Thursday, 14 May 2015

A UA NJEH RRËNJËT SHQIPTARËV Z. GRUEVSKI !?


         Agim Shehu
      
          A UA NJEH RRËNJËT SHQIPTARËV  Z. GRUEVSKI !?

            Përsërisim të vërtetën e kombit tonë kur fqinjët shovenë vazhdojnë shtrëmbërimet e tyre si paraprijëse të genocidit e krimit. Ngjarjet në Kumanovë janë një faqe e re tragjedie e shtetit sllav mbi shqiptarët, tragjedi para së cilës lëvizin nga vëndi dhe malet. Meqë fjala e të zotit për veten, sidomos te shqiptarët merret e pabesueshme, po flasim kryesisht me dëshmitë e të huajve për të vërtetën shqiptare, dhe akademikë e historianë fqinjë le të merren me kolegët e huaj.  
    Te libri «Guximi i Shpresës» Z. Obama thotë: «Të fuqishmit e të privilegjuarit për interesa të tyre shpesh kanë shfrytëzuar ose kanë nxitur paragjykimin». Krerë të caktuar sllavo-maqedonë nuk janë të fuqishëm por të privilegjuar, e nga tepërimi i privilegjeve si duket ndjehen të fuqishëm të sillen si të duan, sidomos me shqiptarët.
    Me këtë lloj «prodhimi» Shqiptarët pranë fqinjëve shovenë janë mësuar  si fakirët indianë me provën e helmit:  duke e marrë gjithënjë nga pak kanë fituar imunitet dhe vazhdojnë jetën e vet gjithënjë më këmbë. Një shtet pa komb kërcënon kombin pa shtet (shqiptarët), njëlloj si degët të kërcënonin rrënjët. Shteti pa komb ka moshën 50 vjeçare (moshë fëmie për historinë) e fqinjët rrotull e kapin për palltoje: serbët për kishën, bullgarët për gjuhën, grekët për emrin. Shqiptarët duhej ta kapnin më fort për vjedhjen e rrënjëve. Megjithatë duke qënë fisnikë, mirë keq nuk ia zënë në gojë këtë; përkundër, i thonë eja të rrojmë bashkë në një familje-Republikë me të dyja etnitë tok! Rrënjët e tyre të lashta nuk duan t’ua ngarkojnë degëve të tyre tanimë të shpërndara nga historia, por as nuk pranojnë tjetërsim të historisë së tyre. Qëndrimi fisnik i shqiptarëve sot puqet me mendimin e studjuesit Viktor Berard te vepra «Maqedonia dhe helenizmi» 1893: «Në Siujdhesën e Ballkanit është një popull i cili s’jetoi kurrë mbyllur brënda forcave të tij e për popullin e vet, por gjatë shekujve pati rol të ushqejë vazhdimisht kombet fqinjë me material njerëzor» E më tej: «Nuk dyshoj në atë që e ardhmja në Maqedoni i takon asaj pjese që në të mirën e tij do ketë me vete Shqiptarin». Miss Durham duke e parë Maqedoninë në zhvillimin historik si etni dhe shtet, jep gjykimin e saj: «Maqedonia është një term shumë elastik që kushdo mund ta përdorë sipas qejfit  për hapsira të saj të cilat kërkon t’i marrë…Unë kam takuar njerëz që kujtojnë se ka një kombësi maqedone te liqenet e Ohrit e të Prespës…Një pjesë e mirë e tokës që e quajnë ‘çiflig’ afër liqenit të Prespës është pronë e shqiptarëve myslimanë». Dijetari anglez Buxton në veprën «Europa dhe Turqia» gjykon: «Raca shqiptare formon një faktor të rëndësishëm në Maqedoni; është e pamundur të shtrohet çështja e quajtur ‘maqedone’ pa marrë parasysh këtë popull të lashtë».
Sllavët në Maqedoninë e sotme të Veriut as këtë nuk e duan. Shtete të tillë shpesh i ngjajnë njeriut në hall: realitetin e papëlqyeshëm bëjnë sikur nuk e shohin e s’e përfillin, por thellë vetes e ndjejnë e nga kjo vuajnë atë që quhet «kompleksi i të përulurit». Duke qënë në rrënjë pa rrënjë ata zbatojnë gjykimin e Makiavelit «shpif, shpif se diçka do mbetet», e kjo është vazhdimësi.
            Autorit i mbetet e paharrueshme ngjarja tronditëse në Takimin e Poezisë në Strugë, 1994: Do festohej nata e fundit me recitime secili, kish ardhur dhe Presidenti Grigorov. Buzë Drinit qenë varg flamujt e dhjetra shteteve. Për çudi, flamuri ynë kombëtar, vetëm ai jepej i dhunuar: një leckë e zhubrosur me cepa të çjerrë, shqiponja s’i dukej e ngjante si zhele e kuqe Internacionaleje. Njoftova të zevëndësohej menjëherë ndryshe nuk merrja pjesë në darkë. U rrotulluan në shfajsime dhe e lanë siç qe. Me studjuesin dhe poetin Agim Vinca dolëm fotografi nën flamurin tonë të dhunuar (e ruaj kujtim të veçantë), e bashkë me shqiptarë të tjerë u larguam buzës së liqenit…Bëheshin zgjedhjet, e në Tetovë pashë një parullë rënqethëse si në fushatat naziste ku kandidati sllav shprehej: «Shqiptarët vetëquhen shqiponja, por ne do t’ua presim kthetrat»!..
            Kohë më parë shkrimtari dhe analisti i shquar Kim Mehmeti përmendëte një ndodhi sa për të qarë aq për të qeshur: një studjues i vëndit spjegon që gjer Pakistani sot ka rrënjë sllavo-maqedone(!): një emisar i tyre në lashtësi shkoi atje e u foli sllavisht si shpëtimtar: «Paki, stan»! (Paki, ngreu)!..dhe mbiu ‘Pakistani’(!)
Shakaja gatuar me marrëzira shkon më tej, siç e botoi dhe një revistë zvicerane me humorin e stilit zviceran: Hulumtuesi anglez Metju Leming mblidhka në Maqedoni nga 200 meshkuj «farë» mashkulli. Këto do t’i krahasojë me «farën» e 200 meshkujve afganë të qytetit Al-Khanoum për t’u gjetur ngjashmëri, si pasardhës të Aleksandrit të Madh! Brënda epruvetës angleze do provohet nëse kromozoni ypsilon (Y) i «maqedonëve» sllavë mos puthitet me kromozonin «afg»(!) të afganëve, për t’ua shitur politikanëve!
        Çfarë do bënte fabrika sllave e trillimeve në Shkup sikur të kishte edhe një të mijtën e dëshmive që kanë shqiptarët si pasardhës të maqedono-ilirëve të Filipit dhe Aleksandrit të Madh!? Lëmë të flasin dëshmitë! Dijetarja e madhe Dora d’Istria në një Letër dërguar De Radës thotë «Shqiptarët e Afganistanit» (pikërisht për vëndin ku kërkohet ngjashmëri me «farën» sllave)! Atje është vëndemri malor «Tora Bora». («Mali Bora» siç e thotë dhe Plini antik, ishte që te Thesalia e lashtë maqedono-ilire). Dihet  ngulimi maqedon që nga lashtësia mes Pakistanit e Afganistanit. Janë pasardhës të atyre 6000 luftëtarëve të Aleksandrit të Madh që pas fushatës së tij mbetën aty për arësye të kohës. Siç e përmend dhe studjuesi i nderuar arbëresh At Anton Belushi, ata flasin ende një dialekt të ilirishtes duke ruajtur traditat e lashta. Te studimi në fjalë «Ilirët në Afganistan» thuhet se ai është fisi Kalasha (kalà e lashtë) i quajtur Kafiristan (Stani i Qafirit). Nuk besojnë as Muhamet as Budë, Krisht jo se jo, e bëjnë bè «për këtë zjarr». Ruajnë gjuhën të cilës i thonë «Burrëshesh» (kujto «në shesh të burrave »). Studjuesit tregojnë se qenë habitur kur në hapsirën mes Afganistanit, Pakistanit, Kinës dhe Taxhikistanit gjetën një popull të racës së bardhë europiane, ndryshe nga ajo aziatike. Vëndi quhet «Hundëza» pasi zgjatet si hundë (‘Hundëza’ quhej dhe Karaburuni para se ta emërtonin osmanët); banorët quhen «hundëzakë»; mbi dyer skalisin dy brirë (përkrenarja e Lekës së Madh ). Vitin e Ri e kanë si paganët më 21 mars, e quhet «Na - urosh»! Zotit të parë i thonë «Di-Zau» (Dielli Zeus. Në gjuhën sanskrite, e afërt me ilirishten rrënja «di» do të thotë «ndrin…shkëlqen»). Ende sot në Indi është një fis që quhet «dardan». Në një fis të tillë që nga Leka i Madh kryeplaku quhet ashtu si te afganët «I miri». Në Hindi flitet gjithashtu për fisin «ghegers». Ami Boue te «Turqia Europiane», 1840 shkruan: «Emrin ‘ghegers’ në Pajvar-Indi a mundet vallë që njeriu mos ta afrojë me fjalën shqipe ‘gegë’ se sa me ‘grek’!?» . Përmëndim më tej studjuesin francez E. Vognje: «Shqiptari është epiroti i Pirros e i falangës maqedone. Aleksandri e çoi atë gjer në thellësi të Azisë». Renè Pinon te «Europa dhe Turqia e re», 1913 thotë: «Shqipëria shtrihet nga fusha e Vardarit në Adriatik, nga Thesalia në Mal të Zi mbi të gjitha kjo hapsirë është trashëgimia legjitime nga të parët e tij». Hahni dëshmon me kulturën e thellë të tij: «Pa qënë nevoja të marrim në ndihmë filologjinë por vetëm puqjen e thjeshtë të të dhënave marrë prej kohës antike, na lejohet të nxjerrim përfundimin se epirotët e maqedonët bënin pjesë në popullin e madh ilir». E më tej: «Nuk ka pse të habitemi që emri ‘Maqedoni’ dalëngadalë u shtri dhe mbi Ilirinë e Jugut e u bashkuan  zyrtarisht në këtë provincë. Po ky shkak bashkimi është më pak zyrtar e më shumë në unitetin etnografik të banorëve të të dy vëndeve». Falmerajer po ashtu: «Maqedonët e lashtë, fitimtarët mbi Athinën e Babiloninë kishin farefisni gjaku e gjuhe me shqiptarët epiroto-ilirë». Vëndet e Lindjes ku Leka i Madh kaloi si fitimtar atë e quajnë «Dybrirëshi». Është mbresëlënëse se emërtimin «Dybrirësh» e gjejmë dhe në Kuran. Te Suretu 18 përmëndet «Dhulkarnen» (Dybrirëshi-arabisht).
           
            Dëshmive tona u shtohet dhe dyzimi i emërtimit Gjergj Kastrioti me «Skënderbe» që lidhet në trashëgiminë e përbashkët iliro-maqedone të Aleksandrit të Madh. (studjuesi prift Zh. K. Faveiral Skënderbeun e quan «Aleksandër Beu’»). Ka një qartësim të çudiçëm zbuluar kohët e fundit: në Veri të Pakistanit, Karakum dikur Aleksandri i Madh sulmoi mbi mure qytezën e Ostreas, Nikomedi. Banorët mbroheshin rreptësisht me shigjeta por Heroi, edhe pse mori shigjetë në trup çau stuhishëm përpara. Të rrethuarit u hutuan si para një shënjtori qiellor e i ranë në gjunjë. I tillë u mbeti legjendë në kujtesë. Ngjarjen e përsëriti pas 1600 vjetësh Gjergj Kastrioti 19 vjeçar, kryetrim e i bukur, ahere prijës tabori të Sulltanit. Banorët e qëllonin me shigjetë. Ai çante përpara e përmbi mure u lëshua mes tyre. Banorët përsëri u habitën e i ranë në gjunjë me nderim për trimërinë. Legjenda u qe ringjallur e u kish ardhur histori para tyre – «Ai…Iskandari i largët…» të cilin nuk e harronin. Fjala i vajti Sulltanit, e ai i shtoi dhe emrin «Skënder-Bej». Jo rastësisht Bajroni sa me talent dhe me kulturë tha: «O Shqipëri ku lindi Iskanderi (Aleksandri), këngë e rinisë, fanar i të urtëve/, dhe Iskanderi tjetër (Skënderbeu) që i dërmoi përherë armiqtë me shpatën kreshnike». (Shkencëtari aventurier anglez që kërkon të sllavizojë Aleksandrin e Madh, si duket s’e njeh Bajronin e tyre).   
            Don Kishoti është veçanërisht i dashur ngaqë gjatë historisë përsëritet në shumë forma. Gjurmuesi sllavo-maqedon kërkon t’i mbushë mëndjen botës se Pakistani trimëror nis nga sllavët («Paki - çohu »)! Sikur nga ngjashmëri të tilla fjalësh shqiptarët të spjegonin botën, do qenë bërë perandoria më e madhe e kohrave. Bie fjala, sikur dhe shqiptarëve t’u merrte mëndjen vetëfryrja, Meksika ka lindur nga shqiptarët: një shqiptari shtegtar me emrin Meksi labovitët dikur i thanë «Meksi, ik», zbulo tutje deteve! Dhe ai iku gjer te vëndi i largët që u quajt prej tij «Meks-ik»! Një shkodran vajti në Azi, pa jetë të zezë dhe e quajti «A-zi» (është zi)! Tjetrit i thanë të mos largohej shumë, «Afër ik», e ai kaptoi Mesdheun shkoi gjer në «Afr-ikë» ku i vuri emrin. Një u bë tregëtar, «merr e sjell» plaçka gjer në bregdet të Francës, ku krijoi « Marsej»-ën shqiptare. Kaloi te ujdhesa anash; i fuqishëm si ilir, i habiti vëndasit e egër tek korri barin si kà, e ujdhesa u quajt «Kor-si-ka»! Edhe më çudiçëm, tjetri shkoi gjer në Kontinentin e ri, atje krijoi krahinën e njohur «Albani», u ngop me mirëqënie ‘ha-merr e ik’, dhe vëndit i dha kështu emrin «A-merr-ikë»!…Çuditë e marrëzitë nuk do kishin fund! Bazën këto delire e kanë te kriza e vetvetes që lind nga vetëfryrja sipër mungesës së rrënjëve të ëndëruara për prejardhjen. 
            Mesa duket shtetet, ashtu si njerëzit janë besnikë të djepit ku lindin. Republika e Maqedonisë u themelua më 8 gusht 1944 në Manastirin Polikrocinski, dhe u miratua zyrtarisht në tetor 1945 (pra në rrënjë është pjellë laboratori e komunizmit). Me këtë rast Titua shpalli orekset shovene nisur nga pjella e vet: «Kemi dhe maqedonët jashtë Republikës Popullore të Maqedonisë. Janë vëllezërit tanë në Maqedoninë e Egjeut. Besojmë se një ditë do bashkohen me ne, në Federatën Jugosllave të Maqedonisë»(!). Pazare politike kundër së drejtës e kundër historisë. Konti Çiano pati shpallur ngjashëm si fashisti me komunistin: «Vija e zgjerimit të cilën e ka caktuar vetë historia është - Selaniku për serbët dhe Tirana për ne»!
            Në defterët tepër të saktë turq e sllavë të Mesjetës për popullsitë nuk gjëndet gjëkund emri vëndas «maqedon». Edhe Stefan Dushani i sh. 14 u quajt «Mbretëria e Rumanisë, Sllavonisë dhe Shqipërisë» (gjëkund ‘Maqedoni’). Sllavët e sotëm aty ndjenë, që pas Luftës II B. u caktuan «Shtet-Republikë» mes të tjerëve. Por pa emër trashëgimie kombëtare u ndjenë lakuriq dhe ndjenë ftohtë. Ahere u zgjatën në lashtësi ku morën emrin më të bukur të saj «maqedonë» si një kostum të huaj fisnik që ta veshnin pas 20 shekujsh e të dukeshin sa të lashtë dhe të bukur mes Europës. Morën veshjen për trupin por u mungon gjaku për të që të mbahen trashëgimtarë besnikë të Maqedonisë ilire. Kjo aventurë krize zgjatet gjer në Enciklopedinë e sotme. Dëshmitë e të kundërtës që pohojnë rrënjën e përbashkët dhe vazhdimësinë maqedono-ilire të shqiptarëve si degë pelazge vinë nga të gjitha anët e kohërat si një breshëri meteorësh. Ato s’i shohin vetëm të verbërit nga sytë apo të sëmurët nga mëndja. Përsëritja e tyre më tej tanimë ndjehet dhe si diçka e kotë, por botës pranë të sëmurëve që s’duan të shërohen u duhet folur sadopak për të mos u sëmurur më keq.
            Mendoj se rrënjë e parë e dëshmive është harta e Anaksimandrit e sh. 7 para kr.(kush mund të dyshojë se ajo është shpikje e shqiptarëve para 27 shekujsh)! Aty Siujdhesa e sotme Ballkan emërtohet Iliri dhe Kaoni. Bonaparti njohu «Republikën Ilirike» nisur që nga Trieste. Pikat fillestare mbi «i» i vë historiani i lashtësisë Strabon: «Popullsia e Epirit, Ilirisë e Maqedonisë flasin një gjuhë, flokët i presin me të njejtën formë; sjelljen e zakonet i kanë të njësuara…Këta drejtoheshin nga kuvëndet e pleqësive që quhen Pelagonia; plakut i thonë ‘plajs’ e plakës ‘plajë’ ». Polibi i lashtë gjithashtu kur tregon një udhëtim emisarësh të lashtë: «Ata kaluan malin e Skardit (Sharrit) dhe përshkuan krahinën e quajtur Iliria e shkretuar».
            Vlerësim të veçantë e të gjerë bën dijetari i shquar J. Hahn te «Studimet Shqiptare» 1854 e më tej. Ai përcakton: «Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve të herët parasllavë të këtij vëndi. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm që në kohën e romakëve e të helenëve gjëndeshin në trojet e tyre të sotme». E më tej: «Epirotët e maqedonët në përgjithësi quhen pelazgë si dhe barbarë’…Maqedonët dhe epirotët bënin pjesë në fiset e mëdha ilire, por e shihnin veten si fise të pavarura, fise të afërta me njeri tjetrin ose me prejardhje të përbashkët». E më tej: «Pa qënë nevoja të marrim për ndihmë filologjinë por vetëm puqjet e thjeshta të të dhënave që nga lashtësia, na lejohet të nxjerrim përfundimin se epirotët dhe maqedonët bënin pjesë në popullin e madh ilir».
            Plotson Falmerajer te «Elementi shqiptar në Greqi»: «Pavarësisht nga ngrica që po sundon në Europën shkencore…fryma bindëse e mendimit të Z. Hahn se maqedonët e vjetër, kjo racë fitimtarësh ndaj Athinës…qenë të afërt në gjak e gjuhë me shqiptarët e mirëfilltë epiroto-ilirë ». Më tej shton: «Shqiptarët janë rrënjës…një degë e fisit ë madh të ilirëve e njëkohësisht të afërt në gjak e gjuhë me epirotët e maqedonët e lashtë». Dijetari i madh Laibnic jep gjykimin e tij: «Prej sa është thënë gjer këtu, shihet qartë se Shqipëria e sotme dhe Epiri flasin pikërisht gjuhën e herët të Maqedonisë, që mund të thuhet edhe «’ilirishte’». Filozofi J. Herder, sh. 18 te «Ide për historinë e njerëzimit» shkruan: «Popujt që kanë dalë nga Ilirët, Trakët, Maqedonët e lashtë, dmth shqiptarët, vllehët, arnautët…nuk janë aspak të huaj por një popull i lashtë i famshëm europian, dikur kombe kryesore». Dijetari Thalloci thotë: «Kombin shqiptar e thërresin herë ilir, herë maqedon, herë Epirios». Kronisti bizantin Halkokondili vlerëson: «Shqiptarët numurohen më tepër për Maqedonë se për  ndonjë komb tjetër të botës…». Rene Pinon te «Europa dhe Turqia e re» 1913: «Shqipëria shtrihet nga Vardari në Adriatik e nga Thesalia në Mal të Zi, e mbi të gjitha, kjo hapsirë është trashëgimia legjitime nga të parët e tyre». Studjuesi Edison Klark shkruan se shqiptarët «banojnë në teritorin që përfshin vëndin e ilirëve në Maqedoninë Perëndimore duke u shtrirë nga Mali i Zi në Gjirin e Artës». Stjuesi Biondeli thotë për shqiptarët se «Pa dyshim, janë një gjak me maqedonët e lashtë, trakët, dakët e ilirët».
Vlen të përmëndet i madhi Niketë Dardani i sh. 4 pas Kr., autor i Hymnit Universal «Te Deum…». Vëndlindja e tij qe Dardania, afër Shkupit. Bashkëkohësi Paolin Nolani, ipeshkëv i Nolës i kushton një poezi ku i thotë mes të tjerash: «Ti do përshkosh mes fushave të Filipit të Maqedonisë e nëpër qytetin Thomitan ke për t’iu afruar Shkupit të vëndlindjes…». Peshkopi slloven i Antivarit Mgr. V. Zmajeviç më 1703 shkruan: «Shqipëria zë sot gjithë atë pjesë bregdetare që ndodhet mes Postroviçit, kufiri i fundit i Republikës Venete dhe Gjirit të Ambrakisë i quajtur liqeni Arta, duke përfshirë me emrin ‘Shqipëri’ jo vetëm qytetin Tivari e Ulqini pranë Dalmacisë po dhe gjithë Epirin që shtrihet nga Vlora në Arta si dhe pjesa më e madhe e Maqedonisë». Siç shihet, Njeriu i Perëndisë nuk i jep shqiptarët skifterë malesh me sy nga fushat duke pritur që të turren më të poshtë posa sllavët t’u hapin vënd. Të njejtin mendim jep burrështeti i shquar britanik, lordi Fitzmaurice kur pas Kongresit të Berlinit shpata sllavo-greke u ngrit sipër trojeve shqiptare: «Shqipëria nuk është vetëm ajo që jemi mësuar ta quajmë me këtë emërtim gjeografik, dmth dy Vilajete, i Kosovës e i Janinës, por ajo që shtrihet në drejtim të lindjes deri në vijën e maleve që ndajnë rjedhën e ujrave që derdhen në detin Adriatik e në Egje duke përfshirë një pjesë të madhe të Vilajetit të Manastirit e Prishtinës ose Kosovës…dhe drejt Verilindjes (siç është treguar në mënyrë të veçantë në Hartën e Keipertit)». Te Abacia e Grottia Ferrarës vlerësohet «konvertimi i Patriarkut Attanas të Ohrit në Maqedoninë shqiptare më 1659…Selia metropolitane e Ohrit në Maqedoni që në dokumentet romake të atij shekulli quhet Epir sepse banohej prej shqiptarëve, dmth epirotëve». Vëmë në dukje se Tuqididi shkruan: «Në Maqedoni përfshiheshin dhe linhestët» (Ohri i sotëm). Alvarez, i Konsullatës britanike në Stamboll më 1880 njofton: «Racat që e banojnë këtë vënd i cili politikisht mbledh pjesën më të madhe të Vilajetit të Kosovës e një pjesë të Vilajetit të Manastirit dhe gjithë Serbinë e vjetër apo turke janë raca shqiptare e serbe. Nga këto të dyja shqiptarët janë shumë më tepër se serbët » (asnjë sllavo.maqedon nuk jepet në horizont). Konsulli grek në Shkodër më 1876 përcakton se «Shqipëria etnografike përmbledh 5 krahina» e mes tyre vë «Maqedonia Perëndimore - Manastir, Ohër, Follorinë, Kërçovë, Kolonjë, Korçë... ». Linguisti R. Katiçiç gjykon: «Vashdimësia iliro-shqiptare fiton një përmasë të re e nuk është më një abstraksion etnologjik i papërcaktuar e i ngatërruar. Arrihet të kapet realiteti historik e të shihet formacioni etnik i vërtetë që përbën substratin e kësaj vazhdimësie». Një gjykim themelor, sigurisht i palëkundur është ai që thotë Enciklopedia Didero-D’Alamber botuar më 1778 në Gjenevë, dhe cituar nga Mit’hat Frashëri te emërtimi «Shqipëria» (jo «Iliria») kur jep hapsirën e saj: «Në perëndim nga Gjiri i Venecias, në veri nga Dalmacia e Bosnja, në lindje nga Maqedonia e një pjesë e Thesalisë ndërsa në jug nga Akaia ose Livadie. Me emrin ‘Shqipëri’ kuptohet Iliria e lashtë dhe Epiri në Greqi»! E vërteta qe e vërtetë dhe për një femër të kohës. Meri Montanje, shoqja e ambasadorit britanik në Stamboll më 1716 shkruan me adhurim për shqiptarët në vëllazëri fesh të ndryshme: «Ata janë vendës të Shqipërisë, Maqedonisë së lashtë dhe ende ruajnë diçka nga tradita e ashpër e maqedonëve ndonëse emrin e kanë humbur duke qënë luftëtarët më të mirë të Perandorisë turke dhe të vetmit që mund të maten me jeniçerët…të pamësuar me dredhi…». Teodor Momsen thotë: «Kombësia ilire i qëndroi romanizimit më mirë në sinorin e governatorisë së Maqedonisë sesa në atë të Dalmacisë. Aty rron kombësia (ilire) edhe sot e kësaj dite». Anglezi Dr. Holland shton: «Zbulimi i një populli në rajonet malore të Ilirikumit e të Maqedonisë e në disa pjesë të Epirit antik ka qënë i dallueshëm përsa i përket gjuhës, veshjes e zakoneve kombëtare, ka tërhequr vazhdimisht vëmëndjen lidhur me prejardhjen e tij». E studjuesi sllav Dr. Mlladenoviç thotë mes të tjerash: «Popullsia sllave mori emrat e krahinave ku u vendos, . Naretna, Trebunjotë… ».
Fushë e veçantë ‘lufte’ është përkatësia e Aleksandrit të Madh si Himalajë e Maqedonisë së lashtë. Kush ka kapur atë zotëron tërë hapsirën rreth Tij. Viktor Berard thotë: «Kur shqiptarët e mbajnë të vetin Aleksandrin, Akilin…tepërimi është në formë ndërsa ‘e pabesueshmja’ përmban një të vërtetë». Felix Zhylien duke u lavdëruar shqiptarëve «pasionin për pavarësi e lavdi si tipar kryesor karakteri e burim heroizmi» shton: «Në të gjitha kohët Shqipëria ka qënë vëndi klasik i heronjve: atje Homeri gjeti Akilin, Greqia Aleksandrin e Madh e Papa Eugjen IV Skënderbeun». Te vepra «Shqiptarët» historiani amerikan Edvin Zhak po ashtu: «Këta bij të paepur të Shqipes ishin pasardhës të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Pirros».
Dora D’Istria thotë për Lekën e Madh: «Nëna dhe shqiptarja Olimbi…deshi t’i jepte të birit prejardhje mbinjerëzore e për këtë pohonte se në shtrat e kish vizituar gjarpëri hyjnor». Nga kjo në dokumente të tjerë në Itali Aleksandri quhet dhe «Kaleksandri i Mathi» (Ka -le -kso -andre »). Jo rastësisht dy Brirët, simbol pelazg, i mbanin të tre bashkëkombasit e Mëdhenj, Leka i Madh, Pirroja dhe Skënderbeu. Historiani Flori i sh. 2 thotë se para Pirros, përkrenarja me brirë qe profil i kokës së Aleksandrit të Madh. Dijetari P. Franke shkruan se Skënderbeu «mban një helmetë me dy brirë cjapi të mëdhenj që nuk ndeshen gjëkund në tablotë bashkëkohore. Stolia e helmetës lidhet me një model të lashtë, simbol i derës së lashtë maqedone». Për këtë Plutarku thotë për një betejë ku «maqedonët përballë e njohën Pirron nga penda e ndritëshme dhe brirët prej dhie si te Leka i Madh dhe vrapuan vanë me të duke e njohur si Prijës». Më tej thotë: «Kur do t’i sulej Maqedonisë pa ëndër sikur e thirrte Leka i Madh. Pirrua i vajti te shtrati ku Ai i foli me zë të ëmbël se do ta ndihmonte: «Mbret, ti je i sëmurë, si do më ndihmosh»?! «Me anën e emrit tim» tha Mësuesi e u çua ia hipi kalit dhe ecte para Pirros duke i treguar rrugën».
 Në Kujtime Pukvili shënon për shqiptarët «Ata janë ushtarët e Aleksandrit të Madh e të Gjergj Kastriotit…». Më tej E. Vognjë shkruan: «Shqiptari është epiroti i Falangës Maqedone. Aleksandri e çoi atë gjer në thellësi të Azisë». Albanologu N. Jokël po ashtu: «Shqiptarët qenë luftëtarët më të shquar të Aleksandrit, Pirros, Dioklecianit e të Sulltanit të Stambollit». Po ashtu historiani De La Zhonkuirë: «Gjer kohët e fundit në rojet e mbretërve të Napolit gjëndet një regjiment shqiptarësh që quhej ‘Real Macedonie’ (Maqedonia Mbretëroe), siç e trashëgonin në shpirt kujtimin e atdheut bijtë e tij. E Doduell në nisje të sh. 19 thotë: «Gratë shqiptare mblidhnin monedhat me fytyrën e Aleksandrit të Madh e i varnin si nuska». Historiani romak Justen thotë për dramat në luftë të shqiptaro-ilirëve të kohës: «Populli në muret e kalave hapte krahët e thirte shpirtin e Filipit e të Aleksandrit». Në «Gjeografia Universale» 1875 E. Reklus shkruan: «Nuk ka popull modern si shqiptarët për të cilët kronikat të japin shembuj aq të qartë burrërie! Në sh. 15 ata kanë pasur Skënderbeun, Aleksandrin e Madh të tyre i cili për lavdinë e Tij sigurisht nuk pati një teatër aq të madh sa Maqedonia, por aspak më të ulët në gjeninë e Tij, dhe qe po aq i madh në drejtësinë e humanizmin e Tij». Miss Durham më tej: «Aleksandri i Madh ishte maqedon dhe Olimpia, nëna e tij princeshë e Epirit (Shqipëria e Jugut), pra s’ka dyshim që Aleksandri ishte shqiptar». Në këtë gjykim, historiani i Aleksandrit të Madh, Vajgal thotë: «Aleksandri ishte trashëgimtar i fronit dhe për të duhej të zgjidhnin një nuse prej gjaku të pastër maqedon». Te «Historia e Turqisë» historiani Lavalle thotë për shqiptarët: «Ata kanë qënë ushtarët më të guximshëm të Pirros, Lekës, Dioklecianit, Skënderbeut e më në fund të sulltanëve të Bizantit». Duke përcjellë mikun e Madh Skënderbeun, në një mbledhje me krerët ushtarakë Mbreti Ferdinand i Napolit tha: «Ti e ke zanafillën nga stërgjyshër e nga një vënd i tillë siç është Epiri i pamposhtur e Arbëria, e quajtur dikur Maqedoni, ku kanë lindur e lulëzuar prijës nga më fisnikët e më të pathyeshmit…». Në pritjen që i bëri Papa Pali II më 1466, Analet e Romës shkruajnë: «Aleksandrin, mbretin e epirotëve të cilin në gjuhën e shqiptarëve e quajmë ‘Skënderbe’…». Shkrimtari arab Azis Hanki vlerëson: «Ataturku me baba shqiptar e nënë maqedone (shqiptare-çame, a.sh) prej nga mori vullnet, liri, sedër e rreptësi. Mustafa Qemalit i ziente në dej gjaku i Lekës së Madh e i Mehmet Ali Pashë Kavallës». Prof. amerikan Graham Reid përkthen poemën Skënderbeu të Perliçevit ku thotë: «Skënderbeu (Skanderbeg, Iskander ose Aleksandër Bej) emri i vërtetë i të cilit ish Gjergj Kastrioti…shëmbulli i tij legjendar është parë me nderim edhe në radhët e maqedonëve». Ndërsa Natalie Klayer te «Fillimet e nacionalizmit shqiptar » përcakton: « Fabrikimi i Panteonit Kombëtar filluar shumë më parë se 1896 përmblidhte figura të tilla si Aleksandri i Madh, Pirro, Skënderbeu, Bushatllinjtë dhe Ali Pashë Tepelena». 
            Ndër tezat prej fëmijësh të Enciklopedisë Maqedone është, se «shqiptarët kanë zbritur nga malet e kanë zënë fushat e sllavëve duke i përzënë». Kjo është tezë veçanërisht e turpëshme e armiqësore ngaqë është dhe përsëritje e tezave të tejzgjatura serbe e greke. Mesa duket Shkupi zyrtar (ku shqiptarët zyrtarë pothuaj s’janë gjallë) po ia bën mirë shërbimin Beogradit.
