Ka ditë që prisja lajmin e botimit të librit tim më të ri me poezi, nga miku e përkthyesi i spikatur nga gjuha shqipe në atë greqishte, zotëri Iliaz Bobaj . Lajmi i gëzuar arriti mesjavën e fundit të prillit, përmes emalit, ku shkruante: ”miku im i nderuar,libri me poezi “Dëshira të çmendura”, doli nga botimi dhe do ua sjell në Tiranë të premten,me d.29.04.2016. Dëshiroj ta dhuroj personalisht”. Ky ishte njoftimi i përkthyesit të librit tim më të ri në gjuhën greke,z.Iliaz Bobaj. Pa menduar gjatë,mora qëndrimin që të shkoj në Tiranë, një ditë më përpara,të enjten. Në Tiranë kisha vajzën time, Afërdita, e cila jeton që tetë vite ,dhe se tani është e vendosur në banesën personale dhe ka rregulluar çdo gjë të paraparë me ligjet e shtetit shqiptarë. Tre nipat e mi vijojnë shkollimin atje dhe nuk njohin notë tjetër pos dhjetëshes në ditarë. Flasin bukur e rrjedhshëm shqipen. Gjatë të folurit të duket se kanë lindur ne Tiranë. Ndiej kënaqësi kur komunikoj me ta dhe më bëhet zemra mal dëshirash….
Bukuria natyrore, tuneli i Kalimashit, si dy sy të një shqiponje
Këtë herë,rrugëtimin për në Tiranë nuk e bëra vetëm. Mora Fitimin,djalin e vëllait,një djalosh i urtë e simpatik,i shkathët për drejtim të makinës,i qetë,me plot të mira në shpirtin e tij. Sapo dëgjoi se do shkoi në Tiranë, me bashkëshorten time,shtroj kërkesë,duke më thënë :” axhë, asnjëherë s’kam qenë në Tiranë,a bënë të vi me Juve?” Kjo pyetje sikur më doli në ndihmë për ta kaluar rrugëtimin pa ngarkesa për ngasje të makinës. Pa hezitim i fola që të bëhet gati dhe të ecim…
Mrekulli pa koment….
Pikërisht të enjten, rreth orës 12 u nisem nga Gjakova për në Tiranë. Gjatë rrugëtimit shijova kënaqësinë e një udhëtimi pa ngarkesë,duke tretur shikimin bukurive të natyrës së paparë,rrugës gjarpërore të kombit,mbuluar me kaltërsi pranvere,ku makina “Golf 5” përpinte kilometrat e asfaltit me një shpejtësi prej 100 km.në orë. Përtej tunelit të Kalimashit,buzë rruge,ndaluam për t’u freskuar me nga një kafe dhe uji “lajthize”. Fitimi kishte “hedhë” shikimet majave të larta,tretej në mendime,dukej sikur kishte gjetur diç atyre vendeve të papara e me bukuri të rrallë.”Qenkan vende të bukura axhë”- lëshoi një klithje duke hurbatë makiaton. Bëmë ca foto për kujtim në atë ambient piktoresk.
Nuk ndaluam askund tjetër nga se kisha planifikuar që të shkoj në Shëngjin,për kafenë tjetër e me qëllimin që nipi im,Fitimi,te kënaqet edhe me bukuritë e Shëngjinit. Por,në fund të rrugës së Milotit,në kryqin rrugorë Tiranë-Shkodër,bashkëshortja ime,na prishi planifikimin me një mendim tjetër,të cilin e aprovuar dhe anuluam shkuarjen për në Shëngjin. Ajo solli mendimin se “do re me shi po vijnë nga andej Velepojës e Ulqinit,nuk na lënë rahat e as Fitimi nuk kënaqet,lëre për kthim këtë plan”-shtoi bashkëshortja ime,Zadja. Duke u pajtuar me idenë e bashkëshortes,vërtetë vazhduam rrugën për Tiranë, dhe se, në banesë të Afërditës arritëm në ora 16,30. Pas pak pritje,arritën nipat nga shkolla dhe vajza ime nga puna. Kuptohet,një moment i ndjeshëm,mbushur me gëzime,përqafime të gjata….
Miku im i respektuar,përkthyesi i librave,”Dëshira të çmendura”dhe “Dhimbje e bukur”, te dy autorëve gjakovarë (Tahir Bezhani e Muharrem Kurti),Iliaz Bobaj,me kishte dhënë numrin e telefonit dhe adresën e agjencisë ku do zbarkonte mëngjesin e hershëm të së premtes,me librat e sjella nga Greqia. Por,për shkakun e vonesës gjatë rrugëtimit,nuk arriti në kohën e paraparë. Mosarritja në kohë të paraparë në këso relacionesh të gjata,si Greqi-Shqipëri,nuk është risi,por e pa dëshiruara ngjau, të mos e takoj mikun e respektuar z.Bobaj,të cilit i kisha premtuar se kafenë e mëngjesit do e pimë së bashku në Tiranën tonë të dashur. Arritja me vonesë të konsiderueshme, programimi i ngjeshur kohorë i një letrari ,siç është zoti Bobaj,bëri që të mos takohemi sipas planit të parashikuar….
Megjithatë,librat e lëna në agjencinë e cekur i mora pasditen e të premtes,por mikun nuk e takova. Folëm përmes telefonit,pas kthimit në Gjakovë,dy ditë më pas. E falënderoj dhe i jam mirënjohës z.Iliaz Bobaj, për punën e bërë me shumë përkushtim, në përkthimin e librit tim dhe të Muharrem Kurtit,nga gjuha shqipe në atë greqishte.
-Takimi me miq të letrave dhe respekti i ndërsjellët,ishte kënaqësia e qëndrimit treditorë në Tiranë.
Nga e djathta: Mujë Buçpaja,Tahir Bezhani,te Opera,Tiranë
Përherë kur shkoj në Tiranë,dëshiroj të takoj miq poet,krijues të vlerave letrare,analist e njohës të mirë të çështjeve letrare.
Ashtu veprova edhe këtë herë. Pasi sigurova terminin për në ora 14-të që të takoj Mujë Buçpapaj,me Fitimin dolëm nga banesa dy orë më herët, për dëshirën e tij, që të shikoi Tiranën,liqenin,rrugët,etj. Ndonëse rrugët e Tiranës janë përherë të ngarkuara nga trafiku sa që të krijojnë neveri pëlcitëse….Nuk e rrokë logjika e njeriut sjelljet e ngasësve të makinave rrugëve të Tiranës. As në kalim këmbësorë nuk respektojnë(të gjithë) kalimtarët e moshave të ndryshme…Megjithatë,shikuam çdo gjë që na dukej e bukur atë mesdite të së premtes.
Në ora 14-të ,te Opera, fiks në kohë arriti Mujë Buçpapaj ,përgjegjësi i gazetës Nacional,një poet e krijues i përmasave edhe jashtë vendit,një mik i mirë që të le përshtypje të jashtëzakonshme gjatë komunikimit,një njohës i mire i përditshmërisë sonë shqiptare….
Bisedat e joshëse me mikun e respektuar,z. Mujë Buçpapaj,
ishin te një natyre intelektuale dhe gjithëpërfshirëse nga lami e krijimtarisë letrare,cilësisë krijuese,gjer te tregu i librit,për ç’arsye,krijuesit e dy shteteve shqiptare,ende kane probleme të theksuara në këtë kuptim. Koha iku pa diktueshëm mes dy miqve te respektuar,ashtu që telefonatat e shumta,nuk mundësuan më tej zgjatjen e bisedës me zotëri Mujë Buçpapaj. Një përshëndetje vëllazërore me urimet reciproke,na bëri të lumtur për minutat që kaluam së bashku
– Takimi me publicistin ,poetin dhe mikun,Ramiz Lushaj
Nga e djathta: Ramiz Lushaj e Tahir Bezhani,Tiranë
Ditën e shtune,një takim i caktuar që më parë,te Opera,ne qendër të Tiranës,me mikun e publicistin , poetin njohur, Ramiz Lushaj,ishte i këndshëm e shumë interesant. Një qasje tipike analitike në problematiken gjithëpërfshirëse të jetës sonë bukur te rraskapitur shqiptare,me shumë argumente e sqaron biseda e ngjeshur e mikut te letrave,z. Ramiz Lushaj. Nuk mbeti anash as krijimtaria letrare,ecejaket e saj nëpër treva “provinciale”,ndihma dhe reciprociteti i bashkëpunimit si domosdoshmëri,kritika e mirëfilltë e profesionale letrare,përmes së cilës,”siten” cilësitë krijuese. Dua të them,me mikun Lushaj,ishte kënaqësi të bisedosh tërë ditën,për faktin se ishte mjaft i përgatitur për llojllojshmërinë tematike te shtruar për biseda….Përfundimi i kohës së ndarë me mikun e çmuar e të vlerave krijuese,u mbyll ne shitoren librare,”Adrion”Ltd.ku bleva librin me poezi, “Vetëm të vdekurit pendohen”,të autorit Skender Buçpapaj.
Koha e paraparë e qëndrimit tim në Tiranë,po i ofrohej fundit. Më ngelën edhe shumë miq të tjerë pa takuar,si Qazim Shehu ,Nikoll Ulndreaj etj. te cilët, në rastin tjetër ,nuk do i anashkaloj assesi. Ju kërkoj ndjesë!…
– Liqeni dhe bukuria mahnitëse
Një pamje e bukur e liqenit te Tiranes ne oret e pasdites.
Me nipin tim të dashur,Fitimin,atë pasdite u kthyem të lodhur në banesën e Afërditës. Pas një pushimi të shkurtër,së bashku me tre nipat e vegjël,(djemtë e vajzës sime) , vendosëm të bëjmë një shëtitje rreth liqenit piktoreskë,të cilit, rrezet e diellit të ditës në sosje ,ia kishin shtuar madhështinë,dukej si një pikturë e varur në murin e dhomës,ku të joshte kënaqësia e pafund. Për kënaqësinë tonë bëmë foto kujtime me aparatin tim shume karakteristik.
Me Erjonin,nipin tim te dashur,buzë liqenit në Tiranë
Kështu, përfundoi edhe një ditë e shtune,mbushur me kënaqësi e kujtime nga kryeqyteti,metropol shqiptarë,ku dikur,jo shumë larg,nuk kemi pasur mundësinë të shijojmë kënaqësitë e bukurive që ka Tirana…..
Me nipin,Fitim Bezhani ne Tirane.
– Ditëlindja,dreka dhe ikja për në Gjakovë
Data 1.maj,2016 ishte ditëlindja e vajzës sime,Afërditës,e cila festonte 42 vjetorin e lindjes. Kishte dy arsye të veçuara për gëzim më të madh: e para se aty kishte dy prindërit me djalin e axhës,Fitimin,dhe e dyta,se ditëlindjen e priste për herë të parë në banesës e saj,te Botaniku,një ambient i bukur me ajri të pastër e pa zhurmë makinash,një qetësi absolute tërë kohen. Duke qenë pjesë e këtyre gëzimeve,shijuam një drekë me mish peshku të porositur nga Saranda,2-3 gota verë të zezë,ku kënaqësia festive familjare ishte e nivelit të lakmuar.
Pas urimeve e përgëzimeve,përqafimeve,erdhi momenti i rrugëtimit për në Gjakovë,prapë,përmes bukurive të palcës së bjeshkëve të larta, rrugës së kombit,e cila,tani më, ka bashkuar kombin tonë në rrugëtimin e përbashkët jetësorë….
Në Shëngjin binte shi të dielën. Pa dëshirën tonë,nuk shijuam vu-vu-të e valëve përplaseshe të detit,kaltërsinë pafund dhe heshtjen e mikpritjes së gjatë….
No comments:
Post a Comment