Monday, 24 December 2018

GJUHA E KURSYER DHE DINJITETI POLITIK NË POEZINË E ERIH FRIDIT

Remzi Salihu
GJUHA E  KURSYER DHE DINJITETI POLITIK NË POEZINË E ERIH FRIDIT 


1
    Poetët shëmbëllejnë në hapësirë dhe kohë, si qenie vepruese kreative nëpër dimensione të ndryshme jetësore. Ata me artin e tyre gjithnjë transformojnë në mënyrë artistike vetveten dhe rrethin ku jetojnë dhe veprojnë. Me sakrificë rrugëtojnë përpara në jetë, duke menduar dhe synuar për çështje të  komplikuara njerëzore. Sidomos duke marrë detyra të rëndësishme për perspektivën e njerëzimit, të ardhmen, fatin, fatkeqësinë shoqërore dhe veçanërisht lirinë e tyre në përgjithësi. Poetët në vokabularin e bazhdizuar gjuhësor e mendor kanë parasysh të kaluarën,të sotmen dhe të ardhmen,si dhe pozitën e tyre shoqërore në botën bashkëkohore, bashkë me të arritura të mëdha shkencore. Poetët përparimtar dinë të gjykojnë drejtë për të mirën dhe të keqen,gënjeshtrën dhe të vërtetën, realen dhe surealen, shkencoren dhe jo shkencoren. Ata mundohen të bëhen njohës dhe vlerësues më të shkathtë të sendeve dhe shoqërisë për rreth. Poetët cirkëlojnë vazhdimisht me pulsin e njerëzimit. Disa çështje për ata janë revolucionare dhe disa reaksionare, antirevolucionare. Si të mira të përgjithshme për poetët revolucionar janë vlerat humane, të cilat e vënë në lëvizje rrethanat ekzistuese politike dhe përparojnë shoqërinë njerëzore me ide të reja. Ndaj mund të themi se poetët e mirëfilltë përherë i shërbejnë në vazhdimësi njeriut dhe shoqërisë, dhe veprojnë si timonier të shkathtë në ndërtimin e botës së re. Ata gjithnjë mundohen të flakin nga jeta ndyrësirën, të shëmtuarën, makabren dhe të padurueshme e hidhur të kohërave të kaluara. Të flakin ato paragjykime të errëta që u kanë sjellë dëme të mëdha vendeve dhe njerëzimit.
    Disa forma të njohura të forcës, torturës dhe masakrave të shfrenuara, i ka mbajtur në gjirin e vet, si epshe të errëta edhe fashizmi. Këto ideologji të mykura njerëzore, krijuesit përparimtar i kanë luftuar dhe do ta luftojnë gjithnjë për të mirën e njerëzimit, sepse oreksi fashist me mekanizmat e veta kafshon edhe në ditën e sotme. Ajo egërsira e saj në vazhdimësi kullot me dhëmbin e prehtë të dhunës dhe intolerancës nëpër kopshtet e ndryshme të botës. Dhe kjo ideologji e egër vepron lirshëm nëpër ato vende të botës, ku janë më pak të zhvilluara kushtet materiale ekzistuese, si dhe shumë elementet tjera politike e shoqërore të munguara, të cilat janë bazë e nevojshme për demokraci të mirëfilltë. Ideologjia fashiste vepron në ato vende të brishta politike, ku ndarja e botës bëhet në pikëpamje ushtarake politike ekonomike e ideologjike. Madje ajo vepron bindshëm atje ku bëhet vrapimi pas armatimit, lufta e yjeve, presionet e ndryshme politike, kriminaliteti i përditshëm, si dhe tek ata njerëz destruktiv e racist, që tokën e pëlleshme në vend se ta mbjellin me lulet e paqes, ato e mbjellin me raketat e trishtimit. Fashistët të keqen, gjithnjë e më shumë, e kultivojnë nëpër parcelat e tyre ideologjike. Në rend të parë të veprimit të tyre vënë frikën, dhunën, tmerrin, për t’i plotësuar kërkesat e tyre të mbrapshta, duke ia rrezikuar edhe më shumë  ekzistencën njeriut.
      Të gjithë të mirat dhe të këqijat e historisë njerëzore janë me pikënisje te njeriu dhe të gjitha ato kur vlerësohen drejtë dhe pa paragjykime, nga distance kohore,  zgjojnë dhe frymëzojnë kërshëri për një humanizëm edhe më të madh te njeriu i kohës sonë. Ky humanizëm ka vlerën e vet kur gjërat prapështa frenohen për të mirën e njeriut. Ato duhet të shihen drejtë dhe me përgjegjësi të madhe. Njeriu duhet ta transformoj veten për gjëra të vlefshme, dhe jo të mbjellë në shpirtin e vet urrejtje, padrejtësi, lakmi, uzurpim etj. Në vend të territ duhet instalojë dritën, për t’i pare gjërat drejtë dhe kthjellët. Këtë formë qasjes së kritikës kanë edhe vargjet e poetit Erih Frid.
      Pjesëmarrja e Erih Fridit në luftë kundër padrejtësive, kundër të privilegjuarve, asnjëherë nuk ka pushuar së vepruari gjatë jetës së tij. Mendimi filozofik e kritik i këtij poeti të madh gjermanë, me prejardhje Evreje, mëton dhe nxit një çështje të rëndësishme të njeriut dhe botës. Ai demaskon mistifikimet që mjegullojnë realitetin objektiv. Gjatë kohës së ndjekjeve fashiste përherë ka qenë në anën e të përndjekurve. Ka shprehur dhimbje dhe dashuri të madhe për ata individë të guximshëm që janë sakrifikues të jetës dhe sidomos për ata të cilët kanë vdekur me mundime e masakra të rënda nëpër kampet e përqendrimit. Ai do të qajë fatin e familjes së tij të ndjekur e të torturuar,dhe me pendën e tij të mprehtë ka qenë gjithmonë i gatshëm të fshikullojë të gjitha represionet e montuara të sistemeve për njerëzit liridashës. Poeti jetoi ne një kohë me plot kundërthënie, prandaj edhe tërë veprimtarinë e poetit e përshkon një numër i madh i kundërshtive jetësore e shoqërore. Nëpër këto shkaqe jetësore vetëdija njerëzore bëhet më e theksuar dhe më sublime dhe kërkon njohjen e gjërave më me përkushtim,për t’i kuptuar më qartë kushtet e vërteta që e rrethojnë njeriun. Për t’i kuptuar të gjitha këto përjetime, poeti kërkon ‘’afrinë’’, të jetë pjesëmarrës në rrjedhat e tyre, sepse  ato nga ‘’largësia’’ nuk mund të kuptohen drejtë dhe qartë, sipas normave të dialektikës revolucionare. Poeti kërkon nga njerëzit të jenë revolucionarë të fortë dhe të mos përkulen kundrejt kurtheve, pengesave, maltretimeve të shumta që i dalin njeriut gjatë tërë jetës. Në këtë mënyrë poeti me imagjinatën e tij të angazhuar do të shkojë aq larg saqë me një qëndrim kritik do të kërkoj edhe nga klasikët e marksizmit, që ta largojnë të mirën e tyre nga e keqja e tyre, madhështinë e tyre nga vogëlsira e tyre, pyetjet e tyre nga përgjigjet e tyre. Ai do të kërkoj madje me vendosmëri edhe forcën e mbrojtjes kundër forcës së shtypjes, shfrytëzimit, kolonizimit etj. Në këtë mënyrë dhe frymë njerëzore revolucionare, para këtij poeti, do të veprojnë edhe Byhneri dhe Beli. Sot kur kemi parasysh praninë politike të kohës dhe përsëritjen e situatave politike që ndodhin sot në botë, nuk mund të veçojmë nga prania estetike e poezisë së tij. Erih Fridi kërkon që vetëdija njerëzore të çlirohet prej shtrëngimeve ideologjike të kufizuara, të gabimeve të dogmës utopike, e cila dogmë në jetën e përditshme e shtyn njeriun të takohet me forcat konservative dhe ato përparimtare. Stalinizmi dhe dogma e socializmit real për poetin nuk është asnjëfarë zgjedhje e qëndrueshme dhe nga ky aspekt ky poet është dalluar shumë nga shumë krijues majtist të Evropës perëndimore.

2.
     Që nga vitet gjashtëdhjetë në Gjermani merr hov ‘’Grupi 47’’(janë shkrimtar me orientim majtist). Ky grup shkrimtarësh ka qenë shumë i çmuar në Gjermani,  pasi që në radhët e saja i ka futur intelektualët më të njohur dhe më të rëndësishëm të shoqërisë, me diskonim dhe orientim antifashist. Grupi ka qenë i rëndësishëm për veprimet politike të kohës, për krijimin e klimës së re intelektuale në Gjermani. Ata luftonin me këmbëngulësi dhe në mënyrë permanente lëshimet politike dhe ato kulturore të kohës. Vendit dhe popullit donin t’ia kthenin imazhin pozitiv, pasi gjatë luftës Gjermania kishte humbur autoritetin dhe besimin duhur në botë. Shumë autorë u kyçën në këtë ndërmarrje intelektuale, kulturore të nevojshme. Të këtij drejtimi kanë qenë Hajnrih Beli, Petar Vajsi, Rajner Kiphardin, Hans Magnus Encensbergeri, Valter Jensoni, Gynter Grasi etj. Këta krijues të këtij orientimi përparimtar, bashkë me Erih Fridin, u bënë figurat më të njohura të kohës dhe patën rastin të zgjojnë interesimin e komunikimit masovik në Gjermani e gjetiu. Fridi edhe pse jetonte në Angli, megjithatë ai mbante korrespodencë të përhershme me Gjermaninë. Në gjuhën Angleze shkruan vetëm manifeste politike. Ndërsa  prozën dhe poezinë e ka shkruar vetëm në gjuhën gjermane. Të gjitha inspirimet poetike i ka bërë në gjuhën e vetë amtare. Poetin e kanë frymëzuar lloj-lloj ‘’derllëqesh’’, prandaj ai nuk rri duarkryq, por merr qëndrim të caktuar për t’i kritikuar ato dukuri të hidhura. Ai me qëndrimin e vet ka treguar se krijuesit nuk duhet të jenë aq fisnik kundrejt aksioneve politike antihumaniste. Ky si majtist ka ngritur zërin edhe kundër socialdemokratëve, kundër raketave të ndryshme të stacionuara në truallin e Gjermanisë të cilën gjë e kritikoi ashpër dhe haptazi në Bremen. 
Mund të themi me të drejtë, se Erih Fridi do të mbetet figurë e rëndësishme dhe mjaft interesante e kohës, si në botën poetike, ashtu edhe në atë ideore politike. Rëndësia e pikëpamjeve, idealeve të tij gërshetohet në guximin dhe në gjuhën e mprehtë e kritike. Ai me tërë forcën e vet drejtohet kundër frymës dogmatike, e cilat nga ditë në ditë komprometohej nga lëvizjet e ndryshme të klasës punëtore. Nga vet përvoja e tij ka parë se të gjithë dogmatistët janë me tendenca të fuqishme dhe veten e vënë në shërbim të aksioneve praktike politike e partiake. Poezia e tij nuk është shërbëtore e asaj politike të kufizuar, të njëanshme, por ajo teh i prehtë artistik realist që lufton kundër vjetërsimit, kundër cektësisë, kundër pragmatizmit të tepruar dhe shumë të metave tjera që rrethojnë realitetin objektiv. Poeti në disa poezi do t’u kundërvihet edhe klisheve tradicionale të qasjes letrare, kështu që shumë poezi duket se edhe polemizon me të gjitha ato të meta ekzistuese. Poezitë e tij do të mbeten, si ndërgjegje e kohës, pasi meditimet e tilla kritike, me ndjeshmëri të rrallë shpalojnë masakrat e së kaluarës. Poeti ndjenë dhimbje për të shtypurit, ashtu siç ndjenë dhimbje për njerëzit e afërm të tij. Kështu me mall dhe dhimbje të theksuar do t’i kujtoj edhe Ernst Bllohin, Ernst Fisherin, Hajnrih Belin, Petar Vajsin, Herbert Markuzen, Rudi Dushken, Brehtin e sidomos Ulrike Majnhofin, të cilët kanë qenë të ndjekur, të vrarë e të masakruar gjatë tërë jetës, vetëm pse ishin të veçantë dhe përparimtar. Këto viktima të kohës kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e poetit. Traumat e tilla poetin e kanë shoqëruar gjithkund dhe e kanë shtyrë e motivuar, që t’i rikujtoj nëpër vargje, si hije mallëngjyese, ashtu siç kujton me dhimbje jetën tragjike të riut Georg Byhnerit. Hija figurative byhnerjane shfaqet edhe te personalitete tjera, që janë prezentë edhe në ditët e sotme. Ai nuk mund të harroj të riun nga Darmshtati, që ka qenë i ndjekur, i sëmurë nga tifoja deri në vdekje. Duke rikujtuar për ato personalitete të dhimbsur, poeti kërkon të shpaloj ‘’errësirën e kohës sonë’’. Ndër të tjera me rastin e marrjes së dhuratës së Byhnerit, më 17.X.1987, Erih Fridi, duke folur për jetën dhe veprën e këtij revolucionari të madh gjerman, shtron pyetjen:’’Si do të shkruante Byhneri sot? Për shtetet që deklarohen si vende të paqes e lirisë, kurse në anën tjetër ata i shtypin dhe i mbyllin demonstruesit paqësor, që ngrenë zërin për të drejta e tyre dhe për një humanizëm më të madh njerëzor. Shumë shtete flasin për demokracinë, kurse nga prapaskena e përkrahin Pinoçen, Batuan, Mabuton, kontratat e Reganit. Ndoshta Byhneri sot do t’i kishte ndërruar disa personazhe të veta? Ndryshimi ndërmjet Gorbaçovit dhe Gebelsit qëndron te bundat e bashkëshorteve të tyre. Kështu do të thoshte atëherë poeti. Poeti madje revoltohet për miliardat që harxhohen sot në botë për armatim, kurse në anën tjetër shumë njerëz jetojnë në mjerim, shumë të rinj mbeten të papunë dhe të varfër e që nuk mund të shkollohen, bëhen viktima të drogës dhe shtypjeve të ndryshme. Për fat të keq miliona fëmijë, nga viti në vit, vdesin nga uria. Kundër kësaj mortaje tragjike që jep dënim me vdekje, po që se me një mënyrë statistikore llogariten të gjitha harxhimet që bëhen për armatim në botë, pa dyshim, mund të thuhet se asnjë njeri nuk do të ishte i uritur. Poeti kërkon një intelegjenci humanitare, që do t’i kishte vënë në nishan të kritikës, dukuritë negative të kohës sonë. Ai me shkathtësi do t’i ironizoj antisemitizmin, që përsëri ishte duke gjallëruar në Gjermani. Francë dhe sidomos antisemitizmin e paturpshëm në Austri, ose në Arabinë Saudite, që mbjellin urrejtje kundër hebrenjve. Por, Fridi është i gatshëm t’i godas e t’i nxjerr para gjyqit poetik edhe Izrailët e sotëm që përbuzin e nuk përfillin zakonet dhe normat e njohura shoqërore të kulturës, drejtësisë, tolerancës dhe pavarësisë së njeriut. Erih Fridi nuk mbetet  pa nënvizuar nëpër krijimet poetike të tij edhe kriminalitetin e ditës, vetëmbrojtjen policore, ose vrasjen e njeriut të pafajshëm. Me të gjitha këto motive të larmishme, autori në mënyrë realiste përshkruan kriminalitetin, ndjekjen, përndjekjet tmerruese dhe vetëvrasjet e çoroditura të kohës. Nëpër vargjet e tij manovrojnë edhe njësitë special të medicinës kërkimore balistike, që shërbejnë për zbulimin e vetëvrasjeve dhe terrorizmave të ndryshme të kohës sonë.
   Nëpër poezitë dhe vargjet me karakter politik, ku dominon fryma realiste, do t’i strehoje edhe emrat e personave të njohur, ata të cilët bënë vetëvrasje gjatë kohës që jetonte autori. Ai do të pikëllohet për fatin e përgjakur të Gudrum Enslinit, Andreas Baderit, dhe për Xhon Karll Rospenin, të cilët bënë vetëvrasje jashtë dhe brenda Gjermanisë Federale. Në vargjet e tij Fridi gjykon errësirën e botës bashkëkohore, ku njeriu aty është dhe sa ora mund edhe të zhduket, gjykon pasigurinë e individit në shoqëri. Poeti nuk e kursen veten që si krijues të mos flas dhe të tërhiqet nga kundërshtimet e poshtërsive të përditshme por nuk e humb as besimin për një botë më të mirë e më të shëndoshë, që njeriu do të kishte mundësi të marrë frymë më lirisht dhe të jetoj i lumtur.
     Shprehjen politike figurative, Fridi e kurorëzon me pikëpamjet e veta politike, sepse në këtë mënyrë ai më së miri do ta zbulojë të vërtetën jetësore. Sa hijshëm do të ishte kur secili do të përkujdesej për pemën e vet të njomë, pa e dëmtuar atë fryt të së ardhmes, ngase siç thotë edhe vet poeti, gjuha e akuzës, si dhe gjuha e mbrojtjes, fitojnë besimin dhe mbrojnë masën e fisnikërisë. Ky poet revoltohet kur sheh padrejtësi dhe vdekje jo të natyrshme. Ai i drejtohet vetëm njeriut dhe është kundër fanatizmit dogmatizmit të tij dhe kërkon që bota të mos mbetet në ‘’Status quo’’ ngase e vërteta e revolucionit për të është revolucioni i së vërtetës dhe dëshiron që revolucionet të jenë sa më revolucionare, ashtu siç janë kundër-revolucionet kundër-revolucionare.

3.
       Poetët janë përherë më të parët që e ndjejnë optimizmin dhe krizën e jetës njerëzore. Fridi u takon atij grupi poetësh, që poezinë e shkruajnë për të drejtat e njeriut, sidomos për punëtorin, i cili është më i shfrytëzuari në këtë botë. Ai ngre zërin lart kundër të gjithë atyre që shtypin dhe shkatërrojnë njerëzimin. Kështu do të veproj kundër disa personaliteteve, që historinë e përmbledhin në ide raciste dhe komplote për t’i realizuar qëllimet e tyre të errëta, reaksionare, duke u dhënë karakter sensacional ngjarjeve historike. Poeti akuzon me të drejtë veprimtarinë e disa personaliteteve që atakojnë themelet e humanizmit dhe të demokracisë njerëzore. Kështu ashpër do të veproj edhe për Hitlerin, si dhëmb i tepërt i nofullës njerëzore, i cili kafshoi ashpër kohën e vet, duke ngritur kombin e vet në majën më të lartë të civilizimit njerëzor dhe në anën tjetër akumulon urrejtjen për kombin tjetër. Poeti kërkon demokraci për njeriun që të mos jetë vetëm qytetar, por të jetë edhe person aktiv, që do të di ta transformoj veten për ndërtimin e personalitetit të vet human.
     Erih Fridi qe poet humanist, internacionalist, revolucionar, i cili tërë jetën ia kushtoi mirëqenies së njeriut, për një botë më të mirë e më humane. Ai luftoi deri në frymën e fundit kundër të keqes. I operuar disa herë(për shërimin e kancerit), me shëndet të sëmurë, u bë kancer, me tërë qenien e vet, për ta përmbysur të keqen errësirën e kohës sonë, vrasjet e përditshme, atentatet që janë kundër jetës së qetë të njeriut të sotëm dhe atij të nesërmit. Fridi pothuaj se gati tërë jetën e kaloi në mërgim. Shkaqet kryesore të largimit nga vendlindja janë dy: E para, ai ishte komunist dhe e dyta, ai qe çifut. Për të parën nazistët do ta kishin burgosur, kurse për të dytën ato do ta kishin vrarë. Por strehimi i tij ne tokë të huaj, nuk ia ndryshoi bindjen, qenien dhe idetë e tij përparimtare. U largua me trastën e mërgimit në shpinë, u largua nga qyteti buzë Danubit të kaltër e të bukur. Me ndjekje e përndjekje kaloi pas shtatë kodrash e shtatë malesh, që vetëm e vetëm, të shpëtoj kokën e të gjej diku strehim. Përveç mallit dhe kujtimit nga vendlindja mori edhe gjuhën. Prandaj gjuha, atij do t’i bëhet më vonë atdhe. Me gjuhën e tij të rrjedhshme dhe të pasur poetike, ka kërkuar afrinë midis njerëzve. Këto ide poetit i kanë shërbyer si xixa stralli edhe në frymëzimet e veta poetike. Ky autor kurrë nuk e ka vënë në dyshim ndërgjegjen e vet, as për shkrimet e veta, as për pikëpamjet e veta politike. Ai tërë jetën veproi me ndërgjegje të pastër. Sipas tij kënaqësia dhe dashuria e njeriut fitohet atëherë kur në vete hap dyert e afrimit, të ngrohtësisë, miqësisë së ndërsjellë midis njerëzve dhe me siguri nga ky aspekt njerëzor i transformimit, nuk do të jetë askush i brengosur. Poeti u ngjit lart nëpër shkallët e përvojës së vet dhe kërkoi që bota të jetë në dialektikë të përhershme. Fjalori poetik i këtij poeti është mjaft i guximshëm dhe i takon asaj letërsie që flet shtruar pa kompromis për të gjitha segmentet e jetës.
Pozita e Fridit do të mbetet si “hije lehte” që ngërthen në vete të kaluarën dhe të tashmen e jetës sonë, e cilat hije, tanimë, lë gjurmë të tatuazhuar edhe për një të ardhme më të lumtur. Poezive erotike, protestuese, ditore, si dhe poezive dokumentare ua ka dhënë një formë dhe rrugë të re. Vargjet janë mjaft të kursyera dhe kanë një dinjitet politik e kritik të theksuar. Nëpër disa vargje hetohet një dyshim provokues, por që sjell dobi dhe porosi të caktuar. Në poezinë fridjane manovron frika dhe dyshimi, por kjo nuk do të thotë se poeti mëton ndonjë pesimizëm e që do t’ia kishte humbur vlerën poezisë së tij në tërësi. Aty më së miri shihen dhimbjet dhe tronditjet e ndryshme të njeriut nëpër botën e atomizuar, luftës psikologjike, që në vete e ndjenë thellë njeriu. Vargjet e këtij poeti sjellin një frymë të re në poezinë gjermane. Kthimi konkret në lojën e fjalëve dhe në shprehjen meditative, refleksive, autori e aplikon me një gjuhë poetike lakonike e precize. Shprehja poetike në poezitë e Fridit merr një akt të caktuar dhe jep kuptime të rëndësishme të komunikimit artistik. Vargjet poetike mund t’i quajmë si të zëshme, sepse shpalojnë gjendjen dinamike të gjuhës kritike. Nga fjalët dhe shprehjet e pasura shihet qartë tërësia artistike e poezisë, e cila është mjaft funksionale. Me një zgjedhje të kombinuar të fjalëve, poezia e tij merr dimensione të larta artistike. Autori prej secilës fjalë kërkon t’i plotësoj kushtet funksionale eufonike, ritmike, sintaksore dhe semantike. Prandaj në disa raste ndonjëra fjalë luan rolin kryesor dhe bëhet bartëse programatike e domethënies, me fjalë të tjera poeti në poezi i ka përdorur të gjitha mjetet të një tërësie integrale me interferencë të ndërsjellë. Në këtë kontekst vend me rëndësi zë sintaksa personale e ndërtimit të poezisë. Kjo sintaksë individuale drejtpërdrejtë udhëheq motivin e këngëtimit të veçantë dhe nga inovacionet sintaksore shprehet qëllimi semantik i kuptimit. Vargjet e poetit janë të pasura me antonime, disa prej tyre janë: afria-largësia, jeta-vdekja, hija-drita, fati-fatkeqësia, frika-guximi etj. Fridi i jep mjaft rëndësi edhe gjuhës së përditshme. Të folurit poetik vë në shërbim të leksemave me një precizitet asociativ, të cilat shprehje mund të interpretohen vetëm në kontekst të vargut. Të tilla janë edhe fjalët e përbëra hijearrestimi, hijethemelues, hijelufte, hijeluftëlirie etj. Me një mjeshtëri dhe sens të rrallë e përdor metaforën, anaforën, antitezën, krahasimin, ironinë etj. 
Që nga vitet gjashtëdhjeta, poeti në lirikën gjermane futi një këngëtim të ri. Unin lirik e ngjeshi edhe me një përleshje gjuhësore politike të përhershme. Deri më sot Fridi ka qenë poeti më i diskutueshëm në poezinë gjermane. Kualiteti artistik e ka bërë veprimtarinë poetike të Fridit mjaft tërheqëse. Poezitë e tij kanë plot citate, kurse vargjeve dokumentare u ka dhënë formë dhe rrugë novatore që mbahen në mend. Fryma satirike dhe pamfleti, loja e fjalëve dhe montimi i citateve e bën poezinë mjaft sensacionale dhe të kapshme për lexuesin.
Ky poet i madh gjerman poezisë i ka dhënë bukuri dhe kursim fjalësh. Deri në fund të jetës qe besnik i poezisë lirike, për të cilën gjë dëshmon e tërë krijimtaria letrare, e cila tanimë e pasuron poezinë gjermane e botërore në përgjithësi. Erih Fridi është laureat i shumë shpërblimeve letrare. Një vit, para se të ndërrojë jetë, mori shpërblimin e Byhnerit në Gjermani, kurse në ish Jugosllavi shpërblehet me “Çelësin e artë të Smederevës”. Të gjitha shpërblimet i fitoi për kontributin e madh që dha ky poet për mirëkuptimin dhe afrimin e popujve. Sepse në tërë opusin e tij letrar buron dëshira e zjarrtë për mirëqenien e njerëzve në botë. Poezinë e shkroi për të gjithë dhe tërë unin e vet e vu në shërbim të të drejtave të njeriut, pa dallim feje e ngjyre. Fridi luftoi deri në fund të jetës me ndërgjegje të pastër, duke kritikuar të keqen, luftën imperialiste dhe të gjithë ata që cenojnë lirinë e njeriut. Këtë gjë ma thoshte edhe mua gjatë përkthimit të poezive të tij. Më këshillonte të mos bie pre e politikës së kohës në ish Jugosllavi. Ka qenë njeri shumë human dhe luftonte vazhdimisht për të drejtat e njeriut.



Një cikël poetik nga Erih Fridi



STATUS QUO

Kush kërkon
 që bota të mbetet
kështu si është
ai nuk donë
që ajo të mbetet si e tillë




NË QOFTË SE TEJKALOHET

Për përfundimin
E luftës së dytë botërore
Kur njeriu takohet me një gjerman
Shtron pyetjen:

A ka qenë ai atje
Atëherë para shumë vjetësh
Cilin e ka vrarë
Në Aushvic ose në Rusi?

Rreth përfundimit
Të luftës në Vietnam
Kur njeriu takohet me një amerikan
Shtrohet pyetja:

A ka qenë ai atje
Atëherë para shumë vjetësh
Në Saigon ose në Da Nang
Cilin e ka vrarë ai?


                                                                SHPIFJE POLITIKE

Kush thotë A
Sot njerëzit 
Ia ngjeshin
Se ka thënë
Edhe B



KUPTIMI I HISTORISË  MEPIKËNISJE TE NJERIU 

Frankoja ka qenë një burrë i madh me shumë gabime 
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër 
Hitleri ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Stalini ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Cerçili ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Napoleoni ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Torkuemada ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Luteri ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Dshingis Khan ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Neru ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Cezari ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri me shumë gabime
Aleksandri ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë një njeri si çdokush tjetër
Moisiu ka qenë një burrë i madh me shumë gabime
Dhe në bazë prapëseprapë njeri si çdokush tjetër

Sa të larmë dhe të ndryshueshëm
Janë personalitetet e historisë botërore
Kur ne thellohemi pa paragjykime dhe saktësisht




FLLUSKË SAPUNI

Unë kapem
Për një kërcell kashte
Dhe nëpër të fryj
Politikanët
Gjeneralët
Dhe policët

Ato vezullojnë
Me mendjemadhësi
Në të gjitha ngjyrat
Por ato plasin
Posa i prek
Njeriu

Policit
 që ia tregova këtë
pa e prekur atë
ai më preku mua
me pendrekun e tij
kështu që unë plasa




SHPËTIMI

Njëherë në fillim
Ta shpëtojmë Leninin para Stalinit
Por njeriu Leninin mund ta shpëtoj para Stalinit
Kur më parë do ta shpëtoj Lenin para Leninit

Por Leninin njeriu nuk mund ta shpëtoj para Leninit
Nëse njeriu në fillim nuk e shpëton Marksin dhe Engelsin
Para Leninit
Dhe Marksin e Engelsin mund ta shpëtoj njeriu para Leninit 
Kur njeriu Marksin dhe Engelsin e shpëton 
Para Marksit dhe Engelsit

Dhe jo vetëm Marksin para engelsit të vonuar
Por edhe Marksin për shembull
Para Marksit të vonuar

Kur njeriu e shpëton të mirën e tyre
Para të keqes së tyre
Madhështinë e tyre
Para vogëlsirës së tyre

Të njerëzishmen e tyre
Para të panjerëzishmes së tyre
Luftën e largësive të tyre
Para largësive të tyre

Pyetjet e tyre
Para përgjigjeve të tyre
Njohuritë e tyre
Para parashikimeve të tyre

Metodat e tyre
Para metodave të tyre
Dhe pa përsosmërinë e tyre
Para përsosmërisë së tyre


KRAHU I GJATË I PADREJTËSISË

Terrorizmi e ka
Një krahë të gjatë

Djallëzitë e këtyre njerëzve ndërzehen
Me aftësitë e posaçme
Që paraqiten si të pabesueshme

Për shembull Andreas Baader’’
Mashtron masën
Sikur të jetë i vrarë nga të tjerët
Me vetëvrasjen e tij të përmendur
Jo vetëm që e  përshkon plumbi
Por vetëvrasjen e bën pas shpine në zverk
Ku plumbi i ka dalë përpara në ballë
(edhe pse ka qenë mëngjarash
Ka gjuajtur me dorën e djathtë)
Por përfundimi i kontrollit të dhënë
Sipas ekspertëve balistik
Të punëve të brendshme për kriminalitet
Kjo krismë është bërë prej një largësie
Tridhjetë deri dyzet centimetra
Prej grykës së pistoletës
Dhe e krisur pas shpine

A mund ta bëj ndonjëri sikur ai
Prandaj mund të themi
Se terrorizmi e ka
Një krahë të gjatë

‘’terrorist i njohur,sipas artikullit të “shternit” e  botuar më 30 Tetor 1980







PAZARI IKAFSHËVE/ BLERJE

Kryesuesi i policisë
Në Berlin kërkon
Një qen të sertë

Me  moshë një deri katër vjet
Me dhe pa
Tabelë gjeologjike

Parashikimi:karakter të mirë
Dhe shumë të ashpër
Me prejardhje ujku
Gjatë të krisurit  pa frikësuar
Dhe i shëndoshë

I stërvitur
Në kriminelin e pa mbrojtur
Qen me shportë në gojë

Do të paguhet
Deri më
750 marka

Oferta për:
Për kryesuesin e policisë
Në Berlin VV-F 1

1 Berlin 42
Tempelhofer Damm 1-7
Tel.69 10 91

Aparati
27 61
Vizë 64

PËRSHTATJE

Dje fillova
Të mësoj të flas
Sot unë mësoj të heshti
Nesër me siguri
Do ta ndërpres edhe mësimin





NUMËRIMI MITIK I SHEKULLIT XX(1933-?)

Tridhjetë e dy
Një dhëmbë më tepër
Quhet Hitler

Ai ka qenë i tepërt
Ai ka qenë i mprehtë
Ai ka krijuar dhimbje

Ai është rrahur
Ai është djegur
Ai është varrosur

Ai është përjashtuar
Dhëmbi i kuçedrës
Nuk është pa rrezik



KONFLIKTE MIDIS VETES

Marksi im Marksit tënd
Do t’ia shkul mjekrën

Engelsi im Engelsit tënd
Do t’ia thyej dhëmbët

Lenini im Leninit tënd
Do t’ia thyej krejt kockat

Stalini jonë Stalinit tuaj
Do t’ia përdredh zverkun

Trocki jonë Trockit tuaj
Do t’ia çaj rradaken

Mau i jonë Maun tuaj
Do ta mbys në Jongcejen

Që fitorja të mos mbetet
Mes rrugëve

FRIKA DHE DYSHIMI

Mos dysho
Në atë
Që të thotë ty
Ai ka frikë

Por të kesh frikë
Para atij
Që të thotë ty
Ai nuk njeh kurrfarë dyshimi




E VËRTETA
(Në memorialin e Manfred Perder)

Një të enjte të muajit shkurt 1980
Një policist
Duke kontrolluar trafikun
Për kapjen e terroristëve
Vritet në kokë
I pafajshmi Perder
Kryetari I ministrisë
Së Dizelldorfit
I ka dërguar vejushës së tij
Një telegram ngushëllimi
Me fjalët:

TERRORIZMI NË VENDIN TONË 
PËRSËRI E KA GJETUR
NJË VIKTIMË TË PAFAJSHME
(pikë fjali tjetër)
E vërteta
E përgjegjësisë
Mbetet nën hije

Kryetari i  ministrisë 
për viktimën
e pafajshme
I ka gjetur
Fjalët e përshtatshme



NJË NDRYSHIMjë 

Një fashist
Nëse nuk është 
Fashist
I vërtetë
A mund të jetë
Një fashist

Por një antifashist
Nëse nuk është
Më shumë se një antifashist
Ndoshta
Ai nuk është
Kurrfarë antifashisti








RRENACAKU

Ai u thotë fëmijëve
Mos u frikësoheni
Nga njerëzit e zinj
Se s’ka më njerëz të zinj

                                                        PËR PYETJET E STALINIT
                                                            Turpshëm pyesin
Për krimet e Stalinit
Sot disa flasin
Për një pyetje
Stalinjane

Asnjë pyetje më:
Kush flet sot
Për pyetjet stalinjane
Ai jep një përgjigje 
Staliniste




NJË PROFET

Ky budalla
Mendohet
Për të ardhmen

Me sytë e tij
Është i ngrysur
Para natës

Me veshët e tij
Nuk dëgjon
Përpara heshtjen

Me trurin e tij
Digjet
Përpara zjarrit

Me klithmën e tij




PËR DIELL, PËR LIRI

Unë dua t’i kem shokët
Shumë besnik
Siç i kam armiqtë e mi

Dhe armiqtë dua t’i kem
Shumë të ngathur
Siç janë shokët e mi

Dua t’i kem edhe ata punëtorë
Që kuptojnë shumë për luftën
Siç kuptojnë punëdhënësit e tyre

Vëllezër
Kjo do të ishte
Fitorja

(Poezitë i përktheu nga gjermanishtja Remzi Salihu)