- Vlerësime mbi autorin
2. Adem Zappluzha: Poetët dhe krijuesit shumëdimensional si Fatmir Terziu i
sjell ndjeshëm Zoti në Tokë.
3. Agim Mato: Që të jesh fatmir, duhet të gjesh një terzi.
4. Agim Shehu: Autori përshkruan ngjarjet dhe ia lë njeriut të zgjedhë.
Për këtë mision shkrimtari Fatmir Terziu përdor stilin konçiz e dinamik.
(Romani “Grykës). Fatmir Terziu, ‘ambasador’ lirik i çdo zemre që dashuron në
poezi, poet i kohës moderne, një Lorka i vërtetë.
5. Ahmet Mehmeti: Mirënjohje të veçantë për kontributin mediatik,
televiziv dhe letrar të jashtëzakonshëm, sidomos në kohën e ardhjes së kosovarëve
gjatë luftës së fundshekullit, suksese kudo në jetë!
6. Albert Habazaj: Fatmir Terziu e meriton këtë çmim! Jo vetëm për vlerat
që posedon në krijimtarinë shumëdimensionale të tij, por, edhe si një
kontribues i madh, i palodhur për kulturën shqiptare në Londër. Sipas traditës
dokesore të Vlorës e Labërisë po themi që nderi iu bë mikut më të largët,
shqiptaro-londinezit shpirtbukur e mendjeflori.
7. Aleko Likaj: Gjuhë filmike në romanin “Grykës” të Fatmir Terziut. Një
roman që hap një sipar të ri narrativ. Romani “Kojrillat” një prurje e re në
jetën artistike.
8. Arqile Gjata: Kritika e Dr Fatmir Terziut është një hapësirë e re
bashkëkohëse e pa lëvruar më parë
9. Bajram Dabishevci: Fatmir Terziu, romani “Blirët e Pejës” dhe letrat
shqipe në një kënd tjetër që i mungonte letrësisë shqipe në hapësirën më të
gjerë.
10. Bilall Maliqi: Romani “Grykës” është libër bashkëkohor interesant për
lexim i shkruar me kujdes të veçantë me përgjegjësi dhe me një art të avancuar
krijues të autorit.
11. Dero Murataj: Kohës i bën sfidë...
12. Dukagjin Hata: Vështrim vertikal mbi historinë e keqkuptuar të botës
shqiptare përbën një kulm të
shkrimtarit, një depërtim në një materje të ngjeshur historike, me anë të
gjetjeve fiksative dhe simbolikave që shkojnë nga absurdi në fantazmagori tek narrativi
i romanit “Kojrillat” të shkrimtarit të mirënjohur Fatmir Terziu.
13. Ermelinda Kashahu: Fakti që nga ana e ndërtimit, vepra i ka elementet
kompozicionalë, zinxhir për të qenë një roman, më shfaq vigjilencën e duhur,
një formë e re kjo, e cila e shtyn autorin në paraqitjet reportazhiste
që përçon gjetjet origjinale si vlerë e këtij romani. Në mënyrë të veçantë, kjo
vlerë ndihet te personazhet, imazh i bukur ky edhe i ambjenteve ku zhvillohen
ngjarjet, individualizmi gjuhësor, njësoj si historia e ndërtimit te jetës së
re.
14. Prof.dr. Eshref
Ymeri: Për kënaqësinë time të pamatë, në “Kritikën ndryshe” të
zotit Terziu unë zbuloj “kritikun e sallës së parë” të Panairit të Librit,
studiuesin humanist, që, në personin e krijuesit, shikon njeriun e mirë, të
cilit, me gjithë zemër, dëshiron t’i gjendet pranë me një fjalë plot frymëzim.
Pikërisht një qëndrim të tillë humanist të këtij kritiku të shquar unë dëshiroj
ta shikoj edhe në optikën e shkrimtarit skocez Samuel Smajls (Smiles -
1812-1904), propagandistit të vlerave viktoriane, i cili thoshte: “Mjafton veç
t’i besojmë njeriut më shumë se ç’i besojmë zakonisht, në mënyrë që të nxjerrim
në pah të gjitha anët më të mira të karakterit të tij”.
15. Fatmir Minguli: Vepër unikale në llojin e vet (Një
vështrim studjues për romanin “Kojrillat” të shkrimtarit Fatmir Terziu). Mund
të shkëputësh një njeri nga vendi i tij,
por nuk mund të shkëputësh vendet nga
zemra e njeriut. (John Dos Passos)
Një roman që të befason që në kapitujt e parë. Një roman që e zgjeron botën shqiptare në
hapësirë dhe në kohë. Një libër policesk
dhe njëkohësisht një romancë dashurie që
nuk e kemi as parë e as dëgjuar të
ndodhë me një femër të bukur shqiptare në Londër dhe jo vetëm aty. Një roman i
shkrimtarit Fatmir Terziu, ku dokumentat sekrete dhe gruaja misterioze Madam Zeinep Vlora vetëm sa janë maja e ajzbergut të vërtetë. Një
roman, që për nga radha e romaneve të shkruara nga ky shkrimtar është
i treti e që pason romanet “Grykësit” dhe “Bunari”.
16. Faruk Myrtaj: Proza e Terziut, as që e ka dëshirën të ngjajë me
prozat e tjera të kohës shqiptare. Po më intrigon jo pak kjo prozë. Më pëlqen
të shkruarit. Ka siguri. Kontroll i përpiktë fjale. Veti prozatorësh të pjekur.
Përgjegjësi fjale. Ajo fraza
“shndërrohet si fjalët e një fjalie..., si fjalët e një fjalie..., si
fjalët...”, por jo vetëm në vetvete. Jam i sigurtë se do të ketë shërbyer për
të ngarkuar në atë që ndodhë në këtë prozë.
17. Faslli Haliti: “Rrëfenjat e Xha Avramit” libër që flet në shumë gjuhë.
Të mëdhenj e të vegjël, kënaqen, emocionohen, jetojnë një suspansë fino in
fondo; emancipohen, kulturohen, trimërohen, mençurohen, fitojnë identitet të ri
kombëtar, shqiptar. Në fakt këto fjalë ishin me kohë.
18. Fiqri Shahinllari: Dua të veçoj faktin se romani “Kojrillat” nuk është
“pije” limonade si disa që katranosen edhe me çmime nga pas. Ai është
koncentrat i shtrenjtë dhe i esencuar “pijesh” me tretje e përzierje të
letrësisë artistike, historisë, filozofisë dhe hulumtimeve shkencore. Si i
tillë ai është mjaft interesant. Është i mbushur me enigma. Të vë trurin të
punojë me kapacitet të plotë, pra kërkon lexues të vëmendshëm, elitarë do të
thosha unë.
19. Dr Gëzim Alpion: ‘Intelektuali dhe Mallkimi i Vegjetimit – Harresa e
Imponuar në Veprën Letrare të Fatmir Terziut’
20. Gëzim Strora: E kuqja e zbehur e Terziut (Kushtuar pendës së artë
Fatmir Terziu).
21. Jorgo S. Telo: Fatmir Terziu, shkruan rjedhshëm, me gjuhë të pasur.
22. Kolec Traboini: Ndesha njeriun e njohurive të thella në dijet e
filozofisë së artit.
23. Kostaq Duka: Shembulli i Fatmir Terziu është nxitje dhe inkurajim për
ata intelektualë që jo thjesht dëshirojnë por me një vullnet të jashtëzakonshëm
guxojnë të dalin nga "rutina" e jetës së vështirë e të pashmagëshme
në fillimet e para për të gjithë emigrantët.
24. Kristaq Turtulli: Në rrjedhën e pandalur të viteve, brezat lëvizin, rriten,
ndryshojnë , por kanë nevojë të mësojnë. Një rol të rëndësishëm në këtë fushë,
për evidentimin dhe pasqyrimin, të mendimit kritik të letërsisë. Me punën
këmbëngulëse dhe voluminoze sigurisht që e ka intelektuali dhe krijuesi Fatmir
Terziu.
25. Kristo Zharkalliu: “Bunari”
është një roman modern që përpiqet të rrokë të gjithë
qindvjeçarin e shtetit shqiptar.
26. Lazër Stani: Unë mendoj se pikërisht këtë duhet të ketë arti. Fatmir,
më ka habitur tregimi yt. Duke të mbajtur mend vetëm si gazetar nga ajo kohë e
keqe, unë dija një gjë: se veç gazetarit të mrekullueshëm ishe edhe djalë shumë
i mirë. Tani po zbuloj fshehtësitë e tua, fshehtësitë e shkrimit. “Krokamat”
është akoma më ndryshe. I shkruar rjedhshëm, me gjuhë të pasur, i saktë në
sintaksë, i kompozuar mjeshtërisht dhe rrëmbyes deri në rrjeshtin e fundit, aq
sa kur e mbarova kisha dëshirë t’a lexoj sërish. Unë mendoj se pikërisht këtë
duhet të ketë arti: kur dëgjon një këngë, të kesh më shumë dëshirë për ta
dëgjuar sërish kur ajo mbaron; kur lexon një libër, të kesh një dëshirë të
fortë për t’iu rikthyer sapo ke mbaruar faqen e fundit, rreshtin e fundit. Jo
shumë tregime e arrijnë këtë, jo shumë libra. Aq më tepër tani që unë jam në
një moshë të tillë, kur kam lexuar aq shumë, dhe habia nga një tekst letrar sa
vjen e bëhet më e rrallë. U gëzova aq shumë që lexova një tregim kaq befasues e
tronditës.
27. Dr Ledri Kurti për “Rrëfenjat e xha Avramit”: Prozë që
të fal kënaqësinë e artit dhe mundësinë e interpretimit, si vlerë e
"veprës së hapur" po të perifrazoja mendimin e studiuesit të njohur
Umberto Ecco.
28. Mëhill Velaj: Fatmir Terziu! Ky pasionant zemërbardhë i artit,
letërsisë dhe gazetarisë.
29. Murat Aliaj: Romani “Bunari”
është një vepër e fuqishme moderniste.
30. Naim Berisha: Ti, je krenaria jone, së paku, ketu në Londër. Dhe ne
kemi të drejtë të gëzohemi me ty dhe arritjet e tua, që s'kanë nevojë për
komente.
31. Nase Jani: Terziu e sundon gjeografine e tregimeve me njohuritë që
ka për jetën dhe qytetarinë-krijuese. Pasuria e tij intelektuale e ndihmon
sukseshëm për këtë.
32. Novruz Abilekaj: Fatmir Terziu – bleta e krijimtarisë së sotme shqiptare.
33. Pëllumb Kulla: Situata jonë dhe marrëdhenia e shkrimtarëve me Fatmir
Terziun, më duket shumë interesante. Me punën e tij të mrekullueshme dhe me
gravitetin që ka fituar me të, më ngjan me një baba teqeje që ne, shkrimtarët
në diasporë të marrim uratën vazhdimisht.
34. Përparim Hysi: Duke shkruar një roman të tillë,
autori, Fatmir Terziu, them që ka merita të veçanta. Së pari, që të shkruash
një roman duhet ta ngulësh brirrin mirë, se, ndryshe, të ikën filli nga dora
dhe vepra dështon. Së dyti, një roman, siç mendoj unë, është si një ndërtesë me
shumë kate që do shumë mund dhe, veç
mundit, do dhe kohë të lirë: ta kesh këtë me pashë. Dhe, çuditërisht, Fatmir
Terziu, sado që ka aq e aq angazhime të drejtpërdrejta pune, përsëri, ka gjetur
kohë që të sjellë për lexuesin një roman. Ka kapërcyer, siç mendoj unë, atë që
thuhet për kohën:"Gjithmonë ankohemi se kemi pak kohë, por e jetojmë atë
si ta kemi me tepricë". Për Fatmirin dhe minuti është i shtrenjtë,
mjeshtri e treguar nga Terziu "Versaçe". Shkurt: Fatmir Terziu meriton
nga të parët që t'i fitojë ato atribute që janë bërë sikur nuk i kanë vënë re.
Fatmir Terziu është investim me vlera deri tani të mohuara.
35. Raimonda Moisiu: Shkrimtari Fatmir Terziu është një transmetues virtuoz i
vullnetit. I atij vullneti që ka kaq
shumë gjëra për të mësuar për jetën, për të dhënë e marrë prej saj; dhimbjen e gëzimin, komiken e
seriozen, vlerën e antivlerën, grotesken dhe interesanten, moralen dhe të
pamoralshmen, grykësinë e pangopësinë, brengat e kujtimet, optimisten e
pesimisten, vdekjen e jetën, krimin e ndëshkimin, jetesën e mbijetesën, si një
udhërrëfyes enthusiast i fateve njerëzore
përmes romanit. Fatmir Terziu me një mjeshtëri artistike e letrare, ka
krijuar një botë që është edhe intime, miqësore, e zakonshme, por edhe mospërfillëse dhe e ankthshme.
36. Roland Gjoza: Zoti i ka falur Fatmir Terziut si dhunti tjetër
dashamirësinë. Na ka hapur një portë. I
dashur Fatmir: Ti vetë rri në natën e çuditshme të letrave me një fener që bën
dritë për të gjithë. Ti i dashur u thua hyr të gjithëve dhe me një fjalë të
ngrohtë, qoftë kushdo në dukje e në karat, u jep zemër. Kjo është vërtet zemër.
Sepse sot për fat të keq s'ka zemër, po fjalë që vret më fort se plumbi.
Letërsia është me dobësinë më pranë se me forcën. Ajo prodhon forcë, po nga
dobësia. Të dobëtit kërkojnë strehë, ata kanë pallate, po nuk e dinë. Shumë
vonë kuptohet kjo gjë. Tjetër është profecia, tjetër realiteti.
37. Ruzhdi Jata: Fatmir Terziu e gatuan bukën e tij duke e bluar grurin
hollë (zero) në “mullirin” e tij krijues.
38. Rrustem Geci: Poezia e Fatmir Terziut është një gjak i ri në
letërsinë tonë të bukur.
39. Sami Hajra: Terziu me “KOJRILLAT” hapi dyert e një përceptimi të ri
ndaj prozës shqip.
40. Sazan Goliku: Larg e larg i mërguar..., Kushtuar Fatmir Terziut
41. Sejdi Berisha: Po të lexosh krijimtarinë letrare të Fatmir Terziut,
vëren një rrugëtim karakteristik dhe me plot temperament të dellit krijues
gjithnjë me qëllim për të afirmuar vlerat shpirtërore dhe kulturore dhe
krijimtarinë jo vetëm të vetvetes, i cili temperament, as autorin por as
lexuesin nuk e lë të qetë pa u futur në brendinë ndijimit, të mendimit dhe të
mesazhit, faktorë këta të cilët janë mirë të kompozuar me ankthin, makthin,
dashurinë, me dritën, mallin dhe me etjen, por edhe me lumturinë e njeriut, me
mirëqenien e tij dhe të atdheut. Të gjitha këto elemente, thekshëm dhe me
amanetin e etjes shtrohen për ta ngritur lapidarin e dritës, e kjo, veçmas
bëhet më domethënëse dhe me kuptim shumëdimensional, kur gjërat shkruhen e
analizohen me shkrumbin dhe mallin për vendlindje, për atdhe, por edhe kur
shkruhen nga ai këndi i shikimit të pafund në horizont, të cilin ta imponon
kurbeti. Këtë karakteristikë me peshë filozofike e hasim edhe tek libri i pestë
me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” të shkrimtarit, Fatmir Terziu.
42. Siri Sulejmani: Koha dhe bota nuk bien në gjumë thjesht me Fatmir
Terziun.
43. Shpresa Fundo
Gjergji: Fatmir Terziu, artist në artin e fjalës dhe kritikës.
44. Tahir Bezhani: “ Blirët e Pejës”, libër me peshë historike.
45. Timo Mërkuri: “Kojrillat” është vërtet një libër i bukur, me një
kompozim modern, por që gjithësesi mban aromë Shqipërie në të gjithë faqet e
tij. Është nga ato libra, ardhja e të cilëve, është vërtet një…ogur i mirë.
46. Vilhelme Vranari
Haxhiraj: Romani “Grykës” i Terziut, vlerë në kolanën e letërsisë
shqipe.
47. Vladimir Muça: Sfida e Dr. Fatmir Terziut, me këtë roman të një lloji
të ri (do ta quaja post-modernist) përbën një sfidë kurajoze ndaj vetëvetes e
ndaj reçesionit letrar në përgjithësi.
48. Vullnet Mato: Tek proza dhe poezia e Fatmir Terziut është gjithçkaja
jetësore brenda tërësisë moderne.
49. Dr. Zejnepe Alili –
Rexhepi: Të shkruash, qoftë edhe vetëm ca fjalë mbi artin
krijues të Terziut, nuk është fare e lehtë. Romani “Kojrrillat”, më bëri të
zhytem në labirinte të thella deshifrimesh, akoma pa i njohur thellësitë e
ngjarjes.
50. Zyba Hysen Hysa: Proza e Terziut shket si makina në autostradën globale.
51. Prof. Dr. Zyhdi
Dervishi: Fatmir Terziu sjell Standarde bashkëkohore më të
përparuara edhe në kritikën letrare shqiptare. Fatmir Terziu i qaset shqyrtimit
analitik të proceseve, dukurive e risive letrare në gjuhën shqipe kryesisht të
dy dhjetëvjeçarëve të fundit, duke u bazuar në përvojën teorike dhe trajtimet
empirike analoge të vendeve më të përparuara të Perëndimit.
52. Xheladin Mjeku: Fatmir Terziu është Tempulli i
dijes në syrin e kritikës letrare.
Doli nga shtypi, nga shtëpia botuese "Milosao" përmbledhja me shkrime të bashkëkohësve me titull: "Fatmir Terziu, krijues dhe studiues i risive artistike" përcjellur për lexuesit nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi. Libri, prej 332 faqe i paraqet lexuesit një sintezë të vlerësimeve nga kritikë, shkrimtarë dhe poetë të njohur, të ndara në kapituj për prozën, për poezinë, për kritikën ndryshe, për personalitetin e Fatmir Terziut, etj.
Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, ndër të tjera, në përcjelljen e tij, "Një skicë për artistin e fjalës dhe studiuesi erudit Fatmir Terziu" nënvizon: "Duke qenë njohës virtuoz i gjuhës shqipe dhe i asaj angleze, aktualisht si gjuha më e përbotëzuar e politikës dhe diplomacisë, e kulturës dhe e shkencës etj., Fatmir Terziu prej dy dhjetëvjeçarësh “funksionon” si antenë me kapacitet të shumëfishuar për difuzimin e ndërsjellë të mjaft elementëve të kulturave të popujve anglishtfolës me kulturën shqiptare. Në këtë proces kompleks kritiku dhe studiuesi i arteve Fatmir Terziu ka përkthyer saktësisht dhe ka përhapur për herë të parë në studimet shqiptare për artin një fond të pasur strukturash teorike, konceptuale të përpunuara nga mendimtarët e shkollave perëndimore, duke dhënë një ndihmesë të veçantë për tejkalimin e prapambetjes së studimeve letrare në shoqërinë shqiptare, për përditësimin e studimeve të tilla me ato të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit. Lexuesit e këtij libri do të gjejnë në të një spektër të gjerë faktesh e analizash, karakterizimesh e vlerësimesh për Fatmir Terziun që reflektojnë mbi universin e tij krijues artistik e studimor, portretin altruist e largpamës, sa të përbotëzuar aq edhe tipik shqiptar, përherë në shërbim me kapacitet të plotë në frontin e përparimit të kulturës e të arteve, të dijes dhe të mirësive"
Libri përcjell vlerësimet e dhjetra krijuesve shqiptarë anembanë globit, si Agim Shehu, Dukagjin Hata, Aleko Likaj, Bilall Maliqi, Ermelinda Kashahu, Fatmir Minguli, Faruk Myrtaj, Faslli Haliti, Lazër Stani, Kristaq Turtulli, Kristo Zharkalliu, Murat Aliaj, Përparim Hysi, Rajmonda Moisiu, Ruzhdi Jata, Tahir Bezhani, Timo Mërkuri, Vilhelme Vranari, Vladimir Muça, Sejdi Berisha, Arqile Gjata, Prof. Dr. Eshref Ymeri, Dr Gëzim Alpion e shumë e shumë të tjerë.
Përmbledhja është një homazh për angazhimin e Fatmir Terziut, në aftësinë për evidencimin e vlerave, risinë e kritikës ndryshe dhe krijimtarisë së mirëfilltë në fushën e prozës së gjatë, me romanet që ngërthejnë epoka të ndryshme të jetës me një trajtim postmodernë e filozofikë të ngjarjeve e personazheve, me poezitë e mprehta sociale e problematike.
KOMENTE: