ZYBA HYSEN HYSA: Cikël poetik “Metrotë e shpirtit”
1. METROTË E SHPIRTIT
Dashuria vjen nga zogjtë e qiellit,
Me krahë - dritë fosforeshente, trupin të lindur prej Afërdite...
Ndër metrotë e shpirtit, zhurmon pa zhurmë,
Që veshët njerëzorë mos e dëgjojnë,
Që gjuhët pa gjuhë mos e helmojë...
Shpirti zmadhohet sa Universi,
Grimcë energjitë mijëra gjeneratorë,
Me fuqi mbi fuqinë njerëzore,
E shndërron njeriun në mbinjeri,
E bën të mendojë,
Përtej kohës... përtej hapësirës,
Përtej të ligës... përtej të mirës...
Të jetoj atje ku ka veç Zana,
Në oazën magjike... me emrin Nirvana...
2. DUEL...
Shpesh dalim në duel me veten,
Në arena gjigante shndërruar gladiatorë,
Ndjemë duartrokitje... klithje ankthi... nxitje, luftë paprerë,
Me mijëra zëra ulërasim e pse s’ka spektatorë...
Me shpatat e mendjes godasim furishëm mbi flakët e zemrës,
Si Don Kishoti mullinjve të erës,
Vrulli i saj më fort fryn zjarrit,
Flakët flakërojnë...
Në gjithë duelet, s’dalim pa plagë,
Duel është jeta… vetë ajo për to bën ilaç,
Por kurrë nuk gjeti shërim flakënxehta,
Nëse dueli e lau me gjak...
3. PËRCAKTOHEN FATET...
Jemi të paaftë të njohim vetveten...
Vetvetja shpërndarë në gjithë Universin,
Dhe dashuritë... lindin edhe treten...
Larg prej trupit tonë... gjurmët tek ne mbesin...
Ne s’jemi gjë tjetër... veçse një çerdhe,
Ku si zogjtë shtegtarë vinë e shkojnë kuantet...
Nga udhëtimi i tyre, siç u ndodh reve,
Takohen, përplasen... përcaktohen fatet...
4. ME GURË… SHKROVA POEZI…
Më mori jeta… pa më pyetur…
Ashtu si kurrë nuk pyet dashuria…
Më mori si skifteri zogun e parritur,
Nuk më hëngri… rashë nga lartësia…
Rashë… agonia më pushtoi pa u shuar,
Plagët më dhembnin përtej dhembjes,
Mbase kam thirrur, mbase kam rënkuar,
Kurrkush pranë meje s’është gjendur…
Një valë e valët… po që nuk digjte,
Më pushtoi e zgjoi shpirtin… Ç’ishte magji?
Hapa sytë… greminë… askush s’ishte…
Mbi shkëmb, me gurë… shkrova poezi…
Ndaj… mos e qortoni poezinë time,
Që shpesh harbon… si të ishte rinore,
Ngatërruam kohën... tani çast rinie,
Të dyja së bashku… dorë për dore…!
5. FALEMINDERIT...
Faleminderit,
Kush më bëri të vuaj aq shumë,
Saqë vetminë ma bëri shoqe të mirë...
Faleminderit,
Kush më lëndoi aq shumë,
Sa shpirtit i dha mundësi të nxjerrë helmin,
Përmes vesimit të syve,
Që dikur lotonin prej ngazëllimit...
Faleminderit,
Kush më bëri të vuaj,
Qoftë dhe mik që më ka tradhëtuar,
Dikur,
Më dha arsye për ta besuar...
Faleminderit Zot,
Që më dhe shqisë perëndie,
Të dalloj dhe jetoj stinë Dashurie,
Edhe përmes largësisë...
Faleminderit...!
6. POEZIA IME...
Pa më pyetur,
Muza më merr për dore,
Si dikur shoqja e fëmininë kur vraponim lëndinave...
Dhe shndërrohem frymë poezie...
Kështu,
Poezia ime gjallon,
Se për shpirt... ka shpirtin zgjim,
Ka zemrër kënge...
Ka gjak zemre...
Poezia... ka portretin tim,
Ndërtuar me mozaik shkronjash
Që farfurijnë njëherësh,
Si miliona fap – fupe xixëllonjash,
Në një natë pranvere
Në prag fushate të korrash...
Poezia ime është bujare,
Si zemër femre e dashuruar...
Ajo është dhe trime,
Si shqipe mali,
Që mbron bijtë e saj të kërcënuar...
7. MOS MË THUAJ...
Mos më thuaj “U njohëm vonë!”
Fatkeqësi, të mos ishim njohur kurrë...
Njohja,
Na zgjoi dëshirat e bëra shkrumb,
Prej acarit të kohës,
Të kohës që nuk e deshëm kurrë...
Koha,
Na lidhi gjuhën,
E dëshirat,
As t’i lëpinim një çast s’na la,
Koha,
Na shigjetoi muzën që në bulëzim,
Si një syth prej degëze ra...
Koha vrau dashurinë,
Duke e bluar në mullirin e saj,
Deri ajo dha shpirt,
Në prehrin e zemrës
E zemra na u ftoh...
Koha,
Edhe këngën nuk na e la ta mësonim
Gjer në fund,
E ne kurrë se kënduam atë të plotë,
Dhe buzëqeshjen,
Nuk na e mësoi kurrë,
Na dhuroi me shumicë ... lotë...
Mos më thuaj :”U njohëm vonë!”
Fatkeqësi, të mos ishim njohur kurrë...
8. VETVETES…
Brenda meje është Teuta,
Është Argjiroja...
Brenda meje është Rugina,
Është dhe,
Flora Brovina...
Brenda meje rrjedh aq gjak,
Sa ushqen kombit zemrën,
Brenda meje rrjedh aq lot,
Për të vajtuar lirisë këngën...
Brenda meje... jam dhe vetë,
Si një femër antifemër,
Si një grua sokoleshë,
Por...
Dhe e brishtë si një gjethëz,
Sapo çelë ne buzë prilli,
Jam dhe nënë, jam dhe gjyshe,
Kam një jetë...
Si shqiptare e vërtetë...
9. FALEMINDERIT, DASHURI
Me shkopin e të verbrit,
Që dashuria na fal,
Sapo troket në portën e shpirtit,
Ecim më të sigurt,
Se syçelët njerëz që dashurinë se takuan kurrë…
Ecim…
E pse udhë e panjohur,
Diçka mistike na bën të rendim…
Shpesh,
Dhe shkopin dhuratë vërvitim tej...
Me krahë engjëllorë
Pushtojmë qiej…
10. GJER TË VISH...
Edhe kur s’kam ndonjë punë,
Kaloj nga vendtakimi ynë i parë,
Jo se e mendoj,
Këmbët shkojnë pas zërit të kujtimit,
Jehona e të cilit më vjen nga ti...
Çudi... pikërisht aty,
Këmbët ndalin pa komandë,
Qëndroj...
Ti më shfaqesh i shqetësuar prej
ankthit,
“Do vijë, apo s’do vija ajo vallë??”
Pa kuptuar thërras emrin tënd...
T’i ndjej duart e dridhura si purteka në ujë,
Prej lumit të mallit vrull shumë,
Në përqafim të derdhëm si kulpra mbi lis...
Asgjë nuk pipëtin përreth,
Asnjë përveç nesh
E pse shëtitorja lumon nga njerëzit,
Që vrapojnë sikur duan të shuajnë etjen në det,
Ne... në detin e puthjeve...
Kjo më ndodh për çdo ditë,
Herë tek takimi i parë,
Herë tek takimi i dytë
Herë tek tjerët me radhë...
Shkoj të shuaj mallin që të mbaj ndezur zjarrin,
Sfidoj dimrin e largësisë,
Kur të vish përsëri, dimri ka shkuar,
Ne... të dashuruar!
11. MAGJI
Ç’magji bëre,
Që stinët e mia ndërruan stinë,
E brenda stinëve përqafuar ndjehem me stuhinë?!
Ma thuaj mua ta di... në diç Perëndi!
Në vorbullën e tallazuar... si një dredhkë tufani,
Ngrihem lartësive hapësinore të boshësisë,
Për të mbushur boshllëkun,
Që krijon prania e hijes tënde prej drite...
Ç’magji bëre...? Më thuaj ta di...
Të shprish... magjinë me magji!
12. GUDULISJE...
Qëndruar në prehër të shpirtit,
Me kokën mbështetur pranë gjirit të tij,
Si një embrion fëmije,
T’i ndjej gudulisjet e më zgjon,
Edhe kur gjumi e kryer detyrën e tij...
Ngazëllehem si një nënë nga ngjizja e fëmijës së parë
E shqetësohem njëkohësisht po si ajo,
Kur për një çast nuk t’i ndjej lëvizjet,
Ndaloj hap e frymë... mbaj vesh pa veshë...
Kam frikë që koha përbindëshe të mos tresë...
Ti, kurrë nuk më le pa një sinjal,
Pa një fjalë të thënë ashtu thjeshtësisht,
Por tek unë sjell lajmin më të rrallë,
Më thotë: “Jam gjallë!”
13. U DERDHA... U DERDHE...
Në përqafimin e parë,
Poret e lëkurës si mijëra buzë puthje,
Jepnin e merrnin frymë dashurisë,
Për të shkrirë mallin...
Shtrënguar mes krahësh,
U derdha ... u derdhe,
Mbushëm kupën e lumturisë,
Me llavë vullkani...
Vitet ikin... ne mbetëm atje,
Tek ora jonë... tek muaji i luleve...
Tek viti që kurrë s’mbaron...
Kam shpëtuar tash nga fobia e ndërrimit të viteve,
Sekondat e fundit nuk i numëroj më,
Të gjithë më duken një,
Ashtu si ai çast i artë... që vitet i mban të rinj,
Edhe kur ngarkuar janë nga vrapi i kohës,
Që kurrë nuk di të ndalë...
Ah, ai çast i artë!
U derdha... u derdhe…
Ti tani je Unë e Unë jam Ti,
Viti ynë ka mbetur i Ri!
14. NUK DUA TA MENDOJ
Nuk dua ta mendoj, sa të dua,
Se do fundosesha në thellësitë e tokës,
E globin do ta kisha mbi shpinë...
Po e lë shpirtin nën ledhet e përgjakura të mallit,
Ku lotët shpesh e lëpinë,
Si ariu plagët me gjuhën e tij ripërtërinë...
Oh, pesha e mallit,
Mos qoftë peshë dashurie,
Njëherësh them:
Qoftë e bekuar ajo peshë,
Që të ngre peshë!
15. UNË KËNAQEM
Unë kënaqem me paqen time,
Dhuruar që në ngjizje nga Dodona Pellazgjike,
Që nga Tomori kryelartë i shtëpisë së perëndive,
Krijuar para tempujve Helenike…
Unë kënaqem me paqen time,
Dhuruar më pas nga mbretëresha që më lindi,
Dhe ushqyer nga një mbret që me fjalë - mjaltë më rriti…
Unë kënaqem me paqen time,
Ajo shkëlqen më shumë mes urrejtjes njerëzore,
Urrejtjen ushqyer me dashuri… me energji hyjnore…
Unë kënaqem me paqen time,
Atëherë kur vargjet kanë nektarin e saj,
Gatuar me pjalmin e zemrës sime,
Poezia, shije mjalti të mbajë...
16. TI… MBRETI IM
Mbyllur zemra, për kyç një zemër,
Çelësin ia ruaj unë në gji…
Vështirë ta ruajë kështu çdo femër,
Ta çelë, askush nuk ka mundësi…
Veç kur vjen Ti hapet çdo derë,
Ndryshkun e kohës si me zmeril,
Lëmon me puthje si diell shkëlqej,
Mbretëresha jote… Ti mbreti im!
17. SONTE NË MBRËMBJE...
Sot Sazani kërceu si delfin,
Buruni u la nga stërkalat e ujit që hidheshin përpjetë,
Dielli nxori shpatën dhe çau retë,
Gjaku i tyre ngjyrosi qiellin e qielli u shtri mbi det...
Unë që nga ballkoni fiksoj me aparat këtë mrekulli,
E ndjehem mbretëreshë...
18. Unë dhe malli…
Malli më bën të marr malet
E të hidhem si e përndjekur përmbi shkëmbinj,
Miellzohen bashkë si të bluar në gurë mulliri,
Era e fatit na shpërndan nëpër hapësirë…
Zëri i dashurisë si kënga e Circes që ndillte Odisenë,
Na thërret magjishëm:
Grimcat ribashkohen... kthehem po ajo,
Malli kërkon sërish të marr malet…
19. MAJËDEGËZAT
Oh...! Si do të bëja pa ty, dashuri!
Si një engjëll më rri mbi degëzat e shpirtit,
Prej frymës tënde çel qetësia e dita më shket pa u ndjerë...
Ti rri rojë që të mos zërë vend ligësia,
Se ligësia ndaj të tjerëve është ndryshku i pemës sonë...
E... ti e di... ndryshku shkatërron edhe hekurin
E ti do të rrëzoheshe nga majë degëzat,
Bashkë me gonxhet e paçelura të lumturisë...
Oh...! Si do të bëja pa ty, dashuri!
Bekuar qofsh që gjete udhën për tek unë,
E më dhe portretin tënd hyjnor,
Më fale muzën, më dhe forcën e energjisë tënde,
Që nuk ka forcë në botë ta mundë...
Oh...! Si do të bëja pa ty, dashuri!
20. NGJYRË DASHURIE
Çdo buzëmbrëmje ka ngjyrën e dashurisë...
Një perëndim mbi det me kohë të mirë,
Flakërim zemrash,
Që shigjetohen njëherësh me shikim të parë...
Dhe perëndimet me re e pak diell,
Si dashuritë e pickuara prej keqkuptimeve ngjajnë,
Qielli rrudh ballë e buzë prej dhimbjeve,
Pak rreze çajnë retë,
E bien shtrirë mbi det me ngjyra shprese...
Oh...! Perëndimet me bombardime gjëmimesh
E shkreptima rrufesh,
Kanë fytyrën e dashurive të tradhtuara prej pabesive,
Qielli sterron si përbindësh,
Shpesh vjell flakë e godet me predha asgjësimi vetveten,
Dridhet toka
E deti shkulon si zemër e mbetur pa kokë,
E hedhur në honet e errësirave...
Çdo buzëmbrëmje... ka ngjyrën e dashurive...
21. NJE ZEMER QE ZEMRES I FLLET
Të ka ndodhur me vetminë të rrish,
Të pranosh atë, aq sa shpesh e urren?
Je ndierë në mes të njerëzve si jetim?
Po, përmbi vale, ke provuar të kërcesh?
Të ka gëzuar si një pasuri,
Një diell mëngjesor në park?
Të ka ndodhur në dashuri,
Të jesh djegur në bubulak?
Thuamë... për çfarë të ka ngjarë,
Më e bukura bukuri në jetë,
Ta di... që në takimin e parë,
Të t‘i shprish... asgjë të mos mbesë!
22. TË DUASH...
Të duash do të thotë,
Të dashurosh jo vetëm sytë që të falin dritë,
Por dhe ato guva që mbajnë të kyçur,
Sekretet e jetës së tij,
Se jeta e tij nuk është veç dashuria...
Të duash do të thotë,
Të mos gëzohesh vetëm pasionit të puthjes,
Por të rënkosh bashkë me të,
Duke ia ndjerë dhembjet përkarshi...
Të duash do të thotë,
T’i falësh tradhtinë e syrit e të gjakut,
Por jo atë të zemrës...
Të duash do të thotë,
Të mos ndjehesh vetëm femër me të,
T’i falësh gjithë dashuritë që rrojnë në zemër...
Të duash do të thotë,
Që edhe kur mendja të largon prej tij mijëra kilometra,
Zemra e shtrëngon më shumë në gji...
Të duash, nuk do të thotë çaste epshore,
Ato fiken si gjurmë kalimtarësh në rërë edhe prej valëza më të vogla,
Dashuria është si fanar që as dallgët më të egra se shuajnë dot...
Të duash do të thotë të duash pa kërkuar shpërblim
E shpërblim prej tij të kërkosh veç dashurinë...
Të duash, çfarë do të thotë?
Të jesh fisnik në këtë botë!
23. LUMTURI…
Shpirti fle…
Nën puplat e tij,
Ka pushtuar gjithë ndjesitë
E ashtu si klloçka zogjtë,
Shpirti fle mbi shpirt…
24. NUK MUND TË URREJ...
Si s’më mësove... që dikë të urrej,
Urrejtjen, o nënë, thoshe, mos e afro,
Të ligut, ligësinë, me mirësi t’ia kthej,
Veç të fshehtat, më këshilloje, mos i trego...!
Të ligun... më mirë ta mbash ngjitur,
Në afërsi dhe vështrimin e syve i dallon,
Në ligësi ... shkëlqejnë si ujk i uritur...
Në zhgënjimet e tij, suksesin tënd shiko...!
25. DO T’I BEKOJ
Të gjitha dashuritë me çuan tek ti...
Ato mbajtën peshën time ndër vite, kur të kërkoja ty e malluar pa ditur se
ku je,
Në ato kohë... mendoja se ishe diku, por rrugën s’e gjeja dot...
Dashuritë e mia ishin pa fat... ato pinë helmin e lotëve të mi,
Kur mësuan se ishin stacione në kërkim të dashurisë së vërtetë,
Të asaj dashurie që zemra e kërkon pa të pyetur...
Çfarë më duhet të bëj; t’u kërkoj ndjesë, apo t’i falënderoj?
Do t’i bekoj!
Ato më ndezën dritën për ta parë udhën për tek Ti,
Atë dritë që shpesh e mendojmë se e arritëm, por s’mjafton për sy shpirti,
Dhe zemra si radar thith e lëshon valët e saj... gjer valët me valët
puthiti...
Të gjitha dashuritë më çuan tek TI!