Reportazh
Sejdi BERISHA
PO FORCOHEN
HALLKAT E MALËSISË SË GJAKOVËS...!
(Me rastin e
shpalljes “Qytetare Nderi” të Bashkisë Bajram Curri të Kryetares së Gjakovës,
znj. Mimoza Kusari-Lila)
Dita ë hënë në
qytetin Bajram Curri por edhe në tërë Tropojë ishte festë e vërtetë. Qytetarët
e kësaj ane me respektin më të madh e prisnin momentin që të takohen me një bijë
të Malësisë së Gjakovë, me një zonjë e cila me vendosmëri, me vullnet, dituri dhe
profesionalizëm i është përkushtuar punës për ta bërë jetën e lumtur të qytetarëve
komunës së Gjakovës, por tani e tutje edhe të Tropojës, të Malësisë së Gjakovës.
Që në orët e
hershme të kësaj dite, tropojanët kishin vërshuar rrugët e qytetit Bajram
Curri, ndërsa afër Muzeut Historik të qytetit anëtarë e trupës kulturore të
këtushme të veshur me rroba kombëtare, madhështonin pritjen e mysafires së
nderuar dhe të respektuar. Këtu, tani ishin pothuaj të gjitha strukturat e
udhëheqjes lokale të Bajram Currit por edhe të komunave përreth. Por, për të
madhështuar këtë manifestim të rrallë me mesazh, kuptim e peshë
shumëdimensionale, kishin ardhur mysafirë dhe krijues edhe nga Tirana, Shkupi,
Prishtina, Peja, Gjakova dhe nga qytete të tjera.
Dhe kur njeriu
respekton ndijimin e vetë shpirtëror, mendja të shkon tek historia e Tropojës,
historia e Malësisë së Gjakovës, tek trakullimat e periudhave kohore dhe të
historisë së kombit e të tokës shqiptare. Por për këtë, me siguri se secili
pjesëmarrës në vetvete ka mbërthyer mendjen në historinë dhe begatinë shpirtërore
të popullit të kësaj treve me karakteristika dhe madhështi të veçantë, që edhe
fëmijën në djep e bën të gëzuar, krenar por edhe kureshtar.
Pranë dhe përreth
Pallatit të Kulturës, çdo gjë frymonte lirshëm në të cilin këtu e tridhjetë e
pesë vjet më parë, me Ansamblin e Folklorit Autokton “Rugova” nga komuna e Pejës
kishim shfaqur një program, i cili edhe sot e kësaj dite nuk harrohet. E
theksova këtë jo pa qëllim, sepse, një rrugëtim afro katër decenie, këtu dhe në
të gjitha trevat shqiptare dhe atë në çdo cep toke, prej atëherë lumi i
dashurisë dhe i punës së përbashkët për një veprim e për një trung kurrë nuk
pushoi së vepruari.
Nuk vonon, dhe në
Bajram Curri arrin kryetarja e Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila së bashku më
shumë bashkëpunëtorë dhe asamblistë të kësaj komune. Ashtu e thjeshtë por
madhështore që është, u përshëndet me udhëheqjen e Bashkisë Bajram Curri, por
edhe me shumë qytetarë që kishin dalë për t’i dëshiruar mirëseardhje, tani
Qytetares se Nderit, Mimoza Kusari-Lila.
Së pari mysafirët
dhe mikpritësit u drejtuan për në Muzeun Historik të këtij qyteti, aty ku është
vula dhe historia e ruajtur e Tropojës mbase edhe e Malësisë së Gjakovës. Pas
vizitës dhe një njoftimi të shkurtër për historinë dhe rëndësinë e kësaj vizite,
znj. Kusari-Lila vën tufë lulesh te lapidari madhështor i heroit të kombit dhe
trimit legjendar, Bajram Curri. Edhe ky akt, ma detyron komentin për historinë
e kësaj ane, për luftën që u zhvillua për liri dhe pavarësi, por edhe periudhat
tjera që i vuan lak në fyt apo kurth lirisë së plotë të Malësisë së Gjakovës.
Por, edhe për këtë, tani nuk do të flasë, sepse, as nuk është rendi për një gjë
të tillë.
Tani, të gjithë
drejtohemi kah Pallati i Kulturës, aty ku do të zhvillohet ceremonia kryesore e
festës së sotme, shpallja “Qytetare Nderi” të qytetares së parë të Gjakovës,
znj. Mimoza Kusari-Lila. Salla pothuaj se ishe përplot mysafirë dhe qytetarë,
dhe nuk vonon e të gjithë, lirshëm, me krenari dhe madhështi ngrihemi në këmbë
për të respektuar e nderuar këndimin e himnit kombëtar, të cilin secili nga ne
e përjetonim në mënyrën e vetë.
Pas kësaj, në
skenë ngjitet, Lulzim Logu, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Tropojës, i cili do t’i thotë disa fjalë madhështie për mysafiren, sepse, kjo
shoqatë krijuesish ishte nismëtare për një Çmim të tillë, e të cilën gjë
unanimisht e kishte përqafuar dhe miratuar Këshilli i Bashkisë Bajram Curri.
Ai prezantoi punën
dhe veprën e Mimoza Kusarit-Lila, duke spikatur të gjitha të arriturat dhe
shkollimin e punën e saj të përkushtuar e profesionale në të gjitha fushat që
kishte punuar e vepruar deri me tani. Vuri në dukje edhe angazhimin e saj për
forcimin e hallkave të jetës dhe veprimit të Malësisë së Gjakovës duke i bërë
realitet shumë objektiva madhore si në infrastrukturë ashtu edhe në ekonomi dhe
në forcimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore.
Pastaj, për ta
mbështetur dhe përforcuar edhe më shumë shpalljen e zonjës Kusari “Qytetare
Nderi”, fjalën e mori ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i
cili në mes tjerash vuri në dukje se kjo ngjarje e sotme ka rëndësi
shumëdimensionale për këtë pjesë të Shqipërisë, por edhe për thellimin e
bashkëpunimit të ndërsjellë, gjë kjo e cila mishëron bashkimin e punës dhe të
mendjes së kombit dhe të zhvillimit të përbashkët. E, për këto dhe shumë
nisjativa tjera ka qenë shtytëse znj. Mimoza Kusari-Lila, theksoi ambasadori
Minxhozi, i cili është një figurë e spikatur e vlerave e zhvillimit të mirëfilltë
të kombit e shtetit.
Në skenë
rreshtojnë me fjalët e tyre edhe Zëvendëskryetari i Qarkut Kukës, Sherif
Hasandoçi, i cili pos tjerash vuri në spikamë rëndësinë në realizimin e
integrimeve në të gjitha fushat, në ç’drejtim, znj. Mimoza Kusari-Lila është
angazhuar në të gjithë mënyrat e mundshme për të shkurtuar edhe etapat e punës,
sepse, tani është koha kur duhet vepruar më me përkushtim për bashkimin e
veprimeve dhe të punës.
Me fjalën e tij,
edhe Nënprefekti, Mustafë Tahiri, u përqendrua në kthimin dhe forcimin e rolit
të Malësisë së Gjakovës në zhvillimin kombëtar, por edhe në përshpejtimin e
zhvillimit më të shpejt të kësaj ane të vendit.
Ndërsa, krijuesi
nga Gjakova, Tahir Bezhani, i cili edhe ai është “Qytetar Nderi” i Bajram
Currit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të vënies së urave të njëmendta të
bashkëpunimit, të cilat kanë filluar tani e sa vite, veçmas përmes fjalës së
shkruar. Gjithashtu, ai përgëzoi edhe znj. Kusari-Lila për titullin “Qytetare
Nderi”.
Ndërkaq,
kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” të Gjakovës, Masar Rizvanolli,
theksoi rolin e historisë së kësaj ane dhe të dëshmorëve që siguruan
identitetin kombëtar por edhe rolin e Malësisë së Gjakovës që ka pasur e që
duhet ta ketë.
Më pas, kryetari
i Këshillit të Bashkisë Bajram Curri, Xhemë Neza, në mënyrë solemne ia dorëzoi
titullin e lartë “Qytetare Nderi”, kryetares së Gjakovës, znj. Mimoza
Kusari-Lila.
Pas këtij
momenti shumë me peshë, znj. Kusari, ashtu siç është plotë jetë e elan,
falënderoi Bashkinë Bajram Curri dhe Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Tropojës, e cila tha se kjo mirënjohje nuk e nderon vetëm atë, por edhe Gjakovën,
e cila ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës...
Ajo tha se forca
e Alpeve, kthjelltësia e Valbonës, trimëria e Bajram Currit do të janë si udhërrëfyes
për punën e saj!
Pas kësaj
ngjarje historike, të gjithë së bashku, si Malësi e Gjakovës, u nisën për në
Shkollën nëntëvjeçare “Ali Podrimja”, që edhe emri i këtij institucioni tregon
e dëshmon për punën, veprimin dhe mendjen e përbashkët, të bashkuar...
Ky veprim
historik përmbyllet me një drekë dhe program artistik në ambientet e
Restorantit “Sylbica”, ku u njëjësuan dhe u bashkuan mesazhet se Malësia e
Gjakovës ka qenë dhe do të mbetët pjesë e atdheut e cila i bashkon dhe i forcon
hallkat e bashkimit të mendjes dhe punës së kombit dhe të atdheut.
Këtë e begatoi
edhe numri i parë e solemn i revistës periodike, “Urat”, të cilën e boton Klubi
i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës.
Ky ishte rrëfimi
im shpirtëror me rastin e shpalljes “Qytetare Nderi” të Bashkisë Bajram Curri,
të Kryetares së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila. Pra, hallkat e Malësisë së
Gjakovës po forcohen...!
Bajram Curri, 18
maj 2015
No comments:
Post a Comment