Intervistë
Fadil Kepi, njohës i
legjislacionit shqiptar i përgjigjet disa pyetjeve të gazetarit Fran Gjoka
-Duke ju falënderuar që pranuat
t`ju intervistoj, dëshiroj t`ju kujtoj se kemi 40 vjet që njihemi nëpërmjet
gazetës “Mësuesi”. Çfarë janë për ju 40 vjet pune?
-Zoti Fran, ju falënderoj shumë për
intervistimin tuaj, që jeni një figurë e
nderuar e arsimit jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por dhe në shkallë vendi me
shkrimet tuaja në revistën “Mësuesi”, si dhe në mediat e tjera.
-Pas mbarimit të Universitetit të
Tiranës, gjithë jetën kam qenë me fat sepse kam punuar në disa institucione e qendra
pune me drejtues të mençur e të aftë nga të cilat kam përfituar shumë. Kështu,
në shtator të vitit 1963, nisur nga rezultatet, u emërova asistent pedagog i
statistikës në Fakultetin e Ekonomisë ku jepnin mësim profesorët e nderuar
Hekuran Mara, Vladimir Misja, Aristotel Pano, Fiqiri Sheri, autorë tekstesh e më
vonë akademikë dhe mbas pak muajve, specialist në Drejtorinë ekonomike të
Ministrisë së Arsimit, Kulturës e Sporteve për rreth 10 vjet dhe njëkohësisht
pedagog i jashtëm në fakultet. Ky fat më shoqëroi edhe në Ministrinë e Arsimit,
Kulturës dhe Sporteve, duke filluar nga
Ministri i aftë, dinamik, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë Thoma
Deliana, zëvendësit e tij të urtët dhe të mençurit Kadri Baboçi e Bedri Dedja,
specialisti e komentatori i parë i futbollit Anton Mazreku, trajneri i suksesshëm i ekipit kombëtar Zyber Konçi,
etj. nga të cilat përfitova shumë nga përvoja e tyre, stili dhe metoda e punës,
nga ku punova 8 vjet.
-Meqenëse, në ministri, fillova
punë direkt nga Fakulteti sipas rregullave duhet të qarkulloja dhe u emërova
drejtor i Bazës të Furnizimit për Arsimin, Kulturën dhe Sportin në Durrës, në
shërbim të zhvillimit të mëtejshëm në arsimit, kulturës dhe sportit që tashmë i
doja shpirtërisht dhe kështu në vitet 1978-1988, punova Drejtor i Institutit të
Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve në Ministrinë e Financave me ministër
financierin e aftë e të njerëzishëm Niko Gjyzari, në të cilin dhashë
kontributin tim për rritjen e ndjenjës së kursimit dhe depozitimin e mjeteve
monetare në banka në të cilat kishte siguri, ruhej me ligj sekreti i shumave, u
bë e mundur që lekët pavarësisht se depozitoheshin në një rreth, në raste
nevojash mund t`i tërhiqje në të 27 rrethet e Republikës.
-Këto arritje i bënit të njohura
nëpërmjet mediave?
-Në saj të bashkëpunimit me Radio
Tiranën, me gazetarët e talentuar si Agron Çobani, Alfons Gurashi, Lulzim
Vejsiu etj, bënim emisione të shpeshta edhe për domosdoshmërinë e sigurimit të
jetës gjatë udhëtimeve me tren, autobus, shtëpive private, bagëtive dhe kulturave bujqësore me
ish kooperativat bujqësore për mbrojtjen e tyre nga faktorët atmosferikë të
paparashikuara si përmbytjet, zjarret, rrufetë, breshëri, rrëshqitja e tokës,
shtrëngatat, etj.
Një foto me z.Fadil
Kepi
-Këto lidhje me mediat i mbajtët
edhe kur u emëruat drejtor i Sigurimeve
Shoqërore të Tiranës?
-Në vitet 1988 deri 1996, përsëri qarkullova
me detyrë drejtor i sigurimeve shoqërorë të Tiranës, prapë kisha lidhje me
sigurimet e organet e medias së shkruar dhe elektronike dhe përsëri me një
bashkëpunim me ritëm më të lartë me Radio e Televizionin Shqiptar, tani për t`u
shpjeguar shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, përmbajtjen e ligjit të
sigurimeve shoqërore që u miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 1.10.1993, i
cili pati shumë ndryshime me ligjin e mëparshëm, për kushtet dhe dokumentet që
duheshin plotësuar për të përfituar pensione në Shqipëri edhe atyre që shkuan në
emigracion. Në vitet 1991 si rrjedhojë e ndryshimeve demokratike shumë qendra
pune si minierat, kombinatet e tekstileve, SMT, ish kooperativat e ndërmarrjet
bujqësore, etj, u mbyllën dhe duheshin pritur e sqaruar hallexhinjtë brenda e
jashtë orarit për daljen në pension të plotë ose të pjesshëm, duke e vrarë mendjen
ditë e natë që të sigurohej dokumentacioni i nevojshëm që asnjë të mos mbetej
pa pension, dhe përsëri këtu më erdhi në ndihmë media e shkruar dhe elektronike,
gazetari i mirënjohur i Radio Tiranës Pirro Ruvina me të cilin kemi zhvilluar
mbi 2 mijë emisione, në Radiotelevizionin Shqiptar, Shkodër, Pogradec, Lushnjë,
Kavajë, etj dhe të gjithë televizionet e Tiranës. Vlen të theksoj dhe ndihmën e
madhe dhe intervistat direkte të drejtuara nga zëvendës - drejtoresha e Përgjithshme
e Televizionit Shqiptar Antoneta Malaj dhe gazetari i kompletuar i TVSH Bajram
Hoxha. Për problemet e pensioneve kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj po thuaj në
të gjitha gazetat, por veçoj këtu “ Revistën “Mësuesi” me të cilën jam bashkëpunëtor
prej 45 vjetësh, me kryeredaktor mikun tim Andon Andonin dhe gazetën “Telegraf”
me të palodhurin dhe dashamirësin e pensionistëve drejtorin Engjëll Musai.
-Mund të na thoni diçka për
kontributin tuaj në problemet që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore dhe ku juve
jeni një ndër njohësit dhe personalitetet më të njohur të vendit?
- Aktualisht popullsi prezente në
vendin tonë ka rreth 2,9 milionë banorë dhe 1,5 milionë janë në emigracion, dhe
nga këto ka rreth 600 mijë pensionistë, nga të cilat rreth ose mesatarisht çdo familje ka një pensionist
dhe nga numri i përgjithshëm rreth 60 mijë janë pensione familjare që u kane
vdekur prindërit dhe 50 mijë invalidë të plotë e të pjesshëm.
-Çdo vit dalin në pension 16 - 18
mijë vetë përfshi dhe emigrantët.
-Balzaku ka thënë: “Atë që duhet të
dimë më shumë dhe njohim më pak, janë ligjet”. Kjo më ka detyruar moralisht që
mbështetur në legjislacionin në fuqi të sigurimeve shoqërore dhe përvojën e
fituar si drejtues e zbatues i ligjit të pensioneve të shkruaj në media e të
shkruaj libra për t`u ardhur në ndihmë konkretisht shtresës së nderuar të
pensionistëve të cilët hasin problemet të shumta për saktësimin e viteve të punës
në ato qendra pune që ata kanë punuar si hidrocentralet kut sot të gjithë e dinë
se nga ajo punë e mijërave punëtorëve e specialistëve, ne furnizohemi me
energji elektrike, një pjesë e atyre që kanë plotësuar moshën e pensionit ndonjë nga “zyrtarët” pa u menduar mirë i përgjigjet:
janë djegur regjistrat e qendrës së punës, megjithëse ke librezën e punës duhet
ta vërtetosh me dëshmitarë se ku punuar etj. Më shqetëson fakti se nga
mosnjohja me themel e legjislacionit, nga mos-angazhimi sa duhet i disa punonjësve,
ka shuma sorollatje subjektive, që sjellin pakënaqësi, strese, ulin padrejtësisht
nivelin ekonomik të 60 e 65 vjeçarëve e të familjeve të tyre të cilët një pjesë
të pensionit e përdorin për barna mjekësore? Përmbledhja e fundit e
“Legjislacionit të Sigurimeve Shoqërore” botuar në vitin 2010 ka 610 faqe, ndërsa
fjala “PENSION” ka 7 germa, pra mesatarisht një germe i takon 88 faqe shpjegime
? A nuk janë shumë ?
-Të marrësh pension të plotë duhet
të kesh 35 vjet punë të siguruara, kur nga statistikat e gjendjes civile mosha
mesatare e gëzimit të pensionit është 25 vjet ose 10 vjet më pak dhe prapë të
sorollatesh ?
-Pa mohuar aspak punën që bëhet
nga kolegët e mi të sigurimeve shoqërore sidomos në drejtim të informatizimit të
veprimeve, përballimit të punës voluminoze për
rritjet e pensioneve që iu bënë nga 1 gushti i këtij viti, ka mjaft mangësi
në kuptimin e zbatimin e ligjit, vonesa në caktimin e pensioneve, tej afateve
vendosura nga Këshilli Administrativ i ISSH,etj. të cilat i lexojmë në gazeta,
i shohim në televizione e në dyert e gjykatave, Avokatit të Popullit,etj.
-Këto më kanë detyruar i dashur
Fran, ti evidentoj këto mangësi t`i analizoj e jap përgjigje në median e
shkruar e elektronike dhe të botoj deti tani 4 libra me karakter praktik për
pensionet mesatarisht me 150 faqe, dhe në librin e fundit të cilin e kam në përfundim
do të ketë formatin e xhepit me 100 faqe.
-Jeni zgjedhur deputet i Kuvendit
të Shqipërisë. Si e keni menaxhuar mandatin e popullit gjatë atyre viteve?
-Mbasi punova rreth 7 vjet
drejtori i sigurimeve shoqërore të Tiranës, në maj të vitit 1996, kur ish 55
vjeç, fitova si deputet i Partisë Demokratike me 68% në zonën time ku kam
lindur e jam rritur, legjislaturë e cila për arsyet që dihen zgjati rreth 14
muaj deri në fund të korrikut 1997, mbasi
u bënë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe unë nuk rikandidova.
-Më pas, cila ka qenë veprimtaria
juaj?
-Kaluan vetëm pak ditë dhe u ftova
nga ish Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Mustafa Kërçuku të jem
pjesë e stafit të tij, me detyrën e Kryespecialistit dhe pasi punova 3 vjet,
Kryetari i Akademisë së Shkencave Akademiku Ylli Popa më ftoi të konkurroja për
detyrën e Shefit të Sektorit të Përgjithshëm në atë institucion, ku punova deri
në moshën 68 vjeç, dhe tani që jam 72 vjeç prind e gjysh nga vajza e djali të dy të arsimuar e të suksesshëm në punë me
dy mbesa dhe jam i lumtur bashkë me gruan që e kam të një profesioni. Vazhdoj të
jem studiues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare, ku drejton me kompetencë
shkencëtari Aurel Plasari me një staf të përgatitur profesionalisht, që u shërbejnë
lexuesve me kulturë e devotshmëri. Aty, studioj jo vetëm ndryshimet e
legjislacionit shqiptar dhe më gjerë.
-Çdo vit, me kërkesën e fakulteteve,
drejtoj tema diplome të studenteve për problemet sociale, dëgjoj me vëmendje
mendimet e tyre për përsosjen e mëtejshme duke kërkuar më të mirën krahasuar me
vendet e tjera më të zhvilluara dhe nga ngarkesa që kam më duket se nuk kam dalë
në pension.
-A zemëroheni ndonjëherë?
-Ju pyesni me të drejtë a zemëroheni
ndonjë herë ? Po, por më shumë me veten, kur lexoj shkrimet e mija apo shikoj në
ritransmetim bisedat ne mediat elektronike dhe nuk i vë vetes notën 10 !
-Cilat nga ndryshmet që kanë
ndodhur në Shqipëri në vitet e
demokracisë ju bëjnë më shumë përshtypje?
-Kënaqem kur udhëtoj nëpër Shqipëri
dhe shoh ndryshime të vazhdueshme, shtëpi, shkolla e qendra shëndetësore të
reja me ujë e energji elektrike, që me liberalizimin e vizave jemi afruar shumë
me fëmijët emigrantë,që numri i automjeteve, celularëve, pajisjeve elektronike,
etj. sipas censusit të fundit të popullsisë është shtuar shume në krahasim me
regjistrimet e mëparshme. Një gjë është bindëse që ne jetojmë më mirë se prindërit
tanë dhe fëmijët tanë po jetojnë më mirë se ne dhe ky është suksesi i zhvillimit spiral
të shoqërisë. Numri i nxënësve e studentëve në rritje brenda e jashtë vendit
duke u ballafaquar çdo ditë me arritjet botërore në çdo fushë të jetës e
sidomos në elektronikë është një garanci për ecjen përpara, me gjithë problemet
e mangësitë e përditshme që na shqetësojnë e na ngarkojnë me strese, ku secili
duhet të shohë edhe përgjegjësinë e tij.
-Falë prindërve të mi, jam mësuar
të punoj që në moshë të vogël, por dhe në konvikte ku kam kaluar 8 vjet mësues
e edukatorë na mësuan të jemi të zotë të vetvetes, të pastronim mjediset ku mësonim
e jetonim, të gatuanim e hekurosnim. Administratorja e shtëpisë është gruaja,
ajo blen e gatuan, dhe unë ha dhe e falënderoj për atë që bën pa i bërë asnjë vërejtje,
nuk pi duhan dhe asnjë nga llojet e pijeve alkoolike. Ajo ankohet ndonjë herë
kur vonohem në kompjuter apo bibliotekë dhe tavolina në kuzhinë është e
shtruar. Mundohem të jem korrekt me motrën, vëllezërit, farefisin, shoqërinë, e
komshinjtë, por gjithnjë duke parë me kujdes edhe ndonjë gabim apo të mangësi në
jetën time, të përditshme me bindjen se për sa kohë jetojmë duhet ta korrigjojmë
veten.
-Vendlindja juaj është Preza e
Tiranës. Do të dëshironit të na shpjegoni diçka rreth Prezës si një vend i
dëgjuar historik?
Komuna e Prezës bën pjesë në
prefekturën e Tiranës, ka rreth 7.000 banorë dhe përbëhet prej 7 fshatrash: Preza Kala, Gjec-Kodër, Fushë –
Preza, Ahmetaqi, Palaqi, Ndërmejtas dhe Bregu i Shkozës. Kryesisht janë banorë autokton të fshatit por edhe një pjesë të ardhur nga rrethe e shtete
të tjera, përfshi këtu dhe gjermanë, italianë, etj. Regjistrimi më i hershëm i
popullsisë banuese në Prezë njihet viti 1703 me rreth 900 banorë. Preza
kufizohet me rrethin e Krujës dhe të Durrësit.
Kalaja dhe sahati i Prezës
Kalaja ku po zhvillojmë sot bisedën
është 277 metra mbi nivelin e detit. Sipas disa historianëve dhe arkeologut
austriak Prashniker ajo ka filluar të ndërtohet 2400 vjet më parë. Kalaja ka
gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve është rreth 1,4
metra. Humanisti i madh shqiptar Marin Barleti në librin e tij “Histoia e Skënderbeut”
të shkruar italisht në vitet 1508-1510 shkruan :“Preza ose Tirana e vogël”. Pozicioni
gjeografik i Prezës, vëzhgues e mbrojtës e bënë të domosdoshme ndërtimin e
kalasë si pikë komunikimi me Kalatë e Lezhës, Ishmit, Krujës, Petrelës, Ndroqit
e Durrsit. Nga Kalaja e Prezës duket mali i Tomorrit dhe deti Adriatik.
Pusi afër Kalasë është ndërtuar rreth
200 vjet më parë.
Siç e shikoni në Kalanë e Prezës është
ndërtuar dhe kulla e sahatit në vitet 1800-1850 ( para atij të Tiranës) ora e të
cilit deri në vitin 1914 dëgjohej jo vetëm, në fshatrat për rreth por deri në
Krujë dhe në afrësi të Tiranës. Albanologu gjerman Johann George Fon Hahn i
cili në vitin 1853 ose rreth 160 vjet më parë e përshkruan kullën e sahatit dhe
thekson se sahati në atë vit punonte. Në
vitin 1914 ora e Prezës është grabitur nga ushtritë pushtuese në luftës së parë
botërore. Drejtuesit Komunës, banorët e saj dhe emigrantët prezgjanë në bashkëpunim
ndërmjet tyre kanë programuar punën, kanë hartuar projektin dhe preventivin për
blerjen e vendosjen e sahatit. Në vitet e luftës së parë botërore arkeologët e
Institutit Arkeologjik të Vienës Austriakët Kamilo Prashniker dhe Amold Shober,
kanë qenë në Prezë dhe kanë bërë rilevime dhe fotografime në kalanë e Prezës. Në
librin e tyre “Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” botuar në Vjenë
në vitin 1919, përkthyer e botuar në gjuhën shqipe në vitin 2003, dhe promovuar
në Ambasadën Austriake në Tiranë,me pjesëmarrjen edhe të Akademikëve Shqiptarë,
në faqen 81 është fotografuar dhe planimetria e Kalasë së Prezës. Për vlerat
historike, kalaja e Prezës është monument kulture dhe mbrohet nga shteti nëpërmjet
Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë.
Mund të na tregoni disa ngjarje të
ndodhura në kalanë e Prezës si dhe për disa personalitete të saj?
Në kalanë e Prezës ku jemi ne sot:
Sipas historianit italian Biemmi më 26 janar 1445, është bërë dasma e martesës së motrës të vogël të Skënderbeut Mamicës me
Muzakë Topinë nga Petrela. Nusja nga kalaja e Krujës, dhëndëri nga kalaja e
Petrelës ndërsa dasma u bo në kalanë e Prezës. Rast i vetëm në historinë e Shqipërisë
dhe asaj botërore. Skënderbeu, e zgjodhi Kalanë e Prezës për dasmën e të motrës
jo vetëm për bukurinë natyrore të saj,
por meqenëse ishte kohë lufte në radhë të parë për besën e bujarinë e prezgjanëve,
që çdo gjë të shkonte mbarë.
-Në vitet ”70” është martuar mësuesi
i mirënjohur i shkollës në Prezës Kujtim Xhepaxhiu me zonjushën Fitnete Daci,
sot të dy janë gjyshe e gjysh.
-Në vitin 2008 në këtë Kala nga
Televizioni shqiptar është zhvilluar konkursi “Mis Shqipëria”, nga regjisori
Petri Bozo.
-Shkolla e parë shqipe është
ngritur në vitin 1914 dhe mësuesi i parë ka qenë Qazim Domi nga Shijaku. Për 28
vjet drejtor i shkollës së Prezës ka qenë mësuesi i merituar Gani Dervishi i
cili është në pension dhe gëzon shëndet të mirë. Rast i rrallë në të gjithë
Shqipërinë. Aktualisht ka kopsht fëmijësh, disa shkolla 9 vjeçare, një shkollë
të mesme e cila mban emrin e ish drejtorit të shkollës në vitet 1937-1941 dhe Qendrën
shëndetësore.
Në këtë shkollë kanë mësuar
Akademiku Bajram Preza dhe Profesor Zyhdi Dervishi dhe të tjerë e kanë përfaqësuar
zonën në Kuvendin e Shqipërisë. Mijëra
nxënës, shumë nga të cilët kanë vazhduar studimet brenda e jashtë vendit me
rezultate të shkëlqyera diplomuar në profesione të ndryshme punojnë mirë këtu
dhe në vende të tjera.
-Ç`mund të na thoni tjetër për
Prezën?
Para vitit 1914, në Prezë ka patur
shkollë fetare që ndryshe quhej “mejtep” ku mësohej edhe gjuha turke. Në faqen
217 të librit të tij “Historia e Skënderbeut” lexojmë: “nën këmbët e kalasë
shekullore të Prezës shtrihet një fushë shumë e bukur dhe gjanë”. Prifti,
arkeologu, shkrimtari, nderuar me titullin “Nder i Kombit” Shtjefën Gjecovi,
lindur në fshatin Kryezi të Pukës, mbasi e ka vizituar Prezën, në librin e tij
“Besë dhe Dashni” në vitin 1902, afërsisht para 110 vjetëve ka shkruan: “Preza ose Tirana e vogël, ta përtërinë jetën,
rreshtat e pemëve dhe bukuria e natyrës ti merr mentë, e të verbon nga sytë. Në
Prezë sheh gjithë nur pemësh, bimësh dhe lulesh dhe më poshtë vazhdon:
Prezë, o Prezë me të
madhnue
Kah t’ za fill, unë nuk e
di
A prej fushës me fillue
A
prej kodrash plot hyri ?
Preza përmendet edhe në tekstet e
Historisë së Shqipërisë, Historisë së Skënderbeut, Historisë së Tiranës, me
autorë, Marin Barletin, Fan Noli, Kristo Frashëri, etj.
Bukurisë së Prezës prej rreth 7
breza i kanë kënduar shumë këngëtarë si Familja
e Xon e Hafsa Zyberit në Tiranë e cila në një këngë këndon:
Kumuri e lalës,
O moj qafë-zezë,
Dil dhe prite lalën,
O në Fushë Prezë.
Kishte të drejtë Xakja,
Kmurija mbasi shëtiti në gjithë Shqipërinë,
si vend më të bukur gjeti Fushë Prezën.
Është shumë e njohur kënga tjetër
popullore që ekziston e regjistruar në fonotekën e Radio Tiranës :
Unë ngas qetë, e ti hudh farë moj gocë
prezgjane,
Që ta mbjellim misër të bardhë moj
gocë prezgjane.
Këngëtarja e re Olta Boka e cila
ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, vajza e këngëtarit Reshit Boka është
mbresë nga fisi i nderuar prezgjan Mesiti.
Artisti prezgjan Veli Caka, i cili
i bie disa veglave muzikore ka marrë pjesë në disa festivale folklorike të
Gjirokastrës dhe është nderuar me çmime bashkë me Abdyl Kepin.
Nga Preza kanë dalë sportistë të
talentuar në vrapimet e gjata si Limon Daci, futbollistë që kanë luajtur me
ekipet e para të “Tiranës”,”Dinamos”, etj.
Cila mendoni se është prejardhja e
emrit Prezë?
Sipas Historianëve Marin Barleti
dhe Fan Noli në qytezën e Prezës ka jetuar fisi i Parthinëve. Më vonë e ka marrë
emrin Mazakene, ndërsa në regjistrimin e parë të popullsisë dhe pasurisë që është
bërë nga Turqit në vitet 1431-1432, Preza figuron më emrin “PRESA”.
-Cilat janë disa cilësi të
prezgjanve?
-Prezgjanët i karakterizon besimi tek zoti, optimizmi, ndershmëria dhe
humori. Janë të urtë, të dashur, bujarë
mikpritës intelektualë të cilët e duan punën. Ata janë bujq, blegtorë, vreshtarë,
bletërritës, artizanë të shkëlqyer ose më shkurt prezgjanit “çfar i sheh syri
ia bën dora”. “Toka ka thënë shkencëtari Adam Smith është nëna e begatisë ndërsa
puna babai i saj”. Në Prezë gjen në punë edhe mjaft fëmijë gjatë pushimeve
verore, pensionistë sepse në bujqësi, blegtori ka punë për të gjithë. “Puna ka
thënë një filozof frances largon stresin, mërzinë, vesin dhe varfërinë”.
Po përmend vetëm dy shembuj: -Një
nga bujqit më të dalluar ka qenë Selë Bala, me një dorë i cili e sfidoi
pensionin e invalidit të cilin megjithëse i takonte nuk e morri asnjëherë por u
bë shembull për të rinjtë e Prezës.
-Një tjetër komshi i tij Ali Kurti
mbi 90 vjeç, punon si blektor dhe bletë rritës, ka marrë pjesë në panairet
konkurruese të rritjes së deshve dhe është nderuar me çmim në Lezhë. Një ditë
shkon dhe takon dentistin e fshatit dhe i thotë: kom një hall të madh, “a mund
të mjekosh një dhëmballë të dashit që e ka të sëmurë” ?.
Mjalti që prodhon Aliu me bletët e
tij është pëlqyer jo vetëm në vendin tonë
por dhe nga një familje gjermane që banon komshi me Aliun prej 15 vjetësh.
Veterineret thonë se janë të rralla rastet që delet lindin qengja dy herë në
vit, por Aliut kjo me delet e tij i ka ndodhur shpesh.
Shumë
familje prezgjane i hapën dyert vëllezërve kosovarë në vitin 1999.
Prezgjanët
e hershëm e kanë konsideruar tokën të bekuar dhe kanë ditur ta vlerësojnë e
ruajnë atë. Shtëpitë e banimit i kanë ndërtuar në kodrën e mbjellë me ullinj
dhe pemë të tjera frutore, ndërsa ditën punonin në arat e tyre, por vitet e
fundit fatkeqësisht toka është shpërdoruar jo vetëm me ndërtimin e shtëpive të
reja, por edhe lokaleve, lavazheve në tokën e bukës, etj. duke e shpërdoruar atë.
Profesor
Kristo Frashëri shkruan se në vitin 1769 nga Durrësi janë eksportuar 2.600 fuçi vaj
ulliri dhe 1.400 dengje duhan të prodhuar në Prezë, Ndroq, Krujë, etj.
Pëlhurat e prodhuara në Prezë me vegjë dhe qëndismat artistike nga
vajzat e gratë, janë shumë të bukura me vlera artistike dhe të kërkuara në
tregjet brenda e jashtë vendit.
-Diçka për ndarjen administrative
të Prezës?
Shumë historianë Tiranën e përmendin
si qytet dhe Prezën si qytezë. -Në vitin 1800 Preza varej nga pashallëku i
Tiranës. -Nga viti 1925 deri në vitin 1947 ka qenë Komunë dhe varej nga
Prefektura e Durrësit. -Nga viti 1992 vazhdon të jetë Komunë dhe varet nga
Prefektura e Tiranës. -Shumica e popullsisë është autoktonë prezgjane por nga lëvizja
e popullsisë ka edhe të ardhur nga rrethet e tjerë. Rreth 20 për qind e banorëve
janë në emigracion, të cilët vijnë shpesh dhe disa nga ata janë kthyer dhe kanë
filluar biznesin e tyre në vendlindje. Shumica e shtëpive në Prezë janë të
reja, të furnizuara më së miri me ujë dhe energji elektrike, po thuaj të gjitha
fshatrat janë me rrugë të asfaltuara. Në Prezë nuk ka tokë të pa punuar, nuk ka
shtëpi pa lule natyrale. Kjo ka bërë që
të mos ketë largime nga Preza, por përkundrazi, prezgjanë të larguar më parë,
kanë ardhur dhe kanë ndërtuar shtëpi në Prezë. Është shtuar numri i autoveturave
dhe i telefonave celularë. Ka shumë emigrantë që punojnë dhe jetojnë në vende të
tjera, por ka shumë dhe nga ata që janë kthyer dhe në mënyrë të suksesshme me përvojën
e përfituar kanë hapur biznese në Prezë dhe rrethe të tjera. Si kudo në vendin
tonë, vitet e fundit ka rënë numri i lindjeve dhe është ulur numri i pjesëtarëve
në një familje. Në Prezë, në raport me popullsinë, është trevë që e
karakterizon dashuria dhe respekti me njeri tjetrin e me të afërmit, sidomos në
hidhërime. Edhe në Prezë thonë “hidhërimet me miq zvogëlohen, ndërsa gëzimet me
miq e të afërm zmadhohen”. Mendoj se këtu ka ndikuar pozitivisht edhe feja
islame e cila thotë: “ përhapni urtësinë, bamirësinë, dashurinë ndaj prindërve,
të afërmve, jetimëve dhe çdo nevojtari. Mos e braktisni njeri tjetrin dhe mos u
hidhëroni më shumë se 3 ditë”.
-Çfarë tjetër vlerësoni ndër
zakonet e prezgjanëve?
-Nga Preza nuk ka asnjë familje që
të ketë dërguar prindin në shtëpinë e të moshuarve, por janë të shumtë shembujt
e tjerë që nuset e djemve i kanë shërbyer prindërve të burrit si nënës dhe babës
së vet. Një zonjë e nderuar Tixhe Mezini
invalide me një dorë, meqenëse nuk kishte fëmijë birësoi nga shtëpia e Fëmijës
një djalë me emrin Bashkim. Jo vetëm Tixhja e trajtoi si fëmijë Bashkimin të
cilin e rriti dhe e martoi por dhe Bashkimi e trajtoi nënën që e birësoi si nënën
e vet.
-Kemi dëgjuar për mjekësinë
popullore në Prezë. Çfarë përfaqëson ajo?
Duke qenë se në Prezë ka shumë pemë
dhe lule natyrale dhe të kultivuara është zhvilluar edhe mjekësia popullore.
Mjeku i mirënjohur i dermatologjisë Kadri Kërçiku, emrin e të cilit e mban edhe
një pavion në spitalin “Nënë Tereza”, vinte shpesh në Prezë, bashkëpunonte me
familjen Garipi, ku nonë Moja me ilaçe popullore të prodhuara nga bimët dhe
lulet e kultivuara, shëronte sëmundje si ajo e sifilizit, plasjes, etj.
-Po kuzhina e Prezës, cila është?
-Preza duke qenë historikisht
qytezë, dhe të parët tanë kanë zhvilluar tregtinë e vajit të ullirit, bulmetit
me Shkodrën, Malin e Zi, etj. kanë një kuzhinë të pasur dhe gjellë shumë të
shijshme karakteristike. Hasudja, kabunia, byreku me qumësht, petullat me vaj
ullini, mishi me nerden, pilaf me grunë të shtypur në dybek të cilin disa
familje e ruajnë si relike edhe sot, është vështirë t`i gjesh të gatuara në kuzhina
të tjera. Para disa vitesh, mora pjesë në një dasmë ku hoxha i fshatit martonte
djalin dhe sipas traditës nuk nxori pije alkoolike dhe meze, por supë me të
brendshme bagëtish, mish me zarzavate, pilaf, hasude, kabuni, bakllava mbyllet me kos delesh. Në fund të darkës më i
moshuari i sofrës uroi: Të trashëgohet djali hoxhë efendi Hakiu. Sonte na ke kënaqe
me gjellë prezgjone. Kam 10 vjet që nëpër dasma ha vetëm meze.
-Çfarë vendi i ka kushtuar media
Prezës dhe banorëve të saj?
Vetë Kodra e Prezës me lartësi 277
metra mbi nivelin e detit është antenë, prandaj dhe Kompanitë AMC e VODAFON,
kanë vendosur antenat e tyre. Rreth 60 vjet më parë, para elektrifikimit, po
thuaj në çdo shtëpi në Prezë kishte radio-galenë ndërtuar me kufje telefonike.
Dhe disa familje të tjera kishin radio me vaj guri dhe disa prej tyre gramafonë,
më vonë radio me bateri e deri në ditët e sotme ku familjet janë pajisur me
televizorë, kompjuterë, internet, etj. Emri Prezë përmendet nga shumë historianë
e studiues shqiptarë e të huaj. Televizionet e ndryshme dhe institucionet
shkencore kanë zhvilluar shumë emisione
të shoqëruara me pamjet e bukura e mahnitëse të kësaj zone.
-Ka botime librash që flasin për
Prezën?
-Librat e botuara ku flitet për Prezën janë të shumtë. Vitet
e fundit në Prezë ka një televizion lokal që menaxhohet nga mësuesi Muharrem
Budlla. Për rreth 2 vjet shoqata me të
njëjtin emër bëri të mundur të botohej gazeta “Preza” në të cilën intelektualët
e kësaj zone pavarësisht se ku banojnë brenda apo jashtë Shqipërisë me shkrimet
e tyre kanë evidentuan vlerat historike, arsimore, kulturore, të traditave më të
mira.
X x x
Në mbyllje të kësaj interviste, më
lejoni i nderuar Fadil të citoj vargjet e botuara në gazetën “Telegraf” nga gazetari
i njohur Kristo Mërtiri dhe që mbajnë datën e botimit më 23.7.2011.
Kjo kumurije e lalës, Tek ky burrë i mençur, Falen gazetarët,
Zërin ku e gjeti, Me themele Preze, Me një barrë shkollë,
Ja fali në Prezë, Falen hallexhinjtë, Kurrë s’thotë u lodha,
Vetë Fadil Kepi. Marrin pakës rreze. Është institucion.
Dy faqe gazetë, Unë nga Tepelena,
Mbushur me çiltërsi, Rashë në dashuri,
Njerëzit njohën Prezën, Në kalanë e Prezës,
Nëpër Shqipëri Do ngrej një seli,
-Falënderime për intervistën i nderuari Fadil Kepi!
-Edhe unë ju falënderoj juve dhe
ju uroj punë të mbarë!
No comments:
Post a Comment