Saturday, 31 January 2009

Kronika dhe spirale



Astrit Lulushi

Më 29 janar vdiq shkrimtari amerikan John Updike, fitues i çmimit “Pulitzer” e gjithmone një hap pranë çmimit Nobel. Pas një kariere letrare prej rreth 50 vjetësh, ai la pas mbi 50 libra, si dhe një numër të pallogaritshëm persiatjesh e recensione librash të zhanreve të ndryshëm nga autorë vendas e të huaj. Lindur më 1932, për Apdajkun ndonjëherë ështe thënë se ishte mishërim i konfuzionit të brezit të pare të rritur në varfëri pas Krizës së Madhe; cilësuar patriot idealist, kokëfortë rreth të drejtave civile, skeptik ndaj lëvizjes së grave dhe kundërshtar i luftës së Vietnamit. Apdajk është quajtur misogjinist, racist dhe apologjist i pushtetit. Por mbi të gjitha dhe vazhdimisht ai është vlerësuar për prozën e tij që dallohet nga një stil i rrjedhshëm shprehës e poetik.
Në vitin 1972, në libraritë amerikane doli i përkthyer në anglisht, libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i shkrimtarit Ismail Kadare. Vetëm pas 15 vjetësh, më 1987, falë një përkthyesi në atë kohë anonim, lexuesi amerikan do të merrte përsëri në dorë një tjeter roman të Kadaresë; “Kronikë në gur”.
Për këtë libër mund të thuhet se është romani i parë, në mos i vetëm i Kadaresë që është përkthyer sukseshëm nga shqipja në anglisht dhe jo nga frëngjishtja, sepse më vonë, pas botimit, do të flitej se libri ishte përkthyer nga shqipja nga studiuesi i njohur shqiptaro amerikan Arshi Pipa, i cili për shkak të mosmarreveshjeve me botuesin a autorin nuk kishte pranuar t’a vendoste emrin e tij si përkthyes
Pas suksesit në anglisht të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” botimi i “Kronikë në gur” nuk mund të kalonte pa u vënë re nga kritika letrare anglisht-folëse, përfaqësues për disa dekada i së cilës ishte Xhon Apdajk, i njohur për persiatjet e recensionet e tij thuajse të përjavëshme në revistat New Yorker e New York Times Review of Books. Ja se shprehej Apdajk më 1987, rreth libri “Kronikë në gur” që sapo ishte botuar në anglisht nga Meredith Press.
“Shqiptarët janë njohur për ashpërsinë, izolimin e ultra-komunizmin dhe jo për letërsinë e tyre bashkëkohore; megjithëse Ismail Kadare ka një reputacion evropian, dhe “Kronikë në gur” që botohet në Amerikë është jo thjesht kuriozitet, por një roman gjithë-tërheqës, i sofistikuar për nga mendimi, i arrirë për nga zhdërvjelltsia e shprehjes dhe plot vlera emocionale……
.....Kadare është krahasuar me Gabriel Garcia Marquez. Këta dy shkrimtarë tregojnë rreth qyteteve që vazhdojnë të lëshojnë vezullime magjepsëse dhe të mbizotërohen nga klanizmi. Qyteti prej guri (Gjirokastra) që Kadareja nuk ia përmend emrin, duket më pak jashtë botës reale, më pak i panjohur e më i parashikueshëm sesa qyteti Makondo i Marquezit, i tëri me ndërtesa me mure pasqyrash të larta…
……Por si ishte në gjendje Ismail Kadare, nën një regjim famëkeq ksenofobik si ai i Hoxhës, të krijonte një art kaq të hollë e të shprehej aq lirshëml?..……
…Kujtimet nostalgjike të fëmijërisë, sigurisht, përbëjnë një strehë mbrojtëse për një shkrimtar i cili krijon nën një regjim totalitar. Mënyra të tjera krijuese për një shkrimtar në kushte të tilla janë përkthimet, tregimet për fëmijë dhe romanet fantastiko-historike…”, shkruante mes të tjerash Updajk, Dhe thuajse të gjitha këto forma që përmend kritiku i njohur amerikan, duket se Kadareja i kishte përdorur mjeshtërisht si mburojë gjatë krijimtarisë së tij nën diktaturë.

No comments: