KRISTAQ
TURTULLI
SA
TË SHTRENJTA JANË LULET!
tregim
59
dollarë dhe 99 cent, bleva një tufë të madhe me karafila dhe trëndafila të
freskëta, për Meritën, gruan time.
-Ua, ua, moj nëne, sa të shtrenjta qenkan
lulet në këtë qyqan!- këlthiti dikur Merita kur lexoi çmimin.
-Janë të freskëta dhe plot aromë, e dashur,- i
thashë.
Ajo
puliti qerpikët, fërkoi hundën vogël dhe mërmëriti:
-Të
ish për mua s’i blija kurrë...
Merita
hyri fare thjesht në jetën time. Vetmia është molë e tmerrshme, gërryhen
njeriun ngadalë pandierë në mënyrë të pashmangshme. Ngujuar në kthinën e vogël,
nën darën e fortë e të ftohtë të qytetit të madh. Ku ndjehet i tendosur rituali
i pandryshueshëm; stresi të mbash me thonj e vendit e punës, ngjitja dhe
zbritja nëpër trena dhe autobusë. Gjumi i shqetësuar dhe, shumë gjëra të
rëndësishme të rrëshqasin nga mendja. Miqtë e vërtetë të fëmijërisë së bashku
me lojnat, argëtimet dhe shëtitjet buzë mbrëmjeve nën rrugën e blirëve mbetën
në memorie, strukur në rrugicat e ngushta me kalldrëm të qytetit të dashur.
Dikur
në muajt e parë të emigracionit, disa miq të rastësishëm mi përshkruan tavernat
me ngjyra të ndezura të nxitnin kureshtjen time. Butësisht e, qeshur nën buzë
më tërhoqën në bodrumet e nëndheshme të lokaleve, përmbytur prej dritave
vezulluese, pranë avullit turbullues së rakisë dhe duhmës marramendëse së
lakuriqësisë. Nepsi im nuk është prerë për tu shkapërderdhur në mjedise të
pista. U tërhoqa heshtazi pa e bërë të gjatë...
Në kontinentin e largët dhe të ftohtë, vitet
rrjedhin pa kuptuar, muajt dhe stinët ndjekin rrëmbyeshëm njëri tjetrin. Nëna u
mplak, u rrëgjua shumë shpejt. I lutem të vijë por ajo nuk do të lërë vatrën e
të parëve. Justifikohet se ka frikë se mos vdes rrugës, për turp dhe faqe të
zezë, kur avioni të jetë lart në kupë të qiellit. Mundohem ti mbush mendjen për
lehtësinë dhe kushtet e favorshme të fluturimit me avion. Nëna nuk tundet nga e
saja.
Më
flet në telefon me zë të holluar, më shkruan shpesh. Më këshillon të mos e zgjas më, të vendos, të krijoj dhe
unë si gjithë të tjerët folësen e ngrohtë familjare. Meraku dhe trishtimi i saj
është i shpallur në sy.
-Biro
gjej një çupë dhe shkujdesu, më dëgjon ç’të them?- Ngulmon nëna sa herë flasim
në telefon.
-Mirë
nëno,- i them dhe s’ e zgjas. Nuk di si ti shpjegohem nënës; gjetja e një
njeriu të mirë, të lidhësh jetën nuk është kostum me porosi.
Nëna
ngulmon në të sajën.
-Biro
mbushe të tridhjetat dhe një qind të bëhesh!- Më uroi zë ëmbël, gjithë
përdëllim dhe shtoi: -Nuk ke ç’ pret më, hajt, vendos, më dëgjon biro?
-Të
dëgjoj nëno, të dëgjoj, ja do gjej ndonjë indiane, kineze apo xhamajkiane.- I
thashë me shaka dhe shtova: -Këtu ka me shumicë; aziatikë, verdhashë, zezakë,
ti mbledhësh me lopatë.
-U,
u, u, ç’ thua kështu bir! foli nëna zë shuar. Dëgjova në telefon kapërdimën e
rëndë të pështymës së nënës në stomak. Heshti një copë herë, siç duket fshiu
buzët dhe vazhdoi zëdredhur: -Posi, posi, të njeh nëna ty të njeh, nuk shkel në
dërrasë të kalbur. Biro, qyteti ynë është me nam për vajza të bukura, të
ndershme dhe punëtore.
-E
di, -fola zë ulët. Më erdhën përnjëherë nëpër mend vajzat e hijshme të qytetit
tim dhe një prej tyre Miranda, të cilën
e kisha simpatizuar në gjimnaz dhe e putha një buzëmbrëmje në muzg. U martua
dhe iku në Australi. I mbështjellë prej
nostalgjisë dhe pa e kuptuar as vetë
shtova:- Atëherë nënë më gjej një vajzë siç e di vetë.
Nëna
u gjallërua, zëri i saj u bë i mprehtë.
-Të
gjen nëna ty, -tha:- Nuk i di çupat e reja, jam plakë, por kemi plot miq.
Lidhja
me Meritën u bë me rekomandimit e miqësisë dhe të fqinjësisë dhe dëshirën e
mirë të nënës. Siç ndodh rëndom me djemtë e mërguar dhjetëra male, dete, oqeane
kaptuar. I thanë nënës për Meritën, vajzën e Kumrie Tamburasë që punon në
postë. Nëna e pëlqeu e, gjithë shend e verë më lajmëroi të shkoj, të shoh
vajzën dhe, për hair qoftë.
Takimi
me Meritën dhe familjen e saj u bë në shtëpinë e Lefterisë fqinjës sonë të
vjetër. Merita qëndronte ulur në cep të
divanit të kuq të Lefterisë, veshur me një fustan të thjeshtë, me lule por që i
derdhej bukur në trup dhe mbante sytë përtokë. E kisha të turbullt kujtesën për
Meritën, siç ma treguan në fotografi me veshje sportive, buzëqeshje të ëmbël si
në kartolina. Ajo jetonte në lagjen e lumit por mua më binte shumë rrallë rruga
për andej. Në takimin dypalësh më shumë folën Kumria, nëna e Meritës dhe
Lefteria, fqinja jonë. Nëna luante kryet ngadalë dhe fshinte lotët me cepin e
shamisë së bardhë. Ajo pa u çmallur mirë me mua, s’ i durohej të më tregonte
nusen e ardhshme:
-Biro,
të ngrohet nëna e gjorë me fllad nuseje,- mërmëriti.
Hesht.
Më rëndon lëmshi i madh të mallit dhe nostalgjisë. Merita bardhoshe e kolme,
plot vlagë, afsh, mban kokën pakës të anuar mënjanë. Gjoksi i plotë ngrihej dhe
ulej me shpejtësi, buzët e plota gjithë tul, pakës të hapura. Flokët e zinj dhe
të dredhur i derdheshin si ujëvarë. Në qafën e bukur dhe të bardhë i dallohej
një nishan i zi. Pa e kuptuar më hipi dëshira marroqe ti puthja atë nishan. Ajo
puliste qerpikët e gjatë, si krahë dallëndyshe dhe e pasigurt shtronte mbi gju
palën e fustanit të kaltër. E vështrova, më pëlqeu, e freskët e ëmbël,
ndezëtare, me dy gropëza të hijshme në faqet e purpurta, s’ kish të sharë.
Buzëqeshte ndrojtur, me shikim butë në dysheme.
Ceremonia
e prezantimit e dy njerëzve që do lidhin jetën së bashku, përfundoi.
Përfaqësitë u tërhoqën me buzëqeshje mirëdashje. Na lanë të dalim të shëtisim,
të bisedojmë dhe të njihemi mirë. Dita plot diell, në bulevardin kryesor të
qytetit kanë shpërthyer lulet e blirëve. Ne ecnim në heshtje ngadalë, krah për
krah, nën erën e mrekullueshme të blirëve dhe, kurmi i saj fërgëllonte. Theva
heshtjen dhe nisa ti flas për qytetin e madh, jetën e vrullshme, ujëvarën e
famshëm të Niagarës, liqenet e ngrira në dimër. Të rinj dhe të reja luajnë me
patina. Merita dëgjonte, s’fliste, e ndrojtur por sytë i vezullonin.
Lefteria
më rekomandoi lokalin e fshatit të Boboshticës me ambiente të qeta dhe intime.
Lokali ish vërtet interesant dhe karakteristik. Darkuam me mish qengji. Vetëm
unë flisja, ajo dëgjonte e përqendruar. Më ndërpriste rrallë, me pulitjen e
pandërprerë të qerpikëve. Kur u ndamë e pyeta:
-Merita
dëshiron të jetosh me mua në Kanada?
Ngriti
kokën vrulltas dhe me lëvizje nazike hodhi flokët mënjanë. Më vështroi gjatë
dhe luajti kryet në shenjë pohimi. Pohim i çiltër, s’ka nevojë për shumë fjalë.
E putha lehtë në buzët tulta. Ajo nuk lëvizi, qëndroi symbyllur. E putha
përsëri...
Pres Meritën, ta përqafoj me mall dhe dashuri,
të puth buzët e saj të kuqe si dy qershi belice, ti përkëdhel flokët e zinj dhe
kaçurrela, i derdhen në shpatullat e hijshme si ujëvarë, të prehem një copë
herë në gjoksin e plotë dhe të fortë. Të ndjej erën e këndshme të kurmit të saj
dhe të besoj, gjithsecili ka nevojë të dojë dhe ta duan.
Rregulloj
me kujdes letrën e tejdukshme të buqetës me karafila dhe trëndafila. Bredh
vështrimin moskokëçarës në mizërinë e pritësve të afërmeve të tyre, të
grumbulluar përpara dyerve vetëlëvizëse të aeroportit të madh. Jeta si gjithnjë
është e ngarkuar me ikje, pritje, takime, çmallje dhe përqafime. Udhëtarët e lodhur
nga fluturimi i gjatë, të rënduar nga valixhet, lumturohen kur dëgjojnë
klithmat e gëzimit dhe të pritjes.
U
mbaj erë me ëndje karafilave dhe trëndafilave. Janë të freskëta. Erëmirën e
luleve e ndjejnë gjithë pritësit, kthejnë kryet nga unë kur lëviz afër tyre.
Bëj kujdes kur mbledh gishtat rreth buqetës, mos zhubros letrën e tejdukshme
mbështjellëse dhe lëviz rrëshqanthi me frikën e përplasjes së paparashikuar.
Buqetën
me lule e bleva 59 dollarë dhe 99 cent në dyqanin luksoz të luleve ‘Ada’. Sa
herë bënin shëtitjen e së dielës Merita ngadalësonte hapat, thithte me etje
erën e mrekullueshme të luleve dhe sodiste me zili karafilat, trëndafilat,
tulipanët, vendosur kujdesshëm në vitrinë. Habitej me aromën dhe freskinë e
tyre, paçka se jashtë binte borë. Por çmimet e luleve të këtij dyqani janë të
kripura. Kur përcolla Meritën i premtova:
-Kur
të kthehesh do të pres me karafilat dhe trëndafilat e dyqanit të luleve
’Ada’. Sigurisht, kur të vijë,
tu mbajë erë do rrahë shuplakat dhe do
bërtasë prej kënaqësisë. Iku e
përhumbur prej merakut të sëmundjes së papritur të babait dhe s’më ktheu
përgjigje.
Kumria
dhe Lefteria më këshilluan, të shpallnin fejesën dhe të bënin celebrimin në
gjendjen civile, të lehtësoheshin procedurat burokratike të tërheqjes sa
Meritës në Kanada. Nuk ka kuptim që çifti i ri të qëndrojë i larg njëri
tjetrit. Merita është shegë e arrirë.
Nëna
u sëmur dhe në aeroportin e ri të Rinasit më përcolli Merita. Mu duk shumë e
bukur Merita. Era luante marrëzisht me flokët e zinj dhe kaçurrela. Pa u
larguar ndjeva mall për të. U puthëm, u përqafuam. Vështrova ngulët fytyrën e
saj të trëndafiltë. Ajo mblodhi supet e hutuar dhe mbështeti kokën e bukur në
gjoksin tim. Zemra ime rrahu me vrull...
Në
krye të gjashtë muajve Merita erdhi në Kanada. Zura me qira një dhomë të madhe
e një kuzhinë me pamje piktoreske nga liqeni. Të gjitha mobiliet, divanet,
kolltukët, shtratin e madh, bufenë, televizorin i bleva në dyqanit italian të
‘Lionit’. Mbushja e ambientit me orendi moderne më kushtoi, por unë kam punuar
aq sa të krijoj kushte të mira jetese për veten dhe gruan e re.
Merita
gjithë energji. Një fllad i freskët, gjithë musht dhe jetë fryu në ambientin e
rregulluar me shije në familjen e re. E regjistrova Meritën në kursin e
përshpejtuar të gjuhës angleze. Shpesh herë ajo kaplohej prej mendimeve dhe kur
e pyesja me thoshte:
-S’
është e lehtë të largohesh prej vendlindjes. Më zë malli për familjen sidomos
për të babanë, Demirin, kam debulesë.
Demiri,
burrë i imët, fjalëpakë, me sy të fryra që e ka për zemër konjakun dhe
fërnetin. I dhurova një shishe me konjak, ai më vështroi sy të rrëmbushur dhe
iku në dhomën tjetër.
Lodhja
e punës dhe stresi e përditshëm u fshi si me dorë. Në shtëpi më priste një
njeri që më do dhe e dua. Streha e shtëpisë është e ngrohtë.
Një
natë përpara bërjes së seksit Merita mu lut të jem pak i kujdesshëm.
-S’
ka përse të nxitohemi të zënë fëmijë,- më tha.
E
pashë me habi.
-
Më fal, të lutem më fal,- ia bëri ajo. Më rrasi kokën e bukur në gji dhe
shtoi:- Të shijojmë mjaltin pa kokëçarje...
E
aprovova pa mëdyshje. Merita buzëqeshi e kënaqur dhe si një lozonjare u lëshua
e shkujdesur në krahët e mi. Kam parë shumë miq, kanë fëmijë, mezi u del të
paguajnë morgiçin, çerdhet e fëmijëve, taksat, punojnë burrë e grua me turne të
kundërta. Më ankohen, për vështirësitë dhe përballonin e jetesës.
Mbas
katër muaj duke më puthur dhe përdredhur si dhelpërushe mu lut ta ndihmova të
futej në një kurs privat të plotë për farmaceutikë. Pagova për të dhjetë mijë
dollarë. Paratë janë kurrgjë në krahasim me ndihmesën që do japë në të ardhmen
familjes sonë të re. Merita studio me këmbëngulje. Shpesh herë bëhej nervoze
dhe e paduruar. E qetësoja. Ajo gëzohej dhe më puthte fort në buzë.
Disa
trille femërore Merita i fshihte me fanatizëm. E vështroja i habitur. Më puthte
cepin e buzës, pastaj mi kapte me majat e dhëmbëve, përdridhej përpara hundës
dhe qeshte si çilimi. Tërhiqesha në çast, nuk më dukej fort e hijshme të
ngulmoja. Do dukesha në sytë e saj një skuth i keq. Zakonisht femrës i pëlqen
të mbajë për vete disa sekrete të vogla simpatike, për tu bërë pakës
enigmatike. Qeshja me zemërgjerësi dhe ajo shkrihej prej kënaqësisë.
Në
ceremoninë e marrjes së certifikatës, të përfundimit me sukses të kursit mora
lejë nga puna. Merita qëndronte hijshëm ulur në stol veshur me uniformën blu
dhe kordele të kuqe të gradientit dhe më përshëndeti lehtë me dorë. Më shumë
isha unë i emocionuar se sa ajo. Kur iu thirr emri Meritës për të marrë
certifikatën brofa në këmbë i emocionuar duartrokita dhe fërshëlleva. Ajo eci
rëndë- rëndë, më erdhi për të qeshur. Darkuam në lokal luksoz, në qendër të
qytetit. Pimë verë ’Bordo’, lashë dyqindepesëdhjetë dollarë. Të dy ardhëm në
qejf. Kur hymë në dhomë Merita më kërkoi ta mbaja në krahë. E ngrita hopa e
putha në gushë. e gudulisa. Por kur u zhveshëm lakuriq të bënim seks,
çuditërisht u bë krejt esëll. U ngrit vrulltas në këmbë, veshi me shpejtësi te
brendshmet, këmishën natës dhe më kundërshtoi prerë, me ngulm.
Të
nesërmen si zakonisht u ngrita herët. Kokën e kisha pak të rëndë prej verës që
piva më vonë, mbasi kundërshtimi i saj më mërziti. Merita u rrotullua në
shtrat, futi krahun poshtë jastëkun, puliti qerpikët dhe u shtriq. Ndiqte me
vëmendje lëvizjet e mia. I thashë:
-Ditën
e mirë!
Ajo
luajti kryet dhe fërkoi mjekrën mbas jastëkut. Shikimin e kish i zbrazët, asnjë
gjurmë nga euforia e djeshme. Zbrita poshtë, ndeza makinën dhe u nisa për në
punë. S’ më shqitej prej mendjes ndryshimi i beftë i Meritës për të dhënë
ngrohtësi. Më habiste gjithnjë me ca ndryshime dhe trille të befasishme, sa
ndjehesha i pështjelluar. Herë më dukej më e brishtë si një fëmijë e llastuar.
Prekej shpejt dhe për hiç mos gjë, trishtohej e përlotej.
Kur
u ktheva, gjeta Meritën në kuzhinë, qante me dënesë. Harrova në çast mërinë
mbrëmshme. E afrova pranë, i përkëdhela flokët e butë si kadife:
-Përse
qan moj zemër?- e pyeta.
Ajo ngriti kokën, mjekra i dridhej, prej
ngashërimit. Fytyra e saj mu duk e zbehtë dhe sytë e skuqur. Mu dhimbs gruaja.
Është e tmerrshme kur qan gruaja. I bëra kafe të fortë dhe prita me
gjakftohtësi të ndalte ngashërimin dhe të fliste.
-Babai,
Demiri, është i sëmurë nga zemra,-më në fund mora vesh.
Ah, Demiri, pijetari shembullor i konjakut dhe
fërnetit.
Ajo
fshiu hundët dhe shtoi:
-Në
vendlindje mjekët të shikojnë duart dhe përkujdesja për të sëmurët është për
faqe të zezë.
-Sille
këtu,- i thashë pa e zgjatur.
-Oh,
sa i mirë je!- ia bëri Merita u çel në fytyrë. Brofi prej shtratit dhe mu hodh
në krahë.
Tërhoqa
formularë nga ambasada, i dhashë Meritës ta mbushë dhe ti a nisë menjëherë
familjes. Kur shkoja në punë e lija gruan të ngrehur. Kontrollonte postën dhe
qëndronte në pritje të telefonatave, për aprovimin e vizës së të atit për të
ardhur në Kanada.
Viza
u aprovua, Merita shkoi me ngut në vendlindje të sjellë të atin. Unë tërhoqa
nga banka dollarët e fundit, ti bëjmë këtu operacionin koronar të zemrës. E
merrja në telefon, më dilte Kumria, e ëma, më fliste me zërin si piskamë, më
shurdhonte veshët:
-S’ka
kohë. Gjysmë njeri mu bë njeri çupa. Kokë mushkë, i qëndron të atit në spital,
natë e ditë. Mu leqendis çupa...
Vështroj
orën e dorën, po afron koha të shfaqet Merita, të vrapojë e malluar drejt meje.
Të më hidhet në krahë, ta puth me zjarr. Jam i emocionuar, e kam nga
mallëngjimi dhe padurimi. Ikja e saj më la shtëpinë bosh. Nuk thonë kot, burrë
e grua mish e thua. Të mos qëndroj vetëm në shtëpi, punoj dy turne bashkë.
Pi
shpejt e shpejt kafen. I hodha dy lugë sheqer por përsëri mu duk e hidhur. Lë
gjysmën pa pirë dhe me padurim, mbaj sytë e mbërthyer nga dyert e mëdha
lëvizëse, ku dalin pa ndërprerë udhëtarë.
U
interesova dhe mësova; avioni Alitalia, Romë-Toronto, ka se tre orë që mbërriti
në aeroport. Merita s’ po duket. Çfarë ti ketë ndodhur zemrës sime të dashur?!
Mu shtua meraku. Ndoshta vonesë në doganë, qetëso veten. Doganierët e
aeroportit janë tmerrësisht të padurueshëm, gërmojnë dhe futin kudo hundët
kudo, si minj.
‘Kumria
më tha, nusen e ke të merakosur me sëmundjen e të atit dhe mbërritjen,’ më tha
nëna në telefon.
‘Për
mbërritjen mos e vrasë mendjen. I rregulloj të gjitha unë. E takove, u çmalle?’
Pyeta nënën.
‘Kë,
nusen?
‘Po’
‘Jo.
Ku mblidhet ajo.’
‘Si
kështu?!
‘Ku
di unë. Erdhi ditën e parë, sa bëri
ku-ku xa dhe s’e pashë më. Po s’ ka faj e gjora. Mendje prishur bëhet njeriu
kur sëmuret prindi.’
‘I
shkove krushkut për vizitë.’
‘Ku
ta gjej , më thanë është në spital, në Tiranë.’
‘I
gjori Demir!’
‘Ashtu,
posi, i gjori Demir? E lakmon të shkretën raki.’
Mos
ndoshta gjatë fluturimin i ndodhi Demirit, ndonjë krizë e fortë e fortë zemre?
Eh ç’ është njeriu, flakë kashte!
Buqeta e madhe me lule më lodhi krahun, e
hodha në dorën tjetër. Pritësit kthejnë kokën dhe u mbajnë erë luleve të
buqetës sime. Lëviz dhe shpërndaj aromë lule erëmirë. Nuk u pendova që pagova
59 pesëdhjetë dollarë dhe 99 cent.
Gishtat
që mbajnë të shtrënguar tufën me karafila dhe trëndafila mu qullën shpejt,
lëvizën pakujdesish mbi mbështjellësen e lëmuar dhe të tejdukshme. Fleta u
zhubros dhe kërciti lehtë. Gishti i vogël u pickua dhe u gjakos prej gjësendi.
As vetë nuk e mora vesh nga u ndodh ai tel i mprehtë apo gjemb në atë buqetë të
shtrenjtë me lule kundërmuese, që përgjaku dorën.
Më
mbërtheu një nervozizëm i pakuptueshëm. Fshiva gjakun me një copë letër që mu
ndodh në xhep. Lëviz sa më afër, mbajt lart mbi kokat e turmës buqetën me lule.
Më bren meraku i ngjeshjes së pakontrolluar të tyre.
Mbështetem
në kolonën e betontë dhe nuk vendos ç’ duhej të bëj. Të marr dhe një kafe
tjetër, por rreziku i pagjumësisë ma largoi këtë dëshirë. Dyer hapen dhe
mbyllen me shpejtësi, dalin udhëtarë të rënduar prej valixheve. Dreqi ta hajë
qenka torturuese pritja. Sidomos kur pret gruan. Sidoqoftë pritja dhe takimi i
afërt merr një kuptim të madh dhe zemra të gufon prej gëzimit.
Oh,
ja! Më në fund doli Merita tërheq pas dy valixhe të madha dhe të kuqe. Kur iku
mori me vete valixhen e vogël, blu. Fytyra e Meritës duket e skuqur si e
flakëruar dhe, flokëshpupurishur.
-Merita,
Merita!- i thërres dhe tund buqetën me
lule. Shtyj me bërryla turmën dhe turrem drejt saj, ta ndihmoj. Mos më
lodhet gruaja. Kut ta takoj do ti them.
-Merita,
të porosita disa herë. Kur të vish mos merr asnjë leckë me vete. Këtu janë
shumë më të mira dhe më të lira. Eh, si janë gratë! Mu qesh. Nuk duhesh tu
mërzitesh.
-Merita!-
thërres.
Ajo
shkund kokën me vrull. Më hedh vështrim të ngrirë dhe pulit qerpikët. Trup
tendosur tërheq valixhet në drejtim të kundërt.
-Hej,
Merita!?
Kaq
të jetë hutuar, të mos më dëgjojë?! Mbase i janë shurdhuar veshët Meritës nga
ai dreq fluturim!? Kot s’ mora lejë, të shkova me të. Por menduam që lejen time
ta konsumojmë në Kubë. Kur je i vetëm në vend të huaj, preokupohesh, e do më
shumë njeriun që lidh jetën. Eh, Merita, Merita, do më bësh me zemër ndonjë
ditë.
Afrohem
me ngut dhe qëndroj përpara saj, i lumturuar.
-Oh,
Merita, më në fund erdhe,- i them dhe i zgjas buqetën me lule. I çliruar prej
ankthit, i malluar hap krahët ta përqafoj.
Merita
ngriu. Tërheq me forcë kokën prapa. Më vështron ftohtë, me egërsi s të jem i
huaj. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan ashpër pas parketit.
Atë
çast pranë nesh u afrua një djalë i gjatë, hundëgjerë, fytyrë egër, me një vëth
të madh në veshin e djathtë.
-Hapna
rrugën!- më hungëriti në fytyrë.
-Po
takoj gruan time, - flas i pështjelluar.
-Largohu!
Ç’ grua do të takosh ti! - Shkrofëtiu ai.
-Ore,
je mirë nga trutë ti,- bërtas. Goja mu bë farmak:- Merr vesh, po takoj gruan
time?!
Inati
më shkund gjoksin. Ç’ kërkon ky njeri prej meje. Shtrëngoj grushtet gati për
sherr dhe ndërkohë vështroj përreth mos shoh ndonjë polic. Merita përgjon e
ngrehur vështrimin e tim të murrëtyer. Ma bleu mendjen. Brenda një viti i
studioji ligjet kanadeze dhe më ka kaluar ujët nën rrogoz, me telefonatat dhe
letrash sekrete. Lëpiu buzët e përthara dhe na bëri me kokë të lëvizin diku më
tej
-Duhet
të qetësojmë gjakrat:- Pëshpëriti dhe eci e para. Rrotat e vogla të valixheve u
fërkuan zhurmshëm pas parketit.
Diku
qëndroi, hodhi vështrim gjetiu dhe foli zë ashpër, urdhërues, të huaj për
veshët e mi:
-Do
na çosh në shtëpi, apo të shkojmë të flemë gjetiu?’
Merita
e brishtë, delikate që trishtohej dhe përlotej për hiç mos gjë, qe bërë e
rëndë, autoritare, e paturpshme. Dora më djersiu tmerrësisht, tufën me karafila
dhe trëndafila e hodha gjithë maraz, e ngjesha në dorën tjetër. Pëllëmba mu
shpua, mu përgjak keq. Kapërdihem me vështirësi, përqendroj nervat. Një
shkundje e madh po ndodhte. Po përse? Gryka më djeg e përvëlon. Zë të mbytur
fola:
-Të
pres me orë të tëra... Të çoj në shtëpi.
-OK.
Do të vij me Çimin,- ia bëri ajo.
-Po
kush është ky Çimi?- Gërhas me dhembje.
Rrotat
e vogla të valixheve fërkuan ashpër pas parketit. Mu gërryen zorrët.
-I
dashuri im,- dëgjoj.
-Çfarë?!-
ia bëj zëngjirur. Vështroj sy çakërritur njeriun që kam përpara, që quhet
gruaja ime.
Me
tërbim bëj shuk buqetën me lule të freskëta, me karafila dhe trëndafila, blerë në dyqanin më të shtrenjtë,
luksoz të luleve ‘Ada’.
Ti
thosha asaj: ‘Të mbetet e freskët e plot aromë dashuria jonë...’
Prandaj janë shumë të shtrenjta.
E
flak në koshin më të parë. Dora mu përgjak sërish. Ndjehem i mjerë, gruaja më
vuri brirë...
Mars 2011- Gusht 2017
No comments:
Post a Comment