Resmi Osmani
Novelë
1
Ishulli i vogël malor i
Albalongës shtrihej në Atlantik në brezin tropikal, larg brigjeve
kontinentale dhe i rrahur pak nga rrugët
detare. Kishte bukurira dhe pamje të pashoqe: Kodra e male të bleruara, gjiredeti
me plazhe rërëbardha, lugina dhe fusha të gjera që përshkoheshin nga lumenjtë.
Popullata, që arrinte katër milionë ishte kryesisht ispanike, kreole dhe pak
negroide. Ekonomia e ishullit mbështetej në prodhimin bujqësor: Kallamsheqeri, bananet,
frutat e tjera tropikale, duhanin
gjethemadh që jepte purot e famshme “Manjifik”, orizin, që përbënte bazën e ushqimit dhe
blegtorinë, kryesisht gjedhet. Në shpatinat e larta të sierras, selitej kafja
arabike prej së cilës prodhohej e famshmja “Oskar”. Një pjesë e mirë e popullatës ishte e punësuar
në minierat e plumbit, kallait, zingut dhe argjendit.
Aty nga fillimviti 60-të, pas disa vjet
lufte civile, në pushtet erdhi drejtuesi revolucionar marksisto-anarkist,
Ksavier dela Roka me klikën e tij, që preu çdo lidhje me perndimin dhe u lidh
me vendet e lindjes komuniste. Ishulli rënkonte nën diktaturë. Pas shtetzimeve
dhe nacionalizimit të pasurve, nisi gjuetia e shtrigave . Kush kishte mendim
ndryshe gjykohej, dënohej dhe dërgohej
në kampet e punës të minierave. Të shumtit vdisnin nga helmimi i ngadaltë i
oksidit të plumbit dhe silikoza. Me doktrinën e tij ekonomike të autarkisë,
diktatori e zhyti vendin në varfëri të skajshme. Nga mesi i viteve tetdhjetë, diktator
vdiq papritur nga një atak në zemër. Iu bë varrim madhështor në panteon. Albalonga
mori frymë e lehtësuar se tashmë diçka do të ndryshonte. Pasardhësi i qëndroi
besnik. Me ca politika dredharake dhe dhelpëri ekonomike ,përpiqej tu hidhte hi
syve. Regjimi tashmë ishte kalbur si një frut i tejpjekur në degën e pemës, mjaftonte
një lëkundje që të rrëzohej. Jehona e ndryshimeve në vendet e lindjes erdhi dhe
në Albalongën e cfilitur. Në korrik u ngritën
në demonstrate massive studentët e kryeqytetit Vilaverde dhe minatorët e
minierave. Policia bëri raprezalje, por pa dobi. Ngrehina e shtetit ishte
krisur. U hapën burgjet dhe të burgosurit politikë iu bashkuan lëvizjes
Julianiste. Nga Majami, Florida dhe vende të tjera vërshoi emigracioni politik.
U pranua dhe dekretua pluralizmi politik dhe pa kaluar gjashtë muaj rrëmuje e
anarkie, u bënë zgjedhjet legjislative, që u fituan me shumicë nga partia
“Julianiste” . Diktaturës i kishte ardhur fundi.
*El Toro,demi,spanjisht
2
Limuzina qëndroi pranë portës.
Oficeri shoqërues i hapi derën dhe shkëlqesia e tij zbriti plot gjallëri.
Familjarët ishin rreshtuar si në roje nderi. Shkëlqesia hapi krahët si të donte
t’i përqafonte të gjithë, por nuk shpëtoi dot. Në faqe i mbetën gjurmët e
buzkuqit të zonjave dhe gudulisjet e mustaqeve të burrave. I rrethuar nga
familjarët e vet që ngazëlleheshin nga prania e tij, shkëlqesia u ul në
kolltukun e sallonit, që mezi i nxinte të gjithë. Familja e kthyer nga
emigracioni, kishte zbuar me forcë qiraxhinjtë dhe kishte hyrë në vilën ”Roza
bianka”, që ia kishte sekuestruar regjimi.
-Arritëm një fitore historike, - tha
ai duke trashur zërin.- Tashti çdo gjë do të ndryshojë, i përkasim botës së lirë, botës së ëndrrave, botës së qytetëruar,
të pasur e të begatë. Populli ynë i vuajtur e meritonte.
Familjarët duartrokitën.
-Bravo, tha i vëllai, don Ernesto, sa shumë
e kemi pritur këtë ditë!
Halla e
madhe dona Elvira, e mallëngjyer, sypërlotur, i gëzohej të nipit.
-E kam thënë edhe herë tjetër,
dyert e mëdha, janë shtylla e këtij kombi, nxjerin djem zotdalës të atdheut-
dhe e ngashëryer, e futi kokën e plakur në gjoksin e nipit, i cili i mallëngjyer
i ledhatoi flokët e zbardhur- Më vjen keq që i shkreti vëlla, Vitorio, që u
prehtë në paqe, nuk e arriti dot këtë ditë, që të gëzonte bashkë me ne.
Shishja e shampanjës që u hap,
krisi si pushkë, trokëllinë kristalet dhe u pi dollia e fitores. Të gjithë
heshtën ngaqë shkëlqesia ngriti pak dorën për të kërkuar fjalën.
-E di,- tha ai hijerëndë,- ju të
gjithë prisni nga mua, por u siguroj se nuk do të zhgënjeheni. Programi që kemi
afishuar para elektoratit do të zbatohet një për një. Do të kthehen pronat:
vilat, hotelet, dyqanet, latifondet, të gjitha, të gjitha, do ti themi lipsu
varfërisë! Do të vendoset demokracia e vërtetë, me institucionet e saj të
pavarura, liritë dhe të drejtat e
mohuara.
-O Zot!- u ngashërye halla e madhe,- mënon por nuk harron! I shkreti Vitorio që nuk ia arriti kësaj dite.
-Kur ju të gjithë moj hallë do të
merrni hakun, atë që ka qenë juaja dhe ju takon edhe ai do të ndjehet i qetë e
do të prehet në paqe atje ku ka rënë.
Halla bëri kryqyn dhe falnderoi
Madonën.
Shërbyen likonë e qershisë që
ngjanin si ca rruzuj qelibari, të tejpashëm, burrat morën edhe rum xhamajke
aromatik dhe në fund shërbyen kafen e famshme “Oskar”.
Kushërinjtë dhe simpatizantët u larguan. Mbetën njerzit e familjes.
Pasi kaloi dalldia e parë,
shkëlqesia e tij i hodhi dorën në qafë të vëllait, inxhinier Ernestos. E
kundroi dashurisht fytyrën e tij të ashpër e të zymtë. Buzëqeshi dhe I tha:
- Vëllaçko, don Ernesto dela
Rivera. Ndërsa ne ikëm jashtë dhe shpëtuam nga diktatura, ti nga rrethanat dhe
rastësitë fatkeqe, mbete këtu dhe provove kalvarin e vuajtjeve, burgun,
minierat, plantacionet e kallamsheqerit, baltovinat e orizoreve,
mushkonjat dhe përbuzjen pa fund të pushtetit. Edhe pse në
moshë pensioni, për ty nuk do të ketë prehje, mendoj të kesh një detyrë të rëndësishme,
drejtimin e zyrës së titujve dhe gradave, për të korregjuar atë pjesë të turpëshme
të historisë, që ka shpërblyer e vlerësuar lakenjtë, që ka ngjizur heronj të
rrem dhe ka ngjitur në piedestale puthadorët e diktatorit dhe diktaturës.
Pranon?
-Me kënaqësi,- u përgjegj don Ernesto dhe një nënqeshje e
hidhur mbiu në cepat e buzëve të holla: - Gamilet duhet të kalojnë në birë të
gjëlpërës, të shohim si do të kalojnë,- u hakërrye ai.-tani më vjen ndërmend
ajo e thëna e famëshme e konsullit romak Aurel Dioklecianit: E drejta është në
majë të shpatës, bota është e burrave dhe se fitimtarët gjithmonë kanë të
drejtë!
-Historia e këtij vendi,
nga vitet 60-të, do të rivlerësohet dhe do të rishkruhet e gjitha. Heronjtë e
rrem do të rrëzohen nga piedestalet. Se si, do t’a bisedojmë më vonë, pasi kjo
temë do të jetë pjesë e debatit të kabinetit dhe parlamentit.
Shkëlqesia shkroi diçka
prapa kartvizitës dhe ia zgjati të vëllait.
-Jepja ministrit. Që nesër
shko fillo detyrën.
- Djem, dreka është
shtruar, urdhëroni,- i ftoi halla. U nisën për në dhomën e ngrënies nga ku
vinte aroma oreksndjellëse e gjellëve.
3
Don Ernesto dela Rivera, mëngjesin
e parë që do të shkonte në punën e re, u vesh me sqimë: kostumi blu, me xhaketë
dopiopetë, me kopsa metalike që llapsnin, shamiçka e bardhë në xhepin e vogël,
jaka e ngrirë e këmishës, kravata vishnje me pikla të bardha, këpucët e
kafenjta, i nxirnin në pah trupin e fuqishëm, ndërsa flokët e thinjur të
shtruar e shkëlqyer me brilantinë i shtonin fisnikërinë. Megjithatë ajo
buzqeshja e hidhur dhe e mllefshme, si shqitej që si shqitej nga buza. E shoqja
dhe e bija i dhanë dorën e fundit, e puthën në faqe dhe i uruan mbarësi.
Shkëlqesia i kishte dërguar
makinën e tij.
Ministri e priti me nderime, e gostiti me kafe. Dha porositë e duhura që të
përgatitej gjithçka për don Erneston, që do të ishte një nga shefat e rëndësishëm në kabinetin e tij.
Shefja e administratës dhe
burimeve njerëzore, e buzëqeshur, joshëse si një koketë, e vetdijshme për
bukurinë e këmbëve që i nxirte në pah
minifundi dhe takat e larta, i uroi mirseardhjen dhe i priu në koridorin e gjatë.
Në paradhomë e priste befasia e radhës, ishte
sinjorita e bukur Ester, e këndshme dhe e çelur si një lule, sekretarja e tij.
I uroi mirëseardhjen me një përkulje të lehtë mondane. Don Ernesto u ndje në
siklet nga dekolteja e saj e hapur. Nga paradhoma, hyhej në zyrën e kartotekës,
që ndriçohej mirë nga dy dritare që shihnin nga jugu. Aty kishte një skrivani të
madhe ku vendoseshin dhe përpunoheshin
dosjet. Një derë tjetër dilte në koridor, pa qenë nevoja të kalohej në paradhomë.
Kur hapën derën e kartotekës, u ndje erë myku, kalbësire dhe letre të ndënjur.
Esteri hapi grilat dhe dritaret. Hyri flladi I freskët.
-Parardhësi juaj ka dy muaj që është
larguar, u nxor në lirim, ngaqë s’ishte i besuar politikisht, prandaj zyra nuk është
hapur dhe ajri është rënduar. Para se të largohej, i kërkuam që të vinte
rregull dhe ka sistemuar gjithë fondin e dosjeve sipas grupeve, fushave dhe
rendit alfabetik. E gjithë kartoteka është dixhitalizuar dhe hedhur në
kompjuter, gjithçka duhet, gjendet lehtësisht. Hë për hë, besoj ekselenca,
ministri ua tha. Çdo gjë ka ngrirë
dhe s’keni për të patur ndonjë veprimtari veç rishqyrtimit të dosjeve. Urime
dhe punë të mbarë. Po të keni nevojë për gjësendi, telefonomëni,- tha dhe doli
duke lënë pas aromën molisëse të parfumit të saj.
Don Ernesto e mbylli derë me çelës.
Nuk donte ta bezdisnin kureshtarët e katit të tij, që me siguri do të vinin t’i
uronin mirseardhjen. Doli në dritare. Poshtë në rrugë , nën hijen e palmave,
ishin parkuar makinat, më tej ishte një
kazan të fshirash ku një trumbë qen kërkonin ushqim. Tutje shtrihej sheshi i
“Revolucionit”, ku dukej piedestali bosh pas heqjes së trupores gjigande të
diktatorit. Në gropat e asfaltit ndrinte uji i shiut të rënë gjatë natës. “Edhe
pellgjet shkëlqejnë kur i përndrit
dielli” mendoi ai. U kthye dhe u ul në tryezë dhe mbështeti ballin në xhamin e
syprinës, por ai ishte i ftohtë ndaj u mbështet në bërryla. Muret ishin të
palyer prej kohësh. Përballë kishte mbetur gjurma e çelur e një kornize që e
kishin hequr. Me siguri kishte qënë porteti i diktatorit. Në raftet që zinin tërë
murin përballë, ishin renditur dosjet, në rresht si ushtarët. Një mal me dosje,
sipas rendit alfabetik, sipas sektorëve, shkallëve të hierarkisë, ofiqeve. Të
vdekur,të gjallë, të humbur pa gjurmë, meshkuj e femra. Kulla e dosjeve, si
kulla e babilonit. Kulla e ofiqeve, titujve, gradave, dekoratve, ndereve. Njerëz
në dosje, dosje njerëz. Do të kishte dashur edhe ai të kishte patur një dosje
atje, por nuk kishte. Ishte armik, i deklasuar, dosja e tij ishte në arkivat e
sikuredadit!
4
Të gjithë ishin aty; njerëz- dosje, dosje – njerëz, me gjithë cilsitë e
shquara. Me heroizmin dhe trimërinë, diturinë dhe talentet, lavdinë e rreme, meskinitetin
hipokrizinë, gëzimet, dhimbjet, dashuritë, karrierat e shkëlqyera me gremisjet
dhe qfaëthyerjet, pabesitë dhe hakmarrjet, një univers njerëzor me përmasa të
hatashme, që s’kishte lënë mundësi e mjet pa përdorur për tu ngjitur në krye, në
majat e pushtetit,artit dhe shkencës e për tu kurorzuar e dekoruar me urdhra të
larta, me tituj nderi e diturorë, kurora dafinash e medalje, pjesë e lakmisë dhe
lavdisë. Ja tek ishin: të mbyllur në dy
kapakë kartoni, lidhur me fjongo të zeza si gozhdë sarkofagu. Kjo ishte ushtria armike, që ai i
vetëm duhet ta mundëte. Ja tek janë, të mbyllur në ato kuti kartoni, shpirtëra
të vdekur e të gjallë, që duheshin gjykuar, vlerësuar dhe shkurorëzuar. Të
gjithë, një për një, pa asnjë përjashtim, porta ku do të kalonin ishte vrima e
gjëlpërës. E rëndë detyra që i kishin ngarkuar, por e madhe urrejtja dhe etja për
hakmarrje.
Ja tek ishin. Por nga t’ia fillonte, çduhet të bënte me ‘ta? E kapluan mendimet. Fillimi ishte i vështirë, por fillimi
i mirë ishte gjysma e punës! Uli ballin mbi pllakën e xhamit që të kthiellonte
mendimet, e ftohta e xhamit i bëri mirë zjarmisë së ballit. Teksa rrinte në atë
përhumbje, befas u dëgjua një zhurmë e mbytur si të vinte së thelli ngs fundi i
dheut, pastaj një bubullimë shurdhuese si të kishte shpërthyer vullkani
Arakataka në Sierra del Petra, shkrepëtinë rrufetë dhe zyra u mbush me avuj
squfuri dhe erë shkrumbi. Klithi i trembur, por trupin plumb të rëndë nuk e
shqiti dot nga karrikia. Ndjeu dhimbje si t’i plaste koka dhe vuri të dy duart
në ballë. Atje, për çudi preku diçka që s’e kishte patur, por sapo i ishte
shfaqur! Dy brirë të gjatë majëmprehtë, të përkulur e të lëmuar, pastaj vetiu
fytyra iu zgjat,lëkura u mbush me qime të zeza të shkurtra e të buta si mëndafsh,
flegrat e hundës u zgjeruan, pastaj e pa veten me katër këmbë e thundra të
forta, me gjoks të zhvilluar e të fuqishëm, ndërsa xhufka leshtore e bishtit i
zvarrisej përtokë! Megjithë këtë shfytyrim që ndodhi me dhembje të forta,
mendjen e kishte të kthjellët: E kuptoi se tashmë ai, don Ernesto dela Rivera, nuk
ekzistonte më, trupi dhe shpirti i tij ishin shndrruar në një dem të zi, si të
korridës: brimadh e të fuqishëm me sy që i flakërinin dhe gati të bulurinte!
Deshi të dilte nga ajo lëkurë, por vetëm sa arriti të kreshpëronte vijën e
qimeve të shpinës. “Zot.- klithi ai-ç’më bëre?” Nga lartësia e reve buçiti një
zë i fuqishëm: “Mos u tremb, kam dërguar kryengjellin Gabriel që të zbatojë
urdhëresat e mia. Ti tashti je një el Toro, i harbuar e i zemëruar. Të erdhi
koha e hakmarrjes së ëndërruar, do të shfaqen edhe mrekulli të tjera!” Pastaj u
ndje një tërmet i fortë, muret u lëkundën, u hapën, u zgjeruan dhe zyra e vogël
u shndërrua në arenën e korridës. Shquheshin
portikët madhështorë, e shtruar me rërë të bardhë. Ishte e mbushur me ndenjëse
për shikimtarët. Drita vinte që lart, e ndritshme e bardhë , por burimi që e rrezatonte nuk dukej. Tej, në llozhë
ku duhet të rrinte kryetari i Korridës, el Presidente, ishte vendosur shtatorja
e drejtësisë, në njerën dorë peshoren e fajeve dhe në tjetrën një skifter!
El Toro, mbeti i kredhur në
mjegull e mugëtirë, por një erë e beftë e shpërndau mjegullën dhe u bë dritë.
Atbotë, ai buluriu aq fort, sa jehonën e kthyen malet, shkrofëtiu dhe nga
flegrat i dolën fjolla tymi dhe flakë, gërreu me thundra truallin e arenës dhe
reja e pluhurit u ngjit në hapsirë, pastaj qielli i arenës u mbush me flutura, lakuriqë
nate, kandrra dhe zogj të vegjël kolibri, posht rrëshqitën zvarranikë të neveritshëm, gjarpërinj e krokodilë, pastaj
ushtuan boriet, tamburet e çaparet.
Jehoi marshi i toreadorit dhe el Toro, bulurinte e shkrofëtinte. Reja e
gjallesave që s’ishin veç shpirtra, u shpërnda. Mbi shkallë ra drita. Në arenë,
u dukën dosjet, në radhë, kollonë për një, të rregullta çapisnin mbi dy kapakët
e tyre. Pastaj u shfaqën posht skeletet e këmbëve dhe sipër kafkat, anash
vareshin eshtrat e krahëve dhe falangat e gishtave të duarve. Kafka me gollet
bosh të syve, por që shihnin, kafka me nofulla dhe dhëmbë që zbardhonin, pa gojë
e gjuhë, por që flisnin! Skeletet, kollonë për një ecnin , kokallat kërkëllinin:
trak-truk, truk-trak. U kthyen djathtas e si me komandë u ulën në radhën e parë
të shkallëve, pranë pistës së shtruar me rërë. Të gjallët ishin në një rresht më
vete, të tromaksur e të handakosur nga ajo që u shihnin sytë. Kur të gjithë zunë
vend, kapakët e dosjeve u hapën krejt dhe brendia e tyre u pa e plotë, skelete, apo trupore e mishtë, e gjallë e
atij që i përkiste. Një konglomerat të vdekurish e të gjallësh: Krijesa
njerzore, hije e shpirtëra, as të gjallë as të vdekur, as njerëz as fantazma. Nën
veshjen e tejdukshme shiheshin eshtrat e bardha si gëlqere të skeleteve. Çdo
njeri syresh kishte të varur me zinxhir të ndryshkur, pllakën me emrin,
profesionin titullin, gradat, medaljet titujt e dekoratat. Rrinin të ngrirë dhe
prisnin. Të vdekurit: me të shkuarën, pa të tashme ,pa të ardhme; të gjallët:
me të shkuarën e tyre, të tashmen e papërcaktuar dhe të ardhmen e panjohur. Ky
ishte gjyqi i historisë!
5
Marshi i toredorit buçiste, ishte
ai që e kishte dëgjuar sa herë te opera “Karmen”. El Toro, duke bulurirë dhe
shkrofëtirë, u turr si ta kish pickuar zekthi dhe rendi rreth arenës. I zi, madhështor,
me sytë që i nxirnin flakë, qëndroi përball gjindjes që rrinte e qetë, e
heshtur, me atë pamje të çuditshme eterike.
“Sa shumë janë,- mendoi ai,- të gjithë duhen gjykuar, vlerësuar, ndëshkuar
apo rivlerësuar e shvlerësuar. Diku nga larg dëgjoheshin kambanat e kishës së
Shëndiegos. Amin, do të bëhet!”
“Erdhi dita të gjykoheni,- u tha
ai- është urdhër i Partisë dhe Zoti kështu e deshi. A i dëgjuat kambanat? Kini
mendjen: Zemërimi im është i llahtarshëm, vreri më i hidhur se helmi i kobrës,
por edhe mëshira e pakufishme , e ëmbël si mjalti për të penduarit e të nënshtruarit.
Është ora e gjyqit suprem. Dridhuni apo gëzohuni sipas mëkateve, mirësive apo
ligësive e paudhësive” Ai shkrofëtiu e buluriu, gjindja u drodh dhe hapsira u
mbush me një tingëllim të qelqtë. Në anën e djathtë u dëgjuan duartrokitje , të
thirrura “Bravo” dhe tringëllime kokallash. “Ata janë të mitë” mendoi ai.
Në qiellin e arenës u dëgjua rrapëllima
e një motorri. Ishte një helikopter i vogël që zukaste si grerëz. Helikopteri u
ul qetë paranë El Toros, dhe prej andej zbritën një tryezë portative dhe
sinjorita Ester, me një laptop në çantë. Kishte ardhur t’i vinte në ndihmë
shefit të saj. Ajo e vuri në çast në punë kompjuterin. Në tabelën që u shfaq, pulsuan
rreshtat fosforeshent me “Curriculum vitae” të personit të parë. El toro nguli
sytë e flakëruar dhe thirri:
-Heroi i Shtegut të Pumës!
-Këtu jam,u dëgjua zëri që delte
si nga humbellat e shpellës.
-Dil në arenë, të erdhi dita e
gjyqit të fundit.
Kokallat e skeletit kërcitën me një tingull të
shurdhër kur ai kërceu nga shkallët në arenë. Falangat e gishtave linin gjurmë
në rërën e bardhë të arenës. Atij befas iu vesh rreth qafës një shall i kuq, në
beretë një yll i bardhë trecepash, ndërsa në gjoks kuqëluan plagët e përgjakura.
Në një shirit krahë-qafë, ylli i artë i heroit dhe gjithë medaljet e dekoratat.
-Folë,- i tha Toro.
-Më pyesni që tu përgjigjem.
-Ke luftuar?
- Po. Që kur filloi rebelimi e
deri sa u vrava.
-Ke vrarë shumë nga tanët?
-Shumë, por nuk i kam
numëruar. Në luftë nuk shkohet për të vallzuar!
-E përse luftove?
-Jam bir argati. Luftova për idealet e mia. Për liri, barazi, vllazëri
e drejtësi. Për komunizmin. Besoja te idealet komuniste.Pol Vajan Kuturie,kishte
thënë se: “Komunizmi është pranvera e njerëzimit.” Luftova që kjo pranverë të
vinte edhe për popullin tim të shumëvuajtur të Albalongës.
-Të gjitha gënjeshtra,-turfulloi
Toro,-propagandë bajate e shpifur komuniste. Lufta juaj civile, gjoja revolucionare
kundër juntës së Himenesit, ishte një luftë cubash, për të grabitur pasuritë
dhe vendosjen e diktaturës me luftën e egër e të pamëshirshme të klasave. Ti u
vrave për ca ideale të rreme që u tradhëtuan nga diktatori komunist Ksavier
dela Roka. Gjaku yt shkoi kot, për leshh! Kush të vrau? Me siguri shokët e tu ,
kur jeni zënë për ndonjë kurvë nga ato që kishit në sierra!
Nga fundi i shkallëve u dëgjua një
angullimë e fortë dhe në arenë u hodh një ujk i kreshpëruar dhe dhëmbë të skërmitur.
Në qafë i varej një dekoratë e sapovënë si “Luftëtar antikomunist”. Kishte atë
pamje sepse pseudonimi i tij i luftës ishte “Ujku murrash”
-E vrava unë këtë bir bushtre, në
xhunglat e Sierra del Petra, tha ai duke hungërruar,- na ishte qepur këmba – këmbës,
që kur vramë ato prostitutat, që iu bashkuan lëvizjes së tyre, gjoja për të
luftuar, por për të kurvëruar. I dënuam me vdekje se ato turpëruan damat e
ndershme dhe zakonet fisnike të vendit. Më pas, në pritë, më vranë edhe mua dhe
“Kontrasit” bashkëluftëtarë.
-Qëndro me mua, Lupo trim, do të
jesh ndihmësi im, nga që je nacionalist i ndershëm.
Plagët e heroitu përgjakën, rrëkeza
e gjakut nisi të kullonte pikë-pikë mbi rërë, ndërsa zemra e kuqe pulsonte
midis brinjëve të bardha.
-Ti do të rivritesh. Eshtrat e
tua do ti shvarrosim nga panteoni dhe do ti flakim në detin e harresës. Aty do
të prehen eshtrat e Lupos dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë së mohuar. Tani
mbrohu, o heroi i Shtegut të Pumës!
Toro shkrofëtiu, uli kokën dhe
çukërmoi tokën me thundrat e hekurta, ishte gati për të dhënë goditjen fatale.
Skeleti, hoqi shallin e kuq
nga qafa dhe e hapi. Çdo gjë tjetër
u çbë. Në ajrin e flakëruar valëvitej vetëm shamia e kuqe, ajo iu afrua para
syve, pastaj u dëgjua:
-Eja ,Toro negro.
Toros i hipi tërbimi, u
turr dhe dha një goditje të fuqishme me brirë të ulur, nga poshtë lart. Goditja i shkoi huq.
-Hole, holeee,- ushtoi
jehona e thirrjes së shikuesve.
- Eja,Toro, eja dhe një
herë,- e cyti skeleti duke valëvitur shaminë e kuqe që e tërboi më keq Toron.
Aiu turr sërish dhe dha një goditje të fortë, por skeleti shkathësisht u shmang
dhe ai goditi me brirë tarabën e drunjtë
sa iu errën sytë. Kur e mblodhi veten që të jepte goditjen e tretë që do të
ishte vdektare, shamia fluturoi dhe u ngjit lart në qiellin e arenës.
- Lupo, çu bë vrasësi?
Ujku, ngrit kokën lart, nuhati
ethshëm, pastaj uluriu saqë iu ngjethën qimet e kreshtës së shpinës.
-Iku, u ngjit në qiell.
-Idjot!,në ferr thuaj, se
në qiell s’ka vend për të pafetë dhe kriminelët! Si e le të na ikte? Ta kishe
shqyer!
Në vendin ku ishte
skeleti, kishte mbetur dosja. Toro u turr dhe i dha një shkelm të fortë. Letrat
u shpërndanë në Ajër, pastaj ai hapi këmbët, e përmori dhe i bëri përsipër një bajgë, që thuajse e mbuloi të gjithën.
-Bravo,Toro, brohoritën
nga krahu i djathtë, nga ku u dëgjuan edhe duartrokitjet e thata.
Toro dihaste. Nga
manteli korb i zi, i djersitur, i ngrihej një re avulli. Marramendja i kaloi. Mendja iu kthjellua
dhe i diktoi senjoritës Ester:
-Vendim. Heronjve dhe dëshmorëve
të revolucionit komunist Ksaverist, u hiqen gjithë dekoratat, titujt dhe urdhërat
e nderit. Eshtrat e tyre do të hiqen nga panteoni, do të zhvarrosen por nuk do
të varrosen, eshtrat do të hidhen në Detin e Harresës.
-Të gjithë, pa përjashtim?-
pyeti senjorita Ester.
-Të gjithë. Zjarri ynë djeg të
thatë e të njomë!
6
Përsëri ushtuan tamburët, trompetat
dhe boriet. Në ekranin e kompjuterit u shfaq skena e teatrit të operas dhe
figura e një balerine të shquar. Ishte
Balerina Lina Gonzaga. E hajthme dhe e brishtë në dukje, nën tingujt e valsit
magjik, bënte vallzim të mahnitshëm dhe
pirueta elegante. E kishte radhën ushtria e artit.
-Lina balerina,-sokëlliu Toro
sa i hante zëri.
- Ja ku jam.- Tha ajo brënda
ekranit .
- Dil në arenë!- Urdhëroi ai.
E veshur
thjesht, me një brerore flokësh të argjendtë, hedhur supeve një pelerinë të
lehtë ngjyrë alle, ajo, e rënduar nga pleqëria çapiti ngadalë dhe qëndroi para tij plot dinjitet, si një hyjneshë e madhërishme. Ai u çudit, pandehte
se ajo kishte vdekur prej kohësh, por jetonte ende, e tërhequr nga bota e artit, në
vilën e saj të thjeshtë të Kosta Azurrës.
-Urdhëroni, senjor El Toro, me se mund t’u shërbejë prania ime?
-Ti gjallon ende? Pandehja se ishe ndarë nga kjo botë. U bënë shumë vite që
s’je parë në skenë!
-Ende s’më është këputur
filli i jetës, jetoj ditët e mia dhe jo të tuat.
-Lina Gonzaga: “Artiste e Merituar”,
“Artiste e Popullit”, laureate e “Palmës së Artë” akademike e sa e sa tituj e
grada të tjera. Përse dhe me se i ke merituar?
-Me artin tim. Kam vënë në
skenë shpirtin, zemrën, ndjenjat, pasionin për të bukurën. Kam punua shumë, dit
e net, pa gjumë lodhje dhe djersa lumë! Megjithatë nuk i kam arritur dot majat,
sepse siç thonë latinët:”Ars longa, vita brevis”,arti është i gjatë,jeta e
shkurtër
-Ke qënë shumë e bukur dhe
plot finesë e elegancë dhe ke kërcyer për kënaqësinë e diktatorit, sa herë që
t’a kërkonte dhe, jo vetëm për të. Ke kërcyer edhe për diktatorët e tjerë:
Fidel Kastron në Havanë, Enver Hoxhën në Tiranë, Mao Ce Dunin në Pekin? Të kanë
shpërblyer e të kanë mbushur me dhurata të kostueshme. Është e vërtetë?
-Kam kërcyer edhe në
Metropolitan, ka asistuar presdenti Bush,senjor, në Kovent Garden, ku ishte e
pranishme mbretëresha Elisabeta, në Pale
Royal, ku me ajkën e shoqërisë parisiane ishte edhe presidenti Pompidu, e në sa e sa vende të
tjera me turnetë e mia!
El Toros iu çartallos mendjs nga gjithë ato emra e kryeqytete dhe
vendosi ta sulmojë ballas:
-Thonë, dhe këto nuk janë
thashetheme mondane, se diktatori, pasi admironte artin tend, shijonte edhe
hiret e tua femërore dhe të merrte në shtratin e tij në vilat e Kosta Azurras!
-Ky ka qënë ves i zonjave
të aristokracisë së lartë, i vajzave të dyervë të mëdha. Unë jam vajza e një
minatori të thjeshtë. Kur të kthehesh në shtëpi, ke rastin të pyesish senjorën,
nënën tënde, se cili është babai yt i vërtetë!
Ai nuk e gëlltiti
fyerjen, por e bezdiste një mizë që s’po i shqitej dhe ai përpiqej ta zbonte me
xhufkën e bishtit.
-Kurvë plakë,si guxon të
përlyesh emrin e nënës sime fisnike! Vazhdon t’i ruash pikëpamjet dhe idealet e
tua komuniste?
-Po, me ‘to më ndan veç
vdekja!
- Mirë. E kërkove vetë.
Përgatitu të vdesësh. Do të varrosesh pa nderime, me karrocën e plehrave të
komunales! Skërfiti truallin, buluriu me tërbim, gjatë e thekshëm dhe mori turravrapin. Kur
ishte gati ti ngulte brirët në brinjë, zbritën mijëra flutura krahëbardha që i
zunë sytë. Zbriti nga hapsirat qiellore melodia hyjnore e “Liqenit të
mjellmave” dhe Lina balerina u largua e qetë. El Toro, tundi kokën me tërbim
dhe i shkundi fluturat e bardha nga sytë e përflakur dhe pa se Lina doli nga
deriçka e arenës.
-Kape Lupo, bërtiti ai dhe i
liroi zinxhirin që ai të turresh, por Lupo, futi bishtin në shalë dhe nisi të
angullijë si qen i rrahur.
Mbi rërë kishte mbetur
dosja. E goditi me brirë dhe letrat i mori era, pastaj me mllef, ngriti bishtin dhe i bëri bajgën për
ta pëgërë.
-Hole, bravo Toro- u ndjenë
brohoritjet nga krahu i djathtë i arenës. U kthye nga ai krah, uli kokën për ti
nderuar dhe ngriti këmbën e parë në gjoks, aty ku duhet të ishte zemra.
- Senjorita Ester, shkruaj vendimin: Artistëve që i kanë shërbyer me artin e tyre
diktatorit dhe diktaturës, u hiqen tërë titujt dhe dekoratat, gradat shkencore
dhe pensionet për merita të veçanta!Pik.
7
-Po tani?
-Në ekran, më del
legjioni i shkrimtarëve dhe poetëve, zotëri.
Vargani ishte i gjatë.
Shkrimtarë e shkrimtare, poetë e poetucë
folkloristw, e rapsodë. Ushtria e
shkrimtarëve, e shkarrashkruesve, ndihmësve të Partisë. Të vdekur e të
gjallë, të kurorëzuarit me lavdi dhe të damkosurit me njollën e turpit,
disidentët e socrealizmit. Të gjithë mbanin nën krahë veprat dhe librat e tyre.
U printe shkrimtari dhe poeti me famë Alfonso dela Puerta, i cili për të
mbajtur veprat e tij të shumta tërhiqte një karrocëz të mbushur ding ku shkruhej “Big market”.
-Disidentët, të persekutuarit,
të burgosurit, të dalin në një rresht më vete,- urdhëroi Toro.
Ata u ndanë por u bë tollovi e
madhe, thuajse të gjithë u rreshtuan te disidentët dhe të përndjekurit politikë! Plasi sherri
dhe të sharat. Skeletet e të vdekurve kërkëllinë dhe nofullat nisën të trokëllijnë.
Kryetari i “Lidhjes së shkrimtarëve Demokratë “ protestoi për këtë pafytyrësi. Toro
u detyrua ti mblidhte,t’i përziente sërish
në një rresht. Ishte një shfaqie macabre.
- Spiunët dhe denoncuesit e
shokëve, t’u kërkojnë ndjesë viktimave të tyre!
U vu re lëvizje, shumë të gjallë
dhe skelete, të vënë në siklet përpiqeshin të fshiheshin e të bëheshin të
padukshëm, por nuk mundnin, mbeteshin të zbuluar për tu demaskuar, por ndjesë askush nuk kërkoi,qyrkun e fajita
askush nuk e veshi.
-Senjor Alfonso del Puerta,
jeni i kurorëzuar me degët e larit, tre çëmime të palmës së artë. Çmimin
special të “Bletës së artë”, të gjitha të akorduara nga regjimi I diktatori.
Gjithë këto sepse ti, ishe lavdëruesi dhe hyjnizuesi. Me poemën “Albatrosët
fluturojnë mbi re” dhe romanin “Vjetmia”, ju e himnizuat diktatorin. Ndihmuat që
ai të kthehej në idhull dhe lartësuat kultin e tij, në një kohë që poetët
pushkatoheshin dhe ti s’fole një fjalë! Ishit miku i tij, u ftonte për kafe dhe
u dha ofiqe të larta . Si e spjegoni këtë?
Poeti nuk u ngut të përgjigjej.Hoqi
syzet me korniza të trasha, të cilat që nga koha e rinisë si ndërroi asnjëherë, i fshiu me kujdes, i
vendosi dhe pastaj nisi të shikonte toron si një specie të rrallë kimerike, të
dalë nga mitet dhe legjendat si Minosi, që ai i kishte aq për zemër. Kjo qënie,
brimprehtë e sypërflakur, e përfshirë nga tërbimi dhe urrejtja, mund ti
shwrbente për një roman, por tani priste një përgjigje.
-Zotëri El Toro, kushdo që
fshihet nën lëkurën tënde, është tepër i paditur, pra tepër injorant dhe I
trashë, që të gjykojë krijimtarinë time artistike dhe personin tim human, sepse
ti s’kupton se çështë ekzistencializmi dhe lufta për mbijetesë në diktaturë,
asaj i duhej dhënë haraçi për të shpëtuar krijimtarinë e vërtetë simboliste dhe
metaforike, ku të vërtetat e dhimbshme shkruheshin midis rreshtave, në gjuhën e
Ezopit, me kuptime të dyzuara e të errëta si fjalët e një orakulli. Është kjo
mjeshtëri, që i bëri veprat e mia të
lexohen në botën hispanike dhe të përkthehen në vendet anglo-saksone,
shumë prej të cilave më dhanë edhe çmime e vlerësime!
Kur kam shkuar te diktatori, vija
pa dëshirën time, I duhesha unë atij dhe jo ai mua, ndjehesha si qëngji para
ujkut. Më thërriste me dëshirën e tij. Ai bënte llogaritë e tij diabolike, unë
të miat për vetëmbrojtje. Dihet që më ka përdorur. Këtë s’ia fal vetes,por nuk
ishte në vullnetin tim
Toros nuk i pëlqeu fodullëku dhe kapadaillëku i poetit, aq sa deshi t’i
jepte një goditje të forte e ta çante në brinjë, ta plandoste përdhe e ta
shkelte me këmbë, por e mbajti veten. Ai ishte gjykatësi i historisë dhe një
gjykatës, duhet të jetë i drejtë dhe i xhveshur nga mllefi dhe pasioni vetiak.
-Je penduar për himnet dhe lavdërimet
që ke shkruar për diktatorin?
-Aspak. Kam lavdëruar dhe
hymnizuar vendin tim të varfër dhe popullin tim krenar por të mjerë e fatkeq!
Në këtë kohë, në rreshtat u ndjenë
kërkëllime eshtrash dhe trokëllima nofullash, u shkëputën disa skelete dhe një
burrac shtatvogël, kritik i njohur arti, ju turrën poetit me hakërrim dhe
ulurima, e akuzuan për komunist, spiun të sekuridadit , lustraxhi të diktaturës,
krehës i bishtit të diktatorit, thane e ç’nuk thanë, por Toro u doli ballas dhe
i ndali. Tashmë ai e kishte marrë vendimin.
-Ndaluni dhe prisni more
shkarrashkrues. Secili do të marrë atë që i takon; Senjorita Ester shkruaj: Gjithë
librat e socrealizmit, që lavdërojnë diktatorin dhe diktaturën, të grumbullohen
dhe të kthehen në karton për arka bananesh. Urdherat,titujt,çëmimet, medaljet
dhe mirënjohjet e tjera të dhëna për krijimtarinë, suprimohen dhe nuk u njihen
poseduesve. Vlerat monetare që kanë shoqëruar çwmimet, t’i kthehen arkës së
shtetit. Shtëpia e shkrimtarëve dhe artistëve shpërndahet. Godina sekuestrohet.
Për poetët e pushkatuar, të jepet titulli “Martir i Demokracisë” dhe të
vendosen në panteon.Pik.
8
U dëgjua sërish marshi triumfal.
Në ekranin fosforeshent të kompjuterit u shfaqën listat e tjera. Ishte puntoria,
”Kllasa puntore” si i pëlqente ta quante diktatori,gjoja shtylla e shtetit, e
besuara e tij për mbajtjen dhe vazhdimin e diktaturës. Ishte bërë popullor
sllogani “Kur flet klasa, hesht burokracia”. Në krye të kollonës ndodhej një
burrë shtatmadh, që edhe pse i plakur dukej i fuqishëm. Në kokë një helmet me
llambën e minatorit dhe në sup një
pistoletë shpuese të shkëmbinjve, në gjoks ylli i artë i “Heroit të punës”,
urdhëra dhe medalje të shumta. Çuditërisht për dore mbante një lopë të kuqe!
Toros ju kujtua: në vitet
gjashtëdhjetë, pllakati me portretin e tij afishohej kudo, me diçiturën “Luani
i tuneleve”. Ishte Salvatore Basta për të cilin thoshin: se e ha malin me dy
kafshata! Emri i tij ishte bërë legjendë, pastaj u harrua. Të tjera kohë, të
tjerë heronj.
-Salvatore Basta, që e ha
malin me dy kafshata, si i ke marrë gjithë ato dekorata?
-Kam punuar zotëri, me dëshirë
dhe ndershmërisht për ndërtimin dhe lulëzimin e vendit tim. Është vepra ime dhe
e shokëve të mi, tuneli dhe hidrocentrali nga ku merr dritë dhe ujë edhe sot e
kësaj dite kryeqyteti Vilaverde. Jam kacavirrur me litar nëpër shkëmbenj për
hapjen e rrugëve malore, kam çarë tunelet e hekurudhës transishullore, kam
hapur trasenë e Gran Vias, e ku s’është derdhur djersa ime! Pak të duken këto?
Janë vepra që mbeten dhe u takojnë gjithë brezave. Kështu them unë. Nuk di më
shumë, si njeri I thjeshtë di të punoj por jo të ligjëroj .
- I shkreti ti, që nuk e
kupton se ke qenë mish për top dhe të kanë përdorur si një majmun në panairin bajat të ndërtimit të
gjoja socializmit. Me një rrogë mizerabël sa për të mbajtur frymën, ushqenin
krenarinë tënde me një grusht teneqesh! Ju jeni skllevërit,ata që ndërtuan
piramidat e Egjiptit! Po atë lopë të kuqe, ç’e ke? Edhe ajo komuniste është?
-Ma dhuruan kur dola në
pension se kasha dymbëdhjetë fëmijë për
të ushqyer. Porosia e partisë ishte që të lindnim shumë fëmijë.
El Toro qeshi me të madhe,
ishte e para herë që qeshte.
-Ç’farë të bëjmë me ty o
njeri i mjerë, që shkrive jetën për një lopë!
U gjend në hall me këtë hero
që ishte naiv si një fëmijë, dhe ata që ishin pas tij, por në fund e gjeti zgjidhjen. Puna e tyre
kishte qenë e dobishme për vendin.
-Senjorita Ester, shkruaj:
Lopën e kuqe komuniste, Salvatore Basta ta këmbejë me një lope tjetër. Ka lope
blu? Jo nuk ka. Atëhere me laramane. I
duhet për ta kullotur duke e mbajtur për kapistalli, që të kalojë pleqërinë se nuk di çfarë të bëjë tjetër.
Yllin e heroit dhe medaljet ti mbajë dhe ti varij në bishtin e lopes dhe të
maces. Pik. Kjo vlen për gjithë puntorinë. Marsh,-dha urdhër ai,- punëtorët të
vendosur në rresht si në parakalimet e një majit, u nisën për të dalë nga hyrja
perndimore e arenës duke kënduar këngën e tyre “Ne ecim përpara/përpara
gjithmonë!”
8
El Toro ndjehej i dërrmuar.
Pak
pushim sa për tu kthyer fuqitë. Hëngri dy tri gojë tagji elbi në koritë dhe
piu si i limaksur ujë të frseskët nga
legeni.
Koha nuk priste. Kush e ka radhën? Ishin
politikanët. Në krye fare ishte Prof. dr. Salvador Paskuale, zv/kryeministri
dhe ministër i ekonomisë, në qeverinë e partisë Julianiste, i njohur ndryshe
edhe si gagaçi, nga që ishte i belbër, i mbahej pak goja. Edhe pse me këtë cen
ai ishte llafazan i papërmbajtshëm. E pruri helikopteri qeveritar. Me pamje
krenare, i krekosur dhe arrogant, i hodhi një vështrim përbuzës El Toros . Nuk
priti ta pyesnin por pyeti i pari:
-K-kush je ti mor zotri k-kaa-tërkëmbësh,
brirë madh, që guxon dhe më thërret në arenën e korridës?
- Senjor, jam don Ernesto dela
Rivera. Drejtor i sapo emëruar i zyrës së rishqyrtimit të titujve, gradave,
meritave dhe historisë. Gjendem në krye të detyrës.
-Qënka zbavitëse –tha Gagaçi.-Pa hë, bëje
pyetjen tënde!
-Ju, senjor, -më korrigjoni nëse gaboj, jeni biri i
kamerad Gregorio Pasquales, ministër i qeverisë së diktatorit?
-Ekzakt. Është ati im biologjik, por
jo ideologjik. Jam ndër të parët e lëvizjes Julianiste që mora pjesë në përmbysjen
e diktaturës. Mua dhe atin tim na ndan një det i tërë, në njerin breg është
komunizmi, pra im atë në tjetrin demokracia, aty jam unë, ideologu i ekonomisësë
tregut dhe “Rrafshit zero”. A s’më thua mbi ç’bazë e ke nisur këtë investigim?
-Mbi bazën e
vendimit që ka miratur qeveria juaj, senjor minister.
-Ku të gjetën
ty, mor idiot! Qeveria nuk i miraton vendimet për vete, por për të tjerët!- tha
ai sarkastik pastaj hipi në helikopter dhe fluturoi. El Toro mbeti i shastisur.
I kishin dhënë një shuplakë tjetër.
Nga porta veriore e arenës hynë disa limuzina. Nga e para zbriti presidenti
i tribunalit dhe pas tij disa ministra dhe dinjitarë të institucioneve
kushtetuese. Presidenti ecte me hapa të mëdhenj dhe si duke kërcyer nga guri në
gur. Flokët e pashtruara e të ashpra i binin mbi ballë. Ishte veshur me shumë
sqimë. U kthye nga tribuna e djathtë ku ishin ulur simpatizantët dhe i përshëndeti
me dy gishtat në formën e shkronjës “V”. Nga tribuna shpërthyen brohoritjet dhe
thirrja aq e njohur “Liri ,demokraci” dhe “ E
duam Albalongën si Amerika” Pas kësaj, presidenti dhe shpura shoqëruese
u afruan te tryeza përballë Toros.
-Hole Toro,- përshëndetën
ata si për të bërë gallatë. - Morëm thirrjen dhe ja tek na ke!
-Senjor President i Tribunalit,
këtu ka diçka që nuk shkon.
-Sipas teje, çfarë nuk
shkon?
-Po ja, ju, a nuk keni qënë për shumë vite
Prokuror i Pergjithshëm i diktatorit Ksavier dela Roka, që keni dhënë dënime të
rënda me pushkatime, burgosje, dënime dhe internime kundër kontrasve të
regjimit? Po kështu edhe zotërinjtë që u shoqërojnë. Si ka mundësi që ju….
-Një jurist, duhet të zbatojë
ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Këtë ia kërkon profesionalizmi dhe ndjenja e
detyrës. Por ti duhet ta dish, që diktatori, i pakënaqur nga dënimet e mia të
buta, më hoqi nga ajo detyrë dhe më degdisi prokuror në provincën lindore.
Pasardhësi që kish nevojë për shërbimet e mia, më tërhoqi sërish në kryeqytet
si këshilltar të tij. Parimi im mbetet i pandryshuar: Ligji dhe vetëm ligji! Këtë
jam duke bërë edhe tani, në emër të revolucionit Julianist. Ti e di që para
disa kohësh, ne burgosëm, gjykuam dhe dënuam, nomenklaturën e lartë të kastës
Ksavieriste! Këtë na e kërkonte ligji, këtë bëm! Pushteti nuk ngrihet mbi
boshllëk dhe dinjitarët nuk do vijnë nga hëna! Me zellin tënd të rishtarit po
ngutesh si shumë, të urdhëroj ta ndërpresësh këtë farsë dhe rri në pritje te
direktivave dhe udhëzimeve që do të dalin nga kabineti i kryeministrit!
El Toro mbeti pa fjalë, u vuvos. I kishin hedhur mbi kokë një kovë me
ujë të ftohtë. Me sytë e çakërritur shihte shpurën përcjellëse të presidentit.
Shumë prej tyre i njihte, ishin bij të dinjitarëve të lartë Ksavieristë. Kur
ata studjonin në shkolla të mira dhe zinin ofiqe të larta për hir të etërve, ai
kalbesh në baltovinat e orizoreve të Piana del Flamengos…….
* *
*
Në derën e zyrës u dëgjuan të trokitura, fillimisht të kujdesëshme e të
drojtura, pastaj të trokiturat ishin me goditje më të forta. Don Ernesto doli
nga përhumbja. Ngriti kokën nga tryeza, por e kish të rënduar e të
turbulluar,pa e kuptuar ishte në ëndërr apo zgjuar. Vetiu i shkuan duart në
ballë. Lavdi zotit, kishte qenë vetëm një vegim, por sido që I tillë e bëri të
mendohej thellë.
-Hyrë, -iu përgjegj së
trokiturës.
Ishte senjorita Ester.
-U shqetësova për ju. Po
kalon orari zyrtar dhe nuk po dilnit.
- Çuditërisht dremita pak
dhe pata një vegim . Ndjehem i dërrmuar. Gjithsesi
faleminderit për interesimin.
Makina e zyrës e priste poshtë.
-Don Ernesto, në shtëpi?
-Jo, - dhe i dha adresën e të vëllait.
Shkëlqesia , në verandë, i ulur
në poltronë xunkthi , po pinte kafen. Nuk e priste të vëllanë në atë orë.
Don Ernesto u ul fuqiprerë, duke
e përshëndetur thatë.
-Fillove nga detyra e re?
-Po. Për këtë kam ardhur. Do të
dorëhiqem.
-Si,kaq shpejt? Cili është
shkaku?
-Vëlla. Ti je bashkuar me ta por
nuk i njeh. Ke jetuar shumë vite jashtë. Florida nuk është Albalonga. Pata një
vegim paralajmërues. Pushteti ndryshoi, por janë po ata. Vetëm kanë ndryshuar
ngjyrën, nga e kuqe në blu. Është njësoj si shtëpisë së vjetër ti lyesh ballinën
dhe të thuash se kam ndërtuar shtëpi të re. Kjo politikë nuk më pëlqen, më përbalt,
më bën pis. Zotër të këtij vendi janë pinjollët e të mëparshmëve. Po shkoj me Penelopën
dhe vajzën në çifligun e Santa Klarës që të rris kuaj vrapi. Ata janë më të mirë
, më fisnikë se politikanët dallkaukë me njëqind flamurë.
Shkëlqesia nuk po ngutej t’i
kthente përgjigje. Don Ernesto e dinte që ai ishte kapur fort pas politikës, jo
për ideale, por ngaqë ajo do t’i jepte nga hambari i madh dhe i pasur i Albalongës, shumë më tepër sesa çifligu i
varfër i Santa Klarës. Ishte e kotë të priste përgjigje.
I uroi ditën e mirë dhe u
largua.
Fund.
Tiranë, 1992-2013.
No comments:
Post a Comment