THIRRMA SHPIRTI
Trevargsh
QAZIM SHEHU
Sa e sa thirrma shpirti
Shuhen,
Kur përqafimet druhen.
+++
Vera lë gjithnjë
Një testament të gjelbër
Vjeshta e shuan në letër.
+++
Në çukërmimin e kalit
Thuhet diçka
Një rruzull enigme aty ra.
+++
Kope monstruoze
Trokojnë zinxhirët e kanosjes
Trembur prej sosjes.
+++
I fryva kallamit
Fyell frenetik,
Vrima çeli bisk.
+++
Kumbon ora në agim
Poret e suvasë përqeth
Vonohet një zgjim.
+++
Nata mbi kuaj të bardhë
Ikën,
Me shkumë kuajsh vjen dita.
+++
Fushat u mjegulluan
Lumenjtë hipën mbi to,
Një breg nën ujë vrapo.
+++
Kadife e erës
Ma njom faqen
Dorë e harruar.
+++
Vijat e çatisë
Dhe një oxhak
Frymojnë ngjat e ngjat.
+++
Deti me mënyrën e tij
Bën dashuri me tokën
Në breg përplas forcën…
+++
Velat e një reje
Ngrihen në një anije malli,
Lundron në ujë ajri.
+++
Ulërimat e kohës
I mbysin me fjalime
Të përsëritura.
+++
Nëse e mbërrin
Dikur një lule
Vishe me aromë.
+++
Udhëtimet e viteve
Karvanë karvanë
Në udhë që s`u panë.
+++
Dielli mbush
Qiej të harruar
Prej shfrimit.
+++
Adhurim i dashurisë
Pa e jetuar atë
Si e që s`kthet në ë…
+++
Qiell i stërmunduar
Nga lutjet e tokës
Hedh stuhi të lodhur.
+++
Kotësi dhe mbrapshti
Mbrapshti e kotësi
Gur i nxhehtë dielli rri.
+++
Ajo iku dhe ikjes
I vuri një plus
Kryq hedhur në pus.
+++
Yjet ndezën llambat
Në qiellin e murrmë
Frymon vajguri.
+++
Ndalet historia
Në një vit pa jetë
1913.
+++
Si e qara ime e parë
Blegërin qingji
Flakë merr gjiri.
+++
Hijet në mbrëmje
Mblidhen mbi lumë
Të ecin më shumë.
+++
Dritë e mekur
Qiell i therur
Takim me veten…
++
Në sheshin vetmitar
Hapat e mbrëmjes,
Pllanga siluetash.
+++
Zog i frikësuar
Zemra dridhet
Prej lules së panjohur.
+++
Drithëron argjendi
Mbi plep
Zogu e çuket me sqep.
No comments:
Post a Comment