Përballë-Nikolla Pano flet për problemin më të madh të shqiptarëve,
Shqipërisë
Nikolla
Pano, i lindur dhe rritur në një familje shqiptare në SHBA është një historian
që flet jo vetëm për të shkuarën, por edhe për sfidat e tashme dhe të ardhme të
Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.
Historiani
njohur e ka një përgjigje për pyetjen: cili është problemi më i madh që ka sot
vendi, sipas tij është trashëgimia e hidhur dhe mungesa e fatit historik- një
vend që ka arritur me vonesë dhe vështirësi atë çfarë kombe të tjera e kanë
arritur me kohë. “Shqipërisë, thotë ai, i duhet gjithmonë të kapë kohën e
humbur”
“Për
Profesor Panon, fakti që më shumë se gjysma e popullit shqiptar u la jashtë
kufijve të shtetit të krijuar më 1913, është një nga tragjeditë më të mëdha të
historisë tonë” –
Sot,
shqiptarët në rajon, thotë profesor Pano, duhet të bashkëpunojnë më shumë me
njëri tjetrin në fushën kulturore, ekonomike dhe politike, por nuk duhet të
nguten drejt bashkimit.
Për
idenë e “korrigjimin e kufijve” – historiani i njohur shqiptar thotë se është
një mundësi që duhet parë, por duhet treguar shumë kujdes për të marrë në
konsideratë interesat e popullsisë shqiptare dhe për të mos hapur kutinë e
Pandorës në rajon.
I
rritur nën ndikimin e shqiptarëve të mëdhenj si Fan Noli dhe Faik Konica,
profesor Pano flet për rolin e madh dhe të pazëvëndësueshëm të lobit shqiptar
shqiptar në Amerikë gjatë shekullit të kaluar, por edhe për kontributin
tanishëm.
Institucionet
si Vatra, Dielli, Kisha Ortodokse shqiptare, farkëtuan patriotizimin shqiptar
në Shtetet e Bashkuara. Kur Shqipëria dhe shqiptarët ishin në rrezik, ishte
kontributi i një galaksie të njohur shqiptarësh që bënë të mundur që
presidentët amerikanë, disa herë gjatë një shekulli, (që nga Presidenti Uillson
e deri tek Presidentët Klinton e Bush) të bënin ndërhyrje vendimtare në çaste
kritike për Shqipërinë dhe Kosovën.
Duke
folur për sfidat e sotme të Tiranës, Nikolla Pano thotë se duhet luftuar
pabarazia sociale, bjerrja e shtresës së mesme dhe i duhet dhënë fund situatës
kaotike në drejtësi. Shqipëria duhet bërë thotë ai- një vend i drejtë ku njerëzit
nuk duhet të vlerësohen nga fakti se kë njohin, por nga ajo çfarë dinë.
Profesor
Pano që ka vizituar shpesh Shqipërinë gjatë 45 viteve të fundit i njeh
personalisht drejtuesit e tranzicionit të gjatë shqiptar- ata, thotë ai- jo
gjithmonë kanë vepruar në interesin më të mirë të Shqipërisë.
Më
poshtë intervista e prof.Nikolla Panos me gazetarin Lutfi Dervishi
Mirëmbrëma,
sonte kemi në intervistë profesorin e njohur të historisë Nikolla Pano, i cili
i ndjek zhvillimet e Shqipërisë nga distanca në Amerikë, por edhe duke vizituar
shpesh Shqiperinë. Vizita e tij e parë në Shqipëri është në vitin 1973. Në atë
kohë ai ka qenë 39 vjeç dhe në dekadat në vijim, pas vitit 1990 është vizitor i
rregullt i Shqipërisë, vendit ku kanë lindur prindërit e tij.
Profesor
Pano, mirëserdhe në programin e Televizionit Publik Shqiptar.
Gëzohem
shumë.
Intervistën
do ta zhvillojmë në të dy gjuhët, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
Shumë
mirë.
Dua
t’iu pyes për vizitën e parë në Shqipëri, në vitin 1973. Dua t’u pyes pak për
emocionet e përziera. Në një anë, vinit për herë të parë në vendlindjen e
prindërve të tu, në anën tjetër Shqipëria në atë kohë ishte një shoqëri e
mbyllur, ishte nën regjimin komunist. Njerëzit nuk mund të lëviznin lirisht,
nuk mund të flisnin lirisht, feja ishte e ndaluar, prona private ishte e
ndaluar. A mund të na tregosh pak si e përjetuat vizitën e parë në Shqipëri?
Së
pari nuk e dija se çfarë më priste. Kisha kohë që përpiqesha për të marrë një
vizë. Më në fund arrita ta marr një vizë. Po prisja me mall të takohesha me
njerëz të familjes time. Kisha një kushëri të parë në Korçë dhe disa kushërinj
të tjerë. Nuk dija shumë për ta, me përjashtim të letrave që shkëmbeja me to,…
kisha lexuar shumë për Shqipërinë. Por ende nuk e dija se çfarë do të ndodhte.
Por kur erdha u çudita për mirë, sepse të gjithë shqiptarët që takova, jo vetëm
pjesëtarë të familjes time ishin shumë të dashur, shumë miqësor, shumë të
hapur. Ishte shumë e vështirë në atë kohë të kuptoja se ky vend qeverisej nga
një regjim totalitar, sepse në marrëdhëniet me familjen time më dukej sikur po
takohesh me miqtë e mi në Amerkë apo në ndonjë vend tjetër të Europës.
Nuk
pikase ndonjë shenjë të varfërisë apo represionit në atë kohë?
Në
fillim jo, por pak më vonë kur doja të vizitoja qytete të tjera të Shqipërisë
mu bë shumë e qartë se duhet të isha nën shoqërinë e një personi të besuar të
regjimit, dhe më pas kur vizitova Shqipërinë, u ndaluam herë pas herë në postblloqe
policie dhe shpejt e kuptova se jeta në Shqipëri nuk ishte e njëjtë me jetën në
vende të tjera të Europës apo në SHBA. Kjo ishte tejet e qartë. Dhe në momentin
që po largohesha nga Shqipëria ishte koha e “plenumit të katërt”, fillimi i
shtypjes së intelektualëve në Shqipëri dhe ishte një nga periudhat e errëta të
historisë së Shqipërisë. Mbaj mend se kur kalova në Tiranë, shihja fletërrufetë
që ishin të pranishme pothuaj në gjithë qytetin dhe njerëzit ishin të
shqetësuar nga çfarë po ndodhte dhe ishte edhe më e qartë për mua se Shqipëria
ishte vend i shtypur, dhe i udhëhequr nga njerëz të vijës së ashpër.
Ju u
lindët në SHBA më 1934 dhe prindërit e tu erdhën në Amerikë nga Korça…
Po,
babai im e la Shqipërinë më 1911 dhe nëna më 1919. Ata emigruan në Amerikë. Në
fillim im atë jetoi në Nju Hampsher dhe nëna ime në Mei. Më pas shkuan në
Boston, aty u njohën dhe u martuan më 1930. Motra im u lind më 1931, unë u
linda më 1934 dhe motra e vogël u lind më 1939.
Lindur
dhe rritur në një familje shqiptare në Amerikë. Flisnit shqip?
Po
flisnim shqip. U rritëm me dygjuhë dhe dy kultura siç i themi ne andej. Im ati
hapi një dyqan ushqimor, kështu që natyrisht ne filluam të mësojmë edhe
anglisht, nëna nisi të mësoj dhe të flasë anglisht, por në të njëjtën kohë ne
flisnim shqip në shtëpi. Gjyshja vinte dhe qëndronte shpesh tek ne dhe me të ne
mësuam shumë mirë shqipen. Më vonë, edhe im atë më mësoi të lexoj shqip dhe
sillte në shtëpi gazetën Dielli dhe më pas edhe gazetën Iliria dhe im atë më
mundësoi që të takoj edhe personalitete të shquara shqiptare si Fan Noli dhe të
tjerë që jetonin në zonën e Bostonit. Ne shkonim në kishën ortodokse shqiptare
të Shën Gjergjit dhe shërbesat në kishë ishin në gjuhën shqipe, dhe gradualisht
ne mësuam shumë mirë gjuhën shqipe, ndoshta jo shkëlqyeshëm, sepse me kalimin e
kohës ne përdornim pak më rrallë, por ne si fëmijë u rritëm duke mësuar dhe
folur gjuhën shqipe në familje.
Ju
jeni pagëzuar me emrin Nikolla Kristo, në nderim të shqiptarit të parë që ka
shkuar në Amerikë në vitin 1886, ai kthehet disa vite më pas në Shqipëri në
vitin 1892 dhe merr me vete 17 shqiptarë të tjerë dhe kjo është kolonia e parë
shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po
kjo është e vërtetë, 17 djemtë ishin nga katundet e Korçës dhe ata ishin bërthama
e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe gradualisht në fund të shekullit 19 dhe në
filim të shekullit 20 gjithnjë e më shumë shqiptarë emigruan në Amerikë dhe në
fillim të Luftës së Parë Botërore, ishin afro 10 mijë shqiptarë në SHtetet e
Bashkuara. Numri i saktë është pak i vështirë sepse deri në nëntor të vitit
1912, nuk kishte Shqipëri dhe shumica e atyre që erdhën kishin pasaporta
turko-osmane, disa erdhën nga Greqia, disa nga Rumania, disa nga Egjipit, pra
është vështirë të thuash një numër të saktë, por ne besojmë se më 1914 ishin 10
mijë shqiptarë në SHBA.
Shqiptarët
që lanë Shqipërinë për Amerikën, shkuan për punë, për biznes, më ambiciozët për
t’u bërë mjek, avokatë, por …jo historianë. Pse zgjodhët të bëheshin historian?
Së
pari, atë që edhën në fillim erdhën për të mbijetuar, për të punuar, për të
kursyer dhe disa prej tyre për t’u kthyer sërish në atdhe dhe ndoshta edhe për
të nisur biznes. Por ata që ndenjën në Amerikë, mblodhën para dhe një nga
arsyet që mblodhën para shumë dhe jetuan me shumë kursime, është që t’i jepnin
fëmijëve një të ardhme më të mirë, psh si unë që jam brezi parë i lindur në
Amerikë, prindërit donin të na dërgonin në shkollë. Unë isha i interesuar në
histori, shumë shokë të mi ishin të interesuar për mjekësi, ligj apo biznes dhe
kjo për shkak të lidhjeve dhe shoqërive të krijuara në fëmijëri dhe shumë
zgjodhën biznesin sepse fryma e sipërmarrjes ishte nxitur nga prindërit- shumë
prej tyre kishin biznese të vogla- dhe shumë prej tyre bënë goxha pasuri.
Cili
ishte ndikimi që patën tek ti njerëz të mëdhenj si Fan Noli, Faik Konica, dhe
më pas Stavri Skëndo?
Fan
Noli, sigurisht nuk ishte vetëm lideri shpirtëror i komunitetit shqiptar, por
ishte edhe lideri intelektual, ai shkroi si historian, ai shkroi shumë artikuj
në gazetat e kohës, ai ishte intelektual i madh dhe shumë prej nesh, në fakt jo
shumë, por disa prej nesh e adhuronim dhe kishim edhe fatin të bisedonim disa
herë me Fan Nolin, ai na nxiste dhe ishte shumë i kënaqur që disa prej nesh do
të studionim për historinë e Shqipërisë për kulturën shqiptare dhe betejat e
shqiptarëve për të ruajtur identitetin shqiptar.
Njerëz
të mëdhenj si Fan Noli dhe Faik Konica, të dy u përpoqën të jepnin kontributet
e tyre në Shqipëri, por nuk ja dolën. Ishte Shqipëria vend i vogël për t’i
mbajtur këtu njerëzit e mëdhenj?
Interesant
është fakti se si Noli ashtu edhe Konica jetuan shumë pak vite të jetës së tyre
në Shqipëri, por kurrë nuk humbën sensin e identitetit shqiptar apo kombëtar,
por siç edhe ju sugjeroni, kontributin e tyre më të madh për Shqipërinë e dhanë
jashtë saj. Aktivitetet e Nolit dhe Konicës për Vatrën janë shumë të
rëndësishme. Kontributi Nolit dhe Konicës është shumë i rëndësishëm për
historinë e Shqipërisë sepse ata ndihmuan që Shtetet e Bashkuara të ktheheshin
në qendrën kryesore të nacionalizmit shqiptar.
Komuniteti
shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte farkëtuesi i tre
institucioneve kryesore që ndihmuan zhvillimin dhe përparimin e nacionalizmit
shqiptar: së pari formimi i Kishës Ortodokse shqiptare, këtë vit përurojmë 110
vjetori e liturgjisë së parë në gjuhën shqipe në Kishën Ortodokse:
Së
dyti gazeta “Dielli” që ende publikohet edhe sot e kësaj dite, gazeta më e
vjetër shqiptare në botë. Dhe së treti: shoqëria Vatra që funksionon edhe sot
dhe ka një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan. Këto 3
“institucione”, ndihmuan komunitetin shqiptar në Amerikë, dhe fortifikuan
patriotizmin shqiptar. Ky është teatri në të cilën operoi Noli dhe Konica dhe
duke patur parasysh që Amerika është vendi më i lirë në botë ata ishin në
gjendje që të ushtronin aktivitetin e tyre krejt lirshëm, gjë që nuk do të
ishte e mundur në vende të tjera të botës. Kjo ishte skena në të cilën ata
operuan.
A
ishte ndikimi i Nolit që ju u fokusuat në studimin e historisë shqiptare?
Po,
siç e thashë, kam biseduar disa herë me Nolin për këtë. Sigurisht ka shumë pak
universitete në botë që ofrojnë kurse për historinë e Shqipërisë, por unë kam
bërë shumë kërkime dhe fokusi im ka qenë historia e Shqipërisë dhe historia e
komunitetit shqiptaro-amerikan.
Nëse
dikush ju pyet: çfarë është shqiptari? Si ja përshkruani shqiptarin një të
huaji?
Së
pari duhet t’u shpjegosh ku është Shqipëria..
...nga
pikëpamja gjeografike.
..po
nga pikëpamja gjeografike, në fakt jo kaq shumë tani, por kur unë kam qenë i
ri, ky ishte një problem, tani duhet t’u shpjegosh diçka për historinë e
Shqipërisë. Ne shqiptarëve na u është dashur të luftojmë përgjatë gjithë
historisë, për të ruajtur identitetin kombëtar, një nga veçoritë është beteja
për të zhvilluar gjuhën shqipe, beteja për të ngritur shtetin shqiptar dhe
beteja për të arritur progres në fushën sociale dhe ekonomike, brenda shtetit
shqiptar. Këta janë gjëra që njerëzit duan të dinë. Duan të dijnë nga vijmë? U flas
për teoritë se nga vijmë ne, por kryesisht njerëzit duan të dinë, çfarë jemi,
çfarë na bën krenar për trashëgiminë që kemi, kjo është interesante sepse ne e
kemi sensin e krenarisë për trashëgiminë që ne kemi, nga heronjtë tanë
ndërkombëtar- nga Skënderbeu- ai është burimi i unitetit kombëtar,… ne kemi
plot intelektualë për të cilët jemi krenarë, për shembull NaimFrashëri dhe ka
një listë me shqiptarë të mëdhenj, mendjendritur, Noli, Konica e shumë të
tjerë, sot kemi Ismail Kadarenë dhe kemi plot të tjerë që na bëjnë krenar për
trashëgiminë tonë, për atë që ne jemi dhe për aspiratat tona, ne sot duam të
jemi pjesë e Europës. Por ne duam të theksojmë siç bëri Fan Noli në shumë prej
shkrimeve të tij, Konica, gjithashtu, se Shqipëria është pjesë e rëndësishme e
civilizimit Perëndimor, se ne tradicionalisht më shumë kemi parë nga Perëndimi
se nga Lindja.
A ka
qenë historia pak e padrejtë me Shqipërinë, siç ju thoni dëshira ka qenë për të
parë drejt Perëndimit, por mbeti 500 vjet në Perandorinë Osmane, ka qenë
Shqipëra pak e pa fat?
Patëm
fatin e keq të ishim pjesë e perandorisë Osmane, na mbajti për një kohë jashtë
rrjedhave të qytetërimit perëndimor, por gjithmonë kanë ekzistuar kontaktet me
Perëndimin, që nga shekulli 16 dhe 17, patëm shumë klerik nga Kisha katolike,
në shekullin e 18 dhe 19 patëm fillimet e lëvizjes kombëtare dhe nga u
orientuan këta njerëz, ku u orientuan pionerët e lëvizjes kombëtare? Ata panë
drejt Perëndimit.
Kur
flasim për kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA. Vatra për një periudhë
të konsiderueshme kohe, pas 1913 veproi si de facto edhe si qeveri shqiptare.
Duke parë historinë, dhe rolin e presidentëve amerikanë që nga ëillsoni, te
Klintoni e Bushi duket që është një politikë amerikane miqësore ndaj
Shqipërisë. Ishte kjo vetëm falë kontributit të komunitetit shqiptaro- amerikan
apo ka patur edhe konsiderata gjeopolitike?
Kur
sheh historinë e Shqipërisë, Shqipëria e arriti pavarësinë në nëntor të 1912,
pas më pak se dy vitesh nisi Lufta e Parë Botërore, vendi ishte në anarki,
Shqipëria u pushtua dhe nuk kishte qeveri shqiptare dhe kishte shumë vakum
politik dhe në këtë boshllëk nisi punën komuniteti shqiptaro amerikan, i prirë
nga Noli, Konica dhe një galaksi e liderëve të shquar shqiptarë në SHBA. Këta
njerëz krijuan Vatrën, këta njerëz panë që Shqipëria ishte në rrezik dhe kemi
thirrjen: Shqipëria në rrezik dhe këta njerëz kuptuan që vendi ishte në rrezik
dhe mbodhën fonde, dërguan një delegacion në Konferencën e Paqes në Paris,
ishte Noli Konica dhe të tjerë miq të Shqipërisë si Çarls Telford Erikson që
mbajtën kontakte me njerëz të rëndësishëm. Noli shfrytëzoi lidhjet që kishte
nga Harvardi për kontakte me departamentin e shtetit. Ai pati një intervistë me
ish Presidentin Theodor Rusvellt, që kishte qenë në Harvard, ai takoi
Presidentin Uillson siç bënë edhe shqiptarë të tjerë dhe bindi ata për
rëndësinë e ruajtes së Kombit shqiptar dhe Uillson mbajti qëndrimin që tashmë
dihet në Konferencën e Paqes në Paris dhe ai nuk pranoi ndarjen Shqipërisë. Dhe
nga ky moment ne kemi idenë e mikut të madh, e aleatit të madh të Shqipërisë.
Roli i Uilson-it, nganjëherë ndoshta është ekzagjeruar, por sidoqoftë kemi këtë
kontekst. Nëse gjykojmë aktivitetet mes dy Luftërave Botërore, kemi aktivitetin
e Kryqit të Kuq amerikan, hapja e shkollave, siç është shkolla e Fultz në
Tiranë, shkolla bujqësore në Kavajë. Pra. patëm bashkëpunim në fushën e
kulturës dhe arsimit, kishim misionin amerikan në Tiranë, patëm kontribute
konkrete, si lufta ndaj malarjes dhe kemi ende dhe sot e kësaj dite marrëdhënie
të ngrohta miqësore. Për fat të keq, Shqipëria u pushtua gjatë Luftës së Dytë
Botëore. Pas Luftës së Dytë të Botërore, patëm imponimin e regjimit komunist në
Shqipëri. Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri më të mirën e mundshme për t’i
mbajtur gjallë lidhjet me shqiptarët në Shqipëri, lidhjet familjare dhe
shoqëore… dhe pas përfundimit të regjimit komunist, edhe një herë tjetër SHBA u
ofruan për të ndihmuar shtetin shqiptar.
për t’i ikur problemeve të krijuara nga makthi i gjatë komunist. Ishte
presidenti Bush (i vjetri) që ndihmoi në
rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe sërish komuniteti
shqiptaro-amerikan punoi prapa skene për të arritur këtë qëllim dhe jemi me
shumë fat që kishim njerëz të tillë si Elez Biberaj, Frank Shkreli dhe të tjerë
që promovonin lidhje më të ngushta mes SHBA dhe Shqipërisë.
Pra,
ne kemi SHBA që janë të interesuara ta shohin Shqipërinë të çliruar nga
komunizmi dhe në rrugën e progresit drejt demoklracisë. Dhe së fundi, sigurisht
është edhe periudha e luftës në Kosovë. Kemi fluskin e kosovarëve nga ky rajon
në SHBA. këta njerëz ishin mjaft të ndjeshëm nga pikëpamja politike dhe ata u
organizuan politikisht. Ne patëm krijimin e lobit shqiptar dhe dua të theksoj
se kjo nisëm u nis nga kosovarët, të ndihmuar
nga ish kongresmeni Xhozef Dio
Guardi i Nju Jorkut dhe më vonë u fitua
mbështetja e kongresmenit Engel, që ndoshta do të jetë kryetari i Komitetit për
marrëdhëniet me jashtë në kongres.
Një
pozicion shumë i rëndësishëm….
Shumë
pozicioni rëndësishëm. Dhe mendoj se për këtë arsye ne kemi këto lidhje. Eshtë
roli dhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan që i mban gjallë dhe i
promovon këto marrëdhënie.
Roli
i komunitetit shqiptaro-ameikan përgjatë gjithë historisë është mjaft i qartë.
Pasi Kosova fitoi pavarësinë a ka më ndonjë rol komuniteti shqiptaro-amerikan
për të luajtur sot e tutje?
Kosova është shtet i pavarur, ashtu
si edhe Shqipëria. Por ne kemi anëtar të komuniteti amerikan që kanë interes
për të dy shtetet. Mendoj që komuniteti shqiptaro-amerikan dëshiron që të shoh
që të dy shtetet shqipare të kenë institucione të forta demokratike, shtete ku
sundon ligji, të drejtat e njeriut. Duam që të dy shtetet të zhvillohen nga
pikëpamja ekonomike. Duam që të dy shtetet të jenë pjesë aktive dhe e
përgjegjshme e komunitetit europian dhe botëror. Pra, ka një interes që të dy
shtetet shqiptare të jenë shtete të zhvilluara me kontribute në komunitetin
botëror.
Profesor
Pano, le të flasim pak për çështjen shqiptare që mbeti e hapur pas konferencës
së ambasadorëve në Londër, në 1913-ën. Me pavarësinë e Kosovës dhe faktin që
tashmë kemi dy shtete shqiptare, si e shihni çështjen shqiptare duke pasur
parasysh që tashmë shqiptarë kemi edhe në vendet e tjera fqinje, si Maqedonia,
Mali i Zi apo edhe në Greqi?
Fakti që më shumë se gjysma e
popullit shqiptar u la jashtë kufijëve të shtetit të krijuar në 1913-ën është
një nga tragjeditë më të mëdha të historisë tonë. Si rezultat i kësaj Kosova
mbeti nën Serbinë dhe më pas nën Jugosllavinë dhe, edhe Maqedonia si pjesë e
Federatës Jugosllave. Edhe në Maqedoni shqiptarët kanë qenë të diskriminuar.
Nuk u lejuan të përdorin gjuhën e tyre, etj. Dhe fakti që shqiptarët në
Shqipëri mbeten nën regjimin komunist për një kohë të gjatë shpjegon sot
dallimet. Por sidoqoftë me zhvillimet pas rënies së komunizmit, shumë lidhje të
shkëputura janë vendosur dhe po zhvillohen dhe si pasojë e kësaj, mendoj se
tani ekzistojnë shumë mundësi për marrëdhënie më të ngushta
politike,diplomatike, ekonomike, kulturore dhe mendoj se kjo është rruga që
shqiptarët në rajon duhet të ndjekin. Mendoj që e ardhmja e marrëdhënieve të
shqiptarëve të Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në rajon duhet të ndjekë një
rrugë evolucionare të natyrshme. Më shumë marrëdhënie të ngushta ekononomike,
politike dhe kur këto marrëdhënie të maturohen le të shohim se ku do të na
çojnë. Besoj se nuk duhet të ketë një lëvizje masive të sforcuar për të krijuar
një bashkim artificial mes shteteve në këtë kohë dhe sigurisht Maqedonia është
në një situatë krejt tjetër nga Kosova. Gjithmonë jam në favor të një qasje
evolucionare ndaj çështjes shqiptare në Ballkan.
Por
liderët e Shqipërisë dhe Kosovës mund të luajnë një rol duke e përshpejtuar ose
duke e ngadalësuar këtë proces. A po e bëjnë ata siç duhet punën e tyre?
Mendoj se në këtë stad e vetmja gjë
për të cilën duhet të jemi të kujdesshëm është se nuk duhet të nxitojmë për një
marrëdhënie më të ngushtë dhe nuk duhet që në mënyrë të parakohëshme të lëvizim
për marrëdhënie më të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës apo vendeve të tjera
të rajonit.
Pse
jo?
Sepse do të krijohej një problem.
Sepse nëse do të bashkohej sot Shqipëria me Kosovën….
Jo
për t’u bashkuar, por për të nxitur hapat që do të krijonin marrëdhënie më të
ngushta ekonomike, për të inkurajuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit në
sferën shqiptare…
Ky është një qëllim fisnik dhe
duhet ndjekur kjo rrugë, ndërkohë që po ecet në këtë drejtim.
Duke
folur për sfidat me të cilat përballet sot Kosova, ju i ndiqni nga afër
zhvillimet në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Do doja të flisnim
rreth bisedimeve të fundit për statusin final në raportin me Serbinë dhe ideja
e korrigjimit të kufijëve, që do të thotë se disa zona të populluara nga
shqiptarët në jug të Serbisë të shkëmbehen me zonat në veri të Kosovës. Si e
shihni këtë propozim? Por përgjigjen do ta doja pas një momenti të shkurtër
publiciteti.
Profesor
Pano cili është opinioni juaj rreth zhvillimeve të fundit gjatë pushimeve të
verës sa i përket korrigjimit të kufijëve, që është një eufemizëm për
ndryshimin e kufijëve. Si e shikoni këtë?
Mendoj se është një lëvizje që
ndoshta mund të eksplorohet. Por mendoj se duhet të kihet parasysh një element
kryesor që është popullsia shqiptare në
Serbi, që është subjekt i këtij debati për statusin. Besoj se duhet të
konsultohen me kujdes dhe është thelbësore që vendimet nuk mund të merren pa
pjesëmarrjen e popullsisë shqipare. Për shembull, a duan ata të heqin dorë nga
disa të drejta? çfarë do të ndodh me pensionet e tyre? çfarë do të ndodh me
buxhetin për shkollën? A do të kenë mbështetje në të njëjtin nivel për
aktivitetet e jetës së përditshme. Mendoj se ata duhet të pyeten dhe jam i
sigurt se serbët në zonën e diskutuar në veri të Kosovës, ndoshta ata duan
ndryshim kufijsh. Por duhet të ketë bisedime shumë të kujdesshme dhe shqytime
të imtësishme të interesave dhe shqetësimeve për njerëzit e përfshirë dhe
veçanërisht popullsisë shqiptare. Ndryshimet e kufijve mund të ndodhin përsa
kohë ky proces është paqësor, që nuk bëhen me dhunë dhe unë shpresoj që para se
të ndërmerret ndonjë veprim konkret, të ndodhë ky proces që unë përmenda.
Ndërsa
flasim për këtë temë duket se ka një dallim mes atij që quhet pozicion europian
dhe pozicionit amerikan. Pozicioni europian është se nuk duhet të ketë
ndryshime kufijsh sepse nga kjo ide ka patur shumë gjakderdhje në rajon dhe nga
ana tjetër ka disa zëra në Amerikë se nëse mund të arrihet një marrëveshje nuk
ka asnjë problem.
Unë bie dakord se nëse ka një
përgatitje tejet të kujdesshme dhe një sqarim të plotë të opinionit publik dhe
gjithësecili është dakord që të ecet përpara me marrëveshje, atëherë ky mund të
ishte një hap që do t’ia vlente. Por sërish dua që ta përsëris, kjo do të
kërkonte përgatitje tejet, tejet të kujdesshme, dhe nuk është një gjë që mund
të merret lehtë, dhe nuk është një çështje që mund t’i besohet përgatitjeve të
vetëm një qeverie.
Kufijtë
e Ballkanit historikisht janë përcaktuar nga fuqitë e mëdha. A erdhi koha
tashmë që për kufijtë mund të merren vesh vetë vendet në rajon?
Unë hezitoj që t’i hyjë këtij
shtegu, veçanërisht në këtë kohë. Ka
shumë probleme në Ballkan që duhen adresuar, ka probleme sociale dhe ekonomike.
A do të ndikoheshin këto probleme nga ndryshimi i kufijëve? Sigurisht do të
preferoja të mendohesha për këtë çështje, por në këtë periudhë të ndjeshme për
historinë e Ballkanit duhet lëvizur shumë ngadaltë dhe në mënyrë racionale.
Cili
mendoni se duhet të jetë pozicioni i qeverisë shqiptare për këtë çështje? Deri
tani ka patur kryesisht heshtje. A ka Shqipëria një rol për të luajtur?
Sapo hap temën e ndryshimit të
kufijëve, do të ngrihen çështje të tjera, si për shembull kufijtë jugor të
Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet që nuk dua që të zhytem shumë në këtë
çështje. Cilat do të ishin implikimet për shtete të tjera si Bosnje
Hercegovina? Sapo fillon të flasësh për këtë çështje…..
Hapet
kutia e Pandorës?
…
po, është kutia e Pandorës dhe një zot e di se kur mbaron. Dhe në këtë rast
rrezikon të hapësh dhe orekset e disa fuqive që historikisht kanë qenë të
interesuara për rajonin. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm kur merremi
me këtë çështje.
Duke
folur për rajonin, janë më pak se 17 milion banorë që jetojnë këtu, por
gjithsesi duket sikur ka një interes për këtë rajon, por gjithmonë e më pak
interes nga SHBA dhe më shumë nga ish fuqitë perandorake, si Turqia dhe Rusia
dhe një fuqi e re si Kina. është ky rajon nga pikëpamja gjeostratagjike aq i
rëndësishëm sa ç’na pëlqen ne të jemi?
Po, mendoj se interesi i vendeve si
Rusia, Turqia dhe vendeve që po rriten si Kina janë pjesë e një loje të re mes
fuqive. Loja që po zhvillohet….
Pa
përmendur këtu BE-në…
Po,
dhe ka disa konsiderata, ju shihni pansllavizmin e vjetër, rolin që Rusia po
përpiqet të shfaq dukshëm në Ballkan, veçanërisht nën Putinin që ka sensin e
historisë, ai po përdor edhe Kishën Ortodokse si një agjenci të ndikimit rus në
rajon. Ai ka këtë interesin historik në rajon dhe e gjitha kjo është pjesë e
një procesi të ri. Por ajo, për të cilën unë jam i shqetësuar, është potenciali
për të krijuar destabilitet në këtë rajon.
Nga
kush?
Nga përzjeria e këtyre fuqive. Dhe
një nga interesat themelore të SHBA ka qenë ruajtja e stabilitetit në Ballkan
dhe refromat e tij të brendshme të tij dhe ndryshimet e brendshme, forcimi i
ekonomisë dhe reformat sociale, forcimi i institucioneve demokratike, sundimi i
ligjit të bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e rrjedhës kryesore te ngjarjeve për
të gjithë Ballkanin. Gjithë vendet e Ballkanit kanë probleme të brendshme dhe
si rezultat i kësaj….
Cili
është interesi specifik i SHBA?
ShBA në mënyrë specifike duan
stabilitet në rajon, SHBA duan që këto vende të zhvillojnë institucione të
forta demokratike, përfaqësuese, SHBA duan të shohin sundimin e ligjit të
vendosur, duan të shohin luftë ndaj korrupsionit. Pothuajse të gjitha vendet
kanë një nivel të lartë korrupsioni.
SHBA duan të shohin përparim ekonomik, më shumë vëmendje për çështjet e
barazisë sociale, që shtet të jenë më kohezivë dhe të kontribuojnë për
zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.
çështjet
e Ballkanit ndoshta nuk mbërrin kurrë në tavolinën e Presidentit të SHBA, për
shkak se ka prioritete të tjera. A është administrata e re e ndërgjegjshme
për potencialet për destabilizim të
rajonit, që janë ende të pranishme?
Mendoj se në mënyrë korrekte e
thatë se shqetësimet e përditshme të Ballkanit nuk mbërrinë tek Presidenti, por
sigurisht kanë vëmendjen e Departamentit të Shtetit. Nëse e keni vënë re
përgjatë viteve, ka pasur angazhim dhe aktivitete të zyrtarëve të lartë të
administratës. Zëvendës ndihmës sekretar për çështjet e jashtme dhe shumë
drejtorë të departamenteve kanë vizituar vendet e Europës Juglindore. Ata në
mënyrë konstante e monitorojnë situatën, inkurajojnë qeveritë në rajon për t’u
përballur me disa nga çështjet që sapo përmenda. Kemi një politikë koherente,
kemi bërë avokati për reforma dhe ndërmarrjen e politikave që i bëjnë këto
vende më të qëndrueshme dhe rajonin më të sigurtë. Do të thotë pra, që politika
e SHBA ka qenë koherente në Ballkan dhe qëllimi i kësaj politike është që
rajoni të mbetet stabël dhe ta ruaj atë që të mos bëhet siç ka qenë Ballkani i
mëparshëm…..
Fuçi
baruti….
Kukull në duart e fuqive të tjera
konfliktuese.
Nëse
dikush nga Departamenti Amerikan i Shteti ju kërkon një këshillë se çfarë duhet
bërë që ky rajon të lëvizë më shpejt drejt BE-së dhe jo të mbetet një shesh
beteje për interesat e vendeve që po përmendët si Kina apo Rusia…
Siç
e përmenda SHBA këtë po e bëjnë në mënyrë të vazhdueshme. Shba kanë inkurajuar
reforma të ndryshme, kanë monitoruar nga afër çështjet që mund të sillnin
rrezik për stabilitetin e rajonit dhe unë do t’i inkurajoja SHBA që të vijojnë
t’i ndjekin këto politika, ndoshta duke u fokusuar dhe duke shtuar disa
programe në rajon dhe mbi të gjitha duke vijuar me mbështetjen teknike për t’i
ndihmuar këto shtete që të jenë efiçente.
Profesor
Pano, ju përmendet që interesi i SHBA është që rajoni të jetë stabël, të
sundojë shteti ligjor dhe të forcohen institucionet. Por ajo që po shohim, dhe
jo vetëm në Shqipëri, është fenomeni i ri i rritjes së populizmit dhe liderëve
të fortë. Dhe ky fenomen nuk po ndodh vetëm në rajon, por edhe në vendet
europiane. Dhe liderët e fortë nuk janë në përputhje me institucionet e forta.
A është ky paradoksi i kohës sonë, që në njërën atë flasim dhe predikojmë
forcim institucionesh dha në anën tjetër ajo që shohim praktikisht janë liderët
e fortë?
Ne po shohim lindjen e të
ashtuquajturit populizëm në Europë, por edhe në SHBA, e në Lindjen e Largët.
Filipinet janë një shembull pikant. Po, ka një populizëm dhe shoqërohet me
polarizimin politik, që çon në paralizën e shumë qeverive dhe krijohen kushtet
për rritjen e këtyre liderëve të fortë. Njerëzit lodhen nga destabiliteti,
lodhen nga konflikti dhe presin që dikush të hyjë në lojë, t’i zgjidh
problemet, të vendos rregull. Ky është një rrezik dhe është shumë e vështirë
për t’u ballafaqur sepse po shohim elementë të tij edhe në demokracitë e
përparuara siç janë SHBA. Ne duhet t’i adrejsojmë këto çështje, qofshin ato në
demokracitë e avancara apo në vende si rajoni, apo Europa Lindore apo Europa
Qëndrore. Duhet t‘i adresojmë këto probleme dhe t’i bindim njerëzit që qeveritë
po punojnë për ta, se interesi më i mirë i qeverive është për njerëzit dhe
duhet bërë shumë punë për edukimin qytetar në shkolla. Ne sigurisht nuk duam të
shkojmë tek indoktrinimi politik, por sidoqoftë njerëzit duhet të kuptojnë
natyrën e problemeve që po na çon në një polarizim politik dhe rëndësinë që
qeveria t’i adresojë këto çështje.
Le
të kthehemi tek marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën. Ju keni vizituar shpesh
Shqipërinë. Vizita e parë ishte në 1973-shin. Dy dekada më pas erdhët në
dhjetor të vitit ‘90. Dhe që në atë kohë keni ardhur shpesh në Shqipëri. është
e qartë se ka ndryshime. Por njerëzit gjithmonë e më shumë duan të largohen nga
vendi dhe në vend që të përpiqen t’i ndryshojnë gjërat këtu dhe të ndryshojnë
qeverinë këtu, ata ndryshojnë vendin ku duan të kalojnë pjesën tjetër të jetës.
Shkojnë në Gjermani, SHBA dhe vende të tjera perëndimore. A mundet që Shqipëria
të kishte pasur një tranzicion më të lehtë dhe më të shpejtë se ky?
Ky është një problem i madh.
Pozicioni i Shqipërisë ka qenë tejet, tejet i vështirë. Ka kaluar një seri
krizash, duke filluar me krizën ekonomike fill pas rënies së regjimit komunist.
Pastaj patëm tragjedinë e madhe të skemave piramidale dhe në këtë periudhë që
mund ta quash edhe si luftë civile patëm trazira që e destabilizuan edhe më tej
situatën. Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, shumë njerëz, veçanërisht të
rinj, nisën të largoheshin nga vendi, disa për arsye sigurie, disa për arsye
ekonomike. Ka qenë e vështirë për Shqipërinë që ekonomia e saj të ecë. Ky ka
qenë, le të themi, problemi fillestar. Nuk pati Shqipëria atë nivel ekonomie që
njerëzit me përvojë dhe zanate të bindeshin që të qëndronin e të mos
largoheshin. Në Shqipëri nuk ka burime njerëzore. Shkolla prodhon shumë
diplomantë, por jo në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Ne ende e kemi
tribalizmin, betejë të ashpër politike, kemi nepotizmin dhe kjo i shkurajon
shumë njerëzit dhe në Shqipëri nuk ka rëndësi se çfarë di, por kë njeh dhe kjo
shton pesimizmin. Këto janë disa çështje që duhen adresuar dhe duket sikur po
përsëris vetveten, por duhen krijuar kushtet brenda Shqipërisë, duhet krijuar
barazia sociale. Ne po shohim në Shqipëri bjerrjen e asaj që mund të quhej
klasë e mesme e zhvilluar dhe ky është një problem shumë serioz. Kemi problemin
e stabilizimit të sistemit drejtësisë. Në momentin që flasim, Shqipëria ka një
situatë kaotike, ndoshta edhe nga përpjekja për të struktuar nga e para
sistemin gjyqësor. Kjo i shkurajon investimet e huaja në vend. Korrupsioni
sigurisht që i shkurajon investimet e huaja. Aktiviteti kriminal i shkurajon
investimet e huaja. Ju keni nevojë për investimet e huaja. Ju keni nevojë për
aktivietet e tyre që të krijohen kushtet për të krijuar vende pune në Shqipëri,
veçanërisht për të rinjtë, të cilët janë ata që duan të largohen më së shumti.
Ju
thatë se në Shqipëri është më e rëndësishme kë njeh se sa çfarë di. Ju i njihni
gjithë liderët politik në Shqipëri dhe po ju kërkoj një mendim të sinqertë.
çfarë mendoni për liderët që një farë mënyre e kanë dominuar apo dominojnë
skenën politike shqiparë gjatë këtij tranzicioni të gjatë dhe të vështirë?
Kam patur mundësinë të njoh gjithë
presidentët e Shqipërisë që nga Sali Berisha tek Bujar Nishani, edhe Ilir Metën
sigurisht. Kam shumë respekt për Sali Berishën. Ai ishte një nga intelektualët
më brilant që drejtoi këtë vend. Por mund të them të njëjtën gjë për Fatos
Nanon. Ata ishin njerëz të zotët, por fatkeqësisht në momentin kur erdhën në
pushtet u përballën me një seri të madhe problemesh, disa prej të cilave nuk i
përballuan dot. Disa prej tyre u trajtuan politikisht dhe për interesa politike
dhe kjo më duket pas stresuese. Dhe si pasojë e kësaj ata nuk arritën që të
prodhonin lidershipin për të cilin Shqipëria kishte nevojë. Ata ranë pre e
zakoneve të trashëguara nga regjimi komunist.
Shumë sociologë thonë se kjo ndodh
sepse këta njerëz u rritën në atë sistem. Kjo ishte gjithçka që ata
dinin dhe kjo është arsyja që ata u sollën si liderë në mënyrën që u sollën.
Por ata u përballën edhe me shumë probleme të rënda dhe mënyra se si ata u
përballën me këto probleme nuk ka qenë gjithmonë në interesin më të mirë të
Shqipërisë.
Me
këta liderë që ju keni njohur historia do të jetë më bujare apo më e ashpër në
krahasim me atë që thuhet sot në gazeta apo në televizor për ta?
Mendoj se historia do të shoh
problemet që këta liderë trashëguan, do të shohin disa nga faktorët që ndoshta i çuan këta liderë në një shteg që
ndoshta nuk ishte ai i dëshiruari, nëse ata u përpoqën të ngrinin institucione
demokratike. Domethënë ju duhet ta gjykoni një lider bazuar në kushtet që kanë
mbizotëruar kur ky person ishte kryetar shteti apo kryetar qeverie. Për fat të
keq, siç e thashë, rruga e ndjekur nga gjenerata e parë e liderëve nuk ka qenë
gjithmonë në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe kjo ka kontribuar në
polarizimin dhe në problemet si krimi dhe korrupsioni, që ekzistojnë në vend
dhe kjo edhe më tej pengon ardhjen e investitorëve të huaj dhe krijimin e
politikave sociale që do të ishin në interesin më të mirë të shoqërisë.
Kur
dikush flet për sfidat e Shqipërisë, dikush mund të pyes cili është problemi?
Vend i vogël, i pasur, komb i ri, me minerale, dy dete, liqene, lumenj, kulturë
dhe klimë mesdhetare dhe ende mbetet pa përgjigje pyetja e madhe: çfarë
problemi ka Shqipëria që nuk po i bashkohet dot klubit të vendeve të BE-së?
Pjesë e problemit të Shqipërisë është
historia. Shqipëria ka qenë vendi më pak i zhvilluar… ndoshta Moldavia është më
pak e zhvilluar. Pra, Shqipëria ka qenë vendi nga më të fundit, në mos i fundit
sa i përket zhvillimit. Shqipëria nuk është se pati ndonjëherë mundësinë që të
fillonte të adresonte këtë problem. Shqipëria e mori pavarësinë vetëm në vtin
1912-1913. Menjëherë nisi Lufta I Botërore. Pasoi një periudhë anarkie në
Shqipëri. Pastaj kemi një restaurim të shtetit shqiptar në vitin 1921 me Kongresin
e Lushnjes. Dhe më vonë kemi një betejë të fortë politikë në 1921-1924 dhe
pastaj kemi ardhjen e Mbretit Zog që i duhej të stabilizonte vendin dhe të
vendoste autoritetin e tij. Atij i mungonin fondet për zhvillim dhe u kthye nga
Italia dhe gradualisht u bë vasal ekonomik i saj. Dhe kur u mendua se u arrit
një farë progresi, Shqipëria nuk arriti kurrë që të përballej plotësisht me
sfidat e veta. Zogu ia doli të bënte diçka. Ai krijoi shtetin. U ndërtua
burokracia. U përpoq të ndërtonte një sistem arsimor. Ai qëndroi në pushtet nga
viti 1925-1939. Pastaj Shqipëria u pushtua nga Italia dhe u kthye në shesh
betejë gjatë Luftës II Botërore dhe sërish nuk pati mundësi për një progres të
vërtetë. Pastaj Shqipëria mbeti nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe siç e
theksuam kushtet në vend ishin të tmerrshëm. Shqipëria pati një progres të
kufizuar si satelit i Bashkimit Sovjetik. Shqipëria ishte prapë vendi më pak i
zhvilluar në sferën e Bashkimit Sovjetik, të udhëhequr më parë nga Stalini e më
pas nga Hrushovi. Shqipëria ishte periferi. Shqipëria ishte menduar që t’i
delegohej Ish Jugosllavisë. Pak gjëra ndodhën. Shqipëria lëvizi nga tutela
sovjetike në tutelën kineze, por edhe kjo aleancë ra në kolaps. Pastaj
Shqipëria e Enver Hoxhës ra në autarki dhe u bazua vetëm në burimet e
brendshme. Kjo ishte një politikë e tmerrshme për Shqipërinë. Vetëm pas vdekjes
së Enver Hoxhës në 1985-ën, Shqipëria filloi të kthehej gradualisht drejt
Europës Perëndimore. Por nuk kishte institucioneve të zhvilluara. Pra,
Shqipëria ka pasur gjithmonë një start shumë të keq. Edhe vende si Bullgaria
dhe Rumania, që ishin nën regjimin komunist, kishin një gjendje ekonomike dhe
një sistem më të zhvilluar. Shqipëria nuk i kishte këto institucione, që këto
vende të tjera i kishin, edhe pse de facto ishin diktatura. Pra, Shqipëria ka
këtë trashëgimi me të cilën po lufton. Shqipërisë gjithmonë i duhet që të kapë
kohën e humbur. Shqipëria përmbysi regjimin komunist dhe kishte gjithë ato
sfida për të cilën ne folëm në fillim të viteve ‘90. Shqipëria tani gradualisht
po kap kohën, por institucionet do të duhet që ende të zhvillohen. Sistemi
gjyqësor duhet të zhvillohet. Shqipëria po përballet me gjithë këto probleme
dhe të gjitha këto e kanë një efekt në zhvillimin e saj.
Pra,
historia po na përndjek. Shqipëria ka qenë në perifieri të Perandorisë së
Bizantit, Perandorisë Otomane, Perandorisë Ruse dhe më pas në marrëdhënie me
Kinën. A është ky momenti i parë që jemi në anën e duhur të historisë?
Ne mund ta argumentojmë se
Shqipëria ka pasur disavantazhet e veta për shkak të trashëgimisë.
Profesor
Pano, do të doja t’ju bëja një pyetje për kohët e sotme. Duket sikur jetojmë në
një kohë të çmendur. Nga njëra anë duket sikur jemi me fat që jetojmë në kohën
e informacionit, në kohën e internetit që është një bekim nga njëra anë sepse
në një dorë t’i mund të kesh botën, mund të kesh afër njerëzit ke larg, por në
të njëjtën kohë ajo që ju e quani polarizim, ndarjet e hidhura mes njerëzve që
njihen dhe s’njihen me njëri tjetrin….
Në mënyrë të qartë media sociale ka
anët pozitive, por ka edhe anët negative. Ndër anët negative është fakti se ke
këto komunitetet e vogla në internet, por nga ana tjetër ke edhe këtë mundësinë
e komunikimit të liderëve përmes rrjeteve sociale. Presidenti Trump në SHBA
përdor gjerësisht rrjetet sociale. Një nga personat më të ndjekur në rrjetet
sociale në Shqipëri është Sali Berisha, që duket se ka 500 mijë ndjekës…
Ka 1
milion, po ashtu edhe kryeministri ka 1 milione ndjekës…
Pra, njerëz që vendosin politikat e
tyre apo linjën e tyre propagandistike, sido që ta quash. Dhe këto janë disa
gjëra që mund të çojnë në ato që i konsiderojmë probleme politike. Sepse
njerëzit gjithmonë e më tepër po e shpenzojnë kohën në rrjetet sociale dhe
gjithmonë e më tepër po shpenzojnë më pak kohë për të lexuar gazeta, libra, për
të parë programe serioze në televizion. Dhe po krijohen probleme serioze, edhe
në Shqipëri, sepse ju keni kaq shumë informacion dhe programe dhe keni kaq
shumë debate televizive dhe shpesh nuk është se sheh ndonjë diskutim serioz të
çështjeve. Me një fjali, revolucioni i medias sociale ka të mirat dhe të
këqijat e veta. Një nga aspektet negative është ndikimi në jetën politike të
vendit dhe në jetën kulturore dhe sociale të vendit. Dhe kjo është një gjë që
ia vlen të shqetësohesh.
Pra,
Shqipëria vendi që gjithmonë ka vuajtur nga të paturit pak, tani po vuan ngaqë
ka shumë?
Për këtë që po flasim, po.
Pra,
në vendin që penalizoheshe për lirinë e fjalës, tani po vuajmë ngaqë po flasim
shumë. Më shumë kakofoni sesa pluralizëm.
Po.
Nëse
do të ishe President i SHBA-ve, çfarë do të dëshirorje të shihje të realizuar
në një vend si Shqipëria?
Do të doja të shihja një qeveri që të
niste seriozisht të përballej me sfidat që ka vendi. Do të doja të shihja një
qeveri që është e shqetësuar të ndjek një politikë të jashme konstruktive, që
mbështetet së pari në sigurinë kombëtare, brenda rajonit të Ballkanit dhe
pastaj të krijojë ato kushte që i duhen Shqipërisë për t’u bërë pjesë e
komunitetit europian, si dhe të adresojë problemet sociale që kanë kapur
vendin. Këto janë gjëra që çdo president amerikan do të donte për një aleat të
palëkundur si Shqipëria. Padyshim, Shqipëria është aleat i palëkundur i SHBA
dhe si president i SHBA do të dëshiroja ta mbaja Shqipërinë si mike dhe aleate
të palëkundur dhe besnike.
Le
të vijojmë edhe me një pyetje tjetër hipotetike. Nëse do të ishit president i Rusisë,
çfarë do të dëshironit të shihnit të realizuar në një vend si Shqipëria?
Do të doja një vend më të hapur
ndaj influencës ruse, do të doja një vend që të ndiqte linjën diplomatike të
Rusisë dhe një Shqipëri të lidhur më ngushtë ekonomikisht me Rusinë.
Pyetja
e fundit profesor Pano. Vizita e fundit që keni bërë në Shqipëria ka qenë në
vitin 2013 dhe tani jemi në nëntor 2018. Si e shihni vendin pas 5 viteve, ju që
vini nga SHBA, si e shihni qytetin dhe vendin?
Sa herë vij në Shqipëri ka
ndryshime të mëdha fizike, jo vetëm në Tiranë. Siç e dini, unë isha në Korçë
fundjavën e kaluar dhe pashë ndryshime edhe atje. Kam udhëtuar në pjesë të
tjera të vendit dhe është e qartë se ka ndryshime befasuese nga pikëpëmja
fizike, por ende ka probleme serioze për t’u adresuar. Nëse Shqipëria do të
jetë e suksesshme në turizëm dhe mendoj se turizmi do të jetë një faktor i
rëndësishëm i ekonomisë së Shqipërisë, ka ende rrugë të papërfunduara, ka
hotele që qartësisht duhet të përmirësojnë shërbimin e tyre, ka probleme të
tjera. Unë dhashë një leksion për studentët e Universitetit të Tiranës, pata
mundësi të flisja me studentët, ka probleme në universitete, mungesë fondesh në
shkolla. Ka probleme sociale që duhen adresuar. Pra edhe njëherë, ka ndryshime
të mëdha fizike, por ka ende probleme bazë që mbeten për t’u adresuar.
Profesor
Pano, faleminderit për intervistën!
Faleminderit!
No comments:
Post a Comment