Monday, 17 February 2014

Unikale



Vilhelme Vranari Haxhiraj


              Pjesa 7
  Kthimi nga muaji i mjaltit për mua dhe Edionin ishte rikthim në realitet.U kthyem në shtëpi të shlodhur, gjithë energji, me përshtypje të bukura , me shumë njohuri mbresëlënëse për Egjiptin dhe me përvojë të re. Ishin këto ndjesi që për herë të parë më bënë të thyeja akullin dhe botova diçka në një media lokale. Ishte media e re"Fjala e Lirë" në Elbasan, që si emri i saj i bukur, i mrekullueshëm, ajo edhe të frymëzon e të bën të ndihesh dikush tjetër. Kështu, e lirë ndihesha edhe unë, kur lexova mendimet e mia në gazetë. Duk e vënë veten në vënd të kritikut, gjeta gabimet, të cilat nuk duhej t'i përsërisja më. Kur e rilexova, vura re edhe vetë se kishte diçka të veçantë në atë përshkrim... Aty mungonin idetë dhe vizionet politike... "Ndoshta këtë mendim të lirë kam dashur të shpreh dhe njëkohësisht këtë dua ta dëgjoj apo lexoj dhe nga të tjerët..." 
   E pavarur mendërisht dhe shpirtërisht, e pandikuar nga askush dhe nga asnjë ide politike, i tillë ishte edhe krijimi im i parë dhe e tillë do të ishte edhe krijimtaria ime edhe në vazhdim... U paraqita me një përshkrim të udhëtimit tonë në Egjipt. Ato dhjetë ditë kisha mbajtur si një tip ditari, ku kisha shënuar vendet, monumentet, kohën e vizitës, moshën e tyre, faraonët, ligjet që nga themelet e kulturës, ekonominë, zakonet dhe sa e sa të tjera... Që i përkisnin këtij vendi. I përshkrova të gjitha me detaje, sidomos magjinë që të dhuronin mëngjeset dhe perëndimet e veçanta në shkretëtirë, ujërat termale, rrugën e pafund të Nilit, veçoritë dhe bukurinë magjepsëse të shkretëtirës, e cila ndryshonte pamjen e relievit vetëm pas një stuhije ere. Kurse vendet tona duan miliona vjet të pësojnë ndryshime gjeofizike. Të gjitha këto që përshkruaja ishin të shoqëruara me shumë fotografi. Nuk mund të them se isha e afirmuar në fushën e letrave, qysh me shkrimin e parë, por di që më shërbeu vetëm si provë dhe u prit mirë. Kjo gjë më nxiti, më dha kurajo për të shikuar pak me tej të mundshmes që na ofron përditësia. Ndërsa lexoja shkrimin tim të parë, pyesja veten: " O Zot, si ka mundësi që vendin tonë me Egjiptin e ndanë vetëm deti Mesdhe, pra brigjet tona lagen nga të njëjtat ujëra dhe ne nuk dimë asgjë për këtë vend me kulturë të lashtë. Po përse vallë na kanë mbajtur të lidhur me zinxhirë skllavërie, përse?! Ato pranga e mure betoni që na ndanin nga kultura dhe zhvillimi botëror, ishin aq të padukshme, kurse ne më fanatik se Zoti "si krijues i gjithësisë", besonim vetëm në farsitetin e arritjeve të vendit tonë si "Fanar ndriçues në botë". Si nuk e kuptonim mashtrimin, gënjeshtrën dhe hipokrizinë e një sistemi pa themele? Ndër ne, më të vjetrit e kontinentit plak, për fat të keq, ka ende që vazhdojnë të besojnë edhe sot, se bota i kishte sytë nga ne... Të zhytur në errësrë të plotë në ditën me diell, të verbër para së vërtetës së hidhur, të shurdhët para fshikullimave të kamxhikut të kohës, s'ishim në gjendje ta shikonim realitetin në sy, vetëm për të gjetur sadopak drejtësi. Kemi ecur symbyllur, veshvulosur e gojëkyçur, vetëm për kotheren e bukës që na siguronte një jetë prej skllavi, të diktuar dhe të drejtuar nga mësimet dritëdhënëse të utopisë marksiste."- mendoja me gazetën para syve dhe doja të qaja, ta shprazja vrerin që më kishte kapluar dhe helmuar çdo qelizë të kurmit tim. Kur mendoja këto diferencime mes nesh që ishim zhytur në mjerim dhe të tjerëve që ecnin drejt niveleve të larta të zhvillimit, më dukej se ne ishim inekzistentë për botën e kulturuar. Shpesh kam qenë e mendimit se pas rënies së diktaturës, ne po e nisnim nga asgjëja... Aq të varfër ishim shpirtërisht, mendërisht pa e zënë në gojë ekonominë. Nuk i përkisja asaj shtrese të diskriminuar e të mohuar, por isha pjesë e së tërës së mashtruar me fjalë e sllogane të bukura dhe të hiperbolizuara... 
   "Nëqoftëse veprat njerëzore kanë një mesazh me gjthëpërfshirje sociale, pasohen jo vetëm nga vlerat njohëse por edhe nga ato ndikuese. Mos e prishni trashëgiminë jetësore, kur nuk jeni në gjendje të ndërtoni një jetë tjetër më të begatë dhe pëemes saj të siguroni një vazhdimësi më të mirë. Mos u premtoni njerëzve të thjeshtë qiejt dhe parajsën, kur në tokë keni mbiell varfërinë. Mos u jepni pushtet pakufi atyre që s’kanë asnjë vlerë morale dhe as dinjitet mes bashkëkombasve ku jetojnë. Mos ndërtoni çerdhet e shpifjes,e shantazhit, të gënjeshtrë dhe hipokrizisë, se ato do ta helmojnë më pas të gjithë jetën kombëtare!"- ishin këto mesazhe të dala nga shpirti, po kush më dëgjon se? I vuajturi, i papërfilluri, duket se as sheh, as dëgjon, as mendon. Ndaj nuk ka se ç'të thotë.
  Marrëdhëniet në punë më bënë që unë të hasja çdo ditë probleme të tipeve të ndryshme e me gjithëpërfshirje sociale. Kur kthehesha nga Shtëpia Botuese, isha e fryrë nga ndryshimet që po pësonte shoqëria. Dukej sheshit që pompoziteti farsë, si një flluskë sapuni i pronarëve të rinj, binte ndesh me realitetin e rëndomë, ku e vërteta e pamohueshme e shumicës ziente në një kazan tok me varfërinë. Këtë mllef dhe inat e shprehja në mbrëmje në shtëpi.
    "Është kjo farë e keqe që nuk lë të ngrejë kokë i moralshmi, i afti profesionalisht.Ndaj nuk po merr fund emigracioni." -mendoja me dhembje.
  -Më vjen të pëlcas, Edion...kam dëshirë të ulëras sa tunden malet. Dua t'u gërthasë e t'ua përplasë në fytyrë shumicës së atyre që kërkojnë të jenë të verbër, të jenë shurdhë me dëshirë dhe memecë duke kafshuar gjuhën për të drejtat e tyre që ua kanë shkelur me këmbë një jetë të tërë. Nuk janë në gjendje të shohin atë që duhet parë, të dëgjojnë atë që duhet dëgjuar dhe të thonë atë që duhet rrëfyer. Të gjitha këto duhen reflektuar jo nën zë, as me gjysmë zëri, por me ulërimë se sot ne jemi brezi që jetojmë qytetërimin e njëzetëenjëjtë. Nuk na falet t' i lejojmë politikanët e pangopur, që vetëquhen  "aristokraci e re", që na shesin mend me luksin e tepëruar të mbrëmjeve të tyre galá. Kur shumica e qytetarëve marrin bukë dhe ushqime me listë, kurse gratë e tyre për një mbrëmje të tillë, marrin vetëm një fustan dy mijë Euro. A nuk është krim heshtja kur padrejtësisht na kanë detyruar duke na hedhur hi syve, na vulosën veshët me dyll dhe na kanë prerë gjuhën?! Megjithëse politika nuk i pranon ndryshimet që përherë janë në favor të tyre si shtresë e privilegjuar, por ato janë jo vetëm prezente, jo vetëm në rritje me hapa galopante, por janë edhe të pakundërshtueshme. Pra niveli i lartë i jetës së tyre është i ligjëruar,- i ankohesha tim shoqi.
  -Pse ndodh ky absurditet paradoksal?-është pyetje që e bëj jo vetëm unë, por mund ta bëjë kushdo.
  -Ke të drejtë që bën një pyetje të tillë,Valbona. Veprimi i tyre i palogjikë, bije në kundërshtim me atë që thonë e që premtojnë, duke u maskuar si njerëz të respektueshëm, sedpse janë të veshur me pushtet. Veçse kanë harruar se mirësinë e besimin e atyre që përfaqësojnë, e kanë shpërdoruar, e kanë shpërblyer tejet varfërisht. Më e keqja qëndron se edhe këtë lëmoshë e japin vetëm për mëshirë dhe kurrë për mirënjohje. 
   -Më pëlqen shumë karakteri yt i qëndrueshëm, i drejtpërdrejtë dhe forca  e fjalës që nuk njeh frikë...Ardita.
   -Valbona...Ndaj doja të jetoja që t'i rrëfeja këto e sa gjëra të tjera që nuk më lenë të marrë frymë lirisht. Porse mjerisht...
-Mjerisht?! Edhe?- pyeti me kureshtje kolegia ime.
    -Fati luan lojën e tij të verbër dhe ëndrra e vërtetë venitet. Në raste të tilla si kushdo, edhe unë u frenova mendërisht me një forcë apo shtysë të jashtëzakonshme. Fati im mizor më bëri që edhe unë vet bija në mëkat ndaj Zotit, duke humbur besimin ndaj tij.
    -Mendoj se fati nuk përzgjidhet, ndoshta, ndoshta paravendoset nga një fuqi e mbinatyrshme.
   -Vdekja e pavdekshme, e gatshme për të shkatërruar ëndrra e jetë, do të më tërheq në ftohtësirën e harresës, duke i lënë të gjitha planet e së nesërmes në udhëkryqet e jetës, në mesrrugën e mosrealizimit. Është për të ardhur keq, por ky ishte kufiri mes ekzistencës dhe mosekzistencës së qenies sime.
  -Mos u bëj budallaqe, mikja ime e mirë... Ti e ke përpara jetën dhe do ta shpalosësh talentin tënd në një këndvështrim të ri. Mos harro kurrë se me sa pasion shkruan.
   -Dashuria dhe pasioni jetojnë në fizikun e cilitdo, por janë më të evidentuara tek shkrimtari, shkencëtari, studiuesi apo artisti, pra tek njerëzit e vlerave kombëtare. Dashuria ime për jetën, për njerëzit është shprehur në çdo faqe, ku dashuria për letrat ndihet kudo, në çdo paragraf e frazë, apo nëpër vargjet, ku ravijëzohen tipa karakteresh, mes të cilëve rritet pasioni im për të shkruar. Tek disa krijues që jetojnë gjatë, ndodh që pasioni vdes më herët dhe ai vazhdon të bëjë një jetë të zbrazët, e cila e shndërron në hijen e së shkuarës së tij.
   -Ardita, për një autor pasionant që pëlqehet nga kritika dhe lexuesi, pas vdekjes fizike të tij, do të jetojë në kohë fama dhe emri i mirë. Fama në dukje është abstrakte, por ajo diçka që e bënë të tillë dikë, është emri që nuk vdes kurrë.
   -Mjerisht koha kurnace nuk më lejoi as të njihesha si krijuese, pa le më pastaj... Kush pyet për lavde e famë...Jeta është ajo që të krijon të gjitha mundësitë, që fatkeqësisht mua më është privuar kjo e drejtë.
   -Thonë se dashuria të mban gjallë. Unë rrallë kam dëgjuar apo njohur dy të dashuruar kaq shumë sa ti me Edionin.
   -Ato janë gjepura. Ndodhí të tilla dhe dashuritë e jashtëkzakonshme i përkasin një kohe të largët, asaj të romantizmit. Atëherë vdisnin për dashurinë, kurse tani...Unë nuk e dua një sakrificë të tillë sublime nga Edioni. Ai duhet të jetojë edhe për vete edhe për mua...Kemi dy vajza si yje dhe fati i keq, do t'i lerë pa nënë, por jo t'i dënojë edhe për babanë...
    -O Zot, me sa pasion flet...
-Fizikisht nuk do të jem më..., por pasionin do ta marrë me vete, sepse deri sa të marrë frymë ai do të gëlojë në trurin e shpirtin tim. Hëpërhë po e lë këtu rrëfimin tim...
E ndiej furtunën që po afron. Nuk kam më fuqi ta përballoj. E keqja më ka zënë dhe unë nuk e kundërshtoj dot, nuk jam në gjendje për...  
-Para pak kohësh ne ishim bashkë te mjeku dhe ti...ti dole mirë me sa mbaj mend. Nga dole në një përfundim të tillë?
    -Është ashtu siç the edhe ti. Vërtet para nëntë muajsh dhe unë e mblodha mendjen se nuk kisha asgjë, por një ditë para daljes së librit nga botimi, pata të njëjtat shqetësime. Vura re se anash gjëndrës së parë ishin edhe dy të tjera më të vogla. Lëkura e gjoksit ka nisur të më marrë ngjyrë portokalli. Pastaj ndiej një dobësi të përgjithshme.
   -Edioni, e di gjendjen tënde të tanishme?
   -Jo...Shkova vetëm te mjeku dhe ai më nisi me urgjencë për Tiranë.
  " -Zonjë, nuk duhet ta kishit lënë pas dore kaq kohë. Të anashkalosh apo të mos vlerësosh shëndetin, pa të cilin asgjë nuk ka vlerë, kësaj i thonë: "Nuk e dua më jetën. Je kaq e re dhe ke një familje. Ke bashkëshortin dhe dy vajza në mos gabohem. Mirë për vete që s' të vjen keq, po për ata nuk mendove? Ndoshta nuk të dhimbset jeta jote, po për hir të tyre, do të shkoje në Tiranë që në vizitën e parë..."- ishte vërejtja e mjekut.
  -Doktori ka shumë të drejtë. Ti je femër e zonja, e kompletuar dhe një gjë e tillë nuk të falet.
  -Doja të shihja librin të botuar, pastaj...

***

  Pas bisedës me Valbonën, u nisa për në shtëpi. Isha me makinë. Te porta e oborrit, sapo kapërceva pragun e saj, humba ndjenjat. Dora më kishte ngelur mbi timon dhe makina dha alarmin. Nuk vonoi asnjë minutë dhe Edioni m'u gjend pranë. Më mori në krahë dhe i shqetësuar ngjiti shkallët me nxitim. Më shtriu në një divan. Pas pak erdha në vete dhe pyeta se ç'më kishte ndodhur? Isha e djersitur kokë e këmbë dhe nisa të dridhesha aq shumë sa kërcisja dhëmbët. Vajzat e mia të lebetitura, klithnin: "Na vdiq mami, na vdiq mami... Të lutem, o ma, mos na lerë vetëm! "- dhe lotët u rrokulliseshin faqeve si rrëke uji. Edioni e kishte humbur fare. Unë isha sëmurë, kurse hija e vdekjes i kishte rënë atij.
   -Nuk kam asgjë...Mos u shqetësoni. Mirë ato që janë të vogla, por të paktën mblidhe mendjen ti! Më sill një batania se ngriva...
  Ai ishte aq i trondiur sa shkoi në sallon në vend që të hynte në një nga dhomat. I fola për ta kujtuar se ku duhej të shkonte për të marrë një mbulesë.  Më mbështolli me një batanie të trashë gjithë push, më veshi një palë çorape dhe më bëri një çaj të ngrohtë.
   -Më thuaj si je, çfarë ndjen?
   -Më parë dua të qetësohen vajzat...pastaj flasim bashkë. I mora pranë i përkëdhela, i putha dhe i qetësova duke i siguruar se s'kisha gjë. Më pas Dea dhe Sibora shkuan në dhomën e tyre të përsërisnin mësimet. Pasi mbetëm të dy vetëm, e sqarova Edionin për gjëndjen time shëndetësore.
   -Tani gjoksi ka nisur të më rrjedhë një lëng të turbullt. Sipas mjekut, tek i cili shkova para disa ditësh, konstatoi se gjendja nuk është e mirë.
   -Pse nuk më ke thënë asgjë? Kjo që ke bërë është e pafalshme e sidomos e pakoregjueshme, në dëm të shëndetit tënd dhe të familjes sonë.
  -Edion m'u duk se jeta është një lodër në dorën e fëmijës, i cili e lë kur mërzitet. Pastaj kur kujtohet e gjen dhe luan me të. E kuptoj, por...
  -Ndonjëherë jetës po t'i mohosh disa gjëra, është njëlloj sikur zjarrit t'i hedhësh benzinë, flaka e të cilit shpërndahet dhe përzhëlit gjithçka. Këtë solli edhe neglixhenca jote, gjë që mund ta paguash shtrenjtë. Ndaj na duhet ta përballojmë me të gjitha forcat dhe me shumë guxim.
   -Të lutem, mos u thuaj gjë vajzave dhe nënës sime...
   -Nesër do të nisemi për në Tiranë.
   -Prit deri nesër. Më duhet të bisedojmë me Valbonën që po të ketë mundësi, të vijë të shoqërojë vajzat. Ato e duan dhe e konsiderojnë atë si shoqe.
  -Po pse Valbona dhe jo nënë Efgjenia?
  -Mamaja nuk mundet se ka mbesën e vogël...Pastaj nuk dua ta shqetësoj fare. Është më e udhës të vijë Valbona.   
  -Pse të presim deri nesër. Telefonoji qysh tani. Mos e zgjat siç e ke zakon. Po shkoj ta marrë unë dhe e bisedojmë me të.
  Valbona për sa mësoi, u shqetësua dhe nuk priti sa të shkonte Edioni, por erdhi me makinën e saj.
   -Si është puna?
   -Koka bën, koka pëson,- iu përgjigja shpejt dhe i shkela syrin që të mos thoshte gjë.
   -E di si është puna, Valbona?- ndërhyri me nxitim Edioni.
   -Po ju dëgjoj...
   -Gjendja shëndetësore e Arditës është serioze. Nuk ia fal që më vuri në gjumë me kontrollin që bëri para disa muajsh.
   -Po, e di se ne ishim bashkë te mjeku...
   -Ne do të nisemi në Tiranë qysh nesër. Nuk duam ta shqetësojmë para kohe nënën e Arditës dhe as vajzat. Ndaj kërkojmë një nder nga ty. Duam që të kujdesesh për vajzat. Mund të qëndrojmë dy a tri ditë në Tiranë. Gjithsesi koha e qëndrimit atje, varet nga spitali. Nesër do t'i shoqërojmë vetë në shkollë...Në drekë pas mësimit do të kesh mundësi që të interesohesh ti për ato?
    -Me kënaqësi...- e mirëpriti ajo
    I lamë të gjitha porositë dhe të nesërmen ajo ishte në shtëpinë tonë qysh herët në mëngjes. Me vajzat u muar ajo, kurse ne u nisëm për rrugë. Ardhja e saj shpejt, na ndihmoi që në sppitalin onkolojik të ishim në kohën kur mjekët dalin nga vizita e përditshme nëpër pavion.
   Pas vizitës së onkologes, Edioni donte të dinte se ...
   -Bisedën duhet ta bëjmë veçmas, apo në prani të...?- pyeti doktoresha.
   -Gruaja e ka ndjekur vetë dhe është ajo, që dyshon për...
   -Sa kohë ke që e ke konstatuar gjëndrën e parë?
   -Rreth nëntë muaj më parë më doli një gjëndër e palëvizëshme, e padhembshme. U shqetësova dhe shkova te mjeku...i cili më këshilloi për të bërë një kontroll në spitalin tuaj. Kurse unë e shpërfilla se m'u duk si gjëndër qumështi.
  -Shko bëj këto analiza dhe ekografinë. Kam theksuar se janë të dyja me urgjencë.
  Me filmat e mammografisë dhe analizat në dorë, më priti përsëri mjekja, por tani ishin edhe dy mjekë të tjerë.
   -Nëse do të kishe ardhur qysh kur të këshilloi mjeku atje, ndërhyrja kirurgjikale do të ishte gati, gati e suksesshme...Kurse tani?!...
   -Pse nuk kam asnjë shpresë... zotërinj doktora?
   -Shpresa vdes e fundit, zonjë, por kjo varet nga shumë faktorë. Së pari nga biopsia që do të na tregojë se tumori është riprodhues apo jo. Përgjigja e saj është fat...Ajo që na shqetëson ne si mjekësi, janë markatorët tumoral që gjenden në analizën e gjakut. Kur gjoksi fillon të nxjerrë lëng dhe lëkura e tij merr ngjyrë portokalli, do të thotë që masa tumorale është përhapur. Këtë na e tregon më së miri dalja e gjëndrave të tjera. Në gjoksin tënd kanë nisur metastazat, tumore të rinj. Në rast se këto nuk kanë prekur organet e tjera si mëlçinë apo mushkritë, gjendja jote për të ardhmen, do të jetë më pozitive, më shpresëdhënëse .
   -Tani ç'do të bëhet me mua?
   -Nesër do të futeni në sallën e operacionit. Tani për jetën tuaj vendos kirurgjia. E vetmja metodë është ndërhyrja kirurgjikale.
   -Sa siguri mund të ketë rezultati?
   -Zonjë, këtë do ta tregojë koha...ne do të bëjmë të pamundurën. Do të gërryejmë dhe do të heqim çdo masë tumori. Duke mos lëmë asnjë degzim , mendojmë që të mos shpërndahet. Ka mundësi të jetë operacion lokal, apo i pjesshëm.
   -E kam ndjerë dhe e ndiej që koha ime po shkon drejt fundit...
   -Besimi tek mjekësia dhe gjendja jote psikologjike, do të ndikojnë shumë në rezultatin e operacionit dhe më pas në efektin e radiologjisë apo kimioterapisë.  
   "Jam në një gjendje të nderë... Nuk jam as në tokë e as në qiell. Më dhemb për gjithëçka që e ndërtova me mund e me dashuri dhe tani po e lë në mëshirën e fatit, gjënë më të vyer, familjen time. Si do ta lë këtë jetë? Po vajzat e mia si do të rriten pa nënë? A do t'ia dalë dot i vetëm Edioni? Oh, i gjori ti! Oh, jetimi i pafat! Po pse vajzat tona do të kenë fatin tënd që edhe ato të rriten jetime pa nënë...?!"- mendoja gjithë natën. Dhembja dhe shqetësimi im kishin ndikim më të madh në trurin tim që gëlonte papushim, se sa qetësuesët. Si duket dhembja e madhe e një bashkëshorteje dhe e një nëne, e sfidoi mjekësinë... Doli mbi shkencën, duke më lënë një natë pa gjumë....
  Mdërkohë që Edioni bisedoi me tim vëlla, i cili u shqetësua, se nuk dinte asgjë, unë fola me Valbonën.
   -Siklet e ke, por të lutem shumë, qëndro me to sa të kthehet Edioni. Më premto që nuk do t'ua tregosh gjëndjen time reale vajzave.
   -Çfarë të thanë mjekët?
   -Nesër do të futem në sallën e operacionit. Madje jam shumë vonë për ndërhyrje kirurgjikale. Vajzat duhet të dinë që vetëm do të shtrohem në spital. Mamaja ime nuk duhet të dijë asgjë...

 ***
  Pas katër a pesë orësh vëllai im mbërriti në spital. Sa mori vesh për gjendjen time dhe iku i dëshpëruar. Të nesërmen solli edhe gruan me vete.
Opercioni zgjati mbi katër orë. Ishte operacion i vështirë dhe kërkonte kujdes me qëllim që të mos linin asnjë masë tumorale.
Ende nuk më kishte dalë mirë narkoza. Isha gjysmë e përgjumur. Tek këmbët e shtratit tim doktoresha dhe Edioni bisedonin me zë të ulët.
-Doktoreshë çfarë donit të më thoshnit? Së pari dua të di se ç'premton operacioni.
-Ndërhyrja kirurgjikale parandalon përhapjen e metastazave. Për ne ka rëndësi që asnjë organ nuk është prekur nga tumori. Jam e lumtur që operacioni doli me sukses. Ne u munduam si mjekë të mos i lëmë asnjë copëz. Shqetësohem për të vetmen gjë se gjëndra fillestare kishte arritur në tre centimetra dhe ishte rrethuar me dhejtëra gjëndra të vogla.Se si do të vazhdojë gjendja e saj, do ta shohim pas biopsisë, të cilën e mbollëm dhe pas tri javësh do të shohim rezultatin.
- Më sqaroni pak, ju lutem!
- Biopsia na qartëson se çfarë tipi është tumori, malinj apo beninj. Pastaj varet nga vet trupi dhe vetë Ardita, se sa do të ketë vullnet ajo për ta përballuar dhe sa rezistent do të jetë trupi për ta pranuar kimioterapinë. 
-Ky është rasti parë që po ndeshemi me këtë diagnozë. Ndaj dua të di se çfarë është kimioterapia?
-Nëse Ardita do të kishte ardhur që në fillim kur e konstatoi gjëndrën e parë, ne do të aplikonim radioterapi. Do të bënte rreze X që frenojnë rritjen e tumorit dhe përhapjen e tij. Zotëri, duhet ta keni të qartë se pacientja ka mbi dy vjet e prekur nga tumori. Tani do të bëjë kimioterapi, e cila përdoret për të mos lejuar përhapjen e kancerit, për të ngadalësuar rritjen e masës tumorale. Ajo vret qelizat malinje, por ka efekte anësore tejet të dhimbshme.
-A ka dhembje gjatë bërjes së Kimioterapisë?
    -Jo, nuk është e dhimbshme, por e lodhshme. Lodhja vazhdon gjatë gjithë kohës, madje edhe kur fle. Bëhet në gjashtë seanca, në çdo njëzetë e një ditë. Veçse gjatë seancave ka nevojë të ketë dikë pranë...Pak i vështirë është injeksioni, që do të bëjë ajo pas seancës së kimioterapisë.
    -Faleminderit doktoreshë!
-Ndoshta do të ndodh mrekulli, se është e re. Është vetëm tridhjetë e nëntë vjeçe.
Një rënkim më doli nga shpirti dhe Edioni me mjeken u afruan me vrap.
-Si ndihesh moj trimëreshë? -pyeti doktoresha.
-Më duket sikur jam shndërruar në një zgavër bosh, që kullon vetëm gjak...
-Zemra ime, Ardita ime e dashur, ti je gruaja më e mirë, më e zonja në botë...Tani e hoqe të keqen nga trupi. Kaq ishte dhe nga dita në ditë do të bëhesh më mirë.
I dëgjova të dy dhe nuk e dhashë veten para tyre. U solla sikur nuk kisha dëgjuar asgjë.
   Dy javët pas operacionit ndihesha sikur e kisha të gjithë trupin plagë. Gjoksin e majtë ma kishin hequr të gjithë. Madje kishin gërryer edhe muskujt rreth tij.
  Edioni nuk u largua nga Tirana. Një ditë më lajmëroi Valbona se po më sillte vajzat. E kisha marrë pak veten. Iu luta Edionit që të më sillte kutinë e tualetit.
   -Zemër ti gjithmonë do të ngelesh e bukur...,edhe kur të jesh me thinja të bardha...
-Sot dua të jem e bukur për vajzat. Nuk dua të dukem si kufomë sepse janë vogëlushet e mia që nuk dua të më tremben. Atë kohë u ndërrova dhe vesha një bluzë rozë... Që të mos lëndoja plagën, më ndihmoi Edioni.
-Mos më shiko, të lutem! Që sot e tutje kurrë nuk dua të më shohësh të zhveshur.
-Ti je drita e syve të mi, ti je jeta ime që më ke falur një familje të mrekullueshme.Ti je dashuria e jetës sime me të cilën do të kalojë gjithë jetën. Nuk ka çift më të lumtur se ne. Dhembja na bashkon akoma më shumë, shpirt. Mbaji mend këto që po të them...Nguliti mirë në tru!
Atë kohë kur pashë trupin tim të gjymtuar, nuk u përmbajta dot. Nuk e doja veten gjysmake dhe ngela ashtu e përhumbur me sy të vagëlluar... "Po Edioni si mund të më dojë të gjymtuar? A nuk i vjen të ndot të më përqafoj, të më puth dhe të më përkëdhel...?! Nuk ka faj nëse distancohet nga unë."
Vajzat e mija të dashura erdhën pas pak dhe qëndronin të drojtura pranë shtratit. Kishin frikë se mos më lëndonin.
-Oh, Dea ime, e madhja e mamit, motra e mamit, si je moj zemër? Po Sibora, lepurushka e mamit si është sjellë? E dini sa më ka marrë malli. U zhurita për ju të dyja. Babin e lodha, por e kam këtu, kurse ju të dyja më mungoni shumë.
-Valbona të kanë shqetësuar vajzat? I bëjnë të gjitha detyrat? Shiko se mos i llaston, ë? Me shkollë si shkojnë. Më fal, e dashur se të futa në halle me vajzat e mia!
-Ju të dy duhet të jeni krenarë për vete që keni rritur dy vajza të mrekullueshme, shumë të edukuara,- përgëzoi ajo.
Ndërsa qëndroja e përqafuar me vajzat dhe i pyesja për gjithë ditët që kisha munguar, ashtu shkarazi vura re Edionin me Valbonën që bisedonin qetë-qetë. "Më duket sikur kuptohen mirë me njëri-tjetrin? Edhe shkojnë si çift...Duket sikur janë bërë për njëri-tjetrin..."- mendoja me një ndjenjë shpirtvogëlsie, cinizmi dhe zhelozie. Harrova që e lashë me dëshirë zonjë shtëpie dhe njëkohësisht prind për vajzat.
Pasi qëndruan një orë, Valbona mori vajzat dhe u nis për në Pogradec.U kujtova se një vajzë e rritur, por që nuk e njeh përgjegjësinë e prindit ,mund ta kishte të vështirë kthimin e vetme dhe me dy fëmijë. Mund të vonoheshin dhe të ngeleshin rrugëve?! Meraku i nënës nuk më linte të qetë, ndaj...
-Edion pse nuk shkon edhe ti në shtëpi? Unë jam mirë. Kam merak për vajzat...
-Zemër, nuk të lë dot vetëm, jo...Ato të dyja janë me Valbonën. E ke të kot që merakosesh.
-Po afrohet mbrëmja dhe ku i dihet se çfarë u ndodh rrugës? Unë jam në mes të mjekëve dhe në mbikqyrje, - me vështirësi munda ta bindja
Ai u nis pak pas atyre dhe më lajmëroi se i arriti në të dalë të Tiranës. Prej tij mësova se Sibora kishte shkuar në makinë me të. Ikja e tij më qetësoi disi, megjithëse...
"Më duket sikur po e inicioj dhe po e nxis unë marrëdhënien e tyre. Nuk besoj se gjendet një femër edhe kur është në vigvdekje, që ta shtyjë burrin, të cilin e do sa jetën, në krahët e një tjetre. Nuk e di a do ta falë vallë Zoti ndërgjegjen për këtë që po bëj?! Po tregohem ziliqare për ato që ajo është gati t'ia dhurojë, kurse unë veç dhembjes, nuk kam me se ta kënaq dhe lumturoj atë. Po atëherë pse më dridhet buza,pse më lëngon e më qan shpirti, pse më gëlojnë në tru pamje ku shfaqet gëzimi dhe lumturia e tyre? Po vajzat e mija, që janë gjak nga gjaku im dhe mish prej mishit tim? A do ta pranojnë atë si nënë? Do t'i thërrasin dot"mama" dhe asaj do t'i qesh vallë e gjithë qenia prej lumturisë, së të qenit "nënë"?! Nuk e besoj, jo...Kurrë nuk mund të ndodhë një gjë e tillë?!Vetëm një nënë ka në botë...
 O Zot, ç'bëj kështu?! Po tregohem mizore, shumë koprace, grua e keqe, me një egoizëm të padrejtë. Në gjendjen që jam katandisur unë, kurrë nuk do të rikthehem në jetë me të njëjtat ndjenja, si një femër e shëndetshme e pa cenë në trup. Asnjëherë nuk kam për të qenë Ardita e dikurshme. Kështu e gjymtuar, si jam tani, edhe sikur të ketë mbijetuar ndonjë shkëndizë ndjenje, cili do të jetë ai burrë që do ta joshë e do ta tërheq trupi im i shëmtuar?! A mund t'ia fal vetes një gjë të tillë? Fati im i tillë ishte...Por nuk kam asnjë arsye apo privilegj që t'ia mohojë Edionit të drejtat e tij si mashkull. Kam harruar që ai është i ri, plot jetë e shëndet, mbi të gjitha ka nevojë për marrëdhënie seksuale që unë , në kushtet që jam, nuk mund t'ia jap. Në fund të fundit unë e di fatin tim...di që po më troket ora e lamtumirës. Ndoshta do të iki nga kjo botë e lumtur, nëse do t'i kem dhënë drejtimin e duhur familjes sime që e dua shumë. Askush nuk mund ta besojë, por unë...unë edhe pse mezi kapërditem nga makthi e ngërçi tek i përfytyroj të dy bashkë, por unë do të jem ajo, që do t'i thërras të dy dhe do t'u propozoj idenë time. Jeta e tyre duhet të vazhdojë me gjithë të mirat e të këqijat e saj. Më takon mua të projektoj lumturinë e Edionit dhe të vajzave të mia. Nëse mua m'u mohua gjithçka, ata kanë të drejtë ta gëzojnë atë, pasi jeta vazhdon..."- mendoja ndërsa ata vazhdonin rrugën për në shtëpi.
Dhjetë ditë pas operacionit dola nga spitali dhe u ktheva në shtëpi. Çdo gjë ishte e pastër, e rregullt, njëlloj sikur t'i kisha bërë unë. Edhe ky fakt, që ishte bërë për hatrin tim, në vend që të më kënaqte, më zilepsi. "Ç'bëj kështu? Nuk jam në gjendje të rregullt mendore.Është fakt i vërtetuar shkencërisht që sëmundjet tumorale kanë efekte anësore në tru. Një tjetër në vendin tim, duhej të lumturohej, kurse unë...Jo, Ardita, jo. Mos nguro që t'i shprehësh kënaqësinë dhe falenderoje shoqen tënde. Vetëm kështu e madhon veten.." - Atë çast kundër ndërgjegjes sime, e falenderova dhe e përqafova Valbonën.   
Pasi ngriti tavolinën, lau enët e drekës, vuri gjithçka në vendin e vet, ajo  kërkoi lejë të shkonte në shtëpinë e saj.
-Tani pusho se të ka lodhur rruga.Sa herë të kesh nevojë, më bëj një zë,- m'u drejtua mua...Më përqafoi dhe doli bashkë me vajzat. Atë çast kur e pashë atë aq të afërt me vogëlushet e mia, një ngërç m'u zvarg në fyt dhe
mezi merrja frymë.
 Sa iku ajo mbërriti nëna me gjithë vëllanë . Kur më pa në shtrat, nisi të qante...Eh, nëna ime! Ku ta dinte e gjora se do të provonte të gëlltiste helmin e vajzës së saj të vetme.
-Ç'kuptim ka që rroj unë, kur ti në moshë kaq të re, merr thikë? Nuk e kuptoj pse nuk më thatë asgjë mua? Çfarë po mundoheni të më fshihni, xhanëm?
-Sepse ishte pa rëndësi, moj nënë. Një operacion i thjeshtë,vetëm sa më hoqën një gjëndër qumështi... Tani ndihem mirë... 
-E kush më tregon mua. Më mirë të jesh baltë dhe pleh, se vlen për bimët, se sa të jesh plakë pa asnjë vlerë si puna ime. Kot sa marrë frymë.
  Disa ditë më vonë Edioni shkoi në Tiranë për të marrë përgjigjen e biopsisë. U kthye mbasdite... Nuk ishte nevoja ta pyesja. Fliste shpirti i tij që vajtonte...
-Duhet të fillosh kimioterapinë...Nesër në orën njëmbëdhjetë është seanca e parë...,- ndërsa ai më vështronte me dhembshuri, unë vështroja rreth shtëpisë e hallakatur dhe me sy të vagëlluar, mendoja: "Nesër do të hedh hapin e dytë për të fituar edhe pak më shumë kohë nga ajo që më është paracaktuar..." Ndërsa Edioni m'u afrua, më kapi tek supet dhe si më puthi në buzë, tha:
  -Shpirt, a më dëgjove se ç'të thashë?
***

No comments: