KOLLPORTIM ARTISTIK I
NGJESHUR ME REMINISHECA TË NDËRLIDHURA
Flutura Açka ‘’Kukullat nuk
kanë Atdhe’’ botoi Real-Stamp, Tiranë 2013
Autorja Flutura Açka me romanin e
saj më të ri ‘’Kukullat nuk kanë Atdhe’’grish përpara lexuesve një lojë
dramatike të ngjeshur me parodi, alegori e ironi të stërholluar, për vendin,
kohën dhe njerëzit. Ajo jep në vazhdimësi mesazhe të reja e të qarta rrëfyese,
ku fiktivja dhe realja koordinohen mirë me kriter të veçantë simbolik në një
konvencion reproduktiv e stilistik të sinkronizuar. Me mjeshtëri të kalitur
sistemore ndërton jetën e vrullshme të personazheve, duke përdorur në
strukturën e romanit zhdërvjelltësinë kreative postmoderne. Kështu shkrimtarja
përfshin shumë ngjarje të ndryshme të jetës së ‘’kukullave’’ dhe me
kriter të veçantë letrar ndërlidh një rrëfim të adaptuar rrjedhshëm në konflikt
dramatik. Romani si tërësi mbërthen në vete koncepte e varietete gjuhësore
ironike, provokuese, thumbuese, të sistemuara figurativisht në fragment, të
cilat si të tilla që janë me alternativë kuptimi, nga kaptina në kaptinë,
shpalojnë një dramë të koduar artistikisht e të goditur mirë me ngjarje.
Struktura narrative është e lidhur ngushtë me realitetin dhe me ndodhitë e
shumta që ngjajnë gjatë këtyre viteve të fundit të tranzicionit. Faktikisht
aty përshkruhet në mënyrë detajuar çdo gjë që ndodh rreth individit dhe
shoqërisë. Kyçja e qytetarit të thjeshtë, intelektualit, politikanit, artistit,
kriminelit, na jep të kuptojmë tërësinë e frymëmarrjes së një populli në jetën bashkëkohore
pluraliste. Shkrimtarja pasqyron të gjitha poret jetës, me të mirat dhe të
këqijat e saj që sjell koha dhe hapësira. Ky roman artistik triler nuk fshihet
në asnjë rast edhe nga intertekstualiteti i përshtatur i performancës së
përkryer gjuhësore dhe brenda kësaj përkryerje të shtjelluar veçohet edhe një
ndërlidhje tjetër e frymës së lehtë poetike, që ka normë letrare të koduar me
shtrirje më të thellë teorike. Kështu përmbushet qëllimi i shkrimtares për
kriter artistik të përzgjedhur, sipas standardit të imponuar nga koha. Në roman
shpalohet fshehtësia ironike, satirike, e mbështetur kryesisht në simbolikë të
përhershme gjuhësore. Kështu kjo gjuhë e përdorur spontane adaptohet rrjedhshëm
në ngjarje, ku edhe merr një puls nxitës koketimi fjalësh të goditura, me
tension të ngritur dhe me përmasë rrëfyese të ngjeshur e sistemore gjatë tërë
tipizimit të situatës. Këtu shtegton një rrëfim i përzgjatur enigmatik e
erotik, me shumë ngjarje jetësore të përjetuara bindshëm nga vitet 2000 e
këtej, që përmes një konsumi efikas metaforik, shpalon informacion të
verifikuar me ndodhi. Romani plotësohet me shpëlarje ndjenjash të fiksuara
intime të veçanta, të cilat vijnë të imponuara nga realiteti jetësor. Dashuria
konfliktuoze e personazheve dhe arti gjuhësor i përdorur në tekst imponohet
bindshëm nëpër veprime dramatike. Bëhet trandja morale dhe imorale e
personazheve, për vlerat dhe jo vlerat njerëzore në rrugëtim e sipër. Hyrja në
jetën e tyre të vrazhdë bëhet e detyrueshme për lexuesin, që kërkon shkak dhe
pasojë në ngjarje, si segment kyç i njohjes së thellë të asaj imagjinate të
imponuar letrare nga përvoja kreative, për ta kuptuar bukurinë tërësore,
artistike të veprës. Idetë e rafinuara që ngërthen romani për t’i nxjerrë në
shesh të gjitha ndyrësirat e kohës së kaosit të tranzicionit të vrazhdë, e
plason këtë shkrimtare në vetëbesim të guximshëm dhe në opozitë të angazhuar
veprimi. Kjo bëhet duke vendosur në vetëdije motive të akorduara me mjete të
sofistikuara kritike, reale, thumbuese, për realitetin e hidhur të kohës.
Romani paraqet një rrëfim të fuqishëm për marrëdhëniet e dashurisë dhe
ashpërsisë së jetës, e cila ekziston e kryqëzuar në ndjenjë derisa është e fokusuar
si mall. Kjo duket qartë kur shfaqen nuancat subtile të marrëdhënieve ndër njerëzore
intime. Flutura Açka e zbulon këtë fshehtësi seksuale të shumanshme të
kukullave, ku edhe veçohet niveli kulturor i tyre, për të dhënë një gjykim të
mprehtë, të shumë aspekteve jetësore bashkëkohore. Kryesisht për t’i
fshikulluar artistikisht të gjitha veprimet, gjestet, anomalitë, karakteret e
njerëzve, që janë të kyçur mbrapshtë në sistem, madje duke mos kursyer kurrgjë
nga jeta dhe gjuha e vrazhdë e përditshmërisë sonë, ashtu siç do t’i rikujtonte
edhe ca fjalë sharëse të dëgjuara nga një fqinje, Matrona, e cila adapton
kukullat e saja të imagjinuara në jetë reale, në fillim të romanit për
’’Atdheun e shkërdhyer nga politika’’. Bile, ajo me atë zhargon thumbues nuk
kursen as ministra e kryeministra, e njerëz publik të kohës sonë, që janë
element bartës së një politike të degraduar, pa perspektivë zhvillimore edhe nëpër
shumë vende tjera të botës. Açka madje ngjiz zërin e revoltës thumbuese kundër
pseudo kulturës, pseudo politikës, pseudo biznesit, pseudo shkollimit, pseudo
dashurisë, si fenomene të imponuar keq në shoqëri. Ajo me anë të kukullave, që
janë femra me frymë e shpirt, avitet guximshëm në kohë të duhur në skenë
veprimi dhe me mprehtësi therëse vardiset kundër një shteti, atdheu të
korruptuar me përmasa çintegruese, i cili tanimë sipas saj në këtë treg të lirë
të jetës reale është zhytur në thellësinë e amoralitetit të degraduar shoqëror.
Ku demokracia dhe liria keqpërdoren tmerrshëm nga anarkia sistemore e
njëmendësuar e individit dhe nga mentaliteti i rrejshëm i zhvillimit të
shoqërisë mediokre. Këtë vrazhdësi njerëzore të shoqërisë do ta bart romani që
nga fillimi deri në fund. Açka edhe pse gishtin tregues e ka drejtuar nga
Atdheu i saj, Tirana, por vrulli i mesazhit përgjithësohet dhe merr përmasën
kritike të shumë vendeve që gjenden në tranzicion. Më së miri këtë gjendje
alarmuese, tipizuese, do ta pasqyrojë njëri prej personazheve kryesore të saj
Vokër Delia, i cili nuk zgjedh mjete veprimi për t’i realizuar kënaqësitë dhe
ndjenjat e veta të sëmura. Ai është në gjendje edhe të vras, për të mbërritur
në majën e karrierës së tij rrejshme. Të tjerët para pangopësisë së tij të ç’thurur
janë të pa vlerë, janë kukulla që mund t’i manipulojë e renditë në oazën e
kënaqësisë së tij kur t’i teket, e kurë të dojë vetë. Ai di dhe kërkon të
përfitojë gjithçka që është në shërbim të interesit tij. Ai është një BoBo (Boss),
siç i ka quajtur autorja në realitet njerëzit e korruptuar të kryeqendrës së
Atdheut të saj. Atë lloj njeriu që ka ideal vetëm paranë. Këto tipa janë të
shumtë anë e mbanë botës, që i ngjajnë këtij njeriu karrierist dhe të pa ngopur
dhe që keqpërdor shoqërinë. Pesëmbëdhjetë vitet e martesë së tij me kukullën
13, të ashtuquajturën Ajrinë, e cila nga pakënaqësia shpirtërore disa vjeçare,
kërkon mirëkuptimin njerëzor të divorcit, (shkurorëzimit) nga i shoqi, për një
ndarje të butë, të kuptueshme, pa skandale, pasi tanimë, sipas ndjenjave të saj
të lënduara nuk funksionon kurrgjë në jetën e tyre të përbashkët, aspak
tolerante të bashkëshortësisë. Mes tyre nuk ka kurrgjë të bukur, madje as
drekat e shtruara, as koha e lirë, as paratë, as koktejet, as puthjet, as
seksi, nga ajo dashuria shumëvjeçare e idealizuar deri në përhumbje e zhgënjim.
Ftohtësia e saj kalon gradualisht deri në urrejtje, ngase ishte një dashuri
zhgënjyese, e ndërtuar keq. Që ka shtegun e gjatë të veprimit dhe ndikimit të
shëmtuar nga mentaliteti mbisundues patriarkal, e një mashkulli fanatik, i vardisur
keq, i cili ka trashëguar gjakun e papastër të një mentaliteti provincial,
shoqëror, fanatik të kanunit, ku burri mund të bëjë gjithçka në jetë, bile edhe
të vrasë, e gruaja si e nënshtruar, të gjitha lëshimet dhe tekat e tij të
ç’thurura që i bën fshehtas, duhet t’i pranojë në vete si veprime normale,
jetësore bashkëshortore. Kësaj koketerie morale të njëanshme gruaja duhej të
jetë ajo e durueshmja, ‘’hatërmbetura’’, e cila të gjitha veset e pa hijshme të
burrit t'i merrte si gjëra normale, gjoja se burrit ia toleruaka këtë
komoditet, mentaliteti arkaik i Kanunit. Pikërisht këtu qëndron fuqia e
kuptimit të mosnjohjes shpirtërore feministe, e disa meshkujve kur lëndojnë të
tjerët, gratë me veprimet e tyre të njëanshme. Vokër Delia dhe Ajrina arrijnë
kulmin e konfliktit njerëzor për ndarje, kur ndeshen të vetmuar pas një
udhëtimi të papritur në Itali, gjoja për të kujtuar ditën e martesës. Ato atje
i shfaqin të gjitha mosdurimet midis tyre për divorc. Heshtja e gjatë dhe
refuzimi për dialog të shëndoshë trazon negativisht edhe më shumë komunikimin e
tyre, gjatë asaj dreke të shtruar enkas në jugun e Italisë, e që kurorëzohet
bindshëm me ftohtësinë e tyre të përhershme të mos përshtatjes. Kukulla 13,
Ajrina është e paaftë të luftojë si e vetmuar me këtë kohë të egër, por arma e
saj e vetme për t’u mbrojtur nga kjo anomali jetësore, e imponuar, është
ndjenja e saj shpirtërore e thyer, që e detyron me krenarinë e egos së saj
njerëzore të bëhej e fortë dhe të marr guximin për kapërcimin e kësaj situate
të hidhur. Edhe kjo nga mosbesimi bie në gjendje të ronitur dyshimi, si Ana
Karenina, por nuk merr qëndrimin e saj tragjik për vetëvrasje, siç u ka ndodhur
shumë shoqeve të saja të kohës. Ajrina ka djalin, si Ana, që në këtë rast
analogjie vepron kalimthi në roman, por ajo që e ngushëllon situatën e saj të
hidhur në roman, është sentimenti i krijuar për rrugëdalje nga e keqja është
kryesisht poeti Mond Shpali, i cili me urtësinë e një artisti gjatë një kokteji
të përbashkët me elitën kulturore, ku ishte prezent edhe Ajrina, ia kishte
vjedhur e mikluar zemrën për një periodë të gjatë kësaj femre që kërkonte
ngrohtësi shpirtërore. Vargjet e tij poetike, të cilat ajo i pëlqente shumë i
ruante nën jastëk, duke ia mbajtur gjallë kujtesën dhe dashurinë platonike të
ëndërruar. Meqë Ajrina me profesion ishte pianiste, gjithsesi se finesat e
artit të saj shpirtëror e mendor donte t’i koordinojë dhe akordojë në harmoni
me fjalët e bukura poetike të Mond Shpalit, i cili gjithnjë kishte kujdes që të
mos ia trazoj ndjenjat edhe ashtu të plaguara dhe të keqtrajtuara nga burri i
saj. Ai gjithnjë me modestinë e njeriut të durueshëm dhe të matur në shoqëri
merrte dhe jepte guxim me alternativë jete nga distanca, në mbrojtje të një
shpirt të lënduar keq. Edhe pse afria e Mond Shpalit me Ajrinën ishte më e
thellë se këto fjalë latuese të respektit, ajo në kodin e ndjenjës së saj
psikologjike të komplikuar adaptonte hakmarrje dashurie të fshehtë ndaj të
shoqit, për t’u revanshuar më në fund. Kukulla 13 edhe pas marrëdhënies intime
me një burrë tjetër, Mond Shpalin megjithatë nuk donte të luaj trio dhe aborton
me vetëdije fëmijën e dytë të posa nisur, pas një marrëdhënie seksuale me të do
ta keqësonte situatën edhe më shumë. Në vete fshehte moral të përgjithësuar
njerëzor. Ajo nuk donte ta mbajë këtë fëmijë, peng të konfrontimit jetësor
midis dy burrave, derisa ende s’është ndarë tërësisht nga burri i saj i parë,
pasi nga ana morale nuk i leverdiste mënyra e veprimit në shoqëri, ndihej shumë
keq dhe nuk donte t’i sillte poetit ndonjë të keqe, që do të kishte pasoja të
pa parashikueshme në të ardhmen e tyre. Açka sipas këtyre bindjeve dyshuese, për
personazhet e veta kërkon një shteg të mundshëm racional, duke ua arsyetuar
veprimet e tyre për hamendësimin e egos së imponuar, pasi ato në brendi të
situatës e konfliktit janë të ngarkuar me probleme të shumta ekzistenciale. Si
duket autorja për t’i arsyetuar kundërshtitë e personazheve përdor mundësitë
ezoterike. Personazhet përballen guximshëm me kundërshtitë e jetës dhe luftojnë
me këmbëngulësi irracionalen e strehuar në vete. Për vetëbesim të bindshëm
jetësor atyre ua ngjesh në vetëdije teoritë oshoiste.
Një karakteristikë tjetër në roman
sjell kukulla 24, e cila luan rolin e një gruaje tipike shqiptare. Ajo është
ish shoqja e Ajrinës, e punësuar në Ministrinë e Drejtësisë. Edhe gjendja e saj
shpirtërore është e lënduar nga shoqëria. Ajo nuk vuan për dashuri të sinqertë,
ngase ka marrëdhënie të mira me bashkëshortin, por shqetësimi i saj është
izolimi nga shoqet e saja të punës. Ato shoqet e zyrës e shihnin si një grua të
rëndomtë, jo e kohës, sepse ato përveç burrit, mund të zbukuronin jetën e tyre
me emocione paralele, duke flirtuar e dashur edhe burra të tjerë njëkohësisht,
Këtë ç’thurje morale nuk e pranonte kukulla 24, pasi ajo kishte dëshirë të
kultivojë një familje të shëndoshë. Ky personazh përmbush jetën sentimentale të
njeriut që gjendet përballë një shoqërie të degraduar, këtu pa hamendje
shpalohet një lloj konfrontimi moral midis normales dhe jo normales që derdhet
në mënyrë stihike nëpër ujërat e turbullta të kaosit shoqëror.
2
Shtjellimi i personazheve të
imagjinuara demitizohet në rrëfimin e brendshëm të kësaj vepre të dalë nga
realiteti jetësor shqiptar. Në fillim zbulohet qëndrimi bazë, i mashkullit dhe
femrës, pastaj dalin veçantitë e tyre të jashtme. Nga imagjinata e strehuar
intime kalon në atë konkrete për t’i zbuluar fenomenet e kohës. Të gjitha
figurat luftojnë për të qenë dominues në veprimet e tyre. Autorja na fut në psikanalizë
letrare. Secila prej kukullave afron në skenë dramatike përvojën e vet jetësore
në një kohë të caktuar. Figurat bartin në vete karakterin e vet të tipizuar
mirë. Edhe kukulla 6, shoqja tjetër e ngushtë e kullës 13 pëson keq me guximin
e saj gjurmues nga jeta dhe shoqëria, pasi ajo si gazetare i përcjell dhe i
denoncon të gjitha anomalitë e kohës dhe sistemit. Ajo madje shpalon konceptin
e saj ‘’të burgut të lirisë shqiptare’’. Kukulla 6 është e lidhur ngushtë për
kryeqytetin, por edhe ajo bën një dashuri platonike me të dashurin e saj që
gjendet në mërgim. Nuk i bindet kërkesës dhe vardisjes së tij për t’u larguar
nga vendi, ngase atdheu i kishte mbetur peng i përhershëm i dëshirave të saj të
preferuara, për t’i ndihmuar me mundësitë veta që kishte si gazetare. Kukulla 6
nuk mbetet vetëm me kaq, por shkon edhe më tej me shkrimet e guximshme, duke u
marrë edhe me një fenomen tjetër tronditës të shoqërisë shqiptare, gjegjësisht,
me fenomenin e homoseksualitetit, si standard i imponuar nga jashtë për të
drejtat e njeriut. Madje më tej ajo pëson edhe për shkak të bindjes së saj
kërkuese, kundërshtuese, të realitetit të hidhur, për t’i ndihmuar shoqes së vet
dhe sidomos të shpalimit të aksioneve të errëta të Metalurgjikut, gjë që për
këtë ndërmarrje të ndritur, të dikurshme ku kishin punuar edhe prindërit
e saj ka dorë të përlyer për privatizim edhe Vokër Delia. Qëllimi është kush i
shfrytëzon këto mjete e tenderë dhe kush abuzohet me këto fonde të lëshuara për
mirëqenien e shoqërisë. Këto janë pyetje retorike që i dedikohen lexuesit për
ta kuptuar të vërtetën e kohës. Kukulla 6 me pësimin e saj zbulon shkakun dhe
pasojat e situatës politike në shoqëri. Tirana sipas saj është simptomat e
vrazhdë e demokracisë së korruptuar, ku shoqëria dhe individi vuan nga virozët
e politikës së njëanshme, dekadente, shkatërruese, e cila me mutacionet e saja
historike të diktaturës së njëmendësisë sistemore, të ikur, copëtohet keq në
demokracinë e brishtë të kohës, e cila mbulon shoqërinë keq ‘’si ndonjë çadër e
vjetër’’. Ajo tanimë në vete bart një kohë të bruztë, plot me ngjarje të
pafata, vrasjesh për nder, gjakmarrjesh të shumta, vjedhje dhe aksidente të
shumta në rrugë, debate politike të pavlerë.
Romani kërkon vëmendje të posaçme
për t’i deshifruar tipat kundërshtues të personazheve, që veprojnë në jetën
politike e publike të kohës sonë, meqë në tekst ngjishet perioda kohore dhe
hapësira e një vendi postkomunist, bashkë me të gjitha pasojat e shkaqet
ekzistuese të zhvillimit të keq të privatizimit, prapëseprapë, titulli i romanit
të shkrimtares Flutura Açkas ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’, universalizohet si
temë e përgjithësuar me anë të rrëfimit të përzgjedhur gjuhësor dhe shumë
dimenzional. Personazhet vepruese sjellin një frymëmarrje sinkronike të
shoqërisë, ku dukuritë shoqërore inkarnohen të sistemuara në një ide të caktuar
veprimi, për ta shpaluar të vërtetën e kohës. Gruan e vë përballë një sistemi
të vrazhdë transitor emancipues. Bota femërore aty aktualizohet si një fenomen
i përgjithësuar i ndjesive të përmasave të mëdha feministe, pasi ndjenja e
gruas del në shesh kuptimi, si shumë e ndërlikuar, edhe si humbëse edhe si
fituese e stratosferës politike e erotike që ngërthen në vete femra, si qenie e
pranishme në shoqëri, gjë që pikërisht kjo parabolë kuptimi e bërë të veçantë
dhe aktuale këtë vepër të guximshme të Açkës. Zhgënjimet dhe shqetësimet e
personazheve lidhen ngushtë me vendin, rrethin jetësor të përmbushur me shumë
ngjarje reale e të lidhura strukturalist mirë midis vetes, ku kihet parasysh
një tranzicion sistemor i imponuar keq në shoqëri, me shumë pasoja dhe zhgënjim
jetësor. Kukullat divorcohen dhe kurorëzohen me ngjarje nëpër shumë segmente të
jetës. Ato pësojnë dhe veprojnë duke shpaluar identitetin e vet luftarak në
shoqëri. Ato nuk janë kufoma të gjalla që kurdisen në ndjesinë e tjetrit, sa
hap e çel sytë, pa e shijuar e përjetuar situatën e rrethit me emocionet e veta
tërheqëse. Edhe ato kanë ofkëllimat e ndjeshme të veta, Ato veprojnë në jetë dhe përvojat e tyre
universale i pleksin guximshëm në ngjarje nga ndodhitë e shumta të përjetuara.
Shkaqet dhe pasojat e tyre nuk mund të kapërcehen lehtë, pa praninë e tjetrit,
burrit, nën vetëdije. Kështu vihen në baraspeshë konflikti, karakteri i
mashkullit dhe ai femrës, gjë që në realitet ushqejnë në vete pa kuptimësi
marramendëse të paragjykimeve të shumta, të ndërtuara prej zakoneve të
trashëguara nga tradita dhe nga pikëtakimi formës së jetës së re, emancipuese,
të të jetuarit, të barabartë midis të barabartëve, e cila tanimë sot si e tillë
duhet të përballet dhe përplaset në reformë të kushtëzuar sistemore. Kjo
arritje e shëndoshë, nga dita në ditë, plotësohet edhe me kthesa shoqërore të
imponuara postmoderne. Përmes kukullave shpalohet vetëdijesimi kolektiv i
femrës, e cila si e tillë që është në emancipim të drejtë shoqëror, të
kulturuar, nënkupton barazinë gjinore për t’i shijuar të mirat dhe të këqijat e
kësaj bote në mënyrë të barabartë. Këto femra nuk janë vetëm kukulla gome
eksitimi të shpejtë dhe të adaptuara teknikisht rrejshëm në shoqëri, për shumë
burra që kërkojë shpëlarje ndjenjash meshkujsh të shashtrisur shesheve të
shtrembëruara mendore, por janë qenie të ndritura që mund t’i shërbejnë
shoqërisë nëpër të gjitha poret e jetës, kudo që të gjenden duke vepruar e
jetuar.
Vepra ‘’Kukullat nuk kanë
atdhe’’ është një shqetësim kolektiv, i imagjinuar mirë nga autorja dhe i
lidhur ngushtë me çastet më tronditëse të jetës në një shoqëri që është e
bartur keq, më tej në kohë, e sistem të integruar demokratik, me komplekset e
komunizmit të trashëguar, me shqetësimet e shumta të emancipimit të vështirë që
ua imponon përditshmëria e hidhur e tranzicionit, pasi shoqëria shqiptare del e
lodhur nga një sistem i lënduar standardi të sofistikuar i kufizimit jetësor,
si dhe nga rregulli i përmbytur i diktaturës, në një shoqëri të hapur,
kompleksive pluraliste. Personazhet përballen ashpër në jetë me shpërthimin
shumëdimensional të jetës urbane, ku alkooli, droga, prostitucioni, pasurimi i
shpejtë, bëhen imazhe të përditshme të njeriut. Rrëfimi nuk shtjellohet bardhë
zi, por në mënyrë pluraliste imponohen ngjarjet e kodifikuara të personazheve
në syzhe kuptimi, ku konfliktet barten rrjedhshëm, me spontanitet dhe me
ndjeshmëri ndikuese nëpër skutat e veprimeve emocionale të tyre dalldisura keq.
Autorja eksperimenton guximshëm në rrëfim një shtjellim të motivuar
gjithëpërfshirës, postmodern të shoqërisë shqiptare. Në roman ka edhe
intertekstualitet të frymëzuar e absorbuar mirë nga shkrimtari i Amerikës
Latine, Mario Vargas Lloza. Autorja përdor gjuhën dhe stilin e tij të përafërt
të shprehjes dinamike. Kur jemi në këtë mendim të kujtojmë, sa për ilustrim,
pasojat e të miturës Urani në romanin ‘’Festa e cjapit’’, ku kristalizohet
mjaft mirë e keqja e trashëguar e një sistemi të korruptuar dhe të udhëhequr
keq, m'u aty në Republikën Dominikane, në atë vend të përmbytur nga anarkia e
mosbesimi, ku diktatori Truhijo do ta përdhunojë vajzën e përkrahësit të tij,
Sekretarit të shtetit, Senatorit, Kryetarit të Partisë Demokratike, i cili me
të gjitha ato poste që kishte bartur në shtet, më në fund i sëmurë dhe i
vetmuar do të përfundoj shumë keq, dhe si për shpërblim nga shefi i tij i
adhuruar merr çnderimin familjar më të tmerrshëm, duke ia keqpërdorur vajzën,
në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, e cila pas atij momenti të hidhur e pervez
seksual, në shtratin e presidentit të pangopshëm dhe ‘’besnik i babait’’, ajo
nuk do të martohet kurrë më, nga pasojat dhe traumat e seksit të keq që
përjetoi në jetë.
Personazhet e romanit ‘’Kukullat
nuk kanë atdhe’’ janë figura aktive që veprojnë edhe në strukturat më të larta
të shtetit. Por autorja në mënyrë simbolike përmes këtyre kukullave provokon
ndjenja dhe atakon politikanin, gazetarin, biznesmenin e korruptuar e të
degjeneruar të kohës. Personazhet sjellin në jetën tyre kontradikta të shumta
që ka shoqëria, në Tiranën e saj të dashur post komuniste, aty del në skenë
mashtrimi dhe errësira shoqërore, e cila vepron keq, duke ngulfatur Atdheun me
viktima të shumta morale e ekzistenciale.
3.
Flutura Açka, duke njohur mirë
realitetin e kohës, me një intuitë të zhdërvjelltë letrare e trajton më tej rrëfimin
e saj për kukullat dhe BoBot (Bosat) e vendit. Ajo ka informacion të duhur për
këto figura vepruese, kështu që i koordinon mirë këto personazhe nëpër situata
të shumta konfrontimi. Autorja me një informacion e bagazh letrar të kujdesshëm
i përmbush të gjitha nevojat teorike letrare të strukturës së romanit. Ngjarjes
i jep shtimung dhe tension poetik tërheqës. Këtë veprim e bën duke u
përqendruar kryesisht në motivet tipike e virtuoze të personazheve. Ajo thur
aty detaje reminishencash të ndërlidhura që e shpie lexuesin në kërkim të
vazhdueshëm deri në fund të romanit. Përshkrimi i ngjarjeve bëhet nëpër forma
të ndryshme të jetës, dhe kjo mënyrë trajtimi i rrjedhshëm na fiksohet lehtë në
mendje, përmes kukullave lëvizëse, si protagoniste kryesore të përjetimeve të
shumta reale. Ligji, për ta, nuk sistemohet mirë në shoqëri, andaj çdoherë bie
në kurth të ngjarjeve të hidhura dhe të degraduara. Kështu në skenë veprimi
dalin marrëdhënie kompleksive jetësore që ka njeriu në ndryshim e evoluim e
sipër. Açka personazhet si Vokër Delia, i nxjerr në veprim të koordinuar mirë
në ngjarje, bashkë me kukullat tjera të veçanta, që luftojnë për ekzistencën e
tyre në hierarkinë shoqërore. Sidomos këtu janë interesante reagimet e kukullës
tipike 13, e ashtuquajtura Ajrinë, e cila defilon me kërkesat e drejta bindshëm
në jetë, bashkë me karakterin e saj të fortë e të paluhatshëm, për të bërë
divorcin nga ky njeri i kthyer në ‘’monstrum’’, pasi nuk posedonte ndjenja të
mirëfillta njerëzore. Ai ishte burri i pa përmbajtur, që e kishte tradhtuar
shumë herë. As pasuria, as kushtet e mira jetësore, nuk vijnë në shprehje para
ndjenjave të saja të lënduara keq, prandaj ajo merr një guxim të prerë dhe një
vendim të pakthyeshëm për divorc, pa i parashikuar pasojat që mund t’i vinin më
vonë. As këshillat e mamasë nuk mundën ta frenojnë vendimin e saj të shkurorëzimit.
Ajrina, siç thashë më lartë, për nga karakteri në disa sentenca i ngjan Ana
Kareninës. Ajo jeton e ngarkuar me mendime të shumta tronditëse, pasi i mungon
harmonia bashkëshortore dhe fjalët latuese, të vërteta, nga i shoqi, i cili me
veprimet e tij të pahijshme lëndon keq gruan dhe të tjerët. Por kjo nga dita në
ditë kërkon rrugëdalje prej situatës, pasi i shoqi në vetëdijen e tij tunduese
kishte trashëguar arrogancën burrërore tradicionale dhe të fanatizmit
patriarkal, ku gruaja duhej të mbetej skllave e përhershme e burrit, që ai të
jetë përherë personi që vendos për gjithçka, deri te ajo vetëdija e plotë e
nënshtrimi të tjetrit. Ai donte të luaj rolin e një zhigoloje dhe këtë lojë e
bënte në mënyrë të fshehtë, siç bën një personazh tjetër së bashku me kukullën
30, një pesëdhjetëvjeçare që kishte përvojën e dy sistemeve kohore, por që
ishte kalitur në rrugëtimin e saj për të mbijetuar në jetë, me punën e saj që
bënte në atelie, duke shfrytëzuar tenderë, dhe duke rekrutuar vajza të reja të
kohës për kënaqësitë seksuale me të pasurit, e cila gjithnjë do të vë në
shërbim të mendimit të saj një shprehje që kishte trashëguar dikur në fëmijëri,
nga i ati ‘’Toka i takon atij që e punon’’, Ajo thotë se dashurinë e shpikën
komunistët për të mos paguar seksin. Kukulla 30 për sfidë moshe afër vetes mban
djaloshin me pseudonim Tan Rubin, i cili me emrin e vërtetë Rustem vinte nga
zona e Mallakastrës. Këtë person ajo e ndan me mikeshat që kishin nevojë për
marrëdhënie të fshehtë seksuale. Për prashitjen e përditshme të ‘’tokës së nën
barkut’’. Por edhe këtij personazhi kjo jetë e ç’thurur do t’i vijë te hunda
dhe më në fund do ta braktis atë jetë urbane të pakuptimtë, dhe do të kthehet
në jetën normale të fshatit...
Për dallim nga Ana Karenina e
Tolstoit, Ajrina kërkon rrugëdalje, nuk zgjedh rrugën e tmerrshme, të pa shteg,
të vetëvrasjes, siç kishin vepruar shumë gra dhe vajza tjera të kryeqytetit,
por kjo me fuqinë e karakterit të saj të vendosur, bindshëm kërkon t’i
arsyetojë ndjenjat e çiltra për të jetuar ndryshe, me dashuri të sinqertë, si
qytetare e denjë dhe e lirë. Me lidhjen spontane e të pëlqyer që bën me poetin
Mond Shpalin, të burgosurin politik, i cili kishte përjetuar të zitë e ullirit
në burg. Njëzet vite izolimi në sistemin totalitar të së kaluarës. Fjalët e tij
të matura poetike, si dhe kujdesi e durimi tij kulturor, ishin veprime
racionale të mjaftueshme për të përfituar zemrën e Ajrinës, kukullës13. Tërë
kjo maturi njerëzore kish ngjallur e nxitur kërshërinë e shpirtit të saj, të
ndejshëm, prej artisteje, e cila ishte formësuar e refrenizuar artistikisht
gjatë jetës, me tone të ndjeshme shpirtërore romantike, Meqë është pianiste
rrahjet e zemrës së saj kërkonin koordinim ritmik të dyanshëm të marrëdhënies
intime, prandaj kërkonte drejtësi midis ndjenjës dhe besimit të dhënë. Nga
sjellja e këtij poeti të kujdesshëm kishte marrë kuptimin e drejtë për jetën,
për formën e stimulimit të shijes dhe ndjenjës, për ta bërë atë sa më shumë për
vete. Pasuria materiale për të nuk ishte mjet i lakmuar devotshmërie që do ta
qetësojë shpirtin e ngrysur e të lënduar nga e keqja e fatit të hidhur. Ajo nuk
do ta pranojë kurrë këtë të mirë të fituar pa merita nga dikush tjetër, siç
lakmonin e pretendonin kukullat tjera për t’u pasuruar e punësuar nëpër bordet
e bordelet e kryeqytetit. Secili personazh në roman mbetet për vete, dhe secili
shfaq karakterin e vet të veçantë. Ato veprojnë të tronditur nga amoraliteti i
rrethanave ekzistuese dhe dobësia e imponuar e së ardhmes në shoqëri.
Personazhet bartin pa siguri, zhgënjim dhe frikë në rrugëtimin e tyre jetësor.
Veprimet e Vokër Delisë shpalojnë peshën e një shoqërie dekadente e të
korruptuar, pa një hierarki vlere njerëzore të mirëfilltë, që do ta çonte
shoqërinë përpara. Vokër Delia është një figurë kompleksive, tipike e
realitetit të sotëm shoqëror, i cili shpalon identitetin e vet karrierist për
të mbërritur me çdo kusht pa merita në majën e politikës së kohës. Ai me të gjitha
mënyrat kërkon mundësi për të ardhur në krye të politikës, pa kursyer edhe
shkatërrimin e familjes që është e shenjtë në traditën shqiptare, prandaj me
ambicien e tij të sëmurë të trendit ambicioz për t’u dukur, e për t'u pasuruar
në mënyrë jo të drejtë, nuk zgjedh mjete vepruese. Kukullat nuk janë gra të
reja të vetme që dalin në skenë në këtë sistem të korruptuar të pluralizmit të
trashëguar nga diktatura më e sofistikuar e vendit, por tërë një arsenal e
zhvillim sistemor, burrash e grash që pëlqejnë një formë jetese e zhvillimi të
këtillë të funksionimit shtetëror.
Açka nuk na shtron para nesh një
roman politik, por brenda veprimeve të personazheve del në skenë një fushë e
gjerë amoraliteti të një politike të mbrapshtë, të udhëhequr keq. Me individ jo
adekuat për të qeverisur vendin dhe sistemin pluralist të kohës. Tirana bëhet
bota e vogël e ngjarjeve të mëdha, e cila në vete përfshinë vlerat dhe jo vlerat
njerëzve që bëjnë politikën dhe kulturën e kohës. Këtu duken qartë borgjezët e
vegjël, lukset i tepruara, femrat skllavëruara, homoseksualiteti etj. Nëpër
këtë rreth sistemor të skllavëruar nga tradita e vrazhdë dhe paragjykimet e
shumta ndërtohet njeriu i kohës, i cili është në rrugëtim e sipër, për ta
gjetur veten dhe mbijetesën e tij në kohë. Lexuesi njihet me brutalitetin e
kësaj jete tranzitore, që vjen jo vetëm nga njeriu i varfëruar, por edhe nga
defekti i abuzimit serik i një shoqërie urbane, e korruptuar nga
amoralitete të shumta. Kështu edhe prostitucioni do të bëhet veprim i mundshëm
i mirëqenies së qytetarit, për të gjetur rrugëdalje nga kjo
situatë, pasi morali njerëzor tanimë është degraduar tërësisht në shoqëri, nga
klane e individë të pa përngjeshëm. Në këtë formë veprimi janë edhe shumë
kukulla, vajza të reja, që e paraqesin brendinë e tyre psikologjike të
emancipimit të vrazhdë. Në roman asnjë personazh nuk imponohet pa plagë të
marra në arenë veprimi, por secila prej tyre vë fatin e vet në sprovë shoqërore
me pasoja. Të gjitha në formën e vet luftojnë për ekzistencë e për t’u dukur në
jetën e përditshme urbane me fuqinë e tyre vepruese. Kukullat zhvishen nga
perandoria e ndjenjave inferiore, të fshehta, femërore. Sidomos ato zhveshin
kuptimin e ndrydhur nga maska e ndërgjegjes së rrejshme në shoqëri. Ky grumbull
kukullash të vardisur në veprime është një armatë e madhe të pakënaqurash që
dalin të lënduar nga realiteti shoqëror e jetësor me veçantitë e tyre, në
Tiranën e përmbytur nga llumi e kaosi i keq i tranzicionit, e që për çdo ditë po
shëmtohet nga politika dhe papërgjegjësia e faktorit njeri.
No comments:
Post a Comment