            Afritë historike dhe gjenetike të grupimeve iliro-shqiptare janë aq të vërteta sa shpesh ato shkrihen bashkë e janë lexuar te njeri tjetri. Një Puarso e Kajks lë shënimin: «Mbretëria e Maqedonisë ia detyron prejardhjen e vet një kolonie pelazge të dëbuar nga Histokotida prej kadmenëve rreth vitit 1302 para kr. Ata u vendosën në Pind nën emrin maqedonas e u shtrinë deri në Emathia». Barleti shkruan: «Sot Shkodra është qëndra e bregut të Maqedonisë». Hahni thotë: «Konsulli Balerini ka të vetën një hartë të madhe të kësaj krahine ku rënojat e Pellas, vëndlindjes së Aleksandrit të Madh janë shënuar në mes të Matit». Vaso Pasha shënon: «Maqedonia është një nga krahinat më të mëdha të Ilirisë. Emri i parë i Maqedonisë është Emathia». Ai shton (ashtu si Konica): «Skënderbeu u zgjodh mbret i Shqipërisë nga të dërguarit e Epirit, nga Ilirët e Maqedonët e u quajt ‘Issus Nazaremus, Princ i Emathies». (Studjuesi gjerman Rafael Folate shkruan për Kastriotët: «Tre breza të kësaj dere sunduan tokat e Maqedonisë e të Epirit »). Rinaldi në v. 1457 shkruan se Papa Kaliksti III udhëzon që «të dhjetat e Dalmacisë të ndahen mes mbretërve të Bosnjës e të Hungarisë dhe Princit të Maqedonisë, Skënderbeut». Studjuesja e shquar Nermin Vlora-Falaski po ashtu: «Maqedoninë e lashtë e quanin Emathia, emërtim që ia trashëgon Mati» («i Math» si Maqedoni). Edvin Zhak përforcon: «Emri i lashtë i Maqedonisë qe Emathia (e Madhja) dhe pelazgët, të detyruar të shpërngulen në trevat e sotme shqiptare e emëruan krahinën malore ‘Matia’ ose Mat».
            Vërtetohet nga tërë anët se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve vëndas. Del pyetja e parë: Nëse shqiptarët rrinin në male, si është e mundur që ato fusha të bekuara rrinin bosh para ardhjes sllave!? Ose, kush banonte aty ahere!? E sqaron dijetari Hahn: «Burimet që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër veç atij sllav…Shqiptarët e sotëm janë pasardhës të banorëve të herët parasllavë të atij vëndi…Parardhësit e shqiptarëve të sotëm gjëndeshin në trojet e tyre të sotme që në kohën e romakëve dhe helenëve». E më tej edhe më shkoqur: « Albania është një emër vëndi rrënjës. Ajo ka qënë që në kohë të Strabonit dhe shqiptarët janë banorë të lashtë europianë…Gjatë dyndjes së tyre sllavët fitues morën në pronësi fushat, i prapsën në male pasardhësit e dardanëve. Robërimi i pjesëve malore banuar nga shqiptarët luftarakë u sillte më shumë mund se fitim, dhe u ndërpre…Koha sllave mbetet vetëm një ndodhi në historinë e Shqipërisë». Prifti dijetar Zhan K. Faveirial te vepra «Historia më e vjetër e Shqipërisë» spjegon se më 1689 «Fushat e Kosovës të cilat pak nga pak u qenë zhvatur shqiptarëve u rizunë përsëri prej tyre. Shqiptarët përndjekja i kish zemëruar e i kish bërë të ashpër. Ishin më shumë tigra se njerëz pasi të tërhequr dhunshëm në male ata për banesë kishin vetëm shpellat dhe tendat». Pr. H. Fromer te vepra «Ilirët» shkruan: «Trysnia sllave solli një ndrydhje të ilirëve e një çvendosje të tyre drejt Jugut…Teritori dalmat ilir u rrezikua shumë…Sulmet e vazhdueshme dhe ekspeditat plaçkitëse, robërimi i pjesëve të popullsisë dhe humbja e çdo rendi shtetëror…Aty gjëndej një lloj parku kombëtari lir në të cilën mundën të ruhen të paprekura prej shekujsh zakonet e doket e lashta». E më tej: «Trojet e Manastirit i përkisnin Shqipërisë dhe për herë të parë iu dhanë Jugosllavisë me një akt arbitrar». Për këtë fenomen Viktor Berard sqaron më tej: «Paraardhësit e drejtpërdrejt të shqiptarëve, ilirët e lashtë, epirotë, dardanë, peonë, maqedonë, thesprotë…Në sh. 14 të detyruar nga Stefan Dushani, shqiptarët vanë në Jug të Greqisë».
Nëse grupi i Enciklopedisë do shfajsohet se këto trysni u takojnë serbëve, të ndryshëm nga ne, disi bullgarë, ahere citojmë J. Tunman te «Kërkime në historinë e popujve të Europës Lindore»: «Bullgarët ose Ungrët shkretuan Epirin më 517…Pastaj erdhën sllavët të cilët më 548 dogjën e përvëluan Ilirinë gjer në Dyrrachium. Ata u pasuan nga avarët». Po aq qartë spjegon Miss Durham për sllavët: «U përpoqën dhe t’i çduknin krejt (shqiptarët) po nuk ia dolën dot, se është e pamundur të çdukësh fare banorët e një vëndi, sado të mundur. Duke ruajtur zakonet e veta shqiptarët u strehuan në grykat më të thella të maleve të tyre të pashkelshme». Dhe gjykimi i plotë: «Duke zbritur nga malet në fusha, ata zbritën në trojet e të parëve të tyre prej nga i kishin dëbuar». Këtë pohon qetësisht dijetari Mid’hat Frashëri për shqiptarët ndrydhur në male: «Ata nuk bënë gjë tjetër veçse u rikthyen në shtëpi të vet, siç e pranon me shumë të drejtë lordi Fitzmaurice».
            Ështër tepër mbresëlënës se këtë gjykim e përkrah dhe sociologu serb Dimitri Tucoviq te vepra «Serbia dhe Shqipëria»: «Po e zemë se elementi serb është detyruar të tërhiqet vetëm nga trysnia shqiptare. Por a thua, se kjo ka ngjarë vetëm një herë në histori, që dyndja e disa fiseve të organizuara më mirë e me ndihmesa të tjera ta përzerë një popull nga vatra e tij!? A thua disa sllavë nuk i përzunë banorët rrënjës (nënthënia për shqiptarët-a.sh.) të këtyre vëndeve me mjete për të cilat historiani nuk ka asnjë mendim të mirë»?
            Mjerisht në mjerimin e tyre racist, akademikët shtetërorë sllavo-maqedonë zgjatin jehonën e ideve raciste serbe si çirakë të zellshëm të tyre. Kujtojmë, një  pamfletist Gregor Jakçiç më 1913 njoftonte botën për «shtrirjen e shqiptarëvce përtej kufijve të vet»: «Një vërshim lumi shkatërrimtar që del nga shtrati në mungesë të një force rregulluese. Ka ardhur çasti që lumi të rifutet në shtratin e vet»! Dhe këtë shtrat e mbushën brezpasbrezi me gjakun e shqiptarëve. Dy vjet më pas i nxjerr lakuriq bashkëkombasi i tyre Jordan Ivanov, Prof. në Univ. e Sofjes, te vepra «Bullgaria e Maqedonia»: «Banorët e sotëm të pjesës më të madhe të qyteteve të Maqedonisë janë të rij, të ardhur nga fshatrat fqinje gjatë sh. 18-19». Krimi i shoqëruar me mashtrimin dhe paturpësinë del në pohimin e Çubriloviqit, akademik serb (vëlla në shpirt i akademikëve në fjalë sot). Për çdukjen e  shqiptarëve, i frymëzuar nga shteti, nga zyrat e Akademisë këshillonte shtetin dhe ushtrinë e tij: «Ky problem do zgjidhet vetëm ahere kur kolonët tanë të zbritur nga Veriu përmes Kosovës e Metohisë në drejtim të maleve të Sharrit e Pollogut do takohen me kolonët maqedonë». Nuk ka më qartë, zotërinj akademikë! 
            Eqrem Çabej thotë se kombi shqiptar është komb i ngushtuar, i rrudhur brënda vetes. Ky ngushtim ka ardhur nga të gjitha anët e nga të gjitha format mbi vëndin me tokë dhe diell të bukur mesdhetar. Kronisti bizantin i Sulltan Fatihut, Kristobuli nga Imbrosi shkruan: «Disa ilirë duke parë që ndiqeshin nga hoplitët (osmanë) dhe pasi nuk gjetën asnjë vënd për t’u strehuar, u hodhën poshtë që nga shkëmbenjtë në hapsirën e përrenjve e u vetëvranë». Ngjarja e përsëritur aq shpesh te shqiptarët është një nga format e tërheqjes dhe e vdekjes brënda malit. Pikëllimi njerëzor i këtij fati lexohet te elegjia e madhërishme popullore: «O ju male me dëborë, pse s’qani hallet e mia», kur mali qe streha e fundit e tyre.
            Del pyetja: pse përballë armikut shqipatrët trima futeshin menjëherë brënda malit (e ngjashme me pyetjen: pse shqiponja që s’rron dot pa liri kërkon lartësitë)?! Duke pasur parasysh dyndjet e sllavëve, është më lehtë të përballesh me një tigër se me mizërinë pa fund të mizave që të sillen rrotull. Këtë e spjegon bukur diplomati anglez Uiliam Temperli te «Historia e Serbisë»: «Sllavët nuk erdhën thjeshtë si ushtri pushtuese e mund t’i luftoje me armë, por si një mizëri njerëzish kundër të cilëve nuk kish fuqi t’u qëndronte. Qe e pamundur të ndalje dyndjet e tyre kur numuri dhe pesha zinin vëndin e vetive luftarake». Te «Letra nga Shqipëria» Hobhauz thotë: «Sllavët e bullgarët…kishin zbritur deri në viset veriore të Danubit ahere kur mbretëronte Justiniani. Ata bënin vërshime të përvitëshme mes Ilirisë, shkatërruan qytetet e saj e shkretuan vëndin gjer në Korinth». Historiani Romilly Jenkin te «Bizanti e Bizantinizmi» shton: «Këta pushtues qenë sllavët e uritur  për tokë të cilët ishin grumbulluar gjatë disa dhjetvjeçarësh në mizëri të panumurueshme përtej Danubit e tani, nën udhëheqjen së pari të turqve avarë e më vonë të avarëve turq u derdhën përpara si përrenj pa fre». Herder po ashtu: «Pas hunëve janë bullgarët që kanë luajtur një rol të tmerrshëm në Europën Juglindore» (akademikui i nderuar Ristovski, po të kërkojë thellë rrënjët e tij do t’i gjejë te këta shkatërrues të tmerrshëm sllavo-avarë të cilët ai si nip i ringjall me botimin e Enciklopedisë kundër shqiptaro-ilirëve të sotëm). Ai nuk pranon që me shqiptarët të rrijë si një fqinjë në fund të fundit mirënjohës, por si padron ndaj skllavit të përgjunjur. Të ringjall kështu thënien e Konicës kur Europa e qytetëruar sot gjykon ndryshe: «Sllavin pranoje në shtëpi, e të nesërmen ai do thotë që shtëpia është imja, kurse të pasnesërmen do të të dëbojë nga shtëpia jote». 
            Vlerësimet e dijetarëve të shquar që nga lashtësia qenë e mbeten lëmi burimor prej nga dhe dijetarët shqiptarë dhanë gjykimet e tyre kur panë se fqinjët po u rrëmbenin majat, apo kur i fyenin si racë. Përmëndim sadopak duke filluar nga më i Madhi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti. Në Letrën e njohur - polemikë që i dërgon Princit të Tarantos thotë: «…Ju pohoni se Shqipëria është pjesë e Maqedonisë. Pa dashur ti pohon vetë se të parët tanë së bashku me Lekën, u futën deri në Hindi. Kjo tregon se qenë më trima nga ata kombe të cilët i shtruan. Nga ata burra kanë dalë këta njerëz që ti i quan bagëti. Po nëse, sipas jush janë bagëti, pse ju dridhen këmbët e çdukeni kur ndodheni para tyre»!? Barleti thotë: «Emri ‘Skënderbe’ iu dha Gjergjit nga Osmanët e me këtë emër ata kishin parasysh Aleksandrin e Madh». Duke krahasuar dy Heronjtë e mëdhenj bashkëkombas, më tej shton: «Mos keni dëgjuar vallë, se dhe mbreti i persëve, Dari, i dërmuar nga Aleksandri ynë mori arratinë»! Te Testamenti Politik De Rada u lë amanet shqiptarëve: «Të njësuar e të bashkërenditur, këta do ripërtërijnë vëndin me të cilin Leka i Madh nisi pushtimin e Azisë», e më tej: «Shqiptari dikur ka qënë djep dhe fushë veprimi i Pirros, Filipit të Madh e Lekës së Madh si dhe Skënderbeut që mundën perandoritë e fuqishme bashkëkohëse». Ismail Bej Vlora më pas për shqiptarët: «Duke banuar në një farë mbylljeje, ata qenë ndarë në grupe të ndryshme të quajtur herë maqedonë e herë ilirë, edhe sipas lojës së pushtuesve. Por ata vetë, të patronditur kurrë nga këto grupime të detyruara që nuk ua prekën racën, gjuhën dhe karakterin e tyre kombëtar, as që pyetën fort për rënie perandorësh ose ndryshime kufijsh…Sa herë u janë prekur liritë ata janë treguar aq guximtarë sa në kohët e largëta kur shkonin me Aleksandrin e Madh ose Pirron. Të tillë edhe sot ata tregojnë se e kanë ruajtur nacionalizmin e tyre të kulluar e të paprekur gjatë shekujve». Prof. Nikollë Keta në Palermo shkruan veprën «Thesare lajmesh mbi maqedonët»: «Origjina e shqiptarëve rjedh nga maqedonët e janë të njejtë me ta, se gjuha shqipe është nga më të vjetrat në botë e se Shqipëria në lashtësi ka qënë ajo pjesë e Maqedonisë që shtrihej drejt Drinit të Bardhë, Epirit e një pjese të Peloponezit e që quhej ‘Alvanitia’ prej shkrimtarëve bizantinë». Dijetari Markianoi gjithashtu: «Populli shqiptar është, nëse jo pelazg, me prejardhje pelazge si një familje e asaj race shumë të lashtë që populloi brigjet e Azisë së Vogël, Greqinë, Trakinë, Maqedoninë, Epirin, Mizinë e Dakinë». Ai shkroi gjithashtu «Relike e gjurmë të trungut të lashtë glotik shqip dhe afri të gjuhëve trakishte, maqedone e ilire». Te vepra «Ilirët» Aleksandër Stipçeviç përcakton: «Dardanët shtriheshin në një hapsirë që përmbledh Maqedoninë e sotme veriore, krahinën e Kosovës e të Metohisë, një pjesë të madhe të Serbisë Perëndimore». Duke e përfshirë gjakun gjenetik te rrënja, studjuesi Paolo Peta thotë për birin e Gjergj Arianitit në Perëndim «Kostantin Arianitit i qe njohur titulli më i latë ‘Princ i Maqedonisë’». Për tjetrin emërtohej: «Despot i Epirit, Dukë i Akesë, Princ i Maqedonisë». Më 1706 Familja e ndritur shqiptare Bua qe shënuar në «Librin e Bujarisë» të qytetarëve të nderuar të Korfuzit (gjer në gjysmën I të sh. 19 i kishin bërë ballë helenizmit). Aty shkruhej epitafi: «Zbres nga epirotët dhe maqedonët». 
 Samiu i merr bashkë kur thotë: «Popullsia e Epirit, Ilirisë e Maqedonisë…vetqeverisen nga Kuvëndet e Pleqësive…». E më tej: «Shqiptarët janë dhe sot ç’ishin këtu e kaq mijë vjet më parë; janë pellazgët e kohëve të përrallta, ilyrianët e maqedonasit e kohëve të vjetra, epirotët e kohës së Skënderbeut…Në sh. 7 erdhën sllavët turma turma duke u vendosur në pjesën veriore të Ilirisë me lejen e perandorëve grekë të Kostandinopojës.  Nikopoja në veri të Prevezës themeluar nga Augusti u shkatërrua nga sulmet e bullgarëve e grekëve». Naimi sado poet i brishtë jep zërin e tij për shqiptarët duke shkuar te rrënja: «Ju, stërnipër të të Madhit Aleksandër e të Pirros/ ju, o bij të Skënderbeut…». Barleti te «Historia e Skënderbeut» shton: «’Maqedoni’, sot në gjuhën popullore quhet Arbëri ngaqë banorët e atij vëndi thuajse të gjithë flasin gjuhën arbërore». Pjetër Budi thoshte se ai rjedh «nga shtëpia e lashtë e Budëve të Maqedonisë». Bogdani thotë se shqiptarët janë «bij të Lekës» dhe citon Eusebion e lashtë ilir, përkthyesi i parë i Biblës latinisht: «Cezar Augusti donte fort me pasë në ushtri të tij t’arbneshë sepse, thoi, pësonjën shumë e nuk druhen për uni e etje, e se janë ma zemrorë se të tjerët. Kështu bani Leka i Madh me maqedonët kundër ushtrive të panumurta të Kserksit». Eusebio i sh. 4 thotë më tej: «Në Dalmaci e në Paoninë kufi flitet një gjuhë ‘barbare’, jo latine, pra gjuha e vëndit». Gjetkë ai përshkruan me dhimbje tragjike e me penë të ndritëshme shkrimtari për ardhjen e vandalëve me sllavët si shërbëtorë, (stërgjyshët e Ristovskit): «Gjithandej veç pikëllim e tmerr me pamje pa fund vdekjeje! Shkatërrohen qytete e vriten njerëz, ikin e rrallohen dhe kafshët, zogjtë e peshqit. Për këto është dëshmitar Iliriku, dëshmitar është Trakia, dëshmitar është dhe vëndi im ku kam lindur, ku çdo gjë u çduk veç qiellit e tokës, veç ferrave që vetërriten dhe pyjeve të dëndur».
Përmbi këto pohime që plotsojnë njeri tjetrin si një zinxhir i ndritur unik, Akademikët fqinjë, për ligësinë dhe të zezën e tyre i japin shqiptarët egërsira që zbresin nga malet (me nënthënien se me ta duhet sjellur si me egërsirat)! Zanat i njohur: shpifja për viktimën mbulon gjakun në duart e kriminelit. Kërkesë tepër e vështirë dhe e guximshme. Mënjanojmë veten dhe plotësojmë më tej me dijetarët e huaj cilët nga emri mbeten të pakundërshtueshëm sepse janë dhe të mëdhenj dhe të shumtë! Dijetari i shquar Karl Treimer… thotë: «Të parët e shqiptarëve të sotëm kanë qënë bartësit e një shteti të madh të fuqishëm dhe krijues të kulturës europiane të Epokës së Hekurit, pra të një kulture të vetive të larta…». Edvin Zhak vlerëson: «Ky popull i lashtë pelazg shënon një datë më të herët se zhvillimi i qytetërimeve të Greqisë e të Romës. Ne zbulojmë gjurmë të kulturës parahelene të Shqipërisë të cilat nuk mund të kuptohen ndryshe» (me gjithë nderimin që kemi si popull, sllavët në stepa e moçale as që zihen në gojë). Antropologu amerikan C. S. Kun te «Mbi racat e Europës» thotë: «Ilirët, racë nordike…krijuesit e qytetërimit të Hekurit në Europën JL kur emri Romë e Athinë ende nuk qenë dëgjuar»! Dijetari Hans Krahe plotëson: «Në gjysmën e II-të të mijëvjeçarit të II-të para kr. në Gjermaninë Lindore ka qënë një qytetërim që ka arritur në një lulëzim të lartë. Ajo është quajtur «Qytetërimi i Lauzistit». Sjellës i këtij qytetërimi ka qënë populli gjerman i ilirëve».
Për ta afruar te vëndi saktësinë, përmëndim mendimin e historianit E. Bidera më 1846 te vepra «40 shekuj»: «Karroja e Latonës, dmth qytetërimi pelazg nuk u ndal veçse në Epir. As nuk humbi siç besohet; është ky popull fisnik për t’u kujtuar i cili qëndroi ende me gjuhën e tij tepër të lashtë në Shqipëri, në Thesali, në Maqedoni, në pjesën më të madhe të Dalmacisë, Serbisë etj». Antropologu me famë E. Virhov e shpreh me gjuhë të bukur: «Pjesa Perëndimore e Maqedonisë është nën ndikimin e valles shqiptare me atë kapjen dinjitoze të valltarëve dhe vrullin epik të kërcimit» (nuk thotë se është valle nisur nga maja e gërxheve drejt fushës ku janë sllavët). Shtojmë dëshmi edhe nga vetë sllavët siç i citon Pr. Muzafer Korkuti: V. Lahtov, arkeolog maqedon që zbulon afër Ohrit varret masive, shton: «Mund të nxirret përfundimi se mbajtësit e kulturës së Trebenishtit kanë qënë fise ilire jugore të cilët kryesisht banonin edhe hapsirën e shtetit maqedon». Po ashtu arkeologu serb Milutin Garashanin për kulturën e tumave në Maqedoninë Lindore: «Përkatësia etnike e bartëse të kësaj kulture nuk ndesh në vështirësi përcaktimi. Vetë zakoni i varrimit në tuma, në dy tri raste flet për përkatësinë ilire e cila vërtetohet edhe nga inventari kulturor».
Mohimi i kulturës dhe qytetërimit të shqiptarëve përligj dhunën ndaj tyre prej «racës së lartë» sllave. Citojmë diçka në të kundërt. Antonio Baldaçi te «Shteti i ri shqiptar» 1913 thotë: «Në Maqedoninë Perëndimore gjënden njerëzit më të fortë fizikisht dhe etnografisht, më të pastrit e Siujdhesës nga ana racore…Shqiptarët përbëjnë racën më të bukur të Siujdhesës së Ballkanit». Viktor Berard: «Bullgarët janë…me fytyra të trishtuara. Veshjet e tyre pa shije e pa ngjyra të gjalla janë të qëndisura me bojra jeshile, të errët në të zezë. Pranë tyre shqiptari duket i bukur, me atë veshje të kuqe siç shfaqet para nesh i hipur në kalë, me pushkën në shalë me pamje madhështore, ngadhnjimtare e hijerëndë prej zotnie». Më 1332 Guliem Adam thotë nga vëzhgime të tij ipeshkvore se mbretëria sllave «e tëra është me ngrehina fshati e kasolle, pa kanale mbrojtëse e pa mure brënda. Ndërtimet e godinat, si të mbretërve dhe fisnikëve janë prej kashte e prej drunjësh. Nuk sheh gjëkund pallate apo shtëpi guri qoftë dhe balte. Këto i sheh vetëm në qytetet bregdetare latine (ilire)». Dr. Ernest Xhek më 1911 thotë: «Unë dëshmoj se kurrë dhe në asnjë pjesë të vëndit shqiptari nuk ka qënë fanatik. Fanatizmi ndodhet në Bosnjë, Bullgari, Kretë, por jo te shqiptarët». Anglezi Brailsford te studimi «Maqedonia, raca dhe e ardhmja e tyre» jep një dëshmi tepër mbresëlënëse. Në Manastir të «Maqedonisë» vepronte Urdhëri bamirës ‘Shën Vinsent i Palit’ nën drejtimin e një kryemurgeshe franceze. Aty qenë dhe Motrat Shqiptare (pa asnjë sllave), e anglezi zotni i përshkruan: «Asnjë zonjë e lartë angleze e qytetëruar prej shekujsh s’mund të qe aq fisnike, zemërbutë e dashamirëse…Këto gra luanesha e flisnin një frengjishte të kulluar aristokrate…e ato ishin motrat dhe vajzat e bajraktarëve gegë». Për ndarjen e ndihmave më 1903 kërkoheshin besnikë të ndershëm dhe për njërin nëse mund t’i besohej, anglezi pyeti Peshkopin bullgar e ai i tha: «Ai është shqiptar, apo nuk është kështu» (dmth si shqiptar është i ndershëm). Një mendim të plotë e të drejtpërdrejtë jep Prof. Gelciç më 1899: «Përpara grykësisë së zjarreve që bënë shkrumb e hi këto qytete të mjerë heshtën përgjithmonë shumë ofiçina që jo vetëm në Ballkan po në të dy brigjet e Adriatikut gjer në Maqedoninë e largët shquheshin për punime të mrekullueshme në argjënd, fildish, koral, ndërsa kamat, armët e sendet prej bakri punuar mjaft hollë linin në hije edhe ato të damaskut. Jorganët e qëndisura me fije ari të cilat gjer ahere përdoreshin si dekorcion për bukuritë gjeniale të Ballkanit, vinin të gjitha nga Shqipëria»…Botë e tërë ari e shqiptarëve pranë sllavëve, për të cilën çdo qëndisje fjalësh është e varfër.
Së fundi, diçka rreth qendrës, Shkupit e cila rezaton të vërtetën për tërë hapsirën. Përmëndim kryesisht citimet nga gjeniu kombëtar Mit’hat Frashëri te vepra e mrekullueshme e tij «Sllavët dhe Shqiptarët» duke lënë, pra të gjykojnë të huajt si më të besueshëm. Studjuesi serb Cvijiç në «Shënime etnografike mbi Maqedoninë» 1917 shkruan: «Masa e popullsisë te sllavët maqedonë nuk ka një ndërgjegje kombëtare krejt të pastër; ajo nuk ka të kaluar historike që t’i përkasë vetëm asaj; ajo nuk ka gjuhë letrare». E më tej: «Kur te sllavët maqedonë takon një ndjenjë kombëtare bullgare ose serbe duhet kuptuar që ajo, në tërësi u është bërë e detyruar nga propagandistët» (këtë e keni mendim sllav nga brënda, zotërij, nuk e keni nga shqiptarët). Studjuesi Offeikoff më 1887 shkruan: «Para themelimit të Ekzarkatit, te sllavët e Maqedonisë mungonte krejt ndjenja kombëtare». Po ashtu Ishirkov në Sofje më 1907: «Sllavët e Maqedonisë ndërojnë bindjet etnike sipas prejardhjes së vëndit nga vjen paraja duke u quajtur herë bullgarë herë serbë, e të nesërmen grekë». Shkrimtari historian Vasin Kençkov te «Qyteti i Shkupit» më 1898 thotë: «Përpara vitit 1689 qyteti i Shkupit qe një qytet i pastër mysliman (shqiptar) dhe bullgarët filluan të shtohen vetëm më pas kësaj date» (u ngatërua dhe e vërteta e shpërnguljeve). Dijetari bullgar Jordan Ivanov te «Bullgaria e Maqedonia» më 1915 dëshmon: «Kazaja e Tetovës ka 63.980 banorë; 22.660 sllavë. Gostivari – 33.870 banorë, 10.300 sllavë; Dibra – 60.480 banorë, 21.550 sllavë. Kazaja e Shkupit ka 55.33% myslimanë; 10.34% serbë e vllehë; 32.24% bullgarë. Gazeta «Jehona e Bullgarisë» më 1913 shkruan: «Nën influencën e propagandës aktive të bullgarëve, jo vetëm sllavët e Dibrës po dhe shqiptarët e krishterë kanë filluar të bëhen bullgarë». Më 1677 kryepeshkop në Shkup qe P. Bogdani. Bardhi më herët thotë se në Shkup «Katolikët kanë kishën e vet që gjëndet pranë shtëpisë së priftit» në qytet. Studjuesi francez G. L. Jaray te «Shqipëria e panjohur», 1913 shkruan: «I kam parë shqiptarët në fushën që shkon nga Shkupi në Mitrovicë e nga Mitrovica në Prizren…jetën e shqiptarëve në qytetet Shkup, Prishtinë e Mitrovicë. Ata janë më të shumtët. Sipas vëzhguesve të mirë lokalë, Shkupi numuronte rreth 45 mijë frymë ku 25 mijë qenë myslimanë (gati të tërë shqiptarë); 10-15 mijë bullgarë, 3000 serbë, 2000 çifutë» (maqedonë - ? !). 
Linguisti i shquar Peter Skok spjegon se «Emërtimi Shkup, tingull për tingull mbetet me formën latino-dardane ‘Scupi’ e kursesi me formën sllave e turke». Sado nën pushtimin osman, në rrënjë kemi të bëjmë me hapsirë shqiptare. E thotë saktë Rene Pinon: «Mund të thuhet pa tepërim se Turku vetëm sa ka ngritur shatoret në Europë, ndërsa sa u takon shqiptarëve, këta janë autoktonë». Si popull rrënjës, janë dhe të parët e vendimtarët në luftën kundër pushtuesit osman. Barleti thotë se Gjon Kastrioti ushtarët i merrte sidomos nga Dibra, Tetova dhe Ohri si bashkëkombas besnikë. Diplomati serb njoftonte nga Stambolli Beogradin më 1899 se kish pyetur Ministrin e Jashtëm Haki Pasha për tërë atë ushtri që dërgonin në Kosovë. Ai iu përgjegj se «shqiptarët kërkojnë vetqeverisje. E ne do luftojmë në fushën diplomatike, do luftojmë në fushëbetejë e nëse në këto dy luftra dështojmë, mund të krijohen principata autonome në Shqipëri e Maqedoni». Qysh më 1840 historiani i madh francez Ami Boue te «Turqia Europiane» tregon: «Turqit janë shtrënguar të kenë një ushtri të madhe në Manastir për të tmerruar shqiptarët» (nuk thuhet gjëkund që të tmeronin sllavët aty). Pikërisht 10 vjet më parë, më 1830 qe bërë Masakra e Manastirit që populli ynë e vajtoi «6 muaj gjaku mbi baltë». Aty u vranë në pabesi 500 kapedanë shqiptarë, «lulja e trimërisë së Toskërisë» thotë Durham. Për të ulur supet e Shqipërisë prisnin kokat e trimërisë. Pashai osman nuk qe i shqetësuar që sllavëve t’u priste qoftë dhe bishtin e një maceje se nuk përbënin rrezik shqetësues. Në të kundërt, bënin krushqi me pushtuesit duke u dhuruar nuseve sllave pajë nga tokat e shqiptarëve. A. Stipçeviç thotë: «Më 1299 mbreti i serbve, Miljutini mori grua vajzën 8 vjeçare Simonidha, bijë e Perandorit të Bizantit Androkliu II, e nga kjo dasmë mbreti sllav mori pajë Maqedoninë e Veriut». Studjuesi F.Sansovino i sh. 16 shkruan: «Perandori bizantin Kantakuzen djalit të tij Mateo i dha për grua një vajzë të Mbretit të Serbisë, Stefan Dushani, e ky i dhuroi pajë gjithë Shqipërinë»! Ky qe vlerësimi i sunduesve sllavë për trojet shqiptare që i tregëtonin dhe mbi shalët e një femre pasi qenë të ndërgjegjshëm se s’qenë prona të tyre.  
 Lufta Ballkanike e Aleancës sllavo-greke që thuhet se nisi më 1912 kundër Turqisë në të vërtetë kish nisur kundër Turqisë që më 1909 kur nisi ekspedita osmane në Kosovë. Siç thotë M. Frashëri Aleanca erdhi jo për të coptuar të mundurin, Turqinë e sëmurë po fitimtarin e një dite më parë, Shqipërinë, erdhën për ndarjen e plaçkës. Historiani anglez I. Marriot gjykon: «Greqia e Serbia u alarmuan nga suksesi i shqiptarëve të cilët tani kërkonin hapur vilajetet e tyre të Manastirit e të Shkupit». Nëse Sulltani u gjunjëzua e dha Hyrietin (Kushtetutën), kjo ndodhi nën trysninë e mijra shqiptarëve të armatosur mbledhur në Ferizaj. Brailsford dëshmon nga afër: «Më 1912…shqiptarët mundën turqit, hynë fitimtarë në qytetet e mëdha duke përfshirë dhe Prishtinën e Shkupin…ku shqiptarët mbetën zotërit absolutë duke iu bindur vetëm kryetarëve dhe arësyes së vet. Disa javë në zotërim të plotë të shqiptarëve ‘të egër’ nuk qe kryer asnj krim, as më e vogla paligjshmëri».
Miss Durham në Letrën sqaruese dëguar kapitenit Robinson shton: «Shqiptarët korrën fitore në të gjitha anët; dëbuan zyrtarët turq dhe arritën të hyjnë në Shkup, ahere qytet krejt shqiptar». Më tej Durham shton: «Nënkonsulli ynë Z. Pekhem fliste me fjalë shumë të mira për sjelljet e tyre në qytet…Ndërsa shqiptarët po bëheshin gati të marshonin drejt Manastirit turqit kërkuan armëpushim e u pajtuan të njihnin si ‘Shqipëri’ të 4 Vilajetet: Janinë, Shkodër, Kosovë e një pjesë të Maqedonisë si krahinë autonome shqiptare. Te shtetet ballkanike efekti i këtij vendimi qe elektrik...Ata vendosën të hynin në luftë para se Shqipëria të kish kohë të formohej plotësisht". Justin Gotard te «Shqipëria më 1921» citon Z. Jean Brunhes për fuqinë dhe fisnikërinë e shqiptarëve: «Ne filozofojmë se shqiptarët s’janë të zotët për vetëqeverisje! Mirëpo shihni këta shqiptarë që zbresin nga malet gushtin që shkoi (1912) dhe hyjnë në Shkup, 16 mijë vetë, duke u thënë turqve ta largojnë ushtrinë e tyre nga Kosova e Metohia. Shqiptarët shëtisin nëpër Shkup si zotër të vëndit, me një hije të tmerrshme e të armatosur gjer në dhëmbë. Mirëpo këta njerëz qenë kaq të disiplinuar e u bindeshin kaq mirë kryetarëve të tyre sa nuk u bë asnjë plaçkitje, asnjë punë e keqe. Ata vetë qenë dhe policë duke shoqëruar gjendarmët turq, e qetësia s’u trazua asnjë fije». Brailsford tregon tjetrën: «Turqit rrihnin fshatarët bullgarë e ata vinin në spitalin tonë. Unë vura roje një shqiptar që të shihte gjëndjen. Mbeta pa mënd kur mësova se ai, ‘kauri’ shqiptar i paarmatosur kish çarë mes xhandarëve turq pa u trëmbur duke udhëhequr fshatarët bullgarë për në spitalin tonë» (në vijim gjenetik të këtij humanizmi është dhe sjellja e shqiptarëve të sotëm në Maqedoni me sllavët dhe shtetin të cilin duan ta kenë të përbashkët si fqinjë të mirë e të çiltër).   
 Te Apologjia për Skënderbeun Frangu i Bardhë e jep rjedhën e tij nga Aleksandri i Madh. Pjetër Mazreku prej Prizreni i sh. 17 thotë se vëndlindja e tij është rrudhur pasi të parët «qenë dëbuar prej serbëve, bullgarëve dhe kombeve të tjerë të jashtëm». Te poema greqisht «Dëshira e vërtetë e shqiptarëve» Naimi thotë: «Ju, stërnipër të të madhit Aleksandër e të Pirros, o ju bij të Skënderbeut». Gjetkë shton: «Prindët tanë kanë pasur emër të madh në gjithë botën, si Aleksandri, Pirroja i madh, Teuta, Genci…». Thimi Mitko gjithashtu: «Jemi me pelazgun farë/ që ka lerë para hënës/; jemi djemtë e Makedonës/ që shkeli gjer te len dielli». «Kombi ynë, thotë De Rada në Studimet Pelazgjike, rrënjët i ka në prehistori që nga Aleksandri i Maqedonisë dhe Pirroja i Epirit». Te vepra «Shqipëria dhe shqiptarët» Pashko Vasa thotë: «Pellazgët ngulën mbretëritë e Epirit, Maqedonisë, Ilirisë» e më tej: «Epirotët, maqedonët dhe ilirët nga fisi i thjeshtë pellazg, si shqiptarë u bashkuan në një ide atdhetare e në sh. 15 i kundërvunë sundimit osman një qëndresë të fortë këmbëngukëse». Petro Nini thotë për shqiptarët: «Komb i ndjerë i Aleksandrit e i Pirros që ish burrë…». Dora D’Istria shprehet: «Populli shqiptar ka nxjerrë ushtarë e luftëtarë që kanë mrekulluar botën me mrekullitë e tyre, si Pirro, Aleksandri i Madh, Diokleciani, Skënderbeu etj.». Studjuesi arbëresh A. Mashi shkruan: «Është e drejtë të besohet se gjuha moderne e shqiptarëve të jetë ajo që flisnin në lashtësi maqedonët, ilirët dhe epirotët». Arbëreshi tjetër i shquuar Petrotta: «Shqiptarët që nga kohët më të lashta banojnë në të njëjtat vënde që, sipas traditave etnike të Siujdhesës ballkanike ishin selitë e Pellazgëve të moçëm…Të gjithë ata që kanë pranuar tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve të sotëm të pranojnë e ta quajnë si të vërtetë historike të padiskutueshme njësimin me ata të Ilirëve, Maqedonëve dhe Epirotëve, dhe të këtyre prej Pellazgëve të lashtë». Në veprën ‘Ilirët’ A. Stipçeviç thotë: «Dardanët shtriheshin në një hapsirë që mbledh Maqedoninë e sotme Veriore, krahinën e Kosovës e të Metohisë, një pjesë të madhe të Serbisë Perëndimore».
Nuk hyjmë në sherrin mes Athinës e Shkupit zyrtar, me shpresë se do zgjidhet sipas të vërtetës dhe të Drejtës Ndërkombëtare. Mirëpo ndodh çudia: dy të huaj po zihen për një kopësht të bukur e i zoti i kopështit po u bën seir prej njeriu të mjeruar e të përçudnuar sesi po i tjetërsohet e vërteta historike e gjenetike e tij (nuk flasim sot për kërkesa hapsire të degëve të shpërndara nga koha, flasim për të vërtetën e rrënjëve të Maqedonisë së lashtë siç e thamë sado pak më lart). Për fat të keq duke dashur të sigurojnë të sotmen e tyre, grekët shtrëmbërojnë të kaluarën e fqinjes-Shqipëri: «Maqedonia-historikisht greke…Filipi e Aleksandri i Madh grek(!)» e këtë e marrin si aksiomë për të cilën nuk qasin vërtetim. «Të hesht për të vërtetën e Atdheut do bëja tradhëti ndaj tij» thotë Barleti. Le të përsërisim sadopak dëshmi nga të huaj (nuk flasim vetë pasi nuk do besoheshim).
Përpjekja për të rrëmbyer heronjtë e fqinjit gjer me trillime vetëturpëruese, nuk është as e kotë as e rastit. Aq më tepër kur fqinji shihet i vogël, e për më tepër me një shtet pa dinjitet kombëtar që me moskokëçarjen e tij ka ngrirë dhe ndjeshmërinë kombëtare të popullit. Eqrem Bej Vlora në kujtime tregon se i qau hallin një anglezi me emër për shitjen e Shqipërisë te Greqia e ai ia ktheu menjëherë: Po Greqia na ka dhënë aq shumë me antikitetin e saj!..Nga kjo përkëdhelje në kurriz të të tjerëve, u formësua psikologjia greke, siç e shpreh gazeta «Nea Ellas»: «Jemi popull i zgjedhur i botës, jemi të zotët t’u bëjmë ballë gjithë kombeve të vegjël se kemi volumin dhe nderin e emrit». Kurse dijetari Karmen Moier vlerëson për Shqipërinë: «Një vënd i vogël ku mund të takosh njerëz të mëdhenj», e më tej Hygoi: «Madhështia e një populli nuk matet me numurin e banorëve, ashtu si madhështia e një njeriu nuk matet me gjatësinë e trupit». Franca zyrtare qe më pasionantja që me këtë logjikë t’i jepej gjithëçka Greqisë, e deputeti italian Laurenziano më 1904 gjykoi bukur në Parlamentin italian: «Francezët që në Paris mendojnë se Epiri i duhet dhënë Greqisë për hir të Sokratit, a e dinë se Diokleciani, babai i sistemit juridik botëror qe shqiptar»?  Shkencëtarët shtetërorë sllavo-grekë e kanë vlerësuar saktë se figurat e shquara janë «çek» floriri në bankë i cili jep vazhdimisht të ardhura për kombin e tyre. Profesori amerikan Bollduin vlerëson: «Për të njohur sa më mirë një popull duhen studjuar cilësitë, veprimet dhe idealet e njerëzve më të shquar të atij kombi. Heronjtë janë majat më të larta ku janë drejtuar sytë e popujve. Tregoni heronjtë e një kombi që t’ju them se me ç’komb ke të bësh». Më 1870 Kamarda citon Revistën «Europa»: «Një komb që në kohën tonë ka nxjerrë atë kryevepër të gjallë si Princesha Dora d’Istria, ai komb nuk mund të quhet i vdekur, as të dënohet me çdukje. Dhe ju, që me të drejtë Ju përkasin këto fjalë, nga gjiri i njerëzve tuaj nxorrët në çdo kohë, edhe më pas të pavdekëshmin Skënderbe, njerëz shumë të shquar të cilët Europa me padrejtësi jo të zakontë i kaloi pothuaj në heshtje, ose i vuri pak në dukje».
Në këtë logjikë e dha hapur e çiltër mendimin Prof. L. Frçkovski: «Ju nuk e dini se çfarë licencë e fuqishme historike është ‘Maqedonia’»! (këtë mendim nuk e përsëriti në Intervistën e fundit përballë kolegëve dinjitozë K. Mehmeti e P. Majko). Përmëndim sado pak:         
Historianët thonë se nga 22 mbretër maqedonë, 22 kanë emër shqip e njeri helen. Për Aleksandrin I, sh. 6 para Kr. Pindari thotë se është «filohelini». Hahn spjegon se ai që është grek s’ka pse quhet «filogrek». Te libri 5 Herodoti shkruan se si «barbar» Aleksandri nuk lejohej në Lodrat e Olimpit, e Ai iu përgjegj se rridhte nga fisi mbretëror i Argosit Pellazg…Jetëshkruesi i tij A. Vajgal thotë: «Vepra e madhe për formimin e kombit maqedon, detyrimi i të gjitha shteteve greke për një veprim të përbashkët e në harmoni me Maqedoninë…». Në librin 2 Tuqididi shkruan për mbretin maqedon Perdika: «Ai udhëhoqi ushtrinë maqedone, shtetasit e tij si dhe ata grekë që qenë me ta». Euripidi tregon për vete se, i pikëlluar që kish mabruar koha e artë e Eskilit dhe se dramat e veta s’po ia pëlqenin, la Greqinë e tij e shkoi te mbreti maqedon Arkelau (i kërkoi «azil politik»). Në «Vsjemirnaja Istoria», Moskë 1956 thuhet: «Manovrat e mprehta të Filipit që arriti denjësisht të drejtojë Athinën nga ana maqedone e kjo fitore u pohua në Kongresin e Korinthit më 337 p.e.r. ku morën pjesë të gjitha shtetet greke me përjashtim të Spartës». Petit Larousse Ilustre, 1968 thotë: «Filipi i Maqedonisë i mundi grekët në Tebë e më pas në Athinë e në mbledhjen e Korinthit i detyroi ta njihnin sundimtar të tyre». Në kronika të kohës thuhet se Themistokliu, shtetar e komandant grek u padit si aleat i persianëve. Ai iku fshehur e kërkoi strehim te mbreti mollos, Admeti që e mirëpriti edhe pse qe sharë prej tij…Më pas shkoi në Pidna të Maqedonisë, ku qe më i sigurt nga ndjekja e Athinës. Plutarku shkruan se «Filipi qe shënja kundër të cilit helenëve do t’u duhej të luftonin për mbrojtjen e lirisë». Gjetkë thotë: «I dehur nga vera e nga zemërimi, u hodh jashtë shatores e gardës së vet i bëri zë në të folmen maqedone». Gjetkë shkruan: «Aleksandri veshjet i kish më madhështore e më të bukura se të grekëve…Ushtarët e tij veshur fustanellë hidhnin një valle në dy grupe: njëri kryesohej nga një «Aleksandër», tjetri nga një «Dar» (dihet, se kjo valle burrash me fustanellë hedhur në dy reshta trashëgohet ende në Labëri, Kaonia e herët). K. Lomaka, nëna e shkrimtarit të njohur francez, A. Shenie tregon se kish parë një pantomimë si «Pyrrikja» që e kërcenin «kasapët maqedonë» e që quhej «valle shqiptare». Pukvili tregon se në një takim në Tepelenë me Ali Pashën  më 1805 Aliu i tregonte për luftën që dikur qe zhvilluar karshi Tepelenës mes Filipit të Maqedonisë dhe konsullit romak, Flaminit, sesi romakët qenë futur nga shtegu i Damësit e kishin dalë te Gryka e Këlcyrës…Veziri, shton Pukvili e tregonte si një ngjarje mes dy familjeve të forta të vëndit të tij. Plutarku shkruan se etolinjtë grekë u bënë me Flaminin, me kusht që të prishej krejt Maqedonia. Vajgal shkruan: «Oborri mbretëror i Aleksandrit greqishten e kish gjuhë të dytë» e më tej: «Para miqve grekë Aleksandri e tallte ashpërsinë zhurmëmadhe të ushtarëve të tij maqedonë…Ai qe kryelartë e i vetëdijshëm se artin luftarak maqedonët e dinin më mirë dhe se qenë nga një brumë më i qëndrueshëm se grekët. Ai ngriti lart jo vetëm famën e tij por dhe lavdinë e tërë maqedonëve». E më tej: «Aleksandri njofton Athinën se ka dashur vetëm të pastronte brigjet e Atdheut nga kolonët e huaj që s’kishin asnjë të drejtë mbi tokën maqedone. Tani që ia kish arritur qëllimit, Athinën e qytetëruar donte ta kishte më mirë mike se armike…Ai ish mbret i Maqedonisë së ashpër, zot i Azisë, mbret i Babilonisë, faraon i Egjiptit…Në të njejtën kohë ai sillej ndryshe me maqedonët, ndryshe me grekët, ndryshe me persët». E më tej: «Për nënshtetasit e tij kokëfortë maqedonë Ai qe bir i mbretit të tyre të vdekur. Për grekët jo…Zbriti tërë madhështi në Greqi të shtypte që në fillim çdo kundërshtim ndaj zotërimit maqedon. Maqedonët qenë popull flokëartë, me lëkurë më të bardhë se të grekëve. Në dejet e tyre ridhte gjak nordik». Te ‘Filipiket’ e Demostenit kundër Maqedonisë thuhet se në Traktat duhej bërë një ndreqje, të sigurohen jo vetëm Athina e Maqedonia me aleatët e tyre por dhe grekët që nuk bëjnë pjesë në këto aleanca e që rrezikohen me humbje lirie nga Filipi». Tuqididi shkruan: «Perdika i priu ushtrisë maqedone, shtetasve të vet si dhe atyre grekëve që ndodheshin në radhët e saj…Kalorisë maqedone kur hidhej në sulm askush nuk mund t’i bënte ballë se qenë të zotë e të armatosur mirë». Vajgal thotë: «Ai maqedon që ende nuk kish vrarë një armik, për t’u dalluar qe i dënuar të lidhte rreth trupit një gjalmë si shenjë dobësie». Falmerajer shkruan: «Vetë Heladha në luftën e madhe mes Europës e Azisë qe e prirur nga Persia e i nxiste, ndërsente Azinë e Afrikën kundër maqedonëve. Madje ajo, duke pasur fuqi mbizotëruese në det e në tokë ka luftuar kundër fatit botëror edhe kundër armikut të vjetër kombëtar të Greqisë…Shqiptarët janë një degë e fisit të madh të ilirëve e njëkohësisht të afërm në gjak e gjuhë me epirotët e maqedonët e lashtë».Vajgal tregon me humor: «Një oficer grek bënte banjë me ujë të ngrohtë e Filipi i Maqedonisë e dëboi duke i thënë se në Maqedoni dhe gratë lehona lahen me ujë të ftohtë». Te vepra «Karakteret» filozofi Theofrast, pasues i Aristotelit maqedon tregon për grekët: «Pëshpëritet se ata mbajnë fshehur në shtëpi një njeri që ka ardhur nga Maqedonia para katër ditëve, e që di çdo gjë».
Kufijtë greko-maqedonë qenë pra të përcaktuar e të njohur. Plutarku shkruan se Aleksandri i Madh shpalli sa me trimëri dhe me humor: «Kur vajta mbi tribalët, Demosteni më mori për çilimi; kur vajta mbi Thesali më quajti për djalosh; tani që do t’i vete në Athinë do t’i tregoj se jam burrë». 
Të vërtetën e papërballueshme e thotë vetë burrështeti dhe filozofi idhull i grekëve Demosteni. Plutarku tregon se një prej shokëve të vet lëvdoi te Demosteni Filipin për tri gjëra: zotësinë e gojës, pamjen sovrane dhe pijen e këndëshme me shokë. Gojtari grek ia ktheu me përbuzje se vetia e parë i shkon një gojtari si ai; e dyta – një femre dhe e treta një sfungjeri, e asnjera s’i ka hije një princi! Plutarku shton se Athina e dërgon Demostenin te Filipi për një marrëveshje. Befas udhës e zunë drithmat e u kthye, u fsheh diku! Te Filipiket (esse greke kundër Filipit maqedon), kreu 146 ai shkruan: «A nuk ngjall zemërim Filipi me veprimet e tij? Pa le, nuk është as grek, as aleati ynë veç një pinjoll i një bote barbare që s’meriton as të thirret me emër; një maqedon i ndyrë nga vëndi i të cilit ne grekët nuk denjonim të blinim as skllevër». Më tej: «Flini e po flemë, o athinas! Armiku po përparon e ju po rrini në teatro. Prishni kot parà e dukeni sikur diç bëni! Sikur t’ju pyesë njeri, o athinas: a jeni në paqe? -Jo!- të pëgjigjemi, jo! Jemi në luftë me Filipin…Kur o athinas do ta bëni detyrën tuaj, ç’prisni?!…Pyesni qetë njeri tjetrin – a ka ndonjë gjë të re! E ç’të ketë tjetër të re? Një maqedon, mundës i Athinës e zotëronjës i Greqisë» (Para këtyre pohimeve «nga brënda» e nga një majë figure e tyre, çdo trilluesi me sadopak dinjitet do t’i vinte turp para botës. Më e pakta, Demostenin bashkë me Plutarkun duhej t’i shpallnin ‘antigrekë’ dhe heretikë). Por, si fetarë të dalluar të Krishtit më ngushtë e kanë me Shën Palin, i cili në Ungjill, nyja 20 thuhet: «Pali viziton përsëri Maqedoninë, Greqinë…pastaj kthehet prapë në Azi» (Greqi e Maqedoni i vë veç e veç si kombe e shtete).
Plutarku vazhdon qetë dëshminë: 7 ditë më parë Demostenit i kish vdekur i biri e kur dëgjoi i pari se vdiq Filipi, hoqi petkat e zeza, u çvesh në të bardha, vuri një kurorë me bar e lule në kokë, vete në Këshillin Kombëtar e u tha se ka parë ëndër që vdiq Filipi, dhe premtoi se vrasësit do t’i japë kurorë lulesh»! Vajgal shkruan: «Në Greqi vdekja e Filipit u prit me një qetësim të shpirtrave…Maqedonia hëpërhë nuk do ndihej. Greqia ose do t’i damkoste marrëveshjet me fqinjin verior luftëdashës, ose do t’i linte pasdore». Po ashtu, shton Plutarku, kur vdiq Aleksandri i Madh, në Greqi lindi një ndjesi kundërmaqedone sa qëndrimi i Aristotelit maqedon në Athinë u u bë shumë i pasigurt. Ai e la liceun e iku drejt vëndlindjes, në Kalkis ku dhe vdiq pas një viti. Shkrimtari francez i sh. 12 që jetoi shumë kohë dhe në Greqi, Aimon de Varanesi, bën romanin në vargje «Florimont» (Lule-mali), emër i një heroi durrsak. Ngjarjet vihen në sh. 4 para kr. Vajza e hijëshme e Filipit martohet me Florimontin e lindin Filipin e ri, atin e Aleksandrit të Madh, dhe vazhdon me historitë e bujëshme gjer sa vdes të të birit, Aleksandër. Tërë fryma dhe heronjtë lëvizin në klimën iliro-maqedone. Kur Greqia antike legalizonte prostuticionin, pederastinë dhe lezbiket, maqedonët pelazgo-ilirë i mbaheshin pastërtisë së zakoneve të tyre. Plutarku tregon ngjarjen mbresëlënëse: Me rastin e një paqeje mes Maqedonisë dhe Persisë bëhet një darkë e bujëshme. Persët e ftuar pasi u dehën zunë të ngisnin femrat e vendasve. Të fyer në nderin krenar, krerët vëndas larguan pa u ndjerë femrat e në vënd të tyre prunë djem veshur si femra, me armët nën veshje. Kur «miqtë» vazhduan t’i preknin, i vranë me radhë të gjithë.
Polibi tregon Traktatin shtetëror që ka lidhur ambasadori i Filipit të Maqedonisë me Hanibalin e Kartagjenës ku mes të tjerash thuhet në gjuhën pagane të kohës: «…në praninë e Diellit e të Hënës, në praninë e lumenjve, livadheve e ujrave..,në praninë e tërë perëndive, zotër të Maqedonisë e Greqisë… » (pra, Maqedonia e Greqia jepen veças).
E në fund diçka më mbresëlënëse. Për punë të vet, CIA më 1996 jep një raport sekret (e publikoi dhe TV grek «Antena»): «Leka i Madh dhe Maqedonia e asaj kohe ishin ilirë, ata ishin armiq të Greqisë kurse vetë Maqedonia nuk ka qënë greke». E më tej: «Grekët frikësohen se maqedonët do t’i kërkojnë vlerat e tyre e kjo mund të shndërrohet në një çështje serioze në atë pjesë të Europës…». Duke iu tingëlluar hidhur, qarqet e interesuara greke para se të mendojnë ndonjë tjetër «aksident makine…» për autorin e shkrimit, le të sqarohen njëherë me CIA-n…). Heroi kombëtar grek Dragumisi dikur thoshte: «Maqedonia i përket kujtdo që e merr». Ne rrimë i vëmë veshin De Radës që citon Skënderbeun: «Nëse do rrinim mënjanë, kjo do të thotë se vëndi ynë s’është yni por i të huajit». 
Këto mësime historie t’i afron më shumë loja tragjike me shqiptarët në Kumanovë. Për të marrët bota ka dhe të mënçur. Mbi të gjitha ka të zotët në trojet e tyre.


No comments: