Sunday, 5 October 2014

Nasho Jorgaqi: Pse “Dashuria e Mimozës” është vepra ime më e dashur dhe më e vështirë.



Intervista/Nga Fan Noli, “Mërgata e qyqeve” e deri tek kinemaja, rrëfimi i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Nasho Jorgaqi: Pse “Dashuria e Mimozës” është
vepra ime më e dashur dhe më e vështirë.

Bisedoi: Raimonda MOISIU

Me stilin e tij të vecantë , eksperimentues dhe të paparashikueshëm në ambicjen e tij krijuese, gjithmonë në kërkim të identietit krijues unik, jashtëzakonisht identifikues për vizionin e letërsisë së shkruar,   kreativ dhe erudit, e kanë bërë tejet interesante; jetën, krijimtarinë letrare dhe studimore të shkrimtarit dhe studiuesit, prof .Nasho Jorgaqi. Ai është mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes, ku veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e  ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, duke e radhitur kështu në elitën e autorëve më të njohur dhe më të dashur për lexuesin modern. Sot për sot veprat dhe krijimtarinë e tij  shumë dimensionale, e dallojnë atë si zotërues i ndjeshmërisë, diturisë, dhe inteligjencës, që ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë integritetin profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Ai është shkrimtari që i përket disa epokave, asaj  të historisë moderne shqiptare,  dhe të letërsisë së realizmit socialist, si dhe të letërsisë postkomuniste e cila ka sjellur  vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht. Shkrimtari, prozatori dhe studiuesi, Prof. Nasho Jorgaqi lindi në Ballsh të Mallakastrës. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë e lëtërsi shqipe, prane Institutit të lartë Pedagogjik, Tiranë. Pas novelës “Dashuria e Mimozës” (1960) botoi novelat “Ëndrra dhe plagë” (1963), “Balada e nënës” (1994), vëllimet me tregime “Manastiri i dashurisë” (1995), “Shpirti i magjepsur” (2000) etj. si dhe romanin në dy vëllime “Mërgata e qyqeve” (1978-79). Në letërsinë dokumentare shquhet si biograf me veprat “Qemal Stafa” (1970), “Atentatori i perandorit” (1980) dhe si autor udhë përshkrimesh: “Larg dhe afër” (1978), “Udhëtim me Fan Nolin” (1995), etj. Vend të veçantë në letërsinë biografike zë vepra me dy vëllime “Jeta e Fan S. Nolit” (2005). Në fushën e studimeve letrare është marrë veçanërisht me probleme të letërsisë shqiptare midis dy luftërave dhe atë arbëreshe, duke u përqëndruar në autorë si F. Noli, F. Konica, etj. Në këtë fushë ka botuar librat “Silueta letrare” (1976), “Antologjia e mendimit estetik shqiptar, 1504-1944” (1979), “Poetika e dokumentit” (1987), “Estetika e fjalës shqipe” (1996), “Profile dhe probleme letrare” (2008), etj. është autor dhe i disa veprave të konceptuara si udhëtime letrare në kërkim të figurave si N. Frashëri, De Rada, Serembe, F. Noli, etj. (“Udhëve të mërgimit”, “Udhëtime letrare”, etj. Skenarist i disa filmave artistikë dhe dokumentarë, shkrimtar për fëmijë, përkthyes, autor aforizmash. është nderuar me urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës I-ë. Veprat e tij janë përkthyer në gjuhë të huaj. Prof. Nasho Jorgaqi vazhdon të shkruajë, duke botuar e ribotuar veprat e tij, madhore, letrare, artistike dhe historike. Në këtë intervistë, Mjeshtëri i rrëfimit dhe studimit, Prof. Nasho Jorgaqi na rrëfen udhëtimin e tij krijues dhe si arriti ai të jetë një nga autorët më të shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe e ballkanike, por edhe në atë unike europiane. Për më shumë ndiqni bisedën.
Bisedoi:Raimonda MOISIU

-Përshëndetje Prof. Nasho, duke i hedhur një sy CV-së tuaj, ngazëllehesh nga talentet dhe kultura profesionale që lëvroni në disa gjini e zhanre. Cilat qenë rrethanat që ndjetë nevojën për t’u shprehur e për të treguar?
Nasho Jorgaqi: Ju faleminderit për fjalët e mira që shprehni për mua si shkrimtar dhe studiues. Sinqerisht kjo më gëzon, por nuk i mbaj dot të gjitha. I mbetem mendimit që kam thënë dhe herë të tjera, se unë jam një nga koristët e korit të letërsisë shqipe dhe kjo më mjafton. Këtë e dëshmojnë lexuesit e mi, sepse siç thotë Tolstoi, shkrimtari i vërtetë ashtu siç krijon personazhet, krijon edhe lexuesit e tij.
Belbëzimet e mia letrare kanë nisur që në fëmini, si një fakt për të vërtetuar dhe atë që thotë A. Ekzyperi se “Letërsia është fëminia ime.” Në rastin tim ka qenë një rrethanë familjare që më çoi te letërsia. Im at ka qenë gjykatës, dhe kjo më jepte mundësinë jo vetëm që herë pas here të ndiqja seancat gjyqësore që drejtonte ai, por dhe të isha i pranishëm në takimet e tij me hallexhinjtë që vinin në shtëpi dhe tregonin për ngjarje që mua më tërhiqnin dhe më emociononin. Dhe aq shumë u ngarkova me përshtypje, sa fillova t’ua tregoj shokëve dhe më pas t’i hedh në letër, sidomos në ditarin tim. Kështu më lindi dëshira e të rrëfyerit, aq e domosdoshme për një krijues.
R.M.: Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në prozë, poezi etj., pra kur filluat të shkruani e të botoni?
N.J.: Eksperienca ime e parë në fushën e letërsisë nis në kohën e adoleshencës, kur fillova të botoja skica dhe vjersha në revistën “Pionieri”, sprova këto naive dhe pa pretendime. Ëndrra ime letrare ishte e madhe, por aftësitë e mia qenë të kufizuara. Akoma s’më ish zgjuar magjia artistike. Vetëm kur hyra në gjimnaz, botova një tregim mbi heroizmin e një partizaneje dëshmore, që fitoi dhe një çmim kombëtar në konkursin e letrarëve të rinj, pastaj një vjershë me emocionet që më zgjoi tharja e një kënete në Myzeqe. Ndërsa motivet e dashurisë, që më vlonin brenda, akoma nuk i pranonte koha e ngarkuar me frymë militante.
Për hir të së vërtetës debutimi im në letërsi më vonë, nuk qe i lehtë. Fatkeqësisht vuaja nga prirja për t’u marrë me fusha të ndryshme; me vargje, me tregime, me publicistikë, me kritikë letrare. Dhe kjo shpërndarje, nuk qe në të mirën time. Por me sa duket kjo erdhi nga që unë isha në kërkim të vetvetes. Pra, m’u desh kohë që ta gjeja prirjen time të vërtetë në letërsi. Kjo shpjegon dhe shpërndarjen time pothuaj në të gjitha gjinitë, deri sa dola në rrugën  e letërsisë së mirëfilltë.
R.M.: Ju krijoni në disa fusha të letërsisë. Tashmë jeni shkrimtar i afirmuar i disa veprave të çmuara. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?
N.J.: Fronti i punës sime krijuese nëpër vite qe i gjerë: vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf etj. Për fat të mirë nga vjershërimi u shkëputa shpejt dhe iu kushtova prozës. Vepra ime e parë serioze ishte “Dashuria e Mimozës”, një libër që u mirëprit dhe bëri jehonë sidomos te të rinjtë. Për herë të parë nisa të besoj se kam talent dhe këtë ma përforcuan lexuesit më fjalët e tyre dashamirëse. Kështu u hap rruga e novelave “Ëndrra dhe plagë”, “Posta e largët”, “Balada e nënës” etj., me tema kryesisht nga jeta e rinisë, ku me kohë në qendër vura dashurinë e saj si në kohën e luftës, ashtu dhe të realitetit bashkëkohor. Ajo që ka mbetur konstante në këto vepra, vështruar në distancë kohore, është bota shpirtërore e rinisë, përpjekja ime për të dhënë psikologjinë e saj dhe për të konturuar karaktere. Kam qenë dhe jam për një prozë psikologjike, bazë e letërsisë së vërtetë. Kritika ka evidentuar dhe çmuar dhe gjuhën dhe stilin tim, konçizitetin dhe individualizmin e tyre. Këto vlera do të shpaloseshin më gjerë në romanin “Mërgata e qyqeve” dhe në një varg librash me tregime dhe proza poetike, të botuara pas viteve 90.
R.M.: Ju jeni shkrimtar i dy epokave në letërsinë shqipe. Ku qëndron ndryshimi në krijimtarinë tuaj midis tyre? Ç’ndodhi me brezin tuaj dhe si e vlerësoni brezin e ri letrar që ka debutuar? Nga buron inspirimi juaj në veprat që shkruani?
N.J.: S’ka dyshim se burimi i inspirimit të çdo shkrimtari apo dhe artisti në përgjithësi është jeta, njeriu, shoqëria, vështruar dhe lidhur me kohën, epokën social-historike. Ashtu si gjithë brezi im letrar edhe unë, rrethanat na diktuan të jetojmë e të krijojmë në dy epoka të historisë moderne shqiptare, të letërsisë së realizmit socialist dhe të letërsisë postkomuniste. Unë si dhe të tjerë, duke qenë se vitet kryesore të jetës i kam kaluar e përjetuar në kohën e socializmit, jam mbështetur dhe kam krijuar mbi bazën e parimeve të realizmit socialist. Në këtë vështrim duhet të jemi të sinqertë dhe realistë, larg çdo konformizmi dhe politizimi. Njeriu, veçanërisht krijuesi, artisti, është në radhë të parë pjellë e kohës së tij dhe idealeve të saj. Unë s’kam qenë komunist, por si intelektual dhe shkrimtar jam mbrujtur dhe formuar me filozofinë e materializmit dialektik dhe historik. Ai ka qenë dhe mbetet për mua një ideal human, që ka luajtur dhe luan thuajse dhe sot rol në fatin e shoqërisë njerëzore. Kështu, për mua, kalimi nga një epokë në tjetrën nuk e ka ndryshuar themelin e botëkuptimit tim. Ç’është e vërteta veprat e mia të epokës socialiste, mbeten një kontribut për kohën e tyre, pavarësisht nga kufizimet ideologjike dhe politike. Të mos harrojmë se aso kohe mungonte mendimi dhe fjala e lirë dhe kjo s’kish si të mos dëmtonte atmosferën e një krijimtarie artistike, madje të prekte deri dhe thelbin herë-herë të së vërtetës dialektike. Por kjo nuk do të thotë se mbi bazën e realizmit socialist nuk u krijua letërsi artistike e mirëfilltë, madje dhe vepra të shquara që mbeten në fondin e artë të letërsisë shqipe. Dua të kujtoj se realizmi socialist qe një fenomen artistik botëror, mbi bazën e të cilit krijuan shkrimtarë të mëdhenj si Gorki, Brehti, Aragoni, Neruda, Hiqmeti, Ricos, Fo, Nekso e plot të tjerë. Dhe s’ka si të biesh dakord me ato mendime që në Shqipëri për këtë letërsi studiues dhe shkrimtarë, madje dhe autoritete letrare, shprehen me nihilizëm, e anatemojnë, i nënvleftësojnë dhe falsifikojnë vlerat e saj. Unë mendoj se kjo është një çështje kohe, sepse shkenca letrare objektive do t’i japë vendin dhe meritat që i takojnë dhe kësaj letërsie, si pjellë e një epoke të caktuar historike. Kurse përsa i takon ndryshimit të pozitës së shkrimtarit dhe letërsisë që ai ka krijuar në këto dy epoka, ky është një problem kompleks, që studiuesit akoma nuk e kanë gjykuar si duhet shkencërisht, por priren kryesisht nga trajtimi politik i fenomenit.
Mendimi im është se shkrimtarët tanë e kanë kapërcyer me sukses kalimin nga letërsia e realizmit socialist në letërsinë paskomuniste brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke krijuar vepra me nivel mbi tema bashkëkohore, me frymë të re, mbi baza filozofike të avancuara, larg dogmave dhe anakronizmit. Dëshmi për këtë është krijimtaria e suksesshme e V. Koreshit, D. Agollit, S. Drinit, I. Kadaresë, F. Arapit, F. Kongolit, Xh. Spahiut, B. Mustafajt, B. Shehut, Dh. Xhuvanit, M. Vyshkës etj. Por, nga ana tjetër, letërsisë sonë i ka ardhur një brez i talentuar, përfaqësues i drejtpërdrejtë i periudhës paskomuniste si B. Blushi, A. Plasari, L. Lleshanaku, F. Açka, E. Hatibi, S. Rusi, M. Bupçapaj, Y. Aliçka, R. Dibra, G. Krasniqi, L. Stani etj.
Sigurisht edhe unë në këtë rrugë kam ecur, duke krijuar vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një kalim ky i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht.
R.M.: Cila është pozita e shkrimtarit në shoqërinë pluraliste shqiptare dhe nëpër çfarë procesi u arrit statusi i ri i juaj?
N.J.: Krijimtarisë sime, ashtu si edhe e kolegëve, iu desh në dy dekadat e fundit të kapërceja nga një epokë në tjetrën pa vështirësi të mëdha. Kjo ndodhi jo vetëm se disa nga shkrimtarët dhe artistët tanë të shquar do të ishin në pararojë të proceseve demokratike, por ata qenë përgatitur dhe kishin punuar me kohë për këto ndryshime. Do të ishte fusha e letërsisë dhe arteve, ajo që do ta ndjente më shumë mungesën e mendimit dhe fjalës së lirë, pengesat burokratike dhe skemat politike-ideologjike. Prandaj përmbysja që erdhi , duke sjellë lirinë dhe demokracinë, i dha krijimtarisë artistike frymëmarrje të gjerë, e shpëtoi nga censura dhe autocensura, i ktheu asaj dinjitetin e letërsisë së traditës, e bëri të pavarur artistikisht dhe qytetarisht. Por nga ana tjetër, në kushtet e shoqërisë së tregut, të një kapitalizmi të egër e një tranzicioni të stërzgjatur, për shkrimtarët janë krijuar vështirësi dhe pengesa të pamerituara. Vërtetë shpëtuam nga censura dhe autocensura, por pozita e shkrimtarit u bë tepër e vështirë nga pikëpamja ekonomike. Liria jonë u diktua nga kërkesat e një shoqërie kapitaliste, ne jemi të varur nga paraja, nga ekonomia e tregut. Pavarësia jonë artistike cenohet rëndë nga pavarësia ekonomike. Nuk ka më ndihmë e mbështetje nga shteti si dikur. Shkrimtari është kthyer në lypës, që për të botuar një vepër duhet t’i zgjatë dorën biznesit.
Ligjet e shtetit demokratik për letërsinë janë të varfra, gati mjerave. Shkrimtarët janë i vetmi komunitet që nuk kanë një organizatë që t’i përfaqësojë e t’i dalë zot për të drejtat e nevojat e tyre. Edhe selia e saj u zaptua në mënyrë të dhunshme nga shteti dhe askush nuk e vë në vend këtë padrejtësi afro disa vjeçare.
R.M.: Me çfarë veprash përfaqësoheni në letërsinë shqipe paskomuniste?
N.J.: Gjatë këtyre viteve, krijimtaria ime letrare është pasuruar me vepra të reja, sidomos me tregime dhe proza poetike, siç janë vëllimet “Manastiri i dashurisë”, “Ishte një herë një dashuri”, “Shpirti i magjepsur”, “Ndëshkimi i bukurisë” etj. Këto libra janë mirëpritur nga lexuesi e kritika dhe janë çmuar veçanërisht për frymën dhe karakterin lirik, si dhe gjuhën koncize dhe elegante. Në këtë vazhdë janë krijuar dhe vëllimet poetike si “Nën hiret e bukurisë”, “Momente” dhe “Nën zë”, të përbëra nga hajku, një lloj poezie që lëvrohet sot në botën letrare sipas një tradite të vjetër japoneze. Më vjen mirë që hajkutë e mia kanë gjetur auditor të gjerë lexuesish. Kështu unë iu ktheva poezisë pas gjysmë shekulli, në moshën e pjekurisë dhe fatmirësisht jo pa sukses. Por vepra ime më e rëndësishme e jetës, që kam shkruar vitet e fundit, është studimi biografik “Jeta e Fan S. Nolit” në dy vëllime, për të cilën kam punuar mbi njëzetë vjet. Duke gjykuar nga opinioni publik dhe ai kritik, kjo vepër shënoi një ngjarje në studimet fanoliane dhe përgjithësisht të letërsisë biografike.
Në mes botimeve të tjera që i kam dhënë letërsisë sonë është përmbledhja studimore “Hire letrare, shpalime historike” si dhe dy veprat antologjike “Poezia lirike shqipe midis dy luftërave 1914-1944” dhe “Proza e shkurtër e traditës (!685-1944)”. Nuk mund të lë pa përmendur përgatitjen dhe botimin voluminoz “Letërkëmbimi i Fan Nolit”.
R.M.: Romani juaj “Dashuria e Mimozës” u vlerësua nga kritika e kohës dhe u mirëprit nga lexuesi i të gjitha kategorive. Çfarë vendi zë ai në krijimtarinë tuaj?
N.J.: “Dashuria e Mimozës” është dallëndyshja ime e parë që u duk në qiellin e letërsisë së kohës. Një vepër që zë një vend të veçantë në krijimtarinë time, parë nga një këndvështrim subjektiv. Është dhe mbetet dashuria e brezit tim, një botë emocionale dhe raporte disi të ndryshme nga brezat e sotëm, sidomos për ndjenjat fisnike, për raportet e sinqerta, për seriozitetin e marrëdhënieve, për romantikën e tyre të bukur etj. Personalisht, është vepra që e ndjej më të afërt dhe e vështirë, në mos e pamundur, për të shkruar një të dytë si ajo. Kanë mbetur të paharruara mbresat që më la jehona e saj te lexuesit. Takime, diskutime, letra, vlerësimi i shtypit, përhapja e saj në shumë mjedise të rinisë, shkollore e ushtarake, dhe komunikimi me lexuesit si asnjëherë tjetër. Dhe kjo se në faqet e “Dashurisë së Mimozës” është bota e mrekullueshme e rinisë që ikën e s’kthehet më.
“Dashuria e Mimozës” ka njohur disa botime para dhe pas viteve 90 dhe kjo më gëzon si për asnjë vepër tjetër. Tani ajo është përsëri në shtyp, për t’u lexuar më tej nga brezat e rinj.
R.M.: Romani juaj “Mërgata e qyqeve” në dy vëllime, veç të tjerash ngjall kureshtje dhe dua të di se cilat qenë motivet dhe rrethanat që ju bënë ta shkruani?
N.J.: Romani “Mërgata e qyqeve” përbën një vepër të veçantë në krijimtarinë time. Është libri im më i lexuar, që zgjoi shumë interes në kohën kur u botua për herë të parë, por dhe sot lexohet, bile ngjall debate dhe pse jo edhe probleme në kushtet e një shoqërie pluraliste. Është një temë e vështirë, një subjekt delikat, që kalon në teh të thikës së historisë sonë moderne, ku plekset historia me politikën, politika me jetën sociale, jeta me njeriun, marrë në shumë plane psikologjike. Dhe këto përmes një gërshetimi të dramës me komedinë, siç ka ndodhur në jetën e çdo emigracioni politik gjatë historisë. Është fati i një shtrese shoqërore shqiptare, ai i të mundurve në Luftën antifashiste Nacionalçlirimtare që tentuan të bëjnë histori, por që u mundën prej saj. Kjo përbën dhe tharmin e romanit, që ngjizi veprën dhe i dha atë origjinalitet tanimë të njohur.
Romani njohu tre botime para viteve 90 dhe ky fakt bëri që edhe pas shembjes së sistemit socialist, të kisha kërkesa të lexuesve dhe kolegëve për ta ribotuar. Atëherë vendosa ta botoja rishtas dhe për arsyen që të provoja sa i kish qëndruar vepra kohës. Në radhë të parë artistikisht, por dhe për vërtetësinë historike-psikologjike. Nga ana tjetër, të tregoja se romani nuk ishte thjesht një libër propagandistik, por një vepër e qenësishme letrare, që sfidon kohën dhe e bën jetën e tij të pavarur. Mirëpritja nga lexuesi tregoi se romani i kish qëndruar kohës, duke i ruajtur vlerat kryesore të tij edhe në kohën e vështirë të tranzicionit. Romani e rigjeti tregun dhe tërhoqi një masë të gjerë lexuesish. Ai u pranua si nga lexuesit e brezit të vjetër, ashtu dhe nga lexues të brezit të ri. Më bëri përshtypje fakti që dhe kundërshtarët politikë të romanit nuk iu kundërvunë publikisht veprës, madje me disa prej tyre, njerëz seriozë, pata dhe debate normale e të dobishme.
Romani sot nuk gjendet në treg sepse është tërhequr nga lexuesit. Përsëri ka lindur nevoja e ribotimit. Unë e kam ripunuar më tej artistikisht, pa prekur thelbin e tij. Ai mbetet produkt i një kohe dhe sistemi të historisë shqiptare dhe si i tillë gjithnjë do të joshë interesin dhe vëmendjen e një publiku të caktuar.
R.M.: Si ndjehet prof. Nasho, më shumë krijues apo studiues? Apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi midis tyre?
N.J.: Në krijimtarinë time ekziston një gërshetim mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Është fakt se një nga fushat e mia të lëvruara nëpër vite paraqitet letërsia dokumentare. Këtë e dëshmojnë veçanërisht veprat biografike kushtuar figurave historike si ajo e F. Nolit, Q. Stafës, V. Laçit. Por, siç thoni edhe ju, unë jam njëkohësisht krijues dhe studiues, dy sfera intelektuale të gjera dhe komplekse, që bashkëveprojnë dhe ndihmojnë njëra tjetrën, por ka raste që edhe e pengojnë. Studiuesi e ndihmon krijuesin të jetë sa më i saktë, të respektojë të vërtetën, kurse krijuesi i vjen në ndihmë studiuesit të shprehet qartë e bukur, të ketë një ind letrar, në dobi të nivelit të studimit.
E kam të vështirë të them se ndjehem më shumë krijues apo studiues. E shprehur figurativisht, fushën e punës time intelektuale e lëvroj me dy qe, që ecin në krah të njëri tjetrit. Kurse për sa i takon vështirësive, sigurisht secila ka të vetat, por puna e studiuesit paraqet një proces më të ndërlikuar, sepse varet shumë nga hulumtimet arkivore, nga shfrytëzimi i shtypit etj., që lypin sinteza dhe analiza, ballafaqime dhe diskutime. Një gjë e tillë nuk ndodh me krijuesin, i cili sado që punon për të njohur realitetin e për të mbledhur materialin jetësor, prapë është më i pavarur. Mbështetet në radhë të parë në përvojën e tij, në fantazinë dhe imagjinatën krijuese. Miku dhe profesori im i paharruar studiues dhe krijues i mirënjohur Dhimitër Shuteriqi, kur e kam pyetur në rininë time se cila prej tyre ishte më e vështirë më është përgjigjur: “S’ka dyshim që puna studimore, ajo kthehet ndonjëherë në ferr të vërtetë, kurse puna letrare, sado halle që ka, operon më shumë me emocione e imagjinatë, që nuk të mundojnë si studimi”. Këtë e provon qartazi edhe përvoja ime.
R.M.: Ju keni një përvojë të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë dokumentare, me një sërë veprash të suksesshme. Si keni operuar në trajtimin e figurave të ndryshme që i keni kthyer në protagonistë?
N.J.: Puna ime studimore përfshin disa fusha: monografi, artikuj kritikë, shpalime historike, antologji, gjurmime, portrete, udhëtime letrare etj. Kjo gamë e gjerë është diktuar nga dhuntitë dhe interesat e mia shkencore, por dhe nga profili im si profesor i letërsisë shqipe për më se tre dekada në Universitetin e Tiranës. Kërkesat dhe nevoja për të dhënë në auditor leksione me nivel dhe me burime të reja ose të panjohura më ka bërë t’i përkushtohem punës hulumtuese, bibliografive etj. Një punë e tillë më ka futur në histori, të njoh përmes dokumentesh figura, ngjarje, rrethana, pikëpamje dhe mentalitete, debate dhe konflikte, që i kanë shërbyer studimeve të mia. Ka ndodhur ajo që thoni ju, të dialogoj me të dhëna dhe ide nga më të ndryshmet të etapave historike, sidomos të periudhës 1912-1944. Kështu kanë lindur librat e mi studimorë, duke filluar nga “Silueta letrare”, “Estetika e fjalës shqipe, “Poetika e dokumentit”, “Për Fan Nolin e të tjerë”, “Portrete dhe gjurmime”, “Profile dhe probleme letrare” etj. Krahas studimeve për vite me radhë jam marrë dhe me mbledhjen dhe përgatitjen e veprave të zgjedhura ose të plota si ato të F. Nolit, F. Konicës, L. Skëndos, M. Kutelit, H. Stërmillit, G. Palit, M.S. Gurës etj. Një punë kjo që më ka ndihmuar ta njoh krijimtarinë e tyre në gjerësi dhe thellësi dhe të shkruaj studime mbi ta. Nga kjo pikëpamje jam përqendruar te autorë madhorë si Noli, Konica, Kuteli, por dhe Stërmill, Pali etj.
R.M.: Në kapacitetin tuaj krijues, një vend të nderuar zini dhe si skenarist. Çfarë ju tërhoqi në këtë fushë dhe si arritët të realizoni vepra të suksesshme?
N.J.: Skenari ka qenë një gjini tjetër që kam lëvruar nëpër vite, sidomos në vitet 50-70. E nisa me skenarin e filmit “Tana”, së bashku me kinoregjisorin dhe mikun tim të rinisë Kristaq Dhamo, që shënoi filmin e parë artistik me metrazh të gjatë në kinematografinë shqiptare. Mund të them se “Tana”ishte më tepër një sprovë, falë më shumë pasionit se sa aftësisë së vërtetë që lyp kjo gjini. E megjithatë, premiera e saj shënoi një ngjarje në jetën tonë artistike dhe kulturore, që unë e përjetova me emocion të thellë. Kjo më nxiti pastaj të shkruaja më vonë skenarin e filmit “Duel i heshtur” që u realizua mjeshtërisht nga kinoregjisori Dhimitër Anagnosti. Ky film konsiderohet nga veprat klasike të kinematografisë shqiptare.
Aktivizimi në fushën e kinematografisë vazhdoi me dy skenarë kushtuar jetës së fëmijëve, siç qenë “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, mbështetur në tregimet  e mia. Puna e talentuar dhe e përkushtuar e kinoregjisores Xhanfise Keko në realizimin e këtyre skenarëve, i dha spektatorëve të vegjël dy nga filmat më të bukur të saj dhe më gjerë. Me këtë bashkëpunim e mbylla veprimtarinë time në fushën e filmit artistik, jo se nuk kisha interes, por nuk e përballoja dot, po të mbahen parasysh angazhimet e mia kryesore, siç qenë krijimtaria letrare dhe puna studimore. Veç kësaj, nuk duhet harruar se puna në fushën e kinematografisë është punë kolektive dhe kjo më pengonte në veprimtaritë e mia parësore. Sepse, siç thotë kineasti i madh francez Rene Kler, filmi artistik, duke qenë vepër kolektive, rilind tri herë: së pari në tavolinën e shkrimtarit-skenarist, se dyti në sheshin e xhirimit dhe së treti në bankën e montazhit. Kuptohet që një proces i tillë i gjerë e i komplikuar, i përballuar nga një tabor krijuesish, nuk i shkonte natyrës time. Kështu u largova dalëngadalë, me gjithë ftesat dashamirëse të regjisorëve për bashkëpunim. Bashkëpunimi im i fundit qenë disa skenarë për filma dokumentarë kushtuar figurës së F. Nolit, Q. Stafës, Dh. Shuteriqit etj. Kështu u ndava nga kinematografia, por prej saj fitova një përvojë të re dhe ruaj kujtimet më të mira. Dua të them se te skenari më çoi proza, puna ime si prozator. Sipas teoricienëve të kinematografisë, skenari ka më shumë lidhje me prozën se sa më gjininë e dramës. Dramaturgjia skenike është e ndryshme nga ajo e filmave.
Për sa u takon lidhjeve të skenarit më letërsinë, është e vërtetë se prej tyre janë realizuar kino-kryevepra, falë punës së lartë cilësore të shkrimtarëve të mëdhenj. Por praktika tregon se jo gjithnjë këto lidhje janë të suksesshme, sepse jo gjithnjë veprat letrare klasike i përshtaten ose i përgjigjen kërkesave specifike të kinematografisë.
Pa dyshim që shkrimtari është nga figurat krijuese kryesore të filmi, aq sa unë, në fillimet e mia, mendoja se ai është parësori. Por me kohë kuptova dhe u binda se filmi në radhë të parë është vepër e regjisorit dhe kjo tanimë ka marrë qytetari të plotë. Megjithatë, janë të pashmangshme kontradiktat dhe fërkimet mes skenaristëve dhe regjisorëve, por kur këto kapërcehen me sukses, janë për të mirën e filmit.
R.M.: Në fushën e letërsisë dokumentare ju keni arritur kulmin me veprën “Jeta e Fan S. Nolit”. Cila është rruga që ndoqët deri këtu?
N.J.: Keni të drejtë për atë që thoni se në fushën e letërsisë dokumentare unë kam një përvojë të pasur. Në të ndjehem më afër së vërtetës, të vërtetës së jetës dhe të vërtetës së historisë. Hapat e parë kanë qenë artikujt, esetë, studimet për të dalë tek veprat biografike, si kurorëzim i një pune të madhe hulumtuese, studimore dhe letrare. Biografia është një sintezë e historisë dhe e letërsisë, që kërkon pasion, vullnet dhe vetëdije të lartë për të vërtetën, larg çdo subjektivizmi. Vepra ime e parë biografike ishte “Qemal Stafa”, kushtuar heroit tim të rinisë, për të vijuar me “Atentatin e Perandorit”, për heroin antifashist Vasil Laçi. Me këtë eksperiencë, i hyra punës tepër të vështirë për të shkruar jetën e Fan Nolit, një figurë kjo e madhe dhe poliedrike e historisë dhe kulturës shqiptare. Fan Noli, veç të tjerash, do të ishte heroi im i moshës së pjekurisë, të cilin e njoha dhe e rroka në tërë dimensionin e tij pas një pune gjurmuese dhe studimore për më se 20 vjet, i angazhuar intelektualisht dhe qytetarisht, me dashuri e përgjegjësi, por i distancuar nga subjektivizmi dhe entuziazmi që të ngjall figura e tij. Rikonstruksioni i jetës së Nolit në përmasat e një biografie kërkonte jo vetëm punë kërkimore, por dhe përgatitje kulturore-shkencore, që më vuri në pozitat e një studenti që duhet të kryejë një universitet të dytë për historinë, filozofinë, fenë, teologjinë, politikën, artet, psikologjinë etj. Do të më duhej të studioja ngjarje dhe figura historike, kontradikta dhe konflikte të natyrave të ndryshme, të depërtoja në psikologjinë dhe karakterin e tij kompleks. Nga ana tjetër, m’u desh të kryeja disa inkursione studimore, duke filluar nga vendlindja e tij e deri në SHBA, të takoja dhjetëra njerëz nga tre kontinente dhe disa epoka historike, të vilja materiale nga arkiva dhe shtypi, të shkelja dhe të thithja ajrin e mjediseve ku ai kish jetuar, krijuar dhe studiuar. Të zbuloja njeriun, patriotin dhe demokratin, intelektualin erudit e poliglot, artistin dhe shkencëtarin, politikanin dhe liderin, udhëheqësin shpirtëror. Të gjitha këto duhet të mishëroheshin në një figurë të vetme, të motivuara e të dokumentuara psikologjikisht dhe historikisht, me sens mase, duke përballuar morinë përmbytëse të fakteve e të dhënave, të problemeve dhe të rrethanave nga më të ndryshmet. Kështu lindi vepra “Jeta e Fan S. Nolit”, që përbën punën time më të vështirë e më me peshë që kam përballuar.
R.M.: Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
N.J.: Shkruaj sepse ndjej nevojë shpirtërore për t’u shprehur. Të shpreh mendime dhe emocione nga pozita e krijuesit, që do të thotë të rrëfej për ngjarje e mjedise, të zbuloj e të ndërtoj personazhe e karaktere, të përshkruaj natyrën, mbi bazën e subjekteve të marra nga jeta dhe kjo ka të bëjë me prozën e gjatë e të shkurtër. Por unë shkruaj dhe poezi, e cila ka të tjera kërkesa dhe lidhet me situata të ndryshme shpirtërore dhe motive që të ofron jeta.
Letërsia dokumentare që shkruaj ka kërkesa të tjera, është më racionale, ka të bëjë me kërkime e zbulime. Ajo operon me probleme, me teza e hipoteza, me analiza e sinteza, kërkon verifikime dhe argumente, nisur jo nga fantazia, por nga burime shkencore të themelta.
Sigurisht në punën time i përmbahem një disipline serioze. Punoj me orare të caktuara, me plane dhe nuk i bëj hile detyrave që i vë vetes. Si krijues kam dhe unë disa huqe që më shoqërojnë në punën e përditshme. Nuk e përfytyroj jetën time me ditë pa punë. Një ditë pa pune do të më dukej sikur do të më mungonte frymëmarrja intelektuale, pa të cilën jeta do të ishte bosh, vanitoze.
R.M.: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? Çfarë ju ka mbetur peng?
N.J.: Kam në shtyp “Jeta e Fan S. Nolit” në botim të dytë, të pasuruar me fakte dhe interpretime të reja mbi bazën e zbulimeve të bëra vitet e fundit. Po kështu pritet të dalë nga shtypi “Dashuria e Mimozës” në botimin e saj të pestë, si kërkesë në radhë të parë e lexuesve, pas debatit e interesit që ngjalli letra ime publike drejtuar I. Kadaresë. Kam gati për botim vëllimin e katërt poetik me hajku, me të cilin jam marrë kohë pas kohe.
Projektet e mia të ardhshme janë ndarë në mes letërsisë dhe studimeve: po merrem me një libër tregimesh dhe prozash të shkurtra, si dhe kam mbledhur materiale e po nis të shkruaj një cikël etydesh psikologjike, sociale dhe historike më temë “Faik Konica, njeriu”, një vepër tepër e vështirë, plot kontraste, me probleme të ndërlikuara dhe enigma. Shpresoj se mund të bëj diçka të dobishme. Ndërkaq, nuk do të lë pas dore publicistikën eseistike dhe artikujt historikë. Sa për pengjet, ato mbeten nga dhimbjet e mia të pashërueshme. Për artin dhe shkencën kufijtë kohorë kanë gjithmonë një cak. Vetëm kohën s’e kemi në dorë.
R.M.: A është i lirë shtypi sot?
N.J.: Liria edhe në kushtet e demokracisë është relativisht e kufizuar. Ndikojnë faktorët politikë dhe diktatet e shoqërisë së tregut.
Shtypi i përditshëm është shumë i politizuar, i ngarkuar me kronikën e zezë, pa kulturën e nivelin bashkëkohor, mungojnë disa lloje të rëndësishme të publicistikës e gazetarisë (reportazhi, portreti, fejtoni, kritika letrare dhe artistike etj.) Shumica e gazetarëve janë të rinj, pa eksperiencë, pa kulturën e duhur. Ka ardhur koha të përgatiten që në fakultet gazetarë të specializuar sipas fushave të artit, të kulturës, të shkencës, të problemeve sociale etj.
R.M.: Ç’është për ju dashuria?
N.J.: Çdo gjë që të them unë për dashurinë do të tingëllojë e njohur. Dashuria është një ndjenjë universale, por dhe individuale. Ajo qëndron në themel të jetës, pa të s’do të kishte jetë të vërtetë. Mbi të ngrihet arti, ngrihen punët e mëdha të çdo fushe të mendimit e të veprimit. Kufijtë e saj janë aq të gjerë e të thellë sa asnjë mendje e zemër njerëzore s’ka arritur t’i rrokë. Ka të drejtë Oskar Uaild kur thotë: “Misteri i dashurisë është më i madh se ai i vdekjes.” Sa për vete mund të them se dashuria e vërtetë është aq fisnike dhe e bukur sa çdo njeri duhet të jetë i denjë që ta meritojë. Dashuria është temë qendrore në krijimtarinë time, mjafton kjo që të tregojë  lidhjet e mia shpirtërore me ndjenjën më të madhe njerëzore.
R.M.: Cili është mesazhi juaj për inteligjencën shqiptare sot?
N.J.: E kam tepër të vështirë të jap mesazhe për kolegët e mi. Statura ime modeste ndoshta nuk ma lejon. Ato mund t’i gjeni në trajta të ndryshme në veprat e mia.
Ju faleminderit.
Bisedoi:Raimonda MOISIU


Tuesday, 30 September 2014

ITALIANET



FASLLI HALITI


                   
                   ITALIANET

                               .tregim biptik.



XHOVANI


Ato ditë që kapitulloi Italia fashiste, xhaxhai solli në shtëpinë tonë dy italianë :  Dominikon dhe Xhovanin.
 Domeniko ishte paksa i ndrojtur, disi brun, por në shikimin e parë dukej që ishte punëtor i madh. Xhovani ishte tip i shkathët, i afrueshëm, me të miqësoheshe me një herë. Ai kishte zë të bukur dhe s'i rrihej pa kënduar e pa i rënë harmonikës, që fshatarët i thoshin saze goje. Ai qante atë saze. Dukej punëtor, por punën nuk e hante. Të jepte përshtypjen se kishte qenë oficer ose nënoficer. Që ditët e para xhaxhai s'di pse s'e pati për zemër Xhovanin. Ai, këngën dhe harmonikën e gojës e qante, por për punë s'ia thoshte, për punë s'e kishe. Domeniko punonte shumë, kurse  Xhovani  edhe bukën e drekës e hante shtrirë në hijen e shelgut që ndodhej në mes të arës. Edhe kur korrte grurë, Xhovani binte në gjunjë dhe korrte gjunjazi.  Domeniko ishte edhe një artizan i shkëlqyer.  Bënte ca kosha, ca kanistra, ca shporta që të linte pa mend. Unë habitesha me kanistrat dhe shportat e tij, aq bukur i thurte ato. Thurte me purteka thane dhe fije kallami. Nuk më harrohet ajo kanistra, brenda së cilës  thuri edhe një shportë. Shporta shërbente si furrik, ku pula bënte vezën dhe vezët nga shporta vendoseshin në kanistër. Para se ta thurte kanistrën, Domeniko ia shpjegoi xhaxhait me këmbë me duar, me gjysma fjalësh se si do ta thurte. Xhaxhai e kuptoi e u kënaq. Bëje i tha. Bëje. Punë e bukur më duket. Do ta shohim më mirë kur ta mbarosh së thururi.
Unë nuk luajta nga vendi. Aty ndenja derisa Domeniko e mbaroi kanistrën. Sa e bukur, sa e bukur që i doli ! Si duket, Dominiko e mendoi me zemër dhe e thuri po me zemër. Sa estetike dhe sa praktike ishte kanistra që thuri Domeniko. Një vepër e vërtetë arti. Xhaxhai i rrahu shpatullat. Aferim i tha. Italiani u kënaq, por përsëri ai nuk lëshohej, rrinte përsëri i ndrojtur. Ai e tregoi veten mrekullisht edhe si punëtor dhe si artizan i talentuar. Ai jo vetëm e nxirrte bukën e gojës, por ndjente dhe kënaqësi, kur shihte se ne kënaqeshim të gjithë me koshat, shportat, kanistrat e tij... Sidomos kanistra me atë shportën në mes, ishte kryevepra e tij. Xhaxhai i kishte rrahur shpatullat. Unë qeshja nga gëzimi dhe e prekja me dorë si diçka  të shenjtë atë kanistër. Gruaja e xhaxhait mori një pulë dhe e futi në shportë. Pula bëri vezën dhe në kanistër u vendos veza e parë. Mbas një jave kanistra u mbush plot me vezë të bardha. Ta shihje sa bukur rrinte pula brenda në shportë dhe sa bukur rrinin vezët që e rrethonin shportën si zaje lumi.
 Vëllai i madh i donte njëlloj që të dy italianët. Nuk bënte dallim se kush punonte më shumë e kush punonte më pak; kush ishte më i zoti e kush ishte më pak i zoti. Edhe italianët e donin vëllanë e madh. Punonin që të tre. Në fillim bënë një hendek të thellë përqark kopshtit të shtëpisë që s'ishte parë në asnjë kopsht tjetër të fshatit tonë.  Arkitekt i hendekut, kuptohet, kishte qenë ai, italiani Domeniko. Ishte hendeku i parë me skarpat që shihnim ne dhe gjithë fshatarët e fshatit Plug i Madh. Ne s'e njihnim atëherë fjalën kanal, pale pastaj fjalën skarpat. Xhaxhai e pëlqeu shumë hendekun. Të lumtë i tha Domenikos dhe i rrahu shpatullat.Vëllait dhe italianit tjetër, Xhovanit, nuk i erdhi mirë që xhaxhai kishte përgëzuar vetëm Domenikon. Xhovani e shprehu keqardhjen. Në fillim rrëzoi vetullat, tendosi buzët, pastaj preu këngën gjatë punës. U bë i heshtur. Kjo heshtje zgjati disa ditë. Xhovani e pranonte se Dominiko ishte i zoti për të thurur shporta e kanistra, ishte mjeshtër, një artizan i shkëlqyer që ai jo vetë nuk i afrohej, por edhe krenohej me të si bashkatdhetar, por sa për kanalin ai s'e pranonte. Kanalin ata e kishin hapur të tre së bashku : ai, Xhovani, vëllai im i madh dhe jo vetëm Domeniko.
Përherë të dytë Xhovani u pikëllua në dasmën e vëllait të madh. Natën e parë të dasmës Xhovani ishte tepër i gëzuar. Ai e donte vëllanë. E quante fratello. Kjo ishte arsyeja e parë që ai ishte alegro, i gëzuar. Arsyeja ë dytë ishte se gjatë ditëve të dasmës ai do të shfaqte gjithë talentin e tij si këngëtar. Do të dilte mbi Domenikon i cili e linte shokun në hije si punëtor e mjeshtër artizanati. Natën e parë të dasmës Xhovani këndoi këngët më të bukura që dinte. I këndoi me shpirt e talent sa i la gojëhapur të gjithë dasmorët. Harroi se Italia e tij fashiste kishte kapitulluar dhe se ai ishte një kapitullant, një ushtar i mundur, i dorëzuar, një rob lufte. I dukej sikur ishte në shtëpinë e tij, sikur po këndonte në dasmën e vëllait të vet të vogël. Të gjithë fshatarët që kishin ardhur për këngë u mahnitën. Edhe Murat Bilbili që ishte bilbili i fshatit mbeti gojëhapur. Kaq shumë e pëlqeu. Madje Murati i mësoi të nesërmen italianit një nga këngët e tij më të bukura dhe në darkë ata e kënduan të dy së bashku. Veç t'i dëgjoje. Murat Bilbili ia hidhte, italiani ia priste si të ishte një fshatar i vërtet shqiptar. Të gjithë dasmorët u kënaqën. Xhovanit i rridhnin lot lumturie nga sytë. U mallëngjye ngaqë atë po e mirëprisnin si këngëtar. Mbase dhe iu kujtua dasma e vet, shtëpia, babai, nëna, gruaja, motra vëllezërit e vegjël, që s'i kishte parë prej pesë vjetësh. Hamendjet ishin të ndryshme për lotët e italianit. Por unë mbaj mend që atij atë natë i ndritën sytë dhe lotët ishin petale që këputeshin e binin në të dy faqet e tij si në dy lëndina. Tani ai ndjehej më i qetë. Nuk e hante bukën kot. Domeniko ishte artist në thurje koshash, kanistrash, shportash, ai ishte artist në këngë.  Unë u gëzova që italiani u çel i tëri. S'e duroja dot zymtinë e tij, atë hije që i mbulonte sytë e fytyrën si perçe. Atij i shkonte kënga, drita, por jo perçja e zymtësisë. U afrova tek italiani dhe i rraha shpatullat. Të lumtë goja, i thashë Xhovanit, të lumtë goja e të këndoftë zemra, Xhovani. Ai më përqafoi duke më thënë menjëherë,- grazie, grazie, mile grazie, mio piccolo fratello!
-Të lumtë goja Xhovani ! - i tha dhe Murat Bilbili.
-Të lumtë goja ! -i thanë të gjithë dasmorët me radhë.
    Xhovani u përlot përsëri nga vlerësimi që po i bënin. Pikat e lotit binin si petale pjeshke mbi faqet e tij. Sytë, buza, vetullat po i qeshnin. Gjoksi i ulej e i ngrihej ngaqë kishte kënduar shumë. Megjithatë ashtu i lumtur ngaqë i kishte kënaqur të gjithë dasmorët dhe që ata e kishin pëlqyer dhe vlerësuar me entuziazëm, ai po mendonte të këndonte edhe një këngë tjetër. Duke kërkuar në repertorin e tij, sytë i mbante lart, shikonte tavanin e odës së miqve sikur tavani të ishte repertori ku ai do të gjente këngën.
Ndërkaq Riza Thana, një bujk i mirë, I tha xhaxhait :
-Po për punë si i ke këta italianët?
-Ky këtu, tha xhaxhai për Domenikon që s'kishte kënduar asnjë këngë, por kishte mbajtur vetëm iso, ky punon shumë, është punëtor i madh Flori i ka duart. Kurse ky tjetri, tha xhaxhai duke i treguar me bisht të syrit Xhovanin,  ky s'e ha punën, vetëm për këngë është. Qejf o qerrata është ky...
Xhovani u pre menjëherë. U zbeh në fytyrë. Vetullat i ranë poshtë. Nga goja e tij, nuk doli më as një këngë. Ai e kuptoi se xhaxhai diçka të keqe foli për të, diçka të keqe i tha Riza Thanës, kurse për Domenikon shprehu një simpati të thellë. Këtë radhë italiani kishte pësuar pikëllimin më të thellë, fyerjen më të rëndë. As kur kishte kapitulluar ushtria e tij, s'kish ndierë një fyerje kaq të rëndë sa kjo. Në fund të fundit ushtria, ishte ushtri. Ai nuk ishte komandanti i saj që të ndiente fyerje. Ishte vetëm një ushtar i thjeshtë. Pastaj ajo kishte qenë një ushtri pushtuese… Të mbronte atdheun, po. Atëherë dhe ati do t'i vinte turp, do të fyhej, do të ulte kokën që s'mundi ta mbronte dot atdheun e tij. Ajo ishte një ushtri që kishte pushtuar atdheun e këtyre njerëzve që i ishin gjendur siç i gjendet vëllai, vëllait. Prandaj dhe ai nuk kishte ndier ndonjë fyerje personale ditën e kapitullimit të kësaj ushtrie. Mbase edhe ishte gëzuar. Ajo që kishte bërë ushtria e tij kishte qenë një luftë e padrejtë, pushtuese dhe ai mbase ndjeu kënaqësi kur ajo mbaroi me turp. Turpi me turp ishte larë. Po fyerja që i bëri xhaxhai, nuk durohej. Kjo ishte një fyerje e madhe dhe ai nuk mund ta duronte dot. Ushtria e tij kishte qenë e dobët dhe e padrejtë, kurse ai e konsideronte veten një ushtar të mobilizuar që s'kishte dashur të luftonte kurrë për të pushtuar të tjerët. Nuk punonte sa Dominiko. Dakord. Ai nuk kishte qenë bujk, por një mekanik i thjeshtë në një ofiçinë të vogël. Nuk ishte mësuar me punë fizike. Nuk punonte dot me bel, po kjo nuk do të thoshte se s'ishte punëtor. Ai nuk e pranonte se ishte një pigro, një dembel i keq. Përkundrazi, ai, veten e mbante për laborioso, për punëtor në zanatin e tij.
Natën e dytë e të tretë të dasmës, Xhovani s'e hapi gojën. Nga goja e tij s'doli më asnjë këngë. Vëllai iu lut që ai të këndonte për të, se dasma ishte e tija dhe jo e xhaxhait, por italiani nuk këndoi edhe dy net të tjera. Ai i tha vëllait se i kishte ikur humori, se i ishte helmuar shpirti. Ai dembel ?! Ai pigro?! Kurrën e kurrës! Më në fund Xhovani i tha vëllait se të nesërmen mbrëma do të këndonte vetëm për të, për Murat Bilbilin që ishte bilbili i fshatit dhe që e vlerësonte atë. Të nesërmen mbrëma italiani Xhovani këndoi vërtetë, por këndoi vetëm këngë melankolike, vetëm këngë të pikëlluara...
Pas dasmës Xhovani iku nga shtëpia jonë dhe vajti kovaç te Nuzo Jevgu...
Me ikjen e vëllait ushtar, iku dhe Xhovani nga shtëpia jonë. Iku me duart me kallo. Mbas fyerjes që i bëri xhaxhai Xhovani punoi me shumë mundim, i përgjakeshin duart, por ai i lidhte me lecka dhe    punonte. Hendeku rreth arës së Ferrës së Nikollit kishte mbaruar. Fshatarët habiteshin. Ai nuk ishte hendek, por një vepër arti. Aq bukur e kishin hapur dy italianët së bashku me vëllanë, sa s'ishte parë ndonjëherë në anët tona.
-Janë mësuar me llogoret këta qerratallenj - tha xhaxhai.
***
Pas gjithë asaj pune dërrmuese, Xhovani u larguar me nder dhe ishte ndarë me xhaxhanë me përshtypjen se nuk ishte dembel. Tani e tutje ai do të punonte kovaç. Kishte biseduar me usta Nuzon, me kovaçin më të zotë të gjithë rrethit fushor dhe ai e kishte pritur me kënaqësinë më të madhe.
Dominiko mbeti vetëm. Ku të shkonte. Ai ishte fshatar dhe i pëlqente bujqësia.Xhaxhai e donte dhe ai ishte i kënaqur me xhaxhanë. Xhaxhai e nderonte. Madje  me porosi të tij nusja e vëllait i kishte caktuar Domenikos një peshqesh nga paja e saj si gjithë pjesëtarëve të tjerë të shtëpisë. Ajo, sipas zakonit, si gjithë të tjerëve të shtëpisë, i lau këmbët edhe italianit, Domenikos. Si gjithë pjesëtarët e shtëpisë dhe italiani, i hodhi nuses një monedhë në legen duke buzëqeshur, me zakonin e habitshëm të hedhjes së lekut në legen si njëlloj shpërblimi, mbase, për nusen që u lante këmbët gjithë njerëzve të burrit. Ai e kuptoi më në fund domethënien e këtij zakonit të habitshëm në fillim për të. Nusja ua lante këmbët njerëzve jo për të fituar lekë, por për të treguar dashurinë që kishte ajo për burrin. Peshqeshi ishte një shami e endur në tezgjah. Xhaxhai e porisiti Domenikon që të mos i thoshte gjë Xhovanit që nusja i kishte dhënë peshqesh, se i kishte larë  atij këmbët si të ishte pjesëtar i shtëpisë. Xhovani nuk e mori vesh këtë. Kjo do ta kishte mërzitur edhe më shumë Xovanin, do ta kishte helmuar ende dhe më keq.
Pas ikjes së vëllait ushtar dhe pas largimit të Xhovanit nga shtëpia jonë, xhaxhai e ndjente veten më të lehtësuar, më të gëzuar, më të shpenguar, por ai, seç kishte diçka me Xhovanin. Diçka s'i pëlqente në sytë e tij. Sytë e tij vërtiteshin shumë. Xhaxhai s'e duronte dot këtë rrotullim sysh. Sidomos tani që në shtëpi kishte ardhur dhe nusja e vëllait. Xhovani i kishte treguar ca fotografi të veta xhaxhait, vëllait dhe ne të tjerëve. Midis fotografive xhaxhait nuk i pëlqeu njëra. Në të Xhovani kishte dalë duke i shkelur syrin dikujt. Në sfond ishte një shtëpi e gurtë, me çati me tjegulla të kuqe.
-Po kjo - tha xhaxhai.
-Foto, unë… - tha italiani.
-Kujt ia ke shkelur syrin?
-A nessuno, askujt, - tha Xhovani që e ndjeu, e thithi shqetësimin e xhaxhait. Ai e dinte se italianët kishin nam të keq nga ana morale.
Në të vërtetë Xhovani  gënjeu.
Atë fotografi Xhovani ma kishte treguar edhe mua disa ditë më parë. Edhe unë e pyeta pse kishte shkelur syrin. E pyeta kot, pa asnjë djallëzi. E pyeta siç pyesin fëmijët:
-Pse e ke  mbyllur syrin ti Xhovani?
Dhe që italiani ta kuptonte, mbylla njërin sy.
-Aha! - tha Xhovani dhe më shkeli syrin.
Pastaj më bëri disa shpjegime me këmbë e me duar...
-Kjo do të thotë vieni qua, më tha Xhovani .
Kështu më tha mua. Kurse xhaxhait i tha se e kishte shkelur syrin kot. Kishte të ngjarë që xhaxhai, pikërisht për këtë nuk e donte Xhovanin. Sidomos tani që në shtëpi kishte ardhur dhe nusja e vëllait, ai nuk e honepste dot më fare. Nga ana e tij dhe Xhovani e nuhati dyshimin e xhaxhait. Prandaj me ikjen e vëllait iku dhe ai.
Kur Xhovani u nis për të punuar kovaç te usta Nuzo, në qytet, unë e përcolla atë gjer në arat e Pazarzës. Xhovani më kishte dashur dhe unë e doja. Një ditë, unë vrava një zog me llastiqe. Kisha ditë që e përgjoja zogun. Zogu vinte e qëndronte në hurin e gardhit që kishte thurur Dominiko me xhaxhanë. Unë e përgjoja zogun i fshehur pas një kaçube. Xhovani më shikonte nga larg dhe kënaqej. Disa herë e kisha qëlluar zogun, por nuk e kisha goditur dot. Një ditë, gjeta ca zaje të mirë në përrua. I mbusha xhepat plot. U fsheha afër gardhit mes një tufë kërkutash. Prita. Më në fund zogu erdhi. Më rrahu zemra. Ah sikur ta vrisja këtë radhë! U përqëndrova i tëri te zogu që qëndronte mbi hurin e gardhit. Ishte vjeshtë dhe mbillej gruri. Zogu zbriste nga huri i gardhit dhe fillonte të hante fara  gruri. Këtë e bëri disa herë atë ditë. Mua më rrihte zemra. Nuk ia ndaja sytë. I kënaqur me farat e grurit, zogu shpupuriti puplat, u fry dhe qëndroi i shkujdesur. Ai  qëndronte gjithmonë syçelë. Ishte e para herë që rrinte i shkujdesur, me pupla të fryra nga kënaqësia. E pashë mirë. Me ato pupla të fryra ai m'u duk më i madh. Ishte e para herë që po ma hante syri se mund ta vrisja. U mata. I zgjata llastiqet me sa fuqi pata. Zogu në atë çast shpupuriti prapë puplat. M'u duk sikur më kuptoi. U tulata më shumë.Tani zogu më dukej më i madh dhe më i shkujdesur. Dukej sikur rrinte symbyllur. Zgjata përsëri llastiqet. E shënova. E qëllova. Zogu bëri të fluturonte…Po guri e kapi mu në sqep.Veç ta shikoje si përpëlitej. Ai përpëlitej. Edhe mua më përpëlitej zemra. Zogu përpëlitej nga dhimbja, mua më përpëlitej  e më hidhej zemra nga gëzimi. U turra ta kapja. Po ç'të shihja, ndërkaq Xhovani thërriste si kalama "bravissimo", "bravissimo" Ai më kishte përgjuar. Mezi kishte pritur gjersa ta qëlloja zogun. Shkoi e mori zogun që përpëlitej mbi ugar. Shkoi që ta kapte para meje. Pastaj më kapi, më ngriti në krahë. Sa i gëzuar ishte, sikur unë të mos kisha vrarë një zog, por Duçen. Mua m'u bë qejfi që ai po më vlerësonte kaq shumë.Vetëm tani po e ndieja se kisha treguar zotësi të rrallë në përdorimin e llastiqeve. Kisha vrarë dhe herë të tjera zogj, por askush nuk më kishte lavdëruar kaq. Askush nuk ishte gëzuar kështu si Xhovani. Përkundrazi, xhaxhai m'i kishte këputur disa herë llastiqet.
-Si gëzohet mutit…, tha xhaxhai. Zaten, gjak duan këta mutër, shtoi xhaxhai me inat.
***
 Kur arritëm në xhade, u ndava me Xhovanin. Ai më ngriti në krahë dhe më puthi. Nuk e di pse më donte aq shumë. Unë e dija pse e doja. Ai më vlerësonte mbi të gjithë fëmijët e tjerë.  Kjo më bënte që unë të isha më i mirë me prindërit, shokët, xhaxhanë dhe me vetë atë...
Pas disa kohësh xhaxhai tha se do të shkonim në pyllin e Gjinerukës për të prerë dru. Para se të shkonim për dru, xhaxhai mori sëpatat dhe u nisëm për në qytet bashkë me Domenikon. Xhaxhai më mori edhe mua me vete për të shitur ca vezë. Me lekët e vezëve do të paguhej kalitja e sëpatave. Unë shkova dhe e mbusha shportën me vezë që i mbanim në kanistrën që kishte bërë Dominiko.
U nisëm për të kalitur spatat te kovaçi, Nuzo Jevgu, ku kishte filluar punë Xhovani pas ikjes nga shtëpia jonë..
Ishte një mëngjes me një qiell në ngjyrën e puplës së kanarinës. Xhaxhai me Domenikon ecte përpara, unë ecja pas tyre. Rrugës humbisja pas zogjve.Vdisja për të gjuajtur zogj. Duke i parë ndalja këmbët vetiu. Shikoja Krahëgjatat, Dervishet, Pilaret. Humbisja pas tyre…
Luaj këmbët, më thoshte xhaxhai me vrazhdësi. Oj si hutohet pas harabelave, sikur s'ka parë harabela  me sy. Unë nxitoja, por këmbët e zbathura m'i digjte asfalti i xhadesë. Xhaxhanë e kisha frikë dhe zor, ngaqë nuk më përkëdhelte kurrën e kurrës dhe ngaqë më mundonte shumë me punë. Më dukej sikur ai kishte lindur vetëm për të më munduar e, për të më rrëmbyer dëshirën dhe gëzimin e lojës.
Sapo arritëm në pazar, unë shkova te gega që shiste sheqerka dhe i shita vezët. Lekët ia dhashë xhaxhait. Më kishte ecur. Tani isha i lirë. Shportën e kisha bosh. Por kjo nuk zgjati shumë. Xhaxhai futi në shportë dy sëpatat dhe pykat prej hekuri. Tani shporta ishte më e rëndë. E dija unë. Xhaxhai s'më ndahej. Ai nuk ishte xhaxhai im, ai ishte mundimi im. Ai edhe Xhovanin kështu e mundonte, vetëm sepse këndonte bukur, mua vetëm pse gjuaja bukur me llastiqe. Ndoshta prandaj e donim njeri - tjetrin: Xhovani, mua dhe unë, Xhovanin. Sa arritëm te kovaçi Nuzo Jevgu, doli na priti Xhovani. Nuk e di pse, ai, takoi në fillim xhaxhanë që s'e honepste dot, shtrëngoi dorën me të, madje e rroku edhe në qafë, sikur midis tyre të mos kishte ndodhur gjë prej gjëje. Mua më erdhi inat që ai u soll butë me xhaxhanë… Pastaj Xhovani u përqafuar, u puth me mall me Domenikon. Mua më ngriti në krahë. Bisedoi pak me xhaxhanë, e pyeti për punët e bujqësisë. Domenikos i tha se bashkë do të bisedonin më vonë. I mori leje usta Nuzos që të dilte pak me mua nëpër qytet.
-Dil, i tha Nuzo dhe, kthehu kur të duash..
***
Xhovani më mori për dore. Më çoi në pastiçeri. Më bleu një pastë. Ma dha në dorë gjithë gëzim e përkëdheli. Sa e bukur dhe e pastër m'u duk pasta që më bleu Xhovani. Më vinte keq ta haja, aq e bukur, aq e pastër, e pastër më dukej. Bukuria e saj më mahniti. Më mahniti pastërtia. Pasta përsipër kishte një shkumë të bardhë, të bardhë që i ngjante një shkume që e gjenim mbi fijet e barit në mëngjes dhe që i thoshim pështyma e qyqes. Mëngjeseve në prill ne shikonim këto pështyma mbi bar. Thuhej se qyqja e kishte zakon të pështynte mbi lule, mbi bar…
Haje, më tha Xhovani, haje, mos e shih më, është dolçe, buona!
Unë u çudita me pastën. Si ta haja. Ajo ishte kaq e bukur, e bukur. Unë kisha qejf ta ruaja. T'ua tregoja motrës së vogël…, shokëve: Cenit të Tefikut, Kudretit të Likos, Hekrit të Files, Haxhiut të Murat Shefës.
Haje, më tha përsëri Xhovani, haje mos e shih...
Jo, i thashë.
Pse?
Do ta ruaj!
Për kë do ta ruash, për nusen jote vogël?
Për shokët dhe për motrën e vogël, i them!
Pse?
Se është e bukur, më e bukur se zogjtë.
Italiani qeshi dhe ma shtrëngoi kokën pas trupit të tij.
Haje, haje, më tha, se të blej një tjetër edhe më të bukur e më të ëmbël, për t'ua treguar shokëve.
Ishte e para herë që mbaja një pastë në dorë. Hera e parë që haja pastë. Do të më mbetej për gjithë jetën si dhurata më e bukur që ma kishte bërë një italian, një rob lufte...

***         
Sapo Xhovani u largua nga kovaçhana së bashku me mua, xhaxhai e kishte pyetur usta Nuzon:
E, si duket ky italiani yt ? Punon ndonjë çikë, apo …ia kris këngës?
-Oj, të punuar, punon dhe këndon bukur, më kënaq me punë e me këngë, i kishte thënë usta Nuzo, gjithë kënaqësi.
Kë pyes edhe unë, kishte thënë me vete xhaxhai, po jevg ky e, jevg Xhovani, po jevgjitët këngë duan…, vdesin për këngë. Pastaj kishte shprehu habinë:        
Jo more?! Punon ë?
E kam flori, o Mano, i kishte thënë xhaxhait usta Nuzo.
Jo mo re?!
Po tek unë s'ia thoshte fare për punë. S'e hante fare punën e bujqësisë, i uruari.
Njeriu duket në zanatin e vetë o Mano. Ja e bën dot ti këtë punë që bëj unë?
Fare!
E pra, dhe unë fare s'e bëj atë punën që bën ti atje në arë.
I pjell mendja këtij italianit o Mano, i kishte thënë me krenari xhaxhait, usta Nuzo.
Jo, more!
Çfarë nuk i pjell mendja thuaj.
I lumtë atëherë, kishte thënë xhaxhai.
I sheh ato vegla atje? Të gjitha ai i ka bërë.
I lumtë atëherë! Hallall e pastë bukën!, kishte thënë xhaxhai i cili, punën çmonte mbi të gjitha.
Domeniko u kënaq, kur  mori vesh se usta Nuzo e kishte lavdëruar shokun dhe bashkatdhetarin e tij, por më shumë u kënaq kur mori vesh se xhaxhai kishte thënë: "I lumtë atëherë. Hallall e pastë bukën që ha!"
Edhe unë, flori e kam Domenikon, i kish thënë xhaxhai usta Nuzos. Edhe atitij timit, ç'i sheh syri, i bën dora. Bujk i vërtetë është. Apo si thur ata koshat që...
Xhaxhai i rrahu shpatullat Domenikos, sapo pa që ne u kthyem e futëm në kovaçhanë.
                                                    
***
Sapo Xhovani hyri në kovaçhan, usta Nuzo i rrahu shpatullat si ta kishte djalë. Edhe unë punëtor të madh e kam këtë, o Mano, i tha usta Nuzo xhaxhait. E di si e rreh hekurin si të jetë brumë. Dhe e rreh me këngë. Duke kënduar, e rreh…
Secili lavdëronte italianin e tij si të lavdëronte secili kaun apo kalin e vet !
    Sëpatat dhe pykat ishin gati. Në darkë qerrja u bë gati. Në mëngjes do të  niseshim për në pyllin e Gjinerukës...

DOMENIKO

Të nesërmen në mëngjes herët, u nisëm për të prerë e ngarkuar dru në pyllin e Gjinerukës, në kodrat e Karatoprakut, në fshatin Spolatë. Xhaxhai na mori me vete; mua dhe të birin, Fadilin që ai e thrriste Dili me përkëdheli, kurse mua më quante Koni, ngaqë unë isha i imët si kone. Shtratin e qerres e mbushëm me dega  të njoma misri  dhe me pjepra, gjysmat e të cilave i vodhëm në bostanet e Daut Sefës. Kështu bënim gjithmonë kur niseshim në pyllin e Gjinerukës. Mua më pëlqente shumë pylli i Gjinerukës. Sepse ishte i madh, i dendur dhe me lisa të lartë e thana të kuqe të bukura. Ne ishim të vegjël. Xhaxhai me Domenikon prisnin dru me sëpatë, ne i afronim ato pranë qerres duke ngrënë thana të kuqe.
Domeniko ishte më i ri se xhaxhai dhe e përdorte sëpatën si një druvar i vërtetë.
-Sa bukur që e pret lisin qerratai! - çuditej xhaxhai.
Me siguri në këto çaste ai e krahasonte Domenikon me Xhovanin. Të ishte Xhovani nuk do ta priste lisin me kaq ustallëk. Të ishte ndonjë copë hekuri, po. Atë e ngordhte evgjiti. Po këtë,  ë…hë, ë… hë…Këtu as tek thoi i këmbës s'i afrohet Domenikos ai. Ja, sëpatën po, e ka kalitur mirë. Grerëz e ka bërë. Edhe pykat…, i ka qarë. Por befas xhaxhait u kujtua se sëpatat edhe pykat nuk i kaliti Xhovani, por usta Nuzo...
Kur xhaxhai kërkonte ujë ne, ia çonim katruven menjëherë. Ai punonte shumë, ishte i ngrysur dhe kishte shumë autoritet. Po ne të vegjlit bezdiseshim nga xhaxhai. Ai kërkonte punë, ne donim të luanim...
Pasi ishte ngarkuar qerrja me dru, xhaxhai u ul dhe drodhi një cigare për vete dhe një për Domenikon. Ballin, qafën dhe kraharorin i kishte gjithë djersë. Pasi piu cigaren na mori dhe na çoi mes disa lisave të gjatë e dushqeve gjethedendur që ishin në majë të kodrës që ne të vegjlit i thoshim mal.
- Hajdeni se do t'ju tregoj një gjë të bukur – tha xhaxhai dhe na mori për dore.
Mua m'u bë qejfi shumë. Ishte hera e parë që Xhaxhai po sillej ngrohtë me ne, sidomos me mua që ishte treguar përherë i ashpër ngaqë kisha qejf të gjuaja me llastiqe. Unë e kuptova pse ishte i gëzuar Xhaxhai. Ai ishte i gëzuar ngaqë e kishte ngarkuar qerren dingo me kërcunj. Xhaxhai ishte i vetmi në fshatin tonë që e mbushte oborrin me kërcunj e dru të të thata. Shtëpia jonë kalonte një dimër të ngrohtë edhe sikur dëbora të arrinte gjer në gju apo, siç thoshte vetë xhaxhai, edhe sikur të binin hekura nga qielli.     
-Çfarë do të na tregosh? - e pyeti i biri.
Ndonjë fole me zogj të bukur,- thashë­ unë disi me droje.
-Jo fole me zogj, do t'ju tregoj një gjë edhe më të bukur - tha prapë Xhaxhai.
Unë u gëzova që xhaxhai, nuk më foli me inat, siç më fliste zakonisht, rri aty ti Koni e mos fol! Por duke na tërhequr për dore, ai na ngjiti pak më lart që të shihnim më mirë. Ah, sikur të sillej gjithmonë kështu xhaxhai me ne, sidomos me mua që s'i hiqja llastiqet nga qafa. Në fillim xhaxhai ngriti lart të birin që të shihte përtej drurëve.
-E sheh?,- pyeti të birin
-Cilin?- i tha i biri.
-Folenë me zogj, or budalla, i bërtita unë, djalit të xhaxhait.
- Po detin, or detin  - tha Xhaxhai
-Pse deti është ai atje, po ai është qielli ?,- tha i biri me habi.
-Deti, deti është, - tha xhaxhai, nuk është qielli. Qielli është lart.
-Sa i madh që qenka deeeeti, - tha shumë i habitur i biri.
Pastaj xhaxhai, më ngriti mua. O, sa u gëzova unë. Xhaxhai po më mbante në sup. Kjo për mua ishte më shumë se të shihja mijëra fole zogjsh apo gjithë detet e botës. Xhaxhai kishte qenê shumë i egër, i ftohtë, i vrazhdë me mua, prandaj unë isha kaq i gëzuar që sot, ai, po më mbante mbi supet e tij të mëdhenj…
-Sa i bukur qenka deti! - thashë unë me habi, jo pse deti ishte vërtet aq i bukur, por ngaqë xhaxhai po tregohej i afërt me mua, ai po më mbante mbi sup... Deti paska ngjyrën e kraharorit të peligorgës, thashë unë gjithë gëzim e habi, por befas u pendova që përmenda emrin e një zogu, sepse kjo mund ta zemëronte xhaxhait e mund të më thoshte se ti mendjen te llastiqet e te zogjtë e ke o i uruar…, por xhaxhai vazhdoi të më mbante mbi sup…
- U kënaqët?, na pyeti xhaxhai.     
-U kënaqëm shumë,- i thamë ne, gjithë gëzim.
Ishte hera e parë që shihja det me sy. Kisha parë vetëm limanin e kënetës së Tërbufit dhe liqenin e sfratit që formohej kur fshatarët zinin përroin për të vaditur misrat.
-Domeniko, Domeniko…Deti.Vieni shih detin - thirra unë. Shihe sa i bukur është, si kraharor peligorge.
-Mos e thirr mor Koni, - më bërtiti Xhaxhai. Mos…se…
Unë u çudita me Xhaxhanë. E pse të mos e shikonte Dominiko detin?
Por Dominiko erdhi. Sapo pa detin, ai mbushi kraharorin me frymë dhe psherëtiu: mare, mare... Zvogëloi sytë për të parë më tutje, më larg, më thellë. Ashtu me sy të zvogëluar ai e pa gjatë detin. Po çfarë shihte ashtu, aq i përqendruar ai ? Pse zgjatej ashtu, e qëndronte në majë të gishtave të këmbëve e përpiqej të shihte sa më larg, larg, larg…?
Përtej ishte atdheu i tij, Italia, ishin fëmijët, nëna, babai,  gruaja, vëllezërit, motrat…
Ai i kërkoi një cigare Xhaxhait. Xhaxhai i vuri përpara kutinë e duhanit. Domeniko drodhi një cigare të trashë me shumë duhan. E ndezi dhe filloi ta pinte. Tymi i cigares largohej si një shami e kaltër drejt detit. Domeniko thithte cigaren dhe shikonte detin i shtangur, i ngujuar aty midis lisave dhe dushqeve të pyllit të Gjinerukës. Diçka i fanitej, diçka përfytyronte. Mbase fëmijët, mbase nënën, gruan…Ai shikonte, kurse ne, nuk shinim gjë.
Xhaxhai nuk i foli. Na porositi që dhe ne, të mos i flisnim. E lamë të qetë, me qëllim që të çmallej me përfytyrimet e tia.
-Ejani, na tha me zë të ulët xhaxhai, ejani të shkojmë te qerrja. Lëreni të çmallet. Ai e di rrugën. Na  zë. Ejani !
U larguam ngadalë, pa zhurmë. Ruheshim që të mos shkelnim mbi gjethe dhe degë të thata. Domeniko i shoi cigare duke i dredhur radhazi nga kutia e xhaxhait, po sytë nuk i shkuli nga deti. Ai shikonte me sy të picërruar detin. Ishte i pushtuar i tëri nga malli, nostalgjia. Ne nuk e trazuam. Respektuam mallin, nostalgjinë e tij që po e këpuste.
Ajo ishte një nostalgji që duhej respektuar.
Domeniko vazhdonte të shihte detin dhe s’reshte së psherëtiri:
-Eh, mare, mare.
Përtej ishte atdheu i tij, fëmijët nëna, babai, motrat, vëllezërit...
-Larg deti, Italia, zio Raman, pyeti që në fillim, Domeniko, sapo pa detin?
-Shumë larg! - tha xhaxhai.
-Eh, mare,mare, psherëtiu përsëri italiani.
Unë u çudita. Pse psherëtinte kështu Domeniko. Nuk është mirë në shtëpinë tonë ?  Ne e duam të gjithë. Pse iu mbushën sytë me lot ?
Ai pyeti prapë Xhaxhanë:
-Kaloj io not deti ?
-Jo, tha xhaxhai nuk del dot me not matanë!
-Perche, zio, Raman?
-Mbytesh. Italia, larg.
 Xhaxhai e donte shumë këtë italian se ishte punëtor i madh e fjalëpak.  Italiani pa detin. E pa e pa dhe u çua lingthi...
E pashë të vraponte nëpër pyll, të zbriste poshtë drejt detit me shpejtësinë e një tigri që ndjek një dre. Ta shihje si vraponte. Ai nuk vraponte, por rrokullisej si një gur teposhtë. Dredhonte mes drurëve që të mos përplasej në ta. Ai vraponte poshtë, poshtë, teposhtë drejt detit duke thirrur mare, mare, mia patria aspetammi!
Pylli i Gjinerukës përsëriste në italisht :
-Mare, mare, mia patria aspetammi !
-Iku-tha Xhaxhai,- iku. Kam frikë se do t'i bjerë vërtet detit me not e do të mbytet i  uruari! Gjynah. Ishte punëtor i madh. Duart i kishte flori. Gjynah të mbytet, gjynah…!
Pasi u dëgjuan për herë të fundit britmat e italianit dhe jehona e tyre nëpër pyll,Xhaxhai tha:
-Ecni, ikim !
Dhe m'u drejtua mua:
-E more më qafë - më tha. Gjynah ishte punëtor i madh.
Për një kohë të gjatë unë dëgjoja britmat e italianit që xhaxhai e donte aq shumë:  ''mare, mare, mia patria, mia patria!
Në sy kisha rrokullimën e tij prej shkëmbi që s'e ndalnin dot as lisat e mëdhenj as thirrjet e xhaxhait, mos…! Nuk më hiqej nga mendja, nuk e harrova dot për një kohë të gjatë atë rrokullimë dhe atë britmë njeriu drejt detit...


ERNESTO
                    
Italiani i tretё qё u strehua në shtëpinë tonë, quhej Ernesto dhe ishte kalesh. Vetulla e zeza tё bashkuara i ngjanin krahëve tё njё korbi nё fluturim. Ne e quanim “jetimi” dhe jo ushtari i ushtrisë së kapitulluar italiane...
Kur dëgjova xhaxhanë dhe gjithë njerëzit e shtëpisë, ta quanin Erneston kalesh, mua kujtua Kaleshja lopa që nuk e di pse e quanim Kaleshe.. Kur lopa kaleshe erdhi nga kullota, e pashё me vëmendje, nёse ajo i ngjante apo jo Ernestos të cili e
solli te ne nga qyteti, djali i hallës. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, gjendja e ushtarëve italianë të strehuar në qytet, ishte bёrё e rrezikshme. Po  t’i kapte gjermani, i pushkatonte nё vend si dezertorё. Ne e kishim shtёpinё nё lagjen mё periferike tё qytetit. Kёtu Ernesto do tё ishte i sigurt dhe i qetё. Me përjashtim tё babait, dy ortakëve qё tregtonin mish dhe Likos qё fshinte rrugët e qytetit, gjithё tё tjerёt në lagjen tonë  merreshin me bujqёsi.
Gjermanёt nuk dukeshin shpesh nga periferia. Por njё ditё, pas përplasjes me partizanёt nё Shkuqth, kolona gjermane kaloi pёrmes lagjes e po i afrohej shtёpisё sonё, Ernesto kaloi çaste trandjeje ferri. Xhaxhai  e strehoi atë nё bodrumin e shtёpisё qё ne i thoshim binxё e cila ishte i errёt e binte era myk. Edhe pasi kolona gjermane u largua, Ernesto nuk guxoi tё dilte nga binxa edhe pse  po mbyste era e mykut. Edhe kur xhaxhai i tha tё dilte nga binxa, ai nguroi dhe pasi doli, vazhdoi tё dridhej nga trandja e lemerishme. Sikur ta kishin parë gjermanёt, do ta pushkatonin nё vend, pa pyetur në kishe a s’kishte fёmijё, nëse kishte nёnё, baba, motёr apo vёllezër...
Me përjashtim tё këtij çastit, Ernesto  punoi e jetoi i qetë te ne. Tjetër punë nëse e mbyste malli pёr shtёpnё e tij në Itali, por shqetësime nuk pati më.
Xhaxhai e donte Erneston, sepse ishte fshatar e merrte vesh nga bujqësia, madje mё shumё se vetë xhaxhai qё në lagje e mbanin  si kryebujk. Arat tona bёnin bereqet pa rënë pikё shiu, sepse xhaxhai e punonte tokёn si të gatuante një bukëvale. Xhaxhai  mburrej para bujqve me Kaleshin, italianin qё lёronte, mbillte, korrte, ngarkonte qerren si të ishte vetё xhaxhai.
Kur unё i thosha Ernesto bene, Kalesh?, ai mё merrte nё krah e mё pёrkёdheltё: riccio, cucciolo,birichino ,dhe, gajasej sё qeshuri me mua, sepse i dukesha si iriq, si këlysh, si qerrata...
Ernesto ishte i ri dhe xhaxhai e mbante si djalin e vet. Kaleshi hante e pinte nё njё sofër me ne  dhe flinte nё odёn e miqve mbuluar me jorgan e çarçafё tё larë. Mbaj mend se, ditёn qё do tё largohej nga shtëpia jonё pёr nё Itali, Ernesto na përqafoi tё gjithёve duke mos i mbajtur dot lotёt.
Xhaxhai i tha Ernestos qё para se tё ikte nga shtëpia jonë, tё mbillte njё qershi nё kopshtin, nё shenjё kujtimi, pranё dardhёs dhe shegёs qё kishin mbjellë dy italianet e tjerё, të strehuar para tij te ne, Xhovani e Domeniko. Kur Lufta mbaroi  dhe Enesto priste me javё, me ditё, me orё e minuta, tё kthehej nё  shtёpinё e tij nё Itali, xhaxhai nuk e ngarkonte më me punё bujqësie, por Ernestos s’i rrinin duart. Njё ditё pranvere me diell dhe me erё lulesh, kur frynte juga e bardhё dhe nёna po ngjeshtë brumin par tё bёrё një byrek me qumësht, një lakror, Ernesto i afrohet nёnёs e i thotë me droje: nёna Ija, unё di bёj taliatelle mira shumё.
Pёr ç’a tela e ka fjalёn ky, mor bir? pyeti vёllanё e madh, nёna.
Thotë se di tё bёjё makarona tё mira, i tha vëllai, nënës.
Fjala tagliatelle m’u ngulit nё kokё e s’e harrova gjithë jetën. Ernesto i tëholli e i ndeu vetё petёt  nё diell në oborrin e shtëpisë.
Po ky i uruar, pse bёn punё grash, thoshte xhaxhai nёpёr dhёmbё dhe kthente kokёn qё tё mos e shihte Erneston duke tëhollur e duke i nderë vetё petёt. Edhe Ernestos nga ana e tij, i vinte zor nga xhaxhai, sepse e dinte qё xhaxhai e vlerësonte si bujk tё zotё e, jo si tёhollёs petёsh, prandaj edhe bёnte sikur s’e shihte, kur kalonte lart e poshtё nёpёr oborr.

***
Nё ditët e para tё Çlirimit, njё mbrëmje, kur dielli kishte skuqur gjithё qiellin mbi Kodrat e Karatoprakut dhe retë e bardha tё përflakura, vareshin mbi kodra si lëkurë delesh, nёna i afrohet italianit e i thotë e gёzuar:  Ernesht, nëna s’ia shqiptonte dot mirë emrin, u prishёm me Inglizin. U lidhёm me Rusin.
Shuma keqa nёna Ija, Rusi keqa; Inglizi mira...,Amerika mira,  i tha me pikëllim, Ernesto.
E dëgjova vetё italianin, kur i tha nёnёs se Amerika dhe Inglizi ishin tё mirë, kurse Rusi ishte i keq  dhe, s’di pse s’i harrova këto fjalë gjithё jetёn, gjer në ditët e apokalipsit komunist... Po pse nёna i tha italianit aq e gëzuar që ishim prishur me Inglizin e ishim lidhur me Rusin? Dhe pse italiani e priti me trishtim lidhjen tonё me Rusinё komuniste ?
Mbase nga vetё fjalët  qё tha Ernesto: Inglizi, Amerika mira dhe Rusi  keqa, unё si fёmijё, i përfytyrova tё dy palёt; Inglizin, Amerikёn e Rusin, si dy ara, njëra nga tё cilat bёnte grurё, kurse tjetra jo. Po cila arё bёnte grurё e cila nuk bёnte? Nuk e kuptoja. Ernesto po. Nёna po. Me mendjen time prej fëmije, mendoja se ara e keqe qё s’bёnte grurё e misёr ishte Rusi, kurse ara e mirё ishte Inglizi, Amerika.
Nёnё, pse u prishёm me Inglizin, Amerikёn? Inglizi, Ameika janё si ara e Vidhishtes, si ara e Sheqit qё bёjnë dhe misёr dhe grurё. Po ato s’janё arat tona, mor bir, ato janë tё Hamdi beut... , tha nёna. Ne s’kemi ara...  
Po ato, ne i mbjellim, moj nënë.
I mbjellim, po s’i korrim..., të keqen nëna.
Po ato, ne, i korrim, moj nënë...
I korrim, i korrim, po s’i shijmë, tha nёna.
I shijmë si s’i shijmë, i them nënës.
I shijmë i shijmë, po s’i fusim nё hambar, tha nёna me ofshamë.
Pse?
Sepse gruri dhe e misri hynё nё hambarin e beut dhe beu ka hambar tё madh, të keqen nëna, nuk mbushet dot kollaj. Nё  hambarin tonё, vret kokёn miu.  

***
Gjatё gjithё viteve tё para tё socializmit, kur ende isha adoleshent, kur ne e shanim Amerikёn, Anglinё, kur bërtisnim: Poshtё Amerika duke përplasnim kёmbёt, kur brohorisnim e thirrisnim; rroftë Bashkimi Sovjetik, bija nё mendime dhe, thosha me vete se Amerika, s’paska qenë si ara e Vidhishtes, si ara e Sheqit, si Vidhishtja dhe si Sheqi qenka Bashkimi Sovjetik. Po pse atёherё ai Ernesto, të cilin e mbajtëm me bukë i tha nënës se Iglizi,Amerika mira, Rusi shuma keqa?
E mora inat italianin dhe ia shkula qershinë qё ai kishte mbjellё si kujtim nё kopshtin tonё, pranё dardhës dhe shegёs qё kishin mbjellё dy italianёt e tjerё para tij: Xhovani e Domeniko.

***
Po kur socializmi u përmbys dhe dëgjoja njerëzit, mes të cilëve dhe komunistët që brohorisnin  pёr Amerikёn që thërrisnin e duam Shqipërinë si gjithë Evropёn duke i kthyer bythën  Bashkimit Sovjetik,  thashё në fillim i dëshpëruar: i doli fjala atij mutit, italianit, por thashë menjëherë me vete: mё fal, Enernesto, mё fal, i gjallё a vdekur qofshё atje në Itali, mё fal qё tё shava e ta shkula qershinë, kujtimin që le në kopshtin tonë... 

***
I shihja ndryshimet qё po ndodhnin, pas vithisjes sё sistemit tё kuq, por unё, ende, s’e doja e s’besoja nё sistemin e ri, blu. Edhe Amerikёn, jo vetëm qё s’e doja, por fillova ta urreja edhe mё egërsisht. Vazhdoja ta shihja ende si njё Vezuv qё kërkonte të  mbulonte me llavё e mi hi gjithё globin... E kuptoja qё këto ishin jehona tё sё shkuarës nё kokёn time. Kuptohet... Unё ende s’isha pastruar nga urrejtja klasore  edhe pse kjo urrejtje pёr Amerikёn kish filluar tё mbrapsej, tё tërhiqej si dallga e oqeanit qё vetëshuhet, sapo i afrohet bregut. Pjesa komuniste brenda meje, sapo vinte, po përpiqej tё bënte lëshime, tё merrte anёn e ndryshimit, po përpiqej tё merrte anёn e lëvizjes së re,  po a ishte e re, kjo qё lëvizje e re që po ndodhte? Dikur, ne, e quanim botё tё vjetёr, botё tё kalbur këtë, një botё qё  duhej shembur qё duhej shkulur me rrёnjё e me farë, por ja qё ajo s’u shkul, s’u shemb, por na shkuli, na shembi keq... 
***
Mbille prapё atё qershinë  qё mbolli italiani në shenjë mirënjohje e  kujtimi në kopshtit tënd  e  qё ti  e shkule.  Ernestos i doli fjala... Mbille prapë atë qershi, më tha njëri gjithë  mllef e mburrje fitimtari...
Mbillja ti, po deshe, i thashë edhe unë, po me mllef e kokëkrisje... se, po prite ta mbjell unë, ajo qershi, s’ka pёr t’u mbjellur kurrë, pa lë pastaj të çelë lule e të lidhë kokrra...
Dhe nuk e di pse ky njeri, m’u kujtoi Papa Konstandin Kolën, priftin qё kur u prishën kishat e xhamitë, hoxhallarët e priftërinjtë që hiqeshin  besnikë të Jezusit apo Muamedit, i rruan të parët mjekrat, kurse Papa Konstandini u mbyll në shtëpi e nuk e rroi që nuk e rroi mjekrёn gjersa vdiq e u varros me mjekër, si besnik i Jezusit...



26 mars 2009