Saturday, 14 February 2009

Përrallat e "Englezkës"

Astrit BISHQEMI

1.

Në jetën e një qyteti ndodh që të bëhen të njohur, të dashur e popullorë disa bir e bija të tij, disa personalitete, disa njerëz që kanë jetuar e punuar aty dhe që kanë ndihmuar për diçka, në njërën fushë a në tjetrën. Dikush ka bërë emër si atdhetar i flaktë, dikush si dijetar "me kokën plot", dikush si mjek i zoti dhe i gjindshëm, dikush si tregtar i ndershëm, dikush… Ata kanë zënë vend në kujtesën e Qytetit, mbahen mend dhe përmenden brez pas brezi.

Kështu ka ndodhur edhe në Elbasan me shumë figura: Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Lef Nosi, Aqif Pasha… E, së bashku me ta, renditet edhe një e huaj, "Englezka". Vendi nga kishte ardhur, populli dhe kombësia së cilës i përkiste e pati nxjerrë në plan të dytë emrin e saj. Dhe bujtësja kështu përmendej gjithmonë, me këtë mbiemër të emërzuar, "Englezka": "Ajo Englezka, mikja e Lef Nosit,….", "Afër shtëpisë së Englezkës…", "Në kohën e Englezkës…", etj.

Sot kanë kaluar mbi treçerekë shekulli nga ajo kohë. Kopshti përreth vilës së re ku banonte erdhi gjithmonë duke u rudhur e duke u pushtuar pëllëmbë pas pëllëmbe nga ndërtesa të tjera. Po shtëpia e saj, në rrugën e Universitetit "A. Xhuvani", mbahet ende në këmbë, duke e ruajtur soliditetin e bukurinë e dikurshme. Dhe ka shërbyer herë si qendër kopshti didaktik e shkollave 7 e 8-vjeçare të qytetit, herë si qendër e ndonjë fondacioni të huaj, herë si kopsht fëmijësh…

Një i moshuar, mësues pensionist, aso kohe nxënës i Normales, më tregonte një ditë sesi "Englezka" shkonte herë pas here në shkollën e tyre, kishte miqësi e diskutonte me mësues, hynte nëpër klasa, bisedonte me nxënës, mblidhte proverba e përralla, mbante shënim fjalë e shprehje të ndryshme. Madje, shtoi: "Unë e kam pasur shtëpinë në atë lagje. Oo, qemë shqepur jo vetëm me pemë në qipshtet e saj, po edhe me mish të zier!". "Me mish të zier?!" hapa sytë i çuditur. Dhe ai më shpjegoi si duke qeshur. "Englezka" na paska qenë ca nazike në të ngrënë. Blinte ndonjë "berr". Vinte njeri për ta therur e për ta rrjepur. Ia hiqte të përmbrendshmet. Mishin e priste dhe e fuste në kazan. E zinte mirë e mirë, derisa të ndahej nga kockat. Lëngun pastaj e veçonte dhe e mbante për ta pirë, ndërsa mishin nuk e fuste në gojë. Gostiste me të fëmijët e lagjes ose ua jepte të varfëve për ta ngrënë…

2.

"Engleska" quhej Margaret Hasllëk.

Për jetën dhe veprën e saj në Leksikonin e Hasan Hasanit nuk gjetëm asnjë fjalë. Në ndihmë na erdhi botimi "Elbasani-enciklopedi", "Sejko", Elbasan 2003, ku lexojmë:

HASLLËK, Margaret (Margaret Hasluck 1885-1948). Etnografe dhe sociologe angleze. Kureshtja shkencore e drejtoi edhe në Shqipëri. Në Elbasan vendoset në fund të v. 1927. Në vitin 1935 ngriti vilën e saj në V të qyetetit. Qytetarët e quajnë "Shtëpia e Englezkës". I pëlqeu Elbasani për qetësinë, mikpritjen, kulturën, traditën dhe zakonet fisnike. Hyri e doli në Elbasan shtëpi më shtëpi.. Në rrethet intelektuale të qytetit u mirëprit për zellin e saj dhe metodën e gjurmimeve shkencore. Ajo me të diturit elbasanas zgjoi interesin për arkivimin sistematik të dokumentacionit historik të kodikëve të esnafëve, "Psalltirit" të Anonimit, fragmenteve të Dh. Todhrit, dorëshkrimeve të Shën Gjonit, regjistrave të Mitropolisë.

U largua nga Elbasani në shkurt të vitit 1939. Vendoset në Greqi e më pas në Aleksandri e Kajro të Egjiptit. Në v. 1946 me cilësinë e graduates së një ushtrie aleate, i kërkoi E. Hoxhës anullimin e dënimit me vdekje të Lef Nosit. Mesazhin e vet e përligjte me dokumente e fakte që dëshmonin atdhetarinë e kulluar të tij. Një javë më pas Lef Nosi u pushkatua.

Vepra e saj madhore është "E drejta e pashkruar në Shqipëri". Margaret Hasllëk është e para që mblodhi anekdotat e Binak Alisë, Mustë Ballgjinit dhe Selim Peshkut. Bashkëpunoi me shtypin shqiptar. Në v. `30 të shek. XX në revistën "Shkolla Kombëtare" botoi shkrime mbi luginën e Tomoricës dhe Tomorin, reportazhin "Përmes pyjeve të Ballenjës".

3.

Duke rrëmuar në fondin albanalogjik të Bibliotekës publike "Qemal Baholli" të qytetit tonë, gjetëm edhe një botim tjetër, dëshmi e punës shkencore të "Englezkës" dhe e ndihmesës së saj për kulturën shqiptare, një vëllim që paraqet interes në disa rrafshe. Ai ka njw frontespic të tillë:

"KËNDIME ENGLISHT - SHQIP

OR

ALBANIAN-ENGLISH READER

Sixteen Albanian Folk-Stories Collected and Translated, vvith Tvvo Grammars and Vocabularies by MARGARET M. HASLUCK

CAMBRIDGE AT THE UNIVERSITY PRESS 1932"

Libri, pra, i cili i kushtohet Lef Nosit (TO LEF NOSI), është shtypur në Britaninë e Madhe (PRINTED IN GREAT BRITAIN). Dhe ky fakt nuk duhet të jetë pa interes.

Në parathënie theksohet se "Ky libër i ofrohet atyne Shqiptarve që dishërojnë me mësue me folë gjuhën englishte, si dhe atyne Englezve e Amerikanve që dishërojnë me mësue me folë gjuhën shqipe" (f. x).

Parathënia nuk është e njëjtë në të dy gjuhët. Kështu, për shembull, shqiptarëve u jepet informacion për ata persona që e kanë ndihmuar autoren në hartimin e librit: "zz. Parasqevi Gegnasi, Aleksandër Xhuvani edhe Dhimitër Paparistja". Aty theksohet edhe ndihmesa e veçantë që i ka dhënë Lef Nosi:

"Si e hujë, kam pasë nevojë për bashkëpunimin e nji shqiptari, i cili të më ndihmonte në përkthimin e sa më tepër në rendimin e fjalorthëve edhe në pjesën e gramatikës. Për këtë bashkëpunim iu drejtova z.Lef Nosi, i cili edhe nuk m`a kurseu, gja për të cilën i falem nderës botënisht" (f.. x).

Por këto bashkëpunime nuk paraqesin interes për lexuesin e huaj. Ndaj për të autorja ndalet në disa të dhëna për Kongresin e Manastirit më 1908, për pavarësinë e Shqipërisë më 1912, për Kongresin e Lushnjes më 1920, si dhe për ndonjë botim të vlefshëm për mësimin e gjuhës angleze (Çekrezi "English-Albanian Dictionary", Boston 1923) etj.

Libri i Margaret Hasllëkut është ndërtuar në tri pjesë. Pas përmbajtjes dhe parathënies në dy gjuhë, jepen alfabeti dhe njoftime kryesore mbi gramatikën angleze dhe atë shqipe. Me radhë, më tej jepen mësime mbi theksimin, nyjen, emrin, artikullin e përparshëm, mbiemrin, mbiemrin dëftor, përemrat vetorë, pronorë e refleksivë, si dhe mbi foljet ndihmëse dhe të rregullta. Të gjitha këto zënë 40 faqet e para të vëllimit dhe shënohen me numra romakë. Pjesa e dytë, që zë 80 faqe, përbëhet nga tekste leximi anglisht e shqip. Ndërsa pjesa e fundit përbëhet nga "Fjalurthi Shqip-Englisht" (f. 81-110) dhe "Fjalurthi Englisht- Shqip" (f. 112-145).

4.

Interes për studimin tonë paraqet pjesa e dytë e librit, e cila mbushet me tekste leximi. Këto tekste nuk janë zgjedhur nga letërsia e kultivuar shqipe e kohës, por nga folklori. Janë përralla. Përse është vepruar kështu? Sepse, siç sqaron në parathënie, autorja ka mendimin se "në çdo vend përrallat janë pranue si nji nga mjetet ma të mirë për me mësue me folë nji gjuhë të huejë".

Me këtë libër, pra, Universiteti i Kembrixhit u ofron të tjerëve, kryesisht anglezëve e amerikanëve, mundësinë për të mësuar gjuhën tonë, shqipen! E theksojmë, parësore këtu nuk është lehtësia që shqiptarët të mësojnë anglishten, por e kundërta. Se, ndryshe, metoda duhet te ishte mbushur me tekste të gjuhës së kultivuar (a të folklorit) anglez dhe të përkthyera në shqip. Atëherë shtojmë pyetjen: vallë për gjuhën e sa popujve ka botuar Kembrixhi të tilla metodika e ka ofruar ndihmesa të tilla?

Le të vazhdojmë më tej!

Folklori është përzgjedhur jo nga i gjithë trevave të vendit tonë, po vetëm nga qyteti i Elbasanit. Arsyen përsëri na e shpjegon vetë Hasllëku:

"Përrallat janë mbledhë n`Elbasan, sepse dialekti i këti qyteti asht pranue prej Shtetit si dialekt zyrtar edhe çdo i huej që e mëson kte mund të kuptojë lehtë edhe dialektet e tjerë."

Gjithësej janë 16 përralla, të cilat janë renditur sipas gjatësisë së tyre: përralla e parë zë vetëm një faqe gjë, gjashtë pasueset - nga një faqe e gjysmë, dhe kështu me radhë deri tek e fundit, që zë 4,5 faqe.

Autorja ka bërë punë origjinale, e ka mbledhur vetë folklorin, folklorin e kohës, nga goja e gjallë e popullit, nga meshkuj e femra. Në variantin anglisht të parathënies, Hasllëku shpjegon më me imtësi për punën e saj: "Historitë e mia […] janë thjesht disa nga përrallat e gjalla të vjetra të shkruara me kërkesën time nga nxënës shkolle e të rritur në Elbasan. Atyre që i shkruan iu kërkua që të mos i kopjonin nga libra, por iu lejua t`i shkruanin nga diktimi i të afërmve të rritur" (f. xi). Gjithashtu, atyre mund t`u jetë bërë vetëm ndonjë redaktim i thjeshtë, pa u vënë fare dorë , pa u përpunuar artistikisht.

Veç dy përrallave, të cilave nuk u dihet personi nga janë mbledhur, të tjerat kanë shënime të sakta. Dhe mosha e këtyre personave paraqet interes të vërehet me kujdes. Tri përralla janë mbledhur prej moshave të rritura (zotërinjtë Lef Nosi e Tasin Dylgjeri). Gjithë të tjerat janë mbledhur nga goja e fëmijëve. Njëri nga këta fëmijë është 9 vjeç (Margarita Nosi), tre janë nga 12 vjeç (Fila Vasil Çerekes, Sherif Suparaku dhe Petrit Suparaku), tre të tjerë nga 13 (Mahir Domi, Mihal Skuqi e Hasan Muzhaqi), një është 14 (Petrit Ahmet Dakli) dhe tre të fundit nga 15 vjeç (Mehmet Gjevori, Zija Domi e Abdyl Bajraktari). Përse autorja nuk i ka mbledhur nga moshat e vjetra këto përralla? Mendojmë se ka vepruar kësisoj për të komunikuar më mirë e më lehtë me lexuesit, me studiuesit e gjuhës angleze dhe asaj shqipe, të cilët më së shumti presupozohet të jenë të moshave të njoma. Fëmijët nga të cilët janë mbledhur përrallat patjetër që i kanë dëgjuar nga të afërmit e tyre, nga gjyshet e gjyshërit. Dhe janë familje të përmendura e me tradita për kulturën e tyre në qytetin tonë: Nosi, Domi, Dakli, Gjevori, Dylgjeri, Bajraktari etj.. etj. Edhe fëmijët, siç duket, janë nga ata më të përparuarit në mësime, ndonjëri prej tyre bëri emër më vonë në kulturën shqiptare: Mahir Domi, Mehmet Gjevori etj.

5.

Le të kalojmë tani te përmbajtja e atyre përrallave.

Ato kanë një moral, herë të dukshëm e herë të padukshëm.

Ja, përralla "Spahiu" mbyllet me moralizimin "Kështu, pra, njeriu duhet të jetë i mençëm, e të ketë gjykim të prefët, qi të mos vujë në jetë" (f. 38).

Te përralla "Të tri kutijat", që bën fjalë për një vajzë të mirë jetime dhe emtën e saj tahmaqare, në fund emta e pëson:

"Tyke hypë shkallët, t`emtës i rrëshqitën kamët, e ra prej pallatit e u ba copë copë.

Goca, tyke hypë nalt në pallat, gjet nji djalosh të ri, i cili ishte birë Mreti, ene kështu u-rrokën në qafët, e u kunorëzunë, e shkunë nji jetë shum të mirë e të amël. Mas kaqi të këqijave që vujti prej s`emtës, goca e vorfën u ba Mretneshë." (f. 34)

Te "Vlera e maces", djali që përkujdeset për kafshët, për një mace të sëmurë, shpërblehet në fund për mirësinë e tij dhe bëhet i pasur.

Te "Kocamici", keqardhja për humbjen e djalit të vetëm të plakut e të plakës merr përmasa të gjera. Pushton jo vetëm njerëzit, po edhe kafshët e shpendët, edhe bimët, edhe sendet:

"Kocamici ra në vorbet,

Plaka shkuli flokët,

Plaku shkuli mjekrën,

Laraska shkuli bishtin,

Dardha lëshoi lulet,

Derri theu dhambët,

Ujku theu kamën,

Çesmja meni ujtë,

Ene neve thymë shtamat."

Pas këtij rrëfimi që bëjnë dadat, edhe zonja "u idhënu tepër, ene hoq florijt nga qafa, ene i hudhi në zjarr"; gjithashtu, zotnija "hoqi kësulën ene e hudhi në baltët" (f. 48)

Gjithmonë në ato përralla e keqja zhduket, kurse e mira triumfon. Te "Pipiloja" vëllezërit e mundin Kuçedrën që "nuk i linte rehatë", e djegin në zjarr. Te "Plaku e divat", me zgjuarsinë e tij plaku ua hedh divave të fuqishëm e dashakeqë.

6.

Disa karakteristika të tjera të këtyre përrallave?

- Gjuha është elbasanishte e pastër.

Kjo duket së pari në leksik: nime apo nashti (= tani); njini, masandaj (= pastaj); ne, ené (= edhe); në neseretë (= të nesërmen); aré (= moré); nepkër (= nepërkë); i bëzajti = (i bëri zë, i thirri); të vijë khâ mrena (= të vijë këtu brenda); me mëzi kam shpëtuar (= me zor, me vështirësi, me mundime); sosën (= arritën)

Elbasanishtja vihet re edhe në sintaksw, nw konstruktin e fjalive, kur përsëritet shumë lidhësja dhe (ené): "Therni nji patë ené ripnje", ené shërbetoret ia banë hazër e ia dhanë. Ajo tha "Nizni ene nji zjarr të madh", ené ato e nezën. (f. 50) etj.

Dialekti i "kërthizës së Shqipërisë" "bën beli" edhe në frazeologji: s`e bani të gjatë (= nuk vonoi), murë dhenë më sy (= ikën larg), s`më bajnë dritë sytë (= nuk shoh); murë ment e skiles (= ia mbushi mendjen dhelpra), me e shu krejt at shtëpi (= t`i vrasë njerëzit, ta zhdukë krejt familjen); ené kapi t`amën në qafë (= e përqafoi) etj.

- Në mbylljen e disa krijimeve ruhet klisheja karakteristike e përrallave të trevës sonë, me toponimi të identifikuar e me rimë: "Përralla në Godolesh, shëndeti prej nesh" (ose " ke ne"), f. 48, 26, 30.

- Në ndonjë përrallë vihet re ndikimi nga ato të huajat, interteksti i tyre.

Për shembull, përralla "Vjedhësit ene udhëtari" të kujton atë arabe të "Ali Babait dhe dyzet hajdutët".

Te "Toklaman Beu" mullisi martohet me bijën e mbretit me ndihmën e skiles. Vërejmë në të ndërtekstin e "Maçokut me çizme" të Perosë (Tolkaman Beu wshtw aq i ngjashwm me Markezin Karabas) apo edhe të "Ali Babait dhe dyzet hajdutët" (monedhat e floririt që ngjiten te matësi)

- Në dy përralla ("Miu" dhe "Kocamiu") minjtë dalin nga kungulli dhe pleqtë që nuk kanë fëmijë, i birësojnë. Ata minj janë krijesa të këndshme. Kështu, te përralla e parë tregohet për çapkënllëqet e këtij vogëlushi, që e lë të atin pa drekë (ia ha laknurin); në të dytën për dhimbsurinë e humbjes së birit. Të dyja përrallat kanë edhe doza humori. Ky humor te krijimi i parw buron nga keqkuptimi babë - bir. Tek i dyti, nga Kocamiu, qw është edhe tazovaç, edhe i padëgjueshëm. Megjithëse prindët e porosisin që të mos e trazojë vorben me lugën e vogël, ai e bën atë veprim dhe e pëson. Mbytet e përvëlohet. Dhe ku pa? Në vorben e groshëve…

Ndoshta etimologjia e emrit Kocamiu na çon te miu+koca (koce = vajzë, gocë e vogël; "Fjalor i gjuhës shqipe", T. 1954) dhe ngjason me Kacamicrin.

7.

Megjithëse Hasllëku thotë në parathënie se copëzat e saj nuk kanë pretendime për merita letrare, ne nuk i konsiderojmë krejtësisht të tilla.

Le të marrim, për shembull, përrallën Xhymert Ahmeti, e cila ndodhet (me të njëjtin titull) si në metodikën që shqyrtojmë, ashtu edhe në përmbledhjen e Instiutit të Folklorit "Folklori shqiptar, I, proza popullore, vëllimi i katërt", T. 1966, f. 163-169.

Te Hasllëku përralla zë vetëm 2 faqe e çerek, ndërsa në përmbledhjen folklorike 7 faqe, pra është mbi tri herë më e gjatë.

Në rastin e parë mbase mesazhi që transmeton përralla është ca vështirë të kapet, ndërsa te "Folklori…" ai është lehtësisht i kapshëm. Madje, mund të formulohet edhe nga një fjali e rrëfyesit: "Zjarri dashunisë ku nuk t`çon!" [1], ose, më qartë: Për dashurinë duhet të sakrifikosh.

Te përmbledhja folklorike ka një pasazh të bukur, sa fëminor e naiv, aq edhe lirik. Vajza e mbyllur në dhomë qysh nga lindja e saj dhe deri sa ështw bërë 16 vjeç, luan me rrezen e diellit:

"Ksaj se si iu shpu oda ene i hyni `i rreze dilli. Qo vinte përqark ta kapte. Kur erdh yzmeqarja, kte po e shifte tuj ardh përqark. "Qyqja! qenka prishë mensh!" tha qo.

- Qyqja, zonjë!- thotë.- Ç`ke qi po vjen kshtu përqark?

- Po se ç`më ka hy n`odë,- thotë qo.- Du ta kap, po s`un e kap!

- Aman, mi zonjë, se m`treme!- thotë.- Po ku di gja zotnija jote. Qo â rrezja dillit,- thotë,- nuk kapet – thotë."[2]

Ky pasazh mungon fare te Hasllëku.

Por te Hasllëku, te e njëjta përrallë, mund të gjesh një pasazh tjetër të dhënë më bukur sesa te përmbledhja folklorike. Vajza e mbyllur ka dëgjuar se diku ndodhet një djalë që quhet Xhymert Ahmeti, i cili është shumë i bukur: me lëkurë më të bardhë se bora, me faqe më të kuqe se gjaku, me vetulla më të zeza se pena e korbit. Dhe ajo veç dobësohej e sëmundjen nuk ia gjejnë as mjekët.

Te "Folklori…" shkaku i sëmundjes del lehtë, pa veshje letrare. Shërbëtorja e pyet vajzën:

- Xhevrie, ç`ke moj t`keqen? M`kallzo mu, t`i kallzoj unë babës.

- Çare kam unë?- thotë qo.- Mu m`rri menia natë e ditë ke Xhymert Afmeti.[3]

Kurse te përralla e Hasllëkut shkaku nuk pohohet nga protagonistja, është shumë më i fshehtë, më intim dhe zbulohet me "marifet". Mvishet me petk letrar. Një plakë merr një patë të rrjepur dhe i thotë vajzës :

"Do pjekish këtë patë në helltë", ene goca tha "Mirë". Plaka i tha, "Neve do ikim, po ti piqe vetëm".

Kto dulën përjashta e nejtën mas derës së dhomës. Goca masandaj zu ta pjeki ene thoshte:"Digju e piqu patë, si jam djek un për Xhymert Ahmetin". Masi e poq patën, dulë përjashta. Ato mas derës e murën vesht përse ligesh goca.[4]

E shikoni? "Digju e piqu patë, si jam djek un për Xhymert Ahmetin". A mund të jepej më poetikisht? A nuk është tronditës?

E pra, përrallat e Hasllëkut nuk janë pa merita letrare.

Wednesday, 11 February 2009

Atdheu është Atdhe , edhe kur të vret...



Luan Xhuli

...Ajo nuk ishte thjesht një intervistë...Ndjenjat dhe emocionet që përjetova, më mbuluan me avujt e një vepre të veçantë krijuese...Fjala , i ngjasonte nje mithi, shpjegimi konturohej si histori, dhe heroi protagonist, një poet në kufi të 75 viteve..Në labirinthet e një makro-metafore ,një ëndër që s’do të doje ta rishihje asnjëherë..
...Një dialog i gjallë i vetvetes,shpesh zvogëlon vitet dhe hera heres i bën madheshtorë dhe vargmale..Jashtë , dhe mes tyre, një fëshferimë, që merr përmasa jehone..Një pasqyrë e kthyer mbrapsh, për të parë më mirë të kaluarat e mbrapshta..Gozhdë dhimbjesh mbi shpirtra të ndjeshëm,shpresa dritash mbi valë kohësh,avuj të ngrohtë që kundermojnë dashuri,- ishte trinomi që më bëri të ndihem
kopje ,i një jete të veçantë, bashkëbisedues në pyetjet ngacmuese të intervistuesit...
E pashë vehten më të ndjeshëm, më praktik, me njerëzor..
Mos u mplaksh o Agim shehu !Ndonëse fjala e zgjuar, jo vetëm që nuk mlaket, por me kalimin e kohës mer çmim më të lartë.Sofistika e fjalës së një poeti si Shehu, është diamant i gjallë, i mprehur grihave dhe tallazeve të jetës, ku ndjenjat u rritën bashkëudhëtare me frikën, veç pa ju trëmbur ! Mes një frymemarje me racion (edhe ajrin e kishim të tollonuar )Poeti ushqeu të tilla cilesi, dhe që vitet e verteta të tij janë tepër të vogla...! dhe me shumë ozon për të tjerët.
Popullor dhe kërkues tek popullorja, Ai zbulon filosofinë e të diturit. Tradicional, imiton traditën dhe ënderues, ndjek ëndrat duke vrapuar... Finishi , është kaq njerëzor dhe i dukshëm, sa do ta ndjesh të dubluar tek vehtja , apo i difuzuar tek qënia e tij..Përjetova të palodhurin, që kish lindur në një kohë të lodhur...
Sonte i thashë përsëri vehtes: -Shyqyr që ka dhe të tillë njerëz !Kaq të pa dukshëm dhe kaq ëngjëj !
Ndihem i ngopur nga një prani e tillë..!
Faleminderit Aleko që na servir ato që na mungojnë !
Në vënd të nje urimi
Agimi
i Agim Shehut
është pjekja e perëndimit...
Kërkoj,
një copëz,
sa të mbështjell ëndrat,
që gjumi si zë
trembur prej hijesh..
Agimi
i Agim Shehut...
qetësues
shurup luleshqere...!


Tuesday, 10 February 2009

Mire, te behet Roland...


Vaid Hyzoti

"... Nga nje statistike e besueshme ne revisten "Forbes' del se ne atdheun tone letrarodashes cdo vit prodhohen 8 here me shume libra me poezi sa Franca, Anglia dhe Amerika te marra se bashku. Deri tani eshte arritur qe 63% e autoreve te kene fituar cmime neper katundet letrare
dhe listat iternetike ne diaspore e memedhe..."


Roland Gjoza ka shume pretendime.S'jeton fare me kohe, me hovin tejet te revolucianozuar qe ka marre letersia e masave. S'di ne e hap ndonjehere kompiuterin.S'di ne sheh sa e sa cmime fitojne sot talentet e reja, qe kane shperthyer si grami ne pleh. Eshte koha e populizmit dhe ai nuk e merr vesh. Ka ardhur liria aq e enderruar dhe njerezit shprehen, sic shkruaje dikur dhe ti , mor qyqar "pa frike e pa zori".Te duhet roman?Per pese dite e ke ne dore dhe mund te fitosh cmimin e pare ne stallen e Kotes. Poezi?Ha-ha-ha!Shqiperia prodhon me shumice poete dhe politikane. Nga nje statistike e besueshme ne revisten "Forbes' del se ne atdheun tone letrarodashes cdo vit prodhohen 8 here me shume libra me poezi sa Franca, Anglia dhe Amerika te marra se bashku.Deri tani eshte arritur qe 63% e autoreve te kene fituar cmime neper katundet letrare
dhe listat iternetike ne diaspore e memedhe.
Ku jeton Roland Gjoza qe nuk e njeh kete realitet.E kush ia ka fajin se nuk meriton ndonje cmim? S'kuptoj, nga kush e pret telefonin per tu anetaresuar ne Lidhjen e Shkrimtareve ne Atdhe e ne Amerike? A ka kohe shefi i protokollit, organizimit, i vetvendosjes se cmimeve te merret dhe me Rolandin qe ka nisur te shkruaje e te botoje ketu e tridhjete e pese apo dyzete vite me pare? Pse u tregua kaq i nxituar dhe u lind e botoi ne sistemin totalitar? S'mund te priste lindjen dhe te shkarrashkruante ne menyre te lire e demokratike pas vitit '90-te ne Shqiperi, apo te shkonte refugjat,qe t'ia ndriste faqen vetes dhe kombit, ku c'te fitonte te financonte botuesit tane te ndershem qe sakrifikojne cilesine e botimeve ne thithjen dhe menaxhimin e parave per hir te interesave kombetare?
Me argumentimin e mesiperm llogjik, bie poshte ankesa e Roland Gjozes per telefonin e munguar.Madje, si shok, e keshilloj ta heqe fare celularin. Priten kohe te veshtire per ata qe nuk perputhen me shijen e masave...

Monday, 9 February 2009

PRES NJE TELEFON,PO TELEFONI S"BIE PER TE VDEKURIT


( Ese nga Roland Gjoza )
Kjo Lidhja e shkrimtareve s'paska fat.Qenka pa fat shkruesi i shkrete,qe i ka mbetur ai djall delli ( c'fjale! ) per te llangosur leter.Shkruajne te gjithe,eshte nje kor i madh,si kori grek, po qe vecmas cdo korist e ndjen veten solist.Kjo e fshehte e shkrimit ka nje vrime te Lizes se Cudirave,eshte nje grusht erresire ku bie humbshem dhe pamjet qe te hapen perpara jane te magjishme.Frymezimi vjen per te gjithe.Te gjithe e ndjejne tronditshem,te gjithe shkruajne.Para se te vija ne Amerike,kisha kohe qe nuk shkoja ne Lidhjen e shkrimtareve,me dukej si nje kufome qe ende s'po e shtinin ne dhe.Po dhe me vinte keq.Nuk e di pse me vinte keq.Dhe ne ditet e fundit te saj,ne hjeke,nuk doli njeri qe te bente dicka per te.C'kishte ndodhur sipas meje;nje rrezime e fshehte e paperballueshme,gati e pariparueshme.Politika doli kunder saj,sepse nuk i interesonte.Shumekujt i kujtoheshin me percmim shkrimtaret e vjeter qe i sherbyen sistemit.Ata qe dolen nga burgjet, te denuar dhe prej saj,pra prej Lidhjes,me firma e vula kryetaresh ne shkresat e hetuesise dhe te sigurimit te shtetit,nuk iu afruan asaj sepse e pane qe s'do t'i ndihmonte per gje.Dhe si ndihmoi vertet.Politika i fryu urrejtjes aq shume,sa per shkrimtaret e vjeter,trysnia per te mos shkruar ishte e forte,e paperballueshme.Kjo nuk u tha asnjehere,madje u kamuflua me mjete kinse humane,po shteti nuk punonte asnje grime per ta, e jo vetem per ta,po as per te gjithe shkrimtaret,qofshin keta te bardhe a te zinj.Bojkoti ishte i heshtur,makina e urrejtjes punonte pas perdeve.Bashke me sistemin kishin rene dhe shkrimtaret.Kerkohej me ngulm,po u pohuar vecmas,qe te stimuloheshin shkrimtaret e rinj,qe s'kishin lidhje me ate kohe,qe shkruanin ndryshe.
Goditja shumeplaneshe e Ismail Kadarese,edhe pse pranohet boterisht si nje nga shkrimtaret me te medhenj te kohes sone,verteton ndoshta kete arsyetim.
Lidhjes se shkrimtareve i humbi me kohe sugjestioni perplot sekret i nje lidhjeje te tille,madje ajo u shnderrua me kohe ne nje karakatine kuterbuese dhe e gjithe kjo u be me qellim.E lane,e braktisen,sepse ajo duhet te paguante demet qe i kishte sjelle letersise dhe shkrimtareve.Dhe demet s'kishin qene te vogla.Skema e luftimit ishte po ajo, ndonese e kthyer permbys.Sot luhet me po ato skema,te kthyera nga ana tjeter.
Pa i ngacmuar rioshet,madje duke jetuar ne nje vile ne Kopshtin Luksemburg ne Paris,ne shoqeri me shkrimtare e njerez te shquar te artit,te vijne lajme te keqija nga Shqiperia.Dhe lajmet e keqija,te nxitura djallezisht nga makina e urrejtjes,qe nuk eshte tjeter vecse makina e shtetit,mberrijne vazhdimisht, jo vetem ne Paris,po dhe ne Londer e Nju Jork,ku shkrimtari i madh eshte ftuar per te marre cmime letrare,ose prej shtepive botuese te rendesishme per te promovuar romane.Kur s'lene te qete Kadarene,merreni me mend vete,se sa lehtesisht te mundur e te mbaruar perfare jane te tjeret.Kjo mbrese e hidhur e nje bojkoti te fshehte e te institucionalizuar me ndoqi dhe ketu ne Amerike.
Kane ndryshuar kohet,e kuptoj,po nuk mund te marr me mend se si mund te krijohet nje shoqate,qe nenkupton bashkim,per te percare dhe diferencuar.Nuk ka dhe aq vlere vlera,po me fort dukja tjeter,qe mundesisht te lere nje mbrese te pelqyeshme anonimati,kaq e lakmuar e ne mode sot, dhe ky emer jo i njohur te mos te te kujtoje fare asgje,se bie fjala, po doli qe ke punuar dikur ne kinostudio,ne ate fabrike famekeqe qe prodhoi aq filma me ideologjine e partise se punes,nuk je i ftuar ne shoqate,mund ta besh nje perpjekje vete,se tel nuk bie.
Pse ta fsheh,me erdhi mire qe ne Amerike ishte krijuar nje Lidhje shkrimtaresh.Mua s'me ka ecur ne fillim.E pata shume veshtire.Mezi gjeta pune.Te mbijetosh ne ditet e para,kjo eshte ceshtja.Ne per dreq kemi ate tipin qe sot s'u pelqeka,nuhasim me ate hunden tone te holle, gati si per nje ceshtje jete,se ku mund t'i gjejme ata sivellezer qe shkruajne.Me duket se eshte e natyrshme te kerkosh per nje poet e prozator ne Ameriken e pamate.Me qeshej me veten,sepse une vija si i vetelarguar i Lidhjes andej e doja nje Lidhje ketej.Ata qe ishin vene ne krye qene ose te arratisur,ose te vuajtur nga regjimi,tejet te persekutuar,ose te rinj,qe emer kishin bere pas permbysjes.Si mund te shkoja dhe te trokisja?Ndjeva prapa perden ku punonte makina,ajo makina kunder.Ne leshojme sinjale,,japim shenja,se kemi mberritur,o shok o vella,gati therrasim me dashuri,se ky djall arti e do nje te perngjashem qe te te kuptoje.Kam deshire t'iu takoj,te shoh c'behet,po me ke flisja ,me muret?Nuk i paragjykova,as ata nuk me paragjykuan,me denofte zoti,ne qofte se nuk kapet ne drite te mire ajo qe dua te arsyetoj.
C'isha une? Nje nga ata te vjetrit.Sipas tyre kisha sherbyer.I kisha lare duart me kohen e re.Emri im,,jo i tingellueshem,gjithsesi fliste per nje njeri qe donte te hante buke ne dy sistemet.Po une isha i konsumuar njehere,fare i konsumuar,po kjo s'duhej thene,duhej mbajtur fshehur,ta kuptoja vete,as tel,as ftese,asgje.Heshtje si per nje qe s'ka c'te jape me.Dhe per me teper i perket asaj kohe.Pra,eshte i vdekur.Le ta kuptoje vete.
Isha i rrethuar nga politika.Politika kinse tjeter.Isha i denuar,pa ma dhene kush denimin.
Nje nate bie nje tel;Ju jeni filani?Po,une jam.Beni nje lutje.Pse?Beni nje lutje se ndoshta ju pranojme ne Lidhje.Une do t'iu ndihmoj.Me tha emrin.Ishte nga keta te kohes se re.Emer krejt i ri, vetetites, kollajshem i pranuar politikisht.Nuk e njihja ate emer,ose e njihja per fajin tim fare pak,nga ndonje cikel me vjersha.Nuk jam shkrimtar,i thashe.E thoni per modesti? Jo,,ju keni lexuar gje nga une? e pyes.Jo,nuk kam lexuar asgje,madje nuk ju njoh fare,po me thane se ju shkruani.
Kjo ishte parodia.Lidhje ka dhe s'ka,po une desheroj qe te kete.Le te ekzistoje.Kur ka kaq shume shoqata,qe s'vlejne per gje,prap them me mire qe jane.Le te jene.Eshte bukur te kapesh dhe pas iluzionit.Ndoshta vete jeta eshte nje iluzion.
Pyeta per kryetarin e Lidhjes e me thane se ishte nje burre shume i mire,i biri i nje profesori te shquar,qe i kisha lexuar me shume kenaqesi disa libra,atij vete pak poezi,po qe jetonte ne Cikago.Pyeta per presidentin e ri ( nuk e di c'duhet dhe kryetar dhe president,po meqe jane le te jene,s'prishin pune) shkruante poezi dhe jetonte ne Kenektikat.Anetaret e Lidhjes shperndare neper Amerike.Kjo ishte Lidhja.Edhe une doja te isha ne fillim,kur sapo erdha,se tani,ruajna zot,sa e mendoj,me hipin drithmat,me mjafton vetmia ime prej murgu.Dhe ata s'bezdisen nga nje i paudhe qe ka kullotur dikur livadhet e Lidhjes se Partise se Punes.Mbathja,i them vetes,shkruaj per vete dhe lexoja vetes.Dua te heq dore dhe prej kesaj marrezie,po s'me le djallushka.Dua te marr leje,ore,po dua te marr leje,a te vazhdoj te shkruaj,apo..se kushedi..une i lajthituri here here nderroj mend..se si me behet..pres nje telefon,po telefoni s'bie per te vdekurit.

Promovimi i botimeve të reja nga revista “ Kuvendi”



Ditën e dielë, më 08 shkurt 2009, në një nga mjediset e Hotel Hilton, ne 18 Mile Crooks, në Michigan, nga ora 5:00 deri ne oren 8:00 u bë promovimi i tre librave të botuar muajt e fundit:
“ Brenda meje rrjedh një lumë”, me autor poetin Nexhip Ejupi
“ Kohë dhelpërish”, me autorë fabulistin e njohur Bardhyl Mezini
“ Mungesë e hirtë” me autor Pjetër Jaku.
Në këtë takim merrnin pjesë krijues të këti komuniteti. Përveç autorëve ishin edhe: poeti: Alfons Grishaj, Elinda Marku, Roland Musta, Lulash Palushaj, Mensur Spahiu, Zef Përgega, Gjovalin Lumaj, gazetari dhe krijuesi Zef Lleshi, gazetari Rush Dragu, studiuesi Fejzulla Abdullai, artistët Paulin Plaushi (grafist), Binak Goçi ( këngëtar ), Pjetër Frroku ( piktor dhe gurgdhendës) etj... Këtë promovim e nderonin me pjesëmarrjen e tyre edhe Dom Frederik Kalaj, një nga miqtë e përhershëm të “ Kuvendit”, Gjergj Ivezaj, kryetar i Shoqatës së njohur, “ Malësia e Madhe”, aktivistet e njohur Julian Çefa, Gjok Martini, Franz Grishaj, Prek Gjokaj, Kanto Dushaj, Luigj Gjokaj, Rrok Junçaj, Pashko Gjokaj, anëtarë të këshillit botues dhe lexuaes të këti lloj arti, etj
Të pranishmit patin mundësinë të njihen me disa nga vlerat e këtyre botimeve, nëpërmjet disa kumtesave, përgaditur enkas për këtë rast. Për librin më fabula “ Kohë dhelpërish”, folësi kryesor ishte Roland Musta dhe më pas krijuesit Gjovalin Lumaj dhe Zef Përgega. Për librin poetik “ Brenda meje rrjedh një lumë”, do të flisnin Elinda Marku dhe Zef Lleshi. Për librin “ Mungesë e hirtë”, dikutimin kryesor do e mbante liriku i njohur, Nexhi Ejupi dhe më pas, poeti Zef Lleshi do lexonte dy poezi nga ky libër.
Mbas këtyre diskutimeve për botimet e reja dhe, përgjithësisht për librin, do flisnin edhe Dom Frederik Kalaj, Mr. Fejzulla Abdullai, veterani Reiz Thanasi dhe zonja Lakuriqi. Në promovim u lexuan përshendetjet e poetve: Adnan Mehmeti, President i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, Dalan Luzaj, kryetar i kësaj lidhjeje, përfaqësueses se “ Vatrës “ së njohur në Washington , Merita Bajraktari McCormack, njëkohësisht dhe krijuese, poetit Fation Pajo etj..
Nga të pranishmit që e morën fjalën, u theksua nevoja e organizimeve të tilla, si dhe u falnderua revista “ Kuvendi “ si organizatore e disa aktiviteteve kulturore.
Të pranishmit paten mundësinë të kenë edhe këto botime për biblio tekat e tyre.

Koresp. i “ Kuvendit”