Sunday, 17 May 2015

Gordana Pavloviç-Serbi




Redaktoi dhe përgatiti për botim Dr.sc. Bardhyl Maliqi
Përktheu Merima Krijezi.

Gordana Pavloviç lindur në Sarajevë më 16.05.1971. Ajo ka studiuar për gazetari në Fakultetin e Shkencave Politike. Fjalët e shkruara, librat dhe këngët janë dashuria e saj, që nga fëmijëria e hershme. Libri i parë është zhdukur në vorbullën e luftës. Pas një pauze ajo u kthye në poezi. Në fillim të vitit 2013, u shfaq në një koleksion me poezi “ Amanet ", dhe në fund të vitit edhe me një libër me poezi dhe prozë "Kur shpirti flet". Në fund të 2014, ajo doli me librin e tretë" Ind i jetës ". Në përgatitje janë edhe dy libra, një me poezi si dhe një me proza të shkurtra,  duke pritur për një botues. Një numër i madh i poezive është publikuar në  Proceedings: ,,Almanak 1 ",, Almanak 2",  „ E burgosura e shpresës ", ,,Jashtë vargut", " Deti në pëllmbë të dorës“,"Rrugica e nxirë", "Antologjia e Poetike e Dashurisë "  dhe shumë të tjera (mbi 50). Për këngën „Çfarë më bën?“ - Në qershor 2014 ka marrë çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar "Zërat lirikë" në Bullgari. Ajo punon si lektore dhe recensuese, ka recenzuar mbi 40 vepra letrare në Serbi dhe jashtë vendit. Anëtare e disa shoqatave artistike si: UBU (Shoqata e Artistëve të Ballkanit), "Zana e Malit" e Podgoricës, anëtare e kolektivit “Nëna serbe”, CCS (Shoqëria Letrare Kroate) dhe Javës (një degë e SCA-së) nga Frankfurti.

Cikli poetik
 “ INDI I JETËS „

PO TË ISHA...

Po të isha ujë    
i kthjellët si lot,
i pastër si shpirt fëmijëror
do t'u kisha shuar etjen e të etshmeve
do t'i kisha ujitur arat në mot me thatësirë
si lumë nëpër grykat e malit do të rridhja,
butësisht me detin do të takohesha
dhe me detin e hapur të paskajshëm do të bashkohesha.
Po të isha mal
i lartë dhe i egër,
i pështjelluar me mjegull,
të gjithë të syrgjynosurit do t'i kisha përqafuar
vendin e sigurt do t'ua kisha ofruar,
majat e mia qiellit do t'i flisnin
për pak mëshirë do të lusnin.
Po të isha dru
që në flladinë time                         
të fshiheshin ata që janë të dashuruar
mbi koren time
emrat t'i gdhendnin,
të lulëzoj, të lëshoj erë
dhe psherëtima t'u ngjall
në fluturim të parë
nga foleja zogjtë t'i përcillja.
Po të isha zog
do t'i hapja krahët e mi,
që të gjitha bukuritë e kësaj bote
syri im të thithte,
që t'i fshehë të gjitha turpet dhe hallet
shpirti im,
të lahem
me rrezen e parë të diellit,
me këngë të zgjoj
fytyra të përgjumura.
Po të isha...
Po të më plotësohej dëshira,
njeriu që me dhimbje pret muzgun
dhe me dhimbje zgohet
asnjëherë nuk do të isha,
ai që deri në frymë të fundit dashuron,
por i vetëm mbetet,
mbi të tjerët vetëm gjurmët e humanitetit
shënon,
në vërtetë beson dhe kah saj i drejtohet,
malli dhe sëkëlldia
e bejnë copë-copë,
vetëm dëshiron,
që të vjedhë pak dhembshuri nga njeriu
dhe një grimë të shpresës që njeridashja eksiston.
Po të isha zog mbi dru
pranë ujit, në mal do të isha,
dhe ndoshta nga dhimbja në këtë njeri
do të çlirohesha.
               
NJERIU PËR NJERIUN ËSHTË...

Njeriu për njeriun është
trishtim,
kur paraqitet
në çdo porë futet
dhe nuk di si të gjejë dalje,
kafshon dhe rrënon,
të çon në dëshpërim.
Njeriu për njeriun është
lot,
si dhuratë mbetet
të qajë në qetësi,
të vizatojë imazh të preferuar
mbi pluhur,
e ai zhduket.....
Njeriu për njeriun është
përqafim,
kur është më i duhur,
të plotësojë,
të ngushëllojë,
të zbusë vrazhdësinë e jetës
kur të rrahë fort.
Njeriu për njeriun është
fjalë,
e mprehtë si shpata,
që në zemër ngulet,
ose është e butë
të vihet në plagë.
Njeriu për njeriun është
libër,
fati që i shkruan faqet,
në fillim
lojë pa kufij
në fund mbeten
kopertina të zhubrosura.
Njeriu për njeriun është
dashuri,
ajo e para nga koha e rinisë
e tkurrur nga endërrimet,
nga fushat e verdha,
të prekurit e përgjumur,
nga sëkëlldia dhe shqetësimet.
Njeriu për njeriun është
nevojë dhe tekë,
sigurim dhe shqetësim,
shoqëri dhe vetmi,
verë e nxehtë dhe ftohtësi dimërore.
Njeriu për njeriun është
shpresë e përjetshme,
të ngrihet kur rrëzohet,
dhe i drejtë të mbetet,
vetëm njeriu,
i njeriut mbetet!

PO E NGRE ZËRIN TIM

Po e ngre zërin tim
kundër të gjitha luftërave në këtë planet,
askush nuk ka të drejtë të hakmerret,
të drejtën, me lindje të fituar, të na e marrë,
në bekimin e paqes të jetojmë.

Po e ngre zërin tim
në emër të nënës që e rriti djalin
të rritet, të krijojë dhe fëmijë të ketë,
e jo për ta çuar në luftë
dhe për t’ia ujitur varrin me lotë.

Po e ngre zërin tim
në emër të gjithë fëmijëve të kësaj bote,
fëmijërinë e të cilëve e kanë vjedhur,
këngën e pranverës dhe aromën e luleve
me pushkët dhe vdekjn i kanë ndërruar.

Po e ngre zërin tim
më dëgjoni, o ju horra,
do t’ju prekin lotët e të gjitha nënave,
fëmijëritë e ndërprera
do bëhen hakmarrësit,
vatrat e shuara
do bëhen persekutorët tuaj,
mllefin e të pafajshëmve
do ta ndejnë edhe pasardhësit tuaj.

Po e ngre zërin tim
Mjaftë është!
Edhe më tepër për njeri,
që e do të afërmin dhe lirinë,
me dashuri dhe me të vërtetën lufton,
për qiellin e kaltër dhe mëgjeset e lashta,
për një copë bukë dhe një të ardhme më të mirë.

Po e ngre zërin tim
në emër e të gjithë paqedashësve në këtë planet,
pushoni me luftëra, 
bëhuni të zgjuar!
Mjaft me bomba dhe luftëra,
përqafojeni të afërmin si vëllanë,
luftoni butësisht në fushat e dashurisë,
sepse vetëm njeriu
mund të dashurojë!


TEK UNË ENDE KA JETË

Më rrahin erërat,
unë po lakohem,
deri te dheu përkulem,
e me fuqinë e fudnit po ngrihem,
se TEK UNË ENDE KA JETË                            
vetë vetës t’i provoj.

Por, erërat nuk dorëzohen
pa pushim fryjnë
dhe me duar të plagosura
rrënjët m’i shkulin
me mundim të madh
dheun e gërmoj dhe e mbledh,
TEK UNË ENDE KA JETË           
vetë vetës i pëshpëris.

Janë bashkuar nga të gjitha anët
edhe nga lindja edhe nga veriu,
më futet ftohtësia në eshtra,
prandaj ngrihem përpjetë
të rrahurat t’i butësoj
më pak ngrohtësi në vetë po kërkoj,
nuk do të më vrasë ky acar
TEK UNË ENDE KA JETË.

Erërat fodulle me keqdashje po fryjnë,
mbi fytyrën time
vrajat m’i lënë,
si dëshmitarët e pezmatimit të tyre,
e munduar dhe e plagosur
në mua zogun e zjarrtë e zgjuan,
me zërin tingullues ai këndon:
Rrihni, shpirtligë,
TEK UNË ENDE KA JETË.
          
INDI I JETËS    

Mbi indin e shqetësimit  
me mall endja,
me aromën e blirit
çdo nyjë e lidhja,  
me lotin e burbuqes së trëndafilit e ngjyrosja,
i bëja figurat e endërrimeve 
me argjendin e rrezatimit të hënës, 
çdo fije
nga zemra shkëpusja.
Për ty, i dashur,
me pasion të buzëve të ngrohta
mbi indin e jetës endja
çdo nyjë e lidhja,
me shikimet endërrimtare e stolisja,
rrezet e Diellit i vjedhja
dhe mbi jakë i vija,
e çdo fije
nga zemra shkëpusja.
Mbi indin e jetës
jetën endja,
çdo nyjë
me dashuri e lidhja,
në çdo fije
tkurrja ekzistimin tim 
në indin e jetës
veten të enda ty....


ÇFARË MË DUHET?

Nëse këta sytë e mi
në megjes nuk të shikojnë me dashuri
forcat e errësirës,
le t’i mbulojnë me errësirë,
le të verbohem
e kurrë më muzgun mç të mos e shoh
me perëndimin e diellit të mos dalldisem...
Çfarë më duhen të gjitha bukuritë e kësaj bote
po të jem e verbër për dashurinë tënde?
Nëse këto duart e mia nuk të përqafojnë
nëse butësinë nuk ta ofrojnë,
le t’i presin
dhe në lumin më të thellë le t’i hedhin,
e të mos prek asgjë kurrë më,
të mos shkruaj as një varg....
Çfarë më duhen, cfarë të bëjnë,
po të mos dinë të ofrojnë dashuri?
Nëse kjo zemër
nuk rreh me ritmin tënd në gjoksin tim
le ta shkulin
le ta japin bishave të egra,
ta bëjnë copë-copë,
nëpër shtigjet pyllore le ta hedhin
dhe le t’ia fshijnë gjyrmin përgjithmonë...
Çfarë më duhen zemra dhe orët e jetës
nëse nuk do të mund të ndjekësh zemrën tënde?

JAM FAJTORE

Jam fajtore        
sepse i ndiej vuajtjet dhe dhembjet e tjetrit,
sepse padrejtësia më dhemb dhe vret,
sepse zemra ende po më digjet me dashuri, 
e i kujtoj kohrat më të mira, që dikur ishin.
Jam fajtore
sepse të vërtetën e kam si udhërrëfues,
i mbledh gjyrmat e nderit,
respektoj normat e moralit
dhe e di ku është stacioni i parë e i fundit.
Jam fajtore,
sepse e kam zemrën në pëllëmbët e mia,
e trishtim në vështrim,
sepse krëkoj humanitet te njerëzit,
sepse shpirti po më qan në kraharor.
Jam fajtore
sepse me tërë shpirtin i takoj vetëm një gjëje,
që si nëna shqetësohem, edukoj,
jam besnike, e sinqertë dhe e qetë,
një grua ordinare, se jam e thjeshtë.
Jam fajtore,
sepse kurrë nuk e mbaj kokën ulur,
dashakeqësit nuk i mallkoj,
sepse jam krenare me folenë time,
me çdo sokol dhe me zogjtë e mi.

SONTE PO OFROJ....

Sonte po ofroj mirësinë time,
le ta marrë secili sa e do,
do të mbetet mjaft,
e kam tepër brenda meje.

Sonte po ofroj sinqeritetin tim,
mos ngurroni,
lirishtë e shkelni, e hidhni,
mundësinë ta vrisni nuk e keni.

Sonte po ofroj dashurinë time,
atë e merrni me shumicë,
lani fytyrën tuaj hipokrite,
ringjallni zemrën tuaj prej guri.

Sonte po ofroj ndjenjat e mia,
i mbushni kraharorët tuaj derisa nuk pëlciasin,
nëse i vini pak në sy,
ndoshta, po ju kthehet shikimi.

Sonte po ofroj atë me çfarë krenohem,
atë që e mbaj në vete,
por shpirtin nuk mund të jap,
pa atë Njeri nuk mund të bëhem,
e për shkak se Ju shpirtin nuk e keni,
kot ofroj dhurata
që nuk mund t’i pranoni.


TRISHTIMI I MESNATËS

Kur akrepat tregojnë orët e vona të natës
të gjitha trishtimet e botës në shpirt më vijnë,
pa se e në një pjesë të tij vendosen
me të vetmen dëshirë të mos agojë mëngjesi.

Këto trishtime nuk janë vetëm të miat,
në to lotët nuk numërohen,
i kanë mbledhur në gjithë globin,
ua kanë fshirë sytë edhe plakut edhe fëmijës.

T’i pres dhe t’u hap zemrën
t’u gostis me ngohtësi e dhembshuri,
këto trishtime vetëm pak kërkojnë,
mirëkuptim, që  ta zvoglojnë barrën e peshës së tyre.

Ditën bredhin nëpër botë,
me të fatkeqët shoqërohen,
kur errësira e natës i mbulon,
me lotët e mia shkarkohen nga barra.

Nga përroi i lotëve bëhet lumi,
është shumë i rëndë loti i njeriut të vërtetë,
që ndijen vuatjet dhe dhembjet e tjetrit,
dhe me gjithë shpirt i do njerëzit.           

Këto trishtime në vetë i mbajnë
urinë e lypësve,
duart që krëkojnë lëmoshë,
të qarët e fëmijës së braktisur,
dëshpërimin e zemrës së dashuruar,
vajtimin e nënës për fëmijë,
amoral itetin, që qarkullon nëpër planet
oxhaku i shuar, i braktisur
i njeriut të vetmuar dhe të frikësuar.

Kur akrepat tregojnë  orët e vona të natës,
të gjitha trishtimet e botës në shpirt më vijnë,
dinë që do t’i kuptoj
me trishtimet trishtimin do të trishtoja...


FARA

Fara e dashurisë 
është mbjellë brenda nesh me lindjen tonë,
që ta ruajmë dhe ta kultivojmë,
me virtytet humane ta ushqejmë
dhe me lotët e sinqerta ta ujisim.

Nga e njejta materie të gjithë jemi bërë,
me  të gjitha begatitë e jetës jemi bekuar
në të njejtën mënyrë të gjitha nënat i lindin fëmijë
me të njejtin kujdes baballarët edukojnë,
na ngroh i njejti Diell
e njejta drita e hënës na buzëqesh.

As ngjyra e lëkurës s’është me rëndësi,
as a po mësohet nga Toka,
Kurani ose Bibla
kudo është shkruar njësoj -
duaj, dhuro, bëje mirë,
dhe për paqen e shpirtit tend mos u brengos.
është mbjellë brenda nesh me lindjen tonë,
që moti është shkruar,
prej saj do të lulëzojnë lulet më të bukura,
vetëm nëse dimë të japim pak nga vetja,
për ata që i kemi rreth nesh të kujdesemi.

Por, njeriu nuk do të ishte njeri
kur nga fara e dashurisë nuk do të bënte
barojë.

Nuk mund të rritet lulja me zili,
do të ndërrohet në urthin e helmuar,
gjithëçka fisnike prej tij do të ikë
kot do të lëshojë rrënjët e tij.

Fara e dashurisë 
është mbjellë mbrenda nesh me lindjen tonë
në librin e Fatit është shkruar
se nga bishat ndryshojmë
sepse mëshirë dhe dhëmbshuri në vete kemi,
të dashurojmë, të jemi të kujdesur dhe të kujdesemi
të mos e bëjmë këtë farë barojë.

No comments: