Sunday, 5 October 2014

Nasho Jorgaqi: Pse “Dashuria e Mimozës” është vepra ime më e dashur dhe më e vështirë.



Intervista/Nga Fan Noli, “Mërgata e qyqeve” e deri tek kinemaja, rrëfimi i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Nasho Jorgaqi: Pse “Dashuria e Mimozës” është
vepra ime më e dashur dhe më e vështirë.

Bisedoi: Raimonda MOISIU

Me stilin e tij të vecantë , eksperimentues dhe të paparashikueshëm në ambicjen e tij krijuese, gjithmonë në kërkim të identietit krijues unik, jashtëzakonisht identifikues për vizionin e letërsisë së shkruar,   kreativ dhe erudit, e kanë bërë tejet interesante; jetën, krijimtarinë letrare dhe studimore të shkrimtarit dhe studiuesit, prof .Nasho Jorgaqi. Ai është mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes, ku veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e  ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, duke e radhitur kështu në elitën e autorëve më të njohur dhe më të dashur për lexuesin modern. Sot për sot veprat dhe krijimtarinë e tij  shumë dimensionale, e dallojnë atë si zotërues i ndjeshmërisë, diturisë, dhe inteligjencës, që ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë integritetin profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Ai është shkrimtari që i përket disa epokave, asaj  të historisë moderne shqiptare,  dhe të letërsisë së realizmit socialist, si dhe të letërsisë postkomuniste e cila ka sjellur  vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht. Shkrimtari, prozatori dhe studiuesi, Prof. Nasho Jorgaqi lindi në Ballsh të Mallakastrës. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë e lëtërsi shqipe, prane Institutit të lartë Pedagogjik, Tiranë. Pas novelës “Dashuria e Mimozës” (1960) botoi novelat “Ëndrra dhe plagë” (1963), “Balada e nënës” (1994), vëllimet me tregime “Manastiri i dashurisë” (1995), “Shpirti i magjepsur” (2000) etj. si dhe romanin në dy vëllime “Mërgata e qyqeve” (1978-79). Në letërsinë dokumentare shquhet si biograf me veprat “Qemal Stafa” (1970), “Atentatori i perandorit” (1980) dhe si autor udhë përshkrimesh: “Larg dhe afër” (1978), “Udhëtim me Fan Nolin” (1995), etj. Vend të veçantë në letërsinë biografike zë vepra me dy vëllime “Jeta e Fan S. Nolit” (2005). Në fushën e studimeve letrare është marrë veçanërisht me probleme të letërsisë shqiptare midis dy luftërave dhe atë arbëreshe, duke u përqëndruar në autorë si F. Noli, F. Konica, etj. Në këtë fushë ka botuar librat “Silueta letrare” (1976), “Antologjia e mendimit estetik shqiptar, 1504-1944” (1979), “Poetika e dokumentit” (1987), “Estetika e fjalës shqipe” (1996), “Profile dhe probleme letrare” (2008), etj. është autor dhe i disa veprave të konceptuara si udhëtime letrare në kërkim të figurave si N. Frashëri, De Rada, Serembe, F. Noli, etj. (“Udhëve të mërgimit”, “Udhëtime letrare”, etj. Skenarist i disa filmave artistikë dhe dokumentarë, shkrimtar për fëmijë, përkthyes, autor aforizmash. është nderuar me urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës I-ë. Veprat e tij janë përkthyer në gjuhë të huaj. Prof. Nasho Jorgaqi vazhdon të shkruajë, duke botuar e ribotuar veprat e tij, madhore, letrare, artistike dhe historike. Në këtë intervistë, Mjeshtëri i rrëfimit dhe studimit, Prof. Nasho Jorgaqi na rrëfen udhëtimin e tij krijues dhe si arriti ai të jetë një nga autorët më të shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe e ballkanike, por edhe në atë unike europiane. Për më shumë ndiqni bisedën.
Bisedoi:Raimonda MOISIU

-Përshëndetje Prof. Nasho, duke i hedhur një sy CV-së tuaj, ngazëllehesh nga talentet dhe kultura profesionale që lëvroni në disa gjini e zhanre. Cilat qenë rrethanat që ndjetë nevojën për t’u shprehur e për të treguar?
Nasho Jorgaqi: Ju faleminderit për fjalët e mira që shprehni për mua si shkrimtar dhe studiues. Sinqerisht kjo më gëzon, por nuk i mbaj dot të gjitha. I mbetem mendimit që kam thënë dhe herë të tjera, se unë jam një nga koristët e korit të letërsisë shqipe dhe kjo më mjafton. Këtë e dëshmojnë lexuesit e mi, sepse siç thotë Tolstoi, shkrimtari i vërtetë ashtu siç krijon personazhet, krijon edhe lexuesit e tij.
Belbëzimet e mia letrare kanë nisur që në fëmini, si një fakt për të vërtetuar dhe atë që thotë A. Ekzyperi se “Letërsia është fëminia ime.” Në rastin tim ka qenë një rrethanë familjare që më çoi te letërsia. Im at ka qenë gjykatës, dhe kjo më jepte mundësinë jo vetëm që herë pas here të ndiqja seancat gjyqësore që drejtonte ai, por dhe të isha i pranishëm në takimet e tij me hallexhinjtë që vinin në shtëpi dhe tregonin për ngjarje që mua më tërhiqnin dhe më emociononin. Dhe aq shumë u ngarkova me përshtypje, sa fillova t’ua tregoj shokëve dhe më pas t’i hedh në letër, sidomos në ditarin tim. Kështu më lindi dëshira e të rrëfyerit, aq e domosdoshme për një krijues.
R.M.: Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në prozë, poezi etj., pra kur filluat të shkruani e të botoni?
N.J.: Eksperienca ime e parë në fushën e letërsisë nis në kohën e adoleshencës, kur fillova të botoja skica dhe vjersha në revistën “Pionieri”, sprova këto naive dhe pa pretendime. Ëndrra ime letrare ishte e madhe, por aftësitë e mia qenë të kufizuara. Akoma s’më ish zgjuar magjia artistike. Vetëm kur hyra në gjimnaz, botova një tregim mbi heroizmin e një partizaneje dëshmore, që fitoi dhe një çmim kombëtar në konkursin e letrarëve të rinj, pastaj një vjershë me emocionet që më zgjoi tharja e një kënete në Myzeqe. Ndërsa motivet e dashurisë, që më vlonin brenda, akoma nuk i pranonte koha e ngarkuar me frymë militante.
Për hir të së vërtetës debutimi im në letërsi më vonë, nuk qe i lehtë. Fatkeqësisht vuaja nga prirja për t’u marrë me fusha të ndryshme; me vargje, me tregime, me publicistikë, me kritikë letrare. Dhe kjo shpërndarje, nuk qe në të mirën time. Por me sa duket kjo erdhi nga që unë isha në kërkim të vetvetes. Pra, m’u desh kohë që ta gjeja prirjen time të vërtetë në letërsi. Kjo shpjegon dhe shpërndarjen time pothuaj në të gjitha gjinitë, deri sa dola në rrugën  e letërsisë së mirëfilltë.
R.M.: Ju krijoni në disa fusha të letërsisë. Tashmë jeni shkrimtar i afirmuar i disa veprave të çmuara. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?
N.J.: Fronti i punës sime krijuese nëpër vite qe i gjerë: vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf etj. Për fat të mirë nga vjershërimi u shkëputa shpejt dhe iu kushtova prozës. Vepra ime e parë serioze ishte “Dashuria e Mimozës”, një libër që u mirëprit dhe bëri jehonë sidomos te të rinjtë. Për herë të parë nisa të besoj se kam talent dhe këtë ma përforcuan lexuesit më fjalët e tyre dashamirëse. Kështu u hap rruga e novelave “Ëndrra dhe plagë”, “Posta e largët”, “Balada e nënës” etj., me tema kryesisht nga jeta e rinisë, ku me kohë në qendër vura dashurinë e saj si në kohën e luftës, ashtu dhe të realitetit bashkëkohor. Ajo që ka mbetur konstante në këto vepra, vështruar në distancë kohore, është bota shpirtërore e rinisë, përpjekja ime për të dhënë psikologjinë e saj dhe për të konturuar karaktere. Kam qenë dhe jam për një prozë psikologjike, bazë e letërsisë së vërtetë. Kritika ka evidentuar dhe çmuar dhe gjuhën dhe stilin tim, konçizitetin dhe individualizmin e tyre. Këto vlera do të shpaloseshin më gjerë në romanin “Mërgata e qyqeve” dhe në një varg librash me tregime dhe proza poetike, të botuara pas viteve 90.
R.M.: Ju jeni shkrimtar i dy epokave në letërsinë shqipe. Ku qëndron ndryshimi në krijimtarinë tuaj midis tyre? Ç’ndodhi me brezin tuaj dhe si e vlerësoni brezin e ri letrar që ka debutuar? Nga buron inspirimi juaj në veprat që shkruani?
N.J.: S’ka dyshim se burimi i inspirimit të çdo shkrimtari apo dhe artisti në përgjithësi është jeta, njeriu, shoqëria, vështruar dhe lidhur me kohën, epokën social-historike. Ashtu si gjithë brezi im letrar edhe unë, rrethanat na diktuan të jetojmë e të krijojmë në dy epoka të historisë moderne shqiptare, të letërsisë së realizmit socialist dhe të letërsisë postkomuniste. Unë si dhe të tjerë, duke qenë se vitet kryesore të jetës i kam kaluar e përjetuar në kohën e socializmit, jam mbështetur dhe kam krijuar mbi bazën e parimeve të realizmit socialist. Në këtë vështrim duhet të jemi të sinqertë dhe realistë, larg çdo konformizmi dhe politizimi. Njeriu, veçanërisht krijuesi, artisti, është në radhë të parë pjellë e kohës së tij dhe idealeve të saj. Unë s’kam qenë komunist, por si intelektual dhe shkrimtar jam mbrujtur dhe formuar me filozofinë e materializmit dialektik dhe historik. Ai ka qenë dhe mbetet për mua një ideal human, që ka luajtur dhe luan thuajse dhe sot rol në fatin e shoqërisë njerëzore. Kështu, për mua, kalimi nga një epokë në tjetrën nuk e ka ndryshuar themelin e botëkuptimit tim. Ç’është e vërteta veprat e mia të epokës socialiste, mbeten një kontribut për kohën e tyre, pavarësisht nga kufizimet ideologjike dhe politike. Të mos harrojmë se aso kohe mungonte mendimi dhe fjala e lirë dhe kjo s’kish si të mos dëmtonte atmosferën e një krijimtarie artistike, madje të prekte deri dhe thelbin herë-herë të së vërtetës dialektike. Por kjo nuk do të thotë se mbi bazën e realizmit socialist nuk u krijua letërsi artistike e mirëfilltë, madje dhe vepra të shquara që mbeten në fondin e artë të letërsisë shqipe. Dua të kujtoj se realizmi socialist qe një fenomen artistik botëror, mbi bazën e të cilit krijuan shkrimtarë të mëdhenj si Gorki, Brehti, Aragoni, Neruda, Hiqmeti, Ricos, Fo, Nekso e plot të tjerë. Dhe s’ka si të biesh dakord me ato mendime që në Shqipëri për këtë letërsi studiues dhe shkrimtarë, madje dhe autoritete letrare, shprehen me nihilizëm, e anatemojnë, i nënvleftësojnë dhe falsifikojnë vlerat e saj. Unë mendoj se kjo është një çështje kohe, sepse shkenca letrare objektive do t’i japë vendin dhe meritat që i takojnë dhe kësaj letërsie, si pjellë e një epoke të caktuar historike. Kurse përsa i takon ndryshimit të pozitës së shkrimtarit dhe letërsisë që ai ka krijuar në këto dy epoka, ky është një problem kompleks, që studiuesit akoma nuk e kanë gjykuar si duhet shkencërisht, por priren kryesisht nga trajtimi politik i fenomenit.
Mendimi im është se shkrimtarët tanë e kanë kapërcyer me sukses kalimin nga letërsia e realizmit socialist në letërsinë paskomuniste brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke krijuar vepra me nivel mbi tema bashkëkohore, me frymë të re, mbi baza filozofike të avancuara, larg dogmave dhe anakronizmit. Dëshmi për këtë është krijimtaria e suksesshme e V. Koreshit, D. Agollit, S. Drinit, I. Kadaresë, F. Arapit, F. Kongolit, Xh. Spahiut, B. Mustafajt, B. Shehut, Dh. Xhuvanit, M. Vyshkës etj. Por, nga ana tjetër, letërsisë sonë i ka ardhur një brez i talentuar, përfaqësues i drejtpërdrejtë i periudhës paskomuniste si B. Blushi, A. Plasari, L. Lleshanaku, F. Açka, E. Hatibi, S. Rusi, M. Bupçapaj, Y. Aliçka, R. Dibra, G. Krasniqi, L. Stani etj.
Sigurisht edhe unë në këtë rrugë kam ecur, duke krijuar vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një kalim ky i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht.
R.M.: Cila është pozita e shkrimtarit në shoqërinë pluraliste shqiptare dhe nëpër çfarë procesi u arrit statusi i ri i juaj?
N.J.: Krijimtarisë sime, ashtu si edhe e kolegëve, iu desh në dy dekadat e fundit të kapërceja nga një epokë në tjetrën pa vështirësi të mëdha. Kjo ndodhi jo vetëm se disa nga shkrimtarët dhe artistët tanë të shquar do të ishin në pararojë të proceseve demokratike, por ata qenë përgatitur dhe kishin punuar me kohë për këto ndryshime. Do të ishte fusha e letërsisë dhe arteve, ajo që do ta ndjente më shumë mungesën e mendimit dhe fjalës së lirë, pengesat burokratike dhe skemat politike-ideologjike. Prandaj përmbysja që erdhi , duke sjellë lirinë dhe demokracinë, i dha krijimtarisë artistike frymëmarrje të gjerë, e shpëtoi nga censura dhe autocensura, i ktheu asaj dinjitetin e letërsisë së traditës, e bëri të pavarur artistikisht dhe qytetarisht. Por nga ana tjetër, në kushtet e shoqërisë së tregut, të një kapitalizmi të egër e një tranzicioni të stërzgjatur, për shkrimtarët janë krijuar vështirësi dhe pengesa të pamerituara. Vërtetë shpëtuam nga censura dhe autocensura, por pozita e shkrimtarit u bë tepër e vështirë nga pikëpamja ekonomike. Liria jonë u diktua nga kërkesat e një shoqërie kapitaliste, ne jemi të varur nga paraja, nga ekonomia e tregut. Pavarësia jonë artistike cenohet rëndë nga pavarësia ekonomike. Nuk ka më ndihmë e mbështetje nga shteti si dikur. Shkrimtari është kthyer në lypës, që për të botuar një vepër duhet t’i zgjatë dorën biznesit.
Ligjet e shtetit demokratik për letërsinë janë të varfra, gati mjerave. Shkrimtarët janë i vetmi komunitet që nuk kanë një organizatë që t’i përfaqësojë e t’i dalë zot për të drejtat e nevojat e tyre. Edhe selia e saj u zaptua në mënyrë të dhunshme nga shteti dhe askush nuk e vë në vend këtë padrejtësi afro disa vjeçare.
R.M.: Me çfarë veprash përfaqësoheni në letërsinë shqipe paskomuniste?
N.J.: Gjatë këtyre viteve, krijimtaria ime letrare është pasuruar me vepra të reja, sidomos me tregime dhe proza poetike, siç janë vëllimet “Manastiri i dashurisë”, “Ishte një herë një dashuri”, “Shpirti i magjepsur”, “Ndëshkimi i bukurisë” etj. Këto libra janë mirëpritur nga lexuesi e kritika dhe janë çmuar veçanërisht për frymën dhe karakterin lirik, si dhe gjuhën koncize dhe elegante. Në këtë vazhdë janë krijuar dhe vëllimet poetike si “Nën hiret e bukurisë”, “Momente” dhe “Nën zë”, të përbëra nga hajku, një lloj poezie që lëvrohet sot në botën letrare sipas një tradite të vjetër japoneze. Më vjen mirë që hajkutë e mia kanë gjetur auditor të gjerë lexuesish. Kështu unë iu ktheva poezisë pas gjysmë shekulli, në moshën e pjekurisë dhe fatmirësisht jo pa sukses. Por vepra ime më e rëndësishme e jetës, që kam shkruar vitet e fundit, është studimi biografik “Jeta e Fan S. Nolit” në dy vëllime, për të cilën kam punuar mbi njëzetë vjet. Duke gjykuar nga opinioni publik dhe ai kritik, kjo vepër shënoi një ngjarje në studimet fanoliane dhe përgjithësisht të letërsisë biografike.
Në mes botimeve të tjera që i kam dhënë letërsisë sonë është përmbledhja studimore “Hire letrare, shpalime historike” si dhe dy veprat antologjike “Poezia lirike shqipe midis dy luftërave 1914-1944” dhe “Proza e shkurtër e traditës (!685-1944)”. Nuk mund të lë pa përmendur përgatitjen dhe botimin voluminoz “Letërkëmbimi i Fan Nolit”.
R.M.: Romani juaj “Dashuria e Mimozës” u vlerësua nga kritika e kohës dhe u mirëprit nga lexuesi i të gjitha kategorive. Çfarë vendi zë ai në krijimtarinë tuaj?
N.J.: “Dashuria e Mimozës” është dallëndyshja ime e parë që u duk në qiellin e letërsisë së kohës. Një vepër që zë një vend të veçantë në krijimtarinë time, parë nga një këndvështrim subjektiv. Është dhe mbetet dashuria e brezit tim, një botë emocionale dhe raporte disi të ndryshme nga brezat e sotëm, sidomos për ndjenjat fisnike, për raportet e sinqerta, për seriozitetin e marrëdhënieve, për romantikën e tyre të bukur etj. Personalisht, është vepra që e ndjej më të afërt dhe e vështirë, në mos e pamundur, për të shkruar një të dytë si ajo. Kanë mbetur të paharruara mbresat që më la jehona e saj te lexuesit. Takime, diskutime, letra, vlerësimi i shtypit, përhapja e saj në shumë mjedise të rinisë, shkollore e ushtarake, dhe komunikimi me lexuesit si asnjëherë tjetër. Dhe kjo se në faqet e “Dashurisë së Mimozës” është bota e mrekullueshme e rinisë që ikën e s’kthehet më.
“Dashuria e Mimozës” ka njohur disa botime para dhe pas viteve 90 dhe kjo më gëzon si për asnjë vepër tjetër. Tani ajo është përsëri në shtyp, për t’u lexuar më tej nga brezat e rinj.
R.M.: Romani juaj “Mërgata e qyqeve” në dy vëllime, veç të tjerash ngjall kureshtje dhe dua të di se cilat qenë motivet dhe rrethanat që ju bënë ta shkruani?
N.J.: Romani “Mërgata e qyqeve” përbën një vepër të veçantë në krijimtarinë time. Është libri im më i lexuar, që zgjoi shumë interes në kohën kur u botua për herë të parë, por dhe sot lexohet, bile ngjall debate dhe pse jo edhe probleme në kushtet e një shoqërie pluraliste. Është një temë e vështirë, një subjekt delikat, që kalon në teh të thikës së historisë sonë moderne, ku plekset historia me politikën, politika me jetën sociale, jeta me njeriun, marrë në shumë plane psikologjike. Dhe këto përmes një gërshetimi të dramës me komedinë, siç ka ndodhur në jetën e çdo emigracioni politik gjatë historisë. Është fati i një shtrese shoqërore shqiptare, ai i të mundurve në Luftën antifashiste Nacionalçlirimtare që tentuan të bëjnë histori, por që u mundën prej saj. Kjo përbën dhe tharmin e romanit, që ngjizi veprën dhe i dha atë origjinalitet tanimë të njohur.
Romani njohu tre botime para viteve 90 dhe ky fakt bëri që edhe pas shembjes së sistemit socialist, të kisha kërkesa të lexuesve dhe kolegëve për ta ribotuar. Atëherë vendosa ta botoja rishtas dhe për arsyen që të provoja sa i kish qëndruar vepra kohës. Në radhë të parë artistikisht, por dhe për vërtetësinë historike-psikologjike. Nga ana tjetër, të tregoja se romani nuk ishte thjesht një libër propagandistik, por një vepër e qenësishme letrare, që sfidon kohën dhe e bën jetën e tij të pavarur. Mirëpritja nga lexuesi tregoi se romani i kish qëndruar kohës, duke i ruajtur vlerat kryesore të tij edhe në kohën e vështirë të tranzicionit. Romani e rigjeti tregun dhe tërhoqi një masë të gjerë lexuesish. Ai u pranua si nga lexuesit e brezit të vjetër, ashtu dhe nga lexues të brezit të ri. Më bëri përshtypje fakti që dhe kundërshtarët politikë të romanit nuk iu kundërvunë publikisht veprës, madje me disa prej tyre, njerëz seriozë, pata dhe debate normale e të dobishme.
Romani sot nuk gjendet në treg sepse është tërhequr nga lexuesit. Përsëri ka lindur nevoja e ribotimit. Unë e kam ripunuar më tej artistikisht, pa prekur thelbin e tij. Ai mbetet produkt i një kohe dhe sistemi të historisë shqiptare dhe si i tillë gjithnjë do të joshë interesin dhe vëmendjen e një publiku të caktuar.
R.M.: Si ndjehet prof. Nasho, më shumë krijues apo studiues? Apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi midis tyre?
N.J.: Në krijimtarinë time ekziston një gërshetim mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Është fakt se një nga fushat e mia të lëvruara nëpër vite paraqitet letërsia dokumentare. Këtë e dëshmojnë veçanërisht veprat biografike kushtuar figurave historike si ajo e F. Nolit, Q. Stafës, V. Laçit. Por, siç thoni edhe ju, unë jam njëkohësisht krijues dhe studiues, dy sfera intelektuale të gjera dhe komplekse, që bashkëveprojnë dhe ndihmojnë njëra tjetrën, por ka raste që edhe e pengojnë. Studiuesi e ndihmon krijuesin të jetë sa më i saktë, të respektojë të vërtetën, kurse krijuesi i vjen në ndihmë studiuesit të shprehet qartë e bukur, të ketë një ind letrar, në dobi të nivelit të studimit.
E kam të vështirë të them se ndjehem më shumë krijues apo studiues. E shprehur figurativisht, fushën e punës time intelektuale e lëvroj me dy qe, që ecin në krah të njëri tjetrit. Kurse për sa i takon vështirësive, sigurisht secila ka të vetat, por puna e studiuesit paraqet një proces më të ndërlikuar, sepse varet shumë nga hulumtimet arkivore, nga shfrytëzimi i shtypit etj., që lypin sinteza dhe analiza, ballafaqime dhe diskutime. Një gjë e tillë nuk ndodh me krijuesin, i cili sado që punon për të njohur realitetin e për të mbledhur materialin jetësor, prapë është më i pavarur. Mbështetet në radhë të parë në përvojën e tij, në fantazinë dhe imagjinatën krijuese. Miku dhe profesori im i paharruar studiues dhe krijues i mirënjohur Dhimitër Shuteriqi, kur e kam pyetur në rininë time se cila prej tyre ishte më e vështirë më është përgjigjur: “S’ka dyshim që puna studimore, ajo kthehet ndonjëherë në ferr të vërtetë, kurse puna letrare, sado halle që ka, operon më shumë me emocione e imagjinatë, që nuk të mundojnë si studimi”. Këtë e provon qartazi edhe përvoja ime.
R.M.: Ju keni një përvojë të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë dokumentare, me një sërë veprash të suksesshme. Si keni operuar në trajtimin e figurave të ndryshme që i keni kthyer në protagonistë?
N.J.: Puna ime studimore përfshin disa fusha: monografi, artikuj kritikë, shpalime historike, antologji, gjurmime, portrete, udhëtime letrare etj. Kjo gamë e gjerë është diktuar nga dhuntitë dhe interesat e mia shkencore, por dhe nga profili im si profesor i letërsisë shqipe për më se tre dekada në Universitetin e Tiranës. Kërkesat dhe nevoja për të dhënë në auditor leksione me nivel dhe me burime të reja ose të panjohura më ka bërë t’i përkushtohem punës hulumtuese, bibliografive etj. Një punë e tillë më ka futur në histori, të njoh përmes dokumentesh figura, ngjarje, rrethana, pikëpamje dhe mentalitete, debate dhe konflikte, që i kanë shërbyer studimeve të mia. Ka ndodhur ajo që thoni ju, të dialogoj me të dhëna dhe ide nga më të ndryshmet të etapave historike, sidomos të periudhës 1912-1944. Kështu kanë lindur librat e mi studimorë, duke filluar nga “Silueta letrare”, “Estetika e fjalës shqipe, “Poetika e dokumentit”, “Për Fan Nolin e të tjerë”, “Portrete dhe gjurmime”, “Profile dhe probleme letrare” etj. Krahas studimeve për vite me radhë jam marrë dhe me mbledhjen dhe përgatitjen e veprave të zgjedhura ose të plota si ato të F. Nolit, F. Konicës, L. Skëndos, M. Kutelit, H. Stërmillit, G. Palit, M.S. Gurës etj. Një punë kjo që më ka ndihmuar ta njoh krijimtarinë e tyre në gjerësi dhe thellësi dhe të shkruaj studime mbi ta. Nga kjo pikëpamje jam përqendruar te autorë madhorë si Noli, Konica, Kuteli, por dhe Stërmill, Pali etj.
R.M.: Në kapacitetin tuaj krijues, një vend të nderuar zini dhe si skenarist. Çfarë ju tërhoqi në këtë fushë dhe si arritët të realizoni vepra të suksesshme?
N.J.: Skenari ka qenë një gjini tjetër që kam lëvruar nëpër vite, sidomos në vitet 50-70. E nisa me skenarin e filmit “Tana”, së bashku me kinoregjisorin dhe mikun tim të rinisë Kristaq Dhamo, që shënoi filmin e parë artistik me metrazh të gjatë në kinematografinë shqiptare. Mund të them se “Tana”ishte më tepër një sprovë, falë më shumë pasionit se sa aftësisë së vërtetë që lyp kjo gjini. E megjithatë, premiera e saj shënoi një ngjarje në jetën tonë artistike dhe kulturore, që unë e përjetova me emocion të thellë. Kjo më nxiti pastaj të shkruaja më vonë skenarin e filmit “Duel i heshtur” që u realizua mjeshtërisht nga kinoregjisori Dhimitër Anagnosti. Ky film konsiderohet nga veprat klasike të kinematografisë shqiptare.
Aktivizimi në fushën e kinematografisë vazhdoi me dy skenarë kushtuar jetës së fëmijëve, siç qenë “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, mbështetur në tregimet  e mia. Puna e talentuar dhe e përkushtuar e kinoregjisores Xhanfise Keko në realizimin e këtyre skenarëve, i dha spektatorëve të vegjël dy nga filmat më të bukur të saj dhe më gjerë. Me këtë bashkëpunim e mbylla veprimtarinë time në fushën e filmit artistik, jo se nuk kisha interes, por nuk e përballoja dot, po të mbahen parasysh angazhimet e mia kryesore, siç qenë krijimtaria letrare dhe puna studimore. Veç kësaj, nuk duhet harruar se puna në fushën e kinematografisë është punë kolektive dhe kjo më pengonte në veprimtaritë e mia parësore. Sepse, siç thotë kineasti i madh francez Rene Kler, filmi artistik, duke qenë vepër kolektive, rilind tri herë: së pari në tavolinën e shkrimtarit-skenarist, se dyti në sheshin e xhirimit dhe së treti në bankën e montazhit. Kuptohet që një proces i tillë i gjerë e i komplikuar, i përballuar nga një tabor krijuesish, nuk i shkonte natyrës time. Kështu u largova dalëngadalë, me gjithë ftesat dashamirëse të regjisorëve për bashkëpunim. Bashkëpunimi im i fundit qenë disa skenarë për filma dokumentarë kushtuar figurës së F. Nolit, Q. Stafës, Dh. Shuteriqit etj. Kështu u ndava nga kinematografia, por prej saj fitova një përvojë të re dhe ruaj kujtimet më të mira. Dua të them se te skenari më çoi proza, puna ime si prozator. Sipas teoricienëve të kinematografisë, skenari ka më shumë lidhje me prozën se sa më gjininë e dramës. Dramaturgjia skenike është e ndryshme nga ajo e filmave.
Për sa u takon lidhjeve të skenarit më letërsinë, është e vërtetë se prej tyre janë realizuar kino-kryevepra, falë punës së lartë cilësore të shkrimtarëve të mëdhenj. Por praktika tregon se jo gjithnjë këto lidhje janë të suksesshme, sepse jo gjithnjë veprat letrare klasike i përshtaten ose i përgjigjen kërkesave specifike të kinematografisë.
Pa dyshim që shkrimtari është nga figurat krijuese kryesore të filmi, aq sa unë, në fillimet e mia, mendoja se ai është parësori. Por me kohë kuptova dhe u binda se filmi në radhë të parë është vepër e regjisorit dhe kjo tanimë ka marrë qytetari të plotë. Megjithatë, janë të pashmangshme kontradiktat dhe fërkimet mes skenaristëve dhe regjisorëve, por kur këto kapërcehen me sukses, janë për të mirën e filmit.
R.M.: Në fushën e letërsisë dokumentare ju keni arritur kulmin me veprën “Jeta e Fan S. Nolit”. Cila është rruga që ndoqët deri këtu?
N.J.: Keni të drejtë për atë që thoni se në fushën e letërsisë dokumentare unë kam një përvojë të pasur. Në të ndjehem më afër së vërtetës, të vërtetës së jetës dhe të vërtetës së historisë. Hapat e parë kanë qenë artikujt, esetë, studimet për të dalë tek veprat biografike, si kurorëzim i një pune të madhe hulumtuese, studimore dhe letrare. Biografia është një sintezë e historisë dhe e letërsisë, që kërkon pasion, vullnet dhe vetëdije të lartë për të vërtetën, larg çdo subjektivizmi. Vepra ime e parë biografike ishte “Qemal Stafa”, kushtuar heroit tim të rinisë, për të vijuar me “Atentatin e Perandorit”, për heroin antifashist Vasil Laçi. Me këtë eksperiencë, i hyra punës tepër të vështirë për të shkruar jetën e Fan Nolit, një figurë kjo e madhe dhe poliedrike e historisë dhe kulturës shqiptare. Fan Noli, veç të tjerash, do të ishte heroi im i moshës së pjekurisë, të cilin e njoha dhe e rroka në tërë dimensionin e tij pas një pune gjurmuese dhe studimore për më se 20 vjet, i angazhuar intelektualisht dhe qytetarisht, me dashuri e përgjegjësi, por i distancuar nga subjektivizmi dhe entuziazmi që të ngjall figura e tij. Rikonstruksioni i jetës së Nolit në përmasat e një biografie kërkonte jo vetëm punë kërkimore, por dhe përgatitje kulturore-shkencore, që më vuri në pozitat e një studenti që duhet të kryejë një universitet të dytë për historinë, filozofinë, fenë, teologjinë, politikën, artet, psikologjinë etj. Do të më duhej të studioja ngjarje dhe figura historike, kontradikta dhe konflikte të natyrave të ndryshme, të depërtoja në psikologjinë dhe karakterin e tij kompleks. Nga ana tjetër, m’u desh të kryeja disa inkursione studimore, duke filluar nga vendlindja e tij e deri në SHBA, të takoja dhjetëra njerëz nga tre kontinente dhe disa epoka historike, të vilja materiale nga arkiva dhe shtypi, të shkelja dhe të thithja ajrin e mjediseve ku ai kish jetuar, krijuar dhe studiuar. Të zbuloja njeriun, patriotin dhe demokratin, intelektualin erudit e poliglot, artistin dhe shkencëtarin, politikanin dhe liderin, udhëheqësin shpirtëror. Të gjitha këto duhet të mishëroheshin në një figurë të vetme, të motivuara e të dokumentuara psikologjikisht dhe historikisht, me sens mase, duke përballuar morinë përmbytëse të fakteve e të dhënave, të problemeve dhe të rrethanave nga më të ndryshmet. Kështu lindi vepra “Jeta e Fan S. Nolit”, që përbën punën time më të vështirë e më me peshë që kam përballuar.
R.M.: Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
N.J.: Shkruaj sepse ndjej nevojë shpirtërore për t’u shprehur. Të shpreh mendime dhe emocione nga pozita e krijuesit, që do të thotë të rrëfej për ngjarje e mjedise, të zbuloj e të ndërtoj personazhe e karaktere, të përshkruaj natyrën, mbi bazën e subjekteve të marra nga jeta dhe kjo ka të bëjë me prozën e gjatë e të shkurtër. Por unë shkruaj dhe poezi, e cila ka të tjera kërkesa dhe lidhet me situata të ndryshme shpirtërore dhe motive që të ofron jeta.
Letërsia dokumentare që shkruaj ka kërkesa të tjera, është më racionale, ka të bëjë me kërkime e zbulime. Ajo operon me probleme, me teza e hipoteza, me analiza e sinteza, kërkon verifikime dhe argumente, nisur jo nga fantazia, por nga burime shkencore të themelta.
Sigurisht në punën time i përmbahem një disipline serioze. Punoj me orare të caktuara, me plane dhe nuk i bëj hile detyrave që i vë vetes. Si krijues kam dhe unë disa huqe që më shoqërojnë në punën e përditshme. Nuk e përfytyroj jetën time me ditë pa punë. Një ditë pa pune do të më dukej sikur do të më mungonte frymëmarrja intelektuale, pa të cilën jeta do të ishte bosh, vanitoze.
R.M.: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? Çfarë ju ka mbetur peng?
N.J.: Kam në shtyp “Jeta e Fan S. Nolit” në botim të dytë, të pasuruar me fakte dhe interpretime të reja mbi bazën e zbulimeve të bëra vitet e fundit. Po kështu pritet të dalë nga shtypi “Dashuria e Mimozës” në botimin e saj të pestë, si kërkesë në radhë të parë e lexuesve, pas debatit e interesit që ngjalli letra ime publike drejtuar I. Kadaresë. Kam gati për botim vëllimin e katërt poetik me hajku, me të cilin jam marrë kohë pas kohe.
Projektet e mia të ardhshme janë ndarë në mes letërsisë dhe studimeve: po merrem me një libër tregimesh dhe prozash të shkurtra, si dhe kam mbledhur materiale e po nis të shkruaj një cikël etydesh psikologjike, sociale dhe historike më temë “Faik Konica, njeriu”, një vepër tepër e vështirë, plot kontraste, me probleme të ndërlikuara dhe enigma. Shpresoj se mund të bëj diçka të dobishme. Ndërkaq, nuk do të lë pas dore publicistikën eseistike dhe artikujt historikë. Sa për pengjet, ato mbeten nga dhimbjet e mia të pashërueshme. Për artin dhe shkencën kufijtë kohorë kanë gjithmonë një cak. Vetëm kohën s’e kemi në dorë.
R.M.: A është i lirë shtypi sot?
N.J.: Liria edhe në kushtet e demokracisë është relativisht e kufizuar. Ndikojnë faktorët politikë dhe diktatet e shoqërisë së tregut.
Shtypi i përditshëm është shumë i politizuar, i ngarkuar me kronikën e zezë, pa kulturën e nivelin bashkëkohor, mungojnë disa lloje të rëndësishme të publicistikës e gazetarisë (reportazhi, portreti, fejtoni, kritika letrare dhe artistike etj.) Shumica e gazetarëve janë të rinj, pa eksperiencë, pa kulturën e duhur. Ka ardhur koha të përgatiten që në fakultet gazetarë të specializuar sipas fushave të artit, të kulturës, të shkencës, të problemeve sociale etj.
R.M.: Ç’është për ju dashuria?
N.J.: Çdo gjë që të them unë për dashurinë do të tingëllojë e njohur. Dashuria është një ndjenjë universale, por dhe individuale. Ajo qëndron në themel të jetës, pa të s’do të kishte jetë të vërtetë. Mbi të ngrihet arti, ngrihen punët e mëdha të çdo fushe të mendimit e të veprimit. Kufijtë e saj janë aq të gjerë e të thellë sa asnjë mendje e zemër njerëzore s’ka arritur t’i rrokë. Ka të drejtë Oskar Uaild kur thotë: “Misteri i dashurisë është më i madh se ai i vdekjes.” Sa për vete mund të them se dashuria e vërtetë është aq fisnike dhe e bukur sa çdo njeri duhet të jetë i denjë që ta meritojë. Dashuria është temë qendrore në krijimtarinë time, mjafton kjo që të tregojë  lidhjet e mia shpirtërore me ndjenjën më të madhe njerëzore.
R.M.: Cili është mesazhi juaj për inteligjencën shqiptare sot?
N.J.: E kam tepër të vështirë të jap mesazhe për kolegët e mi. Statura ime modeste ndoshta nuk ma lejon. Ato mund t’i gjeni në trajta të ndryshme në veprat e mia.
Ju faleminderit.
Bisedoi:Raimonda MOISIU


No comments: