Tuesday, 27 June 2017

ATLETE TE GRISURA


                       ATLETE TE GRISURA

Konstandin Dhamo

Më në fund mund të quheshin të pasur !
Të paktën sipas standardeve shqiptare , të vendosura lirisht nga opinioni…
Vërtet kishte ëndërruar të pasurohej një ditë, por asnjëherë me prirjen e një snobi provincial të ngrefosur, që shfaqet papritur nëpër kafenetë e kryeqytetit, rob i ndërvarur pas modës, ashtu me xhinse fijenxjerrë enkas dhe arna me tegela të hedhur si shkarravina, me syze të shtrenjta dielli dhe, mjekër të kuruar, duke ecur lëkundshëm si i lodhur prej impenjimeve dhe, duke përpunuar në mendje një psikozë prej sfidanti të mërzitur…
Eh,jo jo, ai ishte lindur në Tiranë , në një familje me prindër intelektualë, siç quheshin rëndom në komunizëm dhe vazhdojnë të quhen edhe sot e kësaj dite ata që kanë kryer thjesht një shkollë të lartë, kishte studiuar për ekonomi në vend dhe, pas tre vitesh punë në një bankë të huaj private me degë të përhapura anekënd Shqipërisë, ishte specializuar në Angli për menaxhim biznesi, nga ku ishte kthyer përsëri të punonte në të njejtën bankë private, po në vendlindje, gjersa hapi biznesin e tij, në fillim fare modest e duke arritur doradorës gjer te dy ndërmarrje të vërteta fasonerie, me rreth treqind e pesëdhjetë punëtore kokulura, gra familjare dhe, vajza krejt të reja, të cilat qepnin me një ritëm të çmendur në repartet e zhurmshëm, konfeksione për firma të huaja nga më të njohurat në botë, këmishat dhe xhaketat e të cilave gjatë viteve të diktaturës , asqë arrinte ndokush t’i shihte me sy, pale t’i vishte, sepse së pari , edhe po t’ia dërgonte nga Europa një i afërm i tij, do ta dënonin në gjyqin e kolektivit, si ndjekës i degjeneruar i modës borgjeze…
Epo ja, tashmë ato rrobat e ndaluara, i qepte vetë ai, madje mbarë Shqipëria dhe, çdokush mund të vishej sipas shijeve të tij…
Çnuk sjell koha kur vjen me përmbysje të mëdha dhe të paimagjinueshme më parë! Dhe ai po ecte me të, madje një hap para saj.
Dhe, punët i shkonin fjollë…
Probleme serioze hapeshin kryesisht përgjatë fushatave të zgjedhjeve parlamentare, apo edhe pas përmbylljes se tyre, gjersa përzgjidhej e shpallej qeveria e re dhe, atij, ashtu si edhe kolegëve të tjerë të suksesshëm , i duhej të merrej vesh gjithë elasticitet me pushtetarët e rinj të etur , që e dinte se, nuk do të vononin aspak t’i trokisnin në derë, për t’ia kaluar atyre sakaq qokat, siç quheshin gjithë eufemizëm të ëmbël dhëniet e parave të thata drejt e në dorë, hehe…
Dhe ja, si niste dita e re, thuajse e pandryshueshme : e para në mëngjes dilte vajza, të cilën e merrte mikrobusi i shkollës private, e dyta dilte e shoqja e tij,  që tek nxitonte , linte pas një ajër të ngopur nga parfumet dhe i fundit dilte ai vetë, veçse pasi kishte ndenjur nja gjysmë ore përpara laptopit, duke punuar i përqëndruar dhe duke surbur mekanikisht kafen e lehtë nga një filxhan i madh…
Në shtëpinë e tyre që s’para i mblidhte, mbetej shërbëtorja, që ata të tre , ai me të shoqen dhe të bijën , e thërrisnin përgjithmonë Sonja, siç e kishte emrin , e cila, më shumë se me punët e shtëpisë, merrej me vajzën e tyre, ngaqë ishin miqësuar me njera – tjetrën, duke ndenjur tërë ditën bashkë. Edhe detyrat e të gjitha lëndëve, e bija e tyre i bënte me Sonjën, që nuk përtonte n’asnjë rast, për me tepër, ngaqë i miklohej sedra e prekur e një mësueseje në profesion, të përjashtuar dhunshëm nga puna, vetëm e vetëm, sepse kishte marrë pjesë në mitingun elektoral të partisë kundërshtare të asaj që ishte ndërkohë në pushtet…
Pra, pasurinë nuk ia kishte lënë dhuratë njeri në derë ; e kishte vënë vetë nga e para, duke punuar me këmbëngulje dhe seriozitet. Nuk luante netëve kumar, si ata që iu bien papritur paratë nga qielli dhe, nuk gjuante si plejboj spitullaq femrat ekstravagante të ekraneve, apo të revistave erotike; në datën e caktuar të dhënies së rrogave , ai s’ia falte vetes kurrsesi t’i linte punonjësit e tij nevojtarë pa para !
Por, sa lehtësisht t’i ngjisnin sot ca epitete që, mund të mos të të përkisnin aspak ty, vetëm e vetëm, duke u nisur nga fakti që ishe i pasur apo edhe nëse të dinin si të tillë. Të quanin vanitoz të lajthitur, me maniera kinse mondane prej një të pagdhenduri që, fundi i fundit, s’di si mbahet as thika dhe as piruni në një tryezë të shtruar…
I dinte dhe i njihte ai të gjitha sjelljet e shfaqshme dhe të fshehta të njerëzve që e rrethonin, qofshin ata të farefisit të tij, të bashkëshortes, apo miqtë dhe kolegët në punë. Përballë thashethemeve , të cilat, jo rrallëherë shkaktonin drama të vërteta në jetën e të goditurve prej tyre, ai qëndronte larg dhe nuk rrëmbehej prej vorbullës që përhapnin.
Kishin një vilë që binte menjëherë në sy mes të tjerave, në periferinë e shtyrë lindore të Tiranës, një tjetër në plazh, pikërisht në Gjirin e Lalzit, midis vilave të pasanikëve të rinj shqiptarë të llojit milioner sa hap e mbyll sytë, apo edhe të vilave të të ashtuquajturve gazetarë të  aristokracisë mediatike, të gjitha ndanë një deti , ku drita e diellit drithërohej mbi dallgë; kishin në garazh një Mercedes Benz fringo, të prodhuar në fabrikat e Shtutgartit, një suv Maserati, një Smart dyvendësh, aq i manovrueshëm në trafikun karambolik të kryeqytetit, por që gruaja e tij s’i hipte asnjëherë, sepse, siç shprehej, i dukej si mjet për paraplegjikë , që të squllte dhe, kësisoj, shkonte në punë, në Grandsig, zyrat e të cilit gjendeshin në zemër të Tiranës, me një off road të vërtetë Suzuki, i cili të kujtonte një traktor me ato rrotat e tij të mëdha, por që së shoqes, ia indizte impulset energjike të adrenalinës…
Përveç parave të shumta që mbante në qarkullim të pandërprerë, për shkak të biznesit që zhvillohej, kishte dhe ca para të tjera , që i dinte veçse ai, të cilat i konsideronte me veten e tij si zahire dimri, ngaqë, një ditë krize, apo falimenti të plotë, të papritur që pllakoste si murtajë, të shpëtonin nga uria, vetëvrasja, apo të jepnin dorë ndoshta edhe të rimëkëmbeshe dhe, të rifilloje nga e para…
Këto para, këto armë të fshehta , që ai nuk i llogariste asnjëherë, i kishte siguruar në një bankë angleze dhe, nuk i përsillte nëpër mend, si t’i kishte harruar përgjithmonë…
Kështu, ai shkonte në punë çdo ditë , e shoqja gjithashtu; vajza e tyre shkonte në shkollë; hanin dreka e darka në shtëpi, atje në periferi të Tiranës, në plazh apo në mal, me shoqëri të zgjeruar apo të ngushtë, i hipnin avionit dhe, kalonin një uikend përtëritës, në Paris, apo në Vjenë, diskutonin për politikën, për një model të ri celulari, për një model të ri automobili, motoskafi, apo edhe për kampionatet europiane të futbollit…
Por, sa të papërballueshme bëheshin nganjëherë këto diskutime pasionante, që më së shumti i përndiznin gratë e tyre , e në një rast të veçantë , edhe ndonjera nga dashnoret e miqve të tyre, që kishte dalë haptazi, ndonëse ngado prezantohej si sekretare e përkushtuar edhe pse paguhej zyrtarisht me një rrogë modeste …
Sa meskinë i dukeshin përgjatë këtyre bisedave ata miqtë e tij, sa të parëndësishëm dhe sa pa vlerë, ndonëse vërtisnin para të mëdha; ato drekat dhe darkat i kujtonin  sekuenca të telenovelave latino – amerikane, me fabulat qesharake irealiste. Por, ç’të bëje; ja që n’ato tryeza, ndodhte që mbyllnin me njeri – tjetrin edhe ndonjë marrëveshje të leverdisshme. Kjo ishte përbërja e klasës së re të pasanikëve shqiptarë: pak , fare pak prej tyre vërtet të shkolluar dhe të kulturuar, ndërsa shumica injorantë të vrazhdë dhe të lodhshëm ,të pajisur pa u merakosur aspak, me diploma false, ashtu  si edhe disa miq të tyre nga Italia fqinje…
Gruaja e tij , gjithashtu ekonomiste në profesion, ishte vendosur në Tiranë, së pari si studente në Univerisitetin Shtetëror, e më pas , me t’u diplomuar, kishte filluar punë menjëherë po n’atë bankë ku punonte edhe ai. Aty u njohën dhe, u dashuruan. Ajo ishte lindur dhe kishte jetuar gjer në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare në një qytezë të Shqipërisë së Mesme,veçse me një rrugë, por që kishte qëlluar ambicioze dhe e bukur. Por edhe e mençur, me një sens tërësisht praktik.
Ambicja që i regëtinte përbrenda, i ravijëzonte në fytyrë një shprehje cinizmi, i cili e mbante çdo herë edhe të pakënaqur nga vetja, por , ashtu e bukur dhe e veshur me shije e kujdes , mendimi  në portretin e saj , e veçonte lehtësisht nga fqinjët përreth, që kishin kolektivisht të njëjtën fytyrë të rrafshtë dhe si pa vetëdije individuale, ashtu siç edhe ushqeheshin njëlloj, dhe visheshin njëlloj, me ca rroba pune, të përshtatshme për bujqësi dhe blegtori…
Kjo ishte bashkëshortja e tij e paepur, tashmë drejtore e përgjithëshme në Grandsig, institucioni i sigurimeve që i shtonte klientët e tij vazhdimisht dhe, duke pasur edhe statusin e femrës së bukur, me hire hyjnore të dhuruara nga Zoti, ledhatohej përmbajtshëm nga komplimentet dhe favoret që i bënin në punë dhe nëpër kafene kolegët dhe ministrat, me të cilët i lidhte puna…
Ajo ishte e paepur pra, korrekte në punë dhe e zonja dhe, s’prirej të flirtonte apo edhe të lëshohej pas ndonjë dashurie dalldisëse ndaj një mashkulli që mund t’i dilte përpara e të bëhej i pashlyeshëm nga mendja; takat e saj të larta , dekolteja përplot freski dhe ato fundet e puthitur mbi gju, mesa duket të fusnin në një rrugë qorre…
Shpesh e kushtëzuar nga bukuria e saj, që njerëzit ia kundronin me dëshirë haptazi, e shtynin atë që të mos fliste dhe të reagonte me gjeste të tepruara, por të qëndronte drejt dhe pa lëvizje, a thua se pozonte . Dhe, lypsej vërtet paksa herë pas here ...
Ai nuk e pohonte , por brendapërbrenda ndihej i qetë, si çdo burrë që, e shoqja ishte serioze dhe fliste më pak se gratë e tjera, nëpër ato tavolinat përplot pirgje mishrash dhe vezullime gotash e shishesh dhe, nuk lëshohej pas të ngrënave dhe të pirave dhe, as pas historirave që s’mbaronin për gratë që ua dridhnin burrave dhe, burrave që ua dridhnin grave…
I shkreti ti, me këtë grua të bukur që ke, i pat thënë një natë mes të qeshurave një fermer i ngjallmë, të cilin ai e kishte mik të ngushtë. Hall i madh ore, të kesh grua të bukur , kishte vazhduar , s’ta lënë që s’ta lënë rehat !  
Ndonëse i dehur ligsht, ai fermeri që rriste derra, kishte thënë një të vërtetë të lashtë dhe të pakundërshtueshme, ndaj të cilës, ai, do të kishte, në rastin më të mirë, një shqetësim të heshtur dhe të fshehur, së paku, ehe, gjer kur bashkëshortja e tij , për shkak të moshës së madhe, të mos tërhiqte më vëmendjen . Po kujt i duhej afrimi i asaj moshës së shtyrë, që emërtohej nga administrata shtetërore dhe grupet e ndryshme sociale si mosha e tretë, pra , jo si mosha e pleqërisë ?
Ai presidenti i Grandsig –ut , shefi suprem, me një fjalë, i së shoqes, ishte një njeri largpamës, i ftohtë akull dhe gjithmonë me një dorë në tastierë, si t’ishte një shtojcë organike e kompjuterit, i propozoi së shoqes së tij, që ta merrte në kompani dhe ja, shumë shpejt e bëri krahun e tij të djathtë.
Por, përse bashkëshortja e tij , zonjë vërtet e nderuar, që fliste në gjuhën zyrtare, pa u përpjekur asnjëherë të sforcohej për të folur në dialektin tiranas, siç bënin shumë e shumë të tjerë të ardhur nga provinca, për ta fshehur kësisoj, siç shpresonin, origjinën e tyre, nuk e kishte për gjë t’ua kujtonte miqve dhe kolegëve kur uleshin në kafene apo në ndonjë zyrë, se ajo, një ditë prej ditësh kishte ardhur në Tiranë nga një gjysmëqytet, hipur në një furgon tumllas me fshatarë, ashtu  e hutuar, dhe kishte shkelur në rrugët e saj me një palë atlete të grisura…
Ç’ishin këto atlete të grisura dhe, ç’ishte ky hutim marramendës, që ajo e tregonte gati – gati me humor sarkastik vend e pavend, për më tepër që, thoshte jo të vërtetën, por një legjendë të përhapur gjithë mllef e zili për të ? Dhe ajo e dinte përmendsh këtë legjendë që shtillej e shtillej dhe, prapëseprapë nuk i kundërvihej, duke thënë se, ajo kishte ardhur vërtet nga një qytezë e vockël, por ishte e veshur për mrekulli dhe, ashtu e bukur, me hap goditës dhe flokë të ndritshëm që i valëzonin, ajo për asnjë ditë të vetme nuk ngjau si ardhacake hutaqe.
Atëherë , ç’ishin ato atletet e grisura ? E pastaj ?Po kush tha se me to në këmbë, nuk mund të shkoje larg ?
Ah, i dashur burrë, që s’e vret mendjen për të tilla gjëra, sepse përndryshe, nuk do të të nevojitej shpjegimi im ; atletet e grisura tashmë janë kthyer në një togfjalësh proverbial në zhargonin e gazetarëve , në radhë të parë, por edhe të bankierëve dhe të ca biznesmeneve të  fryra, që vdesin të dalin një çikë në televizor dhe të tregojnë, pa iu ardhur aspak zor, për sukeseset e jashtëzakonshme që kanë arritur brenda një kohe fare të shkurtër. Dhe, kështu, pa një e pa dy, ato shfryjnë për ndonjë kolege apo edhe për ndonjë të njohur thjesht nga larg: ehu; u bë edhe filiania të shesë mend; harron që dje erdhi në kryeqytet me atlete të grisura. Dhe, ç’paturpësi ! Shumë prej këtyre, që urrejnë nga zilia, janë vetë nga ato që kanë ardhur herët a vonë nga provinca!
Po mirë, po unë ç’hyj në këtë mes, mund të pyesësh , fort i habitur, madje. Hyj, hyj, që ç’ke me të, sepse edhe për mua pra, ashtu shfryjnë, ta thashë që në fillim, edhe ato brenda rrethit tonë  miqësor. Por, shih ku synon taktika ime: duke thënë edhe unë vetë se, paskësha ardhur përnjëmend me atlete të grisura , atyre iu bie vrulli i përbuzjes menjëherë dhe, spërdridhen : asaj s’ke ç’t’i thuash, sepse nuk shet mend e nuk shtiret, por e pranon vetë që një ditë…
Ai qeshte me argumentin që i parashtronte e shoqja, por nuk binte dakord me të; atyre smirëzezave mund t’iu bjerë vrulli nga ato pohimet e tua, shtonte ai duke nënqeshur, por në asnjë mënyrë nuk heqin dorë nga simboli i atleteve të grisura…  
Po bija e tyre ? Eh, ajo po rritej pa u vënë re dhe, me edukimin e saj , më shumë se ata të dy, vazhdonte të merrej me pasion Sonja, e pazëvendësueshmja, që ata asqë guxonin e as ia lejonin vetes ta thërrisnin shërbëtore !
Dinin që vajza e tyre merrte si gjithmonë nota të shkëlqyera dhe, ishte krenare dhe këmbëngulëse si e ëma dhe, për çdo veprimtari argëtuese që organizohej brenda shkollës, por edhe jashtë saj, i kërkonte atij para, meqë e mbante për më dorëlëshuar, jo vetëm aqsa i duheshin për vete, por aqsa i nevojiteshin edhe nja dy  a tre shokëve të klasës, që nuk mund të paguanin, kushedi përse…
Ai pati besuar pa u mëdyshur se, e shoqja e tij me atë karakter të qëndrueshëm dhe, kërkuese për të bërë karrierë sipas formulës efikase, karrierë por jo karrierizëm , do të ngrinte një ditë kompaninë e saj të sigurimeve, më licencën dhe logon e gjetur prej saj, me një kapital fillestar, që ata të dy mund ta vinin , pa qenë nevoja të merrnin kredi gjëkundi, qoftë edhe n’ato bankat ku kishin punuar dikur; jo më kot kishin një biznes në rritje…
Por do të shihte, do të shihte. Ndoshta e shoqja e tij, njëherë për njëherë, ndihej e lodhur intelektualisht dhe, për pasojë po kalonte thjesht një periudhë shkujdesjeje, në kuptimin terapeutik të kësaj fjale, po përmblidhte ndoshta, forcë dhe ide, pas të cilave, merret një vendim i rëndësishëm kthesor për vazhdimin e kursit të jetës.
Ajo nuk të fshihte gjë dhe, çfarëdo që të të thoshte, të vështronte drejtpërdrejt dhe pa iu zbehur dhe pa i lëvizur drita ndër sy. Por, sa mirë po ecnin të dy paralel, me të njëjtin ritëm, secili në punë të vet !
Bashkëshortja e tij gëzonte një privatësi të njëmendtë edhe brenda mureve të shtëpisë; kishte banjën e saj, buduarin e saj, madje edhe dhomën e saj të gjumit, tash së fundi. Dhe sa zgjidhje e përshtatëshme paskësh qenë ajo fjetja më vete ! S’ishte e vërtetë që pasohej me ftohje seksuale mes çiftit, me indiferencë dhe harresë të ndërsjellë; përkundrazi, shprishte monotoninë dhe nxiste intrigë.
Kur e bija e tyre largohej nga salloni i madh i ndenjjes dhe mbyllej në dhomën e saj për të studiuar, për të ndjekur ndonjë program në televizor , apo nga që e këpuste gjumi, ata të dy kuvëndonin për punën, për ngjarjet e fundit politike po se po, apo edhe për motin, kur ai bënte vazhdimisht i keq dhe të bezdiste…
Pinin ngapak verë, në divan apo uiski dhe, ai i veshur lirshëm me një palë tuta  e ajo me një robdëshambër gjithë trëndafila të kuq me rruzuj vese, përndizeshin shpërthyeshëm si zjarr dhe, pas puthjeve dhe përngjitjeve të para , rrokulliseshin drejt dhomës së saj, duke provuar një ndjesi të këndshme aventurore sikur i përvidheshin dikujt që i ndiqte…
Atlete të grisura…
Një natë, kur mbetën vetëm të dy në sallon, aty rreth orës dhjetë, ai, pasi thithi fort cigaren që e ndezi me një gjest vibrues nervor dhe, piu një gllënjkë uiski të pashuar me akull, iu kthye së shoqes, duke ndjerë se vazhdonte ta donte si në fillimet e dashurisë.
- S’po e marr dot me mend se, çfarë të ka acaruar ; zor se, ta kam parë ndonjëherë këtë fytyrë me tipare si të zhvendosura.Ç’ka ndodhur ?
- Ajo që ka ndodhur është e rëndë dhe e neveritshme, por ke parë ti se, qenkësha ende e fortë ? E fortë, pikërisht sepse di dhe mundem të marr një vendim !
- Mjerë kush nuk merr një vendim, por hë …
- Zoti ministër, i dashur burrë, Met idioti, që duket që atje tutje se, ka mbetur bari dhensh, më erdhi pardje në zyrë, po po, pardje, gjoja për t’u konsultuar për ca problem sigurimesh, që i kishin dalë dhe, pa i ardhur turp fare dhe, pa llogaritur se, çfarë mund të ndodhte më pas, m’u lëshua e më tha se, dëshironte të bënte seks me mua. Më vlon i gjithë trupi, kur gjendem pranë teje, vazhdoi dhe, buzagazej, duke lënë haptazi të kuptohej se më shumë se vetë epshi, dëshironte poshtërimin tim, uljen e hundës dhe zhbërjen e qëndrimit tim prej mburraveceje. Mendo, ç’mostër, e kemi edhe mik, sidomos ti, që i je gjendur disa herë. Paskësh qenë tipik i atyre meshkujve, që kur ngjiten në njëfarë pozite, pandehin se, mund të bëjnë kërdinë me çdo femër që iu del përpara.
Ik or’ fëlliqësirë , që ndonëse lyesh e zhgërryesh bie ende erë cjap, por dale dale, po të paralajmëroj seriozisht se, po erdhe e më the përsëri të tilla ndyrësish, nuk do të të padis as te jot shoqe që s’e meriton, as në prokurori e asgjëkundi tjetër, por do të të vras me dorën time, zhduku ! S’më tremb kush mua , tha, tek kapi dorezën e derës, duke u ngërdheshur i hutuar…
- Si mundet vallë një person, që flet e pi kafe me mua herë pas here, që  ankohet pa hezituar për kryeministrin , e që i dalin lot mallëngjimi, kur kujton fëmijët që i ka me studime jashtë shtetit, t’i kërkojë gruas sime favore seksuale !? Ky është formulimi që përdoret në një seancë gjyqësore , në kësi rastesh? Por ç’rëndësi ka formulimi, ja që ai m’u ndërmend. Turp poshtërsi maskarallëk ! Por, ç’po them ; e ku përkufizohet krimi i tij !
- Po , pikërisht. Ai ka kryer një krim ndaj meje, që duhet ndëshkuar dhe dënuar.
- Ç’na polli !
- Po që më mori në celular dje dhe, o Zot, shih ç’më tha : shpërthimi yt, tani pas njëzet e katër orëve, sigurisht që është shndërruar në mirëkuptim ; e ku ka shans më të mrekullueshëm në jetë sesa të kesh një të dashur, që për më tepër, të qëllon nga rangjet e larta të shoqërisë ? Ç’kërkon , të mbetesh përgjithnjë një fshatare ?
Ah ç’mjerim, ia ktheva çuditërisht e qetë, shih kush të jep leksione për etikën qytetare !Por a e kupton se, tashmë unë zotëroj një dokument akuzues, a e merr vesh, se mund të ngre lehtësisht një padi ndaj teje… Asnjë padi s’do të ngresh dot , më ndërpreu  e më pas e mbylli celularin.
- Në fakt, asnjë padi s’duhet të ngremë, pa marrë më parë këshillat e juristëve tanë, të atyre që kam unë në biznesin tim, apo…
- Një minutë, të lutem ! Them se , edhe konsulta me cilindo jurist pret. Njëherë për njëherë të heshtim e të mos bëzajmë. Ka kohë, për të gjitha , edhe pse ai legeni, më kërcënoi lakueshëm se, kishte në dorë të na rrënonte edhe ekonomikisht; po po, s’e di sesi harrova të ta thosha edhe këtë…
- Ai që tashmë na ka dëmtuar, por s’prish punë; e di që në asnjë rast nuk do të më zerë paniku. A do të flesh dot sonte ?
- Posi, unë kam fjetur rehat edhe mbrëmë; munde të lexosh tek unë ndonjë shqetësim ?
- Jo kushedi, por ajo tendosja e fytyrës më ra në sy…
Dhe , të përqafuar, u ngritën dhe shkuan në dhomën e saj…
…hehe, ajo ajo pilivricka e Grandsig-ut, që s’bën dot po s’u vu në qendër të vëmendjes, del e bërtet e akuzon ministrin M. Thotë se, e paskësh ngacmuar seksualisht, duke e kërcënuar madje se, do t’i bëkka gjëmën , nëse e kundërshton. E kush se, ministri M që është një familjar model, i cili , ndonëse gruan që ka , e tërhoqi nga fshati, nuk e ndau dhe, nuk e zëvendësoi me lehtësi me ndonjë nga zuskat e zyrave. Po ajo e Grandit, që zbriti nga furgoni së bashku me fshatarët e zonës s saj, që mbanin ndër duar lloj lloj torbash e qesesh ja ja, para ca vitesh, e shushatur dhe me ca atlete të grisura në këmbë, do vrarë; shih kur ta hedhin në gjyq për akuza të rreme…
Kështu i bëhej se, do të dëgjonte lart e poshtë, sapo ta akuzonin atë farë ministri për ngacmim seksual, favore seksuale, apo ç’dreqin  tjetër ! Por, sa e habitshme ! Besonte se do të ishin femrat ato që do të ngriheshin më së shumti kundër saj, duke tundur ndër duar ato atletet e grisura mu si zogj të ngordhur…
Prandaj, duhej menduar mirë çdo hap që do të hidhnin ! Metministri sakaq ndodhej për punë zyrtare n’Itali dhe, kur e mori q’andej në celular, ajo ia hapi me mendimin që biseda mes tyre gjithsesi do të regjistrohej në tabulatet përkatës ,kështu që ato mund të përdoreshin, nëse do të mbërrinin gjer në akuzë dhe, iu lëshua : e more idiot, faleminderit , ia ktheu ministri, e di që do të breshëroje me sharje, por dëgjomë: çfarë dëshiron të të sjell nga Roma ?  Jam në Romë, pra…
Ajo bisedoi gjatë me të shoqin në celular dhe, në darkë, kur mbetën vetëm, iu kthye:
- Po hë, më the se kishe folur me Servetin…
- Po, shtruar dhe me qetësi. S’ka avokat si Serveti, ta dish këtë. Veç të tjerave e ka pajisur Zoti me një intuitë të hatashme.
- Hë pra, gjithmonë më ka pëlqyer ky njeri.
- Ja, asnjë hap mos ndërmerrni , më tha, që në fillim, pasi më dëgjoi ç’i thashë pa më ndërprerë dhe, me durim profesional. Sa femrave në ditë iu ndodhin në Tiranë , po themi, krehje të tilla , as mendja nuk jua merr. Por çështja qëndron në faktin, se, ajo çka i ka ndodhur zonjës tënde të nderuar, është veçanërisht e rëndë, fyese, për më tepër që përdhos edhe miqësinë që paskëshit pasur midis jush.Çfarë degjenerimi; s’pyesin më për asgjë ! Po reagoj si qytetar tani, më kupton… Por ai Meti, Meti, hë ? me të cilin më ka lidhur ngushtë puna ime nja dy herë, sikur më ka lënë përshtypjen e një njeriu të ekuilibruar!? Ehe, por s’ka qenë ministër atëherë…
- Dhe…
- Ja, e çuam punën gjer në gjyq, e pastaj, vazhdoi Serveri, shih shih, Serveti pra, kush mendoni se, do të dalë i fituar, ju ? Së pari, gjyqi do të zgjasë pa fund; paret, të flasim realisht, jo me pallavra qeveritarësh, do të hidhen nga të dyja palët si në një ankand, që rritet e rritet, sepse juve biznesmenët dhe ministrin , s’gabon kush t’ju lëshojë shpejt e shpejt dhe, pasi t’i keni pasuruar edhe ca ata që do të marrin përsipër çështjen tuaj dhe, pasi të jeni përgojuar e përqeshur mbarë e prapë, do të shihni se, keni humbur pa qenë aspak nevoja harmoninë familjare, taktin, një pjesë të miqësisë, paret po e po, e thamë, konsideratën e fituar… Ta mbyllim siç e nisëm: a ka femër me një palë bythë për të qenë, që s’e provokojnë sapo del nga dera e shtëpisë ? Prisni t’i shuhen epshet atij hamshori që paska shkarë, në të kundërtën, këtu jemi orë e çast…
- Sa rutinor i qenkësh dukur edhe ky rasti ynë këtij Servetit; s’po më bindin tezat e tij këtë herë.
- Unë t’i riprodhova si t’i kishe dëgjuar të incizuara nga një diktofon. Në fakt, të gjithë biznesmenët ruhen nga skandalet dhe zhurmat përqark tyre, cilatdo qofshin ato , sepse ua dëmtojnë sa hap e mbyll sytë kredibilitetin te blerësit dhe kontraktuesit, siç e merr lehtësisht me mend edhe ti vetë. A; e nënvizoi edhe këtë Serveti: mos harroni se, Tirana sot përthith  menjëherë çfarëdo ngjarje , sado e bujshme dhe e padëgjuar më parë të jetë ajo. Jemi vend i hapur mik, si edhe mbarë bota. Pra, larg gjyqeve; thashethemet lerini të rrjedhin…
- Tani për tani, nuk po i jap të drejtë Servetit; si shumë vulgaritet dhe thjeshtëzim. S’e pati parasysh ai përgjatë gjithë kohës së arsyetimit të tij se, po kryhej një krim, nga një ministër i qeverisë? S’e di, s’e di…
E pra, asnjëherë të vetme nuk e kishte kundërshtuar apo vëzhguar privatësinë e gruas së tij, përkundrazi, ai e aprovonte atë privatësi, madje jo vetëm tek e shoqja, por te çdo individ, ngaqë ishte i bindur se, bërthama mveshëse e privatësisë, brenda saj, kultivonte karakteristikat e çdokujt, për t’u ndjerë i respektuar…
Mirëpo, Metministri me tërbimin e tij, i kishte përshkuar të gjithë muret e shtëpisë së tyre; kishte hyrë në sallonin e madh të ndenjjes, në kuzhinë, deri edhe te dhomat e gjumit dhe banjot. Ç’do të bënin me atë përbindësh, që i kishte fyer aq thershëm? O Zot, se mos na merrte statusin e heroit të paepur, ky Metministri, atëherë do të ishte ç’do të ishte ! Apo, nuk janë të prirura femrat pas kësi kokëkrisurish ! Kush kishte thënë : intrigojnë veset jo virtytet ? Por çështja nuk duhej shqyrtuar në përgjithësi; çështja duhej shtruar duke pasur parasysh personat konkretë. Gruaja e tij asqë i honepste hajvanë të tillë; ajo sakaq po e tregonte këtë…
Në mëngjes , tek doli nga kuzhina me kupën e kafesë në dorë për të shkuar në sallon , ku ulej e punonte nja gjysmë ore para laptopit, pa të shoqen në korridor, tek po grimohej me vështrim të pingulur në pasqyrë vetëm me reçipeta dhe, me tanga, të cilat mezi t’i kapte syri! Çfarë ia trazoi mendjen vetëtimthi ?
Së pari , të shoqen, përballë pasqyrës në çastin që ndreqej para nisjes për në punë, nuk e kishte parë asnjëherë vetëm me brekë e reçipeta; së dyti; sa mundësi kishte që, ekspozimi i hireve trupore përballë pasqyrës, domethënë , përballë vetes, ashtu me kujdes dhe e përqëndruar në heshtje, të nxitej nga një delir narcizist, aq i pranueshëm në natyrën e një femre, apo provokimet brutale erotike të metministrit, përzgjedhja pikërisht e saj nga ana e tij, edhe pse ia kompromentonte karrierën  dhe, krejt t’ardhmen e tij, ishin shtysa që, ajo zuri vend përballë pasqyrës, si për të verifikuar se,sa të drejtë kishte vardisësi i saj, që kishte humbur vetkontrollin ? Së treti… O, së treti, së katërti !
- Shumë e mirë je ende ! – iu lëshua bashkëshortes , si për t’i treguar se, ia kishte kuptuar qëllimin e qëndrimit thuajse nudo, aty në pasqyrë dhe, e puthi shkarazi pas veshit.
- Ah, shpirti im  – psherëtiu ajo dhe u spërdrodh , duke iu dhënë bythëve  përpjetë…
Pas darke kur u lëshuan më në fund në divan, ai i veshur me tuta të lirshme dhe , ajo me rrobdëshambër, si me një kopsht të vërtetë trëndafilash farfuritës, iu kthye së shoqes :
- Ta thashë pak a shumë edhe në celular kur po shkoja në zyrën operative te  repartet e prodhimit: në çastin që dola nga kafeneja e Hotel Tiranës, u përplasa, po u përplasa me atë idiotin, ministrin ! Besomë, më përshëndeti buzagaz, me një ngrefosje superioriteti madje, a thuua se, midis nesh nuk kishte ndodhur gjë prej gjëje ! Për Zotin, këta njerëz duhen studiuar për të zbuluar sesi ia dalin të përballen pa iu dridhur asnjë nerv në fytyrë me bashkëshortin e ligjshëm të një gruaje, të cilës nuk i ke lënë presion pa bërë , për ta shtënë në dorë !
- Është i papërgjegjshëm dhe, si i tillë edhe mjaft i rrezikshëm ; mendo ministër me diplomë universiteti false ! Po nuk më the sesi reagove ti ?
- Nuk i fola; shtrëngova buzët dhe e vështrova kërcënueshëm. Por s’jemi gjë ne që i tjerrim situatat gjërë e gjatë; ai duhej shqepur me shqelma e grushte ja, mu aty të dera e kafenesë !
- Më mirë, më mirë, që je përmbajtur. Do të humbnim shumë , po qe se do të kishe fëlliqur duart me të. Si të vijnë në mendje ca rrëfime ! E ke parasysh Sibin, shoqen time ? Sibi më thoshte , ah me sa të drejtë, se, ka plot nga ata meshkuj që, me t’u emëruar drejtorë diku, apo edhe në një detyrë tjetër të rëndësishme , mbahen për feministë të mëdhenj, fillojnë e dalin për gjueti, ndonëse nuk kanë shtënë një herë të vetme me çifte, sdërhallen nëpër dreka e darka të stërgjatura dhe hanë si të babëzitur gjithmonë qyl, ndezin puro dhe, trashin zërin…Hëm; e moj Sibi !
- Ai mori në celular disa herë rresht edhe sot. Unë nuk ia hapa, por pas një pauze të gjatë, mori përsëri, por këtë herë, duke përdorur një numër tjetër. Mua s’më vajti mendja se, mund të ishte prapë ai budallai dhe, e hapa: po ik ore debil , ia ktheva me t’i njohur zërin, ik se do t’i marrësh në qafë të gjithë ç’ke në kurriz…
- Po kështu, letra dixhitale dashurie , nuk qëndis?
- Jo jo, sikur s’ia mban. Por, lavdi Zotit që nuk më vjen më në zyrë. Ti e di që, presidentin tonë e ka shumë mik.
- E di, e di ; ka pasur mjaft favore prej tij ai presidenti juaj i nderuar, por ku të gjendet Metministri, pa u siguruar më parë se, do t’ia kthesh qokën dyfish !
- Është shumë i pasur maskarai, por pas zgjedhjeve parlamentare…
- Oh, pas dy muajve…
- Zor se e emëron më njeri ministër, apo edhe në ndonjë post tjetër të rëndësishëm.
- Jo, edhe sikur qeverinë e re ta formojë sërish partia e tij. S’ka individ që të jetë përfolur e njollosur më zi se ai. Pothuaj të gjithëve në qeveri iu mungon moraliteti, por askush nuk e pëson prej mungesës së tij; e pëson veçse ai që nuk shkon mirë me kryetarin suprem të partisë. Edhe Metministrin kanë qenë duke e shkarkuar disa herë, por në prag të zgjedhjeve s’para merret kush me kësi shkarkimesh dhe emërimesh të reja. Shefi i tij s’e sheh dot me sy tashmë…
- Ta dish, Meti i metë nuk është hedhur ende në sulm plotësisht; dale dale…
- Mundet t’i fryjë në vesh, si fillim, edhe presidentit tonë; t’i thotë për shembull që të më spostojë mua, por, ku ta dish, edhe të më largojë fare nga kompania!
- Posi. Në këtë vend veprohet pa rregulla loje. Përditë e themi këtë, me nervozizëm dhe pikëllim e megjithatë, asgjë nuk ndryshon për mirë. Kjo tregon se, ne e zhdredhim kohën dhe e shprishim atë që e kemi arritur me mund të madh. Por, ç’po broçkullis dhe unë !
- Eh…
- Po sikur ne jemi edhe miq me atë presidentin tuaj fjalëpakë. Me ç’motiv po themi, do të të shkarkonte ai ty ?
- Si si ?
- Më fal bashkëbiseduese, nuk dua asnjë përgjigje ! Po ç’motiv , o i shkalluar , ç’motiv ! A nuk mund të pushoj edhe unë nga puna, n’ato ndërmarrjet e mia kë të më dojë qejfi, pa i dhënë kujt llogari ?Pa rregulla loje, pa rregulla loje ! Vetë Shqipëria është një përjashtim nga rregullat e lojës…
- I zumë në gojë zgjedhjet, u shprehëm se, ai nuk ka asnjë shans të jetë më tutje ministër, madje as edhe deputet, por nuk kemi thënë ende atë që është më e rëndësishmja : në sulm të parët duhet të hidhemi ne ! Shpesh rrënimi vjen pa e kuptuar. Le të më pushojnë mua nga puna, s’ka gjë. E ku nuk më presin mua krahëhapur ! Halli është te ndërmarrjet , te biznesi ynë pra. Mund të nisë drejt teje lloj – lloj grupesh kontrolli për të gjitha zërat, për shitblerjet, kontratat faturat e energjisë elektrike, të ujit, lejet mjedisore, pagat minimale, sipas ligjit më të ri, punëtorë të siguruar e të pasiguruar … e ku kanë të mbaruar yçkëlat ku mund të kapen, kur vijnë të udhëzuar dhe të urdhëruar për të rrënuar punën; ti, gjithsesi, përplasesh thuajse çdo ditë me telashe të tilla dhe, e ndien gati – gati instinktivisht çdo zhbalancim të situatës.
- Dhe, e tëra kjo, vetëm e vetëm sepse një paranojaku i është mbushur mendja se, mund të shkojë me cilëndo femër që ia trallis trutë, qoftë edhe sipas një tradite inertive fisnore …
- Gjithçka do të fillojë të lëvizë, kur ky ministri të bindet përfundimisht që nuk i del gjë nga unë. Atëherë atëherë do t’i ndërsejë kundër nesh zagarët e tij.Por unë, ah, edhe ti, jemi nga ata që nuk e humbasim arsyen. Por le të jemi të vëmendshëm. Ku ta dish, ndoshta edhe mund ta padis një ditë këtë majmun,  kur të mos mbajë më asnjë post, sepse gjërat thjeshtohen mjaft n’atë rast, ngado që t’i shohësh. Çudi çudi; krejt ndryshe mund t’i afrohesh një femre , krejt ndryshe mund ta bësh për vete…
Në shtatorin me dritë iluzive , njerëzit shqiptarë mezi ç’prisnin të ndiqnin në televizor seacën e parë të parlamentit të ri dhe, njëherësh,  të shihnin edhe bijtë e denjë të partive, që do të formatoheshin në qeverinë e përkushtuar…
Dhe ja , u dha shfaqja e parë e parlamentit të ri dhe, u vunë në rresht edhe ministrat e sapoqëmtuar.
Metin, të cilin nuk e zgjodhën më as deputet e as ministër, që ato diët e para, kur u kthye në një qytetar i zakonshëm i republikës, e vranë.Ata të dy, këtë herë pa të bijën e tyre, që kishte nisur shkollën në Angli, ku pritej të vendoseshin familjarisht së bashku më Sonjën e pandarshme, ishin strehuar përkohësisht në një apartament të ngushtë të marrë me qira. Asnjeri prej tyre nuk ngrihej në mëngjes për të vajtur në punë, por për të përfunduar shitjen e çdo prone që ishte në emrin e tyre…
Kishte nga ata vëzhgues të zellshëm, që e shihnin mjaft me dyshim përgatitjen e tyre për t’ikur nga Shqipëria, duke ndërprerë me ç’dukej haptazi edhe lidhjet materiale me të, në mos edhe lidhjet sentimentale.
Sakaq, i kishin thirrur shpejt e shpejt tri herë në prokurori të dy bashkë, jo veç e veç pra, ku në të tria herët, iu ishte dashur t’i përgjigjeshin thuajse të njejtit pyetësor :… keni pasur një konflikt me zotin  M. Konflikti me të ndjerin mbeti i hapur gjersa, ai u vra / Konfliktin e shkaktoi ai i degraduari moralisht të cilin e qëruan, më falni për mllefin; më provokonte çdo ditë orë e pa orë/ Në materialin me shkrim dore, që e paraqitët herën e parë që iu thirrëm këtu, duke e parashikuar kështu arsyen e thirrjes, ju zonjë, sepse me emrin tuaj është sigluar dokumenti, renditni një sërë telefonatash, me anë të të cilave M. iu kërkonte haptazi më dhunë favore seksuale; atëherë, përse nuk ngritët padi kundër tij,  nuk u friksuat, nuk e vlerësuat në masën e duhur rrezikun që mund t’ju kanosej ? Do të deklaronit për së dyti se, nuk keni menduar asnjë çast të vetëm për vetëgjyqësi ? / Do të të ndihmonim seriozisht po të të sugjeronim që të mos i futeshit fare kësaj piste hetimi ; vetëgjyqësia s’është në mendësinë tonë. /Nuk ngritëm padi kundër personit në fjalë, ngaqë shpresuam se gjithçka do të ndërpritej me kalimin e ditëve dhe, jeta do të hynte sërish në normalitet. Ja, u ndërpre nga vrasja e tij, të cilën ne burrë e grua, e mësuam nga lajmet në televizor. Duhet thënë edhe pse nuk po na e kërkoni se, zoti M. ishtë një përbindësh që do t’iu ketë shkaktuar mjaft andralla edhe njerëzve të tjerë përveç nesh / Siç mund ta keni dëgjuar gjithashtu  nga mediet, i ndjeri na paskësh pasur shumë borxhe të pashlyera, të cilat i përfitonte përmes premtimeve të sigurta që bënte , për më tepër që ishte një zyrtar i lartë, ministër , pra./ Ne po punojmë në disa pista , siç ndodh thuajse përherë në çdo fillim hetimi të një çështjeje; çdo fajësi, apo edhe e kundërta,çdo pafajësi është ende veçse e prezumuar dhe, ju të nderuar, do t’ju kërkonim të mos na keqkuptonit, sa herë do të na nevojitet ndihma juaj. Më lejoni t’jua kujtoj se, deviza jonë është: dysho, vetëm dysho./
Për mua, që u përplasa me të drejtpërdrejt , po themi, ai ishte një pacient i trazuar keqazi nga haluçinacionet dhe, kësisoj, duhej t’i ishin ofruar disa seanca rehabilitimi./ Ndoshta , por, kjo s’është detyra jonë.Tani: fizikisht, a të ka  prekur ? Mos keni harruar ta nënvizoni ?/ Jo, sepse arrita ta frenoj unë me forcën e karakterit tim. Im shoq nuk ka shkëmbyer asnjë llaf me të , lidhur me konfliktin e shpërthyer, ndonëse unë e njoftoja rregullisht hap pas hapi./ Këtë do ta pohojë zonjë bashkëshorti juaj, me të cilin jeni pra, të martuar zyrtarisht./ Nga mediet gjithashtu kemi dëgjuar se M. e kanë ekzekutuar te dera e ashensorit të pallatit, vrasës profesionistë me pagesë. Më falni; juve nuk ju intereson të dëgjoni nga ne se, ç’shkruhet e thuhet në media, por ja, ku desha të dal: nuk jam e pashpirt, megjithatë u gëzova që atë e vranë ! U çlirova nga një ankth, duke mbetur madje, me duar të pastra ! Pale, ç’poshtërsira ka kryer ! Por sa shpejt u shua edhe thrileri i kësaj vrasjeje !/ Zonjë, emocionet në kësi rrethanash, duhen përmbajtur dhe ju, jeni nga ato që mundeni. Po largoheni me urgjencë nga Shqipëria edhe pse zotëronit një biznes të suksesshëm që po zgjerohej ; atëherë përse ? /Mua më larguan nga puna; ndikoi drejtpërdrejt ministri që u vra. / Po kështu edhe në rrënimin e biznesit tim të mirëfilltë, merita i takon gjithashtu  ish zotit ministër. Nuk shtyhej më tej, të më kuptoni. Këto fjalë të fundit t’i thashë si t’ishim miq. Siç e shihni, ne nuk po e nxëmë dot gjuhën e thatë robotike që duhet përdorur në kësi zyrash ; ne pothuaj jemi folklorikë. Por duke ju kërkuar ndjesë, po ju pyes : a nuk e dinit që, ne ndërkohë kemi shitur pjesën më të madhe të pronës sonë? E pra, e pësuam ne qytetarët e nderuar, që shlyenim një për një detyrimet ndaj shtetit, kurse …/ Kurse atë tjetrin e vranë , apo jo?/ Faleminderit; nëse mbaruam për sot po ju deklaroj, duke mbajtur sigurisht përgjegjësi penale: asnjeri nga ne të dy, nuk do të porosiste n’asnjë rrethanë , sado të rënduar, një vrasje me pagesë. Ne, sidoqoftë nuk do të largohemi në drejtim të paditur; do të lëmë para ikjes një adresë të saktë…
N’Angli, ndonëse me shumë para në bankën, ku ai kishte depozituar dikur edhe atë zahirenë e vyer, telashet nuk kishin të sosur, siç edhe thuhej në kësi rastesh. Por , shpresonin shumë të hapnin një biznes të qëndrueshëm dhe me perspektivë. E kush nuk i pajiste ata me lejëqëndrimi afatgjatë, nëmos edhe drejt e me pasaportë ?  Po po, shpresonin dhe, ishin entuziastë, ndonëse çdo mbrëmje dëgjonin me vëmendje edhe lajmet nga Shqipëria : kur do të zbuloheshin , më në fund, vrasësit e vërtetë të ministrit dhe , të mos thoshin më lart e poshtë , ja e vrau ajo provincialja kryeneçe, që zbriti një ditë në Tiranë, ashtu  e mbathur me një palë
Atlete të Grisura …

                                                                              2009




Sunday, 18 June 2017

Prof. Dr.Isuf Luzaj,Filozofi shqiptar me përmasa botërore, merr titullin “Nder i Kombit”

Prof. Dr.Isuf Luzaj,Filozofi shqiptar me përmasa botërore,  merr titullin
                                            “Nder i Kombit”                            
                                                  21/2/1913 -2 /12/ 2000

                                                         "Dje qeshë dikushi që erdha nga boshësia,
     
                                                     nesër do të jem askushi në vendin tim….”
                                                                                                              I.Luzi                    
   Kur mësova se në datën 19 qershor 2017 Presidenti Nishani do të vlerësojë Prof.Dr.Isuf Luzin me titullin e lartë “Nder i Kombit”, u gëzova sepse kam qenë inisiatore qysh në vitin 2011, për dhënien e këtij çmimi gjeniut të mohuar. Njëkohësisht u dëshpërova jashtë mase, sepse ky emër i madh i filozofisë botërore, ky kolos i mendimit përparimtar shqiptar, ky linguist e historiograf i shquar, kjo elitë e harruar dhe e mohuar, po të ishte gjallë, a do ta pranonte vallë këtë vlerësim që i ka takuar me kohë, që emri i tij gjenial të shfrytëzohej për fushatë elektorale?! Jam mëse e bindur që nuk do ta kishte pranuar kurrë... Pse?- do të pyesë ndokush.
Së pari: Sepse gjatë studimit të veprave të tij, që e kam gati për botim me titull”Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzit”, më ra në sy më shumë se njëherë ai adhuron mikun etij Pol Sartri, që nuk pranoi medaljen që i akordoi Bashkimi Sovjetik.
Së dyti: Nëse do të lexojmë 3-4 citate të Profesor Luzit që i kam paraqitur në këtë shkrim, nuk ka nevojë të pyesim se ç’formim ideor ka pasur Personaliteti Botëror, Isuf Luzaj. Unë përgëzoj dhe falenderoj Klubin “Petro Marko”, që e pranoi kërkesën time. Shpreh respektin tim që nuk e shfrytëzoi emrin e tij, por duke thyer akullin që e kishte rrethuar dhe e kishte ngrirë personalitetin e filozofit me përmasa botërore, i dha atë që meritonte, titullin “Nder i Klubit ‘Petro Marko” . Gjithashtu kërkesa ime që i nisa Presidentit dhe Kryeministrit Berisha në 19 korrik 2011, me mbështetjen e 156 intelektualëve nga e gjithë bota dhe me mbështetjen e tubimit që u bë në Vlorë më 8 korrik 2011, organizuar nga Klubi Petro Marko, u muar parasysh nga Presidenti Topi, i cili me fastin 100 vjetorit të Pavarësisë , i dha titullin “Mjeshtër i Madh”. E falenderoj Prof.Dr.Bamir Topi që e dha vlerësimin në kohën e duhur dhe nuk u përdor emri i tij.Nuk di se cila forcë politike poe shfrytëzon këtë emër të madh? Cilido qoftë individi që poe përdor këtë emër për fushatë, duhet të di se nuk është meritë e tij, por u takon atyre intelektualëve , pjesëmarrësve të tubimit, Shoqatës Atdhetare Kulturore” Kanina”,  Shoqatës“Ali Asllani” , Klubit Petro Marko”, Sh.të të përndhjekurve antikomunistë dhe Shoqtës “Kosova” që e mbështetën kërkesën time për vlerësimin e këtij Personaliteti Botëror.
  Ky njeri që e do lirinë,  që është kundër çdo dhune dhe shfrytëzimi, që na e jep në tabaka të argjendtë formimin e personalitetit dhe individualitetit,   njeriu  që studioi filozofinë botërore dhe e aplikoi në 120 veprat që ka lënë,  për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e kombit të tij të vuajtur, nuk mund të pranononte që emri i tij të përdorej në mënyrë kaq të ulët. Shumë mirë mund ta merrte këtë titull në një përvjetor. Nuk ia dhanë për 100 vjetorin e lindjes, le t’ia akordonin titullin e lartë për 105 vjetorin e lindjes. Gjithsesi Isuf Luzaj,titullin “ Nder i Kombit” e ka merituar me kohë; sepse është një figurë poliedrike e papërsëritshme në gjenialitetin e tij.

             “…dëmet që u sjell popujve komunizmi, nuk janë vetëm krimet, terrori, genocidi, verbimi nga deklaratat ateiste, tradhtia ndaj historisë së imponuar nga të huajt, por shkatërrimi që sjell komunizmi, është demoralizimi, degjenerimi, pluhurizmi dhe çoroditja në tru dhe në nerva të individit dhe gjithë shoqërisë, duke sjellë një seri brezash me vlera morale të vdekura…komunizmi nuk është filozofi, por ideologji anti-natyrale, kundër ligjeve të natyrës, e destinuar të falimentojë sepse mbartet  prej imagjinatës së sëmurë…”
                                                                                                                           I. Luzi
*I frymëzuar nga Rilindasit tanë, Isuf Luzaj  e çoi më tej veprën e tyre. Shpesh herë, si një shqiptar i madh, citonte Abdyl Frashërin: “Sa jemi shqiptarë, jemi gjithë një farë, kemi gjithë një besë, s’kemi kurrë të ndarë!”
*I. Luzi gjithë jetës ka pasur parimin: “pavarësisht se cila qeveri drejton, shtetasit apo qytetarët duhet të respektojnë dhe zbatojnë ligjet, dhe jo ta shohin bardhë e zi, siç ndodh rëndomë sot…”  Prej këtij mesazhi mëson cilido.
 *Në vitin 1997 I. Luzi dërgon një letër të hapur gazetës “Koha jonë” dhe “Kombi”,  ku u bënë apel shqiptarëve:”Bëni kujdes me pushtetarët e sotëm, se nuk do të mjaftojnë litarët për të varur komunistët…”- kjo ishte thirrja e një anti komunisti

Ç’diimë për Prof. Dr. Isuf Luzaj?                   
Arsimimi i një kolosi të filozofisë botërore...

I. Luzi lindi në Kaninë më 21-2-1913. Shkollën fillore e kreu në shkollën e parë shqipe “28 Nëntori” Vlorë me rezultate të shkëlqyera. Kreu në 5 (pesë) vite gjimnazin e shtetit në Shkodër, që ishte 6 vjet.
Më vitin 1931 nis studimet në liceun“Louis Le Grand”në Francë, sepse nuk i njihej diploma e normales.
Më 1933 u diplomua në letërsi dhe mori licensën për mësimdhënie.
Më 1935 çertifikohet Master Edukimi në filozofi
Më 1937 laurohet me Doktoraturë në Filozofi në Universitetin e Sorbonës.
Më 1938 çertifikohet Doktor në Letërsi spanjole dhe frënge, po në Sorbonë. Duke qënë në kontakt me rrethet intelektuale të Parisit, në djepin e kulturës botërore, i riu Isuf Luzi përvetësoi greqishten, latinishten dhe persishten. Si rrjedhojë lexoi sociologët botërorë, duke e bërë më kërkues ndaj vetes.

Ushtrimi i profesionit dhe vlerësimet për potencialin intelektual të I. Luzit 
-Ka ushtruar profesionin si Profesor Letërsie frënge në Buenos Aires (Argjentinë)
-Dekoruar me Medalje Ari nga  parlamenti i Argjentinës.
-Në vitin 1954 u dekorua si: “Luchator por la Paz” ose “Luftëtar për paqe”
-Më 1956 u dekorua me medaljen “Paqe”
-Viti 1964 hapet një epokë e re për të. Vendi i demokracisë, Amerika i uron mirseardhjen profsorit dhe filozofit shqiptar.
-Në vitin 1984 merr medaljen “Profesor i Amerikës” nga vetë Presidenti Regan, i cili tek sa i jep çmimin, e falenderon për gjithëçka ka mësuar prej tij.Ai burrë i mençur i përgjigjet pa ngurim: “Zoti President, vetëm atë nuk e dimë. Më duket se kam mësuar më shumë unë nga ju Shkëlqesi, se sa ju nga unë…”
-Profesor i  Filozofisë në Universitetin e New Hampshire.
-Profesor i letërsisë spanjolle e frënge dhe Estetikës në Departamentin e gjuhëve moderne në Universitetet: Bert (Barat), Leik Forest, (Lake Forest) dhe Ilions (Illinois) të Sh.B.A.
- Profesor i letërsisë franceze në Universitetin Jozef në Indiana.
- I është dhënë çmimi “Akademik i Shquar për Përgatitje të Përkryer në Harward dhe për Bibliografinë” nga Presidenti Bill Klinton.
-Profesor i Merituar me çertifikatën e përmasave botërore nga presidenti Klinton më 1996.
-Së fundi Shef i Katedrës së Filozofisë në Universitetin në Iliona.
Gjatë jetës së tij shkroi 122 vepra letrare, në historio-grafi dhe sidomos në Filozofi. Njihet si njëri prej 7 filozofëve më të mëdhenjë të shek XX-të.
   Idetë dhe mendimet e avancuara dhe bashkëkohore të Prof.Dr. Isuf Luzit gjetën shprehje dhe zbatim vetëm në vendin e  Demokracisë në SHBA, ku u rendit midis 7 filozofëve më të mëdhenj të shek. XX. Nderim dhe mirënjohje për birin e Kaninës, krenarinë e kombit e të gjithë botës së kulturuar, Prof. Dr. Isuf Luzaj që sot mban urdhrin e lartë“Nder i Kombit”! 
Më poshtë po ribotoj shkrimin e muajit korrik 2011, kur është bërë kërkesa në media për vlerësimin e Prof.Dr.Isuf Luzit , me titullin “Nder i Kombit”




TË EVIDENTOSH VLERAT UNIKALE TË ISUF LUZAJT I BËN NDER KOMBIT
 VILHELME VRANARI HAXHIRAJ

Botuar  E Premte,22- 07-2011,

Të dashur bashkatdhetarë ,brenda ose jashtë kufijve ! Përgëzime miqtë e mi të mirë, për urimet, vlerësimet apo për rifreskimin e artikujve të shkruar qysh nga 1995-1996 apo 2009, 2010 për Isuf Luzaj!
Ky shqiptar i madh ka gati 11 vjet që është ndarë nga jeta, e megjithatë vazhdohet të hidhet baltë mbi të. Ende njerëzit pyesin të habitur ose edhe me kunja: "Kush është ky? Çfarë ka bërë? Pse... e paskan rehabilituar atë?!"
Kurse e motra e tij, Rahileja, në bisedë e sipër, e pyeti një herë Isufin: " Të keqen motra, gjithë këto libra që ke shkruar, kush do t’i lexojë vallë? Se për të të vlerësuar s’ma thotë mendja, pasi…
-Motër, asgjë dhe askush nuk humbet në këtë botë. Do të gjendet ndoshta një i panjohur, që do të flasë për punën time…sepse e vërteta është si drita e diellit, që nuk e mbulon dot me shoshë." –dhe menjëherë ai shkroi vargjet domethënëse : "unë jam ditëlinduri nga asgjëja dhe do të ngelem i panjohur në vendin tim...( përshtati autorja-Vivra)"
Dhe ai kishte të drejtë. Nuk vonoi dhe ra diktatura Komuniste në Shqipëri. Gjithë shqiptarët e mohuar, sidomos intelektualët, duhej të rehabilitoheshin nga shteti i ri demokratik. Por heshtja rreth figurës së tij dhe shumë e shumë të tjerëve vazhdoi, sikur të mos ekzistonte asnjëri prej tyre apo ky njeri me vlera të mëdha për botën dhe jo më për kombin.
Diku në horizont u duk një dritë jeshile për të njohur veprën e tij të gjerë, si në sasi edhe në cilësi. Ishin miqtë dhe adhuruesit e tij. U botua në shqip "Ekzistenca dhe Boshësia",që u përgatit për botim nën kujdesin e Poetit- Akademikut, Xhevahir Spahiu, i cili pas vizitës disa javore që i bëri Isuf Luzit në Çikago, shkruajti më 1995 për këtë intelektual shumë dimensional. Më pas të përgatitura mjeshtërisht, me dashurinë e autorit për autorin, nga shkrimtari Xhevat Beqaraj, u botua "Gloria e çmendjes ", pas botimit të së cilës shkruajti Prof. Agim Vinca. Më pas vazhdoi dhe po vazhdon botimi i veprave të tij nën kujdesin edhe palodhshmërinë e Z.Xhevat Beqaraj.
Të shkruash për veprën shumëdimensionale të Isuf Luzajt, ai nuk dëgjon dhe as sheh gjë. Secili që shkruan për të, i ka bërë më tepër nder vetes, sesa atij. Ai është i nderuar për dimensionet dhe vlerat që ka vepra e tij. Por çdo njeri që çmon një intekelektual vlerash kombëtare, ka rritur personalitetin e tij.
Natyrisht që kanë shkruar për Prof.Dr.Isuf Luzaj, për vlerat e tij letrare apo filozofike edhe mjaft studiues, personalitete dhe dashamirë, por lind pyetja:
*Cili ishte ndryshimi që pësoi shkalla e njohjes për këtë potencial?
*A u njoh ky potencial intelektual në rrethet e kulturës sonë, apo arsimit të mesëm dhe të lartë në Shqipëri me këto shkrime, apo me këto vepra?
*A luajtën këto njohuri rolin e duhur që Isufi të zinte vendin që i takon në kolanën e letërsisë, filozofisë dhe elitës shqiptare?
* A u rehabilitua figura e përlyer e Isuf Luzaj, i dënuar si antikomunist personalisht nga Stalini dhe Enveri?
* Prof.Dr. Isuf Luzaj, i pari antifashist që u burgos, u internua nga fashizmi dhe jo vetëm nuk i njihet asgjë nga këto, por vazhdon të mohoet. Qysh në Mukje më 1943 ai ngriti tezën e Shqipërisë etnike, ku brenda trojeve kombëtare duhej të ishte Kosova. A u vlerësua për këto akte atdhetarizmi dhe nacionalizmi? Kurrë. Ngeli i panjohur për vendin e tij dhe i vlerësuar në vend të huaj, nga Amerika, që u bë atdheu i dytë i tij. Përse vallë?
Përgjigja dihet, ndaj nuk kërkon shumë filozofi.
Që të zerë vendin që i takon në Kulturën shqiptare, për Isuf Luzin duhet shkruar përditë, deri sa të mos u vritet më as syri dhe as veshi cinikëve e
dashakeqëve. Mbi të gjitha ai ka nevojë për një vlerësim moral nga qeveria, politika dhe nga vetë shqiptarët, se të huajt nuk ia kanë mohuar një gjë të tillë.
Për të bërë këto duhet bujari, shpirtgjerësi, të udhëhiqen nga dashuria dhe respekti ndaj kulturës kombëtare, pjesë e së cilës ai është. Duhet të vihen né piedestal njerëzit e vlerave, pa smirë, pa mllefe dhe hakmarrje. As "Ai " dhe askush nuk ia zë vendin ndokujt. Secili ka vendin e vet. Veçse asnjë personalitet nuk duhet lënë në harresë, duhet të vendoset aty ku i takon.
Mendoj se vlerësimi i Prof. Dr. Luzajt nga Klubi "P.Marko" është këputja e një hallke të zinxhirit të mohimit dhe harresës për këtë personalitet me përmasa botërore. Këtu nisi të zhduket errësira që mbuloi këtë personalitet
Në datën 8 korrik 2011, në takimin e organizuar në Tempullin e dijes dhe kulturës, në një amfiteatër të bukur, në praninë e përfaqësuesve të të dy Universiteteve, të katedrave Historisë, Gjuhësisë dhe Filozofisë, u evidentua me projeksion, fotografia, arsimimi, veprat, vlerësimet dhe thënie të spikatura të Prof.Dr.Isuf Luzaj, madje të shoqëruara nga zëri i tij i rrjedhshëm dhe tejet i sigurtë (përmes një CD) që gurgullonte si gurrat tona.
Ky takim me vlera, nuk kishte si qëllim në vetvete që të flitej me mburrje se kush e vrau frikën i pari për të evidentuar këtë figurë me përmasa ndërkombëtare, as për të marrë lëvdata si shiu pas të vjelave, si dhe as për të marrë trofe.
Së paku mua, si anëtare e klubit "Petro Marko" më vranë veshin fjalët e ndonjë personi.
Që bir i Kaninës, Isuf Luzaj, ishte një burrë i madh, unë e dija qysh kur isha fëmijë, por nuk mund të flisja në erë, pa e njohur veprën e tij, që për fat të keq, edhe sot është fare pak ose aspak e njohur. Dikush ka lexuar këtë apo atë autorë që ka shkruar për I. Luzin, që janë edhe miqtë e mi, të cilëve, unë si bijë Kanine dhe adhuruese e veprës madhore të Isuf Luzajt, u jam mirënjohëse.
Kush mund ta besonte se në varrimin e tij në 2 dhjetor 2000, kur të tjerët kishin frikë të merrnin pjesë në ceremoninë mortore, pa le të flisnin, kurse para tombës së tij, lexova poemën kushtuar këtij vigani dhe nuk e botuan sepse diktatura dhe autorët e realizmit socialist, edhe sot i kanë rrënjët të thella dhe ende nuk e pranojnë këtë filozof të madh, poet, publicist, estet, historiograf dhe gjuhëtar të përmasave botërore, sepse tek personaliteti i tij shohin një rrezik( zbehjen e madhështisë së tyre). A nuk ju duket çudi që edhe i vdekur emri i tij i frikëson?
Poema kushtuar Isuf Luzit, u botua me vonë, më 2006 kur isha Kr/redaktore e gazetës "Kanina". Më pas me rastin e çdo përvjetori lindjeje apo vdekjeje kam shkruar për të.
Përgjigja është internetike dhe mund ta gjeni tek: ("Fjala e Lirë",""Bota e gruas shqiptare", "Tribuna Shqiptare", "Illyria","Standard", Gazeta RD, "Ndryshe" "Kanina","Kosova Albemigrant","Analiza shqip", "gazeta kritika","Dielli" etje.
Në 95 vjetorin e lindjes së tij, kritizerët do të gjejnë shkrimin me temë:"Filozofi me përmasa Botërore"... Ose "Si e kam njohur Isuf Luzin" Unë e ndiej si detyrë për të vënë në dukje vlerat e më të madhit të mëdhenjëve intelektual shqiptar Isuf Luzaj. Të nderuar lexues, do të jem e lumtur kur ai të shpallet "Nder i Kombit", sepse e meriton!
Nuk i shkruajta këto rreshta se dua lëvdata. Jo... Mendoj se çdo njeri bën sa mundet dhe në vartësi të njohjes. Por duhet ta keni të qartë se, të luftosh në Vlorë është e vështirë, pasi mentaliteti mesjetar dhe dogmat politike të djathta dhe të amjta, ende të mbysin. Çuditërisht, e kanë të vështirë ta pranojnë të vërtetën e hidhur që shtresën time dhe peresonalitete si Isuf Luzi i varrosën për gjysmë shekulli.
E keqja është se ende nuk e besojnë se ai personalitet i harruar, i panjohur dhe i mohuar, u vlerësua nga Klubi "P.Marko"dhe pyesin me mosbesim:"Pse,e kanë rehabilituar atë?!"
Nuk kuptoj një gjë: Çfarë krimi kishte bërë? Mos vallë ngaqë ishte anti- fashist dhe antikomunist? Ai luftoi për një ideal, si nacionalist. Apo mos vallë pse bota e vlerësoi atë si një mendjendritur dhe paqedashës?!", Që ta" rehabilitojnë", sipas tyre, mos vallë duhet të ngrihet nga varri diktatori që ta falë, t’i japë pafajësinë dhe t’i njohë meritat si personalitet të kulturës botërore? Jo…Kurrë mos e pranofshin persekutorët e komunizmit. Duan apo s’duan ata, ai është në piedestalin e cultures botërore, sepse e ka vënë puna dhe vepra e tij. Jam e lumtur që vlerësohet një atdhetar, që luftoi me pushkë, me penë dhe me ndërgjegje të lartë kombëtare, aq më tepër një bir Kanine.
Të shkruaja më parë, unë ende nuk isha e bindur se e kisha fituar apo jo të drejtën e fjalës dhe lirinë e shtypit. Duhet ta kenë të qartë se, edhe pas rënies së komunizmit, ende luftoja për një metër kub ajër më shumë, sepse ma rimohuan të drejtën e profesionit dhe më dënuan me vdekje familajarisht në vitin 1997.
Kurse gjithë autorët e tjerë, shkrimtarët dhe gazetarët me përvojën e Realizmit Socialist e kishin këtë të drejtë, qysh kur mua ma kishin prerë gjuhën, ma kishin prangosur mendimin dhe ma kishin vrarë dëshirën. Aq më tepër gjithë ata të përkëdhelurit e sistemit diktatorial që e kishin frikë dhe e urrenin kapitalizmin e imperializmin, si rrezikun kryesor të shembjes së kampit socialist, duhet të shkruanin pa droje sepse gjetën strehë politik në vendin e demokracisë, ShBA dhe në botën perëndimore kapitaliste.
Po të shkruanin qysh atëherë, kur e vlerësoi bota ( më 1954,1956, 1964, 1984…) për Isuf Luzin apo për luftën e klasave që u ndoq ndaj inteligjencës së arsimuar në perëndim, asgjësimit të fisnikërisë, të ngriheshin kundër vrasjeve, burgosjeve, internimeve, mohimit të profesionit, çdo të drejte dhe vlere humane, vërtet do të ishin këmbanat e parakohshme për veshët e sotëm.
Nëse dikush do të guxonte të shkruante para 90 për Isuf Luzaj, do t’i kisha hequr kapelen me nderim, por mjerisht kjo nuk ndodhi. Edhe nëse ndonjë shkrimtar karrierist ka shkruajtur sot pas 20 vitesh, gjasma për luftën e klasave, ka marrë si model peresekucioni vetëm fëmijët e byroistëve, apo të anëtarëve të Komitetit Qëndror të partisë, që u dënuan për karrike, por kurrë nuk shkruajtën për ata ndaj të cilëve u ndoq genocid i vërtetë shfarrosës.
Ndërsa unë nisa të shkruaj më 1996, vetëm atëherë kur u binda se ende më kishte ngelur diçka nga dhuntia e lindur, që ngeli vetëm ëndërr e parealizuar dhe një shpresë e vrarë për 52 vite të jetës sime. Njëzetë ditë pasi më ra në dorë "Gloria e çmendjes" e Isuf Luzit, shkruajta për të poemën, por mjerisht për t’i lënë lamtumirën e fundit më 2-12-2000.
Ju flas me zemër në dorë, mua më dhemb për Isuf Luzin, se jemi të të njëjtit brum klasor, kemi një trashëgimi klasore, i përkasim të njëjtit mohim dhe me fëmijët e tij na bashkojnë vuajtjet e pashëmbullta, ndaj shkruaj e gjithçka e bëj me dhembjen e shpirtit, me dashurinë për njeriun e vuajtur dhe filozofin e mohuar. Do të punoj dhe s’do të rresht për të, se Ai është vlerë kombëtare e pamohueshme. Prof. Dr.Isuf Luzaj nuk i takon më familjes që e lindi, apo fëmijëve , nipërve dhe mbesave të tij, as Kaninës, as Vlorës, as vetëm Shqipërisë, por i përket gjithë botës. Ai është "Profesor i Amerikës", Mësues dhe Filozof i Shquar i të gjithë kontinenteve.
Uroj që gjithë të rinjtë shqiptar të zgjedhin si model përsosmërie, individualiteti e diturie, intelektualin, Prof. Dr. Isuf Luzaj dhe kurrë nuk kanë për të qenë të humbur, por gjithmonë do të jenë të fituar.
Vlorë-19-7-2011
 

Vilhelme Vranari Haxhiraj

Intelektualëve dhe dashamirësve shqiptarë kudo në botë për njerëzit e vlerave kombëtare
Kërkesë:
       Bëhet fjalë për Prof.Dr. Isuf Luzaj.
Të nderuar lexues!
Të gjithë e dimë se vlerat e vërteta kombëtare janë mohuar për shkak të politikave të mbrapshta të ndjekura në vendin tonë të shumëvuajtur. Duke u nisur nga ky shkak, një grup nismëtar vendosi që të kërkoj përkrahjen e gjithë intelektualëve dhe dashamirëve kudo që janë në botë për vlerësimin e njerëzve të vlerave, të cilët janë lënë në harresë me dashje, për motive politike apo çvlerësim hakmarrjeje. Bota nuk i ka heronjtë dhe i krijojnë ata. Kurse ne i kemi, por i duam të varrosur.
Nuk ka komb pa elita, të cilat as emërohen dhe as votohen. Ato dalin natyrshëm në bazë të punës, ideve dhe veprave krijuese qofshin shkencore, artistike, letrare, filozofike apo politike. Pastaj idetë e tyre bëhen udhërrëfyes dhe dashamirët që i marrin si model, i ndjekin pas duke e çuar më tej veprën e tyre. Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe nuk i mungojnë njerëzit e ditur, por koha i fshiu, i mori zvarrë. Antivlera e mbyti vlerën.
Mendoj se dinjitetin e këtyre elitave mund ta vendosim në vend vetëm ne, intelektualët. Nëse pushtetarët tanë do të marrin në konsideratë mendimin intelektual, jam e bindur se Shqipëria do të integrojë më shpejt drejt zhvillimit Euro-Atllantik. Grupi nismëtar mendon se duhet ta nisim me një atdhetar, filozof, poet, publicist, profesor,estet dhe gjuhëtar, të cilin puna e ka vendosur midis shtatë më të mëdhenjëve të shek XX-të.
Bëhet fjalë për Prof.Dr. Isuf Luzaj.
Duke i paraqitur institucioneve të larta shtetërore përkatëse kërkesën për vlerësimin e tij me titullin "Nder i Kombit", CV e tij tejet të pasur, si dhe listën emërore (emër, mbiemër, profesion, vendbanimi dhe firma).
Listës fillestare të grupit nismëtar secili mund t’i shtojë emrin e vet. Natyrisht ai person që e ndjen si detyrë që kombi deuhet të nderojë njerëzit e vlerave intelektuale.
Lista emërore e intelektualëve për vlerësimin e Prof. Dr. Isuf Luzaj me titullin "Nder i Kombit":
  1-Vilhelme Vrana- Mësuese historie-shkrimtare- publiciste
  2- Fitim Haxhiraj- ekonomist- koreograf
  3- Xhevahir Spahiu- akademik-poet
  4- Xhevat Beqaraj- shkrimtar-përgatitës i veprave të Profesor Isuf Luzit për botim
  5- Fatmir Terziu- PhD, Pedagog, kineast, shkrimtar, kritik, gazetar,studiues, (autor studimi per
    Prof Luzaj) -Londër
  6-Përparim Hysi – shkrimtar-poet-
  7-Nebil Çika- gazetar-Tiranë
  8- Luftar Kamberi- inxhinier gjeologji-miniera
  9- Spiro Caushi –Prof. fizikan Universiteti "Ismail Qemali"
10 - Mexhit Haxhiu- Mjeshtër i madh i sportit
11 -Agim Musta- ish i burgosur politik- shkrimtar-Tiranë -
12-Shaban Xhyheri- I burgosur politik
13- Meto Hoxha –poet
14-Ceno Caushaj –ish i burgosur politik
15- Qerim Skënderi- shkrimtar
16- Evgjeni Caushi- farmaciste
17- Ermelinda Spathari Violonçeliste-Itali
18- Lek Spathari-trompist & dirigjent -Itali
19- Budin Luzi
20- Manushaqe Merkaj-
21- Petrit Golemi- President i gjimnazit "Perla "
22- Fatbardha Dervishi-
23- Mehmet Dervishaliu- mësues matematike
24-Teuta Dervishaliu
25- Liliana Premti- mësuese
26-Agim Mato- poet -drejtor i Tv Aulona –Sarandë
27- Kujtim Murati- poet-ish i burgosur politik
28- Abdurraman Meçe-Prof:matematik-U. "I.Qemali"
29-Tefta Bisholla –mjeke farmaci
30-Kristaq Bisholla-mjek-kirurg
31- Ermira Koçi- mësuese
32- Kosta Koçi Dr. i shkencave neurologjike
33-Jetgjar Luzi- mësues- ShBA
34- Engjëllushe Luzi- laburante-kimi
35- Beqir Hoxha- radiolog- Shoq.Çamëria
36- Bedri Çoku- shkrimtar-ish i burgosur politik
37- Kadri Malaj (Koculi) ekonomist
38- Kristo Çipa- agronom-Pilur
39-Anest Dhimojani- Drejtor i gjimnazit Himarë
40- Petraq Truja- Fizikan- Prof. U."I.Qemali"
41- Valentina Truja –Mercologe e lartë
42- Andon Prifti- ish i burgosur politik-Pilur
43- Nestor Jonuzi- Piktor i Popullit
44- Lavdosh Veshi - Lepenicë
45- Kujtim Veshi - Lepenicë
46-Ajet Seferi- prof . matematik-fizik
47-Qëndro Meminaj- agranom-kryetar i Shoq "A.Asllani"
48- Gjyzela Murati-
49- Avdul Haxhiu- Imam (Xhami)
50- Hafize Agaj
51- Avni Agaj- Kryet, i Sh, P. P. antikomunist demokrat
52- Kristaq Pavli - kardiolog
53- Diana Pavli- mësuese letërsie
54- Remzi Gani – Imam- Administrator i Myftinisë Vlorë
55- Pranvera Gani- financiere
56- Arta Murati
57- Lutfi Alizoti- disenjator –komuniteti çam
58- Merita Golemi - administratore e gjimnazit "Perla"
59- Astrit Xhaferi- shkrimtar
60- Floreta Xhaferi
61- Pajtim Lamaj – N/KriSh.I.P e të Burgosurve politik Shqipëri
62- Raimonda Moisiu- shkrimtare, gazetare e pavarur ShBA
63- Janaq Pani- shkrimtar-Kanada
64- Arqile Gjata- poet- Greqi
65- Timo Mërkuri- shkrimtar
66-Murat Gecaj- Prof.Dr- sekretar i Pergjithsdhem i Shoqates se Arsimtareve te Shqiperise, pergjegjes sektori ne Institutin e Intergrimit te Kultures Shqiptare-Tirane, me 20 korrik 2011
67-Kadri Tarelli- mësues- publicist- Durrës
68 -Shpresa Vranari- mësuese letërsie , shkrimtare -ShBA
69-Ali Vranari- ekonomist –ShBA
70-Eli Sava-mësuese-Vlorë
………………………
71- Prof.Dr Isuf Kalo- Doktor i shkencave
72-Mbarime Luzi-ekonomiste
73-Jani Gjergji- koreograf-
74-Meleqe Luzaj-mësuese  matematike
75-Imer Yzeiri- mësues- drejtor i I.të Monumenteve të Kulturës.
…………………
149-Paqyze Petriti- mësuese-Vlorë
148-Kozeta Zavalani- poete-shkrimtare –Tiranë
149-Roni Xhyheri- instruktor makinash
150-Laureta Petoshati- shkrimtare –publiciste-përkthyese
151-Skënder Kamberi-Piktor i Popullit
152-Nedime Xhyheri- pensioniste
153-Baki Ymeri- shkrimtar-përkthyes-Bukuresht
154-Kadri Malaj- biznesmen
155-Jorgo Telo- Pedagog-univ.Gjirokastër
156- Agron Mëhilli- mësues historie

PS: Listës emërore të mësipërme mund t’i shtojë emrin cilido shqiptar që e vlerëson këtë nismë dhe e quan si një obligim moral dhe qytetar për të çuar në vend këtë vlerë intelektuale shqiptare me përmasa botërore,  Prof.Dr. Isuf Luzaj

                                                               Për grupin nismëtar
                                                          Vilhelme Vranari Haxhiraj.

Ju lutem shkruani në adresën:
E-mail: haxhirajvilhelme@yahoo.com
VILHELME VRANARI HAXHIRAJ