Monday, 19 December 2016

TËRNDAFILA BORE


TËRNDAFILA BORE
 (CIKEL POETIK)
Nga Pirro Loli
CILA JAM UNE

Mos prisni të ngre sytë lart
t’u tregoi qiellin
Jam vetëm një shërbëtore
një laps në dorën e Zotit
një re e bardhë që e shtyn era
Dhe duart i kam në baltë.

Banoj kudo.

Në çdo plagë që pastroj
në çdo fëmijë që ushqej
Në çdo trup që vdes
Atje ku preket Krishti me dorë.

Shënja dalluese nuk kam
Veç një heshtje të gjatë
dhe ballin e dëshpëruar
e lidh me shami.

TRËNDAFILA BORE

Motër do të thote “mungesë”
që s’ka ndierë ledhatime
që s’ka provuar puthje
që s’ka përkundur djep

Motër do të thotë
edhe mjellmë
edhe lule manjole
edhe valë e përgjumur
që qesh.

Mbi gjinjtë e bardhë
Këndojnë fllade virgjireshe
dhe ulin faqen
yje të plagosur.

Mbi varrin e saj
në çdo stinë
çelin trandafila bore.

VRIMA DRITE

Kish mbledhur yjet e dhimbjes në sqetull
Si Prometeu zjarrin
Brinjët iu bënë gunga-gunga
e krahërori iu mbush
me tjetër flakë

E duruar si pemë
nuk ndiente plagë sopatash në trup
As sqepin, as çapinjte e shqiponjës
në mëlçi.

Të vetmet dhimbje,
gozhdët në trupin e Krishtit
që çelin vrima drite
tek unë e tek ti.


AMBASADORJA E PËRHERSHME

Nënë Tereza,
Sërish e sërish kthehet në gadishullin e sertë
I theu gërshërët ziliqare në hartën e Ballkanit
E zbut urrejtjen e patretshme
Digjet si yll në natën prej guri.

Në vend të çantës diplomatike
Shpirtin e saj
hap fletë-fletë

Në udhëkryqe korbash s’ka qiell
Ndaj lutet, ndaj falet
Për tiranët dhe viktimat

Tek një piramidë çel një lulëkuqe kujtese
Te kufijnjë e feve një degë ulliri
Midis kufomave
Një buzëqeshje.

Fllad i lehtë në buzë lulesh
Afsh i ngrohtë në dëborën e trishtë
gjuhë kambane në bronx martirësh
Sa më tepër nata nxin
Aq më tepër yjet ndrijnë...



NË SHTËPINË E PLEQVE

Të pagojë.
Një maldhimbje kyçur
thellë gjoksit
thellë.
Pleq të bukur e të shëmtuar
të ngulur
të braktisur
të vetmuar.
Natën humbasin nëpër hone ëndrrash
zgjohen të trembur
e artikulojnë përçart copa emrash të njohur.
Ditën,
orë e çast
kthejnë kokën nga dera.

Dera i theu menteshat.
Pleqtë e urtë me zemër vrimë
Presin…
Presin…
Presin…

Kapërdijnë heshtjen si kafshatë të hidhur.
e koten
koten…
koten…
Me kokën nga dera.

ZOGU I HUMBUR

Vetëm hëna në dritaren e spitalit Nirmal Hridej
e zbehtë, e zbehtë
Zog lakuriq
dridhet
përpëlitet
si frymëmarrje e fundit
“ Shtëpia e Nënës” në Kaligat
as mjekë, as shtretër…

Jeta, pezull në dy duar
lëkundet nëpër tezga
dhe befas rrëzohet në një gropë
të ngopur me natë.

Të sëmurët presin radhën
të dëgjojnë emrin
ta hipin hënën në tezgë
t’i ëmbëlsojnë plagët me pupla hëne
ta shtrojnë varrin me njolla drite
Ashtu,
faqe më faqe të vdesin
me zogun e tyre.

Dita,
pupël e këputur
nata,
zog i humbur …

LULE KRISHTI

Fytyra fëmijësh
portokaj të fishkur
çahen nga plagët

Një dorë Nëne
i mjekon me ballsam mëllage
këputur nga shpirti

Nëpër faqe të xhamta
u çelin Lule Krishti

KLITHMA ERE

Shkurre rënkimesh
pemë dëshpërimi
shushurijnë në heshtje
si shatërvanë të zinj

Aty shuhen
Aty klithin
shpojnë qiellin
e shtangen si qiparize.

Mbi të qarën e shiut e të erës
një magjistare me të bardha
përqafon qipariza shiu.


E tretet
tretet si psherëtimë
Nëpër klithma ere.

KËNGË E TRISHTUAR PËR PEMËT E KALIGATIT

Në skelete gjethesh
e bisqesh
e degësh
e trungjesh
shuhen stinët
e vërshellen lebra.

Një zog me sqep të gjelbërt
cicëron këngë gjethesh
të këputura.

KALUJA

Të vetët e braktisën Kalujan
E lidhën me zinxhir
Në një kasolle të largët
e lanë të vdiste.

Gjymtyrët ia hëngri lebra
Ka vetëm një kafkë
Një planet të zbardhur
Mbetur në trung
Dhe zërin si shpellë.

Banon në pleqtore
Në një karrocë fëmijësh
Dhe qan në heshtje
Dhe qesh tmerrësisht
Dhe këndon një këngë dashurie
Me zërin si shpellë
Për një çifute që desh.

Karroca e vogël shtyn
Ditën pa diell
Natën pa yje
Kafkën e zbardhur në trung
Dhe një ulërimë dashurie.

DUART E NËNËS DHE LYPËSI LONDINEZ

Kockat e thinjura të bërrylave
i dridheshin
I dhashë dorën
Nuk ma lëshonte.

- Çdo vëlla, ç’të mungon?
- Nuk dua bukë, - tha.
Kam shumë vjet që dora ime
S’ka prekur dorë njeriu.

*  *  *
Damarët e dorës së saj
Rrahin në damarë të lypësit
Rrjedhin
Gurgullojnë
Çahen e shkrihen
Në dorën e ftohtë.

URDHËRI I LOTIT
(Padma Shri )

Medalioni i artë
kish tre pika loti prej diamanti.

Hëna e plotë
Kish zbukuruar ballin
Qe këputur nga dhimbja
E u mbështet në gjoksin e nënës.

Nënë Tereza
E mori në duar, e përkëdheli
Si foshnjë të sëmurë
E i dha frymë ;
E ngashëruar me hapa të lehtë
Si lambadhe e bardhë që digjet
Ia vari statujës së Shën Marisë
derdhur në xham.

“Trupi i Virgjireshës është prej loti, - tha
Kësaj i takon gjithçka”.

Në medalionin prej hëne
Vezullojnë tre pika loti prej diamanti.

GËZIMI ËSHTË NGJITËS

Trokiti në portë si ëngjëll
e dridhej nga gëzimi

Mezi shqiptonte emrin tim
kur më zgjati doçkën e bardhë.

Kish dëgjuar se Nënë Tereza
s’ka sheqer për fëmijët
e kish mbledhur racionin e javës
në një zarf.

Atë ditë
Çelën miliona fëmijë të bukur si bari
e fushat e dheut
i spërkata me sheqer.

MOSMIRËNJOHJE

e kish humbur ylberin në atdheun e saj
shirat binin pjerrtas
të hidhura e
endrrat i zgjoheshin duke qarë
lulekuqe plagësh i përcëllonin trupin
dhe në Shkup
dhe në Prishtinë
dhe në Tiranë
për Shqipërinë ndezi dyzet diej
por ajo
e kish mbushur qiellin me hithra
e për shënjtorët e vet s’kish
as dritë
as vatër
as varr.

TREGIM PËR NATËN E SANTOSHIT

Në ballë kish dy puse të thellë
të palëvizshëm
Në bebet e syrit dy kristalë akulli
të zinj.
Në këmishë, një dore e kujdesshme
Kish qëndisur me fill:
“Santoshi është i verbër”
E në prag të portës sonë
e kishin lënë.
Na shikonte sy më sy
Na njihte me të prekur.
Me dhjetë bebeza të ndezura
Nëpër gishtërinj.
Një qepallë dielli
Një qerpik hëne
S’gjetëm dot.
As malet nuk i shikonte
nga dritaret e nxira.

Santoshi ish fundosur në natë
Në dy gropa të thella
Në dy puse të zinj.

ËNDËRR ME KËMBË MERIMANGASH

Atdheu i saj nuk i hapi udhë
As të ngrinte “shtëpi nëne”
As të varroste Nënë Loken dhe motrën e saj.
50 vjet.

Nëpër hone ëndrrash
Përlesheshin merimangat e harresës
Trishtimit dhe shpresës.
50 vjet.

Zambakë të përdhosur
Lule leckash
Këmbë merimangash majeprehta
Përgjakën kujtesen
Që klithte
50 vjet.

Drinat kryqëzonin mjekrat si thika
Buna budallaqe
Villte mëlçinë në det.
50 vjet.

Ishin thinjur merimangat e heshtjes
Kur ajo, ra në gjunjë,
Puthi dheun e tha :
“Të kam falur Atdhe ! “

Ishte një ëndërr e gjatë
Me këmbë merimangash të gjakta
50 vjet.


GJYSMËFYTYRA

Një grua
një grumbull leckash rënkonin
pranë koshit të plehrave
në mes të Londrës.
gjysmën e fytyrës
ia kishin ngrënë milingonat dhe minjtë.

Renda si i çmendur
kudo u përplasa me
gjysma zyrash, gjysma udhësh,
gjysma pemësh, gjysma njerëzish …

Asnjë fytyrë e plotë
në qytet.

Të gjithë ishin mbuluar
me milingona dhe minj.

MOSMARRËVESHJE ME PRESIDENTIN

Atdheun e saj e la në fund të udhëtimit.
Ecte nëpër gropat e qiellit të copëtuar
me një drithërimë në shpirt.
Në krah kish presidentin e ri
që i ngecte këpuca nëpër balta
rrethuar nga fëmijë të leckosur
që lypnin.
- Do fillojmë të ndërtojnë rrugët dhe dritat…
- Duhet filluar nga qielli, e ndërpreu ajo
-    Këtej ka kaluar diktatori,- tha ai
-    Të vdekurit duhen falur,- tha ajo.

ËNDËRRAT E KËPUTURA

Natën që shkoi
u thye llamba me vajguri
shtëpia e pleqve mbeti në terr

Hëna e shqetësuar
kaloi me bërryle nëpër korridore resh
e qëndroi në dritare.

Motrat e morën në dorë
si abazhur të artë
e vendosën nëpër ëndrra të këputura.

ZONA E VDEKJES

Në Kalkutë
kapanoni i vdekjes tund e shkund kanatet
Egërsisht.
Nënë Tereza, veshur me të bardha
E merr vdekjen në duar
i fërkon qepallat.
Në sytë e saj të kadifenjtë
Drita pi dritë.
Një kokërr e ngrohtë loti
Mbi buzët e përthara
E vdekjen e zë gjumi
Të qetë.

NËNA E BRAKTISUR NGA I BIRI

Më mbante dorën në dorën e saj
Dhe nuk mundi të më fliste
Asnjë fjalë.

I kish ngecur në fyt
Një kockë nga kocka e saj
Një zog me kthetra
që e mbyt.

Nëpër faqet e zbehta
I rrëshqisnin lot të plumbtë
Nga goja e kyçur
Jarg vetëtimash.

ZOGJ TË URITUR

….E kam një kokërr meli
për zogun e uritur
një kokërr meli
si tingull…











No comments: