LUMTURIA
Tregim nga Memisha Gjonzeneli
Dekoruar nga Presidenti me Medaljen e Artë “Naim Frashëri”
Ka pak kohë që vëllai im, Tekiu, është shumë i sëmur. Doktorët i kanë dhënë pak shpresë jete. Isha para dy javësh në shtëpinë e tij. Sot po shkoj prapë, po tani do ta gjej të shpërngulur te shtëpia e çupës në Easton Pennsylvania, ku ka shkuar të kaloj ditët e fundit, sepse atje edhe kushtet i ka më të mira dhe i bëhet më mirë shërbimi.
Unë hipa në aeroplan, këtu në Çikago dhe pas dy ore e ca udhëtim, mbërrita në aeroportin e Njuyorkut. Aty, bashkë me një nipin tim, morëm makinë dhe mbas një ore e gjysmë, arritëm në shtëpinë e Monikës, siç e quajnë vajzën e Tekiut. Ishte shtëpi e bukur dhe e madhe, me katër dhoma gjumi në kat të dytë dhe poshtë nja dy dhoma e garazhe.
Tekiu ishte vendosur në katin e dytë, në një krevat komfort, si të spitalit dhe përkrah një dritareje bajagi të madhe në dritë e në pamje. Karshi rinte ndezur një televizor, po i madh, i stacionuar sipas porosisë, për gjithnjë nga Shqipëria.
Sa hyra unë, ai tentoi të ngrihej, po duket nuk mundi dhe vetëm sa lëvizi pak sytë, që mu duk se i hapi shumë. E putha në faqe dhe në ballë. Ai papritur u qetësua. Mora një karrige, u u ula afër tij dhe fillova t’i fërkoj dorën. Me vështirësi nisi të më pyes si i kisha nga shtëpia dhe kur unë i thash mirë, u qetësua dhe të dy qeshëm të gëzuar, në të njëjtën kohë. Unë i emocionuar nga gjendja tepër e rënduar, instinktivisht e putha prapë në ballë dhe po e kundroja nga afër: ishte dobësuar shumë, mezi i nxirrte fjalët nga goja dhe ato mezi dëgjoheshin, aqsa shpesh thosha po, pa e marrë vesh çfarë më thotë.
Shpejt i filluan dhimbjet. Vajza i dha një hapje qetësuese. Ai pas pak u qetësua dhe filloj më mënyrë të pavetëdijshme të dremiste. Nga balli nisën të dalin disa bulëza djerse. Mora një shami dhe fillova t’ia fshij. Ai ishte gjysmë në gjumë dhe unë krejt i shqetësuar e i turbulluar. Në çast, pa e kuptuar as vetë, u futa në mendime të thella. Mu kujtua fëmijëria jonë e mjerë dhe peripecitë e vuajtjet me Tekiun, me dy vëllezërit e tjerë dhe krejt familjen. Mu kujtuan vështirësitë dhe të papriturat e jetës tonë. Para dy muajve me Tekiun bënim humor me njeri tjetrin, Tani ai i shtrirë, i pa fuqishëm dhe unë, në një botë tjetër, sa as nuk bisedojmë dot.
Tani Tekiu vazhdonte të dremiste. Unë, i ulur në karrige, me një dorë i fshija djersët edhe me tjetrën i fërkoja dorën e tij. Isha shumë i lodhur nga udhëtimi, nga dëshpërimi dhe nga ngarkesa e madhe psikologjike. Gati po më linin forcat dhe po më kaplonte gjumi edhe mua.
Filloi të më kaloj si në film, gjithë fëmijëria ime. U rritem pa baba. Ai ishte në burg i dënuar 25 vite. Ishim 7 fëmijë pa asnjë të ardhur. U rritem më shumë se të mjerë, të pa ngopur me bukë e të pa veshur. Edhe librat na i jepnin falas bamirësit, se ne nuk i blinim dot. Nëna punonte në ndërmarrjen ullishte dhe paga që merrte nuk na dilte as për bukë thatë. E kalova këtë pjesë jete në mjerim, deri sa vajta në burg. Isha 17 vjeç, kur u arrestova dhe bëra 5vjet. U dënova me preteksti se kisha dijeni se do ikte vëllai në arrati dhe nuk denoncova.
Kur dola nga burgu më kujtohet se kisha veshur një palë atlete me çorape leshi, një bluzë tutash ngjyrë blu, që ma fali një shok nga Shkodra, pantallonat dok ngjyrë portokalli dhe në krah një thes me pak plaçka, ku kisha dhe një velenxe.
Më dhanë një letër, ta dorëzoja në Degën e Brendshme dhe pak lekë, që kisha fituar nga puna (që bëheshin 1300).
Dola në rrugë dhe pyeta ku ishte agjencia e kamionëve, ma treguan dhe u nisa drejt saj. Unë u lirova nga burgu i Tiranës. Ndenja nja dy ore pritje te agjencia, më se fundi erdhi një makinë. I them shoferit në se mund të më merrte deri në Vlorë. Ai mi nguli sytë, pastaj më tha buzagaz “mirë hip”! Unë zura shpejt një qoshen karroceri para dhe më pas erdhën dhe disa të tjerë dhe makina u nis. Kur kaluam Kavajën makina qëndroi dhe zbriti një pasagjer. Shoferi, kur me pa mua që isha mbledhur në qoshe dhe dridhesha nga të ftohtit, hoqi xhaketën e tij dhe “mere vishe” me tha. Unë nuk doja ta merrja, po u tërhoqa, se më bëri shumë përshtypje bujaria e tij. E mora dhe e vesha dhe i thash “shumë të faleminderit”.
Vonë mbërrita ne Vlore. Ishte natë. I dhashë xhaketën shoferit dhe nxora nga xhepi 100 lekë. Ai i pa dhe qeshi me keqardhje.
-Nga burgu vjen me tha shoferi. Po i thash dhe shpreha habi nga e mori vesh.
-Dukesh që për së largu, me tha. Po ik! Unë duhet të të jap, jo të të marr para!
I thash të faleminderit dhe u nisa për në Skelën time, që më dukej gjithnjë e më e dashur. Nga rruga Transballkanike hyra në rrugën e Skelës. Te Parku i Mallrave kishte muzikë. Unë ecja në anë të trotuarit drejt Skelës, i përtërirë dhe gjithë gëzim...
Më vonë me shoferin dhe me vëllain e tij, u bëmë shok dhe nderin e detyrimin ja shleva disa herë. Megjithëse ai nuk më mbante mend, çka shumëfishon fisnikërinë e tij, po unë kurrë nuk e harroja. Ai, shpesh me pyeste: pse ma bën këtë e unë i thosha se ti e meriton më shumë. ai qeshte i kënaqur.
Duke vazhduar me ngjarjen e asaj dite të veçantë të lirimit nga burgu, do shtoja se kur po afrohesha afër Skelës, për çudi mua më ndalon një polic që më thotë:
-“Ndal çfarë ke në thes, ule poshtë në toke dhe më jep letrën e njoftimit. Çfarë ke vjedhur më thotë me urrejtje dhe egërsi”. E ula.
–Hape, më tha.
-Hape vetë, i them.
-Ku e ke letrën e njoftimit ?
- Nuk kam i thash.
-Hajde me mua në Degë!
Atëherë e pash që do të më vononte, nxora letrën që më kishin dhënë në burg dhe ja dhashë. Ai doli pak në dritë dhe filloi të lexoi dhe duke lexuar, shikonte nga unë. Ajo letër me bënte armik edhe më të rrezikshëm. Ma ktheu letrën.
- Pse nuk me the që në fillim!
-Ti, nuk me pyete, i thashë.
-Sa vjet burg bëre, më tha.
-Lexoje, e ke të shkruar!
- Jo, tha, ma thuaj ti!
-Pesë vjet, i them unë.
-Po je kalama, more djalë. Ik, me tha, ku e ke shtëpinë?
-Te turizmi, i thashë.
Ika në shtëpi. Ata, të shtëpisë nuk me prisnin dhe u habiten kur vajta. Sidoqoftë e gdhimë deri në mëngjes.
Pas një muaji u futa në punë në Ndërmarrjen Ullishte. Punova atje afro një vit. Me pushuan dhe pastaj punova në Kripë. Ishte shumë punë e rëndë. Sa filloj ftoma edhe atje më pushuan.
Shkova në Komitete se mësova se Fieri kërkon specialistë.
-Çfarë profesioni ke?
-Saldator, i thashë.
-Po, thanë, kemi shumë nevojë!
Fillova punë në Azotik. Flija në hotel Apolonia. Mbas disa ditëve më dërguan të beja ujësjellësin, nga qafa e Koshovicës në qytet. Punoja shumë, se e doja shumë profesionin. Nuk ngopesha duke salduar. Më dhanë edhe një ndihmës edhe na vunë në dispozicion një traktor – vinç.
Puna më shkonte shumë mirë. U interesova se kur fillonte shkolla. më thanë për 15ditë. U regjistrova në shkollë nate, që e ndiqja tre ditë në javë. Gjithçka ishte në rregull, veç që lodhesha shumë, se punoja afro 12 orë çdo ditë, përjashtuar ditëve të shkollës. Edhe shkolla më pëlqente shumë e sidomos letërsia. Në klasë ishim rregullisht 30 nxënës nga këta 12 ishin femra. Përpiqesha të mos bija në sy edhe pse vetëm unë isha nga Vlora dhe kisha qejf të përgjigjesha sa herë pyeste profesori.
Një dite na hynë në klasë një profesor i ri. Unë nuk e vura re kur hyri. Ai filloj të na fliste emrat, kur vajti te emri im qeshi. Gjonzeneli ha, ha, ha çudi! Unë ngrita kokën, kur ç’të shikoj: një shok fëmijërie ma beri me dorë, do shihemi! Mirë, more Sulo thash me vete, po më e keqja ishte, se kjo ra ne sy të nxënësve...
Siç thash, më pëlqente letërsia, sidomos mrekullohesha pas hartimeve me temat e lira. Kisha ndonjë muaj që veja në shkollë, kishim letërsi. Hapeni librin te Koprraci tha profesori. Të gjithë e hapëm librin po aty. Ti, i tha njërit, fillo lexoje, pastaj tjetrit dhe kur me erdhi radha mua: Gjonzeneli, vazhdo! Klasa po bënte zhurmë, kur unë fillova leximin. Po unë nisa të imitoj koprracin me gjeste dhe me fjalë. Gjithë klasa pushoj dhe vetëm dëgjonin. Kur ngre kokën shikoj klasën të gjithë ja dhanë të qeshurit edhe unë u bashkova me ta. Ndërkohë profesori erdhi tek unë: Gjonzeneli, tha, bravo! Kurrë nuk kam dëgjuar lexim kaq të bukur, bravo!
Mbas një jave bëmë hartim me temë të lirë. Unë bëra një hartim shumë të bukur, me pjesë nga lufta: pak fantazi dhe pjesa tjetër, realitet dhe shpirtin im. Kur e mbarova nuk e lexova, se mos kisha bërë ndonjë gabim. Po, sa e mbarova, e mbylla fletoren dhe e dorëzova. Nuk kisha frikë për notë. E dija qe do merrja notë të mirë. Pas dy javësh erdhi profesori me fletoret e hartimit. Sa u ul filloj të flas emrat që ishin sipas fletoreve. Emri im nuk u fol.
-Profesor, ku është hartimi im? e pyeta.
-Mos u nxito, me tha profesori. Ai vazhdoj: nja tre hartime janë të mira dhe foli emrat e tyre. Prapë emrin tim nuk e zuri ne goje.
-Me leje i them unë. Ku është fletorja ime?
-Ulu me tha. Unë u ula. Ai ktheu kokën nga unë dhe qeshi, po tha me zë të lartë: “Hartimin më të mirë e ka bërë Gjonzeneli! Bravo Gjonzeneli!
Ra zilja. Unë shkova te profesori dhe i them: të lutem me jep fletoren! Ai qeshi dhe me tha nuk ta jap se me duhet, në qoftë se do lekët, po ti jap dhe futi dorën në xhep. Jo profesor nuk me duhen parat. Të faleminderit më tha. Koha kalonte asgjë e veçantë. Mësimet më interesonin. . .
Një dite ra zilja e pushimit. U ngrita të dilja, kur te dera me dikë u godita. Unë isha i kujdesshëm. Kur ç’të shikoja: isha përplasur me një vajzë.
-Hej, më thotë ajo, i ke sytë në ballë!
-Po, i thashë, atje i kam, po do besh mirë të kontrollosh një herë sytë e tu! Ajo iku. Ajo iku jashtë klase e unë u ktheva e ula në bangë i shqetësuar. Mbas pak erdhi dhe ajo me shoqen e saj duke qeshur dhe u ulën dhe ato në një bangë. Që atë dite, unë fillova ta shikoj atë vajzë më shumë dhe me kujdes. Ajo ishte pak me gjatë se mesatarja, me flokë të zezë e të gjatë kaçurrela, vetulla të zeza, qerpik të zezë, sytë kafe në blu dhe vishte zakonisht këpucë te zeza. Ishte shumë e bukur. Ndoshta kështu më dukej mua. Po thosha me vete: si nuk e kanë vënë re gjithë këta djem, që ti vardiseshin, po vete krejt rastësisht e përplaset me mua? Pas kësaj “rastësie”, unë çuditërisht e hasja dhe e shikoja shpesh. Mandej, disa herë na kryqëzoheshin shikimet e ajo nuk e kishte fare problem. Shoqja që kishte në bango ishte një vajzë me fytyrë bardhoshe dhe dukej më se e urtë. Shkonin shumë mirë me njëra tjetrën. Ajo me shikonte shpesh dhe pa i hequr sytë, diç i thoshte asaj. Një dite mu afrua një djalë dhe me tha që a mund të rrinte këtë orë në bango me mua. Me gjithë qejf, i them. Ai më sqaroj që kjo bardhoshja, ishte motra e tij dhe ishte e fejuar. Mi tha këto që të mos keq kuptoheshim. Mbaroj ora u ndamë si shok dhe gjithmonë përshëndeteshim. Motrën e tij e quanin Sadete, ndërsa shoqen e quanin ANA. Ishte diçka interesante se ajo i mbante sytë gjithnjë plot me lot. Dukej sikur do fillonte të qante. Më së fundi konstatova se Ana me shikonte me interes. Edhe unë po humbisja qetësinë se diçka e re po me trazonte. Po thuaj në të gjitha ëndrrat që thurja vet, para më dilte Ana. Shpesh doja ta largoja nga rruga po ajo dilte prapë duke qeshur. Një dite diçka po shkruaja. Kisha një stilolaps të bukur, gjysma ishte i kuq dhe gjysma blu, që ma kishte dhëne një kinez në punë, po që ishte i rrallë në atë kohë. Grisa një copë letër të vogël dhe shkrova, pastaj u mendova të shkruaj të dua, apo moderne të dashuroj.Shkrova të dashuroj dhe që të më shikonte ajo e mbështolla rezervën me të dhe e mbylla. Ajo e pa gjithë procesin dhe pas pak nxori një fletore, demek se do shkruante po i duhej rezerva, kështu që më kërkoj rezervën dhe unë, që e kisha gati, ja dhashë. Ato po qeshnin të dyja, ndërsa unë isha ne ankth dhe ula kokën e po shikoja me bisht te syrit. Ajo e hapi me ngadalë, pastaj mori pusullën e vogël dhe e hapi. Sytë u shkëlqyen të dyjave dhe po qeshnin. Mua mu mbush gjithë trupi me mornica. Kur Ana mori rezervën e ktheu letrën nga ana tjetër dhe shkroi diçka, e mblodhi prapë rezervën me letrën dhe e mbylli. Mbas pak ma dhanë. Ana e skuqur në fytyrë dhe duke qeshur. E mora dhe po e mbaja ne dore. Ato po me shikonin. Sadetja po ma bënte me shenjë që ta hapja. Më së fundi e hapa dhe lexova: Edhe unë të dashuroj shumë! Vura kokën në bangë dhe e mbulova me duar. Gati po qaja nga gëzimi. Isha shumë i lumtur. Ndenja ashtu aq sa mora veten pastaj pash nga ato edhe ato qenë po aq të gëzuara sa unë. Atë dite, para se të mbaronte ora e fundit, i thashë Anës që të takoheshim. Ajo më tha që ta ndiqja kur të dilnim nga shkolla. Në atë kohë të vonët, nuk para kishte njerëz rrugës. Sadeteja, me gjithë të vëllain u ndanë nga Ana më shpejt dhe e lanë atë vetëm. Ana ktheu kokën mbrapa të më kërkonte me sy, kur unë i dola anash, -Mos shikon për mua, i thashë? Po, tha ajo, po, kë tjetër? E kapa për dore dhe e fshehëm në një vend ku nuk binim në sy. Ai vend, u bë për ne për katër muaj, vendi i lumturisë. I bekuar qoftë! Ne moment, i lëshuam librat nga dora, të mos na pengonin dhe unë me njëherë e putha në faqe, pastaj në ballë, në vetulla, në gushë e pastaj, në gjithë fytyrën. E mbulova me të puthura. Ajo, në fillim u hutua, po shpejtë e mori veten, filloj dhe ajo të më puthte. Unë e shtrëngoja fortë pas vetes. Trikoja e saj dhe bluza ime, që kishim veshur, na dukej se na pengonin qe trupat tanë të ngjiteshin. Si natë e parë nuk ndenjëm shumë, po mezi u ndamë. Dy herë u kthyem nga rruga dhe putheshim sërish, uronim njeri tjetrin dhe i thoshim natën e mirë.
Mezi po e prisja takimin e dytë. Vajta më shpejtë se zakonisht në shkollë. Nuk e kisha mendjen në mësim. Numëroja minutat. Anën e kisha mbrapa ne rreshtin e mesit, një banke mbrapa meje. Më së fundi, pas 10 ore, si duduk mua mbaroi mësimi. E lash që Ana të ikte përpara me shoqen dhe të vëllain. Unë i shoqëroja nga pas. Shkuam te vendi. Unë mbërrita shigjetë. I dhamë dorën njeri tjetrit. Të dyve na digjeshin duart nga emocionet. Pa u afruar mirë te vendi i fshehtë, e kapëm njeri tjetrin dhe u qafuam fortë. O zot: puthjet tona nuk kishin mbarim, sa në sy, në faqe, në gushë dhe më së fundi, ajo mi ngjiti buzë e saj të kolmet në buzët e mija. Unë ndruhesha, se goja ishte me pështymë dhe ndofta nuk ishte higjienike. Por ajo, jo vetëm qe nuk i hoqi buzët, por i futi dhe më thellë. Të njëjtën gjë bëra dhe unë Ajo pështyma që mendoja se nuk qe e mirë, tamam ajo, ishte mjalti i mjaltit. Afro 10 minuta ndenjëm ashtu: herë gjuha ime shkonte tek ajo dhe herë e asaj kalonte tek unë. S’kishte gjë më të bukur. Ishte një kënaqësi e paparë dhe shumë e veçante. Kështu morëm dhe mësimin e parë të puthjes dashurore.
Kur kish kaluar ca kohë përvoje, unë e pyeta Anën, me të qeshur: si të vajti në mendje, që më gjerbe buzët? Ajo qeshi dhe më tha: Shoqja ime, që është e fejuar me pyeti si ja kalonim. Unë i tregova që gjithë kohën jemi puthur. Po ku të puth më pyeti ajo. Në çdo vend. Po ne buzë? As ai dhe as unë nuk e dimë që puthet në buzën e ndotur me pështymë. Ajo qeshi me të madhe: duket, tha ajo, që të dy duhet të mësoni alfabetin e dashurisë. Po Memua vazhdoi ajo, duket është djalë i mirë dhe nuk është vagabond. Kështu, të nesërmen, kur të putha në buzë, e kuptova sa kishim humbur dhe që atë dite, kohën e takimit, më gjatë na i merrte ajo lloj puthje.
Për katër muaj ne ishim njerëzit më të lumtur në botë. E patëm të vështirë të ndaheshim qoftë dhe për pak kohë nga njeri tjetri. Ditë gjatë punës, kur unë saldoja, në xham të saldimit më dilte Ana dhe shpesh metali edhe dora, me lëvizte nga drejtimi i duhur.
Ne nuk e dinim ç’ishte turpi. Duart tona shkonin lirshëm te njeri tjetri në çdo pjesë trupi. Nuk kish më zonë të ndaluar. Një dite unë e kisha venë kokën në prehrin e Anës. Ajo filloi të qeshte. Ç’farë ke shpirt, i them unë. Unë, tha ajo, edhe nënën time, nuk e lija të me puthte më shumë se dy herë. Tani, një burrë bote, që nuk e kam njohur më parë, me puth në çdo vend të trupit, sa herë të dojë dhe pa më bezdisur fare, përkundrazi, me vjen shumë mirë. Ndërsa tani, më ka venë kokën në prehrin tim dhe loz me kaçurrelat e mia. Ndenji pak pastaj tha: Memo kjo nuk mund të quhet dashuri e thjeshtë. Është shumë më tepër, prandaj mendoj se duhet të ketë emër tjetër, më të madh e të pakufishëm, se është më shumë se një bukuri përrallore. Po ne , si te tjerët, do i themi dashuri plus lumturi.
Ditët kalonin dhe ne na dukej se kjo dashuri nuk do kishte fund, por vetëm fillim e përjetësi. Po ishim të gabuar. Një dite, kur kishte vetëm gjysmë orë, që kishte filluar mësimi, trokiti fort dera e klasës. Brenda hyri drejtori i revoltuar, që zëlartë, tha:
-Kush është Ana Mërtiri?
-Unë, tha Ana e trembur.
-Merr librat dhe hajde me mua!
Ajo u ngrit e tronditur dhe po shikonte nga unë, e zverdhur në fytyre dhe më dukej sikur po më kërkonte ndihme. Unë zura kokën me duar dhe e mbështeta në bingo. Ana doli me drejtorin dhe nuk u kthye më. Më kot prita sa mbaroj ora e mësimit ajo nuk erdhi. Fillimi i mbarimit, paragjykova me vete. Erdha rrotull dhe pyeta nëpër korridore, por me kot. Askush nuk dinte gjë...
Kur unë ëndërroja si në kllapi, në kujtim të ndodhive të trishtuara të hershme, vëllai im në agoni, u zgjua dhe “ ujë, të lutem” më tha. Në fillim i laga buzët, se i ishin tharë, pastaj i afrova shishen me ujë. Piu pak dhe mbylli prapë sytë. Ishte shumë i lodhur. Unë, si i pavetëdijshëm, nuk e di pse, instinktivisht, u futa prapë në kujtimet e hershme kronologjike:
Hyra sërish në klasë, takova shoqen e saj dhe ju luta të interesohej pak për Anën. Ajo sa me pa më tha: të lutem Memo, mbaje veten, je shumë i shqetësuar dhe po bije në sy. Në rregull, i thashë, të lutem shko interesohu çfarë ka ndodhur. Ajo, mori dhe vëllain dhe dolën. Pas pak ajo erdhi tek unë dhe me tha se Anën e ka marrë i vëllai dhe kanë ikur në shtëpi. Do interesohem dhe do të të kthej përgjigje. Të lutem, më tha ajo, bëhu i duruar. Nuk mundem, i thashë, nuk e kam veten në dorë. Do të të pres.
Ditën që kishim shkollë vajta më shpejt se zakonisht dhe prisja të vinte Sadetja. Kisha punuar shumë dhe nuk kisha ngrenë asgjë. Isha me shumë se i mërzitur... Më së fundi erdhi Sadetja dhe ajo shumë e mërzitur dhe më tha: Ata e kishin marrë vesh qe ajo takohesh me ty. Kaq tha dhe desh të largohej. Unë e ndalova gati duke ju lutur si i mjerë dhe i thashë mbushi mendjen mbase takohem me të edhe njëherë. Të lutem me ndihmo! Ajo më pa në sy, siç duket, kuptoi dhimbjen time dhe me tha: do përpiqem e do bëjë të pamundurën, që ta takosh.
Dhe vërtetë pas 10 ditësh pata takim te agjencia e kamionëve ditën, në orën 10.- të të mëngjesit. Unë shkova që në orën 9 atje dhe po prisja i ulur në një stol, brenda.. Ajo erdhi, po nuk po e njihja. Edhe ajo me pa me habi. Sa u afrua unë u ngrita në këmbë dhe e qafova, sikur e kisha të afërme. Buzët me vajtën te veshi dhe e putha fort. Ajo, bëri të njëjtën gjë. U shkëputëm.
Ajo me tha: - Pse nuk më ke thënë asgjë për biografinë?
-Si nuk e kupton dhe po me pyet, i thash. Ne nuk na ka dalë koha për dashuri jo të flisnim për gjera të tjera, shpirt.
Më tha: - Sa kollaj i gjen përgjigjet dhe sa thjeshtë i shpjegon. Po ke të drejtë, nuk na dilte koha! Sa bukur kaluam si në ëndërr. I dhamë njëri tjetrit gjithçka qe mund te jepesh. Vazhdonte të qarat duke më dhënë shpjegime: Kur ika nga klasa me Drejtorin, jashtë më priste vëllai dhe operativi i sigurimit. Sa u afrova vëllai mu aktrua: Motër na ke turpëruar, je pleksur me një armik populli, qe sapo ka dalë nga burgu politik. Babaj i tij ka qenë oficer balli dhe ka bërë 12 vjet burg, vëllai është arratisur, ka tradhtuar atdheun dhe plot të afërm të dënuar, pra armiq të betuar. Ne jemi familje e mirë. Të gjithë të lidhur me Partinë, unë dhe babai jemi komunistë. Unë nisa të qaja me dënesë. Ai vazhdonte: po të lutem mos qaj se vëllai nuk do të lerë vetëm, ne duart e tij të pista. Do të çoj në shkollë dhe do të marr. Unë qava edhe me shumë, se e pashe që nuk do takohesha më me ty, kur operativi tha se nuk të le Partia të gabosh, pra mos qaj. Ata nuk e kuptonin se unë qaja për ty. Për 10 ditë shiko si jemi bërë, si mund të na i bënin këtë të keqe kaq të madhe? Dhe vazhdonte të qante.
-Dëgjo shpirt! Të gjitha ato që të kanë thënë, janë të vërteta.
Ajo hapi sytë me habi dhe po më dëgjonte me vëmendje. Vetëm për një gjë të kanë gënjyer.
-Çfarë, tha, duke qarë.
-Kur të kanë thënë që ne jemi armiqtë e popullit, të gjithë ata e kanë gabim. Ne, e duam atdheun dhe popullin me shumë se ata. Babai im ka luftuar kundër Italianëve dhe në Gjorm edhe kundër bashibozukëve të Halil Alisë. Më 1939, kur erdhi Italia, ai me shumë fshatarë të tjerë, patrulluan e luftuan që nga kalaja deri afër Karaburunit dhe jo një ditë, po disa ditë, deri sa u mposhtën si të pabarabartë. Ai, që ka qenë 12vjet kryeplak i i zgjedhur i fshatit, si ka mundësi të ketë qenë armik..? Nuk kemi kohë për të zgjidhur këto punë, të bëra lëmsh nga injorantët. I kemi thënë njeri tjetrit se nuk do harrohemi kurrë, kurrë.. Me vjen keq, shpirt, se i dhamë njeri tjetrit dashuri dhe çdo gjë të mirë që mund të jepesh. Sa gjë e bukur ishte lumturia që na pushtonte të dyve... Faqet me ishin lagur nga lotët, po munda t’i thosha: Kurrë nuk e mendoja kështu ndarjen, nga thashethemet. E putha fort në gushë. Kujdes i dashur, me tha për herë të parë, mos me lesh shenjë. Ajo më puthi po aq fort, po unë nuk u ndjeva. E kisha humbur. U ndamë përfundimisht...
Vëllai u zgjua: Të lutem, më kthe pak nga dritarja, më tha. Në kohën që e ktheva, ai me pa në fytyrë dhe më tha: vëlla po qan për mua, se dhe në fytyre je zverdhur. E mblodha veten dhe i thash, jo vëlla nuk po qaj as për ty dhe as për vete. Se me ke premtuar qe nuk do qash. Isha gati të qaja me zë. Po e mbajta me zor veten. Jo vëlla nuk po qaj i thashë, më i sigurt. Po unë po të shoh më tha ai, ti ke qarë. E po nganjëherë sytë nuk na binden, të keqen vëllai. Mora nga tavolina dy kokrra rrushi dhe ja futa në goje një e nga një. I fshiva prapë djerset nga balli. Ai filloi të dremis...Unë, sërish me brengat e jetës së shkuar:
Shkova edhe një muaj në shkollë. Nuk më bëhej të flisja me asnjë. Sadeteja më rrinte pak larg, po unë e dija që ajo kishte shumë respekt për mua. U largova nga shkolla. E falënderoj gjithnjë me zemër për atë mrekulli që me fali...
Një dite kisha dalë në Pazar, kur shoh Sadeten me të shoqin. Ajo, sa më pa mua, diçka i tha të shoqit. Ai qeshi dhe pa nga unë. Kur me dolën para e më prenë rrugën të dy. Ajo me dha dorën dhe me tha: Memo ky eshte burri im. Më tha emrin dhe sa ti thosha unë emrin tim, ai me tha: unë të njoh Memo shumë mirë nga Sadetja dhe kam pas qejf të të takoj dhe pse jo, të pimë edhe kafe.
Të trashëgoheni i them, të faleminderit, në kokën tënde me tha me të qeshur. Pra ai e dinte gjithë historinë time me Anën. Unë ula kokën dhe në përkujtim isha gati të lotoja. Po, i thashë unë. Ishte si një përrallë e bukur, që zor se përsëritet.
Kur ti kishe ikur nga shkolla Ana erdhi një ditë me mua në shkollën tonë, me tha Sadeteja. Në bangën qe rrije ti ishte ulur një djalë tjetër. Ajo i kërkoj leje atij, që të rrinte në atë bangë një orë. Ai ja liroj me njëherë. Ajo u ul, vuri duart në bangë, pastaj kokën e mbështeti mbi duar dhe buzët preken bangon. Ajo mori frymë thellë me ndjesinë se mos era jote nuk ishte larguar. Lëpiu buzët prapë te banga, pastaj ngriti kokën ngadalë, u mbështet me shpinë dhe fytyra ishte flak e kuqe. Unë po e ndiqja e shqetësuar. Sa ra zilja, ajo u zhduk dhe nuk u takua me mua. Une u ktheva dhe ika me shpejtësi dhe kurrë nuk i kam parë më.
Kaluan disa vite. Unë me gjithë brigadën u transferova në metalurgji. Metalurgjia kishte mbledhur pothuaj gjithë specialistët më të mirë. Në atë kohë në ta, bëja pjesë edhe unë. Punonim shumë po ishim edhe të gëzuar se po mësonim plot gjera të reja nga specialistët e huaj. Planet i realizoja gjithmonë mbi 125 për qind. Në brigadë kisha afro 35specjalistë, pothuajse nga të gjithë anët e Shqipërisë.
Në një ditë të shtune, marr dhe një shok nga Fieri, që e quanin Andon Bare dhe i them drejtorit se do shkojmë në shtëpi dhe do kthehemi të hënën. U nisëm. Mbërrijmë në Fier nga dreka. Unë u ula në një stol te hotel Apolonia, në anë e trotuarit, ndërsa Andoni shkoj të takoj djalin e xhaxhait, që punonte shofer në naftë... Njerëzit kalonin në rrugën aty pari, po unë, në botën time, nuk i vija re. Po ja, në një çast, mu duk sikur më kapi korrenti. Ngre sytë më lart, po çfarë të shoh: ANA me dy fëmijë të kapur për dore, një djalë, nja 5vjeçe dhe një vajzë, afro 7 vjeçe. Fëmijët ishin shumë të bukur edhe të veshur shumë mirë. Si duket sytë e zemrës i kishin parë, më shumë se sytë e ballit. Në çast u ngrita në këmbë. Ajo qëndroi fare pran meje. Vura dorën në buzë. Ajo e lëshoj djalin dhe gjithashtu vuri dorën në buzë. Unë e putha dorën time dhe ajo puthi të sajën. Po dridhesha, nuk po ndihesha mirë. Ajo ra në kujtime dhe ne çaste rrëmbeu djalin, e hodhi në krahë dhe i nuk la vend pa puthur. Në fund e puthi fortë, si e marrosur në buze dhe i tha shpirt i mamit. Pastaj, në çaste, si në tjetër botë, rrëmbeu çupen për dore dhe u nis duke qarë. Unë mbeta ashtu i tronditur pa e marrë veten dhe me kokën poshtë. Pastaj ngrita pak sytë, ajo po largohej shpejte dhe kur vajti nja 50 metro, ktheu kokën mbrapa të me shikonte për së fundi dhe kur më pa, si e ngrirë, u kthye majtas me gjithë trup dhe u zhduk...
VËLLAI, në botën reale, në çastet e fundit të jetës, u zgjua dhe u drodh si i trembur. Unë fillova t’i fërkoja krahun. Nuk po e merrja veten nga kujtimet aq gjurmëlënëse të së kaluarës... Ai më foli me ngadalë:
- “Vëlla, më tha. Para ca ditësh të thashë që kisha një dëshirë, po të ma bënte kollaj Zoti, të veja në Tragjas (fshati ynë i lindjes në Vlorën e bukur të Shqipërisë) dhe të ngulja të dy gjunjët në Izvuar (lumi i Tragjasit) dhe të pija nga ai ujë perëndie me etje. Kaq jetë dua. Tani, që po mbyllet rrethi, dua dhe diçka tjetër...
-Fol, të keqen vëllai, po të dëgjoj..
-Po të shoh të papërqendruar, vëlla!
-Nuk kam gjë, i them, vazhdo.
-Ai tha: Do doja të me çonte Zoti në Vlorën hyjnore, ose më mirë në Skelë, te Turizmi, ose te Don Anton Marku, ku kaluam fëmijërinë e mjerueshme, të futesha në det dhe të lahesha pafundësisht, si bënim kur laheshim të katër vëllezërit. Aq desha. Kur të delja nga uji, të mos më linte kush të shtrihesha në kum, po me atë imazh, të më merrte Zoti.
Në çast filloi ti mbushen sytë me lot. Kurrë nuk më shkonte ne mendje se do jetoja dhe këtë dramë...Unë isha gati të qaja për jetën time dhe të vëllait, ndërsa ai për jetën e tij dhe tonën. E rregullova prapë, i fshiva djersën që kishte në ballë, e putha në ballë. Ai qeshi... E mbulova më mirë. Atë e zuri gjumi... Dhe unë sërish në kllapi e kujtime të hershme të jetës sime...
Andon Bare, në Fier po më fliste... Unë nuk po e dëgjoja. Më hodhi dorën në sup dhe me të qeshur më tha: Ej përmendu! Erdha në vete dhe po buzëqeshja. Ke fat, më tha. E di, i thashë me të qeshur dhe tunda kokën me trishtim. Të gjeta makinë për në Vlorë. Do ikësh me djalin e xhaxhait tim. Ai, u gëzua shumë, kur i thashë për ty. Memua më pëlqen dhe po të mos kisha rrugë, do shkoja kastile për të, më tha djali xhaxhait.
Pas pak një gaz 51 qëndroi te këmbët tona. Erdhi shoferi u qafuam. Po shyqyr që erdhët, se u bëtë Elbasanli dhe qeshi. U qafova me Andonin dhe kur do ikja, i thashë mirë u pafshim të martën në darkë në kantier, domethënë jo të hënën, po të martën dhe u ndamë. Unë u nisa për në Vlorë. Kjo, shumë vite më parë, si një kujtim i hershëm.
Vitin që kaloi isha sërish në Vlorë, me gjithë Tekiun... Ka vite që shkoj çdo verë në Vlorën time të dashur. Ajo më çmall e më mbush me dashuri.
Një dite, sa po kisha dal nga deti, dëgjoj një zë që më fliste në emër. Ktheva kokën nga vinte zëri, kur ai foli prapë. Nuk të kujtohem, më tha. Jo i thashë po në Frutore, me tha, më rregulloje belin. Ah po, i thashë, tani sikur po më bije në mendje. Po si je, si i ke nga shtëpia, mirë, të faleminderit, me tha, por, të fola se, ka pak kohë, që në Fier, më kanë dhënë një letër për ty dhe më thanë që vera, është koha që ai vjen në Vlorë nga Amerika. Hapi një çantë të vogël, që mbante në dorë dhe nxori një zarf dhe ma dha. Tani u lehtësova, se e kisha amanet nga një miku im fierak. E mora letrën dhe e futa në çantën ku fusja rrobat, kur futesha në det. I thashë shumë të faleminderit dhe u ndamë. Unë ika në dhomë të ndërrohesha dhe të dilja të haja bukë. Më pas, kur po hiqja gjërat nga çanta, pashë letrën, që duket e kisha harruar fare. Grisa zarfin dhe nxora letrën. Ulem në krevat ta lexoj. Shkrimi dhe boja e shkrimit, mu duk i njohur po nuk më binte në mend. E parandjeva që do shqetësohesha, prandaj u shtriva me gjithë këpucë në krevat.
Ja përmbajtja e letrës, që e lexova vetëm një herë, po e mësova përmendësh:
Ish i dashuri dhe i shtrenjti im!
Sa më ka marrë malli të të shoh. Mendoja se koha e gjatë do ma pakësonte dhimbjen. Oh, e shkreta unë! Sot, që po të shkruaj këtë letër, u binda se plaga jonë nuk ka shërim. Dikush më tha në gjumë, se e kishte gjetur ilaçin. E pyeta me ankth të lutem ma thuaj i thashë. Po, tha, ai e ka emrin MEMOOOO... E po e kuptueshme: do vdes me këtë dhimbje, thashë me vete...
Që kur jemi ndarë, unë të kam ndjekur me sytë e mendjes kudo, ku ke qenë, nga fillimi deri tani, që po të shkruaj këtë letër: Ti punove në Azotik, në Tec, në Rafineri, në Gaz sjellës Fier e Divjakë. Pastaj nuk po të gjeja. Më vonë e mora vesh: të kishin internuar në fshat me gjithë familjen. Desh vdiqa. Ti, që ishe mësuar dhe ushqyer me lirinë, ta kishin marrë atë dhe të kishin mbyllur në kafaz. Po ja, dole prapë dhe tani ishe brigadier me zë, në Ballsh. Më vonë në PVC në Vlorë. Ishe gjithmonë pararojë. Ishe nga specialistet e paktë me eksperience dhe i patentuar. Në kujtesë më mbeti oxhaku i çimentos, se ai ishte jo vetëm i vështirë, se nuk kishe asnjë makineri ngritëse dhe gabimin më të vogël, e paguaje me kokë. Më vonë ishte oxhaku i TEC, që e kish goditur rrufeja dhe e kishte mënjanuar në maj, afro 8 metër. Dhe atë e realizove pa buj dhe me sukses, i vetmi që e more përsipër, se ishte refuzuar nga të gjithë. Pastaj shkove në Metalurgjikun e Elbasanit, ku të gjithë, deri specialistët e huaj, krijuan respekt për punën tënde.
Po, lufta e klasave, të ndiqte kudo. Ajo, që na ndau ne të dyve. Tani qe kam dhe arsimin e lartë, e kuptoj fare mirë se ç’qe ajo murtajë. Ju larguan të gjithë ju, me pretekstin që nuk kishit biografi të mirë. Vajte në Vlore dhe atje ti bëre mrekullira. Në fillim të futën punëtor të thjeshtë, me vonë dole kovaç i shkëlqyer, aqsa për ty kinezët thoshin që “Memishau mund të punojë në çdo vend të Evropës, ai është specialist i shkëlqyer. Së fundi, poshtëruese: Të futen të kryeje një profesion të ri, të rigjeneroje belat e punëtoreve të bujqësisë.
Pastaj, erdhën ndryshimet dhe dëgjova se ke vajtur në Amerikë te vëllai, për të cilin ti bëre burg.
Më vonë shkove në Çikago. Ndiqja me shpresë televizorin tonë kur dilte në ekran Çikagua e madhe, se mos të shija. Dhe ja ndodhi mrekullia: Një dite, ishte festa e flamurit në Çikago. Në ekran doli konferencieri Pandi Ciku dhe tha: dhe tani ftoj këtu kryetarin e festës së flamurit, MEMISHA GJONZENELI.. .Sa tha emrin tënd desh më ra të fikët. Kur dole ti, salla me mbi 1000 veta, të priti me duartrokitje të zjarrta.
Ti, i veshur me këpucë të zeza. me kostum të zi, me këmishë të bardhë, me kollare kuq e zi, si flamuri, sa i bukur ishe, shpirt. Kështu të ëndërroja qindra herë të ishe dhëndër kur të më merrje mua, mua, mua...Ti fole pak, po shumë bukur. Pastaj u ule në qendër të tribunës. E dija, po dhe mu përforcua, se zemra ime kishte pas me kohë shumë të drejtë. Dhe unë e ndieja veten krenare që të doja TY, TY, vetëm Ty. Ekrani e mbylli me Çikagon gjigande dhe vazhdoi me tej në gjithë Amerikën. E prita dhe e kërkova edhe vitin tjetër po nuk të pash. Mbas dy vitesh, të pash prapë, se u përsërit e njëjta ceremoni.
Më kryesorja, shpirt, dhe më interesantja për mua, ishte dita kur televizori shqiptar dha me rastin e 100 vjetorit, ngritjen e flamurit në VLORË dhe presidenti dekoroj 20 e ca veta për kontribute të veçanta. Në mesin e tyre ishte dhe emri yt. Presidenti të dekoronte me Medaljen e Artë NAIM FRASHERI. Unë u çmenda dhe gjithë natën nuk fjeta. Prisja mëngjesin të merrja gazetën. Me së fundi, mora gazetën në dorë, e lexova edhe njëherë dhe e putha, ku qe emri yt. Me të në dorë shkova te babai plak dhe te vëllai duke qarë dhe u thashë: Shikoni, ky ishte armiku i popullit që më thatë. Presidenti i Republikës dhe VLORA , e kanë dekoruar... Ju, ç’patët me ne, pse na e shkatërruat jetën? Babai u largua kokë ulur e i përlotur. Ndërsa vëllai më tha, i penduar thellësisht: kemi lënduar shumë njerëz ndër ta dhe të afërm, po më shumë kemi plagosur veten. Është e kotë të të kërkoj unë të falur. Vet koha u kërkon të falur.
Këtë letër po e shkruaj me stilolapsin special, që më dhe si kujtim. Nuk e kam përdorur, që kur ma fale Ti. Ai do rrijë me mua deri në fund.
Të lutem, po munde, gjeje dhe ti rrugën, si e gjeta unë dhe më shkruaj, qoftë dhe dy rreshta, të lutem.
Të puth në të gjitha vendet që më puthje Ti. Me Ty, në shpirt dhe në zemër. Ana, Ana!
E mora letrën, e palosa dhe e futa në xhepin e pasmë të pantallonave dhe dola të ha bukë jashtë. Ishte shumë vapë, po unë gjithashtu, nuk isha në vete. Ajo letër më kishte hequr koren e asaj plage, që nuk e mbylla dot kurrë. Në darkë, kur u mblodha në shtëpi, fus dorën ne xhep, të marr letrën, kur ç’të shoh: boja ishte shkrirë nga djersa në xhep dhe as që mund të lexohej më..qesha me vete dhe thashë: e kanë kotë të gjithë kundërvepruesit. Askush nuk na i heq dot dashurinë e vërtetë. Veç Zotit! Ne atë e kemi thellë në zemër. Letrën unë e di përmendësh me pikë e me presje..
Gati po më zinte gjumi i ulur te krevati i vëllait. Ai i hapi sytë me vështirësi dhe më tha: Të lutem vëlla, shko fli, se ke kaluar gjithë ditë me mua. Tani do vij gruaja.
U ngrita dhe shkova te krevati, me mendjen të dyzuar te vëllai dhe te letra.
Po ju pyes Juve, lexues të dashur: A duhet t’i kthej përgjigje Anës?.
Çikago, 15 Prill 2018
No comments:
Post a Comment