Saturday, 31 August 2019

“Ura e Fshajt” ose “Ura e Shenjtë”






Balada e murimit
…fragment studimi…


Nga Timo Mërkuri


Ura e Artës[1](greqisht:Γεφύρι της Άρτας ) është një urë guri (quhet dhe Ura e Gurtë e Artës) rreth një kilometër në perëndim  të qytetit të Artës në Greqi dhe  lidh dy brigjet e lumit Άραχθος / Árakhthos)  


        Është ura më e famëshme në Epir, si për stilin e ndërtimit ashtu dhe për legjendën që mbart.   
        Me gjatësinë aktuale 142 m, me gjerësi  4 m, ka katër kamare dhe pesë këmbë mbështetëse 
në ujë. Përbëhet nga katër harqe të mëdhenj dhe tre më të vegjël.  Katër harqet gjysmërrethore nuk kanë simetri midis tyre. Mbështetëset (piedestalet) janë ndërtuar me gurë të mëdhenj në bazament, duke imituar ndërtimet helene[2]. Ka arkitekturë osmane,  dhe është ndërtuar me mate
rial guri. Ndërtimi ka përfunduar  në vitin 1612.
         Hipotezohet se ura e Artës së pari, u ndërtua në kohën e Pirros së Epirit dhe së dyti, në 
kohën e  Despotatit të Epirit, kur Arta ishte kryeqyteti i shtetit nën Mihail II Duka (1230-1271), 
por nuk dihet asgjë për fatin e këtyre ndërtimeve. E dokumentuar është ndërtimi i urës aktuale 
të Artës   në vitet 1602-1606 apo 1613. Në këtë periudhë  sulltanët  e Stambollit {Sulltan Mehmeti III (1595-1603) dhe Sulltan Ahmeti I (1603-1617)}  i kushtuan rrëndësi zgjerimit të infrastrukturës rrugore në teritoret  ballkanike të perandorisë, sigurisht për qëllime ushtarake.          
          Por Serafimi, Kryepeshkopi i Artës, ka shkruar se ura është financuar,  nga një tregëtar Artinos i quajtur  Jani Dhjakojani, i cili ushtronte tregëti me vise të ndryshme dhe ishte i interesuar për ndërtimin e një ure në këtë vend.
             Në strukturën e ndërtimit të saj është i dukshëm  harku i madh, i cili  ka krijuar probleme si gjatë ndërtimit ashtu dhe më von për shkak të lartësisë dhe të gjërësisë së tij si dhe të vrullit të lumit në këtë vend, apo edhe lëvizjeve sizmike dhe  ka pësuar rrënie disa herë, ç’ka ka lindur edhe  legjendën e murrimit gjatë procesit të rindërtimit. Sipas burimeve greke, rindërtimi i këtij harku sipas stilit osman, për herë të fundit është bërë në  vitin 1612 deri në vitin 1615.
         Sipas baladën popullore për ndërtimin e kësaj ure ishin mobilizuar 45 muratorë dhe 60 çirakë  nën drejtimin e një kryemjeshtri. Ata punonin ditën por gjatë natës themelet e urës shëmbeshin. Një ditë aty pranë  fluturoi një zog i cili, duke folur me zë njeriu, i thotë  kryemjeshtrit (protomastora) se ura do qëndronte pa u rrëzuar e do ngrihej vetëm në qoftë se në themelet e saj do murosej gruaja e tij…Dhe kështu ndodhi murimi i gruas së kryemjeshtrit (protomastoras). Ajo në fillim lutet, pastaj nis e mallëkon urën dhe kalimtarët që do ecnin mbi ‘të, por më pas e ndry-shon mallëkimin. Në këtë mënyrë ura e mori flijimin që kërkohej, gruan e kryemjeshtrit dhe u ndërtua normalisht. Kur banorët e Artës kalojnë mbi urë edhe sot, në shënjë resspekti për sakrificën e gruas së kryemjeshtrit, i mbajnë sytë ulur dhe flasin me zë të ulët.
         Mirpo historia greke e tregon ndryshe ngjarjen.. Kur u planifikua pushtimi  i krahinës së Artës dhe zonat përreth, nga turqit[3]  u pa e domosdoshme ndërtimi i një ure që do lidhte dy brigjet e lumit të rrëmbyeshëm për të kaluar ushtria. U dërguan së pari disa dervishë të ftonin popullsinë vendase të kontribuonte për të ndërtuar një urë. Banorët fillimisht treguan gatishmërinë të bashkpunonin në ndërtim, të joshur nga shpërblimi. Por kur kuptuan qëllimin e vërtetë të ndërtimit të saj që synonte në pushtimin e Artës dhe zonave përeth, menduan ti shmangen angazhimit ose së paku të vonojnë  kohën e ndërtimit të urës. Filluan të prishnin natën atë që ndërtonin ditën. Turqit u shqetësuan nga dëmtimi i natës dhe pyetën pse ndodh kjo. Banorët i sqaruan se vendi ku ndërtohej ura mbartte një mallëkim, dhe  ata që do kalonin përmbi urë nuk dihej a do ktheheshin përsëri. Për të hequr këtë mallëkim, duhej sakrifikuar në themelet e saj një person i dashur, vdekja e të cilit të shkaktonte shumë dhimbje. Me siguri banorët aludonin për ndonjë ushtarak të lartë turk, por komandanti turk urdhëroi murosjen e gruas së kryemjeshtrit . Dhe i dhanë jetë legjendës së një zogu që i sjell kryemjeshtrit lajmin …    
             Edhe variantet rozë nuk mungojnë për këtë urë. Thuhet se gruaja e kryemjeshtrit paskësh rënë në dashuri me again e vendit dhe me qëllim që ta zgjaste kohën e romancës, dërgonte netëve njerëz që të prishnin atë ç’ka ndërtonte i shoqëi ditën. Por ç’do tradhëti e ka ditën e zbuli-mit dhe kryemjeshtri e kuptoi tradhëtinë e së shoqes. Me qëllim që ta ndëshkonte  gruan, sajoi legjendën e rrëzimit natën të ndërtimit të ditës, vizitën e zogut udhëzues dhe vuajtjen (kinse) e tij për murimin e së shoqes.
        Në fakt kjo urë, veçse ka ndihmuar banorët në lëvizjet e tyre, ka qënë edhe burim dhimbjesh të mëdha. Nëpër këtë urë kalonin ushtritë turke për reprezalje ndaj popullsisë në raste kryengritjesh, këtu kalonin  fëmijët që mereshin nizam për turqinë si dhe taksat në natyrë që i mireshin popullatës.
         Në bregun lindor të lumit (Arachthos), pranë fillimit të urës, ende ndodhet një  pemë e ma-dhe  qysh nga koha e Ali Pashës. Thuhet se Ali Pasha qëndronte i ulur  në hijen e kësaj peme dhe sodiste ekzekutimin me varje në degët e saj, të  të dënuarve të tij me vdekje. Egziston një këngë popullore për këtë pemë  që thotë: "Ç’mallëkim  ke marrë që qëndron  e tharë me rrënjët në ujë? 
/Ali pasha erdhi dhe ujë nuk  piu as vetë[4]….
         Gjer në  vitin 1881, kur Arta u çlirua nga turqit[5], ura shënonte kufirin e   Greqisë me Perandorinë Osmane ( pjesë e së cilës ishte dhe Shqipëria e okupuar) dhe postblloku turk  ndodhej në një godinë të ndërtuar në vitin 1864. Kjo godinë sot shërben si Muzeu Folklorik i Artës.  Më 23 shtator 1944 gjermanët në ikje, tentuan ta hidhnin në erë urën, por përmasat e krimit dhe jehona e tij i stepën.
               Është e natyrëshme që  legjenda e Urës së Artës të ketë  frymëzuar shumë shkrimtarë grekë, të cilët e kanë përjetësuar artistikisht flijimin e gruas së kryemjeshtrit nëpër romane, novela dhe tragjedi si:
-  “Tri urat e Artës” dhe “Ura me tri harqe” nga Babis Dermitzakis
- “Ura e Artës” Revista NOMAS 1905 nga Elias Vouterides
 “Ura e madhe” tragjedi e shkruar në 1909, nga  Niko Kazanzaqis, vënë në skenë 1919
 “Sakrifica në Artë” nga Stelio Seferiadhis dhe  “Këmba e urës” 1927 nga Panajotis Fotiadhis
 “Te këmbët e urës” 1930 nga Theodhoros Regulidhis dhe “Ura e Artës” 1942 nga G. Theotakas
 “Gruaja e mjeshtrit” 1950 nga Philonos Ktenidhis,    dhe “Ura e Artës” 1960 nga Yani Andritsos 
Është interesant fakti se, në portalet greke, hipotezohet që edhe shkrimtari Ismail Kadare temën e romanit “Ura me tri harqe” (1989) e ka marrë  nga kjo urë, ndonëse ngjarja zhvillohet në treva të tjera shqiptare.
          1- Varianti grek i këngës  së Urës së Artës  është:

ΤΟ ΓΕΦΥΡΙ ΤΗΣ ΑΡΤΑΣ[6]

Σαράντα πέντε μάστοροι κι εξήντα μαθητάδεςγιοφύρι εθεμέλιωναν στης Άρτας το ποτάμι.
Ολημερίς το χτίζανε, το βράδυ εγκρεμιζόταν.
Μοιριολογούν οι μάστοροι και κλαιν οι μαθητάδες:
"Αλοίμονο στούς κόπους μας, κρίμα στις δούλεψές μας,
ολημερίς να χτίζουμε το βράδυ να γκρεμιέται."

Πουλάκι εδιάβη κι έκατσε αντίκρυ στό ποτάμι,
δεν εκελάηδε σαν πουλί, μηδέ σαν χηλιδόνι,
παρά εκελάηδε κι έλεγε ανθρωπινή λαλίτσα:
"Αν δε στοιχειώσετε άνθρωπο, γιοφύρι δε στεριώνει,
και μη στοιχειώσετε ορφανό, μη ξένο, μη διαβάτη,
παρά του πρωτομάστορα την όμορφη γυναίκα,
που έρχεται αργά τ' αποταχύ και πάρωρα το γιόμα."

Τ' άκουσ' ο πρωτομάστορας και του θανάτου πέφτει.
Πιάνει, μηνάει της λυγερής με το πουλί τ' αηδόνι:
Αργά ντυθεί, αργά αλλαχτεί, αργά να πάει το γιόμα,
αργά να πάει και να διαβεί της Άρτας το γιοφύρι.
Και το πουλι παράκουσε κι αλλιώς επήγε κι είπε:
"Γοργά ντύσου, γοργά άλλαξε, γοργά να πας το γιόμα,
γοργά να πας και να διαβείς της Άρτας το γιοφύρι."
Να τηνε κι εξαναφανεν από την άσπρην στράτα.

Την είδ' ο πρωτομάστορας, ραγίζεται η καρδιά του.
Από μακριά τους χαιρετά κι από κοντά τους λέει:
"Γειά σας, χαρά σας, μάστοροι και σεις οι μαθητάδες,
μα τι έχει ο πρωτομάστορας και είναι βαργιομισμένος;
"Το δαχτυλίδι το 'πεσε στην πρώτη την καμάρα,
και ποιος να μπει, και ποιος να βγει, το δαχτυλίδι νά 'βρει;"
"Μάστορα, μην πικραίνεσαι κι εγώ να πά σ' το φέρω,
εγώ να μπω, κι εγώ να βγω, το δαχτυλίδι νά 'βρω."
Μηδέ καλά εκατέβηκε, μηδέ στη μέση επήγε,
"Τράβα, καλέ μ' τον άλυσο, τράβα την αλυσίδα
τι όλον τον κόσμο ανάγειρα και τίποτες δεν ήβρα."

Ένας πηχάει με το μυστρί κι άλλος με τον ασβέστη,
παίρνει κι ο πρωτομάστορας και ρίχνει μέγα λίθο.
"Αλίμονο στη μοίρα μας, κρίμα στο ριζικό μας!
Τρεις αδελφάδες ήμαστε, κι οι τρεις κακογραμμένες,
η μια 'χτισε το Δούναβη, κι η άλλη τον Αφράτη
κι εγώ η πλιό στερνότερη της Άρτας το γιοφύρι.
Ως τρέμει το καρυόφυλλο, να τρέμει το γιοφύρι,
κι ως πέφτουν τα δεντρόφυλλα, να πέφτουν οι διαβάτες."

"Κόρη, το λόγον άλλαξε κι άλλη κατάρα δώσε,
πο 'χεις μονάκριβο αδελφό, μη λάχει και περάσει."
Κι αυτή το λόγον άλλαζε κι άλλη κατάρα δίνει:
"Αν τρέμουν τ' άγρια βουνά, να τρέμει το γιοφύρι,
κι αν πέφτουν τ' άγρια πουλιά, να πέφτουν οι διαβάτες,
τί έχω αδελφό στην ξενιτιά, μη λάχει και περάσει.
Kjo baladë greke e përshtatur në gjuhën shqipe është si vijon:
Ura e Artës
            Dyzet e pesë ustallarë dhe gjashtëdhjetë cirakë, 
Një urë po ndërtonin tek lumi i Artës, 
Tërë ditën ndërtonin, natën ai shëmbej. 
Vajtojnë ustallarët dhe qajnë çirakët. 
“I kotë mundimi ynë, gjynah për punën tonë, 
Tërë ditën të ndërtojmë dhe natën të na shëmbet” 
Një zog kaloi dhe qëndroi përballë lumit, 
Nuk cicëronte si zog, e as si dallëndyshe, 
Por nisi të fliste me zë njeriu, 
“Po nuk murrosët një njeri, ura nuk qëndron, 
Dhe mos murrosni ndonjë jetim, të huaj, a kalimtar, 
Por vetëm gruan e bukur të kryemjeshtërit ” 
E dëgjoi kryemjeshtëri dhe i bie vilani, 
Fillon edhe vajton dhe po i thotë dallëndyshes, 
“Ngadalë të vishet, ngadalë të ndërohet,
 dhe  ngadalë të vijë në mbrëmje”,
 Por dallëndyshja e dëgjoi gabim dhe ndryshe ja çoilajmin, 
“Shpejtë vishu e ndërohu, e shpejtë të shkosh në mbrëmje 
Shpejtë të shkosh dhe të kalosh urën e Artës”, 
Dhe të shkosh edhe të vish nga sokaku i bardhë,
 E pa kryemjeshtri dhe i ngriu gjaku, 
Nga largë ata i përshëndet dhe nga afër u thotë,
 “Ditë të mbarë ju ustallarë dhe ju çirakë të rinj,
 Por  çfarë ka kyemjeshtri që është  i trishtuar?” 
Unaza i ra tek harku i parë, dhe kush do të hyjë,
 dhe kush do të shkojë, unazën që të gjejë? 
" Usta mos u hidhëro se unë po zbres ta mar, 
Unë do zbres e unë do ngjitem, unazën do të gjejë, 
As deri në fund nuk zbriti, e as deri në mesë nuk shkoi, 
“Tërhiqe litarin terhiqe edhe zinxhirin, 
Të gjitha po i kthej përmbys dhe asgjë nuk po gjej” 
Njëri po fillon me lopatën dhe tjetri me gëlqeren, 
Vjen edhe kryemjeshtri dhe hedh një shkëmb të madh.
 “Mjerë për fatin tonë, turp në rrënjët tonë!, 
Tre motra ishim, dhe të tre fatëzeza. 
Njëra ndërtoi Danubin, tjetra ndërtoi Eufratin, 
Dhe unë më e vogla urën e Artës, 
Siç dridhet karafilli, ashtu të dridhet edhe ura, 
Dhe si bien fletat e pemëve, kështu të bien kalimtarët” 
“Bijë, fjalët ndryshoi dhe mallkim tjetër jep, 
Se ke vëlla të vetëm, mos rastis dhe ai kalon” 
Dhe ajo fjalët ndryshoi dhe një tjetër mallkim jep: 
“"Nëse malet e egra dridhen, të dridhet edhe ura,
 dhe po bien zogjtë e egër, dhe kalimtarët të bien, 
se kam vëlla në mërgim, mos rastis dhe kalon..

