Wednesday, 26 September 2018

Faqe nga një roman i pabotuar

Faqe nga një roman i pabotuar
Përjetësisht…
Pjesa e Parë
                  Arbëri  qëndronte në qoshkun e tij  në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte  dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me rradhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfardo tjetër gjë që të mundesj. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.
                  Qysh në klasën e parë të shkollës fillore, kishte filluar të shkëlqente figura e këtij individi dhe kjo e shoqëroi gjatë gjithë rrugës së jetës. Me gjithë intrigat dhe presionet që i bëheshin,  ai çante gjithmonë përpara në rrugën e vështirë. Përfundoi shkollën e mesme me rezultatet më të larta që mund të arriheshin. Rruga për më lartë ishte e mbyllur për të. 
Mendja e tij fluturonte në të kaluarën e largët. I përfytyrohej gjyshi i tij, Luan Dauti, që kishte qenë një nga pjesëmarrësit e lëvizjes së madhe që u kurorëzua me fitoren e pavarësisë më 1912. I përfytyrohej dita e 28 nëntorit kur gjyshi kishte qenë pjesëmarrës i Kuvendit të Madh Historik, përkrah burrave të tjerë të shquar të kombit. I kujtohej gjithashtu edhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjes dhe luftën e 1920-ës që hodhi në det italianët.
I shfaqeshin këto dhe ndjente dhimbje kur shikonte që askërkund nuk gjendej emri i gjyshit, nuk pasqyrohej aktiviteti i tij. Ishte interesuar disa herë, madje edhe në instancat shtetërore, por kudo kishte marrë të njëjtën përgjigje: “Nuk ka qenë pjesëmarrës”. Një gjë e tillë e revoltonte, pasi atij i kishin folur për aktivitetin e gjyshit shumë burra të moçëm, moshatarë me të, që e kishin njohur mjaft mirë.
Një dite shkoi në Shtëpinë Muze të Pavarësisë. U zhyt në analet e ngjarjes më të madhe të vendit, ditës së 28 nëntorit 1912. Shikonte fotografitë e asaj ngjarjeje historike. U ndal në njerën. Ishin  një grup personalitetesh  të njohura të asaj periudhe. Mirë po gjyshi mungonte dhe, çuditërisht, ai e kish parë këtë fotografi me të gjithë pjesëmarrësit midis të cilëve edhe gjyshin e tij që e ëma e ruante ende në sëndukun e saj. Vuri re se aty mungonin edhe figura të tjera që kishin qenë protagonistë të ngjarjes. E kuptoi se ishte bërë një retushim i figurave duke u zëvendësuar me disa të tjerë që as u ishte dëgjuar emri ndonjëherë. Këto retushime i vërejti edhe në Muzeun Historik të qytetit. I njëjti retushim lidhur me Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Gjyshi i tij  mungonte.
Një gjë e tillë e habiste. Përse të fshiheshin nga faqja e historisë këta personazhe? Shkoi në shtëpi dhe u ul në bisedë me të ëmën. Ajo i tha:
Bir, jetojmë në një botë  të çuditshme. Kjo është Shqipëria e  sotme. Kujdes bir.  Hiqi  
këto mendime. Lerja kohës t’i zgjidhë. Unë jam e sigurtë se një ditë ato do të dalin në dritë dhe  ti do t’ia arrish asaj dite. Tani për tani hesht. Dhe Arbëri heshti.
                  Këto i shfaqeshin në përfytyrimin e tij. I shfaqej rruga e jetës së tij. Para syve i dilte jeta e familjes. Në mënyrë të veçantë i kujtohej vdekja e gjyshes nga nëna, që banonte së bashku me ta, kur për ta përcjellë në banesën e fundit, mezi u mblodhën pesëmbëdhjetë deri njëzetë vetë, ata më të afërmit.. I shfaqeshin miqtë dhe shokët që e kishin shoqëruar gjatë gjithë periudhës së jetës. I kujtoheshin ata që, me gjithë kushtet e jetës, e kishin ndihmuar të mbijetonte, por i kujtoheshin edhe ata që, me cmirën dhe egoizmin, mundoheshin me të gjitha mjetet  ta  pengonin 
në rrugën që ndiqte dhe këta ishin shumica që  druheshin  prej tij  si  djalli nga temjami.
Në këto çaste i kujtohej një fragment nga romani “Njeriu që qesh” i Viktor Hygoit:
                  
Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të   rënda që në moshën  më të  njomë,  në skutat e fshehta të shpirtit   të tij, lind  një   farë  peshoreje,  një   peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke   e  ndjer    veten    të  pafajshëm, ai  iu nënshtrua fatit  pa bërë  zë. Nuk u  qa  aspak. Ai që  s’ka  përse të qortohet, nuk qorton të tjerët.

Edhe ai, si heroi i romanit, kishte kaluar sprova shumë të rënda, por me karakterin e tij kishte mundur t’u bënte ballë dhe të dilte faqebardhë nga e gjithë ajo rrokopujë. Jeta e kishte mësuar se si të ishte njeri, si të reagonte, kur i shfaqeshin të papritura të hidhura dhe si të ruante të paprekur qytetarinë. Për të gjitha këto, e ndjente veten krenar për gjithçka kishte vepruar.
Këto i dilnin para syve, ndërsa priste në aerodromin e kryeqytetit ardhjen e avionit që do ta ndante nga atdheu i tij, gjë të cilën nuk e kishte menduar kurrë. Përse po largohej  tani që, më në fund, sistemi totalitar ishte përmbysur? Kjo pyetje  e mundonte së tepërmi. Ishte para një dileme: A po vepronte drejt apo jo? Kësaj pyetje nuk ishte në gjendje t’i kthente përgjigje.         
     *      *       *
Sokolin, të atin, Arbëri nuk kishte pasur fatin ta njihte. Ai kishte lindur kur i ati kishte fluturuar në botën e përjetshme. Sokoli ishte një burrë i njohur në tërë krahinën si një jurist i shquar. Kishte mbaruar fakultetin juridik në universitetin e Sorbonës në Paris në vitin e fundit të monarkisë. 
Gjatë Luftës së Dytë  Botërore  ishte renditur  në  anën  eforcave nacionaliste duke qenë një nga figurat e njohura të saj. Kur rrjedha e luftës nxori në pah fitoren e  forcave komuniste, nuk tentoi të braktiste atdheun, pasi nuk mendonte kurrë që me përfundimin e luftës do ta arrestonin dhe masakronin me tortura të tmerrshme të cilat do t’i merrnin jetën. Në atë kohë,  ishte vetëm tridhjetë vjeç. Ishte fundi i vitit të dytë të pasluftës.
Arbëri kishte lindur tre muaj pasi  i  ati kishte  shkuar  në botën tjetër. Kështu ai u rrit në gjirin e nënës së tij, Afërditës. Ajokishte mbaruar  institutin pedagogjik “Nana Skanderbeg”, që para lufte quhej “Nana Mbretëreshë”. Rezultatet ishin të shkëlqyera, por rrugët për të vazhduar studimet e larta  ishin mbyllur. Mentaliteti qe ekzistonte në atë kohë në Shqipëri ishte i tillë që femrat që mund të studionin jashtë shtetit ishin shumë të pakta. 
Qysh kur vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme ishte njohur me Sokolin me të cilin ishte dashuruar dhe, pas përfundimit të luftës, ishin martuar. Në atë kohë, ajo ushtronte profesionin e mesueses së letërsisë në shkollën e mesme të qytetit. Arrestimi i të shoqit dhe shuarja e tij në qelitë e burgut ndërruan fillin e jetës së saj. Ishte fundi i gushtit  kur u paraqit për të filluar punën pas pushimeve verore. E njoftuan se nuk mund të fillonte si e papërshtatshme për edukimin e brezit të ri. 
Mami,  kur do  ta  takojmë babin? –  pyeste  Arbëri i vogël të ëmën.
                  Tashmë ai ishte vetëm tre vjeç dhe nuk arrinte të kuptonte se përse shokët e tij i kishin të dy prindërit dhe ai jo. Afërdita  nuk  dinte si  t’i  përgjigjej. Ajo nuk mund t’i tregonte se ati i tij i kishte mbyllur sytë në terrin e qelisë por, edhe sikur ta bënte një gjë të tillë, ku arrinte mendja e tij foshnjore të kuptonte se çfarë ishte qelia dhe torturat. Kishte vendosur që këtë t’ia tregonte vetëm kur të arrinte moshën e pjekurisë.
Babi  yt   ka fluturuar  në  qiell, -  i  tha  ajo dhe i  tregoi  një fotografi ku  ai  kishte 
dalë  duke brohoritur me duart lart, me rastin e një manifestimi popullor. –  Një ditë  edhe  ne do të vemi atje dhe do të jetojmë së bashku.
Urra! – thirri djaloshi gjithë gëzim.
Urra! – thirri edhe nëna dhe mori të birin  në  krah  duke  e  përqafuar fort.  Nga  sytë 
filluan  t’i rrjedhin lotë të nxehtë.
                  Para syve i dilte Sokoli që i fliste me një pasion të madh për idenë që kishte përqafuar dhe për programin e saj. Ishte një program demokratik, i njejtë me atë të shumë vendeve  të tjera të Europës. Madje i kishte prurë edhe një kopje të atij programi, i përpiluar nga një prej figurave më të shkëlqyera të nacionalizmit shqiptar. Këtë kopje ajo e ruante ende. E kishte lexuar disa herë dhe vazhdonte ta lexonte gjithmonë.               
I kujtohej, kur ai fliste për këtë program duke e krahasuar me  parimet  e revolucionit  frëng,  që i kishte mësuar në universitetin e Sorbonës. Afërdita lexonte dhe pyeste: Përse e  vranë?  Çfarë krimi  kishte  kryer? Mos vallë  është  krim të përqafosh  të  tilla parime demokratike europiane?
                  Këtyre pyetjeve nuk ishte në gjendje t’u kthente përgjigje dhe kjo pasi tani ishte koha kur përplasja ndërmjet forcave që vepronin në vend kishte arritur kulmin e saj. Ishte koha kur “fitimtarët”,  për të mbajtur  pushtetin, ishin të gatshëm të hanin jo vetëm kundërshtarët e tyre politikë, po edhe njeri-tjetrin duke mos marrë parasysh as traditat e vendit dhe as lidhjet familjare. Ishte koha kur pjestarët e së njejtës familje spiunonin njeri-tjetrin. Një terror i paparë ushtrohej kundër atyre që mendonin ndryshe. Në këto çaste iu kujtuan vargjet e një poeti të njohur të krahinës së saj:

                  Djali babën, baba djalin, bën ta zërë e ta përzërë,
                  Që ta pjek në hell të gjallë, t’i pres mishin me gërshërë.”
                                    
Për të mbijetuar, Afërdita ishte detyruar të shiste disa nga gjërat e çmuara që kishte në  familje si dhe të ndihmave që i dërgonin familjarët e saj nga një qytet tjetër. Kështu mundi ta përballonte jetën bashkë me të birin. Por erdhi një ditë dhe ato mbaruan. Nga shtëpia e tyre e kishin dëbuar, një vilë e bukur dykatëshe, duke e mbyllur në një dhomë të vetme në periferi të qytetit. Mendoi t’i drejtohej kryetarit të qytetit. I kërkoi takim dhe ai e priti. I paraqiti gjendjen e saj. I tregoi diplomën e maturës. I tregoi edhe për të shoqin që kishte vdekur në burg. 
Kjo është gjendja ime, - i tha, - në rast se nuk më jepni  punë, atëherë  merrmëni dhe  
mua  dhe mbyllmëni atje ku mbyllët tim shoq dhe lereni fëmijën tim të shuhet.
