Sibora
Huda: “DITARI IM’, poezi , botoi “KRISTALINA - KH” – Tiranë, 2016
Dy
përqafime të njëpasnjëshme
Ishte
ditë paksa e ftohtë shkurti, po salla ku po takoheshim krijues të
shumtë nga të gjitha viset dhe më gjërë, bënte ngrohtë dhe gumëzhinte nga zëra
që po përshëndeteshim, po takoheshim, ndoshta ndonjëri edhe për herë të parë, e po këmbenim mendime e
biseda nga më të mirat e miqësoret. Na takonte poezia, me plot besimin e
fjalës! Një vogëlushe po ngarendte në mesin e pjesëmarrësve të tjerë, pa e
njohur dhe pa ndonjë informacion se kush mund të ishte. Mbase, ndonjë çupë që
nuk i është shqitur nga dora nënës, apo gjyshes, mund të supozonim. Po në fakt
doli e kundërta e mendimit, se ajo ishte një krijuese e re, që kish marrë
guximin të futej në garën e “Fjalës poetike”, që po ndodhte për herë të parë me
një përmasë të tillë prezantimi. Në raste të tilla nuk ka si të mos ndihet mirë
njeriu, kur vargjet e saj vijnë si cicërima zogjësh në syrin e kristaltë të pranverës.
Me Siborën më takoi pikërisht organizatori i
këtij manifestimi të madh poetik, z. Klisenko (Azem Tahiraj), duke ma
prezantuar si krijuesen më të re, që po e mrekullonte manifestimin me prezencën
e saj këtu në ambientet e bukura të Hotel “Tirana Internacional”, të përgatitura
veçantë për këtë manifestim poetik. Kjo më bëri kurreshtar të mësoj se kush në
fakt mund të jetë kjo çupëz që përftonte si flutura mes njerëzve, e hareshme
dhe pa pikë “mendjemadhësie” që ndodhej mes nesh!
Rastisi të ulem fare pranë me familjarët e
Siborës, të cilët po e shoqëronin në këtë organizim poetik, derisa ajo vetë po
qëndronte ulur në radhët e para të sallës, bashkë me nënën e saj. Para fillimit
zyrtar të kësaj ngjarje të rëndësisë së veçantë, po këmbenim biseda e njohje me
të pranishmit. U njoha më për së afërmi përmes tyre me “bukuroshen e poezisë”. Kështu, pas informacioneve të para për te
dhe njohjes nga afër, ia dëgjova zërin derisa po cicëronte vargjet e saj me shumë
përkushtim, nuk kisha çka të them tjetër, përveç ta qerasja me një “Pranverë në shtator”, me besimin se aty
do të takonte botën e saj prej gëzimeve, lojës, cicërimave të bukura e deri në
frymëzimet nga bukuritë e atdheut dhe kuvendimet e pambarim me poetët që për
një jetë i kënduan fëmijërisë, për ta përcjellur pastaj këngën e tyre tek
brezat e rinjë, tek Siborat e vargut të ëmbël poetik!
Pas pak ndodhi befasia tjetër! Këtë radhë
ishte vetë Sibora që kishte lënë firmën e saj në librin e parë “Ditari im” dhe po ma dhuronte. Ishin këto
çaste të bukura nga kjo voglushe, me të cilën tashmë këmbyem dhuratat e para.
Nuk dija si ta shprehja atë kënaqësi që po përjetoja nga veprimet e saj, përveç një fjalë befasie: Ah
Sibora, Sibora!
Ajo, tashmë po synonte të ngjitej në
skenën e artit, të fjalës së bukur poetike krah shumë krijuesve tjerë moshash
të ndryshme.
Vërtetë, pas kësaj njohjeje të re më
mbetej të shoh se çfarë sjell libri i saj “Ditari
im”, që ma dhuroi me një fjalë përkushtimi në brendinë e kopertinës së saj.
Derisa kisha përjetuar përqafimin e saj të parë në çastet e njohjes, tashmë do
të përballem edhe me përqafimin e dytë, në urimin për librin-dhuratë që po shfletoja me kurreshtje.
Vargje që
të mbajnë peng deri në fund
Në librin e parë me poezi “Ditari im”, Sibora Huda ka vënë në
spikamë interesimet e saj për gjithçka e rrethon nga përditshmëria, duke mos
anashkaluar edhe bukuritë natyrore, yjet, hënën, rrezet e diellit, etj. që shikuar
nga mënyra e çasjes ndaj këtyre fenomeneve natyrore e tejkalon nivelin e moshës
së saj, duke thelluar mendimet deri në imtësira. Interesimi i Siborës për
njohjen e fenomeneve natyrore, duke shfrytëzuar imagjinatën e saj krijuese, nënkupton
krijimin e një bote vizuele krejt ndryshe nga ajo që në fakt e shohim ne. Këto
vrojtime paraqiten pothuajse krejt spontanisht, si diçka e rëndomtë. Kjo nënkupton
ngritjen në nivel të lartë të imagjinatës së fëmijës për të zbërthyer artistikisht fantazitë
dhe fenomenet natyrore, duke përafruar me ngjasimet e përditshmërisë, që zgjojnë
kërshërinë e botës fëmijërore në vazhdimësi. Janë të shumta këto vrojtime të Sibora Hudës, e cila i
paraqet shumë bukur, me pak fjalë e vargje, si: hënën, natën , flladin, vjeshtën,
shiun, borën, detin; pastaj pranverën e bukur, pemët, etj.
“Pasdite ndjek perëndimin,
Diellin tek zhytet në det,
Hëna ka mbledhur yjet rreth saj,
Ylli polar ndjehet mbret”.
(“Ditë vere”, fq. 20)
Për asnjë çast familja nuk mund të
anashkalohet, veçanërisht në rastin e kësaj krijueseje të veçantë për shumëçka,
si për moshën që ka, pastaj për shkathtësitë krijuese, vigjilencën dhe
përkujdesjen për çasje të shumanshme tematike, etj. që, shikuar nga prizmi i
botës fëmijërore, ajo është pikënisja e hapërimit në jetë, që nga belbëzimet e
para të të folurit; pastaj njohja me gjëra të përditshmërisë, sforcimi i
dashurisë prindore, duke shtrirë këtë rreth edhe tek njerëzit tjerë të afërm,
me të cilët kanë kontaktet e para, për ta zgjëruar këtë rreth njohjesh e
dashurish fëmijërore gjithnjë e më fuqishëm:
“Babi,
Dashurinë e madhe , veç nga ti e marr
Në ditët e mia me shi
Dielli im je ti”
(“Babi”, fq. 24)
Poaq me dashuri shprehet edhe “Për mamin tim”, “Daja Fani”, ”Gjyshi im”, etj. për të vazhduar pastaj me “Ditari im”, që në fakt është përfaqësimi
i gjithë lëndës poetike në këtë libër, ndonëse e para e saj, po e veçantë për
shumë arësye. E vlerësoj si të veçantë për faktin se Sibora ka bërë një
rrjeshtim kronologjik për emrat e saj të dashur, për familjen, fenomenet dhe
bukuritë natyrore ashtu si i perception mendja dhe syri i saj vigjilent prej
krijueseje fillestare, po me diapazon paksa përtej moshës dhe mundësive që do të
kishin bashkëmoshatarët e saj. Mbase ky mund të jetë ndonjë fenomen më i veçuar,
apo aftësia e saj për të vrojtuar ka shkallë të theksuar të vigjilencës dhe
ndjeshmërisë ndaj fenomeneve e ngjarjeve që e preokupojnë dhe e provokojnë
intuitën e saj krijuese. “Në ditarin tim/
Çdo gjë unë e shkruaj,/ Ndonjë gjë për të qeshur,/ Apo gjë për të sajuar”,
do ta sqaronte me kujdes gjithë punën e saj krijuese, duke e ndërlidhur të
vërtetën e takuar dhe sajesën letrare që ia provokon muzën prej poeteje të
vyer. Ndonëse ky ditar për Siborën “është
si një kuti”, autorja aty ndrynë gjithçka nga jeta e saj, nga
përditshmëria, nga kujtimet për lojën, për shoqet, e për çka jo tjetër dhe i
mendon si diçka sekrete, të ndryra në mendjen dhe shpirtin e saj, qofshin
gëzime apo hidhërime “Ato i di veç ditari
im”. Me këto fjalë do ta përkufizonte mendimin e saj, e bindur se edhe kur
të rritet do ta shfletoj këtë ditar, që t’ia kujtoj një kohë të kaluar, duke
mos fshehur mendimin se në rikujtimin e tyre edhe mund të mallëngjehet dhe e hamendësuar shprehet: “Ndoshta do qesh/ Ndoshta do lotoj” (Po
aty, fq. 31).
Edhe
poezitë: “Unë jam ajo” dhe “Ditëlindja ime”, shquhen për tematikën
e gjetur dhe të shtjelluar mirë, për paraqitjen e bukur me elementet e përngjasimit
me gjyshen, pastaj gëzimin e festës së ditëlindjes, që e sjell si detyrim ndaj
të gjithë atyre që e shoqërojnë në këtë ditë të veçantë, e sidomos për prindërit,
të cilëve u premton se edhe më tutje do të ketë përkushtim të vazhdueshëm në mësime, në krijimtarinë e
vargjeve të reja dhe zotohet se do “Të ju
gëzoj gjithmonë,/ Ju o prindërit e mi”. Imagjinata e saj krijuese nuk
mungon edhe në sajimin e temave, si te poezia “Humbja e nënës”, që këtu e takojmë si humbje të çastit, diçka e
përafërt me ëndërrat, që mund të shqetësojnë, por për fat zgjasin shumë shkurt.
Të realizuara dhe shumë interesante për lexuesin janë edhe shumë poezi tjera,
ndër të cilat mund të veçohen: “Koha ime”,
“Mbrëmja e ndërrimit të viteve”, etj.
Sibora,
edhepse në moshë shumë të re, nuk mund të anashkaloj edhe ngjarje e fenomene të
tjera që i takon në përditshmëri. Jeta sociale edhe në kohën që po jetojmë ka
aq shumë ndryshime e dallime mes njerëzve, sa vështirë mos të bën të ndihesh
keq kur takon njerëz që nuk kanë as shtëpi, as bukë e kushte të tjera
elementare për jetë. Këtë ndieshmëri plot dhimbje e paraqet në poezinë “Të pastrehët”, ku në mbyllje të
vargjeve të saj shpreh mendimin dhe dëshirën e saj, njëkohësisht: “Ndoshta jam e vogël, / E shumë gjëra nuk i
di,/ Po të më lexoni mendjen, Shumë gjëra do ndryshoja,/
Çdo ditë të tyre do e zbukuroja, / Dhe nga një çati secilit do i
siguroja”. (fq. 39). Po këtë çasje dhembshurie e shpreh edhe në poezi
tjera, si: “Një ditë dimri”, “Jetimët”,
“Babëzia dhe mjerimi”, “Fat i mallkuar”, “Endacakut”, etj.
Më bindshëm se në çdo poezi tjetër e shpërfaq
mendimin e saj në poezinë “Ndryshe”,
ku e portretizon veten e saj me pak fjalë, se është një fëmijë që po vjen në kohën
tonë, i rritur para moshës, i pandalshëm në ecjen përpara krah ndryshimeve të
jetës, meqë “Bota e tij kalon kufijtë”,
duke e konkretizuar me mendimin se “Çdo
gjëje në këtë botë/ Mund ti thuash çudi,/ Por mos u çudit është një fëmijë,/
Ndryshe…” (fq. 47). Vërtetë, e tillë na vjen edhe autorja e këtyre
vargjeve, e pandalshme në vrojtimet e gjithçkaje përreth, duke e shprehur me
fjalën e saj poetike, të veshur me petkun letrar dhe me vlerësimin plot dashuri
për atdheun e saj, për qytetin e lindjes, për Tiranën e bukur, për Delvinën dhe
mrekullitë e saj natyrore përreth, për Syrin e kaltër, për lumin Bistricë, etj.; pastaj për
shkollën, shtëpinë, shoqet dhe shokët, me të cilët kalon kohën më të mirë në
lojë, duke mos i harruar “Librin e madh”
(enciklopedinë) dhe “Shkollën Ali Demi”,
ku çdoherë aty gjen frymëzimin për jetë e dije.
Për Sibora Hudën, si krijuese e re dhe e
kujdesshme që është, nuk mund t’i kalojnë pa i ndier në shpirtin e saj poetik
edhe aromën e luleve, ku veçon “Mimozat”¸
pastaj shijen e ëmbël për “Pemët krahlëshuara”, dhimbjen për “Shtegtimin e zogjëve”, për të rikujtuar
edhe “Vesën e mëngjesit”, “Retë e natës”,
“Ditët e vjeshtës”, e sidomos “Ylberin
përrallor”, ku gjen frymëzimin e pashuar në çdo kohë që ta ketë pikturuar
si një pamje të dashur, përmes të cilit dëshiron të shëtis gjithë botën dhe “Të marr penelin/ Me ngjyrat e tua të
vizatoj,/ Dhe kur ti në qiell të mos jesh/ Në vizatimin tim të qëndrosh”,
(fq. 68).
Krahapur
drejt shtigjeve të dijes dhe vlerave të reja
Sibora Huda nuk përkufizohet veç në një
pikë të vetme të interesimeve, por ajo e shtrinë diapazonin e dijes duke lexuar
e hulumtuar nëpër libra e Enciklopedi të ndryshme për shumëçka. Poashtu, ajo nuk
do të ndaloj veç tek poezia, por ka bërë hapat e parë edhe në gjininë e prozës.
Sypatrembur dhe me hapa prej guximtareje i është çasur temave të ndryshme, në
të cilat trajton ngjarje të ndryshme nga bota fëmijërore, për
të shtuar interesimet e saj në njohjen dhe trajtimin sa më të gjërë në fantazitë
për universin, për gjithçka që mund të parafytyroj fëmiu i kohës së saj. Këtu, në pjesën e fundit të librit ka vënë
edhe tri nga prozat më të realizuara, për të dëshmuar interesimet e saj edhe në
këtë gjini letrare. Që të tri prozat: “Hëna”,
“Aventurat e maçokut Riko” dhe “Intervista”, që takojmë në këtë
libërth, lexohen me një frymë dhe lënë mbresa të mira, që na kujton se kemi të
bëjmë edhe me një prozatore të re në të ardhmen, krijimtaria e së cilës do t’na
rrëmbej në shtigjeve dhe ngjarjeve që trajton, për të harruar gjithçka tjetër
përreth për aq sa do të ndodhemi në botërrëfimet e imagjinatës që sjell pena e saj premtuese, gjithandej.
Kështu, krejt në mbyllje të këtij
shkrimi për një krijuese fare të re në moshë, por të talentuar dhe sqimatare në
çasjet tematike, e gatshme në përballje me vargun e saj, me çiltërsinë
gjuhësore, me një përkushtim që të magjeps dhe me këmbëngultësinë për të thënë
bukur e bindshëm çdo fjalë e varg, mund të shpresojmë shumë në sukseset e
pambarim nga pena e saj
Mbi bazën e kësaj që takuam në këtë
përmbledhje poetike, konsiderojmë se po vjen edhe një krijuese e re, e denjë në
përballje me çaste e fenomene të ndryshme, që e provokojnë muzën e saj krijuese
drejt vlerave që do t’na gëzoj të gjithëve!
No comments:
Post a Comment