Thursday, 29 December 2016

ÇIFTI NGA BARCELONA

ÇIFTI NGA BARCELONA
-Në vend të një kartoline urimi në këto ditë të kapercimit vjetor nga 2016-ta, në Vjetin e Ri 2017-
Nga Zeqir Lushaj, Tr, Albani
Po vjen Viti i Ri 2017. E une si amator i vjeter i urimeve ne kesi rastesh, sivjet po e vrisja mendjen si të uroj shoket e miqtë e shumte per kete motmot qe po na vjen. Per tu shmangur pak nga “tradicionalja” i thash vetes se Viti i Ri don nje diçka te re qe te na urojë e rinojë. Per kete pune më ndihmoj Zoti: Ai ma dergoj nga Barcelona e Spanjes kartolinen dhe urimin me te mirin e mundeshem per keto Krishtlindje e per Vitin e Ri që po vjen.
...Nipi im , djali i madh i vellait tim te ndjerë Ukë Lushaj, Ditmari, me pune e banim tash sa vjet ne Barcelone të Spanjes ishte njohur, miqesuar e dashuruar atje me vajzen nga Devolii i Korçes, (por lindur e rritur në Tiranë), me studenten pasuniversitare per Matser në Ekononmi, pikrisht në Barcelonë, me të nderuaren Françeska Tomorri. Dhe ceremonia e bekimit te dashurise se Çiftit nga Barcelona u zhvillua pikrisht Naten e Krismësit me 24 Dhjetor 2016, në Linez të Tiranës.
Çifti i Ri nga Barcelona, Ditmar Lushaj-Françeska Tomorri. Linëz Tr, 24 Dhjetor 2016.       (Foto Zeqir Lushaj)
Per nga familja, në lartesitë e mbiemrit, TOMORRI.
Per nga kultura: Master e ekonomisë ne Universitet e njohura te Perendimit nga po lutemi qe te shkojmë.
Per nga bukuria, shiheni vet te nderuar miq , shokë, lexues te shtypit, shiheni ne fotografimin tim pikrisht gjate asaj ceremonie.
E per nga tradita, siç thotë urtia popullore: „O korçare, o hiç fare!”.
100 pjesmarres nga të dy familjet tona e bekuan dhe festuan kete Dite të paharruar.
...!
E më thoni ju tani, ç’farë urimi e gezimi më të madh mund të ndaj unë me ju për këtë Vit te Ri te 2017-ës?
Ditmari me Françesken te trashegohen e per të  gjithe te njohurit, dashamiret e lexuesit tane ne shtypin online,  Gezuar 2017-ta.
Çifti nga Barcelona, Lushaj-Tomorri i uron gjithe stafin, lexuesit e  dashamiret e revistes Fjala e Lirë, -Gëzuar Vitin e Ri 2017-ën.
--------------------------

-Nga Tirana jonë e dashur, neper festat e fund-vitit, Dhjetor 2016-

Sunday, 25 December 2016

KOKA PA KOKË

FASLLI  HALITI


KOKA PA KOKË

          Një arkeologu       

Ai kafkat
I zbulon
Edhe në fund të dheut
Po të jenë ato poshtë nё thellёsi,
Në fund të dheut i gropos.
Kokat
Plot tru,
Plot mençuri. 

Kafkat i nderon si gjenesha
Edhe kafkën pa tru,
Mbushur me dhè,
Mbushur 
Me 
Baltë
E zbulon e gjen,
Kokat me tru s’i sheh dot,
Edhe kokën e gjeniut e urren.

Para kafkave përulet,
Bije 
Në gjunj
Sidomos para kafkave
Pa sy
Pa gjuhë
Sidomos para kafkave
Të mbushura me baltë, pa tru.

Koka e tij e mbushur
Plot kokalla
Brinjë
Skelete 
Koka e tij
Fare pa koka
Koka e tij mbushur me skelete
Koka e tij mbushur me kafka dhe kocka

Koka e tij
Mbushur
Plot tjegulla
Poçe.
Tjegullat, poçet
Si nikoqire, ai i mbyll në qelq
Porcelanet,
Fajancat
Qelqurinat 
I nxjerr nga qelqi,
I heq
Si mbeturina
I hedh në njё qoshe fare pa të keq

Banor
I mbitokёs
Dhe i nëndheut
Edhe poçen e zbuluar rishtas
Ai e çmon mbi kokën surbe tё Deas, Skënderbeut.

17 nëntor 2008



ERUDITI  


Kultura,
Erudicioni,
Dituria,
Botës
I sjellin qytetërimin,
Po ti pse i përdor ato si tanke,
Si ushtarё fashistё, kёmishёzinjё,
Si ushtarё alpinё,

Pёr tё shtypur edhe shokёt mё intim...?


FILLIKATI (AIME!)

Ka shkrimtarë të mëdhenj
Shumë të mëdhenj,
Tepër të mëdhenj
Gjenialë...

Por shkrimtarë njerëz a ka vallë ?


MA SHOVE MALLIN ME MALL


Më prite
Me
Mall
Më përshëndete me mjaft mall
Më përqafome me shumë mall
Më puthe me mall të përmallshëm
Ma shove mallin
Më le pa mall.

Dhe hiri i mallit u ftohka dalëngadalë...

GOJËMBYLLUR ME KYÇ
                                             
                                                  Fjalës

Gojëmbyllur me kyç
Gojëkyçur me tela,
Flisnim
Më ngushtë
Por më thellë
Flisnim më tepër ti dhe unë
Edhe pse fjala dilte me kujdes,
Fjala na dëgjohej, përhapej më shumë.

Gojëmbyllur flisnim më tepër
Gojëhapur
Ndërkaq 
Sikur po flasim më pak...!

TIPAT

I panënshtruari
Nuk i nënshtrohet kujt.
I panënshtruari
S’nënshtron
Njeri.
I nënshtruari, i dobti
Nënshtrohet, përshtatet trupërisht, me paturpësi.


VETMITARI (IZOLIMI)


Jepua
Qenve
Kulturën tënde lesheli
Erudicionin tënd
Të mykur,
Të ndryshk
Dhe etikën tënde paçavure, “evropiane”,
Gjersa dhe etikën
Dhe kulturën,
Erudicionin 
Tënd, 
Mëria jote ballkanike,
Inati, iritimi yt mesjetar
T’i vuri me shpatulla përtokë,
Të la pa miq, pa  shokë, të vetmuar, qyqar...



MOJ FJALË E RE 

           ( Variant )


Gojëkyçur
Gojëmbyllur
Mërmërisnim,
Por na dukej
Sikur flisnim me zë më të lartë
Sikur flisnim me zë të prerë,
Sepse
Për të qitur perlën e groposur të fjalës
Sonda e gjuhës duhej të shponte me dredha dhe thellë...

Moj
Fjalë e re,
Fjalë e lirë!
Edhe gojëkyçur
Ti paske qenë, perlë, xhevahir!

QERSHITË E BUZËVE

Degë e njomë qershie,
Degë jo e njomë,
Lulet e tua
Të bardha,
Unë i dua
Njësoj...  

Qershitë e buzëve të tua njëlloj i shijoj...




KUR


Të katra stinët kanë pak bar,
Pak gjelbërim, 
Por s’kanë
Lule,
S’kanë blerim.
Vetëm pranvera ka lule.
Pranvera 
Na mbyt me blerim.
Vera
Na mbyt me zheg
Vjeshta 
Me erëra, shira,
Me gjethe të verdha 
Dimri
Me akuj,
Me breshër, dëborë.
Kur do të kesh dhe ti pranverën tënde,
Atdheu im i lashtë, atdheu im rinor?




PËRKOHSHMËRIA  

Sundimi,
Pavdekësia:
Veti e qenies,
Qëllimi i njeriut!
Por edhe sundimi
Qenka i përkohshëm
Edhe pavdekësia
Qenka e vdekshme në përjetësi
Si për mua njeriun e zakonshëm
Edhe për ty
Zoti 
Gjeni ...


NUK BËJ  

Përpiqem të mos bëj padrejtësi
Ose të bëj sa më pak.
Veç
Drejtësi 
Në mos bëfsha dot...
Padrejtësinë e luftoj me tërbim,
Kudo që ta diktoj
Te Kryetari i Gjykatës së Lartë
Te Presidenti apo Kryeministri i vendit tim...


TRUNGU  


Vërtetë, 
Pa një degë,
Pa një gjethe  je,
Por seç nxerr ca bisqe, ti,
Seç nxjerr ca filiza të njoma e lladike.

Seç nxjerr ca  gjethe bleroshe, ca lule lirike...


PIKËLLIMI I SHELGUT

Sipas një poezie japoneze

Druvar
Nuk qahem
Për trungun tim të prerë,
Por më vjen keq sa s’ka
Sepse, në degën time të tretë

Kish ndërtuar folenë një bilbil i shkretë!


MUNGESA E “VOGËL”

Të kërkova
Të gjeta
Të takova
T’i dallova përmasat e gjeniut
Ta pashë gamën e koloritit që ka gjeniu,
Por, ajme, ty të mungon drita qiellore e njeriut...



MOS MA DREDHO RRUGËN 


Mos ma dredho rrugën.

Unë
Të kërkova
Unë të gjeta
Unë të humba
Nuk të ndjek,
Nuk të kërkoj më;
Mos më dredho rrugën.
Mos u hidh kot në trotuarin tjetër,
Shoku mund të qëllohet dhe me grusht,
Po s’i lejohet t’i dredhojë rrugën shokut të vjetër...



PO NE

(Putpuri poetike)


Asgjë tjetër
Më shumë se mëshira
S’e nxit fajin, thotë Shekspiri.
    Mos e kundërshto të keqen thotë Tolstoi
    Bindu thotë Dostojevski 
    Po unë
    Ç’të bëj unë
    Të bindem apo ta kundërshtoj të keqen me dhunë?
   
     ***
    Vidhni
    Ju,
    O të varfër,
    Thotë  Timonini nga Athina,
Sepse hajdutët më hajdut të gjithësisë,
Janë të pasurit 
Që vjedhin
Me ligj.
   
    ***
   
   Vidhni,
   U  them edhe unë,
   Vidhni, vidhni  dhe ju
   O shqiptarët e mi të mjerë!,
   Sepse hajdutë më hajdutë të Shqipërisë
   Janë pushtetarët, partiakët, oligarkët tanë
    Që po vjedhin, po hanë tokat, pronat tona me ligj.
   
     ***

Si, si ? 
Zoti Balzak:
Më mirë një kokë mize në provincë,
Se sa një bisht luani
Në Paris?
   
   ***

Po,
Po !
Tepër e saktë.
Çdo
Ngritje lart,
Dhe çdo ngjitje,
Nuk shpërblehet me rënie tek ne
Nuk shpërblehet me zbritje.
   
    ***

Krejtësisht e pasaktë,
Sigurisht,
Sepse te ne,
Ka vetëm ngjitje lart
    Ngjitje lart në pozitë mjeshtërisht
Askush nuk shpërblehet me rënie në pozitë.

Te ne çdo rënie nga pozita,
Çdo zbritje
    Shpërblehet
    Menjëherë  me ngjitje.

***

Ti je në majë,
Dhe pozon viganin
Po dhe unë të shoh të vogël, të vockël
Që këtu
Poshtë, 
Ku ndodhem, ku jam, 
Unë të shoh sa një mizë
Zbrit prej asaj maje, pa majë
Të matemi të dy 
Të shihemi
Sy më sy
Je ti më me karakter më të lartë se unë
Apo jam unë me karakter më të lartë se ti?
   
    ***

Ka zogj që fluturojnë
Gjithë jetën mbi kënetë
Dhe nuk ndoten, aspak
E nuk bien kurrë  
Asnjë herë 
Në batak ...
   
    ***

Po
Ne 
Që fluturojmë
Mbi liqenin kaltëror
Të Ohrit
Të Prespës,
Vetëm një minutë, vetëm një orë,
Apo qoftë edhe një ditë po fluturuam
Mbi liqenin e nartë  të Lasgushit tonë 
Pse ndotemi ne

Si mbi një moçal, si mbi një kënetë, pse?

FLUGERI I POEZISË SIME   

Flugerin e poezisë sime
S’e vërtit
Flladi i luleve,
Puhia,
Por e lëviz
Era furtuna, uragani, stuhia...


ISHIT DHE JENI 

Ju
Ishit 
Cilësorët,
Ne mediokrit
Ju jeni elitarët
Ne të rëndomtit.

Ju
Ishit
Gurra,
Burimi, tabani
Ju jeni modernët
E artit,letërsisë 
Ju
Ishit
Dhe jeni ekipi kombëtar
I prozës, muzikës, dramës, poezisë...

Ju ishit
Dhe jeni
Skuadra  poetike e kategorisë së parë
Sigurisht,
Sigurisht, sigurisht.
Ne, ishim dhe jemi pa dyshim
Skuadra poetike e kategorisë së dytë.

Ju
Jeni
Evropa,
Ne Azia,
Ju Perëndimi,
Ne Lindja,

Ju
Ishit
Revolucionarët,
Ju jeni demokratët
Ne,
Ishim komunistët e mandatës...
Nesër, po ju,
Të parët
Brenda ditës 
Do të jeni revolucionarët,
Dhe ne  do të jemi
Ballistët 
Do të jemi të parët.

Ju
Nderoheshit
Me tituj:
Artisti i Popullit
Çmimi i Republikës
Flamuri i Kuq
Sot
Po ju
Po shpalleni ikona
Të artit,
Letërsisë
Shqipërinë e djeshme ateiste
Po na e kthehet sot të tërën në një kishë

Ne
Kemi qenë
E jemi jashtë fushe përherë
Ne kemi qenë dhe jemi jashtë fushe,
Në stolin  rezervë.


Kujt zogu ia dha djathin e bardhë
Sorra e zezë?,
Pyeti
Mbreti në grahmat e fundit të tij
Zogut të vetë ia dha
Madhëri,
Sorrakut të saj të zi...
Thanë oborrtarët me pikëllim.

I bëftë mirë pra, tha mbreti kurora sorrakut tim...!




KAFEJA

Kafen e pi
Kot
Më shumë
Për të biseduar me ty, me një shok.

Për çudi
Kafja
Sot 
Më shijoi

Ma zbardhi shpirtin  zezakja, ma gufoi... 

DJE

Dje
Leonardo da Davinçi
Ishte kompjuteri i botës
Sot
Çdo kompjuter
Është një Davinç

Secila shtëpi ka sot një poliglot, një erudit.
   

   Dhjetor 2016