Vilhelme Vranari
Haxhiraj
Fragmenti i IV-
i novelës
...Kështu natyrshëm nisi
historia e lidhjes sonë, një histori e brishtë me plot pasion si vetë rinia.
Jetonim kohën e një lidhjeje dashurie të çmendur. Që nga ajo ditë kur unë i shpreha
ndjenjat përmes bukurisë e pastërtisë shpirtërore, me dëlirësinë dhe pafajësinë
që karakterizon atë moshë të pakthyeshme të ..., jo vetëm jetonim, por frymonim
për njëri- tjetrin. Në natëvetmit e konviktit ëndërroja, bisedoja me Brikenën
dhe me mendimet që më gëlonin në tru, ndërtoja të nesërmen, gjë që më habiste.
Me fytyrën e saj engjëllore në ndërgjegje, më zinte gjumi. Prisja mëngjesin me
padurim e gjithë ankth që ta takoja, ta përshëndesja, t'i dëgjoja timbrin
nektar të zërit të saj. Çuditërisht ende pa e mbaruar vitin e tretë, ishim bërë
të pandashëm. Përherë e kudo bashkë në pushimet mes orëve, në mbrëmjet e
zhvilluara nga organizata e rinisë apo nga drejtoria e shkollës. Më pëlqenin
shëtitjet buzë detit me Brikenën. Ajo hiqte sandalet dhe luante me valët. Madje
duke kënduar si një sirenë, vallëzonte mbi shkumën e bardhë të dallgëve. Ishte
vajzë aq magjepsëse sa, kushdo që e njihte, e admironte. Me fustanin e saj të
bardhë, apo të kaltër, pak mbi gju, dukej si njëra prej pulëbardhave që lodronin
me valët...Pastaj kur ato uleshin në rërë dhe vraponin për të gjetur ndonjë
ushqim, ajo i ndiqte pas. Nuk ngopesha, kur ajo ngazëllehej duke i parë apo
vraponte për t'i kapur. Ishte një mrekulli kur e shihja të ulur galuç mes tyre,
i ngjante një zogëze në fluturim.Ndërsa vetëbisedoja me ndërgjegjen , u gjenda
pranë shokut tim, i cili më vështroi gjatë dhe me kureshtje. E dinte që ne
kishim shëtitur në bregdet buzëmbrëmjen e kaluar. Vetëm me shikime depërtuam në
mendimet e njëri-tjetrit.
-Seç ka diçka të veçantë
në qenien e saj, që nuk e gjen tek asnjë vajzë tjetër, -i shpreha mendimin
Gentit, të cilit i besoja si vetes.
-Nuk ke ç'i thua...Është
për të pirë në kupë dhe nuk ngopesh,- vazhdoi ai mendueshëm.
-Ndaj e kam zgjedhur për
shoqe...
-Thjesht shoqe?! Veç unë
mos qofsha gabim, por më duket se i keni kaluar caqet e shoqërisë.
-Ishte vërejtje, apo...?
-Në asnjë mënyrë. Ti ke
jetën tënde, të cilën as e drejton dhe as e kontrollon kush, por unë nuk besoj
në shoqërinë mes djalit dhe vajzës.
-Më pëqen mua...,i
pëlqen edhe asaj kjo ndjenjë. A nuk kemi të drejtë të duam dhe të ëndërrojmë
për të nesërmen?
-Kush tha, jo...? Veçse
asnjeri nga ju të dy, as ti dhe as ajo nuk e dini se çfarë e nesërme ju pret.
Ti je nxënës shumë i mirë. I ke të gjitha mundësitë për të fituar të drejtë
studimi, madje mjaftë të lakmuar nga cilido prej nesh ...ndoshta edhe jashtë
shtetit. E kam të qartë që familja jote pretendon më shumë për ty. Kjo lidhje
duket si diçka që nuk më bind. Pas ndarjes së rrugëve tuaja, si kohë jo shumë
larg...a do të vazhdojë marrëdhënia juaj si tani? Kjo është dilemë.
-Po vë në dyshim
karakterin tim? Asnjëri nga ne nuk do të shkojë në fund të botës, që rrugët
tona nuk do të kryqëzohen kurrë më. Pastaj kush tha se nuk do t'i mbajmë
lidhjet? As largësia dhe as koha nuk e zvordhin dashurinë. Nëse është reale,
ajo ndjenjë kur zhuritet prej mallit, rritet e forcohet dhe pret vetëm çastin e
duhur.
-Ti e di që të dua të
mirën. Uroj që të jetë kështu siç dëshiron ti.
-Nuk jam unë, por është
zemra ime, ajo që flet. Ajo vendos kushtet dhe bën ligjin përsa u përket
ndjenjave.
-Po ata të tutë...ç'qëndrim do të mbajnë? Nuk
e kam fjalën për mamanë, se zemra e saj, si e çdo nëne tjetër, kthen dhe di të
falë, por...
-Babai... ? Ke të
drejtë. Është tel i sertë ai...tipiku i prindit patriarkal... Do të bëjë si do
të bëjë edhe im Atë. Fillimisht do të kundështojë, pastaj do të hyjë në punë
arsyeja. Në çaste qetësie truri logjikon me arsye. Ndaj nuk besoj të prishemi
Atë e bir. Mos harro se kjo bisedë i takon të ardhmes, kohës pas diplomimit
tim. Brikena le të jetë me studime, pa problem mund ta nisim jetën bashkë.
Kurse duke qenë unë student , jo...nuk i përballoj dot disa përgjegjësi
njëherësh. Veçse e dua shumë atë vajzë, e cila meriton më të mirat që ka bota.
-Aurel, besoj e di... javën
që vjen do të shkojmë ekskursion. Klasa e saj e ka në plan, apo?
-Nuk e di...nuk kemi
folur për diçka të tillë,- u tregova i pasinqertë me shokun tim më të mirë.
Agjencia automobilistike
kishte venë në dispozicionin tonë dy autobuza. Bashkë nxënës e mësues ishim 110
veta që u nisëm për Gjirokastër. Rastësia bëri që klasa e Brikenës ishte në të
njëjtin autobuz me klasën tonë. Nuk thonë kot se "rastësia është
mrekullia e botës". Ishte një udhëtim i bukur, i jashtëzakonshëm që
edhe sot më ka ngelur në mendje. Ishim të rinj dhe të padalë. Shkuam nga rruga
që përshkon mespërmes Labërinë, që banorët e zonës e quajnë "Gryka e
Lumit" që përshkon Kotë, Sevaster, Tepelenë, ndërsa natën e kaluam në
Gjirokastër. Gjatë udhëtimit ndalëm disa herë. Rreth dhjetë minuta nga ura e
Drashovicës kishte dalë nëna ime. Zbrita për ta takuar atë që më kishte nxjerrë
në jetë. Më kishte sjell një çantë të madhe me ushqime. Çfarë nuk kishte
gatuar? Të gjithë sa ishin në autobuz provuan nga gatimet e duarve të nënës sime.
-Aurel, po ajo vajza
është me ju?- pyeti nën zë.
Ndërkohë që e thirra,
Brikena ishte ulur pranë një gëmushe me dy shoqe. Pa nguruar, i bëra shenjë dhe
e thirra. Si gjoja rastësisht, e njoha me nënën.
-Nënë, kjo është
Brikena, është nga Vlora...e kam shoqe!
-Ti i thënke hënës: "Do
dalësh ti, apo të dalë unë!" Po qënke si shpirt, moj bijë e
nënës...Siç je e mirë, ashtu ta dhëntë edhe jetën Zoti! Lum ai djalë që do të
të ketë fat,- e përgëzoi nëna pasi e puthi. Si e pyeti për familjen, ajo e
falenderoi dhe u largua e bërë si lulëkuqe. Atë çast u përshëndeta me nënën dhe
hipa në autobuz.
"-U ruajtë
Zoti , se të gjithë jeni bijë nënash!"- na dha bekimin dhe dora i ngeli në ajër
duke tundur shaminë. E lashë nënoken time vetëm, fillikat, atje pranë pasarelës
që lidh dy brigjet e lumit Shushicë. Gjithë dhembshuri më ndoqi me sy derisa
autobuzi u zhduk në rrugën malore, drejt Tepelenës dhe jugut të vendit.
Gjatë rrugës vizituam
shumë qendra historike dhe arkeologjike. Por mbi të gjitha tek unë la vragë
bukuria e ashpër, joshëse dhe krenare e krahinës malore jugore. Dhe në mend më
erdhën vargjet e Bajronit tek "Çajld Haroldi", i cili bukurinë e
terrenit të thyer, me male e shkrepa të Shqipërisë e krahason me karakterin e
ashpër të burrave shtatlartë, veshur me fustanella, me dhuntitë e tyre, si:
besën, mikpritjen, bujarinë, përballë të cilave vë trimërinë. Ndërsa udhëtonim
mes maleve, qafave kodrave dhe pyjeve, apo kalonim mbi ura, duke kapërcyer
lumenj të rrëmbyeshëm si: Shushica, Vjosa, apo Drino, në tru më grryenin
mendimet , që ishin pyetje pa përgjigje: "Sa shumë kështjella i është
dashur të ndërtojë ky popull i drobitur nga shekujt. Sa luftra të përgjakshme
janë zhvilluar në këto mure shekullore, vetëm për të mbrojtur vatanin, nderin,
familjen dhe për ta ruajtur atë racë të hershme, fisnike dhe të lashtë sa vetë
njerëzimi? O Zot, çfarë padrejtësie ka ndjekur bota e përdalë dhe e pangopur
ndaj vendit tim të vogël ,por të bukur si ëndërr dhe tejet të pasur?! Të gjorët
shqiptarë!" - mendoja ndërsa vizitonim kështjellën e Tepelenës apo
Gjirokastrës. Mendimet herë zhyteshin në kllapinë e errësirës së mesjetës dhe
herë gëlonin si dritëzat që feksin papritur mes territ, duke na dhënë një pamje
të paharrueshme për të shkuarën e cila vazhdon rrugëtimin e nisur që nga lashtësia
në të sotmen. Këtë e bënë me një siguri që vrapon për të kapur të ardhmen, e
cila në çdo çast paralajmërohet nga trokitja e së tashmes..
Atë çast me ne, me mua dhe Gentin, u bashkua
edhe Brikena. Duke luajtur me shoqet e veta bëri përpara dhe nisi të përshkonte
bordurën rrëzë bedenave të kalasë. Ashtu veproi edhe nëpër sokakët e gurta të
qytetit muze që mban emrin e princeshës së flijuar Argjiro. Ardhur përmes
gojëdhënave, madhështia e karakterit të asaj gruaje të rrallë ka ngelur e
gjallë deri në ditët tona e do të vazhdojë pa kufijë... Kur je para atyre
bedenave të shfaqet para syve silueta e asaj shqiptareje trime, me birin në
gji, që i dorëzohet vdekjes për të mos qenë skllave e të huajit mizor. Tek
shihja gjithë ëndje Brikenën, që kërcente gurë më gurë ,si një sorkadhe mali që
të mos i lageshin këpucët dhe çorapet e bardha si bora e saporënë, për një çast
e krahasova me Argjiron e lashtësisë.
Era e ftohtë e Malit të
Gjerë i rrihte faqet, të cilat ishin skuqur dhe dukeshin si pjeshka në gusht. I
ramë rreth e qark jugut të vendit. Vizituam "Syrin e Kaltër", ku çdo
vajzë e re do të donte ta rijetonte atë legjendë për ta fituar princin e
ëndrrave. E më pas vizituam Kodrat e Ksamilit dhe Butrintin që si qytet është i
një moshe me luftën e Trojës. Në të kthyer, para se të hynim në Sarandë iu
ngjitëm kalasë së Lëkursit. Në të përpjetën e saj, iu drejtova të gjithëve:
"Ai që gjen autorin dhe e di të gjithë poezinë, do t'i dhuroj një zog të
skuqur. Të gjithë ishim konviktor dhe goja na lëshoi lëng sepse... Ndërkohë
nisa të citoj disa vargje:
"Në Sarandë
dolli Greku,
Në Lëkurs' u zu
dyfeku,
O burra, o
Shqipëtarë!
Greku kërkon të
na marrë !..." -kush e vazhdon më tej? Gjithë zhurma entuziaste u shndërrua në
heshtje..-Atëherë po e vazhdoj unë dhe zogun do ta shijoj vet..
...O burra,t'u
hidhemi,
Mos trembi se
s'vritemi,
Me dyfek
s'goditemi,
Me këtë zë, nga
vërria,
U derdhë
çobanëria,
Muarrë përpjetë
malë,
Dhe zunë Grekrët
të gjallë
Ca i vran' e ca
i grinë,
Ca i shpunë në
Janinë,
Në det ranë ca
të tjerë,
Po u prish
Lëkurs i mjerë!
O Grekër, o
kokëthatë
Nuk mirret
Shqipëria!
Erdht' e u zutë
si gratë
U turpëroj
Perëndia"- kjo poezi është Anton Zako Çajupit.
-Unë e dija, se e kujt
autori ishte, por nuk e kam mësuar përmendsh...,-tha njëri syresh.
Lamë pas gjirin e Sarandës, përmes rrugës
gjithë kthesa të forta, mbërritëm në Lukovë e Borsh. Magjia që të ofrojnë
ujërat e kristalta që zbresin me rrëmbim nga mali i Borshit, duke krijuar
ujëvara të magjishme, është e jashtëzakonshme e cila të shlodhë dhe të freskon trup
e shpirt. Ndoshta në atë rrjedhë përjetësie bashkëudhëtonin burimet nëntokësore
me copëza jete, këngë epike që u këndojnë trimave që u përleshën me kohën dhe
të huajin në muret e kalasë së Borshit. Të gjitha këto e ngazëllyen Brikenën, e
cila gjatë kthimit ishte ulur pranë meje. E shihja tek gëzohej dhe i qeshnin
sytë nga një zog në fluturim, nga një fluturë apo nga epërsia ose pushteti i
bregut mbi det. Zbritëm nga autobuzi e ndërsa vështronim që nga rruga kalanë e
Palermos, e cila ishte pikë ushtarake dhe nuk lejoheshin vizitat në të,
dëgjonim profesorin e historisë që na tregonte se Ali Pasha e ndërtoi për një
ditë dhe një natë. Kjo kala e bukur, si mburojë kreshnikësh mbi dallgë, që
shtrihet në ujërat blu të Jonit, e cila ka sfiduar dhe u ka rezistuar
rrebesheve të kohërave, mban emrin e Vasiliqisë. Si simbol besnikërie Ali Pasha
ia bëri dhuratë vajzës, e cila i kërkoi ndihmë, për ta mbrojtur nga pashai
mizor, që ishte vetë ai. Për besimin që i dha vogëlushja, Aliu e mori para
kalit, e çoi në kështjellë, e rriti me pekule dhe e edukoi me profesorë
francezë . Kur Vasiliqia arriti në moshë madhore,u martua me të. Për të
shprehur dashurinë e madhe ndaj saj, ai ndërtoi këtë kala në një kohë rekord,
duke e përjetësuar emrin e saj. Dhe ajo fortesë u qëndron atje tufaneve të
kohës. Si vajza e valëve, edhe ato mure janë dëshmi e besnikërisë dhe dashurisë
së madhe të Vasiliqisë për Pashanë e Janinës edhe pas vdekjes makabre të tij.
Më pas ndalëm në Himarë.
Me një barkë me lopata vozitëm për gjatë bregut të artë. "Nuk di se çfarë
mrekullie ka ndërtuar Zoti, kur nxori mbi sipërfaqe Shqipërinë. Ndoshta ka qenë
me leje, sepse e ka përkëdhelur me aq dashuri, sa nuk gjen vend tjetër në botë
që të ketë kaq mirësi së bashku, si: diell, det, klimë të butë, gjire sirenash,
mal e pyll, ullinj, vreshta, agrume... dhe pasuri nëntokësore. Mbi të gjitha i
ka dhuruar dashurinë e madhe dhe të
përjetshme të bregut me detin."-mendoja aty ku vozisnim, nga ku të shtatë
fshatrat e Himarës, dukeshin sikur ishin kapur për dore, për të përballuar së
bashku ashpërsinë e dallgëve të Jonit blu. Pas Bregut të Artë, ku qiell dhe det
shkrihen në një masë të vetme mjegulle iu ngjitëm mrekullisë që mban emrin
Llogara. Ky park natyror me pisha i zhytur në mjegull, na futi në botën mistike
të ëndrrave. Sa zbritëm disa dhjetra
metra nga Qafa e Llogarait, ndalëm për të shijuar veprimin e erës, që ka
krijuar një vepër arti Pishën Flamur.Duke marrë tatpjetën e këtij mali
magjplot, që sipër në majë ka borë,
trupin e ka veshur me gjelbërim të përhershëm me degëzat e pishës së zezë,
kurse këmbët i ka zhytur thellë në det, na doli para syve Gjiri i Vlorës.
Madhështinë këtij xhepi ujor tejet të mbrojtur, ia jep Karaburuni, Sazani dhe
Triporti që duke formuar një hark janë vazhdimësi e maleve Longarë, Shashicë,
Çikë dhe Vetëtimë. Kurrë nuk e kisha shijuar perëndimin si atë buzëmbrëmje që
nga tatëpjeta e Llogarait. Ishte një nga ato muzgjet e pranverës, kur dielli lë
pas në kupolën qiellore ngjyrën e kuqrremtë të bakrit, e cila duke u shkrirë me
napën blu në të zezë të natës, krijon një ngjyrë viole marramendëse. Kurse
ngjyra e bronztë e qiellit, pasqyruar në sipërfaqen e detit, i jep ujit
përshkënditjen e kristaleve të diamantit që vezullojnë mbi sipërfaqe si një
minierë thesari, që nuk do të shteret kurrë. Në mbrëmje vonë mbërritëm në
Vlorë.
***
Fund korriku. Dielli digjte duke
përzhëlitur gjithçka. Pa aguar mirë dita, gjinkalla kishte nisur këngën e saj monotone.
Atë mëngjes isha për rrugë. Do të
nisja pushimet verore. Për rreth pesë a gjashtë javë do të qëndroja në shtëpi,
me prindërit, me vëllezërit dhe motrat e mija. Nuk ka përse e mohoj, pasi për
gjithçka kisha mall. Dy motrat e mëdha ishin të martuara. Mendoja të shkoja t'i
takoja. Njëra jetonte në Tiranë, kurse tjetra në Fier. Një rrugë e dy punë, jo
shumë por dy a tri ditë, më mjaftonin sa të çmallesha me to. Më shumë nga të
gjithë do të lumturohej nëna. Pak kohë kisha të lirë. Gjithsesi për aq sa do të
qëndroja, do t'i bëhesha krah edhe babait. Veç po e lija qytetin me një rëndesë
në stomak, më merrej fryma e gjithë kohën isha në një ankth mbytës. Më dukej
sikur më vinte për të vjellë. Shkaku ishte largësia nga Brikena. I përhumbur,
po shkoja drejt agjencisë, për të gjetur ndonjë makinë. Papritur ç'të shoh? Në
një këndrrugice të fshehtë, të mistershme dhe të pakapshme nga syri i lirë i
një vizitori të huaj, më doli ajo, drita e jetës sime.
-Po ikën pa më përshëndetur,
hëëë...? -pyeti duke qeshur dhe si me qortim.
-Me sa duket po
nis ta jetoj stinën time, stinën tonë të veçantë pa ty, vogëlushja ime
sheqerkë. Ndoshta largimi i përkohëshëm do t'i forcojë më tepër fijet e
padukshme që lidhin dy shpirtrat tanë. Papritmas i citova disa vargje të të
madhit Ali Asllani:
"E un’ mbetem duke lutur,
Lutem yjeve të këputur.
Dhe un’ lus e kërkoj ty,
Atë vetull, atë sy!
Se në syrin tënd të zi
N’atë sy të zi, mazi
Shenj’ e buzës sime duket
Si një prush në re kur muget!" - e në atë çast e putha lehtë në faqe. Kurse ajo me një shkathtësi të paimagjinueshme, hodhi vështrimin rretherrotull. Edhe pse gjithë frikë, m'u hodh në qafë e më puthi në buzë. Kurse unë paksa i habitur me guximin e saj vajzëror, e shtrëngova në kraharor dhe...Ishte puthja jonë e parë dashurore. Kurrë nuk e kisha ndjerë si në atë çast magjinë femërore. Më dukej sikur po ëndërroja, duke shijuar mjaltin e buzëve si burbuqe. Ishte një puthje e padjallëzuar, që buroi nga dëlirësia e saj. Këtë ndjesi pata kur ajo u shkëput nga krahët e mi dhe ishte gati të vraponte, por i mbajti këmbët.
Atë vetull, atë sy!
Se në syrin tënd të zi
N’atë sy të zi, mazi
Shenj’ e buzës sime duket
Si një prush në re kur muget!" - e në atë çast e putha lehtë në faqe. Kurse ajo me një shkathtësi të paimagjinueshme, hodhi vështrimin rretherrotull. Edhe pse gjithë frikë, m'u hodh në qafë e më puthi në buzë. Kurse unë paksa i habitur me guximin e saj vajzëror, e shtrëngova në kraharor dhe...Ishte puthja jonë e parë dashurore. Kurrë nuk e kisha ndjerë si në atë çast magjinë femërore. Më dukej sikur po ëndërroja, duke shijuar mjaltin e buzëve si burbuqe. Ishte një puthje e padjallëzuar, që buroi nga dëlirësia e saj. Këtë ndjesi pata kur ajo u shkëput nga krahët e mi dhe ishte gati të vraponte, por i mbajti këmbët.
-Nuk kemi si lidhemi,
ndaj na duhet të presim rikthimin tonë në shtator.
- Njëlloj si kënga me
titull "Kthehem në Shator".Bëj shaka, sepse ka mënyra... Ah, po. Nëse
ke ndonjë komshi që ka telefon, mund të të marrë unë nga posta telefonike e
fshatit.
-Jo, jo...më mirë flas
te posta qëndrore.
-Ide shumë e mirë. Ju
femrat edhe mendjen e keni femër...
-Pse këtë mendim ke për
femrat? Gjithsesi po ta fal, që të mos ndahemi me mëri. Kujdes herë tjetër kur
komunikon, jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët. Ka një mënyrë që...Të hënën
dhe të enjten në kinema shfaqen filma për gra dhe të reja, ku shkoj edhe unë.
Dal pak më herët nga shtëpia dhe flasim në telefon, - ajo me kurajo gjeti
zgjidhjen dhe u largua me hapin e lehtë pranveror, duke më uruar pushime të
mbara. E ndoqa gjatë me sy duke marrë me vete aromën e veçantë të puthjes së
saj të parë që binte aromë lulelimoni. Edhe pse bisedonim dy herë në javë, më
dukej sikur koha ecte me hapin e breshkës. Gjithë verës me mendje isha tek
Brikena. Jetoja çaste ankthi dhe përmallimi. Kurrë nuk kisha besuar që mund të
ekzistonte një ndjenjë e tillë, që herë të bënë me flatra nga gëzimi dhe herë
të zhyt në zymtësi. Por si çdo gjë edhe pushimet e kanë një kufi.
Nisa të përgatitem për
vitin e fundit të gjimnazit. Më tridhjetenjë gusht u largova nga shtëpia e
fëmijërisë. Natyrisht lija pas krahëve ata që doja me shpirt, por nuk di pse
zemra më dhembte fort për nënoken, e cila e ndjente më shumë nga të gjithë
mungesën time. Eh, e tillë ishte ajo, e mira, gojëmjalta, nëna ime që
ligështohej edhe për një zog fluturak, jo më për të birin. Ndaj sa herë
largohesha më mbetej koka pas, vetëm për atë zonjë. Ndërsa udhëtoja me makinë,
shikoja transformimin që sjellin kapërcimet e periudhave vjetore.
Nuk di, por vjeshta atë vit më dukej si më e
bukura stinë, ndryshe nga sa kisha kaluar deri atëherë. Dukej sikur universi
këndonte këngën tonë, këngën e dashurisë. Ndoshta kështu më dukej mua. Kjo
stinë, ku shkrihen të katra stinët në një të vetme, e kishte veshur natyrën me
petkun e ylberit, ku në të nuk mungonte asnjë ngjyrë e tij. Tufa zogjsh
fluturonin drejt perëndimit të largët. Era e lagësht e detit sillte me vete
jodin dhe freskinë, si lajmëtaren e fundit të verës. Herë-herë më ngjante sikur
të tëra sendet e mbitokës, drurët, lulet, njerëzit e gjithçka ishte në një
lëvizje marramendëse si kurrë ndonjëherë.
Ky shtator i
jashtëzakonshëm për shpirtin tim të dehur nga dashuria, na ribashkoi. Madje
edhe dita e parë e vitit shkollor ishte disi ndryshe...
Brikena po më priste te
vendi, ku unë e spikata për të parën herë. U takuam si dy miq të ngushtë, sikur
ishim njohur që kur nisëm të belbëzojmë rrokjet e para foshnjarake. Për një
çast m'u duk sikur do të hidheshim në krahët e njëri-tjetrit. Vetëm atëhere e
kuptova se sa vend kishte zënë ajo në shiprtin tim. Secili nga ne të dy shprehte
mungesën e gjatë të tjetrit.
-Eh kështu e ka
dashuria...! Është gëzim, është hidhërim, është lumturi, është brengë...Ndaj
dhe është tejet e veçantë,- i thashë ato fjalë që buronin nga shpirti, por që
nuk isha në gjendje t'i ndërtoja aq bukur. Mbaj mend se diku i kisha lexuar.
-Paske goxha përvojë
ti...?! Kush të paska njohur...?!
-Pse?
-Je modeli i të dashurit
ideal, tek i cili çdo femre ka gjetur shpirtin binjak.
-Nuk besoj se ti bije më
poshtë nga unë...- duke qeshur hymë në shkollë.
Ishte viti i fundit, një
vit pune dhe sprove për mua. Duhej të kisha mesatare të lartë në rezultatet
përfundimtare. Ndaj më duhej të studioja shumë. Ndjenja e dashurisë nuk më
pengonte, madje më kishte bërë me krah, për të bërë çdo detyrë në një kohë
rekord. E gjithë kjo vetëm e vetëm të më ngelej pak kohë për të dal apo për të
ndenjur me Brikenën. Gjatë gjithë vitit shëtisnim bashkë larg syve ziliqar, apo
dashakeq dhe gojëve të liga. Me raste shkonim në kinema. Ishim pa ndonjë burim
ekonomik, si gjithë moshatarët tanë. E megjithatë kursenim nga pak për të
kënaqur veten me ndonjë akullare, arançatë, apo një ëmbëlsirë. Prej saj kisha
mësuar se i pëlqente torta dhe kur dilnim bashkë, i blija ndonjë pastë, toronë,
suxhuk me arra ose një copë torte. Kurse për vete merrja ndonjë birrë dhe i
shijonim duke ecur ngadalë. Herë -herë harroheshim ulur në lulishten e madhe të
qytetit, e cila atëherë ishte mahnitëse dhe bisedonim për jetën në tërësi,
rininë, ëndrrat tona. Ishte vërtet bukur. Kështu patëm munduësi ta njihnim më
mirë njëri -tjetrin. Tek diskutonim, unë këpusja ndonjë lule dhe ia vendosja
mbi flokë, aty ku zinin të plekseshin gërshetat e saj të zeza.
Duke bërë shaka e
krahasoja me lulet dhe i thoshja se ajo ia kalonte bukurisë së tyre.
-Të lutem Aurel, mos...
Mos e tepëro tani!
-Unë them një realitet-
iu përgjigja pa dorashka.
Sa herë ndaheshim nga
një takim, e ndiqja me sy derisa nuk e shihja më dhe në mendje më gëlonte..."
Kurrë nuk më ka shkuar në mendje se në përditësi ka të tilla vajza të bukura,
të ndjeshme, plot me virtyte dhe mençuri. Kjo sepse kurrë nuk kam dëgjuar në
familje të flitet për femrën, për ëndrrat dhe për fatin e saj. Zakonisht biseda
të tilla zhvillohen kur bëhet ndonjë krushqi me mblesëri. Kam dëgjuar të thonë,
se "X" baba ka një vajzë të mirë që fatin e së cilës duhet ta lidhim
me djalin e "Y" prindi..."- ky ishte botkuptimi im në
marrëdhëniet djalë-vajzë. Kur ende nuk e kisha njohur Brikenën, martesa të
tilla më dukeshin lidhje të natyrshme, që për derisa i pranonte shoqëria, pse
të mos e pranonin dy të rinj? Por...kjo shëqëri a ka pyetur vallë për dëshirat
dhe ëndrrat e këtyre të rinjve?
Kur njoha dashurinë e
vërtetë, dënoja aktin dhunues, që fatin e femrës e vendosnin të tjerët. Pra
femra trajtohej si mall tregu dhe jo si qenie humane që kishte të drejtat dhe
liritë e saj. Atëherë nisa të kuptoj se sa vlera ka liria e individit. Brenda
meje lindi një revoltë e heshtur ndaj mendësive të kalbura të mesjetës, apo
njerëzve që i kishin shndërruar në ligje të pashkruara, por të detyruara dhe të
zbatueshme në masë. Thyerjen e këtyre rregullave të ngurta, shoqëria e dënonte
dhe e quante imoralitet. Të rinjtë që nuk i zbatonin apo prishnin të tilla
lidhje martesore, quheshin imoralë ose pa karakter. Një vajzë e martuar me
dashuri, përgojohej gjatë. Madje edhe kur ishte në moshë të thyer, përsëri
flisnin me përbuzje, duke e shvlerësuar. Pavarësisht se ajo mund të ishte një
femër ideale, shembulli i bashkëshortes apo i nënës së mirë, ose ajo
përfaqësonte femrën e lirë që ka dashur të jetë vetvetja, duke e zgjedhur vetë
fatin e saj.
Biseda të tilla
zhvillonim të dy, kokë më kokë me Brikenën.
Një ditë ishim ngjitur
mbi qytet në kodrën plot me ullinj. Dikur kishte qenë pronë e një familjeje të
pasur. E shpronësuar dhe tashmë ishte pronë shtetërore. Atje sipër si në një
ballkon gjigant, na dukej vetja sikur ishim zotër të vendit.
-O Zot, sa bukur! Çfarë
mrekullie ka bërë natyra me këtë vend mbizotrues e plot pushtet mbi gjithçka që
e rrethon. Që nga këtu sipër qyteti duket si një oaz i gjelbër. I lumtë mendjes
njerëzore që ka zgjedhur këtë parajsë për të ndërtuar fillimisht një qendër të
banuar, që me kohë e zgjeruan dhe e shndërruan në qytet.
Toka është e bukur për
shkak të larmisë së relievit, për shkak të ujërave, bimësisë dhe sidomos se në
të jetojnë qeniet e gjalla. Mbi të gjitha këto që ka toka, qëndron njeriu, i
cili e transformon atë. Por që ta shijosh bukurinë e saj, duhet ta shohësh që
nga ajri. Këtu sipër unë e shijoj dhe e adhuroj si kurrë ndonjëherë qytetin
tim. Sa herë mërzitem, ngjitem këtu me shoqet apo me motrën. Ndoshta këtë do të
bëj kur ti të jesh larg. Të kam thënë që unë kam vetëm një motër. Ajo e di për
lidhjen tonë. Jam e bindur që do të më shoqërojë për të vrarë vetminë. Në mes
të kësaj qetësie dhe bukurie magjike do ta gjej qetësinë që do të më mungoj. Sa
herë shijoj këtë mrekulli, kthehem në shtëpi e përtërirë dhe plot energji,-
pohoi ajo.
-Sa romantike je, e
dashura ime e shtrenjtë,- i thashë dhe e rrëmbeva para duarve. Nisa t'u marrë
erë flokëve të saj, ku kisha zhytur fytyrën. U shtrim në bar, me shikim nga
qielli, ku nuk kishte asnjë re. Vetëm kaltërsi...,pafundsisht kaltërsi hyjnore.
-Po vitin tjetër, ku do
të jemi?... -pyeti me një psherëtimë të thellë.
-Këtu, në tokë...me
shpirt dhe me zemër bashkë...
-Pas tre muajsh ti do
jesh në universitet kurse unë...
-Ej, vogëlushe, dashuria
jonë, nuk ka frikë nga ndarjet e përkohshme.
Zoti na ka bekuar ...e di pse? Se kemi lindur dhe jemi bërë për
njëri-tjetrin. Me telefon dhe me letra komunikon edhe sikur të jesh në fund të
botës, dashuria ime.
-Nuk di pse kam një
parandjenjë...
-Brikenë, më shiko pak
në sy...mos u bëj superticioze, si plakat e qëmoti. Kudo që të jemi vitin
tjetër...,tjetrin, ne do të jemi në planetin tonë, ndaj...,- e kapa nga krahët
dhe e ktheva përballë vetes. - Oh, çfarë mrekullie!-klitha i ngazëllyer, sikur
kisha zbuluar fundin e botës.
-Ç'pate kështu?
-Unë shoh të pasqyruar
në sytë e tu perëndimin e jashtëtzakonshëm. Më e bukura është se unë gjendem
brenda syve të tu.
-Ti nuk je në vete. Mos
je marrosur gjë?
-Kush tha se nuk jam i
tillë? Ai që dashuron harron të jetojë realitetin. Mos harro se vetë dashuria
është e paarsyeshme. Po ne si duhet të jemi?!
-Është më se e vërtet.
Nuk ka dashuri si e jona. Ne ngjasojmë shumë me ata zogjtë e sapokthyer nga
shtegtimi, që duke cicërruar dhe gjithë ankesa, kërkojnë veç një strehë. Edhe
dashuria jonë që të rritet dhe të maturohet ka nevojë për mbështetje. Aurel,
këtë duhet ta kërkojmë dhe ta gjejmë më parë te vetja, pastaj tek familjet
tona.
-Mendoj se është hap i
parakohshëm. Babai im nuk ka për të pranuar sepse synon që unë të shkoj me
studime.
-Kur nuk do ta pranojnë
të tutë që je djalë, po familja ime?... Shkojmë tani se u bë vonë dhe mamaja ka
nisur të merakoset me largimet e mija të shpeshta. Aurel, shoh se nuk je ti i
vendosur, po ata?! -shprehu pakënaqësinë dhe më uroi gjumë të ëmbël, ashtu fare
thatë.
E lashë pranë shtëpisë
së saj dhe u nisa për në konvikt. Isha i përhumbur nga pyetja që më bëri
Brikena. Kurrë nuk e kisha shkuar nëpër mend ndarjen me të. Kujtoja se çdo
lidhje dashurore është e pazgjidhshme. Së paku unë si person, për ndjenjat që
kisha ndaj saj dhe për karakterin tim, si njeri i fjalës, isha i sigurt. I
zhytur në mendime, nuk vura re se te porta e konviktit po më priste babai.
Nxinte më shumë se terri i natës. Në atë çast që e spikata, sikur m'u shemb
qielli mbi kokë.
-Nga ke qenë kështu,
more karafil? Të kam dërguar të mësosh e jo të harbosh natën.
-Më fal, baba...po ende
nuk është errës...
-Si guxon dhe flet?! Ti
nuk duhet të hapje gojë...Jam burrë plak dhe kam dy orë që të pres... m'u sos
durimi. Mos vallë duhet të të kujtoj që pas një muaji nis sezonin e provimeve,
nga ku varet e ardhmja jote?
-Baba qysh sot jam gati
të hyj në provim...edhe mos të të turpëroj. E di mirë se cilat janë detyrat dhe
përgjegjësitë e mija.
-Mjaft më dërdëllise!
Fjalë të tilla janë pa bereqet. Se si e ke hequr vallen gjithë këto vite,
shtatori do të flaë...Kam ardhur të të them se mos bën ndonjë marrëzi me
zgjedhjen e degës për në fakultet. Do kërkosh çfarë të kam thënë unë.
-Baba, nuk merret
parasysh dëshira apo talenti i studentit, shihen vetëm nevojat që ka atdheu dhe
partia.
-Bëj ashtu siç të them
unë, pa nuk ka për të të dalë keq, jo. Dua të bëhesh ushtarak i zoti...Ndryshe
mos më dil përpara, - më përshëndeti dhe u largua gjithë tërsëllim.
"Oh, po të
drejtohem ty, qiell dhe gjithë universit! Deri kur do të jem nën vartësinë e të
tjerëve? A do të vijë dita që unë të jem vetja, të kem liri të plotë për të
menduar, për të folur dhe për të vepruar pa më detyruar askush? Babai im i
gjorë! S'është në gjendje të konceptoj kohën apo të veçojë zhvillimet sociale-
kulturore të çdo periudhe të së shkuarës apo të tashmes. Nuk është më shumë se
dyzetë vjeç dhe e quan veten plak. Ndaj dhe gjykon si i tillë..." - belbëzova
gjithë inat. Atë kohë nuk dija ta përcaktoja se gjithë këto të drejta që
kërkoja unë, që së bashku përbënin një koncept, të cilin vetë tani jam në
gjendje ta përkufizoj, ishte" liria vetjake" ajo që më mungonte.
Ndaj duke analizuar
rrjedhën e ngjarjeve që ndodhën më pas, sot e kuptoj se sa e vyer dhe e shenjtë
është kjo e drejtë legjitime, në bazë të së cilës individi fiton pavarësinë .
Përsëri nuk e kisha të qartë se, pavarësia individuale fitohet më lehtë kur ke
një burim të ardhurash, pasojë e frytit të punës, mundit dhe djersës së ballit.
Gjithë natën nuk vura gjumë në sy. "Unë një ushtarak?! Ushtarak një
jetë të tërë?! A do të mundem dot vallë?!"- me këto mendime të zymta
më zuri gjumi..., një gjumë me copa dhe gjithë ëndrra..., sikur isha në ballë
të luftës duke pasur kundërshtar babanë tim me grada gjenerali. Mëngjesi më
gjeti qepallarënduar e me dhembje koke...
vazhdon...
No comments:
Post a Comment