me njeri-tjetrin, nuk kanë organe, gazetë apo revista letrare ku të
botojnë krijimtarinë. Është një detyrim i dikasterit përkatës, por shteti ynë është
i lirë në miell e i shtrenjtë në krunde.
Janë për tu përgëzuar botuesit e gazetave
letrare”Nacinal” dhe “Muzgu”.
Thuajse
mungon kritika profesioniste. Ata pak kritikë të njohur, pasi kanë marrë titujt
e gradat, tashmë japin ato orët e mësimit në fakultete dhe heshtin. Me sa duket
nuk kanë më interes, se edhe shkrimet nuk paguhen, e pse të lodhen, nga
dashuria për artin?
Më keq
s’ka si bëhet.
Kam qenë
dhe jam i mendimit se shkrimtarët dhe artistët duhet të vetorganizohen, ashtu
siç kanë bërë në disa qytete, pa pritur
të bien kocka nga qielli.
Jemi me fat që funksionojnë portalet
elektronike, pa to nuk e di se çfarë do të bëhej dhe si do ta bënin të njohur
krijimtarinë e tyre gjithë komuniteti i shkrimtarëve dhe poetëve. Ndaj
z.F.Terziu, A. Nuro, M. Hoxhaj, poseduesit e portaleve “Kritika” ,”Kosovari
media”, “Zemra shqiptare” dhe të tjerët, meritojnë nderim të veçantë, për
ndërmarrjet e tyre fisnike e qytetare.
Tiranë, 2013-2018