Akademikun francez Henri Troyat
e bën të
flas shqip vlonjatja Elvira Beshaj me
“Boris GODOUNOV”
Nga Albert HABAZAJ, studiues
Në një vështrim të përgjithshëm, akademiku
francez Herni Tryat mund të trajtohet në dy rrafshe: si shkrimtar, i dalluar veçanërisht
për novelat e tij dhe si historian, i shquar sidomos për tekstet biografike. Henri
Troyat ka marrë çmimin “Goncourt” në vitin 1938, në moshën 27 vjeçare. Henri
Troyat , anëtar i Akademisë Franceze, është autor i një vepre të pasur
romaneske dhe biografi më i madh francez i pas luftës. Boris Godounovin, nga
historia dhe nga jetëshkrimi i akademikut francez na shfaqet si njeri të matur,
me prejardhje nga nga një familje fisnike me origjinë tartare. Njihet si koka e
shtetit rus dhe, në fund të një regjence të gjatë pranë monarkut të mërzitshëm
Fedor, zgjidhet car nga Shtetet e Përgjithshme, në vitin 1598. Në një vend ku
mbretërimi i padurueshëm i Ivanit të Tmerrshëm ka lënë ende gjurmë, ky shpirt
politik dhe strateg mendjehollë, ish i afërm i tiranit, nuk zmbrapset përpara
asnjë gjëje për të mbajtur pushtetin. Megjithatë, ai, gjithashtu, i bën
shërbime të mëdha popullit të tij; i ndërgjegjshëm për namin e harbutërisë nga
i cili populli i tij vuan në Evropë dhe të përfitimit që ai mund të nxirrte nga
të huajt, ai fut në oborrin e tij doket (zakonet) e Perëndimit. Por, viktimë e
shijes së rusëve për legjendat, ky monark pa trashëgimtar gjendet përnjëhersh i
kapërthyer mes një gënjeshtre gjigande, që e paracakton për ta mbuluar me turp.
Mbretërimi i Boris Godunovit dhe tregimi dihatës, që jep Henri Troyat në këtë
biografi të letrarizuar pas vdekjes, portret i pabotuar në Galerinë e Carëve,
janë vetë shprehja e “rrezikut nga një shifje metodike, e veshur me mrekulli, mbi
ndërmarrjet e një burri me vullnet të mirë”.
Në botën tonë letrare ka ngjarje që
kalojnë zakonshëm me atë ritualin pothuaj skematik, ku gati lexohet nënteksti
që ... e bëmë dhe këtë, apo ia bëmë qejfin filanit se e kemi mik të mirë. Ka
edhe ngjarje që ngelen të pashlyeshme në kujtesë, sepse emetohet energji artistike,
e cila përhap në komunitet aromën e freskët të vlerës. Një ndjesi të tillë e
provuam në promovimin e një libri, që mblodhi shkrimtarët dhe artistët vlonjatë,
miq e dashamirës në bibliotekën publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës.
Është fjala për një përkthimin nga frëngjishtja të biografisë “Boris Godounov”
të akademikut francez Henri Troyat, realizuar në shqip nga shqipëruesja e
talentuar Elvira Beshaj, me banim në Luksemburg. Shumëkush ka dëgjuar për
Godounovin e famshëm, kështu që tepër shkurt mund të kujtojmë se Boris Godounov
(rreth 1551 - 1605), car i Rusisë më 1598 - 1605, e nisi karrierën e shërbimit
në oborrin e Ivanit të Tmerrshëm, u bë sundimtar faktiv i Moskovit gjatë mbretërimit
të djalit të tij budalla, Fjodorit, (1584 - ’98) dhe përgatiti rrugën për t’u bërë
car. Zhvilloi një luftë me sukses kundër Suedisë (1590 - ’95), nxiti tregtinë e
jashtme dhe i trajtoi pa mëshirë ato familje të Bojarëve, që kundërshtuan. Më
1604 - ën mëria e bojarëve, e ndërthurur me pakënaqësinë popullore, shpërtheu
në “kohët e trazirave”, një krizë e turbullt politike dhe e dinastisë që zgjati
8 vjet, pas vdekjes së papritur të Borisit më 1605. Ndërkohë, dimë që Bojari
është pjesëtar i klasës më të lartë jo princore në shoqëritë mesjetare ruse. Në
shek. X - XII bojarët përbënin nivelet më eprore të shpurave të princave. Ata
merrnin shpërblime të mëdha në toka dhe ushtruan pushtet mjaft të madh të
pavarur gjatë periudhës së decentralizimit pas pushtimit mongol në shek. XIII,
por kur e kufizuan pushtetin, princat e mëdhenj të Moskovit arritën pavarësinë
e bojarëve. Poeti, romancieri dhe dramaturgu rus Aleksandër (Sergejeviç)
Pushkin (1799 - 1837), figurë madhore në letërsinë ruse, ndër veprat e tjera të
shquara letrare, ka shkruar dhe dramën historike në vargje të bardha “Boris
Godunov” (1831). Po ashtu Musogorki
kompozoi një opera, ndërsa Shileri e deri te Merimeja e ngritën në artin e fjalës
versionin e fajësisë së Boris Godunovit dhe të brejtjeve të tij, duke shkuar
deri në vegulli, që ndjellin me forcë komplotet politike dhe besimet fetare të
epokës, që kanë adoptuar verbërisht idenë e një Boris Godunovi tradhëtar, vrasës
dhe vrasës të ndërgjegjes, që ndoshta, edhe pse është interpretim historik, me
gjithë pasaktësitë, ka qenë dhe mbetet burim frymëzimi për vepra letraro -
artistike dhe biografike. Me këtë informacion të plotësuar ndër vite, përkthyesja
Beshaj iu fut detit me dallgë si trimëreshë e fjalës europiane, që di të notojë
si delfin në këto valë ujërash të thella e të gjera. Ajo diti të strukturojë po
aq bukur dhe në shqip platformën e librit. Edhe sipas saj, platforma e librit është
raporti histori - imazh, legjendë - realitet, logjikë - emocion, me tendencë
nga e vërteta. Një biografi serioze të autorit francez Henri Troyat, të cilën e
ka shqipëruar mirë Elvira Beshaj, kemi në dorë dhe e lexojmë jo thjesht për
kulturë historike, por mësojmë nga mesazhet që libri përcjell në shqip, falë
punës ngulmuese e me përgjegjësi të përkthyeses. Pushteti i një gënjeshtre
tunduese dhe i intrigave përballë qartësisë së dokumentave evidentohet në këtë
përkthim, sikur të vinte nga një stërmbesë artistike e Nolit, Kutelit, Kokonës,
Pashko Gjeçit, Robert Shvarcit, apo Skënder Luarasit. Guxim e aftësi,
përkushtim e përgjegjësi ka patur edhe 20 vjet më parë Elvira, kur unë e kam
njohur kulturalisht. Ja fryti.
Po ç’dimë për akademikun francez
Henri Troyat? Është lindur në Moskë më 1 nëntor 1911 nga prindër me origjinë
armeno - ruse. Henri Troyat është pseudonimi i Lev Aslanoviç Tarasov (Levon
Aslani Thorosjan). Prindrit e tij emigruan në Francë pas vitit 1917. Franca u
bë atdheu i Emrit dhe Dinjitetit për djaloshin e fuqishëm e jo vetëm
ëndërrimtar, i cili në moshën 24 vjeçare nisi botimin e parë me synime të qarta
e të larta ndaj vetes. Rrojti 96 vjet dhe, nga këto, 71 vjet i bëri jetë aktive
intelektuale - shkencore e letrare. Konkretisht nga viti 1935, kur preu
shiritin e Hekurudhës së Botimeve “Troyat” deri më 2006, kur u ndërpre
fishkëllima e trenit të tij, Henri ka botuar 103 vepra. Nuk dimë ç’ka lënë në
proces a dorëshkrim ky vigan, sepse më 4 mars 2007 mbylli sytë në Paris. Është
një nga autorët bashkëkohorë më të lexuar në Francë dhe jo vetëm atje. Romane,
cikle romanesh, biografi të njerëzve të mëdhenj, tregime, novela, kritikë
letrare, eseistikë, histori etj., plotësojnë karakterin “panoramik” të veprës
së tij, mbushin portetin e tij madhërisht të admirueshëm, që përkon edhe me
tiparet e antropologjisë fizike të shkrimtarit dhe historianit francez Henri
Troyat. Më kujtohet që, aty nga vitet 1993 -’94, diçka kam lexuar nga ai,
tregimin “Sajna”, në mos gaboj, gjë shumë e rrallë për kohën, sepse autori
ishte i panjohur për shqiptarët brenda kufijve dhe sapo kishte filluar t’i
ndizej drita jeshile për t’u botuar. Stili modern i tregimit “Sajna” (shkulm i
madh uji që kthehet me vrull pasi përplaset në një pendesë) me të vërtet më
magjepsi, me një intrigë mjaft origjinale, me stil brilant, plot tallje
spirituale dhe të gjitha këto në shërbim të një ndjenje të thellë psikologjike,
e tëra e veshur me një humor të hollë. Henri Troyat klasifikohet ndër penat e
mëdha të shekullit XX.
Ndoshta vlen për lexuesin e gazetës
qytetare “Tirana Observer” një prezantim i shkurtër për përkthyesen. Kush është
kjo Elvira, që na befason dhe na dritëron dinjitetin letrar? Elvira Sinan
Ferrunaj (Beshaj), lindur në Vlorë më 22 mars 1966 është fëmija e parë me baba
nga Vranishti, nënë po nga Vranishti, bijë nga Shkurtajt. Ka dhe një motër tjetër,
Almën, autore e katër vëllimeve poetike; ka dhe vëllain e vetëm, Armand. Elvira
ka kryer gjimnazin “Ali Demi” në vitet 1982 -’86. Më 1987 është martuar me
Arben Beshon nga Kanina dhe kanë dy fëmijë: një djalë e një vajzë. Djali quhet Mariel,
është 23 vjeç dhe studjon për ekonomi në Strasburg. Vajza quhet Eneida, është
20 vjeçe dhe ka studiuar në kolegjin Luksempiano. Në vitin 1999 ikën
familjarisht në qytet - shtetin e Luksemburgut, ku flasin tre gjuhë:
gjermanisht, frëngjisht dhe letzeburgisht
(vendase). Ajte Elvira punon në një zyrë
si përkthyese 3 - 4 orë në ditë. Kulturën e fituar në atë vend përrallor e
tregon në pamje, në qëndrim, në komunikim, në sjellje, në buzëqeshjen e
hijshme, fisnike e simpatike. Elvira evidentohet si një faktor plus që
evidentohet në urën e miqësisë dhe komunikimit
të kulturave midis vendlindjes dhe vendbanimit. “Qarkullimi i kulturave
na plotëson më shumë qytetarisht”- më thotë ajo dhe shpreh mirënjohje të veçantë
për mësuesen e frëngjishtes, të mirënjohurën Dashuri Gana, gruaja e të
paharruarit Bexhet Gana, që gjithë Vlora ka respekt. Me shumë nderim kujton përkthyesja
jonë edhe mësuesin e talentuar të gjuhës shqipe dhe letërsisë Milo Dilo, që
s’mund të harrohet dhe sot në qytetin tonë. Është nismë e guximshme që të përkthesh
nga letërsia frënge. Është trimëri kulturore të ndërmarrësh përkthimin e një
libri me përgjegjësi, shkruar nga një akademik francez. Është gëzim e krenari kapërcimi
i vështirësive me sukses nga përkthyesja jonë, që bëri emër qysh me ndërmarrjen
e parë të klasit të lartë. Ky përkthim cilësor u arrit se vajza jonë njeh bukur
gjuhën frënge dhe gjuhën shqipe, duke shfaqur kulturë letrare të spikatur. Ku
shfaqet kjo kulturë letrare? Ajo e përdor me mjeshtëri fjalorin, frazeologjinë,
përdor saktë sintaksën dhe morfologjinë, sa që të shkakton një kënaqësi
estetike me respektimin që i bën fjalës, duke e vendosur si duhet dhe me përdorimin
e pastër të shqipes në vendin e duhur. Miqtë e librit mblidhen, diskutojnë dhe
urojnë: Të lumtë Elvira Vranishti, ty, për artin që fal dhe Benit nga Kanina
për mbështetjen fisnike që të bën për përmirësimin qytetar të vendorigjinës së
përbashkët! Me këto medime e vlerësime dashamirësisht të vërteta jemi mbledhur
rreth ngrohtësisë së çerdhes së kulturës së sotme të Vlorës, bibliotekës së
qytetit. Shkrimtari Çlirim Hoxha, njëkohësisht drejtor i bibliotekës çeli
veprimtarinë dhe përshëndeti përzemërsisht përkthyesen, e cila erdhi
familjarisht nga Luksemburgu për ta ndarë gëzimin e krenarinë e produktit të
saj intelektual e artistik në
vendlindje, në Vlorën e saj dhe tonën. Me diskutimet e tyre shkrimtarët Duro
Mustafaj, Liljana Zoga, Eqerem Canaj, Leka Skëndaj, Albert Habazaj, Ruzhdi
Bajrami, Ahmet Dema etj., dhanë mendime të vlefshme. Ata u përqëndruan te
vlerat e përkthimit e sidomos te përdorimi i gjuhës së pastër shqipe, që dëshmon
njohjen me baza të saj nga përkthyesja. Ajo njeh thellë jo vetëm gjuhën frënge,
por në mënyrë të shkëlqyer edhe gjuhën shqipe, ku ravijëzohet qartë e kthjellët
kultura letrare e përkthyeses. Përpjekjet, pasioni dhe dashuria për letërsinë
janë tre këmbët e pirostisë që mbajnë talentin e shqipërueses Beshaj në
lartësinë e admirimit nga studiuesit dhe lexuesit elitarë të shoqërisë së sotme
shqiptare. Përkthimi dhe botimi në shqip i biografisë së “Boris Godounovit” u
vlerësua si një befasi e dyfishtë. Së pari si plotësim i një mungese në letrat
shqipe i jetëshkrimit, gati si një legjendë, të monarkut rus B. Godounov, me
makthet dhe intrigat, me makutërinë gërryese dhe aventurën e mistershme, me
tradhtitë tinzare dhe hakmarrjet gjakësore, që të mëkon mania dhe përgjërimi për
pushtet. Bota perëndimore, në shekuj ka qenë e tërhequr si me magji, si një
etje pas një mirazhi ekzotik, nga dinastitë e carëve, për bëmat dhe mbretërimin
e tyre, mbi një popull vital siç është ai rus, me shpirt të gjerë sa hapësirat
e stepave, nga malet Urale deri në Lindjen e Largët. Këto bëma dhe ndodhi, dështime
dhe lavdi njëkohësisht, do të përkundeshin si legjenda mesjetare, aty mes
shushurimës së Vollgës dhe Siberisë së acartë, por do të zgjoheshin për të
tronditur lexuesin e sotëm, me këtë pasardhës të Ivanit të Tmerrshëm, që përveçse
tiran dhe mbajtes i pushtetit, si i pari, i bëri shërbime popullit të tij duke
futur në qeverisje modele, norma, doke dhe zakone perëndimore. Do t'i mungonte
letrave shqipe biografia e Boris Godounovit, e shkruar mjeshtërisht nga
akademiku Henri Troyat. Por ky libër është përkthyer mrekullisht nga një shqipëruese
e re në këtë hulli. Kjo është edhe befasia e dytë. Zonja Elvira Beshaj me guxim
dhe pasion, për ta patur zili, vjen dhe paraqitet pranë shtëpisë botuese
prestigjoze “Toena” për t'u pranuar në stafin e përkthyesve me pretendime për të
ardhmen. Është i njohur sot, në qarqet e letrave shqipe, shqetësimi për të
folur shqip autorët më në zë të letërsisë botërore. Kemi shumë përkthyes, por
pak shqipërues. Për mendimin tonë Elvira po e plotëson këtë boshllëk. Ajo i
njeh mrekullisht të dy gjuhët, si atë frënge ashtu edhe gjuhën e nënës, pa të
cilën nuk do të tërhiqte vëmendjen me këtë libër. Ajo e ka kaluar tashmë provën
mrekullisht me një vepër të vështirë të një akademiku, sa historike dhe
shkencore, aq edhe letrare e artistike. Njohja e sinonimisë dhe zgjedhja e fjalëve
është një nga aftësitë e shqipërueses. Dhe bukur ia ka dalë mbanë. Vështirë se
gjen në një faqe një fjalë të përsëritur. Akademiku Henri Troyat në këtë
biografi të letrarizuar përdor dukshëm fjali të gjata shumëgjymtyrëshe, me pjesë
të ndërkallura dhe kontraste ndriçuese, me shprehje frazeologjike dhe figura të
goditura. Dhe kjo është një vështirësi jo e paktë që Elvira ka ditur ta kapërcejë
për të na sjellë një tekst të rrjedhshëm, pa ngërç, çlodhës, ëmbëlsisht të
kuptueshëm, të cilin rrallë e gjejmë në përkthimet e sotme.
No comments:
Post a Comment