Wednesday, 27 February 2013

LULET E KAJSISË



Resmi Osmani
Tregim                                                                         

Besa pa orën. Koha e arritjes së trenit kishte kaluar. Bujari nuk erdhi. E priste me padurim. Duhet të vinte, por nuk erdhi. Për të ditët ishin të njëllojta, të zymta, të përhinjta, të lagura nga shiu që rigonte papushuar, të ftohta, pa gëzim, pa një buzëqeshje. Natën e mundonin makthet, ditën vegimet. Bënte dallim vetëm fundjava, e diela, kur ai fiks në ora nëntë shfaqej te dera me atë buzëqeshjen e hijshme, plot dritë, që i ndriçonte dhe hijeshonte tërë fytyrën dhe e përqafonte, e puthte ëmbëlsisht dhe e rrokte në gji ku ajo tulatej si një zogth,për të gjetur prehje,  mbrojtje dhe shpresë. I çuçriste në vesh fjalë dashurie. E mbyllur brenda ktër mureve të bardhatë dhomës së pavijonit, në atë shurdhëri mundonjëse, si në një kafaz vetmie të pashpresë, ajo jetonte  shpirtvrarë tërë javën me ankthin e pritjes, përcillte perëndimet dhe agimet, numëronte ditët, orët, minutat që kalonin tmerrësisht ngadalë aq sa e drobitnin, i molisnin shpirtin, i rrënonin shpresën se ajo një ditë do të dilte e shëruar nga ai kafaz, që të shkëputej nga makthet,  vegimet, hijet dhe fantazmat që e mundonin. Përpiqej, por ishte e pafuqishme, nuk shkëputej dot prej tyre. Ata nuk i shqiteshin, donin që t’i bënin keq, e mundonin pamëshirë, ishin gjithandej dhe ajo nuk arrinte që t’u fshihej, e gjenin kudo që të ishte, vetëm apo midis njerëzve të tjerë.
     Dera u hap. Ajo u kthye vrulltas, por nuk ishte Bujari. Infertmierja shtyu karrocëzën me mjekimet mbi syprinë, pastaj e heshtur, me kujdes e ngadalë i vendosi mbi komodinë.
     -Ai nuk erdhi-tha ajo si ti fliste vetes,- nuk ka për të ardhur. Ai s’më do më. E si mund të më dojë, kështu si jam katandisur?
     -Zemër, - i tha infermierja me një zë të butë e të ngrohtë,- ç’janë këto që thua! Kushedi pse është vonuar. Ai do të vijë.  Sa për të dashur, e kam parë sesi drithërohet e përgjërohet për ty.  Të do shumë! Pastaj ti je kaq e mirë, kaq e re e hijshme dhe e bukur. Ka qenë me fat që është martuar me ty. Ma jep krahun. Është ora e terapisë.- Ajo përveshi mëngën dhe ia dha krahun. Vendi i shpimeve të venave ishte nxirë.- Më jep dorën tjetër, – i tha, dhe, pastaj i lidhi krahun mbi brryl. Venat e mavijosura u frynë dhe infermierja mjeshtërisht, futi gjilpërën e shiringës  dhe zbrazi ngadalë përmbajtjen, pastaj te vendi i shpimit vendosi një shuk me pambuk të njumur me alkoohol.
   -Me shëndet shpirt dhe gjumë të ëmbël - i tha- tashti hajde të shtrihesh. E ndihmoi, i rregulloi nënkresën, çarçafët, batanijet dhe e mbuloi me kujdes.  Pas kësaj ajo do të binte në gjumë të thellë e të gjatë, që të zhytej në botën e harresës.
                                                                *        *          *
Nuk e dinte sa kishte fjetur, kur mbi faqe ndjeu t’i binte një pikë loti i ngrohtë. U shtriq dhe hapi sytë . I ulur në anë të shtratit, me kokën përkulur mbi fytyrën e saj, qëndronte Bujari. Kishte orë të tëra që e priste të zgjohej. I dërrmuar e shpirtvrarë, sodiste fytyrën e saj të hijëshme, të pafajshme, plot mirësi e dashuri, por si të trembur, të ligur e të hequr nga mundimi i së keqes që i kish kapluar e turbulluar mendjen. Në gjoks ndjente një shtrëngesë të dhimbshme dhe gulçi si një lëmsh po i merrte frymën. Ai qau për të ritë dhe vuajtjet e saj, por edhe të tijat. Lotët i rrodhën padashur. Pse, pse t’u ndodhte atyre kjo e keqe? Sado që mundohej, ishte një pyetje sfilitëse e pa përgjigje. Fati? Ndoshta. Kishte dashur t’i vinte në provë. Ata sapo kishin ngritur çerdhen e tyre të re, por në kupën e jetës së tyre të  gëzuar, pas lindjes së djalit, kishte shtrydhur një pikë helm. Prova ishte e rëndë.