                  Kryetari e dëgjoi dhe qëndroi  për  disa çaste  në  heshtje. Nuk dinte si të përgjigjej. Iu kujtua direktiva e ardhur nga lart sipas së cilës nuk duhej lejuar kurrë që në arsim të punonin individë nga klasat e përmbysura. Një gjë e tillë ishte e pamundur. Shkroi diçka në një letër dhe ia dorëzoi duke i thënë:
-     Shkoni poshtë në zyrën e punës
-     Faleminderit! – u përgjigj Afërdita dhe u  largua.  
Hapi letrën dhe lexoi,  sistemojeni në punë!
Në  zyrën e   punës   e  priti   përgjegjësi  i  saj. Ishte  një person i  zbritur nga  skuta më  e largët e rrethit që  nuk  e kishte parë ndonjëherë qytetin me sy. Pjesëmarrja në rradhët e “fitimtarëve”, ku kishte kryer edhe nje kurs kundër analfabetizmit, e kishte ngritur në atë rang që gëzonte. 
Pa   tregona pak   autobiografinë tënde,  moj shoqe!  -   tha përgjegjësi.
Afërdita në fillim heshti. Nuk dinte si të vepronte. Së fundi, vendosi dhe i tha të vërtetën. Ai buzëqeshi hidhur dhe i tha:
Qenke    klasë    borgjeze  zotrote!  E   mbani   hundën   lart   ju. Megjithatë,  pushteti 
popullor  nuk  i   le  njerëzit të  vdesin për  bukë  si shteti  borgjez. Do  të shkosh  të  punosh si 
pastruese në shkollën e mesme “Dëshmorët e Lirisë”.
                  Afërdita shtangu. Nuk e priste nje gjë të tillë. Dikur ajo kishte qenë profesore e letërsisë në atë shkollë që më parë mbante emrin e një personaliteti të lartë të gjuhës, por që fatkeqësisht, gjatë luftës, ishte lidhur me lëvizjen nacionaliste dhe, pas përfundimit të saj, ishte ekzekutuar edhe ai si armik i popullit.
                  Përgjegjësi plotësoi shkresën dhe ia drejtoi Afërditës;
Merreni dhe filloni punë.
Afërdita hezitoi. 
Nuk  ju  pëlqen, - vazhdoi   përgjegjësi  I  zyrës. – Natyrisht ju  borgjezët nuk  e  ulni  
kollaj hundën, por sot këto nuk ju shkojnë. Doni ta merrni fletën e punës apo jo?
                  Arroganca e tij e habiti. U mendua disa çaste. Së fundi, mori fletën dhe u largua.
Të  nesërmen u   paraqit  në  drejtorinë e  shkollës. Drejtor  ishte  një ish-kolegu  i   saj,  Andrea. Kur lexoi fletën e punës ai shtangu.  Për disa minuta të tëra  mbretëroi heshtja. Së fundi foli:
Ikni dhe kthehuni pas disa ditësh.
Mos u  mundoni, është e  kotë, - i  tha Afërdita duke e  kuptuar se  qëllimi i  tij  ishte  
të bisedonte diku më lart për ta vendosur në pozicionin e mësueses.
Ikni dhe kur të ktheheni e bisedojmë, -  përsëriti drejtori.  
Ai ishte i bindur se duhej të ishte bërë diçka e  pamenduar nga  ndonjë individ që  nuk e  njihte personalitetin e saj. Mendonte se me ndërhyrjen e tij do ta korigjonte këtë gabim.
                  Afërdita u  largua,  por thellë,  në   ndërgjegjen e  saj,  ishte e bindur se   tentativa  e Andreas  do të ishte e kotë. U  kthye pas  tre ditësh. Drejtorin e gjeti në një gjendje të papërcaktuar. Me kokën ulur dhe me një zë të dridhur që mezi i dilte, i tha:
Më falni!
Asgjë,  faleminderit juve për  gjithçka! - u përgjigj ajo.
*     *    *
Ditën e parë, kur u paraqit e rrethuan ish-nxënësit e saj.
Zonja  mësuese, u kthyet  përsëri? –  thërrisnin ata  të  gëzuar. 
Afërdita  nuk iu  përgjigj. I përshëndeti  dhe  u  drejtua për  në drejtori. Drejtori sa  e  pa uli kokën dhe nuk po fliste. 
- Erdhët? – i tha së fundi.
-    Po, - foli ajo me një zë të qetë.
                  Ai vazhdonte të heshte. Andrea i  kishte kryer  studimet e larta në Vienë.  Gjatë luftës familja e tij ishte lidhur me lëvizjen nacional-çlirimtare. I ati, doktor Roberti, kishte qenë mjek në një spital partizan. Ishte një figurë e njohur në të gjithë krahinën. Ishte specializuar si kirurg.  Dikur, në kohën e mbretërisë, kishte punuar  si këshilltar në një ekip mjekësor italian që kishte ardhur për të ngritur një qendër shëndetësore në qytet. Kishte fituar një emër   të mirë  në   specialitetin    e  tij.  Shumë qytetarë  kishin shpëtuar nga vdekja në sajë të tij. Sidomos nuk përtonte të shkonte edhe kur e kërkonin për mjekim për ndonjë të plagosur gjatë luftës. Kudo që të ndodhej ai merrte çantën me mjetet e nevojshme dhe nisej menjëherë. Kështu që kishte fituar simpatinë e shumicës së qytetarëve.
Andrea kishte bashkëpunuar me njësitet guerile të qytetit. Kështu që  e emëruan drejtor të shkollës së mesme. Por ai kishte një koncept tjetër  nga drejtuesit e  tjerë  të institucioneve të ndryshme. Ishte bashkuar me lëvizjen, pasi kishte bindjen se ajo ishte forca më reale për të ndërtuar një Shqipëri demokratike. Realiteti i pasluftës e kishte zhgënjyer në një farë mase, por besonte se kjo ishte për shkak të paaftësisë së  disa drejtuesve  dhe  që  me kalimin e viteve do të rregullohej. Ishte martuar me Elvirën, arsimtare edhe ajo, shoqe e ngushtë më Afërditën.  Nga martesa  u  kishin  lindur dy  fëmijë,  një vajzë, Vojsava,  dhe  një djalë,  Petriti,  moshatar   me 
Arbërin.
Tani qëndronte me kokën ulur dhe nuk dinte si të përgjigjej. I njihte mirë aftësitë e saj ndaj nuk arrinte të kuptonte se përse të vepronin kështu me të. Kishte biseduar me disa nga personalitetet që merreshin me kuadrot e qytetit, por te asnjëri nuk kishte gjetur mbështetje. Madje njeri prej tyre i kishte thënë me një zë të ulët:
Përse e fut veten në këto ujëra, mos kërkon të mbytesh edhe ti?
                  Kështu që heshti dhe nuk vazhdoi më gjatë. Por, nga përbrenda, e mundonte ndërgjegja.
 Andrea... - e  zgjoi   nga  mendimet  ku  ishte zhytur  Afërdita.
Ai e ndërpreu duke ngritur pëllëmbën  e  dorës duke dashur  t’i  thoshte  që  të  heshte. U 
ngrit dhe i bëri shenjë që ta ndiqte. U drejtuan për te banjot e shkollës. Atje i tregoi një kovë, një fshesë dhe një shkop të mbërthyer në një dërrasë rreth së cilës ishin mbështjellë disa lecka dhe që shërbente për të larë dyshemetë.
Këto janë mjetet e tua të  punës, –   i  tha  me  një   zë  që   mezi  i  dilte  nga  goja dhe u  
largua.
Afërdita  nuk pati kohë as ta falënderonte. Kështu filloi punën e  re.  Në fillim  pastronte  kur nxënësit ishin në pushimet e orëve të mësimit ose kur largoheshin për në shtëpi. I vinte turp t’u dilte para syve. Edhe nxënësit e shikonin me keqardhje. Nuk kuptonin se si ish-mësuesja e tyre tani ishte shndërruar në një pastruese të thjeshtë. Megjithatë sa herë që e takonin  e   përshëndesnin  “mirëmëngjes zonja mësuese”.
                  I  vetmi  që   mundohej   mos  ta   përfillte,   duke e  parë  shtrembër, ishte  Demiri, një  mësues që mbante detyrën e sekretarit të partisë për shkollën. Ai e  trajtonte si një armike të klasës. Më tepër e tërbonte krenaria me të cilën ajo e përballonte. Qëllimisht shpesh herë e kthente  për  të kryer  pastrimin për të dytën herë pasi gjoja nuk e kishte kryer mirë, megjithatë ajo me kokën lart vazhdonte punën e  saj.
Përse   nuk  përgjigje,  mos   vallë je   memece?  –   i thërriste ai.
                  Ajo e vështronte në sy dhe pa folur largohej për në punë. Heshtja ishte arma e  saj  në këtë  duel.  Kjo e tërbonte më tepër sekretarin.
*     *    *
Vitin e tjetër Arbëri dhe Petriti filluan  klasën  e  parë të shkollës shtatëvjeçare. U ulën  që  të  dy në një bankë. Zoti u kishte falur një inteligjencë të jashtëzakonshme. I kapnin  shpjegimet që  jepte mësuesja dhe  përgjigjeshin aty për aty pa u menduar fare. Kjo bëri që shpejt të dilnin në krye të shokëve dhe shoqeve. Ata kishin një natyrë të veçantë. Asnjëherë nuk dinin të grindeshin apo të ngatërroheshin me shokët. Mësuese kishin Elvirën, mamanë e Petritit, e cila i trajtonte njësoj si të gjithë nxënësit e tjerë të klasës.
                  Elvira rridhte nga një familje intelektuale që gjatë luftës kishte mbajtur një qëndrim asnjanës, pa u përzierë me asnjë krah. I ati ishte një tregtar  çerturinash që me punën e tij mbante familjen e përbërë nga ai me bashkëshorten dhe dy fëmijët, Naimin, që ishte më i madhi dhe që kishte mbaruar për financë në Itali dhe punonte në drejtorinë e  financës së komitetit ekzekutiv, si dhe Elvirën, Nga paraardhësit e tyre kishin përfituar një shtëpi ku banonin dhe një dyqan të vogël ku i ati ushtronte aktivitetin e tij. 
Ishte  viti 1952,  dyzet vjetori i pavarësisë kombëtare. Andrea mendonte që, me këtë rast, me një grup mësuesish dhe nxënësish të shkollës të vinin në skenë një dramë me temë patriotike nga e kaluara e vendit. Për këtë kishte zgjedhur një  dramatizim të romanit  “Lulja e Kujtimit” të  Foqion Postolit, vënë në skenë dhjetë vite më parë në  shkollën “Nana  Mbretëreshë”, që në atë kohë quhej “Nana Skanderbeg”.. Ai mendonte se dramatizimi duhej të ishte më impulsiv gjë që, sipas tij, i kishte munguar atij të mëparshmit. Mendonte që   ngjarjet e   atij dramatizimi t’i përshtateshin plotësisht këtij përvjetori. Kështu që duhej ripunuar. Por ishte në dilemë se kujt t’ia ngarkonte ripunimin e tij. Vetë kishte mbaruar për matematikë. Mesuesit e letërsisë së shkollës nuk i dukeshin të përshtatshëm. Donte ta bisedonte me të shoqen, Elvirën.
Trokiti porta.
Hyni! – thirri ai
Dera u hap dhe hyri Elvira. Andreas i çeli fytyra.
Sa  mirë  që  erdhe, -  i  tha. –  Ty  të  kisha ndër  mend.  Dua të  bisedojmë  për   një   
çështje.
Dhe  i  tregoi  projektin e   tij  duke kërkuar opinionin e  saj. Elvirës  i  shkrepi  diçka  në 
mendje.
Unë   kam   një   mendim, por   nuk e  di   nëse  të duket  i  arsyeshëm. Personi  më i  
përshtatshëm për atë rol është Afërdita.
Afërdita? 
Po.  A   ju    kujtohet  se    me  sa   pasion   recitonte  poezitë  e   autorëve   të   mëdhenj 
shqiptarë  dhe  të huaj, kur u shpjegonte nxënësve për ta? Dukej  si një aktore e vërtetë, madje ajo e ka luajtur këtë rol edhe para dhjetë vitesh, kur ishte në vitin e fundit të shkollës “Nana  Skanderbeg”.
                  Heshtja pasoi fjalët e Elvirës. Andreas iu shfaq para syve një skenë e para shtatë viteve ku Afërdita, në përvjetorin e poetit Vaso Pasha, në mes të një grumbulli kolegësh recitonte me pasion:
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë, 
 Gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë, 
  Asht tok' e jona, prindt na e kanë lanë 
  Kush mos na e preki, se desim t'tanë 
  Desim si diqnë burrat që motit 
  Dhe mos marrohna përpara zotit. “
Uli kryet dhe qëndronte i  heshtur. Elvira  kishte të  drejtë. Por, a do të mundesh?
Pse mendohe? – i tha ajo
“Të   rrosh a  të  mos rrosh?”  –   përsëriti   Andrea   monologun  e   Hamletit pa   e   
gjetur enigmën  e këtij  problemi. -    Në këtë dilemë jam edhe unë. Ti më kupton. 
-    Mendoje dhe vendos, -  i tha Elvira.
*      *     *
Andrea ndodhej me të vërtetë para një dileme. Karakteri  i tij e shtynte që  të  pranonte propozimin  e  Elvirës, por një  zë  i brendshëm i fliste:
Mos  u   nxito! Thellohu, shqyrtoje  mirë rastin  dhe  pastaj vendos!  Mendo pasojat!         
Ky mendimi i fundit e  shqetësonte  më  tepër. I  dilte  para  syve   refuzimi  që  i  kishin  bërë personat me të cilët kishte biseduar për kërkesën e tij për kthimin  e  Afërditës si  arsimtare. Por i dilte para syve edhe një rast tjetër me të cilin  ishte  ndeshur kohët e fundit. Një miku i tij, drejtor i një punishteje  rrobaqepësie, kishte emëruar në postin e brigadieres së repartit të këmishave  për gra dhe burra një grua që kishte përfunduar një kurs rrobaqepësie dhe ishte shumë e talentuar. Ajo me fantazinë e saj kishte projektuar disa tipe këmishash që kërkoheshin tepër nga tregu. Por, për fatin e  keq, vëllai i saj ishte dënuar me dhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë  Një gjë e tillë kishte bërë që ta shkarkonin nga detyra e   drejtorit duke e detyruar së fundi të largohej nga ndërmarrja.
                  Këto mendonte edhe Andrea në ato çaste. Mos vallë edhe ai do të kishte të njëjtin përfundim?  Çështjen  e   bisedoi  edhe   me të  atin. Roberti  po e  dëgjonte  me vëmendje,  në 
heshtje. Së fundi i tha:
Dëgjo mor bir. Në  botë ka  tre  lloje njerëzish. Të  parët janë ata që  i venë  vetes  një 
qëllim  dhe nuk tunden nga ai parim, natyrisht kur ai është i arsyeshëm dhe moral. Çfardo rrethane që t’u paraqitet ata nuk lëkunden nga parimet. Duan  të urdhërohen vetëm nga vullneti i tyre dhe askujt tjeter. Duan të udhëhiqen nga arsyeja e tyre dhe askujt tjetër. Duan të drejtojnë veten dhe jo t’i drejtojnë të tjerët. Duan të vendosin vetë dhe jo të vendosin të tjerët. Me  pak   fjalë,   duan  të   jenë dikushi, duke marrë parasysh çdo lloj çmimi që duhet të paguajnë.
Të  dytët janë sharlatanët, hipokritët, servilët, që janë gati të shesin moralin e tyre për një post apo përfitim jo të ligjshmën. Ata nuk kanë fytyrë, nuk kanë ndërgjegje, janë kthyer në kamaleonë. Për fat të keq, ata i gjen me shumicë në botën e sotme dhe me veprimet e tyre bëjnë që jeta të mos shkojë në rrjedhën e saj. 
                  Kurse të tretët janë një tip i veçantë nga dy të parët. Tek ata mbizotëron urrejtja për çdo kundërshtar dhe që i ka bërë egoistë, sadistë, kriminelë. Ata janë të gatshëm të përdorin mjetet më mizore për të arritur qëllimet e paracaktuara. Ndjejnë kënaqësi. kur shohin të derdhet gjaku i tyre. Kjo është e vetmja ndjenjë që iu zotëron zemrat dhe kjo i bënë ata që të jenë më cinikë. Kështu, mor bir,  pyete ndërgjegjen  tënde  se cilit grup  i përket dhe vepro siç të thotë ajo.                  
Nuk foli më, por për Andrean kishte folur mjaft. Vendosi të vepronte. I dërgoi Afërditës   të  paraqitej   në    drejtori. Kishin   përfunduar   orët  e  mësimit. Nxënësit   dhe shumica  e arsimtarëve ishin larguar.. Afërdita, si zakonisht, po kryente pastrimin e shkollës. U habit me këtë  thirrje.
Përse? – pyeti veten e saj. 
Kur hyri në drejtori dhe  kur  pa  se  atje  ishte edhe  Elvira,  të  cilën e  kishte  lajmëruar 
Andrea,  ndjeu një  lehtësim. Ndruajtja i  kishte kaluar.
Urdhëroni,  zoti  drejtor! –  i  tha. 
Ishte hera e parë që i drejtohej me këtë emërtim 
Mos m’u drejtoni më zoti drejtor. Unë  kam një emër. Kemi vite që jemi kolegë. 
                  Qëndruan disa çaste në heshtje, pastaj Andrea vazhdoi:
Ju e dini se  po afron  kremtimi i  dyzetvjetorit të  shpalljes  së   pavarësisë. Me  këtë
rast  së bashku me Elvirën kemi menduar që të  vemë në  skenë  dramatizimin “Lulja e Kujtimit” dhe kemi menduar që përpunimin e tij ta bëni ju, madje edhe të luani rolin e Olimbisë si dikur para  dhjetë  vitesh.
                  Afërdita shtangu. As që i kishte shkuar kurrë ndër mend  një  propozim i tillë.  Ajo,  një patruese shkolle, të kthehej në rolin e   një  shkrimtareje dhe  aktoreje  teatri. Një ndjenjë  e  çuditshme filloi  ta pushtojë.  Para syve i doli fëminia e saj, kur pasioni kryesor ishte të bëhej një aktore  e  njohur. Iu kujtua historia kur dhjetë vjet më parë drejtoria e shkollës kishte organizuar, sikurse tani, shfaqjen e romanit “Lulja e Kujtimit”, dramatizuar nga një figurë e njohur. Afërditës i kishin dhënë rolin e Olimbisë. Në fund të shfaqjes të gjithë e kishin duartrokitur nxehtësisht interpretimin e aktores së re, madje nëpër gazetat e kohës kishte filluar të shkruhej se ajo do të bëhej një aktore e madhe. Ngjarjet e mëvonshme e kishin shndërruar rrjedhën e jetës së saj. Ajo, nxënësja e shkëlqyer e shkollës “Nana Skanderbeg” kishte përfunduar si një pastruese e thjeshtë shkolle.
                  Ndaj ishte në dilemë. Një zë i thoshte se duhej ta pranonte, pasi vetëm kështu mund të realizohej ëndrra e fëmijërisë për t’u bërë dikush, ndërsa zëri tjetër i pëshpëriste se kjo ishte e pamundur sepse  duhej  të shikonte  edhe  pozicionin në të cilin ndodhej.
Do më lejoni të mendohem? – i tha drejtorit
Ai nuk e kundërshtoi dhe kështu u ndanë.

No comments: