Vilhelme Vranari
Haxhiraj
Të nesërmen më
rrinte mendja vetëm te fjalët e babait. Jo vetëm atë ditë, por edhe ato në
vijim, isha i ngrysur si një motstuhi ngarkuar me re dhe me mjegull. Me mendje
bluaja fjalët e tim Etit, që më urdhëronte të bëhesha ushtarak. "Të
marr një drejtim të tillë në jetë, do të thotë që të jem gjithmonë gatitu e në
rresht. Ushtria kërkon disiplinë dhe rregulla të jashtëzakonshme, për të cilat
nuk jam aq i zellshëm t'i zbatoj. Pastaj gjithë jetën do të jem me lecka në
krahë, sa aty -këtu, atje ku ka nevojë atdheu. Nga natyra unë jam rebel. Më
rëndon dhe më lë vragë ky urdhër i prerë i babait. Nuk më pëlqen të jem gjithë
jetën nën komandë. Unë po kërkoj nga vetja që të shkëpus zinxhirët që më mbajnë
të lidhur si skllav. Më duket shumë e rëndë, gati zgjedhë apo tutelë, vartësia
ime nga familja. Mendoj se pavarësinë çdokush duhet ta fitojë gradualisht.
Fillimisht kërkon të jesh i lirë në mendime, pastaj gradualisht fiton lirinë e
fjalës, ndërsa kur nis e jep vlera ajo bëhet fakt i kryer. Por kur ama ? Vetëm
atëherë kur arritjet intelektuale apo profesionale nuk i pret nga të tjerët.
"- ashtu të zhytur në mendime të tilla, më gjeti Brikena.
-Të qenkan
mbytur gjemitë?
-Më keq akoma.
Prindit i jam borxhli për daljen në jetë, rritjen, edukimin dhe arsimimin,
por...
-Por...Çfarë nuk
i detyrohesh?
-U jam
mirënjohës se më dhuruan jetën e gjithçka deri tani, por tashmë ajo më përket
mua. Dëshirat, ëndrrat e ndjenjat nuk m'i imponoi askush , por kanë lindur,
janë rritur brenda qenies sime dhe më takon vetëm mua t'i realizoj. Brikena,
ata janë prindërit e mi që i dua shumë, veçse nuk më pëlqen të më urdhërojnë se
ç'duhet të bëj me jetën time. Me dije, me punë, me kurajë, me pasion dhe vetëm
ashtu si e shoh unë të arsyeshme, dua t'i përshkoj rrugët e jetës. Vetëm në
këtë mënyrë e përsos personalitetin tim. Ndryshe do të ngelem i ndërvarur,
madje skllav i tyre dhe i pazoti për të marrë vendime të rëndësishme.
-Si është puna?
Më thuaj, të lutem! -dhe më kapi nga dora. U ulëm pas trëndafilave përgjatë
murit të palestrës së shkollës.
Pasi ia tregova
fill e për pe, ajo i dha një farë të drejte babait.
-Aurel,
prindërit tanë janë më largpamës nga ne. Sepse e njohin jetën më shumë dhe e
dinë se ç'profesion ka përparësi. Jeta është e gjatë, ndaj...
-Po ëndrrat,
dhuntitë dhe dëshirat e mija ku shkuan?
Për të më
ngushëlluar, ajo më hodhi dorën në qafë dhe më dhuroi një puthje. Aroma e
lëkurës së saj të freskët, ajo puthje e ëmbël, më bën të harroja dhembjen që më
shkaktoi biseda me babanë. E rrëmbeva në gjunjë dhe nisa ta puth si i etur.
-Gjithçka që të
përket ty, më çmend...trupi si selvi, flokët e gjatë dhe të zi si pendët e
korbit, aroma që të lëshon kurmi që ngjet si agrumet, ose më mirë si limoni në
lulëzim. Ti më tërbon kur të shoh duke ecur...Do të më marrë malli, e dashur.
Do ta ndiej nevojën e pranisë tënde. Do të më mungojë zëri yt, shëtitjet tona.
Do të përmallem për lajkat dhe puthjet e tua gjithë shije... Herë-herë them të
mos i bëj dokumentet për të drejtë studimi.
-Do të jetë
gabimi më i madh i jetës tënde. Dashuria rritet kur ti e plotëson veten. Kur je
dikushi, kjo ndjenjë hyjnore bëhet shtysë për të bërë gjëra të vyera dhe të
bukura. Jam e bindur se për ta arritur këtë i ke të gjitha mundësitë. Je
inteligjent, studion, lexon shumë, por nuk duhet ta zbehësh vullnetin që të
karakterizon. Pra krahas kësaj ndjenje të duhet kurajo për të ecur paralel, për
të plotësuar të gjitha kërkesat për një jetë më të mirë.
-Kurse ti ke
qenë gjëja më e bukur që më ka ofruar fati, ndaj nuk dua të të humbas.
-I dashur, kurrë
mos ia lejo vetes zvetnimin. Ka një mënyrë për të mos u tërhequr.
-Cili na qenka
zbulimi yt i fundit?.
-Mësova se nesër
dhe pasnesër do të shkojmë në plazh. Nuk do të bëjmë mësim. Notin e kanë
programuar si pjesë e lëndës së Edukimit Fizik. Se mos nuk vjen...
-Dale të na
njoftojnë njëherë. Peshku në det e tigani në zjarr.
-Besoj se tani
do të na njoftojnë...
Dhe kështu
ndodhi.
Dy ditë në
plazh, kanë qenë ditët më të bukura të dashurisë sonë. Jemi larë bashkë, kemi
luajtur volejboll si grup në det. Zhvilluam ndeshje futbolli bashkë djemë dhe
vajza. Bëmë gara noti dhe vrapi në rërë, kemi kënduar sa jemi ngjirur. Nga ato
ditë kam shumë foto si kujtim. Ishin çaste të paharrueshme dhe të papërsëritshme,
sepse ajo që ikën nuk ka më kthim pas. Genti, shoku im i mirë, si gjithmonë, na
gjendej pranë, për ta ruajtur Brikenën nga gojët e liga. Megjithatë, duhet të
theksoj, se rinia aso kohe ishte më e çiltër, më e pastër shpirtërisht, më e
sinqertë, gjë që sot nuk ekziston. Madje është e kundërta. Shoh se mes të
rinjve është rritur zilia, smira, intriga e mbi të gjitha egua për t'u dukur.
Dukuri farse që kanë rritur mllefin dhe hakmarrjen. Çuditërisht sot ai që është
"Askushi" vetëm se ka para, hiqet i zgjuar, i talentuar, njeri i
vlerave. Mediokrit duhet të dinë se, vlerën intelektuale as e ka përcaktuar, as
e përcakton dhe as do ta përcaktojë, apo do ta ngrejë në piedestal paraja.
Ashtu siç ngrihen lart me pompozitet si një flluskë sapuni, po ashtu do të rrëzohen
si një kështjellë rëre, së cilës i mungojnë themelet.
Edhe dy -tri
herë u takova me Brikenën. Ajo filloi pushimet, kurse unë provimet. Muaji kaloi
shpejt. Përfundova gjimnazin me rezultate shumë të mira dhe në të njëjtën kohë
bëra dokumentet për të drejtë studimi. Tashmë isha i bindur se më pëlqente të
studioja letërsi. Kjo ishte ëndrra ime, pra njëra nga tri degët që kisha
aplikuar, pa lënë edhe ushtaraken. Nata e fundit e qëndrimit tim në Vlorë ishte
mbrëmja e maturës. Me Brikenën u takuam në mbrëmje para se të niste festa e
ndarjes me shoqet dhe shokët e katër viteve. Iu luta që të vinte në mbrëmjen
tonë të fundit, me të cilën mbyllej një stad jetik, mosha e papërsëritshme që
nuk njeh kthim pas. Ajo nuk pranoi, me gjithë këmbënguljen time. Nuk jam as i
pari dhe as i vetmi, por koha e shkollës së meme, është periudha më e bukur dhe
më e brishtë e jetës.
Të nesërmen, kur
po largohesha, ajo më priti tek "Pisorruga". Meqë ishte e errët dhe
si e verbër, i kishin vënë këtë emër kësaj rrugice, mbi të cilën, nga të dyja
anët e saj përkuleshin degët e pemëve apo lulet. Kështu krijohej një urë e
gjelbër qëndisur me ngjyrat e natyrës. Ishte një veçori e rrugicave të shumta
të qytetit, ku të parat që të uronin mirëseardhjen në lagje, ishin lulet. Në
mes të atij tuneli ajo ngjante si një Zanë pylli e trishtuar.
Ndarja gjithmonë
është e hidhur. Ajo nuk fliste, por vetëm qante.
-Nuk e kuptoj pse je kaq e trishtuar dhe
pesimiste, zemra ime? Ne nuk u ndamë për të mos u takuar më kurrë. Mali me
malin s'piqen, kurse njerëzit...
-E ndiej, ma
thotë zemra se sot, pikërisht këtu ...rrugët tona u ndanë... Aurel, kurrë nuk
jam pishman për dashurinë time të parë. Këto dy vite më ke bërë me krah. Tani e
di, se jo vetëm në libra, por edhe në jetë, ndoshta më shpesh..., ndodh
mrekullia...Unë besoj në veten time, të besoj edhe ty, ndaj të desha me gjithë
shpirt. Gjithashtu jam e bindur se dashuria, të rrit e të maturon si njeri, të
bënë më të ndjeshëm si dhe të bënë të pavarur. Jam e lumtur që njoha dhe
dashurova një njeri të mirë. Më puthi dhe vrapoi pa kthyer kokën pas. E ndoqa
me sy deri sa u zhduk. Pastaj shkova drejt tek makina e kooperativës që kishte
ndalur pak më tej.
Javët e para të
gushtit vazhduam të flisnim në telefon. Përmes receptorit nuk di pse më
përcillej një ftohtësi rrëqethëse. Brikena nuk më dukej më e gëzuar. Sa ditë
kalonin, më ngjante më e ftohtë dhe më e largët. Fajin për mungesën që ndieja
për të, ia vija largësisë. Gjithsesi nuk më hiqej mendimi se asaj diçka i
kishte ndodhur. Kurse mua më digjte malli. Ndaj përherë kujtoja çastet e bukura
dhe magjike që kishim kaluar bashkë. Ishte një dashuri nga ato që nuk ka nevojë
për fjalë, pasi ajo e humb shijen e ëmbël që dhuron misteri që ruan në vetëvete
fshehtësia. Tek ne të dy fliste shpirti, shqisat, të cilat kishin fuqinë
mistike për ta bërë më të afërt gjithçka që na rrethonte. Edhe natyrën me çdo
gjë që mbledh ky koncept, ndjenja jonë sublime e bënte të dukej më e bukur dhe
më me vlerër Më ngjante sikur ne të dy ishim shkrirë në një të vetme me të.
Jetoja me ëndrrën. Por edhe ajo e ka një cak. Kur zgjuhesh ëndrra prishet dhe
pas ngelet shija e ëmbël e një kujtimi të largët. Kur e ndjen vetminë, të duket
se ka lënë pas vetëm hijen e asaj që nuk ekziston më.
Kjo lumturi me
ëndrra e çgjendrra, zgjati deri një ditë gjatë javës së tretë të gushtit, kur
na erdhi një telegram nga Ministria e Arsim-Kulturës. Kur e lexoi babai nxiu. "Nuk
e prisja të ma punonin kështu. E doja oficer tim bir..." -belbëzoi hidhur e ndërkohë thirri nënën.
-Grua, duhet të
bëjmë gati djalin për katër ditë me gjithçka që i duhet. Aureli do të shkojë me
studime jashtë shtetit.
-Jashtë
shtetit...?! Larg syve të mi...Oh, duro moj zemër nëne, duro!
-Grua , nuk po e
nisim në luftë... Djali po shkon me studime, ndaj...
Ndërsa unë ia
mora telegramin nga dora dhe e lexova me një frymë. Në ato pak rreshta ishte
vulosur fati i jetës dhe i dashurisë sime.
Pas pesë ditësh u nisa bashkë me tim Atë për
në Tiranë. Më kishin akorduar një bursë studimi për në Bashkimin Sovjetik për
gjuhë- letërsi. E lashë nënën të dëshpëruar kur shkova në Vlorë, kurse tani
zuri shtratin. Ajo u bë keq, ndërkohë që çdo prind tjetër e kishte ëndërr, apo
do ta kishte për mburrje dhe krenari një të drejtë studimi jashtë shtetit. Aq
më tepër të studioje në Moskë, në "mëmën" Rusi, ishte privilegj atë
kohë. Sa mbërritëm në Vlorë, duhej të merrnim autobuzin e Tiranës.
Natyrisht nuk do t'ia falja kurrë vetes nëse
nuk do të përshëndetesha me Brikenën. Nuk mund të ikja pa u takuar me të
dashurën time. Dashuria nuk njeh moshë, nuk njeh pengesa, nuk mund të ndalohet
me forcë, por edhe as që mund të lidhet me litar pas vetes. Ajo vjen ashtu
thjesht, e heshtur, lehtë-lehtë, fare natyrshëm si një pranverë që të pushton
zemrën, shpirtin, mendjen dhe gjithë kurmin dhe mendjen. Atëherë besoja se
dashurinë nuk e ndajnë hapësira dhe as koha, por...
Ndjenja është zgjedhje personale e paurdhëruar
apo e padetyruar nga asgjë dhe nga askush. Por nganjëherë ne, të rinjtë, duke
qenë të dashuruar, të apasionuar dhe të rrëmbyer si vet mosha, edhe pse kemi
bërë zgjedhjen e duhur, bëjmë zgjidhjen e gabuar. Vonë ia pohova vetes se
shkaku i ndodhive të mëvonshme, isha vetëm unë, ose gjykimi im i cektë dhe pa
arsye bindëse i çasteve të fundit kur u largova me studime. E kisha lajmëruar
Brikenën që të më priste te stacioni i autobuzave ditën e nisjes për në Tiranë,
ku nga aeroporti i Rinasit do të merrja linjën ajrore të Moskës. Si gjithmonë,
e përpiktë si kronometri, ajo po më priste në agjencinë e udhëtarëve. E
përshëndeta. I lashë pikërisht atë vend takimi që ta njihja me babanë.
-Baba, njihu me
shoqen time, Brikenën.
-Si e pa me një
shikim të picërruar, siç e kanë zakon burrat e anëve tona, që mbartin mendësitë
e patriarkalit të pandreqshëm, i zgjati dorën ftohtë. Këmbyen disa fjalë bashkë
se nga ishte, e kujt ishte dhe vazhdoi ta zhbironte në heshtje duke kërcitur
nofullat, zhurma e të cilave vinte deri në veshët e mi. Kjo dukej lehtësisht,
sepse tëmthat i rrihnin si tik-taku i pendulit të sahatit të murit.
Ishte koha e
nisjes së autobuzit. Unë u takova me Brikenën e cila më zgjati një pako të
vogël. Ishte një këmishë që e kishte qepur e ëma, e cila ishte rrobaqepëse, gjë
që tim eti iu duk e tepërt. Përshëndeti babanë, më uroi rrugë të mbarë dhe
suksese. Pasi më dha adresën se ku mund t 'i drejtoja letrat, u largua me sy të
vagëlluar. Si vendosëm valixhen prej druri te bagazhet, që rëndonte dyfishin e
peshës së plaçkave dhe sendeve brenda saj, u rehatuam në vendet tona. Babanë
nuk po e mbante vendi. Lëvizte në vend pa gjetur rehati. Si kruajti zërin deri
sa gërvishti fytin, nisi të pyesë se si isha njohur me Brikenën, çfarë lidhje
kishim, ç'familje kishte, bija e kujt ishte etje...Shqetësim i natyrshëm për
çdo prind.
-Tani duhet të
ecësh me këmbë mbi tokë dhe me tru në kokë. Ke marr një bursë që do ta kenë zili
sa e sa prindër dhe sa të rinj moshatar me ty. Mos harro se Partia dhe Pushteti
Popullor shpenzojnë që ti të bëhesh njeri. Ndaj mos i hidh poshtë gjithë këto
privilegje, sepse e mira një herë të vjen në dorë. Ty tani nuk të duhen të
tilla gilivili. Kohën e ke përpara. Më dëgjon? Ti e di që unë flas vetëm
njëherë. Ndaj kujdes! - më porositi prerë.
Babai jo se nuk
kishte dhembshuri ndaj meje, por nuk dinte të ma tregonte dashurinë atërore.
Kujtonte se duke qenë autoritar, i prerë dhe i ashpër, fëmijët do t'i binden.
Nuk e kuptonte dot që sjellja e tij urdhëruese, krijon një hendek ndarës mes
babait dhe djalit. Kjo i ka bërë prindërit e asaj kohe, ose edhe sot, të jenë
të ashpër, arrogant, pasi janë sjellë si tutorë ndaj fëmijëve.
Para se të hipja në avion, e porosita babanë,
që të shkonte ndonjëherë për të takuar Brikenën, të interesohej si për vajzën e
tij.
-Këtë kisha në
mendje. Ndaj më duhet adresa, emri i saj dhe i të Atit, si dhe mbiemri. Nuk
mund të shkoj si i verbri që kërkon t'i shkojë perin gjilpërës.
Kur e lashë tim
Atë në agjenci, kuptova se në një periudhë kohore prej disa vitesh do të
ndahesha nga ata që doja më shumë. Shkëputja e aeroplanit nga toka dhe
fluturimi në ajër, më dha ndjesinë se diçka u thye brenda qenies sime. Ishte
ajo lidhja ime e padukshme me tokën mëmë. Ndërsa po shihja këmishën, vetëm për
kënaqësi, vura re se në xhepin e saj ishte një letër. E hapa nxitimthi dhe nisa
ta lexoj. Ishin vetëm pak rreshta ku shprehej një dashuri e madhe, e cila bëri
që para meje të shfaqen përqafime vegimesh qiellore, në një udhëtim përjetësie.
Ngela paksa i shokuar. Ato fjalë zemre ngjanin si humbje besimi në lidhjen
tonë, si fundi i kësaj ndjenje sublime. Nuk mund ta fajësoja. Ishte e re dhe
mungesa e pranisë sime, e bënte të dukej inekzistente mes një hapësire bosh. Me
të në mendje dhe pamjen e saj para syve, nisa udhëtimin tim të parë në
hapësirën qiellore.
***
Fillimi gjithmonë është i vështirë, aq më
tepër kur një drejtim të ri të jetës e merr në një vend të huaj. Në pamje të parë
shuan kureshtjen për vendin ku do të formohesh profesionalisht dhe si njeri.
Tjetër natyrë... Tjetër reliev, tjetër klimë. U mahnita kur vura re se
mbizotërojnë hapësira të pamata. Tjetër gjuhë, tjetër racë, ose më mirë aty
takoje raca heterogjene. Të parat gjëra me të cilat u prezantova ishte qyteti i
Moskës, që të ngjall respekt për arkitektët, nderim për ndërtuesit dhe të
veçantat që mbart kjo kulturë. Aty kishte mjaft gjëra interesante veç
ndërtimeve origjinale, ishin hapësirat pa
kufi e paanë, lumi Moska, stepat , pyjet me mështekna, lulet e shumta që
u rezistonin temperaturave të ulëta. Pastaj të bënin për vete këngët e
magjishme, kushtuar kryeqytetit të tyre Moskës ose lumit. Më kujtohen si tani
disa syresh :
"Në brigje
të Moskës bukur është në mbrëmje,
nga larg
dëgjohet sirena e anijes,
dhe vasha ime
buzë lumit kalonte,
e veshur me
fustane ngjyra plot.
A e dëgjon ajo
këtë këngën time,
në brigje të
Vollgës ku fort dimëron,
tani për mua
janë të pandara...
dashuria dhe
qyteti Kastroman..."- duke shijuar këngët u
ndesha me një folklor të pasur dhe të panjohur për mua deri atëherë.
Jam mrekulluar kur pashë për
herë të parë një shfaqje të Ansamblit Berioskaja. Gjithçka ishte e madhërishme,
ngjyrat, folklori dhe shumë gjallëri. Kostumet, këngët e korit të famshëm,
gopaku rus më bënë për vete. Kërcimi Gopak ishte valle tipike ukrainase,
kërcehej nga burrat dhe shoqërohej nga një këngëtar, me zë të mrekullueshëm
tenori. Gjatë shfaqjes të rrëmbente jo vetëm kërcimi, por zëri mbizotërues i
këngëtarit dhe kori i famshëm që dukej sikur vinte nga shpellat nëntoksore, të
harruara diku në brigjet e largëta të Siberisë apo Kamçatkës, duke përshkuar,
mijëra kilometra nëpër shkretëtira bore, pyje dhe stepa. dëgjohej E në vesh
dëgjohej një kombinim mahnitës zërash që sillte me vete aromë hapësire pa
fund.
Por të them të drejtën ashtu
ashiqare, më mungonte ajo kënga polifonike e vendit tim që gurgullon si gurrat
tona të pashtershme. Polifonia jonë e pakrahasuehme, e larmishme, që dallon nga
një zonë në tjetrën, bënë të lotojë edhe njeriun me natyrë të ftohtë si ngrica polare. Mes melodisë dhe zërave
epikë të atyre këngëtarëve të mrekullueshëm, i këndohet historisë së një kombi
të vogël e të lashtë, u këndohet trimave e gruas shqiptare, që ka qenë përkrah
burrave në jetë, në luftë dhe në përpjekje.
Ajo që më bënte përshtypje,
ndryshe nga vendi im, ishte liria pa kufi e femrës. Familja jetonte mijëra
kilometra larg, në një nga republikat e Bashkimit Sovjetik, kurse ato studionin
dhe punonin në Moskë apo Petërburg (Leningrad), ose diku tjetër. Një gjë e
tillë tek ne, apo më saktë, në familjen shqiptare, atë kohë nuk mund të
imagjinohej. Prej tyre mësova të njoh veten, njoha pozitën time në familje dhe
në shoqëri. E kisha të qartë se edhe ne, meshkujt, bijtë e vendit të shqipeve,
deri në çastin kur u nisëm për aty, ishim nën tutelën e prindërve. Kurse ato
mund të shkonin lirisht në kinema, shëtitje, në Teatrin Balshoi, në mbrëmje, të
kalonin ditën ose pushimet me një apo dhe me më shumë shokë. Në këtë drejtim
ishin më të emancipuara nga vajzat dhe gratë shqiptare. Ndoshta ky përparim e
kishte një arsye madhore, e cila përgjigjej pa pyetur si dhe pse
ndodh?!...Meqënëse Lufta e Dytë Botërore ndryshoi raportet mes numrit të
femrave me meshkujt, ku në çdo gjashtë femra ishte vetëm një mashkull, u jepte
atyre mundësinë për të dhënë më tepër vlera në ndërtimin e shoqërisë. Aty pashë
për të parën herë që femra bënte punë të rënda që i takonin burrit. Ndoshta për
këtë arsye gruaja dhe vajza ruse kishin fituar këtë privilegj që tek ne
mungonte. Më habiste që një nënë me fëmijë vazhdonte studimet e larta. Të rejat
sociale që ndesha atje, ndikuan për mirë në formimin e karakterit tim, duke
lënë pas mbeturinat e së shkuarës që trashëgon familja dhe shoqëria në vendin
tim. Por atje kisha mangësi, që nuk m'i plotësonte dot ai vend që më ofroi të
pëvetësoja arsimin dhe kulturën e tyre.
Veç prindërve, sidomos nënës, ndieja
mungesën e Brikenës. Më mungonte dashuria ime në ditënetët vetmitare dhe të
ftohta moskovite.
Sa u përshtata pak me rregullat e reja që më
diktonte Rusia, universiteti, postova dy letra, njërën prindërve dhe tjetrën
Brikenës.
Nga familja më erdhi përgjigja pas dy a tri
javësh, kurse nga Brikena nuk mora as edhe një fjalë. I shkruajta përsëri, por
as këtë herë nuk erdhi asgjë.
"Për ditë
pres një lajm prej saj, por fatkeqsisht vazhdon një heshtje e pakuptueshme e
rrethuar me mister. Nuk di se çfarë i ka ndodhur. Heshtja nuk është në
karakterin e saj. As vet nuk di se ç'emër t'i vë... Indiferencë apo mosinteresim
prej saj. Që ka diçka, jam i bindur. Por se çfarë, nuk jam në gjendje t'i
përgjigjem heshtjes memece."-ishin pytje pa
përgjigje që më mundonin gjatë gjithë viteve të studimit në Rusi.
Pasi kaluan disa
muaj, iu drejtova babait dhe e pyeta përse nuk më ishte përgjigjur Brikena.
Doja të dija nëse e kishte takuar dhe se si ishte.
Kurse im Atë m'u përgjigj në një mënyrë që
nuk doja ta besoja...
-Shiko studimet, biri im. Mos shpreso më kot,
të të presë një vajzë që nuk do t'ia dijë për ty, qysh sapo u largove. Së paku
do të të kishte shkruar dy fjalë...
Jo kjo që më shkruante babai ishte e
pamundur. Brikena nuk ishte nga ato vajza që të kthejnë shpinën. E njihja mirë
karakterin e saj, aq mirë sa veten...I shkruajta pak rreshta urimi, kur kishte
18 vjetorin e lindjes, si dhe një kartolinë ku buzëqeshte një tufë me
jargavanësh. Heshtja vazhdonte të ishte memece.
Në fund të vitit shkollor i dërgova urimet e
mija të sinqerta për provimet e maturës.
"E dashur
Brikena!
Zemra ime, edhe
pse nuk më ke kthyer përgjigje për një vit të tërë, mbase e kam ende këtë të
drejtë të të shkruaj. E dashur, e di që përsëri nuk do të marrë përgjigje nga
ty. E kam të qartë se prej teje do të ketë vetëm heshtje. Gjithsesei unë do të
të shkruaj.
Thonë se heshtja
s'ka gojë të flasë. Kurse unë mendoj ndryshe. Heshtja është zëri i emocioneve
tona të papërmbajtura, e cila di t'i flasë vetëm shpirtit... Ai i gjorë ngrihet
në revoltë. Ndoshta këto fjalë do të të duken paradoks, por heshtja është më e
fortë se jehona e krismës. Ajo di të bërtasë,di të çirret, di të ankohet, deri
në atë pikë sa të na tmerrojë e të na lerë pa gjumë...Ti ndoshta s'më beson kur
të them se nuk ekziston heshtja absolute...E dashur, di vetëm të them se,
shpesh herë hesht goja, por mos harro se ajo që flet pa pushim është mendja.
Ndërsa kur mendja hesht gjatë gjumit letargjik, ajo që nuk pushon së foluri është
zemra...
Kurrë nuk mund
ta besoj se nuk ndjen më për mua. Vetëm kur të ma thuash ti, duke më parë në
bebe të syrit, se nuk më do më, atëherë po, do ta besoj se dashuria jonë aq e
pati. E kam të qartë se kurrë dhe asgjë nuk është e përjetshme. Kurse ti në
shpirtin tim ke ngritur një fole, ku përjetësisht do të ngelesh si një ikonë
hujnie.
Ti, për mua, do
të jesh deri në amëshim shpirti im i plagosur. Tani matanë dritares ndiej një
violinë që lëshon tinguj vajtues. Ndoshta artisti qan dhe shpreh dhembjen, e
cila ngjason me vuajtjen time. Ata tinguj rrëqethës shqyejnë ajrin e agimeve të
përflakura të dala nga telat tekanjoz të violinës, por ndërkohë janë tejet
vajtues dhe ankues. Ajo melodi drithëruese , si një lëngatë shpirti, duket se
ka lënë pas një shpirt të lënduar dhe të drobitur. Ku i dihet është copëtuar,
ndoshta një zemër e thyer vajton prej mallit. Zakonisht violina qan për një
zemër të plagosur nga shigjeta helmi, kurse unë drithërohem e rrëqethem nga ata
tinguj ndoshta për një zhgënjim që nuk dua ta besoj. Pas kësaj gjithë trupi
ndjen një dhembje të njëtrajtshme dhe ti nuk je në gjendje të përcaktosh se
cili organ të dhemb më shumë. Dhembja është bërë uniforme me rënkimin
shpirtëror. Kurse unë ngjasoj si ai i droguari që ka marrë mbidozë dhe nuk di
më, jeton jetën apo jeton vdekjen. Shoh se koha...ndoshta më mirë njeriu, sepse
ai është pjellë i së mirës e i së keqes, një nga një m' i terratisi dëshirat
dhe ëndrrat. Shpirtin dhe zemrën i lidha fort me litarët e dhembjes, që të mos
i dëgjojë më truri... Pastaj zë e gërthet , këlthet dhe grindet triumfalisht
heshtja...Po, po heshtja...ajo brofuke, në dukje e fjetur, e mbyt arsyen. Nuk
jam i sigurt për një gjë, nuk di nëse do të ma thotë ndonjëherë vallë përse e
preu gjuhën heshtja e heshtur... si guri i varrit..?!
E dashur, më duket vetja se jetoj kot. Unë
jam si gjenerali pa ushtar. Herë-herë ndihem aq i varfër, siç ndihet mbreti pa
fron. Dikur ...kur më përgjigjej dashuria, isha fatlumi, mbret mbi mbretër.
Kurse tani më duket vetja si një i harruar. Veçse kurrë nuk do ta besoj se ti
nuk më do...Si do ta marrë vesh se çfarë të ka ndodhur, dashuria ime e parë?!
Gjithsesi unë, me shpresë do të pres nga ti një fjalë, një letër, a një lajm,
sepse shpresa vdes e fundit, drita e syve të mi! Në gjithë qenien time, sidoqë
të vijë puna, ti dhe dashuria ime do të ngeleni të pavdekshme...
I yti në përjetësi Aurel.
Prita më kot...por përgjigje nuk mora as atëherë dhe as kurrë më...ajo
kishte ngelur memece, diku në rrugët e botës...Përse vallë? Vazhdoja studimet
dhe mundohesha të isha në krye të çdo klasifikimi, por kjo nuk më gëzonte. Jeta
ime ishte pa ngjyra sepse i ishte mohuar dashuria, ajo ndjenjë që jetës i jep
kuptim dhe jetë .
Shokët e mi që studionin jashtë, thuajse të gjithë u dashuruan me vajza
të huaja. Ata u bënë me fëmijë me studentet ruse, polake, bullgare etje...
kurse unë i qëndrova besnik dashurisë sime, që tashmë mund ta quaje pa droje
"Na ishin njëherë një
vajzë dhe një djalë që u dashuruan si askush, por ndjenjat e tyre ngelën diku
nëpër rrugët e tokës apo hapësirat e universit..."
Muajt, vitet kalonin dhe unë përsëri shpresoja. Krahas studimit për t'u
realizuar në profesionin që do të ushtroja, atje, në Bashkimin Sovjetik njoha
shkrimtarët dhe letërsinë ruse që është e madhe si hapësirat e saj. Njoha
zhvilimet ekonomike, social-kulturore të një kombi ose më mirë një shteti
heterogjen me mëse gjashtëdhjetë kombësi, ku si gjuhë zyrtare flitej rusishtja
paçka se fliteshin rreth njëqind gjuhë apo dialekte të tjera sipas kombësive.
Aty mësova se mbi ç'baza ngrihej sistemi socialist. Njoha anën e errët të
marrëdhënieve së brendshme të këtij kampi poltik që bënte një të gjashtën e
botës humane. Mes autorëve, fshehurazi dhe përmes miqve rus që ishin kundër
atij sistemi politik, njoha luftën që u bëhej aristokracisë ruse apo
disidentëve në art e letërsi që ishin antikomunist. Nuk e kisha të qartë se
ç'kishte ndodhur ato vite të mungesës sime në atdhe, por atje mësova për
internimet dhe burgosjet në Siberinë e largët e të ftohë, nga ku rrallë mund të
kthehej ndonjë kufomë rrezikvdekje, që frymonte si astmatik apo tuberkuloz.
Ishte koha kur në Evropë bëri bujë romani i famshëm i Pasternakut i titulluar
" Doktor Zhivago" ,që u dënua nga pushteti i të kuqve , sepse quhej antipushtet, apo
dekadent. Më bukur dhe më me detaje se sa e përshkruan shkrimtari disident,
luftën klasore në Rusi, tmerret dhe varfërinë e një sistemi utopist që forcën e
sistemit e mbështeste në armatime ,duke e dhunuar lirinë kombëtare apo vetjake
të individit me parrullën "një popull
ushtar", fjalët e mija duken pa vlerë para përmendores që i ngriti
autori luftës së klasave në Rusi. Kjo
mjaftonte që të parafytyroje një popull në rresht, me shumë kombësi, të cilave
u ishte mohuar liria e vërtetë, u ishin dhunuar të drejtat legjitime, ku pa
vënë arsyen në përdorim, të gjithë papërjashtim i bindeshin verbërisht idealit
komunist. Kjo parrullë ngjante si një zë i marr borxh, për të mos kërkuar dhe
njohur të vërtetën e hidhur. Kur e mendoj sot teorinë staliniste, e përdorur si
kamxhik për të fshikulluar dhe sakatosur , lirinë, ëndrrat dhe dëshirat e
miliona njerëzve shumëkombësh, i rrëqethur, pyes veten: "Si ka mundësi që isha i kënaqur sepse
shkova me studuime në Bashkimin Sovjetik?!" e gjith kjo fliste për njerçz të bindur verbërisht me sy, vesh
dhe gojë të viosur... Gjithsesi gjithçka që mësova përmes shkollës ruse apo
përmes nuhatjes sime, më vlejti për t'u formuar si atdhetar që më pas nisa të
vija shumë pikëpyetje për sistemin socialist, që pas çdo dite më dukej si një
gjellë që nuk kapërdihej kollaj. Por i ngjante kockës që ka ngecur në fyt.
No comments:
Post a Comment