Wednesday, 25 June 2014

Gjilan: Trekëndëshi poetik i lirë, trekëndëshi kufitar i pushtuar


Gjilan: Trekëndëshi poetik i lirë, trekëndëshi kufitar i pushtuar...

Një orë letrare e rrallë, që kishte poezi të vlerave të epërme artistike... Kështu mund të thuhet lirisht për Manifestimin e katërt, tashmë tradicional e rajonal i poezisë, "Trekëndëshi poetik i paqes", i cili u mbajt më 21 qershor 2014 në Grykën e Karadakut, te restorant DUNAVI ...në organizimin e asociacionit alternativ të shkrimtarëve, Ars Clubit "Beqir MUsliu" dhe, i mbështetur nga MKRS e Komuna e Gjilanit
Në këtë ngjarje të veçantë të poezisë, e cila simbolikisht dhe tashmë tradicionalisht mbahet në trekëndëshin kufitar Kosovë - Kosovë Lindore (Serbi) dhe Maqedoni, hapësirat e fshatit malor Dunav, morën pjesë krijues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova Lindore (Serbi), të cilët i lexuan poezitë e tyre. ,... Lexuan Basri Qapriqi, Agim Mato, Ibrahim Kadriu, Xhevat Syla, Zejnepe Alili- Rexhepi, Pandeli Koçi e shumë të tjerë. Do theksuar, se edhe peozitë që i lexuan krijuesit e rinj, ishin të një niveli të admirueshëm poetik.
Manifestimi ka karakter përkushtues dhe lidhet me Ditën e Lirisë për Kosovën si dhe krijon njohje, afri e mirëkuptim dhe paqe mes poetëve e vendeve të rajonit por, edhe afirmon letërsinë e këtij mikrorajoni . Ora letrare e fjalët përshëndetëse, takimet dhe çastet e bukura në gjirin e natyrës, përcilleshin nga valle folklorike shqiptare.
Ndërkaq, në orët e mbrëmjes, në Gjilan, u zhvilluar një tjetër ceremoni letrare: ajo e ndarjes së Çmimit letrar "Beqir Musliu", për krijuesin, studiuesin e ligjëruesin universitar nga Shkupi, dr. Nehas Sopaj. Do theksuar, se Nehas Sopaj ka bëtë një monografi letrare të veçantë dhe me vlera studimore të mirëfillta kushtuar Beqir Musliut; duke treguar me sukses prirjet letrare të këtij krijuesi, gjithsesi, edhe nga fakti që stilistika letrare e Nehas Sopajt është e po të njëjtës frymë artistike me atë të Beqir Musliut... Është ky një projekt që do të përbëhet nga tre libra, kushtuar Teki Dërvishit e Beqir Musliut (i publikuar tashmë në dy vëllime), i treti kushtuar Martin Camajt pritet të botohet...
Për krijimtarinë letrare e studimore të Nehas Sopajt ligjëruan krijuesja e studiuesja e zellshme e studimeve letrare Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi dhe Sevdail Demiri.
p. b.

No comments: