Monday, 11 September 2017

105-vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit

105-vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit

Petro Luarasi
Sabiha Kasimati. Nderim dhe brengë
Sabiha Kasimati (1912-1951) po përmendet gjithnjë e më shpesh në këto dy dekada si një  ndër  gratë e shquara shqiptare  që meriton më tepër vëmendjen e studiuesve dhe të institucioneve  për t’ia hulumtuar jetën, veprimtarinë dhe veprën si dhe për ta  vlerësuar siç e meriton.
Ndonëse për atë janë shkruar me qinda faqe nga shumë autorë,   tematika paraqitet  e varfër, përsëriten tërkuzë e perifrazohen në forma të ndryshme  faktet  dhe opinionet  e dy-tre studjuesve si dhe propagandohet kryesisht aspekti politik i fundit të saj tragjik duke përçartur edhe ndonjë hipotezë ‘’bindëse’’ mbi veprën e saj të panjohur. Shkencëtarja martire Sabiha Kasimati meriton shumë më tepër studime të thelluara dhe jo hamendje.
Familja e arsimimi
Sabiha Kasimati u lind në truall të huaj, në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15 shtator 1912, në pragun e pavarësisë së shtetit  shqiptar, por u mëkua, u rrit dhe u edukua si shqiptare e kulluar  në vatrën  e një familjeje të madhe në numër dhe vlera, me  farefis të gjerë   dhe lidhje të thella, me kontribute atdhetare, kulturore e shkencore, përpara dhe pas çlrimit të Shqipërisë. Krushk i tyre qe edhe kryeministri i zgjedhur  nga Kongresi i Lushnjës,  Sulejman Delvina,  gjak i tyre qe edhe trimi i shquar antifashist Refik Refat Kasimati me pseudonimin  "Kardiaku".
Ajo  u rrit me ngrohtësinë e tre vëllezve Hifzi, Refik e Nevzad dhe motrës Minirea, në familjen  e  kamur të doktor Abdurrahmanit, ku u mëkua me dashuri për atdheun e të parëve të saj libohovitë, diturinë dhe vlerat universal. U arsimua në liceun elitar francez të Korçës  dhe në Universitetin e Torinos me rezultate të lakmueshme. Këtu mbrojti diplomimin (‘’tesi di laura’’) me  temë ‘’Fauna ittica d’acqua dolce dell' Albania’’. Në këtë periudhë u shoqërua me Olga Luarasin, të motrën e Migjenit, e cila studionte për matematikë  dy vite më lart dhe e vijuan miqësinë edhe si kolege në ish Institutin ‘’Qiriazi’’ në Kamëz.

Studiuesit kryesorë të saj
Për  njohjen e vlerave të  familjes Kasimati  dhe bijës së saj të denjë Sabiha, vlerësoj veçanërisht  përkushtimin dhe të dhënat e publikuara  prej tre studiuesve: Myslim Islami, Uran Butka e  Uran Asllani.
Myslim Islami me monografinë ‘’Refik Refat Kasimati: Kardiaku" (1902-1944)’’ ofron të dhëna mbi gjenealogjinë e familjes Kasimati dhe jetën e Sabihasë, së motrës  dhe të tre vëllezërve, katër prej të cilëve u arsimuan dhe kontribuan me rezultare  të lakmueshme, në sajë të shtysësekonomike e morale të babait. të tyre Dr Abdurrahman Kasimatit (1865-1943) i cili kudo ku punoi, në Korçë e Elbasan gëzoi mirënjohjen e qytetarëve, dhe ‘’miqësinë e personaliteteve si Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Et’hem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë.
Uran Butka, në librin ‘’Bombë në ambasadën sovjetike’’,  ka  publikuar dokumenta arkivore me të cilat provohen si u zhvillua ngjarja, kush e shkaktoi atentatin, si u hartuan listat e vdekjes,  arësyet e vërteta përse u arrestuan dhe u ekzekutuan të pafajshmit  Sabiha Kasimati me shokë si dhe mënyrat e tjetërsimit të procesit hetimor. Ka ndriçuar fakte të panjohura mbi personalitetin e Sabiha Kasimatit.
Uran Asllani, me disa  artikuj në gazeta, ka publikuar  fakte e  ngjarje  interesante mbi jetën, edukimin e dhe  botëkuptimin e saj, ka  hulumtuar e analizuar   veprimtarinë dhe arritjet e saj  shkencor, me  hipoteza të guximshme,  diku  edhe të  tepruara.
Për Sabiha Kasimatin kanë shkruar  edhe mjaft  të tjerë që veçse kanë përsëritur të lartpërmendurit, me komente kryesisht në kënvështrimin politik, paksa në aspektin human   e botëkuptimor  të saj dhe pothuajse aspak për  kontributin e saj të mirëfilltë  shkencor. Studiuesja  Daniela Vathi me të drejtë  thekson:  ‘’Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare. Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.’’ 1. (Daniela Vathi Sabiha Kasimati: Shkencëtarja e parë shqiptare) http://www.gazetaexpress.com/arte/sabiha-kasimati-shkencetarja-e-pare-shqiptare-130310/?archive=1
Sa nevojë ka shoqëria jonë për  shembuj të tillë  femrash intelektuale shqiptare që shkallmuan  frikën dhe  paragjykimet  e kohës duke  rrezatuan kulturë, dinjitet e antikonformizëm!

Veprimtaria shkencore
Puna shkencore e Sabiha Kasimatit shpaloset mirëfilli në studimin ‘’Fauna ittica d’acqua dolce dell' Albania:tesi di laurea” (’’Fauna iktike e ujrave të ëmbla të Shqipërisë’’) që e  mbrojti në  Universitetin e Torinos, ‘’në vitin 1941’’.
Në këtë studim shkencor me vlera të rëndësishme për të shkuarën e të ardhmen, ajo shpalosi talentin, vullnetin, volumin e punës, risitë dhe objektivat  për të ardhmen e iktiologjisë shqiptare. Ky është  i pari studim në këtë fushë, dhe mbi të gjitha e shkruar nga një femër shqiptare. Pra Sabiha Kasimati është shqiptarja flamurtare  në  fushën e studimeve mbi iktiologjinë shqiptare.
Kam kënaqësinë të publikoj dhe analizoj   për herë të parë, pasi e kam përkthyer edhe në shqip, këtë studim që   deri më tani njihet si puna e saj shkencore  më e rëndësishme e publikuar.
Lënda përmban hyrje, listë të specieve dhe varieteteve që formojnë faunën e peshkut në ambjente të ndryshme iktiologjike, pëshkrim gjeografik dhe biologjik të mjediseve të ndryshme iktiologjike,  ekzaminim të materialit të mbledhur, analizon  7 familje peshqish (Acipenseridae, Cyprinidae,    Clupeidae, Serranidae,         Mugillidae, Salmonidae, Anguillidae) si dhe një  pëshkrim të shkurtër të industrisë së peshkimit në Shqipëri. Studimi përbyllet me një  bibliografi me 70 zëra, me  38 autorë të ndryshëm. I gjithë materiali përmblidhet në 85 faqe të daktilografuara.
S.Kasimati  i është referuar këtij studimi  në artikullin e saj  shkencor ‘’Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë‘’)  duke e përfshirë në tetë zërat e tij, ku e ka cilësuar ‘’tesi di laurea, dakt. 1940.’’     
Ky artikull shkecor paraqet rëndësi të madhe përsa i përket kohës kur është shkruar dhe çështjeve të rëndësishme që analizon dhe i paraqet si domosdoshmëri për t’u zbatuar.
Pasi kaloi një sëmundje të rëndë dhe u kurua në Itali, në vitin 1947  ‘’nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto ku,  sipas studiuesit Uran Asllanit “Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtiologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare’’
Në vitin 1949 botoi artikullin shkencor ‘’Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë’’ që është i pari mbi temën e iktiologjisë  për periudhën pas çlirimit të vendit.2.
(Kasimati, Sabiha,   Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë, Buletini i Institutit të Shkencave,  1948, nr.2-3, f.18-32. Bibliografi)
I nipi i Sabihasë,  Namik Kasimati përmend se ajo i tha shoqes së saj Durie Hulusi: “Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera që janë në kufi me Shqipërinë”.

Akuza pa prova!
Prej vitesh qarkullon në mediat shqiptare, madje edhe në doktoratura e botime akademike, nga studjues por edhe zyrtarë institucionesh  të rëndësishëm,  paradoksi i pranimit apriori të akuzës pa paraqitur prova. Kjo mund të pranohet të publikohet nga ndonjë  media sensacionesh por jo nga zyrtarë institucionesh të rëndësishme apo në nivele të larta shkencore Bie fjala  një studiues shkruan:
‘’S.Kasimati në vitin 1949  kishte përfunduar librin ’’Peshqit e Shqipërisë‘’… me 100 e ca faqe e 50 e ca figura…që e dorëzoi  për botim në  dorëshkrim në janar të vitit 1950.  Sipas projektplanit të punës   të kryesisë së  Institutit të Shkencave botimi i veprës  do të kryhej  në tremujorin e dytë të vitit 1950 me tirazh 3500 ekzemplarë. Vepra e Sabiha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” paraqiste para lexuesit shqiptar ihtiofaunën e Shqipërisë që përmblidhte 257 lloje peshqish. Sikurse ndodhte rëndom me autorët e dënuar, vepra e Kasimatit ‘’Peshqit e Shqipërisë‘’u botua në vitin 1958  me  emra  të tjerë.’’3.
(Dr.Leka Ndoja, Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944/1990), Doktoraturë)
Këtë akuzë ma zuri syri edhe në ‘’Fjalorin enciklopedik shqiptar’’, zëri Kasimati, Sabiha (1912-1951). Më befasuan sidomos deklarimet e titullarëve të institucioneve tepër të rëndësushme për çështjen, zotërinjve A. Tufa e K. Dervishi, të cilët e kanë detyrë dhe përgjegjësi t’i dalin për zot barrës së provës për akuzat që shprehin.
Në fakt akuzën e ‘’ përvetësimit të punës intelektuale të Sabiha Kasimatit’’ (kinse monografisë  ‘’Peshqit e Shqipërisë“, 1958)  nga disa (2, 3 apo 4)  studjues, kolegë shqiptarë me në krye  një akademik të huaj (sovjetik) e ka shpallur i ndjeri U.A., i vetmi që  mori përsipër dhe publikoi në një gazetë  ‘’barrën e provës’’ për akuzën e rëndë: ‘’Mbas një pune shumë të madhe eksperimentale shkencore si asnjë shkencëtar tjetër shqiptar në mesin e vitit 1950, Dr Kasimati i dorezoi institutit per botim vëllimin prej rreth 200 faqesh dhe të 50 figurave me titull ‘’Peshqit e Shqipërisë’’. Në buletinin e Institutit të Shkencave, Nr 3, të vitit 1950, fq 78, në rubriken e jetës shkencore të Instituti, njoftohet se janë derguar për botim…vepra e Sabiha Kasimatit ‘’Peshqit e Shqiperise’’ e planifikuar me nje tirazh prej 3500 copesh’’
Ai shpreh edhe versionin: ”Natyrisht që mbas pushkatimit libri i përgatitur nga Sabiha Kasimati u tërhoq menjëheë nga shtypshkronja dhe u arkivua në depositën sekrete të Institutit por edhe atje nuk ndenji shumë kohë. Kryesia e Institutit nën insistimin e Kolë Paparistos i kerkojnë Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik një specialist ihtiolog të vinte ne Shqiperi për përfundimin e botimit të veprës mbi peshqit edhe për ndonjë plotësim te mundsëm.  Anatolij Poljakovi pergjate periudhes që qëndroi në Shqiperi jo vetëm përvetësoi punën shkencore të Sabiha Kasimatit por edhe me ndihmën e dy ish-bashkëpuntorëve te saj … u shtoi 257 llojeve te peshqve te paraqitura nga Sabihaja edhe 10 lloje peshqish… Instituti i Shkencave punën e përvetësuar të Sabiha Kasimatit në fillim të vitit 1958 e botoi si vepër te Anatolij Poljakovit. 4.
http://www.panorama.com.al/sabiha-kasimati-mehmet-shehut-ne-hetuesi-jeni-kriminele-do-e-paguani/
Këtij artikulli i janë përgjigjur pasardhësit e të akuzuarve që e kanë kundërshtuar katërcipërisht me argumentat e tyre: ku ai akuzon se Sebihasë ..’’ ia përvetësuan veprën një studjues sovjetik me dy shqiptarë, ish bashkëpunëtorë të saj’’. Pasardhësit kanë thënë se prindërit e tyre  nuk kanë qenë  bashkëpunëtorë të saj dhe se kishin kryer punën e tyre të pavarur. 5
‘’20 nentor 2014, Përgjigje për  Prof.Dr.Uran Asllani nga  E. Filipi dhe   Jovan Basho’’ http://www.panorama.com.al/sabiha-kasimati-mehmet-shehut-ne-hetuesi-jeni-kriminele-do-e-paguani/
(Të akuzuarit pa prova për përvetësim të punës intelektuale të S.Kasimatit janë studiuesit  G.D.Poljakov, Ndoc Filipi, Kozma Basho, A.Hysenaj, madje  edhe Ndoc Rakaj) Në një shkrim tjetër  gazete shtohet: “botohet vepra e dr. Sabiha Kasimatit, natyrisht jo me emrin e saj, por me emrat e rusit Anatoli Poljakov dhe të dy fillestarëve në këtë lëmë, Ndoc Filipit dhe Ndoc Rakajt”. 6.
http://www.panorama.com.al/enver-hoxha-shtoi-emrin-e-sabiha-kasimatit-ne-listat-e-vdekjes/
Për të qenë i drejtë  në këtë gjykim  me pasoja ‘’morale e penale’’ ftoj këdo që është i interesuar, veçanërisht ata që kanë amplifikuar këtë version akuze, së pari, të verifikojnë burimin e informacionit. ( Buletinin e Institutit te Shkencave, Nr 3, te vitit 1950, fq 78).   Unë e kontrollova,  jo vetëm një por të gjithë serinë e Buletinit të Institutit te Shkencave, edhe në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, por  askund nuk ma zuri syri këtë njoftim, për be.
Në akuzë muk saktësohet qartë nëse bëhet fjalë për përvetësimin e një vepre të çuar për botim apo të kontributit të pa identifikuar të S.Kasimatit, si kartela, referenca, diskutime, ekstrakte të hulumtimeve në terren, etj.
Nëse është përvetësuar e tërë vepra, pjesë të saj, etj, kjo mund të vërtetohet vetëm me prova, gjetjen e dorëshkrimeve, analizën e referencave, etj.
Për sqarimin e kësaj akuze studiuesit duhet që të interesohen dhe të thellohen  mbi punën reale të shkencëtares Sabiha Kasimati në muze, për kontributin në ekspeditat përkatëse, për kartotekën dhe ato së bashku me dy studimet që tashmë njihen,  të  krahasohen mbi kritere shkencore  me librin ‘’Peshqit e Shqipërisë‘’. Specialistët mund  të gjykojnë pjesërisht edhe në bazë të  artikullit dhe disertacionit të saj me referencat përkatëse që janë publikuar. Na ana ime, me  respektit që kam për studiuesit  e përkushtuar të iktiofanës shqiptare, shpreh keqardhjen që askush prej tyre, apo të tjerë, në botimet pas vitit 1990 nuk i janë referuar kontributit të Sabiha Kasimatit, edhe pse dihej mirëfilli. Ndoshta ka ndikuar qejfmbetja prej akuzave ‘’për përvetësim intelektual’’ që nuk ua ka qëndisur  martirja por klane të caktuara që ua ka interesi të sajojnë dhe propagandojnë  sensacionale e përbaltje. Në këtë ‘’duel’’ mes të respektuarve kontribues të iktiofaunës shqiptare mbështes aksiomën  e Aristotelit: “Amicus Plato, sed magis amica veritas’’ ( Platonin e kam mik, por më tepër kam mik të vërtetën, në këtë rast: ’’I respektoj palët, por më tepër dua të vërtetën’’.)

Citime të sajuara!
A duhet të publikohen citime të sajuara për ta justifikuar dhe ligjitimuar  dënimin fizik, politik e moral!
Ndër dhjetra shkrime me zbulime sensacionale gazetareske paraqiten rëndom edhe ‘’prova ‘’,  me citime të  sajuara që legjitimojnë dënimin e S.Kasimati. P.sh.
‘’Me kurajën karakteristike të madhe të saj ajo i tha këto fjale që gjenden në dosjen e saj pranë Gjykates së Kasacionit. ‘’Kam qenë kundra ketij pushteti sepse ai nuk pajtohej me ideologjinë e botëkuptimin tim evolucionist. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me një akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje ku është marrë vendimi për akt terrorist. Ju jeni kriminelë dhe tiranë që kërkoni teë nënshtroni shqiptarët me terror por do të vije një ditë që keto mizori do t’i paguani’’ Këto fjalë ishin dënimi me vdekje i Sabihasë.7. http://www.arkivalajmeve.com/Sabiha-Kasimati-Mehmet----Shehut-ne-hetuesi-Jeni--kriminele-do-e-paguani.1047688819/
Në një artikull tjetër me autor Agron Tufën  këtij paragrafi i shtohet edhe fjalia ‘’Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”. 8. http://www.panorama.com.al/profil-kush-ishte-shoqja-e-klases-e-enver-hoxhes-qe-u-pushkatua-me-urdhrin-e-tij/
Nuk ka rast më tipik se si një tragjedi të mund të kthehet në komedi satirike dhe nga një heroinë reale të sajohet  fantazma e një burrneshe mitike.
Më çudit  qëndrimi  paradoksal i disa studiues: edhe pranohet  sajesa  e deponimeve në hetuesi dhe gjyq e Sabiha Kasimatit me shokë, edhe përpiqen ‘’ta lartësojnë‘’ duke   e dënuar  me pushkatim  ‘’të justifikuar sipas ligjeve të kohës’’ kur ia pëmendin se kinse ia  paskish deklaruar në hetuesi  ‘’armiqësinë e saj’’ drejtpërdrejt Mehmet Shehut!
Personalisht më duket se e dënojnë jo vetëm me pushkatim, por edhe me groposje të gjallë, e bëjnë objekt të ballafaqimit politik e interesave klanore, e largojnë nga interesi dhe dashuria e gjithë popullit, për të mirën e të cilit punoi tërë jetën me përkushtim e dashuri.
Martirja  Sabiha Kasimati ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e atyre që e kanë njohur. Këtë shkrim ua kushtoj edhe  gjithë atyre shokëve, miqve, bashkënxënës, kolegë e studiues që e kanë ruajtur në mendje e zemër kujtimin e saj edhe si intelektuale shembullore, me pikëpamje socialdemokrate ( ndonëse qe me prejardhje nga familje e pasur)  ajo mendonte për mirëqenien e gjerë të popullit shqiptar, zhvillimin e gjithanshëm të vendit. E kam përjetuar të gjallë nga vlerësimet e tim eti  Skënder Luarasi që e  ka njohur së pari në Korçë, më pas kur punonin në shkollat e kryqit të kuq Amerikan dhe pas çlirimit. Edhe bashkëshortja e tij Olga Nikolla (motra e Migjenit) e ka patur shoqe në universitetin e Torinos.

‘’Përse  më vrisni’’
Në hulumtimet e studiuesve për të vërtetën e arrestimit dhe vrasjes makabre të Sabiha Kasimatit   paraqet  rëndësi  thelbësore   t’i jepet përgjigje shkencore   pyetjes së saj :‘’Përse  më vrisni’’...  Në rast se provohet që është vrarë thjesht për të përmbushur një  tekë  diktatori, kjo do të ishte akuza dhe dënimi  më i rëndë që i bëhet  datij   dhe pushtetit abuzues.
Historia na dëshmon mjaft raste  manjakësh qejflinj  të cilët  i kanë epshet  dhe hakmarrjen  pa kufi,  kur nuk e realizon qëllimin të marrin nderin  me shpifje dhe jetën me krim. E ndjera Kasimati i gëzohej bukurisë dhe inteligjencies së saj, por thuhet se fati i keq e takoi me një bashkënxënës në lice që u bë  diktator i vendit dhe pushtetin e tij absolut mund ta ushtronte kudo dhe për gjithçka. Me një urdhër dridhte dynjanë dhe taborët e tij të jeniçerëve burgosnin e internonin, torturonin  e pushkatonte.
Viktor Kasimati, nipi i Sabihasë,  dëshmon:‘’Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajën t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit.’’9. http://www.panorama.com.al/enver-hoxha-shtoi-emrin-e-sabiha-kasimatit-ne-listat-e-vdekjes/
Ndërsa Liri Belishova ka thënë  se vetë “Stalini e qortoi Enverin për pushkatimet e 26 shkurtit 1951’’10.
Stalini e qortoi Enverin për pushkatimet e 26 shkurtit 1951 : flet shoqja e Sabiha Kasimatit / Liri Belishova ; Panorama,Nr. 1419, 6 shtator, 2006, f. 18 - 19.
Martirizimit të Sabiha Kasimatit me shokë  është i kobshëm. (Arrestohet dhe pushkatohet si e vetmja grua ne mes te 22 burrave)
Tashmë është provuar pa mëdyshje që ata u arrestuan  dhe u torturuan me qëllim,  si të pafajshëm, për një shpërthim  që e patën kryer të tjerë. Studiuesi Uran Butka e ka provuar me dokumenta arkivore se kush e organizoi dhe kush u dënua me akuzën e hedhjes së eksplozivit në Legatën Sovjetike. Atë  e hodhën dy anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar” Hysen Llulla dhe Qazim Laçi. Pjesëtarët e kësaj organizate u arrestuan dhe u mbajtën në izolim të fshehtë për 8 muaj, Gjykata e Lartë Ushtarake më 9.10.1951, me dyer të mbyllura, dënoi me vdekje: Qazim Laçin, Sejfulla Shimën, Rustem Thaçin, Zenel Rikën, Ali Voglin, ndërsa për Mark Zef Palin, Ramiz Voglin, Riza Shehun dhe Adem Kastratin, dënimi me vdekje u kthye në burgim të përjetshëm. Reshit Shima u vra në dhomën e torturave, Riza Pengili u pushkatua përpara derës së shtëpisë, ndërsa Hysen Llulla, kryetari i grupit u vra kur desh t’i ikte arrestimit prej agjentit të Sigurimit të Shtetit, Besim Selita.’’ 11
Uran Butka, Masakra e natës së 26 shkurtit 1951.  http://albdreams.blogspot.al/2014/01/bomba-ne-ambasaden-sovjetike-denimi-pa.html)
Ndërsa grupin me Sabiha Kasimatin pasi i pushkatuan për disa ditë pas arrestimit, pa prova e gjyq , ua sajuan deponimet në hetuesi dhe në seancat e gjyqit imagjinar.
Nuk evidentohen në procesverbal pyetjet që bën trupi gjykues dhe përgjigjet e secilit për pyetjet. “En block” janë shkurt “reagimet” e secilit të pandehur për akuzën.
Ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, Mustafa Qilimi ka deklaruar: “Sa kohë isha unë në Gjykatën e Lartë nuk ka pasur dosje hetimore gjyqësore për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, për të cilën ekziston vendimi i pushkatimit të 22 personave”. Të gjitha janë shkelje të ligjit, që dëshmojnë se gjyqi nuk është zhvilluar fare. Procesverbalet janë plotësuar nga Gjykata e Lartë dhe Ministria e Brendshme, pas ekzekutimit të personave të arrestuar. Prova se procesverbali është falsifikuar është rasti i Jonuz Kacelit: vritet gjatë torturave, hidhet nga dritarja si i vetëvrarë – rast që merret si i pandehur në gjyq, pyetet nga kryetari, u përgjigjet akuzave dhe dënohet me vdekje, kjo provon se procesverbali është shkruar më vonë, gjyqi nuk është zhvilluar si fund të tij. Vendimi “me vdekje me pushkatim” ishte i formës së prerë, i paapelueshëm, i ekzekutuar menjëherë dhe i plotësuar me konfiskimin e gjithë pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, deri te lugët dhe pirunjtë! 12 http://www.standard.al/2015/02/26/26-shkurt-1951-hidhet-nje-bombe-thyhen-dy-xhama-pushkatohen-22-intelektuale/
Porosia për gjyqtarët e diktaturës: “Duhet të mbyllet goja  e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”  Në vitin 1991, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë pas kërkesës pranë Plenumit të Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit penal Nr.64 datë 27.02.1951 si të kundërligjshëm dhe të pambështetur në asnjë provë, u vendos prishja e këtij vendimi dhe pushoi çështjen penale në ngarkim të 22 të pushkatuarve.


“Ç’të kam bërë  o perëndi?”
Furtunën e natës  së 26 shkurtit të vitit 1951 e shqeu një klithmë therrëse femre: “Ç’të kam bërë  o perëndi…?”  sëcilës nuk po  ia grabisnin jetën plumbat por kondakë  e bajoneta ushtarësh të përçudnuar. Fshatarët e Mënikut  pëshpëritën se pranë urës së Beshirit qoftëlargu kishte kallur  njerëz dhe koha dëshmoi se ata qenë 22 viktima të pafajshme, mes tyre edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati, së cilës natyra i dhuroi begatinë, bukurinë e mençurinë, por dhe fatin e keq të përballjes me urrejtjen  e diktatorit dhe katilëve të tij. Tashmë ka ardhur koha që në atë vend krimi të ngrihet një përmendore e cila të përjetësojë të vërtetën që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë!

Kontribut për vlerësimin e Sabiha Kasimatit
Titullarët e  UT , FSHN,  të Departamentit të Biologjisë dhe Muzeut të Shkencave të Natyrës, kanë mobilizuar punonjësit e tyre përkatës që t’i përkushtohen njohjes dhe vlerësimit të martires Sabiha Kasimati.
Në një mbledhje kolektivi i  departamentit  të Biologjisë u shpreh:  ‘’Znj. Kasimati është viktime politike e sistemit të kaluar. Kësaj zonje, nuk I është dhënë mundësia nga politika e sistemit të lërë gjurmë shkencore dhe të personifikohet si personalitet shkencor  pranë Institutit të Shkencave,  ku ajo ka punuar deri në 1951! Ky emër është i panjohur për thuajse gjithë brezat e studentëve, që kanë mbaruar pranë këtij Fakulteti. Në respekt të kontibutit dhe fatkeqësive në jetën e saj, ne jemi dakord me rehabilitimin   e   saj   nga   ana   jonë  në   një   Simposium   të   veçantë,  njohjen   e kontributit të saj shkencor, i cili ka qenë dhe mbetet i fshirë nga memoria e shkruar në vend!  Pasi   të   diskutohet   në   mjedise   shkencore,   mundet  që   në   Muzeumin   e Shkencave, pranë QKFF, ku ka një pavion Iktiologjie, këtij pavioni mund t’i vendosej emri Sabiha Kasimati, shoqëruar me fotografi dhe jetëshkrimin e saj; ose emrin e saj mund t’ ia vendosim një laboratori.’’
Në këtë mënyrë dashamirëse shprehet kërkesa dhe nevoja  për studime shkencore të thelluara për përkrahjen e studiuesve që të sigurojnë  provat përkatëse  që të përligjin vendimmarrjen. Si punonjës i fakultetit  kam dhënë kontributin modest përkatës me shkrime e organizim aktivitetesh dhe  në këtë përvjetor po publikoj edhe përkthimin tim (nga italisht në shqip) të studimit së saj:’’Fauna iktike e ujrave të ëmbla të Shqipërisë’’ (“Fauna ittica d’acqua dolce dell' Albania, tesi di laurea”)   që deri më tani njihet si puna e saj shkencore  më e rëndësishme e publikuar ku përpjekur të ruaj formën e të shprehurit të autores si dhe të përzgjedh fjalët shqipe të ngjashme me ato të gjuhës italiane.

Në përmbyllje uroj për shumëçka  të përkushtuarën Ina Kasimati, pasardhëse e denjë e familjes, me të cilën u njohëm rastësisht dhe po bashkëpunoj me aq sa mund për të lartësuar vlerat e shkencëtares martire.

No comments: