Saturday, 2 March 2013

Si morrat në fanellën palarë të dimrit...



KRISTAQ TURTULLI

tregim

Trokiti dora ime e ngurtësuar si çok në portën e vjetër dhe rrugica e kalldrëmtë ofshëtiu. Më në fund dera gërvishti, rënkoi, e përpara meje u shfaq një lëpirje e fishkur drite dhe më pas hija e gërmuqur e mëmës së Mujo Mborjes. Plaka e imët më preu rrugën, më përshëndeti ftohtë, me frikë dhe mëdyshje. Duart e saj gjithë kokalla rënduan në dorezën e derës për ta mbyllur.
Hodha një këmbë për të hyrë, mëma e Mujo Mborjes u nguc e alarmuar pranë derës, nuk më hapi udhë. Qafa e rrudhur iu drodh. Buzëqesha me mirësjellje dhe shmanga plakën prej dere të fisme, gruan të bërë një grusht njeri të doktor Mborjes me diplomë të mohuar e më pas të sekuestruar.
-Mos..,- mërmëriti plaka gjithë ankth, zhubrat e fytyrës iu shkundën. Më ngjau si një lëmsh i bardhë, i shpërvjelur, ngecur e bërë si nyje në këndin e derës. Nuk ia vura veshin, lëviza pjerrtas, hyra në korridor. Trupi i saj u lëkund si lavjerrës, u bë gati për rënie. Nuk pandeha se e shtyra, instinktivisht zgjata krahun e majtë, e mbajta. Ajo mbërtheu gishtërinjtë pas krahut tim. Mezi mbushej me frymë. S’lëviza.
 Mujo Mborja u dha në krye të shkallëve fytyrë zbehtë dhe këmishë zbërthyer.
- Të tha mëma që s’pres njeri,- bërtiti që lart dhe vështroi me bisht të syrin, gjithë inat trupin e kërrusur të mëmës. - Përse erdhe?
- Përse erdha!- ia ktheva i fyer dhe shkunda pallton në korridor:- Erdha, se e di që konaku i Mujo Mborjes është gjithnjë mikpritës.
-Ka qenë,- mërmëriti Mujo me shikim të mbërthyer në derën ku humbi mëma,-ka qenë, por nuk është më...
Nuk i ktheva përgjigje. S’më përzinte Mujo Mborja, por tensioni i ngrehur në familje dhe përgjegjësia e braktisur. Ndoshta dobësia e shpërfytyruar e burrit sedërlli përballë aktit të dënueshëm për vetëvrasje mbetur në tentative! Thonjtë e vdekjes kishin mbetur të ngulura, të zhgënjyera në hatullat e shtëpisë së vjetër pa mundur të përlanin viktimën fatkeqe që kërkoi të vetëvritej.
Fytyra më përvëlonte prej thëllimit. Ndjeva se mërdhija, kapota e qullur më rëndonte, por nuk guxoja ta hiqja, mund të dilja përjashta në borë, erë dhe thëllim. Por këtu ish tjetër thëllim, nuk të përcëllon fytyrën por shpirtin. Në furtunën dhe pështjellim mbarë familjar qe e drejta e tij të mos mirëpriste. U kapërdiva me vështirësi e hodha për së treti vështrimin përtej dritares ku binte dëborë e imët e dendur, e vërtitej me furi prej erës së marrë. Era e tërbuar  merrte dëborën me tërsëllëm, e shkulte prej çative, e rrotullonte e bënte fugë dhe e flakte tutje.

Nuk më mbajti vendi kur mësova prej gruas lajmin e tmerrshëm lidhur me tentativën për vetëvrasje e Mujo Mborjes. Prej një jave s’isha mbledhur në shtëpi, qeshë në kryeqytet. Brodha nga një zyrë në tjetrën për shkak të një prone të babait, të përvetësuar me pa të drejtë nga dikush tjetër. Humba kohë, shpenzova të holla dhe dola si ruajtur qethur. Gardhi i dendur i burokratëve nuk mund të çahej.

E pyeta gruan në ish plotësisht e sigurt për lajmin e kobshëm. Ajo më pa vëngër. Nuk i kish dalë inati në paaftësinë time për të rimarrë pronat e babait, e ndërkohë shpenzova në mënyrë skandaloze kursimet familjare, si të isha në gjënë e hasmit. U mbrojta sa munda, i thashë, se rruga të shkon një djall e gjysmë, hotelet janë shtrenjtuar dhe restorantet po ashtu. Shkove me taksi, si afendiko, s’ tu dhimbsën lekët. S’ mu dhimbsën lekët?! Jo moj, jo, udhëtova me një furgon gërdallë, e me një shofer axhami që xhani tim e di. Bile u ngjesha në fund të furgonit se nuk kish vende. Ky axhamiu që posa kish rënë në timon, i merrte kthesat me shpejtësi e forcë sa të gjithë pasagjerëve u vinte koka vërdalle, zorrët na shkundeshin, na vinin në gojë, gati për të kërcyer jashtë. Por  gruas nuk i mbushej qypi. Duke nënqeshur me ironi të hapur, më tha: Si jeni ju burrat, si jeni, dyshues, dyshues dhe hë..! Ka informacion më të sigurt se Shega, gruaja e tij, e shkak për këtë tentativë të çmendur u bë mbledhja e partisë.

U trondita. Mujo Mborja të bënte vetëvrasje! Miku im i vjetër u rezistoi me stoicizëm peripecive të pafundme të përndjekjeve dhe jetës së vështirë! E kur gjithçka u zbardh, lindi më në fund shpresa për një ditë më të mirë, ndriçoi dielli i lirisë, demokracisë, çmendurisht tenton ti japë fund jetës që është aq e vyer me aktin e rëndë, të dënueshëm të vetëvrasjes! E pritëm me ankth këtë ditë fatlume dhe s’ish natyra e stoikut Mujo Mborja të arrinte në kryente aktin e tmerrshëm, hata, ndaj u shqetësova.

U vesha me nxitim, ngjesha pallton, mbulova kokën me kapelë. Lashë prapa llomotitjet e gruas dhe eca si i çakërdisur nëpër rrugë. Era e marrë më shtynte, më pickonte, më fshikullonte fytyrën, dëbora më qullte. Nuk i kushtoja rëndësi asgjëje, e çfarë ndodhte rreth meje. Njëri prej miqve të mi kish  tentuar të kryente gjëmë të madhe për vete dhe familjen. Kur u ndodha përpara derës, trokita. E kuptova që kisha ecur pa parë se ku dhe ndjehesha tejet i lodhur, i djersirë, si një kalë gërdallë dhe i mbuluar fund e krye me borë.

Mu duk sikur në cep të korridorit dallova ndriçimin shqetësues të dy syve që më luteshin me përdëllim, mund të ishin sytë e Shegës, ose mëmës.

Palltoja e rënduar prej lagështirës së dëborës më akullonte, më rëndonte. Djersa po thahej, më ftohte, por nuk mund ta hiqja. Eca disa hapa drejt derës, vendosa dorën në dorezën e ftohtë. Qëndrova. Isha në mëdyshjen e ikjes. Mu bë sikur pas meje dëgjova hapa të lehtë. Sigurisht më bënin veshët. E harrova në çast shkëndijimin lutës, përgjërues të syve të Shegës ose mëmës. Ndjeva ngurtësi e mpirje në dorën e majtë. Dora më qëndronte akoma mbërthyer pas derës së ftohtë, mu duk sikur lëkura po ngrinte pas saj. E largova me frikë dhe e rasa në xhepin e palltos për ta ngrohur.

 Mujo u zhduk në derën e majtë. Mbeta vetëm në korridorin e ftohtë. Doja të pija cigare, kërkova nëpër xhepa, e harrova shkrepësen në shtëpi. Vështrova përreth të shihja ndonjë çakmak ose shkrepëse, e atëherë e kuptova që ambienti dergjej në gjysmë errësirë dhe një llambë vajguri përpëlitej gjysmë qorre në cep të derës. Gjurmët e traditës së vjetër, aristokrate ndjeheshin në disa sende të amortizuara, shpëtuar rastësisht prej shkatërrimit dhe shpërdorimit dhe gjysmë errësira e shtonte akoma më tepër shpërfytyrimin.  Ç’u ka hipur këtyre kështu të mbyllin dritat dhe të ndezin kandilat e vajgurit, fare pranë fundit të shekullit të njëzetë dhe kur shtëpia u rrezikua seriozisht prej një vdekje të llahtarshme. Ndoshta i mundon  akoma ankthi, trusnia e së shkuarës. Llamba përpëlitej gjithë ankim në cep të derës dhe unë ndjeja gjithnjë e më tepër të ftohtë. Nuk kisha përse ta fshehja, po ndjeja një farë pendese që morra rrugën mes erës së çmendur, dëborës, trokita dhe hyra në këtë familje ku u bë lojë e çakërdisur për ti dhënë fund jetës me vetëvrasje. Ndoshta mbeti në tentativë e shprehur në bisedë, në inat e sipër me fjalë, pa mundur të realizohej. Gratë si gra i zmadhojnë gjërat, për tu nxehur pizgat e tërbuar burrat, me frikën e veprimit të mëvonshëm, të paralajmëruar. Tentativën e shprehur me fjalë e bëjnë akt skandaloz.

 Vendosa të ikja, ish e pakuptimtë qëndrimi vetëm, në një shtëpi të huaj, në mes të korridorit të ftohtë, në përpëlitjen e mekur të dritës. Ku u ndje aq pranë lëkundja e litarit dhe përdridhja e hijeve së bashku me hatanë e papërfunduar. Ndjeva që dikush më preku lehtë në sup. Trupi mu drodh. Kërceva i trembur dhe hodha një hap prapa. Harrova një moment se ku ndodhesha dhe klithma mu gropos në hon së bashku me pështymën. Shikimi mu përvol dhe më në fund mu kthjellua. Ish Shega, fytyra e saj mu duk e ligur dhe tmerrësisht e zbehtë. Ku janë dritat isha gati të bërtisja, por nuk fola.

-Bëre mirë që nuk ike,- më pëshpëriti Shega dhe me zë të ligur shtoi:- Mbledhja e  fundit e asaj dreq partie u bë shkak për këtë tmerr.

 U ktheva plotësisht nga ajo. Sa shumë parti u shtuan vitet e fundit, sa shumë parti, në këtë amulli, si morrat në fanellën e palarë të dimrit! Në gjysmën errësirën sunduese të korridorit, trupi i saj i derdhur si lastar mu duk i tkurrur, i  vogël, i mbledhur, si e ciknosur. Si një flakës drite e dridhshme në mugëtirë. Edhe pse Shega po mplakej, përsëri seç kish diçka që e bënte gjithnjë të dallueshme nga femrat e tjera të moshës së saj.

-Dritat Shega, dritat ku janë?- pyeta gjithë akth, dhe shtova,- nuk i duhet më terri kësaj shtëpie.

- Nuk i duhet hë! Nuk shkulen lehtë çaponjtë e errësirës. Dritat i preva vetë,- dëgjova nga lart zërin e grindur të Mujos, sa oshtiu e gjithë shtëpia. Në duar mbante një shandan tre qirinjsh dhe shtoi, - do kishe bërë mirë të ishe larguar.

-E morra vesh do ik, mos ma thuaj dy herë. Por mos harro, jemi miq!- i thashë. Po më hipte inati. Më mirë të kisha qëndruar në rrebeshin e gruas.

-Ç’na the, jemi miq, hë, jemi miq!- bërtiti Mujo dhe shtoi me zë të ngjirur aq sa dritat e zbehta të qirinjve u përpëlitën, u bënë gati për tu shuar.

-E o miq jemi, s’jemi kodoshë,- bërtita dhe unë.

- Kodoshë, po. Nuk ka ka miq në këtë botë të shpifur,- gërhiti Mujo.

-Mjaft Mujo, mjaft,- iu lut Shega,- të lutem mos na çmend! Tu përgjërova me dorë në zemër dhe lot në sy, Mujo mos u merr me politikë, por ti nuk më dëgjove...

-Nuk të dëgjova, hë? Të mos merrem me politikë, hë! Kush ka të drejtë më shumë se ne sot të merret me politikë, hë, fol?- bërtiti Mujo.

-Politika do morra, horra, pushta, jo burra,- këmbënguli Shega.

 -Mos më çaj kokën. Si nuk më kuptove njëherë. Kam dert Shega, kupton kaq  gjë. Kam dert të madh. Dhe ti moj grua e gjorë ke dert më të rëndë se unë.

-Kam,- u përgjigj Shega gati në të qarë.

-E di. Ku e dija unë që ata do flaknin përdhe atë monedhë të poshtër, të harruar nëpër dosje. Nuk u kënaqe që doja të vdisja,- klithi Mujo.

-Unë të kënaqesha më vdekjen tënde, që më hëngrët motja më hëngrët,- rënkoi mes lotëve Shega dhe u lëshua pa fuqi në dysheme,- ki mëshirë, mor më rëndo më tepër Mujo. Të lutem, po më dridhet akoma trupi prej tmerrit të djeshëm dhe të sotëm.

 U ndjeva bosh dhe i tepërt në këtë sherr të dhimbshëm familjar. Gjysmë errësira e bënte më mistik. Broçkullat e gruas sime për pronësi  dhe shpenzime bajate mu dukën hiç gjë. Nuk dija si të veproja.

-Më fal,- dëgjova Mujon të fliste.

 Mujo qëndroi i menduar, mbështetur në parmakët e drunjta të shkallëve, në mëdyshjen e flakjes përdhe prej së larti. Në çastin që do klithja i trembur në parandalim të rrëzimit, ai i bëri me shenjë të shoqes të largohej, të ikte në kuzhinë. Me zë të ngjirur mu drejtua mua:

-Po të duash eja lart.

I hutuar u ktheva me rrëmbim dhe gati sa nuk u gremisa në shkallinën e parë. Mujo ngriti shandanin mbi  krye, më bëri dritë. Fillova të ngjitja shkallët prej dërrase të  shtëpisë së vjetër që kërcisnin e rënkonin sa më cingërisnin nervat. Ngjitja më dukej tejet e vështirë, më mbahej fryma. Mujo më priti me fytyrë të ngrirë dhe më udhëhoqi në dhomën pranë. Vendosi shandanin me tre qirinj mbi tavolinë dhe u ul në kolltukun e vjetër, të ngrënë të atit, doktor Mborjes. I mençuri, doktor plak, iku pa ndjerë, mes librave të vjetra dhe pluhurit, dha shpirt një vit më parë në këtë kolltuk të konsumuar. Edhe pse të gjorit i ish mohuar e drejta e ushtrimit të profesionit, kish qenë një mjek i mrekullueshëm. Hallexhinjtë e sëmurë rëndë, të pashpresë, shkonin tinës vizitoheshin tek ai dhe linin ndonjë monedhë metalike poshtë librave.

-Ndizi dritat Mujo, mos i qëro robt e shtëpisë.

-Ti ndez dritat, a!- më foli me sarkazëm.

-Po, dhe më trego ku e keni kutinë e siguresave?- e pyeta.

-Ulu dhe lëri siguresat,- ma ktheu ftohtë.

U ula ku munda.

- Qorra dje dhe qorra sot,- më foli me të keq Mujo.

- Jo Mujo, s’jemi më qorra,- ia ktheva. Mora shkrepësen e lënë në tavolinë e ndeza cigaren. E thitha me vrull si të zbusja ankthin e pakuptimtë dhe stresin e krijuar.

 Kryqëzova duart rreth gjunjëve që kishin filluar të më ftoheshin. Mujo u shkul prej hijes së kolltukut, fërkoi ballin, pastaj qëndroi i dehur duke më ngulur sytë e vegjël, që mu dukën tmerrësisht të errët. Qafën e mbante të mbështjellë me garzë të trashë dhe qirinjtë në shandan kërcisnin.

-Qorra jemi dhe të fëlliqur bile,- foli me zë të ngjirur,- bëre mirë që nuk u more me politikë. Përgjatë varjes e ndjeva vdekjen shumë pranë, është e frikshme. Por unë isha i vendosur në ikjen përfundimtare.

Ngrita supet, lëviza me vrull në stol dhe vështrova nga ai. Nuk dija ç’të thosha. Prita. Të gjithë i tremben vdekjes. Të rrëmben dhe nuk të kthen më. Gjysmë errësira e dhomës, lëpirjet e mpita të flakëve të qirinjve dhe perden e rënda, krijonin imazhe të turbullta. Më mbahej fryma. Mu krijua një ankth i nderë dhe tymi i qirinjve më përvëlonte sytë.

- E pe fantazmën e babës?- më pyeti befas Mujo.

-Çfarë! Fantazmë!- klitha me gjysmë zëri. Mu ngjeth mishtë. O Zot dhe shfaqja e fantazmave i duhet kësaj shtëpie. Një hop pandeha se Mujo Mborja nuk e kish marrë akoma veten prej shtrëngimit të lirarit. Prashiste në hava, shikonte syhapur ëndrra dhe fantazma me vampirë.- Ku?!

-Në korridor, kudo. Mos gënje, e di që e pe.

Pa më lënë të flisja, të kundërshtoja, më pyeti:

-Të kujtohet fajkoi që mbante baba dikur?

-Fajkoi! Po më kujtohet,- i thashë. Ne ishim shumë të vegjël. Ne mrekullonte fajkoi i bukur, shikim mprehtë, me krenarinë, lirinë, madhështinë dhe fluturimin. Vërtitej krahëhapur në qiellin e kaltër, doktori i fërshëllente, fajkoi kthehej, vinte pingul si shigjetë dhe qëndronte në krahun e veshur më lëkurë mbrojtëse të doktorit.

- Fajkoi hyri si vetëtimë prej dritares së ngushtë, çau me vrull perden dhe terrin. Rrahu krahët me zhurmë, qëndroi  në trarin ku ish lidhur litari dhe gjendesha i varur, filloi ta godiste me sqep. Litari që zgjedha për varje ish i trashë, më shtrëngonte qafën, po më ikte fryma. Përpëlitja e mbytja ish e afërt dhe bota shkiste me rrokopujë, po kthehej përmbys...

-S’ma merr mendja të jetë gjallë ai fajkua,- i thashë.

-Mos më ndërpre,- më foli me inat Mujo dhe vazhdoi:- Fajkoi rrahu krahët, kërceu, e sa hap e mbyll sytë u tjetërsua, u zmadhua, u bë si baba. Rrëzova kokën të mos shihja. Nuk më besohej të ish fantazma e babës. Një moment kujtova se ish e poshtra, vdekja që luante me mua, duke marrë formën e shpendit fajkua e herë siluetën e babës. Baba dukej krejt i gjallë dhe sytë i kish shumë të trishtuar. Flokëbardha të gjata, deri në fund të këmbëve, gjithë pluhur. Mbante veshur  rroba të vjetra, zhele, copë- copë. Nuk munda ta pyesja, babë ku i ke teshat e reja dhe pse me flokë aq të gjatë? Ai u shkëput dhe zgjati duart skeletore të më ndalte. Nuk kam parë kurrë vështrim aq të brengosur sa e babës. Shkundi pluhurin prej flokëve, flaku teshat e vjetra dhe u mbështoll fund e krye me pelerinë:

‘Marrëzia, urrejtja primitive dhe lufta e komunizmit na i shpuri thikën deri në kockë biri im, por nuk na vrau. Pse e lëshove veten e vetëvritesh prej shkakut të llumrave dhe mbetjeve të lehonës demokraci,’ më foli ashpër baba dhe u përpoq të më ngrinte peshë.

Nuk munda ti ktheja përgjigje, gjuhën e kisha të trashë dhe trupi po lëshohej, më qullej. Hijet hungëritën, u kërleshën dhe u shtynë në cep të qilarit. Por seç kish ca vargonj të tjerë që babën e pengonin. Shikimi i tij trishtohej gjithnjë e më shumë. Drita hynte e copëtuar nëpërmjet plasave. Figura e babës dridhej, e herë shfaqej dhe herë zhdukej. Fryma dalëngadalë po më tretej...

-Çlodhu pak, - i thashë Mujos.

-Jo,- këmbënguli ai:- Prej babës dhe gruas, Shegës, gjendem gjallë. Ajo dreqe më përgjonte në çdo hap. Unë i preva dritat me qëllim që pjesëtarët e familjes të mos shihnin gjë. Nuk e di, kështu ma tha truri, por fantazma e babës e lajmëroi. Shega ulëriti si e çmendur: mos Mujo mos ma bëj këtë gjëmë. Shkallmoi derën me sëpatë, preu litarin, i thirri mëmës dhe të dyja me mëmën më shkulën gjysmë i vdekur prej qilarit ku dergjesha si një trung...

Mujo heshti. U tërhoq, ngriti jakën e penuarit dhe u mbështoll me petkun e rëndë të errësirës. Mu duk sikur humbi në kolltukun e madh dhe lëkurë të ronitur. Diku në qoshe të murit mu bë sikur shkau rrëshqanthi fantazma skeletore e të atit, doktorit dhe shkoi e u ngjesh në kolltuk pas të birit. I dhemb shpirti plakut për të birin, mendova. Përnjëherë mu duk sikur në atë kolltuk, i ati i vdekur dhe i biri i gjallë shëmbëllenin njëlloj dhe zëvendësonin njëri tjetrin. Ish një lëvizje dhe lojë marramendëse. Mujo ish bërë njësh me kolltukun e vjetër. Nuk doja të më shfaqej fantazma e ligur e të atit, doktorit. U gëlltita dhe fërkova sytë. Zotëroi heshtje e thellë, mu tha gjuha. Mbi kokën time tringëlloi me potere ora e varur në mur. U drodha, u shurdhova. Prej hutimit dogja gishtin në cigare.

Vështrova ngulët nga Mujo dhe u kapërdiva me vështirësi. Për një moment, me ankth e frikë përfytyrova përdredhjen e hijeve në qilar dhe lëkundjen e mundimshme të Mujos në litar. Shpina mu ftoh, mu bë sikur dëgjova klithma, ulërima të llahtarisura dhe lojën e mekur të fantazmave. Merakun e hapur të vdekurve dhe çmendurinë e rrethit të mbyllur të gjallëve. Më pas zhurmë e madhe dhe pluhuri mbytës i rrëzimit. Mujo nxori kutinë e duhanit dhe drodhi një cigare.

- Është e tmerrshme dhe marrëzi varja në litar, - fola. Përnjëherësh u pendova, kafshova gjuhën për këtë budallallëk me brirë. Ti përmendesh të varurit litarin.  

-Nuk është aq e tmerrshme,- mërmëriti i menduar Mujo dhe vazhdoi: -Për mua më shumë është mundim të rrëfej, është stërmundim të hesht, sidoqoftë është mjerim i madh kur në errësirë mprehim dhëmbët të tjerët. Dritat i preva përpara se të kryeja aktin. Le të më rrëmbente terri. Ç’është jeta, një lëkundje e parëndësishme litari. Prej territ dalim dhe në terr shkojmë. Shega u përplas me errësirën, dërmoi gjunjët, shkuli perden që kisha mbuluar dritaren e ngushtë të qilarit dhe u ngatërrua me litarët e varjes. Ajo klithi, qau dhe shkuli flokët. Mendon se jam njeri dobët? E di, të dobëtit kërkojnë të vetëvriten. Baba prej varrit më fshikulloi. Por nuk është ashtu. Akti i vetëvrasjes e kërkon një çmim të madh. Proteston në mënyrë gërryese mbi pamundësinë dhe klithmën e thekshme ndaj ligësisë e çmendurisë. Ti e njeh Haxhi Çalin që shet artikuj me shumicë e pakicë në pazar, i biri i të cilit rrëmbeu vajzën jetime të Vasilikës së bukur, kur po vinte kurorë dhe i mbathi në Itali.

-E njoh thua,- ia bëra dhe shtrëngova dhembët: - Ky dreq Haxhi Çali më futi në sherr me gruan dhe po më nxjerr thinjë me pronën e babait. Në tokën time po hedh themele. Unë bredh nga një zyrë në tjetrën, harxhoj kursimet e mbledhura si plaka qelbin. U tregoj tapinë për zgjidhjen e së drejtës së pronës. Haxhi Çali zgërdhihet pas shpine, paguan para, dollarë, euro, hedh në themelet e mia gurrë e llaç, ngre dyqane dhe shtëpi. 

-E ai makuti, Haxhi Çali, në mbledhjen e fundit më hodhi një shikim të mprehtë, gjithë xhelozi dhe ligësi, - nisi të fliste me ngadalë Mujo:-  E vështrova me dashamirësi e pa mëri. Ndonjë nga ne mund të hedhë kandidaturën edhe për deputet, i thashë. Ai shkundi kokën si kalë. Haxhiu është bërë rrumbullak, ka vënë bark dhe mban kravatë me flutura. U ngrit kur nuk e prisja, më vështroi me bisht të syrit dhe nguli thikën pas shpine,  tha: ‘Unë si anëtar i kryesisë, them se, sa peshë ka ndershmëria dhe besueshmëria e një burri që zgjidhet, kur Mujo Mborja ka firmosur...’ Më beso, ngriva, u bëra dru. Mujo thithi cigaren e dredhur trashë që kundërmonte erë të rëndë. ‘Në sallë zotëroi një heshtje e thellë. Të gjitha shikimet e helmëta u ngulën mbi mua. Doja të flisja, të protestoja, të mbrohesha, të sqarohesha, të bërtisja; Dhe ti o Haxhi Çali dhe ti ma bëre këtë gjëmë dhe ti?! Dikur të shpëtova jetën o Haxhi, kur Ramë kokëmushka bërtiste si i shkalluar, Haxhi Çali je si gjarpër, prandaj do ta shtyp kokën si gjarprit dhe ngriti gurin e rëndë të shtypte vërtet kokën e të flakte në pusin e skëterrës. Mos Ramë, i thashë, të kujtohet. Ikë më lër, ky vetën të kafshojë di, bërtiste Rama. E shtyra me forcë Ramë kokëmushkën, por guri më ra në këmbë dhe më nxiu gishtërinjtë. Në kundërshtim nga ato që mendova, mu lidh gjuha, heshta. Çdo gjë mu duk e përmbysur. Ne këtu në parti duhet të jemi të hapur, le të ngrihet, të flasë, të sqarohet, të mbrohet, dëgjova. U ngrita, ika. Zhaurima mbeti prapa, në përgatitje të uraganit të madh.

 -Ta kishe lënë ti a shtypte kokën Ramë kokëmushka,- i thashë,- ai po përlan palcën e qytetit.

-Nuk e lashë, atëherë Haxhiu mu dhimbs, qante dhe ish lëngaraqur bërë si kërmill.  Është një sfilitje e gjatë e pafund dhe çmimi i vdekjes apo vetëvrasjes nuk ka ndonjë vlerë. Haxhi Çali më qëlloi me shigjetë në zemër. Majën e mprehtë të shigjetës kish lyer me helmin vdekjeprurës të kobrës. Klithma e Haxhi Çalit çau mes përmes qiellin kur tha për firmosjen. Firmosja, ose jo firmosja është tjetër çështje...

Dhe ti o Haxhi Çali dhe ti!

Më beso është kalvar i gjatë. Ata buzëqeshën me djallëzi dhe kërkuan me ngulm të firmosja. Më afruan mundësi, punë të qëndrueshme, fshehje të biografisë, më bënë presion. Refuzova me përbuzje, atëherë me nënqeshje cinike më larguan nga puna, si mësues, më flakën në prodhim. Do më shumë, më thanë. Refuzova prerë dhe pranova të punoja në bonifikim. Kujtova se më harruan ngaqë nuk isha vetëm unë, njëherësh isha i mbytur nga djersa dhe i përlyer me baltën e verdhë të bonifikimit. Punoja si kafshë. Balta, varfëria dhe mundimi nuk linin shteg për të ngacmuar. Një copë herë mora frymë i lehtësuar, shyqyr zotit na lanë të qetë në varfërinë dhe mundimin tonë. Balta, djersa u tha shpejt. Ata ia behën në mesnatë si çakej, është pak, shumë pak, thanë dhe arrestuan babanë. Ju të tjerët ngarkoni leckat, të zhdukeni.  Gazi  me babanë e lidhur preu majtas, drejt lindjes. Qielli u ça prej rrufesë. Makina tundej dhe shkundej në rrugë e pa rrugë. Mëma mbuloi fytyrën dhe qau. Nata rënkoi. Ne të tjerët ishim mbledhur  në fund të karrocerisë, s’bëzanim. Në mëngjesin e ftohtë u gjendëm në një fshat të thellë mes malesh, mbuluar nga bora e trashë. Ku të jetojmë, i pyeta me gjysmë zëri. Ja, pastroni këtë kasolle prej borës dhe bajgave dhe jetoni aty në qoftë se doni të mbeteni gjallë. S’fola. Vështrova kreshtat e maleve të larta, dëborën e rëndë, mjerimin, tretjen dhe thashë me vete, shyqyr, na degdisën larg, do të na harrojnë, siç harrohet një send i flakur tutje dhe mbulohet prej borës dhe ngricës. Sepse ka edhe më keq. Ka të keqe më të madhe se ky syrgjynin o Mujo, më tha Shega me lot  në sy? Nuk i ktheva përgjigje. Ka, dëgjova një zë prapa veshit.

 Urdhërimi i ashpër, i prerë për të firmosur më erdhi një mbrëmje dimri të egër. Nëna dergjej e sëmurë rëndë, me të ftohur, kish temperaturë të lartë. Ne nuk lejoheshim të zbrisnim në qytet ta vizitonim tek mjeku. Kërcënimi, egërsia dhe tajfuni shkundnin kasollen tonë dhe nëna rënkonte. Së bashku me Shegan i vunë nënës kupa, e për fat të mirë, e kaloi lumin. Gëzimi i vakët i përmirësimit të nënës na u tret në buzë. Kundërshtimi im i prerë dha rezultatin e pritshëm, arrestimin. Kamioni ikte duke u lëkundur nëpër rrugën e përbaltur, me gropa të fshatit, më morri me vete të lidhur si kafshë. Paska më keq, mërmëriti me dhembje dhe tmerr Shega. Ka, dëgjova përsëri zërin prapa veshit.

Pas lashë dy gra pa mbrojte e Dolorezën, vajzën time të mitur. Kamioni tundej dhe shkundej, koka më përplasej pas mbështetëses metalike ku isha lidhur. Ishim si të shkalafitur, si mos më keq; tre krijesa të pambrojtura femërore mbetën të ngujuara në një skërkë të vetmuar dhe dy krijesa mashkullore u arrestuan, burgosur, torturuar, flakur në qelitë e tmerrshme të Hanit me dy porta.

Do të pyesësh cila ishte arsyeja e kësaj përndjekje të pamëshirshme, shkaku qe  bastard; im atë specialist në mjekësi, patriot dhe njohës i mirë i anglishtes shoqëroi majorin anglez në luftë. Bridhnin maleve për të takuar forcat luftuese, krijuar një paqe dhe bashkëpunim mes tyre. Emri i babait u shkrua me rreth të kuq, sipas tyre; të jesh i pasur, intelektual i shquar, njohësi mirë e anglishtes, bashkëpunëtor i anglezit dhe amerikanit, në ndihmë të shuarjes së vëllavrasjes, luftës civile, është mëkat i madh, tmerri vetë! Më thuaj ku qëndronte krimi i babës, faji im, i familjes, që u detyruam të tërhiqim si skllevër vuajtjen dhe përndjekjen? Thuaj, çfarë dreq shorti na ra në pjesë!

Qe çmenduri e llahtarshme klithma përtej varrit dhe zgavrës së llavës për firmosje prej hetuesve ndaj skeletorëve të burgosur. Ne ishim kufoma të pa mbuluara, të groposura në birucat me të tmerrshme të Hanit me dy porta. Ditë e natë të vënë nën pranga e hekurta dhe torturë të vazhdueshme.

Dikush prej ne ulëriti:

-Shporruni hije të poshtra me gjithë firma.

-Firmat janë shpata, kosore, thika,- ia pat një tjetër.

-Thoni janë thika, kosore firmat, sa idiotë jeni more të mjerë! Sa vlerë ka një firmë, kur jemi në vallen e pështirë të vdekjes,-gërhiti Haxhi Çali.

- I marrë hesht! Vdekja për ne është xhan o lule!

- A je në vete Mujo, firma shkruhet me bojë dhe qullet, zhduket me ujë!

-Firma është si bushtra,- ia bëri një tjetër,- të lëpin dhe të kafshon.

S’ ishin gjë tjetër veç mërmëritjet e mia nëpër gjumë. Haxhi Çali më qëndronte mbi kokë, më nxiste, më ngacmonte. Si të gjithë të burgosurit e tjerë të flakur në qeli pas torturave, xhelatët na mbanin  në mengene dhe jeta lëkundej si cipë e hollë qepe në dritaren e ngushtë me hekura të përdredhura të birucës. Përsëri lëkundej fleta e brymtë, kërkohej firmosja si këmisha e përgjakur e të vrarit, bërë shoshë nga plumbat, ndehur në tel, paralajmërimi i mortit të afërt. I vdekjes së paralajmëruar pa mëshirë dhe kthim. Të gjithë i sfiliste ajo fletë çfarëdo që priste me kënaqësi vrastare të hidhej firma. Në realitet s’ ish fletë çfarëdo por, këmishë e përgjakur. Na marroste, ishim pafuqi e në dorë të tyre. Këmishët e përgjakura lëkundeshin prej erërave, gjëmonin si kambana, të ndehura mbi retë e dendura, në cepat e zverdhur të yjeve përgjatë qiellit...

 E kërkova babanë. E kishin degdisur në katin e fundmë të birucave, ku skeletet zbardhonin nën vezullimin e dridhshëm e gjakësor të dhëmbëve të minjve. Një gardian u zgërdhi e me tha se, babai e drodhi këmbën me vakt e me kohë. Si doktor që ish e nderuan duke e groposur nën qershizë. Qershizë i thoshin një trungu të kalbur të ngulur në tokë si relikt e kalbëzimit.

Një mëngjes të zymtë dy gardianë më shkulën prej brezit të gjashtë të nëntokës dhe më ngjitën duke më tërhequr zvarrë në brezin e dytë. Prej aty mund të shihja zverdhimin, skërmitjen e hënës dhe klithmën e çjerrë të kukuvajkës. Më dhanë të pija ujë të ndenjur me krimba të hollë të bardhë. Gjithsesi uji ish komod, në krahasim me etjen e madhe, më njomi buzët e përzhitura. Në pjatën e ciflosur lëkundeshin morat dhe tartabiqet. Supa më fashiti tallazin e urisë. Kisha ditë pa futur gjë në gojë dhe zorra po më thahej. Në pamundësi ushqimi, morrat dhe tartabiqet kishin përfunduar në pellgun e nxehtë të kazanit, sikundër unë në grackën e ndyrë të tmerrshmit Hani me dy porta.

Mendova se ish afruar dita e gjyqit. Një copë herë vështrova rrezet e holla, të dridhshme të dritës dhe mora frymë i lehtësuar. Sido që të ishte gjyqi, sarkazëm e neveritshme dhe vendimi i gjykatës, kërbaç pas koke, përsëri i lante hesapet një herë e mirë. I jepte fatkeqit të groposur trastën e transferimit prej birucave të errëta të torturës të hetuesisë, të bashkohej me tufën e laraskave të mjerimit. Degdisjen së bashku me të tjerët në burgjet e mundimit dhe të vdekjes së ngadalshme.

-Kërkojnë firmosjen,- dëgjova një zë të mbytur prej fundit të birucës. U ktheva dhe u mundova të shquaja njeriun që foli përtej errësirës. Hija shtyu shkëmbin e lagësht dhe dallova Haxhi Çalin, mikun e largët të familjes,-kush është më i rrezikshëm, kafshimi i kobrës apo firmosja?

-Kërkojnë firmosjen,- mërmërita. Nuk vështrova Haxhiun por piklat e ujit që vareshin si litarë dhe binin përdhe, - nuk u lodhën!

-Ata nuk lodhen kurrë. Kafshimi dhe helmi i kobrës vdes luanë Mujo. Firmë është një zhgarravitje boje përpara jetës,-ia bëri Haxhi Çali u dhe u mbështoll me errësirë. Unë nuk shquaja asgjë.

Pas disa minutash rrapëlliu dera e birucës më morën me vete. Dikush më qëlloi prapa kokës, trupi mu var. Kovat me ujë të ftohtë e klithmat e çjerra më sollën në vete. Drita e fortë e një llambe më varej mbi krye. Më verboi.

-Firmos kafshë,- më thanë.

Ata nuk pyesnin, të hetonin për mëkatin, krimin e supozuar për të cilin u arrestova. Bërtisnin, ulërinin rrëzë veshit vetëm një gjë, të ndehja këmishën përgjakur në skaj të qiellit tim, të firmosja.

-Çdo gjë është në dorën tuaj, mund  edhe të më vrisni. Hidheni vetë firmën,- u thashë.

Ata u zgërdhinë.

-Ne gozhdojmë dhe nxijmë botën me miliona firma. Ne jemi jeta e ardhmja, bota. Por...kur ju qelbësira, milingona, shkarravisni firmën në atë copë letër, ne shohim përdredhjen, tjetërsimin, qullosjen, zhburrërimin deri tek asgjësimi,- më thanë.

Nuk fola, ata u ngërdheshën dhe me vunë në torturë.

Isha i mbështjellë në qethurin e përgjakjes së torturave të njëpasnjëshme. I ënjtur, i sfilitur, i flakur mes pellgut të zi. Dhe i bombarduar prej llomotitjeve të pandërprera të Haxhi Çalit, prej kthinës së errësirës së lagësht ku ish mbështjellë. Mendoja se njeriu e di pashmangshmërinë e përkohshmërisë të gjithësisë e të vetes. Do bëhet pluhur një ditë, do zhgërryhen minjtë, kërmijtë dhe gjarpërinjtë. Shpejt a vonë nuk kam për ta parë vezullimin diellor, lotimin e vesës, magjinë e mëngjesit dhe mrekullinë e ylberit. Buzagazin e ëmbël, qumështor të vajzës kur porsa shkëputet prej krahëve të purpurta të gjumit.

Në minutat e fundit të jetës do shoh vetëm përballjen me egërsinë të xhelatit Bëzi Kule. Ndyrësirë i pashpirt, dy metra i gjatë, si një gorillë zbritur nga fshatrat e thella të Mokrës, me marrëzinë dhe revanshin e inferioritetit të pështirë të njerëzve. Rrotullohet mirësia dhe ndershmëria kah territ, bëhet lëvere në duart xhelatit Bëzi Kule, përbindësh pa tru e mëshirë. Fatkeqi i vënë në torturë s’mundet, thërret me ngulm, prej thellësive të shpirtit. Vdekja ngjan e ëmbël, pret të vijë ta marrë pa shumë ceremoni. Qaja pa zë dhe rënkoja.

Haxhi Çali u shkul prej territ. Shkundi kuvertën e pistë, të mbushur me morra e tartabiqe dhe qëndroi në këmbë mbi mua.

-Mujo, akoma ngulmon si mushka. Je në vete o kokëgdhe! Jemi tanët bre, një fis, një farë, prandaj të flas hapur. Përse kërkon vuajtjen me qiri? Firma nuk është siç mendon, këmishë gjaku e ndehur në tel, përgjakur prej plumbave të gjakmarrjes, por një paçavure e pavlerë e vënë në torturë,- foli mbytur dhe më shkundi nga krahët,- më dëgjon Mujo Mbroja, thirri mendjes.

U ktheva me vështirësi kah tij, më dhembte i gjithë trupi prej torturave.

 -Të dëgjoj o Haxhi Çali, të dëgjoj,- mërmërita. U kollita, pështyva gjak dhe shtova,- emrin e kam Mujo prandaj i thërres mendjes. Nuk thyhem lehtë prej torturave. Le të vdes, punë e madhe. Mos harro Haxhi Çali, bëhet fjalë për nderin dhe dinjitetin e burrit. Mujo i kreshnikëve, preferoi forcën prej zanave me qëndrue e luftue.

- Nderi, dinjiteti i burrit. Aha, ç’na shkrive gazit Mujo Mborja! Sa naiv që je. Të gënjen mendja more i shkretë, kujton se je Mujo i legjendës! Jo more i gjorë, jo, je Mujo i qilizmës, kokorroç i qelisë, një numër e asgjë tjetrë. Për çfarë lloj nderi e ke fjalën bre? Sipas mendjen sime, nderi dhe dinjitetit burrit është bërë lëvere, përzierë gjak e baltë në qelitë e nëndheshme të Hanit me dy porta.

 -Jo, nuk jam dhe nuk do jem kurrë kokorroç i qelisë, apo numër. Jam njeri dreqi e morri. Pranoj të vdes si njeri dhe jo si lëvere. Firmën nuk hedh dhe pikë. Burri edhe në momentin e fundit të jetës qëndron për një nder dhe moral,- i fola me inat dhe mllef. Ngrita kokën dhe vështrova Haxhiun pjerrët,- Xhike, thuaj të vërtetën, e ke hedhur firmën, ke pranuar që më flet kështu?

Haxhiu përdrodhi buzët e trasha dhe bërbëliti.

-Të thashë, sa vlerë ka një firmë e hedhur në torturë. Gruaja hyn në nderin dhe moralit e burrit?

-Gruaja është shenjtëria e burrit, e shqiptarit Haxhi Çali, nuk e di këtë ti a!

- E di,- mërmëriti Haxhi Çali,- sigurisht e di. Ka burrë nëne të mos e dijë.

 Më vështroi ngulët një copë herë. U kollit, rënkoi, erdhi vërdallë qelisë dhe u zhduk përsëri. Mbeta vetëm, por fjalët e tij qëndronin të varura si qyre në muret e lagështa.

Më mbërtheu gjumi i rëndë, i lidhur pas bisedës me Haxhi  Çalin, e tek mendimi i shenjtë se burri që është burrë e ka një nder dhe një moral. Të ndjehet i përgjegjshëm për tu bërë ballë torturave. Është njolloj si të jesh mbërthyer pas një peme të lartë, jetëdhënëse. I kapur fort pas trungut, me të dy duart, përpiqesh të ngjitesh lart në majë, qielli dukej si kurorë dhe ish i kaltër, i kthjellët më tepër se kurrë. Ndjehesh i plotë. Një dorë e butë më ledhaton lehtë, flokët, qafën, buzët, fytyrën. Ish gruaja, Shega! Asnjëherë nuk e kisha kërkuar dhe parë në ëndërr në qelinë e ferrit gruan time, Shegën. Ajo përkuli kokën ngadalë, shmangu flokët e dredhura, të derdhura, i hodhi mbi shpatulla si ujëvarë dhe më puthi. Unë lëpiva buzët,u ripërtëriva, puthja ishte e freskët, magjike, e papërsëritshme.

 Por nuk ish e thënë të arrija në mesin e gjelbër të pemës dhe të shijoja deri në fund shijen e puthjes. Më ngritën me përdhunë, më tërhoqën zvarrë,  më futën në qelinë e torturave. Drita e fortë mi lëbyri sytë. I mbajta një copë herë sytë e mbyllur. Kur i hapa, u ndesha me sytë e trishtuar, të përmbytur prej lotëve të gruas sime, Shegës. Ajo qëndronte e lidhur e bardhë dhe gjysmë e zhveshur.

Shega, ç’do Shega në qelinë e tmerrit, kur e arrestuan! Burgu është për burra, jo për gra. O zot, janë në vete, kanë mëshirë këta, vetëm atë jo, oh ju lutem, vetëm atë jo! Preket, shpërdorohet, torturohet femra në pafajësi, gruaja, nëna e fëmijës. Por...dhe unë jam i pafajshëm. Mirëpo jam i biri i doktorit, i cili shoqëroi përfaqësuesin anglez. Çfarë faji ka bërë e mjera që e mbajnë lidhur dhe lënë gjysmë të zhveshur në të ftohtin e hidhur, në ciknën e janarit.

Vetëtimthi Bëzi Kule u kthye nga unë e më ngjeshi një grusht të fortë turinjve. Më pas zbrazi një batare. Qeshje, zgërdhije. U plasa përdhe i zalisur. Dëgjova nëpër mjegull klithmën e Shegës dhe asgjë tjetër. Më hodhën kova me ujë të ftohtë. U përmenda, vështrimin e kisha të mjegullt, si të më ish hedhur një pelte e trashë. Koka më buçiste dhe nuk kisha fuqi të ngrihesha më këmbë. Torturat e vazhdueshme më kishin bërë të thyeshëm si qelqi.

- Çohu se të pret zana, të japë gji, more Mujo kreshniku,- dëgjova.

U përpoqa të pastroja shikimin të shihja nga Shega ç’po ndodhte me të, e torturonin keqas në praninë time. Një masë e ngurtë, më pengonte, ish e errët e rëndë. U zvarrita më tej të shihja, trupi më shponte dhe priste gjithandej. Masa e ngurtë rrëndonte mbi qepalla dhe nuk ish gjë tjetër veçse se gjaku im, i trashur, i mpiksur, shtrirë në gjithë fytyrën, trupin.

- Le të çepkatim së bashku çështjen e burrit, nderit, dinjitetit dhe moralit,- dëgjova,- Ke filluar të na shesësh edhe mend. Hëm, një plehrë, qelbësirë armik si ti, llapashit. Shërbimi dhe firma është nderi e morali. Mos i kërko ato në qeli...

Nderi dhe morali, dinjiteti dhe ndershmëria.., më buçiste koka. Ç’kuptim kanë këto fjalë të shenjta në  kasaphanën e torturave..! Përnjëherësh mu kujtua biseda e bërë para një dite me Haxhi  Çalin. Unë u flisja hijeve, territ dhe jo atij. Të jetë mi qelie Haxhi Çali, jemi dhe prej një fisi dhe një farë. Hiqet më i vuajturi prej të tjerëve mbështjellë me kuvertën e pistë, të shkalafitur, gjithë morra dhe pleshta. Vërtitet si hije nga një qeli në tjetër qeli, zhduket sikur e përpin dheu dhe shfaqet përsëri!

-Është paralajmërimi i fundit për të firmosur,- më thanë.

-Mujo të lutem më thuaj, ka më keq se kaq,- rënkoi Shega krahëvarur.

-Sigurisht ka dhe më keq,- dëgjova.

Paskëtaj gjithçka po shkonte drejt një pështjellje, përmbysje, rrokopujë të ngjethëse. Qelia e torturave filloi të mblidhej, të tkurrej të zgjatohej, të bymehej, të fryhej, të shpërthente dhe unë ngjaja si një amebë e flakur në  një pellg me baltë të qelbur. Fytyrat filluan të deformoheshin, krahët po zgjateshin dhe këmbët po shtrembëroheshin. Po bëhej një zhveshje e përbindshme. Me epshin e pashpirt. Një lakuriqësi zvetënuese, gjakësore, lemeritëse. Qëndroja i zhveshur, i lidhur, i kryqëzuar, i përgjakur. I pazoti të bëja veprimin më të vogël për tu ngritur, lëvizur, kundërshtuar, mbrojtur të shenjtën gruan time dhe luftuar. Ish një gjë e zakonshme në birucat e nëndheshme të Hanit me dy porta, që viktimat e pambrojtura të hidhnin vallen e llahtarshme të torturave.

 O zot. Përse po flak përdhe rrobat e xhelatit, të përlyera me gjak dhe zhvishet lakuriq përbindëshi Bëzi Kule! Shega gjendej e flakur në shtatin e drunjtë të torturave dhe bërtiste:

‘-Mujo, nuk ka më keq se kaq, nuk ka...’

Drejt saj në lakuriqësi pështirosësh, qime nxirosëse, po shkonte duke ecur si gorillë, -mekanizma e torturave, xhelati Bëzi Kule. Dëgjoja zgërdhije dhe qeshje të çmendura. Sytë e bukur të Shegës ishin shpërfytyruar, hapur tej mase sikur do të shqyheshin, kërcenin jashtë. Në to shihja lutje për ndihmë, tmerr dhe llahtarë. Ajo lëvizte krahët dhe këmbët, klithte, bërtiste. Më ndihmo o Zot, më kthjello o zot! Të jetë ngjitje e pështirë e qepallave të mia apo një e vërtetë që nuk mund ta durojë dot burri, nderi, jeta! Gjaku rridhte pa ndërprerje...

-Të poshtër, largojini duart nga gruaja ime,- bërtita me sa zë që kisha,- ju nuk jeni shqiptarë dhe as burra. Mjaft, nuk mundem më...

Gjithçka ngriu, u pre si me thike dhe iku tatëpjetë. Loja e verbërisë dhe hijeve qelbej në atë qeli...

Unë me naivitet u përpoqa ti harroja të gjitha. I hodha pas shpine, shtriva dorën e miqësisë dhe paqes, sepse e di fort mirë që demokracia nuk do revanshe. Por nuk harron Haxhi Çali, prandaj më qëlloi me shigjetë të helmatisur pas shpine. Mirë thoshte Ramë kokëmushka, je gjarpër dhe shkuar gjarprit o Haxhi Çali..!

Mujo heshti, befas e mbërtheu një kollë e keqe. Shkuli me forcë dhe nervozizëm garzën e përgjakur që mbante qafën shtrënguar. Drita elektrike e dhomës vetëtiu. U platita kur pashë qafën e lënduar, të fryrë, të mavijosur të Mujos...



Kristal Turtulli

No comments: