Pavdekësia e profesorit, shkrimtarit Nonda Bulka, njeriut midis njerëzve fisnikë dhe të thjeshtë
Nga Alfred Papuçiu
Sa më shumë ikin vitet, për mua mbetet i paharruar profesori i letërsisë frënge në Fakultet, Nonda Bulka.
„Jam arbër dhe arbëri është gjithmonë i lashtë e është gjithmonë i ri“
Mbeten aktuale të gjitha poezitë, skicat, tregimet, rrëfenjat, letrat drejtuar miqve, leksionet në Fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe dhe frënge në Universitetin e Tiranës të profesor Nondës. U mbushen 114 vjet nga lindja e njërit prej korifejve të letërsisë shqipe, shkrimtarit Nonda Bulka. Kushdo që ka patur fatin të bisedojë me të, të dëgjojë fjalët e tij, të shohë fytyrën e tij të vrarë nga jeta, por të qeshur, ndjen një nostalgji të thellë, pasi ai nuk ndodhet më midis nesh, qysh nga viti 1972. Arbëri, siç e quante ai veten me krenari, mbetet gjithmonë pranë nesh. E shihje gjithmonë të menduar me ato flokët e tij të gjatë, që e fisnikëronin atë burrë jo shtatgjatë, me një shikim të mprehtë dhe me sy të kaltër. Në jetën e tij të shkurtër 66-të vjeçare (1906-1972), ai kishte qënë një prej penave më të mira midis shkrimtarëve të sërës së vet. Kishte shkruar shumë, por botuar pak. Kishte shumë për të thënë, por fliste pak. „Letërsia, shprehej ai në leksionet që na jepte në gjuhën frënge, „është mënyrë e të shprehurit, thellë, si dhe pasqyrë e vërtetë e mjedisit social“.
Duke qënë një prekursor i letërsisë së viteve 30, ku ai kishte kritikuar hapur dhe me satirë regjimin feudal dhe padrejtësitë e kohës, Nonda Bulka më tepër ju kthye veprave të tij të atyre viteve, në mënyrë që të mos sulmonte drejtpërdrejt mangësitë e regjimit komunist dhe mungesën e të drejtave të njeriut. Ai kishte tepër merita, por kurrë nuk u mburr dhe nuk kërkoi aq sa në të vërtetë i takonte! Ishte trim dhe krenar që ishte shqiptar, gjë që e kishte shprehur edhe gjatë kohës që kishte bërë burg në Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Më 1934 botoi me pseudonimin e tij Chri-Chri shkrimet e tij therëse, fejtone dhe skica, nën titullin « Kur qan e qesh biblili ». Bashkëpunoi tek « Besa », « Flaga »,« Rilindja » (Korçë), « Bota e re » (Tiranë), « Diana ». Nonda bashkëpunoi dhe me gazetat dhe revistat « Arbënia », « Përpara », « Përpjekja shqiptare » etj., ku trajtoi probleme të shumta politike dhe shoqërore. Vite më pas çlirimit ai ju përkushtua punës si pedagog i gjuhës shqipe dhe frënge, por dha dhe një ndihmesë të çmuar me shkrimet e tij therëse në revistën « Hosteni ». Në vitin 1962 botoi « Bota siç ish kur qante dhe qeshte bilbili », si dhe një numër vëllimesh në prozë, por që janë më tepër publiçistikë letrare. Poezitë e Nonda Bulkës janë me tipare origjinale dhe që transmetojnë emocione të veçanta. Ato përbëhen shpesh nga vargje të figurshme e të ndjera, ku shprehet dhimbja dhe gëzimi, satira dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Ato shquhen për vargëzimin klasik, për ekuilibrin midis thënies dhe domethënies. Ato shprehin temperamentin e autorit, gazmor dhe meditues, i zëmëruar me të paudhin, por vrasës me pambuk…Shkrimtar realist dhe satirik, ai me veprën e tij luajti një rol të veçantë për zhvillimin e satirës dhe të një letërsie sociale me frymë demokratike. Nonda Bulka mbante lidhje të forta me vendlindjen, dhe shprehte me pathos dashurinë për njerëzit e thjeshtë të Përmetit, të cilët e bënë edhe „Qytetar Nderi“.
Para 50 vitesh, në vitin 1965, kur i thashë njëherë profesorit tim të nderuar të letërsisë frënge në Universitet, me të cilin kuvendoja shpesh, se e kishin cilësuar jo më kot: « Biblil i Përmetit », ai m’u kthye duke ndezur si zakonisht atë gjysëm cigaren e tij : « Dëgjo, i dashur Fredi, Përmeti dhe Shqipëria kanë patur dhe kanë njerëz të shquar, më tepër se unë ». „Megjithatë, vazhdoi ai, unë jam arbër dhe arbëri është gjithmonë i lashtë dhe është gjithmonë i ri“. I kujtoj këto fjalë të profesorit tim të nderuar, që shprehin botën e tij shpirtërore, të mishëruar në veprat e tij madhore që do të mbeten në duart e lexuesve, në jetë të jetëve. Ato shprehin pavdekësinë e profesorit, shkrimtarit, poetit, humoristit, njeriut-njeri, fisnik. Profesorit që vinte në Fakultet, si flutur, me biçikletën e tij „Bianki“. Ashtu i thjeshtë siç ishte dhe mbeti gjithë jetën e tij të shkurtër.
Atëhere nuk e zgjata, pasi nuk i pëlqente lavdërimet. Por tani që ai nuk është midis nesh, i lejoj vetes t’i thurr lavde atij njeriu të madh, por tepër modest. Edhe kur bënte vërejtje për ndonjë shkrim të botuar apo shkruar nga studenti i tij, përpiqej që të « vriste me pambuk ». Bënte vërejtje shoqërore, por me tepër takt dhe maturi.
Nonda Bulka, nuk i duroi asnjëherë padrejtësitë shoqërore, bile edhe kur ishte me ne si profesor letërsie. Nuk e përtypi mirë meskinitetin e një pedagogu profan N. që pengoi një grup të studentëve të tij të vazhdonin studimet jashtë shtetit, në Francë, pasi sipas atij pedagogu « ishin akoma të rinj »(?!). Nonda ishte ngritur kundër, por ai pedagogu me ofiq i vitit…1966 « kishte fituar » me argumentat e tij banale. Nuk pranoi lavde, megjithëse i takonte për qëndrimin e tij të paepur, për prozën e tij poetike me nerv, për skicat humoristike nga më të mirat gjatë viteve 30-të e më tej, kur vazhdoi të botojë, sidomos në « Hosteni ». Merrej edhe me përkthime nga letërsia frënge, të cilën na e shpjegonte me aq pasion e bukuri. Shpesh qëndronin me sy të ngulur te shikimi i tij serioz, te pamja e tij njerëzore, shprehëse dhe e zgjuar, kur na tregonte për Hygoin, Rabelenë, Dumasin, Merimenë, Lamartinin, Mopasanin, si dhe pena të tjera të shquara të letërsisë franceze, atje në katin e dytë të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Megjithëse ishte një nga personalitetet e shtypit të viteve ’30, polemist i shtypit të atyre viteve, ai fatkeqësisht është përmendur pak nga kritika e viteve të mëvonshme ose mund të themi se është anashkaluar pa të drejtë. E vërtetë se ishte modest së gjalli dhe nuk pranonte të jepte intervista apo të afishonte dijet, zgjuarsinë e tij të pamasë, por meritat e tij njihen nëpërmjet poezive, prozave poetike e sidomos skicave humoristike... Nonda Bulka njerëzori, i urti, i dashuri, i dhëmshuri, e meritonte më tepër të përmendej jo vetëm për to, por edhe për përkthimet me vlerë nga shkrimtarët francezë, për përmbledhjet e « Tregimeve të moçme shqiptare » të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko), etj etj. Nga skicat, fejtonet dhe shkrimet e tij më të mira mbaj mend « Intervistë me Shën Pjetrin », « Mësim gjeografie », « Vija e vdekjes », « Kujtime tragjikomike », « Përralla abisine » etj. Profesor Nonda ishte tepër mirënjohës dhe gjatë kohës që kurohej në Rumani la këtë shënim : « Atdhetarit veteran Dhimitër Kristesku, i dhuroj këtë vepër modeste, në shënjë mirënjohjeje, për mikpritjen, dashurinë dhe ngrohtësinë që ka treguar ndaj meje, me gjithë familjen e tij »(Bukuresht, 31 maj 1972). Gjyshi i sime shoqeje, Dhimitër Kokoneshi që e kishte patur profesor Nondën, shok të ngushtë, pasi qëndronin bashkë në pushime në Pogradec, tregonte se ishte njeri me karakter, nuk mashtronte kurrë kur luanin sëbashku me letra, apo edhe e quante tepër modest, kur shokë të tjerë të një moshe pak a shumë të avancuar, nxirrnin meritat e tyre të « Luftës ». Ai vetëm buzëqeshte dhe vështronte me shikimin e tij të mprehtë, por tepër domethënës…U nda nga ne nga kjo jetë, më 14 nëntor 1972, pasi e breu sëmundja e pashërueshme, njeriun e mirë, të çiltër, të madhin Nonda Bulka. Vepra « Gazetarë dhe publicistë të shquar » (Fjalor enciklopedik), botuar në 2005 nga Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV), me drejtues Prof. Dr. Hamit Boriçin, i jep një vend të dukshëm figurës së publicistit dhe shkrimtarit pendëartë, Nonda Bulka. Ashtu, siç kemi parë këto vite të demokracisë aty këtu edhe përmbledhje të shkrimtarit penëartë.
Kam shumë kujtime nga profesori im i paharruar Nonda Bulka. Gjatë viteve të Fakultetit, nga bisedat e çiltëra me të, kur pushonte pak të pinte gjysmën e cigares, apo kafen ekspres, apo atje në apartamentin e tij të vogël, në rrugën e Durrësit. Për mungesë vendi po ju tregoj njërin prej tyre.
Ishte pranverë e vitit 1966. Profesori ynë Nonda Bulka hyri në klasë dhe nuk na kërkoi si zakonisht leje për të pirë një gjysëm cigare, por na tha : “ Sot letërsinë, nëse jeni dakord, do ta bëjmë jashtë në natyrë, afër kodrave të liqenit artificial ”. Nuk e di por ishte diçka e veçantë që do ta ruaj si kujtim gjithë jetën time, ashtu si edhe bashkëstudentët e vitit të dytë të degës së frëngjishtes. Chri-Chri, pseudonimi i tij letrar në vitet 30-të, na shpjegonte me aq dashuri dhe përsosmëri ecurinë e letërsisë frënge, sa ne shpesh kishim dëshirë të qëndronim akoma më gjatë me të, edhe pas rënies së ziles që tregonte mbarimin e orës së mësimit. Ai kishte qënë një nga nxënësit dhe profesorët më të mirë të Liceut francez në Korçë dhe kishte studjuar jashtë shtetit. Kishte udhëtuar dhe lexuar shumë dhe dukej që kishte një formim të përkryer që shprehej dhe në leksionet që na jepte, në shkrimet e tij realiste dhe tepër të forta në ide. Na fliste me aq pasion e dashuri për Viktor Hygonë, Romen Roland, Henri Barbusse, Mysenë dhe shkrimtarë të tjerë dhe me shpirtin e tij romantik na tërhiqte në atë botën e bukur të letërsisë frënge. Përkthente dhe vepra të letërsisë frënge, sidomos romane të shekullit XIX. Dhe po ta shohësh me kujdes veprën e Nonda Bulkës së paharruar ajo është një polemikë e një gazetari pendëhollë, e poetit, e narratorit apo e një kritiku dashamirës letrar. Pamfletet e tij të shkurtër në përmbledhjen e tij “Kur qante e qeshte bilbili”, botuar në 1932( ribotuar edhe më vonë, si dhe vepra të tjera të tij), “Vjershat satirike”, “Fabulat” dhe “Maska të çjerra” janë një pasqyrë e shpirtit të tij të pastër, njeriut me karakter të fortë, gjithmonë i buzëqeshur dhe tepër zemërmirë. Flisnim bashkë për letërsinë, i tregoja shkrimet e mija ku më bënte vërejtje të sakta, si fëmijës së tij, « pa më vrarë », por thjesht si një prind i vërtetë. Më tepër më qortonte im atë që kishte një jetë të tërë si gazetar dhe nuk donte qëllimisht që unë të futesha në rrugën e vështirë të shkrimit. Profesor Nonda ishte njeri i madh dhe na donte si fëmijët e tij, na qëndronte pranë, na këshillonte, sepse jeta e tij tërë dallgë, nuk i kishte falur një fëmijë të vetin…Pengu i jetës së tij që deri diku largohej në çastet që ai qëndronte midis nesh, si i njëjtë me ne, pa artifica e mëndjemadhësi, si ai profesor N. i cili edhe frëngjishten nuk e shqiptonte si duhet.
Profesor Nonda na thërriste herë pas here në shtëpinë e tij në rrugën e Durrësit, ku diskutonim me pasion për letërsinë frënge dhe shqipe dhe ku na servirte edhe ndonjë raki nga Përmeti i tij. Ishte një apartament i vogël prej një dhome dhe një guzhinë. (Nuk kishte kërkuar më tepër, edhe pse njëherë i kishte shkuar për vizitë E.Hoxha, pasi kishin qënë bashkë në Liceun e Korçës). Nonda Bulka shprehej herë pas here me humor ; "Shtëpi e ngushtë, zemër e gjerë". Kështu ua priste me të qeshur, mjeshtri i prozave poetike e skicave humoristike, të gjithë atyre që vërenin jo pa keq ardhje, dhomën ku jetonte së bashku me të shoqen. Edhe me ndryshimin e shtëpive, shumë më para se të jetonte në shtëpinë te Rruga e Pishave, e më pas te Pallati i Oficerëve, vendi ku banonte shkrimtari i njohur mbetej gjithnjë një dhomë. E vogël, e ngushtë dhe gjithnjë plot. Në apartamentin e ri, Nonda Bulka jetoi dy muajt e fundit të jetës së tij. Pas marrjes së shtëpisë, e vetmja dëshirë që shkrimtari donte të realizonte, ishte që të sistemonte veprën e tij në një dhomë, gjë që i kishte munguar gjatë gjithë jetës. Por vdekja s'e priti. Kjo është edhe ëndrra e Qefserit, kthimi i një dhome në muze ku do të jenë të ekspozuara të gjitha veprat dhe objektet më të dashura të shkrimtarit.
Që kur kishte vendosur të jetonte në Tiranë, pas kthimit nga Franca ku mbaroi studimet për letërsi, NondaBulka kishte jetuar në një sipërfaqe të vogël, ku jo rrallë herë librat i prisheshin nga lagështira. E kujtonte me mall, shtëpinë e tij të fëmijërisë në Leusë të Përmetit, veçanërisht atë verandën e madhe ku gjente prehje, të cilën e gjeti të djegur, si edhe pjesën tjetër të shtëpisë, kur shkoi ta vizitonte pas çlirimit. Si gjithmonë, Chri-Chri (pseudonimi me të cilin shkruante Nonda Bulka), çdo ngjarje, sado të trishtë, do e shoqëronte me humor. Edhe në rastet kur humorin s'e bënte ai, e bënte vetë ngjarja.
Qefseri, ish-bashkëshortja e tij, kujton se kur arriti Nonda në Leusë për të parë shtëpinë e tij, e morën për diversant. "Shumë pak njerëz e njihnin se ishte larguar për studime, e vetëm pasi e verifikuan në polici e lanë të lirë", kujton ajo duke shtuar se Nonda të bënte të qeshje me lot kur e rrëfente historinë. Në këtë shtëpi, u dogj nga nazistët biblioteka e tij aq e madhe saqë iu kishte rënë në sy edhe ushtarëve, që kishin thënë se këtu paska jetuar një njeri shumë i rrezikshëm. Por edhe në shtëpitë e tjera, kur s'kishin gisht nazistët, librat patën një fat të ngjashëm. "Në vitin 1950, jetonim në një dhomë të një shtëpie private tek Rruga e Pishave", tregon ish-bashkëshortja e shkrimtarit. Për 12 vjet, ai punonte, flinte, hante, krijonte në atë hapësirë të vogël që e paguante me qira. Në vitin 1972, atij i dhanë një dhomë në rrugën e Durrësit, në Pallatin e Oficerave, pasi u transferua me punë në Shkollën e Partisë, ku jepte lëndën e gjuhës. "Meqe jemi te shkolla e Partisë, po kujtoj një humor që Nonda e tregonte shpesh", thotë Qefseri. "Nonda po bënte diktim një ditë, dhe kur po i korrigjonte fletoren një gjenerali i thotë përse fjalën "Partizan" e ke shkruar me të madhe dhe fjalën "hitler" me të vogël? - Po partizanët ishin heronj, ndërsa Hitleri ishte pushtues. -Po gramatika nuk e ka kështu- iu përgjigj Nonda. -Epo atëherë, ajo është gramatikë borgjeze- i thotë gjenerali"
Me të tillë humor profesori mblidhte në shtëpinë e vogël, shumë miq të tij.
Kur shkonim në apartamentin e tij, shihnim ndonjëherë televizorin, pasi në atë kohë ishin të rrallë. Kishte marrë në Rumani, një xham me ngjyrë për televizorin dhe shikimi ishte me një refleks disa ngjyrësh. Në Rumani kishte shkuar për t’u kuruar nga gryka, sëmundje që fatkeqësisht ja shkurtoi jetën. Dhe një ditë e përcollëm në banesën e fundit në vitin 1972, në moshën 66 vjeçare.
Profesor Nonda kishte një bibliotekë shumë të pasur, sidomos me autorë francezë, por edhe të vendeve të tjera ku kishte vajtur, si autorë rumunë dhe herë pas here na jepte libra për t’i lexuar.
Njëherë një shok i fakultetit tonë, Ylli, u bë gati të merrte një libër nga biblioteka. Profesori, pa u ngritur, por me zërin e tij impulsiv, pjesë e karakterit të tij, e ndërpreu në hovin e tij : “ Djalë, para se të marrësh atë libër, ki parasysh se duhet të kthesh tjetrin që ke marrë ”…Dhe shtoi: “Dua t’u le dhe brezave të tjerë të shfletojnë librat e mi”.
Kujtim Hysenaj, shoku ynë i klasës, që u largua shpejt nga kjo jetë, me atë të qeshurën karakteristike, na bëri edhe neve që të shpërthenim në gaz.
Ky ishte një mësim i bukur për çdonjerin nga ne. Qysh atëhere më ka mbetur pasion i veçantë t’i ruaj me kujdes librat, kudo që kam qënë, në banesën time në Tiranë dhe kudo që më kanë çuar rrugët e jetës. Në ato mijra botime mbaj si të ralla disa libra të profesorit tim Nonda Bulka, si dhe të profesor Vedat Kokonës.
Më poshtë po ju japim disa rrëfenja nga jeta e shkrimtarit Nonda Bulka
Vizita e Enverit dhe shtëpia e mirë.
Atëherë mund të bëhej me shtëpi. Ish-drejtuesi i regjimit diktatorial, si në shumë shkrimtarë të tjerë do të bënte një vizitë edhe në shtëpinë e Nonda Bulkës. Ishte një nga përvjetorët e Lidhjes së Shkrimtarëve. "Se mos bën gabim e kërkon shtëpi gjatë vizitës", e kishte porositur shkrimtari bashkëshorten. Zakonisht, në këto raste, ata që kishin probleme me shtëpinë, e zgjidhnin këtë problem. "Nexhmija, më pyeti se si i keni punët me shtëpinë. Unë i thashë se ishim shumë mirë, dhe shumë të kënaqur", tregon ish-bashkëshortja e shkrimtarit. Kështu të gjithë ata që mendonin se pas vizitës së Enverit, Nonda Bulka do të bëhej me shtëpi, e humbën bastin me veten. Me Enverin, ai kishte qenë në të njëjtën kohë për studime në Francë, por megjithatë ata vetëm e njihnin njëri-tjetrin dhe s'ishin miq. Qefseri tregon se Nonda s'ishte bërë kurrë anëtar partie. "Prozave poetike dhe fejtoneve që shkruante, që t'ia botonin i fuste nga një Parti në fund, dhe më thoshte mua që e kishte vënë në fund që kur të vinte koha ta heqja", tregon ish-bashkëshortja e tij.
4 qeshor 1971, Bukuresht
Të dashur shokë, Sterjo*, Zisa*, Fate
"L'inevitable, l'inexorable, l'ineluctable, l'irreparable ...erdhi. (E paevitueshmja, e papërthyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja..). Po hyj edhe unë në listën e kandidatëve të 50000-ve që i venë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliardave frymorëve që mbërthen globi..". Këto mendime trazonin trutë e mija të thartuara, ndërsa aeroplani çante qiejt. Kur zbrita, ndryshova mendim. Janë ato grackat e pabesa të jetës që shpesh tallen me ne. Mora penën t'ju shkruaj shokë të dashur. Se s'kam ç'bëj këtu në spital. Doktorët më panë në fillim dhe janë optimistë. Na mbyti optimizmi... Këto ditë do të më shikojnë me nge. Spitali i mirë..po spital..Optimizmi dhe pesimizmi alternohen si dita pas natës, po më shumë natë se ditë, megjithëse verë.
Dokumentat e spitalit të atyshëm rreth sëmundjes time nuk kanë ardhur, as në ambasadë, as në spital. S'di pse. Unë paraqita xhamat e biopsisë që t'i ekzaminojnë ata. I kisha marrë me vete. S'di çdo të thotë shkenca, se ka raste kur shkenca i
ha m…sëmundjes. Siç e shihni edhe nga këto fjalë, shokë të dashur, humori i
një farë Nonda Bulka është dhj...fare. Ishallah t'i kthehet prapë, por si zorr e
kam. Tashti po e mbyll duke ju puthur të gjithëve familisht. Sot i shkrova
edhe Qefserit - po ndryshe.
Juaji me dashuri, Nonda
P.S: Në hyrje të spitalit me shkronja të padukshme, po që duken është shkruar
"Voi ch'entrate Lasciate ogi speranza"
(Ju që hyni, braktisni çdo shpresë).
Jo Dante, po K...(Kancer)
• Sterjo Spasse dhe Zisa Cikuli, shokët e tij më të afërt
Demoni që s'mundi dot
Nonda Bulka s'e hiqte cigaren nga goja. Çuditërisht, ajo e ndihmonte muzën e tij. Madje dhe një festë të vitit të ri, ku me firmë e me inçizim o zotua para shokëve të mos pinte më duhan që pa gdhirë e "shkeli" betimin. "E gjeta duke kërkuar në hi, paketën që kishte hedhur në darkë", kujton e shoqja me humor. Po ajo thotë se s'qe duhani që ia shkaktoi sëmundjen shkrimtarit, por mërzia nga vdekja e të vëllait të tij. "Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin që më ka kapur për gryke", tha shkrimtari kur mori Urdhrin "Naim Frashëri" i Klasit të Parë. Atëherë ai kishte filluar të bënte atë që s'e kishte bërë gjer më parë. Kishte bërë kërkesa të shumta për një shtëpi. "I kish dërguar një letër prekëse Manush Myftiut, pa dijeninë time dhe brenda pak kohe na dhanë shtëpi", tregon Qefseri. Chri Chri kishte shkruar dhimbshëm. Ata që kanë lexuar "Mëmë e Bir" e dinë se çdo të thotë kjo. Kishte ardhur koha që ai t'i vinte pikën librit të jetës. E në këtë libër pa trashëgimtarë, të shoqes donte t'i linte një strehëz. Dy muajt e fundit të jetës së tij, ai i ndau mes strehëzës dhe spitalit, ku mbylli dhe sytë. Më 14 nëntor në orën 20.10 të mbrëmjes, Nonda Bulka u nis drejt banesës së fundit.
Kur Duçja piqet me Hitlerin
NONDA BULKA
Dy diktatorët më të mëdhenj të Evropës u poqën në Venedik. Shtypi i botës u muar me këtë pjekje diplomatike. Se shpesh herë udhëtime të tilla vendosin fatin e mirë ose të keq të popujvet. Hitleri arriti në Venetik me aeroplan, se udha e qiellit është më e shkurtër dhe sidomos më e sigurtë. Porsa zbriti diktatori gjerman nga aeroplani, Duçja i dolli para dhe ngriti dorën. Hitleri, ngriti dorën edhe ai. Kjo është me pak fjalë "hyrja" e pjekjes. Ajo që ka rëndësi nuk është as ngritja e dorës, as bandat muzikale, as brohoritjet e popullit, as drekat e darkat, as komunikatat zyrtare, as kordialiteti i dukshëm midis dy burrave të shtetit. Këto s'janë veçse formalitete banale, të demoduara, pa shumë shijë. Ajo që preokupon sot shtypin dhe mendjen e turbullt të Evropës, është pyetja: Ç'u bisedua midis Hitlerit dhe Musolinit dy orë rresht, kur u mbyllën "vetëm" që të dy pa asnjë shahit? Se ka disa pika ku Hitleri dhe Musolini duhet të mos kenë ardhur në akord. Hitleri kërkon Austrinë! Musolini thotë "jo"! Hitleri është kundër çifutëvet, Musolini "jo"! Hitleri dhe Musolini vendosën shumë gjëra; por asnjeri nuk mund t'i dijë. Apo ndofta hëngrën e pinë, ngritën dollia, u puthën dhe u pushtuan, shkëmbyen buzëqeshje dhe pastaj, i lanë për më vonë problemet që tani për tani u dukeshin pak si të "koklavitura"? E ku ta dish! E ardhmja mund të na e tregojë. Se udhëtimet e diplomatëve janë si dardha: e kanë bishtin prapa....
Botuar më 1935
Vija e vdekjes
NONDA BULKA
Ofiqari i gjëndjes civile është zëvëndësi i Perëndisë në tokë. Me të marrë vesh se vdiq një njeri, i heq një vijë të kuqe emrit të tij dhe mbaroi puna; ai njeri shkoi e vajti: vdiq; as ushtar vete, as taksa paguan, as borxhet ia kërkon njeri, as vjehra e mërzit, as kalamanjtë i çajnë kokën. Jo! S'ka më për të, veçse errësirë, kështu ka vendosur legjislatori: një vijë e kuqe shënon vdekjen e një krijese.
Një ditë prej dite, vajta në komunë. Më duhej një çertifikatë për të provuar se jam plak, se kam punuar për Shqipëri dhe se jam njeri që meritoj hylefe nga qeveria; se, helbete, edhe unë kam punuar për Shqipërinë. Dhe ja me dy fjalë biografia ime: në kohën e Turqisë u mësova fëmijëve gjuhën turke, dhe kur harroja (kohë më kohë), u kujtoja se ka një Shqipëri, e cila mund të bëhet shtet ndonjë ditë; dhe mbaja festë të kuqe; dhe bërtisja tri herë ditën: rroftë Sulltani! por këtë e bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Kur iku Turqia, erdhi Greku; hoqa festen e kuqe dhe vura kapello dhe thirra tri herë: rroftë Venizellua! dhe Venizellua më dha para; dhe fytyra e Venizellos zbukuronte gjoksin tim; por këto i bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Pastaj u bë Shqipëria dhe unë isha nga të parët që bërtita: rroftë Shqipëria! përvëlova me benzinë festen e kuqe, surratin e Venizellos dhe vura në dritaren e shtëpisë tre flamurë kuq e zi. Dhe gjithë bota habiteshin me atdhetarizmën time. Kjo është shkurt biografia ime. Pra, i bazuar në këto fakte të pamohueshme të atdhetarizmës sime, vajta në zyrë civile. I dhashë zyrtarit emrin dhe mbiemrin. Hapi regjistrat nëpunësi i ndershëm, dhe mbeti si i shushatur kur pa emrin tim. Më pyeti:
- Nga vjen ti?
- Nga greminë e zezë! - iu përgjigja unë.
- Por ti ke vdekur, mor efendi! - se emri yt ka një vijë të kuqe.
E vështrova me sy të zgurdulluar emrin tim me një vijë të kuqe, dhe vura re se, gabimisht më kishin skuqur mua në vënd të gjyshit tim.
- Më varrostë për së gjalli, or paçi belanë! - i thashë mehmurit e dola jashtë duke menduar ç'të bëj.
- Të futem në varr dhe të nxjerr gjyshin prej varrit? Se kështu e do ligji!....Dhe atë që do ligji e do edhe Zoti…. Apo jo?
Botuar më 1934
Njëqind flamurë pa një
Nonda BULKA
Ishte ditë vere në një nga qytetet më të mëdha të Arnautistanit. Ecja filli vetëm duke menduar për hallet e kusuret e këtij vendi heroik, por shumë fatkeq. Vapa përvëlonte. Djersët më kullonin rrëke. I kredhur në të thella kapërceja nga një ngjarje në tjetrën.
Shikoja me sytë e mendjes vendin e shkretuar prej tufanit, tërmetin që po trondit botën dhe që po kthen në shkrumb e hi atë që dora e njeriut e ka ngritur me djersë e gjak. Habitesha me shtazëritë njerëzore. Në këto të thella isha kredhur, kur… fiu, fiu… sirena. - Bum, bum, bum! – krisi topi.
- Bobo, - thashë, - erdhën lanetërit e qenit, shpikja moderne më e mrekullueshme për të shfarosur njeriun.
Pa e vrarë mendjen më thellë, hyra në shtëpinë e parë që gjeta aty rrotull. Mysafir i paftuar, hapa derën e rrugës, pastaj atë të brendshmen dhe instikti vetmbrojtës më drejtoi në një bodrum të sigurt nën tokë.
- Ç’urdhëroni? – ma priti një zotni i cili me grua e fëmijë ishte strukur në një cep të asaj grope të errët.
- Hyra këtu, mbasi jashtë po bëhet festë midis qiellit e tokës. Qielli sulmon tokën dhe toka i përgjigjet. Dhe unë, që s’jam as në qiell as në tokë, hyra këtu nën tokë.
- A janë shumë?
- Nxin qielli katran, efendi.
- Allahalla! Si do vejë ky halli ynë? Kur do të marrin fund kusuret?
U ula mbi një fron gjysëm të thyer dhe po fshija djersët. Njeriu i bodrumit më lëshonte lehtë-lehtë, me kureshtje, nga një bisht syri; sikur matej të më thoshte diçka, po nuk guxonte. Më së fundi foli:
- Si duken punët, or zotni? Ç’është ky hall i madh që na ka rënë? Kur merr fund vallë? Ç’është kjo e keqe që i ka rënë në kokë njerëzisë anembanë?
Ndërsa ai po qante hallin e njerëzimit, unë po vërtisja sytë rreth e rrotull atij bodrumi dhe vura re diçka që më bëri përshtypje:
- Përse i mban ende syfetin e famëmadhit Duçe dhe flamurin me lulka të Imperos? Ti e di që ajo punë mori fund njëherë e mirë.
- Ah, mor bir (më lejo të të quaj bir), - ma priti hallexhiu i bodrumit, - një fjalë e vjetër thotë se bota është e rrumbullakët si top; njerëz si unë që nuk merren me politikë i kanë marrë masat për çdo gjë që mund të ngjasë… Sa ka parë ky qerrata vend!
- Po ky flamuri i Anglisë, pranë atij të Duçes, ç’kërkon këtu në bodrumin tënd?
- Ta thashë, mor bir, jam njeri esnaf dhe hallexhi. Sikur një mëngjes, papritur dhe papandehur, të kërcasë topi andej nga deti dhe të zbresin ata? Ku të gjej stofë për të qëndisur flamurin anglez? Apo të ha ndonjë plumb rrugës? Kështu të paktën e kam mendjen të fjetur.
- Po Stalini me drapër e çekan, ç’punë ka në bodrumin tënd të errët? Mos je gjë bolshevik?
- Jo, vallahi, bilahi s’jam. Po si esnaf njeri që jam, kur të shoh se të gjithë bota do të skuqen, si mund të qëndroj unë i bardhë? Urtësia më këshillon të ngre flamurin dhe të bërtas pas berihasë: “Rroftë!”.
- Qenke plot tru, efendi. I paske marrë masat me kohë.
- Posi, posi, ç’të bësh? Ja! Po fitoj para me grushta, si hallexhi që jam. Kam tre djem dhe që të tre i kam ndarë në tri parti të ndryshme; kështu, ngado që ta kthesh, i kam shpatullat të ngrohta.
- A ke ndonjë djalë në mal?
- Jo bir, jo! E kam vërtitur punën që mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Jam njeri i punës dhe jo i politikës. Kur ishte Zogu mbret, unë isha zogist. Kur iku, nuk i thashë as udhë e mbarë.
Kur pllakosi ushtria e Duçes, i dola përpara me flamur dhe tashti që u largua, i dhashë munxët nga prapa. Kur erdhi gjermani, e kisha gati fytyrën e Hitlerit dhe flamurin me kryq të thyer. Kur të shkojë, edhe këtë do ta zë me gurë, për t’i bërë qejfin atij që do të vij pas tij. S’ke ç’bën, duhet të jetosh “me nder” në këtë botë.
Mbeta si i trullosur nga predikimet morale të atij njeriu të njohur dhe të panjohurqë ma hapi aq thellë zemrën; rashë në mendime duke kullotur sytë rreth e rrotull bodrumit ashtu si nëpër ëndërr.
Në një cep më vranë syrin disa flamurë të tjerë.
E pyes:
- Po këta ç’janë?
- Ky është flamuri i grekut, - më tha efendiu.
- E mora vesh. Zotrote qenke grekoman, o efendi.
- Jo bir, jo, nuk jam as grekoman, as djall; por, kur ushtritë e grekut hynë thellë në vendin tonë kundër italianëve, porosita shpejt e shpej flamurin e tyre, që të mos më zinte në befasi. Ja dhe flamuri i Turqisë, që po e ruaj si kujtim të Baba Dovletit. Të thashë, or bir, se jam njeri me parime me karakter, me edukatë dhe s’ma ka ënda të prish muhabetin me asnjë kral që mund të shkelë kët vend.
U ngrita në këmbë, u solla dy-tri herë rreth atij muzeu origjinal që mund të pagëzohej me emrin tingëllues “muzeu i karakterit” dhe sytë m’u mbërthyen mbi një flamur të çuditshëm, të bardhë si dëbora me një rreth të kuq në mes.
- Po ky i kujt është, mor efendi?
- Ulu, - ma preu ai, - se është punë e gjatë që të ta shpjegoj. Disa vjet më parë po rrija në kafe duke pritur një mik, ortakun tim, me të cilin dërgonim fasule në Greqi; duke pritur mikun e fasuleve, në tryezën aty pranë, disa si biçim shkollarë bisedonin për politikë. Ishte ajo kohë kur kishte nisur lufta midis Japonit dhe anglo-amerikanëve. Japoni po korrte fitime aq të vrullshme, sa asnjeri nuk mund të parshikonte se ku do ti mbanin këmbët anglezët dhe amerikanët. Një nga shkollarët hidhet e i thotë shokut: “Ashtu siç ka nisur puna, s’është çudi që një ditë t’i shohim japonezët të vijnë deri në Tiranë!”. Sa dëgjova këto fjalë, shpejt e shpejt bëra gati edhe flamurin japonez. Kështu më zuri gjumi rehat.
Bombardimi kishte marrë fund. Sirena më lajmëroi se kishte ardhur koha për të dalë nga strofka e atij idealisti. Ndërsa po matesha që ta përshëndesja, befas më ra ndër mend diçka dhe e pyeta:
- Të falenderoj, mor efendi, për mësimet e larta të moarlit që më dhe, por as më thua, të lutem, në gjithë këtë grumbull flamujsh dhe fytyrash, si nuk ma zë syri asgjëkundi Skënderbeun dhe flamurin kuqezi?
Efendiu ngurroi pakëz si i menduar, rrotulloi sytë andej-këtej, pastaj duke m’i mbërthyer si me frikë, më thotë:
- Ke hak, ke hak. S’më kishte shkuar ndër mend; e ku ta kesh mendjen më parë, në këtë kohë trazirash dhe përleshjesh? Pastaj me autoritet i drejtohet të birit dhe i thotë: Kujtomë, kur të vemi në dyqan të porosisim edhe një flamur të Shqipërisë, se s’dihet, edhe ai mund të na hyjë në punë!
Hapa sytë. Isha në ëndërr. Se idealistë të tillë s’mund të ekzistojnë veçse në ëndërr.
Botuar më 1944
Kënga e monotonisë
Nonda BULKA,
Shok besnik, shok i vjetër që ngahera e kam pranë, si në ditët më të helmuara të jetës sime, ashtu dhe në ato më të lumtura.
Sahat i vogël, i bukur, gjysmëhekur, gjysmë-ergjënd, që s'flet as qan, veç murmurit këngën melankolike, monotone të jetës që shkon. Ikën ngahera, ikën pa kthyer kokën prapa. Ikën dhe, bashkë me të, ikim dhe ne. Na lajmëron se koha shkon dhe fluturon, edhe këndon një këngë monotone; këngën e monotonisë tik-tak. Ç'këngë tragjike! Fillon ajo këngë e helmuar te djepi, dhe mbaron te tabuti. Një tjetër pas teje do ta vazhdojë këngën, dhe pas tij një tjetër; por le të kthehemi te sahati.
Tridhjetë vjet rresht, kudo që vajta, ngado që shkova, e kisha ngahera në xhepin e djathtë të jelekut, duke kënduar këngën e monotonisë. Ndrova shokë, ndrova qytete, ndrova kostume, ndrova shtëpi, por sahatin e kam ngahera në xhepin e djathtë të jelekut.
Është lidhur ngushtë sahati im besnik me kujtimet e plot tridhjetë vjetëve. Sa herë e shoh, me vinë parasysh shokët që kanë vdekur, miqtë që kam larg. Me shkon si vetëtima gjithë jeta e pamvarur e një djalërie nostalgjike. Gjithë e shkuara është para meje, sa herë që fut dorën në xhep për të pyetur shokun tim besnik, ç'kohë është, ai përgjigjet: tik-tak! Përgjigje lakonike, monotone, që s'do të thotë asgjë dhe që thotë shumë gjëra.
Thotë ndofta ajo këngë monotone: "përse dëshpërohesh? Je edhe djalë! Ke një të ardhme përpara. Varet nga ty që ajo e ardhme të jetë e shkëlqyer ose jo! Përse kaq pesimizëm? A është vërtet kaq e zezë jeta sa e pandeh ti? Përse? Përse bëhesh vegla e muskulit, që të ka dhënë zoti peshqesh dhe që quhet zemër? Përse skllav i emocioneve? Shikomë mua, stoik, mbi çdo gjë gjakftohtë dhe krenar! Vepro si unë". Ndofta këto do të thotë kënga monotone e sahatit. Por sahati pa zemër, s'ka asnjë krahasim me njerinë plot ndjenja dhe zemër. Ambienti shoqëror e ka bërë, që ajo zemër dhe ato ndjenja të shërbejnë për fatkeqësinë e tij. Zemra njerëzore shumë herë rreh për ëndrra të shkuara, për sytë e kaltër të një vajze që s'e ke parë qysh prej kohe, për trupin selvi të asaj që në gjunjë të këndonte këngën e shpirtit.
Erdhi koha që të rrahurat e zemrës të ndryshojnë drejtim. Sa për sahatin, ai s'merr vesh, lëre të këndojë këngën e monotonisë gjersa të ndryshket!
Botuar ne vitin 1934
LYPËSI
Më ndjek nga dita sa herë vete në shtëpi:
- Nëm një lek, zotni!
Është një djalë i vogël, shtatëvjeçar, i zi pisë nga fytyra, i thatë, i shkurtër, pa rroba, pa këpucë; si rron, as unë nuk e di. Sytë e tij janë pasqyrë e egër, e gjallë dhe e tmerrshme e fukarallëkut. Vuan nga uria, vuan nga të ftohtët, vuan nga çdo gjë. Por i ka mbetur aq fuqi, sa të thotë: - Nëm pak bukë!
Të mendohesh thellë, më e mira që mund t'i bësh, është ta helmosh. Se helmi është ilaçi i fukarallëkut.
E di që feja dhe ligji më helmojnë mua, po të bëj një vepër të tillë. Se njeriu s'ka të drejtë t'ia marrë jetën njeriut. Po a ka vallë njeriu të drejtë t'ia shtojë vuajtjet tjetrit? Se lypësi me lekun tim s'bën tjetër veçse shton ymrin, domethënë jetën, domethënë fukarallëkun. Mëshira private nuk e zgjidh kurrë problemin shoqëror.
Po le të kthehemi te historia e lypësit. Ditë për ditë më kërkonte diçka... Se ditë për ditë kishte nevojë barku i tij. Herë i jepja, herë jo.
Një ditë nuk e pashë të më dalë rrugës! Dy ditë, tri, katër. Thashë me vete: - Ç'u bë vallë? Dhe shkoi një muaj, shkuan dy, po lypësin s'e pashë më!
Më erdhi keq, doja të dija ç'u bë; se fytyra e tij ishte simpatike, me gjithë shëmtimin tmerrues, ku pasqyrohej uria dhe vdekja e ngadaltë. Jo, s'e pashë më! dhe m'u bë si ide fikse! - doja të dija ç'u bë.
Dhe u enda andej-këtej. Në çdo cep takoja nga një lypës të vogël, si ai (të gjithë lypësit ngjasin, se ngjyra e urisë nuk ndryshon), por s'ishte ai.
Shkuan qysh atëherë katër muaj. Fillova ta harroja lypësin tim.
Sonte befas m'u kujtua. E ku ta dish! Ndoshta ka vdekur...
Gazeta s'mund ta përmendë emrin e tij. Vdiq ndoshta... ndoshta rron i sëmurë. Nuk e di. E ku ta marrësh vesh sa korr përditë drapri hyjnor!...
Shkurt 1936
DRENUSHA DHE PJERGULLA
Një hardhi e lartë me fletë të gjera dhe plot me kopanë rrushi, që shkëlqen si ar, vuri re një drenushë me brirë të gjatë që po kalonte me vrap aty pranë.
- Ja një drenushë e mjerë - tha pjergulla me vete - qe s’di nga t'ia mbajë; po e ndjekin qentë, të gjorën! Sikur te kthente kokën këtej nga unë do ta pështillja me fletët e mia dhe do ta fshihja nga sytë e armiqve.
S'kaloi shumë kohë kur drenusha, sipas zakonit që ka për të humbur gjurmët e ndjekësve, u kthye përsëri nga rruga që kish bërë dhe kështu pjergulla zemërgjere pati kohë sa t’i thotë:
- Futu shpejt nën fletët e mia që të shpëtosh!
Drenusha i dëgjoi fërfëllimet pjergullës dhe pa humbur kohë u struk nën fletët e gjëra, pa bërë as më të voglën lëvizje. Qentë kaluan disa herë me radhë aty pranë, u kthyen përsëri, po s'munden ta gjejnë. Ndofta era që frynte nga ana e kundërt ose kundërmimi i fortë i luleve bënë që qentë mos e ndjenin erën e drenushës dhe të mos e zbulonin dot.
- Po largohen, ja po largohen - murmurit lehtë pjergulla, e kënaqur që e shpëtoi drenushën e gjorë nga vdekja e sigurt.
Drenusha zgjati kokën përmes fletëve dhe vuri re se qentë dhe gjahtari ishin larguar mjaft.
Po a e dini ç'bëri atëherë drenusha? Ajo e harroi shumë shpejt të mirën që i kish bërë pjergulla dhe pa pikë turpi nisi të hajë njërën pas tjetrës fletët e pjergullës që e kishte shpëtuar nga rreziku.
Pjergulla u ankua për këtë mosmirënjohje dhe për sjelljet e këqija të drenushës; po ajo as që çante kokën fare dhe bënte sikur s'i dëgjonte ankimet e mirëbërëses.
Kur u ngop mirë e mirë dhe e la pjergullën gati lakuriq, pa fletë doli jashtë. Në atë kohë gjahtarët dhe qentë po ktheheshin përsëri. Ata e panë e i lëshuan qentë, të cilët e kapen, e shqyen dhe e bënë copë-copë.
Duke lëshuar lot hidhërimi për të keqen që e gjeti, mbasi mbeti pa rroba, pjergulla kur e pa drenushën të copëtuar, tha me anën e fletëve të pakta që fërfëllinin:
- Atje ku ha bukën mos përmbys kupën, se mund ta pësosh keq moj drenushë...
Konferenca e trete e Lidhjes se Shkrimtareve te Shqiperise ne vitin 1949
Pjesë nga diskutim i Nonda Bulkes
Do te flas shkurt dhe mbi tema te caktuara. Do te fluturoj si bleta lule me lule dhe aty ketu mund te thumboj duke filluar nga vetja ime. Ne jemi mbledhur ketu jo per ti thurur kurora po per ta mare punen seriozisht.
Kultura ideologjike. Per ne kjo kulture eshte si nje kyç me anen e te cilit mund te hysh kudo. Ne shkrimtaret pa parti nen preteksin se nuk jemi te Partise nuk duhet ti lejojme vetes gabime ideologjike. Gabime gjithnje do te bejme po puna eshte qe te bejme sa me pak dhe sa me pak te trasha.
Gjendja e shkrimtarit sot e dje. Le te shikojme shkurtazi letersine e djeshme dhe gjendjen e shkrimtarit duke e krahasuar me ate te sotmen. Vetem nje krahasim i vogel mund te na jape nje ide Shembull konkret Sterjo Spasja ka shitur dikur librin e tij Aferdita me nje sipermarres per nje shume qesharake te hollash. Kjo veper qe ishte gjaku dhe shpirti i autorit u shit dikur. Ky liber nuk i perkiste me kurre autorit. Dikush tjeter do ta shfrytezonte. Sot nuk ngjasin me gjera te tilla. Vepra eshte e autorit dhe mbetet e tij.
Ku jemi ne poezi Ne simbas mendimit tim ne poezi kemi pesuar nje katastrofe ne vargun e lire dhe ne imitimin e vargut majakovskian. Vargu i ashtuquajtur i lire ose ai majakovskian eshte perdorur keq dhe eshte bere si rregull. Eshte harruar fare vargu yne kombetar teterrokeshi popullor. Vargu i lire dhe ay majakovskian per te dale te persosur duhet qe shkrimtari te kete figura shume te forta dhe te bukura. Kurse rima, ritmi strofa edhe sikur fuqia e figuravet te mos jete e forte, melodia dhe muzikaliteti i japin shije dhe e bejne me te kuptueshme me terheqes me te shijshem.
Une ne poemen time te vogel Tufani kam rene ne gabim te kundert. Kam marre per imitim vargun popullor, kam mbajtur rimen dhe ritmin dhe ne pergjithesi mungojne figurat e forta. Vargun popullor skam mundur ta ngre ne artin e larte poetik.
Kronika Shoku Mark Ndoja e hapi kete rruge dhe beri mire. Ai goditi me sepaten e dardharit dhe beri mire. Veçse ne dy pika nuk jam me nje mendje me shokun Mark e para shoku Mark thote se Aleks Caci ka gabuar ne brendi duke na e paraqitur myzeqarin si raja perpara beut… Une mendoj se poema e Cacit ka si pike te dobet formen. I mungojne figurat.
Pika e dyte ku nuk piqem me shokun Mark ishte kjo Kur jemi vete shkrimtare dhe duam te bejme kritike me e mira gje eshte te fillojme nga vetja jone. Poema Roja e cila ne gjinine e saj ka shume cilesi ka si pika te dobeta perseritjet proliksitetin dhe aty-ketu eshte e erret.
Po ashtu mund te thuhet per poemin e Shuteriqit Ptoleme i cili ka frymezim te larte bukuri te gjalle por edhe atij i mungon ajo cilesi e domosdoshme per nje poeme qe quhet kthjelltesi per shembull Cdo Haxhi Qamili aty s hyn gjekundi.
Vargu popullor dhe talenti. Duhet te kthehemi ne vargun e Naimit e te Cajupit. Ashtu do te na kuptoje populli. Njembedhjeterrokeshi i perdorur ne ustallek nuk eshte i keq. Ne jemi te pajisur me ate qe tha shoku Prevencev me gjene e paprekshme qe nuk mund te mbahet nen sqetull dhe qe quhet talent. Kush me shume kush me pak ne e kemi kete cilesi te rralle. Doktoret, avokatet, matematikanet, inxhinieret dalin nga shkollat. inxhinieret e shpirtit jo Ata perfeksionohen ne shkolle por nuk ka shkolle nga te dalin poetet ose prozatoret dhe kjo eshte nje gje e madhe dhe njekohesisht nje mburje.
Harram u qofte do te na thote populli ne rast se ne nuk do te dalim faqebardhe ne misionin tone te larte. Ne e kemi ne dore qe ne vend te fjales lsquoharram populli te na thote lsquohallall.
Për Nonda Bulkën
Prof. Dr. Ilinden Spasse
Kur të ikë brenga si vesë,
Vrik do shfaqesh t'i në kthesë,
Hipur në biçikletë, si kalorës i vërtetë!
Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër forcë sintetizuese marrin këto vargje të Vehbi Skënderit, kushtuar Nonda Bulkës, Nondës tonë.
Kam pasur fatin, që Nondën ta njihja në disa faza të jetës sime dhe në disa faza të jetës së tij:
E kam njohur si fëmijë, kur luante me mua, kur më sillte në shtëpi nga një gjysmë çukullate, se gjysmën tjetër ia kishte "ngrënë ujku" gjatë rrugës; kur gjithnjë më quante "hajdut me çizme"; e kam njohur në moshë pak më të rritur, kur ai me pyetjet që më bënte donte të mësonte, se sa përvetësoheshin nga nxënësit programet e tekstet e gjuhës e letërsisë shqipe, e më vonë kam njohur krijimtarinë e tij fishkëllyese ndaj regjimit në fuqi, krijimtari fishkëllyese me një stil të veçantë, origjinal publicistiko-artistik dhe, kështu, dalëngadalë në përfytyrimin tim rritej personaliteti i këtij njeriu sa të thjeshtë, aq edhe të madh. E kam parë rrugëve të Tiranës, duke "fluturuar" me biçikletën "Bjanki", tamam si një i ri, por e kam parë edhe në mbledhje të ndryshme, ku u kundërvihej me shumë kulturë, por me humor e batuta kuptimplote, kritizerëve pa taban. Kam dëgjuar nga ish nxënësit dhe studentët e tij, se si e elektrizonte klasën duke përdorur metoda origjinale të dhënies së mësimit, duke improvizuar si artist i vërtetë personazhet e veprave që shpjegonte, por e kam dëgjuar të fliste me pasion edhe për letërsinë franceze, sidomos për klasikët e saj. Mbresa të fuqishme më kanë lënë marrëdhëniet e tij me shokët më të ngushtë: Sa herë që vinte në shtëpinë tonë, vetëm gaz e hare do të sillte, jehona e të cilëve do të vazhdonte me ditë të tëra. Këto marrëdhënie u dendësuan sidomos kur Nonda u sëmur rëndë e vajti në Rumani për t'u kuruar:
Ti, Nondë, ike papandehur dhe s'deshëm të besonim që ishe i sëmurë,
E shpesh na dukej sikur delnje nga rrugica,
Me një buqetë replikash të gëzuara përsëri,
E ndaj, do qe gëzim i madh, sikur të bëheshin këto rreshta urë,
Mbi këtë të gënjeshtërtë largësi,
Që shtrihet posi mjegullime midis nesh!
I dashur Nondë, mos më shaj, mos më qorto për këtë vjershë,
Por në të qeshtë zemra pak me mallin tonë, qesh!
Do t'i shkruante Vehbi Skënderi në shtatorin e vitit 1971.
Por mbi të gjitha kam ndjekur me vëmendje fazën e fundit të jetës së tij, kur u kthye nga Rumania i mbërthyer në grykë nga demoni i vdekjes: Shokët shumë të shqetësuar për shëndetin e tij, ndërsa ai, me batutat e kripura e plot sarkazëm, që hidhte përpara tyre, familjes dhe të gjithë të njohurve, qëndronte stoik i papërkulur si të kërkonte ta sfidonte atë dhe e sfidoi, duke u lartësuar në përfytyrimin tonë si "Një Arbër gjithmonë i lashtë, si një Arbër gjithmonë i ri!".(Nga epitafi në varrin e Nonda Bulkës)
Erdha të flisnja pak me ty, pas këtij shiu të pastër,
Por ti ma prite nga mermeri shkurt: "Jam arbër!"
Lotonte qielli shqiptar me uniformë gri,
Sheh shkrepëtimën tallëse: Chri-Chri!
Të digjte fort për Arbërinë e lirë malli
Dhe qeshje hidhur si Juvenili.
Dhe pështynje republika e mbretëri,
Me vërshëllimën tallëse, Chri-Chri!
E hante çdo mendim të blertë bryma
Edhe në mes të maleve të zihej fryma,
Se ndienje tok me malësorët katërfish uri
Duke na nëqeshur: Chri-Chri!
Po shpesh të ndrinin sytë lotë gëzimi nga ideali...
Dhe qeshje si fëmijë plot çiltërsi,
Më i dhëmshuri i mësuesve: Chri-Chri!
Luftove tërë jetën kundër pompës, zhurmës,
Mbi gjysmë shekulli pa u vënë re,
Po varrin, prapë, e deshe buzë rrugës...
Dhe varrin, shok, buzë rrugës ma ke!
(Poezi e Vehbi Skënderit dhuruar Sterjo Spasses më 1978)
Vlerësime për veprën e Nonda Bulkës
Nonda Bulka është një ndër shkrimtarët e parë të viteve ’30 që me krijimet e tij demaskoi shoqërinë e prapambetur feudale, si dhe denoncoi politikën imperialiste të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30 e sidomos nga Migjeni. Nëpërmjet fejtonit e skicës Nonda Bulka arriti të bëjë përgjithësime me vlerë. Duke qënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të lëvizjes demokratike të kohës dhe i ushqyer nga idetë revolucionare, ai e mohoi të vjetrën, reaksionaren në fushën politike e shoqërore, në planin kombëtar e ndërkombëtar me anë të një satire therëse.
Proza e tij ka trashëguar tiparet më të mira të satirës sonë, sidomos asaj pamfletike, duke e zhvilluar atë më tej. Me anë të humorit ky shkrimtar arrin të trajtojë shqetësimet e veta, që janë edhe ato të kohës, dhe krijon tek lexuesi emocione e nënqeshje të hidhura për probleme që lidhen me jetën e vështirë të vegjëlisë, me rrugën e zhvillimit të kulturës kombëtare, me luftën imperialiste, me klerin e fenë, me normat morale patriarkale e të vjetëruara etj. N. Bulka është tipi i gazetarit që nuhat menjëherë problemet më nevralgjike të jetës së përditshme shoqërore dhe shpërthen me ironi e sarkazëm, por si një temperament i rrëmbyer, me gjaknxehtësi. Ky shpërthim jo gjithmonë mund të barazohet me revoltën ose protestën e fuqishme. Skicat, fejtonet dhe shkrimet më të mira të tij janë : "Vija e vdekjes". "Intervistë me Shën Pjetrin, "„Kujtime tragjikomike", "Kur piqet Muhameti me Krishtin" , "Përralla abisine" , "Gjysëm ose italian" , "Mësim gjeografie" etj.
Bulka ashtu si Migjeni më vonë, do të pasqyrojë në krijimtarinë e tij mjerimin, zymtinë, e jetës së vegjëlisëshqiptare me krijime tronditëse si "Mëm` e bir", "Lipësi", "Njeriu misterioz" etj, duke demaskuar padrejtësinë shoqërore pa kërkuar mëshirë. Për energjinë dhe shpejtësinë, me të cilën ai iu përgjigj kërkesave të ditës, për shumllojshmërinë, e problemeve që trajtoi, për qartësinë e mendimit ai dallohet nga shumë bashkohës të tij. Por disa herë ai s'arriti të shmangte përsëritjet e disa motiveve e temave dhe nuk i shpëtoi një fryme të plotë mohuese e ndonjë toni pesimist. Në tërësinë e veprës së tij publicistike ndihet e tërë koha, gjithë realiteti, por sidoqoftë ajo mbetet brenda kufijve të fejtonit e skicës, ashtu si ajo e Q. Stafës dhe V. Stafës. Në to më tepër revoltë se konflikt artistik, por lëvrimi i tyre pati rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të prozës artistike. Kjo krijimtari, duke formuar tiparet, qoftë edhe fillestare të një letërsie militante, solli në tregim temën e ditës, ndihmesën për thellimin e realizmit kritik dhe për afrimin gjithnjë e më shumë të letërsisë me jetën, të gjuhës së saj me gjuhën e gjallë e të përditshme.
Kritika letrare për veprën e Nonda Bulkës
Ermir Nika
Nonda Bulka, duke e parë si i trajton dukuritë jo vetëm kulturore, por edhe sociale e politike të Shqipërisë, zë pa dyshim një vend me rëndësi në kulturën e shkruar shqipe të shekullit të njëzetë. Për një shqyrtim sa më objektiv e të shumanshëm të krijimtarisë së tij letrare dhe publicistike është e udhës të analizohen me hollësi edhe disa nga tiparet më kryesore të formimit të tij, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në forcimin e mëtejshëm të personalitetit të tij letrar e intelektual.
Shkrimtari dhe publicisti Nonda Bulka ka lindur më 1906 në fshatin Leusë të Përmetit. Pasi mbaroi Liceun Kombëtar të Korçës, ai ndoqi studimet e larta për drejtësi e për letërsi në Francë. Bulka u njoh asokohe nga afër me gjuhën, me kulturën, me rrymat letrare, me idetë e me lëvizjet e mëdha politike e shoqërore që gëlonin jo vetëm në Francë, por edhe në tërë vendet e zhvilluara evropiane. Kjo periudhë përkon me forcimin e mëtejshëm intelektual të tij dhe dëshmon për ndikimin që patën tek ai kultura, emancipimi shoqëror dhe idetë përparimtare të kohës, të cilat jo vetëm i përqafoi, por nisi edhe t’i pasqyronte në shkrimet e veta letrare e publicistike të botuara në shtypin e atëhershëm periodik të Shqipërisë. Edhe pse në vend të huaj, Nonda Bulka, ashtu si edhe shumë intelektualë e atdhetarë të tjerë shqiptarë, s’i shkëputi asnjëherë lidhjet me Shqipërinë, me zhvillimet e saj, dhe e shqetësonte thellimi përherë e më i madh i gjendjes së vështirë sociale dhe ekonomike në atdheun e tij gjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Kësisoj, emri i tij spikati në shtypin shqiptar të viteve 30 jo vetëm për origjinalitetin krijues në fushën e letërsisë e të publicistikës, ku ai nisi të shkëlqente me talentin, me stilin origjinal e me satirën, por edhe për mënyrën si e shihte dhe si e kritikonte pareshtur realitetin shqiptar, në të cilin po shfaqeshin, para së gjithash, shenjat e një shoqërie të paqytetëruar, çka mishërohej sidomos në shpërfytyrimin e vazhdueshëm të qenies njerëzore. Nonda Bulka njihej në letërsinë shqiptare të viteve 30 me pseudonimin Chri-Chri. Shkrimet e veta, fejtone e skica, arriti t’i përmblidhte më 1934 në vëllimin “Kur qan e qesh bilbili”, vepër që u ribotua në vitin 1962 e më pas në vitin 1967 nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Më vonë botoi edhe proza poetike, skica humoristike dhe disa përkthime nga letërsia franceze, ku shquhet në mënyrë të veçantë shqipërimi i romanit “Evgjeni Grande”, vepër tejet e rëndësishme e shkrimtarit të shquar francez Honore dë Balzak.
Nonda Bulka, ashtu sikurse shumë shkrimtarë e publicistë të shquar, kishte atë aftësinë intuitive për të njohur e për të depërtuar në problemet më nevralgjike të jetës së përditshme shoqërore, duke i trajtuar dukuritë e ndryshme dhe paradokset e kohës me ironi e me sarkazëm therës, çka i jepte mundësi t’i bënte autopsinë jo vetëm shoqërisë ku jetonte, por edhe mendësisë së trashëguar dhe vizionit të zbehtë të individit ndaj sfidave të kohës. Në krijimtarinë e tërë brezit të shkrimtarëve e të publicistëve të viteve 30, por sidomos në botimet e atëhershme të Nonda Bulkës dhe më vonë të Migjenit, bie në sy pasqyrimi i mjerimit e i jetës së zymtë të vegjëlisë shqiptare me shkrime tronditëse si “Mëm’ e bir”, “Lipësi”, “Njeriu misterioz”, etj., të cilat janë një demaskim i hapur i padrejtësisë sociale, demaskim që synon të ndërgjegjësojë mbarë shoqërinë për të mos lejuar shfytyrimin e mëtejshëm të natyrës njerëzore dhe dallimet e thella që viheshin re midis shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndër shumë bashkëkohës të tij, ai shquhej për reagimin energjik e të atypëratyshëm ndaj kërkesave të ditës, për larminë e problemeve që trajtonte dhe për qartësinë e mendimit që e karakterizonte në shkrimet e tij. Nonda Bulka është vlerësuar nga kritika letrare e paraluftës dhe e pasluftës si një ndër shkrimtarët e parë të viteve 30, i cili solli me krijimet e vet kritikën e drejtpërdrejtë, protestën e hapur ndaj regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale dhe denoncimin e politikës antishqiptare të kohës, motive këto që u trajtuan më pas pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve 30, sidomos nga Migjeni. Por disa herë Bulka nuk arriti dot të shmangte përsëritjen e ca temave e motiveve dhe s’i shpëtoi një fryme mohuese e ndonjë toni pesimist. Në mbarë veprën e tij publicistike ndihet koha në tërësinë e saj, ndihet realiteti objektiv i Shqipërisë, por gjithsesi ajo mbetet brenda kufijve të fejtonit e të skicës. Megjithatë, kur analizon tërë atë gamë të gjerë të krijimtarisë letrare e publicistike të viteve 30, bie në sy sakaq misioni që u ndërmor në kulturën shqiptare falë atij brezi shkrimtarësh, ku një rol të veçantë luajti edhe krijimtaria e Nonda Bulkës. Në këtë kontekst mund të thuhet se krijimtaria e tyre letrare pati rëndësi dhe ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e në përsosjen e mëtejshme të prozës artistike. Kjo krijimtari, duke përvijuar tiparet, qoftë edhe fillestare, të një letërsie militante, solli në tregim temën e ditës, ndihmesën për ta thelluar realizmin kritik dhe për ta afruar letërsinë gjithnjë e më shumë me jetën, dhe gjuhën e saj me gjuhën e gjallë e të përditshme.
Duke analizuar me vëmendje pikërisht shkrimet e botuara nëpër organe të ndryshme të shtypit gjatë viteve 30, vëmë re, përveç disa motiveve me karakter të përgjithshëm, si morali e varfëria, të trajtuara si pjesë të realitetit shqiptar të kohës, edhe tri motive kryesore. Së pari, motivet që kanë të bëjnë me kulturën e me letërsinë në veçanti. Në këtë aspekt, Bulka i ndërgjegjëson shkrimtarët dhe poetët e talentuar për rolin e letërsisë dhe u bën thirrje të lidhen me realitetin e varfër e dramatik që karakterizon jetën sociale të Shqipërisë e të shqiptarëve. Së dyti, motivet që kanë të bëjnë me fenë. Në këtë rast ai rreket të gjejë një raport midis misticizmit fetar dhe realizmit, duke u ndikuar dukshëm edhe nga formimi i vet ateist. Së treti, motivet me natyrë plotësisht antifashiste, ku ai përpiqet t’ia bëjë të qartë shoqërisë shqiptare të kohës se ç’përfaqësojnë fashizmi e nazizmi për paqen botërore, duke nxjerrë në shesh kësisoj synimet grabitqare dhe antinjerëzore të luftërave pushtuese.
Nonda Bulka dhe i tërë arsenali i tij letrar ka qenë në fokus të gjykimit e të vlerësimit prej kritikës letrare. Madje edhe sot, kur po mbushen dyzet vjet qysh nga vdekja e tij, ai radhitet ndër emrat e shquar që kanë tërhequr pareshtur vëmendjen e kritikës letrare në të gjitha trevat ku është folur e është krijuar në gjuhën shqipe. Sapo doli në dritë më 1934 libri i tij “Kur qan e qesh bilbili”, reagimi i kritikës qe i atypëratyshëm lidhur me individualitetin e ri krijues që po shfaqej në fushën e letrave shqipe. “Dy fjalë Chri-Chriut” është ndoshta i pari shkrim kritik rreth krijimtarisë së Nonda Bulkës, botuar te “Gazeta Rilindja” nga Polikseni Mihali më 14 nëntor 1934. Në këtë shkrim bien në sy, ndër të tjera, këto mendime e vlerësime për krijimtarinë e saponisur të Nonda Bulkës: “Penda jote, i nderçëm Zotni, është e re, sikurse jini dhe vetë i ri, por besimi i jonë n’atë është i math, se shohim një përparim kohë më kohë, që na mbush plot shpresa në të ardhmen.” Te po kjo gazetë botohet edhe një artikull i redaksisë, me titull “Pak fjalë mbi veprën e Chri-Chriut”, ku vihen në dukje dhe vlerësohen disa prej karakteristikave kryesore të përmbledhjes “Kur qan e qesh bilbili”. Kohë më vonë do të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, sidomos të qarqeve letrare, një tjetër shkrim me titull “Kur e heq barku bilbilë - Ekzistenca e Perëndisë e provuar pa një pa dy”, botuar nga Terentius Pika te “Gazeta e Korçës” më 24 prill 1935. Në këtë shkrim trajtohen kryesisht raporti që ekziston midis Perëndisë dhe Nonda Bulkës, pikëpamjet e tij ateiste dhe ndikimi i besimit fetar në psikologjinë e në jetën shoqërore të vendit. Autori i këtij shkrimi mjaft interesant dhe shpotitës ka parapëlqyer që mendimin e vet për këtë vepër ta përmbyllë me fjalët: “Pastë uratën z. Chri-Chri se do të na zinte gjumi dhe Perëndia i shtoftë inatin!”.
Një analizë të hollësishme e me diapazon më të gjerë, ku shqyrtohen të gjithë faktorët kryesorë që ndikuan në forcimin e personalitetit krijues të Nonda Bulkës, ka bërë studiuesi Mark Gurakuqi me rastin e ribotimeve të veprës “Kur qan e qesh bilbili” gjatë periudhës 1962-1967. Emra të shquar të letërsisë, të kritikës e të studimeve letrare dhanë më pas një ndihmesë të shquar për të nxjerrë në pah e për të përuruar vlerat letrare, estetike e njerëzore që përcilleshin në kulturën e shkruar e në mendimin shqiptar nëpërmjet pendës së Nonda Bulkës. Këtu do të veçonim: “Nonda Bulka për fëmijët” nga Bedri Dedja, “70-vjetori i lindjes së Nonda Bulkës - 40 vjet shkrimtar, publicist, pedagog” nga Fatmir Gjata, “40 vjet veprimtari letrare e Nonda Bulkës” nga Llazar Siliqi, “Polemika me shoqërinë dhe me artin zyrtar të kohës para Çlirimit në veprën e Nonda Bulkës” nga studiuesi i mirënjohur Myzafer Xhaxhiu, i cili ka botuar edhe mjaft shkrime të tjera kritike për veprimtarinë krijuese të Nonda Bulkës, si “Satirizues i mprehtë dhe pohues entuziast”, “Në 40-vjetorin e shkrimeve të para të Nonda Bukës” dhe më pas studimi i tij hyrës me rastin e botimit të plotë të veprës letrare të Nonda Bulkës. Kësisoj, Myzafer Xhaxhiu mbetet një ndër njohësit më të mirë dhe studiuesit më seriozë të veprimtarisë letrare e publicistike të këtij shkrimtari e publicisti. Po ashtu një tjetër studiues i njohur, Vehbi Bala, në artikullin “Krijimtari me problematikë dhe frymë popullore” e ka përqendruar vëmendjen tek analiza e dukurive që lidhen me disa veçori të veprës letrare të Bulkës. Ndërkaq, edhe shkrimtari Naum Prifti ka dhënë një ndihmesë të vyer në hartimin e parathënies dhe në përgatitjen e vëllimit “Tregime të zgjedhura” të Nonda Bulkës, përmbledhje që u botua vetëm disa muaj pas vdekjes së autorit. Artikuj kritikë e mjaft shkrime të tjera rreth rolit që ka luajtur vepra letrare dhe publicistike e Nonda Bulkës në letrat shqipe, kanë botuar edhe emra të tjerë të njohur të fushës së letërsisë, si Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Tonin Miloti, Perikli Jorgoni, Dionis Bubani, Lipe Nano, Nasho Jorgaqi, Floresha Haxhiaj, Fatos Arapi, Niko Mihali, Hasan Mekuli, Sinan Gashi, Alfred Papuçiu, Adelina Mamaqi, Zisa Cikuli dhe Iliden Spasse. Po ashtu, edhe studiuesi Stilian Adhami, i cili njihet sot si kritiku e studiuesi më i ri i veprës së Nonda Bulkës, sepse vitet e fundit, krahas një sëre artikujsh studimorë që nxjerrin në pah disa nga vlerat më të spikatura të Nonda Bulkës e të veprës së tij letrare, ka botuar edhe një studim monografik për jetën e për krijimtarinë letrare e publicistike të këtij shkrimtari.
Këtu duhet nënvizuar fakti se, edhe përtej kufijve administrativë të Shqipërisë, vepra letrare e Nonda Bulkës është vlerësuar gjerësisht nga kritika letrare, e cila i ka kushtuar një hapësirë të gjerë trajtimit të risisë, të origjinalitetit e të diapazonit krijues që ngërthen vepra e tij. Në punimin me titull “Proza e Nonda Bulkës para luftës”, që i kushtohet botimit të veprës së plotë të shkrimtarit në fjalë nga Shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë më 1969, studiuesi i mirënjohur Rexhep Qosja e mbështet objektin e trajtimit në tri shtylla kryesore: 1. Prijatari i letërsisë së angazhuar sociale; 2. Bota pa maska; 3. Vlera letrare e kësaj proze. Në këtë punim analizohet ndihmesa që ka dhënë krijimtaria e Bulkës në letërsinë shqipe dhe në emancipimin e procesit krijues e të mendimit mbarëshoqëror shqiptar.
Vlen të përmendet këtu se një dukuri mjaft e spikatur në profilin letrar të Nonda Bulkës është fakti që ai, gjatë krijimtarisë së vet letrare, nuk e ka parë asnjëherë problematikën shqiptare jashtë zhvillimeve social-politike dhe larmisë kulturore evropiane. Bulka ka qenë një shkrimtar që u kundërvihej regjimeve antipopullore dhe normave e dukurive negative që shfaqeshin në shoqërinë shqiptare të çdo kohe.
Por në tërë shkrimet kritike të botuara në Shqipëri për veprën e Nonda Bulkës gjatë kohës së diktaturës bie në sy fakti se krijimtaria e tij letrare është gjykuar e vlerësuar gjithmonë në aspektin e pasqyrimit, të goditjes e të ironisë therëse të tij ndaj regjimit monarkik, dhe asnjëherë nuk janë vënë në dukje jehonat dhe aludimet e tij letrare që kishin të bënin edhe me problematikat e me dukuritë negative që viheshin re në periudhën e diktaturës, gjatë së cilës krijimtaria e Nonda Bulkës qe gjithmonë e pranishme dhe fshikullonte paradokset e tiparet më negative të shoqërisë dhe të sistemit politik e administrativ të kohës. Kjo vërejtje lidhet edhe me një tregues tjetër mjaft domethënës: megjithëse në vitet 80 të shekullit të kaluar krijimtaria e tij letrare u botua e përmbledhur në disa vëllime, gjatë hulumtimeve që kemi bërë në arkivin dorëshkrimor të Nonda Bulkës kemi konstatuar se edhe në këtë përmbledhje, e cila u botua disa vjet pas vdekjes së autorit, janë lënë jashtë ose janë redaktuar ndjeshëm, në bazë të kritereve që duhej të zbatoheshin në botimet shqiptare të asaj periudhe, një pjesë e konsiderueshme dhe tejet përfaqësuese e shkrimeve të botuara kur autori ishte gjallë. Më anë tjetër, reagimi i kritikës gjatë periudhës së diktaturës është disi anemik, sepse tiparet thelbësore të krijimtarisë së Bulkës analizohen në mënyrë të njëanshme, ku spikat një vlerësim i kufizuar i veprës së tij dhe një studim sipërfaqësor i gamës së problematikave që ngërthente në tërësi krijimtaria e tij publicistike dhe letrare. Pra, në vitet 80, krijimtaria e Nonda Bulkës u përmblodh në një kolanë prej vetëm tri vëllimesh, që u botuan njëzet vjet pas vdekjes së autorit.
Në analizën e në rivlerësimin e veprës së plotë të Nonda Bulkës spikat sidomos krijimtaria e tij publicistike, e cila shtrihet në një hapësirë të gjerë e gjithëpërfshirëse. Përveç çështjeve të rëndësishme të jetës së përditshme, pena e autorit rreket të trajtojë me guxim edhe çështje thelbësore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krijime e me prishje ekuilibrash të bashkëjetesës paqësore në rrafsh botëror.
Nëpërmjet veprës së vet letrare e publicistike, Nonda Bulka arriti të bënte gjyqësinë e krejt shoqërisë shqiptare të shtrirë në tri periudha. E para ndër këto tri periudha ka si objekt regjimin monarkik të Ahmet Zogut në të gjitha aspektet e tij. Periudha e dytë përfshin vitet e diktaturës, ku në mjaft shkrime, një pjesë e të cilave s’janë botuar të plota, kurse pjesa tjetër pret të shohë dritën e botimit, goditet, me një analizë të thellë, me një retorikë shpotitëse e me një sarkazëm dërrmues, aktualiteti shqiptar në të gjitha aspektet e tij. Periudha e tretë shtrihet përtej kohës kur autori ishte gjallë, dhe ka të bëjë me ndikimin e veprës së tij në mendësinë, në kulturën, në prirjet e në komunikimin që ajo po krijon tashmë me lexuesin e një brezi tjetër, vetëdija e të cilit rreket të farkëtohet në dy kahje: në kahjen e traditës dhe në kahjen bashkëkohore, dy koordinata këto që shfaqen si vijimësi e si pjesë përbërëse të një procesi të ngadalshëm zhvillimor, jo vetëm në fushën e mendimit estetik e letrar, por, para së gjithash, edhe në aspektin e një reflektimi dhe të një ndryshimi që po ndodh në vetëdijen e njeriut të sotëm dhe në botën ku ai jeton.
Disa nga veprat e Nonda Bulkës
Vepra 1 (1932-1942)
Vepra 2 (1943-1972)
Vepra 3 (fabula)
Vepra 4 (poezi dhe përkthime)
Vepra letrare (1980)
Vepra (Argeta-LMG-2007)
Vepra të zgjedhura « Proza e Nonda Bulkës para lufte » (Rilindja, Prishtinë, 1969)
Sketches and short stories (1984)
Maska të çjera (1969)
Thumba pa helm (1975)
“Nonda Bulka dhe Përmeti” (Neraida 2006)
No comments:
Post a Comment