                 




                2- Kjo baladë, në zonën e Artës egziston në gjuhën shqipe, madje në disa motërzime. Po  paraqesim dy nga motërzimet e shumta të variantit shqiptar të kësaj balade dhe pikërisht dy nga variantet çame, njera[7]prej të cilave është më afër shqipes standarte,  me titull “Urën e Artës ndërtojmë”[8]dhe që janë si vijon:
.
URËN E ARTËS NDËRTOJMË

Tre vëllezer kaha Lluri:
ki Panua, ki Mihal Guri,
Kiçua i vogël si nuri,
- Të tre vëllezer që jemi,
5-dizet pëntorë i kemi
[9],
urën e Artës ndërtojmë,
natë e ditë nuk pëshojmë,
dot në këmbë s’e qëndrojmë.
Urë, moj urë e mallkuar,
10-ç’fal të kemi, ja na thuaj?
Ati shkon një plak e u thotë:
- Pënofshi sot edhe mot,
po ura s’u qëndron dot,
pa vënë një shpirt në botë,
15-e një dem të zi t’e vini,
e një dash të zi t’e vini,
atje nek bëni themelin,
Kushtu ndreqetë kjo urë,
të shkojnë gjithë në urë,
20-ujt’ e lumit - mos t’i njumë
të shendosh’ e të sumurë.
Në kloft’ se plakun dëgjoni,
nuseve mos u rrëftoni,
t’a bëni me besa-besë,
25-kush t’e sellë bukën nestër,
ne themeli ta mbëloni,
edhe demin t’e mbëloni,
edhe dashin t’e mbëloni
Kiçua i vogël ish me besë,
30-Panua e Mihua të pabesë.
Thotë vjehrra nuses madhe:
- Ngreu ti, oj nusa e madhe,
shperu bukën ustallarve.
- Vjehrrë, o vjehrrë, ku ma gjete,
35-le ta shperë nusa e mesme,
se e kam djalin me ethe.
Thotë vjehrra nuses mesme:
- Ngreu ti, oj nusa e mesme,
shperu bukën ustallarëve,
40-Dale, nanë, se kam pak punë,
se kam duartë me brumë.
I thotë vjehrra nuses vogël:
- Ngrehu ti, oj nusa e vogël,
shperu bukën ustallarëve.
45- Dale nanë, se kam pak punë,
sa të vë djalin në gjumë.
- Ikë ti, se e vë unë.
- Mirë nane, vete unë.
U nis nusa për në urë:
50-Puna e mbarë, o ustallarë!
- Mbarë paç kunata jonë, -
i tha Panua me Mihalë.
Thotë Kiçua i vogëli:
-Grua, kur të paçë me si,
55-i tërë dheu m’u nxi.
Kemi tre vjet që pënojnë,
e dot urën s’e mbarojmë:
gjithë ditënë pënojmë,
gjithë natën n’e rrëzojmë.
60-Sh’ke, imzot, që klan me lot,
pse vëzhdrin ashtu në gropë?
- Më ra ognaza në gropë
[10]
më ra ognaza në lumë.
- Atë ognazë ta marrte unë!
65-«Po nusa sa ishte ulë
nisin që t’i hedhin gurë.
Nusa u thotë: «Pse, o burrë
përsiper me hidhni gurë,
pa u bënë sumurë kurrë,
70-pa thertur as këmbë, as dorë,
pa thertur as këmbë, as kokë,
më vë të gjallë në botë?
Po ata të këmba n’urë
po e bëlojnë me gurë.
75- More burr’, a i ziu burrë,
po më bën direk në urë.
O moj urë, e zeza urë,
kur të shkojnë të semurë,
të dridhesh si dridhem unë.
80-Burrë, do të them një fjalë:
jamanet të zinë djalë,
kutu nek do vihem unë,
do bijë një fik i bardhë,
kur të bijë kokrrën e parë,
85-t’ia ipni djalit t’e hajë.
Jamanet dhe ju kunetë,
gjoksin të m’e lini jashtë.
Gjoksin jashtë ja kanë lënë,
rrodhi një krua i ergjëndë,
90-djalin e rritte e madhonte,
të sumurët i shëronte.

Rokë - Llur (Filipjadhë), Fier 1954.

 Ndërsa variant tjetër është si vijon:

URA E ARTËS KUR ISHTE BËNË

Ju t’e dini, mre, shokë e sahi,
Ura e Artës mre, kur ishtë bënë,
tre vëllezër kaha Lluri klenë.
Të tre emrat na i kanë pasë.
Mihë Guri të madhit ia thoshin,
dhe të mesmit Pani mre, ia thoshin,
dhe i vogli Kiçi e kish ëmrin.
Tre, vëllezrit atje që penojnë.
Dizet djema pënëtore i kanë.
Punë natë bëjnë e punë ditë,
puna fare nuk u del për dritë.
Atje shkon një plak edhe u thotë:
«Ustallarë, ju mre ustallarë,
kurrë puna s’do t’u vejë mbarë!
Si mundet puna mre t’u vejë mbarë,
si mundet ura juve t’u qëndrojë,
pa u bënë një njeri kurban,
pa një dem që ta keni bëluar,
pa një dash që ta keni bëluar,
nënë këmbët e Urës së Artës?
Kështu puna do t’ju vejë mbarë
Ura e Artës kështu do ndërtohet».
Si t’ia binin mre e çish t’ia binin?
Kollaj kle mre për demin e dashin.
Berri i shkretë edhe theret me zor,
po çish njeriu mre ati të sellin?
Tre vëllezënit na janë mëjtuar:
- Më saba bukën - thanë - kush t’e sellë,
çil kunatë këtu të vijë e para,
në themel të gjallë do t’e vënë.
Edhe një dem atje do t’e vënë,
edhe një dash atje do t’e vënë,
kushtu ura do rrijë më këmbë.
Po i pari s’na kle gënjeshtiar,
s’na gënjente mre i pari inë:
se «vëllai ta xerr sirin më thellë».
Pani e Miha, të pabesë klenë,
grave tire ata u treguan.
Fushës Artës, mre kur ura sabahu,
nusa e Kiços mre, nek ura shkon,
gosur torvat mre me bukë e gjellë:
- Mbarë u vaftë, o ju ustallarë!
-Mbarë paç, o moj kunata jonë!
Thanë Pani dhe ai Mihë Guri.
Kiçit vogël, po i thotë e shoqa:
- Çish ke, o ti imzot, që po klan?
- Në themele sa më ra ognaza,
më ra thellë e do ma marrë lumi.
- Atë ognazë imzot - do t’a xerr unë.
Kur ka zdrikur nusa atje poshtë,
bët e bët ata, i huadh gurë.
- O ti burrë, mre i ziu burrë,
pse me botë gjallë me bëlon?
Nonjë fal në jetë s’bëra kurrë:
Edhe ti e zezë Urë e Artës,
të më dridhesh kùshtù si dhe unë;
gjithë njerzit të dridhen bi urë,
hoj shëndoshë, mre hoj të sumurë!
Dëgjo burrë edhe ju kunetë,
do t’u lë mre sot-o një amanet,
një amanet të rëndë gur mulliri,
djalin tim ju amanet t’e kini:
Do të mbijë kutù një fik i bardhë,
kur të pjekë aj kokrrën e parë,
ju t’ia ipni djalit tim t’e hajë,
edhe gjoksin jashta të m’e lini!
Gjoksin jashta mre, ia kanë lenë,
rrodhi ati një krua i ergjëndë,
vij e pij mre, djali e madhohej,
vij e pij i sumuri e shërohej.
Ura e Artës mre, qëndron dhe sot.
Dhe nga njerzit bi të kur kalojnë:
po dëgjohet demi që pëllet,
po dëgjohet dashi që bërtet,
zeri i nuses që thotë «oh, medet!»

Mazrek — Margëlliç, Vlorë 1954


         Në një krahasim mes  variantit grek dhe variantit shqiptar[11]të kësaj  balade, konstatojmë nivele të ndryshme të pasqyrimit dhe  trajtimit të elementëve të saj thelbësorë.
                                
                                              …vijon….


[1].Qyteti i Artës është ndërtuar në të njëjtin vend që në kohët e lashta ka ekzistuar një nga qytetet më të rëndësishme në këtë zonë, Ambrakia.Ambrakia e lashtë, e mori emrin e vet nga Ambrakio, bir i Thesprotikut, një hero i Thesprotisë, i biri i Lykaon) Etimologjikisht fjala Ambraki  rrjedhin nga bashkimi i Abi + Rakita  =  breg shkëmbor, dhe do të thotë bregdet shkëmbor. Në kohën e Pirros ishte kryeqyteti i  Epirit. Në vitin 168 p.es. u shkatërua nga Konsulli romak  Marcus Fulvil Noviliorus, i cili rrëmbeu dhe çoi në Romë rreth njëmijë statuja të grabitura në këtë qytet. (Për të dhënat te “Ura e Artës” dhe “Kalaja e Prevezës” kemi shfrytëzuar burimet greke, ballafaquar me burimet e pakta shqiptare).

[2]Është vërtetuar  një ndërtim i urës në kohën e Pirros së Epirit.
[3]Në fakt Arta dhe krahina ju dorëzua  osmanëve më 10 mars të vitit 1449 me marveshje, ndërsa ura është ndërtuar në 1602-1613, pra me një distancë të madhe kohore. Periudha e ndërtimit të urës nuk ka lidhje me ndonjë luftë pushtuese por me forcimin e pushtetit turk në zonat e pushtuara..
[4]«Τι έχεις καημένε πλάτανε και στέκεις μαραμένος με τις ριζούλες στο νερό/ Αλή πασάς επέρασε και δεν μπορώ να πιώ».
[5]Arta u  muar në dorzim nga turqit në 10 mars të vitit 1449 dhe uçlirua nga turqit në në 24.06.1881, duke u bashkuar me Greqinë, që e  kishte fituar pavarësinë nga Turqia në  03 shkurt 1830. Janina u bashkua me Greqinë në 21 shkurt 1913, pas betejës së Bezhanit.

[6]Αποκτήστετο από ... el.vvikipedia.org / vviki / Γέφυρα Άρτας
[7]  Marrë nga Mbledhës të folklorit.  “Këngë Popullore nga Çamëria” Tiranë 1983 fq 401 por ndodhen 
    edhe  te vvikipedia në linkun.. https://sq.ëikipedia.org/ëiki/Ura_e_Nart%C3%ABs
[8]Në disa botime kjo baladë ka titullin “Urën e Nartës ndërtojmë” sepse Arta  quhet Narta. Ne ju 
   referuam emrit zyrtar që përdor shteti grek, në teritorin e të cilit ndodhet, por edhe shqiptimit 
   popullor. I paraqesim të dy variantet për efekt studimi apo krahasimi nga lexuesi i interesuar.
[9]Ky varg është i mbartuar (huazuar) nga variant grek i baladës pasi në të gjitha variantet e baladës së 
 murimit në gjuhën shqipe, ndërtimi i urës apo kështjellës bëhet vetëm nga tre vëllezër, me   
  përjashtim të variantit të  Gradec në Gostivarku balada quhet “Kënga e tridhjetë ustallarëve”.

[10] Motivin e humbjes së unazës te themelet e urës, motiv me të cilën gënjehet nusja e re  për të zbritur 
     te themelet, ku do bëhet murimi është një motiv që gjëndet gati në gjithë  variantet e Shqipërisë së 
     Mesme dhe të Jugut. Por ky motiv është kryesisht i vetmi i përhapur në variantet greke, bullgare apo      
     aromune.


[11]Në këtë analizë, për lehtësi kuptimore, kemi shfrytëzuar variantin  “Urën e Artës ndërtojmë” i 
   cili është më afër shqipes standarte.

No comments: