Një Reportazh për një Konferencë
Drita Halimi-Statovci: Konferenca Shkencore : Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera, 02.05.2019, Preshevë-Medvegjë-Sijarinë.
Konferencës Shkencore me temën bosht Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera, që u mbajt më 02.05.2019, në Medvegjë, përkatësisht në Banjë të Sijarinës. Veshja popullore dhe veshja në përgjithësi përfaqëson një universalitet gjithënjerëzor, si dhe reflekton fuqi identifikuese për një individ, për një etni, për një vend e për një komb si tërësi. Si duket ky fakt nxiti organizatorët për realizimin e një Konference për veshjet shqiptare. Iniciativat e këtilla jo se ndihmojnë hulumtimin e studimin e tematikës veshje e traditës, por njëherit zgjon nga gjumi ndjenjën e dashurisë për traditën, të rivlerësimit të saj e të dashurisë së dallueshme ndaj fenomenit veshje popullore. Domosdo kjo do të ndikojë edhe në diskurse të reja moderne për traditën, si dhe do interferoj në ndërtimin e një kulture të re publike në fushën e veshjeve të traditës. Natyrisht se veshja e traditës reflekton një komunikim sa të pëlqyeshëm e të pranueshëm, aq edhe të kuptueshëm e të lexueshëm si dialog, si diskurs e si komunikim në një gjeohapësirë të madhe ose më të vogël.
Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore në Manifestimin “Takimet e Vendlindjes” Tupallë
Ndodhi rastësi dhe Konferencës Shkencore i parapriu tubimi-tradicional i këtyre viseve, shumë domethënës “Takimet e Vendlindjes”, që u mbajt në fshatin Tupallë. Po taman kështu, dhe në këtë Manifestim morën pjesë edhe studiuesit që do parashtronin kumtesat e veta ditën e dy majit 2019. Do të thuhej asgjë e jashtëzakonshme, por ky Manifestim sikur mbushi secilin të pranishëm plot emocion pozitiv për trashëgiminë kulturore në përgjithësi dhe për traditën e ruajtur në Anamedvegjë e më gjerë në veçanti. Nuk do ndalem këtu për këtë Manifestim, ndoshta në ndonjë rast tjetër.
Pamje nga Manifestimi “Takimet e Vendlindjes” Tupallë
Konferenca Shkencore ishte ftuar dhe organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, në bashkëpunim me AFEDS, respektivisht Forumin Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi. Një bashkëpunim ky me efekte pozitive përgjithësisht, e veçanërisht për realizimin e Konferencës në fjalë. Moderimi iu besua etnologes së re Luljeta Sylejmani, që e veshur me kostumin e bukur, atraktiv e impozant të Anamedvegjës, Konferencës i jepte një vizualitet të këndshëm e një sharm sa simpatik aq edhe domethënës. Kështu njësoj, me një nyancë ndryshe të veshjes popullore, Luljetën e shoqëroi kolegeja e vet, etnologe Erodita Qorkadiu-Haxhiu.
Pamje nga Konferenca shkencore:moderatorja Luljeta Sylejmani, fjala e hapjes:Xhemaledin Salihu dhe Muharrem Salihu
Natyrisht, Konferenca hapet me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Shoqatës, Profesor Xhemaledin Salihu, i cili shkurtimisht njohton për punën e Shoqatës që nga viti 2010, duke mos lënë anash të arriturat në evidentimin, fotografimin dhe inçizimin e vlerave trashëgimore të Preshevës dhe të Bujanocit, pa harruar të spikasë vazhdimin që do pasojë në Anamedvegjë. Theksohet fare mirë bashkëpunimin me organizatat simotra, si dhe organizimi i takimeve të tjera natyrash e temash të ndryshme.
Pas tij përshëndetë edhe ekonomisti e biznesmeni z. Muharrem Salihu, që kishte vlerësuar e vendosur t’i ndihmojë vendlindjes së vetë-Tupallës e Anamedvegjës ekonomikisht. Ky përshëndetë në emër të AFEDS, duke pohuar se nga Italia i kthehet Anamedvegjës për të dhënë kontribut në zhvillimin ekonomik. Modestia njerëzore është edhe mrekulli, z. Muharrem Salihu me plot vullnet e dashuri me kontributin e tij ekonomik si donator dhe si dashamirës i vendlindjes, njëherit ndihmon me filozofi largpamëse edhe evidentimin, studimin dhe promovimin e vlerave trashëgimore natyrash e materiesh disperzive.
Përshëndetjet vazhdojnë me leximin e telegrameve urimi të Muzeut të Mitrovicës, për t’ia kaluar fjalën zotëri Kolonel Sylejman Abazit nga Tirana. Ky ushtarak, që përshëndeti në emër të Akademisë Alternative, gjeti fjalët më sensitive e më largpamëse për Konferencën Shkencore të Trashëgimisë Kulturore, duke u shprehur se kjo punë e lavdërueshme është realisht zahire e shpirtit. Zaten si të jetë ndryshe, kur kujtojmë se trashëgimia kulturore ka vlera të veçanta! Që moti pata shkruar se trashëgimia të ushqen kulturalisht dhe emocionalisht. Tradita, apo trashëgimia kulturore të mëson për kohën, për historinë, i mëson të tjerët për ty, njëherit të mëson edhe ty për të tjerët. Trashëgimia kulturore të bën me traditë, të bën rrënjës por edhe të vendosë në modernitet e të mban me kohën. Shkurt, pra trashëgimia, siç me plot vlerë u shpreh kolonel Sylejmani, është zahire e e shpirtit njerëzor, madje do shtoja-edhe mbarë botëror.
Fjalë përshëndetëse e Prof.dr. Sylejman Abazi, sekretar i Akademisë Globale Albane
Përshëndetje pati edhe Porfesor Agron Xhagolli nga Tirana, duke shprehur befasinë e këndshme për hapësirën gjeografike të bukur të Anamedvegjës dhe kënaqësinë për një Konferencë si kjo të trashëgimisë kulturore.
Fjala përshëndetëse e Prof.dr. Agron Xhagolli në Konferencë
Në Konferencë, në fjalën e hapjes e në punimet në seanca, që nga fillimi e deri në përfundimin e saj, pjesëmarrës ishin personalitete e studiues nga Lugina e Preshevës, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Konferenca zhvilloi punimet në dy seanca, duke pësuar pak ndryshime nga Programi i hartuar paraprakisht. Seancën e parë shkencore e drejtuan Prof. Dr. Agron Xhagolli, Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci dhe Dr. Fejzulla Gjabri, ndërsa u lexuan kumtesat si në vijim: 1. Veshja identitet i spektrit të gjerë (Prtof. Dr. Drita Halimi-Statovci), 2. Veshjet popullore në Lume e Dibër të Poshtme (Dr. Fejzulla Gjabri), 3. Veshjet shqiptare në rrethin e Tetovës (Dr.sc. Shefki Selami), 4. Kostumet kombëtare në trevat lindore shqiptare në Maqedoninë Perëndimore (Prof. Dr. Nebi Dervishi), 5. Veshjet popullore shqiptare në Luginën e Preshevës (Prof. Dr. Afërdita Onuzi-në mungesë e lexoi Prof. Dr. Agron Xhagolli).
Seanca plenare e Konferencës shkencore: Prof.Xhemaledin Salihu, Afaristi Muharrem Salihu, Prof.dr.Drita Halimi-Statovci, kryesuese, Prof.dr. Agron Xhagolli dhe Rrahman Hyseni, shkrimtar
Seanca e dytë u hap me kumtesën 1. Vendi i veshjeve popullore në tërësinë folklorike (Prof. Dr. Agron Xhagolli), për të pasuar më tutje 2. Erotikja në këngët e dashurisë (Dr. Albin Sadiku), 3. Copza kulturore të zhvilluara ndër shekuj te popullata shqiptare në Vushtri e rrethinë (Mr. Jeton Sallahu dhe Bedri Xhema), 4. Trashëgimia kulturoredhe rëndësia e saj historike-Veshjet kombëtare dhe diversiteti i saj (Dr. Sc. Mustafë Haziri), 5. Rëndësia historike e veshjeve tradicionale shqiptare (Doc. Dr. Minir Ademi), 6. Veshjet tradicionale në Kosovë (Erodita Qorkadiu-Haxhiu), 7. Veshjet e burrave shqiptarë të Medvegjës ( Prof. Rexhep Abazi) dhe 8. Veshjet e burrave në Preshevë (Xhemaledin Salihu, Profesor).
Këto 13 kumtesa të lexuara mbajnë në vete një gjeografishtrirje tepër të gjërë të etnisë shqiptare, si dhe një tematikë të bollshme e të nduarduartë për veshjet popullore, por edhe të fushave të tjera trashëgimore. Me një natyrshmëri të lehtë, për veç kumtesave për veshjet popullore, apo të traditës, në Konferencë pati kumtesa që flasin për rite të kalimit, për punesat e dorës dhe për përfitimin e motiveve-ornamenteve dekoruese në veshje e në artefakte të tjera. Pa u lëshuar në detaje, lypset vërejtur se temat e këtilla komunikojnë, informojnë për një trashëgimi të begatë kulturore dhe natyrisht se ndihmojnë njohjen sa më të mirë të saj. Gjeneratat e ardhshme kështu përfitojnë një bazë të mirë studiuese dhe kanë për të njohur segmente të kulturës, të së kaluarës, mësojnë rëndësinë e pasurisë trashëgimore materiale, artistike ose shpirtërore, dhe e bukura e kumtesave të këtilla është se do të shërbejnë si material studimor për studiues të ndryshëm të Etnologjisë dhe Antropologjisë kulturore në përgjithësi, por edhe më gjerë.
Kumtesat që ishin lajmëruar me kohë, por që për arsye të mungesës së autorëve nuk u lexuan në Seancat e Konferencës, si fjala vjen sipas radhës në Programin e shpërndarë: 1.Veshja e gjerë e femrave në Malësi të Gjakovës, unike për vlerat dhe llojin e vet (Agron Isa Gjedia), 2. Veshja e grave shqiptare në Rajonin e Medvegjës (Dr. Qazim Namani), 3. Veshjet popullore shqiptare në tregimet e autorëve shqiptarë (Dr. Rovena Vata), 4. Kostumet popullore në vendbanimet shqiptare të Velesit (Prof. Dr. Mustafë Ibrahimi, 5. Trashëgimia kulturore dhe politika (Phd Hajtullah Mustafa), 6. Veshja e Medvegjës dhe e viseve të tjera si elemente ndërlidhëse me identitetin (Mr. Rini Useini), dhe 7. Veshjet shqiptare në trevat e Medvegjës ( Rrahman Hyseni), sigurisht se do të përfshihen në një Përmbledhës të veçantë të të gjitha kumtesave të zgjeruara për botim, si dhe pa anashkaluar edhe shënimet tjera të punës së Konferencës Shkencore për trashëgiminë kulturore, të mbajtur më dy Maj 2019 në Medvegjë-Banjë të Sijarinës. Pra, do kemi 20 punime të nivelit shkencor. Do jetë kjo një arritje e pëlqyeshme në fushën e trashëgimisë kulturore, veçanërisht për veshjet e Anamedvegjës.
Pamje nga Konferenca shkencore: pjesëmarrësit
Në diskutimet, pas përfundimit të kumtesave, u vlerësua lartë Konferenca e parë Shkencore në Medvegjë, e organizuar për traditën, përkatësisht trashëgiminë kulturore në fushën e veshjeve popullore dhe më gjerë. Së pari u dëgjua fjala e nikoqirit , Kryetarit të Shoqatës z. Xhemaledin Salihu. Ky e pa tejet të rëndësishëm këtë takim dhe shprehi dëshirën që takimet e këtilla të shëndrohen në traditë të vazhdueshme. Zaten kur e mendojmë këndvështrimin shkencor, do pajtohemi se tradita-trashëgimia nuk është e ngurtë, por përkujtohet, zhvillohet, ndërtohet e vazhdimisht pasurohet me elemente të kohës. Ndryshe nuk mund të jetë e as të trajtohet ndonjë trashëgimi kulturore, e pra, as ajo shqiptare. Diskutimet vënë në spikamë të arriturat e kumtesave shkencore, por edhe reflektuan sugjerime për një nivel argumentues shkencor. Seanca e diskutimeve u shfrytëzua pjesërisht edhe për përgëzime e urime për Konferencën Shkencore. Për kryetaren e Organizatës jo qeveritare Uniteti Alban-z-nja Mimoza Abrazhda, kjo Konferencë ishte një kënaqësi dhe një realitet që shpërfaqë bashkimin e dijes, të punës dhe të kapitalit për të ardhmen e kombit shqiptar. Zonja mësuese veterane e Medvegjës Aza Ferati u shpreh e ngazëllyer me këtë takim, veçanërisht duke parë aty edhe disa ish-nxënës të vetë. Dëshira e sajë ishte që kjo Konferencë të shnëdërrohet në traditë e të na mbushë zemrat plot emocion dhe plot dije për trashëgiminë kulturore. Diskutuesit, si z. M. Ademi, z. A. Syla e ndonjë tjetër patën edhe ca sygjerime që do plotësoheshin në zgjerimin e kumtesave për botim. Një diskutues, banorë i këtyre anëve, Agim Syla që kishte ardhur nga Diaspora shqiptare, u mahnitë me Konferencë të këtillë dhe shprehu dëshirën që kjo praktikë të vazhdojë.
Në fjalën përmbyllëse, u theksua se mrekullia e kësaj Konference qëndron në faktin se ajo tuboi e takoi studiues e hulumtues të viseve të ndryshme etnike shqiptare dhe se shtroi e debatoi tematika të ndryshme të trashëgimisë kulturore pikërisht në Medvegjen, ndoshta pak të njohur. Për detyrën që iu dha për fjalën përmbyllëse, Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci u shpreh e privilegjuar dhe e respektuar, dhe potencoi se kultura, trashëgimia kulturore është një dhe e pa ndarë dhe se pikërisht lypset të trajtohet si një dhe e pa ndarë, përkundër kufinjëve të shumtë që rrethojnë botën etnike shqiptare. Kufinjt kanë historinë e vetë, ndërsa kultura shqiptare shfaqet dhe është e njëjtë ose e ngjashme kudo që jetojmë, natyrisht diversiteti i nuancave kulturore është pasuria dhe mrekullia vetë. Filozofia mendimore shqiptare, ndërgjegjja e kujtesa e saj shoqërore identifikon qartas të kaluarën e vetë, por njëherit ndihmon ta kuptojmë më mirë të sotmen e ta vlerësojmë drejtë trashëgiminë kulturore, të kaluarën historike. Po, taman kështu u treguan, u shfaqen e reflektuan realitetet e shtruara në kumtesat shkencore të Konferencës, që mund të trajtohet edhe si maratonë për dije, për shkencë e për realizimin e vetvetes, duke shkëputur nga harresa shumë elemente të traditës, të etnokulturës shqiptare. Konferenca kishte për qëllim të mbahet në sallën e shtëpisë së kulturës, atje ku zakonisht performohet tradita e bashkëjetesa multietnike, por shkurtpamësia e drejtuesve komunal nuk e lejuan një kënaqësi e një bukuri të tillë. Dëm kulturor! Por e bukura ishte qëndrimi i jonë aty-në Medvegjë. Rëndësia shkencore, por edhe interesimi për ndriçime në fushën trashëgimore, u bënë bashkë dhe u jetësuan në një Konferencë Shkencore. Sa komunikim domethënës, interaktiv dhe i shkëlqyeshëm për takime të këtilla. Në një mjedis antropologjik kulturor, për një pjesë të madhe pjesëmarrësish të panjohur deri tani, takohen studiues e hulumtues të viseve të ndryshme shqiptare me interesime të ndryshme tematiko-shkencore, dhe duke shpërfaqur identitete natyrash të nduarduarta ndihmojnë një kulturë të pa ndashme etnike shqiptare. Më tutje, Profesoresha Halimi-Statovci u shpreh se takimet e këtilla janë shumë të rëndësishme.
Momenti kur vijmë dikund, takohemi e bashkohemi japim dhe marrim emocion të veçantë, sikur edhe ndarja që ka emocion të veçantë. Do dëshiroja që prej këtu të ndahemi si miq të gjithë ne të pranishmit këtu, dhe të ndahemi me të arritura të reja në kulturën e shkencën tonë etnologjike, më gjerësisht të antropologjisë kulturore. Nëse e trajtojmë kulturën tonë sui një e të pa ndarë mund të japim kontributin e qëlluar e të ecim përpara në fushën e trashëgimisë. Duhet vërejtur gjithashtu se nga ajo që u pa në Konferencë e në Takimet e vendlindjes, disi bindemi se gruaja është ruajtëse dhe transmetuese më e mirë e trashëgimisë kulturore se sa burri, dhe, këtë duhet çmuar. Ka përplot elemente që teorikisht e shpjegojnë këtë çështje, por kjo ndodhë edhe për faktin se gruaja është më tepër në shtëpi, gruaja e punon vetë një pjesë të artefakteve të kulturës materiale, si fjala vjen veshjen popullore, e mban këte me dashuri dhe e transmeton këtë pasuri me dashuri te gjeneratat e reja . Pikërisht në Takimet e Vendlindjes por edhe këtu në Konferencë, u vërejt vizualisht se femrat mbajnë veshjen popullore më shumë se burrat. Mirëpo, e mira mbi të mirat është fakti se kjo trashëgimi iu transmetohet fëmijëve dhe rinisë. Si përfundim erdhi qëndrimi unanim i Konferencës që kumtesat për botim duhet punuar sa më mirë, me argumentime të mirëfillta dhe me aparaturë përcjellëse shkencore të nevojshme për botim. Qëndrimet e Konferencës njëherit ishin edhe mesazhe për të ardhmen, për hulumtimin, për trajtimin dhe për ruajtjen dhe vlerësimin e drejtë të pasurisë trashëgimore. Ky edhe është qëllimi dhe misioni i Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore i Luginës së Preshevës .
Fjala përmbyllëse e Prof.dr. Drita Halimi-Statovci, kryetare e Bordit të Konferencës shkencore
Dhe, në fund vjen falënderimi, por edhe mirënjohjet. Shoqata kishte përgatitur një mirënjohje të veçantë për z. Muharrem Salihu, që në shenjë falënderimi ia dorëzoi kryetari i Shoqatës z. Xhemaledin Salihu, por pati mirënjohje edhe për të gjithë pjesëmarrësit si kontribues të Konferencës e të trashëgimisë kulturore. Të më lejohet edhe mua, që me këtë rast të konstatojë se në rend të parë duhet falënderuar organizatorët e takimeve të këtilla, dhe menjëherë pas kësaj edhe sponzorizuesit që me vullnetin dhe dëshiren e tyre largpamëse ndihmojnë evidentimin, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, përkundër faktit se shprehen që janë jasht këtyre rrjedhave! Falenderimi shkon për z.Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës, z. Muharrem Salihu kryetar i AFEDS, z. Rrahman Hyseni, anëtar i Këshillit organizues, për të gjithë pjesëmarrësit me kumtesa dhe mysafirët tjerë të interesuar këtu si dëgjues e si vëzhgues.
SHTKK Preshevë i ndau Mirënjohje kontributi pë Konferencën shkencore, Afaristit Muharrem Salihu
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj edhe gjeneratat e reja që i kemi të pranishëm këtu me ne, dhe që marrin pjesë me kumtesa, ose përcjellin punimet e Konferencës me shumë interesim. Kolege e kolegë të dashur, miq dhe dashamirë të punës hulumtuese e studimore, rini e dashur, të gjithë dashamirës të trashëgimisë kulturore faleminderit edhe njëherë e mirëutakofshim në Konferenca të tjera të bukura, të këndshme,frymëzuese dhe mbi të gjithat shkencore!/
No comments:
Post a Comment