RESMI OSMANI
TREGIM
Prolog
Ndodhia
që do të rrëfehet në këtë tregim, zë fill në Fushë-Dukat, të Vlorës në korrik 1537.
Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, prijës i perandorisë më të madhe të kohës, që
shtrihej në tre kontinente, pasi pushtoi Hungarinë, arriti në portat e Vjenës
dhe detyroi Arqidukën Ferdinand të Habsburgëve të pranonte vasalitetin.Ishte në
kulmin e fuqisë. I hodhi sytë nga Italia.Kishte ardhur koha ta pushtonte. Me njëzet
mijë trupa të zgjedhur Zbarkoi në Vlorë, kundruall Otrantos. Fushimi,si
piknisje, u ngrit në Fushë-Dukat, buzë detit. Flota nën drejtimin e Kapudan
Pashës,Hajredin Barbarosës, u strehua në Pasha Liman. Para nisjes për zbarkim në
tokën e tëpafeve, për të siguruar shpinën dhe prapavijën, Sulltani ngarkoi Ajaz
Pashën që të spastronte krahinën e Himarës nga luftëtarët e mallkuar arnautë por….
1
Bylyku i xhenjerwve-varrmihës e la pas fushimin
perandorak. Në krye printe çaushi dhe në fund e mbyllte imami mjekërbardhë, që
ndryshe nga të tjerët ishte i veshur me xhybe të gjatë. Në zallishten e fushëtirës
buzëdetit, dukeshin si të mbira nga dheu qindrat e çadrave. Mes tyre, por paksa
më pranë detit, kuqëlonte shatorrja madhështore e padishahut, ku valvitej
bajraku me gjysmëhënën.
Pas një copë
udhe, niste e përpjeta. Rruga e ngushtë kalonte mes shqopishteve dhe mareve. Xhufkat
e fierit dhe Barishtet e zverdhura, ishin vyshkur nga thatësira. E përpjeta sa
vinte bëhej më e thikët, dielli më përvëlues dhe vapa bezdisëse. E përpjeta,
barra e pajisjeve në shpinën e djersitur dhe veglat e punës në supe, ishin të
lodhshme dhe ata nisën të dihasnin.
Kur mbërritën në
një lirishte, para se të fillonte pylli me pisha, hasën një burim me ujë të
kthiellët. Uji gurgullonte dhe rridhte nëpër një rrëkezë. Nën ujë zbardhnin
zajet dhe rëra e imët. Qëndruan, u liruan nga ngarkesa, pinë ujë dhe u
freskuan. Të ndarë në grupe të vogla, u ulën në hijet e busheve. Bylyky i tyre
ishte formuar ato dit, shpejt e shpejt, ngaqë në luftime kishte patur shumë të
vrarë. Ishin nga vende dhe kombësi të ndryshme dhe akoma nuk kishin arritur të
njihnin mirë njëri-tjetrin.
Idris
Ahmetoglu, u dystua mbi fjerishte bashkë me një asqer të ri, që nga mosha dukej aty
rreth të tridhjetave.
-Arkadash, hajd të njihemi, se nga sot do
të punojmë e luftojmë tok. Si e ke emërin?
- Jakup.
-Nga
ç’vend vjen?
- Nga Shqipëria.
-Ku bie ky vilajet? S’e kam dëgjuar.
-Është ky ku jemi ulur. Ju i thoni
Arnautistan.
-The nga Shqiperia. Pse i thonë Shqipëri?
-Nga shqiponja, mbreti i qiellit. Ne keto
male ka shume shqiponja.
-Demek, ti je Jakup Arnauti. Jakup
Shqiponja.
-Po.
-I
bukur ky vendi juaj, po i egër, shumë male, shumë gurë.Si rroni në të?
-S’ka vetëm male. Epo, ja si ta them , me të
keq. Ky na ra në pjesë. Po ti nga je?
- Nga malet
Taurus. Rrëzë fushës së Çukurovës. Tokat janë të kuqërremta, të ngjeshura e të
forta, mezi i çan plori. Bëjmë a s’bëjmë tre muaj bukë! Stepa e thatë pjell vetëm
gjëmbaçë. Tokat e mira që ujiten i kanë agallarët.
-Pse ke hyrë
në ushtri?
-E kush na
pyet ne? Sa herë Sulltani niset për luftë, agai ynë, me urdhër të valiut na ve
përpara si tufë bagëti. I gëzohemi edhe atyre akçeve që na japin dhe plaçkës së
luftës.
-Je i
martuar?
-Po. Kam
edhe tre fëmijë. Janë akoma të vegjël,si zogjtë në fole që presin me sqep hapur
ti ushqejë e ëma.
-Të merr
malli për ta?
-E ç’farë
babai do të isha po të mos më merrte?Sa herë i kujtoj më merr të qarët.
-Po ti je
i martuar, ke fëmijë?
- Po.
-Sa gra ke?
Thonë që gratë tuaja janë të bukura si hyrie!
-Një. Ne
se kemi zakon të marrim më shumë se një grua. Po ti?
-Ç’më thua arkadash.S’ma mba as kuleta as shtëpia.
Agai ynë ka një harem me gra të bukura.
-Po ti ,po të kishe gjendje e mall, do të
merrje gra të tjera?
-Në fshatin tonë thonë që burri me gra, me
mall dhe fëmijë
Nuk ka të ngopur.
-Kjo
vape qeni na e mori shpirtin. Po dimri si eshtë në këto anë?
-_Maleve bie borë, po në fushë dimri është i butë, e zbut deti.
-Eh
ky deti! Mos ma kujto. Po të mos ishte, këtë sahat do të gjendeshim në Itali,
se për atje jemi nisur. Sulltani ka premtuar që në qytetin e parë që do të
marrim, do na lerë tre dit e tre net të bëjmë plaçkë e skllevër sa të gjejmë e
sa të mundim!
Idrisi, bënte- çbënte, me ata sytë e vegjël e dinakë shihte pa rreshtur
nga kreu i monopatit dhe nga shkurret, pastaj fliste e fliste kot nasikoti. Pa
që bashkbiseduesi shfaqi shenja bezdie.
-Arkadash, mos pandeh që jam fjalaman. Në flas shumë e kam nga frika. Më
duket që ajo largohet tok me fjalët. Më ka mbetur huq që së vogli. Kur ktheja
netëve të verës delet në shtëpi, udha kalonte te tyrbja e varrit të kadiut. Më bëhej sikur
shihja hije dhe flakë zjarri.Që të hiqja frikën u flisja deleve dhe këndoja me
zë të lartë ndonjë këngë koti!
-Po
tani, ngase ke frikë?
-Nga
arnautët.Dalin si xhindet, tek si pret, sikur i pjell dheu.Thonë që shigjeta
nuk i godet dhe shpata nuk i pret. Të vrasin por nuk vriten. Allah, Allah,
ruajna nga e keqja! Si thua, të na sulmojnë këtu ku jemi?
-Nuk e
besoj, janë ngjtur në male.
Pushimi
mbaroi. Bylykbashi urdhëroi të ngriheshin.
Në krahun lindor të udhës, rrëzë malit, para se të niste
pylli i pishave, u duk fshati i rrënuar. Shtëpitë ishin djegur kulm e themel.
Ende dilte tym. Kishin mbetur mbi çatitë trarët e nxirë, si eshtrat e shtëpive
të vdekura. Fshat i djegur, fshat i vdekur!S’dukej frymë njeriu. I kishin
kallur flakën edhe kishës. Jakupi e dinte që ajo ishte Shën Triadha. Aty dikur
ai ishte falur. Kambanarja kishte mbetur më këmbë, po kryqin ja kishin thyer.
Mbajti këmbët.
-Të vjen keq?
Jakupi u gëlltit
dhe zemrës i vuri një gur.
-Epo, Allahu
i ka ndarë fatet e njerëzve. Po ty?
- I urrej
këta pis arnautë e të pafe, do më vinte mire që të mos mbetej këmbë prej tyre.
Idrisi e zhbiroi me sytë e vegjël
dinakë. Priste prej tij tjetër përgjigje. Nuk i besonte këtij arnauti. E kishin
porositur të mos ia ndante sytë. Ata nganë pa folur më, udhës së përpjetë. Kur
sosën te vendi ku ishte zhvilluar përpjekja, s’u besuan syve: toka ishte mbjellë
me të vrarët. Ploja ishte e madhe. Të vrarët kishin rënë përmbys, në shpinë, brinjazi, me gjunjët
mbledhur, krahët të hapur, me gojë të çapëlyer, sytë të shqyer e të çakarritur.
Kishte dhe trupa pa kokë dhe kokët e prera, të rruara, me apo pa mjekra, ishin rrokullisur larg trupave. Kufomat ishin të
lara në gjak, pllanga gjaku kishte edhe mbi tokë, por gjaku ishte tharë dhe
nxirë. Kishte azapë, jeniçerë, akinxhinj. Shigjetat dhe ushtat ishin ende të
ngulura në shpine e në gjokse. Gjithandej shiheshin shpata të thyera, mburoja të
flakura, shtiza, harqe leqekëputur dhe shigjeta majëmprehta.
-Të gjithë këta
janë tanët.- tha Idrisi –Kanë qenë duke ia mbathur,se plagët dhe goditjet i kanë
në shpinë. Po arnautët e mallkuar ku janë? Axheba, thua të mos kenë patur të
vrarë?!
-Ma do mendja që
i kanë hequr të vrarët e tyre.
Nga vapa, kufomat
ishin fryrë, kishin nisur të prisheshin. Ca miza të mëdha jeshile vizhëllinin
sipër plagëve . Tufat e korbave krokasnin mbi kurorat e pishave dhe ecnin duke
kërcyer midis kufomave. Ca qen të uritur u tërhoqën duke hungërirë. Duhma e rëndë
e kufomave ishte e padurueshme. Ata lidhën nganjë çember rreth hundëve e gojës,
por pa dobi. U zgjodh një lëndinë e vogël për të hapur varret dhe varrmihësit
filluan nga puna. Nisën t’i mblidhnin të vrarët. Idrisi i kapte nga këmbët dhe
Jakupi nga krahët, i rendisnin rrëzë gropës që po hapnin të tjerët e që do të
ishte varri i përbashkët. Mblodhën edhe kokat dhe i vunë pranë kokëprerëve, pa
ditur në ishin të tyret. Të vdekurit nuk flasin! Puna ecte ngadalë se toka
ishte e thatë, e fortë dhe me gurë. Të njëjtën bënin edhe grupet e tjera. Në atë
shurdhëri të pyllit, dëgjoheshin tingujt e mbytur të kazmave vringëllimi metalik i lopatave, krokama e
korbave, dihatja e mbartësve të kufomave dhe mërmërima e imamit që lutej për shpirtin e
asqerëve të rënë.
Nuk u dihej as
emri as kombësia, por do të dihej të nesërmen
pas apelit. Ata do të shkruheshin në defterët e çdo taborri. Qatipët ishin të përpiktë
në hartimin e listave të shehitëve. Ishin varrhumbur por jo emër humbur.
Kufomat i mbështollën
me qefinet, që asqeri e ka me vete në turbanin e çallmës. I varrosën me kryet
nga lindja, nga Kibleja e shenjtë. Në pirgun e dheut, atje ku duhet të ishin
kokat vunë më këmbë gurë të gjatë.
Imami bëri
lutjet me syre nga Kurani, që Allahu ti mishëronte dhe që shpirtrat e shehitëve
të preheshin në xhenet, pastaj varrmihësit i mbuluan me dhe. Më vonë, vendësit
këtë lëndinë e quajtën “Varret e turqve”
Jakupi vuri re se Idrisi ishte zbehur dhe çerja
i ishte bërë baltë. Duart i dridheshin. Nuk duroi dot më, u tërhoq mënjanë, u
ul galiç dhe volli sa nxori zorrët.
- Arkadash, nuk je mirë?
- Më është prishur midea. Ti qënke i fortë!
Varrimet
vazhduan gjer në të perënduar. Ata zbritën tatëpjetë për të shkuar në fushim.
S’u ndahej frika, u dukej se pas i ndiqte hija e arnautëve që kishte bërë atë batërdi.
2
Kur ra boria
e zgjimit dhe fushimi u gjallërua pas gjumit të natës, Idris Dutogluit nuk ja
zuri syri arkadashin, Jakup Arnautin, që kishte fjetur jashtë çadres. Sefte
mendoi se gjendej aty pari për tu larë e për nevojat personale, por kaloi
sahati e ai s’u bë i gjallë. Më shumë u qederos, kur në një zgëq të çadrës gjeti
një torbë me rrobet jeshile të uniformës së tij. Që të shkarkonte veten lajmëroi
bylykbashin.
-Jakup Arnauti është
bërë fir! Ka ndrruar edhe veshjen. Nuk ja kam besën, druaj mos na bën ndonjë
prapësi.
-Po ti, ku i ke
sytë?
-Ka ikur natën,
si hije, kur ne flinim.
-E njeh ta shohësh?
-Si kalin balash.
-Kërkoje , gjeje
dhe ma sill se kam t’i them nja dy fjalë.
Asqeri Idris Dautogllu, shkoi te akçiu dhe
mori tasin e çorbës me bollgur, një qepë dhe një copë bukë. Çorba dukej e mirë,
avullonte dhe aroma e dhjamit të djegur i ndolli oreksin, hëngri si i babëzitur.
Më pas boria lajmëroi rreshtimin e taborreve për apelin e mëngjesit. Idrisi
zuri vend në bylykun e tij, pastaj ata morën detyrat për punët e ditës ,por ai
s’e harroi Jakup Arnautin.
3
Para çadrës
perandorake, ishin rreshtuar pashallarët për raportin e mëngjesit. Sulltan
Sulejman Kanuniu, ishte zgjuar heret.Kishte bërë gjumë të shqetsuar, me copa dhe
ishte gdhirë me dhimbje koke. Kishte parë ca ëndërra të rrëmujshme që s’i
mbante mend.Ndihmësit e veshën dhe i hodhen ujë të merrte abdes. Nuk deshi të
hante. Piu shurupin e ëmbëlsuar me mjaltë e të ftohur me borë. I ëmbël shurupi,
të hidhura lajmet. Vuri mbi krye turbanin ku shkëlqente një gur rubini gjak i
kuq, dhe në brez këllëçin që e kishte mollëzën e dorezës së artë stolisur me
safire të gjelbër. U rehatua në divanin mbuluar me lëkura tigri. Tartarët
kishin sjellë postën, me letrat ishte mbushur tryeza e ulët. Midis tyre dalloi
tubin e Hyrrem Sulltanës. E hapi, letra, e lidhur me gajtan të kuq, binte erë
gjyl trëndafili, që i kujtoi ermirimin e kurmit të saj. Nisi ta lexojë. Eh,fjalët e asaj gruaje ishin balsam për
shpirtin dhe ushqim për mendjen, buronin dashuri, mall dhe përdëllim. Por e la
mënjanë. Përjashta ishin pashallarët. Nuk deshi ti linte të prisnin gjatë.I dha
porositë truprojtësit.
I pari hyri serasqeri
Ajaz Pasha, me hap të lehtë, i përkulur në shenjë nderimi, ra në gjunjë i puthi cepin e rrobes, pastaj u ngrit dhe u
zbyth i heshtur dy hapa prapa. Sulltani e zhbironte me sy, kishte në ta një
dritë të keqe, të verdhëreme dhe shkrepëtima
zemërimi e përçmimi. Ajaz Pashai u mrrol e u mblodh sa një grusht. Zemërdredhur priste që mbi të të shkarkohej
furtuna dhe të binte rrufeja.
-Ajaz Pasha,
haberet e këqia kanë mbërritur para teje. Besimin që të dhashë ma ktheve në
turp. Arnautët , një tufë leckamanësh, pa din e iman, të vunë përpara si tufën
e deleve, ishin gati të hynin në fushimin tim. Këto dy muaj kemi humbur një të
tretën e asqerëve. Kjo tokë është lagur nga lumi i gjakut turk. Për faj tënd
kemi ngecur këtu si në një moçal. Turp!
Haram e paç besimin tim!
Heshtje e rëndë
si vdekja. Dëgjohej vetëm gërvima e pendës së qatipit që shkruante fjalët e
Padishahut.
-Lartmadheria
juaj fort e ndritur, Sulltani i Botës….
-Mjaft! Mos guxo
të nxjerësh nga goja e gënjeshtërt asnjë fjalë se ma shpif dhe për Allah, me
dorën time mund të bëj ndonjë hata! Je i shkarkuar. Dorzo myhyrin dhe vulën e
serasqerit. Shko mbyllu në çadrën tënde dhe prit urdhërat e mia!
Pashai,
duardredhur, as i gjallë as i vdekur, nxori nga brezi kuletën e kamoshit të kuq
dhe e uli mbi tryezën e qatipit. Me dorën e djathtë sulltani bëri isharetin që
ai t’i hiqej sysh.
Në çadër hyri
admirali, Kapudan Pasha, Hajredin Barbarosa.
-Hajredin pasha, na sill ca habere të
mira që të ma lehtësojnë peshën e kësaj dite të rëndë.
- Sulltani im i madhërishëm. Flota
zbarkoi në fshatrat e bregdetit të Himarës dhe i bombardoi nga deti. Atje s’ka
më veç rrënojave. Rrënjët e së keqes u shkulën. Mbrojtësit arnautë ca u vranë e u prenë dhe ca
të pakët u ngjitën maleve të tyre të mallkuar ku e dinë që ne s’i ndjekim dot.
Gratë dhe fëmijët i kishin përcjellë që më parë në Korfus. Anijet e flotës janë
strehuar në Pasha Liman dhe në Vlorë. Presim urdhërat e madhërisë suaj.
-Eh, këta arnautët! Të pabindur,
kryengritës, trima të çartur. Që në kohën e Murat Hanit, janë një gjemb në këmbën
e perandorisë. Edhe këtë herë e shpëtuan Italinë! Ushtria jonë u katandis
kokoshi një thelë! Nuk hidhemi dot përtej detit. Janë tetë mijë të vrarë!
-Pamë që Ajaz Pashai doli i mërzitur.
-Ja hoqa ofiqin, por jo kokën. Turpin që
na bëri se lan as deti! Pa mendoje, kush mund ta zevendësojë?
-I takon madhërisë suaj që ta vendosë,
por mendoj që Hyzrev Pasha Gjiritlliu, është më i përshtatshmi dhe më i
devotshmi.
-Paskemi qenë në një mëndje.
Në një vend të dukshëm ishte varur harta
e Pir Reizit, me brigjet e shqipërisë
dhe siujdhesën e Italisë. Një vijë e kuqe lidhte Vlorën me Otranton, dhe nje
tjeteër me Romën. Sulltani ja ngjiti sytë gjatë.Ky ishte vullneti i tij, por
sharra turke kishte ngecur ne gozhdën arnaute. Po e mbyste gulçi. Rënkoi dhe
doli nga çadra. Kishte nevojë të merrte pak ajr të pastër. Po afrohej mesdita e
ditës së shenjtë të Xhumasë dhe falja e namazit. Dha porosi ti përgatisnin
kalin. Hovi mbi shalë si më i miri i kalorësve . Kali një at i racës së pastër
arabe, që ndjeu mbi shpinë peshën e të zot, shkrofëtiu dhe çukërmoi me këmbën e
parë zallin, po freri ishtrënguar e pengonte të niste vrapin. Bylyku i kalorësve
truprojtës ju gjend pas.
E liroi frerin
dhe i grahu atit, që u turr përpara me trok të lehtë. Kur arriti buzujin, kalëroi
përgjatë plazhit, pastaj u ndal, me sytë nga perëndimi. Atje ishte Italia, Roma
e pasur me bukuritë e saj, Vatikani, papa, katedralja e Shën Pjetrit. Ai ishte
zotuar para allahut: do ta shkelte atë vend, papës do ti vinte mbi krye
turbanin e islamit, kambanaren e Shën Pjetrit do ta shndërronte në minare,
kryqin e urryer do ta zevendësonte me gjysmëhënën e islamit, ungjillin me
kuranin. Që aty, myezini do të thërriste
lavdinë e Allahut. Roma do të ishte kryqyteti perandorak i perëndimit.
Por në mes ishte ky
det dhe shqipëtarët!
4
Allahuuuu ekbeeeer, la ilahe il Allah… Zëri i fortë dhe
melodioz i muezinit lajmëronte faljen e vaktit të xhumasë. Jakup Arnauti,
veshur e ngjeshur si jeniçer, me rrobet flakë të kuqe, pa sesi sulltani me
shpurën po kthehej. Ata qëndruan para çadres madhështore. Kujdestarët shtruan
qilimin pak para taborrit të jeniçerëve dhe truprojtësve. Sulltani hoqi çismet
dhe me shikimin nga lindja u gatit t’i falej Allahut.
Asqerët dolën
nga çadrat. Jakupi përfitoi nga rasti dhe ngau përpara, me çape të lehtë e të shpejtë,
zuri vend te rreshti i shpurës. Askush s’ia hodhi sytë. Në fushim ra heshtja e
shenjtë, kur duket se shpirti i dorzohet krijuesit në pritje të një mrekullie.
Dëgjohej vetëm ezani i muezinit dhe më pas mërmërima e lutjes së mijëra shpirtrave të asqerëve. Nga ajo fushë
e zhuritur, fjalët me devocionin dhe lutjet e besimtarëve, me hallet, brengat dhe
shpresat ngjiteshin drejt qiellit, në atmosferën mistike, me besimin se i plotfuqishmi i shihte dhe i dëgjonte.
“Të gjithë këta
i falen Allahut dhe profetit të tyre. Duhet të jem i vëmendshëm dhe të bëj në lëvizje
ritin e tyre,- mendoi pa ia ndarë sytë jeniçerit që kish në brinjë - Jam i vetmi që i falem Tënëzoti, Jezu
Krishtit-zbërtheu këmishën dhe puthi kryqin e argjendtë të varur në qafë me
gajtan, pastaj e afroi më pranë zemrës, pastaj nisi lutjen:” Ati ynë që je në
qiell, u shenjtëroftë emir yt. Ardhtë mbretëria jote……..U bëftë vullneti yt, si
në qiell ashtu edhe mbi dhe. Na liro nga i keqi, se e jotja është mbretëria dhe
fuqia e lavdia, përherë e në jetë të jetëve. Amin”
Teksa nisi të lutej, ju kujtua ajo ditë, kur
kapedan Dhimo Gjoka, e thirri bashkë me dhjetë trima të tjerë.Fytyrë vrenjtur e
fjalëpakët, ai u tha: ”Duhet vrarë sulltani, si dënim për gjithësa na ka bërë
dhe po na bën. Po ra koka, bie dhe trupi. Kush e merr përsipër?” Pyetja ishte e
rëndë si vdekja, zëri i vendosur si për një vendim të marrë që s’duronte kundërshtim.
Ata u rrëfyen të gatshëm. Zgjodhën atë, Damianin, që ja njihnin burrërinë e
trimërinë, por edhe ngaqë fliste gjuhën e tyre. Kapedani qëndroi vetëm me të
dhe bisedoi gjatë . E gjithë vështirësia ishte si t’i afrohej. Sido që u mundua
ta mbante veten, në sytë dhe fjalët e tij
kishte shpresë dhe dhimbje. Kur e përcolli e dinte që ishte ikje pa
kthim. Këtë e dinte dhe Damiani,që do të ishte një i vetflijuar. Vetëm një
mrekulli mund ta shpëtonte, por mrekullitë ndodhin rrall. Dhe ja ku ishte afruar. Sulltani i turqve
s’ishte as dhjetë hapa më tej.
Me duart shtrirë
përpara e pëllëmbët lart ai mërmëriste lutjen: ”Zot, i shenjtëruar, kthjelloma
mendjen, qetësoma dhe jepmi guxim zemrës,
forcë krahut për të goditur , qartësoma vështrimin që të mos gaboj goditjen, që
vrasësi ynë gjaksor të bjerë i vdekur e
të mbytet në gjakun e tij. Të lutem e përgjërohem në emer të vendit dhe
popullit tim të robëruar. Amin!” Ra në gjunjë, pastaj u përkul dhe mbështeti ballin
në tokë. Ishte e ngrohtë dhe me atë aromën e veçantë. Ai ndjeu sesi toka rënkonte,
gjëmimi vinte së thelli. Nuk e duronte thundrën e huaj. Ajo ishte bërë varri i tyre. ”Bëhu gati,- i
tha vetes-erdhi çasti yt,por oh,ai është duke u falur dhe lutur. Shpirti i tij
duhet të shkojë në ferr e jo në parajsë!”
Edhe sulltani, ne
shenjterine e së xhumasë, bënte duanë e tij: “O allahu im! Ty të drejtohem me
lutjet e mija. Ty të adhuroj, o Allahu im. Ti je krijuesi i gjithçkaje dhe në
dorën tënde është mirësia. Na mishëro o Allah dhe na i fal gabimet. Na mëso o
Allah, atë që na vlen dhe na bëj të vlefshëm me atë që na mësove. Nëse kjo luftë
e imja është e hajrit për fenë dhe për jetën time dhe xhematit tim, për të
tanishmen dhe të ardhmen, bëje të mundshme që të arrihet lehtësisht dhe bekoje.
Jepu prehje në xhenet shehitëve të islamit”
Falja mbaroi.
Sulltan Sulejmani u ngrit. Pas lutjeve ndjeu se në shpirt kishte paqë dhe
mendimet i ishin kthjelluar. Befas u ndje një e bërtitur. U kthye dhe pa një
jeniçer, të shpejtë si xhind, të hakërryer që me shpatë zhveshur ishte turrur drejt tij. Pas e ndiqte një
asqer, edhe ai me shpatë xhveshur. Ja, ja, ai po arrinte, tehu i shpatës
ndrinte në diell si një flakërimë rrufeje. “Vdis,qen!”.Sulltani,I çoroditur nga
befasia e vdekjes që I ishte turrur,, nxori instiktivisht nga brezi kllëçin që
të priste goditjen por asqeri e arriti jeniçerin, vetëm pak hapa larg Sulltanit
dhe ju hodh përsipër. Ishte Idris Dautogllu, që s’i ishte ndarë. Damiani i dha
njw goditje të shpejtë, të rëndë. Idrisi u rrëzua. Mjaftoi ky pengim që
truprojtësit ta vinin në mes. Ai luftoi si i tërbuar, shpatat vringëllinin,
mori disa plagë, por i vetëm s’mund t’ua dilte.
-E dua të gjallë!- bërtiti Sulejmani, që po ndiqte përpjekjen.
E çarmatosën dhe vunë
posht. E lidhën duar e këmbë me zinxhirë.
5
Ngjarja bëri bujë.
Idris Dautogllu, I plagosur në sup e i mbytur në gjak, tha se e njihte atë, që
nën tundimin e djallit, kishte guxuar të ngrinte dorën e tij të mallkuar kundër
padishahut dhe tha që ai , ishte Jakup Arnauti, asqeri i ri i bylykut të
xhenjerëve.
-Silleni, se dua ta
shoh me sy e ta dëgjoj me veshë arnautin e mallkuar- porositi Sulltani aganë e
jeniçerëve. Le të vijnë edhe Hyzrev Pasha, kadiu dhe imam Ebsudi.
Kur Damianin e shpunë para sulltanit, dielli ishte më të
perënduar dhe vapa ishte zbutur. Sulltani i madhërishëm, ulur në divanin e tij,
vuri turbanin dhe hodhi mbi supe pelerinën e purpurt.
-Afrojeni, dua ta
shoh nga afër sesi është ai që donte vdekjen time.
Damjani ngau ca hapa përpara.Në fytyrë e duar kishte
plagë. Zinxhirët e rëndë, lidhur këmbë e duar e pengonin.
-Në gjunjë, bjerë
në gjunjë! Je përpara Sulltanit të Botës!
- Ne nuk përgjunjemi
para askujt, përveç Zotit!
Agai i jeniçerëve,
kur e pa që nuk po bindej, i mëshoi me gjithë peshën mbi supe dhe e goditi në leqet e gjunjëve. Damjani u përgjunj. Atë që
se bëri bindja, e bëri forca. U mundua të çlirohej e të ngrihej, por s’ishte e
mundur, duart e rojeve rëndonin si mal.
Sulltani, para se
t’i bënte pyetjet po e zhbironte me sy: shtat mesëm, shpatullgjerë,trupngjeshur,
i fuqishëm, në pamje i hijshëm.”Këta arnautët, janë racë e bukur por edhe
trima”, mendoi ai. Në haremin e tij, më të bukurat ishin ato që vinin nga ky vënd.
-Epo, ti je Damjani, gjoja Jakup Arnauti. Po
mua më njeh, e di kush jam?
-Urdhëro të mi
heqin hekurat. Të flasim si burri me burrin!
-Këmbët dhe duart
i ke të lidhura. Gjuhën e ke të zgjidhur. Të bëra një pyetje.
-Je Sulejmani, një
rob zoti, sulltan i turqve, që vret e pret e bën vetëm të liga! Ne s’të pranojmë
për mbret tonin.
-Kaq?
-Për ne vetëm
kaq.
- Ebsud efendi,
thuaja se para kujt gjendet.
-O ti, pjellë e
djallit të mallkuar. Kafsho gjuhën e helmët si të gjarprit. Gjendej para
sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, me ymër të Allahut sundues i popujve të tre
kontinenteve, veriut të Afrikës dhe Egjiptit, persisë e palestinës, Ballkanit
Hungarisë dhe Transilvanisë, që ka trokitur në portat e Vjenës, ka vënë nën
vasalitet Arqidukën e Austrisë. Zotrues i steresë dhe deteve, prijës i ushtrisë
së islamit, që për lavdinë e tij do të ngrejë bajrakun me gjysmëhënën, atje ku është
kryqi i vatikanit të të pafeve! More vesh?
Pas kësaj ligjërate
të Ebsud efendiut u bë heshtje. Këtë e
prishi sulltani:
-Pse doje të më
vrisje,pse e doje vdekjen time?
Sulltanit nuk i shpëtoi
nga vemendja që arnauti se quajti asnjëherë
sulltan , madhëri apo ndonjë ofiq tjetër. “Duket që në sytë e përflakur
dhe fytyrën e egërsuar, që ky skllav gjaur më përbuz e më urren”, mendoi ai.
-Pse bën sikur s’e
di? Jemi në luftë. Ne duam ta fitojmë këtë luftë. Kapedani im thotë që po ra
koka, rrëzohet gjithë trupi. Këtë u nisa të bëja. Pastaj kjo e sotmja do të
ishte një hakmarrje për të vrarët tanë,
fshatrat e rrënuara, shtëpitë e djegura, tokat e mbetura djerr, për gratë e
veja, për fëmijët jetimë, robërit që i shisni si bagëtinë në tregjet e skllevërve
e gjithë të zezat që i keni punuar këtij vendi, aq të shumta sa s’kanë të numëruar.
Ne jemi njerëz të lirë, se durojmë zgjedhën e robërisë që na keni vënë…..
-Ka një orë për të
lindur e një për të vdekur. Se kur lindim e kur vdesim, është në dorën e
krijuesit. E kemi të shkruar. Jeta ime nuk ishte shkruar të sosej sot. Jotja,
po. Je ende i ri, nuk ke frikë nga vdekja?
-Një luftëtar nuk
i trembet vdekjes.
-Po sikur të ta falja jetën, çfarë do të bëje?
-Kurseje bujarinë
për ndonjë vend dhe rast tjetër. Edhe tre jetë po të kisha do të bëja të njëjtën
gjë: do të vrisja!
Sulltan Sulejmani
u nervozua. Deshi t’i hakrrehesh, por e mbajti veten.
-Kadi effendi,
nga dëshmitë që dëgjove,çfarë dënimi i takon të marrë Damian Himarioti?
-Sulltani im i madhërishëm,
që je drita e botës, me sheriat e me kanun, kush ngre shpatën kundër Teje, nga
shpata do të bjerë!
- Merreni-
urdhëroi ai, zbatoni dënimin, jo në kërcu,
por në hu, të ripet i gjallë, ti dalë shpirti me adhap. Prisni. Tani që tu fik jeta,
të mbetet ndonjë peng?
-Po. S’do të
më tresë dheu që nuk të vrava dot!
Rojet e nxorën
përjashta. Damiani hodhi sytë nga qielli. Ishte I kthjellët. Mbi malet e vetëtimave po
grumbulloheshin retë.
Epilog.
Trimat himariotë, natën pa hënë, hynë në fushim, vranë rojet
dhe e morën trupin e martirizuar e të
pajetë të Damian trimit.. E varrosën në
kishë e Shën Marisë, me kryet përballë detit. Nata e qau me lote yjesh, deti me
shkulme dallgësh nën ison e erës.
O6. O3. 2016
No comments:
Post a Comment