Friday, 16 September 2016

Fenomeni arbëresh nën penën demoniake të profesor A. Shundi Inline image

Fenomeni arbëresh nën penën demoniake të  profesor  A. Shundi Inline image
       1. Arbëreshët e Italisë, veprimtaritë e tyre, përbëjnë ndër shembujt etno - kulturor të përveçëm, të pa përsëritshëm dhe ende të  pa sqaruar përfundimisht. Me këtë dua të them se janë studiuar krahasimisht pak, por edhe po të ishin studiuar sa duhet, gjithnjë  fshehin shumë enigma. Ruajnë prej 600 vjetësh kulturën, folklorin, doket, këngët dhe dashurinë për  vendprejardhjen, sikur të jenë larguar në vitin e kaluar. Ky është  një fenomen psikologjik dhe botëkuptimor, që nuk mund të spjegohet pa studime më të thelluara. 
     Ditët e fundit lexova librin e profesor Andrea Shundi, i cili aspekte të fenomenit arbëresh i shqyrton me detaje. Krijova  idenë e pashlyeshme se ky botimi përbën një ngjarje të rëndësishme shkencore, në  shkallë  kombëtare dhe më gjerë. Ndërgjegja e ime gazetareske nuk më le të hesht ndaj kësaj ngjarje, prandaj po shkruaj këtë vlerësim modest, për të  ndarë me  lexuesit, atë  që mësova nga ky  libër, ku dritësohen më tej shumë ngjarje dhe veprimtari kombëtare të periudhave të ndryshme.
       Libri titullohet “E(t)nogastronomia  arbëreshe“, botuar më 2016 nga botuesja “Vllamasi“ në Tiranë. Libri u referohet edhe 79 dokumenteve burimore, përmban 436 faqe si dhe 610 receta gjellësh e ëmbëlsirash. Është pajisur me 240 fotografi me ngjyra në ofsejt. Kushton 800 lekë ose 8 euro.
      Mjafton të vështrohen burimet e references dhe lexuesit krijojnë ide më të plotë për një botim shkencor të thelluar. Vetë autori është shkencëtar i mirëfilltë, eksperimentues dhe studiues me mëse 50 vjet veprimtari shkencore të zbatuar, njohës i disa gjuhëve të huaja, njohës i thellë i shkencave të zbatuara, ligjërues në universitete si edhe kumtues shkencor: në Shqipëri e Kosovë dhe në një sërë vende nëpër botë. Të tëra këto janë njëra anë e këtij personaliteti shkencor.
     Andrea  Shundi  vijon të  lerë gjurmë të  pa shlyeshme në kulturën dhe në  ekonominë shqiptare. Eshte autor i 45 librave që janë në përmasa të veprave të mirëfillta; prej tyre, 11 janë botuar pas  viteve ‘2000, të vlerësuara maksimalisht nga rrethi i lexuesve e studiuesve, nga institucionet shkencore të fushës.
     2. Emërtimet e fshatrave/qytezave arbëreshe dhe të rrugëve e shesheve të tyre janë në shqip, natyrisht dhe në italisht. Institucionet vendore duke përfshirë shkollat, bibliotekat, kishat etj., si edhe shitoret, restorantet etj. po ashtu  kanë  emërtime dygjuhëshe. E folura arbërishte është kudo e pranishme, shoqëruar me botimet ku spikatin një numër i shumtë gazetash dhe revistash, krahas radio-televizionit dhe shtypit elektronik arbëresh. Në fshatin arbëresh ndihesh se je diku në fshatrat e Labërisë, Bregut etj. Ndërsa në meshën e kishës në  qendër të Tiranës, ndihesh se je diku në një kishë athinjote. Jemi jo përpara një enigme, por përpara një realiteti, ku filozofia ngre duart.
Ky ndryshim  shfaqet edhe më i dukshëm, po t’i drejtohemi marrëdhënieve  historike me fqinjët grekë dhe sllavë, ku era e barutit ndihet ende.
   Fenomeni arbëresh na bën krenar për Kombin, për prejardhjen, për të kaluarën  e ndritur historike ilire-shqiptare; por edhe për qëndrim kritik ndaj politikanëve marrokë. Duhet të pranojmë se sa meritë e ardhacakëve arbër është dhe merita  e shtetit tolerues italian, që ka zbatuar këtë politikë ndaj pakicave, çka ndeshet rrallë në botë.
     Realiteti arbëresh behet edhe më mësimdhënës, kur shohim mërgimtarët të cilët për pak vite jetesë jashtë atdheut, ndryshojnë emrin dhe doket, harrojnë traditat  kombëtare dhe, mbi të  gjitha  mohojnë gjuhën, identitetin e  prejardhjes. Pak vite në mërgim dhe shqipen e flasin shtrembër. Fëmijëve nuk u mësojnë gjuhën amtare. E thënë shqip: flasin përçart. Të kuptohemi, kjo braktisje  nuk është fenomen vetëm  shqiptar, por le të mbetemi brenda kasolles tonë. Sa bashkëatdhetarë i shpien fëmijtë në manastiret greke, për të mësuar greqisht! Le të mësojnë greqisht, në se u duhet, por pasi të përtypin  gjuhën  amtare. Këtë fat na rezervoi historia. Por gjuha e mëmës duhet të  mësohet edhe në shkolla me jo pak nxënës mërgimtarë ose të diasporës. Përndryshe nëna bëhet njerkë, me zor. I flet fëmijës gjuhën e punëdhënësit, të priftit, të policit vendës.
       Arbëreshi bëri të kundërtën e këtyre nënave të përçudnuara. Në vendin pritës punoi tokat dhe seliti vreshta, ullishta, grurë etj.; djepin e mori edhe në arë, gjuhën i a përçoi  fëmijës me porosinë dhe bekimin, që ta përcillte te pasardhësit.  Me gjithë ndryshimet e jetesës, të punësimit etj., pak a shumë kështu vijon gjuhësimi, të ushqyerit etj. edhe pas mbi 25  breza arbëreshësh të cilët kanë populluar një pjesë të  Italisë së Jugut.
    Kultura  arbëreshe, traditat, mënyra e jetesës janë përbërës themelorë, që me sadopak ndikim nga vendi pritës, kanë krijuar një identitet të ri, që pasurohet nga  viti në vit.  Pak a shumë këtë rrugë ndoqën gjithashtu arbëreshët në Kroaci, në Argjentinë etj., madje edhe në Odesë. Arbëreshët e shpërngulur pas periudhës së   Gjergj Kastriotit, pak a shumë kanë mbetur bashkësi me identitet  shqiptar, që jep ndihmesë me vlerë në vendin ku kanë bujtur. Arbëreshët kanë mbetur si diasporë, që na jep shpresë se do të rivendosim dinjitetin e trashëguar nga të parët, të paktën qysh me Kastriotët, Frashërllinjtë, Vlorët, intelektualët e viteve  ‘30  të  shekullit XX –të, deri me figurat aktuale të artistëve, letrarëve dhe  shkencëtarëve, të cilët me identetitein kombëtar njihen dhe çmohen botërisht.
      3. Këtë  hyrje të  gjatë  e shkrova për të dalë te vlerat gjithëpërfshirëse të  veprës së re të  Prof. Dr. Andrea  Shundi, që i përkushtohet diasporës arbëreshe të Italisë. Profesori, krahas hulumtimit në dokumente dhe botime të tjera shkencore, disa herë radhazi ka vizituar Arbërinë dhe intervistuar shumë të moshuar e intelektualë. Është njohur me një sërë institucione arbëreshe, ka kuvenduar me specialistë edhe nëpër vreshta, ullishta, kantina vere, fabrika vaji ulliri etj. Ka parë nga afër gatimet shtëpiake, qilaret e prodhimit dhe të ruajtjes së verërave. Ka  shkuar si studiues, analist, shkencëtar i veprimtarive bujqësore dhe enogastronomike; ka shqyrtuar për së afërmi aty ku buron dhe përtërihet jeta dhe kultura materiale arbëreshe. Na përçon kuvendimet me vëllezërit historikë dhe na i shtjellon veprimtaritë e tyre. Na flet nga brendia e kuzhinës rurale. Ka qenë në  kisha të tyre, në shkolla dhe në Universitete ku veprojnë Departamente të gjuhës dhe letërsisë shqipe, në zyrat e Komunave etj. Ka lidhje e bashkëpunime shkencore me  shumië kolegë dhe intelektualë të tjerë arbëreshë. Profesor  Shundi na  shfaqet si arbëresh i thekur, sikur është  moshuar në Kozencë  ose diku në Shën Mitër, komunë arbëreshe aq e mirënjohur edhe për Kuvendin arbëresh disa shekullor, ku ligjëroi De Rada dhe fillimisht u shkolluan L. Gurakuqi, A. Xhuvani, A. Rustemi e dhjetëra personalitete të tjera shqiptare.
     Po të isha shkrimtar do të shkruaja një roman për profesor Shundin,  “Pelegrini në kërkim të rrënjëve“. Do ta personifikoja me një udhëtar të përjetshëm, me  xhaketë në sup, duke udhëtuar katund më katund të Arbërisë, për të përkufizuar të ardhmen bujqësore të Atdheut të lodhur dhe të diasporës dinamilke arbëreshe, e cila ka 600 vjet që gjallon  bukur e mirë edhe me bujqësinë tradicionore “grurë shumë dhe verë të mirë shtëpie“. Asgjë nuk do të kishte të supozuar në romanin tim të supozuar. Vetë autori i këtij shkrimi është shkencëtari bujqësisë dhe kjo është pjesa që dhëmb.
       Vetëm rreth këtij episodi të përqendrohesh dhe konkludon se motivi është  i  thellë, duke u përshfaqur në mundësitë e munguara aktualisht të bujqësisë të  Atdheut, qoftë krahasuar me të tashmen e arbëreshëve.
      Profesor Andrea  Shundi rrjedh nga një familje denbabaden/gjithnjë qytetare. Me vepën e tij që kemi në duar ka arritur apogjeun e shkencës europiane, gjithashtu lidhur me studimet lidhur me të ardhmen e katundit/qytezës të botërizuar arbëresh - shqiptar!
      4. Për vlerën gjithëpërmasore, kjo vepër mund të ishte produkt jetësor i dy ose tre akademikëve, me të cilën të mbronin teza për ekonominë, gjuhësinë dhe  enogastronominë. Të triave këtyre shkencave themelore u ka dalë zot profesor  Andrea, duke i shtjelluar në mënyrën më shteruese të mundshme. Shqipëria, Arbëria dhe diaspora shqiptare në tërësi, duhet të ndihen krenare me  shkencëtarin poliedrik. Krenar ndihem dhe une, si bashkëstudenti dhe kolegu i praktikës bujqësore mëse 50 vjeçare.  Andrea mbetet shkencëtar i pa përsëritshëm; shkencat gjithnjë e më shumë po divergojnë, duke u specializuar hollë dhe më hollë.
      Shqipërinë kërkojmë ta bëjmë Zvicër bujqësore apo Francë, Tirol, Amerikë  fermere, Suedi pyjore etj. Këtë synim përgjithësisht e arritën vëllezërit arbëreshë, me thonj e me dhëmbë, mbështetur në krahët e tyre, në inteligjencën, por në traditën  dhe nën hijen e një shteti human siç është Italia fqinjë, që duhet t’i jemi mirënjohës në një serë ngjarje historike. Kemi shtetin, por nuk kemi bujqësinë që kërkon koha. Qeveritë e tranzicionit kanë parapëlqyer varfëri të dhimshme, se sa  bujqësi bashkëkohore me investime.
      5. Vëllezërit arbëreshë, kumton autori, e kanë ndërtuar jetesën e mirë edhe nëpërmjet bujqësisë së grurit, vreshtit, ullishtës si edhe mbarështimit sidomos të bagëtisë së imët dhe të derrit në kushte shtëpiake - të shoqëruar me përpunime frutash, perimesh, qumështi dhe me enogastronomi në kushte  artizanale-familjare. Me këtë ngrehinë ekonomike tradicionore kanë ruajtur gjithashtu identitetin ilir - shqiptar! Një realitet që ka befasuar dhe ende befason shkencëtarë të vdekur e të  gjallë.
     A nuk jemi përpara një shembulli që duhet të na ngjallë ndjenja optimizmi, për ta  bërë vendin të përparuar? Qysh më 1520  arbëreshët e Kuntisë (Siqili) ngritën vreshta dhe filluan selitjen e tyre; në Shën Koll (Kalabri) dukumentohet se vreshtaria arbëreshe nisi më 1472. Studiuesja arbëreshe Giuseppina Di Marco shkruan se nga regjistri kadastror i vitit 1593, në Mezzojuso (Siqili), 63 për qind e familjeve arbëreshe selitnin vreshtat e tyre. Poeti  Mario Bucci ka shkruar vjershën “Dhria“, që e perifrazuar mund të përmblidhet: Kur erdhëm me anije, sollëm edhe kalema hardhie, i mbëltuam; prodhuam rrush dhe verë të fortë, si rrënjët tona që rrojtën me djersë dhe me lot.
Nuk e di ç’kërkojnë qeveritarët e këtij tranzicioni shterp! 
“Tradita është ruajtja e zjarrit, jo adhurim i hirit“ - profesor Shundi citon kompozitorin austriak Gustav  Malher. Po ashtu, Shundi parashtron se qytetërimi  arbëresh, përfshirë etnogastronominë, është jo vetëm pjesë e qytetërimit ilir-shqiptar dhe të atij italian, por i takon edhe qytetërimit mesdhetar, nga më të  lashtit në botë.
   Profesor Andrea ka mundur të hartojë siç duhet “E(t)nogastronomia Arbëreshe”, sepse kreu tre udhëtime hulumtuese të organizuara nëpër Arbëri. Kanë qenë ekskursione studimore, me ftesë kryesisht të Universitetit të Kalabrisë, por më së shumti të financuara nga ana e tij. Gjykoni sa vlera kanë dhe kushtojnë këto veprimtari nga ana  fizike, financiare dhe emocionore. Kemi të bëjmë me një “pelegrin” i cili i ka vënë vehtes mision që ta ndriçojë më tej rrugën e bashkëkombasve. Pak dijetarë të tjerë kanë bërë të tilla flijime per shkencën, për kulturën dhe atdhetarinë  shqiptare. Kush është i interesuar të njohë një dijetar të tillë, le të  lexojë veprën e Andrea Shundit, profesorit të profesorëve të vërtetë të Shqipërisë bashkëkohore.
     Profesor Shundi nuk ka shtjelluar thjesht jetën dhe kulturën arbëreshe, por është futur në lëkurën/brendësinë e tyre, flet me mushkëritë e tyre. E ka pasur të lehtë që të identifikohet si arbëresh, sepse është i një  gjaku, e njëjta ADN  kombëtare. 
     Me  veprën e re,  Shundi tanimë ka hyrë në familjen dhe në kuzhinën e vëllezërve arbëreshë. Ushqehet me ta në tryezën e miqve, pi verë nga rrushi i vreshtit arbëresh. Bashkëkuvedon dhe bashkëpunon me homologët arbëreshë se si do të riorganizohet ekonomia në kushtet e kësaj krize, si do të zhvillohen kultura dhe bashkëpunimi me Mëmëdheun, për mos t’u përsëritur tragjedia e “gjaku i shprishur“. Në instancat kulturore, shkencore dhe ekonomike arbëreshe, profesor Shundi njihet si institucion që përfaqëson “Të bukurën Mëmëdhe“. Këtë  puls vërtetësie e gjejmë sepse rreh në çdo rresht të librit; por e kam të vështirë të shkëpus  shembuj ilustrimi, meqenëse i tillë është i gjithë libri.
   6. Kultura ilire shqiptare e arbëreshëve ka ndikim të ndjeshëm në  historinë  kombëtare. Personalitete si De Rasa, Variboba, Skiroi etj. janë në altarin e vlerave  letrare dhe historike mbarëshqiptare.
    Identitetin shqiptar, profesor Shundi e vërteton me shembuj nga e përditshmëria jetësore, pa të cilën nuk do të ekzistonin edhe vetë pseudoshkencëtarët e akademive sllave dhe greke, të cilët e quajnë veten si ballkanikë, por faktikisht mbeten mercenarë të një pseudoakademie jashtëkohore siç është tërësia e akademive serbe-greke-maqedonse- malazeze. Është koha e duhur që kjo tërësi pseudoakademish të mos përfillet nga shkenca bashkëkohore europiane. 
    Bie në sy se midis bashkëpunëtorëve të ngushtë në librin e Shundit, shquhet  Emil  Lafe, gjuhëtar shumë i mirënjohur. Në pamje të parë duket si një lapsus, por kur lexon librin, kupton se krahas anës teknike dhe atdhetare, vepra ka thellime dhe rekomandime gjuhësore, nga më të rëndësishmet, në  argumentim edhe të prejardhjes së Kombit.
     Profesori u është mirënjohës dhe falënderon dhjetëra institucione, personalitete shkencore, specialistë etj. çka e parashtron në Hyrje të librit, sepse dhanë ndihmesë të vyer për përfundimin me sukses të “E(t)nogastronomia Arbëreshe”. Në mënyrë të veçantë ndalet tek arbëreshi i mirënjohur, prof. Franko Altimari, zv. Rektor i Universitetit të Kalabrisë dhe akademik i zgjedhur në Shqipëri i cili i dha idenë për këtë libër e shumë të dhëna studimore për enogastronominë arbëreshe.
   Autori nuk e shënon sa vite veprimtarie i janë dashur për ta përfunduar këtë  vepër. Mendoj se për suksesin e saj duhet një jetë njeriu intelektual, kur  kemi parasysh periodikën e ngjarjeve, sezonet e  prodhimeve bujqësore, kundërshtitë politike, zhvillimet demografike dhe ato shkencore e administrative.
       7. Përveç sa kam specifikuar më sipër, po paraqes disa ide dhe zgjidhje që na parashtron autori, lidhur me problematikën arbëreshe në shumë rrafshe. Është  e  pamundur të jepet i gjithë trupi i ideve dhe i zgjidhjeve që janë realizuar në vepër. Mesatarisht në çdo dy-tre faqe shtjellohet një ide qendore. Paraqiten një e më shumë zgjidhje. Të tëra kanë vlerën e tyre specifike, jo vetëm për të kaluarën historike, por edhe për të  ardhmen e Kombit dhe të ekonomisë. Veçanti e botimeve të Prof. Shundit është fakti se nuk na imponohet për asgjë. Vetëm parashtron dhe shtjellon, edhe përmes prozës së ëmbël dhe të rrjedhshme; mësimet dhe rekomandimet i nxjerr secili lexues.
  Po jap disa rekomandime të autorit, të shkëputura nga gjysma e parë e librit:
         “Vreshtaria, ullishtaria dhe enogastronomia arbëreshe janë në shtëpinë e tyre”. Ky është përfundimi i autorit për zhvillimin ekonomik të bashkësisë së madhe  ilire  - shqiptare.
     Arbëreshët i u përkushtuan bujqësisë. Vreshtat i selitin edhe 1000 m lartësi mbidetare. Komuna Shën Mitër (Kalabri) konsiderohet njësia administrative me më shume ullinj në Itali. Hardhia dhe ulliri, këto bimë biblike, përbëjnë  thelbin e jetës bujqësore arbëreshe. Por prodhimi i tyre ka rënë, krahasuar me 30 – 40 vite më parë, sepse  BE  ka përcaktuar rrregulla të rrepta; ndikon edhe vala e mërgimit dhe ajo e migrimit të arbëreshëve. Sidoqoftë, në vreshtat dhe ullishtat e reja përdorin  agroteknologji bashkëkohore, sikurse për përpunimin e rrushit dhe vajit të ullirit ku perdorin teknologji të miratuara nga BE. Prodhimi i rrushit dhe i  verës, megjithë kufizimet nga BE, arrrijnë më  shumë se sa ky prodhim në Shqipëri dhe Kosovë të marrë së bashku.
         Me një paragraf të vetëm, autori na fut jo vetëm në historinë  e ndërtimit  ekonomik arbëresh, por na shpalos edhe vullnetin e paepur të tyre, per t’u afruar deri barazuar me teknologjinë e vendit pritës; dora - dorës  edhe me  normat teknike  përcaktuese të BE. Nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e teknologjive të reja, kur  kërkohet të shkulen vreshta/ullishta me hardhi/ullinj nga kultivarë që tregu i botërizuar nuk i parapëlqen, për t’u zëvendësuar me kultivarë të rekomanduar nga  shkenca europiane e bashkuar.
      8. Janë pengesa të vështira, që arbëreshët i kaluan: një herë e një kohë për t’u përshtatur  me ligjet italiane dhe tani së fundmi me normat teknike të  BE.  Këtyre  vështirësive u shtohet kriza e viteve të fundit dhe mërgimi. Me këto gjykime ekonomike – teknike, autori i bën me dije drejtuesve të  bujqësisë shqiptare, se  shkenca  dhe teknika nuk  zbatohen pa përpjekje titanike, sikurse edhe pa e ndërprerë  vështrimin përpara. Arbëreshët selitin vreshta edhe në lartësi 1000 m, ndërsa  në  Shqipëri një pjesë e tokave fushore zihen me vreshta. Kritika është më  e  drejtpërdrejtë, kur shkruhet se prodhimi i rrushit dhe i verës tek arbëreshët është  më i lartë se në Shqipëri e Kosovë të marrë së bashku. Ky fakt përbën prapambetje skandaloze, kur kemi parasysh që arbëreshët janë vetëm sa  rreth 5 për qind e popullsisë banuese në dy shtetet amë. Prapambetja bujqësore është e papërligjur. Autori paraqet një citat të shkencëtarit Massimo Montanari në Universitetin e Bolonjës i cili shkruan: “Ushqimi dhe gatimi janë mënyra e parë për të hyrë në lidhje me kultura te ndryshme”. Jemi përpara një mësimi të madh:  jetën e popullsisë ta studiojmë sidomos në  tryezën e ngrënies, pikërisht ku amortizohen interesat shtetërore, shoqërore dhe private.
     9. Isha në një takim me një skulptor të moshuar. Më tregonte se sa herë shkonte në  Pojan të Fierit, sheh toka të papunuara, por shihte edhe bulevarde dhe  shatërvane që shtohen nga dita në ditë. Mirëqenien nuk e mat vetëm me bulevardet, por veçanërisht me tryezat e ngrënies. Shqipëria nuk mund të mbulohet me plastmasë, kumtoi skulptori. A ka mbetur ndonjë  shkencëtar a specialist bujqësie i cili ta shkundë Ministrinë e Bujqësisë? - më pyeti skulptori.
       I  fola për Andrea Shundin. E njihte dhe e respektonte, por kërkonte një  agronom në veprimtari të plotë, sepse duket sikur specialistë të tillë janë shuar nga ndonjë sëmundje profesionore. I përmenda një agronom vërtet aktiv dhe të  ditur, Gjovalin  Gjeloshin, drejtor i  Drejtorisë së Bujqësisë në Lezhë. I fola për veprimtaritë e tij  dhe për programin  rehabilitues të  bujqësisë, konceptuar nga  Gjovalini, që ndryshon nga politikat e ndjekura nga ministrat e bujqësisë, të kësaj periudhe euforike 26 vjeçare. Skulptorin e munda me  Gjovalinin i cili kam besim se do behet flamur, për të mposhtur prapambetjen e bujqësisë “tranzitore” shqiptare.
         10. Nga  gjellët që përdoren gjerësisht në Arbëri, vend të rëndësishëm zenë  gatimet me mish keci: “kaciq  me patana (patate)”, “kaciq te graza (skara) me dafin” etj. Mishi i dhisë dhe sidomos i kecit parapëlqehet, sepse dhia  mbarështohet  gjerësisht si bagëti e shkurreve. Gjellë të veçanta dhe të pëlqyera janë gjithashtu kordhëzat, lepur i skuqur, byrek me bathë etj.
     Në enogastronominë arbëreshe është bashkërenduar në  mënyrë të shkëlqyer  balancimi ushqimor, duke u ruajtur përpjesëtimet e kërkuara midis vlerave të proteinave, karbohidrateve dhe yndyrnave, shoqëruar me sasinë e nevojshme të vitaminave; por gjithmonë duke mbetur kryesisht në natyrën e prodhimit vendës. Ndërkaq diellin mesdhetar, përbërjen e tokës dhe traditën, i gjen të mishëruara  në çdo recetë dhe pjatë gjelle e ëmbëlsire arbëreshe.
Ndër 610 gjellët, ndoshta më shumë shquhen: “Lepur me verë të  bardhë”, “Mish lepuri me ftonj”, “Kordhëza qengji dhe keci”, “Minjiatiall“ një lloj kukureci i pjekur në hell ose në skarë apo në furrë, “Mixhishku” ku përziehen disa lloje mishi.                                                                                                                                                                                                       
      Nga  shumëllojshmëria e gjellëve me mish keci, qengji, lepuri dhe derri të  rritur pranë  shtëpisë, dëshmohet se vendbanimet arbëreshe janë në toka  skeletore; nuk mund të ishte ndryshe, për ardhanjakët e pa ftuar. Arbëreshët, me  mençurinë dhe punën e tyre mundën që këto toka t’i kthejnë në  vende ku prodhohet dhe  jetohet, madje shumë mirë. Përmirësimi rrenjësor i natyrës, ku u vendosën  ardhanjakët, përbën dëshminë më të vyer të vlerësimit dhe të dashurisë arbëreshe për jetesë më të mirë.
      Gatime të peshkut janë tregues i rëndësishëm i kuzhinës arbëreshe. Shquhen “Bakalla me kangarejele ti thiti e ullinj te zeza” (Bakalaro me speca djegës të terur dhe ullinj të zi) dhe tetë gatime/pjata të tjera me bakalaro, dy gatime të merlucit dhe dy të ngjalave të lumit etj.
      Ëmbëlsirat janë vërtet të shumëllojshme dhe shumica gatuhen për kremtimet përkatëse veçanërisht ato fetare. Krahas sheqerit, në to përdoren jo pak mjalti, mushti dhe pekmezi ose merikota siç e quajnë arbëreshët. Shquhen: “Çiçiriaq” dhe “Kanarikulla” që përdoren sidomos për Krishtlindje, “Dardha me mjal (mjaltë)”, “Gaganet”, “Kanojët arbëreshë”, “Kruxhiqe” – fiq të terur të mbushur me bajame ose arra dhe që piqen në furrë, “Loshkat” lloj petullash, “Mjalt e fiqve”, “Mustacuall” ku mushti ose mjalti zëvendëson sheqerin, “Mustardë” nga rrushi ose fiku a dardha, “Paprate (byreçka) me merikotë”, “Pupeqe” për Karnavalet, “Tarallet” që shoqërohen me pirje vere dhe shënojnë pagëzimin e fëmijëve, fillimin e dasmës etj., “Xhurxhulle” me farë susami dhe “Zepulle” si petulla për Krishtlindje.
   Gatesa arbëreshe janë paraqitur në librin “Uonimi, cibi, stagioni“, hartuar nga profesori italian Ottavio Cavalcanti. E veçanta është se përshkruan 10  gatime të rëndësishme arbëreshe.
  Disa gatime janë vlerësuar dhe spikatur me epitete: Dromsat – gjella e të varfërve, Dromsa me likënge - arkeologji gastronomike arbëreshe, Hollë holla   – flokët e engjëllit, Kulaç i madh i  dasmës - ëmbëlsirë e zonave rurale, Tarallet e  dasmës dhe të nuses.
     Kalendari vjetor i kuzhinës arbëreshe ndjek pak a shumë ecurinë klimatike, periudhën kur piqen/vjelen prodhimet bujqësore dhe blegtorale; nënkupton përdorim ushqimesh të freskëta dhe me më shumë amësim e shije. “Therja e derkut“ nis kalendarin e kuzhinës. Gjatë verës përgatiten tëmotjet për dimër.
 Me  këtë shumësi e cilësi gatimesh, krijohet përshtypja më e plotë se cila është  jeta e arbëreshëve. Kuzhinë arbëreshe do të thotë gjithashtu të kuvendosh me njerëzit, të  jesh i mirëpritur si mik shtëpie.
     Buka është ushqimi kryesor sepse ka përbërës të përqenduar dhe përpunohet më gjatë në aparatin tretës. Llojet e bukës janë  me dhjetëra, jo vetëm nga përbërja dhe teknika e gatimit, por gjithashtu nga “sebepet” për të cilat paracaktohet: dasmë, lehonë, Dita e verës, e arës, e vdekjes etj.
  Gjellë dhe ëmbëlsira të gatuara me verë, si edhe ngrënia e tyre në shoqërim me pirje vere, përbëjnë  veçorizime të amvisnisë arbëreshe.
      Secili lexues, vetëm duke lexuar listën enogastronomike, krijon përshtypjen se  arbëreshët kanë krijuar traditë  gatimesh në kushtet ekonomike të  mbijetesës. Në rrafsh të parë kanë ushqimin proteinor bimor me bathët, bizelet, fasulet, qiqrat, thjerzat  dhe atë shtazor sidomos me dhinë, lepurin dhe derrin. Gastronomia dhe kalendari ushqimor u janë përshtatur mundësive të një   bujqësie në toka skeletore dhe kodrinore, por gjithsesi mbetet kuzhinë e begatë, që nuk le hapësirë për uri dhe ushqim jo cilësor. Ka vulën e pashlyeshme ilire shqiptare.
            11. Pjesa e parë e librit përmbyllet me një tërësi prej 50 faqe shkrimesh, ku shpërfaqen burime prodhimi, përpunime, tregtime, kremtime enogastronomike. Këto veprimtari janë vërtet me mbushullim.
              A e dini se arbëreshët kanë disa dhjetëra ekotipe dhe kultivarë të tyre të hardhisë? Shundi shtjellon disa të tillë si: Asprun, Hardhagjel, Hora, LotKrishti, Pasularë, Sisëlopë, Ruxh, Virdhan, Zagarzezë etj. Mandej vijon me dëshminë se disa prej tyre prodhojnë rrush të bardhë dhe të zi (siç ndodh me Kallmetin, Sheshin, Vloshin etj), çka ripohon fuqi biologjike dhe prejardhje të moçme. Por edhe parashtron synime për përmirësim gjenetik, prodhimin e kloneve, kryerjen e analizave krahasuese të ADN –së midis tyre dhe përkatësve të lashtë në mëmëdhe.
Për më tepër, shumë verëra tregtohen me emërtime arbëreshe (Arbëria, Haré, Hora, Kokrra, Loti, Mos, Pinot i Skanderbekut, Pjuhuri/Baruti, Vera Jonë etj.). Nga institucionet italiane, disa verërave arbëreshe u është dhënë emërtimi DOP e IGP; sikurse u kanë dhënë emërtime “Qytete Vere”: Barillit, Çiftit, Frasnitës, Këmarinit, Mashqitës, Zhurës etj.
        Në kre të veçantë shtjellohen 31 vreshta e kantina vere, ullishte dhe fabrika vaji, mbarështime derri e fabrikë sallami. Po ashtu bukëtore (Bukë e përsosur, Buktore Karafini, Buk’e Ungrës), dhe restorante (Ceraudo, Kamastra etj.).
       Kremtimet enogastronomike janë të panumërta dhe me veçantitë përkatëse zhvillohen në çdo Komunë arbëreshe. Kryesisht lidhen me agroturizmin dhe të kremtet fetare e laike, por edhe me ngjarje enogastronomike sikurse “Hapja e butit”, “Karnavalet”, “Therja e derkut” etj. Zhvillohen kryesisht gjatë qershor-shtatorit, kur shtohen turistët dhe kthimi në vendlindje i arbëreshëve për pushimet verore.  
       12. Enogastronominë arbëreshe, prof. Shundi e ka hulumtuar edhe në vështrimin gjuhësor e kulturor, duke përfushur dëshmi dhe tregues thelbësorë, që më tej e lartësojnë kulturën e të ushqyerit dhe të vetë jetesës së kësaj diaspore historike.
Ky vështrim përbën pjesën e dytë të librit, duke arritur të zerë 30 për qind të vëllimit të tij. Në gjuhën e shifrave: Fjalor terminologjik për enogastronominë me 1255 fjalë e terma arbërisht, shoqëruar me përkatësisht në shqip e italisht; Fjalë të urta 600 dhe tradita e doke 120.
        Me qenë se nuk jam i afërt me këtë fushë të albanologjisë, po ndalem më pak, duke nënvizuar se në Fjalor ka vetëm terma arbërishte të mirëfillta dhe shumica dërrmuese nuk janë në “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, se dëshmon lashtësi gjuhësore dhe enogastronomike si edhe gjallim të përbashkët arbërisht e shqip dhe shumë fjalë/terma që mund të bëhen gjithashtu pronë e shqipes standard. Të tilla mund të jenë: biljezë për fidan, fillestar për lastar, kryerinë për bucelë, lisarjel për pjergull, mbroní për vozë, ngjërim ose ngjepsje për degustim, pishnesë për dolli, spalë për shermend, shtrydhëse për trokull etj.
          Mahnitëse janë fjalët e urta, aq shumë vetëm për enogastronominë! Për t’u patur zili nga një sërë gjuhë të tjera. Ku mund të hasen shprehje të tilla moralizuese, të traditës, të mjeshtërisë, si për shembull “Duhi mir si buka e vera”, “Ti, buka dhe vera”, “Vreshta e ullishta mjaftojn qe familja t’jetoj mir”, “Grur shum e ver shum”, “Kadori/Gjethja ruan/mbron rrushtë”, “Hardhia me shum pamna/gjethe ben pak rrush” etj. Po ashtu çiftime, bukë dhe verë: “Buk e ver dhe më gjë”, “Pafshe hije/nderime si buka e vera”, “Rrofshi sa buka e vera”, “Shurbe bukën e mat veren”, “Triesa pa buk e ver ska hije” etj.
         13. Në përmbyllje të këtij shkrimi nuk më rrihet pa spikatur krahasimet shumë të goditura, që Shundi bën midis disa gatimeve arbëreshe me ato shqiptare (buka, fiqtë e terur, hardallia, kulaçi, lakrori, petullat, qulli etj.) si edhe me ato italiane (kanojët arbëreshë me cannoli sicilian etj.). Po ashtu, shumë krahasime bëhen midis fjalëve/termave në arbërisht, shqip dhe italisht.
          Në tërësinë e librit vihet re se shtjellmet e Shundit janë të  thjeshta, pa përbetime, pa perifraza bombastike dhe  figura  apostrofike. Godasin drejt ku është problemi. Janë nervi i jetës së vërtetë njerëzore. 
       Të jem i  sinqertë me ju që më lexoni. Nuk e kam kohën me mbushullim për  t’u marrë me grafomaninë e kësaj periudhe, që në një farë mënyre, librin e ka  burgosur. Librat, që sot çajnë verbimin e krijuar nga teknologjia, janë të pakët.    Ndër to është ai i profesor Shundit, për të cilin përmbusha këtë përsiatje modeste. Është vendi të përmend një thënie të shkrimtarit gjerman Henrich  Laube, çka është cituar në këtë libër: “Librat nuk janë mbijetesë e të shkuarës, por  armë të së ardhmes“. Kur libri nuk është armë, nuk  konceptohet se ç’mund të  jetë tjetër!   
   Mësimet që dalin nga leximi i librit shkencor janë shumë të vyera, por varet si i kuptojnë ata të cilët i kanë punët në dorë, për t’i përmirësuar.
     Ana shkencore e “E(t)nogastronomia Arbëreshe” është  gjysma  e realitetit.  Gjysma tjetër, më e rëndësishmja, është zemra e profesor Shundit. Kjo zemër po  “pushton” trojet tona në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Kosovë Lindore, Çamëri, Arbëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë të cilët i thonë  bukës bukë dhe ujit  ujë. Kur shqipen nuk e shqiptojnë si duhet i ndihmon Profesori i cili ec në gjurmët  e Shqiptarëve të mëdhej: Papa Kristo Negovani, Frashërllinjtë, Koto Hoxhi, Pandeli  Sotiri, Fan Noli, intelektualët e viteve ’30 të shekullit të kaluar.
    Profesor Shundi ka afro dy dekada që mungon në Shqipërinë zyrtare.
    Asgjë të guximshme dhe të tejkaluar nuk shoh në vlerësimin tim.

 Illo Foto, Nju Jork – Korrik 2016


No comments: