Thursday, 6 October 2011

Karadaku i Preshevës joshës për pushime dhe tërheqës për turizmin malor /pjesa e II-të/


XHELAJDIN SALIHU



Karadaku i Preshevës joshës për pushime dhe tërheqës për turizmin malor /pjesa e II-të/

Fotoreportazh: Udhëtim nëpër Karadakun e Preshevës - E enjte, më 29 shtator të vitit 2011, para drekës, autori i shkrimit, Felahu dhe Hakia u nisëm me Ladën e komunës për në rrugëtimin Preshevë-Kurbali-Stanec- Lagja e  Gjinajve-Ranatoc-Magjere-Gosponicë-Gare-Bukoc dhe më 11 shtator 2011 rrugëtova edhe në Bërçec.
Pra, kësaj here do të shkruajë dhe do të ilustrojë me fotografi vendbanimet e Karadakut të Preshevës që shtrihen dhe gjenden në të djathtë të lumit Llapushnicë, vendbanimet në veri-lindje të Karadakut të Preshevës
Nga rruga Preshevë-Gjilan, përmbi Mullinjtë e Preshevës, në të majtë , në jug-lindje të Kardakut, morëm rrugën për në Kurbali. 
Vendbanimi Kurbali shtrihet thellë në Malet e Karadakut. Është vendbanim kodrinoro-malor. Larg rrugëve kryesore dhe mjaft i izoluar dhe i lënë pas dore.Lartësia mbidetare është 798 m.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, ky vendbanim ka pasur 146 banor. Qysh nga regjistrimi i parë vërehet vetëm rënje të numrit të popullsisë, kursesi shtim edhe pse lindshmëria ka qenë mjaft e lartë. Pra në vazhdimësi ka pasur emigrim të popullsisë.
Nga personalitet e shquara të Kurbalisë dallojmë Xheladin Kurbalinë. 
tNë Kurbali, të parët që i takuam ishin dy fëmijë që pritnin mësuesin e fshatit për të shkuar në shkollë, emrat e të cilëve nuk i mësuam.
Fshati Kurbali përbëhet prej tri mëhallëve: Mëhalla e Nuhallarëve, Hasanajve dhe e Ziberajve.Bile na thanë se nga Mëhalla e Hasanajve janë ndarë Mëhalla e Nuhallarëve dhe Osmanajtë, ndërsa nga  Osmanajtë janë ndarë dhe është krijuar Mëhalla e  Ziberajve. 

Çezma në rrugën Preshevë-Kurbali

Pamje nga Kurbalia

Shkolla në Kurbali

Përmendorja e Dëshmorit të UÇPMB-së Nijazi Azemi

Kullosa në Kurbali

Në Kurbali ruhen ende dhitë

Shtëpia më e vjetër e Sulë Hasanit –Mëhalla e Hasanajve në Kurbali, për të cilën thanë se është e vjetër më shumë se 150 vjetë.

Shtëpi e Nuhallarëve në Kurbali

Nga Kurbalia morëm rrugën për në Stanec.
Staneci është fshat kodrinoro-malor, i cili shtrihet thellë në Malet e Karadakut, larg rrugëve që lidhin qendrat komunale dhe mjaft i izoluar.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, Staneci ka pasur vetëm 76 banor me qëndrim të përhershëm në Stanec.Deri në vitin1960 ka pasur rritje të numrit të popullsisë e pastaj vetëm rënje. Shkaqet kan qenë të ndryshme por më së shumti kushtet e vështira ekonomike. Sot në Stanec jetojnë vetëm 31 banorë të moshës madhore. Në fshat janë gjithësejt 11 ekonomi shtëpiake . Staneci gjithmonë ka qenë i banuar vetëm nga shqiptarët.
Nga personalitetet e Stanecit përmendet Limon Asllan Staneci.

Pamje nga Staneci 


 |
Kulla e Madhe e Sejdiajve në Stanec, shumë e vjetër, e mbajtur shumë mirë dhe e renovuar, i qëndroi motit dhe kohërave të furishme,  më krenare qëndron edhe sot. 

Koshiqet me bletë në pronën e Qemal Muratit

Pamje nga Plantacioni
 
Pamje nga Plantacioni
Këto fotografi u bënë në Plantacionin e Pemëve të Qemal Muratit-Stanecit, pensionist në Preshevë, ku kishte të mbjellur molla të llojeve të ndryshme, kumbulla, dardha, arra, rrush e tjerë. Poashtu në këtë Plantacion prej 3500 m kishte edhe bahçe të mbjellur me perime. Në këtë Plantacion hasëm edhe në kultivimin e bletëve, kishte një numër të madh të koshiqeve me bletë. Pronari na ofroi mikpritje dhe na gostiti me pemë. Pra, një ekonomi familjare e kultivuar në Stanec.

Pamje nga Vorrezat e fshatit Stanec të fotografuar nga Plantacioni i Qemal Muratit, ku shihet Lisi i Gjatë dhe shumë i vjetër, sipas Qemal Muratit kishte pleqëri më shumë se 200 vjetë.
Në rrugëtimin tonë nga Staneci zbritëm teposhtë, kaluam nëpër Buhiç dhe zbritëm në rrugën Preshevë-Gjilan. 

Pamje nga Buhiçi
Buhiçi është vendbanim në komunën e Preshevës, shtrihet në Malet e Karadakut, përskaj rrugës së asfaltuar që lidh Preshevën me Gjilanin. 
Edhe pse që një kohë të gjatë është ndërtuar rruga rajonale prap se prap banorët e Buhiçit jetojnë në kushte të vështira.
Përshkak të emigrimeve të vazhdueshme qysh nga themelimi i këtij vendbanimi e që vazhdojnë edhe në ditët e sotme popullsia nuk arriti të rritet.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, Buhiqi ka pasë 120 banorë pothuaj aq sa në vitin 1948 (157).
Në rrugëtimin tonë zbritëm në rrugën Preshevë-Gjilan dhe te Urat, te Shkolla fillore e Caravajkës , në anën e djathtë të rrugës, kah veriu morëm rrugën për te Mëhallë e Gjinajve të fshatit Depcë. 

Varrezat e Mëhallës së Gjinajve, Lisi i vjetër më se 150 vjetë, thotë Maksut Maksuti i Gjinajve.
Depca numrohet një ndër vendbanimet më të vjetra në Malet e Karadakut
Është fshat kodrinoro-malor i tipit të shpërndarë, me shumë lagje.
Banorët e Depcës kryesisht merren me blegtori e më pak me punimin e tokës. Dominojnë sipërfaqet me kullosa dhe pyje. Edhe hapja e rrugës që lidhë Gjilanin me Preshevën nuk mundësoj zvoglimin e emigrimit të popullsisë.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, Depcja ka pasë 507 banorë. 
Depca nuk arriti ta rritë numrin e popullsisë, sepse që nga periudha në mes të dy luftërave botërore e deri më sot nuk është ndal emigrimi i popullsisë, së pari në drejtim të Turqisë e pastaj në drejtim të qendrave të ndryshme të Kosovës , Luginës së Preshevës , Kumanovës dhe të Shkupit.
Në Mëhallën e Gjinajve takuam Maksut Maksutin, i cili na priti dhe na gostiti me arra.
Maksuti thotë se Mëhalla e Gjinajvë është më e vjetra dhe nga kjo Mëhallë janë dalë Mëhallët të tjera të Depcës. Bile, banorët e Muçibabës thotë Maksuti janë nipër të Gjinajve, pastaj Mëhallë e Mehajve, të Verbanit dhe Baftiarët në Turqi.
Toponomi e treguar nga Maksut Maksuti : Ara e Lugit, Kroi i Poshtëm, Kroi, Ara e Re, Kodra e Vorrit, Lugi i Murtezit, Ajrrinët, Rasa e Madhe, Kodra te Shpijat, Suka.

Shtëpia më e vjetër në Mëhallën e Gjinajve ishte ajo e Bektash Veliut.

Shtëpia e  Vjetër e Maksut Maksutit në Gjinaj
 
Kroi i Mëhallës së Gjinajve, nga i cili e tërë Mëhalla furnizohej me ujë të pijshëm
Nga Mëhallë e Gjinajve zbritëm në rrugën Preshevë-Gjilan, kaluam nëpër Ilincë dhe arritëm në Ranatoc.
Fshati Ranatoc shtrihet thellë në brendësi të Maleve të Karadakut dhe kufizohet me fshatrat kufitare të Kosovës, në anën veriore me fshatin Kokaj, në lindje me fshatin Sllubicë dhe në perëndim me fshatin Muçibabë.
Ranatocin e përbëjnë tri Mëhalla: ajo e Seferëve, banorët e së cilës janë të ardhur nga fshati Sefer, Mëhalla e Klaiqëve, banorët janë muhaxhirë, të ardhur nga Klaiqi dhe Vranoci i Lebanës dhe Mëhalla e tretë (më e vogël) prej tri shtëpive, të cilat këtu kanë ardhur nga Caravajka para gati 100 vjetësh. 
Toponimet më të njohura në Ranatoc janë: Lejthishta, Varret e ‘’Mazëve” (vlenë të përmendet se këto varreza janë në qendër të fshatit dhe janë të vjetra dhe të panjohura), Imeridi, Goleshi, Kroni i Mines, Kroi i Haxhi Isahit, Zllatare e Vogël, Rrezja, Zllatare e Madhe, Peshenica, Arat e Sahitit, Mashallah, Kodra e Luleve, Fërkemi i Kalit në Gur me Mazin,  Kroi i Kopilit, Suravaci, Guri i Gjyrishecit, Ara e Kodrës, Sherekica, Përroni i Alisë, Dardhishta, Roga e Dredhëzave, Ara e Bunarit, Te Guri, Guri i Nrikllës, Kroi i Ftohtë, Mali i Dalipit, Rrafshi i Gurit,  etj.
Ranatoci është vendbanim malor dhe popullsia kryesisht merret me blegtori e më pak me lavërtari e pemëtari. Në fshat janë vetëm 13 ekonomi familjare.
Siaps regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, Ranatoci i ka pasur vetëm 83 banorë, ndërsa në vitin 1991 ka pasur 246 banorë. Ramje më të madhe të popullsisë ka pasë gjatë luftës në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, ku popullsisa u dëbua në drejtime të ndryshme, bile edhe jashtë trojeve shqiptare. Vendbanimi nuk ka arritë të shtoj numrin e banorëve, sepse banorët vazhdimisht, sikurse edhe fshatrat tjera të Karadakut, kanë emigruar në drejtim të qendrave të Gjilanit, Preshevës, por  edhe më larg.
Personalitetet më të njohura të fshatit Ranatoc janë: Demir Behluli, piktor dhe shkrimtar, Dr.Prof. Ibrahim Behluli, antropolog dhe Xhemë Karadaku(Xhemail Halili), ing i makinerisë dhe krijues letrar.
Në fshat e takuam Vehab Aliun, i cili na dha shumë shënime mbi fshatin dhe na gostiti.

Pamje nga Ranatoci
  
Shkolla në Ranatoc

Shtëpia e Haxhi Jusufit-Mëhalla e Klaiqëve, e ndërtuar më 1949

Shtëpia e Halit Zeqirit, e ndërtuar më 1944/45 dhe e djegur në zjarrin e vitit 2011

Shtëpia e Fazli Arifit-Myrtajve, e ndërtuar në shekullin XVII

Shtëpia e Vjetër e Arifi Arifit-Myrtajve, e mbuluar me therra e barnishte

Frengji pushkësh në shtëpinë e Arif Arifit të Myrtajve

Oda e Arif Arifit të Myrtajve

Shtëpia e Musli Arifit të Myrtajve, e meremetuar

Shtëpi e Ramadan Arifit të Myrtajve

Shtëpi e Shabi Arifit të Myrtajve

Hambar i vjetër i thurrur me thupra në familjen e Fazli Arifit të Myrtajve

Hambar i vjetër me makinë fshirjeje për grun në shtëpinë e Shabi Arifit të Myrtajve

Maxhja e miellit në familjen e Fazli Arifit të Myrtajve

Djepi familjar në shtëpinë e Fazli Arifit të Myrtajve

Sofra familjare e bukës në familjen e Fazli Arifit të  Myrtajve

Sofra familjare e bukës në shtëpinë e Arif Arifi të Myrtajve
Në Shtëpitë e Myrtajve gjetëm edhe këto objekte, orendi dhe sende të vjetra shtëpiake, të cilat janë të mirëseardhura për muzeun e ardhshëm të Preshevës.
Nga Ranatoci , kaluam nëpër Maxhere dhe përshkak se nuk gjetëm bashkëbisedues, morëm rrugën për në Gosponicë.

Pamje nga Magjerja
Magjere është një fshat i kumunës së Preshevës i cili shtrihet në mbrendësi të Maleve të Karadakut në kufi me fshatin Sllubicë të komunës së Gjilanit.
Është fshat tipik kodrinoro-malor me pyje e kullosa e me pak tokë pune
Përshkak të emigrimeve të pandërprera, Magjerja nuk arriti të rritë numrin e popullsisë edhe pse shtimi natyrorë ishte i lartë.Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002 Magjerjarja ka pasur 234 banorë . Popullsia kryesisht merret me blegtori, lavërtari e pemëtari. Magjerja gjendet në lartësi mbidetare prej 550 m.
Gosponica është vendbanim në komunën e Preshevës, në lartësi mbidetare 653 m.
Popullsia e këtij vendbanimi është krejtësisht shqiptare. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2002 Gosponica kishte 42 banorë.
Në Gosponicë e takova plakun Metush Fejzullahun e Mëhallës së Halilajve, me të cilin bisedova për fshatin dhe problemet e tij.

Autori i shkrimi në bisedë me Metush Fejzullahun e Halilajve
Gosponicën e përbëjnë 3 mëhallë : ajo e Halilajve, e Hanucëve, dhe e Demallarëve.

Pamje nga Gosponica

Shtëpia e Vjetër e Aqif Demallarit në Gosponicë

Shtëpia e Rahim Fazliut e vjetër 150 vjetë

Arlindi i Gosponicës dhe kultivimi i duhanit: O Arlind ik nga mbjellja e duhanit, Shqiptarët  nuk ia panë hajrin, por shkollohu.

Kullosa dhe kroi i Gosponicës
Kroi i Gosponicës i furnizonte banorët e fshatit me ujë të pijshëm, por edhe me ujë për larje të teshave. 
Toponomi e fshatit : Lugi i Firës, Proi i Thatë, Lugi i Livadhit, Arat e Gata, Arat e Kishës, Arat e Kojsisë, Zabeli i Rushitit, Balli i Arave të Gata, Kroi i Murrmujës, Lugi i Izbegit, Kodra e Ukit të Mazit, Arnica, etjerë.
Prej Gosponicës udhëtuam për fshatin Gare.,
Garja është vendbanim në komunën e Preshevës.
Popullsia e këtij vendbanimi ishte krejtësisht shqiptare.
Në Gare nuk e takuam asnjë banorë të saj, qe sa vite ajo është zbrazur dhe aty nuk jeton asnjë banor i saj.

Mëhallë e Poshtme në Gare

Mëhallë e Epërme në Gare

Xhamia e Gares, pa minaret
Toponomi fshati : Ara e Enverit, Lugi i Lisave, Shatllarët, Nër Arat, Ara e Mullinit, Te Bregu, Te Kisha etjerë.
Në Gare pushuam dhe hëngrëm drekë në natyrë, vazhduam rrugën për Bukoc.
Bukoci është vendbanim në Luginën e Preshevës, komuna e Preshevës.
Popullsia e këtij vendbaimi është krejtësisht shqiptare.
Bukoci, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2003  kishte 135 banorë, ndërsa lartësia mbidetare është 676 m.
Në Bukoc takova Kadri Ajvazin dhe shënimet mbi fshatin janë marrë nga ai.
Pamje nga Bukoci
Bukoci i ka 3 mëhallë: Mëhalla e Garajve, ajo e Hashanëve dhe Mëhalla e Muhaxhirëve.
Popullsia merret me blegtori dhe diçka me bujqësi.

Shtëpia e Haxhi Arifit, më vjetra në fshat dhe me vjetërsi prej 200 vjetësh.

Shtëpia e Haxhi Bejtës

Shtëpia e Zejnel Zejnelit
Toponomi e fshatit : Prroi i Camit, Rrypja, Lugi i Picit, Lugi i Mulla Ahmetit, Bregi i Melishtes, Kodra e Osiqit, Lugjet, Livadhi i Abdullit, Lugi i Çotit, Lugi i Bunarit, Kodra Ndërmjeme, Mas vorrave, Vorret e Moçme, Ara e Epërme, etjerë.
Bërceci e vizitova më 19 shtator 2011 dhe regjistrova këto të dhëna:
Bërçeci është fshat që shtrihet thellë në Malet e Karadakut, administrativisht i takon Komunës së Preshevës.
Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2002 ka pasur 19 banorë, ndërsa lartësia mbidetare është 560 m. Tashti në fshatin Bërçec nuk jeton asnjë banor.
Bërçeci nuk arriti ta rritë numrin e popullsisë, sepse që nga periudha në mes të dy luftërave botërore e deri më sot nuk është ndal emigrimi i popullsisë, së pari në drejtim të Turqisë e pastaj në drejtim të qendrave të ndryshme të Kosovës , Luginës së Preshevës , Kumanovës dhe Shkupit.
Mëhallët e Bërcecit janë : Mëhalla e Rekalive, Mëhalla  e Banushëve dhe Mëhalla  e Epërme.

Pamje nga Bërçeci
Pamje nga Bërceci

Shtëpi e vjetër në Bërcec

Mëhallë e Rekalive, ku gjendet Kalaja dhe Kisha e Bërcecit
Gjatë udhëtimit disa ditësh në Karadakun e Preshevës erdha në përfundim se ka kushte të mira për blegtori, pemëtari, bletari, bujqësi dhe vende-vende edhe për vneshtari.
Fotografitë i bëri : Xhemaledin Salihu dhe Haki Sylejmani

Referencat

1.Dr. Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(Monografi), Prishtinë, 2010
2.Dr. Jahi M. Staneci, Si iu shkëput Karadaku Kosovës?, Bujku, 22 prill 1996, f. 7
3..Jahi Murati, Savremene socijalne-geografske i ekonomske karakteristike presevske komune, Vranjski glasnik, knj. XI, Vranje, 1975, f. 377-431
4.Demush&Metush berisha, Karadaku i Preshevës mburrje dhe krenari, Prishtinë, 2010
5.Jovan F. Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd,1951
6.Radovan Rsumovic, Presevska potolina, Vranjski glasnik, knj V, Vranje, 1969
7.Spiridon Gopcevic, Stara Srbija i Makedonija(Putovanje po Staroj srbiji)Beograd, 1890
8.Mehmet Jusufi, Vështrim gjeografik i Preshevës me rrethinë, “Përparimi”, nr.7-8, Prishtinë, 1965
9.Aleksandar Stojanovski, Vranjski kadiluk u XVI veku, Vranje 1985
10.Jova Hadzivasilevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913
11.J.G.v. Hahn, Reise Belgrad nach Salonik, Ëien, 1868
12.Benedikt Kuripesic, Putopis kroz Bosnu, Srbiju, Bugarsku i Rumeliju 1530, Sarajevo, 1950
13.Bisedë me Maksut Maksutin e Gjinajve të Depcës, më 19 shtator 2011
14. Bisedë me Vehab Aliun e Ranatocit, më 19 shtator 2011
15.Bisedë me Metush Fejzullahun e Gosponicës, më 19 shtator 2011 dhe
16. Bisedë me Kadri Ajvazin e Bukocit, më 19 shtator 2011


Shkruan: Xhemaledin Salihu 
Preshevë, 05 tetor 2011

No comments: