DITA E VERËS SHQIPTARE (2)
EKSKLUZIVE
NGA PROF. DR. LUTFI ALIA
Festa e Dites se Veres, brenda
realitetit dhe miteve nga e mori zanafillen, ka arrijt ne ditet tona me
fizionomine e saj antike, si festa pagane pelasgo – iliro – albaneze, e paster,
e gezueshme dhe mbareshqiptare.
Dita e Veres, apo ekuinoksi pagan,
shenon kalimin nga stina e dimrit ne pranvere dhe ky kapercim, kremtohet me rite
pagane te “kodifikuara”,me ceremoni gazmore disa ditore, me manifestime
familjare dhe kolektive, te cilat kulmohen diten e 14 marsit. Ritet, ceremonite
dhe manifestimet per kete feste, jane me origjine ne antikitetin e larget
pagan, te transmetuara brez pas brezi, per 25 shekuj me rradhe deri ne ditet
tona. Megjithe modifikimet e pjeseshme, qe ka pesuar ne rrjedhen e viteve, Dita
e Veres mbetet ende e paster, festa e te gjitheve dhe mbareshqiptare, dita
hiroshe e kremtimit te fillimit te pranveres dhe gjallerimit te jetes.
Dita e Veres qe festojme ne shqiptaret,
eshte e lidhur me mite te lashta, me festat e hyjneshave Artemise, Diana dhe
Zana, qe na e perkedhelin embel fantazine tone, deri ne ate pike, sa na hutojne
me bukurine dhe magjite e tyre. Festimet per keto hyjnesha jane pjese integrale
e Dites se Veres tone, qe ne teresine e tyre shprehin rigjenrimin,
ripertritjen, kalimin nga bota e “nenedheshme”, pra kalimin nga dimri i ftohte
dhe izolues, qe ne koshiencen tone asht i lidhur me letargjine e flores dhe te
faunes, ne rizgjimine natyres, te jetes dhe te spiritualitetit.
Me ekuinokset pagane, te lidhura me
solsticet, sipas kultures pelasgo – iliro – arberore, vihen ne levizje ritmet e
natyres, ndahet viti djellor ne stinet, pra ne kater pjese te barabarta, qe
jane pauzat dhe kercimet e valles se madhe kozmike, pjese e te ciles jemi dhe
ne.
Eshte me interes te rikujtoj se
ekuinoksi pagan festohej dhe nga popuj te tjere. Kesisoj latinet organizonin
pelegrinazhe ne tempujt e hyjneshes Diana; ne traditen neo-druide, ekuinoksi
pran-verore quhej Alban Eiler (drita e tokes) dhe i referohej diellit
dhe dites qe barazohej me naten. Po keshtu
popujt nordike, kete dite organizonin festa per nder te Ostara, hyjnesha antike
e agut (alba), por dhe hyjnesha e praneveres dhe e dashurise, e cila eshte
ekuivalente me hyjneshen Freya te popujve skandinave (vikinget). Te gjitha keto
festime te shenjta, kane si teme qendrore ripertritjen e natyres, kalimin nga
dimeri letargjik, ne rizgjimin e natyres dhe ne gjallerimin shpirteror.
Ne menyre te veçante dhe me shume
perkushtime, Dita e Veres festohet nga e gjithe fshataresia malesore dhe
fusharake, sepse kjo feste eshte e lidhur ngushtesisht me bujqesine dhe
blegtorine e ky aspekt sugjeron origjinen e lashte, qe humbet ne shekujt e
antikitetit, si shprehje e festes te Hyjneshes Diana, e cila nderohej si mbrojtese
e pyjeve, korijeve, arave, e kafsheve ne pergjithesi dhe e shpendeve, andaj
romaket shkruanin: "In deae Dianae ara agricolarum columbae erant”
–“Ne altarin e Dianes jane pellumbat e bujqeve". Ne shkrimin
pararendes, permenda zbulimin e nje pllake guri ku jane gdhendur dy zogj, por
nuk bera komente te metejshme, andaj po e them mendimin tim: Ne kete fragment
bazorilievi jane gdhendur “pellumbate bujqeve - agricolarum columbae”,
qe dikur zbukuronin tempullin e Dianes ne Kandavia – Kunavia.
Me festen Dita e Veres, celebrohet
fertiliteti (pjelloria) e tokes, qe shenon fillimin e te mbjellave, andaj
kremtimet e ardhjes te pranveres, perkojne me punimine tokes.
Ne paganizmin e territoreve mesdhetare,
ekuinoksi pagan shenon rikthimin e stines se bukur, ripertritjen e plazmimin e
natyres, rikthimin e dallandysheve, fillimin e mbjelljeve te reja etj etj.
Simbologjia e hyjneshes Diana lidhet me
boten e kafsheve te egra, andaj gjithmone prezantohet e shoqeruar nga dreri i
shenjte e kesisoj statujat dhe pikturat me Dianen zbukuronin tempujt qe iliret
i kishin dedikuar Asaj. Kesisoj e imagjinojme ne sot, por ne nje qirimbajtes ne
muzeun e Vatikanit, hyjnesha Diana nuk ka forme njerezore, por prezantohet me
disa simbole, si pemë dafine ku jane varur armet e gjuetise, si shtylle konike
ku vendosen brinjet e drerit dhe si flake zjarri, qe sipas mitologjise
konsiderohet origjina e perendeshes te drites etj.
Keto simbole te hyjneshes Diana, i
ndeshim kudo ne familjet fshatare shqiptare, ku pasqyrohet ne forma te thjeshta
simbolike, si psh ne guret e latuar te portave te shtepive gdhendet motivi i
diellit, ose ne porten e shtepise vendosen brinjet e cjapit, ose brinjet e
dashit, apo te kaut, ndersa ndonje gjuetar me fat, vendos dhe brinjet e drerit.
Brinjet e kafsheve vendosen edhe ne dhomat e shtepise, si ka qene e praktikuar
masivisht nga fshataresia malesore dhe fusharake.
Vendosja e brinjeve te kafsheve ne
mjediset e shtepive fshatare, nuk eshte ekspozim trofeshë gjuetie, as forme
zbukurimi, por respektimi i nje riti te lashte pagan, qe simbolizon nderimin
dhe devocion nda hyjneshes Diana dhe njekohesisht e kerkojne te jete e
pranishme dhe ne mbrojtje te jetes e te pronave. E konsideroj me rendesi te
theksoj se kjo feste eshte me origjine dhe me permbajtje pagane e nuk ka
elemente fetare as katolike, as ortodokse, as islame dhe as bektashiane, madje
ka deshtuar çdo tentative e shume klerikeve per t’i bashkangjitur elemente
fetare.
Dita e Veres shqiptare, nuk ashte nje
argetim i thjeshte popullor, por asht feste teper komplekse, eshte festa
mbareshqiptare, qe zhvillohet me ritualet e veta ne nje spacium disa ditorë, e
shtrire ne pese faza, qe do t’i trajtoj ne vazhdim, ashtu si i kam perjetuar ne
vendlindjen time ne bjeshket e larta te Martaneshit e ne veçanti gjate viteve,
qe kam jetuar ne Elbasan, ne kete qytet gazmor e fatdhenes, qe per shekuj mbeti
zemra dhe tempulli i kesaj feste te bukur dhe vitale popullore.
- Faza e pare:Perfshine
pergatitjet per festen. Impenjimet parapergatitore jane te shumta dheme angazhim
te gjithe pjestareve te familjes, por ne vijen e pare, jane “specialistet”
e festes, gjyshet dhe nenat, te cilat drejtonin te gjitha aktivitet
pergatitore, duke respektuar rradhen e tyre.
Pergatitjet e festes fillojne 3 dite
para, pra me 11 mars dhe konsistojne ne grumbullimin e harxheve per gatimet, me
lyerjen e shtepise me gelqere, me pastrimin e mjediseve, me larjen dhe
sistemimin e veshjeve, sidomos te atyre qe do te vishen diten e festes. Dikur,
ne vite te shkuara, pergatiteshin kemisha lini e triko leshi dhe shume me vone
filloj te perdorej bezja e bardhe e pambukut.
Ne disa treva jugore te vendit, si ne
Korçe, Kostur, Kolonje etj, Dita e Veres festohet me 1 mars, sipas kalendarit
te vjeter Julian, qe ende respektohet nga kisha ortodokse, çka ka ndikuar te
kremtohen dhe festat e tjera jo fetare, nder te cilat dhe dita e veres.
Ne pjesen me te madhe te trojeve tone,
populli shqiptar e feston Diten e Veres me 14 mars e nuk duhet te çuditemi, qe
faza pergatitore fillon me 11 Mars, pra perkon me festen e Hyjneshave Artemise
- Diana (per iliro-albanezet Zana-Thana), nje reminishence e lashtesise me
rituale, qe na kujtojne pikerisht pelegrinazhet me dhuratat e shumta dhe tufat
e luleve, qe viheshin ne altaret e tempuje dhe me sakrifikime qe beheshin ne nderim
te ketyre hyjneshave.
Ne disa enciklopedi italiane theksohet:
“Iliret, nga te gjitha anet e Ilirise, udhetonin me muaj per te nderuar dhe
per te shprehur devocionin ndaj Hyjneshes Diana, perendesha e Universit dhe e
Riprodhimit”. Ne perandotine romake, Diana ishte mbreteresha e maleve, e
pyjeve (Montium nemorumque regina erat Diana), mbrojtese e
natyres, e ripertritjes, e sythimit dhe lulezimit, mbrojtese e kafsheve,
hyjnesha e pranveres e drites, prandaj per ta nderuar dhe ne perkushtim te saj,
ne tempullin e Dianes çoheshin lule, shporta me fruta, ushqime, ndizeshin
pishtaret (ato kohe me urna pishe) dhe beheshin sakrifikime.
Si kuptohet, grumbullimi i harxheve ne
fazen pergatitore te festes, evokon pergatitjen e dhuratave, qe banoret i çonin
dikur ne tempullin e Diana Kandavia – Kunavia dhe te Doklea, ku nderonin
hyjneshen e tyre me lule, ushqime, emebelsira, sakrifikime dhe ku luteshin per
jete me te mire, te shendeteshme e te begate, nen mbrojtjen e kesaj hyjneshe.
Keto rite te lashta u ruajten nga populli
yne, por me nje veçori. Pasi barbaret e Teodrikut (shekulli V pas Krishtit), i
shkaterruan tempujt e Dianes ne Doklea dhe te Dianes ne Kandavia - Kunavia,
iliro – albanezet e ruajten traditen e nderimit te hyjneshes Diana, por duke e
zevendesuar me ritualet imitatore te autokufizuara, me vendosje te tufave te
luleve ne porten e shtepise, mbledhjen e ushqimeve me nje rregull preçiz duke i
grumbulluar miellin, mishin e thate, frutat ne shporta, vezet, perimet e duke
sakrifikuar nje cjap ne naten e fundit para festes.
I gjithe ky arsenal “dhuratash” ishin
te paprekeshme, deri ne diten e festes te Dites se Veres.
Ne ditet para festes te Dites se Veres
mblidhen lulet e thanes (ne malesi çelin te parat), qe shenojne jo vetem
ardhjen e pranveres, por simbolizojne dhe forcen (i forte si thana). Kesisoj lulet e thanes, deget e luleve te qershise, te kumbulllave,
tufat e vjollcave (manushaqe), karakaftet etj, i vendosin mbi porten e shtepise
dhe brenda ne mjediset e shtepise me urimin: “te lulezoj e begate dhe e
forte jeta ne shtepine tone”.
Keto rituale pagane, zakonisht kryhen
nga gjyshet, te cilat shqiptojne me ze te larte disa formula urimesh, duke u
lutur te vijne e mira, miresia, bukuria, begatia, shendeti ne familje, por dhe
me rite magjie, per te larguar te keqen, tersellekun, varferine, semundjet, per
t’u mbrojt nga syri i keq etj.
At Bernardin Palaj, ne pershkrimin e
festes te Dites se Veres ne Malesine e Shkodres dhe te trevave te tjera
veriore, tregon se familjet malesore i grumbullonin me nje anë harxhet, qe do
te gatuheshin ne festen e Veres dhe njekohesisht kryenin disarite magjike te
veçanta, kesisoj “Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat,
furkat e me çartë krojet, në mënyrë, mos me i pamë këto sende asnjë rob i
shtëpisë, pse për ndryshej nuk lidhet gja “.
Keto rituale pagane jane ruajtur deri
ne ditet tona e kush ka pasur fatin te asistoje ne festimin e Dites se Veres,
se bashku me banoret e malesise verilindore dhe sidomos ne Elbasan, ka ndjekur
me emocione dhe me kenaqesi keto rite te lashta magjie. Per te krijuar
atmosferen festive, gjyshet dhe nenat pergatisin veshjet e reja per te gjithe
pjestaret e familjes, sidomos kemishat e bardha.
Nje zbukurim tipik dhe me perdorim
masiv per kete feste jane veroret, te bera me penjë leshi te kuq e te
bardhe, te gershetuara ne menyre elegante, qe i u lidheshin femijeve ne qafe
dhe ne kyçet e duarve. Per djemte dhe vajzat e rritura, pergatiten me shume
mjeshtri unaza dhe doreza, apo rrathet (byzylyket), me dege te holla kulpre.
Veroret (e kane marre kete emer se
perdoren veten ne festen e Dites se Veres), te pergatitura me fije leshi me
ngjyra, rrathet dhe unazat e kulpres etj, pra keto lloj “gjerdanesh” dhe
“byzylykesh”, mbaheshin fshehur ne vende te caktuara dhe i u viheshin femijeve
ne mengjezin e 14 marsit.
Ne fazen pergatitore gatuheshin kuleçet
e veres, qe i embelsonin me mjalte ose me musht. Fillimisht pergatiteshin me
miell gruri, ndersa nga shekulli XVIIdhe ne vazhdim, kur ne trojet tona filloj
te kultivohej masivisht misri, qe sollen turqit, banoret e Elbasaniti i
zevendesuan kuleçet e grurit, me kulaç mielli misri, nje embelsire e veçante e
shume e shijeshme, e gatuar me majë mielli misri e njohur masivisht ballokume
Elbasani. Miku im i femijerise Kadri Çopja dhe bashkeshortja e tij
Gjyljana, me treguan se per te bere ballokumet ne nje familje me 5 persona,
duhen 7 - 8 kg miell misri, te situra disa here, per te marre 1 kg majë mielli
dhe pasi perzihet me gjalp dhensh, me veze dhe sheqer, pergatitet brumi per
kulaçet e vegjel, te cilet pasi piqen ne furre, dalin ballokumet e embela me
shije te rralle dhe me arome te kendeshme.
Emeri origjinal i kesaj emeblesire
eshte “kulaçi i veres”, ndersa emeri ballokume eshte shume i vonshem,
rreth fundit te shekullit te XVIII dhe i u dha nga Sanxhakbeu i Elbasanit, i
cili pasi provoj shijen e embel dhe butesine e kulaçit te vogel te gatuar me
miell misri, gjithe kenaqesi thirri: “eshte ba si llokume”. Kesisoj,
ballokume u ba emeri “zyrtar” i kesaj embelsire tradicionale elbasanase.
Per festen Dita e Veres, banoret e
Elbasanit gatuajne nje embelsire tjeter te rralle: revanine me miell misri,
madje kush e ka provuar, preferon kete emeblsire para ballokumeve, prandaj miku
im Kadri Çopja krenohet “Gjylka gatuan me mirë revanine” dhe me ka
premtuar disa here: “do te dergoj nje tepsi me revani, se eshte mbreteresha
e embelsirave”, por deri tani, nuk ka arrijt ne Siena, nderkohe qe i ka
ndjekur rruget e Londres, Parisit, Romes, New York-ut, Stambollit etj.
Ne trevat e Dibres, Tetoves, Prizrenit
dhe Opojes – Kosove, gatimi tipik per diten e veres eshte flija.
Ne 3 ditet para festimit te Dites se
Veres, ne malesi praktikohej nje ritual i lashte, burrat i fshihnin veglat e
punes, nuk perdornin armet e gjuetise, grate i fshinin shoshat, furkat dhe
kreherat e tjerrjes se leshit, per t’i ruajtur nga syri i keq. Burrat nuk duhej
te preknin instrumentat qe i perdornin grate ne aktivitetet shtepiake, pasi
sillte tersellek.
- Faza e dyte eshte 13 marsi. Eshte dita e vigjiljes te festes.
Paradite perfundohen sistemimi e pastrimi i mjediseve te shtepise. Ne vazhdim
grate impenjohen me gatimin e ushqimeve, qe do te konsumohen ne dreke dhe ne
darke dhe sidomos me pergatitjen e hiseve (rracioni i ushqimeve), qe do te
merren ne piknikun e Dites se Veres me 14 mars, qe do te kremtohet masivisht ne
natyre te hapur ne vende me bukuri te rralle.
Te paret tane pelasgo – ilirë, per te
zbutur zemerimin dhe per te kerkuar mbrojtjen e hyjneshes Artemise dhe me pas
te Dianes, sakrifikonin nje cjap ne tempull. Ky ritual praktikohet masivisht ne
festen e Dites se Veres, kesisoj ashtu si veprohej dikur per hyjneshat Artemise
dhe Diana (Zana – Thana), shumica e familjeve sakrifikonte nje cjap, ose nje dash. Ne vitet e
me pasme, me renien e nivelit ekonomik, kjo tradite filloj te kufizohej e
kesisoj nje dite para festes therej nje qingj, ose nje kec, ndersa familjet e
varfera sakrifikonin nje pule (shpesh gjela), por ishte e ndaluar te gatuhej
mishi i kafsheve te egra te vrara ne gjueti, çka behej per te mos fyer
hyjneshen Diana.
Kjo atmosfere prefestive, perjetohet me
gezim ne familje, sidomos nga femijet, qe te ne ditet e ardheshme do te
mblidhen per te festuar se bashku. Si shkruan Konica“keto pergatitje sjellin
një gëzim të kulluar në shtëpi ... djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë
për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e
të rrallë”.
Me 13 mars femijet dalin neper korije e
mbledhin lulet, fillimisht lulet e thanes e me pas dege me lule qershie,
kumbullash, bajamesh etj si dhe mbledhin vjollcat (manushaqet), qe jane lulet e
para qe çelin me bukuri delikate dhe rriten gradualisht me ngrohtesine e
rrezeve te diellit pranveror.
Ne Elbasan, djemt ngjiten ne Ullishte e
vrapojne te mbledhi sa me shume vjollca, per te pergatitur buqeta te vogla me
kete lule, qe te josh me bukurine e petaleve ngjyre te ndezur violet. Tufat me
vjollca, te lidhura me delikates me nje fije bari, i sistemojne me kujdes, ne
nje shport te vogel te thurur me kercellet e gjata dhe te buta te nje bime (nuk
e di emerin), qe çel ne kete kohe. Tufat me vjollca, djemt u a dhurojne
prinderve e me te rrituri me shume kenaqesi vajzave.
Viollcat jane lule te gjinise viola
te familjes Violacea, ku perfshihen rreth 600 specie. Ne trojet
shqiptare lulezojne dy tiper violash, qe mblidhen me preferencene diten e veres
dhe kane emera shkencor te bukur si pamja e tyre. Ata quhen:Viola albanica
dhe Viola epirota – albanica. Te dyja keto specie violash, jane
klasifikuar nga botanisti A. Baldacci ne vitin 1896, i cili i njohu keto lule
si specie tipike dhe autoktone albaneze.
Lule vjollca ka dhe nje sinonim,
kesisoj njihet masivisht me emerin Manushaqia – lulja mavi, pra i kane
dhene kete epitet, per ngjyren violet te ndezur. Manushqes – lulia e pranveres,
Naim Frasheri i ka thurur nje poezi te bukur, ashtu si populli i Kolonjes, i
Laberise dhe i Çamerise i kendojne kenge, ku poetet dhe kompozitoret anonim
popullor, kane bashkuar gezimin e veres, me idilin e dashurise per vajzen e
bukur si manushaqe.
Manushaqe lule
lule qe keputen
do t’i bej varse per gushen
diten qe do behesh nuse
Ne Elbasan dhe ne trevat malore per
rreth, mblidhet nje lule tjeter e bukur dhe e rralle, e njohur gjeresisht me
emerin Karakaftja. Djemt rendin ne ullishta, ku e kerkojne me kujdes
kete lule, qe rritet e fshehur nen hijen e ullinjeve. Karakaftja eshte lule e
rralle dhe jane fatluma ata djem, qe arrijne te bejne nje bukete. Ashtu si
eshte e rralle, kjo lule ka dhe emer te veçante. Ne Elbasan quhet Karakafte, ne
Martanesh quhet lule “sy zeza”.
Gjithmone me ka terhequr kjo lule me
bukuri te rralle dhe butesi te kadiftë e ndersa po kerkoja te dija sa me shume
rreth mitit te kesaj lule, gjeta dy materiale informative, se pari nje poezi te
bukur per Karakaften, te shkruar nga miku im Fatmir Terziu, nje nder poezite e
rralla te dedikuara ne veçanti per kete lule dhe disa komente shkencore per
natyren e kesaj lule misterioze.
Karakaftja bene pjese në familjen Iridiacea,
një specie e rralle tuberose e gjinise risomatosae, qe çel vetem nje
lule. Emeri latin eshte Hermodactylus tuberus. Fruti i kesaj lule, ka
forme bishtaje, qe eshte krahasuar me gishtat e Hermesit (Hermodactylus) dhe
permban shume fara ne brendesi.
Njihet me emra te ndryshem, kesisoj
romaket e quanin “vejusha e bukur”, italianet e quajne “gojë ujku”,
bullgaret e njohin si “irisi i zi”, ne fshatin tim e quajne lulja“sy
zeza”, madje dhe banoret e Xibrrakes, si tregon poeti Fatmir Musaj e quajne
lulja “sy zeza” etj.
Aktualisht, populli i Elbasanit vazhdon
ta quaj me emerin qe i dhane turqit “karakafte”, qe si thote Fatmir
Terziu, ngjizi mire dhe mbeti kesisoj deri ne ditet tona. “Fjala ‘Kara’ si
pjesë përbërëse e fjalës ‘Kaftja’, është me një siglim honorik nga titulli, që
u jepej ushtarakëve në kohën e Turqisë, atyre që plotësoni 12 kushtet për të
qenë lider ushtrie, si p.sh Kara Mahmud Pasha etj. Kaftja ishte shtysa e
ngjyrës, qe i u bashkua pamjes te kadiftë te saj, te saktesuara në elbasançen
tipike si karakaftja, lulja me bukuri te rralle, qe lajmeron ardhjen e
pranveres”.
Sipas mitologjise greke Hermesi ishte
mesazheri – lajmetari i hyjnive, andaj besohej se lulja “sy zeza”, që rritej
poshtë hijes së ullinjve dhe në ballë të diellit, ishte lajmëtarja e hyjnive te
pranveres.
Shqiperia, ashtu si vendet e tjera te
Mesdheut, janë kopshtet e karakaftes, e cila lulezon me fillimin te marsit dhe
eshte lajmetarja e ardhjes te dites se veres. Pra shihet qartë se, çdo emër
tjetër është larg elbasançes ‘karakafte’, që e bën atë të veçantë, tipike, te
bukur si kryelulja dhe tejet natyrale për traditën e Dites se Veres, që e mban
gjallë.
Autorë të shumtë elbasanas piktorë,
poetë, shkrimtarë, etnologë, gazetarë, dashamirës dhe autor tektesh kënge, e
kanë karakaften si frymëzim ne krijimtarine tyre dhe kjo lule, “përditë e sheh
dhe ndjehet” e pangopur në mjedisin e artit, ndaj duhet përditë e më shumë të
mbahet si nusja e bukur, që ka vendin e saj ne atmosferen e festes Dita e
Veres.
Ne vazhdim po citoj pjese nga poezia
“Karakaftja”, qe e frymezoj poetin Fatmir Terziu, t’i thuri keto vargje te
bukura, plot art e ndjenja:
Bukuria jote bojalleshë në petalet e buta.
Drita amshuar ngjiz përmallimin hyjnor tek bruca,
buzët e mia ngjiten mes flatërzëve të tua si fruta.
Mos ik kaq shpejt lule ‘nostradamus’
ta them hapur të nëntën profeci, ç’është e vërteta,
nën ullinj paqen vajzat ende mbledhin,
mbi nurin, që trupi yt lë duke u kallur nga jeta,
edhe pse sakrifica të tilla vërtetë dhembin,
ti paqshëm na mjalton si bleta.
Mos u tret duke kujtuar, se do të ikësh,
stinët vijnë shpejt sall e shtojnë dashurinë,
ti je vetë një risk zbritës,
për vetë jetën, paqen, rininë
dhe mitin tënd të pavdekshëm.
.....................................
Dita e 13 marsit, eshte e mbushur me
plot impenjime, sidomos per dreken dhe darken e vigjiljes, qe paraprijne
festimet dhe dreken e Dites se Veres. Ne
keto dy dite gatuhen ushqime te rralla, si p.sh qepet me mish – çomleku, nje
gjelle tipike dhe shume e lashte. Sipas mitologjise greke, qepa personifikon
perjetesine. Gatimi i ushqimeve me qepe aplikohej ne Egjyptin e lashte, si
deshmojne zbulimet arkeologjike, ku kane evidencuar qepë te pikturuara ne
afresket e varreve te faraoneve.
Ne pasditen e 13 marsit, gjyshet, ose
nenat zjiejne vezet. Ky rit eshte i perhapur ne te gjitha trojet shqiptare, nga
veriu ne jug. Ne veçanti ne Elbasan dhe ne disa treva si Martanesh, Çermenike,
Polis, Shpat, Prizren, Kukes, Tropoje, Gjakove, Çamerise, Laberi dhe ne qytetin
e Elbasanit, vezet duhet te jene te bardha dhe uji i ku vlojne vezet, ruhet per
mengjezin e 14 marsit, pasi te gjithe pjestaret e familjes, do te lajne fytyren
me kete uje, me profecine “te jete e bardhe jeta e familjes”, ndersa per
te tjere me profecine “vitin faqebardhe”.
Ne trevat e Dibres, Pogradecit, Korçes,
Kosturit, Kolonjes, Skraparit, Gjirokastres, Lushnjes vezet e ziera ngjyrosen,
por ky zakon u praktikua vone dhe eshte nje imitm i vezeve te pashkeve
ortodokse.
Veza e zjere eshte simbol universal i
rilindjes dhe i kozmosit. Ne antikitet ky rit lidhej me mitin e zogut Feniçe,
qe sipas mitologjise, para se te vdiste, pergatiste folènë ne forme veze, qe
ngrohej nga rrezet e diellit dhe me hirin e kurmit te tij formoheshin vezet, qe
pasi çelnin, lindete zogu Feniçe, prandaj antiket e quajten “zogu i zjarrit”.
Vezet e zjera i u jipeshin femijeve ne
mengjezin e 14 marsit. Pasdite vone, amvisat e shtepise pergatisin hiset
(rracionet e ushqimit), per secilin pjestar familje, duke i a vendosur pjesen
ne frutjere, apo ne nje pjate veçmas, ose ne nje pecete, qe do ta marrin diten
e neserme, kur te shkojne per ta festuar Diten e Veres, bashkerisht me te
gjithe banoret.
Gjithashtu me 13 mars amvisat
pergatisin hiset, qe do t’i u çohen “dhurata” familjeve te tjera gjate vizitave
per te uruar festen Dita e Veres me 14 mars. Ne traditen elbasanase, dergimi i
hiseve ne familjet e tjera thuhet se do bejme “kembë”, pra do te shkohet
ne vizite per urime, te shoqeruara me dhuratat (me hisen e gjelleve,
embelsirave dhe frutave), qe kane pergatitur se pari per fisninë, pra bejne
“kembe” te gjyshi, gjyshja, dajat e xhajat, tek hallat dhe tezet, ne menyre te
veçante shkojne per vizite tek motra e martuar, kur eshte me vjerrë dhe vjerr.
Vizitat kryhen dhe nder komshijt e miq.
Dita e Veres eshte e vetmja feste
shqiptare, ku vizitat e urimit shoqerohen me dhurata, duke evokuar kesisoj nje
ritual te lashte, depozitimin e dhuratave ne tempullin e Dianes.
Darka e 13 marsit eshte e mbushur me
aktivitete dhe argetime kolektive.
Ne pasdite vone, djemt shkojne ne
korije, ne kodra e ne mal, ku mbledhin shkarpa dhe dru, me te cilat formojne
turra, qe do t’i vejne zjarrin ne darke. Zjarri eshte ritual i zakonshem ne te
gjitha trojet shqiptare dhe ndizen sapo perendon dielli e mbremja fillon te
ndiçohet nga drita e henes.
Ne trevat Malesi e Madhe, Opojë,
Prizren, Gjakove, Diber, Martanesh, Golloborde, Çermenike, Shengjergj, Mollagjesh,
Polis,Shpat etj, djemt shkojne ne mal te mbledhin dellenja e pasi krijojne nje
pirg me keto peme, ne darke ndezin zjarre.
Zjarret krijojne atmosfere magjike, ku
flaket dhe xixat e zjarrit grisin erresiren e ndriçojne fytyrat e pjesmarresve.
Kur zjarri fillon te pakesohet e te shuhet, sejcili nga pjesmarresit pergatit
nje pishtar, me drute, qe ende nuk jane djegur teresisht e duke i tundur bejne
te shperthejne xixa te shumta.
Ne malesi, pishtari pergatitet me dru
pishe, apo si i thone ne Martanesh me dhena pishe.
Ne Gostivar, Karshiakë, Kerçovë dhe ne
Lushnje, organizohen zjarre me pirg kashte, si dhe behen pishtar, me kashten te
lidhur ne majen e nje shkopi, ose perdoret nje litar, duke i lidhur ne skaj nje
tufe kashte e pasi u vihet flaka, rrotullohen, duke krijuar tym dhe xixa te
shumta.
Ne Diber, sapo ndizet zjarri, djemt
gjuajne gure me bahe (nje mjet i lashte, qe perdoret per te hedhur guret
sa me larg, i njejte si fjonda e Davidit te Izraelit). Ky rit kryhet per te
vrare te keqen, per te larguar djajt dhe shtrigat, qe sipas bestynive dalin
naten.
Te gjithe, djem e vajza mblidhen rreth
zjarreve dhe kryejne rituale te ndryshme. Pergjithesisht kendohen kenge te
tradites vendase dhe hidhet valle ne rreth e perqark zjarrit, njelloj si vallja
e amazonave te Artemises, si vallja e nimfave te Dianes dhe vallja e
shtojzovalleve te Zanes ilire.
Pas argetimeve me kenge e valle, kryhet
nje rit tjeter i lashte, kapercehet zjarri e kesisoj realizohet profecia e
magjise per t’i djegur ne flaket e zjarrit te keqiat, shtrigat, semundjet,
syrin e keq etj.
Sipas bestytnive ne malesi, kur zjarri
me dellenja dhe pishtaret çlirojne shume xixa, parathote se pranvera do te jete
me shume reshje, me begati e me te korra te bolleshme, qe do te kontribuojne
per te perballuar periudhen e gjate te izolimit nga dimeri i eger.
Keto bestytni kane ushqyer zakonet, qe
malesoret te pyesnin njeri tjetrin: “Si dole kete vere?”, “Sa nxorre
kete vere?” (sa bageti i shpetoj dimrit), pra pyetje me kuptimin si e
mbijetove dimerin e eger e izloues, si e kalove te “keqen”, si e prite veren
dhe ne kete plan, Dita e Veres simbolizon rikthimin e te mires, miresise,
mbaresise, drites, gezimit, begatise.
Zjarret ndizen nga grupe familjesh,
zakonisht ne pjese kodrinore, qe i bejne me te dukeshme ne fshat dhe ne nje
fare menyre, behet nje gare, kush te ndezi zjarrin me te madh.
Flaket e zjarreve ne darken para dites
se veres, sipas mitologjise simbolizojne Dianen, flaken dhe origjinen e saj nga
flakerimi i drites, Dianen perendesha e drites.
Sipas mitologjise, Diana ishte krijesa
e pare ne zanafille, kur u shfaq Kaosi, qe u nda ne drite e terr. Luçiferrit i
ra hisja e drites dhe Diana me urinë per driten, e gelltiti te vellane dhe
ndjeu ne trup flakerimin e pasionit. Ky flakerim ishte agu (agimi). Pas kesaj,
kur do te fillonte agu, Luçiferri i shpetoj motres serish dhe zbriti nga qielli
ne thellesi te tokes, por Diana e ndoqi pas, me shitime e shajni, prej nga
linden Nimfat (Zanat) dhe krijesa te tjera, qe ngjasonin me njerezit, por qe
ishin te pavdeksheme. Rikthimi i Dianes me driten, simbolizon fillimin e
pranveres, ripertritjen e jetes, qe nis diten e ngjitjes te hyjneshes nga
thellesite e sketerres dhe rikthimi i saj triumfues ne siperfaqen e tokes, duke
marre me vehte dhuntine e drites, te ngohtesise e te fertilitetit human.
Rikthimi i Dianes me driten, celebrohet
ne diten e ekuinoksit pagan, qe banoret antike e nderonin duke ndezur zjarre,
ne menyre qe te gjithe pjesmarresit te shohin flaket e zjarrit te Dianes.
Diten e veres, latinet ndiznin zjarre
neper kodra dhe sipas tradites, sa me gjate te rrinin ndezur, aq me prodhimtare
do te ishte toka. Kete dite, latinet ujisnin livadhet, per te rritur prodhimin
e barit.
Ne traditen druide, riti zjarrit kryhej
pikerisht ne perkimin perfekt te barazise te dites me naten, pra ne diten e
ekuinoksit pagan te pranveres, kur dita zgjatej e ndriçuar nga dielli
pranveror.
Pasi kane perfunduar aktivitetet e
shumta ditore, ne darke zhvillohen disa rituale te veçanta e shume interesante,
dhe kryhen ritet e magjise. Pergjithesisht, proçedurat e magjise zhvillohen
uniforme ne te gjitha trojet e banuara nga shqiptaret, si brenda dhe jasht
kufijeve shteteror.
Ne darke vone, familja mblidhej rreth
zjarrit e pasi hane darken me çomlek, tave pestili, tave kosi etj, gjyshet, apo
nenat fillojne te kryejne ritet e magjise te dites se veres, qe evokojne
lashtesine iliro-albaneze, çka shihet ne simboliken tipike qe shprehin. Keto
rite, vazhdojne te zbatohen dhe aktualisht nga malesoret, pavaresisht se jane
modifikuar e ne nje fare menyre jane “modernizuar”.
At Bernardin Palaj na ka lene nje
pershkrim te bukur, se si kryheshin keto rite ne malesite e veriut, ku tregon
ritualin e zjarrit dhe lutjet, profecite pagane dhe magjite, per te larguar
shpirtin e keq, te ligen, semundjen, djajt e shtrigat.
Keto rite magjike kryhen duke i lidhur
me nje fije peri te zi, te gjitha te keqiat, qe te mos demtojne, te mos
lendojne, te mos shkaterrojne, te mos bejne keq.
Lidhja nyje e perit te zi, behet per
sejcilen te keqe dhe per sejcilin demtues ne veçanti.
Ne pershkrimin e tij te kahershem At
Bernardini tregon me art teresine e riteve, qe zhvilloheshin ne festen e Dites
se Veres, pa asnje medyshje, me origjine te larget, ne lashtesine pelasgo –
iliro – albaneze, rite qe ishin praktikuar rreth nje shekull me parë nga
malesoret e mbi Shkodres.
At Bernardin Palaj tregon:"Shtëpi
më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit
për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat dhe të gjitha shtazët
dëmtuese: gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë laknat e bathën, shpendin
emën për emën dhe krimbat e tokës mos t’u bajnë dam ndër ara. Mbas darke, të
gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarit. I zoti i shtëpisë merr një
pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë:”Lidhe Zot, nata
e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtringat’ etj. etj. Kështu
përsërisin këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që
don me lidhë".
Pra si shihet, magjia kryhej nga
kryefamiljari, i cili duke lidhur nyje nje pe te zi, lidhte te gjitha te keqiat
e te ligat, per t’i larguar nga shtepia e tij, per te mos i prekur pjestaret e
familjes dhe pronat. Ky rit kryhej sipas nje proçedure dhe me rregulla strikte,
duke i permendur me rradhe e duke i shituar nje e nga nje te gjitha shtrigat,
djajt e te keqiat, qe mund te preknin shendetin e pjestareve, por me keto rite
magjije kerkonte mbrojtje dhe te objekteve te sferes materiale, prandaj me
perin e zi lidhte te gjitha ato dukuri qe demtonin te mbjellat, shiun,
bresherin, termetin, qe mund te demtonin shtepine; lidhte mjetet e punes, por
kerkonte dhe te “lidhte” dhe te keqiat e semundjet lidhte lepurin te mos haj
laknat, lidhte krimbat e tokes te mos i bajne dam bimeve ne arë etj.
Ne Elbasan, Diber, Martanesh,
Çermenike, Polis etj, pasditen e 13 marsit, femijet merrnin nje shat e shkonin
neper korije dhe ne pyll, ku mblidhnin nje lloj tuberi, pra nje zhardhok, qe
rritet ne pyje e nder livadhe. Banoret e Elbasanit e quajne “buka e derrit”,
martaneshasit e quajne burkthi.
Banoret e Martaneshit, pasi i hiqnin
gjethet burkthave, i pastronin dhe hidhnin ne tavan dhe ne çatine e banesave,
me profecine per te larguar xhindet dhe shtrigat nga shtepia, ndersa pjesen tjeter
te burkthave e ndanin pergjysem, i u hiqnin pjesen e brendeshme dhe benin kupa,
per t’u perdorur diten e veres me 14 mars, per te pire tre here ujin ne mengjez
heret.
Si me tregon Shqiponja Haslika dhe Sami
Alhasa, nje rit tjeter magjie me burkthat, kryhej me femijet. Keto kupa u
viheshin ne koke femijeve, te cilet me nje levizje te trupit e hidhnin ne toke.
Ne se burkthi bie permbys, parathote se personi do te kete nje shendet te dobet
gjate vitit, por per te rregulluar shendetin ne te ardhmmen i keshillonin te
persersnin kete veprim, deri sa te binte per se mbari. Kur burkthi bie me
pjesen e kupes lart, pra i hapur, atehere do te gezonin shendet te mire.
Martaneshasit mblidhnin dhe caronkthat,
nje bime me zhardhok me pamjen e karrotes, qe rritet nentoke e pasi e shkulnin
dhe e pastronin nga gjethet dhe nga dheu, e rrihnin me nje dru, deri sa e
shkriftonin, duke e bere fije – fije. Keto fije i merrnin dhe i lidhnin nyje,
ose i gershetonin ne qark, me profecine, se me kete veprim po lidhnin te ligat
e gjithe pjestareve te familjes. Proçedura e lidhjes te fijeve te caronkthit
shoqerohet me kenge, qe kendohetne veçanti per sejcilin femije.
Gjate femmijerise time, i kam perjetuar
keto proçedura magjie, fillimisht i kryente gjyshja ime Aishja e me pas vajza e
dajes Sybe Kurti e shquar per intiligjence dhe kujtese te rralle, e cila i ka
konservuar dhe praktikuar vazhdimisht ne ditet e sotme me 40 nipat dhe mbesat e
saj, duke i perseritur formulat e magjise te shoqeruar me kenge, per sejcilin
me rradhe dhe duke i lidhur caronkthat, deri sa femijet t’i zinte gjumi.
Kete formule magjike, po e prezantoj ne
vazhdim, ashtu si e kendon kusherira ime Sybe Kurti:
Ne kete dite te veres,
Jam tuj lidh dhesin dhe perdhesin e
Rosselles
Jam tuj lidh dhesin dhe perdhesin e
Emmes,
Jam tuj lidh buburrecin
Ate qe rri neper malet,
Ate qe rri neper livadhet,
Ate qe rri neper trapet,
Ate qe rri neper gardhet,
Ate qe rri neper ferrat,
Ate qe rri neper vijat,
Ate qe rri neper pyjet,
Ate qe rri neper shtigjet,
Ate qe rri nen urat ...
Do ta mbledh
Ta gjymtoj, ta bej trung si caronkthi,
Kur te baj me krujt kryet,
I dalshin syte,
Kur te baj me krujt faqet,
I dalshin zorret dhe zberrnaqet ...
Perpos ktyre ritualeve, bashkfshataret
e mi, me rrenjet e shkriftuara te caronkthave, pergatisnin nje varg
(gjerdan), ku i shtonin penje leshi me ngjyra dhe u a lidhin ne qafe femijeve
ne mengjezin e 14 marsit, qe sipas bestytnive garantonin mbrojtjen nga syri i
keq, nga shtrigat dhe xhindet deri ne veren e ardheshme. Ky gjerdan mbahej nga
femijet der me 6 maj, diten e festimit te Shen Gjergjit, kur mblidheshin te
gjithe femijet e i hidhnin ne lumin e fshatit, kesisoj uji i merrte dhe i çonte
larg te gjitha te keqiat, terselliqet dhe semundjet.
- Faza e trete:
mengjezi i 14 marsit. Eshte mëngjesi festiv i Dites se Veres. Çdo shtepi e Elbasanit është e
mbushur me gëzim te veçante, është një ndjesi shpirterore, qe i pushton
njerëzit ne menyre spontane, gjtheçka e lidhur me ardhjen e pranveres, me
shperthimin e gjelbërimit, me ripertritjen e natyres, qe inspirojne begati dhe
vazhdimësinë e jetes.
Shtëpite mbushen plot me ushqime, me
gatime te veçanta dhe me bollëk. Portat zbukurohen me lule dhe lastarë te
lulezuar, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe ripertritjen e natyrës.
Ritualet e mengjezit te dites se veres
jane te njejta ne te gjitha trevat shqiptare, diku me shume, diku me pak, diku
te plota, diku te pjeseshme, por te gjitha plot me elemente antike iliro -
arberore, qe jane ruajtur e transmetuar brez pas brezi, deri ne ditet e sotme.
Per te evokuar lashtesine e ketyre
riteve, por sjell nje pershkrim te historianeve romake, dedikuar festimit te
pranveres per nder te hyjneshes Diana, ku gjejme plot ngjashmeri, me ritet qe
kryhen ne festen tone te Dites se Veres. “Ne feste merrnin pjese dhe sklleverit.
Ne mengjez, pronaret dhe sklleverit zgjohen heret, lahen e fillojne pergatitjet
per festimet. Grate falen ne tempullin e hyjneshes, ku shenjteronin veshjet e
reja. Ne kete dite, grate i luteshin e i kerkonin ndihme Dianes ne
cilesine e Luçina, mbrojetsja e lindjeve; gjuetaret i dedikonin armet, dhembet
e derrave dhe brinjet e drerave. Pas ketij rituali, nga tempulli, turma e
popullit shkonte te festonte ne pyllë, te gjithe mbanin ne duar pishtare ...”
Si rezulton nga ky fakt historik, keto
rituale jane te njejta me ato qe praktikohen ne ditet e sotme nga banoret e
Elbasanit dhe te trevave malore te Shqiperise se mesme.
Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars
dhe me një përkushtim te veçante hapin dyert, qe te hyje drita, te futet e mira
dhe te dali e liga e te hapet bujaria per vizitoret.
Ne mote te shkuara, elbasanasit
zgjoheshin ne agim dhe deren e hapte me i moshuari. Djemt dhe vajzat merrnin
shtamen dhe shkonin ne krua, per t’i mbushur me uje te fresket dhe gjate
kthimit shkulnin nje plis bari te gjelberuar, qe e vinin ne pragun e
deres. Djemt e rinj shkonin te pleheronin e te ujisnin portokallat, ullinjt dhe
pemet e tjera frutore ne kopeshtin e shtepise.
Ne Martanesh, zgjimi behet ne 5. 30 te
mengjezit dhe te gjithe dalin jasht per te degjuar kenget e zogjeve, qe
gjallerohen duke shoqeruar lindjen e diellit, ndersa djali me çapken ngarkohej
me detyren te kepuste tufa me bare te gjelber, qe i ndaheshin te gjithe
pjestareve te familjes.
Ne Elbasan, ne mengjez heret, nje pjese
e banoreve i lajne sytë me lulet e verës, me vjollcat - manushaqet dhe me
karakaftet dhe me pas pihet ujë me kupen e "bukës te derrit".
Martaneshasit e pijne ujin me kupen e burkthit, ndersa te tjeret e lajne
fytyren me ujin e vezeve te zjiera.
Pirja e ujit me "bukën e derrit"
dhe me burkthin, simbolizon një vit te shëndetshëm dhe te begate.
Para se te hahet mengjezi, gjyshet dhe
nenat, i u lidhin femijeve veroret ne qafe dhe kyçin e duarve, ndersa femijeve
te rritur i u vene unazat dhe gjerdanet e kulpres, ndersa ne Martanesh u lidhin
ne qafe gjerdanet e pergatitura me fijet e caronkthit, te cilat zbukurohen me
penje leshi me ngjyra.
Keto rite kryhen ne intimitet familjar
e ne se aty prane kalon dikush dhe te therret, nuk duhet te pergjigjesh, por
shqiptohet formula mbrojtese: “Te lensha gjumin e sabahut, ethet e
veres,morrat e pleshtat”.
Pasi vishen te gjithe me rrobat e reja
(ose me rrobet me te mira), organizohet ceremonia e urimeve dhe e shperndarjes
te dhuratave ne farefisni e nder miqt me te afert. Hiset e ushqimeve, qe kishin
pergatitur ne darke, vihen ne shporta, ose ne shamia-peceta, shkulet nje tufe
bari e u jipen ne dore djalit me te vogel, i cili duhet te jete me prinder
gjalle dhe qe do te ngarkohet me detyren
te beje “kembe”, pra te kryej vizitat per te uruar Diten e Veres dhe per te
derguar hiset - dhurata. Misioni i vizitave u ngarkohet vetem djemeve dhe jo
vajzave.
Vizitat fillojne ne shtepite e
gjyshave, te xhajave e dajave, te tezeve dhe hallave, si dhe te motrave te
martuara e me pas nder kusherinj e miq. Kur arrijne ne shtepite e te afermeve
dhe te miqeve, djali e le tufen e barit ne dere dhe me urimin “gezuar diten
e veres, ju sjellte shendet e begati” hyne brenda me kemben e djathte dhe
dorezon hisen – dhurate.
Familja, qe ka pritur djalin per
vizite-urimin, e percjell deri jasht oborrit dhe i jep pjesen e vet te
hises-dhurate, pra kryhet shkembimi i dhuratave ndermjet familjeve.
Si kuptohet, Dita e Veres, permbane dhe
nje aspekt spiritual te kesaj feste, qe asht burim i gezimit dhe i lumturise te
individeve, familjes dhe te shoqerise, i kryer me rituale te veçanta urimesh,
qe jane refleksione te riteve antike, te cilat shprehin:
- perfitimin personal dhe kolektiv, me
sodisfaksionin e gezimit, qe sjell festa e Dites se Veres, festa
e ripertritjes te natyres dhe te jetes;
- perfitimin nga profecite e shumta per
vehte dhe ndaj te tjereve (ritet magjike). Keto rite nga nje
ane krijojne sugjestionim personal per
shendet e begati, por shprehen dhe ndaj te tjereve, me
vizitat dhe urimet, si dhe me
aktivitetet e shumta argetuese, qe zhvillohen me 14 mars, qe sipas
koncepteve moderne, kane karakterin e
nje festivali popullor.
Sa me shume te kthehemi prapa ne kohe,
aq me shpesh i ndeshim keto aspekte spirituale pagane.
Ne treven e Skraparit, ne mengjezin e
14 marsit, femijet shkojne dere me dere, duke kenduar kengen e Dites se Veres
dhe pasi shkembenin urimet, i u japin veze, qe femijet i thyenin ne kokë.
Gjithshtu, amvisat skraparllije, ne paraditen e dites se veres, krahas
embelsires (ballokumet), gatuanin dhe anak (laknur) me hithra.
Ne disa fshatra te Lushnjes, krryesisht
te besimit ortodoks, dita e veres festohet me 1 mars, ne te tjerat me 14 mars
dhe krahas vezeve, zjejne kallinj misri dhe grure, qe grate e shtepise u a
dhurojne femijeve, qe vijne duke kenduar dhe duke perplasur dy gure ne menyre
ritmike. Pasi urojne diten e veres, femijet kerkojne misra dhe veze te zjera.
Faza e
katert. Eshte pikniku i Ditës së
Verës, i organizuar ne paraditen e 14 marsit, deri ne pasdite vone kur fillon
te erret. Pikniku nis ne orën 10:00 dhe organizohet ne menyre krejt te rastishme. Festa Dita e Veres, me 14
mars kremtohej dhe vazhdon te kremtohet ne natyren e ndriçuar nga bukuria dhe
gjelberimi i njome, ne mjedise me lulezim masiv, mbeshtjelle me te ngrohtin
perkedheles te diellit pranveror; organizohet ne mjedise te hapura, qe lejojne
pjemarrje masive, qe jane vende te shenjta, tradicionalisht te koheve pagane,
por te pa lidhura me ato fetare.
Ne
piknikun e Ditës së verës elbasanasit lëne qytetin dhe u drejtohen vendeve me
te aferta me bukuri te rralle natyrore, kryesisht shkojne tek Rrapi i Mansit,
te Kroji i Kalit, tek Ulliri i Qejfit, te Çezma e Lepurit, Çezmja e Kasines, ne
Byshek, Gjinar, Gurra e Labinotit, ne Llixhat etj.
Banoret e
Lures mblidheshin ne bjeshke, ne livadhet e lulezuara rreth liqejve te Lures.
Ne
Martanesh pikniku organizohej sipas fshatrave, kesisoj banoret e Lenes shkonin
ne livadhet e Vaut te Deas, rreth gurres me uje te bollshem e te fresket, qe
buron ne qender te livadhit. Banoret e fshatit Gjon shkonin ne livadhet e
Luçanes, ato te Peshkut ne Ballenje e Vogel, ndersa valatoset ne sheshin e
keshtjelles te Qytezes, pra ne vende te shenjta te lashtesise pagane.
Shqiptaret
e Shkupit e organizonin piknikun ne Kalane e Shkupit, ashtu si lezhjanet, qe mblidhen ne sheshin e Keshtjelles se
Lezhes. Malesoret e Malesise se Madhe mblidheshin ne livadhet e bukura te
Vermoshit, ne Theth e ne Rzem etj, etj.
Nenat
dibrane i percjellin femijet ne piknik me nje shprehje urimi “ferci, ferci
nona, u befsh me i forte se thona”.
Te gjitha
familjet marrin ushqimet e gatuara nje
nate me pare dhe i gezohen festes ne qetesine dhe bukurine e natyres te lulezuar,
me bollekun e gatimeve, duke u argetuar dhe me kenge, valle, humor e lojra te
shumta popullore.
Nje
aktivitet terheqes eshte thyerja e vezeve, pra djemt e vajzat i rroknin, apo i
perplasnin vezet dhe ai apo ajo me vezen me te forte, i fitonte dhe grumbullonte
vezet, qe u a thyente te tjereve.
Gjate
piknikut kendohen kenge dhe hidhen valle, ne grupe dhe me pjesmarrje masive.
Vallet e vajzave, te kapura per dore ne rreth, jane jo vetem nje aktivitet
argetues, por shprehin dhe nje simbolike te lashte, jane si vallet mitologjike te amazonave te
Artemise, te nimfave te Dianes dhe te shtojzovalleve te Zanes iliro-arberore.
Vallet e djemeve, jane me dinamike dhe shprehin jo vetem karakterin burrenore,
por permbajne dhe elemente luftarake.
Ne festen
Dita e Veres, ishin dhe dhe jane aktive lojrat dhe garat popullore. Dita e
Veres e festuar me 14 mars perkon me diten e perendise te luftes Marsit,
kesisoj lojrat dhe garat, evokojne pikerisht nderimin dhe devocionin per
perendine Mars, prandaj ato imitojne situata me elemente te luftes si p.sh loja
Kalaja Dibrançe, garat me kuaj ne Diber dhe Shishtavec, sporti i mundjes ne
Golloborde, prova e forces se krahut ne te gjitha trevat nga veriu ne jug etj,
etj. Gjithashtu ne kete dite, ne mjedise te hapura zhvillohen dhe lojra te
tjera, si cingel, dokerr, loja me zare dhe me arra.
Ne mjediset ku zhvillohet pikniku,
rinia mbledh edhe lule dhensh (latinisht: Bellis perennis – e bukura e
perhereshme), e njohur me emera te ndryshme sipas trevave si: lule
shqerre, lule dele, lule bukurishte, lule dashurie, lule kacidhe, lule buke
etj. Lule shqerrat, me bardhesine diellore, jane simbol i pastertise trupor dhe
shpirterore. Kete dite, vajzat mbledhin lule shqerre dhe me ato pergatisin
kurora te bukura, njeren me te madhen e mbajne vete dhe e vejne ne koke gjate
gjithe dites te 14 marsit, te tjerat u a dhurojne shoqeve.
Per djemte, lule shqerra eshte dhe
simbol i dashurise se fshehte, pasi nepermjet kesaj lule, hetojne ne se dhe
vajza ka te njejtat ndjenja dashuri per ate. Ky sekret zbulohet, duke hequr nje
e nga nje petalet e bardha, duke pyetur ne menyre alternative, per çdo petal qe
shkul: “me don?” - “nuk me don?” Ne se keputja e petalit te
fundit perkon me fjalet “me don”, atehere gezohet se ka marre nje konferme
profetike, se e dashuron dhe vajza. Keto veprime zakonisht kryhen ne intimitet,
pasi asnje nuk do ta bej publik emerin e vajzes, qe ka ne zemer dhe te fshehur
ne mendje (dashuri Platonike). Pas kesaj prove, djali duhet t’i dhuroj vashes
se tij nje tufe me luleshqerra, por kujdes se duhet t’a japi me shume
fshehtesi, qe te mos e shohin te tjeret,
ne rast te kundert prishet “magjia e dashurise”. Pra kjo lule e thjeshte, ka
forcen te dhuroje buzeqeshje dhe gezim te dashuruarve, andaj e quajne dhe lulja
e dashurise.
Ne treva
te ndryshme zhvillohen dhe veprimtari te veçanta, te natyres spirituale. Ne
veçanti grate frekuentojne vende te shenjta pagane, kesisoj vizitojne shpella,
lajne duart dhe fytyren ne burime te veçanta, ulen nen hijen e lisave te
lashte, ose qendrojne te veçuara ne lendina te shenjta, me sugjestionin, se
keto vende kane efekte sheruese, fatsjellese dhe mbrojtese te shendetit etj.
Kesisoj, si shkruan etnologu Afet Jashari, grate e treves se Dibres, ne diten e
veres frekuentojne shpellen e Vertekices, te tjera shkojne ne burimin e Ujit te
Kuq, me bestytnine se keto vende do te sjellin pjellshmeri te mbare, fatin e
mire dhe shendetin per femijet.
- Faza e peste. Eshte vazhdimi i jehones te Dites se
Veres. Zgjatja e kesaj faze, varjon sipas trevave dhe mbyllet me disa rituale
te karakteristike.
Elbasanasit fillojne t’i heqin veroret,
kur shohin dallendyshen e pare, dhe i hedhin ne ferra, qe dallendyshja t’i
marre per te bere folene.
Vajzat dhe djemt e Malesise se
Shkodres, i heqin veroret me 20 mars, diten e ekuinoksit pranveror dhe i vejne
neper deget e pemeve te kopshteve te shtepive e presin te vijne t’i marrin
zogjte.
Ne Martanesh, veroret dhe gjerdani i
caronkthit mbahej nga femijet der me 6 maj, diten e festimit te Shen Gjergjit,
kur mblidheshin te gjithe femijet dhe i hidhnin ne lumin e fshatit, kesisoj uji
i merrte dhe i çonte larg te gjitha te keqiat, terselliqet dhe semundjet.
Djemt dhe vajzat e Skraparit, Beratit,
Lushnjes dhe Çamerise, i mbajne veroret deri me 2o mars, diten e ekuinoksit
pranveror e kete dite i heqin dhe i hedhin mbi ferra ose mbi trendafilat dhe
presin te vijne t’i marrin dallandyshet, qe t’i perdorin per te ndertuar
folene.
Vajzat dhe djemte e Korçes, Kolonjes
dhe Kosturit, veroret i heqin pas nje jave dhe i vendosin mbi shkurret e rruges
te fshatit, apo ne deget e pemeve te oborrit dhe prisnin te vinin t’i merrnin
zogjte. Kur zogu i merrte veroren e vajzave te rritura, do te thoshte se vajza
do te martohej brenda vitit.
No comments:
Post a Comment