      -Shpirti im, erdhe? Ah sa shumë të kam pritur. Sa shumë. Thashë se nuk do të vije, se do të më braktisje, duke më lënë  të vetme  në dëshpërimin dhe vuajtjet e mia , që s’po kanë të sosur!
       Zëri vinte i dobët, si një pëshpëritje e largët nga një hon i thellë. Deshi të buzëqeshte, por nuk arriti.  Buzëqeshja mbeti një përpjekje, që i  ngriu në çipat e buzëve të thara e të plasaritura. Sytë ishin të ftohtë, të qelqtë, si të pajetë, me dy gjysmë hënëza të zeza nën qerpikët e gjatë,  të kallkantë, pa dritë, shihnin diku larg në humbëtirë, por  me mundim arriti të përqëndrohej e ta shihte drejt. Ishte një vështrim i trishtuar,  disi i vagëlluar, i dhimbshëm,  që pyeste  për shumëçka, por që nuk besonte se do të merrte përgjigje.
     Bujari ,i puthi duart dhe sytë, lehtë,si të kishte frikë mos e lëndonte, i shkoi gishtat në flokët e ashpërsuar nga të palarët  , i mori kokën e hijshme në të dy duart, e pa ëmbëlsisht thellë në sytë e lodhur dhe e puthi në buzët e thara. Buzët e saj të ftohta nuk iu përgjigjën, vetëm psherëtiu së thelli. E ndihmoi  të qëndronte ndenjur në shtrat, i hodhi mbi shpatulla trikon e leshtë dhe i rregulloi jastëkët që të mbështetej.
    -Tashti je mirë- i tha ai.
    -Pse nuk ma solle djalin? I kam harruar sytë. Më ka pikur malli.
Bujari futi dorën në xhepin e brendshëm dhe i zgjati një fotografi:
      -Ja, ta kam sjellë!
 Ajo e mori fotografinë me duart që i dridheshin, si ta rrëmbente dhe ia nguli sytë ethshëm. Nga fotografia e sodiste buzëqeshur e me pafajësi fëminore i vogli i saj, i bukuri i saj, i miri i saj.
      -Bir,o bir i mamit…! Drita e syve tw mi….! Odielli im!- Zëri ishte i ngashëryer dhe ajo u shkreh në vaj, me gulçe dhe lotët i rridhnin faqeve. E mbështeti fotografinë në gjoks, pranë zemrës, pastaj e futi në gji.- Pyet për mua, më kërkon?
      -Po, - i tha Bujari- po  mos u shqetëso , për të kujdest nëna ime dhe si i thonë fjalës: djali i djalit, mjalti i mjaltit!
       -Eh, i vogëlthi im, nënë s’të bëhet dot askush!
Ra heshtja. Ajo piu një gllënjkë ujë sa për të lagur buzët, pastaj befas, zuri kokën me duar. Koka nisi të gumzhinte , si një zgjua bletësh kur roitin, jo nuk ishin bletë, ishin grerëza dhe akrepë, që e thumbonin dhe i helmonin trurin,  i pështjellonin mendimet dhe i mpinin qënien dhe vetëdijen, e bënin të përjetonte një gjendje të pazakontë, të një bote tjetër:  fantazmagorike me vegime , përfytyrime e mirazhe që vetëm  asaj i shfaqeshin. Brofi më këmbë  e tronditur dhe e kapi Bujarin për krahu, sa ai ndjeu  që thonjtë po i hynin në mish. Fytyra iu ngurtësua, lëkura iu tendos si maskë, ndërsa sytë, të akullt, të trembur e të llahtarisur, iu ngulën boshllëkut në një pikë.
       -Ata erdhën- klithi e lebetitur,- Erdhën, shikoji shtrigat dhe shtriganët, ja tek janë!Të shëmtuar,të neveritshëm,tmerr e llahtar! Duan të më marrin me vete, të më mbyllin në shpellën e tyre, të më djegin në zjarr, në duar mbajnë zinxhirë që të më lidhin. Shikoi si ngërdheshen! Duan të të vrasin edhe ty! Bobo, e shikon sesi po zbret nga cepi i tavanit gjarpëri, sesi e nxjer gjuhën e helmët, po vjen drejt nesh. Ikë ti, ikë, lermë mua, shpëto veten që të kujdesesh për djalin! Ikë, ikë, vrapo!
      Bujari i shtangur e i shastisur, pa ditur ç’të bënte i doli para që ti zinte pamjen, pastaj ia rroku kokën dhe ia mbështeti në gjoks. Ndjente sesi ajo dridhej e gjitha dhe zemra i regëtinte si e zogut kur  i sulet skifteri.
           -Shpirti im! Mos u frikëso, më ke mua këtu, asgjë nuk të ndodh, askush nuk të kërcënon. Qetësohu, mos bëj kështu. Nuk le askënd të të bëjë keq, dëgjomë dhe besomë mua!
       Ajo vazhdonte të dridhej. Në fytyrë s’i kishte mbetur pikë gjaku. Ishte e mbërthyer e tëra nga ngërçi dhe tmerri e llahtaria e kërcënimit. I ledhatoi flokët, pastaj nisi ti fërkojë shpatullat, muskujt e supeve dhe të qafës, lehtë, ngadalë. Vazhdoi ashtu një copë herë. Ndjeu se të dridhurat i pushuan dhe frymëmarrja ju qetua. E largoi pak nga vetja. Ajo sytë i kishte ende të mbyllur, nuk guxonte t’i hapte. Ai i dha gotën e ujit. E piu me gllënjka të mëdha dhe fuqiprerë u ul shesh në shtrat dhe hapi sytë. Ishte qetësuar, por ndjehej e dërrmuar. Gjurmët e llahtarisë që përjetoi i shquheshin  në gjithë qënien.
Dera u hap dhe hyri profwsori i buzëqeshur. Ishte mjek roje dhe erdhi ti bënte një vizitë mbrëmësore pacientes së vet. Kishte veshur mantelin borë të bardhë ku shquheshin vijat e hekurit. Shtathedhur, ballëlartë, me një oval të bukur të futyrës, me sy të butë si të pëllumbit dhe një buzëqeshjë që vinte ca melankolike dhe me një trishtim të lehtë që si ndahej nga fytyra. E kishte fjalën balsam. Pasi i përshëndeti pyeti:
     -Si është sot, nusja jonë e bukur?
     - Kot fare, doktor. Si mosmëkeq!
     -Pse kështu, ti duhet të jesh e gëzuar se ke pranë Bujarin, që ka bërë rrugë të gjatë për të të  parë dhe kushedi sa lajme të mira të ka sjellë!
      - Doktor, ata erdhën prapë.
       -Kur?
       -Qëpar.Ishin shumë, të pështirë e të neveritshëm, të ngërdheshur e me çatallë të mëdhenj e të mprehtë. Ishte dhe një gjarpër. Donin të më merrnin me vete apo të më helmonin, të vrisnin Bujarin dhe të merrnin çunin, por u trembën nga Bujari dhe ikën. Me siguri do vinë mbrëmanet. Nuk më ndahen. Më dhe fjalën që do t’i zboje dhe se nuk do të vinin më. Unë të besova, se për çdo gjë të kam besuar dhe kam vepruar siç më ke thënë. Të lutem,thuama, pse nuk e  nuk e bëre?
      Profesori, si zënë në faj,  i mori dorën dhe ja mbajti në të tijën.
      -Ah çfarë harraqi! Ke të drejtë, por besoj se do të më falësh dhe nuk do ta humbësh besimin ndaj meje.  Dje dhe sot paradite, pata shumë punë dhe nuk gjeta kohë të merrem me ‘ta. Të jap fjalën se do t’i zboj,  do t’i lidh me pranga në shpellën e tyre. Jo, më mirë po i zhduk, do ti bëj pluhur e hi dhe ata e ato, s’kanë për të ardhur më kurrë që ti bëjnë keq njeriu. Kurrë pot ë them. Ke besim tek mua?
      -Po- tha ajo me gjysëm zëri.
      -Thuaje fort “Po-në”dhe besoje që unë do ta bëj vërtet atë, që të premtova. Kam dëshmitar edhe Bujarin. Ne jemi tre dhe do t’i mundim!
       Profesori i buaëqeshi, i uroi natënemirë dhe  doli. Bujari i shkoi pas.
       -Profesor, pres të më thoni një fjalë të mirë.
       -Kam filluar një terapi me insulinë. E ve në gjumë të thellë, në harresë të plotë, që truri dhe mendja e saj të çlodhen dhe të shlyhen vatrat e ngacmuara. Shpresoj shumë në suksesin e kësaj mënyre. Eshtë e reja e fundit, që po aplikohet për këtë diagnozë në klinikat e huaja. Besoj që efekti të ndjehet që nesër, por ajo që e shëron është vëmendja, kujdesi, përkushtimi, dashuria, përzemërsia, fjala e mirë dhe besimi. Këtu ndër ne nuk i mungojnë. Personeli është porositur veçanërisht. Gjithënjë i duhet dhënë e drejtë. Është e re dhe ka për ta kapërcyer, por shërimi do të jetë i ngadaltë dhe do të dojë kohë e durim. Megjithatë organizmi bën çudira!
      Përjashta ra muzgu. Erdhi infermjerja, si gjithmonë e qeshur, e dashur dhe i bëri dozën e insulinës. Kaluan disa minuta dhe atë e kaploi gjumi. Bujari nuk iku. Vendosi ta kalonte aty natën. I ulur në karrike, e shihte sesi flinte me frymëmarrje të qetë, sesi i ngrihej e ulej gjoksi ritmikisht, sodiste fytyrën e saj të zbetë, të qarkuar nga suaza e flokëve të zeza, që ishte vetë bukuria dhe pafajësia. U mendua gjatë, kaloi në mëndje vitet e njohjes dhe të pasmartesës, përpjekjet për tu sistemuar në atë apartament të vogël, që ajo  me kursimet e të dyve e pajisi dhe e zbukuroi sipas shijes së saj që të ndjeheshin rehat, shtatzania e vështirë në muajt e parë, lindja e djalit dhe më pas ajo ngjarja tronditëse: Ishte e diel pasdite. Djali sapo ishte ngritur në këmbë. Ata të dy i flisnin i qeshnin i zgjatnin duart. Pa pritur djali u fik, u rrëzua, fytyra iu mavijos. Nga çipat e buzëve i doli pakëz shkumë dhe sytë iu perënduan. “Bobo-klithi ajo- më vdiq djali!”- shkuli flokët dhe nga tronditja e madhe, u turr të hidhej nga ballkoni. Ai arriti ta kapte dhe mbylli me çelës derën. E dërguan djalin urgjent në spital. Ajo i rrinte dit-natë mbi krye. Djalit kriza iu përsërit edhe disa herë, por mjekët e gjetën shkakun , e kuruan dhe djali u shërua. Pas kësaj si ndahej frika për të voglin e saj. Ju bë si makth. Ishte fillimi i melankolisë, mërzisë, humbjes së interest për gjithçka, dobësimi i trupit dhe pakujdesi për të voglin, keq e më keq, derisa arriti në gjëndjen e tanishme, me neurozë të theksuar dhe humbje të shpeshtë të vetëdijes. Ai mundohej të gjente fajin e tij, por ngado që e kthente, nuk gjente shkaqe të qënësishme, veç atyre grindjeve e mosmarveshjeve të vogla e të padëm,  që janë pjesë e çdo çifti të ri.  Ndofta i vetmi faj, ishte që e kishte llastuar dhe dashur shumë! Me këto mendime, në mesnatë e kapiti gjumi dhe ai dremiti pak me kokën mbështetur në komodinë, por fjeti me copa dhe u zgjua shpesh, i dhimbnin qafa dhe shpatullat. Kur u gdhi ai doli përjashta.  
     Bënte freskët. Nga Dajti i mbuluar me borë zbriste era e ftohtë dimrore, por ai frymoi me gjithë mushkritë dhe ajri i ftohtë i bëri mirë. Në lindje, dielli që ende nuk ishte shfaqur, kishte nisur rrezet lajmëtare që kishin ngjyer me të kuqin e zbehtë anët e reve të përhinjta. Dukej se dita do të ishte e kthjellët. Ecte me hapa të shpejtë në rruginat e spitalit pastaj doli në rrugë të madhe dhe hyri në kafen e parë që gjeti hapur. Kafen e rrufiti shpejt e pavëmendje. Gjetk i shkonin mendimet. Edhe cigarja nuk i shijoi. Nuk ndenji shumë dhe u kthye në spital. Besa ende flinte. Atij iu kujtua sesi flinte ajo në muajt e parë pas martese, mbuluar përgjysmë me çarçafët e bardhë. Ai rrinte dhe e sodiste i lumturuar, pa u nginjur me atë pamje. E priste sa zgjohej dhe e quante me shaka “Bukuroshja e fjetur” teksa ajo  i hidhej në krahë dhe e përqafonte. I mallëngjyer u ul dhe nisi të shfletojë gazetën që kishte sjellë me vete. Në pavijon filloi gjallëria, u ndërruan turnet.
     Besa psherëtiu dhe u zgjua. Bujari i mori dorën dhe ia puthi. Ajo dukej e freskët dhe mendjekthiellët. I dhuroi të shoqit një buzëqeshje të dashur dhe i tha:
      -Zemër,nuk paske ikur? U gdhive këtu me mua, ë? Uh,sa shumë kam fjetur, ç’ditë është sot, e hënë?
      -Po. Kam soditur tërë natën” Bukuroshen e fjetur”
      -Si tu duk?
      -Më e bukur se asnjëherë!
      -Sa i mirë je! Po puna?
      -E dinë që jam këtu . Për repartin tim do të kujdeset inxhinier Saimiri.
Infermierja solli një kupë me sherbet të trashë. Besa e gjerbi me gllënjka të vogla dhe me tropare, pastaj piu dy tableta dhe një paketë të vogël me një ilaç pluhur, pastaj hëngri me oreks mëngjesin që ia kishin sjellë në një tabaka: vezë rrufkë, mjaltë, gjalpë, qumësht dhe një simite të vogël të ngrohtë dhe erëmirë.
      Besa mori nga sirtari i komodinës sendet e tualetit. Duke u parë në një pasqyrë të vogël, u lye me një krem aromatik, pastaj u dha buzëve një të kuq të çelët, lyeu vetullat dhe qerpikët dhe pastaj parfumosi  gushën dhe gjinë.
     -U bëra e bukur për ty- tha ajo me një zë nazik.
     -Shpirti im, ti je e bukur pa asnjë stoli. Eja të të përqafoj.
Besa u ngrit dhe hapi perden e dritares. Dita ishte e kthiellët dhe me diell.
     -Do të më nxjerësh për një shëtitje? Kjo dhomë mu bë si qeli burgu. Dua të dal e të  shkrif pak trupin, me duket sikur kam ngrirë.
       Bujari e ndihmoi të vishte pallton, kokën e mbuloi me shallin e leshtë. Përjashta dita ishte e zhytur në një dritë të qartë e të ftohtë. Ajo i hodhi krahun dhe u mbështet te ai. Ecnin ngadalë. Zhavori i rrugicave kërciste nën këmbë. Ecnin pa folur. Pas një copë here, ajo e ndjeu veten të lodhur. Ishte çmësuar të ecte. U ulën në stolin e lulishtes. Dukej që po trokiste pranvera.Në postatet kishte nisur të mugullonte bari i ri. Në trëndafilat e krasitur,sythat kishin nisur të fryheshin dhe gjethëzat kishin nxjerrë majat e tyre të kuqërremta. Vjollcat dhe lulemargaritat kishin çelur. Besa mori një lulemargaritë  dhe nisi të shqiste petlat duke mërmeritur “Më do,s’më do “, por nuk e çoi deri në fund. I zuri të shoqit dorën dhe i tha:
     -Bujar, pse më ndodhi mua kjo ? Asnjeriu si kam bërë keq, askujt si kam dashur të keqen. Ende jam  kaq e re, sapo kam nisur jetën. U kam dashur të gjithëve. Edhe ty të kam dashur e të dua shumë, me shpirt. Oh sa shumë u dua ty dhe vogëlushin tonë. Ç’është ky dënim, kush na ka mallkuar, kush dhe përse?- Fliste me maraz, e përvuajtur, zëri delte si me të qarë, sytë ishin mjegulluar nga perdja e lotëve, që ishin gati të rridhnin.
     Bujari u zu ngusht. Ato pyetje ishin si një klithmë shpirti për të keqen që i kish gjetur.
     -Pse e mundon veten? Thjesht, ti je e sëmurë, dhe kush më shumë e kush më pak të gjithë sëmuremi. Sëmuremi dhe shërohemi. Edhe ti do të shërohesh, bile më shpejt sesa e mendon!
     - E thua që të shkosh radhën, se kështu duhet thënë,  apo vërtet kështu e mendon dhe e beson?
     -Më tha profesori dhe ai e di mirë. Ne të dy i besojmë atij, apo jo?
      Heshtje. Papritur e pyeti:
     -Pse nuk më merr në shtëpi. U bënë dy muaj këtu,plasa.
     - Do të ikim,por edhe pak durim.
     -Sa?
      Ai u zu ngusht. Hodhi sytë nga një pemë kajsie që ishte nën dritaren e dhomës së saj dhe i tha thuajse pa u menduar:
     -Kur ajo kajsia nën dritaren tënde të çelë lulet,do vij të të marr.
     Ajo i hodhi sytë nga kajsia. E shihte përditë,  por nuk i kishte shkuar ndërmënt se me lulet e saj do t’i vinte edhe shërimi.
      -Fjalë burrash!
      -Po. Fjalë burrash!
       Filloi të frynte erë e ftohtë dhe ajo po mërdhinte. U ngritën dhe shkuan në dhomën e pavijonit. Bujari pa orën. Edhe pak kohë i kish mbetur. Treni nisesh në orën njëmbëdhjetë.
      -Do ikësh?
      -Po,- i tha dhe me të dy duart kapi të sajat,- Besa ime e dashur, o nuse e vogël, jeta ime është  jotja, dashuria ime për ty është e pafund, deri sa të jem gjallë- dhe e përqafoi. -Po iki, por ty të kam gjithmonë me vete, ashtu siç kam në gjoks zemrën time, ti je brenda saj.
        Ajo u zuri besë fjalëve të tij, u kap fort pas tyre, aty ishte shpëtimi: te dashuria. Shpresoi se gjithëçka do të kalohej dhe tërë  vjetët, që i kishin mbetur për të jetuar, do të shkriheshin në dhëmshurinë e tij, në dashurinë dhe besnikërinë e  tij.
      -Do më marrë malli për ty….Të pres për fundjavë….Shko, e kuptoj që nuk jam ajo,  që ke dashuruar ti….Por do të jem. Ke për ta parë, së shpejti do të jem!
       Bujari iku zemërthyer. Priti autobusin që të arrinte në kohë te stacioni i trenit. I dukej sikur mbi shpinë kishte peshën e malit të dajtit. Po linte pas gjënë e tij më të shtrenjtë. Po ikte. ”Do të më marrë malli” i tha ajo. Po atë? Ikte, po ku po shkonte? E priste vetëmia e netëve të gjata e të ftohta. Askush s’i hapte derën, askush s’e priste e s’i fliste një fjalë, askush s’e përcillte, shtëpia ishte si një vrimë e zezë, si në një planet tjetër!
                                                                  *        *         *
Kajsia kishte mbirë aty vetiu, nga një farë e rënë në tokë rastësisht, pranë murit të pavijonit. Lulishtari nuk e shkuli filizin por e kujdesoi dhe ajo, nga viti në vit, u rrit dhe u bë një  pemë madhështore, me trung të trashë dhe kurorë të mbushur me degëzime që arrinin deri në katin e dytë. Verës bënte hije dhe përvit mbushej me fruta të arta, erëmira dhe të shijshme. Besës sapo i dilte gjumi pas terapisë, i avitej dritares, qoftë ditën apo natën dhe e kundronte me dhimbsuri: Edhe Kajsia vuante. Vjeshta i kishte çveshur gjethet, rrënjët flinin nën tokën e ftohtë e të lagët, kurorën dhe degzimet i rrihte egërsisht era e akullt dimrore, rrebeshet e shiut, ngricat dhe cikna, aq sa dukeshin si tëpajeta. Por ajo me durim priste pranverën  frymëngrohtë e ditëndritur që të lulëzonte dhe gjelbërohej. Kishte një të fshehtë, që e dinin vetëm ajo, Bujari , Kajsia dhe askush tjetër! “Kajsi moj kajsi, ti je shoqja ime, mikja ime, motra ime, shpëtimi im! Të dua shumë, po ti më do mua? Degët e kajsisë u lëkundën: “Edhe unë të dua!”- I thanë ato. ”Po çeli pra lulet, pse s’i çel?”, ”Mos u ngut, ende është ftohtë, por  po gatitem, pranvera është në prag. Gatitu edhe ti të shërohesh, përditë e nga pak”  Kështu bisedonin të dyja.
      Shkurti ishte në të dalë. Ato ditë moti ishte i ftohtë, me shira, tufane, rrufe e bubullima. Era e veriut uturinte, shiu rrihte si me kamxhik xhamat e dritares. Degët e kajsisë tundeshin, rënkonin, lëkundeshin dhe hepoheshin nga forca  e tufanit. Besa ndjeu sesi ato trokisnin në dritare. Kishin ftohtë? Kërkonin ndihmë,por ç’mund të bënte? Besa u trondit. ” O njerëz, kajsia ka ftohtë, po mërdhin, ndihmojeni, mbulojeni,ngroheni…..!”
     Koha ecte ngadalë, oh sa ngadalë! Besa numëronte  ditët, orët, minutat, ja ngulte sytë akrepit të sekondave që rrotullohej papra me tiktakun ritmik: Koha ikte, linte pas, në kujtesë ose  në harresë të shkuarën,  dhe vraponte drejt së nesërmes, të ardhmes, drejt shpresës dhe së mirës, por sa ngadalë!
     Moti u zbut, u ngroh. Dielli nga qielli i bruzët nisi të derdhte  dritën e artë. Besa Shikonte degët e kajsisë në kurorën e madhe. Ishin mijëra të rendeve e madhësive të ndryshme, me ngjyrë kafe të kuqërremtë me ca pikëzime të bardha të mezidukshme, të nyjëzuara, në çdo nyje të degëzave të holla e të shkurtra flinte një syth.  Ata të luleve ishin më të fryrë, më të plotë. Ata do të çelnin. Ajo priste, shihte sesi sythet fryheshin e zmadhoheshin përditë, luspat e vegjël të kafejtë kishin nisur të hapeshin dhe në majë të tyre , Besa dalloi ca pikëza të mezidukshme me ngjyrë të bardhë-trëndafili. Ishin si ca sy që hapen përgjysmë pas një gjumi të gjatë e të rëndë, si ca sogjetarë, për të vrojtuar diellin qiellin dhe dritën! Kajsia po çelte! Ndjeu ta kaplonte një ndijesi e re, në rrëmba sikur iu derdh gjallëri dhe forcë, ndërsa mendimet filluan ti kthjellohen dhe ti largohet ajo amulli ujem që i trazonte mendjen dhe i drobiste qënien. Ajo, pas shumë kohësh  buzëqeshi, ishte një buzëqeshje e vetvetishme, rrezëllitëse, që i vinte së brendshmi, si parandjenjë  e së mirës ,dashurisë dhe lumturisë, e kthimit të atyre ndjesive  që i kishin  munguar gjatë lëngatës së gjatë.
      Profesori, ndiqte me kujdes dhe përkushtim përmirësimin e saj të shpejtë, më të shpejtë sesa e kishte pritur. I ndryshoi terapinë, i hoqi insulinën dhe i dha qetësues më të lehtë, ndërkohë bëri me të biseda të qëllimëshme, të këndëshme. Ajo jepte përgjigje të mençura. Ky ishte një rast, që ai do ta përfshinte në një punim  të ri shkencor.
    Ishin ditët e para të marsit. Gjatë natës, pas ditëve të bukura e të kthiellta fryu era e ngrohtë e jugës. Besa si zakonisht iu afrua dritares dhe hapi perdet, që t’i thoshte “Mirmëngjes” shoqes së saj. Oh çfarë mrekullie i panë sytë! Befasisht, kishte ngjarë ajo që po e priste prej kohësh: Kajsia si një nuse, ishte mbuluar me velin e bardhë të luleve, dukej se në degët e kurorës së saj ishin ulur mijëra fluturza të bardha. Lulet: në çdonjerën kishte dashuri, shumë dashuri! Dëgjohej vëzhëllima e bletëve që ishin turrur të mblidhnin mjaltin. Nga ajo dashuri do të lindnin frytet e bukur , të artë, plot lëng e shije. Besa u ngazëllye, së brendshmi ndjeu ti buçiste një këngë, një melodi e harruar por që ishte aq e bukur, melodia e jetës, e mallit, e dashurisë. Hapi dritaren, kapi degët e lulëzuara, i ledhatoi, aroma e tyre e dehu, pastaj ajo i puthi: lehtë,ëmbëlsisht,siç puthet faqja e një fëmije. 
      E dalldisur doli në koridorin e gjatë dhe hyri menjëfrymë në infiermeri. Pa u thënë as mirmëngjes, u kërkoi letër dhe stilolaps. I dhanë një fije letër nga blloku i recetave. Ajo shkroi shpejt e shpejt adresën dhe tekstin: “Kajsia lulëzoi. Të pres. Besa”
     -Të lutem,- i tha Shpresës, infermieres që kujdesej për të-Nise urgjent këtë telegram. E kam me ngut! Shpresa lexoi tekstin por nuk kuptoi gjë. Do të jetë ndonjë trill nga të sajat, mendoi ajo.
      -Mirë,zemër,pa merak. Tani dorëzoj  turnin. Do ta nis menjëherë.
                                                                  *      *      *
     Të nesërmen, poshtë  dritares, në udhëzën e lulishtes, nën kajsinë e lulëzuar qëndroi një taksi. Prej saj zbriti Bujari me të motrën dhe djalin e vogël për dore. Shoferi i ra bories. Dritarja u hap. Besa s’u besonte syve: Kishin ardhur njerëzit e saj të dashur që ta merrnin. I përshëndeti me dorë, por nuk mundi t’u fliste. Kur pa të birin,  iu mblodh një lëmsh në grykë dhe i rrodhën lote gëzimi.
    Bujari hyri në kabinetin e profesorit. Ai e priti me atë buzëqeshjen e hijshme që si ndahej nga fytyra.
    -Kam ardhur ta marr Besën në shtëpi. I kasha dhënë fjalën se do t’a merrja kur të lulëzonte kajsia dhe kajsia lulëzoi , por për këtë e vendosni ju professor.
      Profesori nuk u ngut të jepte përgjigje. Vetëm tani ai e kuptoi atë që i kishte thënë infermierja se Besa bisedonte me kajsinë si me një të gjallë! Eh labirintet e mendjes dhe misteret e psiqikës- mendoi ai, sa pak gjëra dimë për to. Shëron fjala, shëron dashuria për jetën, dashuria për njerëzit, shëron besimi për të mirën e të bukurën……
    -Profesor?
   - Ne bëm më të mirën e mundëshme. Dy javët e fundit ka patur përmirësim të shpejtë dhe nga dita në ditë është bërë më mirë. Qëndrimi i mëtejshëm këtu nuk është i nevojshëm. Merre në shtëpi. Për të tjerat janë ato që kemi biseduar herët e tjera. Rrethojeni me dashuri e mirësi dhe të kini besim se shërimi do të jetë i plotë. Gjithëçka ndodhi do t’i takojë së shkuarës,   harresës. Do të vij ta uroj dhe të  ndahem me Besën e kam dashur dhe kujdesuar si t’a kasha bijën time……
     Besa me djalin në prehër dhe Bujari, ishin ulur në ndenjësen e pasme. Makina rrëshqiste butë në asfalt. Besa shihte e etur e me përmallim gjithëçka rrotull: fushat e blerta të zhytura në dritë , kaltërsinë e qiellit, retë e bardha si shtëllunga pambuku, njerëzit që punonin në ara, lopët që kullosnin në livadhe dhe aty-këtu,majë kodrave apo shpateve të tyre, në sfondin e rimtë të horizontit, pikëzimin e bardhë të pemëve të lulëzuara mes blerimit pranveror, që i jepnin peisazhit  bukuri e hijeshi. Ishin: kajsi ,kumbulla dhe bajame. Kishte ardhur pranvera. Natyra ishte zgjuar nga përgjumja.  Jeta buiste e harlisej ngado e kudo. E ndjente se edhe ajo, pas vjeshtës së zymtë dhe ftohtësisë dimrore,kishte çelur si një lule në pemën  e kësaj jete të ringjallur.
  Tiranë, shkurt 2013.

No comments: