SAFET N. RAMOLLI
(Studim i
pjeshëm)
GARDE APO REPART I SHTABIT TE
PERGJITHSHEM?!!
Në vend të hyrjes
Në veprimtarinë ditë pas dite, por edhe vit pas viti, të Organizmave dhe
Personaliteteve të Larta Ushtarake, por dhe atyre Shtetërore, ndeshim thuajse shpesh
herë, ndoshta edhe nga pakujdesia e mjaftueshme, frazeologjizma të ndryshëm për
të njëjtin qëllim shprehjeje. Më i pranishëm ky fenomen sidomos gjatë Lëvizjes
Nacional-Ҫlirimtare të vendit dhe deri aty nga viti 1947. Po përse ka ndodhur
kështu dhe cili do të ishte përdorimi më i drejtë i këtyre togfjalëshave?
Shërbimi i sigurimit të
institucioneve ushtarake dhe drejtuesve të tyre edhe në Shqipëri është me
histori të herëshme.
Përgjatë rrugës së përshkuar në mbijetesën e tij, mjaft aktive dhe
mbresëlënëse, populli shqiptar ka patur të organizuar në forma e madhësi të
ndryshme forca të armatosura. Krejt natyrshëm në përbërje por, edhe në interes
të sigurimit, të ruajtjes dhe të krijimit të kushteve të përshtatëshme për punë
dhe veprimtari të frutëshme e dobiprurëse të institucioneve, organeve, por edhe
të drejtuesve ushtarakë, ka qënë prezente, si domosdoshmëri imperative dhe
objektive, edhe një bërthamë speciale ushtarake e epitetuar “Njësit”,
“Skuadër”, “Kompani”, apo “Batalion”, por gjithësesi e bashkëshoqëruar me
epitetin domethënës “Sigurimi”.
Një bërthamë të tillë e hasim përgjatë gjithë rrugëkalimit të Forcave të
Armatosura (FA-ve). Prandaj do të ishte me interes të veçantë që, në morinë e
strukturave të tjera të FA-ve, të evidentohej dhe sistemohej, historia e
lindjes, e organizimit, e ngritjes, e konsolidimit dhe e veprimtarisë të kësaj
strukture krejt të veçantë dhe specifike.
Në mos më herët, të paktën duhet t’i referohemi periudhës së Luftës Antifashiste
Nacional-Ҫlirimtare të Shqipërisë në vitet 1939-1944 (L.A.N.Ҫ-it). Më 7 prill
1939, Shqipëria u pushtua, duke u zhytur herët dhe krejt pa dëshirë, në
vorbullën e zhvillimeve të vrullëshme dhe të dhembëshme të Luftës II Botërore.
Por politikës së italianizimit, shqiptarët, si rrallëkush në Evropë, do t’i
përgjigjeshin me fillimin e rezistencës së armatosur që në ditën e parë. Në
vazhdim, mrekullisht por jo edhe rastësisht, L.A.N.Ç.-i e popullit shqiptar, përgjithësisht
përbën një fenomen mbarëkombëtar, heroik dhe dinjitoz. Ajo ishte një qëndresë e
organizuar dhe fitimtare mbi dy nga armiqtë më të egër të njerëzimit deri më
tash: fashizmi dhe nazizmi.
Dy konncepte: sa të ngjajshëm po
aqë edhe të ndryshëm.
Meqënëse në këtë punim do të
hasim shpesh herë togfjalëshat: “Kompania e Sigurimit” apo “Kompania e Gardës”,
“Batalioni i Sigurimit” apo “Batalioni i Gardës”, e të tjera, e gjykoj të
arësyeshme të sqarohet marrëdhënia dhe ndërvartësia midis tyre. Binomet e
togfjalëshave “Njësit Sigurimi” - “Grup Gardist”; “Kompani Sigurimi” - “Kompani
Gardiste”, “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm” - “Batalioni i
Gardës”, dhe të tjerë të ngjajshëm si këto, të cilët jo vetëm kanë bashkëjetuar
por edhe janë artikuluar në kohë të ndryshme me përmbajtje sa të ngjajshme po
aqë edhe të ndryshme në misionin juridik, moral, human e shoqëror, që ato
ngërthejnë e përmbushin, na grishin të japim edhe ndonjë mendim apo sugjerim.
Gjykuar për misionin e ngarkuar, i cili duhet pranuar se është sa
juridik po aqë edhe moral, fisnik dhe human, pa dashur të konfliktuojmë grupe
të veçanta të komunitetit, nisur nga dëshira e mirë për të qartësuar
përmbajtjen e këtyre nocioneve (togfjalëshave), po shpreh disa mendime.
Këto e të tjera grupime togfjalëshash të ngjjajshëm me ‘to, i hasim
krahas disa të tjerëve, përgjatë gjithë rrugëkalimit që kanë përshkuar Forcat e
Armatosura të Shqipërisë në historinë e tyre. Për fat jo aqë të mirë, këto, krejt
jo qëllimisht, ndoshta pa kujdesin dhe vëmendjen që meritojnë, janë epitetuar
me artikulime të ndryshme. Prej këtej shpesh herë rrjedh edhe interpretimi i
përmbajtjes së tyre jo në sensin dhe përmbajtjen e duhur. Mund të jetë edhe kjo
një ndër arësyet që ata shpesh herë, sidomos prej njerëzve jo plotësisht të mirinformuar,
të ngatërrohen me njëri-tjetrin jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje. Kjo
përplasje mund të arrijë deri në “mëkatin”e vendosjes, krejt padrejtësisht, të
shenjës së barazimit midis tyre si në pikpamje të misionit ashtu dhe të
zbatimit praktikisht në veprimtarinë e përditëshme.
Në këtë çështje ka disa gjëra, të
cilat duhet të sqarohen jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për atë të
kualifikuar apo të mirinformuar.
Së pari, është e domosdoshme të interpretojmë kuptimin e këtyre nocioneve bazë
sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe Ligjeve për
Gardën e Republikës së Shqipërisë. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, botim i
vitit 2006, në faqen 306-307, krejt qartë është interpretuar kuptimi i nocionit
“Gardë”, çka do të thotë: “Repart i
posaçëm për të mbrojtur udhëheqësit dhe drejtuesit e lartë të një vendi, për të
ruajtur objekte të rëndësisë së veçantë, për të kryer shërbimet e nderit”, etj.
Ndërkohë Fjalori Enciklopedik Shqiptar në faqen 304 për këtë problem shprehet
krejt qartazi: “Njësi ushtarake me detyrë
të posaçme për të siguruar udhëhjeqjen e Partisë dhe të Shtetit...”. Por
edhe në dy ligjet, që njihen deri tani, për Gardën e Republikës së Shqipërisë,
nocioni “Gardë” përcaktohet sa më poshtë: “Garda
e Republikës së Shqipërisë është njësi ushtarake e specializuar për ruajtjen e
Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe të Selive e Rezidencave të përcaktuara
në këtë ligj. Ajo bën pjesë në strukturën e Ministrisë së Rendit Publik dhe
varet nga Ministri”. Kështu shprehet Ligji Nr. 7602, dt. 09.09.1992, “Për
Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Neni 1. Ndërsa Ligji Nr. 8869, dt.
22.05.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” jep përcaktimin që vijon: “Garda e Republikës së Shqipërisë është
strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Rendit Publik; ajo varet nga
ministri i rendit publik si dhe është person juridik... Ajo ruan e mbron
drejtpërsëdrejti Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe personalitetet e tjera që përcaktohen në
ligj... Ajo ruan edhe institucionet e Shtetit Shqiptar të përcaktuara në këtë
ligj.”
Ndërkohë nocionet “Kompani”, “Batalion” si
struktura ushtarake, duke u ngjizur epitetin ”Sigurimi”, marrin kuptimin e
krijimit të një strukture ushtarake në përmasa të përcaktuara organikisht, me
qëllim që të garantojnë një gjendje pa ndonjë
rrezik a të keqe të papritur për misionin që kanë, p.sh. të sigurojnë e
mbrojnë personalitetet e larta të shtetit apo ato ushtarake si dhe mjediset ku
ata kryejnë veprimtari. Apo, për më tej, të merren masat për të mbrojtur dikë a
diçka nga rreziqet dhe të papriturat. Nocioni “kompani” do të ketë kuptimin e një njësie (më mirë të shprehemi, të
një strukture ushtarake S.R) të përbërë prej disa togash të së njëjtës armë. Të
paktën për më shumë se gjysëm shekulli (1945 – 1990 S.R) kompania ka qënë e
përbërë prej tri togash, në secilën prej tyre zakonisht janë tri skuadra,
secila me efektiv prej dhjetë vetash. Kështu efektivi i një kompanie zakonisht
është i përbërë prej gati 100 (njëqind) vetash. (Fjalori i Gjuhës Shqipe, botim
i vitit 2006, Fq. 478). Për nocionin “batalion”
po në këtë fjalor, në faqen 80, jepet spjegimi si vijon: “njësi ushtarake e regjimentit, që ka disa kompani”. Unë do të
spjegoja nga eksperianca prej mëse 40-vjeçare si ushtarak i mirëfilli
(1967-2004 S.R) se, batalioni është repart ushtarak këmbësorie, në përbërje të
një brigade, dhe jo regjimenti, apo si strukturë autonome e një njësie
ushtarake si Divizioni, Korpusi a Grupimi, por edhe si rezervë apo njësi
ndihmëse e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i përbërë zakonisht prej tre
kompanish. Madhësia e një kompanie është zakonisht ajo e shpjeguara më sipër.
Mandej duhet bërë dallimi midis
institucioneve në pikëpamje të funksionit organizativ, vartësisë, detyrave që
përmbushin etj., etj. Prandaj s’mund të vihet shenja e barazimit midis
institucioneve ushtarake dhe atyre civile. Por fatkeqësisht, pas pushtimit
ushtarak më 7 prill 1939, u shkërmoqën të gjitha institucionet e Shtetit
Shqiptar, ashtu sikurse pushoi së ekzistuari e vepruari edhe Ushtria Kombëtare.
Bashkë me këto pushuan së ekzistuari edhe strukturat, që ishin në shërbim të
ruajtjes e të sigurimit të Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe të
Institucioneve Shtetërore, sikurse ishte Garda Mbretërore, por edhe struktura
speciale, e cila ruante e siguronte Shtabin Madhor të Fuqive Armate dhe
Personalietet e Larta Ushtarake. Në vijim, në vitet e zhvilllimit të Luftës
Nacional-Ҫlirimtare 1939-1944, nuk pati asnjë dallim midis strukturave
ushtarake, të cilat u krijuan, u fuqizuan dhe funksionuan, me ato të cilat
pretendonin se kryenin edhe funksionet e shtetit, por që nuk patën as organizim
të qartë, e për më tepër nuk vepruan si të tilla, sepse nuk u arrit të formohej
ndonjë organizëm kombëtar, që të përfaqësonte interesat e gjithë popullit
shqiptar. Gjatë kësaj periudhe problemi komplikohet edhe më tepër, sepse nuk ka
asnjë dallim esencial (në përmbajtje së pari, e pastaj në formë S.R) midis
forcave të armatosura dhe organizmave që u krijuan, dhe që pretendonin se
kryenin funksionet e shtetit. Në të kundërtën, drejtuesit e formacioneve dhe
institucioneve ushtarake quheshin edhe drejtuesë të shtetit, por gjithësesi të
një shteti pa shtet, pa kabinet qeveritar dhe pa institucionet përkatëse. Ndoshta
duhet të pranojmë se, pas Konferencës së Dytë të Këshillit Antifashist mbajtur
në Berat në fundtetori 1944, kur edhe u shpall krijimi i Qeverisë Demokratike
Shqiptare, kjo strukturë ushtarake siguron njëherësh drejtuesit e lartë
ushtarakë të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare dhe ata
të hallkave më poshtë, por edhe personat e zgjedhur (më mirë të themi të
caktuar S.R), si drejtuesë të Shtetit Shqiptar.
Në të pastajmen, për shkak të ideologjizimit të gjithëçkaje për gati 50-të
vjet pas përfundimit të Luftës II Botërore, në Shqipëri edhe institucionet a
organizmat ushtarake drejtoheshin dhe ishin në funksion të partisë-shtet. Për
këtë arësye institucionet ushtarake ishin thjesht vegla, instrumenta, leva të
partisë në pushtet, apo sikurse thirreshin e quheshin “armë të diktaturës së
proletariatit”, ndërsa drejtuesit e saj ishin “monopol i partisë”.
Afruar më afër në kohë, duhet
bërë qartë dallimi mes strukturave që ruajnë e sigurojnë institucionet
ushtarake dhe drejtuesit e tyre, dhe atyre që ruajnë e sigurojnë institucionet
shtetërore dhe personalitetet e larta që drejtojnë shtetin. Ato, për shkak të
organizimit, pra të formës më pak, e sidomos të misionit apo të funksionimit,
pra të përmbajtjes më shumë, janë cilësisht të dallueshme, prandaj edhe duhet
të trajtohen si të tilla. Kjo çështje duhet të sqarohet sidomos për periudhën e
Luftës Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare dhe disa vite pas çlirimit të vendit,
kur strukturat e ruajtjes e të sigurimit të institucioneve ushtarake, quhen
edhe struktura për ruajtjen dhe sigurimin e institucioneve shtetërore dhe të
personalieteve të larta të shtetit. Prej këtij keqinterpretimi, natyrisht jo
dashakeq, marrin jetë dhe bashkëjetojnë për të njëjtën strukturë ushtarake
emërtime të ndryshme si p.sh “Njësiti për sigurimin e Shtabit të Përgjithëshëm”
i barazvlerëshëm me “Grupi gardist për sigurimin e anëtarëve të Shtabit të Përgjithëshëm
dhe anëtarëve të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare”; më vonë
“Kompania e Sigurimit” e barazvlerëshme me “Kompania Gardiste”; akoma më vonë
“Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm” i barazvlerëshëm me
“Batalioni i Gardës”, etj, etj.
Më në të pastajmen, mbetet ende e
nevojshme të zhvishemi nga politizimet duke i dhënë profesionalizmit hapësirën
e domosdoshme në çështjet që i përkasin historisë. Shqiptarët e dinë fare
mirë se, pas Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, u krijua një Qeveri e
Përkohëshme nën drejtimin e I. Qemalit, e cila mori përsipër të administronte territorin
shqiptar dhe banorët e tij të mbetur pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane,
duke krijuar të gjitha institucionet civile dhe ushtarake, të cilat i ka të
nevojëshme një qeverisje. Në këtë qeverisje funksionoi edhe Institucioni i Luftës,
i cili përveç drejtuesit kryesor, kishte edhe një Shtab Madhor të përbërë nga
ushtarakë të mirëfilltë, por edhe me detyrë krejt të qartë për të përgatitur, drejtuar
dhe komanduar forcat e armatosura shqiptare, pavarësisht nga madhësia dhe
gjëndja luftarake e tyre. Por, qoftë edhe për arësyen e vetme që, si drejtuesi
i Ministrisë Mbrojtes ashtu edhe ai i Shtabit Madhor vinin nga një shtet me
tradita në të dyja fushat, nuk ka asnjë arësye që, Shtabi Madhor të mos kishte
një strukturë të armatosur për ruajtjen dhe sigurimin e Tij në këto situata aqë
të vështira.
Më vonë, në vitin 1920, është
pranuar që në Shqipëri krijohet Shteti i Ri Shqiptar, (i njohur ky edhe nga Lidhja
e Kombeve S.R) me drejtuesë të formuar si statistë, por edhe mjaft të
talentuar dhe atdhedashës. Edhe qeveria e drejtuar nga Sulejman Delvina krijoi
të gjitha ministritë përkatëse, përshi edhe atë të Mbrojtjes, e cila nga ana e
vet kishte Shtabin Madhor, që drejtonte F.A-të. Ky shtet erdhi duke u fuqizuar,
edhe pse pati probleme të marrëdhënieve midis forcave politike dhe klaneve
qeveritare. Edhe në këtë qeverisje FA-të drejtoheshin nga ushtarakë
profesionistë, të cilët medoemos që vlerësonin edhe rolin e forcave të ruajtjes
e të sigurisë të shtabeve ushtarake, prandaj edhe i krijuan dhe fuqizuan ato.
Më vonë, më 1925-1939, Shteti Shqiptar
organizohet, përpos përvojës së administrimit shqiptar, thuajse tërësisht sipas
modelit perëndimor. Mbetet një realitet, që duhet pranuar pa keqdashje, se F.A-të
bënë mjaft përparime. Në strukturat e saj, përpos Gardës së Shtetit, e cila në
vitin 1928 emërtohet “Garda Mbretnore”, funksiononte edhe struktura speciale
për ruajtjen, sigurimin dhe krijimin e kushteve të nevojëshme për punë e
veprimtari të Shtabit Madhor të Ushtrisë. Kjo strukturë speciale, jo vetëm
vlerësohej me seriozitetin që meritonte, por edhe përgatitej e vepronte sipas
instruksioneve të integruara nga specialistë ushtarakë anglezë, austriakë,
italianë e të tjerë.
Për më afër akoma, duhet t’i
referohemi pa pasione politike historisë. Historia e popullit tonë është e
mbushur me shembuj të heroizmit dhe sakrificave për të mbrojtur trojet e të
parëve si rrallë popuj të tjerë në rajon dhe më gjerë. Ajo ka qënë e mbetet e
denjë për t’u pohuar dhe jetuar. Por dihet që sa më e lashtë të jetë historia e
një populli aqë më e pasur do të jetë ajo. Në këtë kuptim nuk ka asnjë arësye
që edhe lindjen, krijimin, konsolidimin dhe veprimtarinë e Batalionit të
Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë të mos e kërkojmë sa të jetë
e mundur më herët. Natyrisht, në këtë çështje nuk mund të merren gjërat
apriori, por deri sa Historia e Ushtrisë Shqiptare është e shkruar dhe e
argumentuar qartë, edhe komponentët përbërës strukturorë të saj duhet të
evidentohen sa të jetë e mundur, që në origjinën dhe krijimin e tyre. Prandaj
edhe krijimi i strukturës së sigurimit të institucioneve ushtarake dhe të
drejtuesve të saj duhet kërkuar, në mos me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor
1912, me doemos ajo duhet t’i përkasë fillimvitit 1920, pikërisht atëhere kur u
krijua Qeveria e dalë pas Kongresit të Lushnjës. Por edhe nëse nuk mund të ndihemi të argumentuar plotësisht për
këtë periudhë, data 12 shkurt i vitit 1944, e mbajtur për gati 50-të vite si
data e krijimit të Gardës së Republikës, duhet të shërbejë si datë e rikrijimit
të strukturës ushtarake speciale, të themi edhe e Batalionit të Sigurimit të
Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Shqiptare.
Përfundimisht, mendimi im
personal (S.R) është se, gjatë Luftës Nacional-Ҫlirimtare dhe deri në vitin
1947, kur gjejmë mirëfilli termin “Gardë”, jo vetëm që duhet të mbetemi në
termin “Kompani Sigurimi” apo “Batalion Sigurimi”, por edhe ta respektojmë këtë
nocion, dhe jo “Kompani Gardiste” apo “Batalion Gardist”.
Rilindja e
strukturave të sigurimit dhe të ruajtjes së Institucioneve Ushtarake.
Ndryshimet dhe zhvillimet, që
provonte e përjetonte vendi ynë në fushën e politikës, ekonomisë, në atë
sociale dhe të tjera, krejt natyrshëm edhe strukturat ushtarake do t’i ndiqnin e
pasqyronin krejt qartë. Pushtimi fashist i vendit do të bashkëshoqërohej me
shkoqitjen dhe shpërbërjen e të gjitha strukturave shtetërore, ushtarake,
ekonomike, e të tjera. Nëse Ushtria Kombëtare nuk mundi të përmbushte misionin
e saj në pragprilli 1939, duhet pohuar se, u trashëgua një kontigjent
ushtarakësh me shkolla e akademi ushtarake, të cilët vunë në dobi të luftës për
çlirim jo vetëm atdhedashurinë, trimërinë, qëndrueshmërinë, sakrificat, etj.,
por edhe përvojën dhe profesionalizmin e mirëfilltë ushtarak. Midis atyre
spikatin Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Islam Radovicka,
Tahir Kadare, Et’hem Barhami, Mustafa Matohiti, Memo Meto, Qazim Kapisyzi, Rrahman
Parllaku, Todi Naço, e disa dhjetra të tjerë, të cilët me përgjegjësinë e
profesionit si ushtarakë atdhetarë, muarën në duartë e tyre organizimin,
drejtimin dhe komandimin praktik të njësive të mëdha të Ushtrisë N.Ç. Tashmë
mbetet fakt gati i gjitëpranuar se, kontigjenti patriotik dhe luftarak i LNÇ-it
u drejtua dhe komandua nga mjaft ish-oficerë të Ushtrisë Kombëtare të para
vitit 1939. Ata krijuan çetat apo formacionet e para të rezistencës
antifashiste, ashtu si mjaft prej atyre u vunë me meritë të padiskutueshme në
komandim dhe drejtim të tyre. Ndër ata u shquan: Abaz Shehu, Asim Zeneli, Spiro
Shalësi, Zylyftar Veleshnja, Agush Gjergjevica, Dino Kalenja, Ernest Jakova,
Hamit Keçi, Esat Ndreu, Xhemal Punavija, e mjaft të tjerë, pa përmendur ata që
i veçuam më lart. Gjithësesi ata janë me dhjetra, me shkëlqim dhe kontribute të
veçanta, por të përbashkët patën idealin si dhe vullnetin e admirueshëm deri në
gatishmërinë për të sakrifikuar edhe jetën e tyre, për ta çliruar truallin e të
parëve dhe popullin e tyre.
Organizimi i Lëvizjes Nacional-Ҫlirimtare
përmes formës së saj më të lartë, Luftës së Armatosur Nacional-Ҫlirimtare, do
të bënte domosdoshmëri imperative ngritjen dhe funksionimin normal të
organizmave dhe organeve të drejtimit dhe të komandimit të formacioneve të ndryshme
luftarake. Organi më i lartë, me kompetenca të mjaftueshme komandimi, drejtimi,
dhe bashkëveprimi e bashkëpunimi brenda vendit dhe me homologët e tjerë të
Koalicionit Antifashsit jashtë vendit, rezulton Shtabi i Përgjithshëm i
Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare (SH.P. U.N.Ҫl), i krijuar më 10 korrik 1943 në
fshatin Labinot Mal të rrethit Elbasan. Ky
organ i mirëfilltë ushtarak, i konceptuar dhe ngritur jo vetëm mbi bazën e
trashëgimisë kombëtare por edhe të përvojës së ushtrive të vendeve fqinjë apo
edhe më larg, krejt natyrshëm do të kishte në strukturën e Tij, krahas mjaft të
tjerave, edhe një bërthamë, qoftë edhe të vogël, e cila do të kishte si detyrë
thelbësore e parësore: Ruajtjen dhe sigurimin e Shtabit të Përgjithëshëm të
Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare, por edhe do të kujdesej për krijimin e kushteve
për punë, veprimtari e jetesë normale, sa të ishte e mundur më shumë. Në
dokumentet arkivore kjo strukturë gjendet e emërtuar: “Njësiti i Sigurimit”,
rreshtohet krahas strukturave të tjera të Shtabit të Përgjithëshëm, kompletohet
me efektiva nga më të përkushtuarit dhe profesionistë, ashtu si detyrat i merr
nga SH.P dhe vepron drejtpërdrejt në interes të tij.
Meqënëse L.N.Çl-i u zgjerua, formacionet e saj u bënë më të shumtë dhe
më të mëdha në numër, por edhe veprimet u bënë më dinamike dhe me shtrirje në
të gjithë territorin, lindi si domosdoshmëri zgjerimi i kësaj strukture të
posaçme. Situatat krijoheshin dhe zhvilloheshin me mjaft shpejtësi e
intensitet, prandaj SH.P.U duhej të drejtonte nga vend-qëndrime e vend-drejtime
të ndryshme, por edhe me grupe të përbërë prej anëtarëve të tij. Prandaj, për të garantuar një veprimtari
drejtuese e komanduese të Tij në kushte sa më të sigurta që të ishte e mundur,
duhej të krijohej një forcë e armatosur e posaçme, e paangazhuar me detyra të
tjera luftarake dhe shërbimi.
Gjatë Operacionit armik të dimrit
1943-1944, SH.P.U drejtonte në fshatin Panarit të rrethit Korçë. Me që
veprimtaria e Tij dhe e Këshillit të Përgjithëshëm Nacional-Ҫlirimtar faktikisht
dhe praktikisht bëheshin gjithnjë e më operativë, nga njëra anë, por edhe sepse
duhej të garantohej një shërbim ruajtjeje më i specializuar, më funksional dhe
më i kudondodhur, nga ana tjetër, shtronte detyrën e ngutëshme për organizimin
e një strukture ushtarake të posaçme, me detyrë e mision: ruajtjen dhe sigurimin e Drejtuesve të Luftës Nacional-Ҫlirimtare, të
vend-drejtimeve dhe të vend-dislokimeve të organeve dhe organizmave drejtuesë e
komanduesë të luftës; sigurimin e rrugëkalimeve të drejtuesve ushtarakë etj. Kjo
detyrë duhej realizuar me sukses, me çdo kusht dhe me çdo sakrificë.
Prandaj për të realizuar këtë SH.P.
i U.N.Ҫl, duke vlerësuar misionin specifik, por që njëherësh kërkonte edhe
përkushtim atdhetar dhe trimëri e guxim të spikatur, porosiste që të vinin
partizanë nga formacionet ekzistuesë nga i gjithë vendi pa bërë asnjë dallim tjetër
krahinor, fetar, moshe, e të tjera. Më 12 shkurt 1944, u mblodhën partizanët, e
sapoardhur nga territoret e tjera dhe, pasi iu sqaruan domosdoshmërinë e
krijimit të një Strukture Speciale, u
komunikua urdhëri për formimin e Formacionit të Posaçëm të përbërë prej 34
partizanë e partizane, por njëkohësisht u shpall edhe komandanti e komisari i
kësaj strukture specifike, përkatësisht Axhem Abazi (Sinani S.R) dhe Maqo Zoto,
dy nga partizanët më trima e më të vendosur, të cilët kishin dhënë prova të
mjaftueshme edhe për besnikëri, fisnikëri e humanizëm. Njëherësh u sqarua edhe
detyra thelbësore kryesore dhe me përgjegjësi të veçantë e këtij formacioni, e
cila ishte: “Të sigurojë anëtarët e Shtabit
të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare dhe të Komitetit Qëndror të
Partisë Komuniste Shqiptare. Pjesëmarrësit e këtij formacioni, gjithësesi dhe në unison janë të një mendimi
se, në shkurt 1944 u krijua Kompania e Ruajtjes dhe e Sigurimit të Shtabit të
Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare, e cila i merrte detyrat nga Kryetari
i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacinal-Ҫlirimtare, që në këtë kohë ishte
major Spiro Moisiu, një ushtarak i karrierës i kompletuar, mjaft i njohur dhe i
respektuar i kohës, por edhe në të pastajmen.
Kjo datë për gati 50-të vjet do të kujtohej si Data e Krijimit të Gardës
së Republikës, duke e patur zanafillën tek një propozim që bënë disa prej
efektivit të kësaj kompanie në vitin 1961, propozim i mbështetur tërësisht edhe
nga gjenerali Spiro Moisiu. Ky urdhër u dekretua nga Presidiumi i Kuvendit
Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, si i vetmi organ shtetëror i
ngarkuar, krahas të tjerash edhe, me këtë përgjegjësi dhe detyrim. Por grupi
nismëtar për grumbullimin e argumenteve, të cilat na çojnë në datën e Krijimit
të Gardës së Republikës, mendoj me dashamirësi, se, në këtë përfundim ka
arritur duke gjykuar me dëshirën e mirë, se kemi të bëjmë me një bërthamë të
armatosur, e cila për nga misioni që përmbush, i përqaset mjaft misionit që ka
përmbushur ndërvite por, edhe që plotëson aktualisht Garda e Republikës. Por më
së shumti mendojmë se, kemi të bëjmë me një strukturë të armatosur, jo vetëm të
emërtuar krejt qartë “Kompania e
Sigurimit”, por edhe me përmbajtje mjaft konkrete në përqasje edhe me
misionin në ditët e sotme. Kjo strukturë e posaçme, pra “Kompania e Sigurimit të SH.P.U-së”, mbetet struktura e parë e
këtij lloji me mision të mirëfilltë për ruajtjen dhe sigurimin e Tij, mision i
cili do të vijojë edhe në ditët e sotme, natyrisht me plotësime dhe perfeksionime
në formë, dhe sidomos në përmbajtje. Ndoshta,
organizmat përkatës kompetentë, mund të prononcohen dhe të vendosin që, kjo të
jetë edhe si datë e Rikrijimit të Batalionit të Sigurimit të SH.P.U-së, në mos po,
si e tillë, të konsiderohet ajo, e cila rrjedh nga organizimi i Shtabit të
Përgjithëshëm më 10 korrik 1943, i cili ka në strukturë edhe “Njësitin e Sigurimit”. Mendimi im
personal (S.R) mbetet se, ky debatim dhe vendim për caktimin e datës së
Krijimit të Gardës, përbën një argument bindës, pasi mbi këtë bazë në vitin
1964, Gardës së Republikës do t’i dorëzohej edhe Flamuri Luftarak. Njëherësh
edhe në të pastajmen, vit pas viti deri në vitin 1993, në çdo 12 shkurt do të
përkujtohej me masa të plota organizative Data e Krijimit të Gardës së Republikës.
Por nga studime mjaft serioze rezulton se,
elementë mirfilli të misionit të Gardës i gjejmë shumë më përpara nga kjo datë,
pra nga 12 shkurti i vitit 1944, ashtu sikurse është krejt e qartë se si Datë
Krijimi për Gardën e Republikës është përzgjedhur dhe caktuar 24 qershori i
vitit 1928. Nuk ka asnjë arësye që të konsiderohet si datë krijimi e Gardës 12
shkurti 1944, përveçse ajo mund dhe duhet të konsiderohet, si data e Rikrijimit
të Kompanisë së Sigurimit, për rrjedhojë logjike edhe e Batalionit të Sigurimit
të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë.
Ky efektiv do të ndiqte me
përgjegjësi të gjitha veprimet e SH.P.U deri në çlirimin e plotë të vendit duke
u riorganizuar dhe perfeksionuar në vijimësi. Në fillim të muajit prill 1944,
qëndra e SH.P. U.-së vendoset në Helmës të Skraparit. Është një zonë në skajet
kufizuesë të rretheve Korçë e Skrapar. Ky vend u gjykua se SH.P.U do të kishte
kushtet më të përshtatëshme për të punuar e drejtuar në siguri më të lartë
natyrore dhe të përbërjes së popullsisë. Këtu u instaluan edhe mjetet e
ndërlidhjes (komunikimit) me shtabet e formacioneve ushtarake, duke shërbyer
për mjaft vite edhe si Data e Krijimit të Shërbimit të Ndërlidhjes, pikërisht
më 22 qershor 1944.
Në këtë kohë, numri i efektivit
të Kompanisë së Sigurimit të SH.P të U.N.Çl-së u rrit në 50 partizanë e
partizane, prandaj Kompania e Sigurimit tashmë do të organizohej me katër
skuadra. Nuk mund të lihet jashtë trajtimit edhe fakti që, efektivi i kësaj
Kompanie, kishte detyrë parësore edhe ruajtjen dhe sigurimin e Misioneve të
Huaja Ushtarake, të cilët ndodheshin të strehuar në banesa të veçanta në
fshatrat Staraveckë, Helmës, por edhe në fshatra të tjerë përqark. Këtë fakt e
gjejmë të pohuar dhe të pranuar në të gjitha botimet e ish-misionarëve
ushtarakë anglezë në vendin tonë gjatë zhvillimit të Luftës N.Ç, të cilat nuk
janë as të pakta por as edhe të pasakta.
Meqënëse në Helmës u rrit numri i personave, të cilëve u duhej shërbyer
me masa për ruajtje e sigurim, u gjykua të shtohej përsëri numri i efektivit të
Kompanisë së Sigurimit. Kështu në fund të muajit prill 1944 ky numër arriti në
100 partizanë e partizane. Kompania në këtë periudhë u organizua në tri toga,
ndërsa çdo togë kishte tri skuadra. Me interes mbtetet të nënvizohet që, Instruksioni
Nr. 154 i Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së me titull: “Për shërbimin e rojes”, së pari do të gjente zbatim nga efektivi i
Kompanisë së Sigurimit, mandej edhe nga formacionet e tjera partizane.
Më 24-28 maj 1944, në Përmet, në Kongresin me emrin e këtij qyteti, u
shpall njësimi i Komandës së U.N.Ç-së në një dorë të vetme, duke u krijuar
kështu Komanda e Përgjithëshme e kësaj ushtrie nën urdhërat e Komandantit të
Përgjithëshëm të saj. Shtabi i Përgjithëshëm, pra Shtatmadhoria, tashmë i merrte
urdhërat prej Komandës së Përgjithëshme.
Pak muaj më pas, në fundgushtin e
vitit 1944, Lëvizja N.Ç, jo vetëm që ishte zgjeruar duke u shtrirë në terren
mjaft të gjerë, por edhe ishte shtuar me mjaft formacione të armatosura,
njëherësh edhe veprimet luftarake të saj ishin bërë mjaft intensive, pra për
rrjedhojë edhe me më shumë efektivitet. Ka trokitur edhe vjeshta e vitit 1944,
dhe thuajse gati tre të katërtat e territorit shqiptar ishte çliruar. Veprimtaria
e SH.P.U-së do të shtrihej në tërë zonat e çliruara, por edhe në ato që ndodhen
të përfshira në veprimtari të drejtpërdrejtë luftarake. Prandaj lypsej që
efektivi i Kompanisë së Sigurimit të shtohej në numër. Për këtë qëllim u lëshua
një urdhër, që të thirreshin 80 partizanë e partizane nga Korparmata e Parë e U.N.Ç-së,
e krijuar pak kohë më parë, me idenë që efektivi për ruajtjen dhe sigurimin e
Shtabit të Përgjithëshëm, deri në këtë kohë i organizuar në Kompani, të
organizohej në një hallkë më të madhe dhe më të lartë hierarkike, pra në
Batalion.
Kemi ardhur kështu në muajin
tetor 1944. Në qytetin e çliruar të Beratit do të zhvillonte punimet Konferenca
e Dytë e Këshillit Antifashist. Në këtë kohë, në pikpamje organizative të
Kompanisë së Sigurimit, evidentohet një ngjarje mjaft e rëndësishme. Me 100 partizanët e partizanet e Kompanisë
së Sigurimit, dhe me 30 të tjerë të sapoardhur nga Korparmata e Parë e Ushtrisë
Nacional-Ҫlirimtare, më 25 tetor u krijua Batalioni i Sigurimit të Shtabit të
Përgjithëshëm të Ushtrisë N.Ç. Në komandën e këtij formacioni të
sapokrijuar, për drejtim e komandim u caktuan përkatësisht, në funksionin e
komandantit dhe të komisarit, partizanët Hajdar Aranitasi dhe Rita Marko. Në
këtë mënyrë, nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, për herë të parë
përballemi me togfjalëshin “Batalioni i
Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë N.Ç”, një emërtim i cili
me formulime të pjesëshme në formë por jo në përmbajtje, të cilat kanë evoluar
në përshtatje me ndryshimet strukturore që ka pësuar Ushtria Shqiptare, i kanë
rezistuar kohës. Kjo datë mund të shërbejë si datë për rikrijimin e Batalionit
të Sigurimit, strukturë e rëndësishme kjo përgjatë gjithë rrugëkalimit të
Ushtrinë Shqiptare. Emri i ri që mori kjo strukturë, natyrshëm lypte edhe një
përcaktim serioz e dinjitoz të misionit juridik e moral. Kjo detyrë
konkretizohet si vijon: “Të sigurojë
Personalitetet e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë të dalë nga Konferenca e
Dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Ҫlirimtar në Berat, si dhe Shtabin e
Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare”. Por duhet nënvizuar edhe
fakti se, ndodhemi në kohën dhe kushtet kur bashkëjetojnë të dyja emërtimet. Krahas
emërtimit të mësipërm, gjithnjë e më shpesh artikulohet edhe termi “Gardë”. Edhe pse ka ndodhur kështu, nuk
ka asnjë arësye që të vihet në dyshim emërtimi “Batalion i Sigurimit të SH.P-së”, dhe as misioni i tij juridik por
edhe moral e human, i nënvizuar më lart.
Për organizimin strukturor të
këtij Reparti Special, jo vetëm dokumentat arkivore dhe disa nga drejtuesit e
Batalionit të Sigurimit të SH.P-së, por edhe disa nga pjesëmarrësit në këtë
formacion specifik, japin spjegime krejt të qarta. Ata pohojnë, thuajse pa
diferenca të konsiderueshme se, Batalioni ishte i organizuar në tri kompani,
çdo kompani kishte tri toga, dhe çdo togë kishte tri skuadra. Nga ky pohim mund
të arrijmë në përfundimin se, ky Repart Special,
për të cilin shprehemi, përbëhej nga 3 kompani, 9 toga dhe, 27 skuadra. Ndërkohë
në drejtim të kompanisë nuk është vetëm komandanti e komisari, por ata kanë
respektivisht edhe nga një zëvendës të tyre, çka na bën të arsyetojmë se,
ndodhemi në kushte mjaft komode për komandim e drejtim meqënëse kemi një numër
të mjaftueshëm kuadro në funksion të përgjegjësisë dhe autoritetit të oficerit.
Në batalion komandonin e drejtonin më shumë se 45 kuadro të niveleve të
ndryshme. Njëherësh vijonte detyra për sigurimin edhe në të ardhmen e Misioneve
të Huaja Ushtarake si në vendbanimet, në vendet e punës, ashtu edhe në
rrugëkalime gjatë lëvizjeve të ndryshme.
Detyrat e shërbimit intensifikoheshin në mënyrë të dukëshme sepse
veprimtaria e Qeverisë Demokratike, ajo e Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së
dhe e disa kuadrove të tjerë kryesorë, bëhej gjithnjë e më dinamike. Delnin mjaft
probleme, disa prej tyre, për të mos pohuar shumica e tyre, lypnin zgjidhje
emergjente, çka edhe impononte më shumë lëvizje, për rrjedhojë edhe më shumë
masa sigurimi e ruajtjeje për Batalionin e Sigurimit të SH.P të U.N.Ç-së.
Njëherësh duhet pranuar se edhe përvoja për të përmbushur këtë misionin me
mjaft përgjegjësi, si ajo e trashëguar por edhe ajo e huajtur nga homologët,
thuajse nuk njihej, për rrjedhojë edhe nuk ndihej pozitivisht efekti i saj.
Mënyra se si organizohej kjo strukturë specifike, por edhe misioni i saj për
ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve të Ushtrisë por edhe të Shtetit, i jep asaj
karakterin e një Trupe Bodigardë, pra edhe të një Garde në kuptimin e
mirëfilltë të këtij nocioni. Është kjo arësyeja, që kjo strukturë është
konsideruar si Gardë deri aty nga viti 1945, kohë kur ka një farë ndarjeje më
të qartë midis këtyre dy nocioneve: “Garda
e Republikës” dhe “Batalioni i
Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm”, ndarje e cila në të pastajmen
rezulton krejt e qartë si në formë ashtu edhe në përmbajtje, pra si në
strukturë edhe në mision. Kjo formë organizimi e efektivit të Batalionit të
Sigurimit, misioni dhe veprimtaria e tij, vijuan deri në ditën e çlirimit.
Shërbimi: detyrë parësore e Batalionit të
Sigurimit.
Gjatë Luftës Nacional-Ҫlirimtare
(1939-1944 S.R) detyrë parësore e kësaj strukture speciale ka qënë kryerja e
shërbimit të ruajtjes dhe sigurimit të personaliteteve drejtuesë jo vetëm të
Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së por edhe të strukturave, të cilat
përmbushnin detyrimet e Shtetit Shqiptar. Përvoja flet, se veprimet luftarake e
kanë nevojë për drejtim e komandim, ashtu sikurse organet drejtuese e
komanduese janë ndër objektivat parësorë që synohen të mënjanohen, të
neutralizohen, ose të shkatërrohen. Edhe në ditët e sotme, vend-komandat, vend-drejtimet,
shtabet dhe drejtuesit kryesorë ushtarakë apo shtetarë, mbeten objekte parësore
që synohen të nxirren jashtë detyrës luftarake apo asaj të drejtimit.
Këtë fakt e njihnin mirë
drejtuesit e Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së, por edhe mjaft kuadro në
njësi e reparte luftarake në varësi të tij. Kjo sepse, sikurse e kemi nënvizuar
disa herë më sipër, mjaft prej tyre vinin pas studimeve të larta ushtarake
bashkëkohore në vendet perëndimore me rezultate të shkëlqyera, apo edhe kishin
drejtuar me sukses struktura të ndryshme në ushtritë e këtyre vendeve.
Kjo
njëherësh do të shtronte edhe detyrën thelbësore dhe të përherëshme që, këto
organizma e organe, si dhe titullarët civilë e ushtarakë në fushën e mbrojtjes
dhe të sigurimit kombëtar, të jenë në çdo situatë e rrethanë, të garantuara dhe
të siguruara kundër synimeve asgjësuese. Prandaj shërbimi i ruajtjes të këtyre
objekteve të rëndësisë së veçantë, mbeti kudoherë dhe sistematikisht një
detyrim kombëtar, një detyrë parësore në veprimet luftarake, si dhe një
përkushtim ligjor e moral në çdo kohë. Është edhe kjo arësyeja që drejtuesit e kësaj
strukture specifike, pavarësisht nga niveli i organizimit, i gjendjes konkrete
të tij dhe i zhvillimit të situatave, krejt natyrshëm kanë planëzuar e zbatuar
masa të hollësishme për sigurimin dhe ruajtjen e Personaliteteve të Larta Ushtarake
apo Civile në çdo periudhë historike. Edhe Kompania e Sigurimit në fillim, dhe
Batalioni i Sigurimit më vonë, gjatë Luftës Nacional-Ҫlirimtare, që në momentet
e para dhe në vijimësi, do të zbatonte mjaft masa për kryerjen e detyrave të
shërbimit, të ruajtjes e të sigurimit, si dhe për aftësimin profesional e fizik
të saj. Shërbimi i rojes organizohej me ndërresa dhe në vartësi të kushteve të
terrenit e të motit. Shërbimi i rojes dhe i sigurimit të këtij nënreparti
special, organizohej dhe kryhej sipas përvojës së reparteve të tjera partizane
por edhe të strukturave të së njëjtës natyrë të homologeve të huaja, të cilët
ishin të ngjajshëm në pikpamje të kushteve si dhe të situatave në të cilat vepronin.
Hyrja në mjediset e banimit dhe të punës të drejtuesve të lartë ushtarakë e
civilë, bëhej vetëm me pëlqimin e tyre, por gjithësesi rreptësisht të
kontrolluar.
Ky nënrepart special detyrat i përmbushte në bashkëpunim mjaft të
preçizuar me formacionet partizane të zonës apo forcat territoriale ku vendosej
dhe kryente detyra SH.P.U. Në kohën e pazënë me shërbim roje, efektivi i Kompanisë
së Sigurimit zhvillonte stërvitje të programuar për aftësimin profesional
ushtarak. Pak kohë përpara lëvizjes së anëtarëve të SH.P të U.N.Ç-së nga një
rajon në tjetrin, duhej të bëhej rregullisht dhe me përgjegjësi përnjohja e
rrugëkalimit, e mjediseve ku do të kryhej veprimtaria; të merrej kontakt, sipas
mundësive reale, me personat më të besuar të zonës apo të vendbanimit; të hyhej
në lidhje me personat që kishin më shumë influencë në zonën ku do të zhvillohej
veprimtaria; të kontrolloheshin dhe të përcaktoheshin qartë rrugëkalimet; të
bëhej “krehja”, (kontrolli fizik i territorit), ashtu sikurse titullari duhej
të shoqërohej dhe të ruhej përgjatë rrugëkalimit me forca në pararojë e
praparojë, por edhe në anashrojë, si dhe të tjerë elementë të ruajtjes e
sigurisë. Në një farë mënyre dhe kuptimi, kemi të bëjmë me një ruajtje rrethore,
ashtu si edhe vendet e banimit e të punës ruheshin po me masa më të plota.
Koha e pushimit i shërbente rigjenerimit të energjive të konsumuara.
Efektivi në përmbushjen e detyrës motivohej nga mendësia se, shërbimi i rojes dhe
i sigurimit që ata kryenin, ishte në të mirë të drejtpërdrejtë të misionit që
kishte vetë Lëvizja Nacional-Ҫlirimtare. Efektivi i kësaj strukture speciale
ishte krenar që kryente shërbim ruajtjeje e sigurimi në interes të
drejtpërdrejtë të garantimit të drejtuesve të formacioneve ushtarake dhe të U.N
Ç-së në tërësi, sepse ata ishin pjesë e domosdoshme dhe më se e nevojshme e
kësaj lufte me aspirata atdhedashurie dhe prosperiteti.
Më pas, pra muaj pas muaji, në
vijimësi masat për ruajtjen dhe garantimin e anëtarëve të Shtabit të
Përgjithëshëm të U.N Ç, do të bëheshin gjithnjë e më të plota, në të gjithë
hapsirën e detyrës. Efektivi mbante lidhje të vazhdueshme me popullsinë, ashtu
sikurse detyrat përmbusheshin me gadishmëri të plotë në çdo hapsirë dhe
sekuencë kohore.
Por ngjarjet do të jenë të rëndësishme gati muaj pas muaji. Kështu
mbajtja e Kongresit të Përmetit, më 24-28 maj 1944; operacioni armik i
qershoritt 1944, i cili në historinë e Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë,
ka hyrë dhe njihet me emrin “Geimsbck” (Cjapi i Gurtë); zhvendosja e SH.P. të U.N.Ҫ.
në korrik nga Odriçani në Helmës, pasi armiku e kishte zbuluar vendrejtimin e
Tij; në dhjetëditëshin e parë të muajit gusht, në Helmës do të zhvillonte
punimet Kongresi i Rinisë Antifashiste Shqiptare, ku do të merrnin pjesë
kuadrot kryesorë të Luftës Nacional-Ҫlirimtare dhe të Partisë Komuniste
Shqiptare; në fund të muajit gusht 1944 qëndra e drejtimit e Shtabit të
Përgjithëshëm të U.N.Ç-së do të zhvendosej përsëri në Odriçan; më 22 tetor
1944, në Berat, do të zhvillonte punimet Konferenca e Dytë e Këshillit
Antifashist, e cila do të shpallte edhe krijimin e Qeverisë Demokratike
Provizore; etj. etj.; të cilat natyrshëm
bënin si domosdoshmëri marrjen e masave suplementare për ruajtje e sigurim.
Fundtetori do të përbënte një
eveniment krejt të veçantë për t’u shënuar në historikun e strukturës së
ruajtjes dhe sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm. Më datën 25 të këtij muaji
është marrë vendimi që kjo strukturë të organizohej në formën dhe përmbajtjen e
batalionit, dhe të emërtohej: “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të
Përgjithëshëm”, një emërtim që do të ekzistojë edhe për mjaft kohë në të
pastajmen, por gjithësesi me ndryshime të pjesëshme në emërtim por jo në
përmbajtje.
Më 17 nëntor 1944, pas 19
ditë-net luftimesh të ashpra, kryeqyteti i vendit, Tirana, u çlirua. Fusha e
betejës tashmë do të jetë zhvendosur në veri të vendit. Qeveria Demokratike
Provizore dhe Shtabi i Përgjithëshëm i U.N.Ç-së, për të drejtuar formacionet e
armatosura partizane më nga pranë dhe më me efektivitet, gjykuan e vendosën që
vend-drejtimi të zhvendosej për në Tiranë. Batalionit të Sigurimit të Shtabit
të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së do t’i vihej edhe një detyrë mjaft e vështirë,
sepse rruga që do të përshkohej ishte e gjatë, e panjohur, ashtu sikurse gjatë
rrugëkalimit mund të binin në kontakt luftarak të drejtpërdrejtë me veprime terroriste.
Më 25 nëntor 1944 Batalioni i Sigurimit mori detyrën konkrete, përfshi edhe
shoqërim direkt të personaliteteve, çka edhe na sjell në kujtesë se si
gërshetohet detyra e strukturës së sigurimit dhe të ruajtjes, e cila i përket
Batalionit të Sigurimit, me atë të shoqërimit direkt dhe ruajtjes së afërt, e
cila i përket Gardës.
Më 27 nëntor 1944 Qeveria
Demokratike Provizore dhe Shtabi i Përgjithëshëm i U.N.Ç, arritën në Tiranë.
Sipas një përnjohjeje të hollësishme u muarën në ruajtje mjediset e punës, ato
të banimit, dhe të veprimtarive të tjera të përditëshme. Në këtë kohë, mjediset
e punës do të merrnin pamjen e Selive Qeveritare, pra të Institucioneve
Shtetërore. Për çdo objekt u organizua shërbim ruajtjeje e sigurimi. Natyrisht
që kishte mjaft vështirësi, sa teknike aqë edhe profesionale, por mund të
nënvizojmë se, nuk mungonte në asnjë rast gatishmëria dhe vullneti i efektivit
për të përmbushur detyrat e ruajtjes e të sigurimit me çdo kusht e sakrificë.
Po ashtu përvoja e organizimit dhe e kryerjes së shërbimit në kushtet e
ushtrimit të pushtetit shtetëror, ishte krejt e pamjaftueshme. Megjithatë,
vendosmëria dhe këmbëngulja e efektivit të Batalionit të Sigurimit për të kryer
çdo detyrë dhe për të përballuar çdo vështirësi, do të rezultonte në nivelet më
të larta të mundëshme. Besimi ishte i madh, por ai buronte edhe nga emocionet
që do të sillte arritja e çlirimit të vendit gati në të gjithë territorin
shtetëror.
Pjesëmarrës në këto ditë historike tregojnë, natyrisht jo pa emocione,
për mënyrën e kryerjes së detyrave nga efektivi i Batalionit të Sigurimit të
Shtabit të Përgjithëshëm për sigurimin e punimeve të Konferencës së Beratit,
por sidomos për shoqërimin e Kabinetit
të Qeverisë Demokratike Provizore përgjatë rrugëkalimit Berat-Tiranë.
Ata shprehen se, pasi janë urdhëruar të jenë në detyrat e oficerëve, pra pasi
ishin titulluar oficerë pas vendosjes së Qeverisë Demokratike Provizore në
Tiranë, janë emërtuar edhe “Oficerë Shoqëruesë”. Memorja e tyre për këtë
çështje rezulton edhe më e qartë, më konkrete dhe më bindëse.
Tashmë çlirimi i vendit pothuajse ishte një realitet i kapshëm. Qeveria
Demokratike Provizore kishte marrë trajtë të plotë organizimi, ashtu sikurse
kishte përvijuar edhe detyrat që do të përmbushte hap pas hapi. Disa nga
dëshmitarët okularë në këto ditë gëzimi të motivuar plotësisht, duke qënë edhe
efektiv i Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç, pohojnë
qartë se, u ngarkuan edhe me detyra për ruajtjen dhe sigurimin e Institucioneve
Shtetërore, krahas ruajtjes dhe sigurimit të Drejtuesve të Lartë të Ushtrisë e
të Qeverisë Shqiptare. Sërish na shfaqet ideja e nënvizuar edhe më sipër se,
kemi të bëjmë me një farë gërshetimi të detyrave që duhet të përmbushë
struktura speciale e sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm, pra Batalioni i
Sigurimit, dhe ajo e ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore, pra Garda
e Shtetit.
Dita e 28 nëntorit do të ishte e
veçantë edhe për banorët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, por edhe për
efektivin e Batalionit të Sigurimit. Ishte urdhëruar që, në Tiranën e çliruar,
të bëhej një parakalim madhështor, për atë kohë. Kur shprehemi kështu duhet
domosdoshmërisht të sjellim në kujtesën e çdo shqiptari gëzimin e ligjshëm të
këtyre bijve e bijave shqiptare, të cilët kishin bërë aqë shumë sakrifica,
kishin përballuar jo pa mundim mjaft vështirësi, kishin lënë në fushëbeteja
mjaft nga shokët e shoqet e tyre, kishin në trup plagë të vjetra por edhe të
freskëta, e mjaft të tjera të kësaj natyre, ashtu sikurse secili prej tyre
kishte ushqyer ëndërrën e bukur, të shenjtë: të shihte popullin në liri, në
prosperitet dhe demokraci. Efektivat ushtarakë do të parakalonin përpara
Qeverisë Demokratike Provizore. Njoftimet nga frontet e luftimeve në vend ishin
krejt optimiste. Në skajet më veriore të vendit po largoheshin edhe forcat e
fundit të pushtuesve, gjë që çoi në çlirimin e krejt territorit shtetëror
shqiptar nga pushtuesit fashisto-nazistë.
Pas kësaj dite e në të ardhmen, për
efektivin e sigurimit të Qeverisë Shqiptare dhe të Shtabit të Përgjithëshëm të
Ushtrisë, do të dilnin detyra të reja shërbimi. Qeveria Demokratike Provizore
dhe Komanda e Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë Shqiptare, tani do të kryenin
edhe detyrat në kushtet e ushtrimit të pushtetit shtetëror, garantimit të
sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të vendit, por edhe të garantimit të
të drejtave, të lirive të individit dhe të qetësisë dhe të rendit publik.
Tashmë masat e ruajtjes e të sigurimit do të zgjeroheshin edhe më shumë.
Duheshin siguruar vendet e punës (selitë qeveritare), ato të banimit, dhe ato
që kishin të bënin me kryerjen e veprimtarive të ndryshme, të tilla si:
zhvillimi i mitingjeve, i mbledhjeve, kryerja e vizitave të ndryshme, zhvillimi
i stërvitjeve ushtarake të niveleve të ndryshme, takimeve ndërshtetërore të
nivelit dypalësh e shumëpalësh, e mjaft të tjera. Natyrisht që, planifikimi i
tyre në këto rrethana të reja mund të realizohej më me lehtësi, pasi çlirimi i
vendit kishte krijuar më shumë hapsira për një punë a veprim jo në kushte
lufte, të menduar më mirë, më të organizuar, më të kulturuar, më etike dhe më
efektive.
31 dhjetorin e vitit 1944 mund ta
konsiderojmë të përfunduar misionin e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm
të Ushtrisë. Pas këtej ndahet krejt qartë misioni i kësaj strukture speciale me
atë të Gardës së Shtetit, prandaj edhe veprimtaria e tyre duhet të studjohet
dhe përgjithësohet e veçuar. Pas kësaj date ai edhe emërtohet “Batalioni
Special i Shtabit të Përgjithëshëm”.
Cili ishte
efektivi i Kompanisë së Sigurimit?
Më 12 shkurt 1944, kur u krijua kjo strukturë përbëhej nga 34 partizanë
e partizane, por vetëm dy ishin partizane, pikërisht Thomaidha Çubeta dhe
Viktori Titani. Kryesisht vinin nga rrethet Vlorë e Korçë, përkatësisht me nga
12 e 10 veta, 4 prej atyre ishin nga Mallakastra, ndërsa Kolonja, Devolli e
Përmeti përfaqësoheshin nga 2 vetë, ashtu si Pogradeci e Tepelena kishin vetëm
nga 1 partizan.
Gjatë
veprimtarisë time në karrierën ushtarake sidomos, por edhe në atë civile, kam
patur jo vetëm nderin por edhe kënaqësinë e krenarinë, të njoh disa nga këta
shqiptarë të ndershëm, që vunë interesat e Atdheut mbi gjithëçka, duke dhënë
kontribute të çmuara për organizimin dhe fuqizimin e Forcave të Armatosura të
Shqipërisë si dhe të strukturave të veçanta speciale.
Kështu,
në kushtet e një klime jo aqë të favorëshme politike gjatë tranzicionit
shqiptar nga totalitarizmi në demokraci, gjithësesi jo aqë të natyrshëm, kam
sugjeruar që të përcillet në banesën e fundit me nderimet që i takonin ish-komandantin
e Kompanisë së Sigurimit, të ndjerin Axhem Abazi (Sinani S.R).
Kam dëgjuar në bisedë aty nga
viti 1988 z. Kadri Meta (Kiçaj), i cili pa asnjë përpunim ideologjik tregonte
për ato ditë-muaj-vite historike të Luftës Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare për
çlirimin e vendit, por edhe për sakrificat e mëdha të efektivit të sigurimit e
të ruajtjes të Personaliteteve të Larta dhe të Institucioneve të Shtetit
Shqiptar në të pastajmen.
E gjej dhe gjykoj nder të
veçantë, që si kuadër ushtarak kam patur komandant të Korpusit të Tiranës (ish
Reparti 9001 në afërsi të Vaqarrit) z. Moisi Elezi, i cili edhe në këtë detyrë
ka dhënë kontribut me vlerë për aftësimin e efektivit të kësaj njësie, më e
madhja e vendit për atë kohë.
Jam ndjerë mjaft mirë kur kolegët e mi shprehen se, kanë dëgjuar
leksione në Akademinë Ushtarake nga z. Niko Dulaku, i cili i vlerësuar si një
ndër kuadrot më kompetentë dhe më të kompletuar profesionalisht, ka kontribuar
vlerëshëm për përgatitjen dhe aftësimin e mjaft kuadrove të lartë të FA-ve. Mbetet
një ndër kuadrot mësimdhënës me afat kohor më të gjatë në institucionin më të
lartë arsimor ushtarak shqiptar. Veterani Naxhi Zhupa, i vitlindjes 1930, pohon
se në vitin 1945 kur me disa partizanë-pionierë (adoleashentë 14-16 vjeçarë
kryesisht) u kthyen nga luftimet në Ish-Jugosllavi për të vazhduar studimet në
shkollën ushtarake në Tiranë, gjeti aty mes të tjerëve edhe Niko Dulakun, i
cili i inkurajoi që të kishin besim se përmes shkollimit do të bëheshin kuadro
me vlerë pë Ushtrinë Shqiptare. Naxhiu e kishte njohur Nikon në Përmet kur
zhvillonte punimet Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944). E kishte takuar edhe
në Tetor 1944 në Berat, por edhe në rrugëkalimin e Qeverisë Demokratike Provizore
të dalë nga Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Ҫlirimtar nga
Berati drejt Tiranës së çliruar më 17 nëntor 1944. Ai ruan mendimin se N.
Dulaku, si kuadër me integritet të plotë, ka shërbyer si një ndër kuadrot
kryesorë në strukturat e përgatitjes masive të popullsisë për mbrojtje.
Kam qënë optimist si dhe kam rigjeneruar vullnetin tim si efektiv i
Gardës së Republikës në vitet 1992-2004, në pozicionin e shefit të seksionit të
përgatitjes moralo-psikologjike, nga disa takime që kam patur me z Isamil
Pinci, ish komandant i Gardës së Republikës në vitet e para pas çlirimit
1948-1949. Edhe pse në moshë të thyer ndihej i
gatshëm dhe “i detyruar” së brëndëshmi të ndodhej midis efektivave të
Gardës në përvjetorët e krijimit të saj apo në evente të tjera. Jam ndier fare
mirë mes njerëzve të familjes së Avdyl Bizhgës, ish komandant i Gardës së
Republikës në vitet 1950-1953. Rezulton të jetë më i riu në moshë në këtë
detyrë të rëndësishme dhe me mjaft përgjegjësi. Kam kontaktuar me kënaqësi me
familjarët e Ҫelo Arrzës dhe Feti Smokthinës, komandantë të nderuar dhe me emër
të mirë në Gardën e Republikës në vitet 1953-1962 dhe 1962-1967. Ruaj si të
shtrenjta takimet dhe bashkëpunimin me zotërinjtë Xhafer Paçi e Dane Binaj, me
të cilët kam bashkëpunuar frytshëm duke përfituar nga përvoja e tyre si
drejtues të Gardës në vitet 1972-1982 dhe 1982-1992, por edhe me z. Skënder
Alikaj, i cili për shumë vite ka qënë kuadër i lartë i Gardës së Republikës.
Jam ndjerë krenar si efektiv i Gardës së Republikës kur kam kontaktuar
me z. Gjergj Titani, një ndër ushtarakët e lartë të Ushtrisë Shqiptare,
teoricien i mirëfilltë ushtarak, një ndër disidentët e rrallë të FA-ve, i cili
ngazëllehej kur i artikuluam se, Viktori Titanin e kemi evidentuar në Muzeumin
e Gardës së Republikës.
Rezervoj simpati të veçantë por
edhe obligim për ata dhjetra e qindra partizanë si ish-efektiv i Kompanisë së
Sigurimit në fillim, dhe të Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm
të Ushtrisë Shqiptare më vonë, për sakrificat e shumta që kanë bërë dhe
kontributin e çmuar që kanë dhënë.
Komanduesit e strukturës së
Sigurimit të SH.P të Ushtrisë.
(12 shkurt - 31 dhjetor 1944)
A.- Në Kompaninë e Sigurimit (Panarit-Helmës
12 shkurt-25 tetor 1944)
Komandant e komisar: Axhem Abazi (Sinani); Maqo Zoto
Zv/komandant : Rrapo Halili; përfaqësues i Partisë
Komuniste: Argjir Lipivari
Komandantë toge: Laze Baraj,
Hajredin Meço, Kalo Bilali
B.- Në Batalionin e Sigurimit (Berat-Tiranë,
25 tetor-31 dhjetor 1944)
Komandant e komisar : Hajdar
Aranitasi; Rita Marko
Zv/komisar e Përgjegjës i Rinisë
komuniste : Argjir Lipivari; Pavlina Grabocka
Komandantë dhe Komisarë Kompanie
: Axhem Abazi (Sinani ), __________, __________; Maqo Zoto, Xhezmi Barçi, Spiro
Bituri; Zv/komandantë Kompanie : Murat Agaraj, __________, ___________
Dëshmorë të strukturës së
Sigurimit të SH.P të Ushtrisë.
A.- Dëshmorë të Efektiv i Kompanisë
së Sigurimit: Musa Kura; Nazif
Qerimi
B.- Dëshmorë si ish-efektiv i
Kompanisë së Sigurimit: Dullë Keta; rënë në Tiranë; Murat Muçalla, rënë në Pezë
të rrethit Tiranë; Xhavit Goskova, rënë
në fshatin Kucakë, zona e Moglicës, rrethi Korçë; Veledin Kuqo dhe Bedri Rrapaj, rënë në Helmës të
rrethit Skrapar; Gafur Devolli, rënë gjatë operacionit të dimrit
dhjetor1943-janar 1944
Disa evente të rëndësishme
për strukturën e Sigurimit të SH.P
të Ushtrisë Shqiptare
= Korrik-Gusht 1943: në
Labinot-Mal të rrethit Elbasan, krijohet “Njësiti i Sigurimit”.
= 12 Shkurt 1944: në fshatin
Panarit, pranë Vithkuqit të rrethit Korçë, krijohet Kompania e Sigurimit,
efektivi 34 partizanë. Organizohet në 3 skuadra.
= Fillimprilli 1944: në Helmës të
Skraparit, Kompania e Sigurimit me efektiv prej 50 vetash, organizohet në 4
skuadra.
= Fundprilli 1944: në Helmës të
Skraparit, Kompania e Sigurimit me efektiv prej 100 vetash, organizohet në 3
toga; çdo togë me tri skuadra.
= 25 Tetor 1944: në qytetin e
çliruar të Beratit, krijohet Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm,
efektivi 130 partizanë. Organizohet në 3 kompani; çdo kompani në tri toga; çdo
togë në tri skuadra.
= 25-27 nëntor 1944: organizohet
zhvendosja e Qeverisë së Përkohëshme Demokratike nga Berati në Tiranë.
= Më 28 nëntor 1944: parakalimi i
Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare në Tiranën e çliruar. Parakalon edhe Batalioni i
Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë.
= Deri më 31 dhjetor 1944, ruhet
emërtimi “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm”. Pas kësaj date
emërtohet “Batalioni Special i Shtabit të Përgjithëshëm”.
Safet N. Ramolli
No comments:
Post a Comment